Friday 25 January 2013

FOLKNACIONALIZMI




Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 JANAR 2013


Ajo që nisi si një gjest i shëmtuar i qeverisë beogradase, përfundoi si një akt responsiv vandal në Kosovë, edhe më i rëndë edhe më i mbrapshtë edhe më i keq se vetë shëmtimi. Antiheronj impulsivë me testosteron në vend të trurit edhe këtë herë e hëngrën karremin duke e bërë kështu Kosovën të duket në stad e nivel të njëjtë me Serbinë paralel-millosheviqiane

Ka diku rreth dy-tre muaj që kur liderë nga Prishtina e Tirana nën cingëlimat e xhamadanit vija-vija çirreshin e shkumonin për Vilajetin e Shkupit. Retorika folknacionaliste pa fije fuqie të merr në qafë. Thonë se “qeni që leh nuk han”, e përderisa të tanët lehin, të tjerët hanë. Në mëngjesin e 20 janarit forca xhandarmërie në një operacion sa të shpejtë, aq edhe frikësues u palosën politikanëve shqiptarë xhamadanin me vija e me të dhe muhabetin vilajetian. Këta të fundit kishin kohë që u jepnin përkrahje folknacionaliste banorëve të Luginës – por vetëm aq. Ata as që  kishin vizituar ndonjëherë shqiptarët atje.        

Nuk dua as të konsideroj si njerëzore veprimin serb, e aq më pak krahasimin e luftëtarëve shqiptarë me “terroristë” sidomos kur një vlerësim i tillë vjen nga dikush që ende mban në xhep fotografinë e kasapit të fundit evropian. Slloba i Vogël mund të ketë bërë një veprim antishqiptar sa për të akomoduar adrenalinën nacionaliste serbe në shpërthim atje e që në esencë bën dhe bazën e militantëve të partisë së tij. Por çfarë megjithatë u bë esenciale për shqiptarë në kohën e pas rrëzimit ishte reagimi ndërkombëtar, i cili ani pse deri para rrënimit e kishte trajtuar çështjen e lapidarit si çështje të brendshme të Serbisë, menjëherë pas aktit rrënues e kishte dënuar rëndë kthimin serb në erën e 90-ve. Pas OSBE-së, karvanit reagues iu kishin bashkuar Ambasada britanike dhe amerikane në Beograd; të tria këto institucione që historikisht kanë bërë ndërrime qenësore në Ballkan.     

Por ja që ajo që nisi si një gjest i shëmtuar i qeverisë beogradase, përfundoi si një akt responsiv vandal në Kosovë, edhe më i rëndë, edhe më i mbrapshtë, edhe më i keq se vetë shëmtimi. Antiheronj impulsivë me testosteron në vend të trurit edhe këtë herë njëjtë sikurse në marsin e 2004-ës e hëngrën karremin duke e bërë kështu Kosovën të duket në stad e nivel të njëjtë me Serbinë paralel-millosheviqiane. Në ditën e dytë pas rrënimit të lapidarit, idiotë, banditë, hajvanë e huliganë po rrënonin gjithandej gurë varri. Veprat e tilla antihumane morën menjëherë fokusin ndërkombëtar duke i dhënë përkundër të gjitha gjasave Serbisë të drejtë në aktet antiluginë.         

Sado që u munduam të shfajësohemi duke fajësuar të tjerë, edhe pse thënë të drejtën në Kosovë çdo shërbim edhe mund të sillet si në bahçe të babës e të bëjë çfarë të dojë, them se nuk më befason asnjë akt i tillë anarkik – njoh e shoh plot të tillë që shkumojnë folknacionalizëm, meqë janë ushqyer e mbajtur mu me folknacionalizëm. Prandaj në vend të gjetjes së fajtorëve tjerë, në vend të bërjes paranoikë, në vend të sjelljes si të shenjtë, le të pranojmë se ne fatkeqësisht kemi qyqarë të tillë brenda shtëpisë sonë dhe le t’i gjejmë ata për të mos na marrë më kurrë kështu në qafë.

***

Grupe tifozësh me moshë pak përtej pubertetit, të mbështjellë me shalle rreth gojës e me “bakla” në dorë, bënin brohoritjet ritmike “duam armë – duam armë”. Nëse ju duken pamje si këto shumë të freskëta, më lejoni t’ju kthej kujtimet pak në rrugët e Beogradit në fillimin e viteve të 90-ta, kur njëjtë sikurse në Prishtinën e 2013-ës edhe atëherë (veçse 20-25 vjet më parë) ultratifozë të “Varrëmihësve” e “Delijave” nga “Partizani” respektivisht “Crvena Zvezda” bartnin pishtarin e folknacionalizmit serb madje, besoni ose jo, nën ritmet e njëjta brohoritëse. Armët e kërkuara u dhanë atëherë. Në njëzet e ca vjetët vijues u bë e famshme ajo shprehja “Srbija ko’ Nokia” (shqip: Serbia si Nokia) – Serbia njëjtë sikurse modelet e Nokias bëhej më e vogël. Përtej nevojës për t’ua rikujtuar tifozëve tanë se mbështjellja e fytyrës me shall nuk u shton burrërinë e nuk i bën më shumë seriozë, se çoroditja para Teatrit Kombëtar në Prishtinë për t’i mbrojtur shqiptarët 86 kilometra larg në Preshevë nuk kryen fort punë, e në fund të fundit për t’ua rikujtuar atyre se 12-13 vjet më parë si Plisa të kryeqytetit ne megjithatë merreshim me sport e jo me punë shtetesh, përtej gjithë kësaj nevoje, pamjet e tilla në shpjegimin më të thjeshtë nuk janë asgjë tjetër veçse derivat i keq i një politike të dhimbshme, të mbrapshtë e të rrezikshme – gjithsesi pa impotencë – që zhvillohet qe sa vjet në gjithë trevat shqiptare. Ky derivat ka një emër, i thonë folknacionalizëm.



E keqja e folknacionalizmit qëndron në faktin se ai është një mobilizim nacionalist pa potencë. Pra është më tepër një çirrje e pasuar me pranim shuplakash, degradim, përdhosje e përfundim në nivel të modeleve të Nokias. E meqenëse në përbërje është i thatë, folknacionalizmi nuk merret seriozisht nga askush. Pra nuk është një thirrje serioze e një shteti serioz kur i njëjti do t’i mbrojë interesat e veta në regjion e më gjerë, nuk është një qëndrim politik që detyron palën tjetër të rikonsiderojë hapat e planifikuar, e nuk është as qëndrim që vë në lëvizje fokusin ndërkombëtar. E tëra çfarë folknacionalizmi futë në lëvizje janë masat me një mijë e një probleme që shfryjnë mllefin e tyre për probleme krejt tjera në çështje tjera. Për këtë arsye lëvizja folknacionaliste e shqiptarëve në rajon nuk u mor asnjëherë seriozisht as nga Beogradi, as nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo është thjesht një lëvizje që në rast të funksionalizimit të gjithëmbarshëm u bën dëm vetëm promovuesve të saj.         

Për fatin tonë të keq, politikanët shqiptarë ka kohë që patriotizmin e kanë shndërruar në betejë për vota, në mjet për t’i mbuluar pisllëqet korruptive, nepotike e degraduese – e kanë shndërruar në folknacionalizëm. Të njëjtit, përderisa ngrenë njërën dorë në emër të kombit e vilajeteve, me tjetrën bëjnë pazaret e degradimit të tij. Si dy vende me më së shumti hajni e korrupsion në Evropë, me më së shumti nepotizëm e militantizëm në Evropë, me më së shumti mafi e krim në Evropë, me më së shumti papunësi e varfëri në Evropë, Kosova dhe Shqipëria kanë më së paku të drejtë të thirren si shtete me ndjenja patriotike. Nëse asgjë tjetër vjedhja e krimi në njërën anë e xhamadani në anën tjetër nuk shkojnë mirë hiç. Kur shkojnë, shkojnë sa për të nxitur këngë e valle anarkike që ujisin adrenalinën e njerëzve në kërkim dëshpërues për t’i harruar të gjitha të zezat e politikanëve të njëjtë.               

Politikanët tanë në vend të mbjelljes së vendeve të punës, sundimit të ligjit, investimeve të reja, zhbërjes së varfërisë, kujdesit social, kujdesit shëndetësor, arsimimit, rrugëve, hekurudhave, prodhimit, teknologjisë, integrimit evropian e deri tek përparimet kulturore e sportive, kanë vendosur të mbjellin valle, brohoritje dhe thirrje për vilajete. Politikanët e njëjtë kanë arritur me shumë sukses të minimizojnë nevojat më bazike të shqiptarëve në folklorizëm. Sot është fare lehtë të ngresh në këmbë një shqiptar me pak tinguj të xhamadanit, por do të duhet një vinç për të ngritur zërin e tij (se në këmbë as që bëhet fjalë) kundër antivlerave shtetërore; diçka për shembull si korrupsioni.       

***

Thyerja e gurëve të varreve është shembulli tipik i produktit folknacionalist. Një gjest i tillë përveç se nuk bën pjesë në traditën tonë, përveç se në rend të parë është antihuman dhe përveç se tregon se sa trima janë disa shqiptarë që merren me të vdekur e jo të gjallë, ai çon ujë drejt e në mullirin e provokuesve nga Beogradi të cilët sot janë duke i fërkuar duart nga gëzimi. Njëjtë sikur në marsin e 2004-ës grupe individësh sado të vogla në numër, por të mëdhenj në sherr dhanë çdo shkas e çdo arsye që bashkësia ndërkombëtare të aprovojë paaftësinë tonë jo vetëm për të mbajtur shtet, për të treguar tolerancë apo dhe kulturë, por gjithsesi paaftësinë tonë për të integruar veriun. Akte si këto i japin çdo të drejtë Serbisë të thirret në nevojën e saj për të qenë sa më prezent atje e më shumë; e në kohë të bisedimeve për veriun arsyetime si këto për ta nuk mund të kenë arritur më mirë e më fort. Hera e fundit që ne treguam një vandalizëm të tillë na kushtoi me Pako të Ahtisaarit, eksterritorialitet brenda saj e ngurtësim të çështjes së veriut. Këtë herë mund të na kushtojë edhe më shumë.               

Ndonëse bashkëndiej me shumicën shqiptare se gjestet e tilla nuk mund të gjeneralizojnë një shtet e një vend të tërë, apo edhe në raste më konspirative se ato mund të jenë kryer dhe nga shërbime antikosovare, nuk mund të mos shpreh indinjatën ndaj paaftësisë sonë shoqërore e sidomos politike për t’i parandaluar edhe grupet më minoritare që dekompozojnë mundin e hakun e shumicës; për këtë bëhemi fajtorë të gjithë. Toleranca e të gjithëve u pa edhe në Viti kur njerëz që pak vjet më parë kishin bërë aktin më patriotik për këtë vend – kapjen e pushkës për bërjen e shtetit - tmerrësisht papritur u shndërruan në vegla të shkumës folknacionaliste duke zhbërë shtetin e duke rrënuar edhe një monument që kishte të bënte më së paku me devijimin serb. Nëse asgjë tjetër ishte një monument edhe me emra shqiptarësh që kishin dhënë jetën kundër fashizmit, një force trishtuese antinjerëzore. Jam i bindur se me pak vaj në zjarr e po të mos mblidhnim mend pak nga marsi i 2004-ës, akte të tilla do të ishin të zakonshme edhe në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren, Gjilan e Ferizaj – të gjitha nën frymën anarkike antiinstitucionale.

 Dhe kjo frymë anarkike antiinstitucionale bën mu brengën time. Nuk do të kishte as edhe një fije kundërshtimi për përgjigje institucionale drejt fobisë së qeverisë serbe ndaj shqiptarëve në Luginë. Për shembull, ndërhyrja policore në Luginë, në një univers paralel ku politikanët shqiptarë veprojnë me shumë mend, do të ishte paraprirë qysh në shfaqjen e kërcënimit me heqje të barrikadave në veri që janë bërë mal me bar e deri tek rikujtimi se edhe në Kosovë ka lapidarë që jo se nuk kujtojnë të vdekurit, porse fyejnë popujt tjerë – siç është rasti i lapidarit në Gorazhdec të Pejës, ku NATO-ja dhe shqiptarët konsiderohen si terroristë; prandaj në raste të tilla heqja e njërit do të nënkuptonte reciprokim shtetëror (nëse duam të reciprokojmë gjithsesi).

Por për të dhënë përgjigje institucionale në vend të vandalizmave anarkikë, shqiptarët duhet të kenë një shtet. Një shtet jo që mbjell folknacionalizëm, por që u paraprin proceseve. Një shtet që nuk i mbushë shqiptarët e Luginës me fjalë boshe, gjithsesi për t’i lënë vetë posa të shfaqen xhandarët, por që u jep rrugë, shkolla, ujë, spitale, mirëqenie e siguri. Prandaj kur në ditë paqeje kritikojmë për hajni, korrupsion, familjarizim, degradim, ahmaki, kamishoizëm, xhigavje, sjellje-pështjellje, zhvlerësim, tenderomani, antigjygje, pakurrizoizëm, parainstitucionalizëm e zaptim, nuk e bëjmë se po humbim pak para këtu e pak aty, pak mund këndej e pak andej. E bëjmë, sepse po na humbin ditët, mundësitë e potencialet për të bërë një shtet. Një shtet që nuk ia palosin xhamadanit të njëjtit që dje e vranë, masakruan e dëbuan e sa herë që kanë qejf, por një shtet që zhvillohet ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht aq sa për të prodhuar mirëqenie e aq sa për të ofruar siguri për shqiptarët e vet. Një shtet që kur flet megjithatë zgjon respekt e dinjitet.

Friday 18 January 2013

HAJGARE, HAJGARE PLAKO GJITHANDEJ



Letra nga limbo
Lumir Abdixhiku

KOHA DITORE, 18 JANAR 2012

 Tregimi për burrat me maska, rezolutën me pallavra e përkrahjen me përralla


Nuk di çfarë ishte më qesharake këtë javë, një grup hajgare militantësh anti-institucionalë me kapacitete aktruese të një cirku provincial që kërcënonin me maska në kokë e lodra në dorë, apo një rezolutë e një grumbulli baletanësh politik në Serbi që duket se janë futur në një botë tjetër matriksi ku bashkëveprimi me palët tjera është thjeshtë inekzistent. Apo ndoshta trofeu tragjiko-komik duhet ti takoj euforisë folk-nacionaliste rreth Luginës së Preshevës që filloj në Beograd, rrodhi nëpër Prishtinë e u derdh në Tiranë; një valle kjo e nisur pa shumë mend por me shumë rrezik. Në këtë javë nuk po e përfshijë reagimin skandaloz të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë ndaj një kolumnisti të shquar kosovar, reagim ky në stilin alla-xhinghis-khan ku fëlliqësia e pendës nuk merret me argumentet e shtruara por me individin që i shtroj ato – e tmerrshme për kredibilitetin e shtetit shqiptar. Nuk po e përfshijë as edhe ndërrim-ndërrim-diskursin e AAK-së e cila pasi dogji veten marrëzisht u rikthye në opozitë (së paku deklarativisht) pa marrë asgjë; nesër mund të ndodhë ndërrim-ndërrim-ndërrim-diskursi për sa më befason diçka.

Këtë javë gjeta vetën të shokuar derisa shikoja në kutinë televizive disa burra me maska, armë gjuetie e trenerka me rrip. Për një moment nuk arrita të bëjë dot dallimin mes një skeçi komik të “Stupcave” apo një realiteti sa irritues aq edhe trishtues; diçka si nevoja e pashtershme e shqiptarëve për sjellje jashta-institucionale. Mu ashtu siç e kishte konsideruar miku im Gazi në Facebook, disa njerëz në dukje si “Ninxha-Breshkat” nën komandën e një karakteri pak a shumë komik me gjithë eksplozivitetin e tij në gjeste, kërkonte aprovimin e gjoja udhëheqësve të njësive tjera speciale (kujdes speciale) për diçka që as ata nuk kishin idenë se çfarë. Si duket një copë harte, ca lecka të zeza, disa çorape me vrima në kokë duket të kenë eksituar burrat që kanë humbur një dekadë të tërë sensi veprimesh. Nëse shqiptarët sot me dy shtete, me dy polici, me dy ushtri (një e gjysmë më saktësisht), e me dy qeveri kanë nevojë ende për grupe të armatosura para-institucionale, pra nëse shqiptarët 14 vjet pas çlirimit vazhdojnë të jenë në derexhe të strukturave ilegale e hajgare, mjerë puna për ta; do të na shkundin me zjarrfikës. Në gjithë këtë mesele, çfarë megjithatë arrita të kuptojë është se ky vend nuk ka më së paku fat; as komandantët e “Ninxha-Breshkave” nuk dinin shkrim-lexim. Nesër pas “çlirimit” eventual e montimit të sigurt në krye të shtetit, 15 vitet e para i kemi gjithsesi të humbura.

Skeçi i dytë komik në anën tjetër ishte vendimi i parlamentit serb që ti ofrohet me “gjenerozitet” vendit tonë autonomi substanciale në kuadër të Republikës së Serbisë, e brenda kësaj autonomie ti ofrohet Veriut të Kosovës një tjetër autonomi substanciale. Ky eksperiment më kujtoj ironizimin e shkëlqyeshëm të një viti më parë  të një kolumnisti beogradas (emrin e të cilit fatkeqësisht nuk arrij ta kujtoj dot) e i cili një logjikë të tillë e ekstrapolonte dhe më tutje. Pas autonomisë së Veriut në kuadër të autonimisë së Kosovës brenda Serbisë, ai përshkruante dhe lindjen e nevojës për një autonomie tjetër substanciale të shqiptarëve të pakënaqur në Veri, diçka si “Krahina autonome e shqiptarëve të Jugut të Veriut” në “Krahinën Autonome të Veriut” të “Krahinës Autonome të Kosovës” të “Republikës së Serbisë”.  Por ja që ndarja nuk vazhdonte me kaq meqë serbët e perëndimit të veriut kërkonin themelimin e “Krahinës autonome të Perëndimit të Jugut të Veriut” të Krahinës autonome të shqiptarëve të Jugut të Veriut” e cila është pjesë e “Krahinës autonome të Veriut” në kuadër të “Krahinës autonome të Kosovës” të “Republikës së Serbisë”.

Rezoluta e Parlamentit serb nuk është asgjë më shumë se një përgjigje antagonike ndaj pretendimeve të Brukselit se Beogradi megjithatë ka ndryshuar. Toleranca e pakuptimtë evropiane ndaj epsheve shfarosëse serbe është udhë që blenë kohë por rëndon zgjidhje. E vërteta e hidhur megjithatë është se evropianët njëjtë sikurse dhe serbët janë të interesuar mu për blerje kohe, për status-quo të problemeve në Ballkan e jo për zgjidhje. Krizat e shumta ekonomike-financiare, problemet e Londrës me Brukselin, ecja nëpër kufijtë të greminës financiare për anëtarët më të rëndësishëm të saj, e jostabiliteti i monedhës së përbashkët kanë vënë në rend të treqindtë fatin Ballkanik për BE-në. Amerikanët në anën tjetër vazhdojnë të distancohen nga mikromenaxhimi Ballkanik - përderisa e gjithë loja zhvillohet brenda mosndyrshimit të kufijve dhe mos krijimit të luftërave të reja gjithçka për ta është OK.

E në situatë si kjo ne praktikisht gjejmë veten të ulur përballë një pale dialoguese që kërkon nga ne të heqim dorë nga një pavarësi e pranuar tanimë nga shumica e shteteve të OKB-së, në këmbim të një autonomie substanciale – diçka që  as ata vetë nuk e presin nga ne, por ja që kanë kohë për hajgare. Në një situatë si kjo, problemi për ne buron nga a) joserioziteti i gjithë procesit, duke shkaktuar kështu humbjen e kohës; dhe b) mosrefuzimin e menjëhershëm të platformës nga diplomacia evropiane, duke lejuar kështu mbijetesën e ahmakizmit serb. Kosova për dallim nga BE-ja dhe Serbia nuk ka nevojë e luks për status-quo e pritje meqë nëse asgjë tjetër në këto 14 vitet e fundit Kosova duhet të ketë kuptuar më së miri se pas çdo status-quoje e pas çdo pritjeje ne kemi përfunduar në një situatë edhe më të rëndë se sa paraprakja. Pas ardhjes së çdo momentumi të ri ne kemi kuptuar se zgjidhja për Veriun ka mundur të jetë më e lehtë në momentumin paraprak; pra zgjidhja në 1999 ka qenë më e lehtë se sa në 2008, e zgjidhja në 2008 ka qenë edhe më e lehtë se sa në 2013. Nesër do të kuptojmë se zgjidhja në 2013 do të kishte qenë më e lehtë se sa në 2018. Prandaj, në relacion me një palë që të ofron më pak se çfarë ke sot, çdo bashkëveprim është i kotë, i pavlerë i papeshë; është thjeshtë humbje kohe. Prandaj ne duhet të reagojmë tash duke krijuar një pozicion të ri në Veri, pra ne duhet të krijojmë një gjendje të re faktike atje. Këtë mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë me shtrirjen e sovraniteti ligjor e policor atje pavarësisht kostos e politikës ndërkombëtare pro status-quosë.

E përderisa Veriu vazhdon të bëhet pjesë e propozimeve hajgare, një fushatë edhe më hajgare po bëhet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Të njëjtit sot gjinden mes një lufte folklorike që buron nga Beogradi, kalon nëpër Prishtinë e derdhet në Tiranë. Pretendimet hipokrite serbe për monumente të ndjeshme, të cilat sot mund ti gjesh gjithandej në vendbanimet serbe në Kosovë (monumente madje që trajtojnë shqiptarët dhe NATO-n si terroristë) nuk janë as më shumë e as më pak një provokim për trazira të reja. Në përgjigje të këtyre provokimeve nacionaliste të erës së nëntëdhjetave, Prishtina dhe Tirana filluan të japin përkrahje po aq nacionaliste sa Beogradi, të gjitha nën fishkëllimën e fjalimeve e kërcënimeve për luftë por pa e hespuar fare idenë se të njëjtit nuk munden të sigurojnë dot as kufijtë e vet të njohur mbarësisht (e lëre më më shumë). Në rast të eskalimit eventual të gjendjes në Luginë, përtej fuqive vetanake, shpresat e tyre të vetme do të mbeten “Ninxha-Breshkat” me skeçet e tyre komike apo dhe eventualisht marshet studentore me recitime patetike. Të harrojnë ndihmën ushtarake nga liderët e Kosovës dhe Shqipërisë; janë fjalë boshe.

Sidoqoftë, shqiptarët e Luginës sot kanë nevojë jo për nacionalizëm por për patriotizëm. Ata sot kanë nevojë për investime në shkolla, në spitale e në rrugë; investime që përmirësojnë standardin e jetesës e parandalojnë migrimin e tharjen e trevës. Këto investime nuk do të ndodhin asnjëherë nga Beogradi. Nëse Tirana e Prishtina duan të kenë sjellje patriarkale ndaj Luginës, atëherë të njëjtit duhet të fillojnë me pako financuese në të njëjtin stil sikurse Beogradi financon Veriun tonë. Për fjalë e romantizëm nacional ata kanë më së paku nevojë.

Në fund fare, them se nuk ka as edhe një dyshim se Lugina ka nevojë për zgjidhje. Por them gjithashtu se zgjidhja për Luginën është jo në Preshevë por mu në Veri. Po krijuam një situatë të re faktike në Veri atëherë reciprokimi me palën serbe për Luginë do të jetë fare i lehtë - ne do të japim aq sa marrim. Në situatën e tanishme ku ne nuk kontrollojmë as Veriun e as Luginën, çdo pazar e çdo nxitje e trazirave mbi baza folko-nacionaliste e fjalë të thata do të na lë me gishta në gojë e pa asnjërën.

Friday 11 January 2013

TENDEROMANIA



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 JANAR 2013
Tregimi për fenomenin e keqpërtypjes së 1 miliardë eurove çdo vit


Janë mbi 1 miliardë euro para publike që jepen çdo vit nëpërmjet procesit të prokurimit publik në Kosovë. Ky 1 miliardësh përbën një të pestën e bruto produktit vendor të Kosovës. E nëse praktika e korrupsionit si në rastin e pasaportave ekstrapolohet në gjithë këtë shumë, pra nëse për çdo proces tenderues kërkohen 10% të vlerës totale siç kërkonin këta të pasaportave (1.4 milionë tall për 14 milionë vlerë), i bie se çdo vit bizneset kosovare u paguajnë vendimmarrësve mbi 100 milionë euro haraç e shpërblesë. Në pesë vite kjo shumë bëhet gjysmë miliardë – para e pastër; por jo vetëm kaq.

Them jo vetëm kaq meqë në praktikat korruptive të Kosovës paraja publike e dhënë nëpërmjet procesit të prokurimit publik mund të keqpërdorohet nëpër tre filtra; që të trija ndajnë pak hise për keqpërdoruesit. Filtri i parë është ai i pagesës së haraçit fiks prej 10%, haraç ky që paraqet koston neto për taksapaguesit. Në mungesë të tij vlera totale e punëkryerjes do të ishte për aq më e ulët (gjithmonë nën supozimin e një konkurrence fer e të drejtë). Filtri i dytë paraqet jo vetëm pagesën e haraçit por edhe kontraktimin e një biznesi të lidhur ngushtë me vendimmarrësit. Kosovarët këtu mbajnë dy kosto, koston e tarifës fikse dhe koston e produkteve apo shërbimeve që dalin nga një biznes jokompetent. Pra thënë ndryshe, punët e bëra nga një biznes më pak kompetent dalin o më të shtrenjta o më të lodhëta se sa kur bëhen nga një biznes kompetent; këtë kosto shtesë natyrisht se e paguajnë taksapaguesit. Ka dhe një kosto makroekonomike nga lindja e konkurrencës jo fer të cilën do ta elaborojë më vonë.

Filtri i tretë është ai pagesës së haraçit, dhënies së punës tek një biznes korrekt, por më pas edhe nënkontraktimi i një biznesi të tretë i lidhur ngushtë me grupet vendimmarrëse; pra vendimmarrësit shpërlajnë paranë duke kushtëzuar biznesin korrekt fitues me nënkontraktimin e një biznesi tjetër që nuk bën punë, nuk shton vlerë, por vetëm merr paranë. Kostoja e kosovarëve në këtë rast është e trefishtë, kosto e tarifës fikse, kosto e produkteve apo shërbimeve dhe kosto shtesë e një biznesi të rregullt që do të kompensojë pagesën e dy të parëve. Pra në secilën formë e në secilin filtër, rrjeti keqpërdorës i parasë publike kanalizon paranë nëpër rrugë të cilat i kultivojnë atyre fitime bukur të shëndosha e jo të kufizura vetëm në tarifë e kosovarëve u japin kosto në çmim e kualitet. Prandaj në këtë logjikë kostoja prej një të dhjetës së vlerës tenderuese shumëfishohet.

***

Sistemi i krijuar që nga paslufta e i ushqyer deri më sot nga pothuajse të gjithë, përbën një formë të sigurt financimi e pasurimi për grupe të ngushta interesi. Ky sistem financon funksionimin partiak meqë janë mu këto biznese të shpërblyera që renditen gjatë zgjedhjeve për të derdhur paratë e padeklaruara të partive politike. I njëjti shërben edhe si sistem i pasurimit politik meqë ngritja e shpejtë dhe e pashpjegueshme e kapitalit të politikanëve buron mu nga një rrjet rëndë i korruptuar si ky. Në vitin 2012 në kuadër të Riinvest-it bëmë analizën e sistemit të prokurimit publik. Të dhënat nga analiza tregojnë se pjesa më e madhe e tenderëve u jepen një grupi shumë të kufizuar të ndërmarrjeve. Kosova madje sot ka koncentrimin më të madh të shpenzimit të parasë publike në gjithë rajonin. Modeli i tillë i  korrupsionit njihet si modeli i “dorës grabitëse” në të cilin qeveria (si institucion) zaptohet nga bizneset e grupet tjera të interesit që financojnë partitë politike në baza të rregullta, të cilat më pas nëpërmjet zaptimit të institucioneve mbajnë gjallë bizneset; pra bëhet fjalë për krijimin e një lidhje biznes-parti-biznes.

Tenderomania është sistem bukur i konsoliduar, vështirë i diktuar dhe jashtëzakonisht i qëndrueshëm përballë kapaciteteve hetuese të Kosovës. Kreativiteti (i mbrapshtë) i sistemit të tillë u pa edhe nga skandali i pasaportave, ku pagesa e haraçit për tender bëhet nëpërmjet dhënies së punëve tek bizneset që nuk kanë as lidhjen më të vogël me natyrën e punës. Në Kosovë një biznes i licencuar për ndërtim të rëndë mund të marrë lehtësisht tenderin e furnizimit me letra tualeti, apo një biznes tjetër për qeramikë e beton mund të marrë lehtësisht tenderin e pasaportave biometrike. E bëjnë këtë sa për të kanalizuar paranë publike përfundimisht tek xhepat e vendimmarrësve. Ky kreativitet i kooperuesve sot ka ndërtuar edhe një praktikë tanimë standarde të mbrapshtisë; të bëj një shembull për këtë. Gjithmonë sipas raportit të 2012-ës, janë tanimë të zakonshme rastet e tërheqjes së bizneseve fituese nga procesi i prokurimit, për ti lënë rend bizneseve të  renditura si të dytat. Bëhet kështu meqë fituesi ndërton marrëveshje me përcjellësit që kanë çmim më të lartë (shpeshherë edhe dy herë më të lartë) në këmbim të një pagese për tërheqje, diçka si fitim neto pa fije pune; puna më e madhe është mbushja e dosjes tenderuese, tërheqja dhe pagesa e një dënimi fiks – e gjitha kjo pa fije konsekuence për herën tjetër. Në këtë bashkëpunim të mbrapshtë pjesëmarrës domosdoshmërish janë edhe vendimmarrësit.  

Sistemi në fjalë bëhet gjithashtu i qëndrueshëm e i konsoliduar meqë përmban elementin e vetëselektimit. Është situata kur bizneset e rregullta lodhen nga trajtimi jokorrekt dhe nuk tenderojnë më fare duke i lënë rrugë të hapur e të lehtë gjithë keqpërdoruesve tjerë. Kujtoj se vetëm gjatë vitit 2012 numri i konkurrentëve ka shënuar rënie për plot 13% - dhe kjo bën një dëm për vendin meqë çdo largim nga intensiteti i konkurrences së plotë kushton. E kur jemi tek përqindjet, vetëm vitin e kaluar në Kosovë janë anuluar plot 35% të tenderëve. Ka dy shpjegime prapa anulimeve të tilla. E para, dhe hiç e zakonshmja, sepse fituesi është vërtetuar të jetë lidhur ngushtë me grupe të interesit dhe i njëjti është larguar nga organet shqyrtuese. E dyta, edhe shumë më e pritshmja, sepse fituesi është një biznes që nuk ka lidhje me vendimmarrësit, apo në rastet më të rralla dhe nuk pranon të japë tall dhe si i tillë eliminohet lehtësisht për teket edhe më të vogla, siç ishte njëri prej rasteve i mos vulosjes së njërës prej 1000 faqeve të dosjes tenderuese (anipse kishte vulosur i shkreti 999 të tjera). Në të dyja rastet ne kemi të bëjmë me një sistem të sëmurë e defektuoz që keqprodhon një të tretën e produkteve. Në një shembull hipotetik, çdo fabrikë, çdo mjek apo çdo ekip që defekton çdo të tretën herë, do të përfundonte i falimentuar, i dështuar e i harruar.

***

Ky cikël vet-ushqyes e destruktiv i rrjedhës së parasë publike shkakton kosto enorme për zhvillimin ekonomik të vendit. Jo pa qëllim në fillim të shkrimit përmenda një të pestën e bruto produktit vendor. Bëra kështu meqë paraja publike (fatkeqësisht) sot është faktori më domethënës i ecjes ekonomike të Kosovës. Kjo sepse vendi ynë vazhdon të ketë, si asnjë vend tjetër në regjion e më shumë, një sektor privat tërësisht të paaftë për të luajtur rolin e gjeneratorit ekonomik. Rrjedhimisht ritmi i ecjes sonë zhvillimore varet plotësisht nga vendimet e të korruptuarve; pra ne jemi në derexhe të tyre. Nëse një euro e pranuar si taksë e një biznesi të rregullt, e cila në çdo rrethanë tjetër do të investohej për makineri, vend pune apo lëndë të parë, pra për vlerë të shtuar - pra nëse një euro e tillë kalon nëpër sistemin e tanishëm të prokurimit publik efekti i saj përfundimtar është larg prej efektit të një euroje të plotë. Fillimisht është pak cent më pak për pagat e qeverisë megalomane, më pas është pak cent më pak për tallin prej 10%, e  në fund është pak cent më pak për pranimin e saj në këmbim të punës nga një biznes që nuk është kompetent për të bërë punë por merr punë meqë bën pjesë në ndërlidhjen biznes-parti-biznes. Këto pak këtu e pak aty në fund zhbëjnë të gjithë euron fillestare. Pra një euro me efekt pothuajse të plotë në duar të biznesit privat ka efekt pothuajse minimal pas filtrimit në sistemin e korruptuar kosovar. Niveli i zhvillimit ekonomik kosovar sot variron varësisht se në duar të kujt është ajo euro. Në rastin tonë ajo euro është më mirë të mos mblidhej fare.

Në rrethana si këto ne kemi pranuar në vazhdimësi analiza ekonomike që kanë theksuar se Kosova edhe pse mund të ketë rritje ekonomike prej 3 e 4% sot, apo 7-8% nesër, nuk do të thotë se mund të ketë edhe zhvillim ekonomik. Nën menaxhimin korruptiv të parasë publike, vlera e re e shtuar sot është vlerë e pasurisë së një grupi të ngushtë të njerëzve që nuk kanë për qëllim logjikën e shëndoshë biznesore (pra investimin e rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës) por shfrytëzimin e kësaj dere keqpërdoruese për aq kohë sa munden, për aq kohë sa zgjatë. Të njëjtit e kanë bukur të qartë se ndërrimi politik i partisë në pushtet nënkupton edhe përfundimin e qejfit të tyre, ashtu siç këta kishin përfunduar qejfin e paraprakëve.

Prandaj them se nëse ky vit do të duhej të niste me një hap të mbarë atëherë lufta ndaj hajnisë, që tanimë është bërë edhe parakusht publik i BE-së, do të duhej të merrte vëmendjen e politikanëve tanë. Jo më me tryeza hajgare, assesi me këshilla e komisione sa për sy e faqe, por me ndërrim radikal të vullnetit politik. Po mendoj, në një këshill kombëtar që lufton korrupsionin të gjitha thirrjet për anti-hajni duhet të drejtohen jo prej njerëzve nga aty por mu ndaj njerëzve aty. Janë mu ministrat, zëvendësministrat e zëvendëskryeministrat që mbajnë përgjegjësi mbi burimin e vetëm të keqpërdorimit të parasë publike: prokurimin publik. Arsyeja pse ne sot kemi korrupsion kaq enorm është mu për shkak të tenderomanisë e cila krijohet e mbahet mu nga shtrofullat e ministrave; aty ku shpërndahet paraja publike. Çdo thirrje tjetër është e thatë. Në fund të fundit, hajninë nuk e shkaktojnë qytetarët që blejnë bukën e mëngjesit në furrë, por pushtetarët që marrin taksat e furrës në mbrëmje.


Friday 4 January 2013

PARATHËNIE E NJË VITI TË RËNDË



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 JANAR 2013

Në vitin 2013 papunësia do të vazhdojë të mbetet në stadin e njëjtë, fuqia blerëse do të bjerë dhe më shumë, hendeku tregtar do të thellohet më tepër, e konkurrueshmëria e bizneseve tona do të rëndohet më keq. Do ta kemi kështu deri sa të kuptojmë se ne thjeshtë jemi në një udhë të mbrapshtë e vazhdimi i kësaj udhe nuk ka se si të prodhojë prosperitet


Derisa po shkruaja shkrimin festiv tashmë të vitit që shkoi, fillova të bëj një shfletim të të gjitha kolumneve që kisha shkruar në 2012-ën. U ndala tek e para, e shkruar më 6 Janar 2012, në të cilën po bëja, mu siç provoj të bëj tani, një parashikim ekonomik të vitit. Asokohe kisha shkruar kështu: “Për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore të zhvillimit ekonomik kosovar. Me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës. Për më tepër, këtë vit do të mbështetemi edhe një herë në shpenzime qeveritare si alternativë e vetme e rritjes ekonomike. Në parametra si këto vendet e punës do të stagnojnë dhe më shumë, por jo dhe korrupsioni”.

Po i shkruaja këto fjalë në kohë kur qeveritarë e pro-qeveritarë, ministra e zëvendësministra, militantë e analistë-militantë, me dokumente quasi-planifikuese e prezantime power-point që i quanin strategji, promovonin të kundërtën: rritje të eksportit, ulje të deficitit tregtar, mbështetje për sektorin privat, rritje ekonomike prej 5-7%, rritje të investimeve të huaja e ulje të papunësisë. Do të doja sinqerisht që parashikimet e mia të ishin të gabuara, por ja që një vit më pas fatkeqësisht ato dalin të sakta.

E para, rritja ekonomike nuk ishte 5.4% siç parashikonte Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, e hiç se hiç 7% siç ëndërronte Plani Bullgar, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit,ajo ishte afër 4%; saktësisht 3.9% (burimi: BQK, FMN dhe Ministria e Financave). E dyta, importet nuk u ulën, eksportet nuk u rritën e hendeku tregtar nuk u tkurr, siç pretendonin konferencat ministrore të kohës, por fatkeqësisht siç edhe kisha shkruar në fillimvit ndodhi e kundërta; importet u rritën për gati 3%, eksportet ranë për gati 19% e deficiti tregtar u rrit nga 2.07 në 2.22 miliardë euro brenda një viti të vetëm (burimi: Doganat e Kosovës, Agjencia e Statistikave dhe BQK). E treta, investimet e huaja nuk u rritën si trumbetonin pothuajse të gjithë, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit ato ranë për besoni ose jo plot 54% (burimi: BQK). Thënë të drejtën këtë rënie kaq drastike nuk e kisha menduar asnjëherë. E katërta, siç kisha shkruar një vit më parë “me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punë” papunësia nuk doli të ishte 30% siç pretendonin qeveritarët hajgare që e llogarisnin atë nga intensiteti i frekuentimit të kafiterive, por plot 45%, numër ky i njëjtë me vitet paraprake (burimi Agjencia e Statistikave). E pesta, remitancat nuk u rritën për 10%, siç parashikonin projeksionet qeveritare, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit, ato ranë për 1% (burimi: BQK).

Në shkrimin e parë të vitit që shkoj, sa për të simbolizuar nivelin e hajnisë në vend, kisha shkruar edhe për vendimin e Mercedesit për të mos hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Qeverinë e Kosovës për shkak të aferave korruptive. Një vit më pas nuk di nga t’ia filloj. Një vit më pas jo vetëm që u ranguam njëjtë nga Transparency International por ende pa filluar java e vitit të ri mirë, gazeta numër një amerikane New York Times kishte bërë një shkrim mozamakeq të zi për Kosovën. Ky shkrim e përshkruante vendin tonë si një oazë të gangsterëve korruptive që zhvasin e rrjepin çfarëdo që ju del para. Nën titullin: “Kosova nuk arrin të shkund imazhin e perëndimit të egër në mes të investitorëve” qëndronte përshkrimi më i hidhur, por gjithsesi real, i situatës ekonomiko-korruptive në Kosovë; përshkrimi “perëndimi i egër” gjithsesi se do të na djegë për një kohë të gjatë.

E njëjtë sikurse një vit më parë, institucionet tona vazhdojnë ta kenë të humbur lidhshmërinë me realitetin ekonomik të vendit. Disa vendosin ti kontestojnë numrat zyrtarë, të tjerët i kontestojnë raportet ndërkombëtare, e pak nga ta dhe preferojnë heshtjen. E siç e do rutina qeveritare tanimë, parashikimet zyrtare parashohin prapë rritje ekonomike prej 5.5%, rritje të eksporteve, rënie të importeve, ulje të deficitit tregtar, ulje të papunësisë, rritje të investimeve të huaja e prosperitet të gjithëmbarshëm ekonomik. Thënë të drejtën parashikimet tona zyrtare, që nuk kanë dalë asnjëherë të sakta në pesë vitet e fundit, janë më tepër lista dëshirash se sa komponente domethënëse. Kjo sepse asnjëri prej objektivave nuk përcillet me politika, mjete e aktivitete që ndërlidhen me njëra tjetrën; pra që kanë një rrjedhë minimalisht logjike.

Them kështu meqë dallimi mes një liste dëshirash dhe një liste objektivash është në përshkrimin e rrugës që ti planifikosh të bësh. E para, kur parasheh rritje ekonomike prej 5.5% është e udhës të parashikosh fillimisht orientime buxhetore që stimulojnë sektorin privat e jo të parashikosh buxhet që mbështetet tërësisht në import. E dyta, kur parasheh ulje të papunësisë apo dhe tkurrje të hendekut tregtar është e udhës të parashikosh krijimin e pakove fiskale që ulin barrën tatimore, pakove kreditore që ulin normat e interesit, pakove stimuluese që rrisin e promovojnë prodhimin vendor apo pakove gjygjësore që krijojnë ligjshmërinë e mbrojnë konkurrencën fer. E treta, kur parasheh rritje të investimeve të huaja është e udhës të reagosh para se skandalet të marrin faqet e gazetave botërore, të monitorosh prokurimin publik, të reduktosh burokracinë, të dënosh keqpërdoruesit e të ndërtosh imazhin e një vendi të sigurt. Qëndrimi indiferent ndaj skandaleve korruptive, mosdhënia e përgjegjësisë e stimulimi i krimit me struktura para-institucionale nuk ka se si të sjell hair.

E për të bërë një bazë të shkrimit të ardhshëm, atij të një viti nga sot, logjika ekonomike më thotë se së pari, Kosova nuk do të mund të ketë as këtë vit rritje ekonomike më të madhe se 3.5%, rritje kjo që nuk do të përkthehet në zhvillim ekonomik gjithmonë për shkak të modelit tonë zhvillimor që mbështetet kryesisht në shpenzimin e parasë publike por jo në sektorin privat. E me 25% të GDP-së të dhënë nëpërmjet një prokurimi publik të korruptuar as rritja modeste prej 3.5% nuk do të përkthehet në zhvillim ekonomik; e njëjta do të kornizohet vetëm si rritje e pasurisë së një grupi të lidhur ngushtë me shpenzuesit e parasë publike. Së dyti, në vitin 2013 them se deficit tregtar do të vazhdojë të thellohet meqë eksportet tona do të bien më tutje nga një vit edhe më i rëndë evropian që po humbë potencë në konsum njëtrajtësisht sa humbin edhe prodhuesit tanë potencë në prodhim nga anomalitë e brendshme. Në mungesë të prodhimit vendor ne do të mbështetemi edhe më tutje në importe të cilat me veti do të marrin mbi 2.6 miliardë euro në vit. Së treti, me ritmin e skandaleve të deritanishme e me intensitetin e lodhur të reagueshmërisë sonë ndaj tyre, investimet e huaja do të goditen edhe më shumë. Përjashto ndonjë privatizim aty-këtu të bërë nga ndonjë tyxhar oriental që sheh Kosovën vetëm si mundësi zhvatjeje të shpejtë, as edhe një emër serioz nuk do të prekë Kosovën.

E në parametra si këto, papunësia do të vazhdojë të mbetet në stadin e njëjtë, fuqia blerëse do të bjerë dhe më shumë, e konkurrueshmëria e bizneseve tona do të rëndohet dhe më keq – për të prodhuar kështu një bazë edhe më të rëndë për vitin vijues; njëjtë siç kanë bërë këta paraprakët për vitin që lamë pas. Do ta kemi kështu deri sa të kuptojmë se ne thjeshtë jemi në një udhë të mbrapshtë e vazhdimi i kësaj udhe nuk ka se si të prodhojë prosperitet. Vetëm ndërrimi radikal i paradigmës ekonomike që mbështetet në inciativën private, prodhimin e brendshëm, ambientin ligjore e vullnetin pozitiv politik mund të japë shpresa për një rimëkëmbje të mirëfilltë. Por ja që në përgjigje të problemeve si këto në vend të pranimit e reflektimit, ne do të dëgjojmë prapë konferenca përmbyllëse me plot lavde e korre gazmore që kontenstojnë numrat, promovojnë përrallat e dhunojnë kohën.