Thursday 31 May 2012

TRI PËRRALLA NGA ZULLULANDI


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 QERSHOR 2012

Tregimet për vdekjen e Parlamentit, largimin Evropian e diplomacinë e puthjeve


“Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni punoni. O Shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën” (Faik Konica, 1922).

Përralla 1: Devijimi, Gabimi dhe Zhvlerësimi

“Rekomandim do të thotë këshillë”, thoshte kryeparlamentari Krasniqi në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Republikës, sa për të përshkruar me perfeksionin më të madh agoninë në të cilën është futur institucioni tij, vota e qytetarëve të tij, e vendi i tij. “Rekomandim do të thotë këshillë” shpjegon dhe tashmë traditën e devijimit të argumentit sa herë që zihen në qoshe verbuesit e politikave totalitare në vend. Së pari, me një shpjegim kaq të panevojshëm, thuajse Kosova nuk bën dot kuptimin e fjalës “rekomandim”, institucioni i popullit mundohet të largojë gjithë diskutimin nga thelbi i argumentit, e që në esencë është se pse Parlamenti vazhdon bisedimet me Serbinë kur ka të zhdukurit që i kalben pa varre.  Dhe së dyti, me një shpjegim të tillë i bëhet me dije gjithkujt se në Kosovë ka gjithçka veçse sistem demokratik; në këtë sistem Parlamenti ka humbur gjithë rëndësinë, peshën e fuqinë që ka pasur ndonjëherë. Parlament më të lodhtë, më të pafuqishëm e më skandaloz se ky tani, Kosova nuk ka pasur asnjëherë.

Për ti shpjeguar kryeparlamentarit dhe të tjerëve, kosovarët nuk vuajnë nga mungesa e dijeve për sinonime, ndonëse për një pjesë të madhe të politikbërësve një konstatim i tillë dhe mund të mos qëndroj, por kosovarët vuajnë nga mungesa e zërit të tyre në një qeverisje që përjashton çdo agjendë e mendim ndryshe nga ai i mbretit. Nëse vendimet e Parlamentit të Republikës, institucionit të vetëm ligjvënës në Kosovë janë asgjë më shumë se sugjerime, i bie se në një përkthim të thjeshtë kosovarët kanë të drejtë të bëjnë një dëshirë, këtë dëshirë ta ngrijnë nëpërmjet votës së tyre në Parlament e më pas kjo dëshirë të përcillet tek mbreti, i cili më pas në varësi nga disponimi në mëngjes mund të vendosë për ose kundër një dëshire të tillë. E kjo nuk bën demokracinë!

Nëse Parlamenti bën rekomandime, atëherë a bëhen rekomandime dhe të gjitha ligjet që ky institucion nxjerr? Nëse fjalët e Parlamentit janë rekomandime atëherë nga sot të gjithë dy milionë e ca kosovarë mund të shpërfillin me lehtësinë më të madhe rekomandimin e Parlamentit për, le të themi, pagesën e tatimeve; nga sot neve edhe nuk na pëlqen kjo këshillë. Ide të tilla minimizuese që vijnë nga tempulli i votës bëjnë paradoksin institucional, vënien e anarkisë nga vet institucionet.

Stili i debatit, pra heqja e vëmendjes, si dhe vendimet rekomanduese, pra zhvlerësimi i Parlamentit, nuk janë risi për Kosovën. Ato veçse po bëhen të zakonshme. Kujtoni rastin e mocionit të reciprocitetit të nxjerrë në janar të këtij viti; është kopje identike e këtij të tanishmit. Edhe atëherë sikurse tani debati u devijua duke thënë se “ne nuk mundemi të rregullojmë tregtinë me Serbinë kamion për kamion” ani pse as edhe një zë nuk kërkonte një gjë të tillë. E tëra çfarë kërkohej atëherë ishte reciprocitet në dokumente e trajtim, por jo në sasi. Edhe atëherë sikurse tani, kur mocioni kaloj (ndoshta në befasi) u tha se deputetët nuk kishin ditur për çfarë kishin votuar. Kjo bën hapin e dytë të tendencës zhvlerësuese. Ndonëse nuk dyshoj se një pjesë bukur e mirë e tyre dhe nuk kanë haber se për çfarë janë aty, lëre më të japin kokërr, në esencë shkasi i mosaftësisë për të bërë dallimin në votim është veçse një mjet i parafundit në rrënimin e Parlamentit; i fundit është rekomandimi. Edhe tani sikurse në rastin e reciprocitetit, kur devijimi nuk bëri punë, kur padituria në votim nuk piu ujë, u tha se vendimet e Parlamentit janë vetëm rekomandime.

As që dua të arsyetoj e argumentoj mbi nevojën e zbardhjes së fatit të të zhdukurve si parakusht për negociata tanimë me radikalët serb, kasapët e fundit të Evropës. Me pak fije dinjitet, me pak fije fytyrë, me pak fije dhimbsuni për familjet që nuk flenë qetë tash e trembëdhjetë vjet, të vetë-shpallurit patriot të fundit të Kosovës, “heronjtë” e gjallë e “kontribuuesit” e papërsëritshëm të gjithçkaje që na rrethon, do të duhej të vënin gishtin në kokë, merrnin frymë thellë e të mendonin për pak kohë me zemër e mend. Për pak kohë të thonin atë çfarë sensi i gjithë shqiptarëve të Kosovës e përtypë mëngjes e darkë, se pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve, pa kërkim falje, pa zhbërje të tendencave shfarosëse, ne nuk kemi pse të ndajmë tavolinën me shtetin serb.


Përralla 2: Konspiracioni evropian

“BE rëndon kushtet për Kosovën” ishte titulli i ballinave kosovare javën që shkoi, sa për të shpjeguar relacionet e getos së fundit evropiane me familjen e vlerave moderne. Tashti, “BE rëndon kushtet për Kosovën” tregon dhe për katandisjen e punëve brenda. Së pari, kriteret e BE-së janë të njëjta; ato thjeshtë janë standarde që duhet përmbushur. Largimi ynë nga këto standarde, në fakt, është rëndesë e vet kushteve. Faj nuk na ka kush që zhvlerësojmë Parlamentin, faj nuk na kush që vjedhim shtëpinë, faj nuk na ka kush që krimi i organizuar e mafia na sorollaten si në bahçe të babës. Kushtet i rëndojmë vet se vjedhim vota, vjedhim pare, vjedhim ardhmërinë. Kushtet i rëndojmë vet se kontrollojmë gjyqe e polici, media e administratë, universitet e shëndetësi.

Fjala shtet është fjalë e madhe. Është më tepër se sa rahatimi i familjeve, mëhallëve e akrabave në kurriz të vlerave të drejta. Fjala shtet do të thotë vullnet për të bërë drejt, për të ndërtuar institucione që do mund të të gjykojnë edhe kur nuk e ke me vend, e jo që të ndërtosh institucione, ti kontrollosh e më pas të thirresh në rend institucional, ani pse në shumicën e rasteve as ti shqiptosh drejtë nuk di.

Por ne nuk do të jemi asnjëherë të sinqertë me kosovarët tanë. Do tu themi se “Evropa shtrigë”, ajo “plaka e vjetër” ka zili e inat ndaj nesh. Do tu themi se pesëqind e një milionë evropianë të BE-së, kanë zili e inat ndaj 2 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë të fundit në Evropë që  nuk mund të marrin dot liberalizimin e vizave, ani pse prijësi i tyre vite më parë i kishte premtuar lëvizje të lirë në pak muaj, dhe në një paraqitje tjetër kishte thënë se premtimi i tij ishte realizuar (kjo bën pjesë në atë filozofinë politike devijuese si në rastin e Parlamentit). Kosovarë, ata zili nuk na kanë, as inat. Por ashtu siç jemi sot, përderisa vjedhim paranë publike, lejojmë mafiozë e giliptera të na bëjnë rregullin e rrugëve, përderisa i bëjmë gjithë të zezat e botës, ata nuk na shohin fare. Këtu, fjalët e Konicës do të jenë gjithnjë me vend (Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër) .

Dhe me të njëjtin stil na u trajtua kërkesa e sportistes tonë më me nam, Majlinda Kelmendit, e cila jo që nuk u lejua të garojë me ngjyrat e shtetit që u njoh nga plot 90 vende të Kombeve të Bashkuara, por as si e pavarur, siç dhe ishin praktikat e mëhershme në raste me konteste. Dhe ndodh kështu meqë Majlindën nuk ka kush ta mbrojë në organizime të tilla, ndodh kështu meqë shteti i saj po hahet në vete. Shteti i Majlindës ka punë më të mençur se sa përfaqësimi me dinjitet; e ka hajninë në rend të parë. Mos më keqkuptoni. Mbledhja e fundit e Komiteti Olimpik është vetëm një finale e një sërë matrapazllëqeve të bëra nëpër vite. Sikur ne të bënim shtet në këto 13 vite, e jo pasuri për politikanë tanë, sikur ne të bënim drejtësi, e jo rrënim institucional, Kosova sot do të ishte vendi më simpatik në botë. Do të merrej shembull i diplomacive ndërkombëtare se si mundi perëndimor nuk ka shkuar huq. Në vend të kësaj, sot disa nuk të presin, disa nuk duan të jenë me një foto me ty, disa të takojnë në korridoret e aeroportit, e të tjerë nuk të llogarisin fare. Siç janë gjërat tani, ne në Evropë vetëm me” fustan lartë e brekë kërkah” – kështu po se po bëhemi lajm!


Përralla 3: Diplomacia e puthjeve

“Kafene të tejmbushura në pasdite... të rinj me puthje në rrugë” thoshte paragrafi i Strategjisë së Diplomacisë Ekonomike që Ministria e Punëve të Jashtme kishte nxjerrë në përpjekje për të tërhequr investitorët potencial. Fjalët “...me puthje në rrugë” tregojnë dhe brishtësinë e qeverisjes kosovare e cila nëse asgjë tjetër është e mbushur me njerëz totalisht të paditur, pa përgjegjësi e pa fije dëshire për të bërë punë serioze për vendin. Po mund ta parafytyroj shkruesin e rreshtave si këto, një i ardhur me porosi, me lidhje familjare, e i cili për atë vend ka larguar dhjetë të tjerë; studentë të dalluar e shkolluar mirë, mu si puna e atyre marrësve të bursave të Komisionit Evropian që kishin mbetur pa punë edhe pas përfundimit të studimeve.

 Nuk di se a e dinë hartuesit e kësaj paçavure çfarë do të thonë fjalët “strategji”, “diplomaci” e “ekonomi”? A e dinë “diplomatët” tanë që mburren me stafin që kanë, se përtej një fjale që tingëllon bukur, “diplomacia” është shkencë që ka gjithçka veçse “puthje e kafene të të rinjve”. A e dinë “diplomatët” tanë se “strategji” nuk është një menu kafiterie, por një vizion e hartë; është një shtyllë? A e dinë “diplomatët” tanë që koncepti “ekonomi” nuk bën vizitën nëpër sheshe e kafene të mbushura me të rinj, por një tansi sjelljesh që... nejse. Ata nuk dinë gjë!

Problemi në esencë është se ne hartojmë e hartojmë dokumente sa për sy e faqe, përfshirë edhe diçka si ky i puthjeve, apo sikurse ai i Bullgarisë muaj më parë, por në fund të ditës i zhvlerësojmë pa fije brenge. Dhe kjo për dy arsye, një, sepse si në rastin e puthjeve e i Planit Bullgar, ne prodhojmë një dokument në nuancat e kualitetit të një hartimi të një nxënësi mesatar në fillore, dhe dy, sepse ne nuk besojmë në dokumente,e planifikime e vizione. Ne thjeshtë besojmë në intuitën e mbretit. Thënë këtë, në fund të ditës, ne besojmë në fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Në fund të ditës ne merremi me fjalorë në Parlament sa për të humbur fijen e argumentit, merremi me teori të konspiracionit për sjelljet e Evropës ndaj nesh, e merremi me puthje si atraksion i diplomacisë ekonomike.

Prandaj, “o Shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën”.


Friday 25 May 2012

RRETH KOSOVËS, PËR KOSOVËN

Letra nga limbo
KOHA DITORE,  25 MAJ 2012


Institucionalizimi kamikaz serb me zgjedhjen e radikalëve është një mundësi e artë për Kosovën që të ndërrojë tërësisht qasjen ndaj veriut, të avancojë në relacione ndërkombëtare e të parandalojë gjithë ata amatorizma politikë të krijuar gjatë dialogut 

Në rrethana normale, trembëdhjetë vjet pas luftës, zgjedhjet në Serbi nuk do të duhej të ishin fare subjekt diskutimi në Kosovë, por ja që pas kaq shumë kohësh ne ende vazhdojmë të jemi me një vesh atje. Kjo ndoshta, sepse politika jonë e treguar nëpër vite ka qenë më tepër reaktive se sa proaktive; pra ne në vazhdimësi varemi nga veprimet e të tjerëve. Sidoqoftë, m’u duken mjaft befasuese deklaratat më tepër populliste se sa me sens real se zgjedhjet në Serbi nuk përbëjnë ndonjë ndikim thelbësor për vendin tonë. Thënë të drejtën në proceset ku jemi tani dhe me gafat politike të bëra që nga pranvera e vitit 2011, kur dhe pranuam dialogimin si pa kokë, Serbia është tani një faktor i ecjes sonë evropiane njësoj që jemi dhe ne për ta. Prandaj ardhja e një radikali në krye të shtetit më armiqësor për Kosovën po se po është lajm që duhet të marrë pak interes nga ne.

Së pari, zgjedhja e Nikoliqit përballë Tadiq bën një goditje befasuese jo vetëm për çdo ndërkombëtar që me pak interes kishte përcjellë rrethanat në Ballkan, por bën dhe rrënimin e gjithë asaj politike evropiane që me çdo ngulm e mund kishte investuar në një politikan të moderuar. Së dyti, zgjedhja e radikalit është edhe një shuplakë fytyre për gjithë atë trysni të vënë drejt Kosovës për të pranuar çdo propozim serb sa për të mos zgjuar atje radikalët. Tashti kur radikalët u zgjuan pavarësisht kompromiseve kosovare, dikush në Bruksel duhet të mendojë mirë e gjatë për konsekuencat e një politike kaq naive dhe për ndërrimin rrënjësor të qasjes ndaj Serbisë; ndoshta në Serbi “karota” nuk do bëjë punë asnjëherë. Së treti, e që është më e rëndësishmja për ne, një zgjedhje si kjo tregon mentalitetin e një kombi të tërë që u kthehet vlerave radikale, nacionaliste e fashiste të viteve 90-ta. Serbët pas gjithë atyre luftërave, masakrave, krimeve njerëzore e kush e di çka tjetër, me votat e dhëna drejt Nikoliqit si trashëgimtar i Sheshelit, e Daçiq si trashëgimtar i Milosheviqit, japin një mesazh sa dëshpërues aq edhe patetik për vizionin e tyre drejt një fqinjësie potenciale. Ata jo që nuk janë penduar për sjellje çnjerëzore të bëra në vite, por shkaktarëve kryesorë politikë të kohërave të errëta u rijapin fuqi, forcë e autoritet, duke ushqyer kështu apetitet e gërditshme për dominancë ndaj të tjerëve.

Në gjithë këtë fotografi ne duhet të bëjmë politikë, jo kreative, por paraprijëse. Fillimisht ne duhet t’i heqim iluzionet se Serbia do të ketë ndonjëherë edhe tendencën më të vogël pozitive ndaj nesh. E nëse zhvishemi nga iluzionet si këto ne dhe do të kuptojmë pakuptimësinë e zhvillimit të dialogut me ta. Në fund të fundit çfarë ke për të biseduar me një shtet që të thotë se ti nuk duhet të ekzistosh?! Për më tepër, si mund të bisedojmë me fashistë e racistë që në vazhdimësi shprehin admirim për zhdukjen tënde me kreacione që edhe Hitchcock-u do i kishte lakmi; vazhdimi i dialogut me radikalët e nacionalistë është tërësisht i pakuptimtë, me ta njeriu mund të takohet vetëm në nishan. E tërheqja nga çdo hap dialogues me pretekstin e mosdëshirës për të dialoguar me radikalë është dera dalëse e vetme për Kosovën që në procesin dialogues ka hyrë pa konsensus të brendshëm, pa ndonjë garanci në përfitime e pa ndonjë ide se ka duhet të shkohet. Në fund të fundit ne dhe duhet të bëjmë politikën tonë ashtu siç na e do nevoja e mbrojtjes së interesave nacionale e jo si një diplomat i Brukselit sheh interesat rajonale; madje pas zgjedhjeve të fundit në Serbi është e qartë se diplomati brukselian nuk ka lidhje me politikë.

Së dyti, Kosova ka mundësinë e shkëlqyeshme që të fitojë poenë politikë përballë bashkësisë ndërkombëtare. Le ta themi troç, me zgjedhjen e Nikoliqit si president vendi, Serbia ka qëlluar veten në këmbë. Reagimi i mediave ndërkombëtare ishte sa befasues aq edhe ngjallës i dëshpërimit. Në çdo lajm të huaj nënvizohej preferenca pro-ruse e presidentit të ri serb si dhe dyshimet e vëna nga ai për orientimin evropian. Pra radikali serb ka një barrë e njollë (nga historia që ndërtoi ai vetë) që Kosova mund ta shfrytëzojë me mjeshtëri po deshi e diti. Mjafton që nga një shfletim i lehtë në Google të nxjerrësh gjithë ato deklarata skandaloze të bëra nga radikali serb jo vetëm për shqiptarët, por dhe për popujt tjerë të Ballkanit, e besa dhe për vlerat perëndimore. Pse mos t’ia bëjmë me dije botës se me çfarë pale kemi të bëjmë?!

Së treti, ne sot kemi një Serbi që megjithatë nuk paska ndryshuar, madje përkundër bindjeve të kryenegociatores sonë naive që në disa raste shprehte me plot zell lajmin se Serbia megjithatë nuk është ajo e vjetra; ne sot kemi një Serbi radikale të trashëgimtarëve të Sheshelit e Milosheviqit që domosdo do të rrotullojë qasjen e vendit të tyre ndaj nesh. Dhe këtë rrotullim do ta nisin nga veriu ku radikalizmi shitet dhe më shumë. Për ne kjo ka rëndësi për të definuar politikën tonë ndaj veriut meqë përderisa radikalët (tashti institucionalë) do të nxisin masat serbe në rebelim e urrejtje ne do t’u ofrojmë atyre kioska, zyra biseduese, tavolina negociuese e broçkulla si këto. Nga ky vit shpresat se dialogu dhe bisedimi si mjete të vetme për dhënien e zgjidhjes për veri janë të vdekura. Serbët atje do të marrin më shumë zemër, më shumë para e më shumë mbështetje për të protestuar, rrënuar e refuzuar çdo tendencë paqësore kosovare. Ata tani kanë një shpinë të mbuluar mirë. Në rrethana si këto Kosova duhet vetëm të reflektojë. Këtë herë me më shumë mend e edhe me më shumë forcë. Ne duhet urgjentisht të shfrytëzojmë antipatinë evropiane për radikalizmin serb duke dërguar mekanizmat e ligjit në veri. Reagimi radikal në Beograd do të jetë vetëm reagim fjalësh me një gjuhë domosdo urrejtjeje e nxitëse e dhunës, por që do të reflektonte edhe më shumë antipati ndërkombëtare. Nuk shoh asnjë qeveri evropiane të renditet në vijë me radikalët serbë. Në gjithë këtë hallakamë, po patëm mend, veriu do të vihej lehtë nën spektrin e ligjit, pas të cilit oferta jonë do të ishte e njëjta për serbët jugorë, pra Pakoja e famshme e Ahtisarit.

Çfarë unë megjithatë kam frikë të shoh është vazhdimi i amatorizmit politik nëpërmjet vazhdimit të dialogut me radikalët serbë përkundër mosrespektimit të asnjë marrëveshjeje paraprake. Kam frikë të shoh dhe zbutjen tonë përballë nacionalizmit në rritje në veri e me këtë dhe kthim mbrapa në disa vite. Dhe në fund, kam frikë të shoh paaftësinë tonë për të shndërruar këtë miniavantazh të dhënë nga vendimi kamikaz serb në një çelës të zgjidhjes sonë përballë interesave proevropiane. Në gjithë këtë fotografi do të jem mjaft kurioz të kuptoj se kush ka tagër e guxim të shtrëngojë dorë me pasardhësit e kasapëve të Ballkanit.

Thursday 17 May 2012

NJË TREGIM PËR SEKTORIN PRIVAT


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 MAJ 2012

Paradigma e zhvillimit ekonomik përtej barazimit të librave dhe tjetërsimit të pronës


Këtë javë misioni i UNDP-së në Kosovë publikoj raportin e shtatë të radhës të Zhvillimit Njerëzor për Kosovën, e që në fokus këtë herë kishte sektorin privat dhe punësimin. Raporti në fjalë bënte një përmbledhje të figurave makroekonomike në vend, të nomenklaturës ekonomike dhe të barrierave kryesore me të cilat ballafaqohen sot ndërmarrjet kosovare.

Përzgjedhja e sektorit privat në një raport zhvillimor njerëzor nuk ishte e rastësishme. Së pari, të shtyrë nga një strukturë tërësisht të paqëndrueshme ekonomike në të cilët ndodhet Kosova nevoja për një sektor privat të qëndrueshëm është më tepër se një nevojë, është domosdoshmëri. Them e paqëndrueshme meqë zhvillimi ynë ekonomik sot varet tërësisht nga shpenzimet qeveritare, nga donacionet dhe nga remitencat. Të paqëndrueshme janë remitencat meqë të njëjtat janë ne korrelacion negative me kohën; madje Kosova sot ka problemin e gjeneratës së tretë dhe largimin e tyre gradual me lidhjet tradicionale me vendin tonë. Të paqëndrueshme janë donacionet meqë Kosova po kalon gradualisht nga një marrëdhënie ndihme në një marrëdhënie kredimarrëse; gjithmonë për shkak të risive në politikat ndërkombëtare dhe ndërrimit të fokusit nga Evropa drejt vendeve me më nevojë (siç janë shtetet e pranverës arabe) . Dhe në fund, të paqëndrueshme janë shpenzimet qeveritare meqë nevojat për rrugë e shkolla eventualisht do të zhbëhen; madje në frymë me planifikimet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2013-1017 (nëse këto planifikime qëndrojnë) ato do të reduktohen për 11% qysh në vitin 2014. Së dyti, sektori privat do të duhej të marr fokus studimor meqë i njëjti nuk po merr frymë fare. Kjo frymëmarrje bëhet edhe më e rrallë sa herë që politikat qendrore bëjnë gafa e akrobacione ekonomike. Së treti, në një ambient ku gjithçka publike shenjtërohet e gjithçka private ngushtohet, krijimi i vendeve të reja të punës dhe zhbërja e varfërisë është thjesht mision i pamundur. Dhe ky moskrijim i vendeve të reja të punës është matësi më i mirë i peshores së punës së Qeverisë sonë. Ata mund të thirren e çirren për suksese, prosperitet, stabilitet e zhvillim, por asnjëra nuk merr peshë e ngjyrë po nuk pat vende të reja të punës, produkt final i çdo politike.

Është thënë shpesh se për të filluar uljen e normës së papunësisë në vend, Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike prej 8-10%. Për të shuar kuriozitetin e juaj, rritja ekonomike e deritanishme në vend varion nga 4 deri në 5%, e që do të thotë se ne as për së afërmi nuk i afrohemi objektivave të domosdoshme; ani pse i madh e i vogël renditet në Qeveri për të lavdëruar këtë rritje. Edhe më e rëndë rritja bëhet kur kihet parasysh fakti se e njëjta është tërësisht e koncentruar në një grup të vogël njerëzish, pra as që është rritje proporcionale e vendit. Pavarësisht kësaj, bartësit e vendimmarrjes në vend duhet të kuptojnë një herë e mirë se rritja e nevojshme për Kosovën, ajo prej 8-10% nuk do të arrihet asnjëherë pa një pjesëmarrje substanciale të sektorit privat në të. Pjesëmarrja e sektorit privat në këtë rritje nuk do të bëhet asnjëherë pa rritjen thelbësore të investimeve private, e rritja thelbësore e investimeve private nuk do të bëhet asnjëherë pa ndërrim radikal të paradigmës ekonomike. Paradigma e sodit ekonomike mbështetet tërësisht në numrat e buxhetit e balancimin e librave si dhe në procesin e famshëm “privatizim pa liberalizim” praktikë kjo sui-generis. Them sui-generis meqë njeriu mund të dëgjojë për një filozofi liberale ku gjithçka privatizohet dhe më pas liberalizohet, apo edhe një filozofi të kundërt të shtetit zhvillimor ku gjithçka mbetet në pronësi publike por prapë liberalizohet (duke mundësuar kështu konkurrencë të barabartë si për sektorin privat dhe atë publik), por një filozofi privatizim e joliberalizim nuk është parë asnjëherë në asnjë vend në botë.

Sidoqoftë, një koncept i balancit të librave dhe tjetërsimit të pronës (pa liberalizim) është i humbur qysh në start. Madje, po dëgjuat me vëmendje daljet në publik të ekonomistëve qeveritarë, kuptoni se sa e varfër është alternativa nga ta. Nuk gjen njeriu dot një alternativë tjetër që kapërcen kufijtë e privatizimit të disa ndërmarrjeve publike e që në rastin më të mirë, privatizimi i tillë (edhe po u bë shkëlqyeshëm) nuk do të akomodojë as gjysmën e të papunëve që tregu kosovar jep në një vit.  Edhe po privatizuam të gjitha ndërmarrjet publike, nga KEK në PTK e deri te Trepça, në rastin më të mirë numri i vendeve të reja të punës nuk do të kalojë as 10 mijë. Numri vjetor i të papunëve të rinj në vend është plot 25 mijë. Në vend të kësaj, Kosova ka plot 65.000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Sikur gjysma e tyre të krijojnë në mesatare një vend pune në vjet, në dhjetë vitet e ardhshme Kosova do të kishte normë njëshifrore të papunësisë. Dhe ky, për mendimin tim, është çelësi i zhvillimit ekonomik.

Por pse nuk merr frymë sektori privat? Raporti i UNDP-së jep një listë barrierash të vetëdeklaruara nga 600 ndërmarrje kosovare, numër ky i mjaftueshëm për të derivuar konkluza për gjithë popullacionin. Në këtë listë, për herë të parë që nga paslufta, e para renditet “konkurrenca e padrejtë”. Në një elaborim pak më thelbësor, një ambient i pabarabartë konkurrues në Kosovë sot krijohet nga prezenca e lartë e informalitetit, nga niveli alarmant i korrupsionit dhe nga mosfunksionimi total i gjykatave në relacion me bizneset. Sipas raportit të UNDP-së, Kosova ka një evazion fiskal dhe një informalitet të fuqisë punëtore në nivel prej 40%. Një numër kaq i tmerrshëm tregon se jo vetëm që vendi humbë pothuajse 40% të të hyrave buxhetore çdo vit, por se ne kemi një anarki totale në treg. Në këtë anarki që buron nga trajtimi jobarabartë i bizneseve krijohen dhe defekte në efiçencë, defekte në kualitet e defekte në çmime. Ka një arsye edhe më të shëndoshë se pse kjo barrierë bëhet thelbësore këtë vit. Kujtoni vitin e kaluar gjahun e ATK-së dhe Doganve për të mbushur hendekun buxhetor. Fatkeqësisht ky gjah nuk ishte i barabartë tek të gjithë, ai bënte selektimin e paguesve të rregullt; rrjedhimisht të njëjtit sot reflektojnë me një rangim kaq dramatik. E për ndërmarrjet kosovare, lajmi bëhet edhe më i zi këtë vit në mungesë të paraqitjeve bombastike të përfaqësuesve mbledhës kosovarë që kanë harruar konferencat për media. Kanë harruar meqë plani mbledhës i të hyrave këtë vit po çalon dukshëm, prandaj dhe nuk kan për çfarë të dalin. Por ja që në muajt në vijim për paguesit e rregullt vizitat, parapagimet e dënimet palidhje do të bëhen të zakonshme. Ata kanë për të mbushur shumë! Me po kaq fuqi goditet potenciali i sektorit privat edhe nga prezenca e korrupsionit, madje në një zbërthim të ndërmarrjeve vërehet se ky fenomen godet sidomos sektorët që kanë një vlerë më të shtuar e të cilët në hapin më ultim kanë mundësi për krijim të vendeve të reja të punës.

Alarmante në gjithë këtë rangim ishte edhe vlerësimi i lartë i “krimit të organizuar e mafias” që bënin vendin e dytë në listën e barrierave. Si asnjëherë më parë bizneset e intervistuara kishin dhënë shqetësimin e tyre për një fenomen të “perëndimit të egër”. Një zbërthim individual i kësaj barriere të ofronte fotografinë e  prezencës së vjedhjeve të rëndomta si dhe të “haraçit” tipik të pasluftës në Kosovë; të dyja këto rrisnin dukshëm koston e të bërit biznes dhe me këtë zhbënin çdo shpresë për vende të reja të punës. Pa habi se në një vend ku policia fle “të egrit” bëjnë rregullin. Pa habi se një vend ku politika shuan, mafia bën zotin e shtëpisë.

Grupi i tretë i barrierave ndërlidhej me koston e financimit. Të paktën me një normë interesi prej 14 deri në 15% çdo investim biznesor është i pamundur. Nuk besoj se ka industri legale në Kosovë që do të mund të arrinte një margjinë profiti sa normat e interesit. Thënë shkurt, një biznes i financuar prej bankave punon për bankat. Qasja në kredi për bizneset e reja apo dhe për aktivitetet e reja brenda bizneseve ekzistuese ishte thjeshtë e pamundur. Bankat thënë shkurt shfaqnin rezistencë ndaj çdo biznesi të paprovuar. Një relacion i tillë qysh në start mbytë çdo inovacion e ide të re biznesore. Se bizneset me bankat nuk kanë fare relacione të shëndosha shihej edhe prej treguesit të financimit. Rreth 74% e bizneseve nuk gjenerojnë fare kapital nga bankat por nga kapitali i vet, 10% nga miqt e familja dhe vetëm 10% nga bankat.

Një tregues po aq shqetësues në këtë raport ishte dhe rënia e punësimit në sektorin e prodhimtarisë, i vetmi i cili do të duhej të kishte ngritje në vend. Rritje substanciale kishte vetëm në sektorin e ndërtimit dhe të hotelerisë, të dy këto sektorë të paqëndrueshëm dhe për më tepër të patregtueshëm. I pari rritej kryesisht nga investimet publike dhe nga kërkesa e përkohshme për vendbanim në vendet urbane. Frikohem në një të ardhme të afërt se koncentrimi kaq i madh në industrinë e ndërtimit do të krijojë një “treg të fluskave”; por mos të ndjellim zi.

Një e dhënë po aq interesante ishte edhe paga mesatare në sektorin privat e cila nuk kalonte më shumë se 260 euro. Një krahasim me vendet e rajonit të jepte përshtypjen e qartë se edhe kur krijojmë vende pune, paga e dhënë është simbolike po u krahasua me të tjerët. Për shembull, paga mesatare në Serbi ishte 451 euro, apo gati dyfish sa e jona, ose ajo e Maqedonisë gati 521 euro, e Malit të Zi plot 772 euro; vetëm shqiptarët e Shqipërisë së shkretë kishin pagë mesatare më të ulët se e jona, vetëm 250 euro. Inkurajuese ishte se paga në vend ishte në korrelacion pozitiv të dallueshëm me nivelin akademik. Një i punësuar me studime post-diplomike, në mesatare, paguhej rreth 600 euro, apo trefish më shumë se një me shkollë fillore.  

Në fund fare, shqetësuese ishte edhe treguesi i kapitalit themeltar që rangonte paranë e diasporës në vetëm 5%. Mërgata e Kosovës konsiderohet si burim serioz i investimeve në të ardhmen, por me një ambient të tillë si ky tani zor se ne do të mund të marrim si investim ndonjë cent prej tyre. Paratë e diasporës ne i zhbëjmë në konsum, e me një bilanc tregtar si të vendit tonë çdo e ardhur nga jashtë kthehet poashtu jashtë, madje këtë herë në Serbi e Maqedoni, nga ku vjen edhe importi ynë.

Për t’iu kthyer edhe njëherë nevojës për një rritje ekonomike prej 8-10%, me një ambient të pabarabartë konkurrues, me kosto kaq të lartë financimi e me një politikë qendrore diskriminuese numrat e thënë janë vetëm numra dëshire; dhe do të mbesin të tillë. E përbashkëta e barrierave në fjalë ishte fakti se pothuajse të gjitha krijoheshin nga vet prezenca e shtetit në treg. Në pamundësi për të realizuar qëllimet e veta, një politikë qeveritare si mbledhja e taksave ka shkaktuar pabarazi serioze; apo politika tjetër e shpenzimit të parasë ka dhënë korrupsion e anomali enorme. Kosova ka dy alternativa në këtë drejtim: a) të zvogëlojë prezencën e vend në treg dhe të lë të njëjtin të vet-rregullohet, b) të ndal egon e vet të vjedhjes dhe të bëjë shtet. Derisa e dyta është e pakontestueshme edhe po të marrim të parën, them se e para shkurton rrugën e vuajtjes sonë ekonomike edhe po bëmë të dytën. Në fund të fundit jo vetëm PTK e KEK janë të Kosovës, edhe ai këpucëtari në skaj të ndërtesës është po aq i Kosovës; edhe ai krijon punë e vend pune. Por për të bërë të dyja, pra dhe a-në dhe b-në, ne kemi nevojë për një klasë politike që beson në sektorin privat e jo në xhepin privat. Ky pra është fillimi i frymëmarrjes.

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)

Friday 11 May 2012

PËR ÇKA LUFTUAM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 Maj 2012

Jo që të na vetëvriten njëzet e një çlirimtarë, e assesi që kamishoizmi të na bëhet vlerë

Verë 1999. Miku im A. po ngiste veturën e tij “Opel” (të paktën atë çfarë kishte mbetur nga ajo) nëpër rrugët e çoroditura të Prishtinës që ende nuk ishin mbushur me jetë. Një dorë e ngritur lart po i thoshte të ndalej pak. Dora ishte e një improvizuesi të rregullimit të komunikacionit, i cili po i kërkonte mikut tim, besoni ose jo, të hiqte rripin e sigurimit. “Jaran”, i kishte thënë ai, “ne s’luftuam qe të lidhemi; hiqe atë rrip!” Sado bizare që duket kërkesa e një polici çlirimtar për të hequr rripin e sigurimit, edhe më bizare bëhet ideja e shfrenimit total në çlirim dhe shpëlarja e shfrenimit me petkun e bërjes së luftës. Nëse asgjë tjetër, improvizuesi i shkretë do të duhej të dinte se ne luftuam që mu  një ditë të kemi rregullin tonë. Sidoqoftë, kjo ka pak rëndësi.

“Fast forward” trembëdhjetë vjet më vonë, arsyeja pas luftës është bërë një klishe pas shpërblimit të atyre që thirren se e kanë bërë atë. Ata janë të fuqishëm, të rreptë, të pakompromis; i thonë vetes patriotë. Çdokush tjetër që pretendon të dojë vendin e tij është një patriot i vonuar. Për ta kaptina e shënimeve patriotike është e mbyllur. Për ta patriotizmi nuk lind më. Ata janë një dhe nuk ka më. E meqë janë një e nuk ka më, çdo e mirë e çdo e gjë e lirë u takon atyre; atyre dhe askujt tjetër.


 Faqja e parë

Ish-ushtari Xh. është sot një bari, ka plot 25 dele. Fotografia e tij e marrë në qershor 1998 kishte bërë nam. Lotët si të një fëmije që po rridhnin rrudhave të një burri të zhbënin çdo fortësi. Ai qante për dy eprorët e tij të rënë në luftë. Sot, ushtari Xh. shpreh dëshpërim me rrjedhën e jetës së tij pas luftës. Sot lufta e tij nuk është më për vendin që e deshi më shumë se veten; është për mbijetesën diku thellë në malet e Rahovecit me ato pak dele që i japin ushqimin për katër fëmijë. Ai bën gjumin në pjesën e prapme të një kamionete të ndryshkur në mal. Paratë që do t’i jepnin atij e fëmijëve të tij jetesën e bollshme për një muaj i gëlltitë një zyrtare publike për një ditë si kontribut i mëditjes gjatë vizitës në Paris. Për këtë sigurisht nuk luftuam.

Ish-ushtari D. është një invalid lufte. Dy këmbë të amputuara, pa punë, pa të ardhura fare, jeton me lëmoshën sociale që nuk ka se si ta marrë meqë në pamundësi të plotë lëvizjeje ai s’arrin që plot nëntë muaj të ngrihet dot nga shtrati, merr shkallët e shtatë kateve e bëj disa qindra metra deri te barnatorja barnat e së cilës nuk ka me çka t’i paguajë. Vendi që mori këmbët e tij sot nuk jep as më të voglën mërzi. Për këtë sigurisht nuk luftuam.
 

Ish-ushtari A. sot është i vetëvrarë. I ndjeri ishte i papunë që nga dita kur hoqi uniformën e pastroi pushkën e luftës për herë të fundit. I përballur me skamje ai bën numrin njëzet e një të ushtarëve të vetëvrarë që nga përfundimi i luftës. Njëzet e një burra të harruar nga vendi për të cilin dhanë gjithçka e morën asgjë. Për këtë sigurisht nuk luftuam.

Ish-ushtari, “Kamishi”, sot është deputet, asistent, diplomat e ekspert. “Kamishi” për herë të parë u bë fytyrë publike më 25 prill 2010, kur edhe kishte nxjerrë revolen në mes të Mitrovicës për të kërcënuar një grup tifozësh futbolli. E kishin lidhur Polica e Kosovës me pranga pas, vetëm për ta liruar në mbrëmje. Pjesëmarrja e tij në një debat sportiv në Klan Kosova natën e arrestimit ishte e habitshme. Vetëm në Kosovë një nxjerrës arme në publik mund të lirohej pas prangosjes, por kush e dinte atëherë fuqinë dhe talentin kamishian. Disa muaj më vonë i njëjti, ani pse anonim, i veshur me kostum bojë zi, ishte shpallur si “deputet i popullit”, ani pse vinte nga një vend ku votimi kishte arritur plot 140%. Edhe disa muaj më vonë, zbuluesi i “suxhukut, i ajvarit e i veve të ziera”, kontributi më i madh i tij në jetën parlamentare, po merrte vendin e asistentit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Publik. “Arritja” e tij akademike nuk ishte penguar nga “tendencat” e një ligji universitar që synonte “denigrimin e figurës së shenjtë të tij”, shprehje kjo tanimë e zakonshme sa herë që dikush është me dy këmbë mbi ligjin. Ligji në fjalë thoshte se asistent mbi moshën 30-vjeçare nuk mund të bëhesh; “Kamishi” i ka plot 40. Për më tepër, rahatimi i tij bëhej vetëm falë largimit të dy studenteve të dalluara me rekorde në nota; shumë herë më impresionuese se të “talentit” tonë. Për këtë hiç se hiç s’luftuam.



Faqja e dytë


“Kamishi” vjen në shprehje meqë shefi i tij i ri, rektori i Universitetit Publik është po aq zhvatës. Shefi i tij qëndron aty me të njëjtat shkelje si ai; ai ani pse ka kaluar çdo limit të moshës paspensionale. Ai vazhdon të bëjë “udhëheqjen vizionare” të tempullit, madje për këtë udhëheqje ai merr plot 8.000 euro pagë mujore. Paga e tij mujore do të bënte jetën normale vjetore të ish-ushtarëve Xh., D. e A.; të gjithëve së bashku. Për këtë nuk luftuam.

Shefi i “Kamishit” vjen në shprehje meqë institucioni që zgjodhi atë është i brumosur nga njerëz që bëjnë shkelje dhe më të rënda, si rasti i deputetit Syla që vazhdon të mos dorëhiqet ani pse i shitur i çmendur mendor kishte marrë plot 200 mijë franga zvicerane nga njëra ndër qeveritë më mike të Kosovës. E shefi i shefit të “Kamishit” është aty, meqë “Kamishi” me shokë në radhë të parë kishte siguruar votim 140% dhe me këtë tjetërsimin e votave të ish-ushtarëve Xh., D. e A. e tjetërsim të votave të dy studenteve. Thënë shkurt, sot i gjithë sistemi kosovar është një rreth i zaptuar. Dhe për këtë kosovarë të dashur, ne nuk luftuam.

Në gjithë fotografinë e sotshme të Kosovës, “Kamishi” është pak i rëndësishëm thënë të drejtën. Zaptimi i tij, si plot zaptime tjera, mori dhenë vetëm për shkak të famës. Sa kamisha të tjerë mbeten të padëgjuar?! Ai është vetëm një oportunist që do të zhvatë sistemin sa herë t’i jepet mundësia. Por në esencë, shkëlqimi dhe ngritja e “Kamishit” mbi djersën e ushtarëve të harruar, votën e vjedhur, spiunazhin e paqartë e mbi mundin e dy studenteve të shkëlqyera nuk amnistohet asnjëherë me pushkën e marrë nga ai. Nëse pushka e marrë është bërë që ai një ditë të zërë vendin e zënësit të parë, atëherë çfarë e bën këtë më të duhur? Jo se dikush mund e duhet t’i vërë në peshore të dy. Zënësi i parë ka qenë një vrasës, plaçkitës, dhunues e tmerrues; por ja që të qenit më i mirë se ai është fare lehtë. Mjeshtëria e vërtetë nuk është në të qenit më i mirë se ai, por në bërjen e së duhurës, ndërtimin e shtetit. E ndërtimi i shtetit do të thotë barazi për të gjithë pavarësisht gjithçkaje. Ndërtimi i shtetit nuk do të thotë pasurim klanor, avancim provincial e kontroll, do të thotë shans për të gjithë. Në të kundërtën, marrja e fuqisë pa meritë është zënie. Zënia herë do kurdo bëhet diktaturë.



Faqja e tretë

Të zaptuara sot janë të gjitha institucionet publike, çdo ndërmarrje publike e çdo trup publik; gjithçka publike. Nga edukimi publik tek shëndetësia publike, tek televizioni publik, telekomi publik, energjia publike, policia, ushtria e gjykatat të gjitha janë nën kontrollin e një grupi të njëjtë njerëzisht që akomodojnë, rregullojnë e vendosin për fatin e secilit prej nesh, tëndit, timin e të ish-ushtarëve të mbetur. E bëjnë këtë akomodim duke shtrirë autoritetin e tyre me njerëz që thirren si bërës të luftës, e me të tjerë që sillen rreth tyre, por assesi me njerëz si ato dy studentet e dalluara që nuk kanë se si të bëjnë ndryshe veçse të dorëzohen prapa një shenjtërimi të zaptuesve.

E pasi të kenë zaptuar çdo trup të jetës, të njëjtit thirren në demokraci e institucionalizim. Thirrjeve standarde të tyre se “drejtimi në institucione përkatëse është forma më e duhur e një vendi demokratik” njeriu nuk ka as se si t’i përgjigjet nga absurditeti. Si t’u drejtohen ushtarët e studentet gjykatave për drejtësi kur miku tjetër i Kamishit arrin që në mesin e 400 mijë lëndëve në gjykatë të procesojë të vetën për hiç më shumë se 12 ditë; dhe kjo lëndë në kërcënim të një gazetareje kosovare, e cila kishte vënë në dritë matrapazllëqet e tij me paranë publike. Si t’u drejtohen ushtarët e studentet policisë për siguri kur gjithë miqtë e “Kamishit” bëjnë mu atë polici, madje të njëjtit i dërgojnë “Kamishit” raportet policore mbi sasinë e suxhukut në një veturë vite më parë?! Si t’u drejtohen ushtarët e studentet ndërmarrjeve publike për punë kur Kamishat tjerë bëjnë rendin e udhëheqjen e tyre, punësimin e fëmijëve, grave, burrave, nënave, motrave, vëllezërve e kushërinjve në po këto ndërmarrje; të gjitha nën parullën “për këtë luftuam”?! Si të ngrenë zërin ushtarët e studentet në media publike kur të njëjtat heroizojnë kamishoizmin, turpërojnë “tendencat zvicerane për degradim figurash”, e mbysin mendimin e lirë?! Demokracia e drejtësia janë fjalë që kanë peshë e ngjyrë; ato bëjnë patriotizmin e vërtetë, vlerën e vetme për të cilën luftuam.

Dhe këtu unë s’kam se si të mos përmend deklaratën e ish-ministrit Limaj, i cili në daljen e parë publike pas përfundimit të gjykimit shprehu habi se si “djemtë dhe vajzat e Kosovës e shajnë shtetin e tyre” kur i njëjti i ka “vetëm 4 vjet”.  E para, djemtë dhe vajzat e Kosovës nuk e shajnë asnjëherë shtetin, sharë për sharë i "shajnë" institucionet e tyre; përveç nëse z.Limaj e sheh veten si shtet. Por nëse e sheh veten si shtet atëherë ku na qenka kuptimi i demokracisë e vet shtetndërtimit? Për t’i rikujtuar z.Limajt esencën e patriotizmit e shtetndërtimit s’kam se si të mos i përdor fjalët e Mark Twain se “patriotizëm është atëherë kur ti mbështetë vendin gjithmonë, e qeverinë vetëm atëherë kur e meriton”. E dyta, djemtë e vajzat e reja e “shajnë” hajninë, korrupsionin, vrasjen, mjerimin, varfërinë, papunësinë e lënien në harresë të ushtarëve XH., D. e A.; djemtë e vajzat e reja “shajnë” mosaftësinë e dy studenteve për të marrë atë çfarë e meritojnë; z. Limaj, djemtë e vajzat e reja nuk e “shajnë” shtetin, e “shajnë” zaptimin e shtetit. Dhe e treta, pasja e “vetëm 4 vjetëve” eksperiencë nuk është garanci se gjërat do të bëhen mirë; Shqipëria ka plot 100. Ne do nisim të bëjmë mirë vetëm atëherë kur të respektojmë të shkuarën e ndërtojmë të ardhmen. Do të respektojmë të shkuarën duke respektuar ushtarët Xh., D. e A., e do ndërtojmë të ardhmen kur u japim shans atyre dy studenteve; jo miqve tanë. Kjo është patriotizëm.

Për t’iu kthyer veturës “Opel” edhe një herë, mendoj se Kosova pas çlirimit nuk ka arritur të marrë veten mirë asnjëherë. Sikur na u prenë frenat e morëm prapë teposhtëzen; Kosova sikur është në marsh të mbrapshtë. Ëndrra e luftëtarëve të vërtetë është larg nga ajo çfarë ne sot e jetojmë. Ajo ëndërr nuk bën mjerimin e kosovarëve, as vjedhjen e Kosovës, të votës e të pasurisë së përbashkët. Ajo ëndërr nuk bën zënien e shtetit në emër të luftës, as mbytjen e ëndrrave të studenteve, të ushtarëve e të tjerëve. Kjo në të vërtetë as që është ëndërr, është një ankth nga i cili duhet të zgjohemi shpejt. E zgjimi nga ky ankth është patriotizmi më i madh për këtë vend. Për këtë ne kemi luftuar.

Friday 4 May 2012

KTHIMI NË ZERO MINUS

LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 4 MAJ 2012


Vet ideja se Kosova është rikthyer në marrëdhënie kontraktuale me Fondin tregon se progresi është tërësisht relativ, se progres në kthim ka vetëm kur dikur ke pasur regres, prandaj dhe quhet kthim


Fondi foli prapë. Këtë herë gëzimi e glorifikimi i institucionalistëve tanë kishte marrë qiellin. Jo se duhej bërë ndryshe. Kthimi i marrëveshjes kontraktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar është lajmi më i mirë që vendi ka marrë në kohë. Të paktën me një konfirmim të tillë ne sot mund të flemë të qetë se financat publike nuk do të dridhen më shumë; tani për tani. Por mes ndjenjës glorifikuese që Ministri dha në konferencën e së dielës dhe një sërë deklaratash të dhëna nga Fondi në faqen e tyre online, njeriu kupton brishtësinë e një gëzimi të tillë; kupton dhe ironinë e dëlirit për kthim në zero. Në zero dhe ne jemi kthyer me marrëveshjen e re. Vet ideja se Kosova është rikthyer në marrëdhënie kontraktuale me Fondin tregon se progresi është tërësisht relativ, se progres në kthim ka vetëm kur dikur ke pasur regres, prandaj dhe quhet kthim. E nëse duhet gëzuar progresit pas regresit atëherë çfarë do bënim po u gëzuam progres pas progresit?! Apo dhe më e rëndësishmja, pse bëmë fillimisht regres dhe ku qëndron gëzimi margjinal në dallim prej para-regresit? Kosova më ngjason si një lojtar pokeri që gëzohet e çirret sepse pas një nate të tmerrshme ai ka kthyer një pjesë të humbjeve; për këtë ai bën festë. Unë sot do të argumentojë se kthimi në marrëdhënie kontraktuale nuk është as kthim në vitin 2010, se ne kemi humbur jo vetëm pako financiare që nuk kthehen dot por se pasojat e ndërhyrjeve kirurgjike në buxhet për të balancuar librat financiar të shtetit pas prishjes së marrëveshjes kanë dhënë defekte ekonomike serioze për të cilat Qeveria hesht e bëhet se nuk din gjë.

Sidoqoftë, para se të provoj të qartësoj dëlirin e Qeverisë, më lejoni të ju kujtoj se një marrëveshje të tillë kontraktuale Kosova ka pasur me Fondin qysh në vitin 2010, Korrik më saktësisht. Kjo marrëveshje u zhbë gjashtë muaj pas nënshkrimit të saj nga një proces premtues/blerës i votave që në esencë kishte një rritje të pagave për shërbyesit publik. Zhbërja bëri që vendi (që nga atëherë) të humbë plot 110 milionë kredi nga Fondi dhe plot 100 milionë ndihma të tjerë (në dy vite të njëpasnjëshme) nga Komisioni Evropian. Për kureshtarët e skeptikët financiarë, për të parë humbjen në fjalë duhet vetëm krahasuar tabelat buxhetore të para zgjedhjeve dhe ato pas tyre. Çdo kundërshtues i numrave të bërë publik është o injorant i paditur o mashtrues që ka qëllim kamuflimin dhe propagandën.

Dhe humbja e ndihmave financiare bën pikën e parë të argumentit tim se pse rinënshkrimi i marrëveshjes nuk është as kthim në 2010-ën, e lëre më shumë. Të humbësh plot 200 milionë euro në më pak se dy vite do të thotë mjaft për një ekonomi kaq të mjerë si e jona; do të thotë humbje e drejtpërdrejtë e parasë, do të thotë dhe stagnim në tërheqjen e investitorëve meqë për gati dy vite ti ke qenë vrimë e zezë financiare, dhe do të thotë mungesë totale e efekteve multiplikatoriale nga paratë në fjalë sikur ato të futeshin në treg dy vite më parë. Po filloj të ridëgjoj argumentin e proqeveritarëve se ndihmat megjithatë nuk janë humbur pasi që ato janë rimarrë, por, për ti mbytë këto fizkultura qysh në fillim, ju kujtoj se marrëveshja e parë (tanimë e prishur) me Fondin është paraparë të përfundojë në Dhjetor të vitit 2011. Sikur ne të mos shkatërronim marrëdhëniet kontraktuale pas zgjedhjeve, sot, mu në këtë datë të marrëveshjes së re ne do të kishim pakon e dytë të kredisë me Fondin; pra kjo do të ishte një marrëveshje e radhës me ta. Është njëjtë si të thuash se nuk kam humbur pagën e Prillit meqë kam marrë të Majit. Përveç kësaj paratë e Komisionit Evropian, plot 100 milionë euro, janë të humbura në çdo interpretim meqë ato nuk kanë mundësi rikompensimi fare; pra për to nuk ka Maj e Qershor fare, meqë në Prill ne morëm pushim.

Së dyti, kosto më e rëndë nga një aventurë regres-progres-zero, është transformimi i krizës financiare në krizë ekonomike. Për të bërë progresin pas regresit e për të kthyer kështu gjendjen në pikën zero, institucionet tona janë detyruar të bëjnë kompromise që për habinë time më të madhe nuk bënë bujë asnjëherë. Nuk bënë bujë meqë shkurtimet në fjalë ishin të qeta dhe pa shumë zë. Thënë të drejtën ato nuk morrin asnjëherë aprovimin e Parlamentit, ani pse ky institucion është i vetmi që jep izë për paranë publike. Sidoqoftë, për të rinënshkruar marrëveshjen, Kosova vitin që shkoi i shkurtoi plot 65 milionë euro dhe 25 milionë të tjera këtë vit; pra gjithsej 90 milionë. Thënë shkurt, për të rimarr kredi prej 90 milionëve nga Fondi vendi u detyrua të shkurtojë 90 milionë të tjerë. E shkurtimi i këtyre 90 milionëve bën defektin e parikuperueshëm në vend. Fillimisht, paratë e shkurtuara ishin nga investimet kapitale dhe nga subvencionet e energjisë. Në mungesë të investime jo-autostradë në vend, shkurtimi i atyre pak mjeteve për kapital ka bërë që ne sot të mos kemi as edhe një rrugë të vetme që ndërtohet nga paraja publike. Mungesa e një zhvillimi të balancuar rajonal si pasojë e mungesës proporcionale të investimeve bën që shumë qytete kosovare të mbesin në prag të varfërisë e rrënimit industrial (ani pse simbolik). Në anën tjetër, në mungesë të subvencioneve në energjetikë, çmimi i energjisë elektrike domosdo do të rritet. Këtë rritje do ta paguajnë jo gjithë kosovarët, hiç se hiç vjedhësit e rrymës, por paguesit e rregullt të saj. Rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë në rritjen e çmimeve të shportës së konsumatorit e rrjedhimisht ulje të fuqisë blerëse të tyre, pra inflacion.

Së treti, nën presionin e madh të kohës, për të rritur të hyrat e shtetit, mekanizmat mbledhës u detyruar të rrisin performancën mbledhëse. Rritja e performancës pa rritje të mekanizmave mbledhës do të thoshte mision i pamundur. I mundur u bë kur u targetuan vetëm bizneset e rregullta e jo informalistët e evazionistët e lidhur ngushtë me grupet e interesit. Në një qasje të tillë kur ti rritë barrën e paguesve të rregullt dhe lë anash të parregulltit, ti ke krijuar një treg të çrregulluar. Pa habi se në vitin 2011 për herë të parë që nga paslufta barriera kryesore e të bërit biznes është konkurrenca e padrejtë e prodhuar tërësisht nga trajtimi i pabarabartë i agjentëve ekonomikë. Ky trajtim i pabarabartë vjen mu nga nevoja e çoroditur për të mbledhë në nguti ku të mundesh sa të mundesh.

Së katërti, për të rikonfirmuar pasojat nga një aventurë e tillë, letra e parafundit e Fondit që rillogaritë rritjen ekonomike për këtë vit nga 5.1% në 3.8% është argumenti më valid për një destrukcion ekonomik. Kur ke nevojë për rritje prej 10%, planifikon vet 8%, të planifikojnë të tjerët 5% e realizon 3.8%, tregon më së miri se sa keq ke katandisur punët. Dhe jo vetëm kaq. Raporti i Progresit në vazhdimësi na tregon se rritja jonë ekonomike nuk është rritje proporcionale por rritje e pasurisë së një grupi të ngushtë njerëzisht, prandaj një përbërje e tillë e rritjes ekonomike nuk krijon vende pune e ulje të varfërisë. Përveç kësaj, me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, të sapoaprovuar, rritje të pagave në sektorin publik nuk do të ketë (së paku) deri në vitin 2015. Me ritme të tanishme të inflacionit, e që u shkaktuan kryesisht nga rritja e pagave dhe nga presioni në paguesit e rregullt, fuqia blerëse e përfituesve të rritësve në vitin 2015 do të mbetet e njëjtë si para rritjes.

Për të rikapituluar ciklin e efekteve ekonomike që nga mbajtja e zgjedhjeve, premtimi për rritje të pagave dhe ndërtimi i autostradës në një periudhë kaq të ngushtë kohore ka bërë që vendi, përpos që të humbë plot 200 milionë euro në më pak se dy vite, edhe të shkurtojë buxhet për aq sa tani merr kredi. Ky shkurtim ka obliguar mekanizmat mbledhës të mbledhin më shumë, mbledhja më shumë pa mekanizma shtesë nënkupton shtimin e presionit dhe barrës tek paguesit e rregullt si dhe ndaljen e subvencioneve, shtimi i presionit tek ta ka ndaluar trendin e krijimit të vendeve të punës ndërkaq ndalesa e subvencioneve do të shtrenjtojë çmimin e energjisë duke rezultuar përfundimisht në inflacion, e inflacioni rekord nëpër vite ka ulur dhe do ulë fuqinë blerëse të kosovare në vazhdimësi. Në përfundim të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, pra në vitin 2015, kosovarët që patën fat për paga më të larta do të kenë fuqi blerëse të njëjtë me vitin 2010, të tjerët që morën ngurtësim të pagave (kryesisht nga sektori privat) do të kenë  si të vitit 2008, e të papunët e shkretë si asnjëherë më parë. Në gjithë ketë ecje ne do të kemi humbur disa vite të mira. Një cikël i tillë shkak-pasojë kam përshtypjen se ka pasur gjasën e një topi bore në ferr që të ketë qenë ndonjëherë pjesë e analizave ekonomike financiare në vend.

Qeveria mund të gjejë argument e të thotë se ne dhe ritëm pagat dhe ndërtuam autostradën dhe rikthyem marrëdhëniet me Fondin; anipse e njëjta nuk do të përmendë humbjen e parave, rëndesën në sektorin privat, inflacionin e degradimin e rritjes ekonomike. Do të bëjë këtë meqë koncepti ekonomik i yni është i mbështetur tërësisht në numra, e aspak në ekonomi. Pra ne nuk bëjmë ekonomi por bëjmë financa. Një Qeveri me pak koncept të qartë ekonomik do ti bënte të gjitha dhe pa rikthim, pa humbje, pa inflacion e me rritje. Për të balancuar raportet me FMN-ën, qysh në vitin 2010, do të shpërndante barrën e autostradës nëpër disa vite, e jo tre. Do të rriste gradualisht pagat në sektorin publik për të mos ushqyer kështu inflacionin e shpejtë siç e kemi ushqyer e ushqejmë tani, dhe do të rriste të hyrat nga luftimi i evazionit fiskal në 40% të shitjeve e jo targetimin e të rregulltve. Kështu së paku sektori privat do ti mbijetonte presioneve të politikave qeveritare dhe do të ecte qëndrueshëm nëpër vite për të krijuar vende të reja pune e zbutje të varfërisë e për tu bërë kështu shtytës kryesor i rritjes ekonomike. Paratë e Fondit dhe Komisionit Evropian në anën tjetër nuk do të humbeshin në dy vite, sot ne do i kishim plot 200 milionë shtesë. Me ecjen e sodit ne edhe kemi humbur para, edhe kemi rënduar bizneset, edhe kemi bërë inflacion e edhe kemi rënduar fuqinë blerëse të kosovarëve shumëherë më rëndë se më parë.

Në fillim të këtij shkrimi thash se lajmi i kthimit të marrëveshjes me Fondin është i këndshëm sepse na thotë se të paktën ne kemi ndalë ecjen financiare në teposhtëze. Kjo nuk do të thotë se sot kemi kilogramë më shumë e dukemi më mirë; përkundrazi një ecje e tillë na ka lodhur fizikisht, na ka djersitur sa nuk bëhet më dhe na ka këputur këmbët për të rimarrë vetën. Prandaj rikuperimi i aventurave të tilla financiare do të jetë tejet i largët dhe tejet i rëndë.