Monday, 25 November 2013

MBI BUXHETIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 NËNTOR 2013

Draft-buxheti i prezantuar në Parlament vazhdon të qëndrojë në vija të njëjta me të viteve paraprake, vija këto që nuk kanë sjellë as ndryshimin e domosdoshëm, as standardin e nevojshëm as optimumin e merituar të mirëqenies kosovare. Janë këto vija që vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe status-quo.


Siç është bërë tashmë traditë rëndom, siç dhe e do rendi e zakoni, në fund të vitit kalendarik shpërfaqet diskutimi – gjithmonë në rritje – mbi buxhetin. Ritheksoj ‘gjithmonë në rritje’ nën tonin pozitiv meqë diskutimet buxhetore e të cilat determinojnë bukur shumë prioritetet qeverisëse dhe fatin qytetar, janë shenja të një përgjegjësie dhe maturie ekonomike të shoqërisë. Vite më parë shpërndarjet e tilla buxhetore kalonin me automatizëm, pa ndonjë diskutim publik dhe pa ndonjë interes qytetar. Ndoshta sepse po piqemi dhe ne, ndoshta sepse po rrisim e krijojmë dhe më shumë kualitet, pavarësisht të gjithave, diskutimet e tilla vazhdojnë të shtrojnë presionin tek vendimmarrësit për më tepër përgjegjësi karshi taksapaguesve; e tëra gjithsesi ende larg të mjaftueshmes.

Mu në këtë frymë u dha dhe pasqyra e parë e draftit buxhetor, e e cila për pjesën më të madhe të njohësve të fushës ishte veçse një vazhdimësi e vijave të trasha të së kaluarës. Dhe kjo bën lajmin e keq.

***

Një vend i vogël, sikurse Kosova, në një univers paralel, do të duhej të barte zhvillimin ekonomik nëpërmjet sektorit privat. Në këtë konstalacion optimal, e të cilin herë-do-kurdo do të duhet ta arrijmë, do të ishte më pak relevante fakti se ku e si i shpenzojmë paratë publike. Jo pse shpenzimi i tyre nuk ka rëndësi, por se në rast të ndonjë gabimi eventual dëmet në mirëqenien e gjithmbarshme do të ishin më të margjinalizuara. Pra nëse ekonomia mund të modelohet si një tren në tendencë ecjeje, dhe nëse në këtë tren zhvillimor sektori privat bën vet lokomotivën, atëherë them se çarja eventuale e sektorit publik të ndodhur në një vagon të pasmë bëhet më pak e dëmshme në ecjen e gjithmbarshme; treni megjithatë do të ecë. Por nëse lokomotiva e trenit është sektori publik, atëherë çdo dëm eventual në të do të paralizonte gjithë vagonët tjerë; deri në ngecje.

Kosova, tash e katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vite, burim kryesor të zhvillimit e ka sektorin publik. Pra lokomotiva jonë është vet sektori publik. Buxheti i shtetit është përcaktues kryesor i fuqisë së kësaj lokomotive, rrjedhimisht çdo qarje në buxhet është determinuese për ecjen e gjithmbarshme. Prandaj gabimet buxhetore reflektohen më shumë në mirëqenie; prandaj dhe më i rëndësishëm bëhet diskutimi buxhetor.

***

Në këto katër-pesë vitet e fundit, Kosova ka krijuar një ekonomi fragjile, në tendencë ngrirje e status-quo-je dhe pa haber në relacion me nevojat emergjente që do të replikonin eventualisht zhvillimin. Pavarësisht gjuhës prezantuese të politikëbërësve – e cila natyrshëm do të jetë gjithmonë defanzive dhe e zbukuruar edhe atëherë kur nuk bëjnë asgjë – them se ka disa tregues makroekonomik, të cilët nëpërmjet gjuhës ekonomike krijojnë pasqyrën reale të vendit. Këta tregues janë deficiti tregtar, invesitmet e huaja direkte, norma e punësimit dhe shkalla e varfërisë; të gjitha janë në ngecje apo regres – të gjitha.

Buxheti i këtij viti duhet analizuar në dy frymë, si mjet diagnoze për të kaluarën dhe si platformë orientuese për të ardhmen (njëvjeçare). Nëse shikohet si mjet diagnoze, atëherë vërteton ngecjen ekonomike të vendit. Për shembull, ndër të tjerash, fakti i mbledhjes së të hyrave të gjithmbarshme 74% nga dogana dhe 26% nga administrata tatimore, tregon se Kosova planifikon edhe një vit, sikurse katër-pesë vitet e shkuara, të mbështetet në importe. E mbështetja në importe rrjedhimisht do të thotë se rritja ekonomike do të jetë dy herë më e ulët se e nevojshmja, e për shkak të rritjes së pamjaftueshme, edhe këtë vit nuk do të ketë vende të reja të punës për të ulur papunësinë e e zbutur varfërinë.

Apo, fakti se edhe këtë vit do të fokusojmë gjithë investimet kapitale në një projekt të vetëm rrugor – dhe jo sepse nuk kemi për të nevojë por sepse kemi dhe nevoja tjera që kërkojnë po aq vëmendje – pra fakti që harrojmë gjykatat, shëndetësinë, sektorin privat e të tjerat, do të thotë se sërish këtë vit asfalti nuk do të ushqejë rritjen ekonomike më shumë se sa gjysma e së nevojshmes, e se gjysma e rritjes do të thotë prapë nivel të njëjte të papunësisë dhe nivel të njëjte të varfërisë. Pra ka një rrjedhë logjike e analitike në buxhet që kam frikën se është injoruar në tërësi nga politikëbërësit.

Po u shikua buxheti si platformë orientuese për të ardhmen, atëherë nga niveli modest i rritjes së të hyrave të përgjithshme na bëhet e qartë se Qeveria as vitin në vijim nuk planifikon të luftojë evazionin fiskal e informalitetin, dy barrierat kryesore të bizneseve në dy vitet e fundit. Për më tepër, buxheti nuk reflekton as në ngjarjet e fundit të negociatave mbi Veriun. Nëse në vazhdimësi na thuhet se në Veri është shtrirë kontrolli shtetëror dhe se me këtë është parandaluar më në fund informaliteti atje, atëherë një mendje e shëndoshë do të priste numra shumë herë më të mëdhenj buxhetor tek të hyrat doganore; ato realisht rriten simbolikisht aq sa janë rritur në katër-pesë vitet e fundit. Buxheti në fjalë madje nuk reflekton as në Fondin Zhvillimor, i cili megjithatë na është thënë se është pjesë e buxhetit të vendit; ndoshta sa për të ushqyer kështu paralajmërimin se Fondi megjithatë është një buxhet paralel.

Njëtrajtësisht, rritja simbolike e fondit të pagave dhe e buxheteve komunale – parë si platformë orientuese – dëshmon për pritjet e deritanishme se premtimet zgjedhore ishin vetëm fjalë të thata; të dhëna aty për aty, për të marrë vota aq sa ka për të marrë. Ato nuk reflektohen në asnjë vijë buxhetore, as përafërsisht madje. Apo, mospërmendja as edhe një herë e fondit të sigurimeve shëndetësore, nënkupton se edhe këtë vit, sikurse çdo vit deri më tani, qeverisja e tanishme nuk planifikon as edhe një investim serioz e radikal në shëndetësi. Një politikë e tillë do të vazhdojë të trajtojë kosovarët si të dorës së dytë – ky aspekti moral – dhe do të vazhdojë të shohë shëndetësinë si të pa potencë – ky aspekt ekonomik – që të dy aspektet të pavend. Kosova harxhon me dhjetëra miliona euro çdo vit për shërim jashtë vendit, dhe pa hesapuar pjesën morale – fondi i sigurimeve shëndetësore do të ishte thjeshtë një llogari profitabile për vendin.

Buxheti shpërfaqë edhe shpërputhje të konsiderueshme në mes tendencës për zhvillim dhe shpenzimeve, pra, përtej gjithë stagnimeve të ambientit të jashtëm në fushën e investimeve e investitorëve të jashtëm, sigurisë ekonomike e politike, luftës ndaj korrupsionit e krimit apo dhe evazionit e informalitetit – pra përtej gjithë këtyre – buxheti në një anë parasheh rritje të kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, zvogëlim të investimeve kapitale dhe në fund rritje të gjithmbarshme ekonomike e thirrje në emër zhvillimor; një precedent i ri ky për logjikën ekonomike.

Pra thënë ndryshe, draft-buxheti i prezantuar në Parlament vazhdon të qëndrojë në vija të njëjta me të viteve paraprake, vija këto që nuk kanë sjellë as ndryshimin e domosdoshëm, as standardin e nevojshëm as optimumin e merituar të mirëqenies kosovare. Janë këto vija që vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe status-quo. Është e padobishme të diskutohet për projekte minore, shpenzime ditore e ide lokale – sado që të gjitha mund të jenë të rëndësishme – kur trasetë e mëdha buxhetore nuk kanë potencë të krijojnë zhvillimin.

Në fund fare, duhet dhënë gjithë lëvdatën për stabilitetin financiar që ky buxhet ka në vete. Pra për dallim nga të gjitha vitet paraprake, ky buxhet ka një disipline financiare dhe mbanë relacionin e deficitit me GDP në vetëm 2%; një arritje mbresëlënëse kur vetëm një vit më parë kishim gati dyfishin e saj. E stabiliteti financiar, në kohë të çmendurive politike në vend, është bukur një lajm i mirë për të gjithë; më së paku do të na duhej një telashe në këtë drejtim.



No comments: