Monday 30 June 2014

BRAZUCA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 QERSHOR 2014

Mbi futbollin si biznes, sport e pasion

-1-

Kam dashur gjithmonë të shkruaj një kolumne për futboll,  sepse e kam përjetuar futbollin po aq sa shkrimin e edhe më shumë se sa profesionin tim, ekonominë. Nuk besoj se do të më zihet për të madhe nga lexuesit provimi i devijimit nga rrjedha standarde e shkrimeve të mëparshme; besoj se më lejohet një aksident si ky – një herë në katër vjet fundja.

Sepse nuk do t’i falja vetes injorimin e një pasioni të ngjizur plot njëzet vjet më parë; me dy golat e Massaro-s, një të Savicevic e një të Desailly – në atë që dikur do të bëhej substanca e vikendeve të mija për njëzet vjet rresht, anën kuq e zi të Milanos, Ac Milan. Tash kur kujtoj në retrospektivë vikendet me “teletext” të RaiDuo-s, me përmbledhjet e “Laolas” në DSF, e – kur u bë mirë – edhe transmetimet e drejtpërdrejta me komentime shqip, kuptoj edhe madhështinë që futbolli ngjallë tek të tjerët.

Dhe këtë madhështi, nuk e dyshoj, futbolli arriti ta ngjallë edhe nëpërmjet Kampionatit Botëror të sivjetmë, që përkundër devijimeve e diskutimeve socio-ekonomike mbi arsyeshmërinë ose jo të shpenzimeve miliardëshe nga një vend që ende ballafaqohet me varfëri, megjithatë jep një pasqyrë të këndshme për vendin organizator, Brazilin. Sepse, siç dhe ndodh rëndom me ngjarje të tilla, post-Kampionatit vendi do të vazhdojë të jetë atraktiv për turistë, vizitorë e futbolldashës; stadiumet e ndërtuara do të shërbejnë si inpute të shkëlqyeshme revitalizuaese për kampionatin lokal – sidomos kur futbolli është më shumë se sport, pra është industri; ndërkaq imazhi i reflektuar nëpër botë do të ekojë për një kohë të gjatë. Pra, padyshim se ka e do të ketë garë për organizime kampionatesh nga supervende, sepse është një investim që ja vlen – sepse kthehet, dhe kthehet mirë shumë madje.

-2-

Dhe ana më e këndshme e Kampionatit, këtë herë për ne – del të jetë superperformanca e shqiptarëve atje. Fatkeqësisht jo me përfaqësueset potenciale të Shqipërisë e Kosovës, por fatmirësisht – më mirë se sa hiç, me shqiptarë të diasporës në reprezentacione evropiane. Përderisa Shqipëria e Kosova të ndërtojnë suksesin e vendeve të regjionit, ne do të duhet të mbështesim emocionet tona tek ato pak elemente individuale që si vend e komb i dërgojmë nëpërmjet të tjerëve; të larguarve nga këtu, të strehuar atje.

E këtë javë Zvicrra foli shqip! Mbas shumë përpjekjesh të mundimshme e të dhimbshme të shqiptarëve emigrantë nëpër Evropë, kualifikimi me gola shqiptarësh ishte fotografia më e mirë që dikush për veti e për ne mund të ndërtonte sot. Shqiptarët në diasporë - nëpërmjet Shaqirit me shokë - më në fund i dhanë mirënjohje shtetit që u dha mundësi kur kishin nevojë, e faqebardhësi atdheut prej nga ata e prindërit e tyre vijnë. Këta shqiptarë përbëjnë forcën ambasadore më substanciale të mundshme që një vend mund ta prodhojë jashtë.
Natyrisht se do të doja që në vend të Zvicrës të shija përfaqësuesen e Kosovës apo e Shqipërisë; që këto dy përfaqësuese të kenë individualistë të talentuar si këta, por ja që nuk i ka prandaj dhe përfaqësueset tona shikojnë kampionatet nga komforti shtëpiak. Natyrisht se do të doja që këta individë të talentuar të luanin për përfaqësueset tona – pa e ndarë mendjen për cilën, për Kosovën apo për Shqipërinë – por ja që të njëjtit janë formuar, shkolluar e mbështetur nga një vend tjetër që u dha mundësi, edukim e përfaqësim si të mos ishin të huaj. Prandaj dhe kthimi i favorit merr kuptim, për më tepër kur me këtë kthim emri Kosovë përmendej nëpër botë gjithandej.

Në Kosovë, ndërsa, paraqitjet e Zvicrës u pritën me plot entuziasëm. Zërat kritikues e ultra-patetit po zhbëhen secilën ditë e më shumë. Do të shuhen eventualisht të gjithë; për të kuptuar se paraqitjet e tilla janë veçse përfituese për vendin tonë. Sepse, një, dërgojmë mesazh jashtë më ndryshe nga lajmet e deritanishme të hajnive, therjeve e prerjeve në fyt; dhe se dy, sepse dërgojmë mesazh brenda se ky vend ka brumë për sportistë profesionistë që arrijnë majat e botës. Pra, nëse këta individë shqiptarë, me një sistem të sofistikuar sportiv evropian, arrijnë të bëhen super-profesionist, atëherë e tëra çfarë duhet ky vend të bëj për sportistët e tjerë që i ka këtu është ndërtimi i strukturave të sofistikuara që brumin e futbollit kosovar e shndërrojnë në shpërthim profesional. Ky vend i vogël i yni, duhet të shoh seriozisht futbollin si industri dhe jo vetëm sport. Nga futbolli ky vend mund të sigurojë eksport milionësh – siç dhe bëjnë vendet e rajonit, Koracia, Mali i Zi (i vogël), Serbia e Bosnja.

-3-

Bosnja, ndërsa, përfaqëson një tregim tjetër – shumë të veçante madje –  në këtë kampionat. Siç dhe u përshkrua me mjeshtri nga gazetat perëndimore, ekipi boshnjak është i ndërtuar sot nga “fëmijët e luftës”; pra nga individë që i kanë mbijetuar luftës si fëmijë, janë rritur nëpër tranzicion si të rinj, e kanë shpërthyer si profesionistë kur janë rritur. Të njëjtit sot dëshmojnë me shumë mjeshtëri e simpati, se si një vend – nëpërmjet sportit – arrin të ngrihet mbi gërmadhat e neveritshme që i ka bërë vet dikur, e të shtyhet jaka-jak një ditë me Argjentinën e Messit diku nëpër botëror.           

Bosnja mund të ketë njëmijë e një probleme politike e funksionale sot si shtet – me Bosnjën politike mund të mburret rrallëkush; por rimëkëmbja e tillë nëpërmjet sportit është shembull që vlen të ndiqet nga secili vend tjetër në rajon; veçanërisht nga Kosova.

Do të doja shumë që një ditë “fëmijët e luftës” së Kosovës të bartin himinin dhe flamurin e shtetit të tyre në Botëror, për të dëshmuar kështu se si vend e si shtet kemi kaluar seciëln pengesë ekonomike, sportive e veçanërisht politike – gjithsesi të gjitha të padrejta. Do të doja shumë që një ditë “fëmijët e luftës” së Kosovës të simbolizojnë bërjen e shtetit, siç e kemi menduar gjithnjë.

-4-

Ky Kampionat do të mbahet në mend për shumëçka; në të Messi ka një gjasë shtesë për të vulosur veten si më të mirin e të gjitha kohërave; brazilianët për të mbajtur rekordin e fituesve të pakontestueshëm; gjermanët e holandezët për të treguar se janë gjithmonë favorit – pavarësisht kohës, vendit apo klimës; e ekipet si Belgjika apo Zvicra për të rrënuar bastet eventuale me superparaqitje.

Por them dhe ne ta mbajmë në mend si pasion për të dërguar Kosovën në një shfaqje që e sheh gjithkush. Them të ndërtojmë një kulturë sportive që nga arsimimi fillor, të zbulojmë talentë e të prodhojmë sportisë që do të na bëjnë një ditë të ndihemi krenar; që na japin një imazh më ndryshe se sa barrikadat e veriut, krimi institucional apo mafia e kanabisit.


Monday 23 June 2014

NJË TJETËR OPOZITË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 QERSHOR 2014

Një vlerësim pa dorëza ndaj rezultatit zgjedhor të LDK-së dhe VV-së

-1-

Në kohë Kampionati Botëror – dhe me gjithë energjinë shpërthyese të holandezëve e gjermanëve qysh në ditët e para – është bukur paradoksale trajtimi politik kosovar; sidomos kur ky trajtim është bërë aq i padurueshëm e aq bezdisës tash e sa kohë. Pas gjithë këtyre debateve, komplikimeve e paqartësive politike, do të duhej të meritonim më tepër qetësi; një trajtim më ndryshe – diçka si ky kampionati fantastik futbollistik.

Por para se të ftohet diskutimi politik e partiak, nëse ka për tu ftohur ndonjëherë gjithsesi, them të jap një vështrim pa dorëza mbi dy partitë e para opozitare, pra mbi LDK-në dhe VV-në. Do ta jap e bëj vlerësimin pa dorëza meqë për shkak të bashkë-kundërshtimit kundër-qeveritar të katër viteve të shkuara, ndjej veten me kredit të mjaftueshëm për të vlerësuar pa hile të dy grupacionet politike. Dhe dua ta bëj tani, sepse, pavarësisht se bashkimi eventual opozitar i bërë për të hequr një të keqe të madhe për një të keqe më të vogël mund të eklipsojë për pak gjendjen e tyre, them se vota e drejtë qytetarë megjithatë ka pasur një gjuhë të qartë – gjuhë jashtëzakonisht kritike ndaj opozitës.

Do të formojnë ose jo qeverinë, do të shkohet ose jo në zgjedhje të parakoshshme, do të formohet ose jo një qeveri teknike – kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka – për opozitën – se rezultati i marrë nga ta është katastrofal. Dhe kur të gjitha të qetësohen, kurdo që zgjedhjet të mbahen, ai ka për tu reflektuar sërish; në mos më keq tash pas eksperimentimit opozitar paszgjedhor (e jo para siç do të duhej të ishte rendi). Prandaj, nëse mendojnë të shmangin politikën e heqjes së një të keqeje të madhe me një më të vogël – gjithsesi të keqe – duhet të mendojnë zgjidhje të mirë.

Sepse zgjidhje e lënies së qeverisë në duar të dikujt që ka marrë vetëm 39.000 vota për Kryeministër, me një përzierje mishmashe të interesave ministrore e jo programore sa s’bëhet më, bashkë me një grumbull paqartësisë e defektesh stabilizuese – nuk është fare e mirë; larg prej së mirës. E përderisa nuk prodhojmë zgjidhje të mira, ky vend s’ka për të ecur kurrë para.


-2-

Rezultatet gati përfundimtare te zgjedhjeve, tregojnë qartë se edhe LDK edhe VV – me gjithë përkrahjen e shoqërisë civile, mediave, opinionistëve e secilit tjetër (përkrahje që asnjë parti tjetër opozitare nuk e ka pasur), janë rritur, por ama janë rritur proporcionalisht (e ndoshta edhe më pak) se sa janë rritur edhe votuesit e rinj në Kosovë. Do të ishte rënie pra, mbetja në stad të njëjtë të votave kur në katër vitet e shkuara janë shtuar plot 120.000 votues të rinj. Në këto zgjedhje, me plus 120.000 votues të rinj, edhe LDK edhe VV rriten me vetëm nga 5-6 mijë vota - për katër vjet; pra nga 1500 në vit, trend aspak i mirë.

Ç’është e vërteta, me fushatën e bërë nga PDK, duket se votuesit e rinj kanë zgjedhur megjithatë pozitën dhe shijen promovuese të saj; opozita si duket nuk ka kapur fare votuesin e  ri – dhe kjo bëhet edhe më shqetësuese për këto parti në të ardhmen. Sepse mosaftësia e komunikimit me votuesit e rinj nuk sjell qëndrueshmëri. Sepse rritja simbolike dhe e pavërejtshme në këto katër vjet, po të ekstrapolohet në vazhdimësi, i bie se të dy partitë – më këtë avaz – do të mbesin në rend të dytë edhe për plot 30 vjet. Pra është rezultat me të cilin asnjëra palë nuk guxon të mburret; sado që mund të kenë tendenca të ndonjë interpretimi pozitiv, nëse bash dëshirojnë të nxjerrin diçka pozitive - mish nga pleshti them unë.

Por përtej nevojës së tillë vlerësuese pavarësisht arsyeve, them se ka një tregim të përgjithshëm që rrumbullakohet rreth idesë se vota opozitare e kosovarëve është shpërndarë dukshëm tek këto dy parti si shenjë pakënaqësie ndaj të dyjave proporcionalisht.

-3-

Për LDK-në, është i pafalshëm mosdalja si e para në relacion me një parti të konsumuar nga dy mandate, e të rrahur me njëmijë e një skandale dhe të izoluar ndërkombëtarisht. Për LDK-në, moshapja e partisë, ndërprerja e reformës dhe rrumbullakimi tek disa figura të topitura partiake – që fitoren s’kanë për të sjellë kurrë – është gabim i pafalshëm. Ky gabim bëhet edhe më i rëndë kur përsëritet dy herë në më pak se gjashtë muaj; sikur LDK nuk deshi të marrë mësim nga zgjedhjet lokale. Kanë shpenzuar jashtëzakonisht shumë kohë, kanë humbur jashtëzakonisht shumë kredit, dhe kanë djegur jashtëzakonisht shumë reputacion e besim me kandidimin e individëve që megjithatë u refuzuan nga elektorati standard që LDK mund të aktivizojë. Pra nuk i donë as të vetët.

Nuk i donë sepse LDK ka kohë që ka qenë e kapur nga një grup individësh që nuk mërziten fort për rezultatin e partisë, sa mërziten për pozicionin e tyre individual në Parlament. Përderisa të njëjtit mbesin deputetë, kanë nga një shofer, një pagë të mirë e një ndikim evident në parti, gjithçka mbetet brenda kornizave të rregullsisë; edhe ky rezultat madje. Të njëjtit, që kanë humbur rresht tri palë zgjedhje (2007, 2010, 2014) janë ngufatësit kryesorë të partisë; dhe është mu për shkak të tyre pse reforma partiake ka ngecur tmerrësisht. Në të vërtetë, dhe këtë e them plot përgjegjësi, po të mos ishte kryetari i tanishëm i LDK-së që megjithatë provojë të freskojë partinë me fytyra të reja, këta ngufatës do ta shpinin LDK-në në numra një shifrorë. Është tjetër muhabet që reforma e nisur nga kryetari i tanishëm nuk vazhdoj deri në fund, pra u kompromisua me ngufatësit, dhe është tjetër muhabet që ky kompromis i faturohet tash – dhe me të drejtë – liderit të partisë. Si bartës i partisë është dashur t’i shkojë deri në fund reformës (radikale edhe atë) për të dëshmuar kështu frymën e re në LDK. Me reformë, LDK do të parandalonte riciklimin e figurave e individëve të cilët në vitin 2007 kishin dërguar partinë drejt e në greminë.

Them se LDK ka brumë shumë në vete. Ka individë të ri e të shkëlqyeshëm në ide, të cilët, për fatin e tyre të keq, nuk janë lejuar asnjëherë të marrin partinë në dorë. Në të vërtetë, kapësit e partisë gjithmonë kanë bërë thirrje për afrim të të rinjve, por jo duke i’u dhënë atyre timonin e partisë, por duke u dhënë ulëset e prapme dhe thirrjet na ndiqni neve. E puna e partisë nuk shkon me trashëgimi – sepse nuk është pronë private, është më shumë. Kapësve të sotshëm duhet thënë mirë shumë për punën e bërë deri më tani, mirë shumë për kontributin e dhënë deri më tani, mirë shumë për të gjithat. LDK nuk do të ishte kjo që është sot pa ju, e pa ju mesiguri nuk do të kishim as disa prej proceseve më të rëndësishme nacionale. Por cikli juaj ka mbaruar këtu, dhe me ju nuk shkohet në vitin 2018. Sepse është hera e tretë që i humbni zgjedhjet, dhe do t’i humbni sa herë që pretedentë do të jeni ju. Prandaj, si dhuratë për fund që këta mund t’i bëjnë partisë dhe gjithë Kosovës, është një tranzicion i lehtë por i mençur shumë tek gjenerata e re e LDK-së, e atyre që janë aty dhe të tjerëve që do të vijnë. Në muajtë në vijim, ky do të duhej të ishte misioni i tyre përfundimtar.

-4-

Për VV-në në anën tjetër, rezultati i tanishëm është larg prej të pritshmes. Katër vjet opozitëbërje superaktive, energji të pashtershme parlementare, organizim i mjaftueshëm partiak me individë tërësisht të pasur me dije e të pastër në vepra, kanë prodhuar hiçgjë; ama bash hiç (hiç nëse gjërat maten me vota në këtë jetë gjithsesi; me valutë morali mund të jetë tjetër muhabet). Dhe ky hiç buron nga tri gabime fatale të VV-së. Gabimi i parë, dhe më i rëndësishmi, është ngurtësimi ideologjik që VV i bën vetes. Përderisa kosovarët kanë nevojë për pragmatizëm, VV u jep citate të Hegelit e Aristotelit, u jep utopizëm filozofik pa fije nevoje; thuajse gara e tyre është mbizotërimi ideologjik i një shkolle të të menduarit. Një lloj vetëkënaqësie kjo pa kurrfarë efekti përfundimtar që prodhon ndryshim. Mos të harrojmë, rreth 87% e Kosovës refuzuan programin e tanishëm super të majtë e super ideologjik të VV-së; ndoshta do ta refuzonin shumë më pak qendrën e pragmatizmin. Sepse, kosovarët nuk duanë t’u merret pasuria – me progresivitet – në të vërtetë duan pasuri dhe dalje nga fukarallaku kush sa mundet e sa më shpejtë; kosovarët nuk duan kthim të shoqërizmit – me mosprivatizim – në të vërtetë janë ngirë nga kooperativat e nga shoqërorja, duan modernizmin e pronës private, pra duan privatizimin; dhe kosovarët nuk duan barazi për secilin, duan mundësi për secilin sa e kanë hakun të gjithë; janë ngirë me “puno një e merr të gjithë”.

Gabimi i dytë i VV-së është qëndrimi politik ndaj proceseve dhe akterëve kyç politike në Kosovë. Fakti që nuk promovon simbolet e Republikës por zgjedh një ide bashkimi – sado të mirë por sërish jashta agjendës së tanishme të kosovarëve – e bën VV-në të duket aspak pragmatike; sërish e bën të duket ideologjike. Ironizimi e refuzimi i e me simbolet e shtetit, me të njëjtat për të cilat kosovarët megjithatë shprehin pajtueshmëri e pëlqyeshmëri – sepse i kanë ndërtuar vetë dhe me ndihmesë të miqve ndërkombëtarë – nuk i bën hair aspak Lëvizjes. E kur jemi tek miqtë ndërkombëtarë, kosovarët sërish kërkojnë respektim të tyre në plotni; e kanë në gjak e kulturë e mendësi miqësinë; sidomos ndaj atyre që u kanë dhënë lirinë. Pesëmbëdhjetë vite janë pak për të harruar ku e si kemi qenë. Është e pakuptueshme ngrirja e relacioneve me përfaqësuesit e shtetit më mik të Kosovës, në Kosovë – pra ambasadën e SHBA-ve. VV duhet të pyes vetën se si ka lejuar që hajnat e matrapazët më të mëdhenj të Kosovës të ndërtojnë miqësi me miqtë më të mëdhenj të Kosovës? Do të ishte tërësisht e natyrshme që kjo miqësi të ndërtohej me njerëz të VV-së, për të cilët, dhe këtë e them me shumë përgjegjësi (sërish) askush nuk mund të ankohet për mungesë profesionalizmi apo mungesë vullneti të mirë. Janë burra e gra të ndershme sa nuk bëhet më.

Gabimi i tretë i VV-së është distancimi nga gjithçka që është bërë deri më tani në Kosovë; nga të gjithë – pa kuptuar kështu se gjithçka që është bërë deri më tani në Kosovë teknikisht është bërë nga të gjithë. Ky distancim e izolon VV-në në masën që për katër vite opozitëbërje e tëra çfarë arrin të bëjë është mobilizimi i bazës së vet; dhe asgjë më shumë. VV-së pra nuk i falet qëndrimi radikal ndaj gjithçkaje; e bën të duket të rrezikshme – edhe pse mund të mos jetë e tillë. Pavarësisht të gjithave, them se në VV, megjithatë, ka frymë të hapjes dhe animit nga qendra, pra ka frymë që promovon shartimin e ekstremeve në relacion me komunitetin ndërkombëtar në vend, me simbolizmin e Republikës dhe me ultra-majtizmin. Do të duhet që kjo frymë të mbizotërojë ideologjinë e mbjellë gabimisht aty dhe në fund metodën e shpërndarjes së ideve të tyre. VV në fund të fundit gjithnjë ka pranuar se evoluon; atëherë është koha për të ngjizë një evoluim të ri, edhe më të madh se ai paraprak.

-5-

Them se zgjidhja opozitare e Kosovës është një pragmatizëm në mesin e LDK-së dhe VV-së; pra LDK duhet të reformohet e të bëhet pak më shumë si Vetëvendosje, ndërkaq Vetëvendosje duhet të reformohet e të bëhet pak më shumë si LDK. Thënë ndryshe, LDK duhet të marrë në vete individë të rinj e pa barrë të konsumimit politik, pra njerëz të rinj me ide e vlera moderne – për t’u bërë pak më shumë si VV; ndërkaq VV duhet të shartojë ideologjitë utopike dhe sidomos ato jo-institcuionale, për t’u bërë pragmatike dhe institucionale sikurse LDK. Nëse të dy partitë vendosin të ndjekin idetë origjinale të tyre, pa nevojë për reflektim e ndryshim, le ta bëjnë. Ndoshta të gjithë janë gabim, votuesit, jovotuesit, të dëshpëruarit e ata me shpresë. Ndoshta vetëm këta kanë të drejtë. Ndoshta ky insistim do t’u shpaguhet një ditë. Por ama, nëse ndjenjë për pak se e kanë gabim atëherë le të ndryshojnë. Le të ndryshojnë sepse kosovarët – duke shpërndarë votën e tyre tek këto dy parti kryesisht – kërkojnë një mes normal të partive; as njërën e as tjetrën siç janë, por një mes të arsyeshëm e të mbarë.

Këto dy parti kanë dy zgjidhje, ose të provojnë e shpresojnë në edukimin dhe ndryshimin e percepcioneve të kosovarëve – të të gjithë kosovareve; ose të provojnë e shpresojnë në edukimin dhe ndryshimin e percepcioneve të vetes. Them ta bëjnë të dytën, meqë qytetarët megjithatë e dinë më mirë.


Monday 16 June 2014

SHAH-MAT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 QERSHOR 2014

Një përmbledhje e zakonshme e një jave të jashtëzakonshme


Zgjedhjet

Do të ketë qenë hera e parë që kosovarët dolën në numër kaq të madh; plot 750 mijë u tha. Opozita, siç ndodh dhe rëndom, kur po kuptonte rezultatet e para zgjedhore, provonte ta shpërfaqte daljen si të ulët – por nuk ishte. Në të vërtetë, numri rekord prej 750 mijësh po u vë në relacion me votuesit nga regjistri civil – e që janë rreth 1.1 milion banorë – del të jetë rreth 68%; një normë jashtëzakonisht e lartë për secilin vend demokratik. Tjetër çka që listat tona zgjedhore përmbajnë rreth gjysmë milioni votues nga diaspora – ndonëse u certifikuan vetëm tre mijë për votim; e përmban të vdekur, serb të larguar nga Kosova dhe çka jo tjetër – për të dalë kështu në fund me një numër ridikuloz prej 1.7 milion votuesish, në 1.7 milion banorë.

Sido që të jetë, procesi qe i qetë, i pastër dhe pa ndonjë ekses – në përmasën sa që në Skenderaj, në paraqitjet televizive militantët mburreshin se kishin votuar – besoni ose jo – vetëm një herë. Hallall. Raportimet për korrektësi nga partitë politike vetëm se po i jepnin vulë një procesi që dukej si nata me ditën po u krahasua jaka-jak me katër vjet më parë. Kishim ecur shumë në katër vjet sa i përket respektimit të vullnetit të tjetrit; kjo vetvetiu na tregon se në çfarë halli e derexhe kemi qenë katër vjet më parë dhe me çfarë kuti matim suksesin katër vjet më pas.

Pra, një dalje e madhe, një proces i mirë, një vlerësim korrekt – një numërim i qetë. Rezultatet domosdo do të duhej të jepnin verdiktin më të qartë të mundshëm dhe ashtu u bë.

Rezultatet

Verdikti mund të ishte befasues për shumë kë – jo për shkak të renditjes, por për shkak të një stagnimi enorm të opozitës për katër vjet rresht; kjo ishte e papritur, gjithsesi me shumë brumë për mendësinë dhe pritjet e votuesve. Në të vërtetë, votat e PDK-së dhe NISMA-s që deri dje ishin në pushtet – në bashkësi – kishin shënuar rritje; ato të LDK-së, VV-së e AAK-së që deri dje ishin në opozitë – në bashkësi – kishin shënuar stagnim. Katër vjet opozitëbërje për hiçgjë?!

Pavarësisht ndarjes, konsumit e degradimit partiak, PDK kishte arritur me shumë sukses të mbante përqindjen e njëjtë me të katër viteve paraprake – merrte rreth 31% të votuesve. Në të vërtetë, një llogaritje e shkëlqyer matematikore e Kryeministrit në ikje rreth koalicioneve, kishte bërë amortizimin e – deri dje – bashkëpartiakëve, sot – kundërshtarëve – të grupuar rreth NISMA-s. Shto kësaj dhe një fushatë briliante përballë një pasiviteti enorm opozitar rreth fushatë-bërjes dhe ke një shpjegim të përafërt prapa këtij numri.

Në anën tjetër, LDK me vetëm 179.000 votat e marra, jo më shumë se 7 mijë krahasuar me katër vite më parë; dhe VV me 94.000 vota, jo më shumë se 6 mijë krahasuar me katër vjet më parë, nuk arrinin të kapnin as normën natyrore të rritjes së popullsisë. Kujtoj se në krahasim me katër vite më parë, sipas regjistrit të votuesve, në Kosovë ishin shtuar rreth 150.000 votues të rinj. Me 7 respektivisht 6 mijë vota shtesë, dy partitë kryesore opozitare si LDK e VV nuk kishin arritur të mbanin vetën në stade konstante me rritjen e popullsisë; pra në terma relativ të dyja as që kishin rritje. Për të komplikuar rezultatin opozitar dhe më shumë, deri dje gjysmë pozitë gjysmë opozitë partia e AAK-së, kishte rënë nga 11% në 9.6%. Natyrisht, se lajmi më i mirë i këtyre zgjedhjeve, ishte pensionimi nga politika i hajgare-partisë së AKR-së, britmat, talljet e idetë banale të së cilës nuk ndezën për të mirë.

Në proporcione të tilla zgjedhore, gjithçka dukej e qartë; PDK si fituese do ti bënte një ofertë të këndshme AAK-së, e cila nga presioni i rënies do të merrte çfarëdo që i jepej me dy duar. LDK do të futej në rrugë të paqartë pas humbjes së dytë radhazi në zgjedhje nacionale, e VV do të mbyllej diku për reflektim – enorm madje. Por nuk ndodhi kështu.

Shah-Mat

Në një shkrim me argumente boll, Veton Surroi mëngjesin e parë të pas-zgjedhjeve po i sugjeronte opozitës bashkim. Ishte hera e parë – kam përshtypjen – që dikush në Kosovë filloi të mendojë një ide kaq të pamundur në dukje, por kaq logjike në rrjedhje. Logjika unifikuese prapa shkrimit të tij ishte e thjeshtë; votuesi kishte zgjedhur opozitën, porse, dallimet e mëdha opozitare kishin bërë që kjo votë e pakënaqësisë të ndahej në katër taborë opozitarë. Rrjedhimisht, pavarësisht ndarjeve e çarjeve partiake, partitë mund të jetësonin zërin anti-pushtet të qytetarëve nëse bashkoheshin.

Dhe kush do ta mendonte bashkimin për një ditë?! Në diçka që filloj si takim i rastit, përfundojë shpejtë – shumë shpejtë madje – në marrëveshje opozitare. Pra në një lëvizje të shpejtë, të papritur, e gjithsesi të urtë (dhe të mençur) ata i dhanë së bashku një shah-mat kryeministrit në momentin kur ai e priste atë më së paku! Për hakmarrje individuale ose jo, për interes nacional ose jo, për pazare të pozitës ose jo, kishte pak rëndësi; në fund u krijua një output i ri që largonte nga skena idenë e vazhdimit të zaptimit.

Të zënë ngushtë, sikurse inatçorët që thejnë e përplasin figurat e shahut pas humbjes, partia fituese (e zgjedhjeve jo dhe shumicës parlamentare) provoj të lëshojë një ide – të re ne – se marrëveshjet e koalicioneve paszgjedhore nuk ishin kushtetuese; pa e kuptuar të shkretët e të mjerët se në dy mandatet e shkuara ata vet kishin mandatuar kryeministrin me koalicione paszgjehdore e jo parazgjedhore. Të njëjtit pra, filluan referimin në Nenin 95 të Kushtetutës. E Neni 95, Pika 1, thoshte: “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.” Askund, asnjë fjalë, para ose pas zgjedhore.

Pra, mjafton të dish shkrim lexim në gjuhën shqipe – dhe jo shumë madje – për të kuptuar se partia ose koalicioni “që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë” është e mandatuar për të dhënë emrin e kandidatit për Kryeministër. Pyetja që duhet bërë pra, është se a i ka partia fituese (e zgjedhjeve) shumicën e nevojshme “në Kuvend për të formuar Qeverinë”?

Për më tepër, Neni 84, i cili përcakton kompentencat e Presidentes, e qartëosn në mjaftueshmër çështjen e shumicës. Pika 14 e këtij neni thotë se: “(presidentja) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”; më qartë se kaq nuk ka si të shkojë. Pra bëhet fjalë për koalicionin që përbën “shumicën e Kuvendit”; jo për partinë që fiton zgjedhjet, jo për të parin – domosdo të zgjedhjeve – por për “shumicën e Kuvendit”.

Status-quo

Partia fituese e pa shumicë parlamentare, nuk do të bëhej e para që del në opozitë – përkundër pra fitores. Raste të tilla ka gjithandej nëpër botë. Në fund të fundit, logjika se vetëm partia fituese mund të nxjerr një vendim parlamentar – siç është ai i formimit të Qeverisë – do të nënkuptonte se Parlamenti nuk mund të nxjerrë asnjëherë vendime pa pëlqimin e partisë fituese. Absurde!

A është marrëveshja opozitare moralisht në rregull? Kjo mund të jetë çështje tjetër – por as Kushtetuta e as ligjshmëria nuk bëjnë përcaktime morale, bëjnë përcaktime të rregullave; pra të gjërave siç janë dhe siç do të duhej të rregulloheshin.

Është shumë e qartë se intenca e partisë fituese pa shumicë parlamentare është tendenca për rikuperim – dhe me ngurtësimin e situatës potencialisht nxjerrja e një kompromisi të mesëm ose shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Sepse, pavarësisht se si do ta interpretojë Kushtetuesja marrëveshjen opozitare nga tash e tutje, një gjë mbetet e sigurt. Nëse opozita qëndron e bashkuar dhe e palëkundur deri në fund, Hashim Thaçi dhe PDK nuk kanë asnjë gjasë të bëjnë qeverinë, sepse nuk i kanë numrat dhe s'mund t'i kenë. Edhe sikur interpretimi kushtetues të ishte në anën e PDK-së, e që nuk është, e tëra çfarë mund të arrihet në këtë fazë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme.


Qeveria e kompotit

Nuk ka asnjë dyshim se bashkimi opozitar derivoj nga një panik dhe nga një humbje enorme e opozitës. Kur humbën opozitarët, hoqën dorëzat e ringut dhe ranë të gjithë në përqafim të njëri tjetrit. Sepse në përqafim të njëri tjetrit secili lider opozitar arsyetonte humbjen e tyre dhe të partisë së tyre. Nuk ka gjendje më të rëndë për LDK-në se sa humbja për plot 5 pikë përqindje nga PDK; nuk ka gjendej më të rëndë për VV-në se sa stagnimi në numrat të njëjtë pas katër vitesh opozitëbërje; dhe nuk ka gjendje më të rëndë për AAK-në se sa rënia e vazhdueshme nacionale-komunë-nacionale. Prandaj të gjithë – nga paniku e dëshpërimi – u bënë bashkë; prodhuar një ide për qeveri kompoti e mishmashi. Natyrisht se prapa një ideje të tillë qëndron motivi i parandalimit të qeverisjes së deritanishme e cila u tregua të jetë regresive, shpërdoruese dhe zaptuese e gjithçkaje në Kosovë. 

Nuk ka asnjë dyshim se qeveria e kompotit – emergjencës apo shpresës siç e quajnë ata – është shumë e shëndoshë dhe shumë më e duhur se sa qeveria e sjellje-pështjelljes dhe e vazhdimit të avazit të vjetër. Pra në çdo rrethanë – siç edhe e kanë konsideruar shumica e votuesve preferencialë ndaj opozitës – ka një gjendje ekuilibri më të mirë se sa gjendja paraprake (e vazhdimit të avazit të vjetër pra), por që kjo gjendje e re ekuilibri është sërish jo e mirë dhe jo e kënaqshme po u morr si e vetme. Sepse përveç që është mishamashe, pa kredibilitet dhe në fund humbëse, është e paqëndrueshme, e papërgjegjshme dhe e afatshkurtë – pra nuk është një zgjidhje afatgjate.

Kriza opozitare

Pavarësisht se si do të përfundojë saga e zgjedhjeve, rizgjedhjeve dhe e kushtetutshmërisë, një gjë mbetet e sigurt; opozita duhet të super-reflektojë në veten. Zgjidhja afatshkurte që do të propozohet, nëpërmjet një qeverie kompoti, do të parandalojë për pak regresin e Kosovës, por nuk do të jep progres – e ka të pamundur për shkak të mënyrës joparimore që ndërtohet.

Pra opozita dhe partitë opozitare – bashkë me liderët e tyre – duhet të kuptojnë qartë se ecja e deritanishme e tyre dhe mënyra e të bërit opozitë është e paqëndrueshme dhe jo fituese gjithsesi. Sepse me avazin e tanishëm të stagnimit ose progresivitetit të lehtë të tyre, partia fituese e zgjedhjeve (e pa shumicë parlamentare) do të mund të qëndrojë e para për shumë vjet. Sepse pa reflektim rrënjësor në përbërjen partiake të disave dhe ideologjinë e të tjerëve, ky vend do të mbetet me votë të shpërndarë opozitare dhe pa alternativë të mirë.

Në të vërtetë, me stilin dhe politkëbërjen e tanishme ne do të mbesim në vazhdimësi duke kërkuar zgjidhje më pak të këqija nga një grumbull i të këqijave; asnjëherë zgjidhje të kënaqshme e të mençur siç dhe do të duhej të ishte.




Saturday 7 June 2014

PËR REPUBLIKËN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 QERSHOR 2014

Republika nuk falë; dhe të tillët që kanë marrë peng fatin e një vendi të tërë për të vënë veten para atdheut, do të zihen nga mallkimi i saj herdokurdo


Ka rastisur ndoshta, që fillimi i kësaj kolumnë të ndërlidhet me fillimin e mandatit të kësaj qeverisje. E sa herë kthehem prapa nëpër koleksionin e artikujve të shkruar këtu e çdo të premte, arrij me lehtësi të nxjerrë një emërues të trishtë të përbashkët – gjithmonë nga këndvështrimi im natyrshëm që jo domosdo duhet të jetë i drejtë. Por ja që i besoj percepcionet tim nëpër kohë, dhe kështu çdo kthim nëpër kohë nuk më bëhet fare i këndshëm; në të vërtetë më bëhet shumë i pakëndshëm dhe shumë i rëndë. Sepse në tre-katër vite të shkuara nuk arrij të nxjerr as edhe pak brumë për të falur e arsyetuar qeverisësit e tanishëm, anti-Republikanët e Kosovës. Një shkret i tërë nga të bamunat e trishta të një grupi zaptuesish pa takt.

I shoh si anti-republikanë. Secilin që sot djegë kontributin e tij e saj të bërë katërmbëdhjetë vjet më parë, në këmbim të zaptimit e pushtetit regresiv katërmbëdhjetë vjet më pas, bëhet anti-republikan. Sepse përpjekja ndaj shtetit nuk është matematikë mbledhjesh e zbritjesh, plusesh e minusesh, apo ngritjesh e rëniesh varësisht kohëve për të dhënë në fund një bilanc përfundimtar; përpjekja ndaj shtetit është ecje njëtrajtshme,  e pandalshme, e pazbritshme e parënëshme – gjithmonë njëdrejtimëshe. Sepse çdo ndalje, zbritje apo rënie është anti-republikane për aq kohë sa parandalon kontributin e tjetrit për republikanizëm.

Republika nuk falë; dhe të tillët që kanë marrë peng fatin e një vendi të tërë për të vënë veten para atdheut, do të zihen nga mallkimi i saj herdokurdo. Këtë të diele, këta të fundit që vënë sërish veten në provë para nesh, meritojnë – them unë – zënie nga mallkimi fillimisht nga ne.

***

E pas tri-katër viteve reflektimesh, nuk kam ndërmend të mos mbajë anë. Do të mbajë anën e gjithçkaje që duket si anti-pushtet, pra gjithçka që kundërshton anti-republikanizmin e mbjellë në tri-katër vjet. Sepse po u bë ndryshe, ky vend do të marrë përfundimisht rrugë të mbrapshtë e në pakthim; sepse zaptuesit e anti-republikanët do të marrin zemër e vrull me padije se e kanë mbarë e mirë. Prandaj dhe do të sillen më keq, më ligë e më mbrtapshtë; sepse do të mendojnë se e kanë mirë; kur nuk e kanë hiç.

Dhe nuk di se kush mund ta ndryshojë Kosovën për mbarë; nuk kam përgjigje. Në tri-katër vitet e shkuara ne nuk patëm asnjëherë opozitë të denjë për të marrë notë perfektë dorën në zemër. Por ndoshta edhe nuk ka alternativë perfekte, ndoshta dhe nuk do të ketë asnjëherë. Ndoshta do të duhet të zgjedhim të keqën më të vogël nga një grumbull alternativash joperfekte sa për të mbajtur gjallë ciklin e rifreskimit dhe ndjenjën e dhënies së përgjegjësisë.

E rëndësishme, ç’është e vërteta, është se ky pushtet – me gjithë koalicionin destruktiv qeverisës që në vete ka – merition opozitën. Disa për t’u pensionuar përjetësisht, të tjerët për të pasur kohë mjaftueshëm për vetëreflektim. Jo vetëreflektim nga njerëz të ligë e mendjezi, por nga e në forcat progresive, të vullnetit të mirë që mund t’i kenë diku në vete këto parti. Në fund të fundit, opozita i bën hair secilës ide e secilës alternativë.

***

Rrëzimi i pushtetit sot është akt patriotik. Sepse përveç rikrijimit të dinjitetit në vend, zhbërjes së izolimit nga jashtë e kthimit të shpresës për të gjithë, me pushtetin e rënë do të marrin fund edhe gjithë anomalitë e tjera të bëra e ribëra për katër vjet rresht. Me pushtet do të bie edhe propaganda e gërditshme në RTK, edhe analfabetizmi i gjoksagjinjve në UP, edhe nepotizmi i militantëve në PTK, edhe mjerimi i burokracisë në QKUK, edhe zaptimi parapolitik në gjyqësor, edhe kapja e rendit në polici, edhe spiunazhi partiak në SHIK-o-AKI; do të bie gjithçka e bërë mbrapsht në katër vjet kohë.           Pra me rënien e pushtetit fillon zhbërja e zaptimit të shtetit; fillon vet shteti. E nuk ka akt më patriotik – dhe nuk do të ketë – se sa bërja e shtetit sot.

Prandaj lexues të kësaj kolumne, nuk e kam ndërmend të bëhem i paanshëm; përkundrazi do të marr anë kundër pushtetit më të ligë të mundshëm që ka pasur Kosova që nga çlirimi. Prandaj lexues të kësaj kolumne, kur t'i afroheni kutisë së votimit këtë fundjavë, kujtoni si asnjëherë më parë se Republika e re e jona meriton mbrojtje. Jo harresë, jo neglizhencë, jo komfort, por mend, besë e ngulm - për Republikën, nga republikandashësit.          

Sepse në katër vite të shkuara i erdhi rendi e kuti secilit cub të paditur e të pavlerë të ushtrojë gjithë vrerin, padhembshurinë e injorancën në Republikën tonë të re; si të mos ishte e jona - si të mos ishte e re. Në katër vite të shkuara e rropën fillimisht me hajni, e falën me zgërdhirje, e mbyllën nga bota me marri, e varfëruan në fund me themel. E shqepën dhe e qepën me harrnim një shtet që kishte plot shpresë; na lanë pa dinjitet e pa integritet, neve, të tjerët, Republikën, por jo veten.         

Prandaj, nëse je republikandashës e gardian i Republikës, nëse ndjenë veten të zot të Republikës, ngritu më 8 qershor e fol në emër të Republikës. Fol me votë derisa cubat të përfundojnë në burg, zaptuesit në ç'nderim, prepotentët përtokë, e gjithë keqpërdoruesit në dreq të mallkuar. Ky vend nuk guxon të mbesë sërish peng i një grushti parazitësh me mendje të prishtë e shpirt të sëmurë.