Sunday 31 August 2014

PËR ZGJEDHJE TË REJA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 GUSHT 2014

Zgjedhjet e reja nuk garantojnë fitues me pesëdhjetë plus një përqind të votave; por garantojnë ecje dhe zhbllokim të gjendjes së tanishme ku vetëm me interpretime e asgjë tjetër një vend i tërë merret. Zgjedhjet e reja do të garantonin pastrimin e shumë dyshimeve, legjitimitetin e aleancave e në fund dhe ndryshimin e pazareve në mes të partive në fjalë. Zgjedhjet e reja mund të mos jenë alternativë e pëlqyeshme, por gjithsesi mbesin shumëherë më të mira se çfarë po shohim tash e çfarë potencialisht mund të na servohet në ditët në vijim.



-1-

Ka një defekt serioz në interpretimin e interpretuesve të kërkesë-shtruesve për interpretim; ka një defekt serioz në përgjigjën që deputetët si kërkesë-shtrues i bënë Kushtetueses si interpretues, për të bërë interpretimin e kërkesës së shtruar nga ta. Në ditën e parë të verdiktit, të pakënaqurit me gjithë mllefin që në vete kishin, u shpërfaqën pa pardon – kryesisht me fyerje, pak nga ta me rezon.

Por as fyerja e as rezoni nuk kishin më kuptim. Fyerjet e drejtuara ndaj Kushtetueses nga blloku opozitar, deri në ironizimin e ndërlidhur me tualet, ishin patetike. Një mendësi ku fillimisht shprehë besim për interpretim e më pas fyen interpretuesin është tipike gjuhë e humbësve – aso nga më të ligtë madje.

Të paktët nga Blloku, të cilët përdorën pra rezonin, mund të mbanin të drejtë për shprehje mospajtueshmërie, por sërish ishte e kotë në tendencën për të ndryshuar diçka; secila mospajtueshmëri do të duhej të adresohej – nëse kishte të tilla gjithsesi – para marrjes së verdiktit. Të thuhej pra se kjo Gjykatë është e kapur, vendimi i saj do të jetë politik, si i tillë i papranueshëm për ne. Por nuk e bënë, ju drejtuan institucionalisht – me të drejtë – siç dhe do të duhej t’i drejtoheshin me po aq institucionalitet kur u bë interpretimi – në fitore apo humbje.

Gjykata Kushtetuese mund të jetë e kapur; po shikuam me lenset më militante të mundshme të një kahu – siç dhe mund të jetë jo e kapur po shikuam me sy të palës tjetër militante. Në mes janë ndërkombëtarët që vazhdimisht insistojnë në respektimin e plotë dhe pa zhurmë të vendimeve institucionale. Nëse ka qenë e kapur, atëherë kapja është bërë shumë më herët – dhe në asnjë rrethanë deri më tani, asnjë nga partitë politike në vend nuk kanë adresuar idenë e ç’kapjes së saj – nëse ka qenë e kapur; as atëherë kur vendimet e saja ishin në përputhje ose jo me ato – deri dje – opozitare. Unë them se nuk kemi shumë zgjedhje sinqerisht. Them se vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen në plotni, edhe atëherë kur provojnë mendim ndryshe. Në të kundërtën asnjë element i shtetit nuk bartë më kuptim. Nëse është e kapur – e që dhe mund të jetë – atëherë duhet të zgjedhim rrugët institcuioonale të ç’kapjes, të instalimit të mekanizmave të mirëfilltë të shtetit – jo me ofendim sharje e fyerje të institucioneve që presupozohen se janë të ndërtuara si të pavarura, por me kulturë të mirëfilltë shtetërore. Në fund të fundit vet kultura e sjelljes shtetërore është pjesë e ndërtimit të vetë shtetit.

-2-

Blloku mund të mos mbajë hatër me Kushtetuesën, për vetë faktin se pjesa e dytë e vendimit mbi interpretimin e Kryeministrit është në favor të tyre. Pra e njëjta Kushtetuese, muaj më parë, i kishte dhënë të drejtë Bllokut që në raundin e dytë të nominimeve – nëse bindin Presidenten se kanë numrat – të nominojnë kryeministrin nga rradhët e veta. Rrjedhimisht, sipas dy interpretimeve të deritanishme të Kushtetueses, del se Blloku ka humbur përfundimisht të drejtën për Kryeparlamentar; këtë të drejtë e ka PDK. Por, njëkohësisht, Blloku mbanë të drejtën për nominim të kryeministrit.

Në rast se numrat dhe preferencat partiake mbesin siç janë deri më tani, pra qëndrimet partiake nuk ndërrojnë – dhe me mos ndërrim nënkuptoj se LDK-AAK-NISMA janë kategorik kundër PDK-së; nuk pajtohen me VV-në por me vete marrin minoritetet – pra nëse balancet e forcave mbesin si sot, atëherë sipas interpretimit Kushtetues skenari i qeverisjes së ardhshme është lehtë i përcaktueshëm.

Fillimisht, në seancën e parë konstituive – pra në ripërtëritjen e saj me verdikt kushtetues – PDK merr të drejtën e nominimit të udhëheqësit të Parlamentit. Blloku ka dy alternativa këtu. E para, të mosvotojë dhe kështu të hapë rrugë ose për marrëveshje për qeverisje gjithëpërfshirëse ose për mosmarrëvehsje për gjithëpërfshirje por marrëveshje për zgjedhje të reja. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes PDK-së, LDK-së, AAK-së e NISMA-s do të ishte tmerr në vete; nuk do të kishte zgjidhje më të keqe. Marrëveshja për mosmarrëveshje dhe zgjidhje të reja, ndërsa, do të ishte një dhuratë e këndshme për të dalë nga ky mishmash.

Rruga e dytë e Bllokut ndërkaq, përfshinë improvizimin. Blloku do të duhej të votojë kandidatin e PDK-së, pra të improvizojë, dhe të hapë rrugë kështu për formimin e qeverisë nga ta – në raundin e dytë nominues. Pretendimet e deritanishme të Bllokut se në raundin e dytë të zgjedhjes së Kryeparlamentarit do të shkohet me kandidat të tyre, janë jo fort të menduara mirë. Një rast i tillë do të hapte rrugë të re për interpretim të ri kushtetues – pra edhe më shumë humbje kohe – dhe në rastin më të mundshëm interpretimi i ri i Kushtetueses pas humbjes së kohës do të ishte sërish në favor të PDK-së. Kjo sepse verdikti i fundit i tyre e bën të qartë “substancën” e procesit të shkuar dhe të drejtën e pakontestueshme – sipas Kushtetueses – të nominimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit nga grupi më i madh parlamentarë para zgjedhjeve. Blloku e ka humbur këtë të drejtë me interpretimin e fundit Kushtetues.

-3-

Votimi i anëtarit të PDK-së do të hapte rrugë për formimin e qeverisë. Këtu më pas do të kthehej në vëmendje vendimi i parë i Kushtetueses, nëpërmjet të cilit PDK-së i jepet e drejta e parë për nominim; e dyta ndërkaq i jepet diskrecionit të Presidencës dhe matjes së fuqisë parlamentare nëpërmjet takimeve.

Nëse Blloku LAN do të mbetej i bashkuar – dhe më tepër do të siguronte votat e minoriteteve – atëherë raundi i parë i nominimit të kryeministrit do të prodhonte vota të pamjaftueshme për të nominuarin e PDK-së. Si reflekcion Presidentja do të mbante takime me të gjitha palët për të nominuar – me gjithë logjikë – Bllokun LAN si grupacionin e vetëm që ka votat.

Raundi i dytë i zgjedhjes së Kryeministrit do të prodhonte zgjidhje dhe dalje nga ngërçi politik. Në këtë rrethanë, Kosova do të kishte një Parlament që ka kryefolësin nga radhët e PDK-së, por një PDK që është teknikisht në opozitë. Do të kishte qeverinë e formuar nga Blloku LAN dhe minoritetet, por me udhëheqësin e bllokut paradoksalisht pa post ushtrues. Do të kishte një opozitë tjetër, Vetëvendosjen; dhe një garë të nxehtë opozitare në Parlament – dhe në fund do të kishte Presidenten që përfaqëson gjithçka me pozitën e saj dhe asgjë me kredibilitetin e saj.

Një alternativë me e lehtë dhe gjithsesi më e pëlqyeshme e skenarit më lartë do të ishte një qeverisje me Bllokun LAN dhe VV-në në të; pra një qeverisje me shumicë shqiptare. Për këtë natyrshëm duhet të thyhen e kapërcehen dallimet që nuk u thyen e nuk u kapërcyen tash e sa muaj rresht.

-4-

E në gjithë këtë përzierje politike që të gjithë kontribuuan me nga pak, them se zgjidhja më e keqe për vendin do të ishte një mishmash institucional e qeverisë; ku PDK pra udhëheqë me Parlamentin, Blloku joshumicë shqiptare me Qeverinë, e VV në një opozitë të vetme e shumë të brishtë. Një përzierje e tillë ku gjithkush udhëheqë me pak por askush në të vërtetë s'ka zë, do të prodhojë vetëm stagnim. E për stagnim e mishmash kemi më së paku nevojë. Them të shkojmë në zgjedhje të reja; ashtu kështu po humbet kohë e po improvizohet shumë. Në fund të fundit s'ka çfarë del ma keq; s'mund të përzihet asgjë më shumë se kaq.

Natyrshëm që zgjedhjet e reja mund të prishin më shumë balance politike tek partitë që garojnë; e sipas të gjitha gjasave PDK do të dalë më pak humbësja nga të gjithë. Sepse do të garojë njëjtë, potencialisht me shtesë të AKR-së që do të marrë një dhuratë si nga qielli. Blloku na anën tjetër do të humbiste më shumë. Fillimisht sepse jo të gjithë votuesit e partive pjesëmarrje të bllokut ndajnë ndjesinë e bashkimit të tillë, sidomos jo votuesit e LDK-së që asnjëherë nuk janë ndjerë konfort me vënien e partisë nën diktatit e një kryeministri nga një parti tjetër. Problem shtesë do të ishte dhe lista me kandidatë të përzier; gjithsesi me më pak kandidatë proporcionalisht për secilën palë. Në fund, VV do të ecte e vetme me shpresë se do të shpërfaqej si alternativë e vetme nga të gjithë. Pra natyrshëm që zgjedhjet e reja prishin diku balanca e ndreqin diku tjetër.

Mbi të gjitha, zgjedhjet e reja nuk garantojnë fitues me pesëdhjetë plus një përqind të votave; por garantojnë ecje dhe zhbllokim të gjendjes së tanishme ku vetëm me interpretime e asgjë tjetër një vend i tërë merret. Zgjedhjet e reja do të garantonin pastrimin e shumë dyshimeve, legjitimitetin e aleancave e në fund dhe ndryshimin e pazareve në mes të partive në fjalë. Zgjedhjet e reja mund të mos jenë alternativë e pëlqyeshme, por gjithsesi mbesin shumëherë më të mira se çfarë po shohim tash e çfarë potencialisht mund të na servohet në ditët në vijim.



Monday 25 August 2014

MBI URGJENCAT E QEVERISË SË RE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 GUSHT 2014

Qeveria e re, e që gjithsesi duket se do të jetë më ndryshe në kompozicion e në avaz me të vjetrën – pavarësisht interpretimeve të pleqnarëve kushtetues – do të ketë para vetës një grumbull nevojash që kërkojnë reagim të përshpejtuar e të menjëhershëm po deshën të mos fusin veten në kllapi. Nga të hyrat publike e deri tek luksi publik, prioritetet veçse janë përcaktuar pa qejf.


-1-

Plot 598 ditë i kishte zgjatur Belgjikës koha e formimit të qeverisë së re. Gjithçka në ndërkohë kishte shkuar mbarë atje. E për një vend ku sistemi qeverisës është i themeluar mirë dhe varet shumë më pak nga takimet e një grumbulli ministrash në një qeveri, në pritje e tillë mund dhe të ishte  e lehtë.

Në Kosovë ndërsa, koha e ballafaqimeve të pretenduesve qeveritarë po zgjatë shumë; shumë më shumë se sa nevojat emergjente që normalisht një vend i zhytur në probleme mund ti ketë. Natyrisht se vendi ynë nuk ka as luks e nuk do të ketë as gjasë të presë gati gjashtëqind rresht për formim të qeverisë; dhe natyrisht se nuk do të presë. Do të mbeste hiçgjë për të qeverisur po shkuam aq larg e po pritëm aq shumë. Ç’është e vërteta, në mungesë të një menaxhimi makro – për aq sa mund të ketë këndej kualitet – Kosova veçse ka filluar të shfaqë çarjet e para të neglizhencës institucionale dhe eventualisht ngufatjes së përgjithshme. Tek ne si duket, funksionimi i shtetit varet bukur shumë nga vullneti i centralizuar lartë.

Qeveria e re, e që gjithsesi duket se do të jetë më ndryshe në kompozicion e në avaz me të vjetrën – pavarësisht interpretimeve të pleqnarëve kushtetues – do të ketë para vetës një grumbull nevojash që kërkojnë reagim të përshpejtuar e të menjëhershëm po deshën të mos fusin veten në kllapi. Sa për të mos mjaftuar problemet e shkuara, që në shtatë vite ish-qeverisje vetëm se ishin rënduar dhe më shumë, ka disa të reja që shpërfaqen teksa presim formimin e qeverisë; të tjerat do të dalin menjëherë pas saj, e në rastin më të keq të mundshëm, edhe më të rejat do të bëhen nëse qeverisja e re vendosë akomodimin partiak para ndryshimit rrënjësor si prioritet – që duket se mund dhe ta bëjë (fatkeqësisht).

-2-

Problemi i parë, dhe më imediat, është stabilizimi i financave publike – pra kuletës së shtetit, vet buxhetit. Ka disa ditë që raportimet e para veçse kanë buruar nga agjencitë që mbledhin paratë në Kosovë, se planifikimet financiare mund të mos arrihen sivjet. Ndoshta sepse ishin planifikuar shumë, ndoshta sepse periudha pa qeveri ka prodhuar dhe neglizhencë – pavarësisht të gjithave – një nënperformancë e mekanizmave mbledhës mund të prodhojë dy skenare të mundshme.

I pari, dhe më me shumë gjasë, në mungesë të të hyrave të mjaftueshme buxhetore, cilado qeverisje e re duhet të fillojë shkurtimet në investime infrastrukturore; rrjedhimisht të prekë të vetmin input rritës të ekonomisë që ka mbetur. Natyrisht se shkurtimi në autostradën e Shkupit as që mund të ndodhë; sepse nuk ka se çfarë të shkurtohet aty. Kujtoj se financat publike nuk kanë paraparë ndonjë financim të rrugës për vitin 2014, prandaj dhe vonesat në nisje nga kompania turko-amerikane. Për kohën ka qenë e rëndësishme vetëm hyrja në obligime kontraktuale, nga ku asnjë qeveri nuk mund të dalë.

Skenari i dytë, më fatkeq, përkon me një precedent të vitit 2011, kur qeveria e asaj kohe, si rezultat i prishjes së marrëveshjes me FMN-në, kishte humbur financimin e 10% të buxhetit të vendit, për të nisur në këmbim një fushatë represive ndaj bizneseve vendore – tatime ad-hock, dënime e parapagime të tjera ishin bërë gjithandej. Bizneset – ku gjendeshin e ku jo – paguanin “haraç institucional”, siç dhe quhej asokohe ofensiva nga përfaqësuesit e ndërmarrësve kosovarë. Një rëndesë e tillë në mbledhjen e të hyrave kishte prodhuar rekord të inflacionit në vend. Dënimet, parapagimet e çka jo tjetër tek bizneset kosovare, kishin rritur eventualisht çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre; Kosova atë vit shënonte inflacion rekord, prej plot 8%.

Qeveria e re, kushdo qoftë ajo, do të ketë prioritet rregullimin pra të parasë së shtetit. Nga të dy skenarët eventual, gjithsesi, produkti final do të jetë më pak i pëlqyeshëm. Një kombinim i shkurtimit me presion mbledhës e të padrejtë do të prodhojë veçse rëndesë ekonomike, nënperformancë biznesore e trajtim tjetër të pabarabartë.

-3-

Përtej shkurtimeve infrastrukturore e presioneve eventuale tek bizneset, kur bëhet fjalë për paranë publike – qeveria e re mund ta ketë para vete një opsion bukur kreativ; shkurtimin dhe zvogëlimin drastik të luksit publik.

Mëditjet, veturat, telefonat, drekat e darkat – dhe çka jo tjetër – kanë qenë gjithmonë të shtuara, të zmadhuara dhe, siç ndodhi këtë herë me qeverinë në ikje, të shtuara në ditët e fundit të saj. Kosovës gjithmonë i është dashur një intervenim radikal në mënyrën e shpenzimit të parasë publike – nga vetë administrata publike. Anglia, për shembull, tre vite më parë kishte nisur një reformë rrënjësore të zvogëlimit të administratës dhe kostos së saj. Kishte shkurtuar plot një të treta e shpenzimeve të luksit publik. Çfarë kemi ne që me gjithë kët ëhall e fukarallak nuk e shkurtojmë ate?!

Luksi publik tek ne është formë e bërjes së punëve publike. Është edhe burim i utilitetit të vendimmarrjes për pjesëmarrje në punë publike. Për shkak të veturave, telefonave, mëditjeve, drekave e darkave – përveç pagës së madhe për punë pak – pjesëmarrësit në administratë publike gjithmonë kanë parë punën e shtetit me sy më racional se gjithçka tjetër. Këto, dhe shumë të tjera, mund të shkurtohen menjëherë. Do të duhej ta bënte secila qeveri; një e gjendur në nevojë emergjente për sanim të parasë publike do të duhej ta bënte dy herë.

-4-

Urgjenca në sanimin e rrjedhës së parasë publike është një gjë – gjithsesi shumë e rëndësishme madje. Por nisja e projekteve për stabilitet energjetik është pa të shoq. Kosova gjendet pranë varësisë së plotë dhe destruktive të një termocentrali dyfish më të vjetër se mosha mesatare e kosovarëve; në Kosovën A. 

Projekti për nisjen e termocentralit të ri, mesiguri 600 megavatësh, nuk ka qenë prioritet asnjëherë. Në raste madje, i njëjti u është lënë në diskutim aventuristëve të shoqërisë civile që për punë pak hobi e shumë badihava prodhonin ide të një energjie të rigjenerueshme nga panelë kalefornianë e hollivudianë– gjithsesi të pamjaftueshme – por aq dinin e donin të dinin ata.

Qeverisa e re duhet të nisë projektin e ri menjëherë. Një paketë serioze, që largon situatat monopole në tregun e energjisë një herë e mirë, që largon idetë quasi-ambientaliste (që megjithatë nuk janë) dhe joserioze pa shumë kohë për harxhim, e që largon ndikimet politike-private për mega termoplant, do të duhet të vihej në rend menjëherë. Nëse asgjë tjetër, një qeverisje e re, pavarësisht sa kohë ka, do të duhej të mbahej mend për këtë investim kapital. Së paku do të na jepte e siguronte pak dritë pas përfundimit të mandatit të saj. E po patën pak vullnet e pak mend, në këtë proces do të sjellin edhe një investitorë me emër serioz; jo dhëndër të Erdoganit, tyxharë të tjerë orientalë, por një emër që sjell siguri, imazh të mirë e mendim pozitiv për vendin – diçka që nuk patëm asnjëherë.



Monday 18 August 2014

MBI ANTIEKSTREMIZMIN

Letra nga Limbo
KOHA DITORE 15 GUSHT 2014

Për të parandaluar të rinjtë tanë – djem jo më shumë se me nga njëzet e ca vjet – që të zgjedhin pjesëmarrjen në organizata terroriste gjithandej nëpër botë shteti jo vetëm që duhet të bëj arrestime e luftë të pakompromistë ndaj secilit terroristë në bërje ose të bërë tashmë (sepse s’bën ndryshe, ata ose na), por duhet para së gjithash të parandalojë secilën anomali tjetër ekonomike, shoqërore e kulturore që krijon fole për manipulim, varfërim e mjerim - shkaqet kryesore të terrorizmit.

-1-

Nuk do të shkonte larg e nuk do të vononte shumë, para se ekstremizmi të merrte shumë nga ne. Ndërhyrja shtetërore në ndalimin – sepse parandalimi del të jetë i vonë – e aktiviteteve ekstremiste me përmbajtje urrejtjeje ndaj secilit që mendon ndryshe nga ta, ishte përfundimi më logjik i një shteti që ka humbur logjikën e funksionimit tash e sa kohë.

Thirrjet e urrejtjes, të ndalimeve paradoksale, të tjetërsimit e të manipulimit nga disa individë që gradualisht por sigurt u forcuan shpejtë e mjaftë – ishin shpërndarë gjithandej tash e pesëmbëdhjetë vjet. Nisur si organizata humanitare, pa shënime transferimesh parash e pa shënime mbi vendimmarrësit, të parat kishin kamufluar e mbyllur mirë idenë ultime të tyre; trushpëlarjen. Në një vend me krizë sociale, ekonomike dhe në fund me vet idenë e tranzicionit si katalizator i mundësive trushpëlarëse, këto organizata ishin shpërndarë shpejtë dhe me fokus kryesisht në zonat më të rënda ekonomike e sociale në vend.

Fshehja dikur nuk ishte alternativë. Pasi kishin zaptuar – në stilin e njëjtë zaptues politik që tashmë Kosova veçse e njeh – fillimisht objektet fetare e më pas dhe pjesë të strukturës udhëheqëse fetare, të njëjtit kishin filluar predikimin e urrejtjes publikisht – ndaj gjithkujt. Mediat vendore tash e sa kohë kishin raportuar madje se një pjese  mirë e promovuesve të tillë ishin të ndërlidhur me shërbime sekrete anti-shqiptare, se disa prej mjeteve elektronike të tyre madje kishin adresë dhe në Serbi e Maqedoni – siç ishte dhe zbulimi i një faqe me 30 mijë ndjekës që mbahej e menaxhohe nga një serb beogradas. Organizatat ndërkombëtare dhe miqtë më të mëdhenj të pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, kishin kohë që po ngrisnin alert; diçka nuk shkonte mbarë e mirë as me tolerancën institucionale ndaj fenomeneve të tilla, por as me vet zhvillimin e dukurive esktreme – ato, të dyja, mund të rrënonin shtyllat ashtu kështu të brishta të shtetit kosovar.

Secili që ngrihej asokohe kundër lëvizjeve të tilla, ishte pjesë e sulmeve individuale e plot urrejtje nga predikues – fillimisht – e më pas dhe përcjellës agresivë që ndjekjen e kishin të dhënë blanko. Në Kosovë në fund të fundit, siç dhe ndodhë me militantë partiak, më së lehtë është ndërtimi i strukturave përcjellëse blanko. Ekstremistët e tillë, dikur, filluan të thirren në 95% e shumicës muslimane, ani pse 99% e 95% të tyre mendoni ndryshe nga ata – siç dhe u pa në zgjedhje, në protesta e në organizime tjera nga ta. Forca, kërcënimi dhe manipulimi ishin mjetet e vetme të tyre. Të rrezikshëm sa nuk bëhet më.

-2-

Sado impresive e patriotike del të jetë aksioni i arrestimeve policore të katërdhjetë kosovarëve, pjesëmarrës të dyshuar të organizatave terroriste ISIS e Al Nusra - siç i njeh e i konsideron pra e gjithë bota demokratike, e siç duhet t'i konsiderojmë edhe ne po patëm pak mend – them se luftimi i terrorizmit bëhet duke e goditur atë në kokë e jo në bisht; në bisht mund të jetë shumë vonë e shumë vështirë.       

E koka e terrorizmit nuk përmban djem trushpëlarë, as disa predikues antifetarë që trushpëlajnë (ndonëse këta kanë hisen e çmendurisë), por përmban politikanë inkompetentë që u japin mundësi trushpëlarësve e të trushpëlarëve. Pra koka përmban politikanë që me korrupsion e hajni kanë mbjellë fukarallëkun, papunësinë e mjerimin në vend, mjerim që përfundimisht prodhon mundësi për trushpëlarje; politikanë që me padituri e injorancë kanë toleruar veprimin e lirë të organizatave terroriste që me pare dhe me pare shumë kanë financuar ekstremizmin tash e pesëmbëdhjetë vjet rresht; e politikanë që me zaptim të praktikisht gjithçkaje kanë pamundësuar reagimin e shtetit ndaj shërbimeve sekrete antishqiptare e predikuesve manipulues antifetarë që nuk kanë pardon.       

Pra për të parandaluar të rinjtë tanë – djem jo më shumë se me nga njëzet e ca vjet – që të zgjedhin pjesëmarrjen në organizata terroriste gjithandej nëpër botë – dhe për më tepër – për të minimizuar përkrahjen e gërditshme të disa kolltukofagëve virtualë që në vend të trurit kanë urrejtje e fjalë urrejtje plot, shteti jo vetëm që duhet të bëj arrestime e luftë të pakompromistë ndaj secilit terroristë në bërje ose të bërë tashmë (sepse s’bën ndryshe, ata ose na), por duhet para së gjithash të parandalojë secilën anomali tjetër ekonomike, shoqërore e kulturore që krijon fole për manipulim, varfërim e mjerim - shkaqet kryesore të terrorizmit. Të tjerat janë improvizime afatatshkurta; gjithmonë më mirë se hiç, por gjithmonë afatshkurta.

-3-

Nuk e vë në dyshim se mobilizimi i forcave të sigurisë është bërë pas një nevoje urgjente të qeverisë në ikje për të rirregulluar marrëdhëniet me ndërkombëtarët prezent në Kosovë. Sepse është paradoksale që një qeveri e një ish-kryeministër përgjatë dy mandatave të tyre të mos kenë bërë as edhe një arrestim e asnjë përndjekje të vetme për terrorizëm; për të përfunduar në fund me plot dyzet sosh. Nuk kishin përndjekur as atëherë kur ide e fjalë urrejtjesh bëheshin gjithandej nëpër Kosovë; ndaj besimtarëve të fesë së njëjtë e ndaj besimtarëve të feve të ndryshme, ndaj figurave me nam nëpër botë e ndaj atyre me supernam nacional – përfshirë madje dhe Skënderbeun. Në të vërtetë, hera e parë që ish-kryeministri kishte marrë qëndrim për ekstremizmin dhe rrezikun terrorist ishte vetëm dy javë më parë. Vetëm kur një raport i sigurisë i lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit – që paralajmëronte rrezikun ekstremist në Kosovë – vetëm atëherë ish-kryeministri i Kosovës, pasi kishte lejuar ekstremizmin për shtatë vjet rresht, mendoj të reagoj.

Ky fakt, natyrshëm, nuk e bën alternativën e mosreagimit. Pra mosreagimi nuk do të ishte asnjëherë alternativë – siç dhe thashë, më mirë vonë se kurrë; ani pse është vonë. Në vend të reagimit si show medial dhe mosreagimit si alternativë mbytëse e vet shtetit të Kosovës – siç e kemi ndërtuar e siç përpjekjet e patriotëve, mendimtarëve e dashamirëve kanë qenë gjithmonë – them se ka pasur një mes më të mirë e gjithsesi më përfitues për vendin.       

Fillimisht, lajmi për plot dyzet arrestime kishte bërë lajmet e botës gjithandej. Një imazh i tillë, sado që arrestimi pra del të jetë i nevojshëm, prekë në palcë secilin investitorë e secilën bindje pozitive për Kosovën – pra bën të kundërtën, ndjellë frikë. Një imazh i tillë, përveç kësaj, mobilizoj gjithë mediat anti-Kosovë, veçanërisht ato nga Serbia, që të shkruajnë e shtrojnë tezën e tyre të kahershme së shqiptarët e Kosovës dhe Kosova me gjithë ta, nuk e meriton pavarësinë sepse pa serbet në Kosovë ky vend do të bëhej fole ekstremizmi. Në të vërtetë, ka qenë mu politika serbe që nga vitet 90-ta që ka provuar të argumentojë përpjekjen e ballafaqimit tonë këtu si përpjekje për dominancë fetare e jo për liri të një populli. E nuk ka qenë asnjëherë fetare, sepse në të kundërtën – siç dhe ju thotë mendja e ekstremistëve tanë – shqiptarët do të ngriheshin barabartë edhe ndaj shqiptarëve me bindje fetare të ndryshme nga shumica. Nuk ka ndodhur asnjëherë – sepse nuk ka pasur asnjëherë një ballafaqim të tillë.

-4-

Ekstremistët e Kosovës, të përkrahur nga politikanë që sot përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës e që janë të lidhur ngushtë madje me partinë deri dje në pushtet, mund edhe të kenë shërbyer qëllimisht në një agjendë të tillë – sidomos kur ndërlidhjet me shërbime sekrete veçse janë dokumentuar disa herë. Ata mund të kenë pasur mu këtë qëllim, që imazhin e Kosovës ta dëmtojnë pa zgjedhur forme dhe mjete që u vinë nëpër dorë.

Ky qëllim do të duhej të ishte kapur nga institucionet e rendit të Kosovës, dhe në vend të një ndërhyrje të vrullshme pas përfundimit të mandatit – pasi nuk kishin reaguar asnjëherë – të reagonin me mençuri dhe sistematikisht gjatë gjithë kohës tash e sa vjet. Shërbimi sekret, forcat speciale, e trupat tjera të rendit do të duhej ta kishin bërë reagimin qetë dhe pa zhurmë, gjithsesi me shumë efikasitet. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, bashkë me gjithë liderët tanë të mëparshëm e të tjerët që do të vijnë, do të duhej të ndalonte, mbyllte e konfiskonte gjithë pasuritë, rrjedhat e parasë e ndihmesat tjera financiare të organizatave që thirren si humanitare por që përfundojnë në nxitje të terrorizmit. Këputja financiare veçse do të dobësonte secilin pretendim për ekstremizëm që është refuzuar kaherë nga shumica shqiptare në vend.

Qeveria e Kosovës do të duhej të ushtronte presion edhe në bashkësitë fetare, ku uzurpimi e zaptimi kishte ndodhur kaherë. Aty ishin lejuar që mendimet ekstreme të mundnin me forcë e kërcënim predikuesit paraprakë kosovarë, që predikues të urrejtjes e frikës të viheshin nëpër disa objekte fetare, e që udhëheqësi diktatoriale – fëmijët e së cilëve bënin thirrje për ekstremizëm e bashkërenditje me terrorizmin botëror – të zaptonin gjithçka e pa pardon.

Natyrisht se asnjëherë nuk kishte ndodhur; dhe me klasën e tanishme politike s’ka për të ndodhur asnjëherë. Përderisa ekstremizmi është letër në dorën e zaptuesve partiake që mund ta djegin karshi ndërkombëtarëve, ata gjithmonë dhe gjithherë do ta ushqejnë atë vet. Do të lejojnë të krijohet një rrezik, sa për të shpërfaqur veten si anti-rrezik; madje të pakonkurrencë. Vetëm nëpërmjet rrezikut e anti-rrezikut të njëjtit do të mbajnë veten të rëndësishëm – së paku në percepcion.




Monday 11 August 2014

GABIMET QË BLLOKU NUK DUHET T’I BËJË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 GUSHT 2014

Blloku – deri dje – opozitar, ka secilën mundësi që të kthejë Kosovën në rrugë të mbarë; por jo duke vazhduar i ndarë. Sepse ndarja eventuale e tyre do t’i mundësojë strukturës –deri dje – në pushtet të rikonsolidohet shpejtë e të vijë sërish si alternativë më pak e keqe se të këqijtë e rinj; sikurse dhe kishin ardhur këta.



-1-

Përderisa “pleqnarët” do të pleqnojnë kontestin politik në mes të – deri dje – pozitës dhe –deri sot – pozitës së pezulluar, dhe për aq sa i gjithë mekanizmi shtetëror mbetet në gjendje stagnimi e varësie nga “pleqnarët”, them se alternativë-dhënësit për mandatin e ri kanë kohë të mjaftueshme, fatkeqësisht për ta, për të matur mbarë e mirë modelin qeverisës që do të ndërtojnë. Sepse, përderisa arsyetimi i tyre i vetëm për bashkim joparimor ka qenë parandalimi i regresit nën qeverisjen e shkuar, ai nuk do të mjaftojë për të kredituar veten sa herë që bëjnë gabime e akte tjera joparimore. Në fund të fund, secila alternativë – ndaj secilës të keqe – duhet të ketë mirësinë e mbarësinë në vete; përndryshe ndonëse më pak e keqe se tjetra, gjithsesi mbetet e keqe – dhe për të keqen kosovarët nuk kanë nevojë.

Pra blloku deri dje opozitar – tash pozitë e pezulluar – ka sjellë preferencën publike ndaj tyre në kufirin e tolerancës dhe pajtueshmërisë. I ndërtuar në afeksion e nevojë urgjente për të ndjekur e mbuluar humbjen, ky bllok ka bërë kompromise joparimore në mes veti qysh në fillim; siç është rasti kur udhëheqja e qeverisë së re bëhet jo nga lideri – deri dje opozitar – as nga pasuesi i tij, por nga i fundit pretendent për kryeministër.

Ta themi e ta pranojmë se ky ka qenë çmimi i plotësimit të një kushti. Atëherë, premisa e parë që del nga një konstatim i tillë është se ky bashkim nuk ka qenë fillimisht as fer e as i pakushtëzuar. Pra, qëllimi primar i bashkimit të – deri dje – opozitës nuk na qenka parandalimi i një të keqe më të madhe për hir të bindjeve të barabarta opozitare – por qenka shfrytëzimi i pozitës negociuse (rrjedhimisht kushtëzuese) brenda bllokut; kushtëzuestit në rast të mosplotësimit të kushteve do të bashkoheshin me të keqen tjetër në skenarin tjetër. Këtu rrjedh dhe ideja se, nëse treshja është ndërtuar fillimisht pas kushtëzimeve e plotësimit të kushteve, secili bashkim tjetër më i gjerë opozitarë duhet të ndërtohet poashtu me kushte; pra kushtet nuk janë e nuk na paskan qenë ide heretike.

-2-

Por ta themi se kompromisi e kushtëzimi janë çmime të pranueshme për të mundur atë të keqen e madhe (që gjithsesi dhe gjithmonë mbetet e keqe keqe pavarësisht kombinimeve e arsyeve të bllokut), ndarja e posteve ministrore pa një plan e model të ri qeverisës është gabim që blloku nuk duhet t’ia shtojë qerres së gabimeve që bartë me vete. Në vend që kjo qeverisje e re, që promovon shpresën, të ristrukturojë qeverinë më të madhe në rajon – siç dhe e kanë konsideruar shpeshherë vet – dhe rrjedhimisht ta reduktojë në pak ministri e disa dikastere tjera qeveritare,  ajo e bën të kundërtën – merr modelin e vjetër të themeluar nga të këqijtë në ikje, dhe përshtatë veten ndaj saj.

Ta themi se përshtatja me model të vjetër është imim që sërish duhet pranuar sa për të larguar të keqen e madhe – sepse (siç dhe e kanë thënë vet) kënaqësia e secilit anëtar të bllokut kërkon pozita akomoduese shumë. Atëherë premisa e dytë që del nga konstatimet tona është se blloku që shpërfaqet si alternativë por që merr modelin e vjetër për të ndërtuar qeverisjen e vet, nuk na qenka ndërtuar sinqerisht për alternativë por për – siç edhe e thonë vet – për akomodim. Dhe është mu për interes akomodimi që pushteti në ikje kishte shtuar në vazhdimësi ministri; në atë përmasë sa që ndërtimi i qeverisë ishte bërë komik.

Nëse asgjë tjetër, si shenjë të parë të shpresës që pretendojnë ta ngjizin, ky bllok do të duhej të ndërtonte mu thelbin e konceptit në ikje; valutën e pushtetit dhe pozitës qeveritare si të pakontestueshme e të patjetërsueshme. Kjo alternativë do të duhej të godiste sistemin në ikjë në thelbin regresiv të saj; me një model të ri qysh në fillim.

-3-

Ndërtimi jo fer, e me një nuancë hipertolerance – gjithsesi të ligë në konstatim – edhe ndjekja e modeleve të vjetra, mund të arsyetohen. Çfarë nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë është ndarja e bllokut – deri dje – opozitar në dysh. Pra i gjithë koncepti i përbirjes së ndërtimit jo fer, i kushtëzimeve apo i ndjekjes së komfortit të pushtetit mund dhe të përbihen; por jo mosunifikimi në një i opozitës së deridjeshme.

Dhe ndarja duket se po formësohet si alternativë gjithnjë. Në vend të një partie – kryesisht nacionaliste – shqiptare, fillohet të preferohet një parti ultranacionaliste serbe. Përderisa e para kushtëzon privatizimin e Trepcës e Brezovicës për motive të përfitimit shoqëror, e dyta e kundërshton privatizimin e tyre për motive nacionaliste – gjithsesi antishqiptare. Përderisa e para kushtëzon bisedimet për Veri për motive të funksionimit shtetëror, e dyta promovon bisedime për motive nacionaliste – sërish antishqiptare.

Pra, sado që kushtëzimet e VV-së përballë bllokut LDK-AAK-NISMA mund të jenë të gabuara – kryesisht këto të privatizimeve që ndërlidhen me bindje jo të sakta e jo të shëndosha filozofike – ato gjithsesi mbesin më të favorshme se kushtëzimet e Listës Serbe; në secilën rrethanë – sot e pesëqind vjet.

-4-

Nëse blloku – deri dje – opozitar ka vendosur kushte ndaj vetës përgjatë themelimit, them se duhet ti adresojë dhe të tjerat për zgjerim; siç dhe pretendentët  e zgjerimit duhet ti bëjnë pragmatike bindjet e tyre që nuk mund të gjejnë kompromis. Kjo sepse, vetëm si të bashkuar dhe si një, blloku i gjerë mund të konsiderohet si alternativë.

Blloku i deritanishëm pra, nuk duhet të rëndojë ecjen e tyre fragjile me gabime të mosbashkimit – përtej jokorrektësisë në themelim dhe ndekjes së verbët të pushtetit. Në të kundërtën, nëse politikat e Kosovës mbesin në strukturë dhe filozofi të njëjtë si ato parapraket, atëherë çfarë dallimi bën kjo gjysmë alternativë me parapraken?! Në cilën pikë pra, e keqja e re – si alternativë më pak e keqe se paraprakja – bëhet e keqe e papranueshme?!

Blloku – deri dje – opozitar, ka secilën mundësi që të kthejë Kosovën në rrugë të mbarë; por jo duke vazhduar i ndarë. Sepse ndarja eventuale e tyre do t’i mundësojë strukturës –deri dje – në pushtet të rikonsolidohet shpejtë e të vijë sërish si alternativë më pak e keqe se të këqijtë e rinj; sikurse dhe kishin ardhur këta.

Në rrethanat e tanishme, PDK me një opozitë të bërë pozitë falë Listës Serbe, mund të kthehet në kohë dhe më të shkurtë, dhe gjithmonë e pareformuar, në sy të kosovarëve si forca më serioze (sado e keqe) e Kosovës; dhe për aleancë rrënimi të bllokut do të ketë dhe një pjesë të opozitës së deridjeshme. E pozita e re, me një bllok joparimor, ka pak gjasë që me një model të vjetër e njerëz të ri të bëjë ndryshimin për të cilën kosovarët kanë kaq shumë nevojë.




Monday 4 August 2014

MBI RELACIONIN KOSOVAR ME SHTETIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE 1 GUSHT 2014

Për kohë shumë është thënë e goditur ideja se distancimi i kosovarëve nga shteti buron nga një praktikë e kahershme e refuzimit të institucioneve dhe vet shtetit sepse shteti dhe institucionet nuk ishte asnjëherë të tyre. Në vitin e pesëmbëdhjetë pas luftës kosovarët janë bërë me shtet, por jo dhe me besim në shtet – për çfarë dhe mbajnë distancën ende.


-1-

Në qershor të këtij viti, siç dhe kishte ndodhur një vit më parë, në kuadër të Riinvest po bënim matjen e percepcionet kosovar në pesë tema; përkatësisht po matnim besimin në institucione, transparencën, participimin publik, llogaridhënien dhe përdorimin e teknologjisë. Anketa me një mijë kosovarë ishte pjesë e një matje regjionale – përfshinte shtatë vende të tjera fqinje të Kosovës. Ndonëse krahasimi i gjetjeve këtu me ato rajonale do të prodhonte një fotografi mjaft interesante, them të mos lodh lexuesit me krahasime të tilla, e të rrumbullakojë këtë shkrim me vetëm gjetjen e brendshme.

Sepse, janë mu gjetjet e brendshme mbi percepcionet kosovare ato që na japin një fotografi të qartë të relacionit qytetar shtet dhe reflektimin e secilës grimcë të një relacioni me sistemin e kompliancës që provojmë të ndërtojmë. Në fund të fundit, çfarëdo sistemi që nuk merr aprovimin qytetar, mbetet i kalbur në rrënjë e themel – dhe si i tillë është i predispozuar të zhbëhet.

Do të zhbëhet jo sepse mosbesimi është i pashërueshëm, por se zgjatja e tij e shndërron mosbesimin në normë shoqërore, pra në sjellje të zakonshme e në rutinë qytetare. E është mu rutina qytetare e refuzimit të sistemit që ka bërë vazhdimisht distancën e kosovarëve me shtetin. Jo vetëm sepse, siç dhe ka logjikë, kosovarët kanë qenë gjithmonë në ballafaqim me shtetin (që dikur nuk ishte i tyri), por sepse mosbindjen e zhvilluan si normë shoqërore (kur ai u bë i tyri). Si normë e zhvilluan pra edhe mosbindjen ndaj pagesës së tatimeve, të faturave të energjisë, të mbledhjes së mbeturinave, barazimit me ujësjellësin e çka jo tjetër – refuzuan gjithçka derisa pagesa, pra komplianca, u bë normë e pazakontë shoqërore.

-2-

Pjesa kryesore e anketës, të përsëritur pra në dy vite, ndërlidhej me percepcionin e kosovarëve me institucionet nëpër Kosovë; pra besueshmërinë e tyre ndaj akterëve kryesorë publik në vend. Sipas rezultateve të anketimit, KFOR-i, Bashkimi Evropian, OJQ-të dhe mediat janë institucionet e organizatat që kanë kredibilitetin më të lartë në Kosovë; ato pra besohen më së shumti. Dhe ka një patern interesant në renditjen e besueshmërisë kështu; të gjitha këto grupacione kalojnë përqindjen 60; nga gjithsejtë 100, për të shpërfaqur kështu një diferencim të dallueshëm me institucionet tjera. E në ndërtimin shtetëror të vendit, bëhet mjaftë i trishtë fakti se percepcioni i besueshmërisë dhe kredibilitetit nuk renditë lartë institucionet politikëbërëse të vendit. Ç’është e vërteta, ato jo vetëm se nuk renditen diku në mes nga të parat, pro mbajnë bindshëm fundin e rangimit. Parlamenti, Gjyqësori, Qeveria, Presidenca e krejt në fund partitë politike (të gjitha me 22 deri në 30 përqind) përbëjnë trupat më pak të besueshëm në vend. Në mes të listës renditëse, mbesin institucionet tjera si EULEX, Policia e Kosovës, institucionet religjioze, shërbimet publike dhe kryetarët e komunave. Për më tepër, janë mu grupacionet e mesit që kanë shënuar përmirësimet më të mëdha të besueshmërisë për një vit matjeje; prinë EULEX me gati dyfishim të besimit dhe kryetarët e komunave me rritje (të përqindjes) nga 42 në 55; gati 30%.

Pra gjuha e kosovarëve, e matur me përfaqësim të një mijë respondentëve, na thotë se ka diçka që shkon mbrapshtë në institucionet vendimmarrëse, siç ka edhe diçka që shkon mirë – prandaj dhe besimi – me katër institucionet e para. Për dy të parat, pra KFOR dhe BE, kosovarët mund të kenë dhënë besim blanko. Sepse janë të huajat, janë pra ndërkombëtare, janë mike (për më tepër) e kanë një sistem vetërregullimi – sepse janë pra ndërkombëtare. Për ty të dytat nga të parat, pra organizatat jo qeveritare dhe mediat, kosovarët mund të kenë dhënë besim si reflektim oponencial ndaj pesë të fundmet – institucionet vendimmarrëse. Në fund të fundit, siç dhe ndodh rëndom, ka një ballafaqim të drejtpërdrejtë në mes të institucioneve vendimmarrëse e politike në vend (në njërën anë) dhe organizatave joqeveritare e medieve (në anën tjetër) – ballafaqim që duket ta kenë fituar (po u matën me kredibilitet) këto të fundit.

Interesante po ashtu mbetet rritja e besimit në EULEX dhe kryetarët e komunave. Përderisa për të fundit renditja natyralizon me konstatimin e përgjithshëm të zgjedhjeve lokale, pra ndryshimin e ngjizur gjithandej, për të parët kam përshtypjen se ka një refleksion ndaj angazhimit të tyre kundër krimeve ekonomike që megjithatë bën diferencën për një vit. Gjithsesi, me 54 e 55 përqind përkrahje, të dy kategoritë mund të gjejnë bukur kënaqësi.

-3-

Për kohë shumë është thënë e goditur ideja se distancimi i kosovarëve nga shteti buron nga një praktikë e kahershme e refuzimit të institucioneve dhe vet shtetit sepse shteti dhe institucionet nuk ishte asnjëherë të tyre. Në vitin e pesëmbëdhjetë pas luftës kosovarët janë bërë me shtet, por jo dhe me besim në shtet – për çfarë dhe mbajnë distancën ende.

Në qendër të refuzimit ose pranimit të institucioneve – dhe rrjedhimisht shtetit – mbetet gjithnjë besimi. Pra percepcioni individual i kosovarëve ndaj organizatave publike e akterëve tjerë institucional – i matur me besim – përcakton një linjë thelbësore të frymëmarrjes së shtetit; dhe kjo linjë është e djegur. Është paradoksale që institucionet e thirrura në përfaqësim qytetar të kenë besim kaq të ulët nacional – në mesatare prej 25%. Partitë politike, parlamenti, qeveria, presidenca e gjyqësori – të gjitha të thirrura në popull e nga populli – nuk arrijnë të gëzojnë mbështetjen e as të një nga tre kosovarëve. Në të vërtetë çfarë përfaqësojnë?!

Dhe ka dy shpjegime racionale prapa një relacioni të tillë. I pari, që zë vend logjik shumë, se këto institucione – pa përjashtim – janë shndërruar në grupe klanore e fisnore që përfaqësojnë ngushtë gjahun e përfitimit grupor në dëm të gjithçkaje – dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë me koncept fisnor, klanor e sektar. E sepse janë shndërruar në të tillë, rrjedhimisht shpjegimi i dytë, ka një ndarje gjithënacionale në mes të gjithkujt nga gjithkush. Kështu, në vend të një uniteti nacional, ne kemi ndërtuar – kryesisht për shkak të bindjeve politike – një ndarje të re shtresash në Kosovë. Dhe këto shtresa nuk janë në mes të pasurve e të varfërve, intelektualëve e agrarëve, mendimtarëve e përcjellësve – janë shtresa bindjesh politike që krijojnë ndarje, përçarje e distancime – aq shumë sa që vetëm neutralët (mediat, OJQ-të e ndërkombëtarët) për aq sa mund të jenë edhe atë – kanë kredibilitet; e thonë kosovarët.

Do të ishte element normal i demokracisë trazimi i preferencave poli-partiake – them unë; por se, një bartje e ndjenjave partiake në secilin relacion tjetër tonin, familjarë, shoqëror e shtetëror – sepse nuk dimë ta ndajmë politikën nga jeta – na sjellë në një situatë ku pesëmbëdhjetë vite më parë – kur nuk kishim shtet – kishim njëri tjetrin si vend; dhe sot, kur kemi shtet, mbesim pikë e pesë me tjetrin.

Kosova ka nevojë për unitet nacional, para së gjithash. Defektet tona nacionale janë enorme dhe ato po thellohen sa më shumë që koha na shkon. Sepse me kohë, të gjitha anomalitë individuale e grupore – siç është koncepti i partiakizimit fisnor e klanor – po bëhen norma të zakonshme shoqërore, aq të zakonshme sa që zhbërja e tyre bëhet koncept i pazakonshëm. Për të kthyer një unitet, aq sa normalja demokratike mund të krijojë, na duhet një mendësi e re qeverisëse, e cila – nisur nga partitë, e përfunduar në shtet – pranon interesin e qytetarit si parimorë e primarë para klanit, fisit e sektit. Kështu ndërtojmë fillimisht besimin, për të ndërtuar në fund vet shtetin.