Friday 27 July 2012

PROFILI I NJË NEO-POLITIKANI SERVIL

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 KORRIK 2012

Një vështrim amator mbi defektin e rinimit politik nga prezenca e politikanëve në bërje kullerë, oportunistë e imitues pa gjasë


Na është thënë shpesh se shpresa e një rimëkëmbje shoqërore në vend do të burojë vetëm nga lindja e gjeneratave të reja politike të cilat nëse asgjë tjetër do të sjellin një frymë moderne në politikëbërje. Në këto pak vite eksperiencë si shtet që kemi por shumë si shoqëri, skam se si të gjej një copë shpresë në rrjedhën e neo-politizmit kosovarë. Të rinjtë e politikës pavarësisht historikut akademik, kulturor e familjar, bëhen të njëjtë me seniorët destruktiv. Pra në vend të reformimit ata bëjnë zëvendësimin. Madje tragjedia e ecjes së tyre buron mu në idenë e nevojës për të imituar këta seniorë. Në një moment imitimi i tyre bëhet aq i përsosur sa që njeriu nuk dallon kush është kush. Më pas po të njëjtit bëhen thithës të të rinjve tjerë që për model kanë neo-politikanët e transferuar në seniorë.

E vërteta e hidhur është se pa një demokraci partiake, pa një pastrim partiak të vlerave, pa një grumbullim të njerëzve që besojnë në udhëtim e jo në dostni, rimëkëmbja politike e Kosovës do të jetë e pamundur. E pamundësia e rimëkëmbjes derivon mu nga brumi i politikanëve të rinj që ushqejnë qëndrimin e traditës anomalike në vend të kreativitetit, korrektësisë e politikës vizionare. Jo për të bërë ndonjë psiko-analizë amatoreske, por thjeshtë nga një observim personal, kam përshtypjen se brumi i politikanëve të rinj sot ushqehet nga tri grupeve neo-politikanësh: atij “cool”, “oportunist” dhe grupit “pa gjasë”.

Neo-politikanët “cool”

Flasin bukur e shkruajnë bindshëm. Madje flasin edhe ndonjë gjuhë të huaj e që vënë në peshore me kamikazët tjerë partiak bën një hop të madh; në fund të fundit ata mund ti kuptojnë urdhrat nga të huajt për shkuarje apo jo në tualet. I quajnë “politikanë kullera” jo sepse janë të tillë (përkundrazi nuk kanë lidhje me të qenit “cool”; janë tërësisht “anit-cool”), por se në sytë e kushërinjve, miqve, akrabave e dostave të udhëheqësve partiak ata kanë frekuentuar kafenetë e shehrit vite më herët se ta; të paktën këta dinë në cilën dorë të mbajnë thikën e pirunin. Meqë nuk janë azgën me gjoks, për shkak të ligësisë në sy e mungesës së mrrolave në ballë, ata bëjnë një rend më të holluar se sa kolegët e tyre partiak para ndërkombëtarëve. Kjo i bën më të dalluar në shkallën e servilitetit e rrjedhimisht më të veçuar në haremin e përbashkët të kryepolitikanëve e ndërkombëtarëve turistë. Të tjerët nga haremi, ani pse kanë gjoks e mrrola, ndjejnë një dozë inferioriteti sa herë që përpjekën me ta.

Kanë një histori të lezetshme të karrierës. Disa të shkolluar jashtë vendit, të tjerë trashëgimtarë nga shoqëria civile e media, të tjerë badihavëxhi dinak, kanë parë e mësuar prej filmave, muzikës, historisë e kulturës urbane nja dy a tri tregime për politikën e jetën politike. Si “Michael Douglas - wannabes” pushteti u duket i këndshëm e fuqishëm. Seç ka diçka magjepse e tërheqëse në të, seç ka diçka magjike që ngjall një shkëndijë narcisoizmi sa herë vënë veten para pasqyrës. Seç ju kthen burrërinë disi një fuqi e tillë, për tua marrë prapë sa herë që pjekën me ata lartë. Pavarësisht kësaj, politika u jep atë shkëlqimin e ecjes së tyre, respektin që se kishin kurrë më parë (as në shtëpi), vëmendjen e të tjerëve e mundësinë për tu çlodhë. Puna jashtë politikës megjithatë për ta ishte e lodhshme. Tani një veturë, një shofer, një udhëtimi e një shoqërim me kryepolitikanët bëjnë përmbushjen e epshit të tyre politik.                       

Angazhimi i tyre megjithatë ka një defekt. Ky defekt nuk buron nga ideja e politizimit të tyre, meqë nuk a asgjë të keqe me të, por buron nga paqëndrueshmëria e parimeve e principeve të tyre para dhe pas kyçjes. Së pari, vet kalimi nga apolitizmi në politizëm bën një shkëputje radikale në mendime e shprehje. Mendimet e dhëna pas politizimit janë tmerrësisht të ndryshme prej atyre para-politike. Së dyti, politizimi i tyre i kontrabanduar kryesisht me vota të vjedhura apo me pozita të falura nga pamundësia e vjedhjes së aq shumë votave që nevojiteshin për ta, është më tepër një aktivitet nga çiraku, i një paskrupulltësie servile ndaj gjithçkaje e çdogjëje. Serviliteti i tyre ndaj sponsorizuesve senior brenda haremit politik, është aq masiv e aq i pakursyer sa që shndërrohet në një brutalitet publik politik i mbështetur në pispillosje e përdhunim të karakterit bazik human. Me këtë servilitet humbet çdo integritet i unit, nëse kanë pasur një të tillë.

Sot në politikë ata bëjnë rendin e  parë të ushtarëve mediatik. Janë të parët që dalin pas çmendurive politike që kolegët inferiorë ju bëjnë; janë të vetmit që pranojnë sakrificën e talljes me ta. Jo sepse nuk dinë ndryshe por se kush bën zhurmë më shumë, kush bie në sy më shumë, kush mundohet më shumë, merr pikë serviliteti më shumë. Si ushtarë të parë, futen ku duhet e ku s’duhet. Jo të bëjnë argumente, as të japin një shembull logjik me fjalën e tyre, por vetëm të bëjnë zhurmë. Pra vërsulja prej servili nuk bëhet duke kundër-argumentuar shëndoshë, duke dhënë numra, fakte, mendime e ide alternative, por duke bastardizuar idenë fillestare që kishte ngacmuar shefat lartë.

Argumentet nuk i zënë vend meqë nuk kanë se si ti dinë, logjikën nuk e përqafojnë meqë dalin të humbur; zhurma është e tëra çfarë kanë. Me këtë zhurmë, si ushtarë të rendit të parë, ata duhet të reagojnë ndaj çdo shkrimi, ndaj çdo figure, ndaj çdo lajmi e ndaj çdo ideje që në një formë apo tjetrën, me të drejtë apo jo, ka prekur ndonjërin prej kryepolitikanëve të tyre e miqve përreth qe megjithatë nga ahmakizmi i madh ju prodhojnë probleme. Nuk ka lidhje se si reagojnë, pse reagojnë, e kur reagojnë, me rëndësi për ta është heqja e vëmendjes nga objektivi që ata mbrojnë. Si ushtarë të rendit të parë ata bëjnë rolin e një ndihmësi të matadorit, i cili bartë një pelerinë të verdhë sa për të shpërqendruar demin që ndjekë të kuqen e matadorit.

E meqë janë xhokerë politikë, pra fusin hundët edhe aty ku tagër s’kanë, flasin pa shumë sens e fyejnë me plot vrer, personaliteti politik i tyre bëhet i padurueshëm, pa stil e i neveritshëm. Janë pa simpati në publik prandaj dhe pa vota në zgjedhje e pa miq apolitik. Kjo për ta nuk ka fort rëndësi; shefi si shpërblesë kur nuk kanë vota ju jep monedhën e servilizmit: çlodhjen, udhëtimet, fuqinë politike e injorancën ndaj publikut. E për shefin dhe inferiorët e tjerë, reagimet e tyre janë par ekselencë. Për ta, fjalët e përdorura në shkrime e paraqitje publike janë të padëgjueshme, shembujt nga filmat, dokumentarët, historitë antike, stripat e librat modern janë të padëgjueshëm, të paparë, mbresëlënës e magjik. Inferiorët s’kan se si të mos impresionohen; libri i fundit që ata kanë lexuar është Dituri Natyrore e klasës së shtatë.

Neo-politikanët “oportunist”

Janë pakurrizorë politik. Nuk besojnë në asgjë, janë thjeshtë amorfë. Nuk kanë filozofi politike, nuk kanë qëllim e nuk kanë ide për rrugën që duhet ndjekur. Janë thjeshtë notues të mirë që dinë tu përshtaten mjeshtërisht anomalive të tranzicionit shoqëror. Ende pa mbushur një copë përvoje publike modeste, kanë eksperiencë në pothuajse të gjitha partitë politike. Kalojnë nga njëra në tjetra, për të përfunduar në fund mirë. Se si përfundojnë mirë nuk e kanë idenë as vet. E gjitha për çfarë kanë ide është se si të notojnë tutje.

Zakonisht janë pa përvojë pune; madje puna e parë që kanë bërë ndonjëherë është mu politika. Nuk flasin gjuhë të huaj meqë gjatë studimeve nuk ishin edhe aq studioz, por bënin pjesë në ato grupet e studentëve të përhershëm që angazhimin në unione e organizata studentore e kishin si paraligë politike. Secili prej tyre ka një eksperiencë bukur të mirë institucionale, madje edhe si ministra, e pas të njëjtës eksperiencë janë në gjendje të mbajnë ligjërata me orë për shtet-ndërtim e institucionalizim. Veçse, problemi i amorfitetit të tyre politik qëndron në faktin se sa ishin pjesë e institucioneve të njëjtit bënin thelbin e dallavereve, hajnisë e turpit. Kjo ka pak rëndësi për ta; si pakurrizorë politik fjalët e thëna sot mbysin të djeshmet dhe janë të destinuara për tu mbytur nesër.  

Ata nuk synojnë lartë. Duan një mes të rehatshëm, një qetësi, por shumë mundësi në këtë mes e qetësi për të rehatuar gjithë familjen, miqtë e të tjerë nga mahalla. Të gjendur në këtë mes shpeshherë përfundojnë në librat e hetuesisë meqë sado të aftë që janë për të notuar, janë “naiv” duke vjedhur ashiqare e rënë në sy. E bëjnë këtë meqë duan të marrin sa më shumë që munden për kohën e shkurtë të zhvatjes që kanë. Ata që i shpëtojnë hetuesisë (pavarësisht tregimeve për shtëpi super-luksoze me ngrohje për borë, vetura zero-zero - për ta dhe familjet e tyre, tokave të shumta e vilave në Brezovicë) herë pas here bëjnë paraqitje publike me fjalime alamet. Në këto paraqitje, ata që janë ende pjesë e sistemit dalin me një stil të qetë e tendencë filozofike (ani pse në thelb fjalimi i tyre është i thatë) për të mbështetur çfarëdo lloj akti të pushtetit. Ata që nuk bëjnë pjesë në sistem, pra që janë lënë jashtë e të harruar, i japin dhe më shumë zor, më shumë mund e më shumë vrull në tendencë për të mbrojtur shpeshherë edhe idetë që vet sistemi i sheh të humbura. Duke rënë në sy kështu, ata përfundojnë diku si anëtarë të bordeve, profesorë në Universitet Publik, apo dhe zëvendësministra në atë listën e pafund të zëvendësministrave. E me një ecje të tillë ata përfundojnë të ricikluar.

Neo-politikanët “imitues pa gjasë”

Janë imituesit më perfid të seniorëve më jokreativë. Janë mizërie e ardhmërisë politike të vendit. Në të vërtetë janë aq mizërie sa aq sbëjnë asnjëlloj ardhmërie. Janë të dëgjueshëm ndaj mësimdhënësve universitarë në pafundësi; ju shkojnë pas edhe në tualet. Organizohen në grupe studentore jo për të ngritë zërin e tyre, por për të imituar politikanët që shohin në televizion. Adhurimin e masave e kanë në gjak, madje aq naivë që janë sa që në thirrjet e tyre publike nuk kërkojnë mbështetje për ndonjë kauzë, por decidivisht adhurim. Të gjithë duhet të kenë një dozë nacionalizmi, të luftës, flamurit kuq e zi e recitimeve nacionaliste, pa kuptuar mirë se nacionalizmi universitar i 1981-ës e 1998-ës është i përfunduar; filmi si duket u është këputur në protestat e paraluftës. Por meqenëse lëvizjet e fundit studentore i kanë parë vetëm në këto vite dhe meqenëse imitimi është e vetmja gjë që mund të bëjnë, s’kan se si dalin ndryshe e më kreativ. Vishen me kostume kurtuazie edhe kur është e diele duke mos ditur as kur duhet ndalë imitimi, e mbajnë fjalime të lexuara nga një letër me shumë gabime drejtshkrimore në çdo rast kulturor me pak vëmendje; diçka absurde për studentë të dalluar që duhej të ishin.

Bëjnë zgjedhje studentore si politikanë, vishen e flasin si politikanë, madje edhe festojnë si të tillë, me valle e këngë diku në ndonjë ambient pak më të hapur se mendjet e tyre të mbyllura. Pas këtyre zgjedhjeve bëhen të humbur. I kthehen studimeve të stërzgjatura e i kthehen udhëtimeve prapë nacionaliste në Shqipëri nën moton “ti njohim trojet tona”.

Nuk janë studentë, janë pretendues të politikës së ardhshme. Problemi qëndron në idenë se filmi i tyre i këputur vite më parë nuk prodhon as fijen më të vogël të atraktivitetit as te politikanët seniorë e inferiorë. Për këtë dhe nuk merren seriozisht; për këtë dhe nuk kanë gjasa për top-politikë. Thënë të drejtën më e mira me çka mund të përfundojnë është si militant partiak në një zonë lokale zgjedhore.



Friday 20 July 2012

KULTI I RRUGËVE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 KORRIK 2012


Përtej rikonstatimit se rritja ekonomike këtë vit do të jetë vetëm 3.8%, pra dy herë e gjysmë më pak se objektivi ynë, letra e fundit e FMN-së paralajmëron edhe kërkesat para nisjes së rrugës së Shkupit. Ndonëse kërkesat nuk duken të rënda për këtë stil qeverisje, e rëndë më duket ideja se ne edhe për tre e katër vite të tjera do të bazojmë gjithë zhvillimin ekonomik në asfalt dhe asgjë tjetër


Nganjëherë kam përshtypjen se mbajtja e ritmit të shkrimeve me anomalitë kosovare është e pamundur. Është sa interesante aq edhe fatkeqe që Kosova mbijeton duke kaluar nga një krizë në tjetrën duke bërë parapraken të duket çuditërisht të butë. Ritmi i përcjelljes mu humb kur u dha lajmi i hyrjes në fuqi të rritjes së tatimit mbi të ardhurat personale për të gjitha bizneset nën qarkullim 50 mijë eurosh në veprimtaritë shërbyese, profesionale, të zanatit dhe të argëtimit. Norma tatimore rritej nga 5% sa ishte deri më tani në 9%, pra një rritje për plot 80%. Lajmi ishte i tmerrshëm për tri arsye thelbësore. Së pari, rritja kishte kaluar pa shumë zhurmë e pa shumë diskutim në mes të palëve; një lloj imponimi pa shumë brengë. Së dyti, reagimet e akterëve politik, shoqëror e madje të vet-goditurve ishin inekzistent; sikur nuk i bëhej vonë askujt. Dhe së treti, rritja e çfarëdolloj norme tatimore në kohë krize është mbytje e ambientit tani më të mbytur biznesor në vend.

Jo se më habitë thënë të drejtën një hap i tillë. Fillimisht kur kundërshtonim këtë stil të shpenzimit buxhetor në mendje kishim situata si këto kur duhet bërë shkurtime e duhet rritë tatime. Tani, dy vite më vonë ne veçse jemi në pasojat e paralajmëruara. Për më tepër, rritja e tatimeve për këto biznese nuk është e vetmja. Kaluar në plot heshtje por tanimë konfirmuar nga letra e fundit e FMN-së, rritja e tantiemës (taksës) në thëngjill ishte po aq e klandistuar e kamufluar sa edhe rritja e tatimit në fjalë. Duke ju referuar letrës së 17 Korrikut të Fondit, e i habitur se si lajmet për Kosovën bëhen publike më parë në një letër ndërkombëtare para opinionit kosovar, rritja e taksës në thëngjill i kishte siguruar buxhetit të shtetit plot 26 milionë euro për vitin 2012. Një rritje si kjo, bazuar në konstatimin e Fondit, ishte bërë me qëllim të stabilitetit të buxhetit, pas tharjes së bilancit bankar në dy vitet e fundit (kryesisht nga shpenzimet e ngjeshura në autostradë e paga publike) e që për rrjedhojë kishte sjellur dhe masa restriktive të FMN-së. Masat në fjalë njihen si kritere të perfomancës. Pra, për ti mbijetuar kolapsit financiar, buxheti i Kosovës ishte dashur ti shkurtonte plot 70 milionë euro vitin e kaluar, e këtë vit të merrte masa preventive (krahas shkurtimeve kapitale) edhe në rritjen e taksave. Rritja e parë kishte filluar me akcizën në duhan, kishte vazhduar me tatimin në pronë, më pas me rritjen e tantiemës në thëngjill, e kishte përfunduar me tatimin në të ardhura personale për bizneset e përshkruara më lartë.

Ata që kanë dije bazike ekonomike tashmë e kanë kuptuar rrjedhën dhe pasojat e kësaj logjike. Kosova e shtyrë nga hipershpenzimet ishte obliguar të disbalancojë investimet kapitale jo-autostradë, duke lënë zhvillimin rajonal në prapavijë dhe për më tepër ishte detyruar të rrisë një sërë tatimesh. Rritja e tatimeve do të thotë marrje më e madhe e parave nga qytetarët. Për shembull, rritja e taksës në thëngjill që do të siguronte këto 26 milionë euro për buxhet kishte shkaktuar rritjen e energjisë elektrike për 9%. Në të njëjtën frymë, rritja e të gjitha taksave do të shkaktojë rritje të çmimeve finale. E rritja e këtyre çmimeve finale do të thotë jetë më të shtrenjtë për kosovarët. Në fund të gjithë ciklit ne kemi një situatë ku qeveria jep me një dorë e merr me tjetrën. Pra rritë pagat me një anë për disa shërbyes publik, e ju merr të njëjtat në anën tjetër me tatime. Veçse në gjithë këtë marrje humbësit e vetëm janë ata që nuk kanë pasur rritje të të ardhurave. E në një situatë të tillë cikli domino vazhdon edhe me inflacion, me ngurtësim të ambientit biznesor, me më pak vlerë e me më pak vende të reja pune; i thonë “ekonomi bazike”.

Letra e fundit e Fondit ishte interesante dhe për faktin se jepte një përgjigje për nisjen e rrugës së re për Shkup. Sipas FMN-së, nisja e rrugës 6, siç edhe njihet zyrtarisht, mund të bëhet vetëm po u plotësuan disa kushte. Së pari, Fondi nuk do të lejojë që Kosova të ndërtojë dy superautostrada në të njëjtën kohë. Pa përfundimin e autostradës për Morinë, kjo për Shkup nuk do të fillojë. Së dyti, Fondi nuk do të lejojë nisjen e rrugës 6 pa shitjen e PTK-së dhe inkasimin e 300 milionë eurove. Së treti, Fondi nuk do të lejojë investime në autostradë pa një proces transparent tenderues. Kërkesat e dhëna kam përshtypjen se në njëfarë forme edhe parapërcaktojnë rrjedhën e investimeve kapitale në vend. Kjo sepse sipas të gjitha gjasave në nguti për të shfrytëzuar mandatin e vet qeverisës, kryeministri do të insistojë fillimin sa më të shpejtë të autostradës për Shkup, me qëllim të përfundimit të saj në fund të mandatit të tij kur edhe mbahen zgjedhjet. Një, sepse prerja e shiritit do ti sjellë vota atëherë dhe dy, sepse me një kontratë të mbyllur sërish, ku çmimet nuk dihen, përfitimet personale janë thjeshtë të zakonshme. Për të marrë pëlqimin e FMN-së, meqë këtë herë nuk besoj se ka tagër të mashtrojë të njëjtit sërish, ai mund të ndërpresë autostradën të nisur si Morinë-Merdarë në Prishtinë. Nga aty do të nisë të renë për në Shkup. Në fund, ne do të shpenzojmë rreth 700 milionë për autostradën Morinë-Prishtinë dhe po aq në atë Shkup-Prishtinë.

Nisja e autostradës për Shkup, në kuptimin ekonomik është shumë më e arsyeshme se ajo për Morinë. Problemi është se aryseshmëria humbë kur kuptojmë çmimet tri herë më të larta se normalet. Një element tjetër humbës në nisjen e autostradës së re është edhe arsyetimi për fuqizim marrëdhëniesh ekonomike me Shqipëri, ani pse me masat bllokuese të ministres Lila veçse i kemi humbur tani. Në fund të fundit autostrada për Shkup në terma tregtarë do të zhvlerësojë tërësisht atë kombëtare. Jo se është pritur ndryshe dhe jo se duhet bërë ndryshe; vetëm për të rikonfirmuar se arsyetimet ekonomike për Rrugën e Kombit nuk kanë pasur vend asnjëherë.

Përveç gjithë kësaj, arsyeshmëria e kultit të rrugëve humb kur kuptojmë se ne do të përsërisim gabimet e njëjta të rrugës patriotike dhe se nuk arrimë të mësojmë dot nga gafat e bëra. Ne nuk mësuam dot nga Rruga e Kombit se investimi i koncentruar në tri vite (në vend të pesë apo gjashtë) ka një kosto enorme oportune, si lënia mangut e çdo sektori tjetër të jetës. Ne nuk mësuam dot se ndërtimi i autostradave nga buxheti i shtetit është praktikë e paparë në Evropë. Në vend të kësaj me një sjellje pak më kreative ne do të angazhoheshim për anëtarësim në EBRD e me këtë marrjen e kredive të buta dhjetravjeçare, të cilat do të jepnin edhe arsyeshmëri ekonomike po edhe alternativa të shfrytëzimit të buxhetit. Në vend të shpenzimit të milionave vetëm në rrugë, ne do të zgjidhnim edhe rrugën edhe shëndetësinë e arsimin e bizneset e zhvillimin rajonal. Me një qasje të tillë shumëdimensionale ne do të prodhonim dhe numra më të mirë ekonomik gjithsesi. Në fund të fundit, ne nuk mësuam dot nga katër vjet e shkuara se politikat e asfaltit dhe asgjë tjetër nuk po na sjellin dot punë e mirëqenie. E tëra çfarë ato sjellin është një cikël të pakuptimtë ekonomik të rritjes së tatimeve, ngarkesave e shtrenjtimit të jetës.

E për fund fare, nëse për autostradën e parë qeveria ka pasur ndonjë hezitim eventual, për këtë tjetrën ka duart e lira e dyert e hapura. Së pari, me një Parlament inekzistent, pothuajse të shuar e pa ndonjë fuqi influencuese, vendimet e qeverisë do të bëhen sipas qejfeve të individëve e jo diskutimeve të brendshme e demokracisë direkte. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, e që në të njëjtën kohë nuk merr vëmendje sa duhet mu tani kur po vendoset, është faktit se pas përmbylljes së pavarësisë në shtator kompetencat mbi paratë e privatizimit (mbi 600 milionë) i kalojnë kryeministrit. Me një çek 600 milionësh fuqia e tij është e pafund. E këtu kosovarët në vend të heshtjes do të duhej te kishin një problem parimor. Është e pakuptimtë se si pasuria e gjeneratave të tëra, e transformuar në para kesh, të lihet në mëshirë të një qeverie; nuk ka ndodhur në asnjë shtet. Për këto mjete së paku do të duhej një koncenzus parlamentar i dy të tretave dhe një strategji e qartë investuese. Gjithsesi është lajm shumë i mirë ideja se më në fund paratë e bllokuara nëpër vite e në mëshirë të inflacionit do ti kthehen Kosovës; sado që e frikshme bëhet parafytyrimi i fshirjes së tyre siç po e fshijmë paranë publike në sa e sa vite.



Friday 13 July 2012

REPUBLIKA E HIPOKRIZISË E KËRCËNIMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 KORRIK 2012

Vendi i imponimit presidencial, hipokrizisë ministrore e agresionit ndaj mendimit ndryshe


Njëqind vjet nga sot, kur asnjëri nga ne nuk do të jetë më, do të glorifikojnë e madhërojnë të njëjtit që sot na bëjnë hipokrizinë. Ata do të shihen si themeluesit e vendit, baballarët e nënat e shtetit, shembujt e vlerave të demokracisë e lidershipit, vizionarë e largpamës të pakompromis. Do të thirren kështu pa kuptuar mirë se themeluesit e njëjtë që mundi apo edhe rasti i vuri në ballë të përpjekjes kosovare, në ditët tona janë asgjë më pak e asgjë më shumë se individë me moral politik zero. Dikush edhe mund të argumentojë se në politikë morali vend nuk ka, se e njëjta bën mu esencën e të paqëndrueshmes, të paparës e të pakuptueshmes, por ja që makrodallimi mes liderit, emri i të cilit ekon nëpër vite, dhe një oportunisti që harrohet dy ditë pas pushtetit, është mu në moralin politik, e do të mbetet gjithnjë. Dhe kjo javë që lamë pas bën shembullin më tipik të hipokrizisë politike në vend, ku shtyhet me zor, fyhet bollshëm e kamuflohet udhëheqja, inteligjenca e kosovarëve dhe e drejta. Kjo javë tregoj edhe për mjerueshmërinë e vendit, kur fjala e mendimi i lirë sulmohet e kur hipokrizia promovohet.

***

Top listës së jonormalitetit politik i prinë pa dyshim paria e vendit, Presidentja e shtetit e cila pa fije marre mban postin që nuk i takon. Imponimi i saj, besoj unë, është edhe diferenca mes Presidentes sonë dhe një lideri të mirëfilltë që nuk e kemi sot. Ky është dallimi mes një vizionari shtetndërtues e një fituesi lotarie. Jo se pritet ndryshe thënë të drejtën. Me gjithë simpatinë për një grua që duket bukur e urtë, që flet në fund të fundit gjuhë të huaj (kjo bën luks me standardin e politikanëve në vend), e që ani pse ngadalë dhe mësohet të bëj politikën (përjashto emocionet gjatë leximit), nuk kam se si të mos shpreh mospajtueshmëri me principet e vlerat e mirëfillta, ato të cilat një lider i lindur nuk do ti shkelte asnjëherë. Mospajtueshmëria ime buron nga ideja e imponimit të udhëheqësit në një shtet Evropian. Problemi është se unë kam vështirësi si qytetar evropian të pranoj një udhëheqës për të cilën nuk di se çfarë mendon për shtet, komb, familje, taksa, orientim seksual, orientim politik, vlera, film, sport e fe; kjo më tmerron. Unë thjeshtë kam problem të pranoj një lider që nuk ka treguar veten para qytetarëve prandaj dhe nuk ka përkrahjen e tyre. Më tmerron fotografia e një Kosove ku një gjë e tillë bëhet e mundur. Më tmerron ideja se ne kemi arritur në këtë gjendje. Nuk mund ta kemi këtë.

Në këtë pikë, nuk kam se si të mos citoj pak rreshta të supertalentit kinematografik, Matt Damon, një ndër aktorët më të preferuar të mi, i cili në një paraqitje kishte shprehur opinionin e tij për kandidimin e Sarah Palin për nënkryetare të SHBA-ve: “Mendoj se ka një gjasë shumë të mirë që Sarah Palin, mund të bëhet Presidente... ah...e mendoj se kjo është një gjë e frikshme. E frikshme meqë unë nuk di asgjë për të. Thënë të drejtën, mendoj se zgjedhja e saj është bërë për qëllime politike, por në terma të qeverisjes është një katastrofë. Ideja se kemi mbërritur kaq larg dhe kaq afër që ta bëjmë realitet është çmenduri. Më duhet të kuptojë se a e din Sarah Palin që dinozaurët kanë qenë këtu 4000 vjet më parë? Kjo është e rëndësishme, meqë dua të di këtë. Me të vërtetë dua ta di. Ajo do ti ketë kodet nukleare nesër.”

Presidentja e vendit këtë javë deklaroj se ajo obligohet të ndjekë vendimin e Kushtetueses, thuajse tanimë asaj  ju ka dhënë një obligim për vet ekzistencën e shtetit e që mospërmbushja e tij do të vinte vendin në kolaps. Së pari, derisa në njërën anë ajo mundohet të tregojë shembullin e liderit, në anën tjetër thyen një fjalë publike e premtim publik të dhënë në ditën e parë të saj të punës si Presidente, kur edhe u bë publik identiteti i saj para kosovarëve (paramendoni në çfarë derexhe jemi ardhur!). Së dyti, mendoj se Kosova është ngopur me hipokrizi të tilla. Presidentja në fund të fundit e di mirë natyrën e ardhjes së saj në krye të vendit dhe e di shumë mirë rolin e dhënë për të. Ajo nuk ka qenë asnjëherë simbol unifikues meqë nuk ka tagër për atë punë. Ajo ka qenë një anonim me një mik të fuqishëm e një shtet ku gjithçka është e mundur. Ajo ka qenë thjeshtë një urë për të kaluar një krizë; urë që tash bëhet mur për zgjidhjen e krizës. E thënë të drejtën bërja e urës prej një anonimi ka qenë mundësia e vetme e kohës meqë nuk ma do mendja se ka një personalitet me pak integritet që do të pranonte të mbathte këpucët që nuk i bëjnë dot. Në fjalë të Kadaresë, sot Presidentja është Gjeneral i Institucioneve të Vdekura. Ajo është Presidente që nuk e do kush, përveç fatit një në një milionë. Në një situatë të tillë, akti i vetëm moral do të ishte dorëheqja dhe dhënia e mundësisë për demokraci e votë të lirë. Me një vendim të tillë ajo do të respektonte dhe Kushtetuesen dhe marrëveshjen e pakuptimtë politike që e solli aty. Në të dyja rastet ajo do ti jepte fund gjithë kësaj aventure patetike e imponuese që nuk i ka hije një vendi evropian. Në të kundërtën, me qëndrimin e saj deri në 2016, Presidentja godet palët që e sollën aty, por i shërben në mënyrë absolute qeverisë aktuale, e ardhur me vota të vjedhura (prandaj dhe kriza, prandaj dhe lotaria, prandaj dhe Presidentja). Për konsekuencat dhe skenariot eventual të qëndrimit të saj mikja ime Flaka elaboroj qartë në kolumnen e saj të shkuar.

Pavarësisht kësaj, duke parë përafërsisht pasivitetin e brendshëm të saj dhe dëshirën e flaktë për të ngrohur kolltukun që nuk i takon, shpreh bindjen se Presidentja do të qëndroj aty deri në fund të mandatit duke u bërë e shurdhër ndaj opozitës dhe duke luajtur rolin e Presidentes së Qeverisë para asaj të qytetarëve. Për këtë ajo duhet të falënderojë pamaturinë e një pjese të opozitës, e cila kishte pranuar në rast të parë lënien e shtetit në duar të një anonimi dhe në fund kishte bërë marrëveshje me të njëjtit që nuk mbajnë fjalën. Madje thënë të drejtën, në esencë fajtori kryesorë për gjithë anomalitë kosovare nuk gjendet tek një qeveri anomalike, por tek një opozitë që toleron gjithë këto anomali. E meqenëse janë të tillë, ja pafshin hairin ftohtit opozitar edhe për disa vjet. Ndoshta deri në 2016 mbledhin mend. Opozitës nënshkruese i mbetet vetëm shtimi i presionit nëpërmjet bojkotimi të tërësishëm të institucioneve. Në fund të fundit çfarë është arsyeja e marrjes pjesë në institucione kur i madh e i vogël i mashtrojnë? Kaq për Presidenten e imponuar.

***

Listës hipokrite i shtohet edhe arsyetimi i ofruar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për masat bllokuese të çimentos ndaj Shqipërisë. Në fillim u tha se po mbrohen produktet vendore, më pas u tha se po tentohet të zvogëlohet deficiti tregtar; e Zoti e di se ku do të përfundojnë me arsyetime. Po mendoj, kur arsyeja nuk bënë zgjidhjen, futja kot – jep arsye çfarëdo. Tashti të gjithë njëzëri rreth ministres thirrin se na paskan bazë ligjore. Por pasja e bazës ligjore nuk do të thotë se është vendimi i drejtë e i duhur. Bazë ligjore ka qeveria edhe po deshi të mbyll një biznes të tërë, por kjo nuk e bën atë të duhur. Bazë ligjore ka edhe nëse qeveria nesër vendos të na vë taksa 100%, por as kjo nuk e bën vendimin e duhur. Arsyetimet e MTI-së janë thjeshtë hipokrite. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë, ironik, i dëmshëm dhe jashtëzakonisht i turpshëm për Kosovën. Së pari, është i pakuptimtë meqë nuk arrijë të kuptojë standardet e dyfishta kur thuhet se ne po mbrojmë produktet vendore në këtë rast. Mbi 60% e importeve të Kosovës vijnë nga Serbia e Maqedonia; Shqipëria është një akter minor në këtë drejtim, prandaj po u kërkua mbrojtja e produkteve vendore e njëjta duhet bërë në relacion me shtetet që kanë prezencë signifikante në vend dhe për më tepër shkelin rregullat e CEFT-as në vazhdimësi. Për më tepër ka një sërë produktesh tjera në bujqësi që kanë nevojë për mbrojtje shumë herë më tepër se sa sektori i çimentos. Së dyti, është ironike se kur kërkohej reciprociteti me Serbinë, Ministrja Kusari-Lila na jepte arsye nga më kreative për mos-reciprocitet, duke përfunduar shpeshherë edhe në deklarime iluzioniste se ne tashmë kemi reciprocitet me Serbinë. Është poashtu ironike se Sharcem pas masës favorizuese dënohet për evazion fiskal në tendencë për të mashtruar shtetin e Kosovës ndërkaq Qeveria jonë vazhdon të favorizojë një evazionistë të dënuar. Së treti, vendimi është i dëmshëm meqë krijon monopol dhe largon nga tregu mbi 200 firma tjera tregtare e me mijëra të punësuar në këtë sektor. E vetëm këtë javë monopoli i krijuar nga Kusari-Lila tashmë ka rritur cmimet për 10 euro më shumë në një ton çimento. Dhe së katërti, është i turpshëm meqë bëhet ndaj një shteti mik. Për më tepër nuk kuptoj logjikën e ndërtimit të autostradave miliardëshe në njërën anën, nën arsyetimin e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, e në anën tjetër vendosjen e masave bllokuese. Është një politikë thjeshtë e pakuptimtë.

Tmerri më i madh nga gjithë kjo aventurë buron edhe nga kërcënimet e bëra të ministres Kusari-Lila ndaj Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Gërxhaliu, i cili nuk kishte bërë as më shumë e as më pak se sa transmetimin e kërkesës së bizneseve në këtë sektor për të ndërprerë masat në fjalë. Në një letër që dukej e koordinuar mirë me atë nga ministri Beqaj, qeveria me dikasteret e saj i bëjnë me dije gjithkujt se kush nuk pajtohet me të gjithëdijshmit tanë, mbretërit e trashëgimtarët e padiskutueshëm të fatit të Kosovës, i pret ndërprerja e bashkëpunimit. Çfarë shantazhi është ky? Vetëm pse dikush nuk pajtohet me ty e kërcënon me ndërprerje të përkrahjes? Ministrat në fjalë, që kanë katranosur për së keqi ekonominë e Kosovës, duhet të kuptojnë mirë se bashkëpunimi institucional nuk është trashëgimi e qejfeve të tyre, por obligim institucional. Për më tepër shantazhet e tilla ndaj bizneseve tregojnë më së miri vallëzimin solo të Qeverisë e cila nuk mërzitet, ama bash hiç, se çfarë mendojnë të tjerët. O je me ta o kundër tyre. Sulmi ndaj Odës Ekonomike është epsh i zaptimit të këtij institucioni nga kjo klasë qeverisëse, zaptim të cilin nuk mund ta bëjnë asnjëherë me Gërxhaliun aty. Tmerr e dhimbsuni për dy ministrat që vijnë nga bota e biznesit dhe shoqëria civile, e të cilët si duket kanë blerë shpejtë rrobat e komfortit të pushtetit duke harruar prejudikimet e tyre të bëra disa muaj më parë.; shembuj tipik të amoralitetit politik.

Hipokrizi e paparë ishte edhe kthimi i Ministrit të Drejtësisë, e zëvendëskryeministrit Kuqi. Dorëheqja e tij në fillim, për herë të parë nëpër vite më dha një fije shprese se ka njerëz në këtë vend madje edhe brenda kësaj klase politike që mendojnë më drejtë; prandaj dhe rezervova veten nga komentet nëpër javë. Ashtu siç na del tani, kemi një ministër që fut nenet diktatoriale në Ligj, i procedon në Kuvend, i aprovohen atje ashtu siç i kishte urdhëruar vet, jep dorëheqje në kërkim të zhbërjes së asaj që ka bërë vet, zhbëhen nenet, kthehet aty ku ka qenë prapë. Outputi final i kësaj politike është kthim në pikën zero, veçse gjatë gjithë rrugës bën një mbledhje goxha të mirë të simpatisë; për të cilën kjo qeveri them se ka nevojë shumë. Problemi është, megjithatë, se një sjellje e tillë politike është amorale dhe jokorrekte. Është një goditje e ultë prej boksieri.

 Dhe për fund fare, hetimi i i fundit i një zëvendëskryeministri dhe një zëvendësministri nuk japin asnjë risi, përveç se vazhdimit të avazit të vjetër të një politike prapë hipokrite e amorale, ku politikanët arrestohen në vazhdimësi e askush nuk jep përgjegjësi për caktimin e tyre në rend të parë; nëse asgjë tjetër ndoshta të paktën një kërkimfalje do bënte punë. Te ne jo vetëm se nuk bëhet kërkimfalja, por me të dënuarit festohet e hidhen fishekzjarrë (si rasti i Kaçanikut), sa për të treguar kështu fuqinë e pushtetit edhe kur drejtësia flet. 

 E në kohë si këto, kur politika kosovare nuk ka kurriz e sillet si xhungël, ku festohet me të burgosurit e darkohet me të arrestuarit,të metat shoqërore do të lindin edhe më shumë. Në frymën e njëjtë të këtyre të metave u sulmua edhe miku im Halil Matoshi, sulmi ndaj të cilit u bë vetëm se Halili mendon ndryshe, lirë e mençur. E tmerrshme ku po jetojmë. Një vend që sulmon fjalën e lirë, mendimin e lirë e guximin qytetar, por mbronë hajninë, hipokrizinë e injorancën, ka marrë fund.

Friday 6 July 2012

MBIKËQYRJA E NDËRHYRJA E PAPËRFUNDUAR


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 KORRIK 2012

Me përfundimin gjysmak të mbikëqyrjes, Kosova dhe mund të çlirohet një herë e mirë nga fenomeni unmikistan si dhe nga reagimet absurde por të shpeshta të zyrtarëve ndërkombëtar, siç ishte dhe rasti i ambasadorit të OSBE-së për marshimin radikal serb në zemër të Kosovës. Megjithatë, ne prapë nuk do të kemi fuqinë për të rivendosur rend në Veri e prapë do të kemi dualitet në vend të partneritetit. Kosova megjithatë është në pritje të një pavarësie siç e do rendi e zakoni. Bac, ende su kry!

2 Korriku i ri dhe mund të mbahet në mend. Do të kujtojmë eventualisht përfundimin gjysmak të pavarësisë së Kosovës, e që në vete mban dy minitregime. I pari, kosovarët do të marrin më shumë fuqi në duart e tyre; dhe i dyti, me këtë datë kosovarët shënojnë e ilustrojnë edhe njëherë natyrën se si i përfundojnë punët, e që në esencë është lënie në gjysmë. Nga mënyra e plasimit të lajmit, nga mënyra e reagimit mbi lajmin, nga përbërja e vet lajmit, kam përshtypjen se dialogu i pushtetit me të tjerët është solo. Në njëfarë forme të njëjtit mundohen të prodhojnë atë çfarë duan të shohin në relacion të kundërt me atë çfarë realisht është. Nuk ma do mendja se ka njeri që beson përrallën e një përfundimi të mbikëqyrjes. Kosova do të vazhdojë të jetë e varur meqë mbikëqyrësit i kontrollojnë një Veri të tërë, Kosova do të vazhdojë të jetë e varur meqë nuk do mund të krijojë një ushtri pa një miratim të mbikëqyrësve, e Kosova do të jetë e varur meqë nuk do mund asnjëherë të marrin një vendim pa pyetur një të huaj. Lajmet se deputetët nuk do mund të shkojnë në tualet pa pëlqimin e një ndërkombëtari (kjo nuk është barsoletë e as thënie e popullit, por një fakt i muajve më parë) do të vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Kjo ndoshta dhe ka pak rëndësi. Thënë të drejtën përderisa ne vëmë në maje të shtetit çiftët e llullanave, rrahësve parlamentar, të çmendurve të verifikuar me letër zvicerane e të liderëve të dënuar për shantazh e zhvatje asistenca ndërkombëtare është më se e nevojshme. Ne ende nuk jemi pjekur mjaftë sa pwr tw mbajtur veten vet. Për më tepër, sikur të kishim një EULEX të hajrit, që prodhon gjykime adekuate e nuk luan rolin e gëlltitësve të taksave Evropiane, ndoshta dhe prezenca në gjygjësor do të ishte e mirëseardhur. Nuk ma do mendja se për disa vite të mira Kosova do të arrijë të krijoj një sistem hetues që ka guxim të futet në terren të politikës. A nuk kishte ndalur hetimin për rrahje një deputet si në kohë të Ali Bungut?

Me përfundimin gjysmak të mbikëqyrjes kosovarët do të kenë në dorë dhe fatin e parave të privatizimit. Lajmi i mirë është se më në fund nuk do të ketë institucion e besa as edhe një arsye pse këto para të mbahen të bllokuara e nën mëshirën e inflacionit. Lajmi i keq është se të njëjtat do të jenë në dispozicion të po të njëjtës qeveri që paguan kontrata me çmim tre fish më të lartë, e që shet asete dhjetëfish më lirë. E në mungesë të dëshirës për koncenzus në shfrytëzimin e këtyre parave, ato do të përdoren për mbulimin e deficitit buxhetor, e që në esencë krijohet edhe nga gëlltitjet e zyrtarëve publik, si rasti i atij këshilltari të një ministrie që kishte shpenzuar nga një rezervuar nafte në ditë.

Me përfundimin gjysmak të mbikëqyrjes Kosova dhe mund të çlirohet një herë e mirë nga fenomeni unmikistan, si dhe nga reagimet absurde por të shpeshta të zyrtarëve ndërkombëtar në vend. Në të njëjtën frymë këtë javë ishte edhe deklarata e shefit të OSBE-së, ambasadorit Werner Almhofer, i cili për habinë time më të madhe po dënonte “forcën e tepruar të policisë” dhe “sjellën e keqe” të tyre përballë, besoni ose jo, një grup radikalësh provokues që bartnin fotografitë e Millosheviq e brohorisnin “duam armë të vrasim shqiptarë”. Fillimisht ishte ironike se si 15 vjet pasi OSBE i dha Kosovës një ambasador si William Walker, i cili botëroi e zhveshi gjenocidin e fundit Evropian, sot i japin vendit tim një tjetër që mbron përkrahësit ultra-nacionalistë të po të njëjtit gjenocid si dhe një grup tifozësh që kishin thyer e sulmuar pikën tonë kufitare; një gjest agresioni tipik ndaj shtetit të Kosovës. Rreth 30 policët e lënduar dhe të tjerët që i kishin shpëtuar këtij agresioni nuk kishin bërë as më shumë e as më pak se sa mbrojtje të integritetit, prandaj në mbrojtje të këtij integriteti nuk ka fort diskutim. Në fakt, është e habitshme dhe e turpshme se si ambasadori e konsideron dhunë mbrojtjen e pikave kufitare. Nuk ma do mendja se kolegët e tij diplomat në vendlindje do të ndjenin komfort sikur banda e rrugaçë ti silleshin nëpër kufijtë shtetërorë si në bahçe të babës. Madje, herën e fundit që mbaj mend kalimin nëpër vendin e tij, na duhej pritje disa javore për të marrë fillimisht leje kalimi; i thoni vizë.

Sikur ambasadori të kishte pak interes për natyrën e vizitorëve në Gazimestan, jam i bindur se do ti thirrte mendjes për të bërë mu të kundërtën, reagimin për moslejimin e mbajtjes së një parakalimi kaq radikal e kaq të tmerrshëm, kaq të dhimbshëm e kaq jonjerëzor për mijëra familje të viktimave kosovare e më gjerë. Nuk ma do mendja që ka vend që lejon një provokim të tillë, madje as ai i ambasadorit, Austria. Për hir të thjeshtësisë e argumentimit më lejoni të ju kthej prapa në vendlindjen e ambasadorit të OSBE-së, më 8 Maj 2002, kur në Vjene – tek Sheshi i Heronjëve (Heldenplatz)  paralajmërohej një parakalim nazistësh në nder të 57 vjetorit të vdekjes së liderit të tyre Adolf Hitler. Majori i kryeqytetit austriak asokohe, Michael Haeupl, kishte deklaruar me plot ngulm se “do të ishte skandaloz, i turpshëm e i padurueshëm lejimi i një parakalimi të tillë”. Kancelari i qeverisë asokohe, Wolfgang Schuessel, në përkrahje të majorit kishte dedikuar plot 2000 policë për të parandaluar këtë tubim. Ishte forca policore austriake që kishte kthyer prapa neo-nacistët austriak asokohe; e ambasadori e di mirë se ky kthim nuk ishte bërë asnjëherë me zhveshje të rrobave siç dhe ishte “përorimi i tepruar i forcës” kosovare, por me forcë të mirëfilltë policore të cilën e përshëndetën e gjithë bota demokratike. Ambasadori po ashtu e di mirë se fqinji i tij Gjermania, sot e kësaj dite e ka të ndaluar parakalimin e grupeve provokuese e naziste. Për më tepër, ambasadori duhet të dijë mirë se ndalim tubimet e grupeve radikale e provokuese u bënë edhe në Angli në vitin 2004, edhe në Republikën Çeke në vitin 2008, edhe në Skoci në vitin 2009, e në gjithë Evropën. Madje vetëm këtë javë qeveria e Letonisë ndaloj me dekret shtetëror çfarëdo parakalimi me përmbajtje provokative nacionale me arsyetimin se i njëjti paraqet “rrezik për sigurinë publike” dhe se “në rast të mbajtjes eventuale të takimit do të përdoret forcë e pakursyer”.

Nëse për zotin ambasador thirrjet për armë, për Milosheviq, Karaxhiq e Mladiq nuk bëjnë provokim, atëherë dhe mund të kuptoj reagimin e tij për “sjellje të keqe policore” dhe “forcë të tepruar”. Kështu së paku ai vihet në një vijë me Ivica Daciq, dikur bashkëpunëtor i të shpallurit fajtor për gjenocid në Ballkan, sot kryeministër në bërje i Serbisë, në një vijë me Oliver Ivanoviq, një ish bandit i rrugëve e plaçkitës ordiner në Veri, tani zyrtar në qeverinë serbe. Në fakt ishte vetëm zoti ambasador, Daciq, Ivanoviq e ‘Delijet” e Beogradit që dënuan sjelljen e policisë sonë. A nuk e bën kjo atë krenarë? A nuk e bën krenarë mbështetja e thyerjes së kufirit nga grupe rrugaçësh e mafiozësh dhe mbështetja e përkrahësve të kriminelëve më të fundit evropianë?

Pavarësisht kësaj, reagimi në fjalë dorën në zemër, ka pak rëndësi. Ai dhe mund të injorohet, siç dhe u injorua bukur nga Ministri Rexhepi që i tregoi ambasadorit në fjalë vendin e tij. Reagimi në fund të fundit vetëm se zgjon një ndjenjë neverie për mbështetje për anti-humanizëm, e një ndjenjë keqardhje për familjet e të zhdukurve, të vrarëve e të dhunuarve të cilët në pakuptimësinë më të madhe, ende pa rehatuar trupat e të afërmve e dhimbjet e luftës, duhet të durojnë edhe një herë kacabu nacionalistësh serb që ju valëvisin para hundëve kujtimet e errëta. Këtë durim duhet ta bëjnë në zemër të vendit të tyre. Thënë këtë problemi kthehet prapë në thelb, se sa ka e sa do të ketë Kosova fuqi pas përfundimit të mbikëqyrjes të vë rendin në kufijtë e vet e brenda tyre pa pasur nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare. A do të sillemi si zot të shtëpisë pas Shtatorit?

Unë shpreh dyshimin tim. Ndryshimi në fjalë është vetëm një ndërrim kozmetik i ecjes së Kosovës, por që në esencës përpos natyrës deklarative nuk do të ketë edhe ndonjë efekt real në politikën tonë. Përveç se do të shuajmë një ICO e një Pieter Faith, që thënë të drejtën në të shumtën e kohës dhe ishin “të shuar” e pasiv, ne prapë nuk do të kemi fuqinë për të rivendosur rend në Veri e prapë do të kemi dualitet me institucione ndërkombëtare që kanë marrë zemër më shumë se që ju takon. Kosova megjithatë është në pritje të një pavarësie siç e do rendi e zakoni. Bac, ende su kry!