Monday 29 June 2015

NJË EKONOMI QË NUK NIS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 QERSHOR 2015

Mbi trendet e fundit në rritjen ekonomike, deficitin tregtar, investimet e jashtme, remitencat, inflacionin e papunësinë

-1-

Është bërë tërësisht e zakonshme – fatkeqësisht – praktika e publikimeve të analizave ekonomike dhe neglizhenca diskutuese e tyre. Jemi në gjendje të flasim me javë rend për gjërat më të parëndësishme të mundshme, por as edhe një gjysmë dite nuk e japim dot për, diçka si, rrjedhat ekonomike të Kosovës; për rritjen ekonomike, vendet e punës, investimet e jashtme apo deficitin tregtar – për punë e mirëqenie pra.

Këtë muaj, Banka Qendrore e Kosovës kishte publikuar raportin vjetor të ecjes sonë ekonomike përgjatë vitit 2014. Fatkeqësisht, ky raport, kaq i rëndësishëm, vazhdon të publikohet plot gjysmë viti pas përfundimit të vet vitit analizues. Dhe kjo vonesë, bashkë me mungesën e një debatit më të gjerë shoqëror, të akademikëve, intelektualëve e ekonomistëve plot – që i krijojmë me mijëra sosh për vjet – më bindë përfundimisht për dy gjëra.

E para, se sado që nuk kërkon thellësi shumë, marrja erë në ekonomi është sport i shtrenjtë për kosovarët; nuk e bëjmë dot – rrjedhimisht dhe s’merremi me të. E dyta, edhe më e rëndësishmja, se politikat ekonomike këndej bëhen pa kurrfarë ndërlidhshmërie me të dhënat ekonomike. Numrat, siç dhe thjeshtëzohen këto trende rëndom, nuk bëjnë bazë të një nisme politike që mesiguri përcakton me vite fatin e mirëqenies këndej.

-2-

Raporti i publikuar këtë muaj, nga BQK pra, bën një përmbledhje gjenerale të ecjes sonë ekonomike përgjatë 2014-ës. E duke ditur natyrën përcjellëse të efekteve ekonomike nëpër vite, të gjeturat domosdo përcaktojnë dhe ecjen tonë sivjet.

Ndër rrumbullakimet e para – dhe më të rëndësishme – të raportit, mbetet rritja jonë ekonomike e vitit 2014; ishte vetëm 2.7%. Kjo rritje vinte pas një parashikimi tejet modest për rritje, prej 3%; që do të thotë, se vitin e shkuar ky vend nuk kishte arritur të realizonte as objektivin më modest të mundshëm të tij. Herën e fundit kur Kosova kishte rritje ekonomike prej 2.7% ishte viti 2004; vetëm pasi kishte kaluar nëpër një periudhë të trazirave etnike, të pasigurisë e kaosit.

Kosovës, përndryshe, i duhet një rritje ekonomike prej 7-8%, për dhjetë vjet rresht, pra trefishi të tanishmes, për të akomoduar kërkesat e reja për vene pune, e për të arritur mesataren regjionale të standardit jetësor. Me ritmet e tanishme, do të na duhen 80 vite për t’u barazuar me një mesatare evropiane.

Mbi të gjitha, edhe kjo rritje modeste, tejet modeste pra, është bazuar në rritje të konsumit e remitencave kundrejt uljeve të investimeve e eksporteve – krejt e kundërta prej çfarë realisht do të na duhej përvjet. Sepse, në secilën rrethanë, rënia e investimeve – publike a private pa dallim – e shoqëruar nga rëniet e eksporteve, dëshmon se sa e paqëndrueshme dhe sa e pareplikueshme është baza e rritjes sonë ekonomike. Në të vërtetë, po të mos ishin rritjet e remitancave përgjatë vitit 2014, për plot 12% madje, kjo rritje e jona do të ishte edhe më e ngushtë. Është vetëm falë ndihmave të diasporës që ne mbijetojmë disi. Në vitin 2014, ato kishin arritur në plot 693 milionë euro – vlerë rekorde e shënuar ndonjëherë.

-3-

Lajmi më i rëndë, ndërsa, i vitit që shkoj, ishte tkurrja e investimeve të jashtme direkte në Kosovë. Për vetëm një vit, këto investime kishin rënë për plot 46%; nga 258 milionë euro, sa ishin në vitin 2013, në vetëm 176 milionë euro. Nuk mbaj mend kur kemi pasur një nivel kaq të ulët të investimeve të jashtme direkte sinqerisht.

Në nivelin e tanishëm të zhvillimit ekonomik, prurjet e jashtme mbesin alternativat e vetme të rimëkëmbjes. Kosova as nuk ka, e as që mund të ketë, burime të mjaftueshme që nisin këtë rimëkëmbje. Kosova, ç’është e vërteta, me shkurtimin prej 46% të investimeve të jashtme ka shkurtuar për aq – dhe më shumë – edhe mundësinë e ringritjes së saj. Dhe ky shkurtim vjen pas një sërë shkurtimesh të përvjetshme. Kujtoj, se në ditën e parë të pavarësisë, Kosova shënonte plot 400 milionë euro investime të jashtme në vit. Është ecje sinqerisht e rëndë, mjeshtërisht e mbrapshtë, potencialisht rrënuese.

Në vitin e shkuar, vlera e importeve kishte arritur nivelin rekord; plot 2.5 miliardë euro. Kaq janë paratë që i dërgojmë jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve gjithsesi. Eksportet, ndërsa, kishin shënuar vlerën prej 325 milionëve. Ato mbulonin importet me vetëm 13%, për të dhënë një bilanc përfundimtarë të deficitit tregtar prej plot 2.2 miliardë eurove; për gati 5% më i lartë se sa një vit më parë.

E kam thënë vazhdimisht, do ta them sërish, përderisa nuk fillojmë zëvendësimin e një pjese të importeve, me prodhim e krijim të brendshëm, përderisa nuk fillojmë pra të mbajmë paranë këndej, vështirë se do të gjejmë brumë për zhvillim. Asgjë nuk mbetet këtu; gjithçka që vjen e krijohet, ikën për jashtë – në importe.


-4-

Lajmi i vetëm i mirë i vitit që shkoj, ishte niveli i ulët i inflacionit. Vetëm 0.4% përgjatë gjithë vitit 2014. Çmimet, gjatë këtij viti ishin rritur në produkte të alkoolit e duhanit, në energji elektrike e në veshmbathje. Ishin zvogëluar – në masë të theksuar madje – nga rënia e kostove të arsimit dhe nga rënia e çmimeve të naftës – që kishte nisur një zinxhir të ri rëniesh. Ushqimi, ndërsa, kishte shënuar rritje prej vetëm 0.2%.

Në të vërtetë, një vendi me kaq telashe, me kaq ngufatje, vetëm ngritja e çmimeve i mungonte për ta vënë në gjunjë përfundimisht. Në një llogaritje të “indeksit të mjerimit”, një kombinim i nivelit të inflacionit vjetor në Kosovë me nivelin e papunësisë (prej 30.3% - sipas të dhënave zyrtare) do te vendoste Kosovën në top 15 vendet më të mjerueshme në botë.

Dhe nuk do të na duhen fare rangimet për të kuptuar se në vitin 2014, Kosova njëmend ishte një vend i mjerimit – dhe vazhdon të jetë. Kur nga vendi ikin për pak muaj plot 120.000 banorë, pra rreth 7% e popullsisë së gjithmbarshme të vendit, të duhet shumë pak rangim për konfirmim.

-5-

Viti ishte i rëndë. E për fatin tonë të keq, do të vazhdojë të jetë i rëndë edhe ky i sivjetshmi. Ta mendojmë për pak. Rritja ekonomike, për shkak se nuk ka bazë, as sivjet s’ka për t’u rritur më shumë se 3%. Konsumi e remitencat do të kontribuojnë në shtim, por mungesa e investimeve private – jo publike pra – do të vë pragun e epërm. Investimet publike, si proporcion e vlerës ekonomike që krijohet në vend, kanë arritur pikën e ngopjes – s’mund të rriten më tej. Investimet private ndërsa, që kanë potencial për rritje, do të kenë qenë të goditura nga viti i vështirë paraprak. Investimet e jashtme ndërsa, kanë qenë në rënie, dhe përderisa nuk ndodhë ndonjë mrekulli me asetet publike ose me ndonjë superinvestim, ato kanë për të mbetur në nivel të njëjtë për një apo dy vjet.

E gjithë kjo, ka për të ndikuar në potencialin tonë krijues, si ekonomi pra. Kështu, do të eksportojmë më pak, do të importojmë më shumë. Do të kemi deficit më të lartë tregtarë. Si çdo vjet, si përherë.

Dhe në fund të vitit, diskutimin e vetëm ekonomik do ta bëjmë vetëm rreth buxhetit. Vetëm rreth atij dokumenti kontabiliteti që merret më shumë me barazime se sa me ide zhvillimore. Madje, dhe në ato barazime nuk jemi mirë. Sa për rikutjim, borxhi publik në vitin 2014 ishte rritur për plot 22%.


Monday 22 June 2015

NË HARRESË E INDIFERENCË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 QERSHOR 2015

Rasti i Sllovenisë është produkt tipik i neglizhencës dhe harresës që Kosova ka ndërtuar me jashtë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të zënë e të dhënë mbas banesave, zaptimeve, tenderëve, mashtrimeve, madje dhe selfieve me ta, ne kemi qëndruar indiferentë përballë angazhimit insistues të Serbisë kundër nesh – deri sa u ndërruan rolet në tërësi; agresori u bë persekutues, e viktima i persekutuar.



-1-

Nuk e kuptoj për çfarë, nuk e kuptoj pse, një vend evropian si Sllovenia duhet ti bëj asistencë një fletë-arresti të lëshuar nga një qeveri që sheh gjithë përpjekjen e Kosovës si kriminale; vazhdimësi e politikës së Millosheviqit. Nuk ka rëndësi kush ishte këtë herë, mund të ishte politikan, mund të ishte biznesmen, turist e çka jo tjetër – por ndalesa e një qytetari kosovar mbi bazat puro politike të një shteti tjetër, jep shije të tmerrshme të dinjitetit tonë shtetëror përballë të gjithëve.

Jep fillimisht shije të tmerrshme në relacion trajtimi me një vend evropian, që preferon të shkelë mbi relacionet tona shtetërore, për të nderuar padrejtësisht të tjerat – duke ditur në plotni e mirëfilli tendencat çmendurake të të fundit. Sepse, një vend evropian, siç dhe duhet të jetë, e ka fare të lehtë të pastrojë thirrjet për arrest të individëve që shëtitin lirshëm gjithandej nëpër Evropë; dhe mbi të gjitha, të individëve që për qëllime politike janë listuar nga secili regjim neo-Millosheviqian.

Në të njëjtën logjikë do të arrestoheshin e mbaheshin gjysma e kryeministrave të Kosovës, ndaj të cilëve Serbia ka ngritur përndjekje tash e sa kohë. Në të njëjtën logjikë, Sllovenia nuk do të duhej të njihte Kosovën në rend të parë. E kur ka vendosur ta njohë atë, është dashur që për këto shtatë vite shtetësi të konsultojë me autoritetet kosovare vërtetësinë e natyrën arresteve politike për qytetarët e saj. Është dashur të sillej tamam si evropian; siç dhe janë sjellë të gjitha vendet tjera nëpër të cilat kanë kaluar individët e listuar tash e sa vjet.

-2-

Por problemi i ndalesave mbi bazat e regjimeve serbe, Millosheviqiane e post-Millosheviqiane, shpërfaqë sysh një të vërtetë krejt tjetër, shumë më fatkeqe se kjo. Në fakt, ndalesat e tilla janë vetëm konsekuencë e një procesi të tërë neglizhence e tolerance të pakuptimtë ndaj agresorit që ka ngjarë këndej.

Rasti i Sllovenisë është produkt tipik i neglizhencës dhe harresës që Kosova ka ndërtuar me jashtë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të zënë e të dhënë mbas banesave, zaptimeve, tenderëve, mashtrimeve, lukseve, mëditjeve, drekave e darkave – madje dhe selfieve me ta, ne kemi qëndruar indiferentë përballë angazhimit insistues të Serbisë kundër nesh – deri sa u ndërruan rolet një ditë; agresori u bë persekutues, e viktima i persekutuar.

Kështu, përkundër të gjitha gjasave, një shtet i bombarduar nga i gjithë civilizimi perëndimor, i përlyer me ditët më johumane të mundshme të historisë moderne, me vrasje fëmijësh, grash e pleqsh gjithandej, me brutalitet në mendje dhe kurrë me pendesë, për pak vjet ka arritur të ndryshojë gjithçka, ka arritur të ngre një perde jokredibiliteti për ne gjithandej. Ne në mbrojtje, ata në sulm – sërish, si gjithherë.

-3-

E çfarë kishim bërë ne?! Të zënë me hallakamën e parë të pasluftës, të ndjekur me apetitet për fuqi menjëherë më pas, të dashuruar në tenderë në gjithë këtë kohë, e përfundimisht të rehatuar në shtet e pushtet mirë e majmë – me mend se shtetësia e diplomacia është përjetësisht statike – për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht, ne lejuam që gjithçka të kthehet mbrapshtë.

As nuk regjistruam të vrarë, as nuk regjistruam të dhunuara (madje i fshehëm ato si të turpshme), as nuk matëm dëmet e luftës e as nuk shpallëm si vrasës vrasësit. Imazhin dhe përkrahjen e ditëve të para e morëm si të qenë, për më tepër, si të përjetshëm. Bota, menduam ne, do të bënte punën për ne.

Për të mos mjaftuar kjo, kur u kërkua nga ne të uleshim në tavolinë me ta, me vet vrasësit e trashëgimtarët që nuk dinë ende për pishman, ne nuk kishim asgjë për t’u thënë; as numra, as emra, asgjë. Rrjedhimisht u ulëm si inferiorë, as të kërkojnë një gjysmë falje nuk u thamë.

Ata, ndërsa, kishin gati gjithçka. Kur ne i lamë të lirë të hynin në Kosovë, ata refuzuan tanët të futeshin në Serbi. Kur ne nuk dërguam asgjë për përndjekjet në perëndim, ata bënë profile e argumente shpifëse që i ndanë gjithandej. Kur ne nuk ditëm numrin e emrat e të vrarëve civil këndej, ata na i shtruan të tyret thuajse janë të vetëm. Kur ne nuk bëmë gjë, ata bënë gjithçka.

“Modelin e Krushës” – që Kosova duhet ta ndërtonte në këto gjashtëmbëdhjetë vjet, dhe “Modelin e Kosovapetrolit” që e ka ndërtuar në vend, mund ta gjeni të elaboruar e shtruar me briliancë e mendjehapje në librin e fundit të Surroit, “Ambasadori i Melkizedekut”.

-4-

Rasti i Sllovenisë pra, është vetëm produkt i një neglizhence tonë ndaj gjërave që meritonin përkushtim e zmadhim të vazhdueshëm – historisë sonë të fundit; të tmerrit pra. Rasti është pasojë e rezultat i ecjes së jashtme të Kosovës nëpër vite, dhe kështu, lejimit të transformimit të agresorit në palë më kredibile se sa ne.

Sepse ne, për shkak të gjithë angazhimit të pafund për hajni, krim e budallaki – nga më të çuditshmet madje – kemi humbur secilin kredibilitet jo vetëm para qytetarëve të këtij vendit, por edhe para secilit shtet tjetër. Natyrisht se Sllovenia meriton trajtim keqardhës që shndërrohet në vegël të tillë. Për këtë, natyrisht, relacionet tona diplomatike do të duhej të tregonin reflektim.

Por mbi të gjitha, nëse duhet gjetur arsyen një mend, e kemi këtu në mes nesh. Tek të njëjtit që tash e sa kohë vazhdojnë të trajtojnë gjithçka me indiferencë e pa dinjitet. Që kanë shndërruar këtë vend dhe përfaqësimin shoqëror të tij në gjë tërësisht të pavlerë; e që kanë lejuar, paradoksalisht, ndërrimin e roleve me të njëjtit që – përkundër gjithë horrorit – sot ende sillen pa pendesë. Mjeshtëria e mbajtjes së shtetit, megjithatë, është shumë më e rëndë se sa këta kanë aftësi ta kuptojnë.



Monday 15 June 2015

NJË FABRIKË E PADITURISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 QERSHOR 2015

Individë të paditur, nga kompleksiteti i përjetshëm i të qenit inferiorë, kishin vendosur një ditë të kapnin dijen me gjoks. Donin prestigj, autoritet e respekt; donin, të shkretit, siç mendja ua merr, të kapnin atë çfarë s’kapet pa mund e pa mend. Filluan me universitet e vazhduan me të mesme, me fillore e parashkollorë. Të paditurit u bënë profesorë, arsimtarë e mësues, u bënë edukatorë. Dhe kështu nisën fabrikën e paditurisë.


-1-

Ka pasur gjithmonë një idealizëm e një përpjekje për bërje mirë, sa herë që është folur për arsimim. Ndoshta idealizmi rridhte si nevojë për t’iu kundërvënë të padrejtave ndaj shqiptarëve këndej, prandaj dhe kultivuam arsimimin me shumë pasion. Së paku pra, ka pasur një respekt për të.

Nga Lufta e Dytë e këndej, përfshirë dhe paralelizmin edukativ të 90-ve, sistemi i edukimit ka mbijetuar vetëm falë një angazhimi gjeneroz, me plot idealizëm e dashuri nga individë që e kanë parë atë si qenësor në ringritjen tonë – në bërjen e shtetit. Natyrisht se për nga kualiteti e niveli ky sistem ka qenë bukur defektoz, por, megjithatë, në kushtet e bëra ky vend kishte arritur plot efiçencë. Pra matja e sistemit të atëhershëm me mundësitë që kishte, jep rezultat mbresëlënës. Gjithsesi, kjo mbresëlënje po u krahasua me sistemet jashta vendit tonë, është vetëm mediokre. Prandaj dhe sot ne ndjejmë mungesë serioze të njerëzve të ditur gjithandej.

Që nga përfundimi i luftës e këndej, sistemi edukativ i yni, nga parashkollori e deri tek specializimi përfundimtar, ka qenë i lënë nga ndërkombëtarët në plotni të kompetencave tona. Pra përderisa gjejmë arsye të mjaftueshme për të ndyrë me përgjegjësi dështimi të gjithë të huajt kur bëhet fjalë për, le të themi, sistemin gjyqësor – sepse ata edhe e kishin në dorë atë – tek sistemi i edukimit fajtorët e vetëm i kemi në mesin tonë.

Dhe sot 16 vite më pas, kur shikon në retrospektivë, kupton dhe nivelin e tmerrshëm e të frikshëm të një sistemi i presupozuar për të dhënë dije. Si i tillë, ky sistem pra, ka gjasën e një topi bore në ferr për të prodhuar dije – dhe përfundimisht rimëkëmbje mbi dije. E nuk po flas vetëm për arsimimin e lartë (aty vetëm se kulmon paditurija), po flas nga klasa e parë – deri tek e fundja; po flas për të gjithë. Një llum i tërë ka kapur një fabrikë dije, për ta transformuar në fabrikë paditurie.

-2-

Individë të paditur, nga kompleksiteti i përjetshëm i të qenit inferiorë në mendje, kishin vendosur një ditë të kapnin shkollat me gjoks. Donin prestigj, autoritet e respekt; donin, të shkretit, siç mendja ua merr, të kapnin atë çfarë s’kapet pa mund e mend. Filluan me universitet – nga ku morën fillimisht titujt master e doktorë pa ditur ende mirë shkrim e lexim shqip – e vazhduan me të mesme, me fillore e parashkollorë. Të paditurit u bënë profesorë, arsimtarë e mësues, u bënë edukatorë. Dhe kështu, të paditurit, pasi u kishin vënë emrave përpara shkronja të titujve plot, ndërtuan një fabrikë të tërë paditurie nga ku drejtonin dijen. Kështu, ata ndiheshin njëmend të zot, përfundimisht të barabartë me të gjithë – të paditur natyrisht të gjithë.

Kjo fabrikë paditurie e tyre fillon nga parashkollorja e fillorja. Aty fëmijët e shkretë vazhdojnë të mësojnë gjërat më bizare të mundshme – edhe atë përmendësh. Nuk habitem prandaj, pse një tërësi e të rinjve sot belbëzojnë sa herë që provojnë të flasin diku. Ata janë programuar si të tillë – të flasin përmendsh, pa kuptuar se çfarë thonë. Vjersha përmendësh, mësime përmendësh, referate përmendësh, interpretime përmendësh, vlerësime përmendësh – robotë të gjithë pa fije mendimi kritik.

Padituria vazhdon me të mesme, ku shkohet ende sa për adet. E për fatin më të keq, derisa secili mbyllë sytë pas tjetrit – duke u bërë që s’ka ndodhë asgjë – një fëmijë mesatar në një shkollë të mesme mesatare në Kosovë, ka gjasa që në një paragraf të vetëm të shkruaj më shumë fjalë me gabime se sa fjalë korrekte. Pra është shumë e zakonshme sot, që një maturant të mos dijë mesatarisht mirë shkrim në gjuhën shqipe. Ç’është e vërteta, është shumë e zakonshme që sot, edhe një student të mos ndijë të shkruaj shqip. E ç’është e vërteta, është shumë e zakonshme që edhe një magjistër e doktorant sot, të mos dijë shkrim shqip. Leximin, mos t’i ngushtojmë; ashtu kështu nuk lexojnë.

E gjatë gjithë kësaj kohe (konsideratë për përjashtimet e pakta), një mësimnxënës përveç teorisë – dhe atë të thënë në formën më bajate të mundshme – dhe trushpëlarje me tekste, sipas të gjitha gjasave, jo shumë të sakta, shndërrohet në ndjekës që nuk konteston asgjë; mendimin kritik as që e ka konsideratë.

-3-

E gjithë metodologjia e mësimnxënjes, e shoqëruar pra me teori, mësim përmendësh e me mbyllje sysh para secilit vlerësim, kulmon me kopjim masiv në testin përfundimtar të maturës. Kjo tashmë është bërë kulturë. Kopjimi, i mësuar si vlerë nga fillorja, e i legjitimuar nga një pjesë e mësimdhënësve dhe në test mature, këndej mësohet pra si zotësi – jo si marre e hajni. E në replikim të kësaj zotësie, pjesëmarrës bëhen mësues, nxënës e prindër të gjithë. Askush brengë nuk mbanë. Rruga për në letrën finale, diplomën pra, është më e rëndësishme se sa vlera e diplomës së fundit kur rrugë më nuk ka. Madje, aq primitiv bëhet ky vlerësim mature sa që regjione të tëra, në nevojë brutale për t’u dalluar me të tjerat vende, angazhojnë mësimdhënësit në asistencë mashtrimi, për të dalë me rezultate mesatare mbi 90% të dijes. E të njëjtit, mos harroni, ende shkrim mirë nuk dinë.

Pas kopjimit vjen intervenimi – kulturë e zakonshme për universitet. Sërish pra me mashtrim e trajtim jo të drejtë provohet të kalohet dhe një shkallë tjetër në ngritjen përfundimtare për askund. Intervenimi – përtej nismës individuale të një pejsës së madhe – ka prodhuar shpeshherë edhe tregje kriminelësh, që sot as që mbahen në burg, ka prodhuar lista preferenciale e trashëgimie, ka prodhuar kulturë të zakonshme pas dështimit për pranim. Është gjithmonë edhe një mundësi.

Lajmi më i keq është se pas intervenimit, shtyrje pas shtyrje, sy-mbyllje pas sy-mbyllje, i mirë e i dobët të gjithë në një, shtrohen para vlerësimeve të akademikëve (sërish konsideratë shumë për përjashtimet) që me gjoks kanë kapur dijen. Në të vërtetë, kopjimin e nxënësve para studimeve, profesorët e tyre në studime e kanë bërë kaherë; vetëm se këta i kanë dhënë titull “plagjiat”. Pra i kanë dhënë një term pak më të sofistikuar. Librat e tyre të tëra kopje, punimet akademike hajgare – dhe kopje – shënimet e tyre kopje; të gjithë bashkë në fabrikën e kopjes.

Kështu studentë, sërish të mbytur në teori e hiq praktikë, me skripta – dhe shënime fotokopjesh – përfundojnë universitet. E sepse dhe këtu ishin mbyllë sytë, të njëjtit përfundojnë fakultet pa qenë të aftë për një ditë punë.


-4-

Pra i gjithë sistemi edukativ i yni, është strehimore e madhe e të papunëve. Ky sistem i mbanë të njëjtit për një kohë të shkurtë – aq sa zgjasin studimet – për t’i lëshuar dhe më të papërdorshëm se sa ishin në fillim. Ata që vendosin t’i shtojnë tituj vetes, fatkeqësisht, do të mësohen nga të njëjtit individë, të njëjtat tekste e të njëjtat forma, sikurse në fakultet. Post-diplomikët, përveç se humbin një apo dy vjet, nuk mësojnë asgjë prej gjëje në master më shumë se sa në fakultet. Janë mbajtur – në strehimoren e të papunëve – vetëm një apo dy vjet më shumë.

Këtu përfundon edhe rrugëtimi i tyre shkollor. Plot 15-20 vjet të kaluara nëpër një sistem pa ideal, tërësisht jokreativ, patetik e i kapur nga njerëz të paditur që i provojnë t’i mësojnë të tjerët diçka. Pas 15-20 viteve shkollim, pjesa më e madhe e të diplomuarëve – nëpër një sistem pra që kopjimin, mashtrimin, intervenimin, skriptimin e plagjiatin e ka vlerë tërësisht të zakonshme – pra pjesa më e madhe e atyre që kalojnë këndej, mbesin siç kishin qenë gjithherë – të papunë.

Gjasat e tyre për të marrë punë për shkak të dijeve që kanë marrë nëpër shkollim janë minimale. Do t’iu duhen kurse shtesë, orë praktike shtesë, përpjekje shtesë, për të nisur angazhim në bazën e ulët të një vendpunimi mesatar. Nga sistemi ja dalin me sukses vetëm ata që në mënyrë vullnetare vendosin përpjekjen jashta tij; këtë, ndërsa, e mbajnë sa për adet. Sa për të ngirë apetitet e rrethit për një copë letër.

Për fatkeqësinë pra më të madhe, për gjithë këto 15-20 vjet, ky sistem – fabrikë e të paditurëve – nuk pajisë asnjërin prej tyre me aftësi bazike për të qenë atraktiv. Ky sistem, shenjtëron aq shumë letrën e diplomës, saqë harron se letra, si formë legjitimuese, është e pavlerë, si gjithçka tjetër, kur merret lehtë.

E në vend të ndryshimit të këtij trendi, në vend të përpjekjes për më shumë kriter, më shumë kualitet e më shumë vlerë – për kohën e paratë e dhëna në këmbim – ne ende kemi kërkesa absurde për më shumë tolerancë, më shumë lotari provimesh, më shumë dallim me kopje e intervenim; pasojat mbesin të parëndësishme.

Fatkeqësisht, asetin e pasurinë tonë më të çmuar, njerëzoren pra, e kemi transformuar në aset të devalvuar e të papërdorshëm. I gjithë sistemi arsimor i yni nuk i shërben të mësuarve, por edukatorëve. Pra ky sistem, në vend se të shërbejë për dije, shërben për akomodim pagash e prestigji për edukatorët e tij. Kaq shumë investim, për kaq pak kthim, vështirë se gjenë.



Monday 8 June 2015

MBI TRANSFORMIMIN E PUBLIKES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 QERSHOR 2015

Natyrisht të sotshmit nuk kanë kufi. Edhe po t’u bëje pagat një milion, këta janë aq të pa ngirë sa që do të kërkonin milionin e dytë; të tretë e të njëqindtë. Pra për korrupsionin e krimin e të tillëve – dhe zgjidhjet siç duhet shmangur vendin nga ta – kanë folur të gjithë. Është e thjeshtë, hajni luftohet me guxim; pa kompromis, dhe mbi të gjitha, hajni nuk luftohet nga një hajn i dytë. Problemi është, megjithatë, se çfarë të bëjmë me të tjerët që vijnë eventualisht më pas? Sa është publikja pa korrupsion atraktiv për të tillë?



-1-

Sa herë që ngremë diskutim mbi pasurimin politik në këtë vend, me referim automatik e ndërlidhim atë me deklarimin e pasurisë. Dhe dy keqkuptime ndodhin rëndom sa herë që pasuria e zyrtarëve publik bëhet publike. I pari keqkuptim, i bërë nga vet deklaruesit, rrumbullakon deklarimin si formë të legjitimimit të pasurisë së deklaruesit; shpeshherë i marrë si i qenë dhe nga lexuesi. Thuajse deklarimi bën dhe arsyetimin e pasurisë. Nuk e bën. Për fatin tonë të keq, në mungesë të një policie financiare që monitoron, kontrollon dhe natyrisht guxon  të merret me rrjedhën e pasurisë së të tillëve, formularët vullnetarë të vetë deklarimit, si forma më e pasofistikuar e primitive e arsyetimit të pasurisë, mbetet alternativë e vetme e leximit. Një formë tipike e vetë-gjyqësisë, një kërkesë e praktikë e zakonshme tek ne në vijimësi.

I dyti ndërsa, bëhet nga lexuesit, kureshtarë për të gjykuar shumë (jo për të kërkuar llogaridhënie), që fillojnë të ndërtojnë në refleksion padurueshmëri ndaj atyre që kanë. Pra këtu futen të gjithë në një thes. Në të vërtetë, mëkati i të pasurit në një shoqëri semi-evropiane e semi-orientale, gjithmonë post-komuniste, është më i rëndi. Këndej ai që ka, ndërlidhet domosdo me krim, pandershmëri e hajni. Madje kemi krijuar një togfjalësh të mirëkuptuar tani, ofendues gjithsesi, ‘milionerët kriminelë’. Ai që nuk ka ndërsa, me patjetër është i ndershëm. Në vendet tjera të botës, dhe këtë ta themi pa hile, mospasja nuk është garanci për taksapaguesin; përkundrazi.

E kur zotësia përjashton ndershmërinë, dhe kjo nuk do të thotë që mospasja përjashton zotësinë, atëherë do ta kemi vështirë të ndërtojmë modelin e një kosovari në mirëqenie. Në vend të tij, do të krijojmë modelin e një kosovari në varësi të përjetshme, fare produktiv, në pritje për mëshirë. Nuk bëhet kështu.

-2-

Problemi i vërtetë ndërsa, nuk është tek identifikimi e kriminalizimi me automatizëm i atyre që kanë, apo dhe atyre që bëjnë. Le të kenë e le të bëjnë; ku të kemi e bëjmë të gjithë. Problemi është, megjithatë, tek identifikimi i politikanëve që kanë e bëjnë shumë – jashtëzakonisht shumë – derisa janë në politikë. Sepse, ka diçka tmerrësisht të gabuar me rritjen eksponenciale të pasurisë së individëve që angazhim e të hyrë të vetme kanë pagën publike. Është e pamundur, është e vështirë. Ka një hile në krijimin e perandorive të tilla – që ngadalë e si në pahir i deklarojnë publike; për të kërkuar pra legjitimin. Dhe kujdes, po flasim vetëm për pjesën e vetëdeklaruar tani. Pjesët e fshehura të tyre në apartamentet e blera në Vienë, Dubai e New York mesiguri s’kemi për t’i marrë vesh kurrë.

Deklarimi i sivjetshëm i pasurisë nuk ishte më ndryshe. Në Kosovën e stagnimit, të rritjes modeste ekonomike, të papunësisë, migrimit e ngufatjes shoqërore, përfshirë dhe atë të sektorit privat – rritjen e vetme të pasurisë po e shënonin politikanët tanë (natyrisht jo të gjithë); që merreshin pra vetëm me politikë.

E sado që luksi e rahatia publike mund të jetë një burim i rritjes së tillë, sepse marrin shumë për të dhënë pak, eksponencialiteti i shpërfaqur në vetë deklarime të tilla tregon shumë. Tregon pra për një sistem paralel beneficionesh, i akumuluar mesiguri edhe më shumë larg rrethit të tyre (për t’iu shmangur vetë deklarimit gjithsesi), që në gjuhën më të zakonshme të mundshme i thonë korrupsion.

Në këtë logjikë, milionerët e një vendi janë paradoksalisht politikanë, e varfanjakët e tij – borxhlinjtë e mjerë – janë bizneset. Dhe një vend e sistem që politikanët i bën milionerë e bizneset fukara, nuk e ka gjatë.

-3-

Sinqerisht nuk do të kisha asnjë problem që gjykatësit, prokurorët, taksambledhësit e ekzekutuesit e tjerë të kenë paga të majme, super të majme madje. Në të vërtetë, për një ekzekutues të mirë, të shkolluar, të guximshëm e  të ndershëm shumë, paga e madhe dhe sigurimi i mirëqenies së tij dhe familjes së tij, është një shpërblim modest – një investim – për kthimet që do ti merrnim si shoqëri. Le ta krijoj pra një pasuri të mirë nga shërbimet që i bën publikut. Një hap më tutje se idealizmi e atdhedashuria që mund ta ketë kultivuar në vazhdimësi.

Në të vërtetë, nuk do të kisha asnjë kundërshtim as për paga të mëdha për një ministër Republike, këshilltar të tij, sikur – natyrisht – të tillët të ishin më të mirët të mundshëm në fushat që drejtojnë. Së paku, si taksapagues, do të kisha siguri e garanci se angazhimi i tij do të kompensohej mjaftueshëm për të mos nxitur më shumë lakmi. Së paku, pasuria e mirëqenia e tij do të kishte dhe një rrjedhë logjike – një burim logjik.

Siç është tani, portofolio e investimit të taksave të mija jep produktin më të keq. Paguaj – si taksapagaues pra – zakonisht një militant partiak, të paditur në skajshmëri, me pagë, luks e keqpërdorime gjtihandej, dhe në fund, deklarimi i pasurisë së tij më hap njëmijë e një dyer dyshime tjera për keqpërdorime shtesë. Diçka pra nuk shkon me këtë ecuri. As ai i kënaqur me të ligjshmen e tij, unë edhe më i pakënaqur me të paligjshmen e tij – përfundimisht të gjithë në pakënaqësi.

Natyrisht të sotshmit nuk kanë kufi. Edhe po t’u bëje pagat një milion, këta janë aq të pa ngirë sa që do të kërkonin milionin e dytë; të tretë e të njëqindtë. Pra për korrupsionin e krimin e të tillëve – dhe zgjidhjet siç duhet shmangur vendin nga ta – kanë folur të gjithë. Është e thjeshtë, hajni luftohet me guxim; pa kompromis, dhe mbi të gjitha, hajni nuk luftohet nga një hajn i dytë. Problemi është, megjithatë, se çfarë të bëjmë me të tjerët që vijnë më pas – jo domosdo në një rreth ministror e politik, por në një sistem të tërë që duhet të bëjë rend e drejtësi, zhvillim e mirëqenie. Çfarë të bëjmë, eventualisht, me një gjeneratë që vjen pas tyre; që potencialisht mund të jetë e ndershme, e mbarë, e mençur dhe aktive? Sa është publikja pa korrupsion atraktiv për të tillë?

-4-

Sot, përjashto kompenizmin relativ për të paditurit, publikja (kujdes e vendimmarrjes e ndryshimit pra – jo gjithë shërbimit pa përjashtim) pa përfitime anash është zero atraktive. Vështirësitë në gjetjen e njerëzve – adekuat e kompetent pra – përballë një mundësie që ata mund të kenë, në vend e jashtë tij, janë të rëndomta. Në të vërtetë, sot shumë pak pozita paguhen mjaftueshëm për individë adekuatë – përjashto pagesën e majme për njerëz të paditur; në terma relativë ata fitojnë shumë. Mbi të gjitha, rritja e pagave në gjithë sektorin publik, pra pa përjashtim për të gjithë, ka shkaktuar efekt zero në atraktivitet në vendet ku duhet. Kështu, me ato pak para tona ne kemi shpërblyer të gjithë njëtrajtësisht (për të marrë vota natyrisht), përderisa kemi trajtuar me indiferencë pozicionet kyçe që mund të bëjnë ndryshim, e që ndoshta duan më tepër kompenzim.

Natyrisht se transformimi i publikes kërkon shumë më shumë se sa transformimi financiar, pra pagesa të mira për njerëz të ditur – në vend të pagesave të mira për njerëz të paditur. Kërkon, në të vërtetë, transformimin e mënyrës se si publikja she shërbimi publik konceptohet sot nga, fatkeqësisht, të gjithë; si plaçkë pra.

Vjen një parti, bie tjetra. Vijnë njerëzit e partisë së re, ikën të së vjetrës. Dhe sërish. Deri sa ta kuptojnë të gjithë, veçanërisht dizajnuesit e parë të një modeli të tillë, se nuk mund të ketë vend e përfitime për të gjithë. Militantë, njerëz badihavgjinjë – paguhen pak a shumë nuk ka rëndësi, janë humbje të gjitha. Paguaj sa të duash këta, nuk kanë për të bërë ndryshim. Qe 16 vite në trajnime për të mos ditur përfundimisht asgjë. Të pandreqshëm, të pazëvendësueshëm, me shefa dhe më të ligë që ndërtojnë sisteme paralele uzurpimi, zaptimi e pasurimi të shpejtë.

Pra publikja duhet të transformohet në një model që ndërthurë idealizmin e vullnetin për të bërë mirë me kompenzimin që bën të fortë jotemptimin për plaçkë. Mbi të gjitha, ajo duhet të jetë atraktive për njerëz kompetent që tregojnë efiçencë, marrin mjaftë e kthejnë shumë. Përfundimisht, ajo bëhet e hapur dhe e qartë edhe ndaj krijimit të mirëqenies – pa marre e fshehje rrjedhimisht.