Tuesday 1 December 2009

Frika nga demonët e ndërmarrjeve publike



Njohësit e cikleve ekonomike e dinë se pas një “bust”-i ka një “boom”, dhe ne pikërisht jemi në hapat e parë të ringritjes ekonomike globale. Kjo është pikërisht koha e duhur për investime dhe nëse ndonjëherë mendojmë për shitjen më optimale, atëherë vonesat janë të paarsyeshme, të paktën ekonomikisht. Ndoshta më në fund institucionet tona duhet të besojnë në ekonomi të tregut dhe të lirohen nga frika se po humbin me shitjen e ndërmarrjet publike. Janë thjeshtë ndërmarrje publike që mbajnë rekorde për anomali.

Eksperiencat nga vendet tjera të tranzicionit kanë konfirmuar qartë se reformat efektive nuk mund të përmbushën të izoluara nga kapacitetet e institucioneve qeveritare dhe mbi të gjitha filozofisë politike. Le të pajtohemi se ne kishim një gap të krijuar nga sistemi edukativ në vend dhe tani po i vuajmë pasojat e një shkollimi improvizues duke përjetuar një gjeneratë të tërë në nevojë dëshpëruese për tu aftësuar; kosto që po i shtynë proceset vazhdimisht. Sikur kjo të mos mjaftonte, filozofia provinciale e klasës politike kripën edhe më tepër një proces që duhej të kalonte shpejtë dhe qetë: privatizimin. Them shpejtë meqë çdo vonesë në tranzicion kishte një kosto për shoqërinë, e para ajo e kualitetit të jetës; dhe them qetë meqë besohej se bindjet mbi ekonominë e tregut ishin aq të forta sa zhurmimet do të ishin të ngulfatura - besohej se njerëzit ishin të ngopur nga sistemi centralist. Kosova nuk kishte as kapacitete të duhura por as bindje filozofike post-tranzicionit.

Në retrospektivë, gabimi më serioz që këto vende si i yni kanë bërë është pikërisht injorimi i mësimeve nga praktikat tjera drejt nevojave për ekonomi të tregut, politikës neutrale dhe stabilitetit ekonomik. Pothuajse shumica e këtyre vendeve kanë favorizuar pozicionin intervenues duke i ofruar tregut zgjedhje më tepër politike se sa logjike. Kosova, si vendi i fundit që përfshihet në valën e tranzicionit ka plot dhjetë vite që mundohet të ndërtojë një sistem ekonomik pro lirisë së tregut. Në këtë proces ajo kishte mundësinë të mësonte nga eksperienca e këtyre vendeve meqë ishte e fundit, po ja që nuk arriti. Nuk arriti meqë patëm një proces të privatizimit jo të koordinuar mire, shpeshherë i akuzuar për korrupsion dhe shitje të vonuara, patëm një grup punëtorësh që ende besonin në fuqitë sindikaliste dhe thirrjet që shteti  e jo tregu duhej tu krijonte vende të reja të punës dhe mbi të gjitha patëm një ngulfatje të besimit politik; në fund të fundit nëse udhëheqësit tanë politik nuk besojnë në ekonomi të tregut atëherë pritjet se dikush në hierarkinë e administratës publike do të nxisë këtë proces do të ishin absurde.

Dhe pas dhjetë vitesh të ritranzicionit ne kemi një paravalë të re privatizimi, të folur e stërfolur për një sërë ndërmarrjesh publike që mbesin pikë reference për të zezat e tregut tonë fragjil. Të ndikuara politikisht me drejtorë e udhëheqës të zgjedhur nga pazaret e partive politike, të mbushura e stërmbushura me fuqi punëtore të pakualifikuar ose për më tepër të futur thellë në lidhje familjare në mes veti, të harruara nga konkurrenca, të gjitha këto ndërmarrje pa asnjë përjashtim, treguan se si prona publike është një përrallë e vjetër bajate por ja që dikur simbolizonte shtyllat ekonomike të prosperitetit shoqëror. Të frikuar nga fuqia e këtyre demonëve ne vazhduam ti adhurojmë ndonëse nga to merrnim asgjë.

Kur në 2009 u proklamua privatizimi i të gjitha ndërmarrjeve publike menduam se procesit të vonuar dikush më në fund po i jepte një fund. Menduam dhe besuam se anomalitë e pafund në këto ndërmarrje do të ishin të shkuara e të harruara. Na u kujtuan faktet se çdo ditë në PTK kemi nga një të punësuar të ri ndonëse nevojat reale janë për reduktim të gjysmës së fuqisë punëtore; kujtuam humbjet qindra milionëshe në kontinuitet të krijuar nga KEK-u për të prodhuar terr; dhe kujtuam Aeroportin e Kosovës që mban rekord për jotransparencë, sikur të ishte pronë private e dikujt trashëguar nga babë e babagjysh. Arsyet qe u dhanë për këto vonesa ishin se në kohë të krizës globale shitja e tyre do të ishte e pamend meqë krijohej një humbje në vlerën e këtyre ndërmarrjeve që do të gjeneronin në një kohë të stabilitetit. Absurde!
Absurde për dy arsye. Këto ndërmarrje, si rezultat i mungesës së efikasitetit në vend se të rrisin vlerën e tyre në vazhdimësi kanë prodhuar amortizim të vlerës vetanake. PTK, sikur të shitej 3-5 vite më parë do të kishte një vlerë sa dyfishi që mund të merr tani. Kjo do të ishte vlerë neto e llogaritur në para të thata. Vlera tjetër e gjeneruar do të ishte e përfshirë në beneficionet nga shërbimet për përdoruesit, punësim më të strukturuar e më të qëndrueshëm dhe sinjal tek investitorët tjerë për një investim të suksesshëm në Kosovë, sinjal që po na mungon për shumë kohë. Absurde, edhe për faktin se në mungesë të njohurive për ciklet e krizave globale ne vazhdojmë të besojmë se kjo është kohë e de-investimeve. Çfarë në të vërtetë po ndodh në tregjet globale është një seri e paparë e valëve investuese. Njohësit e cikleve ekonomike e dinë se pas një “bust”-i ka një “boom”, dhe ne pikërisht jemi në hapat e parë të ringritjes ekonomike. Kjo është pikërisht koha e duhur për investime dhe nëse ndonjëherë mendojmë për shitjen më optimale, atëherë vonesat janë të paarsyeshme, të paktën ekonomikisht. Çdo ditë vonesë do të thotë se po humbim një investitor potencial, dhe çdo ditë vonesë do të thotë se kemi një kosto mbarëshoqërore.

Në anën tjetër kemi KEK-un, që bën PTK-në përkundër këtyre anomalive të duket mjaft mirë. Huazimet për ndërmarrjet publike janë bërë një praktikë e zakonshme në vend. KEK është përfituesi më i madh i këtyre “borxheve qeveritare”. Deri më sot ky gjigant i fjetur  ka marrë mbi 1 miliard euro vetëm nga taksapaguesit kosovar për të kthyer orë të gjata pa furnizim, humbje rreth 45% në prodhim, sistem thellë të korruptuar në të gjitha tenderët publik e deri te punësimi i pakontrolluar në administratë. Të gjitha këto të paguara nga paratë e taksapaguesve kosovarë. Këto para të huazuara nga Buxheti i Kosovës sigurisht se do të kthehen në dyfishin e viteve që janë huazuar, kur rëndësia e tyre për Kosovën do të jetë mjaft simbolike. Por në kohën kur Kosova po merrte hapat e parë drejt formësimit të një shteti serioz dhe stabil, KEK po merrte miliardat e parë për të dhënë asgjë. Shumë argumentojnë mungesën e alternativave tjera, por sikur një tatimpagues të kuptonte se kjo ndërmarrje publike do ti kushtojë atij dhe shoqërisë në këto përmasa nuk besoj se do të kishte një ide të vetme kundër privatizimit parcial të tyre sa më të hershëm. Ka shumë që janë ngopur duke paguar energjinë dy herë: një herë nëpërmjet faturave e herën tjetër nëpërmjet tatimeve.

Në një Kosovë ideale, Aeroporti jonë do të duhej të merrte çdo ditë nga një çmim ndërkombëtar si ndërmarrja më e suksesshme. Nuk besoj se ka ndonjë vend në botë ku një çerek i banorëve të tij (përfshirë dhe emigrantët) shfrytëzojnë transportin ajror të paktën një herë në vit. Po ja që nuk jemi në një vend ideal. Jemi në një vend ku përkundër kërkesës enorme për një shërbim aq të lehtë, ndërmarrja jonë publike gjen çdo arsyetim të mundshëm për të dështuar. Aeroporti është sjellë në vazhdimësi si një ishull i izoluar nga proceset tjera socio-ekonomike në vend; fatkeqësisht për të keq. Kujtoni kohën kur pasqyrat financiare mbaheshin në Excel. Paradokse të tilla vazhdojnë edhe sot. Sa të mjerë!

Dua të them se ndoshta më në fund institucionet tona duhet të besojnë në ekonomi të tregut; ama të besojnë me plot kuptimin e fjalës e jo me fjalë të thata. Të besojnë duke hequr dorë nga një pasuri që dikur i takonte shoqërisë dhe të përcjellin këtë pasuri tek një koncept tjetër, te prona private. Këto ndërmarrje nuk janë edhe aq të shenjta sa janë vet investimet private. Ne nuk duhet të kemi frikë se po humbim ndonjë rast historik. Janë thjeshtë ndërmarrje publike. Fqinjët tanë, të gjithë, kanë eksperienca të shkëlqyeshme në këtë drejtim prandaj le të mësojmë nga ta. Por nëse vazhdojmë të lexojmë parime pro-privatizuese vetëm sa të dukemi më kohor, nëse me të vërtetë nuk besojmë në filozofinë e pronës private dhe produktivitetit të dalë nga konkurrenca atëherë vaj halli për ne. Atëherë kemi bërë një udhëtim të kotë në dhjetë vitet e fundit. Në vitin 2009 Qeveria e Republikës sime shpeshherë pa biznesin/pronën private si të sajën dhe nxori vendime të bazuara në kombinimet e Kanunit të Lekës, Teorisë së Marksit dhe Ligjeve të “bëj se mundem”. E në anën tjetër vendosi pronën private si shembull të zhvillimit. Uroj të mos jetë e njëjta praktikë më. Dua të besoj se viti 2010 do të jetë fillim jo vetëm i privatizimit të këtyre “strehimoreve sociale”, por vit kur më në fund Qeveria do ta sheh biznesin si të shenjtë, si një fillim i mbarë për problemet e pafund. Besoni në biznese!