Letra nga limbo 2013
KOHA DITORE 30 Dhjetor 2013 (numri festiv)
Një retrospektivë mbi ngjarjet që lamë
pas
Derisa po kaloja nëpër përmbledhjen vjetore të
artikujve që kam shkruar gjatë vitit - tashmë - të shkuar, fillova të kuptojë
dhe rrjedhimisht ti ripërtypë edhe kompleksitetin e ngjarjeve në Kosovë. Do të
duhej sinqerisht një talent i veçantë për të prodhuar një vend i vogël si i yni
kaq shumë anomali politike, kaq shumë mbrapshtësi ekonomike e kaq shumë defekte
shoqërore. E do të duhet një talent edhe më i veçante që në mesin e gjithë
këtyre ngjarjeve të prodhohet shpresë; siç bënë mjaftë individë e grupe gjatë
dymbëdhjetë muajve të shkuar. Më përcillni për pak për të kuptuar këtë
kompleksitet.
Në janar të këtij viti, taman kur filloj çlodhja pas
vitit të ri, në Kosovë na ishin shfaqur disa burra me maska e rroba ngjyrë zi,
e që po gjesitkulonin me një eksplozivitet sikurse ato lëvizjet e skeçeve të
Çaplinit me gjithë përshpejtimet e rëndomta të filmave pa ngjyra. Para vetes kishin
vendosur një hartë dhe po pretendonin luftën e re. Tmerrues nuk ishte skeçi
komik; tmerrues ishte vet ideja e nevojës për mbështetje në struktura aq të
paorganizuara 14 vjet pas çlirimit. Komedia vazhdoj në Serbi, kur në të njëjtin
muaj, Parlamenti i Republikës atje kishte miratuar një rezolutë që i ofronte
Kosovës autonomi substanciale. Përballë kësaj rezolute ne vazhdonim me
negociata e mesazhe miqësore – gjithnjë për të prodhuar një shpresë se gjatë
rrugës e në këmbim ne do të merrnim karrigen në OKB, liberalizimin e vizave apo
njohjen nga pesë shtetet e BE-së. Sa larg duken këto premtime tash një vjet.
Muajin e mbyllëm me rrënimin e shtatores së UÇPMB-së nga xhandarmeria serbe në
Preshevë, sa për të rrënuar kështu edhe pretendimet folknacionaliste të
pashallëqeve që liderët shqiptarë i bënin në Shkup. Në përgjigje të provokimit,
grupe të rinjsh pa tru po rrënonin vare serbe gjithandej – sa për të replikuar
para Evropës skenat e marsit të 2004-ës.
Në shkurt u publikua për herë të parë ideja e Fondit
për Veriun. Asokohe shumë pak nga nesh e cilësuam fondin si buxhet paralel;
fatkeqësisht kishim të drejtë. Në përmbyllje të vitit, kur buxheti i Republikës
u prezantua në Parlament, Fondi ishte
jashtë çdo parashikimi financiar. Sot i njëjti bëhet mjet financimi i
kryetarëve dhe komunave (lexo territoreve) që refuzojnë shtetësinë e Kosovës e
që për dallim nga një vit më parë nuk janë më paralel; janë plotësisht legal.
Shkurti gjithashtu dha shkëndijat e para të një rilindje qytetare në vend kur
protestat qytetare morën hov si përgjigje ndaj keqmenaxhmit dhe keqfaturimit
nga KEK. Ndonëse një vit pas protestave asnjë nuk është mbajtur përgjegjës dhe
asnjë nuk është trajtuar si i tillë, thyerja e monotonisë politike ishte vetëm
fillimi i një përgjegjësie kolektive që do të kulmonte me zgjedhje në Dhjetor.
Gjatë shkurtit, gjersa po kremtonim 5 vjetorin e pavarësisë, Gjykata
Kushtetuese u bënte dhuratë kosovarëve një vendim mosvet, e që rikonfirmonte
Presidenten e pazgjedhur nga populli, nën arsyetimin se “populli e do
Presidenten të mbetet aty”; çfarë paradoksi!
Marsin e filluam me ndërrimet politike në BQK dhe në
AKP, pas një sërë influencash politike në pothuajse të gjitha institucionet
publike në vend. Të dy këto institucione ishin bërë të lira pas arrestimit –
lirimit dhe – papërgjegjësisë morale
ndaj një ish-Guvernatori që megjithatë doli të ishte i pafajshëm; dhe pas
vrasjes apo vetëvrasjes së udhëheqësit të AKP-së. Që nga atëherë AKP është bërë
vend i frikshëm për të gjetur punë; në të vërtetë ka qenë gjithnjë ashtu. Nëse
dikush mendon të nisë zhbërjen e krimit ekonomik në vend atëherë duhet të
filloj mu nga aty. Marsin e vazhduam me marshe e protesta qytetare ndërkaq e
përmbyllëm me shtyrjen e afatit për privatizimin e PTK-së; pas dy vjet shtyrjesh
e dy vjet paralajmërimesh se gjithçka po përfundon.
Në Prill përcaktuam fituesin e
privatizimit të PTK-së. Nuk ishte një investitor i njohur, as një kompani
telekomunikimi me përvojë; ishte një fond investiv që proklamohej nga Qeveria
dhe qatipët qeveritarë si “gjerman”. Pra me thënien se prapa investitorit
anonim qëndron prejardhja pak gjermane, pak britaneze e pak amerikane – dhe kjo
mjafton, Qeveria pretendonte të kishte siguruar kualitet. E njëjta të drejtën i
përngjante më tepër anekdotave të
shitjes së veturave të cilat janë vozitur nga një plakë në Gjermani; sa për të
dëshmuar kështu (brishtësish) kualitetin e tyre. Këtë herë megjithatë, bëhej
fjalë jo për një hajgare tregu por për një humbje enorme publike. Në vazhdim të
muajit prill, flirtimet e para të grupacioneve opozitare në relacion me
bisedimet për Veriun veçse ishin formësuar. Në prill askush nuk mund ti besonte
askujt. Në prill vendi ishte pa opozitë – përjashto Vetëvendosjen e cila
megjithatë i qëndronte parimeve të vetëdeklaruara.
Majin e filluam, madje në ditën e
punëtorëve, me propagandën e parë statistikore të vitit 2013; me Agjencinë e
Statistikave të Kosovës që kishte ulur papunësinë për 10.2 pikë të përqindjes
krahasuar me një vit më parë. Propaganda e dytë do të bëhej diku nga tetori,
kur në pak muaj shtesë ASK do të ulte edhe më tej papunësinë deri në 30%. E bënin
duke ofruar numra për vendet e reja të punës? Assesi. E bënin, besoni ose jo, duke i llogaritur si joaktiv nga
qindra-mija kosovarë. Të papunë gjithsesi, por jo-aktiv njëkohësisht (pra të
tillë që nuk duan punë). Kosova në fund mbetej me më shumë popullsi joaktive se
sa aktive, si asnjë vend në botë – fjalë për fjalë – si asnjë tjetër në botë! Në
maj morëm gjithashtu edhe refuzimin e parë për takim rajonal që mbahej në Ohër,
përkundër deklarimeve patetike të negociatorëve kosovarë si ato me “fusnota që
shkrihen”. Ndonëse solidariteti i vendeve mike në rajon ishte mbresëlënës, ndalim
pjesëmarrja për ne megjithatë provonte mu idenë se pala kosovare as nuk kishte
ide për çfarë negocionte në Bruksel; ishte pajtuar për fusnote por nuk arrinte
dot që merrte pjesë në rajon.
E në qershor morën hov pikëpamjet
ekstremiste fetare që shkuan aq larg sa që marrëzisht ofendonin secilën figurë
kombëtarë veç sepse kishte religjion tjetër – përfshirë madje dhe Skënderbeun. Fyerjet
ndodhnin mu në Parlamentin e Republikës nga deputetë që janë të përcaktuar për
të mbrojtur traditën dhe historinë e popullit të tyre. Të njëjtit kanë për të
harruar mirë e gjatë Parlamentin në zgjedhjet e ardhshme – mirë që u pa se
cfarë janë. E në anën tjetër, hoxhallarë që dinin për mot, shëndetësi, ekonomi,
politikë, automekanikë, astronomi e moral – të gjitha në një vend – po
predikonin urrejtje, ahmaki e antivlera të gjitha të mbështjella gjoja me
religjion. Si një besimtar gjeta veten të ofenduar nga një përfaqësim i tillë –
gjithsesi i rrezikuar nga potenca destruktive e qëndrimeve si ato. Ekstremizmi
fetar vazhdon të mbesë rreziku kryesor i Kosovës dhe lirisë së saj. Në ngjarjet
tjera të qershorit, ne u ranguam (të vetmit në Evropë) si vend gjysmë-autoritar
nga Freedom House. Përgjigja qeveritare, besoni ose jo, kontestonte
kredibilitetin e njërit prej institucioneve më kredibile në botë. Muajin e përmbyllëm
me atë që kosovarët mund ta kenë marrë si – çuditërisht – lajmin më të rëndë për
ta, humbjen e Berishës dhe zgjedhjen e kryeministrit të ri Rama. Një ndërrim
radikal i skenës politike atje do të reflektohej dhe në Kosova pak muaj më vonë.
Në korrik u shpërfaq për herë të
parë ligji më anti-shtetëror që Kosova mund të prodhonte; ai i amnistisë. Përtej
faljeve në Veri që dhe mund të përbiheshin shumica parlamentare e jona e përkrahur
trupërisht nga shumica e deputetëve të LDK-së e AAK-së, pra sërish pa VV-në, kishin
aprovuar faljen e shumë krimeve edhe në jug – përfshirë edhe krimeve ekonomike,
të pasurimit të shpejtë e shpëlarjes së parasë. Ishte ndjenja më e pasigurt që
një i drejtë, një i sinqertë e një i mbarë mund të merrte në Kosovë. Atë ditë i
njëjti ishte barazuar me një hajn, kriminel e vrasës. Korriku u freskua me
daljen në skenë, për herë të parë, të “Partisë së Fortë”, një grup të rinjsh
prishtinas, me shumë kreativitet e me shumë pasion, që po thumbonin gjithandej
skenën politike kosovare; brilante. Në korrik gjithashtu na u shfaq edhe ana e
errët e azilantëve kosovarë, me çadra e tenda nën urat franceze. Pamjet e
kosovarëve nëpër kampet evropiane përkthenin më së miri situatën e rënduar
ekonomike në vend.
Gushti veror, përtej monotonisë
së thatësisë nga zhegu, u ç’monotonua nga fitorja impresive e Majlinda Kelmendit
në garat e kampionatit botërorë në xhudo; Kosova pra kishte kampionen e saj.
Fitorja e Majlindës ishte një akt impresimi për gjeneratat e reja që shihnin
kulmimin e suksesit mbi mbylljen e padrejtë të tyre; puna megjithatë kishte
shpagim. Gushti mesiguri ishte muaji me lajmet më të mira në vend, pas një
suksesi të ri të “Dokufestit” që po thentë sërish rekordet e veta. Ishte një
promovim i shkëlqyeshëm i vlerave të mira kulturore të Kosovës.
Lajmet e mira morën fund në
shtator, kur përfundoj pushimi qeveritar, sa për të na kujtuar ironikisht se
për të ecur gjërat mirë në këtë vend kjo qeverisje dhe kjo qeveri duhet të
mbesin në pushim përjetësisht. Në shtator filloj dhe fushata elektorale e
zgjedhjeve lokale. Fillimi i fushatës u karakterizua me tre efekte, i pari
kishte të bënte me reciprocitetin tregtar me Maqedoninë – një akt me shumë vend
por i mundur vetëm falë kohës së zgjedhjeve. I dyti kishte të bënte premtimet
milionëshë paushall të Kryeministrit, të gjitha të kushtëzuara me votën për
partinë e tij, në të kundërtën harrojeni investimet. I treti ndërkaq kishte të bënte një përzierë
mishmashe të pretenduesve për kryetarë, një grup me mjaft kualitet në njërën anë
përballë disave që as shkrim lexim nuk dinin, por pretendonin kryetarllëkun –
tipike kosovare.
Tetori do të mbahet në mend për
zgjedhjet më interesante të organizuara ndonjëherë në vend. Fillimisht,
korrektësia e raundit të parë parabalotazh e që derivonte nga kujdesi i shtuar
i vëzhguesve në relacion me vjedhjet e votës, ishte freskuese për vendin.
Gjithsesi ky freskim po vinte pas një presioni enorm ndërkombëtar për zgjedhjet
e lira. Së dyti, mbajtja e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës, sado që
do të dukej impresive, do të prvonte vetëm pak ditë më vonë defektin enorm jo
vetëm të aktit zgjedhor, por të gjithë procesit dialogues që kishte filluar
vite me parë – për të sjellë Kosovën në qorrsokak. Tetori gjithashtu do të
mbahet në mend për lëshimet (tashmë) të zakonshme të sallës së Parlamentit nga
(këtu fillon çudia) shumica parlamentare, me qëllim të parandalimit të ndonjë
refuzimi eventual të shitjes së PTK-së.
Nëntori filloj me shkëndijat e
para të një befasie elektorale – të shthurjes së regjionalizmit e klanizmit
partiak. Ani pse natën e parë të zgjedhjeve nuk mbet kush pa shpallur fitore,
në natën e dytë pamjet e rezultateve zgjedhore veçse u formësuan më mirë. Në
këtë formësim morri pjesë edhe brutaliteti i grupeve rrugaçore në Veri të
Kosovës që kishin shkatërruar kutitë zgjedhore para syve të ndërkombëtarëve;
për pak treshja Ashton-Thaçi-Daçiq do të jenë ndjerë të tmerruar (me numrin e
vogël të disa votuesve dhe me reagueshmërinë e të tjerëve).
Qershia mbi tortë erdh në
dhjetor, kur rezultatet e balotazhit përmbysën tradicionalen e partive politike
në gjithë Kosovën. LDK humbi Prishtinën, AKR morri Gjakovën, AAK humbi Pejën e
PDK humbi gjithandej – nga çdokush. Konstalacioni i ri politik në vend, që
zëvendësonte monotoninë dhe pakujdësinë e pushtetit ndaj qytetarëve – pra
votimi antipushtet që u shfaq gjithandej – ishte dhurata më e mirë që kosovaret
mund ti bënin vetit për Vit të Ri. Kjo dhuratë dhe kjo festë e pakët u prish
nga katër ngjarje të njëpasnjëshme. E para, nëpërmjet bisedimeve, Kosova i
kishte mundësuar Serbisë të mësonte datën e fillimit të negociatave për
anëtarësim me BE-në për të marrë asgjë në këmbim, as edhe një kërkimfalje madje
për gjithë krimet e marritë e bëra në vend – përfshirë edhe ato së fundi të
ndërlidhura me gjetjen e varrit masiv në Rashkë. Ky progres serb në kurriz të
një stagnimi kosovar ishte produkti i vetëm i mundur i një futjeje pa mend, siç
edhe e kishim paralajmëruar vite më parë. Së dyti, rezultatet e zgjedhjeve dhe
fitorja e një liste anti-kosovare që pretendon shkëputjen nga Kosova provonin
sërish se sa të pasinqertë dhe njëkohësisht se sa të paditur kanë qenë
politikanët tanë gjatë gjithë procesit të bisedimeve. Nëpërmjet një tolerance
me theks në neutralitet ndaj statusit, të njëjtit kanë mundësuar krijimin e
telasheve të institucionalizuara madje në Kosovë. Së treti, presion
ndërkombëtar ndaj kërkesës rreth vendeve të rezervuara parlamentare për
minoritetin serb në Kosovë, përtej çfarëdo premise në Pakon e Ahtisaarit – e
gjitha e shoqëruar me një tolerancë e “bishtit të nxënë” nga partitë në pushtet
– veçse paralajmëron për kahjen e re të një deformimi shtetëror në të cilën
është futur Kosova. Së katërti, përtej zgjedhjeve e negociatave, kontrabandimi
i PTK-së në ligjin e buxhetit, një akt i paparë ndonjëherë më parë, vërteton
sërish natyrën bukur kriminale të një qeverisje që kemi sot. Këta nuk kanë
kufi.
Dhe tash në fund fare, kur kujtoj
gjithë ecjen e bërë pa takt e pa stil në një vit të tërë, kam vështirësi të
ngre dolli me shumë gëzim. Gjithsesi se në mesin e vështirësive e skandaleve
politike – brenda dhe jashtë vendit – ka lajme që të japin shpresë. Aso lajme e
ngjarje që të shtyjnë dhe për një vit tjetër – e për më shumë. E për njerëz që
krijojnë, sjellin e lajmërojnë ngjarje të tilla, vlen të ngrehet dhe kjo dolli.
Për gjithë ataë i dhanë 2013-ës ngjyrat e shpresës, gëzuar. Qoftë tjetri më me
ngjyra se ky.
No comments:
Post a Comment