Monday 28 November 2016

JEMI LARG

Letra nga limbo
KOHA DITORE 25 NËNTOR 2016

Një Kosovë tragjike e komike


-1-

Odat, janë bërë maskotat e zgjedhjeve të sivjetme në Drenas; një tregues i fukarallëkut tonë intelektual e shoqëror që s’na lëshon dot. Jo pse odat janë regresive si të tilla, përkundrazi, janë pasuri e shëndoshë e trashëgimisë sonë, por se fushatat elektorale të tilla, që përjashtojnë gra, vajza – e në secilën rrethanë dhe të rinj – shpërfaqin natyrën e marrjes së vendimit për votim këndej – të gjithë në grup, me delegim. Jemi, sinqerisht, larg shumë.

Por burrëria e zgjedhjeve të sivjetshme nuk është lajmi më i keq. Lajmi më i keq është manipulimi me kandidatë; kandidimi, presioni, tërheqja – e në fund mosaftësia për t’u tërhequr e kështu garimi me vetën por duke kërkuar vota për të tjerë. Sado komike të duket një skenar i tillë, në vete mbërthen tragjedinë më të rëndë që Kosova ka krijuar vet – kapjen. Sepse në kapje, integriteti personal formësohet e trajtohet pa hesapuar fare konsekuencat morale në shoqëri. Në kapje mund të bësh çfarë të duash, e në fund të duartrokitesh si kloun – të mendosh se je hero.

-2-

Në të vërtetë tragjedi-komedi ishte edhe refuzimi i PDK-së për të votuar buxhetin; dhe më pas ndryshim mendimi i tyre për të shkuar për ani pse në buxhet s’ishte ndryshuar asgjë. Natyrisht se një akrobacion i tillë politik ishte produkt i provokimit të zgjedhjeve. Në secilën rrethanë, mosmiratimi i buxhetit do të nënkuptonte me automatizëm shkuarjen në zgjedhje – është dispozitë ligjore e kushtetuese e jona kjo. Rrjedhimisht, nëse do të kishte një gur mbështetës për në zgjedhje, atëherë i njëjtë do të niste nga buxheti.

Të mbesim të qartë. Buxheti i sivjetmë është ndër më të mirët që vendi ynë ka pasur nëpër vite. Nuk është më i miri i mundshmi, larg madje, por është më i mirë se paraprakët shumë. Dhe kjo për dy arsye bazë. E para, sepse vë kufizim në rritjen e pagave publike, një thes që rrjedhtë para vazhdimisht. Një kufizim i tillë megjithatë tregon një pjekuri qeverisëse dhe mosshfrytëzim të mjeteve financiare për popullizëm që kushton shumë. Dhe e dyta, sepse vë refuzim në kompensimet e veteranëve.

Dhe listat e veteranëve, në vete janë tallëse publike ndaj së cilës tallje kemi filluar të jemi dhe tolerantë. Përderisa ne flasim këtu, në Kosovë janë bërë mbi 45 mijë përfitues në emër të veteranëve. Këta 45 mijë veteranë fiktiv, do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës, secilin vit, nga 100 deri në 110 milionë euro. Përgjatë gjithë kohëzgjatjes së jetës së tyre, këta veteranë fiktivë do t’i kushtojnë vendit tonë nga 2 deri në 2.5 miliardë euro. Dhe kjo është tragji-komedi serioze – e kushtueshme. Vendi ynë i varfër, do të duhet të akomodojë akraba fiktiv e të rrejshëm, të odave e mahallave, shfrytëzues të patakt të shtetit e të publikes – në kurriz të lënies anash të shëndetësisë e spitaleve të tmerrshme, arsimimit analfabet e gjyqësisë së mjerë.

-3-
E gjyqësia – kjo e mjerë – bën tragjedinë më të rëndë tonën. Këtu s’ka komedi. Fillimisht, sepse, veç në Kosovë, një kryeprokuror nën vëzhgim prej 24 orëve nën orën e policisë, bëhet subjekt i një vjedhjeje. Për këtë, kryeprokurori madje, akuzon për papërgjegjshmëri e implikim vet policinë. Sasia e vjedhjes nuk ka hiç rëndësi, sa ka rëndësi mesazhi që i dërgohet sot një kryeprokurori. Ky mesazh është i thjeshtë; se kryeprokuroi është  pasigurtë edhe në shtëpinë e tij.

Kryeprokurori, ndërsa, duhet të kuptojë, se sa më parë që nisë betejën me kapësit e shtetit, aq më parë do të jetë i lirë ai, ne e gjithë të tjerët. Të kuptojë gjithashtu se në këtë përballje nuk mund të ketë kompromis, sepse kompromisi do të nënkuptojë partneritet me të njëjtit që s’respektojnë as të drejtën private në shtëpi e familje – për ta kufinj nuk ka. Të kuptojë mbi të gjitha që s’është vetëm. Të mbushur me llafazanë avokatësh të kriminelëve, hajnave e kapësve të tjerë që s’na lënë dritë televizive pa mbushur me refrenet e tyre të zakonshme se “klienti im është i pafajshëm”, Kosova ka nevojë megjithatë për një hero; të anës tjetër. Kosova ka nevojë për një kryeprokuror që bën anën tjetër; që përndjekë kapës e hajna barabartë.

Derisa kjo s’të ndodhë, duhet pranuar se sistemi i drejtësi ka humbur gjithë kredibilitetin këndej. Fillimisht për shkak të selektivitetit të trajtimit të rasteve, e më pas edhe për shkak të papërgjegjshmërisë edhe në shfaqjet më flagrante të tij. Pra ky sistem s’është më as i barabartë për të gjithë e as i përgjegjshëm ndaj të gjithëve. Në rrethana si këto humbet dhe besueshmëria në vet shtetin. Në gjithçka e çfardo që i njëjti prodhon. Mund të jetë diçka e mirë, edhe sikurse buxheti, e të trajtohet me plot skepticizëm.

-4-

Epilog. Në kronikën sportive të një televizioni nacional, shfaqeshin garimet për Kupën e Kosovës në futboll. Në një stadium të rrethuar me shtëpi të papërfunduara jashtë, e me lloç më shumë se bari brenda, ndeshja luhej në mes të Flamurtarit dhe Australisë. Ndeshja nuk ishte ndërkombëtare; Australia ishte emri i një ekipi lokal në Kosovë. Kronika thoshte se loja ishte ndërprerë për pak në minutën e 81-të. Kamera kapte një fëmijë 6-7 vjeç që në gjithë lazdrimin e tij, po i binte duar e shqelma këmbëve – për aq sa mbërrinte me shtatin e tij – gjyqtarit anësor në lojë. Të afërmit e tij, të grumbulluar prapa telave mbrojtës, po shkriheshin në të qeshura e klithma. Fëmija u largua dikur, u hodh mbi telat mbrojtës disi, nga një lojtar i Australisë.

Jemi larg.


Monday 21 November 2016

MBI DIALOGUN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 NËNTOR 2016

Një vështrim në konstruktin dialogues Kosovë-Serbi

-1-

Arrestimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës në Serbi; gjuha ofenduese në rritje ndaj palës tjetër, përplasjet e vizitave me e pa leje, si dhe gjithë lobimet e egra jashtë, janë dëshmi e mjaftueshme se dialogu Prishtinë-Beograd as nuk po funksionon, e as që po i afron dy vendet pjesëmarrëse në të. Ç’është e vërteta, dialogu ka arritur deri më tani t’i afrojë vetëm liderët e dy qeverive përkatëse drejt kryeqendrave Evropiane; por vendet e tyre, qytetarët e tyre vazhdojnë të marrin trajtim disproporcionalisht më pak efiçent; matur me kohën dhe energjinë e investuar në dialog.

Është e natyrshme që vendet të flasin në mes vete. Është plotësisht e natyrshme që dialogu të zhvillohet në mes të dy kundërshtarëve. Në të vërtetë, dialogu ka kuptim pikërisht kur zhvillohet në mes të kundërshtarëve. Në një regjion të sotshëm, mbi të gjitha, do të vlerësohet gatishmëria për të biseduar para gatishmërisë për të mos dëgjuar palën tjetër. Por ama, një dialog që zhvillohet brenda premisave të paqarta e shtyllave të dobëta, nuk ka për të dhënë rezultate; siç, argumentoj unë, s’po jep ky i tanishmi.

Në këtë shkrim, do të provoj të rendisë disa shtylla dialoguese që duhet përmirësuar për të përmirësuar dialogun në fjalë. Shtyllat janë përmbledhje të qëndrimeve e mendimeve që i kam shpalosur më parë në këtë kolumne.

-2-

E para, dhe më e rëndësishmja, e vërteta e dialogut, siç shihet në sy të bashkësisë ndërkombëtare, duhet të dalë në pah sa më parë. Pra, kjo e vërtetë duhet të definojë se a bëhet fjalë për dialog të Serbisë “për Kosovën” apo për dialog të Serbisë “me Kosovën”.

Deri më tani, nuk ka pasur një qartësim të tillë; as në qëndrimet publike të ndërmjetësuesve dhe qeverive respektive, por as në përmbajtjen e  temave të diskutuara. Në qëndrimet publiket është përdorur qëndrimi zyrtar i BE-së që nuk prejudikon statusin final të Kosovës; dhe ky mosprejudikim lë derën hapur të të diskutuar edhe “me” por edhe “për” Kosovën. Në përmbajtjen e temave, ndërsa, nuk ka pasur ndonjë filtrim. Për shembull, marrëveshja për targat e automjeteve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të bënte pjesë në dialogut “me Kosovën”. Por marrëveshja tjetër për kod telefonik, për interkoneksion energjetik, e për pasuritë e ngjashme të Kosovës, bëjnë pjesë në dialogje “për Kosovën”.

Dhe në marrëveshje të tilla lind dhe problemi ynë. Po qese është dialog “për Kosovën”, për rregullimin ekstra-kushtetues të Republikës së Kosovës, atëherë pozicioni ynë dialogues duhet të rimodelohet – rimodelim që në esencë kërkon refuzim. Sepse, dialog përtej Pakos së Ahtisaarit, do të thotë prishje e balancës kushtetuese që edhe pa rëndesa të tjera, ashtu kështu mezi po funksionon. Mos të harrojmë, Pakoja e Ahtisaarit nuk është pozicion startues i popullit të Kosovës. Pakoja e Ahtisaarit është pozicion i negociuar i Kosovës; pozicion përfundimtarë pra.

Po qese është dialog “me Kosovën” e jo “për Kosovën”, atëherë trajtimi ndërkombëtarë duhet të bëjë të qartë dy premisa bazë, e që në princip shkojnë në vijë me qëndrimet politike të shteteve përkatëse që ndërmjetësojnë sot. E para, se në fund të rrugës, njohja reciproke është e domosdoshme. Ta dinë palët pra çfarë i pret në fund. Dhe e dyta, se negocimi për përmirësimin e jetesës së minoritetit serb në Kosovë nuk guxon të kapërcejë rendin kushtetues të Kosovës – i cili, megjithatë garanton më shumë se secili shtet tjetër Evropian të drejta minoritare.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e ndërmjetësuar dhe shtyrë nga ndërkombëtarët, ka shkelur këtë premisë. Si në asnjë rast tjetër më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar draftin e nënshkruar në plot 23 pika si në shpërputhje të plotë e të pjesshme me Kushtetutën e frymën Kushtetuese të Kosovës – dhe me rrezikshmërinë e funksionimit të shtetit të Kosovës. Pra, elemente e dokumente kundërkushtetuese po prodhohen nga një dialog i tillë. Kjo bën dialogun të duket, ndoshta dhe siç është si dialog “për Kosovën”.

-3-

E dyta, po aq e rëndësishme, dialogu po bëhet zëvendësues i nevojave për reforma ekonomike e demokratike në të dyja vendet pjesëmarrëse në të. Shihni për pak trendin e indikatorëve reformues përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të dialogut në mes të dy vendeve.  Pjesa më e madhe e tyre kanë shënuar ose regres ose status quo. Të gjitha, megjithatë, po amnistohen me pjesëmarrje në dialog.

Sot, fatkeqësisht, për bashkësinë ndërkombëtare mjafton që të jesh pro dialogut, për t’u parë si partner e për t’i pasur rrjedhimisht duart e lira në politikën e brendshme. Duart e lira në punët e brendshme ndërsa,  po prodhojnë në vazhdimësi kapje, korrupsion, e pabarazi.

Ky zëvendësim i nevojës për reformë me nevojë për dialog, pra vënia e dialogut para reformës, po krijon edhe një tipar të ri të klasës politike në vend, tipar që kërkon pikërisht këtë zëvendësim. Dhe elitat politike këndej, por edhe në Serbi, kanë kuptuar lehtë këtë pazar mbështetës. Kanë kuptuar se vlerë e tyre jashtë nuk është numri i rasteve të gjykimeve të profileve të larta korruptive, as pavarësia e liria institucionale në vend. Vlerë e tyre jashtë është numri i takimeve që bëjnë ndërmjet veti për dialog; ani pse, pjesa më e madhe e po të njëjtave takime nuk ka rezultuar me ndryshim substancial për qytetarët e vet.

Mos të harrojmë, për aq sa përmirësojnë jetën e qytetarëve marrëveshjet eventuale, për aq rëndohet ajo nga papunësia, varfëria, ikja masive e kosovarëve nëpër Evropë – produkt i një tolerance kundrejt një shablloni pjesëmarrës. Prandaj është imperative që të dy proceset të ndahen mirë.

-4-

E treta, dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të funksionojë po nuk pat një Serbi evropiane. Një Serbi që regjioni e komuniteti ndërkombëtar fatkeqësisht nuk po e kërkon më, sikurse bënte dikur.

Një Serbi evropiane do të ngrihej mbi të bërat e veta, do të merrte përgjegjësi. Një Serbi Evropiane do të pranonte realitetin e ri në Ballkan, siç kanë bërë të gjithë fqinjët tanë e të gjithë akterët relevant ndërkombëtarë.

Kjo Serbi, po qe evropiane pra, do të pranonte dialogimin e çështjeve që njëmend do të përmirësonin jetën e qytetarëve, shqiptarë e serb pa dallim. Dhe a e dini cilat çështje do të përmirësonin jetën e qytetarëve këndej? Kërkim falja për fillim. Kërkim falja e një Serbie evropiane që pranon përgjegjësinë e trashëgimisë së politikës së saj. Kërkim falja do të relaksonte dhe relacionet ndër-etnike në Kosovë.

Jeta e qytetarëve do të përmirësohej sikur dy palët të flisnin për 1700 të zhdukur nga Kosova. Të tregohet njëherë vullnet i mirë ndaj të vdekurve për të marrë respektin e të gjallëve. Të flitet e dialogohet edhe për gjetjen e trupave serb të zhdukur në Kosovë. Pse mos të sillemi njerëzisht njëherë. Jeta e qytetarëve do të përmirësohej edhe me kthimin e pensioneve të vjedhura, plaçkës së marë e dëmeve të bëra. Pajtimi s’mund të ketë tjetër kuptim.

Pajtimi nuk do të bëhet me agresionin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj ecjes ndërkombëtare të Kosovës, sikurse fushata e turpshme për UNESCO, krahasimi ynë me ISIS, apo paditë për anëtarësim në FIFA. Pajtimi s’mund të ndodhë as me minimin e stabilitetit politik që Qeveria e Serbisë po bën nëpërmjet Lista Srpskas. Në të vërtetë, përdorimi i serbëve lokal për të prekur e provokuar secilën çështje shtetërore, nga Trepça e deri te formimi ushtrisë,  po distancon dhe tensionon edhe më tej relacionet ndëretnike në Kosovë. Ato s’kanë qenë kurrë më të tendosura se sa sot.

-5-

Kështu, pra, një dialog i dizajnuar për fqinjësi të mirë është shndërruar në dialog që (një) vë pikëpyetje mbi statusin politik të Kosovës; (dy) zëvendëson domosdoshmërinë për reforma; dhe (tre) rritë tensionet në mes të dy vendeve por edhe në mes të dy etnive që jetojnë në një vend. Ka diçka që nuk shkon pra me këtë strukturim.

Për t’i dhënë përgjigje të parës, pra pikëpyetjes së statusit politik të Kosovës, palës sonë, i duhet sot unitet. Mos të harrojmë, çështjet politike me Serbinë janë arritur gjithmonë me një unitet të brendshëm politik. Secili presion që mund të vijë nga jashtë, duhet të përballet me një zë të vetëm – të përbashkët – nga Kosova. Uniteti politik kosovar do t’i jepte shtetit tonë më shumë siguri. Marrëveshja pra për shtyllat kryesore të ecjes sonë politike është e domosdoshme.

Për të dytën, pra zëvendësimin e dialogut me reforma, na duhet një këndellje e ndërmjetësuesve dhe kthim i procesit në kah të kundërt. Është shumë më e lehtë që negociatat të zhvillohen në mes të dy qeverive që kanë ndjekur reforma politike, ekonomike  e demokratike, se sa të atyre që jetojnë në status-quo. Në fund të ditës, pjesëmarrja për sy e faqe kundrejt një regresi shoqëror do të prodhojë veç migrim, varfëri e tension ndër-etnik. Nuk zgjidhet asgjë.

Për të tretën, ka veç një zgjidhje. Presion ndërkombëtar për një Serbi evropiane do të prodhojë një komunitet serb në Kosovë që vendos të bëhet pjesë e jetës në Prishtinë e pjesë e jetës në shtetin e tyre Kosovë. Ky komunitet ka të drejta të mjaftueshme, si asnjë komunitet tjetër minoritar në Evropë, për të avancuar pozicionin e tyre në një shoqëri multietnike. Bërja krah e nxitjes së tensioneve në vend të bërjes krah për bashkëjetesë në një Kosovë të pavarur, mund të jetë e kushtueshme për ta.



Monday 14 November 2016

NJË DITË PAS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 NËNTOR 2016

Mbi verdiktin e popullit amerikan


-1-

Për shqiptarët kishte dy lajme. I pari, që politika amerikane do të rikthehej në duart e administratës më të angazhuar në çështjen e Kosovës – zgjedhjes së Clinton. E dyta, që politika amerikane do të kalonte në duar të një paparashikueshmërie – zgjedhjes së Trump. Në mes të një lajmi që sjellë siguri të garantuar dhe një lajmi tjetër që sillte paparashikueshmëri, natyrisht që zgjedhja jonë shoqërore ishte me të parën. Do të duhej të ishte gjithnjë. Zgjedhja jonë politike e publike do të duhej të mbante gjithmonë neutralitet. Në fund të ditës, shtetet do të duhej të funksionojnë mbi parime strategjike; e për të mos lënduar këto parime strategjike neutraliteti i betejave të brendshme partiake është domosdoshmëri.

Shqetësimi mbi verdiktin e popullit amerikan nuk ishte veç i Kosovës e veç i shqiptarëve. Shqetësimi mbi verdiktin Trump ishte i pjesë më të madhe të botës perëndimore. I pjesës ku liritë individuale, aleancat ushtarake e blloqet post-soviete kishin qëndruar mirë e bashkë për gati tri dekada rresht. Këtë shqetësim e kishin shprehur medie, nobelistë, biznesmenë e aktivistë të të drejtave të njeriut. Në jo pak raste edhe politikanë me influencë e me përvojë mbresëlënëse.

Pra, shqiptarët e shqetësimi vijues pas, nuk dallojnë nga popujt e shqetësimet e tjera në Perëndim. Janë shqetësime të njëjta, që – sikurse në rastin e “Brexit” – ngrenë pyetje mbi çështjet e barazisë racore, ksenofobisë, lirive fetare e deri tek përballja me vet të ligë.

-2-

Përjashto kopetë e mendimeve “facebookiane” tek ne, që, nën “cingliminglat” e përzierjes së çajit rus politikën e një superfuqie e komentojnë si meze tavoline, pjesa tjetër e botës normale e të përgjegjshme mëngjesin e parë pas zgjedhjeve e kishte pritur në shumë shqetësim. Mediat më të mëdha botërore kishin ngre panik. Tregjet financiare kishin reaguar me rekorde të ulëta – në nivele sa të krizës financiare të fundit. NATO e mekanizmi përcjellës i saj ishte nën alarm; festë ndërsa bëhej nga Putin. I pari kishte ofruar partneritet të ri. Partneritet të kushtëzuar i kishte dhënë Gjermania, Franca e Britania; kushtëzimi kishte të bënte me respektimin e drejtave bazike të njeriut. Për një natë, komunikimi Evropë-Amerikë ishte bërë ndryshe. Dhe kjo mjafton për shqetësim.

Parashikueshmëria e qeverisjes së ardhshme është e pamundur. Kjo sepse vet presidenti i ri gjatë gjithë kampanjës zgjedhore ishte i paparashikueshëm. Në të vërtetë, po qëse implementohen të gjitha premtimet e tij, për deportim të minoriteteve, ndërtim të murit me Meksikë, mosintervenim ushtarak kur sulmohet një vend i NATO-s, rinegociim tregtar me Evropë e Azi, mbyllje të kufinjëve për muslimanë, lidhje e re e miqësore me Putin, largim nga rroli ndërkombëtar e ndryshim të politikave klimatike – atëherë secili njeri me mendje të shëndoshë e të mbarë duhet të ketë shqetësim.

Poqëse premtimet e tij ishin pjesë e një karakteri garues që për qëllim kishte veç përballjen me establishmentin politik, poqëse gjithçka nga politika e tij e jashtme ishte llogaritje veç e thënë por e pamenduar mirë, atëherë, ndoshta, në rastin më të mirë, mund të ketë një bashkërendim pa ndikim (në rastin më të mirë pra) në rrjedhat e mëdha këndej – në Evropë – për katër vjet rresht.

Pra në tavolinë janë fatet e vlerave të një uniteti perëndimorë që kishte kulmuar me një bashkërendim ushtarak në NATO; janë fatet ekonomike të tregtisë së lirë – konceptit ekonomik kryesor amerikan në pesëdhjetë vitet e fundit; fatet e rolit amerikan nëpër botë, si sigurues e garantues i lriive; dhe mbi të gjitha fati i formësimit të botës së re. Një “Brexit” dhe një Amerikë me premtimet elektorale, i japin fund parimeve mbi të cilat rendi i ri botëror ishte ndërtuar që nga rënia e komunizmit e këndej.

-3

Për shqiptarët e Kosovën në veçanti, reduktimi i rolit amerikan në botë, çarjet eventuale në NATO, e rëndimi i relacioneve tregtare në Evropë, s’kanë se si të janë të mira. Në të vërtetë, secila kohë e shpenzuar në çështje si këto është humbje për ne. E mirë do të ishte forcimi i lidhjeve në mes të SHBA-ve dhe Evropës e jo dobësimi i tyre. E mirë do të ishte zgjerimi i NATO-s e insistimi për forcë ndaj secilit agresion të jashtëm – si një zë – e jo kërkesa për pagesë në këmbim të mbrojtjes apo tërheqje nga përballja anti-Rusi. Këto lëvizje, deri më tani, duken të largëta.

Mbi të gjitha, e mirë për Kosovën është fokusi në regjion. Trump e politka e tij këtë fokus s’do ta kenë; të paktën në fillim të mandatit. Sepse prioritet i qeverisë së tij do të jetë riformatizimi i tregtisë me Azinë – në veçanti Kinën – si dhe fokusimi ekskluzivisht brenda SHBA-ve – për zhvillim ekonomik nëpërmjet poltiikave proteksioniste. Një ripozicionim i tillë do të thotë se regjioni do të mbetet në status-quo. Natyrisht se s’do të ketë ndryshime radikale e pretendime territoriale; por do të ketë hapësirë për forca të tjera, krtyesisht pro-ruse, për fuqizim.

Në esencë, s’pres ndryshime rrënjësore në politikat amerikane përballe neve; hiç se hiç strategjike. Por pres, siç dhe argumentova deri më tani, ndoshta më pak fokus; e ne kemi nevojë sot për fokus. Sepse projekti shtet-ndërtues i yni është në ngecje.

Mbi të gjitha, në një notë të mirë, fati i rolit amerikan në regjion do të varet edhe nga dy elemente shtesë. E para, nga ekipi i tij. Nëse si Sekretar i Shtetet caktohet dikush si Senator Bob Corker – një emër i përflitur me të madhe së fundmi, atëherë të rrimë të qetë. Senator Corker është një mik i madh i Kosovës, avokues i avancimit të rajonit në Senat. 

E dyta, nga lobi shqiptarë ne Amerikë. Në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, Kosova dhe Shqipëria kanë nënçmuar me të madhe shqiptarët lobues në Amerikë, të vetmit meritorë për aktualizimin e angazhimin individual të politikanëve amerikan në çështjen e Kosovës. Të tillët janë ndarë, përçarë, mosrespektuar e injoruar në plotni. Asnjë takim, mirënjohje, koordinim nga atëherë. E marrë përkrahja e tyre si e garantuar. Por s’është. Lobi shqiptar ka mundësi enrome të influencojë politikanët decisiv në SHBA që, në vijat kryesore integruese të ruhet, mbrohet e avancohet interesi ynë. Ky lob duhet të riaktivizohet sërish. Në kohë të paparashikueshmërisë – pavarësisht rezultateve të ardhme, shfrytëzimi i gjithë forcave tona është domosdoshmëri.

Monday 7 November 2016

BUXHETI 2017

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 NËNTOR 2016

Një vështrim telegrafik mbi buxhetin e vitti vijues


-1-

Projekt buxheti për vitin 2017, këtë herë zgjoi kureshtje më shumë se në vitet paraprake, për faktin e proklamimit të një momenti të ri, të vlerës prej 2 miliardë eurove, vlerë e synuar për kohë shumë. Për fillim, dhe për secilin me interes, duhet bërë të qartë se vlera e të hyrave nuk është 2 miliardë; 2 miliardë euro janë shpenzimet e buxhetit në fjalë. Të hyrat, për vitit në vijim priten të jenë rreth 1.7 miliardë euro. Diferencën mes të hyrave dhe të dalave, Kosova këtë vit do ta mbulojë me borxh.

Në këtë shkrim do të provoj të jap një vështrim mbi karakteristikat e projekt buxhetit, duke i renditur të mirat dhe jo të mirat e tij.

-2-

Në anën e mirë të buxhetit do të rendisja trendin rritës të dy kategorive. E para, kategorisë së të hyrave, dhe e dyta kategorisë së investimeve kapitale.

Të hyrat në vitin vijues projektohen të rriten për 91 milionë euro më shumë; që i bie se buxheti i Kosovës do të ketë 5.5% më shumë të hyra krahasuar me vitin paraprak. Trendi, duhet thënë, megjithatë, se është dyfish më i vogël se sa i rritjes paraprake – pra kalimit nga 2015 në vitin 2016. Atëherë, të hyrat ishin rritur për 11%; sot po rriten për vetëm 5.5%. Por edhe një vit më parë se aq, pra në kalimin e vitin 2014-2015, të hyrat ishin rritur për 10%. Trendi pra është pozitiv, por këtë herë është dyfish më i vogël se sa i dy viteve paraprake. Me nivelin e lartë të evazionit e informalitetit në vend, një rritje e tillë, ani pse simbolike, është e pamjaftueshme. Do të mund të bëhej më shumë.

Tatimet tregojnë rritje stabile tek të gjitha kategoritë, me theks të veçantë tatimi në të ardhurat e korporatave që do të rritet me kontribuuam për 13.5% vetëm këtë vit. Është indikative, megjithatë, rënia në kategorinë e “Detyrimit Doganor” për 10%, një tregues se, me hapjen e tregjeve mbledhja e të hyrave në kufij do të zvogëlohet. Për secilin me interes, TVSH do të mbetet kontribuuesi më i madh në buxhetin e Kosovës, me plot 748 milion euro në vitin vijues.

Në anën e shpenzimeve kapitale, rritjes pozitive të dytë pra, tregohet një rritje prej plot 44%. Kjo rritje nuk vjen nga financimi i buxhetit të rregullt – siç ka ndodhur deri më tani – por vjen nga financimi i klauzolës së investimeve dhe financimi nga mjetet e likuidimit. Klauzola e investimeve nënkupton marrjen e kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare për investime kapitale; ndërsa, mjetet e likuidimit nënkuptojnë mjetet e privatizimit nga AKP që kanë qenë të bllokuara tash e sa vite. Këtë vit, Kosova synon t’i marrë rreth 88 milionë euro nga fondi i ngrirë i privatizimit.

Në parim, për mendimin tim, një shfrytëzim i tillë i kredisë dhe mjeteve të privatizimit është i domosdoshëm. Siç kam argumentuar deri më tani, ndërtimi i rrugëve (të mëdha) me paratë e buxhetit është rast i paprecedent. Pra diversifikimi i financimit dhe heqja e barrës nga buxheti është risi; risi e mirë. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e rrugëve të mëdha ende do të ndërtohen nga paratë e buxhetit; si pasojë e kontratave të mëparshme.

Ana pozitive e buxhetit mbetet gjithashtu edhe stabiliteti në kategorinë e rritjes së pagave. Ciklet zgjedhore të kaluara kanë ofruar një keqpërdorim të rrezikshëm të buxhetit për teke elektorale; ku premtimet me rritje shoqëroheshin me humbje të fondeve ndërkombëtare. Nga ky vit, Kosova ka arritur të vejë një kufij të rritjes dhe të vendosë, me ligj, që rritja të trajtohet vetëm si pjesë e Parlamentit e jo si pjesë e ekzekutivit.

-3-

Kritika ime më e madhe për buxhetin është se i njëjti nuk adreson, as këtë vit, çështjen më thelbësore të mundshme për kosovarët – shëndetin. Pra, për nga struktura dhe përmbajtja, shëndetësia do të menaxhohet e financohet njëjtë sikurse vjet. Nuk do të ketë fonde shtesë për fondin e sigurimeve shëndetësore, parakusht për reformë të njëmendë të kujdesit për shëndet këndej. Kjo më bëhet pak sa edhe e çuditshme, kur kontribuuimet individuale në fondin e ri do të nisin nga janari i vitit në vijim. Pra, do të mblidhen në njërën anë paratë, por s’do të ketë paritet të buxhetit për to – një formulë që natyrisht s’është e dizajnuar për të funksionuar.

Në status-quo kanë mbetur edhe fondet për arsim e gjyqësi. Rritje e vazhdueshme e universiteteve publike nëpër vite nuk është përcjellë me rritje të fondeve mbështetëse për to. Rrjedhimisht, universitet e reja – por as të vjetrat – s’arrijnë të prodhojnë as dije e as aftësim. Prodhojnë pra veç letër. E aftëismi i fuqisë sonë punëtore, mbetet domosdoshmëri e investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës. S’po ndryshojmë asgjë.

E nëse krimi i organizuar e sundimi i ligjit janë problem në vend, atëherë të njëjtat do të duhej të trajtoheshin me para shtesë. Është e papritshme që një sistem gjyqësie të adresojë problemet e krimit, hajnisë, korrupsionit – po madje edhe të evazionit e informalitetit – të gjithë sistemit forcues në vend, pa përmirësim radikal të parave publike që i mbështetin ato.

Kritikë mbajë dhe për mjetet e veteranëve. Kosova nuk guxon t’i paguaj listat e paverifikuara. Futja në një cikël të tillë na rrezikon që secilin vit të kemi mbi 100 milionë euro shpenzime për kategori të paverifikuara – e sipas pothuajse secilit vlerësim kredibil – të falsifikuara.

Gjithashtu, mos zvogëlimi i luksit qeveritar, në kategorinë e pagave, mallrave dhe shërbimeve, tregon se keqpërdorimi i parasë publike nga administrata e saj do të vazhdojë ende njëjtë.

Dhe kritika më e fundit, por jo më pak e rëndësishme, më mbetet borxhi. Mos të harrojmë, Kosova në vitin vijues do ti krijojë plot 300 milionë euro shpenzime më shumë se sa të hyra; pra do të krijojë borxh.

-4-

Dhe borxhi, si koncept jo domosdo është negativ. Në të vërtetë, nuk ka vend në rajon e Evropë që s’mbanë borxh. Ka, natyrisht një limit të arsyeshmërisë të borxhit që një shtet duhet të marrë, si proporcion i Bruto Prodhimit Vendor – pra si proporcion i GDP-së. Në një publikim të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, argumenton se nuk ka, siç e quajnë ata, “kufi magjik” të nivelit të borxhit në relacion me GDP-në. Por, duke krahasuar të dhënat e borxheve publike të 100 viteve të fundit tek 34 shtetet më të zhvilluara ekonomike, ka një mesatare prej 55%. Pra, një shtet i zhvilluar, në mesatare gjatë 100 viteve të fundit, ka të marrë borxh në kufirin e 55% të GDP-së. Kosova sot ka një GDP prej 6 miliardë eurove. Borxhi publik i yni është më pak se 9%. Me kornizën ligjore tonën do të na lejohej borxh deri në 40% të GDP-së.

Pra, në terma të kufijve e tolerancave – matur në numra, jemi në rregull. Por kritika ndaj borxhit s’mund të matet veç me një kufi numri. Borxhi ka kuptim kur merret për projekte që bëjnë kthim, që gjenerojnë ekonomi e vlerë në vend. Borxhi ka kuptim kur s’merret për të bërë lukse publike, për të rehatuar veteranë fals, e për të shpërndarë mëditje për nepotizmin publik në vend.

Qeveria e Kosovës, për të mbuluar borxhin e ri prej mbi 300 milionëve, ka paraparë tri burime kryesore borxhi. E para, kredia e programit të FMN-së në vlerë prej 116 milionë euro. E dyta, kredia financiare – sipas klauzolës së investime – në vlerë prej 105 milionë eurove. Dhe e treta, emetimi i letrave me vlerë, pra marrja e borxhit të ri publik, në vlerë prej 100 milionë eurove.

Nëse borxhet në fjalë merren për të stimuluar ekonominë, dhe krijojnë një kthim në investim më të madh se borxhi, atëherë, si në secilin relacion investues ja kanë vlejtur. Dy kategoritë e para janë të dizajnuara ekskluzivisht për investime kapitale – sepse s’mund të merren ndryshe si borxh. Por, kategoria e tretë, e letrave me vlerë, 100 milionët e borxhit të ri mund të përdoren si mbulesë për çfarëdo nevoje aty. E nëse nevojë janë lukset, pensionet e listave të paverifikuara apo keqpërdorimet tjera, atëherë kemi futur vetën, sikurse shpeshherë deri tash, në borxhe që s’gjenerojnë kthim. Në barrë shtesë.