Saturday 31 January 2015

REFUZIMI, SHPËRTHIMI DHE DITA PAS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 JANAR 2015

Protesta do të mbetet jo vetëm e drejtë demokratike – siç na thonë vazhdimisht zaptuesit politik – kjo është e mirëkuptuar, por ajo mbetet dhe mjet i vetëm i ngritjes së alarmit, krijimit të masës kritike e reflektimit evolutiv (jo revolutiv siç kërkojnë oportunistët tjerë partiak) për ndryshim. Për të bërë këtë, protesta duhet të plotësojë vetëm një kusht të vetëm, të jetë dhe të mbetet paqësore.


-1-

Refuzimi do të shpërthente; e kur të shpërthente do të ishte i paparashikueshëm. Sepse, refuzimi ndaj sistemit politik të post-pavarësisë ishte akumuluar nëpër vite; pak nga pak – herë shumë – gjithsesi se do të shpërthente dikur. Këtë zymtësi mund ta ndjeje nga muhabetet familjare pranë raportimeve televizive për migrim, korrupsion, luks e papërgjegjësi politike; e ndjeje në një kafe mes miqsh e në një shëtitje sheshesh e rrugësh – ishte pra gjithandej. Këtë, së paku secili që ka bërë një natë gjumë në Kosovë në tre-katër vitet e fundit mund ta ketë ndjerë lehtë.

Zymtësinë e tillë ekonomike, politike dhe në fund gjithë-shoqërore e kishim shkruar, thënë e treguar gjithandej. Për kapjen, për luksin, për fjalëthyerjen e për propagandën, kishim gisht-treguar kaherë. Me mijëra të rinj të pa punë (saktësisht 700 mijë sosh), mijëra të tjerë që shtoheshin rangjeve të të papunëve (saktësisht 30 mijë për vit), të tjerë në punë e të dëshpëruar nga fundi i muajit (saktësisht 300 mijë të tillë) – Kosova, ky shtet i nisur me plot shpresë e optimizëm vetëm shtatë vite më parë, ishte bërë shpejtë e lehtë një vend pa të dyja; pa shpresë e pa optimizëm pra.

E tërë çfarë establishmenti dhe rendi politik në Kosovë kishte arritur të bënin – të njëjti që mbanë të kapur dhe vet alternativën politike për pesëmbëdhjetë vjet rresht – ishte nisja e një gare shpëtimi për veten. Ky shpëtim arrihej jo duke ndalë e ndryshuar rrugën e tjetrin, por duke vënë vetën në rrugë të tjetrit; në të njëjtën rrugë që do të sillte shpërthimin. Kështu herë njëri e herë tjetri – së fundi edhe njëri e edhe tjetri bashkë – kishin arritur të kapnin për vete (dhe për askënd tjetër) të gjithë shpresën kosovare përnjëherë. Në këtë kapje ata kishin treguar më së paku përgjegjshmëri; të ftohtë sa s’bëhet më. Dhe në gjithë këtë “magnum opus” të mbrapshtisë e individualizmit të tyre, ata kërkonin – pa shije kërkesë meqë jemi këtu – mirëkuptim nga të gjithë. Natyrisht se kjo s’kishte për të ndodhur kurrë.

-2-

Refuzimi do të shpërthente; për Jablanoviq apo Trepçën këtë herë; herën tjetër për ku me ditë çfarë tjetër. Prandaj të shtunën e javës së shkuar, në këtë refuzim qytetar, merrnin pjesë plot 30 e kusur mijë vetë. Ishte protesta më masive që kisha parë që nga njoh vendin tim si shtet. Dhe protesta do të ishte e përkryer – këtë duhet thënë sinqerisht – sikur të mbetej qytetare e jopartiake – ashtu siç ishte nisur në fillim nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Sikur të dilnin me mijëra qytetarë – secilën ditë pas tjetrës – që me qetësi shumë, me marshe e ecje po aq të qeta, pa kërkesa partiake e pa thirrje histerike që ngjallnin frikë njerëzore në rend të parë – protesta si e tillë pra – do të bënte ndryshimin evolutiv që e kërkojmë kaherë. Do të ishte një mesazh më i pastër dhe më masiv; do të sillte domosdo dëgjueshmëri. E për kuriozitetin e organizatorëve partiak, secila pakënaqësi kundër qeveritare do t’iu kanalizohej mu atyre si shpërblim; s’kishte ku të shkonte tjetërkah. E habitshme se si nuk kuptojnë këtë.

Gjithçka tjetër nga paqësorja mbetej më regresive. Sepse përfshirja partiake jo vetëm se e shndërronte pakënaqësinë qytetare në motiv partiak e politik – shpeshherë tek e për individë që kanë qenë e mbesin bashkëfajtorë kryesorë mu për këtë pakënaqësi të akumuluar – por sepse politizimi e partiakizimi do të sillte dhunën e ballafaqimin me dhunë. Sepse, nëpërmjet partiakizimit të protestës, këto parti synonin fatkeqësisht (në skajin e kërkesëbërjes) jo realizimin e qëllimeve të protestës, por synonin realizimin e  qëllimeve për zëvendësimit të të tjerëve – nga ta.

Dhe këtë nuk mund ta pranoj. Zëvendësimi nuk mund të ndodhë me rrugë. Madje nuk është as impresive më pas. Është fare e lehtë, siç dhe ndodhi në ditën e dytë të protestës, të mbledhësh disa mijëra të rinj në rrugë – kryesisht përkrahës partiak sepse kaq dhe mund të bësh – e të dërgosh ultimatum si peshkim për ballafaqim. Në të njëjtin stil, ç’është më e keqja, të njëjtit që kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe janë dhe më të zot. Ata, në të njëjtin stil e me gjithë përvojën kriminale e rrugaçore që kanë, mund të mbledhin po aq, në mos më shumë në rrugë. Dhe do ta bëjnë ditën e parë që mbesin pa forcën e pushtetit; të mbesim të sigurt për këtë – e kanë jetike. Por bërja e tyre e mëpasshme nuk do t’i jep as atyre – rrjedhimisht nuk u jep as këtyre sot – legjitimitet për të rrënuar pushtet pa votë. Kështu s’bën e s’ka për të ndodhë.

-3-

Tërheqja e iniciatorëve jopartiak të protestës (në paraqitje së paku, jo domosdo në influencë) mund të ketë nxitë nevojën për përshpejtim të peshkimit për ballafaqim. Kështu, në një rast tërësisht të panevojshëm, me një arsyetim më shumë përrallor e patetik se sa kuptimplotë, prijësit e protestuesve u ndjenë të provokuar – besoni ose jo – nga grilat e masave. U provokuan, besoni ose jo, se grilat i paskan ndarë ata – dhe këtu fillon patetizmi – i paskan ndarë prej Skënderbeut.

Për secilin me pak përvojë në ecje përtej kodrës së Veternikut e tejpërtej nëpër Evropë, grilat e masave janë të zakonshme nga një lojë futbolli, tek një koncert roku e deri tek një protestë qytetare; pra ku ka masë ka edhe grila të tilla. Sikur bartësit e protestës të mos peshkonin për ballafaqim (dhe fatkeqësisht ky nuk ishte qëllimi në rend të parë), ata do të mjaftoheshin me rregullat e sigurisë që një institucion shtetëror si policia i ka vendosur; sidomos kur vetëm tri ditë më parë nga i njëjti vend huliganët kishin pasur shfaqjen e tyre të jetës, vandalizmin. Dhe në këto rregulla minimalisht penguese ata qetësisht e paqësisht do të dërgonin mesazhin e qytetarisë aktive, të pakënaqësisë dhe kështu të nxitjes së grumbullimit edhe më masiv. Pra do të ishte një fotografi të kundërt prej dhunës të rrezikshme të protestuesve të nisur ekskluzivisht vetëm nga ta në ditën e parë të protestave. Sepse grilat, si të tilla, nuk parandalonin askënd të mblidhej edhe në ditën e dytë të protestës; masivisht, paqësisht e në një hapësirë të mjaftueshme – më se të mjaftueshme – e tërësisht të lirë. Provokimin nuk e blenë askush. Në stil të njëjtë – sikur mos të ishin grilat – kur kërkon peshkim pra, mund të ndjehesh i provokuar nga gjithçka.

Ultimatumi dhe nxitja për vetë-rregullim anarkik, nxiti edhe masën. Nxitja e masës, fatkeqësisht u përcjell nga një përgjigje e shpejtë dhe plot gaz e dhunë e ujë. Pjesa tjetër e stories mbeti shëmti. Në këtë kaos dhune e flake ndaj njëri tjetrit jemi humbës të gjithë; fitues mes nesh s’mund të ketë. Pamjet e protestës së dytë ishin të trishta, të dhimbshme dhe të frikshme njëkohësisht; lënë pak vend për shpresë.

-4-

Lufta partiake pas protestave është më se e kotë. Në njërën anë paradoksalisht mbytësit e imazhit të Kosovës, ata që kanë fundosur atë në skajet më të parikuperueshme të fundosjes, ankohen për mbytje të imazhit nga një protestë; e në anën tjetër partiakë e parti fillojnë të shfaqin ambicie anarkike për të përmbysur gjithçka – dhe kështu ndoshta për të marrë rend për pushtet.

Kështu ndodh kur një pakënaqësia legjitime qytetare dorëzohet tek organizimet partiake; do ta konsumojnë shpejtë dhe keq. Sa herë që partitë politike fusin hundët e duart e ideologjitë e tyre në pakënaqësi qytetare, sa herë që ndodhë kështu, qytetarët do të marrin më së paku. Gjithsesi se protesta është freskim për secilin zaptues e mbytës të shpresës sonë që sot, sikurse dje, vazhdon të mbajë me ftohtësi fatin e një vendi të tërë të mbytur. Gjithsesi se protesta është freskim edhe për komunitetin ndërkombëtar që ka lejuar me po aq ftohtësi ardhjen deri këtu.

Protesta do të mbetet jo vetëm e drejtë demokratike – siç na thonë vazhdimisht zaptuesit politik – kjo është e mirëkuptuar, por ajo mbetet dhe mjet i vetëm i ngritjes së alarmit, krijimit të masës kritike e reflektimit evolutiv (jo revolutiv siç kërkojnë oportunistët tjerë partiak) për ndryshim. Për të bërë këtë, protesta duhet të plotësojë vetëm një kusht të vetëm, të jetë dhe të mbetet paqësore.

-5-

Për secilin me kuriozitet, shkarkimi i një fashisti si Jabllanoviq as që do të duhej të ishte diskutim sikur në këtë vend të kishim minimalisht pak rend e dinjitet. Moshskarkimi nuk i falet as për së afërmi Qeverisë e Kryeministrit. Puna është se, kur lejon Jabllanoviqin të ofendojë e mohojë viktimat e luftës, inkurajon Mariqin të komunikojë nga ministria pa simbole, Stojanoviq të quaj Kosovën Serbi, e Nikoliq të vendosë postbllok në Brezovicë - të gjithë këta zyrtarë qendror e lokal të Republikës; paguar prej Republikës, kundër Republikës. Lista Serbe mund të jetë e pandreqshme; por Republika s'guxon të mbetet si e tillë. Çdo tolerim në këtë drejtim nxitë anti-Republikanizmin fashist.

Pra mosshkarkimi i tij është mjaftueshëm arsye për protestë në vete – siç është mjaftueshëm arsye për protestë në vete i gjithë akumulimi i pakënaqësive në këto vite shtet. Prandaj është esenciale që të dëgjohet zëri i qytetarëve kosovar, e të jepet (ani pse me vonesë) një shembull i mostolerancës ndaj sulmeve të gërditshme ndaj vlerave më bazike të Republikës sonë të re.

Për Trepçën ndërsa, siç dhe kam elaboruar në shkrimin e fundit në këtë kolumnë, nuk shoh asnjë arsye për kaos e histeri. Shoh arsye për alarm e vetëdije e mbi të gjitha bashkim mendjesh për zgjidhje, por meqë asgjë – as edhe një gjë e vetme nuk ka ndryshuar me vite më parë – nuk shoh as një arsye për revoltë; përveç nëse dikush dëshiron të shfrytëzojë secilën temë populliste e keqinformuese të kosovarëve për kaos.


Friday 23 January 2015

TREPÇA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 JANAR 2015

Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në Trepçë, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saja për gjithë Kosovën. Pra ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe Trepçën pra. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun


-1-

Trepça mesiguri mbetet aseti më kompleks i mundshëm me të cilën është ballafaquar Kosova ndonjëherë. Ky kompleksitet buron fillimisht nga rëndësia historike e kombinatit metalurgjik në veri të Kosovës dhe për gjithë potencialin zhvillimor që ai mbanë për të ardhmen. Trepça – me gjithë pasurinë e saj – mbetet aseti më i rëndësishëm ekonomik i yni. Kompleksiteti i asetit shtohet edhe nga vet natyra e manaxhimit biznesor të tij përgjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit, menaxhim i përcjellë kryesisht me neglizhencë të pashpjegueshme institucionale. Natyra komplekse biznesore e Trepçës rëndohet edhe nga pretendimet e kredidhënësve që – me apo pa të drejtë – rëndojnë fotografinë e mundësive borxh-paguese. Dhe për të mos mjaftuar gjithë këto, gjysma e asetit të Trepçës është jashta kontrollit institucional të Republikës së Kosovës; kontrollohet pra nga institucionet ende paralele në veri.

Pra adresimi i problemit të Trepçës nuk ka qenë asnjëherë i lehtë; e mbi të gjitha ka qenë tërësisht i pamundur për të marrë udhë në një vikend të vetëm – sa ishte edhe koha e promovimit qeveritar për të dhënë zgjidhje. Ky promovim u ngatërrua keq e rëndë kur fotografia e transferimit pronësor nga një ndërmarrje shoqërore në atë publike u dukë e zymtë dhe me plot borxhe. Kështu, nëpërmjet një menaxhimi skandaloz të situatës publike, me shumë oportunitet për nacionalistët në Serbi, një nismë për dhënie të zgjidhjes për Trepçën reversoi në disfatë e indinjatë gjithëqytetare këndej.

Është pra fatkeqësi gjithënacionale që problemi i transferimit nuk ishte adresuar shumë më parë. Sa për rikujtim, Agjencia Kosovare e Privatizimit, institucion i themeluar e menaxhuar nga Kuvendi i Republikës, ka kohë që ka vendosur një moratorium rreth ndërmarrjes shoqërore të Trepçës. Ky moratorium do të skadonte më 2 shkurt të këtij viti; si reflekcion ndaj një ultimatumi për zgjidhje të lëshuar nga Dhoma e Veçantë e Gjykatë Supreme të Kosovës – e cila pra kërkonte një zgjidhje – në të kundërtën do të likuidonte (falimentonte asetin). Procesi i likuidimit do të mund të nënkuptonte jo vetëm largimin nga puna të 5000 shqiptarëve e 3000 serbëve atje, por edhe blerjen e Trepçës nga likuidatorët – të cilët me të gjitha ligjet aplikabile në vend (dhe ato ndërkombëtare) mund të kenë e jenë nga gjithandej e gjithkush; përfshirë edhe dikë si vet Qeveria e Serbisë. Njëtrajtësisht, nëpërmjet procesit të privatizimit nga AKP, investitori final mund të jetë i papërcaktuar nga preferencat tona. Pra edhe me likuidim edhe me privatizim të ndërmarrjes shoqërore, Trepça mund të përfundonte tek dikush me interesa të kundërta të Kosovës.
Por, për të dhënë e kuptuar mirë gjendjen e tanishme të asetit dhe alternativat e manxhimit të tij, dua të ndërtoj për lexuesit disa premisa të përgjithshme që mund të japin një qartësim minor në këtë drejtim.

-2-

Premisa e parë – dhe më e rëndësishmja – mbetet ajo e të drejtës trashëguese të pronës që ndodhet në Kosovë. Nuk ka asnjë dyshim – dhe për këtë të mbesim të sigurt – që e gjithë pasuria e Kosovës, ligjërisht, i takon vetëm Kosovës. Kjo e drejtë ndërkombëtare na është garantuar me vet Pakon e Ahtisaarit, në nenet 8.3 e 8.4 si dhe në Aneksin 7 të pakos. Rrjedhimisht, secili shtet që njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, njeh dhe gjithë pasurinë që ndodhet në Kosovë si pasuri të popullit të saj. Ky fakt – i njohur ndërkombëtarisht pra – ka gjasë të kontestohet aq sa ka gjasë të kontestohet vet pavarësia e Republikës së Kosovës. E drejta mbi pronën madje është njohur edhe nga mekanizmi administrues i Kombeve të Bashkuara që ishte vendosur menjëherë pas luftës në Kosovë, e i cili – duke njohur trashëgiminë e pronës së Kosovës tek populli i Kosovës – kishte ndarë atë në dy grupe, në pronën publike (ku bënin pjesë kryesisht shërbimet publike) aksionare e së cilës do të mbeste Qeveria e Kosovës, dhe në pronën shoqërore, për të cilën përgjegjëse do të mbetej një trup mirëbesimi i cili përfundimisht do të shndërrohej në AKP (Trepça bën pjesë në këtë të fundit). Në të dyja rastet pra, trashëgimtar i pakontestuar mbetej populli i Kosovës.

Në këtë vijë lind dhe premisa e dytë. Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në Trepçë, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saja për gjithë Kosovën. Pra ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe Trepçën pra. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun – përkundrazi, duhet të alarmojmë gjithë miqtë tanë për ndërhyrje politike në sistemin tonë politik; si gjitha të tjerat të deritanishmet. Mbi të gjitha, në asnjë rrethanë, nuk duhet që veprimet e qeverisë sonë të ndërlidhen me veprimet propaganduese e joligjore të Serbisë.

-3-

Ka një parim universal në transferimin pronësor të pasurisë; ajo – pasuria pra – transferohet me gjithë detyrimet, me borxhet pra; dhe kjo bën premisën e tretë të diskutimit tim mbi Trepçën. Transferimi pronësor i Trepçës – nga një ndërmarrje shoqërore nën administrimin e një fondi mirëbesimi që sot mbanë emrin AKP, në një ndërmarrje publike e administruar nga vet Qeveria e Republikës – nënkupton e mirëkupton ndërlidhshmërinë e borxheve me pasurinë e të pasurisë me borxhe.

Republika e re e Kosovës, e shpallur dhe krijuar më 2008, ka pranuar të gjitha borxhet e pasurisë së trashëguar – përderisa ato borxhe mund të dokumentohen në ndërlidhshmëri dhe ekskluzivisht me vet pasurinë. Sepse detyrimet e borxhet e saja kanë pasur karakter të garancisë e njohjes ndërkombëtare. Mbi këto borxhe (të dokumentuara) janë krijuar edhe asetet që ne i kemi trashëguar post-pavarësisë. Pra ne nuk mund të pretendojmë trashëgiminë e një aseti, duke e shkëputur asetin nga borxhet e tij. Thënë ndryshe, një kredi e marrë nga Trepça (nga një sistem politik i njohur ndërkombëtarisht), prej një institucioni kredidhënës ndërkombëtar (nga të njëjtit që marrim borxhe edhe sot), e i investuar në asete të cilat i trashëgojmë tani – një kredi e tillë pra – është borxh i pakontestuar i ndërmarrjes dhe secilit pronar e trashëgimtarë të saj. Ne, ndërsa, mund të kontestojmë dhe refuzojmë secilin borxh që plotëson kriterine  diskriminimit – pra të gjitha borxhet e marra gjatë regjimit të Millosheviqit dhe të përdorura për qëllime krejt tjera nga qëllimi fillestar i marrjes së borxhit. Kjo e drejtë na është garantuar sërish edhe me ligjet e para të misionit të Kombeve të Bahskuara në Kosovë por edhe me vet Pakon e Ahtisaarit.

Sipas prezantimeve qeveritare, llogaritet që Trepça ka mbi 1.4 miliardë kërkesa për borxhe; një pjesë e madhe e të cilave ndërlidhen edhe me vet punëtorët e saj. Një pjesë tjetër mund dhe të dokumentohet si jo valide, sidomos kur pretendimet për borxhe vijnë nga fondet Millosheviqiane; por gjithsesi, është fakt i pakontestuar se nuk ka as edhe një vlerësim të vetëm mbi vërtetësinë e këtyre borxheve. Për këtë natyrisht duhet drejtuar përgjegjësinë në AKP dhe vet institucionet e Kosovës të cilët nuk kanë bërë e dhënë as edhe më të voglin angazhim për të përfunduar një evidentim të tillë. Institucionet, sepse tash e sa vite kanë lënë AKP-në pa bord e pa strukturë udhëheqëse, e AKP-në sepse kur ka pasur një të tillë nuk ka përfunduar as aktin më të domosdoshëm rreth Trepçës – pra verifikimin e kërkesave të deponuara tek ta – për borxhe.

-4-

Në këto rrethana Kosovës i kishin mbetur dy alternativa, e para që Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike. Shndërrimi në ndërmarrje publike – me ligj të veçantë – do të kthente pasurinë në pronësi të Qeverisë, por njëtrajtësisht do të nënkuptonte edhe marrjen përsipër të të gjitha borxheve të ndërlidhura me Trepçën. Në këtë logjikë, Kosova brenda natës mund t’i shtonte vetes – në skenarin më të zi – rreth 1.4 miliardë euro borxh të njohur ndërkombëtarisht. Propozimi – për transferim në ndërmarrje publike dhe më pas llogaritje të borxheve nuk ishte i ri, ishte propozim i qeverisjes së kaluar. Personalisht nuk do t’i rekomandoja asnjë qeverie marrjen e një vendimi të tillë pa ditur saktësinë dhe vërtetësinë e këtyre borxheve. Pra natyrshëm, për t’iu shmangur secilit rrezik për hiperborxhe dhe bllokim financiar të shtetit – do të verifikoja ato e më pas do të mendoja zgjidhjen. Secili qatip mediatik amator që me hamendje e me rrahjegjoksim pretendon vërtetësinë e këtyre borxheve, pa asnjë procedurë verifikuese arbitrazhi vendor apo ndërkombëtar – pra hesapon me kutrum – nuk e ka as më të voglën ide për natyrën e problemit. Këto punë nuk shkojnë me emocione. Borxhet mund të dalin dhe zero, siç dhe mund të dalin 1.4 miliardë; për këto gjithsesi duhet procedurë.

Alternativa e dytë (gjithmonë për t’iu shmangur falimentimit) mbetej që të gjenden forma të mençura ristrukturimi e riorganizmit, alternativa e ide ligjore që do t’i mundësonin Kosovës pasjen e një fotografie të qartë të secilit skenario të mundshëm. Pra na duhej gjithsesi një strategji dhe një trajtim i veçantë për të zgjidhur një herë e mirë problemin më kompleks të mundshëm; atë të Trepçës.

-5-

Defekti i politikëbërjes sonë ishte në formën dhe mënyrën e prezantimit të kësaj alternative. Sikur e njëjta të jepej fillimisht, si ide e parë pra, kam përshtypjen se do të pranohej nga të gjithë. Në fund të fundit, e njëjta nuk ndryshonte asgjë nga e djeshmja, e pardjeshmja e deri tek pesëmbëdhjetë vite më parë. Kjo natyrshëm në vete dhe mbetet problem. Nuk merr asnjë arsyetim vonesa për zgjidhje të asetit më të rëndësishëm strategjik e ekonomik tonin. Por gjithsesi, kërkesa për një strategji të veçantë dhe ligj të veçantë – për transformim në ndërmarrje publike – mbetet për mendimin tim plotësisht valide. Dhe në këtë problematikë u krijua disfata më e turpshme politike për Kosovën; pretendimi i Serbisë se kishte përcaktuar agjendën sovrane të Republikës sonë. Madje jo vetëm aq, kishte vendosur që çështjet pronësore – si “pasuri të Serbisë” – t’i trajtonte në Bruksel.

Nëse një pretendim i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë Kosova për herë të parë do të regresonte institucionalisht e me sovranitet që nga shpallja e pavarësisë. Do të ishte akt i paprecedent, i pafalshëm dhe në çdo rrethanë armiqësor ndaj Kosovës – thjeshtë do të ishte anti-kushtetues. Sepse, për të qenë një pasuri e paluajtshme në Kosovë pasuri e Serbisë, do të duhej që Kosova të ishte Serbi. Këtë ide fashiste ka kohë që e kemi zgjidhur – këtë e dimë. Për diskutimet në Bruksel ndërsa, nëse duhet të diskutojmë për diçka, atëherë do të diskutojmë jo për pronën që na e njeh e gjithë bota që ka njohur shtetësinë e Kosovës, por do të diskutojmë për suksesionin (hisen) në pasurinë e ish-Jugosllavisë, për fondet e plaçkitura pensionale nga qeveria e Serbisë, dhe mbi të gjitha, për dëmet e luftës – për miliarda euro dëme të bëra para vitit 1999 në Kosovë.

-6-

Institucionet e Kosovës kanë vendosur para vetes një moratorium të ri të trajtimit të problemit të Trepçës, i cili moratorium mund të zgjasë rreth 18 muaj të plotë. Në këtë periudhë institucionet tona do të duhet të funskionalizojnë fillimisht AKP-në, pra ta bëjnë me Bord e me strukturë udhëheqëse, e më pas duhet t’i mbledhin mendjet më të mira ekonomike, biznesore e ligjore – veçanërisht ligjore – për të gjetur një zgjidhje adekuate.

Në gjithë këtë rrugë, ne duhet të ngrisim zërin kundër secilit pretendim territorial dhe të pasurisë së Kosovës nga fqinjët e Kosovës; sidomos kur këto pasuri na janë garantuar ndërkombëtarisht gjithherë.

Në fund fare, duhet pasur jashtëzakonisht kujdes ndaj një neni në ligjin e ri, i cili specifikon konsultimet me komunat veriore për fatin e pasurisë nacionale. Si në ikje, por e thënë në plotni, ky nen do të ishte sërish pengesë serioze e trajtimit të pasurisë së Kosovës. Pasuria nacionale e Kosovës nuk është pasuri komunale. Kur privatizojmë PTK-në nuk pyesim Komunën e Prishtinës e banorët e saj veçse PTK gjendet në Prishtinë; kur privatizojmë KEK-un nuk merremi me banorët në Obiliqit; e kur koncesionojmë Aeroportin nuk marrim aprovim në Lipjan. Njëtrajtësisht, nuk do të duhej të merrnin e as të mendonim të merrnim ndonjë pëlqim e ide nga veriorët për pasurinë nacionale të Kosovës. Sepse, siç na është garantuar me vet shtetësinë, pasuria e Kosovës nuk është e një pjese të Kosovës, është e gjithë popullit të saj.



Monday 19 January 2015

REPUBLIKA IME E MJERË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 JANAR 2015

Qëndrimet kundër të vrarëve, të zhdukurve e shqiptarëve të tjerë vijnë nga zyrat e Republikës, gjejnë mbrojtjen e Republikës, paguhen nga taksat e Republikës – dhe janë kundër Republikës. Kështu, Republika ime mbetet më së paku Republikë. Mbetet e mjerë.

-1-

11840 është numri i të vrarëve në Kosovë – numër ky i përmbledhur në një botim të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Nga ta, 1392 janë fëmijë e 1882 të moshuar. Nga fëmijët ndërsa, 296 janë nën moshën 5 vjeçe. E mendoni pak? Plot 296 fëmijë të vrarë nën moshën 5 vjeçe; nën 5 vjet për atë Zot. Ky është bilanci i luftës në Kosovë.

Një ministër i Republikës sime – Jabllanovic pra – injoron gjithë vrasjet sikurse të ketë jetuar shumë larg nga këtu; por s’është ashtu. Ky ministër Republike që mbanë moshë të përafërt me mua, ka kaluar gjithë jetën e tij në Kosovë, në Leposaviq të Kosovës – jo më larg se tetëdhjetë kilometra nga unë. Dhe, përveç nëse nuk ka tru të çrregulluar nga ndonjë sindrom kretinizmi e mohimi patologjik, ai mbanë rend e mirë secilën ndodhi të vendit tonë të përbashkët. Ai mbanë rend e mirë – siç mbajë rend e mirë dhe unë – trupat paramilitare, militare e policore që për vite rresht kishin bërë kërdi çnjerëzore; aq çnjerëzore sa u dashtë intervenimi i parë një superaleance perëndimore për ti bombarduar e ndalur çnjerëzorët si ta. Ai mbanë rend e mirë – siç mbajë rend e mirë dhe unë – gjetjet e trupave të zhdukur jo në Kosovë, por në Rashkë të Serbisë; dhe atë jo në vitin 1999, por plot 15 vite më pas, në vitin 2014 – të groposur e të mbuluar me gjakftohtësi jo vetëm më dhe e gurë, por me një ndërtesë të tërë – e gjitha mbi fëmijë e pleq e civilë. Ai i mbanë rend e mirë të gjitha.

Por si është e mundur që masakrat në Kosovë t’i njeh e gjithë bota e mbarë, por nuk i njeh një ministër Republike që ka kaluar gjithë jetën e tij i rrethuar nga masakrat? Çfarë e shtynë një ministër Republike të komunitetit serb të mohojë një fatalitet njerëzor – nëse jo ndaj bashkëqytetarëve të tij – thjeshtë ndaj qenieve si ai? Nga kjo urrejtje ndaj të vrarëve që nuk sot nuk kanë zë? Mbi të gjitha, pse është ende ministër një fashist si ky?

-2-

E mbrapshta e një ministri model si ky megjithatë nuk mbaron këtu. Vetëm një javë më parë i njëjti – dhe të njëjtët pas tij – i kishte quajtur egërsira nënat e dëshmorëve të atdheut, për ta tjetërsuar Republikën time e tuajën e të tijën në fund si krahinë të Metohisë. Një tjetër ministër si ai kishte hequr stemën e Republikës nga komunikimet zyrtare qeveritare dhe kishte refuzuar rrjedhimisht të komunikojë ministria e tij në shqip; përderisa një komunë tjetër ngjitur me Prishtinë kishte lëshuar komunikatë zyrtare si një komunë që ndodhej në Serbi.

Qëndrimet e tilla vijnë nga zyrat e Republikës, gjejnë mbrojtjen e Republikës, paguhen nga taksat e Republikës – dhe janë kundër Republikës. Kështu, Republika ime mbetet më së paku Republikë. Mbetet e mjerë.

Vetëm muaj më parë, në Qeverinë e Kosovës vendet e rezervuara udhëhiqeshin nga serb që me përkushtim shpeshherë dhe më të madh se shqiptarët bënin shumë për Republikën. Ata pranonin Republikën si atdhe të barabartë të të gjithë etnive – siç dhe definohet me Kushtetutë. Kishin pasaportë të Republikës, mbronin stemën e Republikës, e bënin vet Republikën. Të njëjtit u flakën këtë herë, kur në zgjedhjet e kurdisura në të gjitha bashkësitë serbe u shpërfaq një listë serbe që sot – institucionalisht – provon të zhbëjë secilën pjesë të Republikës, përfshirë dhe ato më të ndjeshmet si dëshmoret, viktimat e vet shtetësinë.

-3-

Ministra fashistë si këta – në asnjë rrethanë normale – nuk do t’i shihnin zyrat e stemat e qeverisë për një orë pas qëndrimeve; hiç për më shumë. Sepse Republika dhe qeveria nuk janë punë mendimesh e interpretimesh të tekeve fashiste individuale; nuk janë këto kopshte fëmijësh me meny përzgjedhjeje të sjelljeve e bëmave. Tjetërsimi i Republikës nga institucionet e Republikës është shkelje e secilit betim, secilit përkushtim dhe secilit qëllim institucional. Mendimet e lira – dhe atë jo nxitëse të urrejtjes – mund të bëhen jashtë saj. Secila sjellje tjetër, ndërsa, ndjekë rregulla; u thonë ligje, u thonë Kushtetutë.

Mosshkarkimi i tyre – në grup pra – përbën fatkeqësinë më të madhe të qeverisë së re. Do të duhej të tregonte fuqi, seriozitet dhe në fund kredibilitet përballë qytetarëve të saj; t’u dal zot pra të vrarëve, të zhdukurve, nënave të tyre e vet Republikës. Ndryshimet nisin mu nga qëndrime si këto, pavarësisht konsekuencave e presioneve eventuale. Në fund të fundit një koalicion shumicë shqiptare nuk do të duhej as për së afërmi të mendonte derivatet e shkarkimit e përjashtimit – dhe kështu dhënies së shembullit – për refuzuesit të Republikës. Do të vinin të tjerët pas tyre, siç dhe kishin qenë të tjerët para tyre. Sepse po nuk u reagua tani, mu tani, të tjerët do të nxiten njëtrajtësisht. Fjalët kundër Republikës do të shndërrohen në punë kundër saj, bindjet do të marrin hov më shumë  e zhgënjimet eventuale do të bëhen realitet.

-4-

Lista serbe mund të dalë e pandreqshme; dhe ky fakt mund të jetë lajmi më i keq që promovuesit dialogues të saj mund të marrin. Lajmi më i keq për të tjerët ndërsa, pra për shtetin e të gjithë etnive, për neve, për vet serbët e moderuar e liderët e tyre normalë, është se e gjithë përpjekja e përbashkët pesëmbëdhjetëvjeçare është zhbërë brenda një viti. Kështu, në gjuhë të pesëmbëdhjetë viteve më parë, një serb i Kosovës si Jabllanoviq mohon gjithçka shqiptare – edhe vet vdekjen e tyre pra. Ky nuk është progresi që evropianët dhe promovuesit e kompromis-dialogut kishin në mend. Tani madje, edhe gjithë ato kompromise bëhen të pakuptimta kur në kthim kemi marrë asgjë; në të vërtetë kemi marrë shumë më pak se çfarë kishim.

Por ky fakt i ri nuk nënkupton në automatizëm tolerancën tonë. Kjo sjellje e jona e tanishme – toleruese pra – mund të dëshmojnë veçse impotencën e qeverisë sonë, por nuk bën të dëshmojë idenë e një sjelljeje standarde në të ardhmen; toleranca jonë nuk guxon të bëhet standard pra. Dhe në këtë refuzim tonin ne kemi secilin mekanizëm institucional, kushtetues e të votës për të mbrojtur Republikën nga pretendime të tilla që në fund bartin vet vulën e gjithë qeverisë. Shkarkimi dhe kërkimfalja përbëjnë vetëm hapin e parë në drejtimin e mbarësisë.

Në të njëjtën gjuhë duhet të reagojmë  si shtet e vend edhe kundër agresionit politik të shtruar para nesh nga një kryeministër i një vendi agresor – Vuqiq pra – i cili Kosovën e pavarur e shtroj para minoritarëve serb si djep të Serbisë. Kështu ai jo vetëm se shkelë sovranitetin e integritetin tonë politik duke përhapur agresion destabilizues, por edhe shkelë gjithë dialogun e proceset dialoguese aq të pëlqyera nga ndërkombëtarët e aq të pranuara blanko nga të tanët. Deklaratat e tilla do të duhej të pasoheshin me letërkëmbime, qëndrime e alarme ndaj Evropës nga institucionet tona menjëherë; për të kërkuar përgjegjësi dhe mbi të gjitha reagim nga garantuesit dialogues. Secili qëndrim i qetë i yni vetëm se do t’i shtyjë të njëjtit për më shumë.


Monday 12 January 2015

NJË TREGIM NAFTE

Letra nga limbo
9 JANAR 2015

Në ekonomiks, mësimin e parë studentët kanë relacionet e kërkesës dhe ofertës. Dhe në këtë mësim, të njëjtit kuptojnë se rritja e ofertës kur kërkesa mbetet e pandryshuar ndikon në rënien eventuale të çmimeve. Çmimet e naftës po bien gjithandej sot pikërisht për shkak të relacioneve të tilla në tregjet ndërkombëtare.


-1-

Në ekonomiks, mësimin e parë studentët kanë relacionet e kërkesës dhe ofertës. Dhe në këtë mësim, të njëjtit kuptojnë se rritja e ofertës kur kërkesa mbetet e pandryshuar ndikon në rënien eventuale të çmimeve. Çmimet e naftës po bien gjithandej sot pikërisht për shkak të relacioneve të tilla në tregjet ndërkombëtare.
Në përgjithësi, janë tre faktorë kryesorë që kanë determinuar rënien e çmimit të naftës përgjatë vitit 2014 dhe që pritet të determinojnë edhe më tutje në vitin vijues pra. I pari, dhe më i rëndësishmi, ka të bëjë me rritjen e ofertës furnizuese të naftës nga SHBA-të, të cilat sot janë shndërruar në prodhuesit më të mëdhenj në botë të derivateve. Në principet bazike të ekonomisë gjithmonë, një rritje në sasinë e prodhuar – dhe rrjedhimisht të ofertuar – do të shkaktojë rënie të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. SHBA-të ndërsa, sipas raportimeve të revistës “The Economist” vetëm përgjatë vitit 2013 kanë rritur nivelin e prodhimit për 11%, duke tejkaluar kështu prodhuesin e dytë, Arabinë Saudite.
Faktori i dytë ndërlidhet me mospajtimet brenda OPEC-ut, kartelit më të madh të derivateve; më saktësisht insistimit të sauditëve dhe aleatëve të tyre të Gjirit Arabik për të mos ulur sasinë e naftës që ata prodhojnë. Ulja eventuale e ofertës së tyre do të rriste natyrshëm çmimet. Për fatin tonë të mirë, vendet refuzuese të OPEC-ut preferojnë ruajtjen e hises së tregut – pra ruajtjen e satus-quo-së – para ndryshimit të çmimeve. Në logjikën e tyre, në periudhë afatgjate hiseja megjithatë mbetet më e rëndësishme se çmimi.
Faktori i tretë, ndërsa, ka të bëjë me rënien e kërkesës së gjithmbarshme për naftë dhe derivate si refleksion jo vetën i aktivitetit të ulët ekonomik botëror, por edhe si rezultat i rritjes së përdorimit të zëvendësuesve alternativ të derivateve. Të gjithë këta faktorë – së bashku – kanë bërë që çmimet e naftës të përgjysmohen, saktësisht të bien për plot 54%; dhe rënia – për fatin tonë të mirë – është vetëm në stadin fillestar.

-2-
Përtej konsumit individual, nafta sot është produkti më i rëndësishëm në zinxhirin e gjerë të prodhimit e krijimit të pothuajse secilit produkt tjetër; pra është produkti më i zakonshëm në tërësinë e produkteve që krijohen e prodhohen sot në Kosovë. Nafta – për secilin ngutanak – nuk është veçse ushqyes i vozitjes automotive – porse është ushqim i gjithë aktivitetit ekonomik të një vendi. Rrjedhimisht, secila ulje e çmimit të naftës do të duhej të prekte pozitivisht një tërësi aktivitetesh ekonomike në vend – një input ky tepër esencial për zhvillimin tonë ekonomik dhe të secilit vend tjetër në zhvillim. Pora rënia e çmimeve të naftës është një dhuratë e papritur që natyrshëm do të duhej të rriste kapacitetet tona kursyese dhe rrjedhimisht – nga to – investimet e gjithmbarshme në aktivitete që krijojnë vlerë; është një dhuratë e mirëseardhur.
Por, për fatin tonë të keq, në Kosovë, naftëtarët kanë bërë një zgjedhje kundërintuitive e mjaft të kushtueshme për vendin. Ata, paradoksalisht, ndjekin në përpikmëri rritjet e çmimeve të naftës nëpër tregjet ndërkombëtare, por tregohen jofleksibil e të ngurtë kur bëhet fjalë për rëniet drastike të çmimeve, siç është edhe ky tani. Këtë dhuratë të gjithëmbarshme, këta naftarë, kanë vendosur ta mbajnë veçse për vete.
Në këtë rrethanë më dalin dy konkluzione. I pari, spekulativ por jo dhe larg mundësive, se naftarët nëpërmjet marrëveshjeve për kurdisje apo thjeshtë mirëkuptimit nga komforti që kanë, kanë zgjedhur që të mos ndjekin trendet ndërkombëtare për të përfituar shpejtë e shumë nga situatat e tilla; pra është sjellje tipike e profiterëve të rasteve e krizave. Dhe e dyta, se në Kosovë nuk ka mjaftueshëm konkurrencë mes importuesve dhe se duhet licencime shtesë.
Nëse ka kurdisje, atëherë një intervenim dhe hetim i Atuorititetit të Konkurencës do të duhej të niste punë. Në fund të fundit nuk do të ishte as hera e parë e as e fundit që ky autoritet ka investiguar – dhe dënuar – operatorët e naftëtarëve. Nëse ka mungesë të konkurrencës, ndërsa, atëherë një intervenim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë do të duhej të hapte rrugë për operatorë të ri, për liberalizim pra.

-3-
Të dhënat e fundit mbi çmimin e naftës nga tregjet ndërkombëtare, tregojnë se një litër naftë sot kushton 0.28 euro. E njëjta litër vetëm gjashtë muaj më parë kushtonte plot 0.61 euro. Pra bëhet fjalë për një rënie prej 54% në çmimin e furnizimit. Sipas kësaj llogaritje, me gjithë implikimet proporcioanle të TVSH-së, një litër naftë sot – së paku – do të duhej të shitej për 0.35 deri në 0.38 euro më lirë në Kosovë se sa që është shitur gjashtë muaj më parë, sepse për aq blehet më lirë nga vet naftëtarët kosovarë.
Në fjalë tjera, sikur naftëtarët të përcillnin trendet njëmend, atëherë një litër naftë në Kosovë do të kushtonte jo më shumë se 0.85 euro, aq sa kushton sot edhe në Maqedoni; dhe se ky çmim do të duhej të reflektonte me kohë e proporcionalisht në rëniet eventuale të tjera.

-4-
Qeveria e Kosovës e ka për obligim ndërhyrjen në raste të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për një sektor kaq të rëndësishëm biznesor e ekonomik tonin. Fillimisht, Qeveria e Kosovës duhet të shikoj mundësinë e ndryshimit shkallës së akcizës në naftë. Sepse sot kosovarët paguajnë plot 0.35 euro akcizë fikse për secilën litër naftë që blejnë. Në çmimin e tanishëm të naftës, i bie se për një litër naftë ne paguajmë plot 125% akcizë. Përveç kësaj, kosovarët paguajnë dhe 16% taksë në vlerë të shtuar. Pra ka një kosto të pakuptimtë dhe të rënduar mbi kosovarët nga qeveria e tyre. Natyrshëm se uljet në akcizë do të kishin implikime buxhetore por secila ulje do në çmim të naftës do të rriste aktivitetin ekonomik tonin. Mbledhja e parave për buxhet nuk do të duhej të nënkuptonte edhe mbytjen e secilit aktivitet tjetër investues në vend.
Së dyti, Qeveria e Kosovës me gjithë mekanizmat e vet duhet të hetojë dhe investigojë ngurtësimin e naftëtarëve për të parë defektet dhe problemet eventuale. Nëse ka kurdisje, atëherë them se duhet të tregojë rendin ndaj një sektori që në të gjitha rastet ka treguar padëgjushmëri ndaj mekanizmave qeveritar dhe profiterizëm në rastet si ky.
Në fund fare, nëse mekanizmat e Qeverisë janë të dobët për të ndërhyrë në situata si këto, them që duhet të mendojmë edhe kalimin në një treg të rregulluar – sikurse në rastin e energjisë elektrike – ku çmimet do të përcaktoheshin më pas nga një autoritet rregullues publik; ndonëse një alternativë si kjo, më mbetet më pak e preferuar. Rregullimi i tregut të naftës nuk do të ishte risi; sepse, nëse asgjë tjetër, me vet licencimin e kompanive importuese, të kufizuara siç janë, ky treg veçse është i rregulluar. Rregullatori madje është i paraparë dhe i modelual edhe me Ligjin nr. 03/l-138, për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, të miratuar më 25 qershor të vitit 2009, ku në Nenin 11 thuhet se Qeveria e Kosovës mund të ndërhyjë në rastes kur ka “...lëvizje të mëdha të çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregun botëror dhe mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizje të tilla”. Në po të njëjtin Nen thuhet se  “…Qeveria mundet, me qellim të mbrojtjes së konsumatorëve, eliminimit të çrregullimeve në treg apo nga arsyet e tjera në interes shtetëror, të përcaktojë çmimet shitëse maksimale (minimale) me shumicë dhe pakicë, të përcaktojë marzhat tregtare maksimale për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe të ndërmarrë masa të tjera në përputhje me ligj”. Pra Qeveria e Kosovës ka sot secilin mekanizëm të nevojshëm për të ndërhyrë dhe trajtuar ngurtësimin e pakuptimtë të naftëtarëve në vend. Sa më i shpejtë ky intervenim, aq më i madh përfitimi i gjithmbarshëm në vend.

abdixhiku@facebook.com