Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 DHJETOR 2013
Një ri-interpretim i
gjuhës së zgjedhësve
Rrafsh një muaj më parë, kur rezultatet e para të zgjedhjeve lokale ishin
shpallë e certifikuar dhe zyrtarisht, në një artikull me titull të njëjtë po
provoja të interpretoja gjuhën e zgjedhësve drejtuar partive e grupacioneve
politike. Këtë herë kur rezultatet e rundit të dytë përmbyllin gjithë alfabetin
e gjuhës së zgjedhësve, do të provojë të jap një përshtypje mbi emëruesit e
përbashkët nga këto zgjedhje dhe mbi pritjet eventuale që votuesit kanë.
-1-
E çfarëdo analize pretenduese rreth zgjedhjeve do të
ishte e mbrapshtë pa filluar mbarë me interpretimin e ndërrimit më të madh të
mundshëm; atë të Prishtinës. Them me shumë bindje se pakkush të ketë menduar një
ndryshim pushteti në kryeqytet një ditë para zgjedhjeve – përfshirë dhe
pretenduesit. Jo sepse kandidatet tjerë, e sidomos kandidati fitues, nuk kishin
potencë – përkundrazi, shoh tek fituesi i Prishtinës një model të ri, inovativ
dhe me plot kreativitet të përfaqësuesit – por sepse ishte krijuar me kohë një
bindje e pathyeshme rreth bastioneve e preferencave tradicionale të votuesve. Këtë
herë megjithatë, votuesit kishin thyer themelet e politikë-bërjes tradicionale
të bastioneve e mëhallëve; në vend të tyre po zgjidhnin një ndryshim. Në të
vërtetë, kërkesa për ndryshim ishte replikuar në plot 20 komuna të Kosovës ku
kishin ndodhur dhe ndërrimet e pushtetit.
Në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar
me mjeshtëri (fillimisht) futjen në balotazh dhe fitoren eventuale (më pas)
nëpërmjet dy fazave të thjeshta por shumë efikase. Në të parën, VV dhe
kandidati i saj fitues kishin listuar e më pas përsëritur e ripërsëritur me
mjeshtëri vetëm disa nga problemet kyçe të prishtinasëve, siç janë uji, trafiku
urban dhe çerdhet. Jo se nuk jepnin dhe ide të tjera, e kishin bërë mirë e
qartë madje, porse të njëjtit po përsërisnin qëllimisht vetëm tri probleme të
kryeqytetit në mënyrë që prishtinasit të parafytyronin një mundësi dhe një
potencë për ndryshime konkrete tek kandidati i saj. Pra thjeshtëzimi dhe
përsëritja po zëvendësonin takimet mobilizuese të bastioneve që degët e
kundër-kandidatit rëndom i zhvillonin. Është një politikë tipike elektorale
amerikane – ku dhe është shkolluar kandidatit fitues – e ku ripërsëritja e disa
pikave të zgjedhura krijon një imazh të së mundshmes. Faza e dytë, pas krijimit
të imazhit dhe vërtetimit të potencës, fokusohej në mobilizimin e gjithmbarshëm
të votuesve të papërcaktuar nëpërmjet ndjekjes së frymës për ndryshim. Për këtë
strategji kam përshtypjen se duhet kredituar gjithë shtabin zgjedhor të
Prishtinës, të cilët e kishin menduar gjithë ecjen qartë e mirë; ata kanë
sjellë një risi dhe një fitore jo vetëm ndaj rivalit të tyre politik, por edhe
ndaj mënyrës tradicionale të kampanjave zgjedhore që zhvilloheshin rëndom në
Kosovë. Ky shtab, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, ka varrosur një herë e
përgjithmonë politikën e lagjeve dhe të bastioneve mëhallore që nxisin aty këtu
1 militant me kapelë e me flamur partiak por nuk i largojnë 99 të tjerë.
Vis-a-vis një organizmi të qartë dhe energjetik, LDK
kishte ofruar një shtab zgjedhor tejet pasiv dhe pa një platformë tërheqëse për
kryeqytetasit. Në të vërtetë, qendër e këtij organizimi ishin disa kryetarë
degësh që premtonin disa qindra vota nëpër lagjet e veta (ani pse prezenca e të
njëjtëve në parti humbiste mijëra të tjera diku tjetër) dhe disa të rinj nga
forume rinore që ende punë të parë nuk kanë bërë e gjetur por thirren si lider
e të zgjedhur; të njëjtit mblidhnin aty këtu ca gjimnazistë (dhe atë pa të
drejtë vote), bënin ca fotografi (kryesisht me reflektim narcizoid) dhe jepnin
ca parulla të zemrave ngjyrë pink. Kryeqyteti nuk kishte nevojë për zemra
adoleshentësh e brohoritma nga “Kodra e Trimave”; që në fund prodhojnë aderime
të “Aurorës” që shtyjnë gjysmën e “shehrit” në qeshje; kryeqyteti kishte nevojë
për një imazh të qartë, një ide të prekshme dhe një seriozitet të trurit e jo të
hormoneve adoleshente.
Shto kësaj dhe faktin se lideri i partisë ishte dhe
kandidat kryeqyteti, e në vend të bërjes së fushatës në kryeqytet duhej një
muaj të tëra ta ndante në 30 e sa komuna, dhe ke një pasqyrë të qartë të
rezultatit final. Pra për kryetarin e partisë, Prishtina ndoshta dhe ishte një
sakrificë për një votë popullore në rritje. Jo e qëllimshme, jo e menduar, por
në fund e marrë si një ndjenjë morti në darsëm.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, marrja e Prishtinës
përbën rastin më të mirë të mundshëm për të treguar potencën e tyre politike
dhe të qeverisjes. Kryeqyteti ka një fuqi enorme financiare, ekonomike,
kulturore e sportive – pra kryeqyteti është një det i mundësive për të bërë
hapin e madh drejt qeverisjes qendrore. Për LDK-në humbja e Prishtinës përveç
se është një mundësi më pak për të treguar modelin e qeverisjes në qendër,
nënkupton dhe nevojën për reforma thelbësore në parti. Për liderin e saj, kjo
humbje – sado e dhimbshme – nuk shpërfaq asnjë sinjal dobësimi. Është dënim
direkt i një neglizhence drejt prishtinasëve në këmbim me përkrahjen në gjithë
Kosovën.
Lideri i LDK-së ka çdo arsye të ndjehet komfort me
arritjet e votës popullore; gjithsesi shumë i shqetësuar nëse nuk reformon
rrënjësisht partinë nga fytyrat tashmë të topitura partiake – nga të njëjtat që
thirren në mitizime të FARK-ut e presidentit historik vetëm për të marrë ca
vota; e tmerrshme sa larg mund të shkojë përulja e së shkuarës për të marrë pak
pushtet në të tashmen. E tmerrshme se si të njëjtit ndërlidhin presidentin
Rugova me nevojën për një kanalizim në një fshat të Kosovës; sa poshtë kanë ra.
Pra njerëzit e tillë, grupet e tilla, përfaqësuesit e degëve të tilla e forumet
e tjera narcizoide duhet të zhbëhen e largohen, me qëllim të përcjelljes së kërkesës
së votuesve të rinj. Votuesi kosovar po ndryshon, me të duhet të ndryshojë dhe
oferta politike.
-2-
Në relacion të partive tjera, humbësi më i madh
mbetet PDK, e cila degradohet nga pothuajse të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës;
dhe këtë humbje e ka në përballje kryesisht direkte me rivalin më të madh
politik pra LDK-në. PDK humbë Gjilanin, Ferizajin, Lipjanin e Mitrovicën; mbanë
me mrekulli Prizrenin. Kufizimi i PDK-së në disa qendra të vogla nënkupton dhe zhbërje
të fuqisë së tyre. E befasi e befasive vazhdon të jetë humbja e Mitrovicës,
kryeqendrës së SHIK-ut, nga AKR. Në të vërtetë, përfaqësuesit e SHIK-ut në PDK
kanë humbur dhe Ferizajin e Lipjanin, e humbjet si këto mund të relativizojnë
gjithë fuqinë e tyre në vet partinë; të njëjtit janë thjeshtë të papëlqyer në
Kosovë.
Humbës enorm mbetet dhe AAK e cila mbetet pa ty
qendrat e mëdha të Kosovës; pra Gjakovën dhe Pejën. Partitë e vogla e në opozitë,
në një rast ideal do të duhej ti mbanin këto qendra si mundësi të papërsëritura
të dhënies së gjithë energjisë e potencialit për të ofruar një model qeverisës
që do të replikohej gjithandej. AAK në këto qendra ka dhënë mu të kundërtën.
Në të vërtetë, po u kërkua një emërues tjetër i përbashkët
i zgjedhjeve lokale në Kosovë, atëherë them se votuesi ka dënuar kryesisht
kryetarët “kukull”; të cilët mund të jenë burra të mirë e të ndershëm (siç mund
të jenë këta të Mitrovicës, Pejës apo Ferizajt) por që nuk mbajnë fuqinë e vërtetë
politike e ekzekutive; e njëjta ndodhet tek grupe e individë para-institucionalë.
Për këtë dhe dënohen nga votuesit.
-3-
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen mend edhe për
fitoren e parë të një gruaje, asaj në Gjakovë. E njëjta arriti të kalojë mbi
preferencat partiake, të mobilizojë gjithë votuesit e papërcaktuar, e kështu të
ringjallë shpresën për ekzistencë të partisë së saj.
Përtej kësaj, fitorja në Gjakovë, Pejë e Prishtinë
nga kandidatë substancialisht më ndryshe nga mesatarja e kandidatëve të tjerë
komunal, thotë shumë për brezin e ri politik që po vendoset në vend. Pra është
një brez që rritë gradualisht kualitetin dhe konkurrencën në politikë-bërje dhe
me këtë bënë dhe më shumë thirrje për involvimin e të tjerëve.
Natyrisht se përballë tyre mbesin edhe kandidatë të
tjerë po ashtu fitues, që përkundër talljes me kërpudhave e deri tek aferat gjyqësore
vazhdojnë të dalin fitues. Natyrshëm se ka e do të ketë dhe qendra tjera që kërkojnë
kualitetin në kohë më të vonshme; por them se lëvizja pozitive e disa qendrave
kryesore do të shërbejë mjaftueshëm herë-do-kurdo për tërheqjen e gjithë të
tjerave.
No comments:
Post a Comment