Monday, 30 December 2013

PËR NJË VIT ME NGJYRA

Letra nga limbo 2013
KOHA DITORE 30 Dhjetor 2013 (numri festiv)

Një retrospektivë mbi ngjarjet që lamë pas

Derisa po kaloja nëpër përmbledhjen vjetore të artikujve që kam shkruar gjatë vitit - tashmë - të shkuar, fillova të kuptojë dhe rrjedhimisht ti ripërtypë edhe kompleksitetin e ngjarjeve në Kosovë. Do të duhej sinqerisht një talent i veçantë për të prodhuar një vend i vogël si i yni kaq shumë anomali politike, kaq shumë mbrapshtësi ekonomike e kaq shumë defekte shoqërore. E do të duhet një talent edhe më i veçante që në mesin e gjithë këtyre ngjarjeve të prodhohet shpresë; siç bënë mjaftë individë e grupe gjatë dymbëdhjetë muajve të shkuar. Më përcillni për pak për të kuptuar këtë kompleksitet.
                                                       
Në janar të këtij viti, taman kur filloj çlodhja pas vitit të ri, në Kosovë na ishin shfaqur disa burra me maska e rroba ngjyrë zi, e që po gjesitkulonin me një eksplozivitet sikurse ato lëvizjet e skeçeve të Çaplinit me gjithë përshpejtimet e rëndomta të filmave pa ngjyra. Para vetes kishin vendosur një hartë dhe po pretendonin luftën e re. Tmerrues nuk ishte skeçi komik; tmerrues ishte vet ideja e nevojës për mbështetje në struktura aq të paorganizuara 14 vjet pas çlirimit. Komedia vazhdoj në Serbi, kur në të njëjtin muaj, Parlamenti i Republikës atje kishte miratuar një rezolutë që i ofronte Kosovës autonomi substanciale. Përballë kësaj rezolute ne vazhdonim me negociata e mesazhe miqësore – gjithnjë për të prodhuar një shpresë se gjatë rrugës e në këmbim ne do të merrnim karrigen në OKB, liberalizimin e vizave apo njohjen nga pesë shtetet e BE-së. Sa larg duken këto premtime tash një vjet. Muajin e mbyllëm me rrënimin e shtatores së UÇPMB-së nga xhandarmeria serbe në Preshevë, sa për të rrënuar kështu edhe pretendimet folknacionaliste të pashallëqeve që liderët shqiptarë i bënin në Shkup. Në përgjigje të provokimit, grupe të rinjsh pa tru po rrënonin vare serbe gjithandej – sa për të replikuar para Evropës skenat e marsit të 2004-ës.
                                         
Në shkurt u publikua për herë të parë ideja e Fondit për Veriun. Asokohe shumë pak nga nesh e cilësuam fondin si buxhet paralel; fatkeqësisht kishim të drejtë. Në përmbyllje të vitit, kur buxheti i Republikës u prezantua  në Parlament, Fondi ishte jashtë çdo parashikimi financiar. Sot i njëjti bëhet mjet financimi i kryetarëve dhe komunave (lexo territoreve) që refuzojnë shtetësinë e Kosovës e që për dallim nga një vit më parë nuk janë më paralel; janë plotësisht legal. Shkurti gjithashtu dha shkëndijat e para të një rilindje qytetare në vend kur protestat qytetare morën hov si përgjigje ndaj keqmenaxhmit dhe keqfaturimit nga KEK. Ndonëse një vit pas protestave asnjë nuk është mbajtur përgjegjës dhe asnjë nuk është trajtuar si i tillë, thyerja e monotonisë politike ishte vetëm fillimi i një përgjegjësie kolektive që do të kulmonte me zgjedhje në Dhjetor. Gjatë shkurtit, gjersa po kremtonim 5 vjetorin e pavarësisë, Gjykata Kushtetuese u bënte dhuratë kosovarëve një vendim mosvet, e që rikonfirmonte Presidenten e pazgjedhur nga populli, nën arsyetimin se “populli e do Presidenten të mbetet aty”; çfarë paradoksi!

Marsin e filluam me ndërrimet politike në BQK dhe në AKP, pas një sërë influencash politike në pothuajse të gjitha institucionet publike në vend. Të dy këto institucione ishin bërë të lira pas arrestimit – lirimit  dhe – papërgjegjësisë morale ndaj një ish-Guvernatori që megjithatë doli të ishte i pafajshëm; dhe pas vrasjes apo vetëvrasjes së udhëheqësit të AKP-së. Që nga atëherë AKP është bërë vend i frikshëm për të gjetur punë; në të vërtetë ka qenë gjithnjë ashtu. Nëse dikush mendon të nisë zhbërjen e krimit ekonomik në vend atëherë duhet të filloj mu nga aty. Marsin e vazhduam me marshe e protesta qytetare ndërkaq e përmbyllëm me shtyrjen e afatit për privatizimin e PTK-së; pas dy vjet shtyrjesh e dy vjet paralajmërimesh se gjithçka po përfundon.

Në Prill përcaktuam fituesin e privatizimit të PTK-së. Nuk ishte një investitor i njohur, as një kompani telekomunikimi me përvojë; ishte një fond investiv që proklamohej nga Qeveria dhe qatipët qeveritarë si “gjerman”. Pra me thënien se prapa investitorit anonim qëndron prejardhja pak gjermane, pak britaneze e pak amerikane – dhe kjo mjafton, Qeveria pretendonte të kishte siguruar kualitet. E njëjta të drejtën i përngjante më tepër  anekdotave të shitjes së veturave të cilat janë vozitur nga një plakë në Gjermani; sa për të dëshmuar kështu (brishtësish) kualitetin e tyre. Këtë herë megjithatë, bëhej fjalë jo për një hajgare tregu por për një humbje enorme publike. Në vazhdim të muajit prill, flirtimet e para të grupacioneve opozitare në relacion me bisedimet për Veriun veçse ishin formësuar. Në prill askush nuk mund ti besonte askujt. Në prill vendi ishte pa opozitë – përjashto Vetëvendosjen e cila megjithatë i qëndronte parimeve të vetëdeklaruara.

Majin e filluam, madje në ditën e punëtorëve, me propagandën e parë statistikore të vitit 2013; me Agjencinë e Statistikave të Kosovës që kishte ulur papunësinë për 10.2 pikë të përqindjes krahasuar me një vit më parë. Propaganda e dytë do të bëhej diku nga tetori, kur në pak muaj shtesë ASK do të ulte edhe më tej papunësinë deri në 30%. E bënin duke ofruar numra për vendet e reja të punës? Assesi. E bënin, besoni ose  jo, duke i llogaritur si joaktiv nga qindra-mija kosovarë. Të papunë gjithsesi, por jo-aktiv njëkohësisht (pra të tillë që nuk duan punë). Kosova në fund mbetej me më shumë popullsi joaktive se sa aktive, si asnjë vend në botë – fjalë për fjalë – si asnjë tjetër në botë! Në maj morëm gjithashtu edhe refuzimin e parë për takim rajonal që mbahej në Ohër, përkundër deklarimeve patetike të negociatorëve kosovarë si ato me “fusnota që shkrihen”. Ndonëse solidariteti i vendeve mike në rajon ishte mbresëlënës, ndalim pjesëmarrja për ne megjithatë provonte mu idenë se pala kosovare as nuk kishte ide për çfarë negocionte në Bruksel; ishte pajtuar për fusnote por nuk arrinte dot që merrte pjesë në rajon.

E në qershor morën hov pikëpamjet ekstremiste fetare që shkuan aq larg sa që marrëzisht ofendonin secilën figurë kombëtarë veç sepse kishte religjion tjetër – përfshirë madje dhe Skënderbeun. Fyerjet ndodhnin mu në Parlamentin e Republikës nga deputetë që janë të përcaktuar për të mbrojtur traditën dhe historinë e popullit të tyre. Të njëjtit kanë për të harruar mirë e gjatë Parlamentin në zgjedhjet e ardhshme – mirë që u pa se cfarë janë. E në anën tjetër, hoxhallarë që dinin për mot, shëndetësi, ekonomi, politikë, automekanikë, astronomi e moral – të gjitha në një vend – po predikonin urrejtje, ahmaki e antivlera të gjitha të mbështjella gjoja me religjion. Si një besimtar gjeta veten të ofenduar nga një përfaqësim i tillë – gjithsesi i rrezikuar nga potenca destruktive e qëndrimeve si ato. Ekstremizmi fetar vazhdon të mbesë rreziku kryesor i Kosovës dhe lirisë së saj. Në ngjarjet tjera të qershorit, ne u ranguam (të vetmit në Evropë) si vend gjysmë-autoritar nga Freedom House. Përgjigja qeveritare, besoni ose jo, kontestonte kredibilitetin e njërit prej institucioneve më kredibile në botë. Muajin e përmbyllëm me atë që kosovarët mund ta kenë marrë si – çuditërisht – lajmin më të rëndë për ta, humbjen e Berishës dhe zgjedhjen e kryeministrit të ri Rama. Një ndërrim radikal i skenës politike atje do të reflektohej dhe në Kosova pak muaj më vonë.

Në korrik u shpërfaq për herë të parë ligji më anti-shtetëror që Kosova mund të prodhonte; ai i amnistisë. Përtej faljeve në Veri që dhe mund të përbiheshin shumica parlamentare e jona e përkrahur trupërisht nga shumica e deputetëve të LDK-së e AAK-së, pra sërish pa VV-në, kishin aprovuar faljen e shumë krimeve edhe në jug – përfshirë edhe krimeve ekonomike, të pasurimit të shpejtë e shpëlarjes së parasë. Ishte ndjenja më e pasigurt që një i drejtë, një i sinqertë e një i mbarë mund të merrte në Kosovë. Atë ditë i njëjti ishte barazuar me një hajn, kriminel e vrasës. Korriku u freskua me daljen në skenë, për herë të parë, të “Partisë së Fortë”, një grup të rinjsh prishtinas, me shumë kreativitet e me shumë pasion, që po thumbonin gjithandej skenën politike kosovare; brilante. Në korrik gjithashtu na u shfaq edhe ana e errët e azilantëve kosovarë, me çadra e tenda nën urat franceze. Pamjet e kosovarëve nëpër kampet evropiane përkthenin më së miri situatën e rënduar ekonomike në vend.

Gushti veror, përtej monotonisë së thatësisë nga zhegu, u ç’monotonua nga fitorja impresive e Majlinda Kelmendit në garat e kampionatit botërorë në xhudo; Kosova pra kishte kampionen e saj. Fitorja e Majlindës ishte një akt impresimi për gjeneratat e reja që shihnin kulmimin e suksesit mbi mbylljen e padrejtë të tyre; puna megjithatë kishte shpagim. Gushti mesiguri ishte muaji me lajmet më të mira në vend, pas një suksesi të ri të “Dokufestit” që po thentë sërish rekordet e veta. Ishte një promovim i shkëlqyeshëm i vlerave të mira kulturore të Kosovës.
                                                                                                                           
Lajmet e mira morën fund në shtator, kur përfundoj pushimi qeveritar, sa për të na kujtuar ironikisht se për të ecur gjërat mirë në këtë vend kjo qeverisje dhe kjo qeveri duhet të mbesin në pushim përjetësisht. Në shtator filloj dhe fushata elektorale e zgjedhjeve lokale. Fillimi i fushatës u karakterizua me tre efekte, i pari kishte të bënte me reciprocitetin tregtar me Maqedoninë – një akt me shumë vend por i mundur vetëm falë kohës së zgjedhjeve. I dyti kishte të bënte premtimet milionëshë paushall të Kryeministrit, të gjitha të kushtëzuara me votën për partinë e tij, në të kundërtën harrojeni investimet.  I treti ndërkaq kishte të bënte një përzierë mishmashe të pretenduesve për kryetarë, një grup me mjaft kualitet në njërën anë përballë disave që as shkrim lexim nuk dinin, por pretendonin kryetarllëkun – tipike kosovare.

Tetori do të mbahet në mend për zgjedhjet më interesante të organizuara ndonjëherë në vend. Fillimisht, korrektësia e raundit të parë parabalotazh e që derivonte nga kujdesi i shtuar i vëzhguesve në relacion me vjedhjet e votës, ishte freskuese për vendin. Gjithsesi ky freskim po vinte pas një presioni enorm ndërkombëtar për zgjedhjet e lira. Së dyti, mbajtja e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës, sado që do të dukej impresive, do të prvonte vetëm pak ditë më vonë defektin enorm jo vetëm të aktit zgjedhor, por të gjithë procesit dialogues që kishte filluar vite me parë – për të sjellë Kosovën në qorrsokak. Tetori gjithashtu do të mbahet në mend për lëshimet (tashmë) të zakonshme të sallës së Parlamentit nga (këtu fillon çudia) shumica parlamentare, me qëllim të parandalimit të ndonjë refuzimi eventual të shitjes së PTK-së.

Nëntori filloj me shkëndijat e para të një befasie elektorale – të shthurjes së regjionalizmit e klanizmit partiak. Ani pse natën e parë të zgjedhjeve nuk mbet kush pa shpallur fitore, në natën e dytë pamjet e rezultateve zgjedhore veçse u formësuan më mirë. Në këtë formësim morri pjesë edhe brutaliteti i grupeve rrugaçore në Veri të Kosovës që kishin shkatërruar kutitë zgjedhore para syve të ndërkombëtarëve; për pak treshja Ashton-Thaçi-Daçiq do të jenë ndjerë të tmerruar (me numrin e vogël të disa votuesve dhe me reagueshmërinë e të tjerëve).
                                     
Qershia mbi tortë erdh në dhjetor, kur rezultatet e balotazhit përmbysën tradicionalen e partive politike në gjithë Kosovën. LDK humbi Prishtinën, AKR morri Gjakovën, AAK humbi Pejën e PDK humbi gjithandej – nga çdokush. Konstalacioni i ri politik në vend, që zëvendësonte monotoninë dhe pakujdësinë e pushtetit ndaj qytetarëve – pra votimi antipushtet që u shfaq gjithandej – ishte dhurata më e mirë që kosovaret mund ti bënin vetit për Vit të Ri. Kjo dhuratë dhe kjo festë e pakët u prish nga katër ngjarje të njëpasnjëshme. E para, nëpërmjet bisedimeve, Kosova i kishte mundësuar Serbisë të mësonte datën e fillimit të negociatave për anëtarësim me BE-në për të marrë asgjë në këmbim, as edhe një kërkimfalje madje për gjithë krimet e marritë e bëra në vend – përfshirë edhe ato së fundi të ndërlidhura me gjetjen e varrit masiv në Rashkë. Ky progres serb në kurriz të një stagnimi kosovar ishte produkti i vetëm i mundur i një futjeje pa mend, siç edhe e kishim paralajmëruar vite më parë. Së dyti, rezultatet e zgjedhjeve dhe fitorja e një liste anti-kosovare që pretendon shkëputjen nga Kosova provonin sërish se sa të pasinqertë dhe njëkohësisht se sa të paditur kanë qenë politikanët tanë gjatë gjithë procesit të bisedimeve. Nëpërmjet një tolerance me theks në neutralitet ndaj statusit, të njëjtit kanë mundësuar krijimin e telasheve të institucionalizuara madje në Kosovë. Së treti, presion ndërkombëtar ndaj kërkesës rreth vendeve të rezervuara parlamentare për minoritetin serb në Kosovë, përtej çfarëdo premise në Pakon e Ahtisaarit – e gjitha e shoqëruar me një tolerancë e “bishtit të nxënë” nga partitë në pushtet – veçse paralajmëron për kahjen e re të një deformimi shtetëror në të cilën është futur Kosova. Së katërti, përtej zgjedhjeve e negociatave, kontrabandimi i PTK-së në ligjin e buxhetit, një akt i paparë ndonjëherë më parë, vërteton sërish natyrën bukur kriminale të një qeverisje që kemi sot. Këta nuk kanë kufi.

Dhe tash në fund fare, kur kujtoj gjithë ecjen e bërë pa takt e pa stil në një vit të tërë, kam vështirësi të ngre dolli me shumë gëzim. Gjithsesi se në mesin e vështirësive e skandaleve politike – brenda dhe jashtë vendit – ka lajme që të japin shpresë. Aso lajme e ngjarje që të shtyjnë dhe për një vit tjetër – e për më shumë. E për njerëz që krijojnë, sjellin e lajmërojnë ngjarje të tilla, vlen të ngrehet dhe kjo dolli. Për gjithë ataë i dhanë 2013-ës ngjyrat e shpresës, gëzuar. Qoftë tjetri më me ngjyra se ky.
                                
                                               

                                                                                                    

Friday, 27 December 2013

SHANTAZHI SI MODEL QEVERISJE

Letra nga limboKOHA DITORE 27 DHJETOR 2013
Mbi kontrabandimin dhe kushtëzimin e fronteve politike si vlerë qeverisëse
Me zanafillë dy vite më parë, kur privatizimi i PTK-së nuk po kalonte se nuk po kalonte dot në Parlament, Qeverisë i kishte rënë në mend se mund të bënte ndërlidhjen më të pakuptimtë të mundshme, saktësisht, të fuste privatizimin e asetit si një nen të veçante (neni 4) brenda ligjit të buxhetit. Kam thënë vazhdimisht se sikur kjo qeveri dhe kjo nomenklaturë qeverisëse të kishte kreativitet për mbarësi siç ka për mbrapshtësi, Kosova do të ishte në lule. Por ja që nuk ka; nuk ka as kreativitet, as sy e as vullnet për mbarësi.
“Fast forward” dy vite më pas, e njëjta Qeveri me të njëjtën mendësi qeverisëse kishte replikuar të njëjtin trik shantazhi për të njëjtin aset – të paktën po provonte një gjë të tillë. Sërish sikurse para dy vitesh ajo kishte provuar të fuste aprovimin për shitjen e PTK-së brenda buxhetit të vitit 2013. Triku ishte i thjeshtë, refuzimi i nenit të shitjes do të nënkuptonte refuzim të buxheti; rrjedhimisht refuzimi i buxhetit do të nënkuptonte mosdhënie të pagave për administratën publike, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarët e secilin shërbyes tjetër civil. E në kandarin e matjes së partive politike një refuzim i tillë do të thoshte “rulet rus” me vota, me pesë plumba në gjashtë vrima madje. Mesazhi i qeverisë ishte i thjeshtë; thoshte “qytetarë nëse doni paga duhet të humbisni Postën”. Çfarë shantazhi patetik ky!
Si duket të ngazëllyer se triku funksionuaka mirë dhe se opozitarët do të dorëzohen në fund të blofit, qeveritarët e qatipat tjerë mbrapshtë-bërës duhet të kenë menduar replikimin e standardit të njëjtë shantazhimi edhe në politikat tjera të rëndësishme për partinë – asnjëherë për vendin. Në këtë frymë e në këtë mendësi, të njëjtit ideatorë filluan të kushtëzojnë reformën zgjedhore me vendet e rezervuara shtesë për minoritetin serb. Pra mesazhi që i jepej kosovarëve këtë herë nga qeveria e tyre ishte se nëse doni reformë zgjedhore – pra votime e vota të lira – duhet të hiqni dorë nga Kushtetuta, Pako e Ahtisaarit, rezoni politik e gjithçka tjetër. A kaq shtrenjtë duhet ti kushtojë kosovarëve vota e lirë?
***
Legjenda thotë se Kryeministri i Kosovës në njërën nga takimet e Brukselit, në shenjë gjeneroziteti e në kërkim dëshpërues për përkrahje ndërkombëtare ndaj tij dhe partisë së tij, kishte ofruar ndryshimin e Kushtetutës, hapjen e Pakos së Ahtisaarit, e kështu ofrimin edhe për një mandat të vendeve të rezervuara – ani pse asnjë dokument ndërkombëtar, asnjë pako ndërkombëtare e asnjë marrëveshje tjetër politike që kishte ndërtuar statusin final të Kosovës nuk kishte obliguar vendin tonë të bënte një gjë të tillë.
Atëherë, për secilin me mëdyshje se pse nuk duhet hapur Kushtetuta tregimi është si vijon. Fillimisht, sepse nuk obligohemi. Pse të ofrojmë një politikë të padrejtë mbi-reprezantimi; politikë që nuk e ka asnjë shtet e asnjë vend, madje as atje kur proporcioni i minoriteteve është më signifikant se ky nën 6-7% i yni. Ideja e ofrimit të vendeve të rezervuara për dy mandate ishte futur si pjesë e Pakos së Ahtisaarit me qëllim të thyerjes së dallimeve ndër-etnike në Kosovë. Pothuajse 6 vite pas shpalljes së pavarësisë kjo thyerje është bërë. Serbët së fundi kanë pranuar të jenë pjesë e institucioneve të Republikës për çfarë dhe ishte dizajnuar vet parashikimi e kushtëzimi në Pako.
Së dyti, sepse vazhdimi i vendeve të rezervuara do ti bënte partitë serbe në Kosovë me fuqi të jashtëzakonshme; fuqi kjo që nuk reflekton me proporcionin e tyre në numrin e gjithmbarshëm të banorëve kosovarë. E kur këto parti – siç edhe u pa gjatë e pas zgjedhjeve lokale – krijohen, menaxhohen e udhëzohen sipas dëshirave të Beogradit atëherë është bukur e turpshme dhe e rrezikshme që Serbia të ketë fuqi – madje Kushtetuese – në Parlamentin e Kosovës, në proporcionet që vendet e rezervuara sigurojnë. 
Së treti, sepse Kosova ka shumë kohë që insiston në mos hapjen e Pakos së Ahtissarit. Nëse në të kundërtën dikush diku vendosë të modifikojë Pakon, atëherë ta bëjmë siç e ka e siç e do adeti. Të zhbëjmë të gjitha diskriminimet pozitive etnike, të trajtojmë Kosovën si vend jo multietnik por shtet shqiptarë me të drejta për të gjitha minoritetet, të ndërrojmë flamurin, himnin dhe gjithë simbolet gjithë etnike, dhe të ndërtojmë nga fillimi e zeroja shtetin e ri.
***
E nuk ka gjë më të paqëndrueshme se sa klishetë e Kryeministrit se një çështje “është kërkesë e ndërkombëtarëve”. Punë e madhe! Nëse secila çështje e ngritur nga ndërkombëtarët duhet të bëhet politikë ditore atëherë le të rikthejnë të njëjtit protektoratin ndërkombëtar në vend; të paktën ta dimë kujt ti drejtohemi. E vërteta e hidhur megjithatë, është se ndërkombëtarët ngritin e ulin jo një por njëmijë e një tema përgjatë agjendave të tyre – varësisht se si e ku ju vjen kuti. Të njëjtit do ti bëjnë ato shtyrje që duken më të lehta në vendet më të lehta – e që qëllon të jetë Kosova vazhdimisht meqë ka një palë dialoguese pa takt e pa siguri (për veten në radhë të parë).                                                      
Për t’iu kthyer në fund çështjes së kushtëzimit e shantazhit, them se partitë opozitare duhet të qëndrojnë me ngulm me idetë e mosndryshimit të Kushtetutës për ide e propozime që ndryshojnë gjithë konceptin e funksionimit shtetëror të Kosovës për katër vitet e ardhshme – aq sa i duhet Serbisë të na mbajë peng. Partitë opozitare mund dhe të ndodhen para presionit të reformës por nuk ka asgjë më të rëndësishme e asgjë më të vlefshme se sa ruajtja dinjiteti nacional; gjithë të tjerat mund të ribëhen. Shantazhi është punë blofi dhe kush mbanë blofin më gjatë do të marrë të veten.

Monday, 23 December 2013

MBI TË ZHDUKURIT DHE ZHDUKËSIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE 20 DHJETOR 2013

Sikur Serbia ti dënonte kriminelët që i strehon edhe sot; ti zbulonte varret masive që i ka mbuluar me asfalt e zhavorr; të shprehte pendesë e keqardhje për sjelljet e veprat çnjerëzore; të kthente e paguante plaçkën e marrë nga këtu; e të mos shprehte pretendime shfarosëse edhe sot e kësaj dite ndaj Kosovës - ndoshta dhe do meritonte Evropën. Por se bëri asnjërën e s’ka ndërmend ta bëj asnjëherë. Nderon kriminelët, mohon varret, thërret luftën e pretendon Kosovën; dhe prapë ecë për në Evropë


Shikoni njerëzit rreth jush. Shikoni mirë njerëzit rreth jush. I ndjeni? I shihini? I prekni? Kthehuni në kohë pas - plot 14 vite pas. Kujtojeni luftën, frikën, guximin e gjithçka tjetër të tmerrshme, të trishtë, të ç’thurur në mes. Kujtojeni dhe kuptojeni se sa me fat është secili prej nesh. Me fat meqë secili nga ta e ne mund të ishte lehtësisht njëri nga 1700 të zhdukurit kosovarë që nuk mund të ndjehen, shihen e preken sot. E pothuajse secili prej jush mund të ishte në pritje të gjetjes së mbetjeve të tyre; një shenjë kujtimi për të shfryrë gjithë mallin e mbledhur në kaq vite.

***

Këtë javë, siç dhe e do rëndom paradoksi i relacioneve me të zhdukurit, Kosova kishte marrë ndoshta lajmin më të mirë që mund të merrte – pra gjetjen e mbetjeve mortore në Rudnicë – dhe potencialisht qetësinë e disa prej familjeve të pafata. Paradoksale se si një tragjedi kaq rrëqethëse bëhet eventualisht lajm i mirë.

Në të vërtetë, gjetjet e Rudnicës së Rashkës nuk ishin noveliste për askënd. Nëpërmjet pamjeve të regjistruara satelitore kërkuesit kishin kohë që po shihnin një paradoks tjetër; vendi ku dyshohej të ishin varrosur shqiptarët kishte ndërruar pamje krejtësisht; dhe për më tepër ky ndryshim po ndodhte mu gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Ky vend ishte shndërruar nga një kënetë e moçalishte në një rrafshinë të mbushur me dhe e gur. Sinqerisht, kujt do ti binde në mend që në kohë bombardimesh të merrej me ndërrime të pamjeve të peizazheve kot-së-koti; përveç nëse diçka tmerruese, turpëruese e trishtuese provohej të fshihej – një varr, shumë të vararë, shumë krime.

Në vitin 2005 autoritet serbe kishin prodhuar shfaqjen teatrale më ç’njerëzore të mundshme. Në përgjigje të informacioneve të mbledhura nga pala kosovare, në aktrim e sipër, serbët kishin gërmuar – në sy të mediave lokale e botërore – një ditë të tërë. Triku megjithatë ishte se gërmimet ndodheshin plot 200 metra larg vendit ku mendohej se ishte varri masiv. Ishte veçse një përpjekje patetike për të shtyrë gjetjen.

E në patetizëm dhe më të thellë dhe në sjellje dhe më ç’njerëzore, autoritetet serbe kishin asfaltuar gjithë vendin. Aty më pas kishin ndërtuar një ndërtesë dykatëshe ku qëndronte – për ironinë e gjithë mizërisë – kompania e mirëmbajtjes së rrugëve me emrin “Kosmet Put”. Nën ndërtesë, nën parking e nën asfalt, besohej se ishin së paku 250 kosovarë të zhdukur.

Se përpjekjet serbe për të mbuluar me çdo kusht gjetjen ishin në tentativë rritëse, u kuptua në ditën e parë kur Departamenti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës kishte arritur atje për të mos gjetur asnjë mjet gërmues që do të bënte gërmimin. Në të vërtetë, po mos të ishte insistimi i vazhdueshëm i palës kosovarë, bashke me presionin e datës për anëtarësim që Serbia pret ta merr këto ditë, vajtje-ardhjet tona për e nga atje do të ishin të zakonshme. Interesante se si Serbia përdorë në vazhdimësi veprat e vrasjes, dhunimit, krimit e de-humanizimit si karta relacioni me BE-në; si nuk u mësua asnjëherë Evropa me ta.

Përtej vrasjeve e varrosjeve pa frikë nga njeri e nga Zoti, nuk arrij të kuptoj as natyrën e fshehësve të vrasjeve; jo nga individë aksidentalë, por nga një sistem i tërë shtetëror serb i vënë në funksion të kamuflimit; diçka shumë larg vlerave të shekullit të ri – çfarë shteti është ky?! Kur provoj të kuptoj se pas gjetjes së katër trupave në vetëm 80 centimetra nën ndërtesë, pra kur kuptoj se themelet e ndërtesës në fjalë – të ndërtuar së voni – mund të jenë vënë “fjalë-për-fjalë” mbi trupat e vdekur, dhe se asnjë njëri në gjithë këtë vrasje, varrosje, kamuflim e ndërtim nuk është shprehur për 14 vite publikisht me as edhe një fjalë, ndjejë jo mllef, jo urrejtje, jo inat, por vetëm keqardhje - keqardhje për një vend me të krisur e maniakë boll. Në një vend si Serbia ku gjithkush di për sasinë e rakisë në frigoriferin e tjetrit, të mos dish për një varr masiv me 250-400 kosovarë, për një asfaltim, një parking e një ndërtesë mbi të, është barabartë me probabilitetin e një topi bore në ferr – atje ku do të digjen e piqen në përjetësi secili prej pjesëmarrësve në këtë tmerr.

***

Në një vend normal, lajmi i gjetjeve mortore të qindra të vrarëve, do të trajtohet si tragjedi nacionale. E në kohë tragjedish, liderët afrohen me popull, qëndrojnë me popull, udhëheqin një popull; është tragjedi dreqi e marrtë!

Kryeministri jonë, nëse asgjë tjetër, është dashtë që në shenjë respekti e dhimbje për gjetjen e 250 trupave në varrin masiv të Rashkës, ti ndërpresë pa hezitim të gjitha takimet, bisedimet, qeshjet, dorështrengimet e dalldisjet tjera në Bruksel - të gjitha me shkaktuesit e tragjedisë madje - të merr fluturimin e parë të mundshëm nga atje, e të kthehet në vendin e tij për të qëndruar afër me popullin e tij. Ai do të duhej të udhëhiqte e mbështeste personalisht gjithë ekipet tona investiguese në Rashkë; taman siç bëjnë burrështetasit tjerë në kohë të tragjedive. Janë 250 prej tanëve që po kthehen si mbetje mortore në shtëpi; çfarë tjetër mund të jetë më e rëndësishme se kjo?!

Kryeministri mund ti ketë këshilltarët më me pamend të mundshëm – dhe nuk dua të besoj se vet ai nuk i di rendet – e Kosova mund ti ketë diplomatët më të paaftë të mundshëm; sikur një gjetje e tillë të ndodhte në relacion të kundërt, pra në Kosovë me serb e jo në Serbi me shqiptarë, vendi ynë nuk do të shihte dritë për jetë e mot.

Gjithsesi, për të mos bërë një tragjedi në beteje politike, them të mbajmë mend mirë e gjatë relacionet që i kemi me fqinjët tanë veriorë. Nuk kanë ndërruar fare, janë të njëjtit. Dikur kanë vrarë e varrosur masivisht, tash i fshehin e nuk i tregojnë vrasjet e varrosjet masive.

Për më tepër, dhe fatkeqësisht, aspak nuk ka ndërruar as relacioni i keqardhjes evropiane ndaj Beogradit; siç u bë publike edhe vlerësimi pozitiv nga BE për Serbinë. Sikur Serbia ti dënonte kriminelët që i strehon edhe sot; ti zbulonte varret masive që i ka mbuluar me asfalt e zhavorr; të shprehte pendesë e keqardhje për sjelljet e veprat çnjerëzore; të kthente e paguante plaçkën e marrë nga këtu; e të mos shprehte pretendime shfarosëse edhe sot e kësaj dite ndaj Kosovës - ndoshta dhe do meritonte Evropën. Por se bëri asnjërën e s’ka ndërmend ta bëj asnjëherë. Nderon kriminelët, mohon varret, thërret luftën e pretendon Kosovën; dhe prapë ecë për në Evropë. E pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj ecje është se ajo u mundësua vetëm falë Qeverisë së vendit tim me gjithë mbështetësit parlamentarë e të paguximshëm të tjerë. Në këmbim përfunduan me 10 kryetarë paralel, dy pika doganore të pavarura, një fond, gjykatë e polici autonome dhe njëmijë e një telashe tjera për gjeneratat që vijnë. Çfarë pazari i tmerrshëm!  

Monday, 16 December 2013

TË PAGUASH APO TË MOS PAGUASH

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 DHJETOR 2013

Mbi evazionin dhe informalitetin në Kosovë


Këtë javë, në kuadër të Riinvestit e në bashkëpunim me Fes e Kfos, publikuam hulumtimin mbi nivelin e informalitetit në Kosovë. Ishte studimi i parë i bërë mbi nivelin e evazionit fiskal dhe informalitetit të fuqisë punëtore në vend. Në këtë shkrim do të provoj të jap një përmbledhje të gjetjeve më interesante nga studimi në fjalë. Këto gjetje, në radhë të parë, tregojnë për nivelin enorm të evazionit dhe informalitetit në vend, mbi kostot eventuale nga një prezencë e tillë, mbi moralin fiskal të taksapaguesve kosovarë si dhe mbi karakteristikat e evazionistëve potencial.

-1-

Përgjatë dy viteve të shkuara ne kishim matur me shumë kujdes renditjen dhe intensitetin e barrierave të të bërit biznes në Kosovë; siç na transmetohej nga percepcionet e bizneseve të anketuara. Rezultatet e vitit 2012 kishin vendosur, si asnjë vit më parë, “evazionin dhe informalitetin” si barrierën kryesore në Kosovë. Renditja e 2012-ës ishte më ndryshe se vitet e mëparshme kur energjia, infrastruktura e ngarkesa tatimore mbanin primatin e pengesave biznesore që nga paslufta. Në vitin 2013, ne replikuam të njëjtin pyetësor me biznese të ndryshme për të parë trendin e pengesave në vend si dhe ndryshimet eventuale në renditjen e tyre. Rezultatet e këtij viti na treguan se për herë të dytë që nga debutimi “evazioni dhe informaliteti” i prinin renditjes së pengesave. E prirja e dyfishtë, pra në dy vite, na motivoi të merremi në veçanti me këtë pengesë.

Fokusimi në evazion dhe informalitet bëhej edhe më i rëndësishëm marrë parasysh kostot ekonomike dhe shoqërore që këto dukuri bartin me vete. Së pari, që të dyja, rëndojnë stabilitetin shoqëror meqë dobësojnë aftësinë e institucioneve për të ofruar të mira shoqërore për qytetarët. Së dyti, ato ofrojnë motive destruktive për ndërmarrjet e vogla që të mbesin si të tilla, pra të vogla, e të mos rriten, në tendencë për të kamufluar krimin ekonomik të evazionit dhe informalitetit. Së treti, dhe jo më pak e rëndësishme, prezenca e të dy fenomeneve gjeneron konkurrencë jo fer duke favorizuar kështu bizneset më pak efiçente dhe më pak të qëndrueshme e duke rritur motivin e gjithmbarshëm për më shumë evazion e më shumë informalitet. Informaliteti i fuqisë punëtore, në veçanti, shkakton edhe kosto shoqërore më afatgjata, e të cilat rrjedhin kryesisht nga pasiguria e punës, nën-vlerësimi i punëtorëve, humbja e benefiteve pensionale apo dhe disfavoret në mes të gjinive.

Për të mbajtur studimin sa më kredibil, vendosëm të fokusohemi vetëm në aktivitetet e “ligjshme” të bizneseve të cilat për njërën apo arsyen tjetër vazhdojnë të mbeten të fshehura. Pra vendosëm të neglizhojmë të gjitha veprimtaritë “jo të ligjshme” të bizneseve, e të cilat në rast të zbulimit nga organet përkatëse nuk gjenerojnë të hyra të reja buxhetore, por thjeshtë shuhen së ekzistuari meqë janë “jo të ligjshme”. Këtu do të futeshin, ndër të tjerash, aktivitetet e prostitucionit, trafikimit të narkotikëve e ato të armëve. Intenca e hulumtimit ishte të identifikojë humbjet eventuale që evazioni i taksave dhe informaliteti i fuqisë punëtore – nga bizneset e regjistruara – u shkaktohen buxhetit të shtetit.

Për të bërë këtë, ne vendosëm të anketojmë 600 biznese, sa për të siguruar një mostër statistikisht reprezentative. Hartuam një pyetësor në vijë me literaturën dhe metodologjinë hulumtuese të fundit – ku ndjeshmëria dhe kompleksiteti i hulumtimit të dukurive të krimit ekonomik adresohen. Për njohësit më të thellë të fushës, ne ndoqëm rekomandimet e Benno Torgler, James Alm e Frank Cowell – si disa nga prijësit më me nam botërorë të temave mbi evazionin dhe informalitetin e fuqisë punëtore. Pra pyetjet e matjes së evazionit fiskal dhe informalitetit të fuqisë punëtore ishin të njëjta me pyetjet që institucionet më kredibile nëpër botë sot i bëjnë për të matur dukuritë e ngjashme në vendet e ndryshme. Në radhë të parë, pyetësori replikonte metodologjinë standarde të promovuar nga Banka Botërore dhe EBRD në anketat e BEEPS-it (Business Environment and Enterprise Performance Survey) kur bëhej fjalë për evazionin; apo të “World Values Survey” kur aspektet e shoqërore të temës trajtoheshin – siç është rasti i moralit fiskal (tax morale).

-2-

Rezultati më i rëndësishëm i anketës, ndërlidhej me percepcionin e bizneseve mbi nivelin e evazionit fiskal në vend. Sipas menaxherëve dhe pronarëve të bizneseve të anketuara, rreth 34.4% e shitjeve nuk deklarohen – pra fshihen – nga organet tatimore në vend. Një rezultat i tillë, në një interpretim të lehtë, do të thoshte se buxheti i shtetit humb nga evazioni fiskal minimalisht një të tretën e vlerës së tij.

Rezultatet e tjera tregojnë se rreth 62% e bizneseve kosovare besojnë se, nëse ata vendosin t’i ikin taksave, mund ta bëjnë shumë lehtë dhe pa u zënë nga autoritetet. Për më tepër, rreth 68% e bizneseve besojnë se niveli i gjobave është i ultë apo shumë i ultë. Mungesa e ndjenjës nga faktorët mbikëqyrës – siç është inspektimi e gjobitja – prodhojnë lehtësisht motive për sjellje evazive.

Shmangësit e tatimeve kanë karakteristika mjaftë interesante. Për shembull, përkundër bindjes gjeneralë që dikush mund të ketë, bizneset e mëdha u shmangen tatimeve më së paku. Në të vërtetë, sipas rezultateve të anketës ka një lidhje bukur lineare në mes madhësisë së biznesit (e matur me numrin e punëtorëve e me nivelin e shitjeve) dhe evazionit fiskal; sa më i vogël biznesi aq më evaziv del të jetë. Kjo gjetje mund ti shkoj në shtat agjencive inspektuese të cilat alokojnë pjesën më të madhe të resurseve pikërisht tek bizneset e mëdha – sepse kështu më lehtë mbledhin të hyrat e planifikuara. Mund të ndodhë se strategjia e tanishme e inspektimit lë të pa-inspektuar pikërisht evazionistët. Rezultatet tregonin gjithashtu se sektorët që më së shumti i shmangen tatimit janë ato të “banimit dhe shërbimeve ushqi­more”, “industrisë përpunuese” dhe “bujqësisë”. Kjo gjetje nuk është fare befasuese duke pasur parasysh pritjet që sektorët me transaksione më të mëdha të kesh-it dhe/apo industritë më pak të inspektuara kanë më shumë gjasa ti ikin tatimit; siç dhe del të jetë rasti në ambientin e tanishëm të biznesit në Kosovë. Për më tepër, shpërndarja regjionale e evazionistëve potencial favorizonte Gjakovën – si vendin me më së paku evazion – dhe Gjilanin – si atë me më së shumti. Percepcionet tjera të biznesve aludonin për një prezencë të konsiderueshme të korrupsionit tek inspektorët tatimorë; nga 1 asnjëherë e deri në 10 gjithmonë, bizneset tona besojnë se korrupsioni i autoriteteve tatimore është në 4.35.

Fokus i veçante i studimit ishte edhe morali fiskal, apo gatishmëria vullnetare e pagesës së taksave. Morali fiskal është futur si pjesë thelbësore e analizës evazioniste vetëm gjatë fundit të viteve 90-ta, për të kulmuar në hulumtime empirike krejtësisht në vitet e fundit. Njëjtë si me çdo pyetje tjetër sensitive, ne kishim aplikuar teknikën standard të literaturës mbi moralin fiskal, e që matë justifikimin që respodentët i bëjnë shmangies së tatimeve. Rezultatet tregonin se bizneset kosovare kanë moral të njëjtë fiskal me vendet në zhvillim, bukur larg vendeve të zhvilluara. Rreth 44% e pronarëve në Kosovë besojnë se marrë parasysh nivelin e shërbimeve publike që ata marrin, evazionin fiskal duhet justifikuar. Pra bëhet fjalë për një shpërputhje totale të relacionit biznes-shtet dhe për një cikël domino-destruktiv i nisur nga performanca publike e i përmbyllur në përgjigjen e kompliancës së taksave. Për moralin fiskal në Kosovë veçse kam shkruar këtë vit në tri shkrime të njëpasnjëshme në këtë kolumnë.

-3-

Pjesa e dytë e studimit kishte të bënte me analizën e informalitetit të fuqisë punëtore. Në të vërtetë, gjetja e normës së përafërt të informalitetit të fuqisë punëtore tek bizneset e regjistruara (kujdes, të regjistruara jo të zeza) do të ndihmonte shumë në përafrimin e numrave mbi nivelin e papunësisë në vend. Sërish, ne kishim replikuar pyetjen nga Banka Botërore që rëndom matë të njëjtën dukuri në vendet tjera të tranzicionit (nga BEEPS). Rezultatet ishin interesante. Bizneset kosovare deklaronin se rreth 37% e fuqisë punëtore (e bizneseve të ngjashëm me ta) nuk ishte ligjërisht e deklaruar. Numri 37 madje rikonfirmonte nivelin e evazionit fiskal, i cili, kujtoj, rrumbullakohej në 34%. Sikur të dy numrat jepnin një llogaritje mirë të vërtetuar të humbjeve eventuale nga evazioni dhe informaliteti.

Për më tepër, ndarjet sektoriale tregonin se bujqësia, prodhimi dhe shëndetësia përbëjnë sektorët më informal në vend. Në shtat të informalitetit shkonte edhe fakti se 68.2% e bizneseve të intervistuara deklaronin se punëtorët e tyre preferojnë të paguhen me para të gatshme; ndoshta si formë e shmangies së obligimeve tatimore e pensionale.

Rëndësi të veçante në studim i kishim dhënë edhe Ligjit të Punës, i cili kohëve të fundit kishte ngjallur një debat mjaft të gjere publik. Ishte befasues fakti se rreth 41.2% e bizneseve të intervistuara nuk kanë dëgjuar asnjëherë për kërkesat e ligjit të punës; pra thënë ndryshe, gati gjysma e bizneseve nuk kanë ide e haber mbi kërkesat ligjore ndaj trajtimit të punëtorëve. Paramendoni tash nivelin e zbatueshmërisë së ligjit. E pjesa tjetër e bizneseve, pra e atyre që kishin njohuri rreth ligjit, konsideronin pagesën e pushimit të lehonisë dhe kohëzgjatjen e pushimit si pengesa serioze në puënsimin e femrave në sektorin privat. Gjetjet si këto do të duhej të merreshin seriozisht nga ligjvënësit kosovarë sa herë që hartojnë ligje me implikime sociale. Ndonjëherë ato mund të shkaktojnë më tepër dëm se hair.

Monday, 9 December 2013

VOX POPULI II

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 DHJETOR 2013

Një ri-interpretim i gjuhës së zgjedhësve


Rrafsh një muaj më parë, kur rezultatet e para të zgjedhjeve lokale ishin shpallë e certifikuar dhe zyrtarisht, në një artikull me titull të njëjtë po provoja të interpretoja gjuhën e zgjedhësve drejtuar partive e grupacioneve politike. Këtë herë kur rezultatet e rundit të dytë përmbyllin gjithë alfabetin e gjuhës së zgjedhësve, do të provojë të jap një përshtypje mbi emëruesit e përbashkët nga këto zgjedhje dhe mbi pritjet eventuale që votuesit kanë.

-1-

E çfarëdo analize pretenduese rreth zgjedhjeve do të ishte e mbrapshtë pa filluar mbarë me interpretimin e ndërrimit më të madh të mundshëm; atë të Prishtinës. Them me shumë bindje se pakkush të ketë menduar një ndryshim pushteti në kryeqytet një ditë para zgjedhjeve – përfshirë dhe pretenduesit. Jo sepse kandidatet tjerë, e sidomos kandidati fitues, nuk kishin potencë – përkundrazi, shoh tek fituesi i Prishtinës një model të ri, inovativ dhe me plot kreativitet të përfaqësuesit – por sepse ishte krijuar me kohë një bindje e pathyeshme rreth bastioneve e preferencave tradicionale të votuesve. Këtë herë megjithatë, votuesit kishin thyer themelet e politikë-bërjes tradicionale të bastioneve e mëhallëve; në vend të tyre po zgjidhnin një ndryshim. Në të vërtetë, kërkesa për ndryshim ishte replikuar në plot 20 komuna të Kosovës ku kishin ndodhur dhe ndërrimet e pushtetit.

Në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar me mjeshtëri (fillimisht) futjen në balotazh dhe fitoren eventuale (më pas) nëpërmjet dy fazave të thjeshta por shumë efikase. Në të parën, VV dhe kandidati i saj fitues kishin listuar e më pas përsëritur e ripërsëritur me mjeshtëri vetëm disa nga problemet kyçe të prishtinasëve, siç janë uji, trafiku urban dhe çerdhet. Jo se nuk jepnin dhe ide të tjera, e kishin bërë mirë e qartë madje, porse të njëjtit po përsërisnin qëllimisht vetëm tri probleme të kryeqytetit në mënyrë që prishtinasit të parafytyronin një mundësi dhe një potencë për ndryshime konkrete tek kandidati i saj. Pra thjeshtëzimi dhe përsëritja po zëvendësonin takimet mobilizuese të bastioneve që degët e kundër-kandidatit rëndom i zhvillonin. Është një politikë tipike elektorale amerikane – ku dhe është shkolluar kandidatit fitues – e ku ripërsëritja e disa pikave të zgjedhura krijon një imazh të së mundshmes. Faza e dytë, pas krijimit të imazhit dhe vërtetimit të potencës, fokusohej në mobilizimin e gjithmbarshëm të votuesve të papërcaktuar nëpërmjet ndjekjes së frymës për ndryshim. Për këtë strategji kam përshtypjen se duhet kredituar gjithë shtabin zgjedhor të Prishtinës, të cilët e kishin menduar gjithë ecjen qartë e mirë; ata kanë sjellë një risi dhe një fitore jo vetëm ndaj rivalit të tyre politik, por edhe ndaj mënyrës tradicionale të kampanjave zgjedhore që zhvilloheshin rëndom në Kosovë. Ky shtab, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, ka varrosur një herë e përgjithmonë politikën e lagjeve dhe të bastioneve mëhallore që nxisin aty këtu 1 militant me kapelë e me flamur partiak por nuk i largojnë 99 të tjerë.

Vis-a-vis një organizmi të qartë dhe energjetik, LDK kishte ofruar një shtab zgjedhor tejet pasiv dhe pa një platformë tërheqëse për kryeqytetasit. Në të vërtetë, qendër e këtij organizimi ishin disa kryetarë degësh që premtonin disa qindra vota nëpër lagjet e veta (ani pse prezenca e të njëjtëve në parti humbiste mijëra të tjera diku tjetër) dhe disa të rinj nga forume rinore që ende punë të parë nuk kanë bërë e gjetur por thirren si lider e të zgjedhur; të njëjtit mblidhnin aty këtu ca gjimnazistë (dhe atë pa të drejtë vote), bënin ca fotografi (kryesisht me reflektim narcizoid) dhe jepnin ca parulla të zemrave ngjyrë pink. Kryeqyteti nuk kishte nevojë për zemra adoleshentësh e brohoritma nga “Kodra e Trimave”; që në fund prodhojnë aderime të “Aurorës” që shtyjnë gjysmën e “shehrit” në qeshje; kryeqyteti kishte nevojë për një imazh të qartë, një ide të prekshme dhe një seriozitet të trurit e jo të hormoneve adoleshente.

Shto kësaj dhe faktin se lideri i partisë ishte dhe kandidat kryeqyteti, e në vend të bërjes së fushatës në kryeqytet duhej një muaj të tëra ta ndante në 30 e sa komuna, dhe ke një pasqyrë të qartë të rezultatit final. Pra për kryetarin e partisë, Prishtina ndoshta dhe ishte një sakrificë për një votë popullore në rritje. Jo e qëllimshme, jo e menduar, por në fund e marrë si një ndjenjë morti në darsëm.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, marrja e Prishtinës përbën rastin më të mirë të mundshëm për të treguar potencën e tyre politike dhe të qeverisjes. Kryeqyteti ka një fuqi enorme financiare, ekonomike, kulturore e sportive – pra kryeqyteti është një det i mundësive për të bërë hapin e madh drejt qeverisjes qendrore. Për LDK-në humbja e Prishtinës përveç se është një mundësi më pak për të treguar modelin e qeverisjes në qendër, nënkupton dhe nevojën për reforma thelbësore në parti. Për liderin e saj, kjo humbje – sado e dhimbshme – nuk shpërfaq asnjë sinjal dobësimi. Është dënim direkt i një neglizhence drejt prishtinasëve në këmbim me përkrahjen në gjithë Kosovën.

Lideri i LDK-së ka çdo arsye të ndjehet komfort me arritjet e votës popullore; gjithsesi shumë i shqetësuar nëse nuk reformon rrënjësisht partinë nga fytyrat tashmë të topitura partiake – nga të njëjtat që thirren në mitizime të FARK-ut e presidentit historik vetëm për të marrë ca vota; e tmerrshme sa larg mund të shkojë përulja e së shkuarës për të marrë pak pushtet në të tashmen. E tmerrshme se si të njëjtit ndërlidhin presidentin Rugova me nevojën për një kanalizim në një fshat të Kosovës; sa poshtë kanë ra. Pra njerëzit e tillë, grupet e tilla, përfaqësuesit e degëve të tilla e forumet e tjera narcizoide duhet të zhbëhen e largohen, me qëllim të përcjelljes së kërkesës së votuesve të rinj. Votuesi kosovar po ndryshon, me të duhet të ndryshojë dhe oferta politike.

-2-

Në relacion të partive tjera, humbësi më i madh mbetet PDK, e cila degradohet nga pothuajse të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës; dhe këtë humbje e ka në përballje kryesisht direkte me rivalin më të madh politik pra LDK-në. PDK humbë Gjilanin, Ferizajin, Lipjanin e Mitrovicën; mbanë me mrekulli Prizrenin. Kufizimi i PDK-së në disa qendra të vogla nënkupton dhe zhbërje të fuqisë së tyre. E befasi e befasive vazhdon të jetë humbja e Mitrovicës, kryeqendrës së SHIK-ut, nga AKR. Në të vërtetë, përfaqësuesit e SHIK-ut në PDK kanë humbur dhe Ferizajin e Lipjanin, e humbjet si këto mund të relativizojnë gjithë fuqinë e tyre në vet partinë; të njëjtit janë thjeshtë të papëlqyer në Kosovë.

Humbës enorm mbetet dhe AAK e cila mbetet pa ty qendrat e mëdha të Kosovës; pra Gjakovën dhe Pejën. Partitë e vogla e në opozitë, në një rast ideal do të duhej ti mbanin këto qendra si mundësi të papërsëritura të dhënies së gjithë energjisë e potencialit për të ofruar një model qeverisës që do të replikohej gjithandej. AAK në këto qendra ka dhënë mu të kundërtën.

Në të vërtetë, po u kërkua një emërues tjetër i përbashkët i zgjedhjeve lokale në Kosovë, atëherë them se votuesi ka dënuar kryesisht kryetarët “kukull”; të cilët mund të jenë burra të mirë e të ndershëm (siç mund të jenë këta të Mitrovicës, Pejës apo Ferizajt) por që nuk mbajnë fuqinë e vërtetë politike e ekzekutive; e njëjta ndodhet tek grupe e individë para-institucionalë. Për këtë dhe dënohen nga votuesit.

-3-

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen mend edhe për fitoren e parë të një gruaje, asaj në Gjakovë. E njëjta arriti të kalojë mbi preferencat partiake, të mobilizojë gjithë votuesit e papërcaktuar, e kështu të ringjallë shpresën për ekzistencë të partisë së saj.

Përtej kësaj, fitorja në Gjakovë, Pejë e Prishtinë nga kandidatë substancialisht më ndryshe nga mesatarja e kandidatëve të tjerë komunal, thotë shumë për brezin e ri politik që po vendoset në vend. Pra është një brez që rritë gradualisht kualitetin dhe konkurrencën në politikë-bërje dhe me këtë bënë dhe më shumë thirrje për involvimin e të tjerëve.

Natyrisht se përballë tyre mbesin edhe kandidatë të tjerë po ashtu fitues, që përkundër talljes me kërpudhave e deri tek aferat gjyqësore vazhdojnë të dalin fitues. Natyrshëm se ka e do të ketë dhe qendra tjera që kërkojnë kualitetin në kohë më të vonshme; por them se lëvizja pozitive e disa qendrave kryesore do të shërbejë mjaftueshëm herë-do-kurdo për tërheqjen e gjithë të tjerave.



Friday, 29 November 2013

BIJTË E SHEKULLIT TË DYTË

Letra nga limbo

KOHA DITORE, 29 NËNTOR 2013



Mbi relacionet shqiptare





Gjithsesi me shumë më pak energji, pa mustaqe, pa festime historike dhe pa gjithë atë mobilizimin qytetar, të gjitha krahasuar me një vit më parë, shënuam edhe një përvjetor të – siç tingëllon më origjinal – mëvetësisë së Shqipërisë. Ndoshta sepse ky është “një vit jubilar më pak jubilar” se njëqindëshi, apo sepse këtej janë të nxënë me vota dhe vetëm në vota kanë mendtë, gjithsesi për arsye plot, këtë vit e kaluam (pritshëm) me shumë më pak energji.



Ndër të tjerash, fjalimet e thirrjet e pashallëqeve të Shkupit të një viti më parë këtë vit i zëvendësuam me negociata për autonominë e gjerë në Veri; premtimet e pasaportave shqiptare për të gjithë shqiptarët në Kosovë i zëvendësuam më kërkesa impotente liberalizimi për të ngujuarit e fundit evropianë; ndërkaq projektet madhore të bashkimit ekonomik e politik i zëvendësuam me ri-përurimin e Rrugës së Kombit, përurimi i katërt me radhë. Në të vërtetë në dhjetë vitet e fundit të politikës së përbashkët Shqipëri-Kosovë e tëra çfarë mbaj në mend është vetëm përurimi e ri-përurimi i rrugës në fjalë. Duhet të ketë ndodhur 4-5 herë andej e po aq këndej; të fundit në Evropë që festojmë një dekadë për të njëjtin asfalt; për atë hatër të vazhdojmë tutje.



Në kohën e ndërmjetme, në Shqipëri u vendos qeveria e re, e cila u prit pak a shumë me ndjenjë mortore këndej. Shpejtë, propozimet për mbledhje të përbashkëta qeveritare Kosovë-Shqipëri, vizitat në Luginë e besa dhe qëndrimi kundër armëve kimike, të gjitha nga qeveria e re shqiptare, duket ti kenë befasuar për të mirë gjithë kosovarët që tradicionalisht kanë parë të majtën shqiptare si, pak a shumë, jo shqiptare – e tmerrshme. Ndonëse të gjitha akte e propozime të fabrikuara për kozmetikë politike, ato kanë prekur në thellësi simpatinë e bashkë-kombësisë që mbajnë në gjen shqiptarët e Kosovës; ato ishin më ndryshe se sa thirrjet e çirrjet e sallave me tupanë, surle e tym plot.



E përderisa Shqipëria kishte përmbyllur zgjedhjet në frymë të civilizimit e evropianizimit, Kosova kishte replikuar të njëjtën korrektësi këtë vjeshtë duke organizuar zgjedhje sinqerisht të lira, e mrekullisht si nata me ditën krahasuar vetëm tre vite më parë.  Ndoshta sa për të provuar se jemi një farë e një trung, Kosova kishte replikuar me aq mjeshtëri por mjerueshëm edhe një gjuhë të re debatuese politike në vend. Kjo gjuhë e re politike (e re për Kosovën, tradicionale për Shqipërinë) në thelb kishte shumë sharje – jashtëzakonisht sharje shumë – dhe kishte pak ide. Të paktën atje (në Shqipëri) në mes rreshtave të hallakamës e zhurmës si mjete dominuese – gjithsesi ofenduese – kishte edhe disa ide e propozime origjinale; tek ne përveç kreativitetit të përuljes gërditëse asgjë s’mbetej për tu nxjerrë. Kosova pra kishte importuar anën më të errët të një stili ashtu-kështu të errët diskutues, që pretendon zotërimin me fyerje personale para atij me edukatë politike. Këtu megjithatë, siç kishte thënë Matoshi vite më parë, ofendimet e tilla kanë gjasë “t’ia shkundin pluhurin Kanunit” e të përfundojnë në nam – në fund të fundit odën e kanunin këndej edhe vet Kryeministri e vë para shtetit e gjyqësisë.



***



Në ndërkohë, me gjithë optimizmin e besimin e shfaqur në Kombëtaren shqiptare të futbollit, ne sërish përfunduam të parafundit; sikur na u dha për pak çaste një iluzion i kualifikimit – dhe kështu i përmbushjes së profecisë se shekulli i dytë është i shqiptareve – për të na u marrë e sjellë në vendin e njëjte, me njerëz të njëjte në kohë të ndryshme. Në të vërtetë, këtë here kombëtarja jonë mbeti edhe pa fushë për të zhvilluar ndeshje. Ndoshta edhe Kombëtarja është dhe përshkruesi më i mirë i nivelit të bashkëpunimit ndër-shqiptar e kështu i arritjes gjithë-shqiptare; një organizëm që nuk tërheqë mjaftueshëm shqiptarët jashta-Shqipërisë, i udhëhequr vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë, e që ndanë Shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë për të arritur fundin apo para-fundin Evropian; e komplikuar sa s’bëhet më. E kuti i futbollit u bë mjeti i ri diskutimi kur një kosovar që e quanin tradhtar e të shitur festoj shpalljen kampion Evropë me flamur të Kosovës (e jo të Shqipërisë). Sa për të mos mjaftuar kjo, ai – i ndihmuar nga katër a pesë shqiptarë të tjerë – në dy ndeshjet kundër Shqipërisë kishte dhënë dy gola; për tu vënë sërish e sërish në shënjestër të ultra-nacionalistëve gjithandej e për të ringjallur sërish e sërish diskutimin popullor se çfarë në të vërtetë është tradhtia e çfarë atdhe-dashuria – të gjitha të matura me futboll.



***



E në këtë vit të parë, ndonëse të hershëm për të pritje, as për së afërmi nuk na u dhanë e nuk na u shfaqën elementet e para të një bashkërendimi ekonomik e politik mes të dy vendeve. Gjithçka ishte klishe e bërë vit pas viti – derisa të gjitha bëhen shumë. Sikur të dy shtetet mbesin me telashe e halle të veta, sa që për tjetrin të merresh duket së është luks. Ndoshta dhe do të dukej luks sikur kjo marrje të ishte për hir të një trashëgimie patriotike apo një përkatësie morale; por thënë të drejtën, e njëjta bëhet domosdoshmëri nëse kuptojmë përparësitë e bashkërendimit.



Unë vazhdoj ti mbes besnik idesë se përderisa jemi tregje të vogla, të varfëra dhe – më e rëndësishmja – të njëjta, nuk ka asnjë arsye pse të mos bashkërendojmë. Jo sepse kemi trashëguar një obligim nga të tjerët, ani pse një gjë e tillë nuk do të ishte e mbrapshtë, por sepse kemi interesa përfituese si me asnjë treg tjetër. Nga energjia – ku vazhdojmë të mos shfrytëzojmë paradoksalisht përparësitë krahasuese mes dy shteteve;  tek këmbimi i mallrave – ku vazhdojmë të mos shfrytëzojmë me efiçencë rrugët e stër-përuruara; e deri tek investimet e përbashkëta në infrastrukturë, gaz, edukim, sport, art e kulturë, në imazh – ku vazhdojmë të mbesim indiferent.



Dhe nuk po flas për një bashkim klasik të dy shteteve. Marrë parasysh fuqinë tonë ekonomike e politike të tanishme, si dhe intencat e forcave të jashtme stabilizuese, një gjë e tillë – tani për tani – mund të duket e vështirë dhe sipas të gjitha rezonëve normale e pamundur. Ndoshta dhe nuk duhet të mendojmë shumë për aktin final tani. Po flas për politika ditore që kërkojnë pak punë dhe pak vullnet; pak para dhe pak kreativitet. Po flas për nisma e strategji që nuk parandalojnë ecjen tonë të pavarur e zgjidhjen e  telasheve të ndara, por që zhvillohen paralelisht. Të dy vendet kanë mendje e kapacitete të mjaftueshme për të bërë një paralelizëm të tillë. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin finalizimin e interkonjeksionit energjetik që do ti jepte energji Kosovës nga Shqipëria gjatë dimrit dhe energji Shqipërisë nga Kosova gjatë verës. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin projektimin e përfshirjes së tregut kosovar në gazsjellësin TAP. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të projektojnë zhvillimin e tregut hekurudhor për ti bërë garë jo vetit, por porteve rajonale që mbajnë primatin tregtar edhe në kohë të krizave falimentuese. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin aprovimin e pakove ligjore që prodhojnë lehtësira fiskale për bizneset që kanë kapitale të përbashkëta dhe kështu ndajnë përvojën, dijen dhe përparësitë krahasuese në mes të dy tregjeve. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të ndërprenë neglizhencën e deritanishme dhe të mendojnë si kalibër i shekullit tjetër.

Monday, 25 November 2013

MBI BUXHETIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 NËNTOR 2013

Draft-buxheti i prezantuar në Parlament vazhdon të qëndrojë në vija të njëjta me të viteve paraprake, vija këto që nuk kanë sjellë as ndryshimin e domosdoshëm, as standardin e nevojshëm as optimumin e merituar të mirëqenies kosovare. Janë këto vija që vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe status-quo.


Siç është bërë tashmë traditë rëndom, siç dhe e do rendi e zakoni, në fund të vitit kalendarik shpërfaqet diskutimi – gjithmonë në rritje – mbi buxhetin. Ritheksoj ‘gjithmonë në rritje’ nën tonin pozitiv meqë diskutimet buxhetore e të cilat determinojnë bukur shumë prioritetet qeverisëse dhe fatin qytetar, janë shenja të një përgjegjësie dhe maturie ekonomike të shoqërisë. Vite më parë shpërndarjet e tilla buxhetore kalonin me automatizëm, pa ndonjë diskutim publik dhe pa ndonjë interes qytetar. Ndoshta sepse po piqemi dhe ne, ndoshta sepse po rrisim e krijojmë dhe më shumë kualitet, pavarësisht të gjithave, diskutimet e tilla vazhdojnë të shtrojnë presionin tek vendimmarrësit për më tepër përgjegjësi karshi taksapaguesve; e tëra gjithsesi ende larg të mjaftueshmes.

Mu në këtë frymë u dha dhe pasqyra e parë e draftit buxhetor, e e cila për pjesën më të madhe të njohësve të fushës ishte veçse një vazhdimësi e vijave të trasha të së kaluarës. Dhe kjo bën lajmin e keq.

***

Një vend i vogël, sikurse Kosova, në një univers paralel, do të duhej të barte zhvillimin ekonomik nëpërmjet sektorit privat. Në këtë konstalacion optimal, e të cilin herë-do-kurdo do të duhet ta arrijmë, do të ishte më pak relevante fakti se ku e si i shpenzojmë paratë publike. Jo pse shpenzimi i tyre nuk ka rëndësi, por se në rast të ndonjë gabimi eventual dëmet në mirëqenien e gjithmbarshme do të ishin më të margjinalizuara. Pra nëse ekonomia mund të modelohet si një tren në tendencë ecjeje, dhe nëse në këtë tren zhvillimor sektori privat bën vet lokomotivën, atëherë them se çarja eventuale e sektorit publik të ndodhur në një vagon të pasmë bëhet më pak e dëmshme në ecjen e gjithmbarshme; treni megjithatë do të ecë. Por nëse lokomotiva e trenit është sektori publik, atëherë çdo dëm eventual në të do të paralizonte gjithë vagonët tjerë; deri në ngecje.

Kosova, tash e katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vite, burim kryesor të zhvillimit e ka sektorin publik. Pra lokomotiva jonë është vet sektori publik. Buxheti i shtetit është përcaktues kryesor i fuqisë së kësaj lokomotive, rrjedhimisht çdo qarje në buxhet është determinuese për ecjen e gjithmbarshme. Prandaj gabimet buxhetore reflektohen më shumë në mirëqenie; prandaj dhe më i rëndësishëm bëhet diskutimi buxhetor.

***

Në këto katër-pesë vitet e fundit, Kosova ka krijuar një ekonomi fragjile, në tendencë ngrirje e status-quo-je dhe pa haber në relacion me nevojat emergjente që do të replikonin eventualisht zhvillimin. Pavarësisht gjuhës prezantuese të politikëbërësve – e cila natyrshëm do të jetë gjithmonë defanzive dhe e zbukuruar edhe atëherë kur nuk bëjnë asgjë – them se ka disa tregues makroekonomik, të cilët nëpërmjet gjuhës ekonomike krijojnë pasqyrën reale të vendit. Këta tregues janë deficiti tregtar, invesitmet e huaja direkte, norma e punësimit dhe shkalla e varfërisë; të gjitha janë në ngecje apo regres – të gjitha.

Buxheti i këtij viti duhet analizuar në dy frymë, si mjet diagnoze për të kaluarën dhe si platformë orientuese për të ardhmen (njëvjeçare). Nëse shikohet si mjet diagnoze, atëherë vërteton ngecjen ekonomike të vendit. Për shembull, ndër të tjerash, fakti i mbledhjes së të hyrave të gjithmbarshme 74% nga dogana dhe 26% nga administrata tatimore, tregon se Kosova planifikon edhe një vit, sikurse katër-pesë vitet e shkuara, të mbështetet në importe. E mbështetja në importe rrjedhimisht do të thotë se rritja ekonomike do të jetë dy herë më e ulët se e nevojshmja, e për shkak të rritjes së pamjaftueshme, edhe këtë vit nuk do të ketë vende të reja të punës për të ulur papunësinë e e zbutur varfërinë.

Apo, fakti se edhe këtë vit do të fokusojmë gjithë investimet kapitale në një projekt të vetëm rrugor – dhe jo sepse nuk kemi për të nevojë por sepse kemi dhe nevoja tjera që kërkojnë po aq vëmendje – pra fakti që harrojmë gjykatat, shëndetësinë, sektorin privat e të tjerat, do të thotë se sërish këtë vit asfalti nuk do të ushqejë rritjen ekonomike më shumë se sa gjysma e së nevojshmes, e se gjysma e rritjes do të thotë prapë nivel të njëjte të papunësisë dhe nivel të njëjte të varfërisë. Pra ka një rrjedhë logjike e analitike në buxhet që kam frikën se është injoruar në tërësi nga politikëbërësit.

Po u shikua buxheti si platformë orientuese për të ardhmen, atëherë nga niveli modest i rritjes së të hyrave të përgjithshme na bëhet e qartë se Qeveria as vitin në vijim nuk planifikon të luftojë evazionin fiskal e informalitetin, dy barrierat kryesore të bizneseve në dy vitet e fundit. Për më tepër, buxheti nuk reflekton as në ngjarjet e fundit të negociatave mbi Veriun. Nëse në vazhdimësi na thuhet se në Veri është shtrirë kontrolli shtetëror dhe se me këtë është parandaluar më në fund informaliteti atje, atëherë një mendje e shëndoshë do të priste numra shumë herë më të mëdhenj buxhetor tek të hyrat doganore; ato realisht rriten simbolikisht aq sa janë rritur në katër-pesë vitet e fundit. Buxheti në fjalë madje nuk reflekton as në Fondin Zhvillimor, i cili megjithatë na është thënë se është pjesë e buxhetit të vendit; ndoshta sa për të ushqyer kështu paralajmërimin se Fondi megjithatë është një buxhet paralel.

Njëtrajtësisht, rritja simbolike e fondit të pagave dhe e buxheteve komunale – parë si platformë orientuese – dëshmon për pritjet e deritanishme se premtimet zgjedhore ishin vetëm fjalë të thata; të dhëna aty për aty, për të marrë vota aq sa ka për të marrë. Ato nuk reflektohen në asnjë vijë buxhetore, as përafërsisht madje. Apo, mospërmendja as edhe një herë e fondit të sigurimeve shëndetësore, nënkupton se edhe këtë vit, sikurse çdo vit deri më tani, qeverisja e tanishme nuk planifikon as edhe një investim serioz e radikal në shëndetësi. Një politikë e tillë do të vazhdojë të trajtojë kosovarët si të dorës së dytë – ky aspekti moral – dhe do të vazhdojë të shohë shëndetësinë si të pa potencë – ky aspekt ekonomik – që të dy aspektet të pavend. Kosova harxhon me dhjetëra miliona euro çdo vit për shërim jashtë vendit, dhe pa hesapuar pjesën morale – fondi i sigurimeve shëndetësore do të ishte thjeshtë një llogari profitabile për vendin.

Buxheti shpërfaqë edhe shpërputhje të konsiderueshme në mes tendencës për zhvillim dhe shpenzimeve, pra, përtej gjithë stagnimeve të ambientit të jashtëm në fushën e investimeve e investitorëve të jashtëm, sigurisë ekonomike e politike, luftës ndaj korrupsionit e krimit apo dhe evazionit e informalitetit – pra përtej gjithë këtyre – buxheti në një anë parasheh rritje të kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, zvogëlim të investimeve kapitale dhe në fund rritje të gjithmbarshme ekonomike e thirrje në emër zhvillimor; një precedent i ri ky për logjikën ekonomike.

Pra thënë ndryshe, draft-buxheti i prezantuar në Parlament vazhdon të qëndrojë në vija të njëjta me të viteve paraprake, vija këto që nuk kanë sjellë as ndryshimin e domosdoshëm, as standardin e nevojshëm as optimumin e merituar të mirëqenies kosovare. Janë këto vija që vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe status-quo. Është e padobishme të diskutohet për projekte minore, shpenzime ditore e ide lokale – sado që të gjitha mund të jenë të rëndësishme – kur trasetë e mëdha buxhetore nuk kanë potencë të krijojnë zhvillimin.

Në fund fare, duhet dhënë gjithë lëvdatën për stabilitetin financiar që ky buxhet ka në vete. Pra për dallim nga të gjitha vitet paraprake, ky buxhet ka një disipline financiare dhe mbanë relacionin e deficitit me GDP në vetëm 2%; një arritje mbresëlënëse kur vetëm një vit më parë kishim gati dyfishin e saj. E stabiliteti financiar, në kohë të çmendurive politike në vend, është bukur një lajm i mirë për të gjithë; më së paku do të na duhej një telashe në këtë drejtim.



Monday, 18 November 2013

MËSIME ZGJEDHORE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 NËNTOR 2013

Mbi nevojën e reflektimit partiak për të gjithë


Tash kur pas zgjedhjeve të para gulfojnë martesat e çoroditura partiake, kur të papriturit priten në krah partish, kur aleancat e koalicionet politike befasojnë dhe militantët më të devotshëm, tash kur gjithçka është e mundur sepse votat dhe vetëm votat kanë rëndësi, është mirë që partiak-bërësit kosovarë nga gjithandej, të ulen pak, marrin frymë thellë dhe të rishfletojnë shënimet e marra nga ligjërata popullore e 3 nëntorit.

Në të vërtetë, sikur Kosova të kishte në vete parti me më pak inat se që kanë sot, politikanë me më shumë vetë-kritikë se sa bëjnë sot, e votues edhe më kërkues se sa që janë sot, shënimet e tilla do të shndërroheshin në reflektime mandatore e jo teke qejfesh rreth e në mes të jaranisë partiake – ku rëndom përfundon çdo kërkesë popullore sot.

Gjithsesi se niveli i ulët i demokracisë dhe i papërgjegjësisë partiake – dhe sëkëndejmi mosshtytja për reflektim – bashkëjetojnë me nivelin e ulët të demokracisë në vend; pa ditur se cila bën cilën. Por në frymë të besimit se megjithatë ka vullnet për të ndërtuar mbi punën e deritanishme partiake dhe rrjedhimisht politike, them se partitë do të kenë vullnet për të reflektuar në pesë mësimet e marra nga zgjedhjet.

Mësimi i parë ndërlidhet me thyerjen e tabuve zgjedhore, sidomos e atyre lokalizmave e regjionalizmave militanteske partiake – që na i quanin “bastione”. Kjo thyerje, kam përshtypjen, përbën ndërmarrjen më inovative dhe më të rëndësishme politike që votuesi kosovar mund ta ketë krijuar këtë herë. Ndoshta sepse ai po rinohet në vazhdimësi, madje nga mbi 30 e ca mijë votues të rinj çdo vit, apo ndoshta sepse ka marrë një mësim (rrugës së vështirë) se zhvillimi nuk do politikë mahallash por megjithatë do vizion e krijim. Pavarësisht të gjithave, shpërbërja e rënia e pothuajse secilës parti politike në regjionet e saj më të forta është tregues i mjaftueshëm i shpërbërjes së këtyre “bastioneve” dhe rrjedhimisht sigurisë së tepruar e shndërruar në komfort papërgjegjshmërie. Vetëm pak vite më parë do të ishte pak e mendueshme se PDK do rritej në Podujevë, LDK në Pejë apo VV në shtresë urbane.    

Mësimi i dytë ka të bëjë me arrogancën e pushteteve lokale, e cila na del e sanksionuar në pothuajse të gjithë Kosovën. Përjashto komunën e Hanit të Elezit dhe kandidatit të pavarur atje, secila komunë tjetër që në raundin e parë ka mbajtur të pandryshuar qeverisjen lokale ka shënuar rënie (madje të konsiderueshme) të votave në krahasim me zgjedhjet paraprake; të tjerat komuna madje kanë ndryshuar gjithë konstalacionin e fuqive politike. Mesazhi i dhënë qytetar është se kosovarët megjithatë kërkojnë përkushtim, ide të reja dhe mbi të gjitha respekt; se politikëbërja komunale e qendrore nuk është punë konservimi kapitali, por punë e krijimit të pandërprerë. Partitë politike këtë herë duhet të ndihen të paralajmëruara se gafat publike bashkë me gjithë ato skenat e trishtueshme parlamentare të individëve pjesëmarrës aksidentalë, do të reflektohen eventualisht në votë.

Mësimi i tretë është se kosovarët kërkojnë megjithatë kualitet nga klasa politike. Fytyrat e reja që dalin fituese në pozicion apo margjinë ngritje, në pothuajse qendrat më të mëdha në vend – e që ndoshta dhe jorastësisht përbëjnë qendrat  që mbajnë një nivel më të sofistikuar të kërkesës politike – tregojnë për trendet e së ardhmes së afërt në politikën tonë. Ndoshta sepse janë ngopur me klasën pasive e në tendencë riciklimi, apo sepse rinimi (jo në moshë por në pjesëmarrje) edhe sjellë freski e thyerje të monotonisë politike, kosovarët këtë herë në masë të madhe kanë përkrahur regjenerimin. Në vijë me ketë, është po aq mandatore që partitë politike të hapin dyert për mysafirë të rinj për ti zëvendësuar të vjetrit; në fund të fundit secila parti do të duhej ti shihte pjesëmarrësit e saj si mysafir, asnjërin si zot shtëpie. Punë demokracie.

Mësimi i katërt lidhet me hartën e re politike që këto zgjedhje krijojnë. Kjo hartë lë vend për tri pole politike, e të cilat kam përshtypjen se do të formësohen shpejtë; pak para zgjedhjeve nacionale. Poli i parë politik ka të bëjë me tradicionalen e pacifizmit dhe republikanizmit brenda LDK-së. Rreth këtij koncepti do të grumbullohen satelitë të tjerë, individë me të kaluar të ndërlidhur me të (sa për të kërkuar trashëgiminë) por që nuk sjellin freski të mjaftueshme; në fakt sjellin vetëm refuzim refleksiv. Është çështje tjetër se a do të pastrojë LDK shtëpinë nga të tillët për të dhënë vend për të tjerët. Gjithsesi se potenca për rritje kërkon rifreskim; lajmi i mirë për ta është se ata kanë këtë mundësi të rifreskimi në dorë të vet. Poli i dytë politik do të formësohet rreth krahut – që na jepet si – i luftës; e në të cilin PDK na jepet si pritëse e AAK-së. Në të vërtetë, AAK është veçse me një këmbë në koalicionin e ri; ndoshta për të pushuar kështu dhimbjen e humbjeve të fundit komunale e për ti siguruar kështu PDK-së komfortin e tretë në qeverisje. Gjithsesi se potenca e një martese të tillë është e destinuar për shterje; një mandat më se shumti para se të mobilizohet krahu tjetër; por për të dy palët është e vetmja formulë mbijetese në një trend rënës. Poli i tretë, dhe i fundit, do të rrumbullakohet rreth VV-së, një forcë që sot mund të ndodhet në krizë identiteti – pasi ka humbur çuditërisht masën popullore por ka fituar elitën urbane; por se në vete mbanë një potencë të jashtëzakonshme intelektuale. Kjo potencë natyrshëm se do të zhbëhet nëse ky pol nuk ndryshon radikalisht në mënyrën e promovimit të alternativës opozitare, e që është një mision bukur i rëndë për ta.

Mësimi i pestë, dhe i fundit, është se Kosova ka një problem serioz në Veri, e të cilin nuk ka arritur ta amortizojë as pas gjithë atyre sakrificave joproduktive, takimeve të vonshme të pasuara me deklarata ofenduese prej një rreshti, apo provokimeve rrugore të përfaqësuesve beogradas me uniformë paramilitare të cilët nderojnë veteranët e luftës së Kosovës. Nderojnë të njëjtit, që këtë javë më parë, u shpërfaqën si ndërtues të llambave elektrike me kafka kokësh të ziera shqiptare; bastardë të sëmurë. Pavarësisht kësaj, zgjedhjet e dështuara dhe huliganizmi i lazdruar atje do të duhet të shërbejnë si burim reflektues për secilën parti apo pol politik që do të trashëgojë qeverisjen në zgjedhjet e afërta nacionale. Për të marrë veriun sërish nën kontroll do të duhet diçka më ndryshe se sa vajtje-ardhjet në Bruksel.