Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 NËNTOR 2013
Mbi relacionet
shqiptare
Gjithsesi me shumë më pak energji, pa mustaqe, pa
festime historike dhe pa gjithë atë mobilizimin qytetar, të gjitha krahasuar me
një vit më parë, shënuam edhe një përvjetor të – siç tingëllon më origjinal –
mëvetësisë së Shqipërisë. Ndoshta sepse ky është “një vit jubilar më pak
jubilar” se njëqindëshi, apo sepse këtej janë të nxënë me vota dhe vetëm në
vota kanë mendtë, gjithsesi për arsye plot, këtë vit e kaluam (pritshëm) me shumë
më pak energji.
Ndër të tjerash, fjalimet e thirrjet e pashallëqeve
të Shkupit të një viti më parë këtë vit i zëvendësuam me negociata për
autonominë e gjerë në Veri; premtimet e pasaportave shqiptare për të gjithë shqiptarët
në Kosovë i zëvendësuam më kërkesa impotente liberalizimi për të ngujuarit e
fundit evropianë; ndërkaq projektet madhore të bashkimit ekonomik e politik i zëvendësuam
me ri-përurimin e Rrugës së Kombit, përurimi i katërt me radhë. Në të vërtetë
në dhjetë vitet e fundit të politikës së përbashkët Shqipëri-Kosovë e tëra çfarë
mbaj në mend është vetëm përurimi e ri-përurimi i rrugës në fjalë. Duhet të
ketë ndodhur 4-5 herë andej e po aq këndej; të fundit në Evropë që festojmë një
dekadë për të njëjtin asfalt; për atë hatër të vazhdojmë tutje.
Në kohën e ndërmjetme, në Shqipëri u vendos qeveria
e re, e cila u prit pak a shumë me ndjenjë mortore këndej. Shpejtë, propozimet
për mbledhje të përbashkëta qeveritare Kosovë-Shqipëri, vizitat në Luginë e
besa dhe qëndrimi kundër armëve kimike, të gjitha nga qeveria e re shqiptare,
duket ti kenë befasuar për të mirë gjithë kosovarët që tradicionalisht kanë
parë të majtën shqiptare si, pak a shumë, jo shqiptare – e tmerrshme. Ndonëse të
gjitha akte e propozime të fabrikuara për kozmetikë politike, ato kanë prekur në
thellësi simpatinë e bashkë-kombësisë që mbajnë në gjen shqiptarët e Kosovës;
ato ishin më ndryshe se sa thirrjet e çirrjet e sallave me tupanë, surle e tym
plot.
E përderisa Shqipëria kishte përmbyllur zgjedhjet në
frymë të civilizimit e evropianizimit, Kosova kishte replikuar të njëjtën
korrektësi këtë vjeshtë duke organizuar zgjedhje sinqerisht të lira, e
mrekullisht si nata me ditën krahasuar vetëm tre vite më parë. Ndoshta sa për të provuar se jemi një farë e
një trung, Kosova kishte replikuar me aq mjeshtëri por mjerueshëm edhe një
gjuhë të re debatuese politike në vend. Kjo gjuhë e re politike (e re për
Kosovën, tradicionale për Shqipërinë) në thelb kishte shumë sharje –
jashtëzakonisht sharje shumë – dhe kishte pak ide. Të paktën atje (në Shqipëri)
në mes rreshtave të hallakamës e zhurmës si mjete dominuese – gjithsesi
ofenduese – kishte edhe disa ide e propozime origjinale; tek ne përveç
kreativitetit të përuljes gërditëse asgjë s’mbetej për tu nxjerrë. Kosova pra
kishte importuar anën më të errët të një stili ashtu-kështu të errët diskutues,
që pretendon zotërimin me fyerje personale para atij me edukatë politike. Këtu
megjithatë, siç kishte thënë Matoshi vite më parë, ofendimet e tilla kanë gjasë
“t’ia shkundin pluhurin Kanunit” e të përfundojnë në nam – në fund të fundit
odën e kanunin këndej edhe vet Kryeministri e vë para shtetit e gjyqësisë.
***
Në ndërkohë, me gjithë optimizmin e besimin e
shfaqur në Kombëtaren shqiptare të futbollit, ne sërish përfunduam të
parafundit; sikur na u dha për pak çaste një iluzion i kualifikimit – dhe
kështu i përmbushjes së profecisë se shekulli i dytë është i shqiptareve – për
të na u marrë e sjellë në vendin e njëjte, me njerëz të njëjte në kohë të
ndryshme. Në të vërtetë, këtë here kombëtarja jonë mbeti edhe pa fushë për të
zhvilluar ndeshje. Ndoshta edhe Kombëtarja është dhe përshkruesi më i mirë i
nivelit të bashkëpunimit ndër-shqiptar e kështu i arritjes gjithë-shqiptare; një
organizëm që nuk tërheqë mjaftueshëm shqiptarët jashta-Shqipërisë, i udhëhequr
vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë, e që ndanë Shqiptarët brenda e jashtë
Shqipërisë për të arritur fundin apo para-fundin Evropian; e komplikuar sa
s’bëhet më. E kuti i futbollit u bë mjeti i ri diskutimi kur një kosovar që e
quanin tradhtar e të shitur festoj shpalljen kampion Evropë me flamur të Kosovës
(e jo të Shqipërisë). Sa për të mos mjaftuar kjo, ai – i ndihmuar nga katër a
pesë shqiptarë të tjerë – në dy ndeshjet kundër Shqipërisë kishte dhënë dy gola;
për tu vënë sërish e sërish në shënjestër të ultra-nacionalistëve gjithandej e
për të ringjallur sërish e sërish diskutimin popullor se çfarë në të vërtetë është
tradhtia e çfarë atdhe-dashuria – të gjitha të matura me futboll.
***
E në këtë vit të parë, ndonëse të hershëm për të
pritje, as për së afërmi nuk na u dhanë e nuk na u shfaqën elementet e para të
një bashkërendimi ekonomik e politik mes të dy vendeve. Gjithçka ishte klishe e
bërë vit pas viti – derisa të gjitha bëhen shumë. Sikur të dy shtetet mbesin me
telashe e halle të veta, sa që për tjetrin të merresh duket së është luks.
Ndoshta dhe do të dukej luks sikur kjo marrje të ishte për hir të një trashëgimie
patriotike apo një përkatësie morale; por thënë të drejtën, e njëjta bëhet
domosdoshmëri nëse kuptojmë përparësitë e bashkërendimit.
Unë vazhdoj ti mbes besnik idesë se përderisa jemi
tregje të vogla, të varfëra dhe – më e rëndësishmja – të njëjta, nuk ka asnjë
arsye pse të mos bashkërendojmë. Jo sepse kemi trashëguar një obligim nga të
tjerët, ani pse një gjë e tillë nuk do të ishte e mbrapshtë, por sepse kemi
interesa përfituese si me asnjë treg tjetër. Nga energjia – ku vazhdojmë të mos
shfrytëzojmë paradoksalisht përparësitë krahasuese mes dy shteteve; tek këmbimi i mallrave – ku vazhdojmë të mos
shfrytëzojmë me efiçencë rrugët e stër-përuruara; e deri tek investimet e përbashkëta
në infrastrukturë, gaz, edukim, sport, art e kulturë, në imazh – ku vazhdojmë të
mbesim indiferent.
Dhe nuk po flas për një bashkim klasik të dy
shteteve. Marrë parasysh fuqinë tonë ekonomike e politike të tanishme, si dhe
intencat e forcave të jashtme stabilizuese, një gjë e tillë – tani për tani –
mund të duket e vështirë dhe sipas të gjitha rezonëve normale e pamundur.
Ndoshta dhe nuk duhet të mendojmë shumë për aktin final tani. Po flas për
politika ditore që kërkojnë pak punë dhe pak vullnet; pak para dhe pak
kreativitet. Po flas për nisma e strategji që nuk parandalojnë ecjen tonë të
pavarur e zgjidhjen e telasheve të
ndara, por që zhvillohen paralelisht. Të dy vendet kanë mendje e kapacitete të
mjaftueshme për të bërë një paralelizëm të tillë. Kosova dhe Shqipëria munden
qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin finalizimin e interkonjeksionit
energjetik që do ti jepte energji Kosovës nga Shqipëria gjatë dimrit dhe
energji Shqipërisë nga Kosova gjatë verës. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër,
nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin projektimin e përfshirjes së tregut
kosovar në gazsjellësin TAP. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe
jo më larg se nesër, të projektojnë zhvillimin e tregut hekurudhor për ti bërë
garë jo vetit, por porteve rajonale që mbajnë primatin tregtar edhe në kohë të
krizave falimentuese. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më
larg se nesër, të nisin aprovimin e pakove ligjore që prodhojnë lehtësira
fiskale për bizneset që kanë kapitale të përbashkëta dhe kështu ndajnë përvojën,
dijen dhe përparësitë krahasuese në mes të dy tregjeve. Kosova dhe Shqipëria
munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të ndërprenë neglizhencën e
deritanishme dhe të mendojnë si kalibër i shekullit tjetër.
No comments:
Post a Comment