Monday 28 September 2015

MBI POLARIZIMIN E SHOQËRISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 SHTATOR 2015

E gjitha çfarë ky rend diskutues mund të prodhojë është polarizimi i shoqërisë. Në këtë polarizim, palët do të shihen me thjerrëza partiake, edhe atë dy ngjyrëshe, bardh e zi. Ose je me pushtetin ose je me opozitën. Ky polarizim nuk lë tjetër alternativë; nuk lë më një mes.


-1-

Ngjarjet e fundit në Kuvendin e Republikës hapin përfundimisht një derë të re të sjelljeve politike këndej; gjithsesi të rënda e të paparashikueshme për muajt në vijim. Ato shpërfaqin sërish rëndesën e ndarjeve të taborëve politike në vend, e të cilat, thënë të drejtën, nuk kanë nisur sot. Ato veçse janë vijimësi e një përplasje që nisi të burojë nga çarja e para-koalicionit opozitar në fillim-mandatin e kësaj qeverie. Tensionet e sotshme pra kanë zanafillë një hidhërim personal të akterëve politik që kishte nisur dje. Ky hidhërim është ushqyer në ndërkohë bollshëm nga një sjellje arrogante e pushtetit e cila ka dështuar të dëshmojë minimalisht konsideratë e përgjegjësi ndaj një pakice politike; dhe është ushqyer bollshëm nga nevoja e kësaj pakice për të ndryshuar gjendjen e tyre të pafuqishme me çdo kusht; pa zgjedhur mjet. Si përfundim, Kosova merr një absurditet Parlamentar ku forca e jo rezoni bëjnë kuptim.

Është fare e lehtë për të marrë anë pro apo kundër bllokadës parlamentare këndej. Është e pakuptimtë moslejimi i diskutimit. Në asnjë rrethanë madje nuk merr kuptim. Mbetet pra e pakuptimtë zgjedhja opozitare për të shtruar argumente. Nëse forca dhe ndërprerja e fjalës së lirë është argumenti më i fuqishëm opozitar, atëherë këtë opozitë – rrjedhimisht këtë vend – e ka marrë e zeza. Sepse nuk ka asnjë lajm më të keq e më të rëndë se sa rrënimi opozitar. Humbja e alternativës zgjatë jetën e kapësve. Kjo jetë është zgjatur tashmë.

Dhe opozita sot është e rrënuar. Nuk ka ide se çfarë bën. Gjuan vezë. Natyrisht se gjetja e precedentit për gjuajtje të vezëve, shpërthim të gomave, heqje të grilave e bllokim të Parlamentit – si qëllim në vete – është e lehtë. Një rast në Japoni, tjetri në Suedi, tjetri në Britani e i fundit në dreq të mallkuar, mund të përbëjnë një komplot precedentësh. Por ngjarja e tyre në një vend të vetëm është e rrallë.

Është tërësisht e rrallë vendimi për mosrespektim të asnjë institucioni të Republikës dhe thirrja në të vërtetën absolute partiake. Pra, opozita vendosë të injorojë zërin e shumicës qytetare që reflektohet në Parlament, refuzon vendimet e Kushtetueses e secilit institucion tjetër Republikan, dhe si në përfundim, refuzon dhe mungesën e trysnisë qytetare e publike që nuk shfaqet askund. Ajo provon të thotë se vetëm ajo ka të drejtë. Kjo logjikë se partia e partitë opozitare kanë të drejtë – dhe në mesin e kësaj të drejte hajnat e kriminelët më të mëdhenj të gjashtëmbëdhjetë viteve të fundit na dalin të jenë – pra kjo logjikë e monopolizimit të së drejtës është anarkiste dhe përfundimisht zgjedhje e pakicës.

-2-

E sepse është anarkiste, përbën dhe devijimin e opozitës nga gjithçka opozitare këndej. Për ta bërë të qartë, opozita partiake nuk është forma e vetme e artikulimit të pakënaqësive qytetare në Kosovë. Në të vërtetë, për shkak të votave të pakta që këto grupacione politike kanë marrë tash e sa kohë rresht, kjo opozitë partiake është më e vogla në Kosovë. Kjo vogëlsi e tyre nuk i bën të tjerat alternativa të mëdha – veç e veç – por i bën më të mëdha si grup.

Devijimi i opozitës partiake nga opozita intelektuale, mediatike e shoqërore në Kosovë – qoftë edhe në formën më individuale të mundshme – përbën fuqizim të pozitës. E fuqizimi i pozitës, i kësaj forme të pushtet bërjes, mbetet, në secilën rrethanë, skenari më i rëndë i mundshëm për Kosovën.

Opozita, me platformën e muajve të fundit, ka vendosur të ecë vetë. Ajo ka vendosur të injorojë të gjitha thirrjet ndërkombëtare, të gjithë disponimin qytetar (të shprehur me votë apo me mosaktivizim), ka vendosur të injorojë miq e aleatë, e shpejtë shumë do të injorojë dhe ato pak mendje të ftohta e të mençura që i ka në vete. Opozita ka vendosur të ecë tërësisht vet. Dhe e vetme do të mbesë.

Ajo natyrisht se do të mobilizojë disa militantë, herë të zyrave e herë ata ‘facebook-ian’, por nuk ka për të ngjallë as për së afërmi ndonjë nismë gjithë-qytetare që do të mbështetë çfarëdo alternative jo-institucionale. Kjo për disa arsye.  

E para, sepse brengat që mundohet ti ngjizë opozita, qoftë këto me demarkacion e qoftë ato me Asociacion, nuk janë brenga të qytetarëve të Kosovës. Ato janë platforma të partive politike – rrjedhimisht të votuesve të tyre (e që janë pakicë) – por nuk janë platforma të interesit për qytetarët kosovarë. Puna, mirëqenia e zhvillimi janë brengat e kosovarëve. Mirë ose keq, çështje tjetër.

E dyta, sepse forca opozitare e bashkuar është po aq e kalbur sa edhe forca e pushtetit të bashkuar. Për secilin profil kriminal në pushtet, njeriu e gjënë një kundërprofil në opozitë. Për secilin hajn në pushtet, e gjenë një tjetër në opozitë. Për secilin servil në pushtet ka një tjetër në opozitë. Kosovarët megjithatë nuk harrojnë shpejtë.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishme, kosovarët në asnjë rrethanë nuk kanë për të nisur një revolucion që mendjet neo-komuniste, kryesisht të ‘Vetëvendosjes’, mund ta kenë projektuar diku. Nuk e bëjnë; s’do ta bëjnë. Janë të frikësuar nga secila formë e dhunës. E refuzojnë. Siç edhe e kishin refuzuar atë në protestat e fundit; ku sërish, për shkak të opozitës, një protestë perfekte qytetare u transformua në dhunë e qëllim për pushtet – për të përfunduar në fund pa përkrahje.      

-3-

Opozita do të kuptojë gabimin e formës për të kundërshtuar argumente (ndoshta edhe legjitime) tek në zgjedhje. Në zgjedhje, dhe këtu merr hov fati ynë i keq, kapësit e shtetit, ndihmësit e kapësve, e gjithë tregtarët e pushtetit do të fuqizohen shumë.

I gjithë lëmshi opozitar pra, shpërfaqë kapësit e sotshëm si alternativa më e sigurt e mundshme në një skenë të pasigurt politike. I shfaqë si të tillë ndaj ndërkombëtarëve, ndaj qytetarëve votues e veçanërisht atyre jovotues që me injorim të opozitës do të forcojnë pozitën. E koha më e rëndë për këtë vend do të nisë pas zgjedhjeve. Kur do të na duhen vite të tëra për të formësuar një ide të re politike – qoftë si ide brenda partive opozitare (deri atëherë) të rrënuara, qoftë si parti në vete.

Thënë të drejtën, nuk pres që disa nga akterët e sotshëm të brengosen se çfarë ndodhë pas zgjedhjeve. Për pjesën më të madhe të tyre zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit. Dhe pikërisht gjasa e ndodhjes së këtij skenari përbën motivin kryesor të agresivitetit të tyre sot. Ata duan të ndryshojnë këtë përfundim të sigurt të tyre.

Të njëjtit pra kanë kuptuar se vazhdimi i një qetësie politike këndej përbën një ecje të qetë të tyre drejt fundit. Sepse, siç edhe e dinë vet, nuk kanë as kapacitete, as njerëz, as energji – e natyrisht as para – për të kundërshtuar për katër vjet rresht një pushtet të madh si ky. Lëmshi eventual, rebelimi, kërcënimi e eventualisht rrënimi i çka do qoftë që është përballë tyre, pushtet apo shtet, prodhon skenar të paparashikueshëm. Në këtë paparashikueshmëri, ata gjejnë edhe shpresën se mund të mbesin diku. E vërteta e vetme megjithatë mbetet se të njëjtit do të përfundojnë edhe jashtë por edhe faqezi.

-4-

E gjithë kjo platformë e opozitës, natyrisht se nuk shpëlanë pozitën. Nëse do të kishte një kandarë të matjes së mëkateve në mes palëve, kjo e pozitës mbetet më e rëndë. Mbetet e rëndë për shkak se nëpërmjet politikave makaveliane ka zgjatur jetën e një strukture kriminale të instaluar në pushtet; nëpërmjet politikave të inatit e hidhërimit, ka prishur secilin relacion me mendimet e kundërta – madje edhe për gjërat më minore të mundshme; dhe nëpërmjet arrogancës, ka indinjuar secilin individ e grupacion politik e jopolitik këndej që megjithatë i do të mirën vendit.

Aq shumë anomali politike e logjike ka prodhuar kjo pozitë, sa që kundërshtimi i tyre më ka humbur vlerë. E kur kundërshtimi humbë vlerë, oponenca argumentuese ftohet. Merr hov ajo e dhunës. Në këtë përballje, i njëjti pushtet – edhe po pati të drejtë – mbetet po aq i vetëm; siç ka mbetur edhe tani.

Një pushtet i tillë natyrisht se meriton kundërshtim. Mbi të gjitha, meriton dhe fundin. Por merita e fundit nuk mund të vijë nëpërmjet rrugës; së paku jo pa u shterur të gjitha format institucionale. Nëse Kosova ka një Parlament, atëherë gjërat e këtij vendi vendosen aty; me votë. Nëse Parlamenti nuk reflekton disponimin kushtetues, atëherë provohet Gjykata Kushtetuese. Nëse kjo Gjykatë nuk reflekton sens, por interesa të kapjes,  atëherë legjitimohet bojkotimi institucional e nisja e protestave – paqësore edhe atë. Nëse protesta ka në konsistencë përkrahje qytetare, atëherë legjitimohet kërkesa e opozitës. Nëse jo, është e thjeshtë, opozita ka keqinterpretuar me të madhe gjithë disponimin qytetar. Dhe të gjitha indikacionet politike këndej, së paku të provuara aktivizim qytetar, dëshmojnë mu këtë huqje. Në fund të fundit, mobilizimi qytetar, po pat shkas njëmend, nuk ka nevojë fare për fascilitim paritak.

Për më tepër, opozita nuk dëshiron të kalojë asnjë formë institucionale e legjitimuese. As në Parlament, as në Kushtetuese e as në rrugë. Nuk po e bën asnjërën sepse – siç edhe mund ta kenë kuptuar – nuk gjejnë disponim. Atëherë çfarë kërkojnë?

-5-

Çfarëdo që kërkojnë nuk kanë për të gjetur. E gjitha çfarë ky rend diskutues mund të prodhojë është polarizimi i shoqërisë. Në këtë polarizim, palët do të shihen me thjerrëza partiake, edhe atë dy ngjyrëshe, bardh e zi. Ose je me pushtetin ose je me opozitën. Ky polarizim nuk lë tjetër alternativë; nuk lë më një mes.

Polarizimi shoqërorë, rrezikon të shpërndahet gjithandej. Në secilin diskutim miqësor, familjarë e profesional. Është ushqyer aq shumë urrejtje nga të dyja palët sa që taborët e ushtrive fyese, sharëse e urrejtëse kanë marrë municion mjaftë. Ky polarizim do të zgjerohet dhe në Parlament, më pas në korridoret e tij – me siguri edhe me dhunë – do të kalojë në rrugë gjithsesi, në relacione individuale, për të mos ndryshuar e prodhuar asgjë prej gjëje.

Pra në fund të ditës, ky polarizim do ta mbajë Kosovën në vendin e njëjtë. Pushtetin e njëjtë në rend të njëjtë, e opozitën e njëjtë në lëmsh të njëjtë. Përfundimisht, qytetarët e njëjtë në halle të njëjta. Nuk do të zgjidhet asnjëri prej tyre. Gjërat do të shihen për muaj të tërë me qëndrime nxitëse. Madje, edhe derisa ky shkrim lexohet, e secili mendim i juaji që do të thuhet në vijimësi, do të ngjyroset me domosdoshmërinë e përkatësisë partiake. Herë nga njëra e herë nga pala tjetër – gjithsesi asnjëra palë e kënaqur. Je me ta, ose me ne.

Po ja që ka një mes. Ky mes nuk mbështetë as opozitën me format e saj e as pozitën me argumentet e saj; i refuzon të dyja pra. Ky mes nuk e sheh të denjë asnjërën palë për të përfaqësuar interesat republikane të këtij vendi. Ky mes as nuk legjitimon vazhdimësinë e sjelljes së pushtetit, por as edhe formën e kundërshtimit të opozitës. E sheh Kosovën, pushtetin dhe opozitën si bashkëfajtore në ngecje.    

Pushtetin kryefajtor sepse ka secilin mekanizëm për të ecë mbarë e mirë, por vazhdon të qëndrojë indiferent ndaj kapjes – madje dhe në rrethana të dhëna e vazhdon kapjen më shumë; dhe e gjenë bashkëfajtorë opozitën që nuk arrin të artikulojë argumente e zëra qytetare që nesër do të bëheshin alternativë qeverisëse këndej.



Monday 21 September 2015

IMPLIKIMET E ZGJEDHJES SË JEREMY CORBYN PËR KOSOVËN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 SHTATOR 2015

Në vitin 2004, Jeremy Corbyn me 24 deputete të tjerë, shfaqet si nënshkrues e mbështetës i një mocioni parlamentar në Britani, që e konsideron intervenimin e NATO-s në Kosovë si “gjoja humanitar” dhe pjesë të “një propagande mashtruese perëndimore” të ushtruar nga SHBA-të dhe NATO, mbi gjoja “gjenocidin” e kryer në Kosovë.


-1-

Dy muaj më parë, Jeremy Corbyn ishte veçse një përmbushës i listës garuese të laburistëve. Sot Jeremy Corbyn është lideri i ri laburist në Britani të Madhe; partisë së dytë më të madhe atje – kundërshtari i radhës në zgjedhjet nacionale i kryeministrit të tanishëm David Cameroon (apo dikujt tjetër nga partia e tij). Tregimi i ngritjes së tij fillon më 8 maj të këtij viti, kur laburistët britanikë kishin provuar – përkundër të gjitha pritjeve – rënien më të madhe të mundshme në njëzet vitet e fundit. Si rrjedhojë, Ed Miliband, i mundur nga kryeministri i tanishëm, konzervatori David Cameroon, kishte dhënë dorëheqjen.

Tre emra ishin shpërfaqur javë më pas. Andy Burnham, Yvette Cooper dhe Liz Kendall kishin marrë votat e mjaftueshme për nomin. Sipas statutit rregullues të partisë, secili pretendues për kryetar duhej të siguronte 35 vota të deputetëve laburistë që shërbenin në Parlament. Jeremy Corbyn, ditën e 15 qershorit, afatin e fundit pra për nomin, kishte vetëm një votë më pak. Vetëm pas një ndryshimi të papritur në orët e fundit të afatit për nominim, ai morri dhe votën e 35-të. Jeremy Corbyn ishte futur në listë për hir të diversitetit dhe trajtimit korrekt që rregullat morale të partisë kishin vendosur si standard. Askush nuk priste ngritjen e tij.

Të tre emrat e parë, ishin anëtarë të qeverisë nën hije laburiste. Të tre anëtarët e parë, sikurse paraardhësit e tyre, ishin centralistë. Në të vërtetë, që nga koha e Margaret Thatcher, e gjithë Partia Laburiste ishte zhvendosur në qendër. Jeremy Corbyn, për dallim nga tre të parët – dhe nga e gjithë partia – mbetej i majtë; i majtë i majtë siç i thonin bashkëpartiakët atje. Corbyn nuk kishte qenë asnjëherë anëtar i ndonjë kabineti nën hije, e për pjesën më të madhe të kohës përballej me të gjitha normat e rregullat e Partisë. Ai shihej si një rebel. Kishte kundërshtuar partinë – kryesisht qeverinë e Blair gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë; kishte marshuar kundër intervenimit në Irak. Kishte votuar me qindra herë kundër rekomandimeve të partisë. Jeremy Corbyn përmblidhte – në formën më të rrumbullakuar të mundshme – gjithë elektoratin e majtë laburist në Britani që konfrontonte ecjen e partisë në njëzet e sa vitet e fundi. Ky elektorat ishte larguar nga partia për shumë kohë pikërisht për shkak të qëndrimeve centriste të laburistëve – praktikisht nga Thatcher e këndej. Kështu, në fjalimin e parë pas-fitues, ai ju drejtua bashkëfestuesve me “...mirë se u kthyet në shtëpi”.

-2-

Fitorja e 60% të votave partiake nga një pretendues që një ora para përfundimit të afatit nominues nuk i kishte votat e mjaftueshme, vërtetë bën një tregim të rrallë veror. Kjo fitore bindëse e tij ishte siguruar nga anëtarët e partisë laburiste; nga plot 552 mijë sosh.

Zgjedhja e kryetarit të partisë kishte ndryshuar formë menjëherë pas dorëheqjes së Ed Miliband. Në vitin 2015, sistemi i vjetër zgjedhor, nga një proporcion i ndarë në tresh në mes të deputetëve të partisë, anëtarëve të thjeshtë dhe sindikatave (të cilat në Britani janë të ndërlidhura me Partinë Laburiste) ishte zëvendësuar nga sistemi i thjeshtë “një anëtar, një votë”. Pra, kryetari i partisë do të zgjidhej nga anëtarët e Partisë. E për të qenë anëtarë i laburistëve në Angli, kërkohej përmbushja e një formulari dhe pagesa e 3 funtave (pak më shumë se 4 eurove) për anëtarësim vjetor. Kanditimi i Jeremy Corbyn kishte kthyer njëmend në parti laburistë e të asociuar tjerë me lëvizjet konfrontuese brenda partisë, dhe ndaj konzervatorëve njëtrajtësisht.

Corbyn, përgjatë gjithë fushatës zgjedhore kishte transfomurar mënyrën e komunikimint me publik. Paraqitjet televizive – karakteristika të rëndomta të garave në Britani – i kishte zëvendësuar me tubime qytetare; në qytete, qyteza e fshatra. Ky fakt kishte bërë që shumë të rinj e të reja të dëgjonin një alternativë më ndryshe ngase ishin mësuar të dëgjojnë përgjithmonë. Ato gjithashtu kishin ringjallur interesat e unioneve e sindikatave që për shumë kohë kishin ftohur marrëdhëniet me laburistët; aleatin natyral të tyre.

Në përgjithësi, fushata e Corbyn thyente tabunë e centralistëve të Ed Miliband. Ky centralizëm ishte shpërfaqur si i dobët – dhe madje i padenjë – për të ndaluar rritjen dhe fitoren e re nacionale të konzervativëve në maj të vitit 2015. Në të vërtetë, për shumë mendime laburiste në Britani, vëmendja e anëtarëve të partisë nga e majta e Corbyn ishte pikërisht refleksion hidhërimi për dështimin ndaj konzervatorëve.

Duke lexuar këtë gatishmëri, Corbyn në fushatë kishte shpalosur dhe bindjet e tij për transformim nga një parti e qendrës së majtë në një parti tërësisht të majtë. Propozimet e tij i përmbyllte me mburrje e thirrje për qëndrime tërësisht socialiste e herë-herë dhe neo-komuniste. Ai propozonte nacionalizimin e hekurudhave dhe impianteve energjetike. Propozonte shkurtimin e  deficiteve buxhetore jo me shtrëngime të shpenzimeve (siç praktikonin konzervatorët tash e sa kohë) por me rritje të taksave për të pasurit. Propozonte madje dhe një kufi të pagave që dikush mund t’i siguronte në Britani. Në fushën e sigurisë, insistonte në daljen e Britanisë nga NATO dhe përfundimisht mosintervenimin në asnjë konflikt jashtë. Siç edhe kishte kundërshtuar gjatë gjithë angazhimit politik të tij intervenimin e NATO-s kundër Serbisë në Kosovë, kundërshtonte edhe intervenimin e sotshëm në Siri, qoftë si domosdoshmëri ndaj Assadit, qoftë ndaj ISIS-it. Në disa raste, me fokus në Lindjen e Mesme, Corbyn kishte nxitur reagime të shumta në Britani. Ai, jo rrallëherë, konsideronte Hamasin e Hezbollahun atje si miq të tij.

Jeremy Corbyn, ishte krejtëisht ndryshe; ndryshe natyrisht nga konzervatorët në pushtet, ndryshe nga bashkëpartiakët laburistë.

-3-

Më ndryshe, natyrisht nuk do të thoshte më mirë. Partia Laburiste e Britanisë ishte e vetmja parti – e themeluar si e majtë – që historikisht nuk kishte pasur relacion me asnjërën prej partive komuniste nëpër Evropë. Laburistët madje, siç dhe argumentova më lartë, në disa faza zhvillimore kishin lëvizur nga një qëndrim i majtë në një të qendrës së majtë. Në Britani, për vite shumë, laburistët e qendrës së majtë konsideronin procesin e privatizimit si të domosdoshëm. Ata kishin qëndrime të njëjta edhe për iniciativën private atje; për domosdoshmërinë e kufizimit të rolit të sindikatave në vendimmarrje, për tregun e lirë e për kapitalizmin. Qëndrimet si këto, për laburistët dhe përkrahësit e tyre, ishin bërë si të dhëna tashmë.

E mu për shkak të qëndrimeve si këto, qeveritë laburiste kishin qenë bukur atraktive. Ato, në rrethana kohore të caktuara shënonin ditët më të mira të partisë e bindjeve. Qeveria e Tony Blair kishte marrë tre mandate rresht. Atraktiviteti i laburistëve kishte humbur me ardhjen e Ed Miliband. Ai, në asnjë rrethanë nuk kishte arritur të shpërfaqë laburistët si alternativë të denjë konzervatorëve; të cilët, për pesë vite qeverisje, duke ndjekur principet e djathta ekonomike e politike, kishin transformuar Britaninë e Madhe nga një vend me recesion, në një vend me normën më të lartë ekonomike në BE.

Kjo paaftësi përballuese e së djathtës, nuk do të nënkuptonte kalimin në të majtë. Mund të nënkuptonte përmirësim të ofertës politike, ngritje të karizmës – dhe në fund – gjetjen e një lideri që unifikon oponencën konzervatore, por jo domosdo kalimin në inat në krah krejtësisht tjetër. Për këtë arsye, figurat kryesore të laburistëve kishin kundërshtuar përzgjedhjen e Jeremy Corbyn. Tony Blair, Gordon Brown, David Milliband, Alistair Campbell, Jack Strawe Neil Kinnock ishin disa nga figurat kryesore të Partisë Laburiste që publikisht e gjatë gjithë kohës kishin kundërshtuar – për të gjitha arsyet e thënë më lartë – zgjedhjen e Corbyn në krye të partisë.

Sepse, për mendimin e emrave laburistë si këta, gara e vërtetë nuk ishte brenda partisë, por në përballje me konzervatorët. Dhe nëse laburistët do të shpërfaqeshin me një majtist e konfrontist në zgjedhje nacionale, humbja – rrjedhimisht rrënimi i mëtutjeshëm i partisë – do të ishte dhe më evident. Britanikët megjithatë kuptonin rëndësinë e aleancave ushtarake, të tregut të lirë, kapitalizmit e mirëqenies. Corbyn mund të kishte transformuar përkrahësit e partisë – rrjedhimisht të ketë mobilizuar të rinj e të reja që kanë energji për tubime e bindje neo-komuniste, por, sipas të njëjtëve figura laburiste, ai kishte humbur shumë centristë e shumë laburistë të tjerë. Është e vërtetë se ai ishte zgjedhur nga shumica e anëtarëve të partisë, por është po aq e vërtetë se qytetarët e tjerë, jo anëtarë të partisë, nuk ndanin bindjet e tilla asnjëherë. Jo gjithmonë përkrahja partiake nënkuptonte dhe përkrahje të votuesve – natyrisht.

-4-

Zgjedhja e Jeremy Corbyn si kryetar i Laburistëve – dhe potencialisht nesër si kryeministër i Britanisë – nuk bën në asnjë rrethanë lajm të mirë për Kosovën. Përjashto ndikimet e tij të brendshme mbi baza ideologjike, pra ato mbi nacionalizimin e pronës private, mbi kufizimet në fitime e mbi taksat super të larta – që mesiguri se do të përfundojnë në kolaps elektoral në zgjedhjet e vitit 2020 atje (britanikët janë më të mençur se kaq) – janë qëndrimet e tij mbi NATO-n, rolin e Britanisë në politikën e jashtme, e në rrethana edhe anëtarësimin e Britanisë në vet BE, që përbëjnë rrezik njëmend për vendin tonë.

Jeremy Corbyn ka qenë – dhe vazhdon të jetë –  kundërshtues i intervenimit të NATO-s në Kosovë. Në vitin 2004, Jeremy Corbyn me 24 deputete të tjerë, shfaqet si nënshkrues e mbështetës i një mocioni parlamentar në Britani, që e konsideron intervenimin e NATO-s në Kosovë si “gjoja humanitar” dhe pjesë të “një propagande mashtruese perëndimore” të ushtruar nga SHBA-të dhe NATO, mbi gjoja “gjenocidin” e kryer në Kosovë. Në mocion, madje, citohet edhe një komandat spanjoll i KFOR-it të ketë thënë se “asnjë varr masiv nuk është gjendur në Kosovë”.

Shumë më herët se kjo, në dhjetor të vitit 1999, krye-laburisti i sotshëm Corbyn, në një diskutim parlamentar kundërshton cilësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga politika britanike, nga një organizatë terroriste në një forcë çlirimtare. E konsideron këtë transformim si të rrezikshëm për politikën britanike.

Në të njëjtin vit, gjatë një përballje me kryeministrin e atëhershëm Tony Blair, Jeremy Corbyn argumenton kundër Kosovës si projekt “i pavarur ose pjesë e ndonjë federate”. Ai shton se duhet të ndërpritet “demonizimi i popullit serb atje”. Pjesën e intervenimit të NATO-s e sheh si arsye të ikjes së mijëra refugjatëve. Kërkon me ngulm ndërprerjen e bombardimeve dhe adresimin e çështjes së Kosovës vetëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Ky averzion i Jeremy Corbyn ndaj intervenimit në Kosovë ekstrapolohet sot edhe në propozimin e tij për tërheqje nga NATO e vet aleanca ushtarake e Britanisë me SHBA-të. Rrjedhimisht, në çdo rrethanë të forcimit të tij, dobësohet aleanca atlantike, dhe me këtë edhe njëri prej aleatëve më qenësor të shqiptarëve sot. Pra, përtej një averzioni individual ndaj projektit Kosovë, Jeremy Corbyn ka pikëpamje konfrontiste edhe ndaj aleancave ushtarake perëndimore që kanë implementuar këtë projekt Kosovë. Për këto, dhe arsye të tjera, secili avancim i tij është, për fatin tonë të keq (dhe të pakontrolluar) lajm jo i mirë.

Gjasat e tij për zgjedhje si kryeministër mbesin reale. Gjithsesi, Corbyn mbetet më pak i favorizuar nga kryeministri i tanishëm Cameroon, që megjithatë po tregon qëndrueshmëri ekonomike e rritje të standardit jetësor atje. Numrat e papunësisë, borxhi publik e deficiti buxhetorë po shënojnë numrat më të ulët të regjistruar në Britani. Pavarësisht të gjitha, deri në zgjedhjet e ardhshme mbetet shumë kohë. Një lëkundje ekonomike, një ngritje tjetër e paparashikueshme e Corbyn në publik – e mbi të gjitha një ngopje me konzervativët – mund ta kalojë atë lehtësisht në favorit.

Monday 14 September 2015

NËN KULMIN E NJË SISTEMI TË PADREJTË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 SHTATOR 2015

Nuk di çfarë sistemi është ky, çfarë ligje janë këto – siç dhe nuk e kuptoj as rezonin e vjetërsimit të dënimit pas arratisë – mbi të gjitha nuk e kuptoj nisjen e akuzës së re për arratisje; nuk i kuptoj asnjërën nga këto sinqerisht – por as që dua ti kuptoj e mirëkuptoj sepse nuk më bëjnë sens. Por ama e di se ligjet nuk shkruhen në gurë. Dhe sepse nuk shkruhen në gurë – e nuk zbresin nga qielli – ato mund të ndryshohen nëse sjellin anomali si këto.

-1-

Leme Xhema nuk është vetëm një emër; emër i njohur për të mbrapshtë natyrisht. Leme Xhema, si emër, simbolizon edhe një sistem të tërë drejtësie në ketë vend. Simbolizon punën e policit, të prokurorit, të gjyqtarit e të parlamentarit; nga ligjvënia deri tek ligjbërja.

Leme Xhema, këtë javë ishte kthyer në Kosovë. Ish-drejtoresha e njërit prej aseteve më të mëdha publike në vend, rrjedhimisht më të keqpërdorur ndonjëherë, pas arratisjes në vitin 2011 për shkak të dënimit të marrë me tre vjet burg për shpërdorim financiar, ishte përfundimisht e lirë. Kodi Penal i Kosovës i kishte dhënë lirinë. Jo sepse ishte e pafajshme, jo sepse ishte dënuar me të padrejtë, por sepse – Leme Xhema – kishte kaluar dyfishin e dënimit jashta burgut; në arrati gjithsesi. Dhe sepse Leme Xhema kishte kaluar kohën e paraparë për burg në arrati, ajo mbetej e lirë. E përbini dot këtë natyrë të drejtësisë?!

Në ditën e parë të kthimit në Kosovë – si e lirë sepse ishte në arrati – Leme Xhema u prit me tupan. Në krah të saj ishte dhe një avokat; të qeshur të dy. Po i zgërdhinin, pa fije marre, një sistemi të tërë të drejtësisë. Ia kishin hedhur të dy. Dhe fjalët e para të Leme Xhemës ishin “unë s’kam kurrëfarë problemi”; “ajo çfarë ka qenë ka kaluar” dhe, si për vulosje, Leme Xhema na tha se e shkuara e saj “nuk bën më të diskutohet”. Natyrisht se për Leme Xhemën, dhe gjithë të tjerët si ajo, gjithçka është në rregull, asnjë problem madje – e shkuar e harruar – dhe detyrimisht e padiskutuar. Një start i ri për ta.

Nuk di çfarë sistemi është ky, çfarë ligje janë këto – siç dhe nuk e kuptoj as rezonin e vjetërsimit të dënimit pas arratisë – mbi të gjitha nuk e kuptoj nisjen e akuzës së re për arratisje; nuk i kuptoj asnjërën nga këto sinqerisht – por as që dua ti kuptoj e mirëkuptoj sepse nuk më bëjnë sens. Por ama e di se ligjet nuk shkruhen në gurë. Dhe sepse nuk shkruhen në gurë – e nuk zbresin nga qielli – ato mund të ndryshohen nëse sjellin anomali si këto. Sepse në ditën e kthimit të Leme Xhemës në Kosovë si e lirë – pas arratisë – Xhabir Zharku fërkoj duart me plot gëzim. Pas tij dhe shumë të tjerë njëtrajtësisht.

-2-

Hekurani nuk është vetëm një emër. Është simbol i denoncimit të haraçit dhe marrjes së jetës nga haraçvënësi. Ku ishte sistemi i drejtësisë në këtë mes? Asistues i vrasjes. Vrasësi ishte liruar nga paraburgimi, nën atë frazën e zakonshme tashmë “me procedurë të rregullte\”, për të bërë një akt të çrregullt, vrasjen e denoncuesit të haraçit menjëherë pas lirimit nga paraburgimit – gjatë procesit të gjykimit pra.

Si Hekurani ka individë e biznese gjithandej sot. Fati i tyre përcaktohet nga mëshira e muskujve; të cilët, vendosin se sa e kur të kërkojnë para nga të tjerët. Po nuk u pagua kërkesa e tyre, po u denoncua intenca e tyre – vjen vrasja. Në pikë të ditës.

Haraçi si taksim i dyfishtë i individëve e bizneseve kosovare nga secili me pak fuqi këndej, nga post-komandantët e deri tek mangupat e rrugëve e mahallave gjithandej, ka marrë formë të zakonshme. Është bërë pjesë e lojës. Në këtë vijë, përparimi e krijimi i pasurisë është bërë edhe mallkim. Sepse, përderisa bën punë e pasuri me mund e djersë, ka gjithmonë një idiot andej që mendon të ketë të drejtë mbi pronën e pasurinë tënde. Ky idiot edhe lihet më pas i lirë nga një sistem drejtësie që e njeh mbarë e mirë – por e len pra të lirë. E len të lirë edhe kur denoncohet; natyrisht “me procedurë të rregullt”.

-3-

Në gjithë anomalinë gjyqësore në Kosovë, nuk kam se si të mos shprehë papajtueshmëri të plotë me promovimin masiv të avokatëve që mediat i bëjnë këndej. Avokatë të kriminelëve, hajnave, vrasësve e keqbërësve – të gjithë të dënuar pas secilit rast mbrojtës të tyre pa përjashtim – kanë mundësinë e bërjes së rastit publikisht. Ç’është e vërteta, avokatët që i shohim madje nëpër televizion, i dëgjojmë në radio e lexojmë në protale gjithandej, kanë më shumë rastë të humbura (pra ish klientë keqbërës gjithandej) se sa të fituara ndonjëherë. E kur i dëgjon, ta mbushin mendjen se qindra rastet e kriminelëve të tyre janë të pafajshme; ani pse nuk kanë provuar si të tillë asnjërin nga to. Kaq për kredibilitetin e tyre kur shtrojnë raste mediatike – me bindje – pandërprerë.

E kuptoj rëndësinë e të drejtës për mbrojtje – dhe promovimit njëtrajtësisht – por ama, dhënia e gjithë hapësirës diskutuese për keqbërësin (që dalin rëndom të përfundojnë rastet e tyre), dhe fare për ndjekësin e tij, mbetet e pakuptimtë. Ky vend pra promovon gjithandej mbrojtësit e kriminelëve e keqbërësve, por nuk promovon asnjëherë një prokuror që provon t’i fusë në gjithë këtë anomali të tillët në burg. Nuk mbaj mend e nuk njoh as për së afërmi prokurorë sa mbajë mend e njoh avokatë mediatik. Madje, thërrës secilin nga ju të kujtoni sa avoaktë e sa prokurorë i njihni në Kosovë? Dhe nuk besoj se nuk ka prokurorë sa për t’i dhënë mjaftueshëm hapësirë. Në fund të fundit, për të gjitha rastet e avokatëve që na dalin gjithandej – të humbura të gjitha njëtrajtësisht – ka një prokuror që punon në anën tjetër.

-4-

Pavarësisht të gjithave, sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet halli më i rëndë, problemi më i rëndësishëm, dhe terri më i zi i një vendi të tërë. Vetëm 23% e kosovarëve sot i besojnë sistemit të drejtësisë. Nuk ka asnjë institucion tjetër publik që shënon nivel kaq të ulët besimi – dhe me të drejtë.

E mosfunkcionimi i drejtësisë nuk përbën vetëm një dëm moral të shoqërisë; as edhe një prishje qejfi. Ai, njëkohësisht, përbën edhe barrierën kryesore ekonomike këndej. Barrierat më të mëdha që kanë ndëmrarrësit kosovarë këndej, nga një i vogël me asnjë punëtorë deri tek të mëdhatë me qindra e mijëra sosh, mbesin të ndërlidhura me sistemin gjyqësor. Evazioni fiskal, informaliteti, korrupsioni, prokurimi publik e vet forcimi i kontratave prekin secilën sferë të biznesit – dhe rrjedhimisht të jetës. Prekin mbledhjen e borxheve, operimin e barabartë, trajtimin korrekt, rritjen e buxhetit, sigurinë për biznes e deri tek koston e  financimit – kredinë e alternativat mbështetëse si këto.

Kosovarët me të drejtë kanë humbur gjithë besimin. Nuk llogarisin më në të. Madje, për çudi, në vitin 2015 pritja e llogaritja në sistemin e drejtësisë duket edhe naive nga të tjerët. E shihni sa shumë kanë topitur pritjet për trajtim minimalisht korrekt si bërja e gjyqësisë e drejtësisë?

Por ama, nëse ka një pikë nga ku duhet nisë zhbërja e lëmshit shoqëror tonit, atëherë është mu ky sistem i drejtësisë. Duhet nisur nga korrigjimi i defekteve në letër që sjellin neveri e pabarazi – sikurse tek rasti i Leme Xhemës – e deri tek sjellja kolektive shoqërore për kërkim me ngulm të drejtësisë. Në mes, natyrisht na duhet gjetja e individëve që kanë guxim, kanë mbështetje e kanë fuqi për të gjetur (me prokurori), kapur (me polici) dënuar (me gjyqtarë) e mbajtur në burg (me korrektues) secilin nga ta.

Na duhet gjithashtu një sistem i drejtësisë që është efikas, i shpejtë dhe i barabartë. Ky vend është i vogël. Mbarësia e tij duhet të jetë një mision e lehtë. Për këtë, natyrisht, duhet përmbushur një kusht. Të hiqen nga drejtimi i vendit gjithë ata që nuk kanë asnjë interes për drejtësi këndej. Jo sepse nuk dinë të bëjnë këtë vend të drejtë, por sepse janë pikërisht ata subjekt i trajtimit të sistemit – po u bë ndonjëherë.

Monday 7 September 2015

NJË TREGIM SIRIAN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 SHTATOR 2015

Dikur isha edhe unë refugjat. Për dallim nga ta, fati im ishte më i mirë. Në të vërtetë jashtëzkonisht më i mirë. Tregimi im, për dallim nga ta pra, përfshinte një ndërhyrje ushtarake të të gjithë botës, hapje të dyerve për refugjatë nga e gjithë bota, dhe përfundim i strehimit si refugjat për diçka më pak se tre muaj.


-1-

Është e pamundur të përmbash veten përballë fotografisë së fëmijët sirian që shpëlahet për vdekje nëpër brigjet e Turqisë. Me rroba të lagura që nuk i mbulonin dot as ato pjesë të vogla të trupit të tij, vogëlushi ishte i shtrirë si për në gjumë, këtë herë për një gjumë nga ku nuk do të zgjohej më kurrë. Fotografia e Aylanit, 3 vjeçar, i mbytur nga përmbysja në det derisa po provonte ikjen me familje për një jetë më të mirë, ishte bërë simbol i ri i krizës së vjetër siriane. Kriza e refugjatëve sirian ka kohë që nuk ishte më krizë rajonale, as evropiane, ishte krizë njerëzore; por fotografia e dhimbshme e tij, ri-nxirrte megjithatë në pah më të keqen tonë – indiferencën. Trupi i vogëlushit të pajetë përmblidhte triumfin e të ligës ndaj gjithçkaje që njerëzit kishin mësuar të jetë e mbarë. Me të kishte vdekur edhe një pjesë e madhe e njerëzores sonë.

Këtë vit, në dy raste, kisha pasur rastin të bashkëpunoja me Forumin Ekonomik Sirian – një organizatë opozitare që kishte grumbulluar rreth vete intelektualë, biznesmenë e të përndjekur të tjerë politik nga regjimi – të gjithë në egzil; të dënuar natyrisht me vdekje nga qeveria e Bashar Al-Assad; kundërshtarë sa s’bëhet më të ISIS. Në një angazhim amerikan të projektuar nga “Qendra për Ndërmarrje Ndërkombëtare Private” nga Ëashingtoni,  kisha vizituar dy herë kufirin me Siri, në Turqi pra. Atje, si në rikujtim, pashë përpjekjet e një populli të tërë për jetë e mbijetesë – kërkonin hiç më shumë se kaq. Takova e punova me shumë sirianë. Intelektualë e aktivistë refugjatë që dëshpërimisht kërkonin mbështetje nga jashtë. Mbështetja megjithatë ishte larg, për të mos thënë në mosardhje. Me vete, gjithsesi, mora dhe një ndjenjë të lidhjes e keqardhjes për fatin e një populli të tërë, të cilët, në momente të rënda historike, kishin mbetur të vetëm.

Dikur isha edhe unë refugjat. Për dallim nga ta, fati im ishte më i mirë. Në të vërtetë jashtëzakonisht më i mirë. Tregimi im, për dallim nga ta pra, përfshinte një ndërhyrje ushtarake të të gjithë botës, hapje të dyerve për refugjatë nga e gjithë bota, dhe përfundim i strehimit si refugjat për diçka më pak se tre muaj. Sirianët, në anën tjetër, intervenimin ushtarak nga jashtë as që e kishin më të pritur, dyert për ikje ishin të mbyllura gjithandej, e tre muajt e parë kishin ikur kaherë – ishin bërë tre vjet.

Kosova natyrisht se kishte një fat tjetër; fat të cilin, fatkeqësisht kemi filluar ta trajtojmë me plot indiferencë së fundmi. Thuajse se liria, e drejta për të qenë i lirë – apo veç për të qenë – është e mirëqenë. Kosova, për miqtë sirian, shihej një model ëndërr i përfundimit të vendit të tyre. Madje, paralajmërimet e diskutimeve për një të ardhme ku rindërtimi do të ketë plot korrupsion, hajni, padrejtësi e pabarazi dukeshin aq të parëndësishme, përderisa, siç më thonin, të ktheheshin sërish të lirë në vendin e tyre. Sa shumë ngjasonte me bindjet tona dy e më shumë dekada më parë.

-2-

Kompleksiteti i konfliktit sirian, i ndërlidhur me grupacione etnike, religjioze e së fundmi me fryma lunatike ekstremiste që tërheqin psikopatët nga e gjithë bota, kishte bërë Sirinë një vend të pashpresë tash e sa vjet. Dhe sado që konflikti ngrihej ditë e më shumë, fundi i tij bëhej më i paqartë. Edhe më e paqartë bëhej dita e parë pas përfundimit kur miliona fëmijë do të ishin pa shumë vite shkollë, miliona të rritur pa punë – një vend i tërë pa gjë.

Përballë një paqartësie të tillë për të ardhmen gjendej edhe një paqartësi tjetër ndërkombëtare për të tashmen. Ndërhyrja ushtarake perëndimore mund të kishte qenë afër shumë vite më parë; sot ajo duket e pa gjasë. Luftimet përbënin një lëmsh të vërtetë.

Qeveria e Assadit që ndihmohej herë fshehtë e herë publikisht nga Rusia e Irani, e së fundmi dhe me forca paramilitare nga Hezbollahu, sado që ishte ngushtuar në ndikim, ushtronte ende forcë të mjaftueshme ushtarake nëpër Siri. Mbi të gjitha, ekzistenca e regjimit dhe kontrollit të tij mbi ushtri, parandalonte ndërtimin e një uniteti të ri sirian (të të gjitha etnive e grupacioneve religjioze) që do ti bënte ballë nesër ISIS-it. Në arenën perëndimore, Assad i kishte shpëtuar mjeshtërisht intervenimit ushtarak falë Rusisë. Së fundmi madje, ai kishte filluar të portretizonte veten si hero i kundërterrorizmit të ISIS. Ç’është e vërteta, veprat e tij dhe të ISIS ishin jashtëzakonisht të ngjashme. Qindra mijëra viktima të shkaktuara nga të dyja anët mizorisht.

Përballë Assad – dhe gjithkujt tjetër – ishte Shteti Islamik në Irak e Siri. I përbërë nga luftëtarë lokalë e nga e të çmendur nga e gjithë bota, ISIS përbënte forcën më të madhe ushtarake në Siri. Përgjatë disa viteve veprimi të lirë, ata veçse kishin ndërtuar mekanizmat e vetëqëndrushmërisë ekonomike e financiare, të cilat i siguronin më shumë qetësi. Sipas llogaritjeve të kolegëve nga Forumi Ekonomik Sirian, ISIS gjeneron edhe sot e kësaj dite mbi 3 milionë euro nga rafineritë individuale të naftës në Siri. Veprimet e tyre, ndër të tjerash, mbështeteshin edhe nga individë e bzinesmenë të pasur nga Arabia Saudite.

Kundrejt regjimit dhe ISIS-it njëtrajtësisht, ishte shpërfaqur Al-Nusra. Ajo përbëhej kryesisht nga luftëtarë sirianë; të cilët megjithatë kishin shprehur aleancë me Al-Qaedan. Ishte pikërisht kjo aleancë që nuk e bënte dot këtë forcë aleate serioze e kredibile të Perëndimit.

Kurdët, si forcë e katër në rajon, ishin në luftë të drejtpërdrejtë me ISIS-in. Përgjatë një kohe të gjatë, ata kishin një pakt të heshtur me rejgimin e Assadit për të mos ushtruar luftë ndaj njëri tjetrit. Kurdët mund të ishin një forcë kredibile për luftën kundër ISIS, por ata, për të gjitha qëllimet nacionale që bartnin në Siri, Irak e Turqi, përbënin një zgjidhje jo të mjaftueshme për të ardhmen e përbashkët siriane.

Dhe krejt në fund, ishin forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane; një grupacion i dërmuar, por me mbështetje nga perëndimi. Ushtria e Lirë Siriane merrte mbështetje të konsiderueshme edhe nga shtetet e rajonit; të dalluara ishin Turqia dhe Kuvajti.

Kjo përbërje e forcave vendore, e ndërlidhur me një përballje tjetër të forcave rajonale – të Turqisë, Kuvajtit, Arabisë Saudite e Iranit; dhe përfundimisht në një diskrepancë qëndrimesh në mes të Perëndimit e Rusisë, kishin bërë pikërisht Sirinë vend të pashpresë; ku gjithkush luftonte ndaj gjithkujt. Natyrisht, një relacion i tillë, kishte prodhuar mbi 9 milionë refugjatë sirianë për këto vjet.

-3-

Përtej kompleksitetit të luftës, kriza siriane ka nisur një kompleksitet të ri refugjatësh. Numri më i madh i tyre, nga 9 milionët, janë shpërndarë nëpër vendet rajonale, në Turqi, Lebanon, Egjipt, Jordan e në Irak. Disa nga ta kishin marrë Mesdhenë, për të përfunduar në Evropë. Jo të gjithë gjithsesi – mijëra të vdekur në det – gra, fëmijë, pleq, të rinj e të reja, të gjithë. I fundit ishte dhe Aylani 3 vjeç.

Dhe në gjithë këtë kaos të trajtimit e mostrajtimit të njerëzve në hall, gjinden dhe vendet arabe të Gjirit, të cilat, ndonëse me mundësi e kapacitete të bollshme ekonomike e financiare, vazhdojnë të refuzojnë pranimin e refugjatëve sirinianë. Shtetet si Kuvajti, Arabia Saudite, Katari, Bahrain e Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë të ardhura për kokë banori dyfish më të lartë se sa të secilit vend evropian; përfshirë dhe Gjermaninë, Francën, Anglinë e Italinë. Dyfish pra. E secili nga këto shtete arabe ka refuzuar të pranojë refugjatë nga Siria. U kërkojnë viza. Trajtimi johuman i tyre gjithsesi nuk më shpreh habi. Habi më shpreh indiferenca Evropiane përballë një krize si kjo.

Evropa, si në shumë raste e konflikte paraprake, vazhdon të tregohet e ngadaltë , pa unitet e me më shumë kokëçarje e dilema se sa zgjidhje për njerëzoren. Ndonëse thirrjet për pranim e mirëseardhje po marrin hov gjithandej, ato mbesin të pakta, të pamjaftueshme e përgjithësisht të padobishme për të dhënë zgjidhje. Siria dhe sirianët, meritojnë trajtim më njerëzor, më evropian, më perëndimor. Në fund të fundit, problemi sirian është dhe brengë e kontinentit tonë.

Për fatin e keq të të gjithëve, numri i refugjatëve sirian vetëm se do të rritet; prandaj dhe indiferenca nuk bën më zgjidhje. Mbi të gjitha, për aq sa konflikti sirian mbetet i paadresuar nga forcat ushtarake perëndimore – të vetmet që mund të vënë rend sikurse siç vënë rend në Kosovë gjashtëmbëdhjetë vite më parë – refugjatët veçse do të shtohen; tregimet do të bëhen më të trishta, e fotografitë dhe më të dhimbshme.

Të gjitha këto së bashku do të përndjekin këtë gjeneratë të njerëzimit deri në përjetësi. Do të pyesin ata që vijnë pas, mbi aftësinë rishtuese të indiferencës sonë; të një primitivizmi trajtues ndaj tjetrit që e kemi sot – si njerëz – gjithandej.