Friday 30 November 2012

DY ANËT E FESTËS



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 NENTOR 2012


Përtej laramanisë e hiper-folklorizmit festiv, shqiptarët kanë shumë arsye për tu mburrë. Kjo mburrje megjithatë nuk guxon të shërbejë si siguresë komforti. Euforia e gëzimet e tilla dhe mund të kenë kuptim në ditë festive, ato dhe mund të pranohen për pak kohë. Çfarë nuk mund e nuk guxon të pranohet është indiferenca jonë ndaj problemeve ekzistenciale që i kemi sot e që na u shfaqën trishtueshëm në ditë feste


Nuk kishte se si të fillonte më mirë shekulli i dytë i shtetësisë shqiptare se sa me vendimin e Tribunalit të Hagës për lirimin e menjëhershëm të luftëtarëve kosovarë të grupit Haradinaj. Nuk ka triumf më të madh për Kosovën se sa certifikimi pozitiv i luftës sonë e përpjekjeve tona për liri. Ky certifikim bëhet vetëm po u konsideruan institucionet tona të luftës dhe luftëtarët tanë si të drejtë e të pafajshëm për veprimtaritë e tyre. Përpjekjet për të vënë agresorin në nivel të njëjtë trajtues me mbrojtësit e lirisë, qoftë edhe për një qëllim stabilizues rajonal a ku ta di unë, janë më të dëmshme se vet akti i agresorit. Si të tilla ato duhet të zhbëhen në relacion e vijë të njëjtë me vendimin e fundit dhe me të tjerët që duhet të ndodhin. Nëse asgjë tjetër shqiptarët meritojnë pranim, si ky i Hagës, se përpjekjet e tyre për liri janë thjeshtë të drejta dhe legjitime. Kaq na duhet!

Dekorimi i festës me një legjitimim si ky domosdoshmërish na zgjatë pak pushimin prej ngarkesave të përditshme politike që i prodhojnë shtetet e shqiptarëve në vazhdimësi. Por tani që festa kaloj, them të kalojmë nga mbidoza patriotike aq e nevojshme për një vend që dhe kishte harruar aty këtu rrugën e vet, në dozë reale vlerësuese. E vlerësimi real i shqiptarëve nuk ka se si të mos vërehet e burojë edhe nga vet festa e 100 vjetorit; një festim sa hiper-folklorik aq edhe modern me një diagnozë laramane që ngërthen në vete diçka brilante si Rita Ora e Inva Mula, e deri tek diçka bizare si përçarjet politike në kohë feste apo dhe zombizmet ndaj tortes.

Së pari, them hiper-folklorik meqë thirrjet për bashkim kombëtar nuk ishin asnjëherë serioze sa jepeshin nga goja e politikanëve tanë. Madje të tillat kishin edhe një lloj abdikimi fusnotesk sikurse kanë mesazhet promocionale që me shkronja të vogla fshehin diku në fund domethënien e vërtetë të mesazhit. Ky i të tanëve bëhej nëpërmjet përmendjes së BE-së, e që në esencë nuk bën asnjëherë e as për së afërmi parafytyrimin e konceptit të bashkimit kombëtar nga një shqiptar me inteligjencë mesatare. Unë them se kur nuk e mendon mos u tall me milet; mos e thuaj fare. Por ja që kemi një grumbull politikanësh (pa dallim) që i zë euforia e masave (dhe patjetër nevoja e votave) e kështu përfundojnë në brohoritje si këto, e të cilat për më tepër nuk bëhen tek shqiptarët e lënë anash (si ata të Mitrovicës apo të Luginës) por tek ata që vijnë ta përurojnë për të katërtën herë autostradën e njëjtë. Pallavra si këto shqiptarët kanë pasur e dëgjuar me bollëk për plot 100 vjet. Sidoqoftë, ato po shiten, e derisa të shiten dhe do të thuhen.

Së dyti, them diagnozë laramane meqë festa e 100 vjetorit kishte dy anë; njëra që bënte një mrekulli e mburrje dhe tjetra që bënte një marri e dëshpërim. Për shembull, ne kishim në njërën anë iniciativën joinstitucionale të “mustaqeve” që për të mirë bëri lajmin edhe në Euronews, sa për tu zhbërë në anën tjetër nga nisja institucionale e “thertores masive të qengjave” që kishte bërë anti-lajmin në The Guardian. Ndonëse kjo e fundit nuk kishte ndodhur fare (mesiguri për shkak të presionit të madh publik) kishte mjaftuar një shprehje deklarative e Qeverisë së Shqipërisë sa për të na portretizuar si therës e kërdi-bërës masiv pa pikë nevoje.

Laramania vazhdonte kur ne në njërën anë kishim hiper-performancat e Rita Orës e Inva Mulës, që dhanë dorën në zemër mesazhin më të mirë që shqiptarët mund ti jepnin vetes dhe botës, e në anën tjetër kishim vërsuljet e çoroditura ndaj tortës që dëshmonin mentalitetin hekanak të shqiptarëve. Ishte një qytet i vetëm që në pak metra katrorë barte mesazhe që bëjnë lakminë e të tjerëve për ne dhe mesazhe që bëjnë talljen e të tjerëve ndaj nesh . Më duhet të them se pamjet e tortës nuk janë të reja për shqiptarët; jo më larg se pesë vite më parë kur shpallej pavarësia e Kosovës ishin po shqiptarët që me pëllëmbën e njërës dorë mbanin një copë të shthurur torteje e me gishtat e dorës tjetër e gërryenin atë. Nuk i pranoj arsyetimet se vërsulja e pakontrolluar ndaj tortës bëhej nga uria; nuk janë këto pamje kampesh refugjatësh me të cilat shqiptarët janë familjar sa të duash, e as torta nuk është përmbushës i urisë së tyre. Zombizmi ndaj tortës fatkeqësisht jep pasqyrën e vërtetë të mjerimit kulturesk të një pjese bukur të mirë të shqiptarëve që kanë mbetur të harruar nga politikanë që janë të zënë me eko-izimin folklorik. Pamje si këto domosdo tregojnë dhe anën e zymtë të shqiptarëve që duhet të zhbëhet në njëqindëshin e dytë sa më parë të jetë e mundur.

Laramane ishte dhe bashkimi politik në vete. Derisa ishte për lakmi prezenca e përfaqësuesve institucional kosovar në çdo ngjarje shënuese, për të kulmuar me një paradë ushtarake të FSK-së, dëshpëruese ishte ndasia politike në këto tubime kryesisht të filtruara në bazë të preferencave partiake në Shqipëri e të ndjekura nga përfaqësuesit kosovarë. Nuk ma do mendja që ka një vend në botë që zgjedh hidhërimin në ditë të rralla gëzimi. Madje burrështetasit e mëdhenj zgjedhin mu ditë si këto për të përbirë çfarëdo që kanë të mbetur në fyt; për hir të një ideali më të madh, për hir të një shenjëzimi më të rëndë. Ishin të dhimbshme e trishtuese organizimet e dyfishta të motivuara nga partitë; kur të parët në Tiranë, të dytët në Vlorë, e kur të parët në Vlorë të dytët në Tiranë. Madje ishin të padurueshme fjalimet e ngjyrosura me hipokrizi që në njërën anë thirrnin për bashkim e në anën tjetër përfundonin me fyerje për njëri-tjetrin. Këta politikanë që hedhin kripë në mjaltë besoni ose jo janë shpresa jonë e mbetur për një rimëkëmbje shqiptare. Paramendoni tash potencialin tonë kur nuk jemi në gjendje ti shohim liderët tanë politik, pa kurrfarë dallimi partiak, së paku për pesë minuta bashkë.

Laramane ishte dhe respekti ndaj vet festës në Kosovë. Derisa iniciativa qytetare për të respektuar flamurin kuq e zi kishte kulmuar aq shumë sa që kompleksonte çdo pretendim të supremacisë së yjeve multietnike, i rëndë dukej organizimi anarkik e provincial në Kosovë. Për të parën nuk besoj se ka pasur ndonjë dyshim për preferencat e kosovarëve rreth flamurit, por një ndjenjë e tillë ndaj ngjyrave kuq e zi duhet të shërbejë si këmbanë këndjellëse se të paktën flamuri kosovar duhet të reflektojë ndjenjat e kosovarëve. Imponimi i tij kam frikë se do të ngjallë inferioritet që degradon në përbuzje. Për të dytën, nuk mbaj mend të kem parë Prishtinën ma të paorganizuar e ma me pa shije në ndonjë ditë tjetër festive se kjo e 100 vjetorit. Kryeqyteti i dy milionë shqiptarëve dukej as më pas e as më shumë se sa një provincë e harruar. E tëra çfarë Prishtina e qytetet tjera rend pas saj kishin bërë është tanimë standardja e festimeve, diçka që mund të organizohet pa lodhur më shumë se dy kokrra mend: një koncert. Madje kam përshtypjen se po të ndalonim me dekret mbajtjen e koncerteve patetike mishmashe për shënim të ditëve nuk do të dinim të festonim fare. Një skenë, një mikrofon, disa këngëtarë, e aty këtu flamuj të vënë si për tu terur, ishte gjithçka që institucionet e Kosovës, qendrore e komunale, kishin bërë për ti shpërblyer kosovarët. Kaq pak them se nuk meritonim.

Sidoqoftë, përtej laramanisë e hiper-folklorizmit festiv, shqiptarët kanë shumë arsye për tu mburrë. Kjo mburrje megjithatë nuk guxon të shërbejë si siguresë komforti. Euforia e gëzimet e tilla dhe mund të kenë kuptim në ditë festive, ato dhe mund të pranohen për pak kohë. Çfarë nuk mund e nuk guxon të pranohet është indiferenca jonë ndaj problemeve ekzistenciale që i kemi sot e që na u shfaqën trishtueshëm në ditë feste.



Friday 23 November 2012

100



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 NENTOR 2012
Në një javë feste them të mbyll sytë pak, të harroj për pak “kolltukofagët” e Fan S. Nolit që edhe sot e kësaj dite mi zhbëjnë ëndrrat, të harroj “palaçot e dheut” të Faik Konicës që vazhdojnë të parapëlqejnë “fjalën, mbledhjen e pallën para kazmës”, e të harroj dhe “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, e shakllabanat” e At Gjergj Fishtës që mi çoroditin rrugët lartë e poshtë pandalim. Sot thjeshtë nuk është dita e tyre.


Në një ese të shkurtë të vitit 1916 me titull “Plagët tona: Ç’na mungon? Ç’duhet të kemi?” Mit’hat Frashëri në përpjekje për të rrumbullakuar defiçencat e kombit argumentonte kështu: "Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë. Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm. Kur të jetë ndezur në zemrën tonë ky zjarr i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshirave dhe i fuqive, është një nevojë për ne, se therorësia e egoizmit vetiak është një qejf për ne, se ne të gjithë do të shikohemi si vëllezër e shokë për veprën e përbashkët, për të ngrehur godinën e shëndoshë të madhërisë sonë."

Në një ditë të zymtë them se një shekull pas fjalëve si këto, ideali ynë është fuqia ndaj sojit tonë, shtytja jonë është lakmia, qëllimi ynë është froni dhe për të arritur, mbajtur e përcjellë atë ne bëjmë të pabërin. Ne ecim solo, punojmë solo, përpiqemi solo e s’përparojmë hiç! Ne ende mbajmë vetën ekocentrik dhe gjithçka mbillet e sillet rreth egos sonë të tmerrshme; rreth asaj “therorësie e egoizmi vetiak” te M.Frashërit që nuk ka se si të mos na verbojë. Në një ditë të zymtë them se ne ende nuk zgjedhim vlera, parime e rregulla për të ndjekur idealet e rrahjegjoksit në vend të nderit. Në një ditë të zymtë them se ne ende evoluojmë ndaj sojit tonë, regresojmë ndaj grupit e përulemi ndaj të huajit. Ky ideal i mbrapshtë na jep të mbrapshtit tanë; e të mbrapshtëve tanë u jep bashkim dhe forcë. I grupon ata në një, i zhveshë nga çdo tipar solidar e patriotik dhe i len të tillë, të pa marrë, të mbyllur ndaj parimeve dhe fondamenteve komb-zhvilluese. Bashkimi i mbrapshtë i bën më pas aktiv në një rrugë reaktive për kombin; u jep forcë dhe kohë për të mbjellë edhe më shumë rregulla e vlera të mbrapshta të cilat i kalojnë tek të tjerët që ju vihen pas si zagarët që i vihen të zotit. Në fund i bën të vetëqëndrueshëm, injorantë e agresiv, duke krijuar kështu një grumbull pakurrizorësh destruktiv vetushqyes që përhapen e shumohen eksponencionalisht në kurriz të rimëkëmbjes së kombit.

Në një ditë të zymtë dhe ndihem kështu. Të jesh i fundit për të mirë e i pari për të keq nuk është se më jep fort kënaqësi. Por në një javë feste them se zymtësia vend nuk ka, them të mbyll sytë pak, të harroj për pak kohë “kolltukofagët” e Fan S. Nolit që edhe sot e kësaj dite mi zhbëjnë ëndrrat, të harroj “palaçot e dheut” të Faik Konicës që vazhdojnë të preferojnë “fjalën, mbledhjen e pallën para kazmës”, e të harroj dhe “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, e shakllabanat” e At Gjergj Fishtës që mi çoroditin rrugët lartë e poshtë pandalim. Sot nuk është dita e tyre. Hajna, kriminelë, dhunues, vrasës, pushtues, parazitë, tradhtarë e të tjerë ushunjëza që pini gjakun e djersën e hekanakëve shqiptarë, u pjekshi në ferr! Ky vend e kjo copë toke do të bëj e do të mund të ecë dhe me ju mbi të.

Sot është dita e atyre shqiptarëve që mendojnë mirë e drejtë që nga hapi i parë nga shtrati e deri te i fundit prapë për në shtrat. Sot është dita e atyre shqiptarëve që përkundër anomalive shoqërore megjithatë bëjnë mrekulli me mbarësinë e drejtësinë e tyre dhe me këtë mbajnë gjallë ëndrrën shqiptare. Jo ëndrrës shqiptare nëpërmjet gulçimave me këngë, çartjeve me shuplakë, assesi nëpërmjet euforizmave turbo-folko-nacionaliste të valleve në udhëkryq, por nëpërmjet qytetarisë së mirë, nëpërmjet mësimit, leximit, shkuarjes në punë, bërjes shokë, kujtesës për familje, gjetjes së shtëpisë, martesës, bërjes së fëmijëve, harxhimit, kursimit, shëtitjes, ëndërrimit, besimit, votimit, ngritjes së zërit, pagesës së taksave, pagesës së faturave, bindjes ndaj ligjit, sjelljes normale, dashurisë ndaj shtetit, sfidimit të qeverisë, luftës ndaj hajnave, krenarisë patriotike, mbijetesës – nëpërmjet vet lirisë! Sot është dita e shqiptarit të mirë; kaq mjafton për të larë veten ndaj obligimit patriotik që secili bartim në vete që nga dita e parë kur hapim sytë e shohim nënën, e deri në natën e fundit kur i mbyllim ato e të vetëm takojmë Zotin.

***

Nuk ma do mendja që ka shumë popuj që kanë ndjerë pasojat e zareve politike sikurse shqiptarët e aq më pak popuj që i kanë mbijetuar ato. Mbijetesa e popujve të vegjël përballë forcave të mëdha është virtyt e vlerë e pashoq. Këtë mbijetesë të trashëguar tek ne duhet ta ruajmë në përjetësi si kujtesë mbi sakrificën e gjithë atyre që nuk janë më që të jemi ne. Sot ne duhet të kujtojmë mundin e mësuesve, ushtarëve, mjekëve, shkrimtarëve, punëtorëve, udhëheqësve, hoxhallarëve, priftërinjve, gazetarëve, burrave, grave, bijve e bijave që patën një kauzë të përbashkët shqiptare. Sot ne duhet të kujtojmë udhën e nisur të baballarëve të shtetit që flet shqip. Ecja e tyre nuk duhet të na shërbejë si satisfakcion e ngopje për kauzën e përbashkët; kush jemi ne të ndalemi këtu? Ajo duhet të na shërbejë si bazë për të ekstrapoluar më tutje ecjen drejt një qëllimit të përbashkët final, më madhor, më të drejtë. Duhet bërë këtë meqë ecja e jonë sado që është triumfale është dhe e papërfunduar, e gjërat e papërfunduara, siç dhe i kemi ndjerë shpeshherë më parë, na kthehen mbrapshtë herë do kurdo.

Së pari, ecja jonë është triumfale meqë pozicioni i shqiptarëve në relacion me të tjerët krahasuar me 100 vite më parë (jo në relacion me veten meqë progresiviteti nominal do të ndodhte edhe pa angazhimin tonë) është më i konsoliduar. Sidomos dekada e fundit i dha shqiptarëve një copë force për të ngritur dorë e rrahur tavolinë kur ata janë të ulur aty. Së dyti, ecja jonë është e papërfunduar meqë ne jemi larg prej potencës sonë politike, ekonomike e ushtarake dhe se ne jemi larg prej të drejtave e mirëqenies solide të shqiptarëve brenda e përtej kufijve Kosovë e Shqipëri. Me Veriun e mbytur, Maqedoninë në hall e Luginën në harresë festa jonë ka një dozë shije të festës pas mortit.

Jemi larg prej potencës sonë meqë stadet tona të zhvillimit janë ngufatëse. Kujtoj se shqiptarët sot, kudo që janë në Ballkan, shënojnë rekordet më të ulëta ekonomike e të mirëqenies. Ata sot kanë normën më të lartë të papunësisë e varfërisë, pagat mesatare më të ulëta, deficitin më të lartë tregtar, bruto produktin vendor më të vogël, kujdesin shëndetësor më joadekuat, shkollimin më joprofesional, rrugët e hekurudhat më të dobëta, furnizimin me energji e ujë më të paqëndrueshëm, dhe më e rëndësishmja, prodhimin më të pakët; të gjitha në krahasim me çdo shtet tjetër Evropian. Pas shqiptarëve vijnë boshnjakët, moldavët, serbët, malazezët, kroatët e të tjerët nga Evropa.

Të rinjtë tanë që janë të bollshëm në numër, në vend të bërjes së një force eko-gjeneruese që se ka kush në Evropë, sot bëjnë një  forcë mërgimtarësh në rastin më të mirë apo një forcë badihavxhinjësh në rastin më real. Tokat tona me pjellshmëri të lartë, në vend të bërjes së rendimenteve që ushqejnë barkun e shqiptarëve, sot bëjnë djerrinat që rrinë të thara e pa të zot; madje njeriu dallon lehtësisht pronësinë etnike të tokave me një shëtitje të thjeshtë nëpër Ballkan. Bizneset tona në vend të bërjes së vendeve të punës, inovacionit e kualitetit të produkteve, sot bëjnë vetëm ndërmjetësuesin mes shitësve të huaj e konsumuesve shqiptarë. E sa për të mos mjaftuar këto, qeveritë tona në vend të udhëheqjes, mbrojtjes, kujdesit e pasjes së vizionit zhvillimor, sot bëjnë turpin e botës me rangimet e larta të korrupsionit, mostransparencës, burokracisë e hajnisë. Fuqia jonë punëtore, toka jonë, bizneset e qeveritë tona, në vend se të bëjnë lehtësuesin e njëri-tjetrit, sot bëjnë një cikël disfunkcional ku secili mbanë peng tjetrin.

Për ti dhënë udhë problemeve jetike shqiptare ne sot kemi nevojë për unifikim, për bashkim, meqë vetëm nëpërmjet bashkimit të potencialeve tona ne mund të faktorizojmë veten. Si të vegjël që jemi do të shërbejmë gjithmonë si vagon e asnjëherë si lokomotivë e trendëve rajonale. Ndonëse bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet është proces i refuzuar ndërkombëtarisht (tani për tani), i refuzuar nuk është e nuk do të jetë asnjëherë kujdesi i bashkuar për një mirëqenie shqiptare. Kjo mirëqenie shqiptare nuk mund të sigurohet asnjëherë pa një zë unifikues politik dhe pa një mbështetje të fuqishme ushtarake. Ne sot nuk e kemi asnjërën dhe për më tepër nuk do ta kemi asnjëherë pa një rikonsolidim të brendshëm ekonomik. Pra pa një fuqi ekonomike qëllimet e ecjes sonë njëqindvjeçare do të jenë të paarritshme, e zëri ynë politik e ushtarak do të jetë zë puberteti. Kjo fuqi ekonomike nuk do të na vijë asnjëherë nga forca të jashtme, madje edhe nëse vjen do të jetë e vonuar dhe e formësuar qoftë si ndihmë apo si mëshirë. Fuqia jonë ekonomike do të  burojë vetëm nga një ndërvarësi e koordinuar e jona dhe e mbështetur në parimet e përparësive komperative në relacion me të huajt dhe përparësive komplementare në relacion me shqiptarët.

Sot shqiptarët nuk gjejnë dot, ose gjejnë shumë pak, arsye, motive e forca që bëjnë plotësimin e njëri-tjetrit. Politikat e tanishme kombëtare kanë qenë larg prej impresives. Përtej përurimit të Abetares së përbashkët, që ndoshta dhe simbolizon në vete nivelin e bashkëpunimit ndërshqiptar, rrjedhat tjera politike kanë qenë disi jo vetëm të çakorduara por dhe të rastit pa ndonjë përfundim domethënës. Në qëndrimet politike, divergjencat partiake të kryeqendrave kanë shkaktuar ndasi të pakuptimtë tek shqiptarët tjerë, përfshirë edhe individët e grupet me influencë shoqërore, duke minuar kështu çfarëdo progresi të koordinuar mbi çështjet më bazike të një kombi, siç janë sigurimi territorial, edukimi i të rinjve (sidomos femrave), kujdesi shëndetësor, zbutja e varfërisë, rritja e konkurrueshmërisë, parandalimi i qëndrimeve ekstremiste fetare e lufta ndaj kriminalitetit. Të dhënë mbas problemeve partiake, të hendikepuar nga mungesa e elitave akademike vizionare, nën mëshirën e nën-zhvillimit, problemet ekzistenciale si këto të thëna më lartë kanë marrë vëmendjet tona vetëm pasi që ato janë konsoliduar bukur mirë dhe kështu kanë rrezikuar seriozisht jo vetëm bashkimin tonë por edhe identitetin tonë kombëtar.

Në qëndrimet ekonomike, superstradat e ndërtuara viteve të fundit nuk kanë qenë asnjëherë të përcjella me politika stimuluese ndër-tregtare. Kështu ato kanë shërbyer më tepër për të dërguar shqiptarët e Kosovës nëpër plazhe të Shqipërisë, e fare pak për të tregtuar mallrat mes vendeve. Madje në vend të lehtësimeve tregtare ne vazhdimisht shohim dhe garë politike të bllokadave si rasti i rrushit, verës, patateve, miellit e çimentos, në mes të shumë të mirave të tjera. Vetëm në vende si tonat njeriu sheh investime multimiliardëshe në rrugë të përcjella me politika bllokuese tregtare. E si konsekuencë e një çakordimi të tillë, shqiptarët vazhdojnë të sillen si blerës të gjithkujt përveç të njëri tjetri duke eksportuar kështu miliarda para çdo vit jashtë tregjeve të tyre (saktësisht 7 miliardë). Në të njëjtin stad është edhe tregu energjetik, ai i telekomunikimit, i lëndëve të para e i fuqisë punëtore.


***

Pavarësisht gjithë kësaj, është vonë për tu ankuar; tepër vonë. E qartë se është rëndë e mbrapshtë e keq; por çfarë dobie japim po u bëmë ankues melankolikë të padurueshëm? I dimë të gjitha. Çfarë megjithatë nuk dimë është se në hyrje të 100 vjetarit të dytë si duhet ti përgjigjemi pyetjes së M.Frashërit: “Ç’duhet të kemi?”. A kemi si komb një vizion të qartë se ku po ecim, si po ecim e sa shpejtë po ecim?

Në një situatë pozitivisht konkurrenciale mes popujsh, shqiptarët thjeshtë nuk e kanë luksin e konkurrencës në mes veti. Kanë gjuhë të njëjtë, kulturë të njëjtë, traditë të njëjtë dhe për më tepër kanë një territor kontinuel; parakushte këto për një unifikim të lehtë. Çfarë shqiptarët megjithatë nuk kanë është një vizion të njëjtë. Shqiptarët sot kanë nevojë për një moment që bashkon mendjet politike, akademike, fetare e ushtarake në një vend. Jo në prerje të shiritave, as në tryeza pesëminutëshe, por në një proces që do të definojë ecjen tonë në shekullin e ri. “Armiqtë” partiakë sot duhen të bëhen miq për hir të nevojave komb-zhvilluese. Në këtë moment bashkues ata duhet të mobilizojnë çdo forcë të brendshme, çdo potencial të diasporës, çdo grup lobues e çdo lidhje miqësore me shtetet tjera për të vënë në lëvizje makinerinë që realizon një qëllim më madhor shqiptar të mirëqenies sonë.

Në këtë moment bashkues ata duhet të përcaktojnë zërin e këmbëngulësisë ndaj sigurisë territoriale të shqiptarëve, zë ky që u bën me dije pretenduesve të sëmurë anti-shqiptarë se ka një çmim që ne nuk e paguajmë kurrë e ka një vijë që ata nuk guxojnë ta kalojnë asnjëherë. Përballë pretendimeve shfarosëse ne thjeshtë nuk guxojmë të zgjedhim komfortin; ne duhet kërkuar paqen nëpërmjet forcës. Në këtë moment bashkues shqiptarët duhet të përcaktojnë dhe pragun e edukimit në trevat më të paedukuara shqiptare, shëndetin në vendet më të sëmura, varfërinë në fshatrat më të harruara, rrugët në kanalet më të nevojshme, hekurudhat nëpër qytetet më potenciale, ç’rrënjosjen e ekstremizmit fetar në vendet më të mbyllura, politikat biznesore për vendorët me më shumë nevojë e gjetjen e fuqive krahasuese e komplementare në rajonet që i kanë ato. Në këtë moment bashkues ata duhet të mendojnë mbi mobilizimin e kapitalit financiar, fondeve pensionale, fondeve privatizuese, kursimeve vendore e atyre të diasporës për të fuqizuar e ngritur bizneset tona në relacion me rajonin. Në këtë moment bashkues ata duhet të përcaktojnë dhe forcën ushtarake si mjet garantues i paqes e mirëqenies sonë, forcën diplomatike si mjet përfaqësues i interesave tona, forcën religjioze si mjet identifikues i traditës sonë dhe forcën akademike si burim i ideve të reja për qindvjeçarin e dytë. Në këtë moment bashkues ata duhet të vendosin edhe për varësinë tonë ekonomiko-politke nga rrymat e caktuara, duhet të vendosin se kush bën e kush s’bën të influencojë shqiptarët. Ata duhet të përcaktojnë aleancat e ardhshme dhe kërcënimet imediate që i ndajnë shqiptarët jo vetëm në mes vete por dhe nga vlerat e preferencat perëndimore.

Përmbi gjithë kësaj, në momente të tilla shqiptarët duhet të vendosin kalimin nga të trajtuar si për mëshirë në të trajtuar si faktorë. Mbijetesa e shqiptarëve më nuk duhet të na shërbejë si një qëllim që na sjell kush e di çfarë satisfakcioni; është diçka e qindvjeçarit të parë. Në trendet e tanishme perëndimore qëllimet e kualitetit të jetës, fuqisë blerëse, ndikimit politik, kulturor e sportiv janë ato që numërohen dhe ato duhet të përcaktojnë pragun e matjes së suksesshmërisë sonë si komb. E me kandar si ky ne duhet dhe të bëjmë reflektimin tonë. 

Liderët e dijetarët shqiptarët nuk duhet të kenë frikë nga momente të tilla. Përkundrazi, ata kanë obligim moral që ti prijnë popullit në momente si këto. Ata duhet të tregojnë veti që përmbysin kohën e hapësirën rreth tyre e që tregojnë siç kanë treguar edhe burrat e gratë para tyre, se njerëzit vijnë e shkojnë por kombi e shteti mbeten gjithnjë aty; nga të tjerët për ne, nga ne tek të tjerët. Në fund të fundit ka diçka që shkon përtej kohës e shënimeve të ditëve si këto e që deshëm apo s’deshëm ne shqiptohet si obligim patriotik për të mbrojtur e ngritur vendin. Shqiptarët kanë bërë mrekulli në 100 vitet e shkuara, por 100 të rejat duhet domosdo të jenë të tyre.



Friday 16 November 2012

HISEJA E KOSOVËS NË ISH-JUGOSLLAVI



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 NENTOR 2012

 Për ti dhënë zgjidhje të pjesërishme problemeve ekonomike në relacion me Serbinë, pra atyre të borxhit të jashtëm e marrjes së hises, Kosova duhet të insistojë në fillimin e një procesi negociues arbitrar ekonomik


Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë e shënuar më tepër me një festë institucionale se sa qytetare, tregonte në vete brishtësinë e saj si proces. Pavarësisht kësaj, nuk ka as edhe një dëm nga përmbyllja e mbikëqyrjes; dëm do të ishte vazhdimi i saj. Por, në sensin e krahasimit të gjërave jo ku ishim e ku jemi sot po ku jemi sot e ku mund të ishim, vlerësimi për procesin e mbikëqyrjes dhe trashëgiminë e lënë pas është jo fort mbresëlënës. Thënë të drejtën ky proces është shumë larg percepcionit të institucioneve tona, shumë larg euforisë artificiale që nuk ndezi asnjë ndjenjë qytetare në ditët e para të post-mbikëqyrjes, e shumë larg nga propaganda e televizionit publik të bërë në ditën e mbikëqyrjes. Me një Veri të lënë pas, me shumë organizma ndërkombëtarë që nuk njohin shtetësinë e Kosovës por që janë superiorë në vendimmarrje, me shumë elemente anti-pavarësi dhe më e rëndësishmja, me pak pritje për ndryshim, situata post-pakos gjithëpërfshirëse lë boshllëk e barrë për shtetin tonë në vazhdimësi.

Javë më parë, si pjesë e Forumit 2015, kisha bashkë-shkruar një analizë të elementeve që derivohen nga pakoja e Ahtisaarit; analizë e cila më pas u shpërblye me çmimin “PASOS Think-Tank Publication Award 2012”. Në këtë analizë ne kishim identifikuar edhe proceset e padefinuara mirë ani pse mbikëqyrja po përfundonte. Pa dyshim se Veriu në çdo komponentë të analizës bënte ishullin kosovar por përtej Veriut ishin edhe një sërë elementesh tjera që nuk kanë gjetur zgjidhje ani pse parashiheshin fillimisht të merrnin udhë gjatë periudhës mbikëqyrëse. Një pjesë e këtyre rrumbullakohen rreth komponentit ekonomik e me theks të veçantë në trashëgiminë e Kosovës përballë ish-Jugosllavisë. Në këtë shkrim do të mundohem të bëj një përmbledhje të tyre. Do të mundohem të paraqesë çfarë është paraparë të bëhet me pakon e nuk është bërë, çfarë na takon si shtet e nuk kemi marrë dhe si duhet të sillemi në të ardhmen për ti dhënë pronësi hises tonë. Problemet serbo-kosovare me energji, telekom, pensione e dëme të luftës bëjnë një fushë të veçantë elaborimi (shumë më të rëndësishme se kjo që trajtoj) prandaj si të tilla nuk do ti përfshijë në këtë shkrim.

Fillimisht, sipas Pakos së Ahtisaarit Kosova dhe Serbia është dashur të gjejnë zgjidhje për borxhin e jashtëm për periudhën 1989-1999, borxh ky i kontestuar nga pala jonë gjatë bisedimeve të Vjenës me plot të drejtë. Them me plot të drejtë meqë një prej parimeve universale të borxhit është ai i territorialitetit. Pra një borxh i faturohet një pale vetëm nëse ai borxh është investuar në territorin e kësaj pale. Parimi i territorialitetit  për të mirën tonë është futur edhe brenda Pakos së Ahtisaarit, e në kuadër të saj është dhe kërkesa që palët të merren vesh gjithmonë brenda kornizave të këtij parimi. Për ne futja e parimit të territorialitetit është lloj garance e adresimit të borxhit në të ardhmen.

Për dallim nga borxhi i të 90-tave, borxhi i para 1989-ës, si pjesë e borxhit të ish-Jugosllavisë, është pranuar nga pala kosovare meqë i njëjti kishte përmbushur kriterin e territorialitetit. Gati gjysma e atij borxhit është paguar sot nga qeveria e SHBA-ve në një akt mjaft gjeneroz derisa pjesa tjetër servisohet nga buxheti i Kosovës vit pas viti. Serbia në anën tjetër nuk ka arritur asnjëherë të dokumentojë se paratë e marra nga regjimi i Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta në emër të Kosovës janë investuar në Kosovë. Për neve kosovarëve është kristal e qartë se paratë në fjalë nuk kanë prekur asnjëherë vendin tonë; në fund të fundit ne bënim jetën këtu. Por pavarësisht kësaj, në relacione ndërkombëtare nuk mjafton të sillemi solo. Meqenëse palët nuk u morën vesh asnjëherë dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrime polarizuese, dialogu arbitrar ishte paraparë të mbahet brenda gjashtë muajve të implementimit të pakos (shih Aneksin 6 të Pakos). I njëjti nuk kishte ndodhur asnjëherë dhe ky bën lëshimin e parë ekonomik nga Plani i Ahtisaarit.

Lëshimi i pakos nuk do të thotë se ne nuk duhet të bëjmë zgjidhje ndaj një konteksti ndërkombëtar. Për të bërë zgjidhje ne duhet të insistojmë sa më shpejtë e sa më qartë në një proces arbitrar. Procesi arbitrar në esencë nuk është një dialog pa fund e dialog që duhet të përfundoj me një mesatare për të gjithë, siç edhe ishte rasti i këtij teknik në Bruksel, por është një proces argumentues me një vendim final që bëhet obligativ për të gjithë. Pra në fund të argumentimit arbitri ndërkombëtar merr një vendim që bëhet detyrim ndërkombëtar për palën e rënduar. Meqenëse Kosova e ka të garantuar parimin e territorialitetit, meqë ne jemi të sigurt se paratë nuk janë investuar asnjëherë në Kosovë them se duhet të jemi shumë komfort e shumë këmbëngulës që të fillojmë një dialog arbitrar e të pastër ekonomik, ku do të ndajmë shapin prej sheqerit me Serbinë.

Rezoni prapa ngutisë së adresimit të çështjes së borxhit qëndron në procesin post-borxhit. Si në çdo praktikë tjetër ndërkombëtare ndarja e shteteve nënkupton dhe ndarje të hises pas ndarjes së borxhit. Pra në momentin e parë që i mbyllim librat e borxheve, i hapim ato të hiseve. I hapim librat e hises së Kosovës në pasurinë e ish-Jugosllavisë (përfshirë dhe arin) e cila nuk na është dhënë gjatë procesit të suksesionit mes shteteve ish-Jugosllave. Suksesioni i Jugosllavisë tanimë është i përfunduar, por hiseja e Kosovës sot ndodhet si pjesë e hises së Serbisë e e cila gjatë ndarjes së pasurisë Jugosllave administronte dhunshëm me Kosovën. Prandaj elementi i dytë i dialogut arbitrar ekonomik është domosdoshmëria e zgjidhjes së problemit të suksesionit.

Elementi i tretë i relacionit me Serbinë, por këtë here edhe me shtetet tjera ish-Jugosllave, nënkupton edhe zgjidhjen e çështjes së pronave. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) deri më tani ka identifikuar diku rreth 172 prona të Kosovës në shtetet e dalura nga ish-Jugosllavia. Pjesa më e madhe e këtyre pronave është në Serbi, 104 prona, dhe në Mal të Zi, 42 sosh. Këto pasuri janë kryesisht degë të ndërmarrjeve kosovare, siç është për shembull rasti i ndërmarrjes “Jatex” me disa prona në shtetet ish-Jugosllave. Problemi thelbësor në këtë drejtim është se vendet ku këto pasuri ekzistojnë refuzojnë të drejtën tonë. Përjashto Serbinë që ka qëndrime politike jo vetëm ndaj pronës së Kosovës atje, por edhe ndaj aseteve kosovare në Kosovë, problemet tona ekzistojnë edhe me shtetet që na kanë njohur. Mali i Zi ndër të tjera është një vend që refuzon autorësinë kosovare në këto degë ndërmarrjesh. Një pjesë e madhe e këtyre ndërmarrjeve madje janë privatizuar nga vendet përkatëse, por gjithsesi vlera e tyre reale duhet të kërkohet nga autoritetet tona. Për të zgjidhur këtë problem Kosova do të duhej të negocionte drejtpërdrejtë apo me arbitër me secilin shtet veç e veç, për të marrë kështu atë çfarë i takon. Duhet thënë megjithatë se ka raste kur edhe Kosova mbanë degë të ndërmarrjeve që burojnë nga ish-vendet Jugosllave prandaj në çështje si këto ne mund të vendosim parimin e reciprocitetit; kthejmë kur na kthehen.

Në dialogun potencial arbitrar me Serbinë, gjithmonë në relacion me çështjen e pronës, pala e tyre do të insistojë siç ka insistuar deri më tani edhe në hisen e tyre në pasuritë shoqërore e publike të Kosovës e tash të shndërruara në fondin e privatizimit. Pavarësisht pretendimeve të tyre është e  qartë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë i garantohet vendit nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vet pakoja gjithëpërfshirëse. Pra të gjitha shtetet që kanë njohur Kosovën i njohin asaj dhe të drejtën mbi këto ndërmarrje dhe rrjedhimisht mbi të hyrat e marra nga shitjet. E drejta jonë në prona të Kosovës është e sigurt sa edhe e drejta e pavarësisë; ajo ka gjasa të zhbëhet sa ka gjasa dhe zhbërja e pavarësisë (zero). Në këtë kontekst pretendimet e Serbisë për të drejtë në pasurinë që ndodhet në Kosovë janë thjeshtë për konsum të brendshëm politik derisa çfarëdo privatizimi i bërë nga çdo organizëm përveç AKP-së është i pavlefshëm ndërkombëtarisht. Dhe kjo duhet ti shërbej palës sonë si një komfort e siguri në çfarëdo relacioni me ta.

Në fund fare, çfarë për ne megjithatë do të mbetej problematike pavarësisht procesit potencial arbitrar, është kontrolli i aseteve tona në Veri dhe shpeshherë shfrytëzimi i tyre pa pëlqimin tonë. Kjo gjithmonë për shkak të proceseve politike atje. Derisa prezenca jonë institucionale ka munguar në Veri, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve shoqërore janë zhvlerësuar në skajshmëri, një pjesë tjetër vazhdojnë të mbesin jo atraktive për investimet e huaja marrë parasysh ambientin politik atje e të tjerat dhe operojnë pa prezencën e autoriteteve kosovare. Them se AKP si e vetme e ka të vështirë të bëjë administrimin e këtyre ndërmarrjeve pa një prezencë të strukturave që garantojnë rend e ligj. Rrjedhimisht çfarëdo pretendimi i mbi menaxhimin e tyre në kushte si këto të sodit është joreal e joserioz. Pavarësisht kësaj, zgjidhjen e problemit mbi menaxhimit e këtyre ndërmarrjeve, Kosova nuk duhet kërkuar në asnjë proces tjetër përveç atij të shtrirjes së rendit e shtrirjes së shtetit.