Monday 30 March 2015

MBI AFRIMIN KOSOVË SHQIPËRI

Letra nga limbo
KOHA DITORE 27 MARS 2015

Nuk ka marre e turp në afrimin tonë; paranojat e fqinjëve tanë paranoik nuk i kemi në rend për t’i marrë seriozisht gjithsesi, por seriozisht duhet marrë substancën e takimeve në fjalë. Sepse, për aq sa pritshmëria ime ka marrë përvojë, ka një mungesë të rëndë sinqeriteti në mes të palëve, në veçanti të politikës së fjalëve të bukura të Shqipërisë ndaj kërkim-atësisë së Kosovës.



-1-

E kam thënë vazhdimisht se afrimi i Kosovës me Shqipërinë është natyral; është i zakonshëm pra. Sepse të dy vendet, si pak vende të tjera ndërmjet, kanë intencë për afrim, kanë orientim të njëjtë strategjik dhe në fund kanë dhe një lidhje historike. Në secilin rast tjetër, vendet që potencialisht plotësojnë dy nga këto tri premisa do të përfundonin natyralisht në aleancë e afrim. E aleancën e afrimin Kosovë e Shqipëri nuk duhet menduar e as bërë ndonjëherë në hije e frikë; bashkimi – siç na e thotë vet emri i organizimit – është vlerë evropiane; Bashkimi Evropian është shkrirje pra, e në shkrirje pretendojmë të ecim të gjithë.

Prandaj takimi i fundit në Tiranë, i përbashkëti i dy qeverive, bën pikërisht atë çfarë evropianizmi provon të na mësojë. Madje, për dallim nga takimet tona të vonuara, në Evropë bashkimi e afrimi nuk bëhet më për tema të tregtisë, kalimit të lirë kufitar apo politikës së jashtme të përbashkët (në çka dhe kemi mbetur ne shqiptarët sot), por bëhet për tema krejt të mëdha. Bëhet për union të përbashkët energjetik, për politikë të përbashkët fiskale e buxhetore, për ushtri e polici të përbashkët – e përfundimisht, në ndonjë mundësi të re, edhe për një Kushtetutë Evropiane. E shihni sa larg jemi ne kur vjen tek bashkimi?

Pra nuk ka marre e turp në afrimin tonë; paranojat e fqinjëve tanë paranoik nuk i kemi në rend për t’i marrë seriozisht gjithsesi, por seriozisht duhet marrë substancën e takimeve në fjalë. Sepse, për aq sa pritshmëria ime ka marrë përvojë, përtej ngjyrave të bukura kuq e zi, të rrumbullakuara me verdh e kaltër – herë për Kosovë e herë për Evropë – ka një mungesë të rëndë sinqeriteti në mes të palëve, në veçanti të politikës së bukur së Shqipërisë ndaj kërkim-atësisë së Kosovës.

-2-

Ky niveli i ulët i pritshmërisë nuk më buron nga një kotizëm i së tashmës, por nga një evoluim i ngjarjeve folklorike, që nga Shkupi e vilajeti i proklamuar atje, e deri tek Prizreni i një viti më parë dhe marrëveshjet e nënshkruara atje; disa të nënshkruara sërish dhe këtë jave.

Merreni për shembull, marrëveshjen për lehtësimin e tregtisë së lirë (shih me çfarë merremi ende); e nënshkruar një vit më parë në Prizren, e rinënshkruar sërish në Tiranë. Dhe për ironi, këto dy marrëveshje vijnë mbi dy marrëveshje tjera e paraprake, atë të bashkëpunimit bilateral për tregti të lirë, dhe të vet CEFTA’s; katër marrëveshje për tregti të lirë – gjithmonë në kërkim të lëvizjes së lirë.

E do të befasoheshit po të kuptonit se në mes Kosovës dhe Shqipërisë ka shumë segmente që nuk kanë lëvizje të lirë – ani pse katër marrëveshje për lëvizje të lirë u qëndrojnë pas. Kështu për shembull, sipas një raporti të përpiluar nga OECD, raport që do të dalë në publik shumë shpejtë, bizneset kosovare që eksportojnë mish, pije joalkoholike, produkte të gatuara e barna farmaceutike, nga të gjitha vendet e Ballkanit kanë Shqipërinë si më problematikën. Këto të fundit madje nuk lejohen të eksportohen asnjëherë në Shqipëri. Dhe këtu nuk po përfshijë problemet me patate, me rrush e me verëra; storie të kaluara kaherë.

A e dini se certifikatat e kontrollit të ushqimit, të lëshuara nga Republika e Kosovës, njihen në gjithë Evropën – në secilin shtet që bizneset kosovare eksportojnë (Belgjikë, Suedi, Gjermani, Zvicër e Francë), por nuk njihen e refuzohen nga Republika e Shqipërisë. A e dini se bizneset kosovare – ato pak biznese që eksportojnë për në Shqipëri atë pak prodhimtari që kemi këndej –  flasin për maltretimet nga më të çuditshmet e më të padrejtat. Nga vonesat – deri në kalbje madje – të produkteve ushqimore, nga hapja e produkteve të vakumit, nga ndalesat policore përgjatë gjithë rrugës, nga pagesat korruptive, burokratike – e deri te thjeshtë ndalesa për eksport (siç është rasti i barnave të prodhuara në Kosovë e të shitura gjithandej nëpër botë përveç se në Shqipëri) janë karakteristika të relacioneve të tanishme tregtare në mes të dy vendeve. Dhe ne ende flasim për lëvizje të lirë? Ta bëjmë dhe një marrëveshje të re tani; ti bëjmë pesë gjithsejtë. Patetike.

-3-

Besoj se prapa një josinqeriteti që anon kryesisht nga ana e Shqipërisë, sepse Kosova për bizneset e Shqipërisë mbetet e hapur gjithnjë (e në ato pak raste kur ndodhte ndonjë ekses ngrihej në këmbë secili, nga Parlamenti e tek bizneset, nga mediat e tek partitë), pra prapa një josinqeriteti të tillë qëndron një relacion jo i barabartë në mes të dy vendeve. Dhe këtë relacion e ushqejnë dy elemente. I pari, ai i Kosovës, që kërkon në vazhdimësi një mbështetje atërore; e quaj paternitet. Herë ndaj ambasadave e herë ndaj shteteve që me romantizëm dhe hiç më shumë kanë marrë rolin e adoptimit tonë. Dhe i dyti, ai i Shqipërisë, që provon të faktorizojë vetën si fatcaktues në rajon; e këtë faktorizim nuk e bën nëpërmjet ndonjë zhvillimi ku me ditë sa ekonomik, por nëpërmjet futjes së vet Kosovës në ekuacion. Po të shikoni me vëmendje, i gjithë komunikimi i Shqipërisë në rajon bëhet nëpërmjet Kosovës. Rrjedhimisht, bëhet fare normale që kryeministri i Shqipërisë të flet për secilin problem të brendshëm të Kosovës, por kryeministri i Kosovës nuk bën të flasë asnjëherë për ato të Shqipërisë – vë bast se për secilin do të dukej çudi involvimi i kryeministrit të Kosovës për problemet e ujërave me Greqinë; se mos të flasim për ndonjë zhvillim politik të përgjimeve, krimeve e ku ta di çka tjetër.

Në këtë pababarazi, të ushqyer vullnetarisht – gjithsesi gabimisht – nga të dyja palët, nuk mund të ketë dhe përgjegjësi. Prandaj në ditën e dytë prapa takimit, siç dhe kishte ndodhur për treqind e kusur ditë të tjera pas takimit të parë, bizneset e Kosovës, nën arsyetimin se Kosova dhe duron, parandalohen e keqtrajtohen padrejtësisht për në Shqipëri. Asnjë biznes tjetër nga rajoni nuk merr trajtim të tillë.

Për të ndryshuar kjo gjendje nuk pres reagim të Shqipërisë. Për aq sa i ofrohet një politikani atje një letër si kjo, do ta mbajë gjithnjë. E bën faktor pra, e bën pretendent për lidership rajonal. Por pres nga Kosova që të zgjohet nga amenezia e ngjyrave e flamujve që – dorën në zemër gjithmonë ngjallin krenari e mburrje – dhe të kalojnë për tej. Të kalojnë tek vendosja e Republikës së Kosovës si të barabartë me atë të Shqipërisë, dhe veçanërisht në fushën e tregtisë me interesa gjithçka ose asgjë. Ose mbesim dy ose bëhemi një. Dhe nëse bëhemi një, ta bëjmë që sot.

Gjithsesi, në takimin e fundit të dy qeverive, gjen njeriu më shumë përmbajtje dhe mesazh se sa ai i parë. Mbetet impresiv dhe i guximshëm veçanërisht mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë që përfundimisht guxon ta trajtojë si të turpshme – përballë evropianëve pra – izolimin kosovar. Një gjuhë e padëgjuar këndej, tipike e atë-kërkuesit (këtë herë ndaj Evropës). Implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara e stërnënshkruara tani, mbetet për ta parë. Gjithsesi, Kosova dhe Shqipëria duhet të guxojnë të mendojnë “big”; të mendojnë për qasje në porte, në gaz, e energji, për unione të ngjashme – tipike evropiane – për secilën fushë me interes. Për faktorizimin e dy vendeve në një garë të rëndë konkurrence rajonale, ku të dyja, si të ndara, mbesin në fund. Përfundimisht, për më shumë sinqeritet.


Sunday 22 March 2015

NË KANDAR

Lumir Abdixhiku
KOHA DITORE, 20 MARS 2015

Një vlerësim mbi njëqind ditshin e parë të qeverisë së re



-1-

Nuk e kam kuptuar kurrë psenë e vlerësimit të një pune për njëqind ditë; pse jo për njëqind e dy a tri – pse jo për dyqind ditë. Mbaj mend qeveri që për njëqind ditë kanë qenë të mira, për tu bërë të tmerrshme mandej; sikurse të tjera që ishin të këqija, për të mbetur të tilla përherë. Keq fillimisht e mirë më pas s’kam parë asnjëherë. Gjithsesi meqë njëqindëshi është bërë target, them të bëj një rrumbullakim ekonomik të ecjes së deritanishme. Dhe këtë rrumbullakim dua ta ndajë në dy ngjyra; në ngjyrën e kaltër të plusit, dhe të kuqen të minusit. Bilancin përfundimtarë besoj secili mund ta bëjë dhe pa ndihmën time lehtë.

Për të kuptuar kontekstin e vlerësimit të ecjes, gjithsesi se duhet kujtuar kontekstin e nisjes fillimisht. E nisja, për këtë qeveri pra, ishte e rëndë. Jo vetëm për shkak të përbërjes mishmashe që kishte në vete, por për shkak të – deri atë ditë – artificialitetit të papërbishëm që një bashkim si ky ngjizte. Gjithsesi, ndërrim diskursi radikal në orientim ndaj njëri tjetrit ishte pranuar lehtë nga ekuipazhet e dy anijeve, për t’u shpërfaqur madje (dhe paradoksalisht) si tërësisht i natyrshëm. Ç’është e vërteta, as nuk ishte i natyrshëm e as që do të pranohej ndonjëherë si i lehtë nga secili tjetër jashta anijeve të tyre. Por, deri në matjen tjetër me votë, them se duhet lënë si të tillë. Kosovarët kanë për të thënë shumë një ditë.

Pra vlerësimi i nisjes është i rëndësishëm sepse bashkimi artificial kishte futur vet nisjen në një prapastart të paparë për qeveritë e mëparshme. Për të rikuperuar këtë nisje të prapme duhej shumë energji, shumë pozitivitet, shumë ndryshim, dhe mbi të gjitha shumë shpresë. Njëqind ditë më pas nuk mund të them se kjo nisje ka pasur shumë energji, pozitivitet, ndryshim apo dhe vet shpresë. Dikush mund të argumentojë se shpresa dhe energjia mund edhe të krijohen në të ardhmen; sepse tani ato mund të jenë pjesë e një stili qeverisës  që shpërndanë pa publicitet; por, për ta thënë këtë punë troç, them se nisja – si akt në vete pra – mesiguri është nga më të rëndat të para ndonjëherë. Kësaj nisje nuk i kishin kontribuar as ngritjet e protestat e pothuajse gjithkujt; nga mjekët tek mësimdhënësit, nga punëtorët tek veteranët, nga studentët e deri tek gjykatësit – të gjithë ishin në grevë e protestë.

-2-

Në pjesën e kuqe të qeverisjes, jo të mirën pra, padyshim se do të përfshijë të gjitha replikimet e qeverisjes paraprake që kjo e reja po bënte në përpikëri. Qeveria e re fillimisht kishte trashëguar një mekanizëm të madh qeveritar. Në vend të zvogëlimit të tij, për hir të kursimit dhe vet efiçencës pra – e mbi të gjitha sepse promovonte se ishte djathtë – nisma gjysmë e re kishte marrë hapa të rritjes së saj. Kështu në kundërintuitë e në kundërshtim me vet planprogramin zgjedhor që kishte shfaqur vetëm muaj më parë, nisma gjysmë e re kishte rrëshqitur qysh në start me dhënien e shpresës. Një hap jo i mençur ky. Sepse Kosova kishte kohë që kërkonte një ndryshim, dhe këtë ndryshim nuk e kërkonte në fytyrat e akterëve, por në produktet e tyre. Vazhdimi i riprodhimit paraprak mund të ishte gjithçka, por shpresëdhënës kurrëhiç.

Dhe në stil të njëjtë u menaxhua edhe buxheti i shtetit, i cili në përmasën më të madhe të tij ishte repetitiv me shtatë buxhetet paraparake, të njëjtat që kishin sjellë rritje ekonomike modeste, papunësi e varfëri – të gjitha në shpërthim për migrim. Arsyetimet e kohës së shkurtë për të prodhuar një dokument buxhetor serioz kishin shpërfaqur habinë me mosangazhimin katër e sa vjeçar në opozitëbërje. Sepse një grup politik që synon pushtet – ose që ka gjasa serioze për të marrë pushtet – do të duhej të kishte së paku si formulim hazër një dokument e proces kaq serioz.

E në gjithë këtë zhvillim, qeverisja e re kishte nisur në formën më të rëndë të mundshme komunikimin me publik. Duke e injoruar apo mosnjohur rëndësinë e relacioneve publike, kjo nismë (gjysmë e re pra) fillimisht kishte shpërfaqur konfliktualitet me pothuajse gjithkë që s’pajtohej me të – i rëndësishëm apo jo të ishin ata; dhe më pas kishte zgjedhur heshtjen, ndryshim-qëndrimin apo në rastet më të rënda dhe pozicionimin tërësisht gabim mbi çështjet më të ndjeshme të mundshme në vend.

Për ta thjeshtëzuar e ilustruar këtë keq-komunikim të qeverisë, kujtoni trajtimin e tri rasteve që kanë ndodhur në këto njëqind ditë. E para, me aferën Jabllanoviq, kur kishte zgjedhur heshtjen; e një qeveri që për synim do të kishte rikuperimin e hendekut të marrë qysh në start do të lëvizte shpejtë e qartë në momentin e parë të dhënies së deklaratave për ta rikuperuar – nëse asgjë tjetër – pikërisht atë hendek. E dyta, me rastin e Trepçës, kishte zgjedhur ndryshim-qëndrimin, duke prezantuar kështu një ide që dorën në zemër – siç kam argumentuar dhe më parë – ka qenë tërësisht korrekte në përfundim, si ide të frikshme, tradhëtuese e zhvlerësuese në skajshmëri; e gjitha e bërë me plot pikë dhuratët për palën në Beograd madje. E treta, në rastin e migrimit, kishte zgjedhur pozicionim tërësisht gabim, duke vlerësuar standardin e ikësve para motiveve të ikjeve, motive që jo domosdoshmërish ishin të lidhura me këtë qeveri; nëse asgjë tjetër ato ishin veçse trashëgimi e paraprakës – këmbët e arushës të lëna në dorë i thonin disa.

-3-

Pjesa e kaltër, e pluseve pra, ndërlidhet më shumë me trajtimet ekonomike që kjo qeveri i ka bërë në këtë fillim; dhe për këtë nuk shpreh fare habi. Sepse, asnjë qeveri më parë nuk ka pasur më shumë ekonomistë e njohës ekonomie më të kualifikuar se sa këtë herë të mbledhur në një vend. Dhe në këtë vijë është prezantuar në media (fatkeqësisht jo në Kuvend) edhe plani i qeverisë; i cili prekë – ç’është e vërteta – një sërë temash të rëndësishme ekonomike, të diskutuara e shtjelluara tash e sa kohë. Fatkeqësia e planit megjithatë, mbetet mos përfshirja e numrave dhe masave që do të shërbenin për matje të progresit eventual.

Përtej prezantimit të një plani pra, që fatmirësisht nuk është power-point e me listë dëshirash si më parë, pjesë pozitive të ecjes së deritanishme shoh edhe vendosshmërinë e mosrritjes së pagave, pavarësisht kërcënimeve e vet protestave nga secili grupacion i mundshëm publik. Kështu së paku për pak është ruajtur balanca në mes të një rritje artificiale dhe të shtrenjtë-kushtueshme të pagave në sektorin publik, kundrejt një tatim-rëndesë të mëtutjeshme e destimuluese në sektorin privat. Qëndrueshmëria e qeverisë prapa kërkesave tërësisht vetanake e plotësisht egoiste nga grupet publike, si praktikë e re pra, merr konsideratë.

Konsideratë merr edhe ideja e faljes së borxheve për grupet e margjinalizuara dhe të rënduara sociale në vend; e prezantuar si amnisiti muaj më parë. Sado e paqartë fillimisht dhe me shumë potenciale për abuzime nga individë e biznese që falje s’meritojnë, ideja e lehtësimit të borxheve për disa që teknikisht nuk mund të paguajnë e s’kanë për të paguar kurrë, mbetet lajm i mirë.

Trajtimi i grupeve të varfëra merr formë edhe me paketën e re fiskale – ideja e së cilës ka filluar të qarkullojë këtë javë. Në këtë paketë, ideja e përgjysmimit të TVSH-së për produktet më bazike ushqimore si dhe për një pjesë të madhe të shërbimeve publike (rrymë, ujë, ngrohje e pastrim) do të shërben si një dorë ndihmesë për secilin që ballafaqon me vështirësi fundin e muajit – e tërë muajin besa – këndej. Mbetet pak e pëlqyeshme – për të mos thënë fare – ideja e rritjes së TVSH-së për të gjitha produktet tjera për 2 pikë të përqindjes, apo 12.5%. Është e pakuptimtë ulja në njërën anë për disa produkte, për të rritur të tjerët në anën tjetër. Do të parapëlqeja natyrisht rritjen e bazës tatimore në vend të vet tatimeve. Gjithsesi, mbetet i habitshëm progresiviteti i TVSH-së, si politikë tipike majtë, nga një qeveri me dy parti që pretendojnë se ecin djathtë. Me të gjitha politikat e majta që po mbillen këndej, nuk kanë për t’i lënë shumë vend për kreativitet vet majtistëve.

Dhe në fund fare, dhënia e disa sinjaleve kundër kapjes, sado të vogla pra, mund të ngjallin pak shpresë për nisje të ç’kapjes. Kështu ngritja e zërit kundër emërimeve në PTK dhe RTK – në radhë të parë – mund të jetë veçse një nismë në departiakizimin e institucioneve publike në vend. Mbetet të shihet, gjithsesi, serioziteti i këtyre ngritjeve. Nëse janë bërë sa për të vendosur të vetët në vend të tjerëve, atëherë hendeku i dëshpërimit që ishte ndërtuar në nisje veçse do të zgjerohet më shumë.



Monday 16 March 2015

MBI PRITJET EKONOMIKE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 MARS 2015

Në shtatë vitet e shkuara, që nga shpallja e pavarësisë, ekonomia kosovare ka qenë e trajtuar si temë e dorës së dytë. Dhe në dorë të dytë trajtohej edhe zgjidhja ekonomike e ofruar. Kështu herë me prezantime power-point e herë me qëndrime kuturu – gjithmonë me shpenzime të përtejme nga xhepi ynë – ky vend kishte shterur e djegur gjithë interesin ekonomik e investues që dikush mund të kishte pasur këndej.



-1-

Nëse ka diçka që Kosova ka dëshmuar në mënyrë konsistente përgjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve të fundi, atëherë kualiteti i planifikimit dhe qartësimi i ecjes sonë zë vendin e parë. Pak për shkak të mungesës së shprehisë për të shkruar – shumë më shumë për shkak të paditurisë për të projektuar – ecja jonë e deritanishme, në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, ka qenë pa plan; pa fije plani madje. Kështu pa fije plani ne kemi formësuar shoqërinë, pa fije plani ne kemi bërë ekonominë, politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare e vet shtetësinë. Prandaj, sot, ne vazhdojmë të habisim vetën e të tjerët me gjendjen në të cilën kemi ardhur – pa fije plani pra.

Nga të gjitha planet, planifikimi ekonomik mbetet më i domosdoshmi. Sepse në fund të fundit, për e nga ekonomia dhe ikën kosovarët këtë herë; e do ta bëjnë përherë e sa herë të kenë mundësi. Deliret politike e romantizmat heroik janë konsumuar kaherë. Gjeneratat të reja, madje, kanë për t’i konsideruara si monotone e të tejkaluara ngjarjet që të tjerët ua recitojnë përherë. Puna, mirëqenia, kualiteti i jetesës e vet vizioni perëndimor, përbën ëndrrën e kosovareve këtë herë. Ata duan të jenë atje sa më parë të jetë e mundur.

Në shtatë vitet e shkuara, që nga shpallja e pavarësisë, ekonomia kosovare ka qenë e trajtuar si temë e dorës së dytë. Dhe në dorë të dytë trajtohej edhe zgjidhja ekonomike e ofruar. Kështu herë me prezantime power-point e herë me qëndrime kuturu – gjithmonë me shpenzime të përtejme nga xhepi ynë – ky vend kishte shterur e djegur gjithë interesin ekonomik e investues që dikush mund të kishte pasur këndej. Përshkrimin më të mirë të mundshëm të ecjes sonë ekonomike në këto shtatë vite shtetësi, çuditërisht e gjej jo në mesin e neve ekonomistëve, por në shkrimet e publicistit Surroi, i cili fenomenin ekonomik tonin në librin e tij të fundit e quan si marifet që “shet lirë e blenë shtrenjtë”. Kaq kishim bërë në shtatë vjet.

Ekonomia kishte marrë qendrën e vëmendjes përgjatë fushatës së fundit zgjedhore; dhe kjo mund të bënte një gjysmë lajmi të mirë. Gjysma tjetër përbënte havallëkun e tahminin që promovuesit i jepnin ekonomisë. Herë me vlerësime amatoreske për punësim, gjithmonë në garë për futkotizëm, propozimet zgjedhore ishin bërë parodi. Madje, propozimi më i përafërt i mundshëm vinte nga një parti satirike – Partia e Fortë – numrat e së cilës ishin ironikisht më të mundshëm se sa të secilës parti serioze (nëse kishte të tillë).

Prandaj dhe këtë javë, kur u prezantua plani i ri qeverisës – përfshirë dhe ai ekonomik – pjesa më e madhe e premtimeve nuk ishin për t’u parë askund. Hiç e habitshme, sinqerisht – nuk mund të më befasojë futkotizmi elektoral. E meqë plani është formësuar tanimë, them ti bëj një vështrim atyre faqeve të publikuara sa për të rrumbullakuar me modesti pritjet për ecjen tonë ekonomike në katër vitet në vijim.

-2-

Vështrimi i parë që del nga programi i Qeverisë së Republikës, është se nuk ka numra; fare madje. Ai ndonëse jep një përmbledhje të gjithanshme të problematikës socio-ekonomike dhe politike në vend, nuk arrin të përkthejë masat e veta në numra e indikatorë të matshëm, të cilat në fund do të shërbenin për vlerësim dhe matje të performancës. Mungesa e indikatorëve, rrjedhimisht, e bën këtë plan vështirë të interpretueshëm e të analizueshëm. Sepse shprehjet “më shumë”, “më mirë”, “më tepër” janë shprehje gjenerale që mund të aplikohen në secilën fushë dhe atë pa përcaktuar mirëfilli ndonjë trend të matshëm. Në vend të tyre do të kishte qenë shumë më mirë ofrimi i numrave e llogaritjeve që do të jepnin kështu një pasqyrë të saktë se si do të duket Kosova në fundvitin e këtij plani, pra në vitin 2018.

Pra do të kishte qenë mirë që kur flitet për ekonominë të tregohet sa do të jenë pritjet për rritjen ekonomike në tri vitet e ardhshme; kur flitet për punësim të tregohet se sa janë pritjet për vendet e reja të punës që do të krijohen në tri vitet e ardhshme; kur flitet për investimet e huaja të tregohet se sa do të jenë ato në fund të planit. Pra numerizimi i planeve dhe deklarimeve do ta bënte planin më të plotë. Mosfutja e numrave, ndërkaq, mund të jetë bërë qëllimisht për të shmangur një vlerësim të performancës qeveritare në katër vitet e ardhshme; por për fatin e keq të prezantuesve, kjo matje megjithatë do të bëhet. Sepse sot, kur flasim tani, ne e dimë se rritja ekonomike mesatare në tre vitet e fundit ka qenë rreth 3%, numri i të punësuarve vetëm 300 mijë, numri i të papunëve plot 700 mijë, deficiti tregtar plot 2.2 miliardë euro, investimet e jashtme vetëm 250 milionë e paga mesatare në sektorin privat jo më shumë se 250 euro. Mbi këta numra do të bëhet dhe vlerësimi vit për vit – deri në fund; nëse dikush mendon të mërzitet ndonjëherë.


-3-

Gjithsesi, krahasuar me planin power-point të Banskos, ky dokument është më i elaboruar; dhe për fushën që unë njoh – ekonominë pra – është më gjithëpërfshirës; prekë pra fusha të paprekura deri më tani. Përfshirja e problematikës fiskale, liberalizimit të tregut, dhe investimeve i jep dokumentit një gjuhë ekonomike që ka munguar në programet paraprake.

Do ta ndaja vlerësimin e programit në dy pjesë, në anën pozitive dhe negative të tij. Ana pozitive ndërlidhet me idetë fiskale që prezantohen aty – fatkeqësisht ato mbesin gjithmonë pa numra gjithnjë. Por është ide e mirë heqja e TVSH-së për produktet bazike të shportës së konsumatorit kosovar. Risi e veçantë mbetet integrimi i ATK-së dhe Doganave të Kosovës në një institucion të vetëm me qëllim të kalimit gradual të mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në brendinë e territorit të Kosovës, një problem që ka munduar bizneset tash e sa kohë. Në këtë vijë, poashtu ideja e lirimeve doganore për pajisjet e teknologjisë shërben si lehtësim sidomos për sektorin e prodhimit.

Në anën pozitive të programit do të fusja edhe qëndrimin e elaboruar për luftimin e ekonomisë joformale, ndonëse shpreh rezervë për mospërmendjen e një policie financiare, një trup të ri taksambledhës me të drejta dhe kapacitete shumë më të forcuara se sa inspektorët tatimore. Poashtu, fokusimi në investimeve të diasporës dhe përmendja e një masave lehtësuese për secilin investitorë nga diaspora ofron një fushë të re investive në vend. Lajm i mirë mbetet gjithashtu ideja e ndërtimit të termocentralit të ri dhe – paralel me të – ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së ripërtrirshme.

Pra në vija të trasha gjithsesi – siç edhe ishte prezantuar vet plani madje – në katër vitet e ardhshme pritet që mekanizmat mbledhës të taksave të reformohen, dhe në këtë reformim ata të ndryshojnë edhe barrën që japin mbi bizneset – nëpërmjet mbledhjes së tatimeve mbi vlerën e shtuar në kufi. Përgjatë kësaj kohe do të provohet luftimi i informalitetit e evazionit – pa specifikuar si e sa – dhe do të provohet ndërtimi i një bashkëpunimi shoqëror në mbledhje e shpenzime të taksave njëtrajtësisht. Në fushën e investimeve infrastrukturore, objektiv vendoset ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike si dhe përfundimi i të gjitha rrugëve rajonale në Kosovë. Në fund të qeverisjes pra, të gjitha qytetet kosovare pritet të jenë të ndërlidhura mirë. Ideja e financimit të këtyre ndërlidhjeve nga fonde jobuxhetore, pra nga alternativa të tjera financuese, e bën këtë koncept mjaft alternativ (në të mirë).

Në anën negative, ndërsa, do të fusja trajtimin sipërfaqësor të disa fushave që përmendën në program. I pari, dhe më i rëndësishmi ndoshta, mbetet mostrajtimi i detajizuar i çështjes së ndërmarrjeve publike në Kosovë. Nuk ka ndonjë detajizim të elaboruar mbi fatin tyre, mbi menaxhimin e tyre, mbi depolitizimin e brodeve apo dhe vetprivatizimin e tyre. Pra ka shumë pak elaborim dhe ide për një ndër problematikat kryesore të Kosovës – vet zaptimin ekonomik që vendi ka kaharë.

Së dyti, prezantimi i fondit për punësim – ndonëse i elaboruar si qëllim – nuk përfshinë ndonjë informacion të burimit të mjeteve për fond, relacionit të tij me ofertën bankare në vend, madje as përballjen e tij me nevojat zhvillimore në Kosovë. Për aq sa arrita të kuptoj, fondi synon të zëvendësojë ofertën bankare; që nuk më duket ndonjë ide me shumë ndikim – sidomos kur në Kosovë ka ofertë të mjaftueshme kreditore.

Së treti, funksionalizimi i zonave të tregtisë së lirë më duket një ide e panevojshme, marrë parasysh hapësirën e vogël që ka Kosova. Secili diferencim në këtë drejtim do të kushtojë shumë për rrethinat përreth. Nuk e shoh pra Kosovën aq të madhe sa për ta ndarë atë në zona të lira e jo të lira ekonomike.

Së katërti, nuk kam parë ndonjë elaborim të kursimeve buxhetore. Përtej përmendjes së nevojës për balancë buxhetore, nuk pashë ndonjë plan për shkurtim të shpenzimeve të tepruara publike, për zvogëlim të luksit qeveritar, për ulje të mbështetjes për institucionet publike që nënperformojnë e keqmenaxhojnë; e të ngjashme.


Friday 6 March 2015

MBI PËRFSHIRJEN E GRUAS NË BIZNES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 MARS 2015

Sot fatkeqësisht, mbetet fakt se gruaja kosovare vazhdon të jetë më e kufizuar dhe më e margjinalizuar se burri në pjesën më të madhe të aktivitetit shoqëror të saj; duke gjysmuar e gjymtuar kështu Kosovën me gjysmën e forcës së saj. E një vend që ecën me gjysmë force mbetet gjithmonë gjysmë hapi më pas kudo që të shkojë.




-1-

Nuk i kam asnjëherë për qejf ditët e shënimet kur duhet treguar se gruaja është e barabartë me burrin – pse nuk nënkuptohet nuk arrijë ta rrumbullakojë; e hiq më pak në Kosovë kur për të qenë i barabartë me burrat në biznes, politikë, media e shoqëri nuk është ku me ditë çfarë arritje. Alamet standarde nga burrërimi kosovar. Por megjithatë, e fatkeqësisht, mbetet fakt se gruaja kosovare vazhdon të jetë më e kufizuar dhe më e margjinalizuar se burri në pjesën më të madhe të aktivitetit shoqëror të saj; duke gjysmuar e gjymtuar kështu Kosovën me gjysmën e forcës së saj. E një vend që ecën me gjysmë force mbetet gjithmonë gjysmë hapi më pas kudo që të shkojë.

Një fushë që më mbetet për interes gjithsesi, e që bën ndryshim më shumë për gjithë shoqërinë, është angazhimi i gruas në biznes – si punëdhënëse dhe si punëmarrëse njëkohësisht. Sot do të shkruaj pak më tepër për gruan si punëdhënëse.

-2-

Në Kosovë vetëm çdo i nënti biznes është në pronësi të grave. Them vetëm meqë po krahasuam të njëjtin relacion me treguesit e vendeve tjera kuptojmë edhe deficitet tona në këtë drejtim. Sipas shënimeve të OECD-së mesatarja e vendeve në zhvillim, ku edhe besohet të bjerë Kosova, frekuenton në relacionin 1 me 5. Pra në një vend me tipare ekonomike si Kosova çdo i pesti biznes është në pronësi të femrave.

Sipas të dhënave nga një anketë e zhvilluar në kuadër të Institutit Riinvest me 1000 biznese kosovare të shtrira në të gjitha regjionet e vendit, del se bizneset në pronësi të grave – për dallim nga ato në pronësi të burrave – kanë dallime të theksuara; shpeshherë dhe më të disfavorshme.

Këto të dhëna, ndër të tjerash, tregojnë se sot në Kosovë, ka shumë pak diversitet në organizimin ligjor të bizneseve në pronësi të grave. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 99% e bizneseve gra, janë biznese individuale. Ortakëritë e shoqëritë aksionare, në mes të grave janë të mangëta, të rralla, të pazakonshme. Tek burrat ndërsa, 89% e bizneseve janë biznese individuale; të tjerat ushqejnë diversitetin organizativ të bizneseve. Pra është evidente mungesa e bashkëpunimit e partnershipit në organizimet biznesore tek gratë; që paradoksalisht do të duhej të ishte minore.

Kjo sepse sektorët në të cilat janë angazhuar gratë sot – si pronare pra – janë kryesisht sektorë me vlerë të ulët, dhe jo të tregtueshëm – mbi të gjitha. Për shembull deri sa 10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit, femrat janë të përfaqësuara me vetëm 3.1% nga totali i tyre në këtë sektor. Numër dallues i pjesëmarrjes së tyre shihet vetëm në sektorët e lidhur me punë sociale, shëndetësi apo dhe shitje – të gjitha me vlerë të ulët të shtuar. Në sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe transporti, pra në sektorë me vlerë më të lartë të shtuar, dominimi i meshkujve është evident e pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është pothuajse zero. Një ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të ardhmen.

Bizneset në pronësi të grave janë gjithashtu më të vogla krahasuar me ato nën pronësi të meshkujve. Kështu, një biznes i gruas punëson, mesatarisht, 3.5 punëtorë; përderisa një biznes i burrit punëson dyfishin e kësaj – rreth 7 punëtorë. Ky disproporcion rrjedhimisht reflektohet edhe në mundësinë e bizneseve gra për të ofruar paga konkurrente për punëtorët e tyre; kështu paga mesatare në një biznes në pronësi të gruas është 217 euro, përkatësisht 11 euro më e vogël se sa në një biznes të burrave (228 euro).

Bizneset e grave – në mesatare – realizojnë qarkullim vjetor prej jo më shumë se 20.000 euro; përderisa tek meshkujt, kjo mesatare arrinë në rreth 50.000 euro në vit. Gratë dhe burrat nuk janë të barabarta as sa i përket margjinës së profitit që realizojnë në një vit. Kështu, përderisa gratë – në mesatare gjithmonë – shënojnë profit prej 18%, burrat arrijnë në 22%.

Gratë janë të kufizuara edhe sa i përket diversitetit të financimit të aktiviteteve biznesore. Kështu, për pjesën më të madhe të bizneseve gra (mbi 55%) kreditimi bankar vazhdon të mbetet forma më e zakonshme e financimit. Burrat në anën tjetër kanë një sërë alternativash financuese. Ata përveç se und të financohen nga bankat (35%) kanë alternativa financimi nga buxhetet familjare, huadhënia e miqve e të ngjashme.

Sa për rrumbullakim të performancës dhe dallimeve ndërgjinore, sipas rezultateve të studimit në fjalë, përgjatë vitit 2014 vetëm 28% e bizneseve nën pronësi të grave kanë shënuar rritje; të tjerat kanë pasur stagnim ose rënie. Tek burrat ndërsa, performanca mbetet më e kënaqshme; rreth 35% e tyre kanë shënuar rritje.

-3-

Disproporcionaliteti në mes të bizneseve gra dhe atyre burrave është evident. Është evident madje në secilën fushë krahasimore që dikush mund të bëjë. Për të kuptuar burimin e këtij disproporcionaliteti duhet shikuar tek barrierat që mundojnë bizneset kosovare sot, dhe dallueshmërinë e tyre kur bëhet fjalë për gratë dhe burrat njëtrajtësisht.

Dallimi i parë nga kjo ndarje buron në relacionin e gjinive me sigurimin e fondeve financuese për bizneset e veta. Përderisa për meshkujt qasja në kredi bankare është e rëndë, për femrat ajo bëhet hiper e rëndë. Kjo për dy e arsye; e para sepse kredidhënësit kanë thjeshtë më pak besim në një grua ndërmarrëse dhe e dyta sepse gratë kredikërkuese kanë shumë pak kapital të trashëguar nga familja, për të mos thënë fare. E në mungesë të kapitalit të trashëguar garancitë bankare bëhen shumë të komplikuara.

Gratë, për dallim nga burrat, theksojnë korrupsionin e burokracinë si shumë më problematike në operimin e bizneseve të tyre. Kjo aspak befasuese; sepse në çdo rrethanë normale është pak e pritshme që një femër të jetë më shumë e gatshme të vë bast në aktivitete të paligjshme se sa një mashkull. Rrjedhimisht mosaftësia e tyre për të kooperauar në një ambient kaq të rëndë biznesor krijon çdo parakusht për trajtim jo të barabartë konkurrues.

Gratë kanë shumë më tepër probleme në forcimin e kontratave me furnitorë e blerës se sa që kanë probleme burrat – borxhet ndër të tjera janë shumë më të larta tek bizneset gra se sa tek burrat. Gjithmonë sipas anketës e vetëdeklarimit të pronareve, gratë kanë probleme më tepër (se sa burrat) me gjetjen fillimisht e më pas me motivimin e punëtorëve; me konkurencën e padrejtë e evazionin fiskal (që buron kryesisht nga konkurrenca e burrave); e me mbështetjen institucionale – të paketave atraktive që lehtoësojnë më shumë interakcionin e tyre më një ambient të rëndë biznesor.

Gratë pra, në pjesën më të madhe të barrierave që mbesin kryesoret në vend, janë më të margjinalizuara, më të kufizuara në adresimin e tyre dhe përfundimisht më të pafavorizuara. Një ambient ekonomik e biznesor i Kosovës mbetet pak ose fare i lehtë për gratë që provojnë ndërmarrësinë.

Them se kjo shoqëri duhet të marrë më shumë nga gruaja ndërmarrëse kosovare. Për të bërë këtë duhet natyrisht promovimi i nismave të grave në biznes dhe zhbërja e pengesave më të cilat ballafaqohen ato. Sepse femra kosovare ka shumë për ti dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët, nga ku dalloj turizmin, shëndetësinë, tekstilin dhe – padyshim – procesimin e ushqimit, ku femra kosovare mund ti japë vendit jo vetëm potencial të brendshëm por dhe përparësi krahasuese në rajon; përparësi kjo që në fund mund të zhbëjë disbalancin e tanishëm tregtar. Them se Kosova ka nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi.