Friday 29 April 2011

KOHA E NDRYSHIMEVE PËR BANKAT

Lumir Abdixhiku dhe Uk Lushi

Në Kosovë sektori bankar, një ndër komponentët më kyç për zhvillim ekonomik, ka nevojë të ngutshme të reformohet thellësisht. Ekonomia e Kosovës nuk do të fillojë të zhvillohet pa u ndryshuar sistemi bankar.

I krijuar tërësisht i ri pas luftës, sektori bankar në Kosovë fillimisht u ballafaqua me ankthin më të frikshëm për bankat: besimin e lëkundur. I mbështetur kryesisht nga kapitali i jashtëm dhe nën drejtimin e administratorëve të huaj, sektori i ri bankar arriti të lindte foshnje e shëndoshë. Të përballura me hezitim të klientëve për të deponuar paratë, bankat nuk u ndalën asnjëherë; në të vërtetë, ato vazhduan pa asnjë ngurrim depërtimin në një treg financiar të virgjër dhe pa konkurrencë. Kërkesa për mjete financiare në Kosovë, një vend i shkatërruar nga lufta që duhej të rimëkëmbej dhe rindërtohej, krahasuar me ofertën e pakët kreditore, ishte jashtëzakonisht e madhe. Në Kosovë u nis të ndërtohej një sistem solid, u kthye besimi dhe për bankat u vendosën kritere të kënaqshme të operimit korporativ. Në ndërkohë, bankat u bënë institucione të respektuara dhe ëndërr e shumë të rinjve që dëshirojnë të bëjnë karrierë në financë. Sot, një dekadë më vonë, pronarët dhe drejtuesit e bankave në Kosovë shprehen me mburrje mbi qëndrueshmërinë dhe profitet e sipërmarrjeve të tyre. Kjo po se po mbresëlënëse; natyrisht po të shikohet prej prapa gjyzlykëve të njerëzve nga brenda bankave.

Por ja që përjashta bankave realiteti është ndryshe. Për njëmbëdhjetë vite klientët paguajnë tagra të larta për çdo shërbim, ndërkaq që bizneset përjetojnë financimin e tyre si një ndër barrierat të cilat i pengojnë ato në rrugën e rritjes dhe zgjerimit të tregut. Shpesh normat e interesit që klientët u paguajnë bankave janë më të larta se marzha e fitimit që ata mund të realizojë duke investuar kredinë. Në anën tjetër, normat për depozita janë shumë të ulëta dhe tendenca që ato të investohen në bankat amë ose në Evropën Perëndimore është duke u bërë gjithnjë e më e theksuar.  Edhe pse më shumë se një dekadë në Kosovë, shumë banka udhëhiqen nga menaxherë të jashtëm, çfarë do të thotë që ato ose nuk kanë investuar në kuadrin vendor ose dëshirojnë të mbajnë “kontrollin” në duar të besuara. Kjo gjendje tregon që relacioni i kënaqshmërisë midis bankave dhe klientëve është jashtë terezisë.

Bankat në Kosovë janë duke kaluar një periudhë ekspansive. Stabiliteti i tyre është i garantuar nga sjellja e klientëve dhe përgjegjësve të shtetit përballë bankave. Të rikujtojmë që këtë vit depozitat kanë arritur në 1.8 miliardë euro, duke shënuar kështu një rritje prej rreth 15% në krahasim me vitin e kaluar. Ky shtim prej 15% demonstron që bankat kanë besimin e qytetarëve dhe madje arrijnë, që, në kohën e një krize globale financiaro-ekonomike aktuale, të kenë edhe rritje organike, të cilën do ta kishin xhelozi shumë banka të botës.

Suksesi i bankave në vendin tonë nuk do të duhej të ishte aspak befasues. Ato kanë zgjedhur formën më të sigurt të të bërit biznes: bankingun tradicional dhe me rrezik minimal. Bankat në Kosovë japin kredi- pak a shumë- aq sa marrin depozita, ndërsa, marzha neto e interesit të tyre (NIM), përndryshe matësi kryesor i profitabilitetit, është spektakularisht i lartë. Për kredi bankat kërkojnë 14.4% interes, e për depozita ofrojnë hiç më shumë se 4%. Arsyetimet e bankave që Kosova bartë shumë risk janë bërë tashmë bajate. Nëse situata nuk ndryshon dhe mbetet kështu- Kosova është parajsë e bankave, por tmerr i shumë konsumatorëve dhe bizneseve.

E saktë që të bërit biznes në Kosovë është me plot risk; nuk ka vend në botë që është i pa risk. Sipas Bankës Botërore në listën e krijimit të ambientit biznesor vetëm Venezuela dhe Afganistani mbrojnë investitorët më pak se Kosova dhe rrafsh 173 shtete të botës janë të ranguara përmbi vendin tonë. Ose le të përkujtojmë realitetet e zymta që Kosova nuk ka regjistrim kadastral,  rastet e gjyqësorit marrin kohë për t’u mbyllur, nuk ka klasifikim kreditor etj.

Por, investimi i bankave në Kosovë janë kryesisht paratë e depozituesve, jo të investitorëve. Për më tepër, kur analizohen raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila është roja dhe kujdestari i sistemit bankar, vërehet qartë se me numra diçka nuk shkon. Bankat tona japin kredi vetëm sa një e treta e Bruto Produktit Vendor. Një vend i vockël si Mali i Zi jep dy herë më shumë. Konservatizmi i tillë kreditor është mbytje e potencialit të  ekonomisë dhe ngritjes së kapitalit financiar për bizneset; është ligji më bazik ekonomik, ku, përkundër një kërkese të lartë e të bollshme, oferta nuk lëviz te ekuilibri ku do ta takojë kërkesa. Nëse diçka lypset shumë e ipet pak, çmimi për atë pak është domosdoshmërisht i lartë. Në këtë ngërç kreditor,  befasuese është edhe lartësia e kthimit të kapitalit të investuar,  i cili në rastin e bankave të Kosovës arrin në 16%, pra është më i larti në rajon dhe- sa për ilustrim - pothuajse dy herë më i madh se në Shqipëri. Të lë me gojë hapur mburoja e arsyetimit të bankave për interesat e larta- kthimi jo i sigurt i mjeteve; ndërkaq që Kosova prin për së mbari me kreditë më të ulëta të këqija në rajon dhe më gjerë: vetëm 4.5%. Me 2010 kreditë e këqija në Shqipëri ishin 14%,  në Serbi 17%, Maqedoni 9%, e në Bosnje 10%. Shkurt e trup, i gjithë Ballkani paraqet risk më të lartë kreditor, por ja që gjithandej gadishullit normat e interesit janë shumë më të ulëta se në Kosovë.

Sido që të jetë, fenomeni më alarmant është fakti që gati 90% e depozitave të gjithmbarshme në Kosovë janë të përqendruara në vetëm katër institucione financiare. Kjo e vërtetë, kur bëhet bashkë me çfarë u shkrua deri më tash, shndërrohet në konditë  të mjaftueshme për të prodhuar një sjellje oligopolistike të koordinuar të sektorit bankar në Kosovë. Supozimi për sjellje oligopolistike rrjedh nga ngurtësia e normave të interesit nëpër vite, përkundër faktit që Kosova ka bërë progres real në shkurtimin e riskut.

Babai i shkencës së ekonomisë Adam Smith paralajmëronte me 1776: “Njerëzit e të njëjtit zanat takohen rrallë, qoftë për gazmend qoftë për argëtim, por muhabeti përfundon në komplot kundër publikut, ose në një sajim për të ngritur çmimet.” Fjalët e Smith-it mund të kundrohen si një ekzagjerim, porse koordinimi potencial oligopolist mund të jetë edhe i heshtur. Pjesëmarrësit në një sektor që bie pre e oligopolistëve shmangin konkurrencën, i vendosin çmimet në nivele të fryra dhe ndajnë tregun edhe pa marrëveshje eksplicite. Kompanitë që angazhohen në kësi lloj strategjie  përmbahen nga përdorimi i çmimeve si mjet konkurrues duke caktuar çmime të njëjta përmbi çmimin optimal, i cili do të përcaktohej nga tregu i lirë dhe konkurrenca fer.

Sjellja oligopoliste është e dëmshme për të gjithë, përveç oligopolistëve. Ajo është ilegale dhe do të duhej të ndalohej me çdo kusht. Janë mekanizmat shtetëror, rregullativ dhe shoqëror ata që duhet të mbikëqyrin, përcjellin, hetojnë dhe ndjekin penalisht sjelljet e subjekteve në çdo sektor të ekonomisë në përgjithësi dhe në sektorin bankar në veçanti; mirëpo, i koordinuar apo jo, duhet thënë hapur, ngurtësimi i normave të interesit është i papranueshëm dhe Kosova nuk ka kohë të presë më gjatë.

Klientët individualë dhe sidomos bizneset  kanë nevojë për kapital me kosto që e përcakton tregu i lirë. Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë që, pavarësisht sa prioritete tjera mund të ketë, pa një sistem bankar të lirë dhe konkurrent ekonomia nuk do të rritet dhe zhvillohet. Republika e Kosovës nevojit  konkurrencë më të madhe në sektorin bankar. Ndërsa nevoja është e menjëhershme që në tregun bankar vendor të hyjnë konkurrentë të rinj, shteti dhe qytetarët e Kosovës i kanë nëpër bankat e botës mbi 1 miliard euro. Konkurrenca mund të mbështetet dhe nxitet duke përdorur një pjesë të parave që janë jashtë për të krijuar një bankë për zhvillim, një bankë agrare, një bankë postare dhe duke lejuar formimin e unioneve kreditore si dhe duke tërhequr më shumë banka ndërkombëtare.

Për t’u materializuar ndryshimet urgjente në sektorin bankar janë të domosdoshme ngritja e zërit të konsumatorëve, bizneseve, mediave, Bankës Qendrore e Komisionit të Konkurrencës; angazhimi i plotë i të gjitha bankave si dhe përfshirja serioze e qeverisë. Reflektorët e vëmendjes duhet të drejtohen mbi bankat dhe të mos lëvizin nga aty deri në rregullimin përfundimtar të gjendjes. Përndryshe rritja dhe zhvillimi i ekonomisë dhe standardit të jetës do të mbeten vetëm fjalë.

KOHA DITORE, 29 PRILL 2011

POST PLANI BULLGAR - KUJDES AKSHAM PAZARIN

Lumir Abdixhiku dhe Luan Shllaku

Të gjithë duam rrymë dhe autostradë. E duam edhe një privatizim fitimprurës. Por të gjitha duhet t’i bëjmë pa abuzuar me potencialin ekonomik të vendit dhe me sundimin e ligjit. Këto gjëra duhet bërë me zemër, por edhe me stil!


Qeveria ka filluar me privatizimin e  ndërmarrjeve të mëdha publike dhe ka filluar t’i realizojë dy projekte të mëdha investuese, në infrastrukturë dhe energjetikë. Kjo shënon një periudhë të re të zhvillimit të vendit, kur në një anë planifikohet të shiten asetet tona më të mëdha dhe më fitimprurëse, dhe në anën tjetër fillohet me projekte të mëdha investuese, të cilat do të paguhen me para të taksapaguesve, te rasti i autostradës Morinë – Merdar, dhe me para të investitorëve të huaj privat, në rastin e investimeve në termo-energjetikë. Ky moment i rëndësishëm zhvillimor duhet parë nga dy aspekte, nga ai ekonomik: (1) cilat janë përfitimet e Kosovës nga ky privatizim dhe investim, dhe ai i sundimit të ligjit (2) sa ka qenë ky proces transparent, i përgjegjshëm, dhe i bazuar në legjislacionin në fuqi.

Më poshtë janë sjellë 10 momente të cilat tregojnë se i tërë ky proces, që karakterizohet me nguti të paparë në privatizim, dhe me vonesa të mëdha në investime në energjetikë,  abuzon me potencialin tonë ekonomik dhe me rregullat demokratike që duhet t’i përcjellin këto projekte të mëdha.


1

Projekti termo – energjetik. Pas insistimit kokëfortë të dy qeverive të kaluara, në skenarë negative të ndërtimit të TC Kosova e re, me kapacitet 2100 MË, si dhe rrëzimit të këtyre skenareve, pas presionit të shoqërisë civile dhe të një pjese të organizatave ndërkombëtare, ky projekt vazhdon të prodhojë modalitete negative që aspak nuk i shkojnë përshtati Kosovës. Pothuajse të njëjtit aktor të jashtëm, heq Bashkësinë Evropiane, tani na sjellin skenar edhe më të dëmshëm për ekonominë e Kosovës, që i shkel ligjet respektive kosovare, rajonale dhe evropiane. Është fjala për tendencën e rrezikshme që të vendoset monopoli në tregun e energjisë. Çka është duke ndodhur?

Disa organizata ndërkombëtare që janë të involvuara nga fillimi për të na asistuar në përgatitjen sa më të mirë të këtij investimi, nëpërmes të këshilltarëve të tyre të transaksionit, e kanë bindur (lexo: urdhëruar!) qeverinë e Kosovës që TC Kosova B, t’ia jep (lexo: fal!) pronarit të ardhshëm të TC “Kosova e re”. Parlamenti i Kosovës, ishte i dëgjueshëm, dhe e aprovoi kërkesën e qeverisë që TC Kosova B të futet në pakon tenderuese si pronë e ardhshme e pronarit të ri. Ky skenar është i pabesueshëm për njohësit e ekonomisë dhe energjetikës, sepse sjell monopol absolut në tregun tonë të energjisë elektrike, dhe dukshëm i ulë shanset për të marrë kompensim adekuat nga ky investim. Ky monopol shumë lehtë mund të shihet se është i sanksionueshëm me Ligjin e Kosovës për Ndërmarrjet Publike, Traktatin e Bashkësisë së Energjisë (neni 2b,e, Kapitulli IV, neni 18, a, b, Aneksi III, neni 82 c, dhe 86, alinea 2), nënshkruar ne Athinë, 2005, respektimi i të cilit i ka rrënjët në Kushtetutë të Kosovës, dhe në Ligjin për Konkurrencë të Bashkimit Evropian (neni 101 dhe 102, i Traktatit për Funksionimin e BE-së). S’do mend se monopoli është rreptësisht i dënuar edhe me ligjet e vendeve të cilat janë duke na sugjeruar të futemi në këtë aventurë.


2

Komisioni Evropian tashmë është i alarmuar nga një zhvillim i tillë. Ne qershor 2010, nëpërmes të zyrës së saj në Kosovë, e ka njoftuar qeverinë e Kosovës se është shumë i brengosur me këto zhvillime, dhe se ato do të ndikojnë dukshëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE, dhe perspektivën e saj integruese. Në këtë letër, adresuar Kryeministrit thuhet:

... “ne konsiderojmë se ky vendim i qeverisë, është një hap prapa procesit të integrimeve europiane, dhe ne jemi të shqetësuar se Kosova nuk do të mund t’i përgjigjet detyrimeve të saja karshi Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që do të thotë se do të mbes jo-kompatibile me Aquis (ligjet) e BE-së.”

... “ky vendim i qeverisë është duke e izoluar Kosovën nga pjesa tjetër e rajonit, duke hedhur kështu farë në probleme afatgjata, nga të cilët do të jetë vështirë të dilet, legalisht dhe financiarisht.”

Organizatat tjera ndërkombëtare janë duke e trashur këtë monopol me veprimet e tyre. Banka Botërore ka garantuar që do ta ndihmojë qeverinë e Kosovës për t’i kryer obligimet e veta si super-garantuese e kontratës që do ta lidh ajo me pronarin e ardhshëm, me të cilën i epet ekskluziviteti i blerjes së energjisë, e në kundërshti të plotë me tregun e lirë të energjisë që duhet vendosur nga viti 2015, sipas Traktatit të Athinës, të cilin Kosova është e obliguar ta implementojë me përpikëri.

Duke ditur se qeveria aktuale e ka vendosur integrimin në BE si prioritet të saj madhor, nxitja e zhvillimeve regresive ndaj këtij prioriteti do të ishte e çuditshme dhe e pashpjegueshme.


3

Këta këshilltar të transaksionit i sugjerojnë qeverisë së Kosovës një mrekulli tjetër ekonomike: që pjesëmarrja kosovare në këtë investim të përbashkët të jetë 25 %. Edhe kalkulimet më banale tregojnë se pjesëmarrja e TC Kosova B, në pronësinë e përbashkët me TC Kosova e re, duhet vlerësuar shumë më lartë. (E tërë kjo vlen nëse ligjet do të shkeleshin përfundimisht, dhe TC Kosova B i kalohet në pronësi pronarit të ardhshëm monopolist të energjisë në Kosovë). Le të llogarisim: TC Kosova B, me fuqinë e saj prodhuese prej 600 MË, në pesë vitet e para (2011 – 2016), do të jetë i vetmi potencial prodhues – pra 100% e prodhimit do t’i realizon e vetme.  Pastaj, pas futjes në prodhim të TC “Kosova e re” me 300 MË, pjesëmarrja e Kosovës B në prodhim të energjisë do të jetë 66%, dhe pas katër ose pesë viteve tjera, diku në vitin 2020, prodhimtaria e TC Kosova e re do të barazohet me atë të Kosovës B – pra do të jetë 50% – 50%. Kjo do të thotë se në 10 vitet e para prodhimtaria e Kosovës B do të jetë dominante nga 66 – 100% pjesëmarrje. Pra, si e caktuan këshilltarët e transaksionit vlerën prej vetëm 25% të pronësisë kosovare në këtë partneritet!?

Nuk është vetëm kjo llogaria që duhet bërë kur të caktohet pjesëmarrja e Kosovës. Futjes së TC Kosova B në pako tenderues duhet shtuar edhe të paktën tri komponente që e ngrisin dukshëm pjesëmarrjen tonë: (1) sigurimin e linjitit nga Sibofci, ku qeveria e Kosovës ka investuar deri tash mbi 120 milion euro, (2) garantimin e tregut kosovar, sipas të cilit do t’i epet ekskluzivitet pronarit të ardhshëm për shitje të energjisë në tregun Kosovar, për 20 vitet e ardhshme dhe (3) infrastruktura ekzistuese përreth TC-ve dhe mihjes, që do t’i zvogëlojë shpenzimet e ndërtimit të TC të ri. Nuk do aspak mend të konstatohet se të gjitha këto vlejnë shumë më shumë se 25%, sa i sugjerohet qeverisë që ta shpall në tenderin që do të del shpejtë. Duke marrë parasysh se investitori i ri nuk do të futej në këtë investim me më pak se 51%, mund të themi se pala kosovare duhet të arrijë patjetër një ujdi për pjesëmarrje prej 49%, në këtë ndërmarrje të përbashkët.


4

Autostrada Morine – Merdare, është projekti më madh investiv i Kosovës. Në të qeveria ka vendosur të shpenzojë më shumë se 1 miliard euro para të taksapaguesve të Kosovës. Argumentet pro këtij investimi të cilat iu ofruan qytetarëve ishin kryesisht “patriotike” dhe ideologjike. Slloganet patetike të tipit : “... ne sot japim djersën tonë që fëmijëve të ju dhurojmë një të ardhme të sigurt përmes të këtij korridori!” i zëvendësuan plotësisht shpjegimet që duhet t’i epeshin pronarëve legjitim të kësaj rruge, taksapaguesve kosovar. Kot pritej që të na thuhet diçka më shumë për arsyeshmërinë e ndërtimit të kësaj rruge si prioritet i parë, koston dhe benefitin nga ajo, analiza e kthimit të këtij investimi, dhe në fund Ndikimin Strategjik në Mjedis. Meqenëse zakonisht nuk çojnë peshë argumentet që nuk janë shumë ngushtë të lidhura me një ligj konkret që shkelet, do të sjellim një argument të tillë: qeveria nuk e ka përfill Vlerësimin Strategjik Mjedisor të projektit për ndërtim të rrugës, që del nga Ligji Nr. 03/L-015 i shpallur në Gazetë Zyrtare me 24 mars 2009. Më konkretisht ajo i ka shkelur pothuajse të gjitha nenet dhe alinetë e këtij ligji – nenin 7, 13, 16, 20, 21, 22, 24. çfarëdo letre të siguruar nga Ministria e Mjedisit, e cila thotë se i epet pëlqimi mjedisor në parim, është i pavlefshëm, dhe shumë larg obligimeve që ka pasur qeveria në përmbushje të këtij ligji të rëndësishëm.

Për të mos hyrë më detajisht në këto shkelje, le ti referohemi situatës së njejtë në Rumani – ndërtimit të autostradës Transilvanike, me kompaninë Bechtel poashtu, që pasi që nuk e bëri Vlerësimin Strategjik në Mjedis, mori qortim të ashpër nga BE, e cila i ndaloi të gjitha investimet që ia kishte premtuar qeverisë rumune.


5

Meqenëse më së shpeshti qeveritë sjellin mendimin e institucioneve kredibile ndërkombëtare ose atë të miqve tanë, për ta arsyetuar veprimin e bërë, as te projekti i autostradës nuk ishim të kursyer nga ky lloj argumentimi. U tha se:

“Me këtë projektligj ne shprehim zotimin institucional dhe ligjor për anëtarësim në FMN dhe BB. Për këtë arsye dhe finalizimit sa më të shpejtë e efikas për anëtarësim në këto dy organizata, kërkoj miratimin e këtij projektligji, i cili është parakusht për integrim!”, dhe poashtu u tha nga zyrtar të lartë qeveritar se:

“Qëllimi është që me asistencën e Bankës Botërore të garantojmë një proces transparent, të garantojmë standarde ndërkombëtare dhe sipas asaj që i parasheh BB për fillimin e projektit të madh, autostradës”,

E vërteta është shumë më ndryshe: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë ishin shumë kritik ndaj këtij projekti. Banka Botërore, në dokumentin “Pasqyra e shpenzimeve publike në Kosovë – qershor 2010, thotë:

“Ka shumë argumente për të konstatua se vendimet për përdorimin e buxhetit për investime kapitale bëhen në bazë subjektive para se objektive. Si rrjedhojë, shumë para janë shpenzuar në projekte që sjellin benefite të ulëta ekonomike!”

“… kontrata e bërë është me çmim të fiksuar për njësi, për periudhën 3 vjeçare, por numri i njësive (sasia) nuk është e specifikuar. Një kontratë e tillë do të duhej t’i kishte sasitë e definuara, për ta reduktuar rrezikun në të  cilin futet qeveria”

“… shpenzimet vjetore (145+400+300+180) do të obligojnë qeverinë të bëjë shkurtime të dukshme në projektet tjera rrugore, në investime kapitale dhe plane zhvillimore. Mirëmbajtja e rrugëve ka ra dukshëm dhe do të vazhdojë me këtë trend.”

 
6

Fillimi i hipershpenzimeve kapitale ka bërë që Kosova të redifinojë nevojën për menaxhim të aseteve publike. Kosova po shpenzon më shumë se që ka. E kur shpenzon më shumë se që ke, futesh në borxh, kur futesh në borxh atëherë fillon pazarin me pasurinë që ke. E kur pazari duhet bërë shpejt, për zor e për nguti atëherë ai na bëhet aksham pazar. Kosova para vetes ka një triologji konfrontuese me veten: buxhet shpenzues çdo vit prej 800- 900 milionëve, autostradë sa një e katërta e GDP-së, dhe tendencë për mbajtje të aseteve nacionale. Ky është një luks i papërballueshëm për ne. Ne o duhet krasitur shpenzimet buxhetore, o duhet krasitur autostradën, o duhet krasitur asetet nacionale; gjithmonë për të pasur në fund një output më optimal të performancës ekonomike. Të trijat nuk mund ti kemi.

Autostrada dhe buxheti hiper-shpenzues ka bërë që Kosova të planifikojë një deficit primar prej 226 milion eurove. Bashkimi Evropian për të gjitha vendet anëtare të saj, me theks të veçantë të përdoruesve të Euros, ka parapërcaktuar një kufi maksimal të deficitit buxhetor, kufizime këto të njohura nën Kriterin e II-të të Maastricht-it (Maastricht criteria) e që qartazi thekson se deficit buxhetor i një vendi nuk guxon të jetë më i lartë se 3% e GDP-së. Në vitin 2011 Kosova planifikon të ketë një deficiti sa 5% e GDP-së së vendit. Këto parametra qartësisht bëjnë shkeljen e rregullave më të rëndësishme financiare të Bashkimit Evropian, madje me tejkalim të kufizimit prej 66%. Një deficit i tillë është arsyeja thelbësore prapa ngutjes për shitje të aseteve publike. Kjo ngutje rrjedhimisht na sjell në vetëzhvlerësim.


7

Miratimi i privatizimit të PTK-së me Ligjin mbi Buxhet është bërë për të mbuluar deficitin. I njëjti është kundër Ligjit mbi Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike 03/L-087 dhe si i tillë është dualizëm në ligjshmërinë kosovare. Po edhe sikur të mos ishte shkelje e ligjshmërisë, shitja e aseteve nacionale kërkon koncensuz të gjerë meqë në fund të fundit asetet dhe pasuria e vendit nuk janë pronë e një apo tjetre qeverie. Pasuritë e Kosovës o na janë falur nga Zoti o na janë trashëguar; prandaj edhe meritojnë një trajtim më fisnik se sa tunelizimi i çështjeve.

Shitja për borxh dhe për nguti konfirmohet edhe në marrëveshjen me FMN. Më 7 Korrik 2010, Qeveria e Republikës nënshkruan Memorandumin e parë me FMN. Memorandumi nga kosovarët merr autorizimin më të lartë. Në faqen 4 të këtij dokumenti, Neni 5 thotë “...për më tepër ne do të procedojmë me privatizimin e PTK-së për të siguruar financimin e deficitit”. Në faqen 7, Neni 11 thotë “...është e rëndësishme që për të mbuluar deficitin, privatizimi duhet të ndodhë shpejt...”. Në po të njëjtën faqe, në Nenin 12, thotë se “nëse të hyrat nga privatizimi i PTK-së janë më të pakta se 300 milion atëherë Qeveria do të merr masa në rritjen e të hyrave tjera buxhetore”. Në faqen 15 në Tabelën 1, rreshti 13, bëhet kurorëzimi final i vlerës së PTK-së ku thuhet se “të hyrat e privatizimit janë 300 milionë euro”. Memorandumi me FMN-ën fatkeqësisht nuk është i vetmi që përcakton prejardhjen e të hyrave 300 milionëshe dhe me këtë edhe vlerën e  PTK-së. Janë edhe një sërë dokumentesh tjera publike që kanë bërë të njëjtën gjë. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e publikuar në Qershor 2010, përcakton saktë dhe qartë po të njëjtën vlerë. Në faqen 9 dokumenti thotë “...me përfshirjen e projektit të autostradës gjenerohet një boshllëk i madh i financimit. Për këtë PTK pritet të privatizohet deri në fund të vitit 2010”. Në faqen 19, Tabela 6, rreshti 11, përcaktohen vlerën e pritur “...të hyrat nga privatizimi: 300 milionë”. Po të njëjtin përcaktim bën edhe projekt buxheti i parë i 2010-ës.  Tash nëse kemi nënshkruar një marrëveshje ku në tre Nene themi publikisht se (një) shesim për deficit, (dy) shesim me nguti, dhe (tre) presim 300 milionë e ndoshta edhe më pakë, atëherë ne skemi bërë asgjë tjetër përveç se vetëzhvlerësim të asetit.


8

Kjo na sjell tek tipari tjetër jooptimal i këtij lloj privatizimi: mos-përcaktimi i vlerës së saj nga tregu. Kur shet me nguti idetë e përcaktimit të çmimit nga forcat e tregut janë joreale. Përcaktimi i vlerës së një aseti nga tregu nënkupton “ceteris-paribus” ose mbajtjen e ndikimit të faktorëve tjerë në zero. Tregu absorbon atë çfarë ti i jep. Nëse i jep tregut një ndërmarrje të menaxhuar mire, me potenciale profitabile, pa ndërhyrje politike, pa risk dhe pa nguti atëherë nga tregu merr më të mirën, çmimin real. Por vendi ynë nuk është se po kalon kohën e një imazhi par excellence. Thënë këtë nëse tregut i jep një ndërmarrje të keqmenaxhuar, një treg me risk, një ekonomi të ranguar në nivel me Iranin dhe Venezuelën, një nivel korrupsioni sa të Xhibutit e Ishujve Solomon, një imazh tmerrues, një borxh dhe një nevojë urgjente për ta mbuluar atë borxh, atëherë ti domosdoshmërish nuk ke mbajtur faktorët tjerë në impakt zero por ke prodhuar barriera serioze në arritjen e çmimit real të tregut; për të mos thënë se ke bërë çmos sa për të mos marrë atë.

Nëse shitja e PTK-së është domosdoshmëri e ndonjë orientimi filozofik, e që dyshojmë se është, meqë në fund të fundit politikat qeveritare bëjnë nacionalizim të pronës në vend të pasurisë nëpërmjet kombinimit Telekom-Autostradë; atëherë është e rrugës që kjo shitje të ndodhë pa nguti, jo për borxh dhe në një kohë shumë më të përshtatshme. Për më tepër, për ti ikur dëmit të vetëzhvlerësimit të asetit, Kosova duhet të ndjekë shembullin e Serbisë në përcaktimin e një pragu minimal të vlerës, e që duhet pritshëm të jetë shumë më i lartë se 300 milionët e planifikuar.


9

Tendenca për dhënien e shumicës absolute të PTK-së janë të papara në praktikat regjionale. Maqedonia mban rreth 38% të telekomit, Kroacia 49%, Sllovenija 68%, Srbija 49%, Bosnja 90%; vetëm Shqipëria mban pronësi pak mbi 20%. Arsyetimi i analizës së Qeverisë mbi shitjen e 75% të aksioneve është se “... të gjithë investitorët insistojnë që shumica e pronësisë të shitet në fillim”. Thënë të drejtën investitorët do të insistonin që PTK-ën ta merrnin edhe fale; por është absurde të mirret për bazë insistimet e investitorëve.

Jo se nuk duhet të transformojmë pronën publike në zotërim të sektorit privat. Do të ishte marrëzi ideologjike shpresa së një vend tranzitor me telashe institucionale e me gjithë të metat e sëmundjet e procesit tranzitor e post-konfliktuoz mund të prodhojë një output inkurajues; një zhvillim ekonomik. Është e thjeshtë, pronësia publike në vende të tranzicionit është barrierë për bizneset, strofull e korrupsionit e nepotizmit dhe vetë-ngufatëse në rritje. Menaxhimi publik është një kapiten i keq i anijes sonë. Megjithatë, do të ishte po aq marrëzi nëse heqim dorë nga pasuritë që i kemi pa marrë diçka prapa ose të paktën pa qenë pjesëmarrës në udhëtimin e tyre zhvillimor. Deri sa sektori privat duhet të jetë kapiten i anijes sonë, prona publike duhet të jetë kargo në këtë ecje. Mbajtja në pronësi publike të 49% të aseteve të Telekomit, nën menaxhimin privat do ti siguronte vendit dividentë në nivel pothuajse të njejtë nga ajo cfarë ne marrim sot nga një menaxhim publik, i zhytur në probleme serioze të korrupsionit, mbipunësimit dhe mungesës së motiviti.


10

Nuk është vonë. Vendi duhet të merret me deficitin. Kosova nuk mund të marr hua meqë nuk ka një rangim kreditor, nuk mund të gjeneroj të hyra shtesë meqë nuk ka ekonomi performuese të bollshme, e nuk mund as të presë ndihmë financiare meqë ka katranosë keq marrëdhëniet me ofruesit e këtyre ndihmave. Dhe çka tash? Kjo na sjell tek zgjedhja mes shitjes së aseteve me nguti ose shkurtimeve buxhetore. Themi se logjika e shëndoshë mbështetë këtë të fundit. Shkurtimi i shpenzimeve mund të bëhet në paga ose në autostradë.

Shkurtimi prej 100 milionëve në paga do të sillte deficitin në kufijt ekstrem, por prapë të pranueshëm. Në fund të fundit në kuptimin ekonomik rritje e pagave në format të sodit nuk rritë fuqinë blerëse të kosovarëve meqë nuk reflekton në inflacion. Në anën tjetër, kosto e autosradës duket se është e papërballueshme. Për të shmangur shitjen e aseteve nacionale, për ti ikur deficitit të planifikuar ne duhet të shikojmë në mundësitë kontraktuale të ndërprerjes së punëve së paku për një vit. Nëse shkurtimi në paga sjell trazira sociale themi se shkurtimi i autostradës është më pak i dhimbshëm. Ne nuk mund të rrezikojmë e zhvleftësojmë të gjitha asetet nacionale, sot Telekomin, nesër Enegjetikën e pasnesër Trepçën, tri asete profitabile afatshkurte për një aset kapital profitabil afatgjatë. Me nevojat emergjente të vendit një llogaritje e tillë është e ngutshme dhe aspak e mençur.


Epilog

Objektivat e Kosovës janë dhe duhet të jenë madhështore, megjithatë kur ke xhepa të shkurtë ndjekja e objektivave të tilla bëhet me risk. Me risk po na bëhet edhe menaxhimi i pasurisë publike. Ky menaxhim reflekton mbi borxhet që vendi po krijon në vazhdimësi. Qëllimi i kësaj analize është i mirë. Duke dëshmuar shkeljet e bëra vetëm ndihmohet demokracia kosovare. Po ashtu, shumë gjëra mund të korrigjohen. E vetmja gjë që nuk thuhet në këtë analizë, është ajo që na vishet më së shpeshti: se ne jemi kundër zhvillimit të Kosovës. Është ekzakt e kundërta. Ne duam që Kosova të zhvillohet, ama me stil! Ashtu si i ka hije demokracive moderne, dhe ashtu si i ka hije një vendi që është duke u ndërtuar me shumë sakrifica dhe peripeci të qytetarëve të saj.

Nevoja e madhe që ka vendi për zhvillim nuk e justifikon abuzimin me potencialin e saj ekonomik dhe me sundimin e ligjit. Këto dy shtylla dominante zhvillimore duhet të shkojnë përkrah njëra tjetrës.

KOHA DITORE, 22 Prill 2011

Tuesday 19 April 2011

REGJISTRIMI: GOTË GJYSMË E ZBRAZËT APO GJYSMË E MBUSHUR

Kam përshtypjen se problemet dhe sfidat e shumta që po i krijojmë në vazhdimësi vetes, shpeshherë po zhvendosin llupën e vëmendjes nga lajmet e mira e të rralla në vend. Krizat e shumta politike e telashet tjera të ekzistencës si duket kanë zënë diskutimet mes miqve e familjes në çdo mblodhi për gëzim e hall. Kam përshtypjen se kemi harruar si duket e si dëgjohet një lajm impresionues, e se në ballinat e gazetave ditore, të TV-ve nacionale ka kohë që lajmi i parë të ketë qenë shpresëdhënës. Viktimë e kësaj zymtësie politike si duket ishte edhe njoftimi për fillimin e regjistrimit të popullsisë, residentëve të Kosovës.  

Sinqerisht, ka kohë që vendi nuk ka dëgjuar lajm më të mirë se ai për fillimin e regjistrimit. Dymbëdhjetë vjet pas luftës dhe 30 pas atij të fundit më në fund kosovarët mund të dinin sa ishin, ku ishin, ka sa ishin, me kë ishin dhe si ishin. Kujtoj se regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët kishin bojkotuar regjistrimin e bërë nga Beogradi, ndërkaq përpjekjet e fundit hasnin gjithmonë në barriera politike dhe mungesë serioze të kapaciteteve për regjistrim.

Nuk besoj të ketë pasur rëndësi më të madhe statistikore e hulumtuese se sa pasja e numri të saktë të kosovarëve. Në fund të fundit të gjithë treguesit e dhënë deri më tani mbështeteshin në para-llogaritje nga 1.8 në 2.5 milionë banorë; e kur nuk din numrin e saktë të rezidentëve atëherë çfarë saktësie mund të kenë treguesit tjerë e çfarë politikash zhvillimore mund të bëheshin mbi këtë bazë. Nuk dinim as shpërndarjen e kosovarëve në regjione, as fluksin e tyre, as shpërndarjen gjinore, as moshën e as parametrat e një familje mesatare kosovare e as nivelin e edukimit të tyre. Ndonëse, anketat e bëra jepnin një llogaritje të përafërt, saktësia gjithmonë na ishte një defekt serioz statistikor; e me këtë dhe hamendjet mbi papunësinë, varfërinë e fuqinë financiare të kosovarëve.

Thënë shkurt e shqip, regjistrimi në vend po shuante shumë kureshtje për numra e po hapte shumë mundësi të tjera për analiza ekonomike, sociale e politika, për tu përkthyer në fund në politika të mirëfillta zhvillimore. Të paktën kisha këtë përshtypje para se të regjistrohesha vet. Jo se dua ta prish disponimin e mirë të krijuar nga euforia simpatike e kosovarëve për regjistrim, por them se nga çfarë pashë në pyetësor po humbin shanse të shumta për të skanuar parametrat real të vendit dhe sjelljeve të bashkë-banorëve tanë; në fund të fundit regjistrimi nuk bëhet çdo pranverë.
Kur shikoj debatet mbi regjistrimin në Shqipëri, kuptoj sa shkel e shko kemi bërë këtë tonin. Të paktën të gjitha argumentet e ngritura atje janë tërësisht valide edhe këtu. Deklarimi vullnetar ose jo i etnisë ka qenë temë e shterur në Tiranë nga shoqëria civile e cila ishte e zëshme sa s’bëhet më. Ky zë i tyre u dëgjua dhe bëri që regjistrimi të shtyhej për Nëntor. Argumenti bazë i tyre ndërlidhej me vullnetarizmin në deklarim. Sipas praktikave të BE-së dhe metodologjisë së regjistrimit Evropian, qytetarët nuk deklarojnë përkatësinë etnike meqë bazë regjistruese merret shtetësia. Në ballkan etnia ka peshë. Tu japësh respodentëve të drejtën e “zgjedhjes” së etnisë është luks i paparë. Mua këtë javë mu kishte dhënë mundësia vullnetare të deklaroj vetën si Amerikan, Anglez, Italian, Kinez e Eskimez. Madje në një rast hipotetik ekstrem kosovarët mund të deklaroheshin të gjithë kinez.

Aspak më bindëse nuk mu duk mundësia e regjistrimit të atyre që nuk ishin prezent. Në po të njëjtin regjistrim ne mund të krijonim individ inekzistent me vetëm një fjalë goje. Mund të shpiknim anëtarë të familjes sa të donim, mund ti zhduknim të tjerët meqë regjistruesit nuk kishin asnjë mekanizëm për të verifikuar ekzistencën ose jo të tyre; e gjitha varej nga bindja dhe disponimi ynë humoresk. Të krijosh e zhbësh një identitet të dhënë është sinqerisht një potencial i paparë. Në raste si këto tonat, pra kur ka një boshllëk statistikor, vendet kanë aplikuar metoda edhe nga më ekstremet por prapë mjaft efikase. Kujtoj Turqinë në vitin 2000, kur po bënte një regjistrim të përgjithshëm dhe për këtë gjatë dy ditëve të regjistrimit kishte mbyllur gjithë vendin, shpallur orë të plotë të palëvizshmërisë dhe për më pak se 48 orë e gjithë ushtria e vendit kishte regjistruar saktësisht 72 milion banorë, me një margjinë gabimi minimale. Shtatë vite më vonë regjistrimi tjetër ndodhte në bazë të të dhënave të marra nga mbyllja e përgjithshme; kthim në normalitet. Japonezët për të shmangur defekte të tilla japin numra unik të regjistrimit.

Më pak e dhimbshme duket një mundësi fabrikimi i numrave (le të themi se kemi vetëdijen për të qenë të drejtë) kur shohim kualitetin e informatave që marrim nga respodentët. Pyetësori përmban pyetje mjaft gjenerale për karakteristikat e përgjithshme të individëve, pjesa më e madhe e të cilave gjendet në certifikatën e lindjes së secilit. I njëjti do të na japë përveç numrit të rezidentëve edhe nivelin e përafërt të punësimit, një avancim enorm kur diversiteti i të papunëve ka një shkallë jo-përputhshmërie të paarsyeshme nga 30% në 60%, varësisht se kë dëgjojmë.  Do të na japë edhe nivelin e edukimit të kosovarëve madje edhe adresën e punës, gjuhët që flasim, e besa edhe kualitetin e ndërtimit të shtëpive/banesave. Po ja që i njëjti nuk bën asnjë pyetje për të ardhurat mujore të individëve për të kuptuar fuqinë reale të kosovarëve, nivelin e varfërisë e pse jo edhe shumën e remitancave apo parave që kosovarët marrin nga jashtë. E habitshme se si na shkon mendja të bëjmë pyetje se a është i ndërtuar objekti ynë banues me blloka të kuq apo të bardhë e nuk pyesim se sa para marrim në muaj e nga na vijnë ato, një pyetje kjo thelbësore në çdo regjistrim. Nuk pyesim as për shportën e konsumit, kualitetin apo llojin e produkteve e shërbimeve që konsumojmë, ku i blejmë e pse i blejmë. Një pyetje e vetme si kjo do të na jepte ide e mundësi për projeksione orientuese të vendit të papara deri më tani, nga projeksionet e konsumit e deri te orientimet strategjike të ekonomisë kosovare. Në Rusi, regjistrimi nacional i pyet banorët edhe për planifikimet e tyre në shpenzimin e të ardhurave në vitet vijuese, për shfrytëzimin e kursimeve, planet e banimit shtëpi versus banesë, percepcionet e respodentëve mbi moralin fiskal, mbi përgjegjësinë ndaj vendit, normat shoqërore; madje rusët shpjegojnë edhe sa kilogram mish hanë në muaj. I joni kam përshtypjen se është i kufizuar.

Anglezët gjatë regjistrimeve pyesin edhe për kohën që familjet kalojnë duke lexuar gazeta, surfuar internet apo shikuar televizor; Amerikanët për të kuptuar lëvizjet e banorëve pyesin për vendbanimet në pesë vitet e fundit dhe për planifikimet lëvizëse në të ardhmen; derisa Latinët pyesin edhe për planifikimin familjar, se sa fëmijë një familje planifikon ti ketë në 10 vitet e ardhshme. Këto vende bëjnë pyetje nga më të ndryshme meqë të njëjtat kanë gjasë të merren rrallëherë, një herë në dekadë. Regjistrimi ynë fatkeqësisht do të japë informata modeste, një bazë të dobët për analiza. Besoj se me vullnetin e mirë të kosovarëve për tu përgjigjur procesit të regjistrimit shtimi i disa pyetjeve më shumë me përgjigje fakultative nuk do të kishte qenë i tepërt. Nëse asgjë tjetër të marrësh përgjigje, çfarëdo qofshin ato, nga një popullacion i tërë është resurs i artë për hulumtuesit, analistët e politikëbërësit, për te gjithë vendin.

Procesi mund të ketë mbetur nën hije nga ngjarjet e fundit, mund të mos ketë marrë mbështetjen e mjaftueshme nga liderët politik, mund të ketë probleme me minoritetet dhe me banorët e veriut, mund të ketë ngjallur pak debat në shoqëri, mund të ketë probleme edhe me zgjedhjen e regjistruesve dhe militantizmin e tyre partiak, por në thelb është një hap i madh i vendit dhe na jep një resurs enorm. Ky resurs fatkeqësisht nuk ka nxjerrë më të mirën e mundshme. Ndoshta në 2021 ne do të marrim më shumë. Deri atëherë le të mjaftohemi me disa të dhëna bazike; siç thotë mileti më mirë diç se hiç.

KOHA DITORE, 15 PRILL 2011
LETRA NGA LIMBO

Friday 8 April 2011

AD HOC DOKTRINA

Qeveria dhe ndjekësit e saj me mish e me shpirt po mundohen të paraqesin shitjen e pasurisë publike si ide të djathta e liberale, pjesë e një fryme filozofike së tyre. Si promovues libertarian, jam i bindur se vendimmarrësit tanë as që kanë lidhje se çfarë është e majtë e çfarë e djathtë! Madje Friedmanit e Smithit do ti vinte turp nga një grupizim i tillë. Politikat e djeshmit e këto të sodit bëjnë mu të kundërtën e privatizimit, bëjnë o nacionalizimin o zhvleftësimin e pasurisë

Ka kohë që vendi ynë ngec dhe nuk sheh vetën dot të veshur me orientime të qarta ekonomike. Anija jonë dhe kapitenët e saj vazhdojnë të bëjnë slalome në drejtime të rastit, të dhëna tërësisht nga erëra po aq të rastit, për të përfunduar kështu në vende aspak të këndshme. Stagnimi dhe degradimi ekonomik i vendit buron pikërisht nga mungesa e një busulle në anijen tonë, e një lundrim i tillë ja që na plasë me shkëmbinj për të mbetur në fund pa anije. Ne u përplasëm së fundi me shitjen e PTK-së, para saj me shitjen e Feronikelit e Sharcemit, nesër me faljen e linjitit, KEK-ut e të Trepçës. Jo se nuk duhet të transformojmë pronën publike në zotërim të sektorit privat. Do të ishte marrëzi ideologjike shpresa së një vend tranzitor me telashe institucionale e me gjithë të metat e sëmundjet e procesit tranzitor e post-konfliktuoz mund të prodhojë një output inkurajues; një zhvillim ekonomik. Është e thjeshtë, pronësia publike në vende të tranzicionit është barrierë për bizneset, strofull e korrupsionit e nepotizmit dhe vetë-ngufatëse në rritje. Menaxhimi publik është një kapiten i keq. Megjithatë, do të ishte po aq marrëzi nëse heqim dorë nga pasuritë që i kemi pa marrë diçka prapa ose të paktën pa qenë pjesëmarrës në udhëtimin e tyre zhvillimor. Deri sa sektori privat duhet të jetë kapiten i anijes sonë, prona publike duhet të jetë kargo në këtë ecje. Thënë shkurtë, ne duhet dhënë pronësinë shumicë të aseteve nacionale çdo investitori serioz, por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi ortakë në përfitimet e bëra, madje ortakë mjaft signifikantë.

Shitjet e bëra në Kosovë tregojnë se vendi nuk ka ide se kah donë të shkojë. Nuk ka orientim ideologjik në filozofinë e saj shtetndërtuese, nuk ka orientim strategjik në menaxhimin e pasurisë publike, nuk ka një plan, një hartë, një rrugë për të ndjekë në ecjen e saj drejt proceseve post-tranzitore. Thënë këtë vendi ynë ende nuk ka çelës për të mbyllë derën e epokës së tranzicionit. Në vend të kësaj, Kosova ka një grumbull minor njerëzish dhe një sërë përcjellësish repetitiv që marrin vendime të rastit. Vendimet e tyre fatkeqësisht prekin themelet mbi të cilat mund të ndërtohet prosperiteti i vendit, humbin shanse që nuk na jepen dy herë, dhe në fund na lënë me një vend të papërdorshëm, të parimëkëmbshëm, të pashpresë. Është një doktrinë e shëmtuar për një vend me kaq shumë potenciale.

Menaxhimi i pasurisë nacionale bën pjesë në këtë stil doktrinesk. Ky menaxhim nuk përkon me asnjë ide ekonomike; është tërësisht i rastit dhe po aq trishtues. Miku im Besnik Pula me plot të drejtë më zinte kokën nga dështimet e tregut dhe pronësisë private të prodhuara në Kosovë. Gjithmonë i argumentoja se procesi i privatizimit të deritanishëm nuk ka përkuar asnjëherë me konceptin e plotë dhe të saktë të frymës libertariane mbi pronën private. Privatizimi i Kosovës është plaçkitje e pasurisë, mashtrim i vendit, është një ankth i tmerrshëm. Synimi primar i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend ka qenë rifunkcionalizimi i tyre, nxitja e punësimit dhe investimeve kapitale në vend. Qëllime plotësisht impresive, por, në fjalët e Milton Friedman “qëllimet e mira nuk japin domosdoshmërish rezultate të mira”. Mosrespektimi i kontratave të privatizimit, transformimi i funksionalitetit të ndërmarrjeve, korrupsioni dhe mashtrimet në proceset e privatizimit si dhe mungesa e sigurisë institucionale për të garantuar ndërveprimin e forcave të tregut në marrjen e çmimin real, kanë bërë që procesi të degradohet e devijohet tërësisht nga një proces mirëfilli privatizues, madje sot të shihet si i tmerrshëm nga percepcioni publik. Nuk u vë fajin për percepcion; por privatizim asesi nuk mund ta quaj një proces kur një ndërmarrje shoqërore i është dhënë me korrupsion, shantazh e hajni ndonjë kushëriri të ministri, i cili ka premtuar miliona të majme investime por ka përfunduar me eksportimin si hekur të shtyllave të saj, jo se jo me investime, por në fund edhe me shitjen e tokës bujqësore në banuese e banuese në komerciale.

Nuk mundem të quaj privatizim as shitjen e Sharcemit në kohë të turbulencave politike në vend. Me të drejtë pyesim sot se si është e mundur që një ndërmarrje pa konkurrencë në blerje shitet për një investim që maturohet në periudhë 5  vjeçare. Për më tepër, i gjithë procesi ndodhi brenda ditës, në kohë që Kosova nuk kishte as Qeveri, as Parlament e as President. Ishte një tunelizim i çështjes dhe problematikës dhe kjo po se po na ri-sjellë dilemën plaçkitje versus privatizim. Shitja e tillë të përngjan storieve të pabesueshme të Jeltcinit në Rusi kur u jepte miqve të tij rafineri të tëra nafte për 1 dollar, apo për privatizimin serb në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur Millosheviq kishte privatizuar plot 300 ndërmarrje shoqërore brenda një nate. Proceset si shitja e Sharcemit dhe ndërmarrjeve tjera shoqërore janë më së paku procese privatizuese, andaj kritikat apo mbështetjet e procesit janë të pavend meqë në fund të fundi ky nuk është privatizim; është thjeshtë një abuzim me idenë. Këto storie janë profite të pas-luftës nga grupe të ngushta interesi për më tepër profite të prodhuar nga prezenca e sektorit publik dhe barrierave të tij.

As më shumë privatizuese nuk duket transformimi i pronës së ndërmarrjeve publike, sot të PTK-së e nesër të KEK-ut kur të mbarojmë me të parën. Qeveria dhe ndjekësit e saj me mish e me shpirt po mundohen të paraqesin shitjen e pasurisë publike si ide të djathta e liberale, pjesë e një fryme filozofike së tyre. Si promovues libertarian, jam i bindur se vendimmarrësit tanë as që kanë lidhje se çfarë është e majtë e çfarë e djathtë! Madje Friedmanit e Smithit do ti vinte turp nga një grupizim i tillë. Politikat e djeshmit e këto të sodit bëjnë mu të kundërtën e privatizimit, bëjnë o nacionalizimin o zhvleftësimin e pasurisë. Kjo asesi nuk mund të quhet transformim pronësie. Shitja e një aseti publik, në këtë rast PTK-së, për të ndërtuar një aset tjetër publik, edhe më të madh, në këtë rast autostradën, nuk është privatizim por nacionalizim i pronësisë. Nëse sot ne kemi një aset nacional të vlerësuar 300 milion euro ndërkaq pas përfundimit të autostradës do të kemi një aset tjetër nacional mbi 1 miliardë euro, atëherë në vend të privatizimit ne kemi bërë nacionalizim të pasurisë, madje e kemi trefishuar atë. Një Qeveri pro-privatizuese do të shihte mundësinë e ndërtimit të partneritetit publiko privat në një veprim të tillë kapital e në anën tjetër do të jepte shumicën e thjeshtë (51%) të aksioneve të PTK-së apo KEK-ut në pronësi private për të vjelë një shumë të majme nga transaksioni i parë dhe profite vjetore po aq të majme nga një udhëheqje private e asetit; padyshim shumë më të majme se kur e kishte vet pronësinë e plotë.

E nëse këta mozaikë të pasurisë publike nuk janë shitur për një arsye filozofike qeverisëse apo për një identitet të ngurtë në të cilin ndjekësit e saj politikbërës besojnë verbërisht, atëherë ku na qenka boshti i ndërtimit të vendit? Dhe kjo na sjell tek ideja e parë se çdo gjë në vend është e rastit, çdo gjë shtyhet nga politika të ditës, të kafeve e muhabeteve të çastit. Kemi nevojë për vota, rrit paga, shit asete. Ne nuk shesim se vendimmarrësit tanë me të vërtetë besojnë në pronën private apo efiçencën e sektorit privat. Po të besonim realisht ne jo vetëm se do ti ofronim bizneseve partneritet më serioz, por edhe mbrojtjen e investitorëve domosdoshmërisht do ta bënim më mirë se top dhjetësha e fundit. Ne shesim se kështu na thotë rasti e vendi, vota e nevoja për të. Ne shesim se blerësit e aseteve na premtojnë vila, vetura, shtëpi e ardhmëri për vendimmarrësit tanë. Ne shesim se kemi korrupsion sa Ishujt Solomon e Xhibuti, shesim se duam hise nga shitja e tyre. Kjo nuk është privatizim. Kjo është plaçkitje.


KOHA DITORE 8 Prill 2011
Letra nga Limbo

Saturday 2 April 2011

BUXHETI DHE PAZARI I PTK-se: JA KU GABUAT (3)

E vërteta e dhimbshme është se ju, dhe gjithë ata që votuan në parim buxhetin e Republikës kanë dhënë zërin për një zhvlerësim enorm të pasurisë sonë, për një hap tmerrësisht të gabuar ekonomik dhe për këtë dikur dikush do të duhet dhe do të mbajë përgjegjësi, nëse asgjë tjetër të paktën morale para votuesve, kosovarëve e prindërve tanë që krijuan pasuri jo për ta falur atë por për ta ndihmuar rimëkëmbjën ekonomike tonën kur të kuptojmë se nuk dimë të mbajmë shtet; si sot.
  
“Privatizimi i Postë Telekomit të Kosovës nuk duhet të lidhet me deficitin buxhetor për këtë vit” citonte zyrtarët më të lartë qeveritarë këtë javë një kronikë në Koha Ditore; për të vazhduar me “... ne kemi paraparë të hyra të njëhershme në buxhet deri në 300 milionë euro por, asnjëherë në asnjë rrethanë kjo shumë nuk mund të lidhet me shitjen e PTK-së dhe me tendencën për ta treguar se kjo do të jetë vlera e Postës për t’u shitur”. Thënë drejt, fjalë si këto po pompoheshin në vazhdimësi nga zyrtarët më të lartë të qeverisë, nga ministrat e çështjeve ekonomike, financiare e tregtare në pothuajse çdo paraqitje të tyre sa herë që në gojë zihej privatizimi i PTK-së. Madje argumenti i tillë u formësua e u ngurtësua aq shumë sa që në mungesë të kundërshtimit mori hov e u bë argument parlamentar në diskutimin për buxhet. Them se është fyerje e rëndë e inteligjencës së kosovarëve tu thuash se nuk po shesim për borxh. Është po ashtu fyerje tu thuash se ky 300 milionësh nuk përfaqëson shitjen e PTK-së, dhe është fyerje edhe më e rëndë tu thuash se ne nuk kemi parapërcaktuar vlerën e kësaj shitje. Madje deklarimet e tilla janë hiç tjetër veçse tendencë për  kamuflim të gabimeve enorme ekonomike që vendi vazhdon ti bëjë në vazhdimësi. Unë them se gjithherë dhe në çdo rrethanë vendosja e 300 milionëve në buxhet lidhet ama bash me shitjen PTK-së dhe me asgjë tjetër dhe se po i njëjti numër është vetëzhvlerësues në marrjen e hakut real për telekomin nacional. Ja pse.

Kujtoj se më 7 Korrik 2010, Qeveria e Republikës nënshkruan Memorandumin e parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dokumenti është publik për çdo njeri me njohuri modeste në surfimin e ueb-faqes së FMN-së. Memorandumi nga kosovarët merr autorizimin më të lartë, me nënshkrimet e tri posteve më të rëndësishme vendimmarrëse ekonomike, atë të Kryeministrit Thaçi, Ministrit të Ekonomisë dhe Financave Shala dhe të Guvernatorit të Bankës Qendrore Rexhepi. Në këtë dokument, përcaktohen kufizimet buxhetore të vendit dhe garantohet qëndrueshmëria financiare. Kjo qëndrueshmëri për bazë ka shitjen e PTK-së dhe inkasimi nga kjo shitje të 300 milion eurove. Në faqen 4 të këtij dokumenti, Neni 5 thotë “...për më tepër ne do të procedojmë me privatizimin e PTK-së për të siguruar financimin e deficitit”. Në faqen 7, Neni 11 thotë “...është e rëndësishme që për të mbuluar deficitin, privatizimi duhet të ndodhë shpejt...” për të vazhduar me “ne do te vendosim moratorium 5 vjeçar për mos dhënien e licencave të reja në telefonisë mobile”. Në po të njëjtën faqe, në Nenin 12, Qeveria i garanton FMN-së se “do të mbajë të pashpenzuara 25% të shpenzimeve të buxhetit”, e që janë 350 milionë euro, “deri në privatizimin e PTK-së”. I njëjti Nen thotë se “nëse të hyrat nga privatizimi i PTK-së janë më të pakta se 300 milion atëherë Qeveria do të merr masa në rritjen e të hyrave tjera buxhetore”. Në faqen 15 në Tabelën 1, rreshti 13, bëhet kurorëzimi final i vlerës së PTK-së ku thuhet se “të hyrat e privatizimit janë 300 milionë euro”.

Ky memorandum 25 faqesh jep mu të kundërtën e asaj që gardianët e paarsyeshëm qeveritarë pretendojnë në dy javët e fundit. E para, janë tre nene të plota që konfirmojnë në këtë marrëveshje shitjen e PTK-së. E dyta, është një nen dhe një tabelë që këtë shitje e vlerëson në një shumë prej 300 milion eurosh, dhe më pak; dhe e treta janë tre nene dhe një tabelë që i konfirmojnë FMN-së, e me këtë edhe gjithë investitorëve potencial, se shitja bëhet për të mbuluar deficitin buxhetor, alla shqipe “për borxh”.

Qeveria ka bërë tre gabime të pafalshme në këtë dokument. Gabimi i parë është se  ka garantuar shitjen e PTK-së me nguti; dhe kur shet me nguti pallavrat e përcaktimit të çmimit nga forcat e tregut janë patetike. Një amator me dije retardore ekonomike do të duhej ta kuptonte se përcaktimi i vlerës së një aseti nga tregu nënkupton “ceteris-paribus” ose mbajtjen e ndikimit të faktorëve tjerë në zero. Tregu absorbon atë çfarë ti i jep. Nëse i jep tregut një ndërmarrje të menaxhuar mire, me potenciale profitabile, pa ndërhyrje politike, pa risk dhe pa nguti atëherë nga tregu merr më të mirën, çmimin real. Por vendi ynë nuk është se po kalon kohën e një imazhi par excellence. Thënë këtë nëse tregut i jep një ndërmarrje të keqmenaxhuar, një treg me risk, një cilësim banditokrat, një ekonomi të ranguar në nivel me Iranin dhe Venezuelën, një nivel korrupsioni sa të Xhibutit e Ishujve Solomon, një imazh tmerrues, një borxh dhe një nevojë urgjente për ta mbuluar atë borxh, atëherë ti domosdoshmërish nuk ke mbajtur faktorët tjerë në impakt zero por ke prodhuar barriera serioze në arritjen e çmimit real të tregut; për të mos thënë se ke bërë çmos sa për të mos marrë atë.

Gabimi i dytë lidhet me përcaktimin e vlerës së shitjes. Sinqerisht unë ende nuk arrij të kuptoj joprofesionalizmin në një vlerësim të tillë. Kujtoj se PTK në 4 vitet e fundit ka dhënë një fitim plot 350 milion eurosh. Në vitin 2007 PTK në formë të dividentës ka kontribuar në buxhet me 30 milion euro, në 2009 me 200 milionë, në 2010 me 80 milionë ndërkaq në 2011 me 40 milionë. Si është e mundur që një ndërmarrje të shitet për vlerën e fitimit të gjeneruar katër vjeçar; madje në kushte të korrupsionit të lartë, nepotizmit, mbipunësimit, keqmenaxhimit e zoti e din çfarë tjetër. Nuk ka dhe nuk do të ketë një vend që ofron një biznes a investim me kohë maturimi vetëm katër vjeçar. Ne vetëm nga licenca e operatorit të dytë, me zero abonentë, kemi marrë plot 80 milionë. Një kompani telekomi mirë e shtrirë në treg, me një milionë abonentë të rregullt, me një forcë duopolistike e të garantuar për së paku 5 vite, vlen larg më shumë se objektivi i dhënë. Shto këtu imazhin, asetet, kapitalin human e profitet e pritshme dhe prapë ke vetëm një pasqyrë të vogël të vlerës reale të saj. Kështu ndodh kur shet për borxh, për hall dhe me nguti. Kështu ndodh kur lidh privatizimin me procese buxhetore.

Dhe mu këtu lind gabimi i tretë dhe më i rëndësishëm. Lidhja e privatizimit të çfarëdo aseti nacional me proceset buxhetore është paradoks i paparë në praktikat privatizuese tranzitore dhe për më tepër tek ne është e ndaluar me ligj. Nëse asgjë tjetër çdo e hyrë nga privatizimi duhet të ketë një adresë të një fondi që kërkon menaxhim më koncensual, më kualitativ dhe më afatgjatë, meqë pasuritë natyrore, publike dhe nacionale nuk janë pronësi e një apo tjetre strukture qeverisëse, por e një pune të palodhshme gjeneratash, është pasuri e të gjithëve. Një lidhje e tillë na detyron shitjen meqë kemi krijuar borxhe dhe borxhet nga diku duhet mbuluar. Një ndarje në anën tjetër do të mundësonte përcaktimin e një pragu minimal, shumë më të lartë se ky tani. Më pas një ankand në një kohë më të përshtatshme do të ofronte domosdoshmërish shumë më tepër se pragu që ne do të parapërcaktonim; mu ashtu siç bëri këtë vit Serbia kur caktoi prag 1.4 miliardësh dhe pranoi ofertë këtë javë prej 2.34 miliardëve për telekomin nacional, madje për vetëm 51% të pronësisë.

Memorandumi me FMN-ën fatkeqësisht nuk është i vetmi që përcakton prejardhjen e të hyrave 300 milionëshe dhe me këtë edhe vlerën e  PTK-së. Janë edhe një sërë dokumentesh tjera publike që kanë bërë të njëjtën gjë. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e publikuar në Qershor 2010, përcakton saktë dhe qartë po të njëjtën vlerë. Në faqen 9 dokumenti thotë “...me përfshirjen e projektit të autostradës gjenerohet një boshllëk i madh i financimit. Për këtë PTK pritet të privatizohet deri në fund të vitit 2010”. Në faqen 19, Tabela 6, rreshti 11, përcaktohen vlerën e pritur “...të hyrat nga privatizimi: 300 milionë). Po të njëjtin përcaktim bën edhe projekt buxheti i parë i 2010-ës.  E tash, nëse ke 3 dokumente publike ku thua qartë, pastër dhe thjeshtë se ti pret privatizimin e PTK-së për të mbuluar borxhin, se nga ky privatizim pritjet i ke për 300 milion euro e më pak dhe se këtë privatizim duhesh domosdoshmërish ta përfundosh shpejtë, atëherë si është e mundur që çmimin do ta përcaktojë tregu e se këto 300 milionë nuk na qenkan të lidhur me shitjen e PTK-së?!

E vërteta e dhimbshme është se ju, dhe gjithë ata që votuan në parim buxhetin e Republikës kanë dhënë zërin për një zhvlerësim enorm të pasurisë sonë, për një hap tmerrësisht të gabuar ekonomik dhe për këtë dikur dikush do të duhet dhe do të mbajë përgjegjësi, nëse asgjë tjetër të paktën morale para votuesve, kosovarëve e prindërve tanë që krijuan pasuri jo për ta falur atë por për ta ndihmuar rimëkëmbjën ekonomike tonën kur të kuptojmë se nuk dimë të mbajmë shtet; si sot.


KOHA DITORE, 1 Prill 2011
Letra nga Limbo