Monday 28 July 2014

PLEQNARËT

Letra nga limbo
KOHA DITORE 25 KORRIK 2014

Kushtetuesja nuk është bërë për të zëvendësuar e kryer punën e të tjerëve; punën e Presidentes kur nuk din mandatarin; punën e kryesueses së Kuvendit kur nuk ndjekë rendin; punën e partive që ngatërrojnë ulëset dhe vendin. Por, fatkeqësisht, po bëhet si e tillë. Sepse, në mungesë integriteti e guximi, në nevojë për të shtyrë e larguar përgjegjësinë nga vetja, të gjithë shohin nga pleqnarët - të urtë e të mençur, protektorë e gjykues të së vërtetës dhe jo ndryshe, dinjitarë profetikë që kanë zgjidhje për gjithçka, për gjithkënd, gjithherë – dhe më e rëndësishmja, mbi të gjithë.


-1-

Sikur gjashtë vjet më parë zaptuesit e deritanishëm të dinin fuqinë e sotshme të Kushtetueses, nuk do të lenin gur pa lëvizur e letër pa djegur për të vendosur një grumbull militantësh – dhe jo më pak – partiakë. Mund ta kenë bërë dhe atëherë ndoshta – këtë nuk arrij ta di ende, vendimet do ta thonë – por ama, po të dinin njëmend fuqinë e saj do ta bënin zaptimin pa pardon, pa finesë e pa gajle – siç bënë në secilin institucion tjetër publik. Por nuk e dinin, sepse për të ditur duhet dije, e për të pasur dije duhet lexim, e për lexim nuk duhet nxënë ngushtë zaptuesit tanë sepse nuk ua do rendi e zemra shumë.

Në të vërtetë, leximin e këndimin e vetëm që zaptuesit duket të kenë bërë janë mu ato rreshta kushtetues dhe vetëm atëherë kur kuptuan fuqinë e rendit e ligjit pa miq allishverishesh ndërkombëtarë – që nuk janë më. E si të paditur e të palexuar zaptuesit që janë, sot mund të mallkojnë secilën ditë që u sjell pasiguri – si një ditë e rëndë kumari në ruletin francez; kuq apo zi janë bastet.

Do ta ndalnin gurin e ruletit vetëm në zi, ç’është e vërteta, sikur të lexonin e kuptonin mirë gjashtë vite më parë fuqinë kushtetuese të – siç mund ta kenë para ata – një “libri me kore të forta shumë”. Sepse gjashtë vite më pas, ky grumbull pleqnarësh, po të ishte i zaptuar si duhet e si e do rendi zaptues, nuk do t’i jepte dy mandatarë, por një, nuk do të komplikonte interpretimin me gjuhën që zaptuesit nuk e kuptojnë dot, por do ta thoshte thjeshtë, troç, pastër – vetëm për ta; gjithçka është e juaja zaptues – gjithçka. Juve, dhe askujt tjetër, i takon ky shtet, ky vend, ky pushtet. Edhe atëherë kur tetëdhjetë e tre bëhen kundrejt tridhjetë e shtatë e kur tridhjetë e shtatë s’bëhen dot gjashtëdhjetë e një.

-2-

Sot, pa vullnetin e tyre them unë, Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një arenë pleqnarësh; "të urtë e të mençur, protektorë e gjykues të së vërtetës dhe jo ndryshe, dinjitarë profetikë” që kanë zgjidhje për gjithçka, për gjithkënd, gjithherë – dhe më e rëndësishmja, mbi të gjithë. Problem me President; dërgo në Kushtetuese; problem me Parlament; dërgo në Kushtetuese, problem me Qeveri; dërgo në Kushtetuese; problem me grupe parlamentare, lista zgjedhore, përcaktime vendesh, rend diskutimi, rregullore pune e mocion ndryshimi – dërgo të gjitha në Kushtetuese.

Jo se nuk duhet të kemi Kushtetuese që ka punë – do të ishte sinqerisht e tmerrshme e bajate politikëbërja ndryshe – në të vërtetë pa të do të do të kishim zaptim me plot kuptimin e fjalës. Por se, kur dërgon kaq shumë mospajtime në Kushtetuese, fillon të pyesësh veten se mos rastësisht jemi duke e shndërruar një trup verdikti - i cili do të duhej të merrej rrallë e për mall me gabimet kushtetuese (sepse gabimet kushtetuese duhej të ishin sipas kuptimplotshmërisë të rralla e për malla) – në një institucion administrativ e zëvendësues të të tanishmëve?! A nuk po i shndërrojmë  “të mençurit, protektorët, gjykuesit e dinjitarët profetikë” – në individ që bëjnë punën e Presidentit, Kuvendit, Kryeministrit e secilit tjetër në atë grumbull vendimmarrës që gabojnë gjithherë rëndë – prandaj dhe Kushtetuesja? Në fund të fundit, nëse ka kaq punë për pleqnarët, a nuk do të duhej të kishte më pak punë për të tjerët? Nëse të tjerët na dalin kaq të gabuar – dhe në vazhdimësi –  a nuk do të duhej të pakoheshin e largoheshin si të gabuar të gjithë? Ky gabim, ndër të tjerash, përbën mesazhim më joserioz që një grumbull liderësh mund të dërgojnë sot tek kosovarët. Kur ata dalin kaq jokushtetues e kaq shkelës të kushtetueses, me cfarë tagri kërkojnë kompliancë qytetare ndaj Kushtetutës, ligjeve e rregullave publikë?

Kushtetuesja nuk është bërë për të zëvendësuar e kryer punën e të tjerëve; punën e Presidentes kur nuk din mandatarin; punën e kryesueses së Kuvendit kur nuk ndjekë rendin; punën e partive që ngatërrojnë ulëset dhe vendin. Por, fatkeqësisht, po bëhet si e tillë. Sepse, në mungesë integriteti e guximi, në nevojë për të shtyrë e larguar përgjegjësinë nga vetja, të gjithë shohin nga pleqnarët.


-3-

Kështu, Kushtetuesja, pasi kishte rrëzuar dy Presidentë katër vjet më parë, mban në dorë sërish fuqinë e rrëzimit të gjithçkaje që vendi ka; të Qeverisë, Parlamentit dhe sërish Presidentit – varësisht se kush kundër kujt është sot. Sepse, fillimisht, këtë fuqi e kërkuan nga ta, dhe se, më pas, duket se të gjithë dalin të gabuar sa s’bëhet më.

Dhe ka një arsye të shëndoshë që politika kosovare ka nevojë për ndërmjetësues; është e mësuar ashtu; të ndërmjetësohet pra. Pothuajse për secilën ide që kërkohet pak përgjegjësi, integritet e në fund guxim – hiqet dorë – për të përfunduar pra në Kushtetuese. Dikur, fatkeqësisht madje, rolin e gjykatësve, pleqnarëve e kushtetues-interpretuesve e luanin diplomatë aventuristë ndërkombëtarë. Tash kur diplomatë ndërhyrës më nuk ka, këta politikëbërës drejtojnë gjithçka për në Kushtetuese. Pra kanë nevojë për udhëzim, pleqnim të ballafaqimeve nga më të ndryshmet.

Kushtetuta, pra, nuk është libër gjithëpërfshirës, manual i detajuar i bërjes së punëve të Presidentit, Kryevkuvendarit e Kryeministrit. Asnjë Kushtetutë në asnjë vend nuk ka brumë mjaftueshëm për të specifikuar e detajuar – le të themi – cili është grupi më i madh Parlamentar; ku duhet të ulen deputetët, apo a ka ose jo të drejtë kryesuesja të ndërrojë rendin e ditës. Disa gjëra pra mund të mos gjejnë asnjëherë përgjigje në Kushtetutë e Kushtetuese, sepse nuk janë të predispuara për të gjetur zgjidhje atje – nuk janë shkruar asnjëherë atje. Në rastin më të shëndoshë të mundshëm, një Kushtetuese as nuk do të merrej me zgjidhjen e problemeve politike e administrative – e bën rendi dhe logjika e rrjedhave politike. Nëse dikush mund të ngre pyetje për një procedurë parlamentare në Kushtetuese, e gjitha çfarë kjo trupë mund të bëjë është të tregojë se a thotë apo jo diçka për këtë procedurë “libri me kore të forta”. Nëse jo, përgjigja Kushtetuese është jo gjykuese e rrjedhave të ardhshme – për çfarë kërkohet qartësim nga politikëbërësit. Kështu kërkuesit e pleqnimit mbesin sërish në rrugë pa udhë; siç ishte edhe rasti i mandatarit të dytë që i’u la në diskrecion të Presidentes.

-4-

Është e pamundur të dihet përfundimi i sagës së tanishme. Sepse sa më shumë procese marrin jetë, aq më e komplikuar del të jetë vetë jeta politike në vend. Dhe ka diçka që nuk shkon për pjesën më të madhe të ngjarjeve në vend; e që sërish përfundojë në Kushtetuta. E para, dhe më e rëndësishmja, është se ky “libër me kore të forta” nuk është shkruar asnjëherë në shqip; është përkthyer në shqip. E si mjet i imponuar e jo i buruar nga rrjedha logjike dhe vullneti nacional – pra si kompromis i pavarësisë – ky libër mban me vete një sërë defektesh që duhet herë do kurdo korrigjuar se s’bëhet ndryshe. Pjesë e këtyre ndryshimeve le të jetë – në formë kristal të qartë të shkruar – edhe i gjithë procesi i zgjedhjes, koalicioneve e grupeve zgjedhore – le t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve secilin detaj.

E dyta,  praktika e pleqnimit – si formë zgjidhje e udhëzimi – duhet të rrallohet sa më shpejtë. Jo se duhet parandaluar dikujt mendim-kërkimin e pleqnarëve kushtetues; në asnjë formë e asnjëherë. Ka e do të ketë – nëse ndërtojmë njëmend demokraci – nevoja për interpretime kushtetuese; në të kundërtën ta quajmë diktaturë. Do të doja natyrisht, që këto interpretime kushtetuese të mos kenë objekt Qeverinë – që del të jetë shkelësi më i rëndë i “librit me kore të forta”, por të kenë relacione tjera; të vendimeve gjyqësore, të të drejtave bazike të njeriut, të relacioneve pra të natyrave jopolitike e pritjeve për udhëzim se nga duhet shkuar Presidenti, Kryekuvendari e kryesuesi i një seance konstituive.

Kështu siç ndodhë tani, ky vend do të mbetet vazhdueshëm në kërkim të një supremacie vendimmarrëse, që ndanë shapin prej sheqerit, e që jep udhë mençurie e diktati për secilin politikë bërës. Ky vend, për dallim nga rrjedha e tanishme, ka nevojë për liderë e udhëheqës politik që dinë çfarë kërkojnë e çfarë të bëjnë kur marrin ulësen e parisë.





Monday 21 July 2014

DËSHTIM ZAPTIMI I KOLLTUKOFAGËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE 18 KORRIK 2014

Do ta kenë menduar mirë zaptimin e uzurpimin zyrtarët e PDK-së. Të kapen fillimisht për karrige – kudo që të janë ato; për deputetë e kryedeputetë. E ti mbajnë ato fort; të mos i lëshojnë për asgjë hiç; as edhe në kohë pauze madje. Kështu, sikurse “kolltukofagët” e Nolit, ata do të mbanin peng një parlament, një vend një shtet.



-1-

Fan Noli e njihte mirë dashurinë shqiptare për karrige; në esenë e vitit 1924 me titull “Pesë Anarkitë” e përshkruante këtë pasion kështu: “...Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin.

Do ta kenë menduar mirë zaptimin e uzurpimin zyrtarët e PDK-së. Të kapen fillimisht për karrige – kudo që të janë ato; për deputetë e kryedeputetë. E ti mbajnë ato fort; të mos i lëshojnë për asgjë hiç; as edhe në kohë pauze madje. Kështu, sikurse “kolltukofagët” e Nolit, ata do të mbanin peng një parlament, një vend një shtet.

-2-

Do të jenë zgjuar të parët kam përshtypjen, për të kapur – si të parët – rendin e mesëm të Parlamentit. Një parti që gjithë të zezat e veta i kishte mbuluar tash e shtatë vjet me interpretimin se çdo devijim duhet të adresohej në institucione, po dhunonte qysh në ditën e parë vendimin institucional të Kryesisë së Kuvendit për ulje të vendit. Inatçorë tipik. Mu atëherë kur nuk kishin zë zaptues në institucione, i dhunonin vendimet e dala nga to.

Dhe ky dhunim institucional po vazhdonte me secilin hap elaborues të kryesueses së rastësishme të seancës. Ishte vendosur me pahir, për shkak të moshës; dhe mu rastësinë e moshës kryesuesja po e përdorte keq e mbrapshtë qysh nga minuta e parë e seancës. Fillimisht, kur nuk evidentoj uljen e parregullt dhe uzurpuese e zaptuese të PDK-së; dhe më pas kur preu qëndrimin politik të partive përbërëse në Parlament – thuajse diskutimi parlamentar është i ndalur me dekret mbretëror – çfarë paradoksi.

U dashtë pak kohë për të kuptuar strategjinë e PDK-së. Në esencë kjo strategji synonte bllokimin institucional me çdo kusht; jo për të bërë qeverisjen nga ta, por për të ulur në tavolinë negociuse bllokun opozitar, prodhuar kështu një kontest, dhe në fund dërguar atë kontest në interpretim Kushtetues. Sepse, vetëm nëpërmjet bllokimit, që do të prodhonte tavolinën, kjo kontestin e ky Kushtetuesen, PDK mund të shpresonte në zgjedhje të reja – assesi në formim të qeverisë nga ta.

Të mbetur vetëm, të padashur e të injoruar politikisht nga gjithkush, PDK donte të merrte me vete secilin tjetër në rënie; deri sa të rizgjidheshin sërish, derisa të improvizonin një zaptim sërish.

-3-

Dhe kështu filloj cirku. Një pauzë, një fillim, një mbyllje, një rifillim, e në fund një ndërprerje pa fund. Sa për të mos mjaftuar kjo, një kryesuese që përfundon seancën, por që nuk lëshon karrigen. Që ikë, që kthehet, që flet e që bën lëmsh. E gjatë gjithë seancës, të them të drejtën, ndjeva keqardhje për pozitën djegëse të kryesues. Një bagazh i tërë politik e i sakrificës të vihet në shërbim të ngërçeve individuale sinqerisht të mërzitë. Sepse, një zonjë e tillë do të duhej të vinte së paku integritetin individual para interesave paradoksale partiake që duan të mbysin me bllokim shumicën parlamentare.

Sepse, me pak integritet, kryesuesja do të kuptonte e balancën e forcave qysh në momentin e votimit të parë të Komisionit Vlerësues, ku jo më shumë se 44 vota mbështetën propozimin partiak të PDK-së; përkundrejt një totali prej 120 deputetëve; 76 prej të cilëve nuk votuan fare – pra mendonin ndryshe. Në këtë moment, kur u qartësuan forcat reale në Parlament, secili njeri me pak integritet do të pranonte humbjen. Por nuk e bënë. Përkundrazi, vazhduan bllokimin fizik të foltores. Në një situatë të tillë, Kuvendi kishte kuorum  por nuk i lejohej puna sepse një grup politik që me fat kishte më të moshuarën në radhët e veta, po bllokonte një foltore dhe një mikrofon.

Këtu “kolltukofagët” provuan kufijtë e degradimit individual sa që ndryshuan rendin e ditës të përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit. Ky ndryshim do të prodhonte një ngërç të ri politik, ngërçin të cilin zaptuesit donin ta ushqenin me çdo kusht që nga minuta e parë e seancës konstituive.

Në rrethana si këto, lëshimi i sallës nga opozita ishte i vetmi përfundim logjik; siç dhe ishte kthimi i tyre pas ç’zaptimit të foltores e karriges nga partia pakicë. Në kthimin opozitar, Kuvendi ishte mbushur me 83 deputet; mungonin vetëm 37 deputetë të PDK-së. Deri atëherë, një parti zaptuese po mbante peng një shumicë kualifikuese parlamentare; sinqerisht e pabesueshme.

-4-

PDK natyrshëm ka çdo të drejtë morale, ligjore e kushtetuese të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dy procese të ndara por me qëllim të njëjte – zhvlerësimin e seancës. I pari do të ndërlidhej me mbarëvajtjen e procesit; nëse mendojnë se ka pasur shkelje eventuale. Dhe njëjtë, sikurse në vitin 2011 kur Kushtetuesja zhvlerësoj procedurën e zgjedhjes së Presidentit, edhe këtë herë ajo mund të zhvlerësojë procedurën e zgjedhjes së Kryeparlamentarit. Natyrisht se para se të dërgojnë në Kushtetuese procesin e zgjedhjes, ata duhet të arsyetojnë vendimin e një Kryesuese për të injoruar rendin e Kryesisë krye në veti; e injorim ky që solli deri tek mocioni shkarkues për të. Me hesapin tim, asnjë Kushtetuese nuk do të provonte favorizimin e një tendence zaptuese.

Procesi i dytë, ndërkaq, do të ishte dërgimi në Kushtetuese i interpretimit për grupin më të madh parlamentar; pra tendenca për të shpallur të jashtëligjshëm grupin “LDK-AAK-NISMA”. Në këtë fushë sërish, nuk arrij të hesapoj asnjë kushtetuese që do të shkelë mbi precedentët e kaluara, siç është rasti i grupit minoritar “6+”, që gjithmonë, sikurse edhe këtë herë, formohej qysh në seancën e parë konstitutive.

-5-

Ecja për formimin e institucioneve është larg prej përfundimit. Sidomos tash pas distanicmit dhe mosarritjes së marrëveshjes në mes të treshes opozitare dhe “Lëvizjes Vetëvendosje”. Për fatin e mirë të opozitës, një mosmarrëveshje e tillë nuk u reflektua në zgjedhjen e kryeparlamentarit; duke mundësuar fillimisht krijimin e kuorumit, e më pas shfyrtëzimin e votave minoritare për procesim.

Megjithatë, nga tash e tutje blloku opozitar duhet të kuptojë se pa një unifikim të gjithmbarshëm dhe pa shkrirjen e diferencave ndërpartiake, asnjë qeveri me pakicë shqiptare nuk do të jetë stabile. Sepse, përderisa “Lista Serbe” mbetet faktor përcaktues në këtë Parlament, dhe përderisa shqiptarët shumicë mbesin në opozitë e jo në qeveri, asnjë vendim madhor i vendit nuk ka legjitimitet moral; njëjtë sikurse nuk kishin këto të qeverisë së shkuar. Për më tepër, asnjë qeverisje e brishtë nuk ka kapacitet të ndërtojë mirë funksionet anti-zaptuese në Kosovë; dhe se do të rrezikojë shpeshherë zhbërjen për secilin mospajtim eventual.

Ndarja opozitare gjithsesi se mund të kthejë në lojë partinë – deri dje – në pushtet; sidomos pas afrimit fillestar të saj me dhjetë deputetë minoritatë jo-serb; e të cilët në fund megjithatë shkuan me grupin. Gjithsesi një luhajte e tillë len hapësirë për luhatje të kurdohershme dhe kështu sjelljen e qeverisë – pa VV-në në të – në numra nën 61 deputetë; saktësisht (me gjithë “Listën Serbe”) në 57 sosh.

Në rrethana të tilla komplikuese, pa përfshirë vullnetin e gjykimit e diskrecionit të Presidentes për mandatarin e dytë – që nuk dihet se çfarë është – asnjë skenar nuk përjashtohet përfundimisht. Konstituimi i Kuvendit, pra, dhe zgjedhja e kryeparlamentarit të ri nuk përjashtojnë endje bllokimin qeveritar e as shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.


Monday 14 July 2014

AUTOUDHA E VENDIT PA UDHË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 KORRIK 2014

Sipas një studimi përmbledhës të “World Highways”, ndërtimi i rrugëve nëpër terrene mesatarisht të përshtatshme (siç dhe konsiderohet ky për Shkup) kushtojnë në Danimarkë 5.8 milionë euro për kilometër; në Kroaci 6.6 milionë euro për kilometër; në Slloveni 7.1 milionë euro për kilometër; në Gjermani 8.2 milionë euro për kilometër. Kosova pra, ndërton me kosto 20% më të lartë se Gjermania, 30% se Sllovenia, 35% se Kroacia e gati 50% - pra dyfish – se Danimarka.

-1-

Nisja e autoudhës në ditët e fundit të një qeverisje, me kosto të gjithmbarshme sa një e dhjeta e Bruto Produktit Vendor – është përmbledhja më e mirë, gjithsesi më e trishtë, e degradimit potencial që ky stil qeverisës mund të sjellë në Kosovë po vazhdoj sërish. E janë mu stile e politika si këto që na rikujtojnë e rikujtojnë vazhdimisht se pse duhet ndërprerë me secilin kusht këtë avaz mbytës; dhe – ndoshta, pse ndonjëherë megjithatë duhet kërkuar të keqen më të vogël për të përmbysur një të keqe të madhe që na dërgon të gjithëve në dreq të mallkuar.

Përjashto diskutimet hajgare, konsultimet e pabëra, koston e fryrë apo kontratën e mbyllur – përjashto të gjitha – mund të kishin më pak rëndësi nëse presupozojmë se gjithçka është bërë mbarë; ta themi se kanë superfuqi diturie të paditurit tanë. Porse, vetë ideja e futjes së vendit në marrëdhënie kontraktuale kaq masive kur pritet qeveria dhe qeverisja e re, është rast pa precedent – është sjellje tipike destruktive; si adoleshentë inatçorë që sillen pa fije përgjegjësie. Por përtej inatit e papërgjegjësisë, vendimet e aksham pazarit janë gjithsesi vendime të dyshimeve e aferave korruptive; siç dhe kishte ndodhur me rrugën më të shtrenjtë (për kilometër), atë të Kombit.

Në stilin e njëjtë, me proces të njëjtë, pa fije befasie, kontrata e re vulos sërish çmimin prej 10 milionë euro për një kilometër; pra 1 milionë euro për 100 metra; pra 10 mijë euro për një metër; pra 100 euro për një centimetër.

-2-

Kur të paditurit diskutojnë për autoudhë, ata vënë në pah tri argumente – pritshëm të pamenduara, të papërtypura e të pamatura mirë. Argumenti i parë i tyre është se rrugët janë të nevojshme (shih). Argumenti i dytë i tyre është se partneriteti publiko-privat nuk funksionon sepse ka dështuar në një vilajet të Rumanisë (shih). Argumenti i tretë i tyre është se kjo është kontrata më e mirë e lidhur ndonjëherë në rajon (shih).

Ti zhbëjmë zbulimet epokale – hiç – të tyre nisur nga kjo e fundit. Sipas të paditurve tanë, për dallim nga rruga e Kombit kjo e Shkupit është shumë më e favorshme e shumë më pak e dëmshme, sepse çmimi i ndërtimit të saj është i fiksuar, pra nuk mund të ndryshojë. Rrjedhimisht, nuk ka gjasë që, siç dhe kishte ndodhur me autoudhën e Kombit, Kosova të paguaj një kontratë të nisur për 600 milionë plot 1 miliardë euro. E nuk ka paraqitje, prezantim e mbrojtje të bërë në katër vjet rresht, që po të njëjtit nuk paraqisnin kontratën e fundit si më të mirën në rajon; që duket se megjithatë nuk paska qenë sepse – siç dhe argumentonim ne të zakonshmit gjithnjë – çmimet i kishte ta pakufizuara.

Por ta pranojmë argumentin e tyre të paditur si të qenë, se autostrada e nisur nga ta ka dalë si e shtrenjtë, se tashti, pasi kemi shpenzuar plot 1 miliardë kesh për më pak se tri vjet, kemi mbledhë mend (çfarë kosto enorme e mbledhjemendjes përndryshe) e kemi dalë kështu në fund me një kontratë të re – me çmime fikse. A është çmimi 10 milionë për kilometër – 10 mijë euro për metër – çmim i natyrshëm?

-3-

Autoudha E18 është një ndër superrugët më të mira që ka sot Finlanda. Kjo udhë ndërlidhë kryeqytetet Skandinave me njëri tjetrin; në disa dalje ndërlidhëse dhe me Evropë e Rusi. Seksioni E18-1, ndërlidhës i qyteteve Muurla-Lohja është ndërtuar në vitin 2010. Ky seksion kishte 57 kilometra (përafërsisht aq sa rruga për Shkup), 7 tunele binjakë me distancë të përgjithshme prej 10.3 kilometrave (dy herë më shumë se rruga për Shkup) dhe 8 dalje (dy më shumë se rruga për Shkup). Autoudha, katër korsi, me 7 tunelë, 8 dalje – pra 57 kilometra e gjatë – kishte kosto mesatare prej 5.7 milionë euro për kilometër në Finlandë; gati dyfish më pak se ksotoja mesatare e kontraktuar në Kosovë në dy kontrata të njëpasnjëshme.

-4-

Sipas një studimi përmbledhës të “World Highways”, ndërtimi i rrugëve nëpër terrene mesatarisht të përshtatshme (siç dhe konsiderohet ky për Shkup) kushtojnë në Danimarkë 5.8 milionë euro për kilometër; në Kroaci 6.6 milionë euro për kilometër; në Slloveni 7.1 milionë euro për kilometër; në Gjermani 8.2 milionë euro për kilometër. Kosova pra, ndërton me kosto 20% më të lartë se Gjermania, 30% se Sllovenia, 35% se Kroacia e gati 50% - pra dyfish – se Danimarka.     

Ta zëmë se, siç dhe mesiguri është rasti, të paditurit tanë janë manipulues tipik që provojnë disi ta arsyetojnë pazaret e paarsyetueshme; se në vendin më të korruptuar në Evropë – dhe më shumë – tenderët qindra milionësh janë banka të pashtershme të korruptuarish. A ka mundur rruga e re të financohet ndryshe?

Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, një dokument që natyrshëm do të duhej të planifikonte e kornzionte makroshepnzimet e vendit – e që fatkeqësisht është shndërruar në dokument leckë e pa vlerë – Kosova nuk ka paraparë në tri vitet e ardhshme t’i shpenzojë 600 milionët e planifikuar. Ç’është e vërteta, dhe për fatin tonë të keq, planifikim nuk kishte as në ndërtimin e autostradës së Kombit – por paratë u bënë, invesitmet tjera u shkurtuan, 1 miliardëshi u gjet.

Në skenarion më të mundshëm Kosova do të financojë sërish autoudhën për Shkup me para të buxhetit, duke sakrifikuar kështu, sërish, për 3-4 vjet të gjitha investimet tjera potenciale (në rrugë regjionale, në gjyqësor, në shëndetësi, në arsim e në sektor privat). Në skenarion më të mundshëm, sepse e thanë të paditurit vet, nuk do të provohet me partneritet publiko-privat, sepse – e këtë s’mund ta besoj – i njëjti kishte dështuar diku në Rumani.

Një kauzë-relacion të tillë vetëm të tanët mund të prodhojnë. Përndryshe, për secilin tjetër të zakonshëm, pjesa më e madhe e rrugëve evropiane ndërtohen sot me partneritet publiko-privat. Tjetër çka që këta të paditurit tanë nuk mund të gjejnë asnjë partner për biznes; tjetër çka që asnjë partner privat nuk ka ndërmend të fusë 10 milionë euro për kilometër kur kosto reale e saj mund të jetë sa gjysma e saj. Në një skenario normal, me qarkullimin enorm Prishtinë – Ferizaj –Shkup, me një kosto normale, autoudha 60 kilometërshe, e ndërtuar për 300 milionë (financuar gjysmë-gjysmë nga privatët dhe qeveria) do të ishte një projekt profitabil sa s’bëhet më – rrjedhimisht dhe atraktiviteti për pjesëmarrje.

E Kosova, përndryshe, vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon – dhe më shumë – që ndërton e financon autoudhat me para të buxhetit; pale çfarë buxheti se. Pra Kosova, për shkak të bindjeve të të paditurëve tanë për dështimet nëpër provincat e Rumanisë, përveç se bastardon idenë e partneritetit publiko-privat, mbyllë edhe secilën formë alternative të financimit me kredi të buta – dhjetëra vjeçare.

-5-

Argumenti i parë, por i fundit i trajtuar këtu, është më i zakonshmi. Kur ne argumentojmë për çmimin, korrupsion e keqpërdorimin, ata thonë rrugët janë të nevojshme dhe duhet bërë. Natyrisht se duhet bërë. Nuk ka asnjë dyshim se rrugët janë të nevojshme; një vend pa rrugë e pa infrastrukturë modern nuk do të ketë asnjëherë zhvillim të mirëfilltë ekonomik.

Problemi megjithatë qëndron në intenzitetin e ndërtimit të këtyre rrugëve dhe koston oportune që ato bartin. Thënë ndryshe, përtej konfirmimit të nevojës se pasjes së rrugëve, është e domosdoshme edhe renditja e barrës financiare karshi nevojave tjera ekonomike që i ka Kosova. Sepse, siç jemi vend i varfër e me probleme, kemi edhe nevoja e kërkesa zhvillimore tjera. Pra përveç nevojave për rrugë, kemi edhe nevojë për gjyqësi, arsim, shëndetësi – e në fund sektor privat. Rëndesa financiare në buxhet që bëhet për shkak të ndërtimit të hiperautoudhave, anashkalon secilën alternativë tjetër. Dhe mu ky anashkalim mbanë Kosovën në stade simbolike të rritjes ekonomike prej 2 deri në 3 përqind në vjet.

Pra, për të rikapituluar gjithë këtë diskutim, mirë shumë që bëhen rrugët. Ka qenë tërësisht e panatyrshme mosndërtimi i kësaj për Shkup me gjithë nivelin e qarkullimit që gjysmë udha e sotshme mbanë. Do të ishte edhe më mirë sikur të ndërtonim edhe një për Gjilan, e një tjetër për Podujevë, të përfundonim këto për Pejë e Mitrovicë – e të ndërlidhnim secilin qytet kosovar me njëri tjetrin mbarë e mirë. Rrugët pra, duhet bërë sepse nuk bën ndryshe. Por kjo nevojë nuk arsyeton asnjëherë koston enorme që ta paditurit tanë bëjnë, as formën më brutale të financimit – nëpërmjet shterjes së buxhetit. Sepse, përveç rrugëve kemi dhe nevoja tjera. Përveç rrugëve ne duhet megjithatë të bëjmë dhe ekonominë. Prandaj, një ecje paralele, më pak e kushtueshme dhe e financuar nga partneriteti publiko-privat apo kreditë e buta (e zhvillimore) do të bënin punë shumë. Kështu siç e bëjmë tani, po futemi ngadalë por sigurtë në një vend që ka humbur udhë.



Monday 7 July 2014

NJË INTERPRETIM I INTERPRETIMIT TË PAINTERPRETUESHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 KORRIK 2014

Sado që dua ta refuzoj si mendim – sepse nuk më shijon mirë – ka një probabilitet logjik se e gjithë ideja e lënies së zgjidhjes së mandatari në gjykim të Presidentes (me apo pa qëllim) është shndërruar në një letër të fortë për komunitetin ndërkombëtar – vendimmarrësit e vërtetë në këtë vend të vogël e të pa zot. Të njëjtit do të zgjedhin qeverinë e ardhshme – nëpërmjet gjykimit të Presidentes të zgjedhur nga ta (dhe me zarf) – varësisht se sa e kush ua mbushë syrin e mendjen më shumë në ditët në vijim – apo ua ka mbushur deri më tash.


Me apo pa qëllim, në kohën kur kërkohej qartësi e ecje tutje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës prodhoj – atë që do të njihet nga sot e tutje mesiguri – pikën më të rëndësishme referenciale në zgjidhjet e ardhshme të qeverisë; dhe atë me shumë paqartësi. Atëherë kur më së shumti pritej qartësim, Kushtetuesja ofroj një interpretim të ri që kërkon riinterpretim – nëse ka një të tillë gjithsesi. Me ose pa dashje, Kushtetuesje u mundësoj secilës palë të interpretojë interpretimin e tyre si të duan – një lëmsh tipik kosovar – për të dhënë në fund një fuqi të re presidenciale, të diskrecionit e gjykimit individual.

Menjëherë pas kumtesës, në përpjekje të qartësimit të mëtutjeshëm, filloi një cikël i ri interpretimi nga gjithsecili. E për të bërë interpretim të interpretimit, nuk do të thotë të jesh jurist – mjafton të dish shqip; aq sa për të lexuar e kuptuar vet kumtesën. Sepse, dhe kjo natyrshëm, interpretimi si akt final i Kushtetueses, bëhet për t’u kuptuar nga të gjithë. E në këtë kuptim të bërë nga të gjithë, ka disa elemente konsensuale që dalin nga ky dokument.

Pra ka disa elemente të përbashkëta të interpretimit kushtetues që megjithatë japin një kornizë të përafërt të ngjarjeve që mund të ndodhin në ditët në vijim. Dhe, elementi më konsensual i interpretimit të kumtesës kushtetuese është –  dhe kjo ka shumë rëndësi – se Kushtetuesja qartëson një herë e mirë se termi “koalicion” në Kushtetutë i referohet vetëm koalicioneve parazgjedhore dhe jo atyre të formuara pas zgjedhjeve – rrjedhimisht, të gjitha të drejtat e dedikuara me Kushtetutë për koalicione i takojnë të bashkuarve parazgjedhjeve. Këtë qartësim, natyrshëm, Kushtetuesja e bën nëpërmjet referimit tek Ligji i Zgjedhjeve.

Një definim i tillë prodhon dy efekte imediate. Efekt i parë, i pranuar nga të gjithë (pozitë e opozitë) parapërcakton se mandatari i parë, sipas interpretimit kushtetues, i takon partisë (ose koalicionit parazgjedhor) fitues të zgjedhjeve. Pra të drejtën propozuese të parë – siç definohet me Kushtetutë – nuk mund të ja kontestoj askush partisë fituese të zgjedhjeve PDK-së; përfshirë edhe Presidenten. Sipas këtij interpretimi, menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve e konstituimit të Parlamentit, Presidentja do të mandatojë kandidatin e propozuar nga PDK – i cili më pas do të duhej të siguronte 60+1 votat e nevojshme për të formuar qeverinë; i gjithë procesi duhet të përmbyllet për 15 ditë.

Efekti i dytë, ndërsa, është më i ndërlikuar, dhe reflekton në pozitën e kryeparlamentarit. Sepse, sipas të njëjtës Kushtetutë, zgjidhja e kryekuvendarit bëhet pas propozimit të grupit më të madh parlamentar në seancën konstituive të Kuvendit. Nëse, dhe kjo mund të ketë një rrjedhë logjike, fituesi i zgjedhjeve (pavarësisht vendeve parlamentare) ka të drejtën e mandatarit të qeverisë, atëherë natyrshëm se e njëjta e drejtë do të derivojë edhe tek pozita e Parlamentarit – sepse grupi më i madh parlamentar në minutën e parë të fillimit të punimeve Kuvendore i takon partisë fituese dhe jo koalicioneve paszgjedhore – që dalin (gjithmonë sipas interpretimit Kushtetues) të jenë të parëndësishme në këtë kontekst. Nëse është kështu, atëherë ky efekt prodhon dy rezultate të tjera; i pari – dhe më pak i rëndësishëm, është se opozita e bashkuar humbë pozitën e kryekuvendarit; e dyta, dhe shumë më e rëndësishme, partia fituese merr të drejtën e propozimit, por nuk ka votat e mjaftueshme për ta zjgedhur atë, rrjedhimisht vendi shkon në zgjedhje të reja – qëllimi ultim i partisë fituese.


***

Me ose pa dashje, komplikimi fillon pas tentativës së parë mandatuese; në rast se – dhe kjo ka gjasa shumë të ndodhë, i mandatuari i parë të mos sigurojë votat e nevojshme, gjithmonë për shkak të një afrimi opozitar që duket se do të mbetet i ngurtë.

Në rast të mosmarrjes së votave, sipas interpretimit Kushtetues, Presidentja fiton të drejtën e diskrecionit dhe gjykimit vetanak – një fuqi e re enorme në përcaktimin e fatit të institucioneve nga një individ. Pra, në rast të dështimit të parë, Presidentja, në diskrecionin e saj, konsultohet me secilin grupacion politik që ka kaluar pragun zgjedhor – parti ose koalicion parazgjedhor. Pra sipas interpretimit Kushtetues, Presidentja nuk përjashton askënd, as partinë e koalicionin fitues të zgjedhjeve por as partitë që kanë kaluar pragun zgjedhor. Thënë ndryshe, Presidentja mban në vete mundësinë e vlerësimit se kush ka mundësi të sigurojë shumicën e deputetëve në Parlament.

Kam dy probleme me diskrecionin e Presidentes; pra me të drejtën që vet Presidentja (sot – ose Presidenti tjetër nesër) mund të përcaktojë sipas gjykimit të saj se kush ka shumicë e kush jo. E para, vetëgjykimi i shumicës është fuqi enorme për një figurë (potencialisht nesër) me preferenca partiake që ka marrë postin e Presidentit disi – pa përjashtuar edhe këtë të tanishmen. Sepse, sipas kësaj logjike, Presidentja mund të arsyetohet se grupacioni “iks” – sipas gjykimit të saj – ka shumicën – kur nuk e ka. Rrjedhimisht, votimi i dytë, me qëllim, prodhon mungesë votash dhe shkuarje në zgjedhje të reja.  

Problemi i dytë, dhe shumë i mundshëm me një diskrecion të tillë, është se Presidentja, edhe sikur të dojë mund të mos dijë se kush ka shumicën ose jo. Çka nëse një grupacion “iks” pretendon se i ka votat – pavarësisht nënshkrimit të deputetëve ose jo; çka nëse të njëjtit argumentojnë se votimi i fshehtë u jep siguron votë atyre? Çka nëse është ashtu? A është i gjithë diskrecioni çështje bindjesh e prezantimesh para Presidentes, se kush e bën më mirë e më bindshëm?

Pra një precedent i tillë lë mundësi për shumë paqartësi në të ardhmen, lë shumë fuqi për ripërsëritje zgjedhjesh, dhe potencialisht, lë mundësi për kapje shteti nga një parti që nesër mund të shtyjë presidentin e vet – që gjithmonë të ketë rivotime sepse Presidenti nesër ka gjykuar ashtu; pa çka që ka gabuar në gjykim – është punë diskrecioni i tij personal. Besoj se Kushtetuta duhet të jetë shumë më e qartë.

***

Sado që dua ta refuzoj si mendim – sepse nuk më shijon mirë – ka një probabilitet logjik se e gjithë ideja e lënies së zgjidhjes së mandatari në gjykim të Presidentes (me apo pa qëllim) është shndërruar në një letër të fortë për komunitetin ndërkombëtar – vendimmarrësit e vërtetë në këtë vend të vogël e të pa zot. Të njëjtit do të zgjedhin qeverinë e ardhshme – nëpërmjet gjykimit të Presidentes të zgjedhur nga ta (dhe me zarf) – varësisht se sa e kush ua mbushë syrin e mendjen më shumë në ditët në vijim – apo ua ka mbushur deri më tash.

Në këtë faze, ndërkombëtarët, nëpërmjet Presidentes së zgjedhur nga ta (dhe me zarf), mund të ndikojnë në gjykimin e saj – pra diskrecionin e saj – që del të jetë sipas Kushtetutës e interpretimit nga Kushtetuesja vendim përfundimtar. Thënë ndryshe, mandatari i ri varet jo nga diskrecioni i Presidentes, por nga diskrecioni i ndërkombëtarëve që ushtrojnë autoritet mbi Presidenten e zgjedhur nga ta (dhe me zarf).

Mirë ose jo, diskutim në vete. Ndoshta një shtrëngim i tillë për ta e për ne është edhe garancë e stabilitet – ndoshta dhe jo. Por ama, pavarësisht të gjithave, është e sigurtë se në këtë pikë, partitë – veçanërisht  ato opozitare – kanë shumë pak luks të kushtëzojnë ndërkombëtarët; as në bisedime, as në privatizim e as në makromenaxhim të vendit. Sepse po kushtëzuan tani, të gjithë do të zëvendësohen nëpërmjet diskrecionit të Presidentes; sepse ky diskrecion ka mundësinë e mandatimit të tjetrit – e tha Kushtetuesja në fund. Një fuqi enorme – gjithsesi e lehtë – e insticuionalizuar, e vulosur dhe e dorëzuar tek ta pa fare shfaqje e pa fare fjalë.