Thursday 1 July 2010

Vuvuzelat e Manifestos Anti-Privatizuese




Më duket i habitshëm komforti ekspresiv i individëve popullist në deklarimet e tyre. Në mungesë të një alternative që do ti jepte fund hiper-korrupcionit kosovar dhe anomalive tjera ekonomike në vend, gjithmonë të lindura nga keqqeverisja, dalin zëra që thirren në nevojën për pronësi shoqërore, një alternativë po aq ekstreme. Nëse asgjë tjetër, ajo që konsiderohet privatizim në Kosovë dhe filozofi e tregut të lirë është më së paku si e tillë. Ja pse.






Kam përshtypjen se debati mbi procesin e privatizimi është deformuar tërësisht duke krijuar kështu vend për propozime edhe nga më të çuditshmet. Qeveria mbron një ide diamensolisht të kundërt me veprat dhe filozofinë e zemrës, partitë opozitare luajnë rolin e zhurmuesit, lëvizjet populliste kalojnë nga një ekstrem në ekstremin tjetër, ndërkaq një pjesë e shoqërisë civile në mungesë të argumenteve të qëndrueshme ekonomike vazhdojnë të thirren në ide euforike; të gjithë duke krijuar kështu një skemë vuvuzelash opinioniste. Këtu nuk bën përjashtim as ky shkrim.

Në vend se dialogu ekonomik në Kosovë të ndërtohet rreth skenariove më të përshtatshëm të privatizimit dhe formave të përfitimeve më të favorshme para së gjithash ekonomike e më pas edhe financiare, neve duhet të diskutojmë mbi koncepte bazike të ndërtimit të konceptit ekonomik, pronës shoqërore versus pronës private. Në këtë debat fituesit e vetëm janë të korruptuarit që lirisht mund edhe ti bëjnë një letër falënderuese partive opozitare, individëve popullistë dhe të gjitha artikulimeve që kërkojnë besoni apo jo mbajtjen e pronës shoqërore pas gjithë historisë ekonomike të Kosovës. Qeveritarët tanë përballë këtyre alternativave ekstreme populliste kanë çdo arsenal të mundshëm argumentesh për të mbrojtur versionin e tyre të privatizimit, që në asnjë mënyrë nuk përkon me vet konceptin.

Në mes një Qeverie të zhytur në korrupsion dhe një ideje ekonomike që mbështetet në pronën shoqërore do të zgjidhja azilin. Të dëshpëruar nga koncepti ekonomik i Kosovës, alternativat e ofruara kohëve të fundit të vetëkënaqura me komfortin e gjetur po bëhen edhe më të thella, madje thirrjet e fundit u bënë aq të ashpra sa që u kërkua ndërrimi i sistemit të tregut të lirë duke ofruar argumente patetike. Ndonëse mundohem të kuptoj nevojën për imitime revolucionare, më duhet të prish këtë komfort që prek thelbin e një civilizimi modern, civilizim ky që dërgoj shoqërinë tonë në nivelin më të lartë human, teknologjik dhe moral.

Kjo, në asnjë mënyrë nuk mbështet modelin ekonomik të Kosovës, i zhytur thellë në varfëri e papunësi, i korruptuar e i dominuar nga vet shteti. Modeli ekonomik i Kosovës është pikërisht shoqëror, që mbështetet në pronën publike, që menaxhohet me filozofi publike, që thjeshtë ngufatë pronën private sa herë që ajo vihet përballë konceptit publik. Në sytë e politikave qeveritare, asgjë private nuk bën dhe çdo gjë publike është funksionale. Thënë këtë, asgjë ekonomike në vendin tonë nuk përngjan në idetë e një ekselence private, madje edhe deklarimet publike të qeveritarëve janë po aq artificiale sa edhe bindjet e tyre të nostaligjisë para tranzicionit.

Përvoja Thatcheriane dhe paralelja me Kosovën

Nëse ekziston ndonjë paralele historike me atë të Kosovës, do të zgjidhja atë të Thacherisimit Britanik. E dashur dhe e urryer, Margaret Thatcher kishte guximin e ndërrimeve ideologjike, politike dhe ekonomike me qëllim të fillimit të një epoke të re në shoqërinë britanike. Asokohe, rreth 30% e GDP-së Britanike përbëhej nga shpenzimet qeveritare, klima e investimeve ishte e ashpër, ndërhyrja e shtetit në treg ishte dominuese, punësimi nuk po jepte frymë, derisa zhurmuesit sindikalistë nuk dinin gjë tjetër veçse greva e kërkesa egoiste të rritjeve të pagave pa u brengosur për nevojën e prodhimit të efiçencës. Zonja e hekurt, që mori nofkën për filozofinë ekonomike dhe guximin reformues, nënvizonte zvogëlimin e intervenimit publik, krijimin e tregut të lirë dhe zhvillimin e ndërmarrësisë. Por, për të zvogëluar interferencën e tepërt qeveritare në treg ajo duhej të privatizonte të gjitha ndërmarrjet shoqërore. Nëpërmjet privatizimit zonja Thatcher gjeneroj jo më tepër se 18 miliard funta, një shumë jashtëzakonisht simbolike për parametrat ekonomik të Britanisë. Publiku britanik u trondit nga ndërrimet e shpejta, shoqëria civile prodhoj ide nga më të ndryshmet, sindikalistët protestuan si zakonisht, ndërkaq adhuruesit e ideologjive utopike të një shteti social u tmerruan. Megjithatë, vizioni i zonjës së hekurt ishte më i fuqishëm. Filozofia e saj u shpagua shpejtë, ndërmarrjet e privatizuara filluan të prodhojnë efiçencë, vende të reja punës e për më tepër inovacion. Pjesa tjetër e stories është lehtë e kuptueshme nga historia e fundit 30 vjeçare e Britanisë.

Le ti kthehemi realitetit tonë. Të tërheqësh paralele mes Qeverisjes së Thatcherit dhe asaj sonës është po aq ironike sa vet kjo e fundit. Megjithatë paralelet e parametrave ekonomik janë mjaft të përafërt. Sikurse Britania para Thatcherit, ekonomia jonë zotërohet nga shteti, prona publike dhe ndërmarrjet shoqërore janë temë e tregut ekonomik, sindikatat thirren në nevojën e kthimit të politikave para tranzicionit, derisa partitë opozitare janë në konfuzion të thellë sa i përket orientimit ekonomik. Të ndërrosh një ambient të bindjeve ekonomike si ky i joni do të ishte një akt tepër i rëndësishëm, por definitivisht i pashmangshëm. Ne fatkeqësisht në horizontin tonë nuk kemi asnjë profil Thatcher-ian.


Popullizmi Qeveritar

Se Qeveria e Kosovës është populliste dhe aspak në favor të proklamimeve të saj, është lehtë evidente. Një Qeveri që mbështet ekonominë në pronën private dhe funksionalitetin ekonomik në koncepte të ekonomisë së tregut ka katër shtylla bazike. Ajo beson në reduktimin e politikave sociale dhe në vend të saj alokimin e parave publike në aktivitete që do të gjeneronin vende të reja të punës; në edukim privat krahas atij publik; alternativa midis shëndetësisë publike dhe private dhe përfundimisht në Qeveri sa më të vogël në mënyrë që të reduktohet impakti në treg e ti jepet hapësirë investimeve private.

Kosova ndan rreth 35% të buxhetit të saj në politika sociale, edukimi mbështetët vetëm në investimet publike (kujtoni propagandimet mbi hapjen e Universiteteve Publike dhe mbylljen e atyre Private; në vend se të përkrahim iniciativat private ne shpërndajmë paratë e taksapaguesve në koncepte të pronësisë publike). Në shëndetësi, vendet jopopulliste hapin dyert për investimet private, ndërtojnë sisteme kontribuuese shëndetësore. Tek ne, i gjithë sistemi shëndetësor është plotësisht publik duke mbyllur kështu të gjitha rrugët e iniciativave private. Në fund, shtetet që synojnë zhvillimin ekonomik nëpërmjet pronës private nuk hapin ministri të reja. Hapja e ministrive të reja do të thotë nevojë për më tepër administratë publike, më tepër resurse financiare që vijnë prapë nga taksapaguesit dhe përfundimisht më tepër interferencë publike në treg. Në vend se të zvogëlojmë madhësinë e Qeverisë ne jemi në vazhdim drejt rritjes së saj.

Marrë parasysh këto elemente, katër nga katër faktorët rrënojnë idenë se ne kemi një sistem të tregut të lirë, pronësisë private dhe që beson në ndërmarrësinë. Nëse nuk kemi një treg të tillë, nga marrim idenë e kundërshtimit të konceptit për një sistem të tillë? Ne ende nuk kemi shijuar as frytet më të vogla të pronës private si forcë e pandalshme motorike e zhvillimit ekonomik. Pikërisht menaxhimi popullist ka shkaktuar korrupsionin. Sikur Qeveria jonë, agjencitë publike dhe institucionet tjera qeveritare do të udhëhiqeshin me filozofinë private, pra me motivet, interesin, efikasitetin dhe produktivitetin, ne do të kishim tjetër standard të zhvillimit ekonomik. Në mungesë të një qasje të tillë ne sot jemi dëshmitarë të kurioziteteve të shëmtuara ekonomike.

Paradoksi i kontestueshmërisë

Me sa mend mund të bëjë dikush thirrje për ndalimin e korrupsionit në njërën anë e në anën tjetër të kërkojë ndërprerjen e privatizimit? Habitem se si nuk u ngopëm me filozofinë operuese të ndërmarrjeve publike. Vet KEK-u, PTK dhe Aeroporti janë burimet më të mëdha të korrupsion. Të kërkosh një status-quo të këtyre ndërmarrjeve në një vend në tranzicion është thjeshtë absurde. Mos harroni se këto ndërmarrje janë shembuj të të gjitha fenomeneve tjera negative si nepotizmi, joefikasiteti në shërbime dhe prodhim ose mbipunësimi. Në fund ato vet paraqesin barrierë të zhvillimit të bizneseve në vend se të jenë fascilitatorë të zhvillimit të tyre. Them barrierë meqë në milionat e tyre kanë hise biznese të sapokrijuara e të pazotë për kryerjen e punëve. Kjo në një ekonomi prodhon një cikël të joeficiencës meqë paraja mbetet në duar të bizneseve që nuk krijojnë vlerë të shtuar në treg por përfitime vetanake. Ne duhet të kërkojmë transparencë, të shohim alternativat dhe analizat. Më së shumti që mund të kërkojmë është shtyrja e procesit për një vit, por të ngremë zërin kundër vet idesë së privatizimit është paradoksale me kërkesat tjera tona antikorrupcion.

Privatizimi në Kosovë identifikohet me një llojllojshmëri të aferave korruptive dhe interesave të një grupi të interesave. Sa herë që flitet për privatizim të paraqiten milionerët fals të skenës politike. Kjo, nuk është privatizim. Kjo është plaçkitje dhe keqpërdorim i sistemit në të cilin kosovarët dëshirojnë të besojnë. Meqë për vendet e tranzicionit, kualiteti publik është utopik, çdo tendencë për dhënien e fuqisë tek qeveritarët është tmerrësisht e gabuar. Në këtë kontekst, edhe thirrjet antiprivatizuese kërkojnë që fuqia të mbetet e alokuar në duart e atyre që rrënuan ekonominë kosovare. Ne duhet të kërkojmë pikërisht të kundërtën, që sa më pak nga fuqia ekonomike dhe financiare të mbetet në duar të këtyre individëve. Kjo thënë shkurt e shqip mund të bëhet vetëm nëpërmjet pronës private. Privatizimi është një proces natyral i kësaj tendence.

Koha Ditore: 01.07.2010