Monday 29 October 2012

PTK, KY TREGIM I BUKUR (2)



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 TETOR 2012

Nëse qeveria bash ka nevojë qysh sot për 300 milionë euro, më llogari ka të marr një kredi me çfarëdo norme interesi, kredi e cila më pas do të paguhej nga dividenta në rritje e PTK-së, e në fund të kredisë 5 vjeçare vendi mbetet edhe me 300 milionë edhe me aset.


1200 euro paga mesatare

Viti 2010 është vit kur PTK shënon kontributin më të ulët buxhetor, me vetëm 37 milionë euro, 12 milionë më pak se në vitin 2009, 43 milionë më pak se sa në vitin 2008 e plot 60 milionë më pak se sa në vitin 2007. Pra bëhet fjalë për prekjen e pikës më të ulët kontribuuese, atë fundin e trendit ‘U’. Një rënie kaq masive ishte shkaktuar domosdo nga ata 700 punëtorë shtesë brenda një viti (dhe 200 të tjerë në vitin vijues), por, për habinë më të madhe rënia e kontributit në vitin 2010 ishte shkaktuar edhe nga një faktor tjetër i turpshëm.

Në vitin e zgjedhjeve, të dhënë si duket pas hallakamës zgjedhore, pak kush ka vërejtur se PTK kishte rritur pagat e punëtorëve për plot 7 milionë euro në total. Në fjalë tjera, derisa në vitin 2009 paga mesatare ishte 1000 euro, në vitin vijues 2010 ajo arrinte në plot 1150 euro. Lërë që menaxhimit politik nuk i kishte mjaftuar zaptimi i asetit me militantë partiakë, por se të njëjtëve u ishin rritur pagat për plot 7 milionë euro; madje në kohë kur aseti po nën-performonte dukshëm e po humbiste me të madhe. Këto 7 milionë euro vetëm në vitin 2010, e 14 milionë të tjera për 700 punëtorë (nga 1000 euro pagë mesatare për 2009 e 2010),  në vend se të përfundonin si dividendë në buxhetin e shtetit po përfundonin në xhepat privat. Nga një llogaritje e tillë i bie se humbjet vjetore nga një mbipunësim militant e partiak janë plot 25 milionë euro (përfshirë dhe benefitet e kostot jashtë pagave). Pra Kosova që nga viti 2008 ka humbur plot 100 milionë euro si paga nga uzurpimi i asetit publik. Dhe këto janë vetëm kosto direkte. Paramendoni humbjet tjera milionëshe nga mungesa e menaxhimit efikas e hiper-prezencës së korrupsionit.

Lajmi i keq është se rritja e pagave ka vazhduar edhe në 2011, madje në bazë të raportit financiar paga mesatare në PTK sot është plot 1200 euro. Me një pagë të turpshme si kjo,  Kosova ka sot një ndërmarrje publike me të punësuar që marrin pagë 7 herë më të lartë se sa paga minimale (170 euro) e gati 5 herë më të lartë se paga mesatare (260 euro). Të harrojmë që kemi ndërmarrje me korrupsion, të harrojmë që kemi ndërmarrje me nepotizëm, të harrojmë që kemi ndërmarrje me mbipunësim, pra të harrojmë që gjithë këto i bëjnë vendit dëme financiare enorme, ne kemi dhe të punësuar në ndërmarrje publike që kompensohen disproporcionalisht më shumë se sa kosovarët tjerë. E tash paramendoni sa e përbashkët është sot prona publike në Kosovë!


1 zgjidhje

Në vitin 2011, përkundër keqpërdorimeve brutale në aset, PTK shënon rritje të të ardhurave për plot 10 milionë euro; nga 154 milionë në vitin 2010, në 164 milionë në vitin 2011. Me një rritje të tillë kontributi në buxhet rritet nga 37 milionë në plot 51 milionë euro; pra bëhet fjalë për një kontribut jo vetëm më të madh se viti paraprak 2010, por edhe më i lartë se sa viti 2009. Këtë javë, në një kumtesë të Bordit të PTK-së, u bë e ditur se aseti gjatë nëntë muajve të deritanishëm kishte realizuar fitim neto për 11% më të lartë se sa viti 2011. Me këtë rritje aseti kompleton trendin ‘U’ duke ju afruar dukshëm performancës së vitit 2008.

Thënë këtë është e qartë se shkatërrimi i PTK-së është pothuajse i pamundur për vet pozicionin që ky aset ka sot në treg. Derisa shkatërrimi të jetë i pamundur, i pamundur megjithatë nuk është zhvlerësimi, qoftë nëpërmjet pagave për militantë, qoftë nëpërmjet aferave korruptive, qoftë nëpërmjet anomalive tjera menaxhuese e politike e qoftë nëpërmjet një privatizimi të pa kohë e të pamatur mirë. Pra përkundër gjithë shalimit të turpshëm, PTK thjeshtë është një pulë që bën ve të arta. Kujdesi për këtë pulë do të thoshte shumë më tepër ve të arta. E nëse PTK është në trend rritës përkundër gjithë mallverzimeve, atëherë njeriu me mendje minimalisht të shëndoshë konkludon se shitja e përfolur për 300 milionë, e ndonjëherë dhe për më pak, është thjeshtë hajni tipike sidomos kur këta 300 milionë mund të realizohen në më pak se 5 vite.

Nëse qeveria bash ka nevojë qysh sot për 300 milionë euro, më llogari ka të marr një kredi me çfarëdo norme interesi, kredi e cila më pas do të paguhej nga dividenta e PTK-së, e në fund të kredisë 5 vjeçare mbet edhe me 300 milionë edhe me aset. Nëse nuk ka nevojë për 300 milionë në grup, e tëra çfarë duhet të bëjë është të pranoj marrjen e dividentës vit për vit për më pak se pesë vite dhe në fund të mbesë dhe me 300 milionë dhe me aset. Shitja e menjëhershme siç pretendohet sot është më tepër mendim që na jep ndoshta 300 milionë por na lë pa aset.

Për të përmbyllur çështjen e privatizimit të PTK-së me vlerën e  asetit, pra nëse dikush dikur mendon ta rrisë vlerën para se ta shesë asetin, hapi i parë që do bënte është vlerësimi i shpenzimit të pagave. Kështu kishte bërë dhe David Cameroon në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tij me administratën publike në Britani. Kryeministrit britanez kishte zvogëluar mbi 20% të administratës publike e cila për dallim prej Kosovës,nuk kishte elemente nepotizmi e korrupsioni, por thjeshtë mbipunësimi të panevojshëm. Në rastin tonë, reduktimi i faturës së të mbipunësuarve do të thotë më tepër fitim për PTK-në.

Natyrisht se PTK ka nevojë për punëtorë, pa ta asnjë lloj fitimi nuk do të ishte i mundur, por jo për të punësuar fantazmë e militantë. Ka vetëm dy alternativa këtu: ose të vlerësohen e largohen nga puna të gjithë të panevojshmit aty, ose të mbahen të njëjtit por të reduktohet fatura e pagave. Pra nëse punëtorët e PTK-së, sindikatat e ku ta di unë, kërkojnë të drejtën e mirëfilltë të punëtorëve mund të zgjedhin ja largimin nga puna të mbi 1000 punëtorëve, ja mbajtjen e të gjithëve por reduktimin e pagave në tërësi (përafërsisht përgjysmimin); unë parapëlqej largimin në vend të shpërndarjes së kostos. Në çdo situatë, PTK do të kursente rreth 25 milionë euro në vit nga pagat e mbi-dhëna e nga shpenzimet tjera (udhëtim, zyre e shpenzime operacionale). Me një vullnet pak më të fuqishëm apolitik, reduktimi i korrupsionit, efiçenca në menaxhim e rritja e investimeve do të thoshte se PTK lehtësisht mund të arrijë një fitim e kontribut gati si në vitin 2007. Pra e tëra çfarë ne duhet të kërkojmë është kthimi i performancës së asetit si në vitin 2007. E kemi bërë një herë, mund ta bëjmë prap; sidomos kur të hyrat e asetit rriten në atë drejtim. E tëra çfarë duhet bërë është ti kthejmë shpenzimet në të njëjtin nivel.

E kur ne kthejmë një aset që performon si në vitin 2007 dhe potencialisht këtë kthim e bëjmë për jo më shumë se 4 vite, në vitin 2016 përveç që kemi marrë 250 milionë euro dividentë gjatë kësaj kohe (aq për sa ka nevojë qeveria sot) ne do të kemi një aset që gjeneron fitim bruto prej gati 100 milionëve (sa në vitin 2007). Në një situatë të tillë ne kemi komfortin e vënies së çmimit minimal, një çmim që nuk kthen investimin për 4-5 vite por për së paku 10-12 vite. Në një situatë të tillë ne kemi përdorur filozofinë e tregut siç e do rendi; pra nuk kemi vendosur në treg një aset të ndytë që s’ka se sit të gjenerojë atraksion e para, por kemi vendosur në treg një aset të pastruar mirë e me potencial të mirë.

Sunday 28 October 2012

PTK, KY TREGIM I BUKUR (1)



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 TETOR 2012


Çfarë kanë të përbashkët numrat: 3349, 649, 1200, 317 milionë, 7 milionë e 1?



I pari, tremijë e treqind e dyzet e nëntë (3.349) është numri i punëtorëve aty. I dyti, gjashtëqind e dyzet e nëntë (649) është numri i të pranuarve në punë vetëm brenda vitit 2009. I treti, njëmijë e dyqind euro (1.200) është paga mesatare e një punëtori. I katërti, treqind e shtatëmbëdhjetë milionë euro (317.000.000) është kontributi i asetit në buxhetin e Kosovës në vetëm pesë vitet e fundit. I pesti, shtatë milionë euro (7.000.000) është vlera e parave të shpërndara si paga në vend të dividentës në vitin 2010. Dhe i fundit, një (1) është ndërmarrja më profitabile në vend, Post-Telekomi i Kosovës (PTK).

Në numra si këto njeriu gjen sa elemente shpresëdhënëse aq edhe dekurajuese. Për shembull, sa herë që flitet për vlerën e privatizimit të PTK-së, fitimi prej 317 milionëve (në vetëm pesë vite) do të duhej të shërbente si shpresëdhënës e si paratregues se sa nuk bën të shitet aseti. Për dallim nga kjo, numrat e tjerë, si ato të të punësuarve plot, pagave të majme, luksit e bonuseve, do të duhej të shërbejnë si burim i alergjisë ndaj shalimit të paturpshëm që politika e turpshme kosovare i ka bërë aseteve publike nëpër vite.

Ky shalim fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Kur mediat tona bënë publike emrin e kryeshefit të ri ekzekutiv në PTK, një nip i deputetit Azem Syla, e para e mendjes më erdh treni i uzurpimit institucional nga një qeveri që kontrollon gjithçka e që sillet pa fije respekti ndaj pasurisë publike. Në të vërtetë, ndërmarrjet publike vetëm se thirren si publike; nëse asgjë tjetër ato janë kaherë të privatizuara e pronë private e njerëzve më të fuqishëm të politikës kosovare. Caktimet e stilit ‘alla-leme-xhema’ nuk i paragjykoj për lidhjet familjare, por paragjykimin për dikë që ende nuk ka treguar veten (quajeni këtë paragjykim timin joprofesional ose si të doni)  e bëj nga relacionet e principeve. Një i ri pa kualifikim minimalisht adekuat akademik e eksperiencal është caktuar për CEO në një ndërmarrje që në pesë vitet e fundit ka bërë qarkullim gati 1 miliardësh. Nuk ndodh askund në botë. Relacione si këto mund të prodhohen vetëm në Kosovë e në Kosovë dhe do të vdesin. E bashkë me vdekjen e tyre fatkeqësisht do të vdesin dhe shumë copa të pasurisë publike të cilat vazhdojnë të përdhunohen nga individualistë amorfë në kurriz të më të varfërve evropianë.


317 milionë euro fitim për 5 vite

Si subjekt i privatizimit, PTK shpesh është vënë nën thjerrëzën e një makinerie dezinformatash të prodhuara në vazhdimësi. Këto dezinformata kanë synuar të zhvlerësojnë fillimisht asetin, të zhvlerësojnë ardhmërinë e tij, e të zhvlerësojnë në fund kontributin financiar nga procesi i privatizimit; pra ta bëjnë asetin të duket si i pavlerë. Këtë zhvlerësim këto zëra e kanë filluar duke e bërë PTK-në të duket si një aset që është në rënie drastike, një aset që shkatërrimin e ka të destinuar e një aset që herët a vonë dhe do të mbesë pa treg. Prandaj në logjikën e zhvlerësuesve, sa më shpejt të shitet aq më mirë për ne.

Për të parë potencialin real të asetit ju referova raporteve financiare të bëra publike në ueb-faqen zyrtare. Për të mos humbur në kohë, vendosa ti krahasoj të dhënat nga viti 2007 e tutje; të paktën kjo periudhë pesë vjeçare është mjaftuese për të kuptuar e gjykuar a) kualitetin e asetit dhe b) kualitetin e qeverisjes politike që kemi dhe sot. Duhet thënë se raportet çuditërisht nuk ishin vënë në kontekst kohor, pra njeriu nuk gjente dot një raport që krahason vitet në mes veti. Kjo kam përshtypjen bëhet për të mbuluar trendin e ecjen, meqë është po ai trend e është po ajo ecje që tregojnë një storie e fotografi jo aq mbresëlënëse.

Pavarësisht zërave zhvlerësues, e vërteta e vetme megjithatë është se PTK vetëm në 5 vitet e fundit ka realizuar fitim prej plot 317 milionë eurove; fitim ky i derdhur në buxhetin e Kosovës qoftë nëpërmjet dividentës qoftë nëpërmjet tatimit në fitim. E për gjithë kë me ndjenjë pesimiste e zhvlerësuese për asetin në të ardhmen, lajmi i keq për ta është se fitimet e PTK-së që nga viti 2010-të kanë shënuar rritje prej 10% çdo vit. PTK nuk është aset në rënie të vazhdueshme. Përkundrazi është një aset që ka potenciale dhe më të mëdha se sa vlera e tanishme; prandaj sa më shpejt të shitet aq më keq për ne.

Madje po shikuam me vëmendje trendin e fitimit dhe atë të hyrave të PTK-së, është kristal e qartë se kemi një relacion ‘U-shaped’; pra një performancë mbresëlënëse në vitin 2007, një rënie drastike në vitet 2009-2010 dhe një ringjallje impresive në vitet 2011-2012. Ne dje mund të ishim në fundit e trendit ‘U’, por nesër lehtësisht mund të jemi në pjesën ngritëse.


Për shembull, në vitin 2007 PTK ka realizuar 191 milionë euro të ardhura, rrjedhimisht plot 97 milionë euro kontribut në formë të dividentës e tatimit. Kjo performancë zhbëhet disi në vitin vijues, pra vitin 2008, kryesisht për shkak të futjes së telefonisë së dytë Ipko. Në këtë vit, të hyrat bien për 19 milionë euro gjersa fitimi jo më shumë se 17 milionë. Rënia në fitim në vitin 2008 bëhet vetëm për shkak të rënies së të ardhurave (e jo rritjes së shpenzimeve). E përmendi këtë meqë kjo ka rëndësi për të kuptuar rënien e fitimit në vitet tjera, ku shkak i rënies në fitim nuk është vetëm zvogëlimi i të ardhurave vjetore, por rritja e pakuptimshme e shpenzimeve, kryesisht në paga.


700 të punësuar të rinj për 1 vit

Rënia drastike e fitimit të PTK-së fillon në vitin 2009. Këtu buron dhe  deformimi kryesor i asetit i cili thënë të drejtën deri atëherë po barte deformime ashtu kështu përtej normales. Mbipunësimi, nepotizmi e korrupsioni nuk kishin filluar e nuk ishin zbuluar që nga viti 2009 e tutje, por që nga paslufta. Pavarësisht kësaj, 2009-ta është viti kur ndodh paradoksi i hiper-punësimit në kohë të rënies në të ardhura. Në vitin 2009, PTK me plot 2500 të punësuar, shënon të ardhura në vlerë prej 157 milionë eurove, 15 milionë euro më pak se sa viti paraprak; 34 më pak se sa viti 2007. Në një trend të tillë aseti po humbiste çdo vit nga 10% të të ardhurave. Përkundër kësaj rënie, çfarë PTK megjithatë bën është një rritje e paparashikueshme, e pakuptueshme, dhe e paarsyeshme e të punësuarve. Vetëm gjatë vitit 2009 punësohen, besoni ose jo, plot 700 punëtorë të rinj; duke rritur kështu numrin e punëtorëve nga 2500 në 3200. Me një normë të tillë, i bie se PTK realisht ka punësuar çdo ditë nga dy punëtorë të rinj. Si rezultat i një politike të tillë, këta 700 të punësuar të rinj i kushtojnë asetit dhe kështu gjithë Kosovës plot 16 milionë euro shtesë. Në vend se këto para të përfundojnë në buxhetin e shtetit, ato përfundojnë si paga (madje të majme) të të mbipunësuarve kryesisht politik e partiak. E në numra si këto, në vitin 2009 PTK kontribuon në buxhet me vetëm 49 milionë euro nga 80 sa kishte kontribuar një vit më parë e 97 dy vite më parë. Në më pak se dy vite, PTK përgjysmon kontributin në buxhet të shtetit.

Viti 2009 është viti kur PTK shihet si vend i rehatimit të familjarëve të politikanëve kosovarë, pra është vit i migrimit e zaptimit politik drejt PTK-së e kështu ndërtimit të një sistemi militant e votues të qëndrueshëm për disa vite. Është vit kur qeverisja e sodit merr kontrollin mbi asetet nacionale dhe i shpërdorë ato për të rehatuar bazën e saj militante. Rritja e të punësuarve në norma kaq drastike është rast i padëgjuar në ndonjë vend tjetër. Thënë të drejtën, do të ishte fare e lehtë identifikimi i shumicës së të punësuarve në këtë kohë sikur një menaxhim i përgjegjshëm do të kishte vullnetin e bërjes publike herë do kur do të listës së të punësuarve të rinj. Do të habiteshim të gjithë për shkallën e nepotizmit aty.

Mbipunësimi vazhdon edhe në vitin 2010, duke rritur kështu numrin e punëtorëve të gjithmbarshëm në plot 3384 vetë. Në dy vite qeverisje, klasa politike e sodit kishte rehatuar plot 900 individë vetëm në PTK.  Rehatimi i bazës në trupa publik është praktikë tanimë e konsoliduar në Kosovë dhe ky rheatim domosdo ka një kosto financiare për shoqërinë. Çdo pagë e tyre ishte më pak para në buxhet të shtetit; pa përfshirë këtu mëditjet, udhëtimet e shpenzimet tjera operacionale për staf shtesë.

Friday 19 October 2012

NË RËNIE TË LIRË



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 TETOR 2012


Rrethimi institucional nga forcat speciale policore ishte akti i fundit i një blasfemie ndaj demokracisë, patriotizmit, e lirisë së të bërit. Fale Zotit që kemi kaq shumë sy ndërkombëtarë këtu se me mendje si këto Korea Veriore do të na dukej parajsë


Kur Felix Baumgartner po bënte rënien e ti të lirë nga stratosfera për një rekord të ri prej 4 minutave e 19 sekondave, dikush diku tha se rekordi megjithatë mbahet nga Kosova; rënie e lirë për plot 13 vite. E trishtë se si një tallje e tillë megjithatë ka kuptim në plotni; edhe më e trishtë se si ne mbesim spektatorë derisa gjithçka gjithkund na zhbëhet mu para syve. E sa më shumë provoj të bindë vetën se kjo rënie tanimë ka prekur fundin e se nuk ka ku të shkoj më rëndë e më keq e më mbrapshtë, del një forcë tjetër gravituese që na zhytë edhe më rëndë edhe më keq edhe më mbrapshtë. Na del diçka si një shtet policor, një plaçkitje privatizuese apo edhe një rezolutë e pakuptimtë dialoguese që bëjnë konsternacionin e evoluimit të një shoqërie në tërësi. Është një shoqëri e tanë që bie lirshëm e më lirshëm, keq e më keq, mbrapshtë e më mbrapshtë. Ajo bie mu para syve tanë e mu nga duart e soditësve që megjithatë ngrenë dolli me plot arrogancë e indiferencë.

Në këtë indiferencë e arrogancë të tyre njeriu kupton dhe sjelljen që ata tregojnë përballë problemeve më madhore të vendit; aq shumë indiferencë e arrogancë sa që në një pikë na del një ministër i cili si para derës së shtëpisë jep urdhër për ti larguar (për një minutë) mysafirët e paftuar; veçse dallimi është se shtëpia nuk është e ministrit e mysafirët e paftuar janë në të vërtetë deputetët e vendit, pra të zotët e shtëpisë. Largimin e deputetëve ministri e gjykoj si parandalim të veprave të tyre potenciale; pra ministri na bëhet nostradamus, din e parasheh çfarë do të ndodhë dhe për këtë vendos për dhunë. Ministri na bëhet dhe mbret, mbi-interpreton të drejtën e garantuar me ligj për qasje të lirë të deputetëve. E përfundon duke u bërë dhe diktator i vocërr kur në foltore kërcënon deputetë, kryekuvendarë e madje dhe presidentë se do ti arrestojë që të gjithë për ti mbrojtur institucionet. Pra thënë shkurt, ministri i policisë, me forcën policore, kërcënon me arrestimin e gjithë institucioneve për të mbrojtur institucionet. Ka një shpjegim racional në një thënie irracionale si kjo, e ky shpjegim thotë se ministri i policisë institucion sheh vetëm shefin e gjithçka rreth tij, e se rrjedhimisht çdo institucion tjetër që nuk është në krah e vijë të shefit për të është subjekt i arrestit e burgosjes; madje me një forcë më të madhe se sa keqinterpretuesit e urdhrit të tij kishin treguar. Ka një term për një mendësi të tillë, i thonë shtet policor.

Çfarë ministri irracionalisht kërkon është rrahja e deputetëve, ndalimi i lëvizjes së tyre, moslejimi i mendimit të lirë në Parlament e përfundimisht mbyllja e Parlamentit; diçka shumë e freskët për kosovarët. E për të mos mjaftuar kjo, ai vendosi dhe për futjen e forcave speciale policore brenda godinës së Kuvendit. Rrethimi institucional nga forcat speciale policore ishte akti i fundit i një blasfemie ndaj demokracisë, patriotizmit, e lirisë së të bërit. Nuk di çfarë potence ministri ka dashur të tregojë vet i dyzeti në Parlament, nuk kuptoj se si në një vend demokratik forcat speciale policore arrijnë të futen dhunshëm në një tempull a-policor, e nuk dua as të paramendojë se çfarë imazhi antidemokratik e paradiktatorial japim me veprime si këto. Madje ndërhyrjet policore në Parlament njeriu i gjen vetëm në Bell0rusi e Rusi, Venezuelë e Amerikë Jugore (gjatë aparteidit.  Do të ishte skenë e filmave apokaliptik sikur një ditë SWAT-i amerikan të qëndronte në Senat a Kongres për të mbrojtur institucionet nga senatorët apo kongresistët. Interesant se si kritikuesit gjoja anti-diktatorial na dalin me mish e me shpirt si imitatorë të lodhur paradiktatorial. Fale Zotit që kemi kaq shumë sy ndërkombëtarë këtu se me mendje si këto Korea Veriore do të na dukej parajsë.

Kuvendi ishte me fat megjithatë që pat një kryeparlamentar që mendonte ndryshe nga ministri, në të kundërtën seanca e djeshmit do të mbahej nën tingujt e prangave e nën tika-takat e çizmeve policore. Madje kryeparlamentari krahasoj rrethimin parlamentar me përvojën e viteve të 90-ta e për çdo kë me pak respekt e dinjitet, një kritikë kaq e fuqishme e kaq serioze për nivelin e burimit do të prodhonte pasoja. Sikur ky stil qeverisës të kishte një fije marre e një fije respekti për qytetarët e vet, Kuvendin e vet, deputetët e vet, një ministër i tillë do të merrte plaçkat në mbrëmje. Nuk dua të kërkoj përgjegjësi morale e dorëheqje; kjo është luks për një vend në rënie të lirë.

Thënë të drejtën, zanafilla e shtetit policor nuk është vetëm në një rrethim që të paktën shihet. Shteti thënë shkurt është kaherë i rrethuar e zaptuar. Tjetër çka që ne pranojmë tregtimin e dinjitetit me komfort e se në këtë komfort na zhvlerësohet jo vetëm demokracia por dhe pasuria shtetërore e dinjiteti individual. Kështu na u zhvlerësua e shkoj dhe Distribucioni i Kosovës ne një vendim që nuk zhbëhet më. Paramendoni, 290.000.00 euro qarkullim vjetor, 180.000.000 investime nga taksapaguesit kosovarë, 450.000 konsumatorë të përjetshëm, 21.000 km tel përçues, 7.000 trafo të tensionit të ulët, 37 objekte afariste, 33 trafo të tensionit të lartë, 22 hektarë tokë, 1 treg i përjetshëm e 0 konkurrencë u dhanë për veç 26.3 milionë euro. Deri më sot procesin në fjalë e kam llogaritur si falje të asetit, nga sot dua ta korrigjoj vetën; ky nuk është privatizim, as shitje, as falje, është thjeshtë plaçkitje.

Natyrisht që ka të tillë që të puthitur në njërën apo formën tjetër me diçka si ‘Targa Z’, xhama të zi, kostume gri e fellne 17-she e shohin një tregti të tillë si sukses historik të vendit, madje po i dëgjove gjatë shumë dikur dhe fiton simpati e dhimbshmëri për privatizuesit që disi i paskemi mashtruar, por për çdo kosovar tjetër një degradim kaq i hapur i pasurisë së vendit është mosrespekt ndaj durimit të tyre.

Se ky stil nuk tregon respekt jo vetëm ndaj të gjallëve, po as ndaj të vdekurve, të zhdukurve, të dhunuarve, të djegurve e të përndjekurve, tregon dhe miratimi i rezolutës së fundit për normalizim të marrëdhënieve me një vend që jo që ka relacion anormal ndaj teje, por tregon në vazhdimësi pretendime të sëmura të shfarosjes, nënshtrimit e mohimit të akteve gjenocidiale mbi ty pak vite më parë. Po të kishim pak respekt ndaj vetës e të tanëve asnjë relacion normalizues pa (të paktën) kërkimfalje nuk do të ndodhte. Siç e bëjmë ne, jo që Serbia nuk na kërkon falje, por kërkesën për afrim e bëjmë ne, thuajse ua kemi borxh. E kur nuk respektojmë vetën e të kaluarën tonë me çfarë sensi presim respektin nga dikush që të mirë të sheh vetëm si të vdekur?

Në fund fare, nuk mbaj mend që vendi të jetë katandisur kaq rëndë për një kohë të gjatë. Ka diçka që nuk shkon dot në gjithë këtë sjellje politike e shoqërore, ka diçka që na ngufatë. Ka një tension e një amulli për fatin politik e ekonomik të vendit, kulmimi i të cilave prodhon plot pasiguri. Në këtë pasiguri ne do të vazhdojmë me sjellje të çorientuara, e përderisa mbesim në rënie të lirë edhe me vendime e ecje të çorientuara. E sigurt përveç rënies megjithatë është vetëm vazhdimi i avazit destruktiv i cili nuk ka se si të mos shpërthejë dikur.




Friday 12 October 2012

0-POZITA



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 TETOR 2012

Tregimi mbi sjelljen e çakorduar opozitare


Se Kosova ka energji politike, kjo nuk ka dyshim. Të paktën mosmundësia e asnjë kryeministri kosovar për të çuar mandatin deri në fund tregon mjaft. Në trende si këto e në raste kur qeverisja derivon nga, citoj deklaratën e Komisionit Evropian: vjedhja industriale e votave, fund i citatit, pritjet për jostabilitet, zgjedhje të parakohshme e ndryshime eventuale janë më se reale. Në rrethana si këto çdo forcë opozitare synon optimalizimin e kohës për të rritur e konsoliduar radhët e veta, e në rast se një hap i tillë rezulton të jetë i pamundur atëherë ajo synon një unifikimin opozitar. Alternativa ndaj kësaj është vazhdimi i politikës në opozitë.

Duke shikuar qeverisjen e dy viteve të fundit, pak kush do të prognozonte se mu momenti kur pozita do të arrinte fundin e paevitueshëm të dobësimit parlamentar përfaqëson dhe momentin kur opozita do të shënonte të njëjtën gjë; pra të dobësohej njëtrajtësisht. Të paktën shikuar në retrospektivë, dy vite jetë opozitare nuk kanë shërbyer asnjëherë si mundësi e thyerjes së barrierave vështirë të thyeshme ndër-opozitare e për të ofruar kështu një alternativë solide ndaj keqqeverisjes. Praktikisht të gjithë në opozitë kanë nevojë për njëri tjetrin, të gjithë bëjnë thirrje për njëri tjetrin, por paradoksalisht të gjithë përfundojnë larg njëri tjetrit. E me një cikël të tillë, pozita me gjithë problemet e brendshme që ka mund ti sigurojë vetës kohë e luks për rikonsolidim.

Ndërrim-diskursi

Mu atëherë kur gjërat dukeshin se po zënë vend, kur pozita për herë të parë në këtë mandat nuk qëndronte dot në këmbë nga nokdauni i marrë (kryesisht) nga dora e vet, kur një mocion i përkrahur mbarësisht po merrte hov e kur procesi denigrues dukej se po mbaronte mbarë, partia e tretë opozitare AAK (ose thënë më mirë një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të saj) bëjnë një ndërrim në qëndrim sa radikal aq dhe të pritshëm. Them radikal meqë ende pa mbaruar java nga përkrahja dhe nënshkrimi i mocionit kundër formës së privatizimit deklaruan se do ta abstenojnë atë. Them aspak befasues meqë një pritje reale për koalicion të ri mes tyre e PDK-së do të nënkuptonte dhe bashkë-pozicionim në çështjen e privatizimit. Pra në një shpjegim të thjeshtë, kur PDK çalonte dukshëm nga mungesa e përkrahjes brendapartiake nga figurat më të votuara në parti (të cilat përndryshe sot sulmohen pa të drejtë pse mbajnë qëndrim të drejtë), disa deputetë të AAK-së vendosin të bëjnë rrolin e xhokerit për ti zëvendësuar ata.

Në të vërtetë ndërrim-diskursi i AAK-së u paraqit me një lloj finese, ndonëse e njëjta është disi dhe ofenduese për një intelegjencë mesatare në Kosovë. Sikurse në arsyetimin për futje në koalicion me logjikën se për të ndalë “djallin” duhesh të “ndash shtratin me të” edhe në rastin e privatizimit argumenti i dhënë ishte i thatë. U tha se partia ani pse ishte pajtuar fillimisht për mocion, ani pse ishte deklaruar fillimisht pro tij, po kërkonte një koncenzus në mes të palëve tanimë me dy ekstreme.

Kam përshtypjen se janë djersitur mjaft brenda AAK-së për të gjetur arsyetimin e duhur dhe minimalisht bindës përpara opinionit, për të dalë kështu me një pozicion si “as-as”, pra as me njërin e as me tjetrin, por ja që arsyetimi i dhënë çalon e nuk kënaq as pragun minimal të arsyeshmërisë. Së pari, është e habitshme se si në më pak se një javë mocioni i përkrahur e parashtruar nga ta bëhet dhe qëndrim ekstrem. Do të ketë ndodhur diçka në mes për të ri-orientuar tërësisht politikën e tyre ekonomike. Nëse nuk ka ndodhur asgjë, çfarë kredibilitetit mund të ketë dikush që nuk ka qëndrim parimor për çështjen më madhore ekonomike në vend? Nëse ka ndodhur diçka, çfarë kredibilitetit mund të ketë dikush që ndërron qëndrim brenda javës për çështjen më madhore ekonomike në vend? Së dyti, është i papranueshëm arsyetimi “lame” i dhënë nga AAK se mocioni kërkonte bojkotin e idesë së privatizimit në tërësi dhe si i tillë për ta është i papranueshëm. Në të vërtetë mocioni ishte as më shumë e as më pak se sa pauzim i privatizimit; assesi bojkoti i tij. Në fjalë të tjera mocioni kërkonte një periudhë konsoliduese e planifikuese para vazhdimit të procesit, por asnjëherë ndalimin e përjetshëm të tij. Së treti, qëndrimi “as-as” i AAK-së është më së paku qëndrim asnjanës. Në të vërtetë, një qëndrim e votim i tillë ka output të vetëm: procedimin e qëndrimit të pozitës; rrjedhimisht vazhdimin e zhvlerësimit me privatizim “alla-kosovar”. Abstenimi i AAK-së në esencë ishte votë për pozitën.

Pavarësisht se a do të votohej apo jo mocioni edhe me votë të AAK-së, them se flirti politik para-koalicionar në kurriz të privatizimit ka dy kosto. E para, zhvlerësimi i aseteve nuk kompensohet me asnjë qeverisje të mirë që mund të vijë në të në të ardhmen, pra është hesap i rëndë për vendin; dhe e dyta, nëse asgjë tjetër Kosova ka nevojë për qeverisje, qeveri, e pretendues kryeqeverisës kredibil, pra individë e grupe njerëzish parimorë e jo amorfë. Madje është jashtëzakonisht frikësues amorfiteti politik ende pa zotuar fuqi; paramendoni koston eventuale të amorfitetit me fuqi qeverisëse. Të mos keqkuptohem, nuk dua as për së afërmi të notojë veprimet apo preferencat e AAK-së rreth koalicionit të ri; kanë drejtë të bëjnë çfarë të duan. Dua të notojë vetëm ndërrim-diskursin në më pak se një javë dhe rrjedhimisht efektin që ky ndërrim i bën jo vetëm procesit më të rëndësishëm ekonomik në vend por edhe qasjes dhe fuqisë opozitare të Kosovës.

Thirr ti, thirr unë, bashkë asnjëri

Se opozita si tërësi ka potencë zero vërehet edhe nga një paradoks thirrjesh që bëhen e janë bërë nga opozita në vazhdimësi, por që prodhojnë gjithçka tjetër veçse bashkëpunim opozitar. Së pari, Lëvizja VETËVENDOSJE ka kohë që mund të konsiderohet si e vet-përjashtuar nga një unifikim opozitar për shkak të qëndrimeve shpeshherë diametrikisht të kundërta me spektrin e gjerë politik. Prej përjashtimit të shtetësisë mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, tek metodat joinstitucionale në politikëbërje, tek kundërshitmi i privatizimit si qasje ekonomike e deri tek opozita lokale e bërë ndaj LDK-së, them se kanë lënë pak vend, në mos fare, për një afrim të tyre. Në fund të fundit energjia opozitare e VETËVENDOSJES ndaj LDK-së pothuajse me intensitet të njëjtë si ndaj PDK-së ka mbyllë çdo derë (nëse ka pasur ndonjë të hapur) për bashkim me ta. Pra unifikimi i tyre është pothuajse i pamundur jo pse ka pasur VETËVENDOSJE apo LDK të drejtë, por se të dy anijet kanë ankoruar në porte të ndryshme. E meqë jemi këtu, më duhet të them se një afrim eventual i tyre  (sado që është mision i pamundur) do të ishte fitore e garantuar opozitare kurdoherë që do të mbaheshin zgjedhjet.

Së dyti, thirrja për unifikim, e nisur fillimisht nga AAK pothuajse dy vite më parë, kishte marrë gjithçka veçse përgjigje afirmative. Një pritje disa vjeçare kam përshtypjen se ka qenë më se e destinuar për tu ndërprerë herë do kurdo. Prej perspektivës së AAK-së rënia si parti e tretë opozitare si dhe trendi rënës vazhdues do të duhej të kishte një ndërprerje. Alternativa e mosndërprerjes është degradimi nën pragun minimal eventualisht në rastin më të mirë shpëtimi nga baza militante në Dukagjin; por gjithsesi përfundimi pa ndonjë fuqi të konsiderueshme elektorale. Prandaj në çdo rrethanë normale humbja e votuesve në llogari të partive opozitare tjera nuk është dhe një matematikë fort e mençur; sidomos jo kur asnjëri nuk do të bashkohet me ty e hiç se hiç kur liderin e partisë e ke të amortizuar politikisht. Zgjedhja e tyre për tu bërë bashkë në koalicionin e ardhshëm me PDK-në është realisht përfundimi i vetëm “efiçent” për ta, por jo për grupin. Në terma ekonomik, në perspektivën e “teorisë së lojërave”, një situatë e tillë nuk është fare “nash-equilibrium” pra nuk është situatë optimale për grupin por është një ekuilibër klasik vetiak, pa efiçencë Pareto. Megjithatë, duhet thënë se inkuadrimi i tyre në koalicion ka rrezik shumë të lartë të përfundojë me fund të partisë njëjtë sikurse në rastin e AKR-së në koalicionin e fundit. Djegia politike në një konstalacion pa fuqi është absolutisht e pritshme. Ka ndodhë me parti të tjera e do të ndodhë me AAK-në po shërbeu si patericë.

Së treti, thirrja e LDK-së për unifikim të së djathtës është thirrje që do të përfundojë pa ndonjë efekt serioz e signifikant në skenën politike, pra pa gjasë për të përmbysur ndonjë rezultat. Fillimisht kjo thirrje është më pak joshëse për AAK-në e cila pothuajse ka nxjerrë nga nënmënga letrën e postit të kryeministrit (të ofruar nga PDK); asnjë ofertë tjetër nuk ka gjasë ta mund atë. Më pas thirrja për unifikim të së djathtës është po ashtu vetëpërjashtuese për grupin e dytë opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje. Kështu oferta e së djathtës mbetet vetëm në tavolinën e dy partive të mbetura që me gjithë respektin për njerëzit aty kanë gjasën e një topi bore në ferr për të nxitë entuziasmin e votuesve të para një dekade; atë çfarë synon të ngjallë LDK.

E para LDD është më pak se një parti serioze. Ajo ka elektoral që s’mund të bëj kurrfarë ndërrimi e për më tepër bashkimi i saj jep përshtypjen e reformës regresive në LDK. Në fund të fundit reforma nuk nënkupton kthimin e njerëzve të para një dekade por nënkupton gjetjen e fituesve të rinj. Në vende demokratike e në procese serioze është shumë normale që partiakët të mos jenë aty përjetësisht. Në vendet demokratike e në proceset serioze edhe fituesit të tipit Bill Clinton e Tony Blair largohen po bënë një dekadë. Prandaj nuk arrij të kuptoj logjikën e gjithmbarshme të partiakëve kosovarë që lidhin fatin e partisë me themeluesit ose kontribuuesit më të vjetër në parti. Partia po nuk u ushqye me fytyra të reja, ide të reja, fryma të reja, në kurriz e zëvendësim të të vjetrave (jo në bashkëpunim por thjeshtë zëvendësim) nuk bëhet dot parti.

E dyta, AKR është një parti në zhbërje me anëtarët kyç të saj që tashmë janë pothuajse me një këmbë në PDK dhe për më tepër e njëjta është pa ndonjë potencial entuziazmues elektoral. AKR është gjithashtu parti që ka treguar amorfitet të skajshëm në qëndrime e politikëbërje dhe thënë të drejtën mundësinë e bashkimit me LDK mund ta shohë vetëm si mundësi ricikluese të imazhit jashtëzakonisht të dëmtuar nga mandati i fundit. Kjo i hyn më së paku në punë LDK-së në synimin ringjallës të votave.

Nuk do të flas fare për thirrjen e bërë ndaj një liste me katër-pesë vetë të diskredituar në afera korruptive e mafioze, sidomos kur e njëjta listë është në proces hetues e skandaloz (madje dhe të dënuar ndërkombëtarisht). E pakuptimtë për mua kjo lojë “ruleti-rus” nga LDK-ja  që nuk ka se si të mos i shpërthejë e kështu zhbëjë çdo gjë që kanë ndërtuar në pak vite.

Pra thënë shkurt, në një konstalacion të tillë ku LDK kërkon humbësit e vjetër e jo fituesit e rinj, është pak e pritshme se unifikimi do të bëj shtim neto të votave; ka shumë gjasa reale se unifikimi anti-reformues të largojë votuesit e LDK-së që kanë votuar me shpresë për reforma.

Në fund fare, kur përmenda në fillim rezultatin paradoksal, e kisha mendjen tek tri thirrje nga tri grupe opozitare por që asnjëra nuk prodhon bashkim. E para AAK me thirrjen para-dyvjeçare me LDK-në por tanimë të skaduar, e dyta thirrja e VETËVENDOSJE-s për unifikim por paraprakisht me vizion ndryshe, dhe e treta thirrja e LDK-së për bashkim të së djathtës por paraprakisht pa potencë. Në rrethana si këto, kur gjithë opozita bën thirrje e askush nuk bashkohet besoj se vend meritor zë shprehja e fundit urbane, diçka si: “thirr ti, thirr unë, bashkë asnjëri”. Në rrethana si këto fitues i vetëm mbetet PDK dhe kryeministri i vendit i cili pa heqjen e barrierave brenda-opozitare ka luks enorm që të konsolidojë veten fillimisht brenda partisë e më pas dhe në skenën politike. E heqja e barrierave ndër-opozitare kam përshtypjen se është akt që kërkon shumë sakrificë, sakrificë që nuk e gjen sot tek opozita. Paradoksalisht unifikimi opozitar është më i vështirë se sa fitimi i zgjedhjeve nga një opozitë e bashkuar.