Friday 29 June 2012

PSE NA DUHET REAGANOMIKSI


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 QERSHOR 2012

Kosova duhet të krijojë një identitet të djathtë reaganian. Krijimi i lirisë individuale në ekonomi, formësimi i tregut të lirë e të pangufatur, zvogëlimi i Qeverisë në madhësi dhe intensitet si dhe rritja e prezencës në mbrojtje janë disa nga elementet që ky identitet duhet ti promovojë


Inspirohem nga Reaganomiksi. Një kombinim fantastik i krenarisë nacionale, lirisë individuale në ekonomi e respektit ndërshtetëror i zhvilluar me plot kujdes e vullnet nga një lider historik; me plot kuptimin e fjalës. Është kjo doktrina që vuri themelet e një Amerike më ndryshe, e një superfuqie ekonomike, politike e ushtarake; e një Amerike të mundësive individuale e ecjes kolektive. Po jo vetëm kaq; në po të njëjtën frymë Thatcherismi ndërtonte Anglinë e sodit duke bërë kështu vulosjen e ekselencës që buron nga djathtizmi i mbështetur në liri ekonomike e patriotizëm. E ky djathtizëm, me këtë kombinim kaq substancial, them se bën çelësin e orientimit filozofik ekopolitik që Kosova herët a vonë duhet të ndjekë.

Kosova ka nevojë për një Reaganomiks. Ka nevojë për një ekonomi të lirë të tregut (Friedmanizëm), ku liritë individuale garantohen me çdo mekanizëm ligjor e të forcës. Në këtë ekonomi iniciativa private duhet të shihet si forcë e vetme ekogjeneruese. Në këtë ekonomi individualja është e shoqërisë, interesi i profitit vetanak është interes i të gjithëve. Këtu profiti nuk bën mëkat, por përkundrazi është objektivi thelbësor i një loje fer e të garantuar nga një shtet minimal. Në profit bashkohen interesat e qytetarëve me bizneset, të punëkërkuesve me punëdhënësit, të vet shtetit me agjentët ekonomik. Në këtë profit kosovarët do të merrnin produktet më të lira, më të mira e më me vlerë, punë më shumë e fuqi më tepër.

Tmerrohem kur dëgjoj arsyetime nga më bizaret që mendja mund ti japë, mbi dëmet se një biznes na e paska objektiv profitin. Sikur të gjykosh garuesin se objektiv ka vendin e parë. Është e natyrshme për një biznes të maksimizojë profitin, madje do të ishte irracionale, destruktive e shqetësuese pasja e bizneseve që nuk kanë për objektiv maksimizimin e profitit. Thënë të drejtën, arsyeja pse ne nuk kemi sot rimëkëmbje ekonomike është mu në faktin se bizneset që krijojnë sot pak punë janë të njëjtat që nuk kanë objektiv maksimizimin e fitimit (në kuptimin e saktë ekonomik), por zhvatjen e një sistemi të korruptuar. Mjeshtëria e një ekonomie të shëndoshë, megjithatë, është mu në ndërlidhjen e këtij profiti me interesin e të gjithëve. Fatkeqësisht për ne, në masë të madhe sot e Kosovës shihet vetëm një pronë shoqërore, një Postë apo një KEK, apo një ndërtesë aty këtu që nuk ka pronar. Po çfarë realisht është e Kosovës?

A është e Kosovës një firmë private, që për objektiv ka maksimizimin e fitimit. Kujdes, maksimizimi i fitimit nuk është një sinonim që keqinterpretuesit e japin pa përtesë, e që në thelb paraqet shfrytëzimin, rrjepjen apo mbytjen e së mirës. Maksimizimi i fitimit si definicion ekonomik është rritje e vlerës. Një biznes me logjikë të shëndoshë investon në makineri e lëndë të parë, punëson të papunë dhe prodhon vlerë. Kjo vlerë për tu shitur duhet të jetë e mirë dhe e lirë. Shitja e saj bën pagën për të papunët që tanimë janë në punë, dhe bën një profit për ndërmarrësin që ka marrë një risk. Ky profit nuk ruhet, nuk vendoset në një qyp e groposet nën dhe. Ky profit riinvestohet, meqë në rend të parë biznesi ka për qëllim maksimizimin e fitimit, pra i njëjti ka një cikël logjik që ndjek. Riinvestimi sjell më shumë teknologji, sjell më shumë vende pune për të papunët e në fund sjell produkte edhe më shumë të lira, edhe më shumë të mira. A është potencialishti Kosovës një biznes i tillë? Është, me kuptimin më të fortë të fjalës. Është e Kosovës meqë krijon investim, është e Kosovës meqë krijon vende pune, dhe është e Kosovës meqë krijon outpute me më shumë kualitet për kosovarët. Një firmë private është po aq e Kosovës sa edhe një ndërtesë me teknologji të ndryshkur pa pronësi të qartë.

Kosova ka nevojë për Reaganomiks meqë duhet të promovojë konkurrencën në vend të monopolit siç e bën tani. Kosova duhet të liberalizojë sa më tepër tregun e brendshëm, nëpërmjet zhbërjes së konkurrencës së padrejtë. E njëjta sot na buron nga anomalitë e institucioneve publike që nëpërmjet politikave e hiperprezencës ka çrregulluar çdo treg. E në sektorët ku ne nuk kemi potenciale për të krijuar vlerë, them se duhet të liberalizojmë dhe më gjerë (gjeografikisht). Kosova nuk do të mund asnjëherë të prodhojë Mercedes; as për së afërmi bile. Në vend të kësaj ne mund të blejmë atë. Blerja e një produkti jo domosdo është shenjë e dobësisë. Ne thjeshtë bëhemi selektiv e të mençur në përzgjedhjen e asaj që mund të bëjmë më së miri. Pataten e bëjmë më së miri në rajon; për këtë dhe mund të thirremi të zot. Gjetja e përparësive krahasuese është mjeshtri që nuk e kemi ende.

Kosova ka nevojë për Reaganomiks për të reduktuar prezencën kaq të madhe të Qeverisë në ekonomi, qoftë në madhësi qoftë në ndikime politike. Një djathtizëm Reaganian do të përgjysmonte madhësinë e qeverisë aktuale. Pothuajse gjysma e ministrive të sodit do të shkriheshin në mes vete. Vendi në çdo skenario real nuk do të duhej të kishte më tepër se 7-8-9 ministri. Për shembull, pse mos të shkrihen Ministria e Integrimeve, Ministria e Diasporës e Ministria e Punëve të Jashtme në një Ministri? Të tri kanë funksion të njëjtë, të tri kanë punë të njëjtë, të tri kanë fokus të njëjtë; marrëdhëniet e shteti me jashtë. Apo pse nuk mund të bëhen bashkë Ministria për Zhvillim Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës në një Ministri, atë për Ekonomi? Të tri merren me probleme ekonomike; pse vallë rrugët, industria e tregtia nuk bëjnë ekonominë?! Pasja e problematikës nuk arsyeton krijimin e ministrive të reja, ato thjeshtë mund të jenë minidepartamente brenda një trupi koordinues. Përkundrazi, logjika e krijimit të ministrive për çdo problematikë është një shembull tipik i një strukture keqmenaxhuese e cila në një pikë krijon më shumë telashe se zgjidhje. Pasja e kaq shumë ministrive është filozofi e majtë, e një Qeverie megalomane që krijon jo vetëm kosto në mbajtjen e saj, pra për vetekzistencë, por edhe në të gjitha politikat që ajo prodhon. Tek ne një qeveri kaq e madhë përveç tjerash ka shërbyer edhe për rahatimin e ushtarëve politik, një paradoks e praktikë e paparë diku më herët.

Në Reaganomiks zvogëlimi i Qeverisë në madhësi do të bëhej edhe nëpërmjet reduktimit të intensitetit të politikave. Kujtoni se arsyeja pse Qeveria në esencë ndërhynë në ekonomi është për të shpërndarë paranë; pra u merr atyre që kanë e u jep (nën një supozim të menaxhimit më të mirë) atyre që nuk kanë. U thonë politika sociale. Presidenti Reagan një herë kishte thënë se politika sociale më e mirë është vet puna. Ajo çfarë Reagan mendonte ishte se në vend se ti merret një euro e një biznesi që për qëllim ka maksimizimin e fitimit (pra gjithë atë ciklin e krijimit dhe rikrijimit të vendeve të punës) e udhës do ishte sikur ajo euro në rend të parë ti lihej vet biznesit; e i cili në probabilitetin më të madh është më i mençur, më me sens, e më kreativ në shfrytëzimin e kësaj euroje se sa një punonjës publik që në rastin më të mirë të mundshëm prej asaj euroje të plotë ndal një të dhjetën për pagën e vet, pra jep një output 90 centësh. E në shoqëri të tranzicionit, me institucione të dobëta e fragjile, me gjithë atë korrupsion, nepotizëm e kriminalizëm publik, nga një euro e mbledhur në treg nuk kthehet as një e dhjeta.

Në Reaganomiks reduktimi në politika nuk do të thotë vetëm zvogëlim i kostos financiare të ekzistencës së shtetit, por do të thoshte edhe ikje nga ngufatja e lirisë së të vepruarit. Me pengesat e shumta burokratike, me kërkesat absurde, marrje-lejet e me gjithë ato pika transaksioni të pakuptimta, liria individuale veçse bëhet më e ngushtë. Në fakt, ajo nuk bëhet më fare liri. E mbytja e lirisë individuale është mbytje e motivit për të krijuar, kreativitetit për inovacion, e nevojës për prosperitet. Pa liri individuale për zotësi, krijim e inovacion, ekonomia është e mbytur që në fillim. Ideja se një zyrtar publik diku në zyret publike di të tregojë se çfarë është mire e çfarë është keq, është në start mbivlerësuese. Sikur i njëjti zyrtar të kishte kaq aftësi e intuitë ai në rend të parë do bënte biznes për vete. Është njëjtë sikur të mësosh peshkun të notojë.

E bukura e Reaganomiksit qëndron në reduktimin e shtetit në ekonomi, por rritjen e tij në një fushë tjetër: mbrojtje. Nëpërmjet gjykatave i njëjti krijon mbrojtjen e agjentëve në treg. U siguron atyre të drejta autoriale e më shumë motive për inovacion. Nëpërmjet rregullatorëve kontrollon monopolet natyrore, pra aty ku konkurrenca nuk mund të krijohet. Nëpërmjet policisë ushtron rregulla të barabarta për të gjithë, e nëpërmjet ushtrisë mbron vendin nga çdo pretendim i jashtëm. Dhe në këtë mbrojtje të jashtme Reaganomiksi krijon krenarinë nacionale, krijon patriotizmin modern. Në këtë patriotizëm modern shteti mban identitetin e vet. Këtu ndërpritet vija e liberalizmit ekonomik për të kaluar në një republikanizëm politik.

Kosova me një filozofi Reaganiane do të krijonte një shtet që nuk bën biznes, nuk rregullon biznes, nuk ndërhynë në biznes, por krijon e ndërton rregullat e biznesit. Kosova me një filozofi Reaganinane të mbrojtjes do të krijonte relacione rajonale të barabarta, do të krijonte reciprocitet aty ku interesat i shkelen, do të krijonte siguri aty ku tendencat territoriale marrin formë. Një ushtri e fuqishme dhe e madhe në numër do përdorej jo vetëm si garantues i paqes së brendshme, qoftë edhe nëpërmjet forcës (R.Reagan: Liria ka një çmim), por edhe si burim i inovacionit të dijes e avancimit teknologjik. Në një ambient ballkanas egoizmi patriotik Reaganian është vlera e vetme mbijetuese; në të kundërtën do të na shkelin i madh e i vogël.

Sot Kosova ka mungesë serioze të lirisë ekonomike. Kjo liri cenohet fillimisht nga vet prezenca e institucioneve të cilat me anomalitë e tyre kanë derregulluar rrjedhën normale të parasë publike, krijimin e bizneseve logjike e ndërtimin e vlerës ekonomike. Kosova ka prezencë hiper të madhe të Qeverisë në madhësi dhe intensitet, e përkundër madhësisë ka mini-ndikim në krijimin e një ambienti ligjor të brendshëm apo krijimin e një force të qëndrueshme për jashtë. Kosova nuk ka një filozofi shtetndërtuese. Ajo më tepër udhëhiqet nga politika të rastit që nuk përkojnë veçmas me një filozofi ekonomike apo politike. Për shembull ne privatizojmë por nuk liberalizojmë duke goditur kështu djathtizmin dhe ekonominë e lirë të tregut, apo rritemi në madhësi me ministri por nuk shërbejmë një shtet zhvillimor, duke goditur po aq njëjtë majtizmin. Në relacione me jashtë ne sillemi si liberalë por humbim identitetin nacional, dhe për më tepër në një ambient aspak liberal ne marrim goditje fyese e përçmuese. Ndaj këtyre goditjeve ne nuk arrijmë dot të reciprokojmë. Në gjithë këtë amulli, them se një politikë e djathtë Reaganiane do të jepte zgjidhje të njëmenda; anipse kuptoj largësinë e vendit tim, apo ndonjë lideri potencial për të besuar njëmend në një filozofi të tillë. Dikur dikush do të besojë njëmend.


Friday 22 June 2012

SHTRENJTË E MË SHTRENJTË


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 QERSHOR 2012

Tregimi mbi politikën që jep me një dorë e merr me tjetrën


Lajmi mbi shtrenjtimin e energjisë elektrike për kosovarët nuk duhet të shihet me aspak befasi. Vendimi është vetëm një output i parapërcaktuar kohë më parë e i paralajmëruar në vazhdimësi. Them i parapërcaktuar meqë janë kufizimet buxhetore të Qeverisë, futja në ngurtësim financiar e politika shpenzuese disproporcionale që kanë shtyrë domosdo Rregullatorin e Energjisë të marrë vendimin e rritjes; e them i paralajmëruar meqë ka kohë që bëjmë thirrje për një maturi financiare për të mos rënduar xhepin ekonomik të kosovarëve, në të kundërtën situata si këto do të jenë tërësisht të zakonshme. Thënë shkurt e shqip, kësaj i thonë transfer i krizës financiare në krizë ekonomike. E përderisa në Qeveri askush nuk mërzitet për një balancë ekonomike, përderisa koncepti ekonomik vazhdon të rrumbullakohet rreth barazimit të numrave buxhetor (pavarësisht kostos), standardi i kosovarëve do të vazhdojë e rëndohet. Këto kosovarë të dashur janë kostot finale të një politike ekonomike ad-hock.

Kujtoni se filli i tregimit për shtrenjtimin në fjalë buron nga nevoja e vendit për të reduktuar një sërë shpenzimesh e rritë një sërë të hyrash pas prishjes së marrëveshjes me FMN. Për të kthyer filmin prapa në dhjetor 2010, kur dhe mbaheshin zgjedhjet, ideja për të rritur paga e ndërtuar hiperautostradë në të njëjtën kohë ishte thjeshtë e paqëndrueshme. Kosova nuk kishte para. Për të siguruar një bilanc pozitiv financiar vendi që nga marsi 2011 ka marrë vendime të ashpra buxhetore. Ato fillimisht targetonin ndërprerjen e investimeve kapitale në të gjitha rrugët që nuk kishin emrin autostradë e shkurtimet në subvencionimin e energjisë elektrike. Thënë shkurt, për të barazuar buxhetin deficitar, Qeveria jo vetëm se kishte prerë rrugët rajonale por kishte prerë dhe paratë për energji duke shtyrë KEK-un kështu të kërkojë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Për më tepër, qeveria jonë e mbetur pa para, kishte rritur edhe tantiemën, apo taksën në thëngjill. Pra KEK-u, ndërmarrje publike, për të prodhuar rrymën e kosovarëve duhej të paguante një taksë tanimë 1000% më shtrenjtë se që paguante në periudhën paradeficitare. Me këtë taksë buxheti grumbullonte disa miliona euro shtesë. Por ky grumbullim normalisht se nuk do vinte asnjëherë nga KEK-u; KEK-u në fund të fundit mbledh para nga qytetarët. Rritja e energjisë elektrike domosdo do paguhej nga gjithë kosovarët. Për të thjeshtëzuar gjithë këtë cikël, derisa më një dorë qeveria u rritë rrogën mësuesve e shërbyesve publik, me tjetrën ju merr të njëjtat para. Problemi thelbësor megjithatë qëndron në idenë se jo të gjithë kanë pasur rritje të pagave e të hyrave. Një cikël i tillë nuk është as më shumë e as më pak se zvogëlim i fuqisë blerëse për kosovarët. Kjo në esencë është vazhdim i varfërimit të kosovarëve, varfërim që ka marrë hov, rastësisht apo jo, që nga viti 2007 kur dhe kjo Qeveri filloj aplikimin e një politike ekonomike të paparë ndonjëherë në rajon.

Meqenëse parapëlqej numrat dhe argumentet e numrave, për dallim nga të gjithëdijshmit tanë pro-qeveritar, që marrin guxim pa fije dije, eksperience e haber të ndërtojnë shpjegime ekonomike bazuar në intuitë, më lejoni që shkurtimisht ti referohem raportit të Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës, atij mbi Indeksin e Çmimeve të Konsumit i cili, për të mos humbur në shpjegime ekonomike, matë nivelin mesatar të rritjes së çmimeve, pra matë inflacionin. Agjencioni i Statistikave ka matë që nga paslufta në baza mujore nivelin mesatar të çmimeve në vend. Në raportin e fundit (maj 2012), si në çdo raport tjetër mujor jepen dhe trendet vjetore. Po shikuat rrjedhën e këtij indeksi nëpër vite vëreni se nga viti 2003 e deri në vitin 2007 çmimet e produkteve në Kosovë janë rritur për jo më shumë se 2.1% në mesatare. Kjo rritje në kornizën ekonomike është një gjendje perfekte e stabilitetit të çmimeve; njërit prej qëllimeve kryesore makroekonomike. Si me magji, nga viti 2007 e deri më sot, niveli mesatar i çmimeve është rritur për pothuajse 22%; pra mbi dhjetë herë më shumë.

Një rritje e tillë tregon se, të gjithë kosovarët që kanë pasur paga konstante nga viti 2007, pra të gjithë ata që nuk kanë pasur rritje në të hyrat e tyre, janë varfëruar për një të pestën e pasurisë së tyre. Të gjithë ata që kanë pasur rritje prej 20%, janë në gjendje të njëjtë, veçse në ecje prej gjashtë vitesh kanë humbur shumë. E për një vend të nënzhvilluar humbja e gjashtë viteve është edhe më shumë se shumë. Për të pasur edhe më të qartë e saktë problematikën, më duhet ti referohem një studimi të AKB-së në vitin 2007 që vlerësonte asokohe pagën mesatare në sektorin privat rreth 240 euro. Sot, në 2012-ën, sipas studimit të UNDP-së, paga mesatare në sektorin privat është jo më shumë se 270 euro. Një rritje prej 20 eurosh në gjashtë vite është një rritje prej jo më shumë se 11%. Në një ambient me inflacion gati sa 22% në po të njëjtën periudhë i bie se të gjithë të punësuarit në sektorin privat kanë pasur varfërim për gati 10%. Këtij varfërimi i kanë shpëtuar vetëm të punësuarit në sektorin publik, të cilët gjatë kësaj periudhe në mesatare kanë pasur një rritje të njëjtë sa edhe inflacioni. E për të papunët e shkretë, e që bëjnë as më pak e as më shumë se 40% të kosovarëve, një rritje kaq e lartë e çmimeve nëpër vite është thjeshtë një goditje e papërballueshme. Për ta varfërimi është i pastër sa edhe inflacioni.

E rënda e inflacionit kosovar është se numri prej 20%, pra mesatarja, është kaq “e ulët” (në thonjëza) vetëm falë zbritjes së çmimeve në disa produkte luksi. Ju kujtoj se sipas raportit zyrtar të ASK-s, nën ombrellën e Qeverisë së Republikës së Kosovës (po e ritheksojë këtë për vet faktin se burimi është nën kontrollin e atyre qe janë përgjegjës për një varfërim të gjithmbarshëm dhe nëse asgjë tjetër numrat veçse do të ishin dhe më të rëndë), rritjet më të mëdha të çmimeve në periudhën 2007-2012 janë bërë në produktet më bazike të mundshme; e që bëjnë shportën e shumicës së kosovarëve të papunë, dhe të atyre me pagë sa për mbijetesë. Sipas raportit në fjalë, në periudhën gjashtëvjeçare, buka ka pësuar rritje të çmimit prej 70%, mishi prej 30%, qumështi e djathi prej 24%, vaji prej 30%, sheqeri prej 45%, furnizimet me vendbanim 100%, rryma 12% (pa rritjen e re). Pra çmimi i një mesatareje “të ulët” prej 20% vjen vetëm për shkak të uljes së çmimit, në, le të themi, këpucë 30%, perime 20%,  orendi 10%, telefon 10%; thënë shkurt kosovarët në masë të madhe kanë pasur një rritje substanciale të çmimeve në produkte bazike, përkundër një rënie substanciale në produkte luksi. E me një Kosovë të varfër ku ndërrimi i orendive shtëpiake është luks, shumëherë më prekëse është rritja e çmimit të bukës, mishit, vajit, sheqerit apo dhe energjisë elektrike.
 Për t’iu kthyer edhe një herë rritjes së çmimit të energjisë elektrike, them se një vendim i tillë do të ketë dy pasoja gjenerale. E para, do të rëndojë paguesit e rregullt të energjisë elektrike dhe më shumë, në kurriz të evazionistëve të energjisë. Në këtë formë ne edhe më tutje rëndojmë trajtimin e pabarabartë, e për bizneset kjo do të jetë dhe më e rëndë marrë parasysh ambientin ashtu kështu të pabarabartë. Një pabarazi në anën tjetër do të shtyjë paguesit e rregullt të paguajnë dhe më pakë. Në një situatë të tillë ne vazhdojmë të distancojmë qyteteratët nga sistemet shtetërore; kjo në vete do të jetë një problem thelbësor herë do kurdo. E dyta, energjia elektrike do të shkaktojë rritjen e çmimeve të një sërë produktesh. Kujtoni se rryma është produkt bazë i shumicës absolute të bizneseve kosovare. Rritja e kostove të tyre do të thotë rritje e çmimeve finale. Në fund të fundit të njëjtit veçse do të bëjnë bartjen e barrës tek blerësit e zakonshëm. Rritja e çmimeve do të ushqejë dhe më tutje inflacionin e gjithmbarshëm. Në fund të vitit ne do të kemi prapë një shkallë të lartë inflacioniste dhe një rënie po aq të madhe të fuqisë blerëse. Rënia e fuqisë blerëse në periudhën afatmesme do të reduktojë konsumin e investimin, duke prodhuar rrjedhimisht dy efekte në treg: a) shterjen të mëtutjeshme të tregut nga paraja e gatshme, dhe b) rënien e potencialeve gjeneruese. Të dyja këto do të thajnë fuqinë e bizneseve kosovare duke ulur jo vetëm vlerën e produkteve në vend por edhe kapacitetet e rritjes. Rënia e mëtutjeshme e fuqisë së bizneseve do të thotë më pak vende të reja pune për fluksin e madh të të papunëve.

Në fund fare, jostabiliteti i çmimeve është defekti i dytë më i rëndë i një ekonomie, pas papunësisë. Të parin e kemi tanimë të bërë llom dhe me inflacion po e ushqejmë dhe më shumë. Me një rritje të vazhdueshme të çmimeve, të kontribuar kryesisht nga politika tmerrësisht të gabueshme qeveritare them se rëndesa e standardit të jetës do të vazhdojë dhe për pak kohë. Megjithatë, këtë herë qeveritarët tanë nuk kanë se si të fajësojnë importin e inflacionit sa herë që ne shënonim rekorde në rritje të çmimeve, ani pse i gjithë rajoni kishte normë inflacioniste dy herë më të vogël se tonën dhe në rastin më të rëndë e edhe sikur të importonim 100% inflacionin e tyre ne (logjikisht) nuk duhej të kishim inflacion më të lartë se të burimit. Sidoqoftë, këtë herë të njëjtit duhet të fajësojnë vetën për një shpenzim disproporcional të buxhetit, për investime të gabuara, për keqpërdorim enorm të parasë publike, për një deficit të papranueshëm, e për mungesë absolute të vizionit. Pavarësisht kritikave e lëvdatave politikat e mira ekonomike nuk sjellin rritje të çmimeve, ato bëjnë mu të kundërtën, një stabilitet në çmime e rritje e pagave.



Friday 15 June 2012

AS PRIVATIZIM E AS INVESTIM


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 QERSHOR 2012

Nuk arrij dot të kuptoj se si një aset që në katër-pesë vitet e fundit ka investuar nga paratë e taksapaguesve mbi 200 milionë euro, të shitet për vetëm 26 milionë. Fqinji ynë maqedon, për asetin e njëjtë ka grumbulluar plot 225 milionë euro, apo dhjetë herë më shumë se sa vendi ynë


Për gjithë ata që kanë përcjellë procesin e privatizimit të distribucionit, shpallja e fituesit “Limak-Calik” nuk ishte aspak befasuese. Ka pothuajse një vit që nëpër korridoret e llafeve turqit ishin fituesit e sigurt. Në një shkrim të nëntorit 2011 kisha përmbledhur pasojat e privatizimit nga kompania në fjalë, që thënë të drejtën nuk ka as edhe një ditë eksperiencë në sektorin energjetik. Befasuese megjithatë ishte çmimi për të cilën kishim “hequr qafe” njërin ndër asetet më të vlefshme të Kosovës. Të privatizosh një rrjet distribuomi për vetëm 26 milionë euro është çmenduri “sui generis”. Nuk arrij ende të kuptoj se si është e mundur që një aset që vetëm në katër-pesë vitet e fundit ka pasur investime mbi 200 milionë euro, të shitet për një të dhjetën e vlerës së investimeve. Është njëjtë sikur të blesh një veturë, të investosh para në të sa s’bëhet më dhe në fund ta shesësh për një shumë simbolike që nuk kthen as për së afërmi vlerën e investuar.

Në një vend normal, të paktën nga privatizimi do të nxirrej jo vetëm vlera reale e asetit, por edhe parashikimet për profit disavjeçar. Për një privatizim të përjetshëm, një proces normal e pa hile në Kosovë do të duhej të merrte së paku gjysmë miliard euro vlerë. Kujtoj se Maqedonia, që në të gjitha nuancat mund të kuptohet si një vend më pak normal se standardi i normales, nga procesi i privatizimit (madje të vetëm 90% të aksioneve të distribucionit) kishte siguruar, besoni apo jo, 225 milionë euro, apo dhjetëfish më shumë se çfarë ne morëm nga shitja jonë. Në një vend edhe më pak normal, Shqipëri, kompania CEZ kishte blerë rrjetin e distribuimit shqiptar për plot 105 milionë euro; në një proces që gjithashtu konsiderohej i parallogaritur dhe me skenar.

Çmimi jashtëzakonisht i ulët është humbja e parë për kosovarët. Humbja e madhe vjen nga vendosja e një monopoli të ri. Dhe monopoli i krijuar është mu thelbi i paradoksit ekonomik të Kosovës. Si ithtar i flakët i liberalizmit ekonomik, konkurrencës e pronësisë private, nuk kam se si të shpreh habinë e një devijimi kaq absurd nga një proces që do të duhej të ishte më efiçent, më i duhur e më me vlerë. Kujtoni se distribucioni i energjisë elektrike është një monopol natyror. Thënë shkurt do të ishte absurde sikur të kishim më shumë se një ndërmarrje në këtë fushë; në një situatë të tillë ne do të kishim shtylla elektrike gjithandej për çdo firmë që zoton një rrjet distribuimi. Njëjtë si në rastin e hekurudhave, disa sektorë nga logjika e funksionimit natyror mbesin monopole; por e veçanta e monopoleve natyrore është se ato në masë të madhe mbesin në pronësi publike, ose në një rast më ekstrem liberal, jepen në shfrytëzim nga një ndërmarrje private për një periudhë të dhënë kohore. Në rastin e dytë vendosja e rregullatorit bën punë. Në Kosovë, nuk ndodh asnjëra. Për më tepër, në Kosovë bashkë me distribuimi i jepet edhe furnizimi duke monopolizuar kështu edhe shitjen e energjisë elektrike. Në shumë vende me mend janë qytetarët ata që vendosin se nga ku mund të blejnë rrymë. Në Kosovë, kosovarët nuk do të kenë asnjëherë një zgjidhje të tillë.

Dhe mungesa e zgjidhjes bën thelbin e paradoksit kosovar, bën kundërthënien më të çuditshme të ekonomisë së promovuar nga qeveria jonë. Kujtoni se politikat qeveritare promovojnë në pafundësi një koncept që për ta është i “tregut të lirë” dhe “liberalizmit ekonomik”. Prapë si një besimtar i verbër në këtë filozofi, nuk kam se si të mos pajtohem më shumë. Kjo për një fakt të thjeshtë: edhe tregu i lirë e edhe liberalizmi ekonomik në esencë e kanë krijimin zgjedhjes së lirë për qytetarët, pra të drejtën e zgjedhjes nga ta. Monopoli është mu e kundërta e tregut të lirë; është gjithçka tjetër veçse zgjedhje e lirë. Madje në monopol ka vetëm një zgjedhje të parapërcaktuar. Dhe këtu skam se si të mos përmend një armatë fyerjesh e sharjesh ndaj konceptit liberal që ndodh sot në Kosovë, nga sindikata, asociacione, e besa dhe parti politike. Për hir të korrektësisë, ne duhet ta kemi të qartë se procesi i privatizimit në Kosovë nuk është as edhe për së afërmi me ekonomië e tregut të lirë. Privatizimi i Kosovës është veçse transformim i pronës, pra një hap i lënë në gjysmë. Hapi tjetër normal do të ishte liberalizim i tregut dhe rritje e konkurrencës; kështu të paktën thotë teoria e ekonomisë së tregut të lirë (shih vet emërtimin). Privatizimi pa liberalizim është thjeshtë anomali e vendeve të varfra. Ky fenomen është thjeshtë plaçkitje. E të kritikosh privatizimin normal bazuar në efektet e privatizimit kosovar është thjeshtë si të bësh një operacion me çekan, e të thuash se operacioni është i ligë, i tmerrshëm, i gabuar. Jo, i gabuar është operacioni me çekan, por operacioni në vete është shpëtim i Zotit po u bë si duhet. Edhe tek ne them se po bëmë privatizimin si duhet, pra me të gjitha hapat që një mendje normale i kupton (transformim prone, liberalizim e rregullatorë) problemet ekonomike do të ishin kaherë të harruara.

Pavarësisht kësaj, për t’iu kthyer edhe një herë privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, që unë preferoj ta quaj”plaçkitje”, është e tmerrshme mbështetja e të gjitha organizatave ndërkombëtare në vend, që si duket në shumicën e proceseve “me erë” kanë dorë vetë. Të përshëndesësh një proces që falë një aset në vend se të shesë, lë shumë për të dëshiruar e edhe më shumë për të dyshuar. Por në radhë të parë këto organizata duhet të mendojnë mirë për kredibilitetine  tyre në një periudhë afatgjate. Le të kujtonë se anomalitë e tilla nuk do të zgjasin përherë, e kur një ditë rendi e logjika do prekë dhe Kosovën përgjegjësia do të jetë e drejtë.


***

Procesi i privatizimit të distribucionit tregon më së mirë natyrën e ekonomisë kosovare. Për qeverinë tonë investim është vetëm shitja e aseteve. As edhe një ide më e zhvilluar e më e thellë nuk është dhënë në mbi gjashtë vite qeverisje. Dhe këtu nuk kam se si të mos përmend deklaratëne  fundit të Odës Ekonomike të Kosovës e cila kishte shprehur me plot të drejtë pakënaqësinë dhe mllefin për një neglizhencë totale të institucioneve tona ndaj një takimi që kishte mbledhë plot gjashtëdhjetë firma të huaja.

Nëse nga një kabinet qeveritar me një kallabllak ministra e me një autobus zëvendësministra nuk gjinden dy-tre vetë që shkojnë e takojnë pak investitorët potencial, atëherë çfarë është kuptimi i thirrjeve retorike në CNN se Kosova është vend ku duhet investuar?! Si duket, të tërhequr nga mëditjet e majme, qeveritarët tanë parapëlqejnë udhëtimet luksoze në qendra të mëdha tregtare ku përveç shëtitjeve nëpër distriktet e kuqe nuk ka kush që i pret. Si duket për ta pasja e plot gjashtëdhjetë firmave të huaja në vend nuk bën ndonjë atraksion.

Në një vend me pak vullnet, i madh e i vogël nga qeveria do ti kushtonin pak minuta kohë këtyre njerëzve që kanë interes të fusin paranë e tyre në vendin tonë të shkretë. Do tu garantonin të njëjtëve se paratë e tyre do të jenë të sigurta, se biznesi i tyre do të ishte i privilegjuar se obligimet fiskale për ta do të minimizoheshin; do tu thonin aman ejani te ne!

Por kjo nuk ndodh. Nuk do të ndodhë asnjëherë përderisa politikëbërësit tonë, i madhe  i vogël, i shohin investitorët e huaj si burim i pasurimit të tyre të shpejtë, në këmbim të ndonjë “allash-verishi”, le të themi diçka si falja e aseteve nacionale. E duke injoruar kështu investitorët serioz ne jepemi mbas tuxharëve oriental që për qëllim kanë marrjen e pasurisë sonë për jo më shumë se një të dhjetën e vlerës së tyre reale. E kjo nuk do të bëjë asnjëherë zgjidhje. Kjo nuk është as privatizim e as investim; është thjeshtë plaçkitje.

E relacioni me bizneset kosovare të përfaqësuara nëpërmjet Odës Ekonomike tregon më së mirë për qasjen e kësaj qeveria ndaj gjithçkaje që është jo-qeveritare e jashta kontrollit të tyre. Njëjtë sikurse në relacion me organizatat e shoqërisë civile dhe me mediat, kjo qeveri parapëlqen “azganllëkun” e shtyrjen me gjoks. Esenca e një lideri të mirëfilltë është bashkimi i të gjitha forcave dhe ofrimi i alternativave më të shëndosha për të gjithë. Nuk maj mend të ketë pasur relacion më të tensionuar ndonjëherë në mes pozitës dhe gjithçka jashta pozitës. Nuk do të ketë asnjëherë.

Në fund fare, privatizimi i distribucionit ka ende kohë për tu ndalur. Megjithatë do të duhej një mrekulli e paparë deri më tani që dikush të ndalojë e përfundojë një falje të tillë. Në Kosovën tonë të mjerë, mrekullitë ndodhin rrallëherë.



Friday 8 June 2012

VENDI I MJERANAVE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 QERSHOR 2012

Derisa e kuptoj se prej dritareve të errëta të “xhipave” me targa Z, “fellneve” të aluminit 17-she, e “klimatronizmit” tetë këndor është e vështirë të ndjehet mjerimi i kosovarëve jashtë, nuk mund të kuptoj dot se a jepen arsyetime zyrtare sa për të shpërlarë, denigruar e prishur çfarëdo lloj debati që lindë në këtë drejtim, apo se (dhe kjo bën  bindjen time) në parim një pjesë e madhe e zyrtarëve tanë janë njerëz që “nuk dinë që s’dinë”

Kështu të paktën konsiderohej Kosova nga “Business Insider”, që rangonte plot 197 shtete në botë sipas “Indeksit të mjerimit”. Kosova në këtë rangim zinte vendin e 9-të; thënë ndryshe ishte një ndër dhjetë vendet më të mjera në planetë për nga kualiteti i jetës. “Indeksi i mjerimit” është një tregues ekonomik i krijuar fillimisht nga ekonomisti amerikan Arthur Okun, e i cili në esencë kishte paraqitur një formulë shumë të thjeshtë. Kjo formulë bënte hiç më shumë se shumën e normës së papunësisë dhe inflacionit. Indeksi mori famën menjëherë pas luftës së dytë botërore dhe në SHBA përdoret shpesh edhe si matës i performancës së presidentit. Madje, në fushatën e vitit 1980 për presidentin amerikan, Ronald Reagan kishte demoluar presidentin e atëhershëm Carter me po këtë tregues në njërin prej debateve televizive presidenciale. Carter para marrjes së presidencës kishte deklaruar se çdo udhëheqje që kalon “indeksin e mjerimit” në mbi 12% meriton dorëheqje; në vet administrimin e tij indeksi kishte arritur në plot 20%.

Sipas “Business Insider”, indeksi i mjerimit në Kosovë shënonte plot 53.6%. Indeksi natyrisht nuk kishte marrë të dhëna inekzistente, por i referohej të dhënave zyrtare të “Cia Factbook”, e cila më pas ju kishte referuar të dhënave zyrtare në Kosovë. Këto të dhëna tregonin se niveli i papunësisë në vend ishte 45.3% e se inflacioni në vitin 2011 kishte arritur në plot 8.3%. Mbledhja e 45.3% dhe 8.3%, të jepte më pas vlerën e indeksit, pra plot 53.6%. Me një vlerë kaq alarmante e kaq të trishtë, më keq se Kosova ishin vetëm shtetet si: Nepali, Jemeni, Namibia, Xhibuti, Turkmenistani, Burkina Faso, Liberia e Zimbabve e Mugabes. Për të zezën tonë, vendet si Bjellorusia, Senegali, Kenia, Haiti, Ishujt Marshall, Svazilandi, Bosnja, Rripi i Gazës, Afganistani e Irani i Ahmedinexhat, ishin më mirë se ne; duke përmbyllur kështu Top 20 vendet më të mjera në planetë.

Tashti, nga një rangim i tillë Kosova merr edhe një goditje në pasqyrimin ndërkombëtar, njëjtë sikurse në rangimet e të bërit biznes kur për mbrojtjen e investitorëve ishim prapa Iranit e Afganistanit. Por kjo nuk bën problemin thelbësor për ne; në fund të fundit pavarësisht pasqyrimeve jemi ne kosovarët që ndajmë mëngjesin e darkën si mjerana. Një rangim i tillë tregon thjeshtë se ku jemi, ku kemi ngecur dhe sa gjatë kohë do të na duhet të dalim nga ky ankth. Rangimi i tillë megjithatë do të duhej të rrihte kambanat e kthjelljes tek politikbërësit tanë, megjithatë, siç jemi mësuar tanimë pas çdo raporti ndërkombëtar, reagimet e qeveritarëve tanë ishin në dy vija: a) kjo është një fushatë me qëllim të denigrimit të figurës së Kosovës në botë; dhe b) të dhënat nuk janë të sakta, Kosova është një vend që po lulëzon. Kjo e fundit veçse po bëhet më e shpeshtë. Kur vendimmarrësit tanë mbesin pa argumente, kur politika e tyre joadekuate kthehet në numra të tmerrshëm, reagimi i parë që marrim është në zhvlerësimin e këtyre numra. E kur zhvlerëson numra njeriu fillon të flasë për hava.

Derisa e kuptoj se prej dritareve të errëta të “xhipave” me targa Z, “fellneve” të aluminit 17-she, e “klimatronizmit” tetë këndor është e vështirë të ndjehet mjerimi i kosovarëve jashtë, nuk mund të kuptoj dot se a jepen arsyetime të tilla sa për të shpërlarë, denigruar e prishur çfarëdo lloj debati që lindë në këtë drejtim, apo se (dhe kjo bën  bindjen time) në parim një pjesë e madhe e zyrtarëve tanë janë njerëz që “nuk dinë që s’dinë”; dhe si të tillë shuajnë çdo lloj shprese për të pasur ndonjë reakcion ndaj çfarëdo problemi ekonomik në Kosovë. Kjo sepse të paditurit duhet fillimisht bindur se e kanë keq, e më pas duhet ri-bindur për alternativat përkatëse. Një mohues i problemit nuk ka se si të prodhojë zgjidhje meqë në rend të parë nuk ka haber për ekzistencën e problemit.

Pavarësisht kësaj, për gjithë ata “ushtarët e rendit të parë” që sulen e vërsulen sa për të prishur debatin, larguar vëmendjen e bastardizuar çdo argument logjik, pra për gjithë ata që mendojnë se konspiracioni botëror edhe një herë goditi Kosovën tonë dhe “figurat tona të shenjta”, për të gjithë ata me “targa Z” që besojnë se numrat janë fals  e të pavërtetë, më lejoni të kujtoj se tri institucionet e vetme në Kosovë që kanë dhënë vlerësime për nivelin e papunësisë në vend, pra Banka Botërore (2011), UNDP (2012) dhe (më e rëndësishmja) Enti i Statistikave të Kosovës (tashti Agjencion), të gjitha, kujdes të gjitha, kanë vlerësuar se niveli i papunësisë në Kosovë sillet në regjionin 40-45%. Them më e rëndësishmja nga të gjitha për ESK për dy fakte, një, meqë e njëjta është agjencion nën ombrellën e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pra është institucion publik dhe në nëse asgjë tjetër do të mund të jepte të dhëna në favor të Qeverisë, dhe dy, sepse e njëjta ka zhvilluar në Korrik 2010 studimin e fundit të fuqisë punëtore në vend. Për të siguruar largimin e çdo mëdyshjeje (ndoshta me vend) rreth kredibilitetit të numrave të ESK-së, studimi në fjalë ishte ndërtuar komform parimeve të EUROSTAT-it; e EUROSTAT kosovarë të dashur, është institucioni më klredibil i Bashkimit Evropian në mbledhjen e statistikave. Për të siguruar edhe një dozë kualiteti, studimi i njëjtë kishte marrë edhe mbikëqyrjen e Bankës Botërore (fjalët për të shpjeguar kredibilitetin e këtij institucioni besoj se janë të tepërta). Meqë analiza ka pasur një kornizë bajagi evropiane, edhe kriteret e matjes kanë qenë në të njëjtën vijë them se kemi të bëjmë me një vlerësim mjaft serioz dhe të besueshëm. Përveç kësaj, metodologjia kishte hesapuar qartësisht gjithë ata që konsiderohen si fuqi punëtore, prezencën e ekonomisë së hirtë, e llogaritë tjera të gabimeve eventuale në monstrim e përgjigje; thënë shkurtë ishte një metodologji e njëjtë me vendet e BE-së dhe si e tillë jepte rezultate që lehtësisht mund të krahasohen me po të njëjtat vende. Analiza në fjalë kishte llogaritur se norma e papunësisë në Kosovë është plot 45.3%; po aq sa kishte marrë për bazë “Business Insider” në llogaritjen e indeksit të mjerimit.

Nëpër korridoret e diskutimeve kam dëgjuar shpesh arsyetime nga më banalet, më absurdet e më të palogjikshmet të mundshme. Një prej tyre ishte se në këtë metodologji nuk ishte llogaritur “ekonomia e hirtë” e Kosovës (thuajse metodologjia evropiane nuk kishte hesapuar këtë “zbulim epokal” të tyre), e se po të llogaritej kjo ekonomi norma e papunësisë do të binte edhe në 30%. Së pari, për çdo njeri që sillet e pështillet në pak copë tokë të Kosovës, papunësia prej 30% është parajsë. Është injorim total i problemit një konstatim kaq joreal e kaq joprofesional. Së dyti, promovuesit e deklarimeve të tilla kanë probleme esenciale në dallimin e ekonomisë së “hirtë” prej asaj të “zezë”. Për t’iu kthyer bazamenteve të ekonomiksit, dallimet në terminologji të tillë janë relevante vetëm në matjen e evazionit fiskal (pra vjedhjes së tatimeve) por jo edhe në numrin e të papunëve. Kosova, në fushën e punësimit ballafaqohet me problemin e “hirtë’, meqë të rralla janë bizneset që nuk deklarojnë fare punëtorë (karakteristikë kjo e ekonomisë së “zezë”). Ata deklarojnë punëtorë por fshehin pagën e tyre reale për t’iu shmangur obligimeve tatimore e kontributeve pensionale. Thënë shkurtë, në matjen e papunësisë ekonomia e “hirtë” ka shumë pak ndikim. Së treti, për të shuar çdo kureshtje, një llogaritje e indeksit të mjerimit edhe me një papunësi prej 30%, rangonte Kosovën jo më shumë se në vendin e 19-të. E nëse dikush mburret me një rangim të tillë, ja pafshim hairin. Së katërti, të kundërshtosh kredibilitetin e EUROSTAT, Bankës Botërore, UNDP-së, e të mbështetesh në intuitë, vërteton më së mirë atë bindjen që pata në fillim, për kategorinë e atyre që “nuk dinë që s’dinë”. Të njëjtit e shohin Kosovën në hiper ngritje, në hiper zhvillim, në hiper ecje. Kosova për ta është parajsë. E shohin kështu meqë të njëjtit kanë rregulluar punët e veta, të familjeve e akrabave në kurriz të varfanjakëve kosovarë. E shohin kështu meqë për ta, zgjate Zot.

Në miniaturë mjeranash u panë edhe paria e Universitetit të Prishtinës para, gjatë e pas blerjes së “çmimit ndërkombëtar për cilësi”. Një proces si ky është shembulli më tipik i një Kosove nën mikroskop; i një Kosove të strukur e përmbledhur në një institucion. Gjithçka filloj me deklarimin bombastik se universiteti publik i Kosovës na del më i miri në botë. Së pari, vet ideja se UP merr çmim për kualitet është absurde. Thuajse nuk jetojmë, ndajmë e hamë të njëjtën tokë, ujë e bukë. Së dyti, UP-ja është institucioni i çdo vakie, është vend i nepotizmit, mashtrimit e shkeljes së të drejtave elementare të studentëve. Vetëm në UP politikanët marrin tituj doktoratash me rrëfime për një betejë lufte (me rrëfime të një ditari personal), vetëm në UP asistentë e profesorë zgjidhen deputetë e mafiozë, vetëm në UP shpërndahen paga sipas qejfit, vetëm në UP shkelen ligjet e moshës pensionale për të mbajtur gjallë klanet. Por ja që kështu lulohen, ngjyrosen e transformohen realitetet në Kosovë; njëjtë si në rastin e papunësisë kur pretendohet se ne realisht kemi shumë punë por të huajt po na kanë inat. Ishte skandaloze vet marrja e çmimit dhe rënia pre e një skeme mashtruese që jepte çmime për çdo kënd që paguante një shumë prej rreth 4000 eurosh; ishte skandaloze se kurrfarë vlerësimi e kurrfarë analize nuk i kishte paraprirë marrjes së çmimit; ishte edhe më skandaloze se kishim shpenzuar 15 mijë euro, pjesën më të madhe për mëditje të udhëtuesve, për gjithë këtë mashtrim. Ishte skandaloze se si u paluam e dolëm në fotografi me flutura në qafë vetëm e vetëm për të mashtruar e transformuar një realitet. Në këtë gjendje jemi ra.

Edhe më skandaloze ishte reagimi pas publikimit të fakteve. I njëjti reagim tashmë është bërë standard i reagimeve pas çdo gafe e marrie të bërë. Ky reagim ka tre hapa: A) fute elementin e “Serbisë” dhe “tendencës për denigrim figurash”. Kështu me futjen e pseudo-patriotizmit ndoshta shpërlahesh prej marrisë; pa kuptuar mirë se patriotizëm nuk bëhet rrena, vjedhja e mashtrimi, por denoncimi i tyre. Nuk ka asnjë lidhje Serbia pse ne blejmë çmim e dalim naiv para skemave mashtruese. B) Jep një arsyetim që ofendon inteligjencën e çdo kosovari me pak mend në kokë; kjo sa për të denigruar e dezorientuar diskutimin në masë. U tha se paratë e paguara ishin jo për blerjen e çmimit por për anëtarësim. A vallë udhëheqësit e dijes kosovare paskan menduar se oferta zyrtare do të ishte se paratë duhen dhënë për blerje të çmimit?! Po gjithsesi se arsyetimi do të jepej për anëtarësim. Dhënia e çmimeve të rrastë, pra atyre përtej skemave mashtruese nuk kërkon as anëtarësim, as pagesë as hiçgjë, kërkon vetëm pranimin tënd dhe përuljen e tyre për mundin tënd. Këtë nuk kanë se si ta dinë ata që kurrë çmim marrë nuk kanë. Dhe e fundit, C) fajëso gjithë mediat për shpifje dhe konspiracion ndaj teje; njëjtë sikur në rastin e papunësisë kur çdo organizatë ndërkombëtare u zhvlerësua për të paraqitur veten si viktimë.

E derisa si mjerana na shohin rangimet, mjerana na bëjnë dijetarët, mjerana na dalin edhe policia e vendit e cila edhe një herë si në “deja-vu” jep lajmin e vjedhjes së dhomës së dëshmive, sa për të dëshmuar kështu brishtësinë e institucionit të tyre. Paramendoni gjendjen e sigurisë në Kosovë kur të thirrurit për mbrojtje kanë nevojë për mbrojtje. Për të zbutur imazhin e rëndë që kapi policinë kosovare, të njëjtit u renditën si sardina menjëherë të nesërmen për të treguar kështu kapjen e 100 kg droge. A thua kapja e drogës u bë dhe mund të bëhet sa herë që policia ka nevojë, apo ishte thjeshtë një koincidencë?

Në fund fare, me apo pa dëshirën tonë, me apo pa dijen tonë, Kosova vazhdon të marr fundet e çdo raporti ndërkombëtar. E ne të shkretët mbesim me gishta në gojë, mbesim me misione të pamundura si kjo e bindjes së të pabindurve se e kanë gabim dhe më e rëndësishmja, pavarësisht bindjeve të “targave Z”, ne mbesim pa punë. Do të na duhet kohë shumë për të rrotulluar gjithë këtë amulli. E deri atëherë, skandalet në institucionet tona vetëm se do të përditësohen.