Monday 30 May 2016

NJË FAQE E ZEZË

Letra nga limbo
KOHA DITORE 27 MAJ 2016

Vendi ynë, për shkak të një pakice të konsiderueshme, do të bartë një kosto jashtëzakonisht të kushtueshme për vite shumë.

-1-

Hovin e lajmeve të mira për Kosovën e ndaloj artikulli i ballinës së gazetës më të famshme në botë, i New York Times. Titulli i paraqitjes së serishme të Kosovës në ballinë, serishme sepse hera e fundit që Kosova kishte bërë ballinën ishte shpallja e pavarësisë, e karakterizonte vendin tonë si vatër e ekstremizmit fetar – tokë e pjellshme e kishte quajtur gazeta vendin tonë. E pabesueshme se sa shpejtë mund të kthehet imazhi i një vendi në të mbrapshtë.

Një njollë e tillë, e vërtetë ose jo ka pak rëndësi, do ta ndjekë Kosovën për shumë gjatë. Sepse janë mu elemente si këto, detaje që shpërfaqen tek lexuesit ndërkombëtarë, që krijojnë një përshtypje të re për vendin që dikur konsiderohej si më i riu – në thelb e energji pra – evropian. Dhe, për të qenë të dhjete me veten, cilësime të tilla nuk kanë trajtën veç të shkrimeve gazetareske. Sot qendrat diplomatike mu këtë frikë e percepsion kanë.

Pra vendi ynë, për shkak të një pakice të konsiderueshme, do të bartë një kosto jashtëzakonisht të kushtueshme për vite shumë. Them pakice të konsiderueshme sepse, për secilin që ka kaluar një natë këndej, ekstremet religjioze janë shumë më të pakta se çfarë sot mund të gjinden nëpër qendrat evropiane. Kjo nuk i bën ato më pak të rrezikshme, as më pak të shtueshme ne të ardhmen; por i mbanë të tilla siç janë pak a shumë në secilin vend tjetër evropian.

Tashti, për të mos hedhur poshtë rrezikun, Kosova ka qenë njëmend vend i pjellshmërisë së lloj-lloj ekstremizmi. Nga ai religjioz deri tek ai nacionalist, nga racist e ksenofobik deri tek ai partiak e politik. Këndej, tek ne, mendimet janë sa ekstreme aq edhe të patolerueshme. Toleranca jonë – e shpërfaqur këndej si vlerë – nuk ka ardhur asnjëherë si vlerë besuese e diskutimeve, por si moskokëçarje. Në momentet e para të ballafaqimeve të ideve, kudo që kanë ndodhur ato, nga diskutimi parlamentar deri tek ia odave e kafehaneve, është nxjerrë jotoleranca jonë; ajo e vërteta.

-2-

Por për t’iu kthyer ekstremizmit, si karakteristikë e plot mendimeve këndej, ai më i rrezikshmi, më transformuesi e më i kushtueshmi për ne mbetet i besimeve e trushpëlarjeve që janë toleruar me vite këndej. I rrezikshëm sepse fillimisht ka karakter global – rrjedhimisht ka fuqi; e më pas sepse sulmon pikërisht vlerat e shumicës. Për vendin tonë, i rrezikshëm dy herë sepse prekë rrugëtimin tonë shtetformues, ashtu kështu të lodhët e sakatuar nga inkompetenca e korrupsioni skandaloz gjithandej.

Në Kosovë, si në pak vende evropiane, plleshmëria e ekstremizmit religjioz është shtyrë nga një gjendje e rëndë ekonomike e sociale. Pra duhet të ketë dallime thelbësore në burimet e ekstremizmit – për shembull nga rastet e Belgjikës e Zvicrës – me ato të Kosovës. Jo të gjitha kanë zanafillë të njëjtë – ani pse në fund kanë një bindje të njëjtë.
Për Kosovën, frymat e tilla kishin nisur me nisjen e organizatave humanitare post vitit 2000, e që shpërndanin para, ndihma, literaturë e ligjërata urrejte-nxitëse gjithandej. Më pas u krijuan grupet. Dikur grupet krijuan institucionet e veta, të përfshira brenda institucioneve religjioze, por dhe të vetëorganizauar jashtë saj. Kulmi, natyrisht, kishte arritur me konfliktin e Sirisë, kur njerëzit e trushpëlarë e nxitur për dhjetë vjet rresht, kishin përfunduar në monsterë e vrasës mizorë. Të tjerë përkrahës të tyre këndej.

Duhet thënë këtu, se reagimi qytetar e intelektual i parë ishte përcjellë me një kundërpërgjigje ofenduese nga një sistem mirë i organizuar e sinkronizuar i organizatave promovuese të ekstremizmit në vend; sistem i cili edhe sot shfaqë vetën gjithandej sa herë që ka një reagim kundër-ekstrem. Secili mendimtarë i vlerave pro-perëndimore, gjykues i ekstremeve të tilla, ballafaqohej me lloj lloj ofendimesh; dhe jo vetëm aq. Imamë të moderuar ishin sulmuar e ndjekur vazhdimisht; politikanë të guximshëm ishin pjesë e propagandave mediatike – përfshirë dhe këngëve e programeve urrejtje nxitëse.

Fillimi pra ishte i vështirë; jo se tani është më ndryshe. Porse, për dallim nga atëherë, tani megjithatë kemi një nismë institucionale të nisur gjatë vitit 2014. Kosova kishte rregulluar me ligj pjesëmarrjen në organizata terroriste; kishte adresuar institucionet paralele fetare gjithandej; dhe mbi të gjitha, kishte arrestuar, gjykuar e dënuar promovuesit e urrejtjes – si shumë pak vende nëpër Evropë. Prandaj, për raste të tilla, rasti i Kosovës do të duhej të ishte parë botërisht si rast i mirë – si shembull që duhej ndjekur. Fatkeqësisht nuk ishte shitur si i tillë.

-3-

Inkurajuese në gjithë këtë përballje ka qenë gjithmonë edhe reagimi intelektual e qytetar. Pra, pavarësisht një fillimi të vështirë, përballja me ekstremizmin në shoqëri ka pasur anë të qartë – është e shumicës.

E shumicës mbetet edhe rehabilitimi i vendit tonë nga një investim një dekadësh të mbrapshtë. Pra, e para, ne duhet të pranojmë se kemi një problem. E dyta, se ky problem ka goditur vendin tonë rëndë. Rrjedhimisht, se për shkak të këtij problemi e goditje, e treta kjo, neve na duhet rehabilitimi.

Dhe rehabilitimi i Republikës nuk do të bëhet më sulme ndaj imazheve botërore. Sado të dhimbshme e në masë të madhe edhe të pasakta, ato janë refleksion – simptomë pra – e një ngjarje që ka ndodhur këndej – e që mund të eskalojë po u tolerua. Rehabilitimi nuk bëhet as me kundër-ekstremizëm e mbytjen e bindjeve religjioze në vend. Kosova, në pavetëdije e jo pak herë, është shndërruar në betejë të ekstremeve – në njërën anë përçmuesit e feve e në anën tjetër trushpëlarët e feve. Kosova duhet pra të ndërtojë një sistem demokratik të vlerave e bindjeve; e kjo punë natyrshëm vjen me traditë.

Mbi të gjitha, Kosova e diplomacia kosovare duhet të jetë proaktive e ngjarjeve të tilla. Është e pakuptueshme se si asnjëri nga institucionet e vendit nuk reagoj ndaj një paraqitje prej faqeje të zezë. As edhe një fjalë. Është e pakuptueshme, mbi të gjitha, që nuk kishim as edhe një informacion të vetëm se një hulumtim i tillë po vintë. Në fund të ditës ai kishte ndodhur mu në Kosovë. Në fund të ditës, do të duhej të kishim angazhuar gjitha aparatin shtetëror, të miqve e lobuesve tanë për të parandaluar – në masën e mundshme parandaluese – një shpërthim të tillë.

Dhe për fund, ndonëse më pak fajtorët për të gjithë, s’kam se si të mos shprehë pakënaqësi ndaj shumë mendimtarëve tanë, amatorë të tmerrshëm, që nuk lënë të zezë pa thënë për vendin e tyre jashtë. Ka një dallim esencial në mes të kritikës konstruktive dhe promovimit të tmerrshëm jashtë; sidomos kur ky promovim i mbrapshtë është zmadhim i pavërtetë ndaj vendit tënd. Në fund të ditës, s’ka gjë për të fituar e glorifikues në një kampanjë të tillë.

Rreziku, gjithsesi, është këndej. Keq që jemi zgjuar vonë; mirë që kemi bërë këtë zgjim. Do të jetë edhe më mirë – e domosdoshme madje – sikur të zgjim ta përdorim mençur për të parandaluar ekstreme të mbrapshta në vend.

Monday 23 May 2016

MBI EKONOMINË QË NA DUHET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 MAJ 2016

Kosova nuk ka llogari të mbetet në trendin e tanishëm. Sepse, siç dhe kam thënë më parë, përderisa rritja jonë ekonomike është – në mesatare – nga 3.5% në vit; apo dhe le të jetë 4% e 4.5% në vit, neve do të na duhen plot 30 vite për të arritur Kroacinë; plot 70 vite për të arritur një mesatare evropiane.

-1-

Këtë javë në Prishtinë u mbajt takimi i nivelit të lartë mbi marrëdhëniet e reja në mes të BE-së dhe Kosovës, marrëdhënie të rrumbullakuara në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit – MSA. Marrëveshja në fjalë, përveç se është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm politik për Kosovën – pavarësisht bindjeve të skeptikëve kryesisht joprefisonal, por gjithsesi të pakët e të parëndësishëm – përbën edhe  një nisje të re ekonomike. Sepse, reformat e parapara në marrëveshje, përveç se rregullojnë një relacion të ri ekonomik e tregtar me BE-në, nga sot e për dhjetë vitet e ardhshme (kur dhe tregu liberalizohet me ta tërësisht), do të duhej të transformonin domosdo dhe strukturën e modelin ekonomik tonin; po u bënë pra si duhet.

Kosova, për të qenë të qartë, ka mjaftueshëm dokumente diagnostifikuese ekonomike. Pra, në gjithë këto vitet e shkuara është bërë mjaftë në identifikimin e problemeve dhe sëmundjeve ekonomike tona. Kosova sot ka një dokument strategjik, të titulluar Strategjia Zhvillimore Nacionale; dhe ka një dokument tjetër të prioriteteve, të titulluar Programi i Reformave Ekonomike. Paralel me to, ka dhe dokumente financiare sikurse Korniza Afatmesme e Shpenzimeve. Tjetër çka që këto dokumente nuk janë respektuar asnjëherë; apo janë ndërtuar sa për sy e faqe.

Çfarë Kosova megjithatë nuk ka, është një ide të qartë transformuese të ekonomisë sonë. Sepse, për fatin tonë të keq, edhe sikur të gjitha reformat e parapara në periudhën afatmesme të përfundonin me sukses; pra edhe sikur secili objektiv i paraparë me dokumentet në fjalë do të implementohej mirë, rritja ekonomike e Kosovës në dy-tre vitet e ardhshme do të rrumbullakohet rreth 4%. Një vlerësim të tillë dha dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

-2-

Sipas Ministrisë së Financave, Kosova vitin që shkoj kishte një rritje ekonomike prej 3.6%. Një vit më parë, rritja ekonomike nuk kishte arritur as në 1%; ishte pra vetëm 0.9%. Në 3.6%, në rastin më mesatar të mundshëm, e në 4% në rastin më të mirë të mundshëm, do të jetë rritja ekonomike edhe në këtë vit. Thënë ndryshe, sipas vlerësimeve të FMN-së e të Ministrisë së Financave, nga viti 2014 e deri në vitin 2018, Kosova do të ketë një rritje mesatare ekonomike nga 3.2 deri në 3.5%.

Lajmi i keq është se normë të njëjtë rritje, pra mesatarisht nga 3.5% në vit, për katër vite, kishim edhe gjatë qeverisjes së shkuar. E nëse asgjë tjetër, një normë e tillë ka qenë larg prej të mjaftueshmes për të krijuar vende të reja pune, për të zbutur varfërinë apo për të rritur standardin e jetesës së kosovarëve. Nëse asgjë tjetër, ritmi i tanishëm nuk dallon aspak nga ai paraprak. Nëse asgjë tjetër, një ritëm i tillë nuk është përmirësim.

-3-

Kosova pra ka ditur gjithmonë të mburret me normat pozitive mesatare të rritjes nëpër vite. Në shikim të parë edhe mund të ishte ashtu. Pra, krahasuar me rajonin, me Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi e Maqedoninë, vendi ynë gjithmonë ka pasur norma më të larta rritjeje. Madje, përgjatë gjithë periudhës post krizës financiare, normat e tona kanë qenë gjithmonë pozitive; diçka vështirë e arritshme edhe për shumë ekonomi evropiane.

Por ka tri probleme me normat tona. E para, dhe më e rëndësishmja, Kosova ka bazë të ulët ekonomike; prandaj është fare e lehtë që në një bazë të ulët të kesh rritje të mëdha. Pra, rritja nga 1 euro në 2 euro është rritje 100%; ani pse rritje prej një euro – porse, rritja nga 100 euro në 101 euro është vetëm 1%; ani pse, sërish e njëjtë si më parë, është rritje prej 1 eurove.

E dyta, Kosova nuk ka llogari të mbetet në trendin e tanishëm. Sepse, siç dhe kam thënë më parë, përderisa rritja jonë ekonomike është – në mesatare – nga 3.5% në vit; apo dhe le të jetë 4% e 4.5% në vit, neve do të na duhen plot 30 vite për të arritur Kroacinë; plot 70 vite për të arritur një mesatare evropiane. Pra, vendi ynë duhet të ketë rritje nga 8% deri në 10%, në vit, secilin vit, në mënyrë që brenda dhjetë viteve të ardhshme të dyfishojë vetën. Vetëm në numra rritës prej 8% e 10%,  Kosova do të mund të akomodojë 30 mijë të papunë që futen në vit, përvjet si të ri të papunë; e të akomodojë të papunët e vjetër. Rritja ekonomike prej 3.5% në vjet, siç ka ndodhur tash e sa vjet, nuk e bën këtë akomodim.

Dhe e treta, jo më pak e rëndësishme dhe e ritheksuar këtë herë edhe nga Banka Botërore, Kosova është futur në një cikël ekonomik që nuk lejon rritje më të madhe se 3 apo 4%. Pra, Kosova ka një ekonomi që varet në konsum e jo në investime. Ani pse vitin e fundit rritja ekonomike vjen si pasojë e rritjes së investimit baza rritëse e ekonomisë sonë është sërish konsumi. Ambienti i rëndë biznesor e mungesa e garancive për investitorë, kanë bërë që këta të fundit të ikin. Kosova, përveç kësaj, ka edhe një aktivizim të ulët të fuqisë punëtore – kryesisht të grave. Mbi 65% e fuqisë punëtore të Kosovës konsiderohet si joaktive. E është pikërisht joaktiviteti që parandalon potencialin rritës. Dhe mbi të gjitha, Kosova duke mos krijuar kushte për punë në vend, prodhon migrues të vazhdueshëm të cilët largohen nga vendi, punësohen jashtë (ata me shumë fat) dhe dërgojnë remitenca pas; për të bërë kështu ciklin e varësisë në remitenca, konsum e joaktivitet të fuqisë punëtore. Ky cikël duhet thyer natyrisht.



Monday 16 May 2016

MBI POLITIKËN PA KURRIZ

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 MAJ 2017

Kështu, veç këndej, një politikan që kalon gjithë jetën si i djathtë gjen veten – brenda natës – si të majtë; dhe anasjelltas. Një kritikues e ofendues i pa takt i partisë, liderëve e gjithë konceptit politik që të njëjtit përfaqësojnë, bëhet përqafues e lavdërues i tyre shembullorë. Kështu, veç këndej, degë të tëra partish transferohen tek të tjerat – në grup – për t’u ritransferuar sërish, dikur, për të satën herë, shpeshherë, në parti të vjetra e të reja.


-1-

Është bërë tanimë e zakontë, kulturë politike e mirëthemeluar pra, ndërrimi i qëndrimeve politike dhe mosbartja e pasojave për këtë. Si në pak vende e raste të tjera, klasa politike kosovare, në u trajtoftë si klasë, ka ndërtuar si në asgjë një diskurs politik që nuk ka kurriz. Hiç, asgjë, butakë në gjithë kuptimin e fjalës. Pra, tek ne dhe si askund tjetër, është bërë fare e zakonshme, e pritshme dhe formë trajtuese standarde, ndryshimi i gjithë pikëpamjeve, parimeve e bindjeve politike brenda natës. Për më tepër, ky ndryshim jepet pa skuqje e frikë rreth konsekuencave a gjykimeve qytetare. Ndoshta, e mesiguri, sepse nuk ka gjykim qytetar për këtë.

Kështu, veç këndej, një politikan që kalon gjithë jetën si i djathtë gjen veten – brenda natës – si të majtë; dhe anasjelltas. Një kritikues e ofendues i pa takt i partisë, liderëve e gjithë konceptit politik që të njëjtit përfaqësojnë, bëhet përqafues e lavdërues i tyre shembullorë.

Kështu, veç këndej, degë të tëra partish transferohen tek të tjerat – në grup – për t’u ritransferuar sërish, dikur, për të satën herë, shpeshherë, në parti të vjetra e të reja. E rënda e gjithë këtij procesi është jo vetëm në hapat që të transformuarit bëjnë, por në lavdërimin që të gjitha partitë – pa përjashtim – u bëjnë formave transferuese. Thuajse kanë bërë nam. Nuk ka nam e lavdi në prostitucion politik.

-2-

Ka tri arsye themelore prapa një lunatizimi partiak e politik në Kosovë. E para, dhe më e rëndësishmja, ndërlidhet me mënyrën se si këta akterë, kryesisht mediokër në përmbajtje, e shohin politikën, partinë e përfundimisht pushtetin Partitë politike e substanca përkrahëse e tyre e konsiderojnë pushtetin si plaçkë që duhet fituar dhe ndarë. Në vijë me këtë plaçkë bëhen dhe aleancat e grupizimet. Kështu ka qenë gjithherë, në të gjitha nivelet madje. Kujtoni ndryshimin e mendimeve e qëndrimeve që transferuesit e të gjitha partive bënin sa herë që dilnin e ktheheshin në parti. Kujtoni gjithë aleancat e panatyrshme për pozitë e opozitë e gjithë lehtësinë me të cilat ato ndërtohen e prishen më pas. Kujtoni koalicionet e shpejta, të fëlliqura e të pamarre që shiteshin lehtësisht në vend. Të gjitha bëjnë pjesë në një interes më të madh për ta, më fatkeq për ne; në pazarin e ndarjes së plaçkës së bollshme që pushteti jep.

Arsyeja e dytë, ndërsa, ndërlidhet me mungesën e mendimit intelektual e kritik brenda këtyre partive. Pra, sa herë që ndodhë një transformim, qoftë nga partia në parti, qoftë e gjithë partisë për një koncept e bashkëpunim të ri (në pozitë e opozitë pa dallim), zërat morale e gjykuese zhbëhen. Partitë politike, për fatin tonë të keq, nuk kanë mekanizma rregullues e kritik, intelektual e me karakter në vete. Kanë pazarbërës që mund të jenë të edukuar e lexuar, por që në thelb mbeten vetëm pazarbërës të lodhtë e pa moral. Për ta krahasuar me një demokraci të mirëthemeluar, një lidership a një politikan evropian e ka të pamundur të ndryshojë bindje e mendim lehtë, jo pse domosdo nuk do vet, por sepse ka rregullues të brendshëm që nuk lejojnë një gjë të tillë.
Dhe arsyeja e tretë, e jo më pak e rëndësishme, se Kosova ka votuesin më tolerant të mundshëm që sot dikush mund të gjejë nëpër Evropë. Pra trajtimi pa respekt që politikani e partitë u bëjnë votuesve të vet, është rrjedhojë e një tolerance të pritur nga ta pavarësisht se çfarë bëjnë a çfarë mund të bëjnë. Dhe kur toleranca bëhet e praktikë e shpeshtë, atëherë e njëjta shndërrohet në normë shoqërore politike. Sikur, në të kundërtën, transformimet e tilla të përcilleshin me reagim, refuzim e marrosje publike, transformimet eventuale do të bëheshin, së paku, me shumë vështirësi.

-3-

Në transformimet e bindjeve përjashtim nuk bën as gjenerate e re politike në vend, e cila madje është treguar shpeshherë të jetë më e paskrupullt e më joparimore se sa “të vjetërit” që i përgojojnë për thuajse gjithçka. Partnerë të deridjeshëm, mbrojtës të pashoq, bëhen copë e llom pas ndarjeve të shpejta e të papritura. Pa konsiderate e respekt; thuajse nuk ishin bashkë asnjëherë. Dhe gjithë këtë mësyerje ndaj partnerëve të deridjeshëm e shesin si iluminim të tyrin; një përvojë e re e thonë.

Problemi nuk qëndron natyrisht në ndryshimin e mendimeve. Problemi qëndron në intensitetin e ndryshimeve dhe iluminimeve që këta kanë. Sepse janë të shpeshta këto iluminime, e me shpeshtësinë e tyre humbet edhe kredibiliteti i nesërm i tyre. Si mund ti besosh dikujt që ndryshon qëndrimet orë e çast?! Dhe nuk po flas për qëndrime të parëndësishme, po flas për parime thelbësore e bindje orientuese, të cilat sëbashku – në fund të fundit – ndërtojnë vet identitetin e një politikani.

Këta të rinj që vlerë kanë veçse idenë se janë të rinj, dhe moshën e shesin si diçka të vlefshme, në faza të parailuminimit kanë qenë bashkëpunëtorë e zëvendës të krimit e mbrojtësve të krimit. Nëse nuk kanë qenë të përfshirë vet, toleranca e tyre pakurrizorë, e këmbyer për një karrigë e privilegj publik, ka shërbyer si zgjatëse e jetës të kapësve tash e sa vjet. Dhe kjo zgjatje e jetës nuk mund të transformohet sot si në asgjë. Pra, pas disa vitesh bashkëpunimi e bashkëqeverisjeje me kapësit e kriminelët, dalja nuk ka se si të shfaqet veç si gabim e mësimi prej iluminizmi. Ka një proces tjetër, që duhet të ndodhë domosdo si fazë e ndërmjetmë, e që ndëlridhet me ribindjen e publikut e qytetarit se këtë herë do të jesh më i kujdesshëm.

Në përgjithësi, të vjetër e të rinj pa dallim, të transformuar të natës e iluminues të vonshëm, nuk duhet të kenë vend për protagonizëm në publik. Të tillët meritojnë veçse nënçmim. Kjo shoqëri nuk ka pse të zgjedhë mes pakurrizorëve. Kjo shoqëri nuk e ka fatin e vet të ndërlidhur veç me ta. Fati i pakurrizorëve natyrisht është i ndërliudhur me këtë shoqëri; dhe si pazarxhinj të këqinj e me hile, të njëjtit kanë ndryshuar, ndryshojnë e do të ndryshojnë pa fije marre secilën bindje, besim e mendim. Sepse ndryshimi e pakurrizorizmi është besimi i tyre njëmend.


Monday 9 May 2016

NJË JAVË PËR T’U MBAJTUR NË MEND

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 MAJ 2016

Mbi futbollin dhe lëvizjen e lirë


-1-

Intensiteti i lajmeve të mira me të cilat u përpjekë Kosova këtë javë më ngjasonte shumë me javën e parë të pas-pavarësisë. Me ato njohjet e njëpasnjëshme të vendeve që rrënonin ligjet ekonomike se sasia ulë çmimin – secila kishte çmim të njëjtë, në mos dhe rritës.

Pas një pushimi gati tetë vjeçar, pas rënies së intensitetit për shumë kohë, pas dështimit në UNESCO – pas gjithë ngufatjes ekonomike, sociale e politike në vend për gati dy vjet rresht, Kosova kishte nevojë për një shpërthim. Shpërthimi natyrisht se nuk do të ndryshonte Kosovën për një natë, as që do të përmirësonte jetërat e kosovarëve në mëngjes, por do të hapte sigurt e mirë dyer të reja me mundësi plot.

Dhe kështu ndodhi. Më 3 maj, Kosova u bë anëtare e organizatës më të rëndësishme sportive në botë, UEFA-s. Më 4 maj, ndërsa, Kosovës iu dha rekomandimi pozitiv për lëvizje të lirë. E për të mirë të të gjithëve, në horizon shfaqet dhe anëtarësimi shumë i mundshëm i Kosovës më 13 maj në FIFA – dhe me këtë edhe pjesëmarrja në kualifikime për Kampionatin Botëror të 2018-ës në Rusi. Një javë si kjo, është për t’u mbajtur në mend.

-2-

Pranimi në UEFA, për mua, bën lajmin më të mirë në konsolidimin e shtetësisë që nga shpallja e pavarësisë dhe njohjet konsekutive të ditëve të para. Mos të harrojmë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës ka qenë një ndër problemet më thelbësore në vend. Ngurtësimi i njohjeve, refuzimi për ulëse në OKB, përplasjet me pesëshen e BE-së kishin nisur të transformonin rrugëtimin e shtet-bërjes sonë në një Taivan e Qipro të dytë.

UEFA dhe futbolli nacional natyrisht se lëkundin këtë ngurtësim. Sepse nëpërmjet futbollit e sportit, Kosova ka mundësinë perfekte të shpërfaqë jashtë imazhin e saj të shtetit. Dhe imazhi i shtetit – pra vet ekzistencës së tij – përbën domosdoshmëri për ne. Mbi të gjitha, vazhdimësia anëtarësuese në FIFA hapë një horizon krejt të ri të këtij imazhi shtet-ekzistues. Pjesëmarrja në tournamentet më të rëndësishme, më të shkueshme e më të njohura botërore, të një shteti me himn, flamur e përfaqësuese të vet është gjithçka çfarë Kosova ka njëmend nevojë sot.

E padyshim, dhe mbi të gjitha, përfitimet ekonomike  e financiare, për një vend që ka talent sportiv shumë, e nevojë për ekonomi edhe më shumë, janë primare. Ekipet tona më nuk do të shohin pjesëmarrjen në ligën nacionale si rrugë me një përfundim të izoluar e të parëndësishëm. Kualifikimet e përfitimet financiare për në Evropë do të nxisin investitorë të rinj,  projekte të reja – seriozitet më shumë. Industria e futbollit sot nëpër gjithë rajonin është treguar si profitabile – edhe në terma financiarë për investitorët, por edhe në terma të imazhit për gjithë vendin.

-3-

Po aq i rëndësishëm mbetet edhe lajmi për rekomandimin e vizave. Në të vërtetë, të përfundosh i fundit në rajon nuk është ku me ditë çfarë arritje. Mbi të gjitha, izolimi veç i kosovarëve ka qenë një rast sa i pakuptueshëm aq edhe i padrejtë. Zhbërja e kësaj padrejtësie dhe trajtimi njëjtë në një rajon pak a shumë të njëjtë ka qenë gjithmonë e drejtë.

Natyrisht se kosovarët kanë probleme bazike ekonomike e financiare  për të shfrytëzuar këtë liberalzim për lëvizje e shëtitje. Natyrisht se për shumë kë liberalizimi i vizave mbanë Evropën largë sa kishte qenë larg ajo gjithëherë. Gjithsesi, lëvizja e lirë mbanë në vete tri efekte politike e sociale të menjëhershme.

I pari, përbën lëvizjen e lirë të qytetarëve në tregje të reja të punës. Ndonëse për këto tregje duhet e drejtë pune nga secili shtet individualisht, praktikat rajonale kanë treguar një trend të mirëthemeluar të largimeve dy-tri mujorëshë të të rinjëve e të rejave, dhe angazhimi në punë atje. Ky angazhim, fatkeqësisht ka qenë më tepër ilegal, por në çdo rrethanë ka qenë – siç dhënë pra – edhe përfitues për shumë familje në vend.

I dyti, ndërlidhet me lehtësimet udhëtuese të bizneseve dhe një shtrese të mesme kosovare – jo pak të vogël – që gjithmonë ka patur mudnësi udhëtimi; për biznes, studime e veç qejf nëpër Evropë. Radhët e turpshme e të mundimshme para ambasadave, e veçimet nëpër pika kontrolluese evropiane kanë marrë fund. E drejta për të lëvizur lirshëm, në fund të ditës, nuk ka se si të mos jetë e mirë.

I treti, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me një imazh ndryshe të Kosovës përballë investitorëve e vizitorëve të huaj. Vet ideja se ky vend është i izoluar do të kishte ngjallur një dozë frike për secilin. Trajtimi i njëjtë pra me vendet e tjera si ne, na jep një dozë të këndshme imazhi.

-4-

Natyrisht i kuptoj skeptikët e lajmeve si këto. Nuk i mirëkuptoj fare kundërshtuesit e tyre – sepse nuk e kuptoj dot alternativën që japin. Të parët turbonacionalistë qe pretendojnë idenë bajate se Kosova nuk duhet të ketë përfaqësuese futbolli, nuk bën edhe të merren seriozisht. Janë veçse grupe fanatikësh – të pakët e në rënie gjithmonë – që kanë probleme në thelb me konceptin e shtetësisë së Kosovës.

Të dytët ndërsa, që lajmin e lëvizjes së lirë e shohin si hiçgjë, bëjnë pjesë në grupin e të revoltuarve që refuzojnë e kundërshtojnë gjithçka; herë sepse janë futur në nihilizëm që nuk i lë të shohin përtej zi e terr që ndërtojnë rreth veti; e herë sepse nuk kuptojnë vet se çfarë duan.

Natyrisht se me të dyja lajmet Kosova merr çfarë shtetet përreth nesh kanë pasur kaherë. Secili prej tyre ka qenë gjithmonë anëtar në UEFA e ka lëvizur lirshëm tash e sa kohë. Pra, në thelb, ne gëzohemi se po arrijmë normalen e rajonit. Kjo tregon natyrshëm se sa shumë të vuajtur kemi qenë. Dhe është mu për shkak të kësaj vuajtje dhe ecjes sonë të pazakonshme që nga atëherë, se pse lajmet si këto shijohen edhe më shumë. Sepse, në ditë e javë si këto, sado të zakonshme për shumëkë të duken, Kosova po jetëson shtetësinë e sajë një mend. E shtetësia jonë, të tillë çfarë vet po e ndërtojmë, është mrekulli në vete.