Friday 22 February 2013

SHTET I DALË DORE



Letra nga limbo
Koha Ditore, 22 Shkurt 2013


Për gjithë ata në pritje të mrekullisë për të parë Kosovën më ndryshe, dua të bëj diçka tërësisht të qartë. Nëse mendojmë se ka ndonjë grup heronjsh të fshehur diku e që një ditë do të na vijnë në shpëtim, e kemi gabim. Kjo, ne, forcat tona, është e tëra. Përtej neve nuk ka asgjë tjetër të fshehur diku. Jemi vetëm ne, dhe ne po dëshpërojmë me të madhe


I padurueshëm është bërë ritmi i ballafaqimeve me skandale gjithandej Kosovës. I padurueshëm është bërë edhe trajtimi i skandaleve nga bërësit e tyre. I durueshëm është vetëm pranimi i tyre. Kosovarët si duket më nuk ndjenjë asnjë lidhje me shtetin e tyre prandaj nuk u bëhet vonë se çfarë ndodhë, si ndodhë e kur ndodhë në këtë shtet – nuk është më punë e tyre. E në gjithë këtë hallakamë është disi e vështirë të përpish mllefin e të vazhdosh tutje pa u dukur si një ankues melankolik e nihilist i padobishëm që di vetëm të shoh zi e të shkruaj errtë. Dikur edhe ankesat e kritikat më me vend kalojnë në tinguj të bezdisshëm, sidomos kur në to (siç edhe më thotë shpesh dikush shumë i afërt për mua) nuk ka fare shpresë. Në një pozicion të tillë gjeta edhe veten pak ditë më parë gjersa po ndaja mendimet mes miqve të mi, të cilët megjithatë kishin vendosur të më lejonin me plot gjenerozitet një shëtitje “free-range” të eksplozivitetit tim.

Kam përshtypjen se po mos të ishin aty këtu ndonjë lajm e ndonjë e bërë normale, diçka si parada simpatike e forcave ushtarake të Kosovës apo dhe ngjyrosja kreative e Newborn-it, zor se do të mund të bënim më dallimin mes së mirës e së keqes. Kam përshtypjen se të ngopur nga skandalet e gufuara në pambarim, ‘e mirë’ tanimë na duket më pak e keqja se sa e keqja, gjithsesi të gjitha mbesin të këqija. Të shfaqura sa për ta stopuar shkurtimisht ecjen tonë trishtuese, pra sa për të na dhënë një mini-nuancë të pamjeve siç duhej të ishin e jo siç janë, e para - parada, më ngjalli krenarinë e parë në shumë kohë për një shtet që fatkeqësisht ka “dalë dore kaherë”. Ani pse në numër modest, ani pse pa ndonjë fuqi serioze, ani pse me përzierje edhe të shërbimeve të zakonshme publike, defilimi i forcave të Kosovës tregoj se kur ka vullnet gjërat mund të bëhen thjeshtë shkëlqyeshëm.

E shkëlqyeshme ishte edhe ideja për të ngjyrosur Newborn-in me 98 flamujt e shteteve që kanë njohur Kosovën në këto pak vite. Për mendimin tim kjo ishte ideja më kreative, më origjinale e gjithsesi më nderuese e shpërfaqur në këtë 5 vjetor. Ajo tejkalonte e hiper-tejkalonte improvizimin e këngëve e valleve gulçuese, kacavjerrës së flamujve nëpër udhëkryqe, e ‘shllajfet’ brutale të çmendurisë anarkike sa herë që bëhemi një grumbull njerëzish në një festë. Natyrisht se një tejkalim i tillë nuk mund të vinte nga Qeveria, siç edhe nuk do të vinte parada po të mos ishin mbikëqyrës, trajnues e kontribuues forcat e NATO-s, por vinte nga një organizimi qytetar i nisur thjeshtë nëpërmjet rrjeteve sociale (edhe pse arsyetimi i nisjes dhe muhabeti i të drejtave autoriale ishte një biser në vete). Në të kundërtën, Kosova do të shihte një molerim “alla-puçfarnicë” me mistri, kazmë e kaci e për të cilën nuk kishte dëgjuar askush përtej Veternikut – e gjithë kjo ide kreative e ndonjë “zyrtari të lartë për dëlirje-lyerje”, dajë i rehatuar që kishte mbetur njëherë keq.

Por ja që euforia e festës zgjati shumë pak, e shpirja nga pirja festive na kthen prapë tek një shtet që vazhdon rënien e ti në greminën më antidemokratike që ka Evropa sot: drejt e në zaptim. Në njërën anë pak ditë pas festës na dalin kopjet e Udai e Qusai Huseinit, që si djem të shefave që janë rrahin e dhunojnë policët e uniformuar, kolegët e atyre parakaluesve simpatik në paradë. Një situatë si kjo, që përndryshe kishte marrë vëmendjen e publikut shumë rastësisht, tregon se sa i zaptuar është shteti. Fillimisht sepse zaptuesit mund të bëjnë çfarë të duan e më pas sepse për të bëmat e tyre mund të mos marrë vesh askush asnjëherë. Zaptuesit kosovarë ndjehen të lirë të trajtojnë gjithçka që shohin e prekin si pronë në “bahçen e babës”. Kujtoj se janë mu zaptuesit që mund ti përzënë prokurorët, mund ti ndjekin gjykatësit, e mund ti rrahin policët. E kur dikush ngre zërin për një trajtim minimalisht qytetar e minimalisht demokratitk, zaptuesit u bëjnë me gisht nga institucionet e pavarura, të cilat për ndryshe ndiqen e rrihen nga të njëjtit; të pavarur se jo mahi.

E për të kuptuar më mirë fuqinë e zaptuesve duhet të shikoni nga një vendim i fundit i Kushtetutës, që jo vetëm se zhbën një vendim tanimë të konfirmuar, rikonfirmuar e stërkonfirmuar, por me verdiktin e saj përkundër çdo gjase hap dyert e paranojave e sjelljeve konspirative që mund të kenë ngjarë në çdo vendim të saj – përfshirë edhe ato me deklarimin paradoksal se çfarë do populli në rastin e Presidentes. Përshkrimin më të mirë rreth vendimit të Kushtetueses e dha një mik i imi në Facebook: “U ngut Xhabiri me ikë...” ironizonte ai. Thënë të drejtën me librezën e partisë, mu si në vakt të shokut Tito e xhaxhit Enver, partiakët janë shtet mbi shtet; janë vet shtet! Problemi me këta të sodit është se po shtohen në numër.

E në rrethana si këto kur miqtë tanë evropianë na rikujtojnë se për të marrë diçka shumë bazike si lëvizja e lirë, gjithsesi të fundit se për të parafundit jemi me vjet drite larg, duhet zhbërë fillimisht zaptuesit e duhet hequr dorë nga trajtimi i shtetit si pronë e zaptuar. Prandaj jo faj nuk ka Brukseli – edhe pse të njëjtit nuk kanë mbetur kujt pa i dhënë të drejtë lëvizje – prej katundeve të Banja Llukës, ‘selaçka llepotave të Kragujevcit”, “puçfarnicave të Titogradit” e deri te”kaftanat e Gjevgjelisë” – por faj kemi ne që kemi zaptues e sharlatanë më të zi e më të mbrapshtë se gjithë rajoni.

Në fund fare, për gjithë ata në pritje të mrekullisë për të parë Kosovën më ndryshe, dua të bëj diçka tërësisht të qartë. Nëse mendojmë se ka ndonjë grup heronjsh të fshehur diku e që një ditë do të na vijnë në shpëtim, e kemi gabim. Kjo, ne, forcat tona, është e tëra. Përtej neve nuk ka asgjë tjetër të fshehur diku. Jemi vetëm ne, dhe ne po dëshpërojmë me të madhe! Kosova nuk vuan sepse i ka të paditurit e të pangopurit në qafë, Kosova vuan sepse na ka ne që kemi lejuar të paditurit e të pangopurit ti hipin në qafë. E nëse presim që të paditurit e të pangopurit të ngopen nga hipja në qafë, jemi të mallkuar për tu plakur në pritje.

Friday 15 February 2013

5 VJET




Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 SHKURT 2013

Një përmbledhje e ecjes sonë ekonomike


Provoj shpesh ti kujtoj pritjet që i kishim unë dhe miqtë natën e 16 shkurtit, pesë vite më parë, kur një mik tjetër i jetës po bënte atë që deri më tani për mua ishte dhe mbetet dasma me e mirë në të cilën kisha marrë pjesë ndonjëherë. Nën euforinë, padurimin e dirthmërinë e pritjeve të para pavarësisë, ndjenja e brendshme që gufonte mes nesh e dasmorëve tjerë ishte diçka e papërshkrueshme – ishte një lloj preludi i një feste të madhe që shihej se po vinte në horizont. Për mikun tim, kjo natë ishte një fillim i ri mbi një lidhje të vjetër për një familje të re, diçka pak a shumë njëjtë sikurse edhe fillimi i ri në Kosovën e vjetër për një Kosovë të re. Pesë vite më pas miku im V, tani babë i një vajze si kukull e një djali si rrush, bashkëshort i përkushtuar, mik i pashoq, vazhdon të bëjë punën e përditshme të një kosovari të zakonshëm, në një vendpunim të zakonshëm, për tu kthyer në një banesë të zakonshme e ndarë kohën me një familje të zakonshme. Ecja e tij në këto pesë vite: brilante!

Larg prej brilantes ecja e shtetit që lindi natën e njëjtë. Madje kur shoh mbi pritjet e para pesë viteve kuptoj dhe naivitetin tim të çoroditur asokohe. Thënë të drejtën, të njëjtën ndjenjë po aq naive kisha edhe në vitin 1999 kur tregimet përrallore të një Hong Kongu të dytë në Kosovë përhapeshin gjithandej. Hong hiç, Kong edhe më pak, 14 vite pas çlirimit e 5 pas pavarësisë vendi im ende nuk e ka gjetur rahatinë e mjaftueshme të një komforti modest për një jetë të zakonshme. Kosova ende mbetet larg të qenit një familje mesatarisht e zakonshme. Nëse asgjë tjetër Kosova mbetet një familje e pazakontë, e zhytur në anarki, antiedukatë dhe hallakamë të brendshme, ku të urtit gatuajnë, punojnë, fshinë e pastrojnë gjatë gjithë ditës e të vështirët marrin tallin natën për të dhënë më pas talljen.

Kosova në pesë vite ka shtrembëruar mjeshtërisht gjithë simpatinë ndërkombëtare, ka stagnuar në çdo integrim evropian, ka prodhuar skandale mbi skandale e ka përfunduar me një status-quo të ecjes ekonomike duke mos prekur as për së afërmi nevojat më bazike të mirëqenies e kualitetit të jetesës kosovare. E sa për të mos mjaftuar kjo, Kosova në këto vite ka dëshmuar edhe mungesën e plotë të reagueshmërisë qytetare ndaj çdo marrie e çdo të zeze që mbinë sa andej e sa këndej. E kam thënë dikur se guximi ndonjëherë e kapërcen një gjeneratë të tërë njerëzish; ata thjesht ndihen të paobliguar për të mbrojtur një copë dinjiteti. Kjo gjeneratë e sodit ka më së paku përgjegjësi e guxim për të bërë ndryshe. Fajtorë si të akuzuar!

E në rrethana si këto, përtej montimeve të flamurit, të himnit, fusnotës e deri tek montimi i Presidentes, pra në rrethana kur sillen me ne si në kohë të Ali Bungut, mos dalja zot i vetës na sjell në situata kur në kronikat e lajmeve kryesore, gjashtë-shtatë lajmet e para ende janë rreth temave të sigurisë, Veriut, Serbisë e shtetësisë kosovare – njëjtë sikurse pesë vite më parë. Shto kësaj edhe skandalet benhillo-hiçkokiane, çirkuzet parlamentare, zaptimet, rrënimet, qeshjet, zgerdhirjet, padituritë, hajnitë, krimet, mafitë e deri tek çoroditjet e përditshme dhe ke një fotografi të përafërt të Kosovës në pak vite. Këtë fotografi definitivisht nuk e kishim pritur më 17 Shkurt 2008.

***

Meqenëse e thërras vetën si ekonomist, them se këtë përmbledhje do ta bëj vetëm për ekonomi. Kam përshtypjen se bashkë-kolumnistët tjerë të kësaj gazete do ti prekin mjeshtërisht kujtimet e jetës sonë politike e qytetarë në pesë vitet e shkuara. Kanë mjaft për të thënë.

E sikur të peshoja ecjen tonë ekonomike në gjysmë dekade, pra sikur ti ndaja pluset në njërën anë e minuset në tjetrën, them se peshorja do të dukej pak a shumë kështu. Në anën e pluseve, integrimet ekonomike në institucionet financiare ndërkombëtare, në rend të parë në Bankën Botërore, Fondin Monetar e Bankën Evropiane janë padyshim ecjet më domethënëse në këtë periudhë. E para sepse me anëtarësime të tilla neve na u hapën dyert për potenciale përfituese goxha mbresëlënëse (tjetër muhabet se sa ditëm, sa dimë e sa do të dimë ti shfrytëzojmë at), dhe e dyta, sepse për kohën e anëtarësimit tonë në to, ishte esenciale pjesëmarrja jonë si shtet. Në terma strikt ekonomik, pozitive gjatë kësaj kohe gjithashtu është edhe rritja e buxhetit nëpër vite si dhe ulja e suficiteve buxhetore. Kujtoj se asokohe Kosovës i tepronin në Ministrinë e Infrastrukturës nga 300 milionë në vit; në kohë kur nevoja kishte më shumë se 300 milionë (prapë, tjetër muhabet që sot kemi kaluar në ekstremin tjetër të shpenzimit). Ulja e tatimit në profit nga 20 në 10% po ashtu bën një hap që merr pluse, sic bën edhe heqja e disa procedurave burokratike në regjistrimin dhe operimin e bizneseve; por me kaq kam përshtypjen se përfundon ndonjë politikë e hajrit ekonomike në gjithë këto vite.

Në anën tjetër të peshores, pra tek minuset, rëndesa është alarmante. E para, të gjithë treguesit makroekonomikë kanë shënuar o stagnim o rëndesë. Kur flas për treguesit makroekonomik e kam fjalën për papunësinë, inflacionin dhe deficitin tregtar. Në këto pesë vite, papunësia vazhdon të mbetet në kufijtë e rekordeve të ulëta, diku në 40-45% varësisht nga percepcioni i bazuar në fakte e jo iluzione (se përndryshe na del më mirë se Spanja). Inflacioni në anën tjetër ka shënuar rritje të vazhdueshme në kaq pak kohë. Që nga shpallja e pavarësisë kosovarët kanë përjetuar rritje të çmimeve në nivel prej plot 30%; pra çdokush me të ardhura konstante në këtë periudhë është varfëruar për afërsisht një të tretën e pasurisë. Mjafton të krahasosh çmimet e produkteve bazike për të parë qartazi ngecjen e rëndesën e vazhdueshme mbi familjet kosovare. Kujtoj se në ditën e pavarësisë një bukë kushtonte 20 cent - sot kushton 35; një litër vaj kushtonte 1 euro, sot 1.80; një kilogram sheqer kushtonte 50 cent, sot plot 85; një litër naftë kushtonte 80 cent sot mbi 1.30; një kilogram mish kushtonte 4.50 cent, sot plot 6.20 cent; dhe së fundi një kilovat energji elektrike kushtonte 4 cent, sot plot 6.5 cent. E treta, deficiti tregtar ka vazhduar të rëndohet. Deri sa në ditën e pavarësisë Kosova importonte diku rreth 1.9 miliardë euro, sot importon mbi 2.5 miliardë, përderisa eksportet janë rrritur simbolikisht nga 200 në 300 milionë euro. Pra në pesë vite ekzistencë ne kemi rritur varshmërinë ekonomike në produkte të importuara për plot gjysmë miliardi në vjet – e ky ritëm është në vazhdim.

Tashti, nivelet dhe trendet e treguesve makroekonomikë si papunësia, inflacioni e deficiti tregtarë janë vetëm pasoja të një politikëbërje nëpër këto vite. Pra në numra si këto njeriu gjen dhe vlerëson lehtësisht se sa adekuate, sa të efektshme dhe sa të mençura kanë qenë politikat ekonomike në vend nëpër kohë. Nëse dikush mburret me stagnim të papunësisë, inflacion 30%, e deficit tregtar në hiper-rritje, them se ka problem serioz me konceptet më bazike dhe qëllimet më elementare të ekonomibërjes.

***

Arsyeja e parë dhe e vetmja se pse Kosova nuk ka zgjidhur problemin e papunësisë, inflacionit e deficitit tregtar në këto pesë vite është se Qeveritë e saja asnjëherë nuk kanë besuar në sektorin privat. Të njëjtat sektorin privat e kanë parë vetëm si një lopë që qet qumësht. Përderisa sektori privat shihet si burim i mbushjes së buxhetit, korrupsionit e rrjedhimisht pasurimit të shpejtë politik në vend, nuk ka se si dhe nuk mundet se si të prodhojë rezultate ekonomike; diçka si për shembull krijimi i vendeve të reja të punës (së paku një vend për një ndërmarrje çdo vit) dhe ulja e papunësisë në 20% në më pak se pesë vite, apo diçka si për shembull krijimi i vlerës e produkteve dhe stagnim të çmimeve, apo dhe diçka si zëvendësimi i importit me prodhim të brendshëm dhe kështu reduktimi i hendekut tregtar.

E kjo lloj qasje na sjell tek korrupsioni, sëmundja më prezente ekonomike në vend. Nëse asgjë tjetër në këto vite korrupsioni ka shënuar rritjen më të madhe të parë ndonjëherë. Ndoshta për shkak se krahasuar me pesë vite më parë Kosova ka në buxhetin e saj më tepër para, apo ndoshta se ndërrimi i skenës politike në vend vazhdimisht kërkon edhe pasurimin e tyre të shpejtë; gjithsesi për të dy arsyet përdhunimi kaq i egër i parasë publike përveç se ka shkatërruar konkurrueshmërinë e brendshme (nëpërmjet konkurrencës jo të drejtë) dhe kështu ka shkatërruar edhe sektorin privat e më pas edhe ato tri problemet tona makroekonomike, përveç pra se ka bërë gjithë këto korrupsioni ka dhënë edhe një sinjal tmerrues në imazhin e Kosovës botërisht. Prandaj tani kur i mbushim pesë vite shtet, them se e kemi shumë të vështirë të gjejmë vetëm një, kujdes jo dy, por vetëm një investitor me renome botërore në Kosovë. E kemi katandisur aq keq imazhin tonë ekonomik sa që nga gjithë ajo simpati, përkushtim e vëmendje që patëm në kohën e pavarësisë , konferencës së donatorëve, imazhit mediatik e më gjërë, ne kemi mbetur me tituj gazetash botërore që shohin vendin tonë si tmerrin e fundit evropian. Sa e dhimbshme.

E kur jemi tek menaxhimi ekonomik, them se po aq të paaftë në këto vite kemi qenë edhe në menaxhimin e ndërmarrjeve publike, pasurisë së fundit të patransformuar. E para, në vend të vlerësimit të tyre ne kemi krijuar zhvlerësim. Nëse PTK është vlerësuar pesë vite më parë mbi 700 milionë, sot nuk i bën dot as 300. Nëse KEK pesë vite më parë ka tërhequr investitorë evropian sot tërheqë disa amatorë indian. E dyta, në vend të pavarësimit të tyre ne i kemi shndërruar këto ndërmarrje në vende “rahatimi të dajve që kanë mbetur keq”. Mbipunësimi, pagat e lluksit e bonuset e paarsyeshme për militantë partiak kanë treguar në miniaturë edhe derexhën e menaxhimit publik kosovar – që përndryshe duhet ndërprerë sa më shpejtë. Menaxhimin buxhetor në stilin e kontabilitetit të një trafike as që po e diskutoj; do të më duhej e gjithë hapësira e kësaj gazete.

E kur jemi tek militantizmi partiak, zaptimi institucional i elementeve ekonomike të Kosovës, i derivuar kryesisht nga një zaptim politik gjithandej, nga edukimi, shëndetësia, policia, mediat, gjykatat e deri tek agjencionet e bordet e pavarura, vazhdon të bllokojë çfarëdo ecje ekonomike. Pra në vend se të kemi gjykata të pavarura që do të kishin një lloj përgjigje refuzuese ndaj anomalive ekonomike, në vend se me po këto gjykata ti garantojëm investitorët e huaj për siguri në vend të haraçit, në vend se me këto gjykata të zvoglojmë koston e iniciativës private, ne kemi bërë mu të kundërtën. Pse? Sepse përderisa prioritet mbetet rhatimi i vetës e familjes, përderisa ky rahatim kërkon pare, përderisa këto pare vijnë nga taksat, përderisa këto taksa vijnë nga sektori privat – është e pamundur të krijohet punë, vlerë, stabilitet e prosperitet.

Në fund fare, në këto pesë vite ne mbesin me një situatë ku politikanët tanë tallen me disa numra që nuk thonë asgjë. Dicka për shembull si rritja ekonomike simbolike, që na qenka ma e mirë në rajon, pa e kuptuar se rritja ekonomike nuk është zhvillim ekonomik – se ajo mund të jetë rritje e pasurisë së një grupi të vogël individësh. Njëtrajtësisht ne tallemi me mburrjet se gjithçka po shkon sipas një plani power-point hajgare, se ecja jonë është lakmitare dhe se natyrisht, për gjithë këtë është meritore angazhimi i Qeverisë. Madje po të shikosh me kujdes deklarimet e vazhdueshme politike në vend e kupton se ma e rëndësishme për promovuesit e tillë është theksimi se ata po punojnë se sa interpretimi real i gjendjes ekonomike. Thonë se puna që shihet kallauz nuk do.

Në fund fare, them se Kosova ka nevojë për një ndërrim radikal të paradigmës ekonomike. Në vend të talljes e marrjes me glorifikime të paqena them se është e udhës të kuptohet fillimisht gjendja e rëndë, e nga ku njeriu vazhdon me ecje e gjetje alternativash – përndryshe është e kotë diskutimi në mungesë diagnoze. Këto ecje e alternativa nënkuptojnë forcimin e gjykatave, ndaljen e egove korruptive, dënimin e keqbërësve, trajtimin favorizues të vendorëve, lëvizjen me politika fiskale, shuarjen e burokracisë, zhbërjen e strukturave zaptuese e dhënien e frymës. Pak a shumë gjeniale, por ja që në pesë vite përpjekje ne ende jemi në vitin zero. E Kosova përderisa vazhdon të mbesë në vitin zero e ka vështirë të gjejë qetësinë e me këtë dhe rutininë e qetësisë familjare.






Friday 8 February 2013

KUR NJË DHE NJË BËJNË TRI



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 SHKURT 2013


Tregimi mbi antimatematikën e KEK-ut


Shpërthimi i pakënaqësisë qytetare dhe apolitike rreth faturimit nga KEK-u më dha disi një fije shprese se ky milet megjithatë ka ca doza reagueshmërie. Fatkeqësisht kjo dozë e reagimit shpërtheu vetëm kur u preken xhepat e tyre, duke treguar kështu percepcionin kosovar për taksat që paguajnë si para të humbura e jo para të tyre. Pra ne ende e shohim si tonën e si interes individual vetëm paranë që disponojmë në duart tona, por jo atë që e paguajmë në formë takse. Në të vërtetë nuk ka dëm më të madh e hajni më të madhe se sa keqpërdorimi i parasë publike që ndodh në vend tash e 14 vite, e për të cilin nuk gjetëm asnjëherë asnjë arsye që të ngremë zë. Sidoqoftë, në gjithë këtë amulli e reagueshmëri u bë shumë i qartë funksionimi i një sistemi antiqytetar që në esencë ka për qëllim marrjen e parave nga kosovarët gjithmonë nën tendencën tinëzare për ta mbajtur këtë marrje nën heshtje – pra me stilin është bërë çfarë është bërë, le të ecim tutje. E ja se nuk po ecim tutje; dele megjithatë nuk jemi.

Së paku nga reagimi publik dhe zyrtar i KEK-ut, gjithmonë për shkak të hiper-reagueshmërisë e jo se ata kuptuan gabimin, u bë e qartë se bëhej fjalë për një keqpërdorim matematikor të llogaritjes së shpenzimeve elektrike. Për këdo me dije bazike të çmimores së energjisë elektrike është e qartë se çfarëdo shpenzimi mbi 600 KW përllogaritet me një tarifë, pra me një çmim, më të lartë se sa çmimi nën këtë prag– kjo si dënim për mbikonsum. Pra ka një rangim për koston e energjisë elektrikë për kategori të ndryshme kilowat-ësh; pak a shumë njësoj sikurse përllogaritja progresive e taksave.

Nëse një familje, në një rast hipotetik, themi se konsumon çdo muaj nga 600 KW, i bie se e njëjta paguan tarifa me çmime normale pa u prekur nga rritjet për pjesën mbi 600 KW. Në terma financiar le të themi se për këto 600 KW energji të konsumuar, familja paguan diku rreth 40 euro faturë mujore. Por nëse KEK-u kësaj familje për muajin dhjetor i faturon zero KW të shpenzuar dhe rrjedhimisht zero euro kosto të faturës, ani pse e njëjta kishte shpenzuar 600 KW, pra nëse KEK-u 600-shin e shpenzuar në dhjetor ja faturon në janar (gjithsesi mbi shumën e shpenzuar edhe në janar) i bie se familja faturohet për 1200 KW, por se tani nuk paguan 80 euro (40 për çdo 600 KW), por paguan 40 euro për 600-shin e parë dhe, sipas çmimores energjetike, pothuajse dyfish për pjesën mbi 600 KW – si dënim për kalimin e pragut. Pra në vend se kjo familje të paguaj nga 40 euro në dy muaj (gjithsejtë 80 euro), ajo paguan tani 120 euro edhe pse në të dy muajt e dhënë e njëjta nuk kishte kaluar asnjëherë pragun. Pragu u kalua nga llogaritja e gabuar e KEK-ut.

Në terma pak a shumë si këto u dha edhe shpjegimi zyrtar, se muaji dhjetor ishte përllogaritur për tre javë, ndërkaq ai i janarit për pesë. Natyrisht se një përllogaritje e tillë është antiligjore dhe kundrejt çdo vendimi e urdhërese nga Rregullatori i Energjisë. Në fund të fundit tarifat dhe kufijtë e kilowat-ëve për muaj kanë pasur një arsye e një logjikë të shëndoshë kur janë vendosur si të tilla, andaj çdo ndryshim i tyre nënkupton edhe shkelje të qëllimshme nga faturuesit.

Ndonëse në çdo rrethanë normale do të duhej që mu Rregullatori i Energjisë të ngriste zërin për këtë hesapim të gabuar matematikor – sepse është i thirrur për të bërë një gjë të tillë, pa përmendur fare nevojën e reagueshmërisë nga Bordi i KEK-ut të cilët nuk janë aty për të bërë sehir e marrë pesëfishin e pagës mesatare në vend sa për të dëlirë dhëmbët nëpër mbledhje, them se qytetarët e Kosovës kanë çdo të drejtë të thirren në mospagesën e faturave për këtë muaj. Në çdo procesim gjygjësor të njëjtit e kanë të garantuar ri-llogaritjen adekuate dhe me këtë pagesën e tagrit adekuat. Thirrjet e KEK-ut se një llogaritje e tillë duhet harruar dhe se të njëjtat nuk do të përsëriten më, jo vetëm se janë joetike për një ndërmarrje normale por edhe fyese për trajtimin konsumator. Në çdo vend normal një ndërmarrje minimalisht normale do të bënte maksimalisht përpjekje për të përmirësuar imazhin e saj e jo të tregojë tendencë për të marrë para, heshtur e vazhduar. Por meqenëse aktet morale e vullnetare janë pak të pritshme në një shtet me kaq pak moral e kaq pak vullnet, them se kosovarët duhet ti drejtohen gjykatave për të parandaluar një plaçkë tipike nga faturuesit.

Nuk dua të hyjë fare në paradeklarimet e disave që këtë rritje të çmimeve e ndërlidhin me privatizimin e distribucionit. Mund ta lidhin edhe me zbarkimin në Hënë po u ndien më mirë, por pavarësisht një privatizimi regresiv, të dëmshëm e të turpshëm të distribucionit, faturat e reja kanë të bëjnë më së paku me të. Çmimet në fund të fundit nuk i cakton KEK-u, as Distribucioni por Rregullatori i Energjisë. Këto çmime nëse asgjë tjetër janë mu në faturat e dërguara tek secili. Problemi pra është mu tek përllogaritja e këtyre çmimeve. Shqetësuese megjithatë duhet të jetë lajmi i dhënë kohëve të fundit se instalimin e njehsorëve digjital e paguajnë taksapaguesit kosovar. Them kështu meqë do të ishte absolutisht absurde sikur me paratë e taksave publike të paguhen asetet e pronarëve privat. Për këtë po besoj në nisjen e ndonjë hetimi parlamentar.

E kur jemi tek njehsorët, do të ishte shumë e udhës të bëhet një hetim i ngjashëm si në Shqipëri kur u konstatua se ka diçka të tmerrshme me përllogaritjen e shpenzimeve nga njehsorët digjital, të cilët sipas përdoruesve llogarisin më shumë se çfarë analogët kanë bërë; njëjtë si tek ne. Nga natyra e llogaritjes së aparaturave teknologjike mund të kuptoj se është fare e lehtë kurdisja e një mbillogaritje. Pa dashur të lëshohem më tepër në konsipracione trishtuese si këto, por që kanë ndodhë jo më larg se në Shqipëri, duhet përmendur gjithashtu se faturimi më i rëndë i rrymës është bërë edhe për shkak të kohës së matjes së tarifave, që i njohim në termat “me të lirë” e “me të shtrenjtë”. Deri sa në orët analoge një gjë e tillë mund të fiksohej lehtësisht nga çdo qytetar me dije modeste mbi njehsorët (duke favorizuar lirimmin për kohët me konsum më të lartë dhe anasjelltas), tek këta digjital një gjë e tillë është e parapërcaktuar dhe e pandryshuar. Prandaj pak këtu e pak atje kanë bërë në fund një çoroditje të përgjithshme të faturave në vend.

Problemi i çmimeve të energjisë elektrike gjithsesi se do të vazhdojë në Kosovë. Mos të harrojmë se fyerjes së çmiomores i ka kontribuar edhe qeveria jonë e cila për shkak të ngushtësisë financiare, kishte vendosur të rrisë taksën në thëngjill për plot 1001%, duke i mbledhur kështu plot 26 milionë euro nga KEK-u. Këktë 26 milionësh më pas KEK-u e kishte transferuar tek konsumatorët nëpërm jet shtrenjtimit të energjisë elektrike për gati 10%.

Çfarë kosovarët megjithatë nuk e dinë, është fakti se në tri vitet e ardhshme vendi ynë do të detyrohet edhe më tutje të shtrenjtojë çmimet e energjisë elektrike. Kosova aktualisht ka dualsi tarifore varësisht prej llojit të konsumatorit. Pra janë bizneset në njërën anë që paguajnë tarifa më të shtrenjta, dhe janë familjet që paguajnë tarifa më të ulëta. Ky diversifikim natyrisht se është i padrejtë. Në fund të fundit energjia elektrike e shpenzuar si për biznesin si për qytetarin është e njëjtë. Nuk mundet një bukë të kushtojë më shtrenjtë për një biznesmen e më lirë për një shtëpiak; dhe kjo pavarësisht fuqisë blerëse të tyre. Nuk mundet një kilowat energji të kushtojë më shtrenjtë për një këpucëtar në hall e më lirë për një shtëpiak milioner. Prandaj në frymën e obligimeve evropiane, Kosova do të duhet të barazojë dy tarifat. Ky barazim është programuar të ndodhë në tri vite, duke i ulur për çdo vit nga 10% tarifat për bizneset e duke i rritur për aq përqind tarifat e konsumatorëve shtëpiak. Pra pas tre viteve energjia elektrike në Kosovë do të jetë për 30% më shtrenjtë se sa që është tani.

Një çmim i tillë gjithsesi se përbën një goditje të rëndë inflacioniste tek shporta e konsumatorit kosovar. Kujtoj se vetëm në tre-katër vitet e fundit janë mu kosovarët që kanë përjetuar një rritje të energjisë elektrike për plot 30%. Ndonëse çmimi i energjisë elektrike duhet të reflektojë në koston e prodhimit të saj, them se institucionet tona kanë mundësi të zbusin sadopak barrën e menjëhershme tek kosovarët. Një politikë zbutëse gjithsesi do të ishte heqja e TVSH-së në energji elektrike për konsum familjar.


Friday 1 February 2013

FONDI SI BUXHET PARALEL



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 SHKURT 2013


Ka vetëm një emër dhe vetëm një përshkrim për diçka që ka territor të vetin, pika mbledhëse të veta, kontribuues e përfitues të vetin, vendimmarrës të vetin – në terma financiarë i thonë buxhet

Ka bukur ca kohë që kur flitet për themelimin e një Fondi Zhvillimor për Veriun. Të gjendur nën hallakamën e Luginës duket se lamë pas me apo pa qëllim njërin ndër elementet më thelbësore të pas-shpalljes së pavarësisë: hapjen ose jo të Pakos së Ahtisaarit. Këtë javë do të provoj që shkurtimisht por në formë gjysmake gjithsesi, të jap mendimin tim mbi Fondin e proklamuar për Veriun. Them në formë gjysmake meqë baza e informacioneve mbi Fondin vazhdon të jetë jopublike prandaj çfarëdo percepcioni që ndërtohet për të buron vetëm nga deklaratat e pjesëmarrësve në bisedime e jo nga ndonjë dokument i shkruar që do të shërbente si bazë e interpretimeve analitike. Dhe ndoshta mu ky mospublikim tregon në një farë forme edhe natyrën jo fort të mirë të marrëveshjes për të dyja palët; në të kundërtën pse të mos bëhet publike.

Janë dy deklarata, nga të dyja palët, pra Prishtina dhe Beogradi, të cilat na japin natyrën dhe nomenklaturën e përafërt të Fondit. Pritshëm, siç edhe ka ndodhur me çdo marrëveshje të deritanishme në Bruksel, të dy deklaratat janë në kundërshti me njëra tjetrën. Është Beogradi në njërën anë që thotë se “paratë e mbledhura në Pikat 1 dhe 31 nuk do të shkojnë në Buxhetin e Kosovës; nëse ndodhë një gjë e tillë Beogradi do të zhvlerësojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani” (Ivica Dacic) dhe në anën tjetër është Prishtina që thotë se “të gjitha të ardhurat nga doganat, akcizat dhe TVSH-ja në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e shtetit, në ndërkohë përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pikat 1 dhe 31” (Hashim Thaçi).

Në fakt, kundërshtia qenësore në këto dy interpretime nuk qëndron në burimin apo përfundimin e të hyrave, por vetëm në ekzistencën apo jo të një pike transaksioni, siç është Buxheti i Kosovës. Pra të dyja palët pajtohen se burimi i të hyrave janë Pikat kufitare 1 dhe 31 dhe të dyja palët pajtohen se paratë do të përfundojnë në Fond. Gjithashtu, të dyja palët pajtohen se Fondi do të menaxhohet nga një Bord i pavarur tre anëtarësh dhe se mjetet e Fondit do të përdoren vetëm për një zonë të caktuar gjeografike. Në parime koncensuale si këto, do të provoj që nëpërmjet katër pikave të derivoj përfundimisht edhe natyrën e Fondit.

Së pari, Fondi i krijuar ka dy pika kufitare që mbledhin të hyra ekskluzivisht për të. Paratë e mbledhura në Veri kanë vetëm një kanal të parapërcaktuar financiar: nga kufiri në Fond. Pikat veriore nuk kontribuojnë askund tjetër përveçse në Fond siç edhe nuk kontribuojnë pikat tjera doganore të Kosovës askund tjetër përveçse në Buxhet; pra ka një lidhje të pastër dhe ekskluzive në mes të pikave 1 e 31 me Fondin. Në këtë frymë them se nga kalojnë, si kalojnë e kur kalojnë paratë është më pak e rëndësishme. E rëndësishme është të kuptohet se elementi i parë qenësor i marrëveshjes në fjalë është se Fondi ka pikat e veta doganore.

Së dyti, Fondi përveçse ushqehet nga këto pika doganore, ushqehet edhe nga të gjitha aktivitetet ekonomike të zhvilluara në një rajon të caktuar gjeografik, pra Veriun. Thënë ndryshe aktivitetet ekonomike të zhvilluara në këtë pjesë nuk mund të kontribuojnë financiarisht në asnjë grumbullim tjetër financiar përveçse në Fond. Ky dedikim përbën elementin e dytë qenësor të Fondit, faktin se i njëjti përveç se ka pikat doganore të veta, ka edhe një territor të vetin gjeografik.

Së treti, Fondi ka kontribuuesit dhe përfituesit e vet: banorët e Veriut. Ka kontribuuesit e vet meqë këta banorë nuk paguajnë taksa e obligime tjera fiskale, ndaj asnjë grumbullimi financiar përveç Fondit dhe ka përfituesit e vet meqë asnjë mjet i Fondit nuk mund të shpenzohet diku tjetër përveçse tek kontribuuesit e saj. Pritshëm se paratë e mbledhura në Veri e të derdhura në Fond nuk mund të shfrytëzohen le të themi për ndërtimin e një shkolle apo rruge në anën tjetër të Kosovës, në Han të Elezit; siç shfrytëzohen sot paratë e mbledhura në Han të Elezit për të ndërtuar një rrugë në Pejë. Të hyrat e grumbulluara, gjithsesi me tarifat doganore e tatimore të Kosovës, mund të përdoren vetëm për një njësi të parapërcaktuar përfituesish. Ekzistenca e kontribuuesve dhe përfituesve ekskluziv përbën elementin e tretë qenësor të marrëveshjes. Pra Fondi përveç se ka pikat e veta doganore, territorin e vet ka edhe kontribuuesit e përfituesit e vet.

Së katërti, Fondi ka edhe menaxhuesit e vet. Nuk është Parlamenti i Kosovës si në çdo rast tjetër financiar në Kosovë, por është një Bord tre anëtarësh me të drejta ekskluzive dhe të pakontestuara vendimmarrëse. Për fatin e parave të mbledhura nga një Fond me pika të veta doganore, me territor të vetin, kontribuues e përfitues të vetin, mund të vendosë një trup i veçantë menaxhues. Kjo natyrisht se bën elementin  katërt qenësor të marrëveshjes.

Marrë parasysh këtë, është e qartë se Fondi për Veriun ka përmasa më të vogla se sa Buxheti i Kosovës, ka trup vendimmarrës më simbolik se sa Parlamenti i Kosovës, ka territor më të vogël se sa pjesa tjetër e Kosovës, ka pika doganore në numër më të vogël se sa pjesa tjetër e Kosovës, ka kontribuues e përfitues më të pakët se sa pjesa tjetër e Kosovës – pra në esencë është shumë më i vogël se gjithçka tjetër e Kosovës. Pavarësisht kësaj Fondi definitivisht ka pika të pavarura e të veta doganore, ka territor të pavarur e të vetin taksues, ka vendimmarrës të pavarur e të vetin menaxhues dhe ka gjithashtu kontribuues, përfitues e llogari financiare të pavarura e të veta.

Për çdo kë me dije bazike financiare, deri më tani do të ishte e qartë se ka vetëm një emër dhe vetëm një përshkrim për diçka që ka territor të vetin, pika mbledhëse të veta, kontribuues e përfitues të vetin, vendimmarrës të vetin – në terma financiarë i thonë buxhet. Rrjedha e parasë nëpër një kanal të tillë është çelës i veçantë buxhetor. Prandaj them se Fondi për Veriun është as më shumë e as më pak se sa një buxhet paralel, gjithsesi më vogël por gjithsesi edhe i pavarur nga Buxheti i Republikës së Kosovës; dhe mu ky fakt bën koston më enorme nga një marrëveshje e tillë.

Fakti se paratë kalojnë nëpër thesar, nuk zhbën as për një moment pasjen e pavarësisë territoriale, menaxhuese, përfituese, kontribuuese apo kufitare të Fondit. Kalimi nëpër thesar mund të bëhet sa për të evidentuar e regjistruar paratë, por për fatin dhe destinimin e një euroje të mbledhë nga Fondi e për Fondin nuk mund të vendoset as për së afërmi siç vendoset për një euro tjetër të mbledhë në Kosovë. Në fund të fundit a nuk duket kështu autonomia financiare: evidentim por pa ndikim?

Përderisa Parlamenti i Kosovës, si institucion i vetëm kushtetues i autorizuar nga qytetarët për të menaxhuar paranë e mbledhur në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht se a bëhet fjalë për paranë e mbledhur në Lindje, Perëndim, Jug apo Veri, pra përderisa Parlamenti i Kosovës shndërrohet në spektatorë i evidentimit të parasë veriore nëpër thesar por jo dhe i Zot i saj, atëherë them se ne kemi të bëjmë me një paralelizëm financiar që shërben si bazë e një autonomie financiare për Veriun. Përderisa qytetarët e një pjese gjeografike të Kosovës kontribuojnë e përfitojnë ndaras në një e nga një Fond, atëherë them se kemi të bëjmë me një paralelizëm financiar për Veriun. Përderisa një territor i caktuar i Kosovës krijon e grumbull të hyra ndaras dhe vetëm për veti, atëherë them se kemi të bëjmë me një paralelizëm financiar për Veriun.

E një paralelizmi i tillë financiar përbën në esencë një situatë antikushtetuese, antiligjore dhe përtej çfarëdo parashikimi brenda Pakos së Ahtisaarit. Së pari, them se është antikushtetuese e antiligjore meqë Kushtetuta e Kosovës dhe disa ligje suksesive që rregullojnë aspektet financiare, doganore e buxhetore në Kosovë, përfshirë edhe vet Kodin Doganor të Kosovës nënkuptojnë trajtimin e njëjtë të çdo euroje të Kosovës. Kur them njëjtë e mendoj mbledhjen, grumbullimin dhe shpenzimin. Pra çdo euro mblidhet nga Dogana, grumbullohet në Buxhet dhe shpenzohet nga Parlamenti. Mosbërja e njërës nga të tria, për gjitha arsyet e dhëna më lartë, nënkupton harnim të implementimit obligues ligjor e kushtetues.

Kalimi nëpër thesar sa për sy e faqe, pra sa për evidentim pa ndikim, nuk përmbush asnjëherë kërkesat si këto. Së dyti, them se është përtej parashikimit brenda Pakos meqë në gjithë 24,349 fjalët e Pakos nuk gjendet as edhe një e vetme që definon trajtimin buxhetor të dyfishtë për çfarëdo komune apo për çfarëdo rajoni të Kosovës. Përkundrazi, kujtoj se Aneksi 3 i Pakos së Ahtisaarit, që merret me decentralizimin, saktësisht Neni 8, që merret me financat lokale, në Pikën 2 thotë se “komunat nuk do të vënë apo mbledhin tarifa doganore, tatime në të ardhura të personave fizikë dhe juridikë, TVSh-në dhe detyrimet e akcizës, tatime në kapital, përveç tatimit në pronën e paluajtshme që gjendet brenda komunës apo tarifa të tjera ekuivalente me detyrimet dhe tatimet e tilla”. Për efektet e gjeneroziteti tonë përtej hapjes së Pakos, pra për konsekuencat e hapjes së Pakos nuk do të flasë fare. Besoj se është thënë mjaft e do të thuhet mjaft në lidhje me të.

Në fund fare, për të dhënë një alternativë sa për të qetësuar zërat që kapen për mungesë alternativash, them se nuk ka as edhe një të metë nga koncentrimi i mjeteve financiare në një regjion të caktuar gjeografik. Në ekonomi kësaj i thonë zhvillim i balancuar rajonal; madje kosovarët sot do të ishin shumë familjar me konceptin e tillë përderisa i njëjti ekzekutohet qe sa vite në regjionin e Drenicës. Por nëse zhvillimi i balancuar rajonal bëhet nëpërmjet krijimit të paralelizmit financiar e buxhetor them se efektet e tij bëhen realisht antizhvillim. Kosova mund të krijoj një Fond për Veriun por pa lidhur pikat doganore, të hyrat, aktivitetet  ekonomike, përfituesit e kontribuuesit ekskluzivisht me Fondin, pra pa i dhënë të njëjtit eksluzivitet në të gjitha të hyrat nga disa pika doganore apo nga një regjion i dhënë ekonomik. Fondi për Veriun joparalel mund të financohet edhe nga Jugu i Kosovës, Perëndimi apo Lindja nëpërmjet caktimit të një shume financiare e cila më pas plotësohet nga kontirbimet buxhetore me vendim Parlamenti; njëjtë sikurse është le të themi ndërtimi i autostradës kur dihet kostoja e përgjithshme por burimet e kësaj kostoje nuk janë të lidhura specifikisht me ndonjë burim apo lloj takse. Pikat veriore nuk janë domosdoshmërish të një regjioni të caktuar, ato janë të gjithë Kosovës. Prandaj do të ishte absurde që nën intencën e integrimit të një pjese gjeografike të krijojmë veçim. Po trajtuam ndaras një pjesë të Kosovës nuk është se po krijojmë proces integrues; përkundrazi ne po japim bazën e parë të një ndarje autonomike. E kjo më së paku është integrim.

abdixhiku@facebook.com