Saturday 30 April 2016

PERSEPSIONI, KORRUPSIONI DHE ALIBABAT ME HAJDUTË


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 PRILL 2016

Pra ne kemi problem me pranimin e problemit të korrupsionit. Në këtë fazë pra, këta e mohojnë ekzistencën e problemit. Trajtimi i tij, që ta kemi të qartë ne pritësit e përjetshëm, as që është në rend. Fillimisht këta duhet bindur (jo që nuk e dinë) se ka korrupsion, e tek më pas se duhet luftuar atë.


-1-

“Percepsioni për korrupsion dhe realiteti për korrupsion në Kosovë janë dy bota të ndryshme”; kishte thënë Presidenti i Kosovës një ditë para se forcat policore të Kosovës në bashkëpunim me prokurorët e EULEX-it kishin nisur një fushatë përndjekjeje ndaj bashkëpunëtorit më të afërt të tij, “Dajës”, Azem Sylës pra, me plot 51 bashkëpunëtorë të tjerë. Akuza e ngritur parashkruante procesin e tjetërsimit të paligjshëm të pronave – të tokës – në bashkëpunim me ish oficerë të MUP-it serb, ish-gjykatës e zyrtarë komunal në Kosovë. Dëmi ekonomik në këtë proces të vetëm kalonte mbi 30 milionë euro.

Natyrisht se percepsioni dhe realiteti nuk ishin dy bota të ndryshme – siç pretendonte miku i ngushtë i të përndjekurve, Presidenti i vendit më të korruptuar në Evropë. Ishin një botë e vetme. Të dyja, percepsioni pra i ndërtuar mbi një realitet që tash e shtatëmbëdhjetë vjet kishte pasuruar këtë mik e miq të tjerë të Presidentit të vendit më të korruptuar në Evropë, ishte reflektim real i një gjendje të mjerueshme.

Siç dhe e kishte shpjeguar Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) dy javë më parë këtë problem në raportin e tyre vjetor, “korrupsioni endemik në qeveri” si dhe “mungesa e ndëshkimit për vepra korruptive” përbëjnë shkeljen më të madhe të te drejtave të njeriut. Korrupsioni pra, përbënte shkeljen më të rëndë të ardhmërisë së kosovarëve.

-2-

Natyrisht se Presidenti i vendit më të korruptuar në Evropë, mik i të përndjekurit për 30 milionë dëm ekonomik, nuk e sheh problemin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në dioptrinë e syzeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. S’ka se si ta sheh ashtu. Sepse për ta parë me dioptri të tillë, duhet parë nga vetja, nga familja e rrethi i pasuruar në po të njëjtën mënyrë. Duhet parë nga gjithë ata deputetë të afërt që sot i akuzohen për pasurim të paligjshëm; nga gjithë ata kryetarë komunash – të vendosur nga vet ai – që sot akuzohen për krime ekonomike; nga gjithë ata ministra që tenderët e parasë publike i trajtonin si menu mëngjesi. Duhet parë pra nga i gjithë sistemi korruptiv, “endemik” pra, i mbajtur e mirëmbajtur nga një strukturë paraqeveritare që kontrollon secilën euro publike në vend.

Një President i mirë i një vendi të korruptuar do ta shihte problemin siç është. Fatkeqësisht për ne të tjerët, ky i yni e mohon atë. E trajton si percepsion – si diçka iluzive, të pavërtetë. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë çmendur e halucinativ që mendojnë se politikanët kosovarë, miqtë e tyre milionerë të natës e familjarët me vetura, shtëpi, vila e tokë gjithandej të jenë pasuruar kaq lehtë në këto shtatëmbëdhjetë vjet.

Për Presidentin e vendit më të korruptuar në Evropë, për mikun e të përndjekurit për 30 milionë euro dëm, i marrë duhet të jetë edhe i gjithë Departamenti Amerikan i Shtetit që e quan një percepsion iluziv si endemik. I marrë, ç’është e vërteta, për këtë President, duhet të jetë edhe raporti i “Transparancy International”, organizatës më kredibile në botë, që Kosovën e rangon në vendin e 103 nga 167 vende më korruptive në botë. Kosova është në rang me Etiopinë dhe Bjellorusinë. Dhe tragjedia më e madhe është se nga viti 2007 jemi ende në këtë grup shtetesh. Pra gati dhjetë vjet të humbura e në stad të njëjtë.

Pra ne kemi problem me pranimin e problemit. Në këtë fazë pra, këta e mohojnë ekzistencën e problemit. Trajtimi i tij, që ta kemi të qartë ne pritësit e përjetshëm, as që është në rend. Fillimisht këta duhet bindur (jo që nuk e dinë) se ka korrupsion, e tek më pas se duhet luftuar atë. Dhe tragjedia më e madhe e trajtimit të tillë të korrupsionit nuk buron vetëm nga Presidenca. Të njëjtat fjalë ishin thënë pak më parë edhe nga Kryeministri i vendit. Si ekonomist që është, do të duhej të dinte më mirë se kaq. Duhej të dinte se si matet shkenctarisht korrupsioni – mu me percepsion.

-3-

Skandalet si ky i “Dajës” me 51 hajdutë do të duhej të ishin të përditshme në një Kosovë që synon përfundim evropian. Kosova është një liqe i vogël përplot me peshq të mëdhenj; vlon e përvëlon nga të tillët. Mos kapja e përditshme e tyre është për rekordet e librit të mbrapshtësisë.

Kosova, fatkeqësisht nuk ka për t’i kapur këta individë e këto grupe kriminale vetë asnjëherë. Është e papritshme se shkaktarët e korrupsionit e krimit të jenë dhe zgjidhësit e tij. Nuk rezonon në asnjë rrethanë. Kapja e tyre pra, dhe ndërtimi i sistemit të drejtësisë do të jetë vetëvrasje për ta.

Ka dy alternativa në këtë drejtim. E para, që klasa politike në Kosovë të ndërroj. Një ndryshim i tillë sa është utopik është aq edhe i largët. E dyta, më realja ndërsa, që presioni ndërkombëtar, i rrugëtimit tonë Evropian e investimit Amerikan, të fillojë të prodhojë rezultate më të mëdha. Të dilet me lista emrash nga organizata e institucione partnere si këto; me emra të individëve të akuzuar për korrupsion e hajni, shërbyes publik – emra që do të refuzohen për bashkëpunim. E kam thënë dhe më parë, një praktikë e tillë ka ngjarë në Shqipëri; duhet të ndodhë dhe këndej.

Deklarimi publik dhe distancimi me njerëz që në çdo rrethanë normale do të duhej të distancoheshin nga vet elita, në i thoshin ashtu, politike në vend, do të rriste edhe presionin publik por edhe përgjegjësinë politike të liderëve të tyre.

Monday 25 April 2016

LOJA E FRONEVE – VERSIONI KOSOVAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 PRILL 2016

Politika kosovare është një imitim i dobët i “Game of Thrones”; ku secili behet me secilin, kundër gjithësecilit. Për dallim nga “GoT”, megjithatë, në Kosovë karakteret nuk ndryshojnë. Mbesin të njëjtë nëpër secilën sezone.         

-1-

Sa më evidente aq edhe më patetike po bëhet ndryshim-qëndrimi i partive opozitare – deri dje bashkuara tani të ndara – fillimisht ndaj njëri tjetrit e më pas ndaj të njëjtëve që i trajtuan si tradhtarë, kriminelë e të rrezikshëm për vendin.

Politika kosovare ka kohë që ka humbur kurrizin e saj, e në këtë humbje nuk bën përjashtim as edhe një parti e vetme në vend; pozitë e opozitë pa dallim. Trajektorja e re e gjuhës ofenduese ndaj të njëjtëve që deri dje i mbanin në krah, në protesta, sheshe e tubime, përbën një përlyerje të re të besueshmërisë politike në vend. Të gjithë janë fluid, të paparashikueshëm e të transformueshëm – pa fije marre madje.

Dhe mos të harrojmë, përderisa të njëjtit ishin bashkë në atë marshin opozitar prej aktrimi (siç dhe del të jetë tanimë), nuk lanë mendim të pavarur pa sharë e ofenduar; pa etiketuar si shërbëtorë të pushtetit e dreqit. Ishin në gjendje të ndërtonin aleanca me secilin përgjegjës për rrënim, vjedhje e zaptim – dhe së bashku me ta të përlyenin secilin tjetër që kishte ruajtur me plot zor atë vijimësi mendimesh nëpër kohë. Çfarë kanë për të thënë brigadat revolucionare tashti që fjalët e mendimet e të njëjtëve “shërbëtorë” dolën si profeci të vërteta – siç do ta priste secili me minimalisht dy palë mend? Ku kanë për t’i fshehur fotot e përbashkëta gaz me gaz me ta?

-2-

Sinqerisht është e parëndësishme çfarë kanë për të thënë e bërë ata. Të njëjtit që deri dje shkaktarët e korrupsionit më të madh në vend i promovuan nëpër sheshe plot, nuk kanë hiç rëndësi çfarë kanë për të thënë sot. U panë. Gatishmëria e tyre për të shkuar në shtrat me të ligun (dje disa, nesër të tjerët) është vetëshpjeguese për qëllimet të njëmendta që kanë.

E rëndësishme është çfarë kanë për të kuptuar qytetarët e Kosovës nga një transformim i tillë. Dhe e para gjë që duhet kuptuar, është se kjo opozitë, tani e ndarë e deri dje e bashkuar, i ka humbur këtij vendi jo gjashtë muaj, jo një vjet, por një mandat të tërë qeverisje të mirë. Për shkak të veprimeve të tyre, koalicionet e ardhme do të jenë pak a shumë me kurriz të njëjtë – me një PDK të fuqishme, dhe një a dy paterica tjera në krah. Promovimet e tjera se është ndryshuar diçka janë prodhime koti. Pra, pa ndryshim të kësaj opozite, nuk do të ketë ndryshim të pushtetit. Është mandator transformimi opozitarë në vend.

E dyta, transformimi i ndryshimeve nuk duhet të kalojë pa sanksion. Ky transformim, ndonëse mund të shtrohet, nuk duhet të pranohet si i mirëqenë. Për këtë duhet të ketë natyrisht përgjegjësi. Përgjegjësi fillimisht nga ata që morën plot gjashtë muaj kohë për të kuptuar të kuptueshmen; dhe përgjegjësi nga ata që pas gjashtë muajve kohë ndruan mendim – thuajse nuk është bërë asgjë. Dhe nuk po flas për sanksion partiak; nuk jam aq naiv për të pritur reagim partiak nga partitë që s’kanë kurriz – po flas për reagim e sanksion qytetar. Herë duke dënuar gjithsecilin deri në ndryshim të detyruar e rrënjësorë (alternativisht të mbesin në opozitë dhe për një dekadë tjetër), herë duke i mbështetur mendjet reformuese brenda tyre. E në secilin mes të këtyre partive, ka megjithatë individë që do të vepronin drejtë e mbi parime.

E treta, Kosova nuk ka kohë për të humbur e provuar ide që në thelb janë të njëjta me njëra tjetrën – e në ekstremet e realizueshmërisë së tyre njëtrajtësisht të dëmshme për vendin. Kosova, ç’është e vërteta, nuk ka kohë për të dëgjuar sërish njerëzit e njëjtë me plane të njëjta e programe të njëjta. Në fund të ditës, alternativat e tilla duhet refuzuar gjithnjë – sic janë refuzuar në secilën zgjedhje pavarësisht se janë sjellë e risjellë plotherë. E kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi pse të zgjedhim nga dy të liga njërën më pak të ligë; nga dy të gabueshme, njërën më pak të gabueshme. Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës e tetë pas pavarësisë Kosova duhet të bëjë veç zgjedhje të mira. Nuk ka luks tjetër.

Fuqizimi i të njëjtëve do të na sjellë gjithnjë në rrethana të njëjta. E rrethanat e njëjta do ti bëjnë këta të marrin veprime të njëjta – mishmash politikë. Në një paralele filmike, politika kosovare është një imitim i dobët i “Game of Thrones”; ku secili behet me secilin, kundër gjithsecilit. Për dallim nga “GoT”, megjithatë, në Kosovë karakteret nuk ndryshojnë. Mbesin të njëjtë nëpër secilën sezone.    

Monday 18 April 2016

MËSIME NGA PROJEKTET KAPITALE NË KOSOVË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 PRILL 2016

Mbi jotransparencën, kostot e transakcioneve, mungesën e studimeve, mosmonitorimin dhe papërgjegjësinë korporative

-1-

Ka mbi një vit që në kuadër të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) janë bërë analiza, studime e investigime të disa prej projekteve më me rëndësi në Kosovë. Në ciklin e parë të këtyre studimeve, pjesë e së cilëve isha dhe unë, ishin vënë në pah katër projekte – ajo e autostradës për Maqedoni dhe Shqipëri; koncesionimi i Aeroportit, privatizimi i KEDS-it; dhe tentim privatizimi i dështuar, dy herë madje, i PTK-së.

Autorët e katër raporteve në fjalë kishin gjetur pesë faktorë të përbashkët të këtyre projekteve; faktorë që në rrethana normale do të duhej të shërbenin, nëse asgjë tjetër, për përmirësimin e menaxhimit të këtyre aseteve dhe për nxjerrjen e mësimeve në të ardhmen.

Në këtë shkrim, do të përmbledh disa nga gjetjet kryesore të këtyre raporteve; të gjitha të elaboruara më pas në detaje në studimet e “Institutit Riinvest” dhe “Çohu”.

-2-

Emëruesi i parë përbashkët i të katër investimeve është mungesa e transparencës. Tek rasti i autostradës, mos-hapja e kontratës së nënshkruar në mes të “Bechtel-Enka” dhe Qeverisë së Kosovës, përbën ndër rastet më të mbyllura e më jo transparente të regjistruara në vend. Shpenzimi i rreth 1.5 miliardë eurove të taksapaguesve kosovar – përkatësisht 850 milionë ë Rrugën 7 dhe 650 milionëve në Rrugën 6 – vazhdon të mbetet i mbyllur nën arsyetimin e mbrojtjes së sekreteve afariste. Dhe po aq e mbyllur vazhdon të mbetet vet kompania kontraktuese edhe sot. Ajo vazhdon të jetë pak e pranishme në publik, dhe me vështirësi e qasshme madje edhe për media, hulumtues e të interesuarit e tjerë.

Tek rasti i aeroportit, procesi i përzgjedhjes së fituesit në garën e për koncesionim është shoqëruar me pakënaqësi e akuza për korrupsion nga pjesëmarrësit – akuza që nuk janë shqyrtuar e adresuar kurrë. Njëra nga kompanitë konkurruese “Bouyges Batiment – Egis” kishte cilësuar procesin si jo transparent dhe të manipuluar, kurse fituesin “LIMAK – Aeroport de Lyon” si të papërvojë në fushën e koncesionimit. Ajo ishte tërhequr nga gara tërësisht.

Tek rasti i KEDS-it, i gjithë procesi i privatizimit të distribucionit dhe furnizimit të KEK ishte karakterizuar nga mungesa e hapjes për publikun dhe nga mungesa e debateve gjithëpërfshirëse. Organizata të ndryshme kishin kërkuar në vazhdimësi qasje në dokumente publike. Kërkesat, të gjitha, ishin refuzuar. Mbyllja për publikun kishte rezultuar me vendimmarrje jo-të-hapur të Komisionit Qeveritar për Privatizim dhe Njësisë për Zbatimin e Projektit. Mungesa e transparencës gjatë gjithë procesit, ka nxitur dyshime për mbarëvajtjen dhe keqmenaxhimin e privatizimit të KEDS-it.

Mungesa e transparencës ka qenë trajtë përshkruese përgjatë dy fazave të procesit të privatizimit të PTK-së. Përgjatë gjithë procesit, publiku asnjëherë nuk ka pasur qasje në dokumentet bazike, posaçërisht në dokumentacionit që është përpiluar nga Këshilltarët e Transaksionit; kosto e të cilëve ishte rreth 4.2 milionë euro.

-3-

Emëruesi i dytë i përbashkët i katër investimeve është kostoja e transaksionit. Një kilometër rrugë i autostradave kosovare është ndërtuar me çmim mesatar prej mbi 11 milion eurove. Ky çmim, krahasuar me terrenet e ngjashme nëpër Evropë tejkalon dukshëm mesataret e regjistrua atje. Sipas hulumtimit në fjalë, vetëm në Austri kostoja e ndërtimit të rrugëve është e afërt me koston e ndërtimit të një kilometri autostradë në Kosovë. Në shumë vende të tjera Evropiane – që kanë terrene të ngjashme me të Kosovës – janë shënuar mesatare të kostove të ndërtimit nga 7 deri në 8 milion euro për kilometër.

Tek rasti i aeroportit, ndërlidhja e përfitimeve të Kosovës me qarkullim – dhe jo rëndom siç ndodhë me aksionarët në fitim – ndonëse në dukje të parë si marrëveshje shumë e mirë, ka nisur një trend të ri kontraktimi – rrjedhimisht dhe uljes së qarkullimit. Sipas studimit, koncesioneri qëllimshëm dhe me plot vetëdije kishte provuar zvogëlimin e qarkullimit përmes nënshkrimit të kontratave fiktive e me çmime minimalisht të arsyeshme me palët e treta – e që, gjithmonw sipas raporteve, dalin të jenë ngushtë të ndërlidhura me koncesionerin. Ky transfer i aseteve, ulë vlerën e pjesëmarrjes së Qeverisë së Kosovës domosdoshmërish.

Tek rasti i KEDS-it, vlera e shitjes së rrjetit të distribucionit – prej 26.3 milionë eurove – është vlerësuar si joproporcionale me vlerën e aseteve, vlerën e investimeve të mëparshme e me vlerën e gjeneruar nga shitjet e ngjashme në rajon. Mbi të gjitha, nga hulumtimi i dokumenteve zyrtare, rezulton se KEDS ka përfituar një shumë rreth 20 milion euro prej arkëtimeve. Mbi të gjitha, privatizimi i katër hidrocentraleve në pako të njëjtë – dhe pa diskutim publik – mbetet ndër rastet më të rënda të transformimit në fjale. Ky fakt është bërë publik krejt së fundmi.

Tek rasti i PTK-së, më 2010, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për fillim të procesit të privatizimit dhe njëkohësisht kishte pezulluar të gjitha investimet kapitale. Për më shumë se tri vite, PTK-ja ishte sfiduar nga mungesa e tërësishme e investimeve kapitale, gjë që ka ndikuar negativisht në performancën e gjithëmbarshme të ndërmarrjes dhe posaçërisht në ruajtjen dhe rritjen e tregut të telefonisë mobile. Nga mbi 70% të tregut të përdoruesve të telefonisë mobile që PTK-ja mbante më 2010, ajo sot mbanë pak më shumë se 53% të këtij tregu. Përderisa më 2010, PTK-ja kishte gjeneruar mbi 151 milion EUR të hyra bruto, më 2014, ajo ka arritur të gjeneroj vetëm 99.5 milionë EUR, pra një rënie mbi 50 milionë apo rreth 34%. Natyrisht, një nga kontratat më kontraverse, të operatorit virtual “Z-Mobile” ka dëmtuar rëndë vlerën e asetit.

-4-

Emëruesi i tretë i përbashkët i katër investimeve mbetet mungesa e studimeve dhe anashkalimi i Kuvendit. Para nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e “Rrugës 7”, nuk kishte asnjë studim fizibiliteti që do të mund të shfrytëzohej si bazë për diskutim ekonomik. Mungesa e diskutimit/debatit publik ishte rezultat i argumentimit (nga ana e Qeverisë) se projekti ishte me rëndësi të lartë politike për Kosovën, sepse lidhte Kosovën me Shqipërinë, dhe në këtë formë u krijua një disponim automatik pozitiv lidhur me projektin. Në rastin e ndërtimit të “Rrugës 6”, pavarësisht zhvillimit të studimit të fizibilitetit ai nuk është bërë publik dhe nuk është diskutuar me opinionin e gjerë publik.

As procesi i koncesionimit të ANP-së, nuk është paraprirë asnjëherë me ndonjë studim fizibiliteti mbi transformimin e pronësisë, mbi kushtet negociuse – dhe përfundimisht – mbi formatin e kapacitetet e ndërtimeve të reja në ANP.

Tek rasti i KEDS, vendimi për privatizimin e të dy divizioneve dhe dhënia e tyre një kompanie të vetme nuk ishte paraprirë me ndonjë studim të mirëfilltë dhe shterues lidhur me skenarët e mundshëm se si ky proces mund të përmbyllet. Vlen të rikujtohet, se studimi i fizibilitetit ka qenë kusht i vënë nga Parlamenti.

Që nga fillimi i procesit të transformimit të pronës së PTK-së, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ofrojë shpjegime të domosdoshme rreth vendimit të saj për t’i privatizuar 75% të aksioneve të ndërmarrjes. Qeveria e Kosovës, gjatë gjithë procesit të privatizimit të PTK-së, ka tentuar vazhdimisht ta anashkalojë Kuvendin e Kosovës nga vendim-marrja, edhe pse roli i këtij organi ka qenë vendimtar për t’i dhënë dritën jeshile privatizimit të ndërmarrjes. Kujtoj se gjatë fazës së parë të privatizimit, Qeveria tentoi pa kuorum në Kuvend ta kalojë Strategjinë për Privatizimin e PTK-së, përderisa gjatë fazës së dytë në vitin 2011, Qeveria ndërmori një hap shumë të paprecedent duke përfshirë privatizimin e PTK-së në kuadër të nenit 4 të Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

-5-

Emëruesi i katërt i përbashkët i katër investimeve është mungesa e monitorimeve. Tek autostradat, Qeveria e Kosovës në të dy rastet, ka angazhuar kompaninë ndërkombëtare Hill International në mbikëqyrje të projekteve. Mbikëqyrja dhe raportet e “Hill International” dorëzuar Qeverisë kanë qenë në vazhdimësi jashtë diskutimit publik. Sipas kompanive vendore të intervistuara në studimet në fjalë, institucionet e Kosovës nuk e kanë mbikëqyrë kontratën në masën e duhur, dhe si rezultat i kanë dhënë liri të plotë kontraktorit kryesor që të eksploatojë resurset vendore.

Tek Aeroporti, sipas marrëveshjes së PPP-së, autoriteti kontraktues – Qeveria e Kosovës pra – duhej të formonte “Njësinë për Mneaxhim të Porjektit” (NJMP) që së paku njëherë në muaj të inspektojnë librat, planet, regjistrimet financiare dhe dokumentet tjera me qëllim të implementimit të projektit. Fatkeqësisht – dhe për habinë më të madhe – NJMP nuk është themeluar dhe nuk ka funksionuar asnjëherë siç është paraparë me kontratë. Në vend të saj, mbikëqyrjen e implementimit të kontratës e kanë bërë vet zyrtarët ekzistues të Njësisë për PPP – një konflikt i pastër i interesit. Përtej konfliktit të interesit, ku kontratëdhënësi mbikëqyrë kontratëmarrësin, dhe për më tepër edhe procesin e iniciuar nga vetja, Njësia për PPP ka marrë detyrat mbikëqyrëse pa pasur kapacitet të nevojshëm për mbikëqyrjen e kontratës dhe me personel jo të dedikuar profesionalisht.

Tek PTK, politizimi i skajshëm i strukturave drejtuese në PTK-së, ka bërë të pamundur një monitorim të mirëfilltë të performancës së PTK-së nga institucionet e Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, kur PTK-ja kalon në pronësi publike me Qeverinë e Kosovës aksionarin e vetëm të saj, në krye të strukturave drejtuese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të vendosur anëtarë aktiv të partive politike. Ky politizim në fakt ka pamundësuar funksionimin e mekanizimit të llogaridhënies edhe përkundër që ndërmarrja ka pësuar rënie të vazhdueshme në të hyra nga viti 2007. Në anën tjetër, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, asnjëherë nuk ka ushtruar monitorim cilësor mbi ndërmarrjet publike, e veçmas të PTK-së, kryesisht për shkak të mungesës profesionale të resurseve njerëzore, por edhe për shkak të numrit të vogël të të punësuarve aty.

-6-

Emëruesi i pestë dhe i fundit i përbashkët i katër investimeve, është papërgjegjësia korporative e investitorëve. Tek autostrada, kompania fituese, përkundër kontraktimit të 1.5 miliardë eurove, ka bërë shumë pak, për të mos thënë fare, në drejtim të përgjegjësisë sociale – përkatësisht përgjegjësisë korporative. Për dallim nga shumë korporata serioze – në Kosovë dhe më shumë – “Bechtel-Enka” nuk ka bërë as edhe një investim social në rrethin e punimeve.  Kompania “Bechtel-Enka” është sjellë gjithashtu, në mënyrë të papërgjegjshme edhe ndaj kompanive vendore të angazhuara në projektet e rrugëve. Në mungesë të alternativave për negocim, ato janë detyruar të ulin çmimet nën çmimet e tregut dhe nën çdo nivel të arsyeshmërisë financiare. Sipas studimeve në fjalë, punëtorët e “Bechtel-Enka” detyrohen të punojnë punë të rënda fizike nga 12 orë në ditë, ndërsa një orë pune u paguhet vetëm 1.35 euro. Kushtet e rënda e të padinjitetshme të punëtorëve, janë konfirmuar edhe nga Bashkimi Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës (BSPK).

Një fushë tjetër kontraverze që shpërfaqet pas koncesionimit të ANP-së, përfshinë praktikat e procesit të prokurimit, i cili, pas koncesionimit, është mbështetur kryesisht në negocim individual e jo në procese të hapura e transparente. Deri më sot, koncesioneri nuk ka bërë asnjëherë shpallje për kërkim të shërbimeve.

Sipas legjislacionit në fuqi, KEDS, edhe pse është një ndërmarrje në pronësi private, obligohet që të veproj në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik (Nr. 04/L-042) të Kosovës për shkak se ofron shërbime publike dhe operon në një treg të rregulluar. Përderisa nuk ekziston një mbikëqyrje adekuate e kontratës se privatizimit, entiteti privat thjeshtë bën edhe injorimin/anashkalimin e Ligjit për Prokurim Publik. Përderisa KEDS operon në një treg të rregulluar si furnizues publik, është qenësorë që të sigurohet zbatimi i një standardi të tillë të transparencës që si burim ka dispozitat ligjore dhe jo hapjen vullnetare të ndërmarrjes. Papërgjegjësi korporative mbetet edhe moslëshimi i kuponave fiskalë – një rast i paprecedent në Kosovë e gjithandej në rajon.

Duke mos u bazuar në asnjë dokument strategjik apo plan të biznesit, më 2008, dhe përgjatë dy viteve në vijim, në PTK u punësuan më shumë se 820 individë. Raporte të ndryshme të mediave kishin vënë në pah punësimet politike e partiake. Krahas punësimit të paplanifikuar dhe të panevojshëm, strukturat drejtuese në PTK, më 2010, kishin rritur pragun e pagave bazë për veten e tyre, dhe gjatë viteve 2009-2012, kishin ofruar benefite të ndryshme në formë të bonuseve dhe honorarëve. Sipas raportit të auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), të vitit 2014, PTK-ja, nuk ka arritur asnjëherë që të vendosë kritere të matshme në deklaratat e kompensimit përmes të cilave do të bëhej vlerësimi i performancës mbi bazën e të cilave do të përfitohej e drejta në bonuse.

Monday 11 April 2016

LETRAT E PANAMASË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 PRILL 2016

Mbi skandalin më të madh financiar të bërë publik ndonjëherë


-1-

“Panamapapers” apo letrat nga Panamaja, shpërthyen këtë javë. Një në skandalet më të mëdha financiare kishte rrjedhur nga një burim i panjohur tek gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung” – e e cila kishte angazhuar më pas mbi 100 media me mbi 400 gazetarë në plot 80 shtete. Grupe investigative nga “The Guardian”, “BBC”, “ËDR”, “Le Monde”, “El Confidencial”, “La Nacion”, “NDR” – e të tjera plot, kishin kaluar plot një vit në shfletimin dhe investigimin e dokumenteve të pranuara; ishin plot 12 milionë dokumente të tilla. Për të kuptuar madhësinë e dokumenteve në fjalë, publikuesit i kishin krahasuar ato me skandalin e famshëm të kabllogrameve diplomatike të “Wikileaks”. Pra, përderisa në skandalin “Wikileaks” kishin rrjedhur dokumente në madhësi prej 1.7 gigabajt, në këtë të “Panamapapers” dokumentet zinin një hapësirë prej plot 2.6 terabajt. “Wikileaks” pra bënte vetëm 0,0007% të dokumenteve të “Panamapapers”.

Materiale pra kishte përplot; e e vetmja mënyrë për shfletimin, hetimin dhe publikimin e tyre ishte në organizimin e një iniciative globale investigative – të mediumeve më të fuqishme botërore. Kjo iniciativë kishte përfunduar raundin e parë këtë javë.

Mashtrimet e para publike përfshinin emra nga Vladimir Putin tek kryeministri i Islandës, nga presidenti i Ukrainës deri tek regjimet e Lindjes; nga zyrtarët e FIFA-s deri tek Lionel Messi e Michel Platini. Lista e emrave të përfshirë në skandale financiare ishte enorme. Mbi 40 zyrtarë të lartë të qeverive nëpër botë ishin në lidhje – vet apo nëpërmjet miqve e familjarëve të vet – me shmangien e taksave, themelimin e kompanive “offshore”, fshehjen e pasurive e shpëlarjen e parave.

-2-

“Panamapapers” përmbante regjistra transakcionesh të një kompanie të themeluar në Panama nga një emigrant gjerman me emrin Jurgen Mossack. “Mossack Fronseca”, siç dhe ishte emri i kompanisë, kishte rreth 214,000 klientë – të gjitha kompani “offshore”.

Kompanitë “offshore” janë pjesë përbërëse e parajsave fiskale – e vendeve që nuk kanë kontrolle mbi kapitalin, origjinën apo destinacionin e tij. Panamaja ishte një vend i tillë për tri arsye kryesore. E para, në Panama, është fare e lehtë të regjistrosh një biznes edhe po nuk je banor i vendit. Një të drejte të tillë pak vende nëpër botë e bëjnë. E dyta, regjistrimi i biznesit në Panama nuk kërkon informacione mbi pronarët e biznesit  – pra është fare e lehtë të regjistrosh një biznes duke ruajtur privatësinë e duke mos bërë publik asnjë detaj mbi pronësinë. Shumë vende nëpër botë verifikojnë e kalojnë nëpër procedura strikte të vërtetimit të pronarit dhe – mbi të gjitha – burimit të kapitalit; Panama – dhe shumë vende përreth saj nuk e bëjnë një gjë të tillë. Dhe e treta, në Panama, regjimet fiskale – pra normat e taksave – janë jashtëzakonisht të ulëta. Ky fakt bënte që i gjithë procesi të ishte edhe diskret, edhe i lehtë por edhe i lirë.

Në gjithë këtë proces, firmat ligjore, sikurse “Mossack Fronseca” luanin një rol qenësor. Në të vërtetë, ishin firmat ligjore që bënin themelimin e kompanive “offshore”, dhe ishin vetëm firmat ligjore ato që kishin informacione të plota mbi fondet, transakcionet dhe investitorët. Baza e të dhënave të një të tille, kishte rrjedhur këtë herë.

-3-

Logjika e skemës ishte fare e thjeshtë. Një individ që kishte fonde të dhëna – të pista ose jo këtë herë ka pak rëndësi – kontaktonte një firmë ligjore si “Mossack Fronseca” në Panama. E njëjta më pas themelonte një kompani në emër të këtij individi, informacionet e të cilit nuk kishte pse t’i bënte publike – sepse ligji atje nuk kërkonte një gjë të tillë; dhe kalonte gjithë fondet e dhëna në emër të saj. Kjo kompani, më pas investonte lirshëm nëpër botë – përfshirë madje edhe në vendin e origjinës nga ku individi kishte nxjerrë fondet në fillim. Investimet e bëra ishin dhënë si të jashtme. Një cikël i tillë shpërlante paratë. Investimi nga një kompani e regjistruar në Panama ishte tërësisht ligjor; ani pse mjetet jo domosdo ishin të tilla.

Por mos të harrojmë, jo të gjitha kompanitë “offshore” merreshin me aktivitete joligjore. Shumë kompani e qytetarë nëpër botë, për shërbimet e veta angazhojnë kompani që operojnë në parajsa fiskale – sikurse kjo e Panamasë – jo për të fshehur paratë, por për të paguar më pak taksa. E pagasa më e ulët e taksave është plotësisht ligjore. Pra ka një dallim substancial në mes të “tax avoidance” (në shqip “shmangja e taksave”) dhe “tax evasion” (në shqip “evazioni fiskal”). Shmangja e taksave, për dallim nga evazioni fiskal, është një veprim legal që përfshinë gjetjen e vrimave ligjore për operacione biznesore që ulin obligimet e tatimeve. Evazioni fiskal është fshehje e detyrimeve fiskale përkundër obligimit ligjor për t’i paguar ato. Ani pse në definicion e vepër të dy termet kanë dallime të theksuara, në pasoja ato janë të njëjta; më pak kontribut buxhetor në qeveritë respektive.

Motivet e shfrytëzimit të Panamasë pra ishin të ndryshme. Për kryeministrin e Islandës, për shembull, ato ndërlidheshin me shmangien e taksave – jo me shpëlarjen e parave. Skandali, megjithatë, e kishte ndërlidhur atë me fshehje të pasurisë. Një kompani në emër të gruas së tij – ani pse e regjistruar në Panama – nuk ishte deklaruar nga ai. Për këtë ishte detyruar të jepte dorëheqje.

Për presidentin e Rusisë Putin, skandali përbënte përveç fshehjes së pasurisë edhe shpëlarje të parave. Ani pse emri i tij nuk ishte gjetur në asnjë dokument të dhënë, ishin emrat e familjarëve dhe miqve të ngushtë të tij, që gjendeshin gjithandej. Kështu, kumari i vajzës së tij, shoku i afërm i gjithë fëmijërisë së tij, një muzikant i rëndomë pa asnjë përvojë biznesore, kishte plot 2 miliardë asete të regjistruara në Panama. Një pjesë e këtyre aseteve ishin investuar më pas në Rusi – në qendra të skjimit, në qendra tregtare, rafineri e biznese të tjera.

-4-

Skandalet domosdo do të prekin edhe Ballkanin. Në Ballkan, si në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, pasurimi i shpejtë e korruptiv i politikanëve e biznesmenëve të ndërlidhur me politikën kërkon domosdo një proces shpëlarës – e që domosdo ka ndodhur këndej.

“Panamapapers” mund edhe ti mos shfaqë të gjithë. Në fund të ditës, bëhet fjalë për dokumentet e vetëm një firme ligjore – të “Mossack Fronseca”. Në Panama ka me qindra e mijëra firma ligjore të tilla, dokumentet e së cilave natyrisht se mbahen sekret. Por mbi të gjitha, një skemë e tillë operimi, për shumë aksidentalë të korruptuar tanë mund të jetë edhe e komplikuar. Skemat e këtyre tanëve duhet të jenë më të thjeshta. Në Kosovën me kontroll financiar e regjistrues të dobët, të njëjtat para janë investuar herë në pasuri të plaujtshme (brenda e jashtë) e herë në biznese që sot janë ndër më të mëdhatë në vend.

Për percepcionin publik, kosovarët nuk kanë nevojë t’i presin skandalet ndërkombëtare. Mjaftojnë t’u shohësh shtëpitë, vilat, tokat, xhipat e pasuritë tjera gjithandej – të bëra shpejtë e lehtë. Për procesime gjyqësore – natyrisht – duhen dokumente të tilla. Ato mund edhe të mos bëhen publike asnjëherë, por skandali i Panamasë gjithsesi ka treguar se asnjë fshehtësi nuk mund të rri e tillë përherë.



Monday 4 April 2016

NJË JAVË ME TRI PAMJE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 PRILL 2016

Mbi reciprocitetin, demarkacionin dhe dallimet partiake në vend

-1-

Çështja e demarkacionit do të mund të shërbente lehtë si mjet i kapërcimit të krizës politike në vend. Jo domosdo rezultati përfundimtar i procesit, por përfshirja e palëve gjatë procesit. Kjo përfshirje nuk u bë. Në vend të saj, u ndërtua një komision ndërkombëtar; i kontestuar që në fillim nga njëra palë. Komisioni ad-hock mund dhe të ketë të drejtë në vlerësimet e veta; por e drejta e tyre nuk zhbën brengën për përfshirje dhe ballafaqim të fakteve nga kundërshtuesit e metodologjisë së përdorur për shënimin e kufirit.

E të kujtojmë se pjesë e kundërshtuesve nuk janë vetëm partitë politike, që mund edhe ta përdorin një kauzë të tillë si platformë për kundërshtim të qeverisë. Pjesë e kundërshtuesve janë dhe ekspertët vendorë, më të mirët që i ka vendi pra – tërësisht profesional e thirrës të fushës.

Por të njëjtit nuk u përfshinë në komisionin vlerësues. Përkundrazi; të njëjtit u ofenduan. Kështu, në ditën e nxjerrjes së argumenteve të tyre – tërësisht shkencore – një zëvendësministër axhami, i quajti jugonostalgjikë, vetëm pse të njëjtit i referoheshin hartave valide e zyrtare nga koha e Jugosllavisë e që Kosova i kishte gjithmonë për vete. Të njëjtave harta, ç’është e vërteta, iu kishin referuar edhe komisionet paraprake. Një analist tjetër, në përpjekje për shërbim sa më të devotshëm ndaj partisë, i etiketojë si studentë të dobët “sepse kanë zgjedhur gjeografinë”. Studentët e dobët, sipas tij, zgjedhnin profesione të tjera prej tij. Dhe kështu, një shtrirje e gjerë e fakteve shkencore, çfarëdo qofshin ato – të vërteta ose jo pak ka rëndësi – u trajtua me ofendim publik ndaj kredibilitetit të shtruesve të argumenteve. S’u trajtua asnjëherë me kundërargumente ndaj të gjeturave të tyre.

Logjika e shtruar nga të tillët, ishte përcjellë në vazhdimësi edhe nga komisioni për demarkacion. I njëjti kishte refuzuar të konsultojë; kishte ecur vet. E është e habitshme se si institucione e ekspertë vendorë, të paguar nga taksat e qytetarëve të njëjtë, zgjedhin injorimin e tjetrit. Pra, është e habitshme se si një komision shtetëror për shënimin e kufirit, nuk konsultohet asnjëherë me Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Prishtinës – aty ku edhe Kosova i ka ekspertët më të mirë të saj. Për më tepër, është e habitshme se si, kundërshtimi i argumenteve të dhëna nuk është bërë asnjëherë në mes të palëve. Ne diskutojmë në mes veti edhe për gjëra tërësisht jorelevante, por s’takohemi asnjëherë për diskutim për një çështje kaq madhore.

Kështu sillet veçse i forti – jo i forti për nga kualitetit i bërjes, por i forti për nga moskokëçarja dhe vetëdija se mund të ja dalë pa u mërzitur se çfarë thotë tjetri. E përfshirja ka rëndësi. Përfshirja sjellë zgjidhje për një kontekst. Mospërfshirja, në anën tjetër, sjellë vetëm rezultate të kontestuara – edhe sikur ato të jenë të sakta madje. Mbi të gjitha, mospërfshirja e bërja e të fortit sjellë vetëm poena politik për njërën palë – dhe ky duket të ketë qenë qëllimi që nga fillimi.

-2-

Pra, siç duket, demarkacioni nuk do të jetë nyja e parë e zgjidhur për dalje nga kriza politike. Nëse asgjë tjetër, pavarësisht pra rezultatit, gjithmonë për shkak të mospërfshirjes, palët veçse do të distancohen edhe më shumë. Ky distancim mund të shtohet edhe më shumë, sidomos nëse të njëjtat palë nuk përfshihen në trajtimin e çështjes më të ndjeshme në Kosovë, atë të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Por distancimi i palëve nuk ndërlidhet vetëm në relacionin pozitë opozitë. Ditët e fundit kanë shpërfaqur një ndarje tjetër; atë në mes të opozitës. E kam thënë edhe më parë se sa jonatyrale është koalicionin qeverisës, aq jonatyral është edhe koalicioni opozitar; dhe ky jonatyralitet do të shpërthejë në të dyja frontet herët apo vonë; më shumë herët se sa vonë.

Sepse, opozita e bashkuar është e ndarë në shumë më shumë pika se sa që është  bashkuar. Dallimet nisin nga ato ideologjike e deri tek konceptet shtetndërtuese e Republikane. Pra dallimet nuk ndërlidhen vetëm me të ardhmen e Kosovës, por edhe me të shkuarën e saj. Për shembull, e ndër të tjerash, përderisa Lëvizja Vetëvendosje ndërton gjithë betejën e vet politike në kundërshtim ndaj proceseve politike të Vjenës, pavarësisë së mbikëqyrur e Pakos së Ahtisaarit, AAK dhe NISMA ndërtojnë gjithë të shkuarën e tyre mu mbi këto procese. Janë pra pjesëmarrëse të zëshme në to. Përderisa Lëvizja Vetëvendosje promovon nisjen e një Republike të re, që zhvlerëson pra rregullat e tanishme, AAK dhe NISMA janë treguar të përkushtuar në ndërtimin e forcimin e kësaj që është. Në dallime si këto, afrimi është thjeshtë i pamundur pa ndryshim të pozicionit, më mirë të themi të identitetit, të njërës palë.

Pra, përballë dallimeve si këto, diferencat me partitë e pushtetit janë historikisht e praktikisht shumë më të vogla se sa që partitë opozitare i kanë në mes veti. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e dallimeve, siç dhe e kanë theksuar AAK e NISMA në veçanti, kanë qenë të ndërlidhura me establishmenitn e partive në fjalë. Me liderët e tyre pra. Në rast të ndryshimit të këtyre establishmenteve, rrugët bashkëpunuese do të ishin shumëherë më natyrale. E ndryshimi i lidershipit në partinë më të madhe në vend, në PDK, mund të hapë rrugë të reja për bashkëpunime në mes të opozitës dhe – një pjese të – pozitës.

-3-

Përderisa skena jonë politike vibron, një relacion ekonomik ka zënë vend të mirë. Është ai i masave të reciprocitetit të vënë nga Kosova për Serbinë, për një kategori të dhënë produktesh – në naftë e gaz më saktësisht. Në pamundësi për të detyruar Serbinë që të pranojë certifikatat e Kosovës, Ministria e Tregtisë e Industrisë kishte vënë masa ndaluese për produktet e njëjta serbe.

Dhe është vetëm reciprociteti që bën Serbinë të ngrihet në këmbë. Jo sepse kërkon marrëdhënie të rregullta, por sepse shënon humbje enorme në ditë. Siç është treguar shpeshherë në të shkuarën, bllokimi i produkteve serbe ka vënë në lëvizje gjithë makinerinë diplomatike e negociatore të tyre për të gjetur zgjidhje. Fatkeqësisht për ne, pala jonë nuk ka ditur asnjëherë të shfrytëzoj këtë nevojë të tyre për zgjidhje.

E edhe më keq, reciprociteti nuk është vënë asnjëherë deri në fund. Pra, edhe sot madje, Kosovës nuk i njihen as pasaportat e qytetarëve të saj e as targat e librezat e veturave – tri dokumente bazike për transport e tregti. Përballë një trajtimi të tillë ne nuk kemi marrë asnjëherë vendim reciprok. Them ta dërgojmë atë deri në fund. Është e vetmja mënyrë që pala tjetër të na trajtojë njëmend të barabartë. Të refuzojmë dhe ne dokumentet e tyre, deri sa të ndryshojnë ata vendim. Produktet serbe janë lehtë të zëvendësueshme. Bilanci tregtar në favor të tyre bartë barrën andej. Marrëveshjet e tregtisë së lirë na inkurajojnë për reciprocitet. E tëra çfarë na duhet është një vendim i marrë politik.