Monday 27 February 2017

A JANË ZGJEDHJET AFËR?

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 SHKURT 2017

Pse muaji maj i këtij viti mund të jetë muaj zgjedhor

-1-

Nëse e drejta e spekulimit vjen me kënaqësinë e shëtitjes nëpër imagjinatë, sado që kjo imagjinatë s’ka fije lidhje me probabilitetet politike që ndodhin rëndom nëpër botë, atëherë, spekulimi im do të rrëshqiste në zgjedhje; të parakohshme. Në maj më saktësisht. Këtë maj. Këtë vit.

E shihni, koalicioni jonatyral i ndërtuar dy vite më parë s’ka rreth vete forcat e jashtme që i shtynë palët në jonatyralitet. Thënë saktësisht, LDK-në në konsumim të tërësishëm; PDK-në, ndërsa, në shpëtim. Do të kthehem më vonë tek ky shpëtim.

Këto forca, të jashtme, s’janë më për disa arsye. E para, më e rëndësishmja, sepse kanë gajle e hesape të brendshme. Bashkimi Evropian, dy vite më pas, përveç se është i ndarë e përçarë, është dhe në periudhë zgjedhjeje. Ato në Francë fillimisht, e në Gjermani përfundimisht, do të përcaktojnë dhe fatin e betejës së mendimeve iliberale me ato liberale. Dhe, derisa beteja e mbijetesës së Perëndimit të merr formë – nga nisja deri në përfundim – brenga për Kosovë e Ballkan do të mbetet veçse periferike.

E dyta, dhe jo më pak e rëndësishme, për politikën ndërkombëtare, që, në radhë të parë, gjendet në status-quo, ngjarjet në Ballkan, anipse periferike, duhet të kenë një akordim të plotë. Akordimi i plotë, sipas të gjitha gjasave, do të nënkuptojë vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje mirëkuptimi. Por në dritë të akordimit, zgjedhjet Presidenciale në Serbi përkthehen në pauzim të procesit dialogues me Kosovë. Mbajtja e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, vitin në vijim, do të nënkuptonte pauzim dhe për një vit shtesë të dialogut – gjithsejtë pra dy. Rrjedhimisht, forcat akorduese të rajonit s’kanë asnjë motiv të shtyjnë për dy vite një proces, që për ta, dhe shumëkë, mbetet i pa alternativë.

-2-

Mungesa e forcave detyruese për moszgjedhje ndryshon gjithë llogaritjet në Kosovë. Ta mendojmë për pak. Përgjatë dy viteve të fundit, PDK ka qenë në rikonsolidim e sipër. Ka kaluar nëpër një proces transformues, ka ndryshuar lidership, ka konsoliduar këtë lidership. Zgjedhjet lokale në Drenas, njëkohësisht, kanë treguar dhe pritjen e përgjithshme këndej, se lidershipi i ri ka vështirësi të rikuperojë pozicionin e vjetër të partisë. Megjithatë, në secilën matje e në secilën llogari, PDK mbetet partia e parë në vend. Ajo nuk kalon një të tretën e votave siç kishte kaluar dikur, megjithatë rrumbullakohet sot, lehtë, pa fushatë, në një të katërtën e tyre.

Transformimi e konsolidimi i lidershipit është punë e mbaruar tani. Ka qenë i mbaruar dhe vjet. E pambaruar s’ka qenë, megjithatë, kërkesa ndërkombëtare për vazhdimësi; kërkesë që tani, siç provova të argumentoj më sipër s’është më.

Për një PDK të parë dhe me fuqi, vazhdimi i koalicionit të tanishëm ka qenë mundim. Mos ta keqkuptojmë, ky koalicion ka qenë fillimisht për ta shpëtim. Shpëtim sepse nga një pozitë e zënë keq me VLAN, të mbetur vet e pa asnjë mik për bashkëqeveri, ishin kthyer mrekullisht në lojë – natyrisht me kapje. Me kapje të karriges parlamentare fillimisht, e më pas dhe të asaj kushtetuese, kishin marrë postin e kryekuvendarit. Kishin gjetur një shpëtim. Por shpëtimi nuk është gjendja në të cilën partia më e madhe në vend ka pasur qëllim të qëndrojë përherë. Partia më e madhe në vend ka pasur për qëllim pozitën më të fuqishme në vend, atë të kryeministrit. Dhe këtë pozitë e kanë veçse një hap më tej.

-3-

Në një skenar bastvënësi, PDK  do të kthehej nga një pozitë krejtësisht e humbur në një fron gjithëmarrës; atë të Presidentit e Kryekuvendarit sot, të Kryeministit nesër. Aftësia manipuluese që PDK bën përballë partive kosovare, në përmasën që nga hicgjë kthehet me të tri pozitat, është shkollë – e mbrapshtë natyrisht – për spektrin politik këndej. Për atë bastëvënësin është kalim nga dyshi në njësh.

Por manovrat politike të PDK-së nuk bëjnë risi. Risi, pra, në gjithë spekulimin tim, bën pozicioni i tyre sot dhe motivi për të thirrur zgjedhje. Tre-katër muaj më parë, kur konsolidimi i tyre kishte marrë udhë, zgjedhjet kishin mundësi formësimi nëpërmjet refuzimit të buxhetit. Prandaj dhe dilinin zërat e sekondarëve në parlament që kundërshtonin projekt-buxhetin atëherë. Refuzimi i buxhetit do të nënkuptonte zgjedhje – me automatizëm. Zërat ishin veçse testues të tolerancës për zgjedhje.

Buxheti s’ishte refuzuar jo sepse PDK nuk donte zgjedhje, porse, siç dhe thash më sipër disa herë, forcat ndërkombëtari nuk parashihnin një c’akordim regjional asokohe. Tash çakordimi veçse ka ndodhur; për t’u akorduar mund të ndodhin – po pat dëshirë e me vullnet të lirë – edhe zgjedhjet këndej.

Dëshira për zgjedhje në anë të PDK-së është për disa arsye. E para, sepse janë të parët. Është e natyrshme. S’kanë asnjë arsye për të qëndruar të dytët. E dyta, dhe jo më pak e rëndësishme, sepse kanë një Gjykatë Speciale përpara. Secila nisje e punës së prokurorëve specialë, do të nënkuptonte prekje të bazës votuese të PDK-së. Do të nënkuptonte humbje. Mbi të gjitha, nisja e punës së Gjykatës Speciale – dhe me të nisja e arrestimeve të para – do t’i jepte një imazh triumfues partnerit të tanishëm të koalicionit; diçka që PDK se ka kurrë për dëshirë.

-4-

Secila llogaritje për zgjedhje të reja e konsolidim, jep rezultat të njëjtë – sa më parë. Për të qenë zgjedhjet sa më parë, duhet të ketë një arsye. Dhe, arsyeja, me ose pa vetëdije, është në ardhje e sipër. I thonë demarkacion. Matja e territorit të Kosovës i ka dhënë rrugë procedimit në parlament. Matja, në anën tjetër, nga një komision jo fort gjithëpërfshirës e me qëndrime krejtësisht kontraverse si fund, ka dhënë plot arsye për refuzim.

Dhe, nëse forcat ekuilibruese rajonale s’kërkojnë nga ne përmbajte nga zgjedhjet; nëse PDK është e konsoliduar dhe e para në secilën matje e llogaritje në vend; nëse Gjykata Speciale është në prag e aktakuzat në shkruarje e sipër, atëherë demarkacioni është gurë shkelës i përkryer për zgjedhje.

Është temë popullsite, e humbur kaherë në opinion. Është arsye e mjaftueshme për të gjunjëzuar partnerin në koalicion, këmbëz perfekte për zgjedhje në vend. E tëra çfarë duhet të bëhet është, sikurse në modelin e buxhetit, mosvotimi në Parlament. Mosvotimi do të nënkuptonte humbje të legjitimitetit të Qeverisë aktuale. Do të niste një beteje të brendshme, akuza për paaftasi e mungesë drejtimi – përfundimisht rrëzim të Qeverisë nga njëri anëtar i Qeverisë. Në një periudhë 45 ditëshe, ndoshta diku në muajin maj, do të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale.

-5-

C’është e vërteta, Kosova ka kohë që është në status-quo e në fushatë parazgjedhore. Ka kohë që politika parlamentare është në “auto-pilot mode”; dal ku të dalë. Ka kohë që përplasjet ndërpartiake brendaqeveritare kanë marrë formë. Ka kohë që, përfundimi i vetëm natyral do të ishte njëmend zgjedhje. Kur s’ke numrat, kur s’ke energjitë, kur s’ke përkushtimin, shkon në zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme mund të jenë të natyrshme. Të pritshme. Të papritshme ndërsa, do të jenë skenarët ndërpartiak. Luftat e brendshme që do të nisin në ditën e përplasjes për zgjedhje, do të jenë histori në vete. Koalicionet parazgjedhore e sjelljet e modelit të “teorisë së lojrave” e “dilemës së të burgosurit” – në stilin që po shkoj A tek B, C do të përfundojë tek D; do të bëjnë temën e zgjedhjeve. Do të bëhet gjithçka, shumëçka ka për të qenë më ndryshe.

Por një gjë do të mbetet, me shumë gjasa, e njëjtë. Partia më e madhe në vend, do të vazhdojë kapjen e qetë. Jo sepse ka rritur vota, përkundrazi do të humbë disa, por sepse në modelin përçarës të partive rivale të saj, ajo do të arrijë të konsumojë secilën, njërën pas tjetrës, dalëngadalë. Dhe përderisa partitë e tjera të mos e shohin si rival, të vetmin rival, të vetes, demokracisë kosovare e mirëqenies sonë, do të konsumohen dhe më shumë; s’do të vlejnë gjë. Do të mbesin herë të dytat, herë të tretat. Madje, do të gëzohen dhe për këto. Por të parët s’do të dalin kurrë kështu. E po s’qenë të parët, s’vlejnë për gjë.

Dhe, sado që duket utopike, sado që duket e largët, zgjidhja e Kosovës ka vetëm një rrugë. Në bërjen e të pabëshmes dje. Në bashkimin e partive rivale të kapësve në një. E largët? Po. E pamundur? Jo.

Monday 20 February 2017

REPUBLIKA, SIÇ S’DUHEJ TË ISHTE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 SHKURT 2017

Mesiguri këto nëntë vite i kishim parë si kohë e mjaftueshme për të bërë shtetin. Për ta njohur atë, për ta mirënjohur më pas, për ta vënë në rend me vendet te tjera; neve me qytetarët e atyre vendeve.


-1-

Mesiguri, nëntë vjetorin e pavarësisë e  kishim menduar më ndryshe. Mesiguri vet Republikën e kishim paramenduar shumë më ndryshe. Si më të fortë, si më të drejtë, si më të barabartë – si dëshmi se ja vlejtëm. Mesiguri këto nëntë vite i kishim parë si kohë e mjaftueshme për të bërë shtetin. Për ta njohur atë, për ta mirënjohur më pas, për ta vënë në rend me vendet te tjera; neve me qytetarët e atyre vendeve. Për të bërë gjithë ato gjëra që dikur i mendonim t’i bënim në liri. Kur do t’i bënim të gjitha, sikur vetëm të kishim liri dhe shtet. Këtë shtet.

Do të kishim menduar shumëçka, para e gjatë ditës së shpalljes së pavarësisë. Nëntë vite megjithatë ishin shumë. Mesiguri Republikën do ta kishim menduar si shtëpi të punëtorëve, jo të papunëve. Pasaportat tona si stemë mburrjeje, jo vërtetim ngujimi. Gjykatat si korrektues të marrëzive, jo mjete kapësish. Spitalet si vende kujdesi, jo kasaphane tmerri. Shkollat si model ngritjeje, jo si fabrika të padijes. Parlamentin tonë si platformë të burrave e grave më të mira të këtij shteti, jo cirk të një qyteze. Do ta kishim menduar një Kosovë bashkë, pa urë e mure, me ushtri me shokë shumë, me një Serbi larg, me të korruptuar në burg, dinjitet të kthyer për punë, pa budallenj trushpëlarës e ekstremistë theqafjesh.

Republika jonë do të ishte ana e këndshme që na vjen rrallëherë. Ajo e sportistëve tanë që marrin medalje olimpike, bëjnë emër – për vetën e shtetin; të atyre që ngrenë stemën tonë në emër të të tjerëve; flamurin para flamujve të të tjerëve. Të aktorëve, regjisorëve, skenografëve e producentëve që me historinë e përpjekjes sonë kolektive për këtë Republikë marrin çmime në “Oscars” e “BAFTA”. Të krijuesve të tjerë që renditen në listat e performuesve më të mirë – në këngë, në art, në dije. Të shembujve përplot për të rinjtë e të të rejat që suksesi “made in Kosova” është punë e bëshme – e bukur ani pse e lodhshme.

-2-

Të rinjtë e të rejat, megjithatë, sot kanë një tjetër model. Modeli i tyre është i PISA-s, i politikanëve të pandershëm, kriminelëve të pandëshkueshëm, i propaganduesve përfitues, shërbëtorëve të kapësve – për kapësit deri në kapje. Këta i shfaqen gjithandej. Në vende të punës, në biznese, në politikëbërje. Kur duan një punë, kanë një akraba kapësi që u vjen përpara. Kur duan një biznes, kanë një financues kapësi që s’lë rend. Kur duan të ndryshojnë vendin, kanë vet kapësit që mbahen me kapje. Të rinjtë e të rejat sot kanë një zgjedhje të vetme, të jenë me kapësit, ose të përfundojnë spektatorë të kapjes – brenda ose jashtë vendit pak ka rëndësi.

Republika e tyre është shtëpi e të papunëve. Sot, vetëm një nga katër kosovarë punon. Tre të tjerë janë të papunë; shëtitës të kafeneve në rastin më të mirë, migrues e ikës në më të keqin. Por dhe për atë të punësuarin e vetëm nga të katërtit, Republika mbetet vend i pasigurisë për vendbanim. Si shoqëri, kemi kapërcyer pasigurinë fizike, për të gjetur pasigurinë për mirëqenie e mbijetesë. Familje të tëra, në punë, konsiderojnë në vazhdimësi ikjen nga vendi. Jo pse s’kanë vullnet për të plakur jetën e tyre këtu, por se kanë frikë për mundësitë që fëmijëve u lënë. Në shkollë, në shëndetësi, në punë. Çfarë mund të konsiderojë një prind që ka kapërcyer gjithë mundin e arsimimit nëpër prodhime paditurie të kapura nga rrahagjoksit analfabetë; që ka kapërcyer gjithë fatet e konkurseve e përpjekjeve të mundimshme e zorshme për punë; për të përfunduar në fund me një pagë që s’jep as më të voglën gjasë për të kaluar muajin me minimalisht dinjitet? Çfarë pret një prind i tillë nga ky vend?

Republika e tyre është e frikshme për secilin të huaj që mendon të investojë. Të vetmit njerëz që mund të hapin punë këndej janë trajtuar si thes i parave; në raste madje edhe si partnerë. Prandaj, hiç e habitshme, nëntë vite pas pavarësisë kosovarët marrin dyfish më pak investime të huaja se sa merrnin atëherë. Do të duhej të ishte e kundërta.

Republika e tyre mbulon dhe sot faqet e botës. Jo për të mirë; as për “evropian të rinj” por herë si shembull i shkeljes së të drejtave të njeriut; herë si projekt para dështimit; shumë herë si prodhues i terroristëve. Kush do ta kishte menduar se nëntë vjet pas bërjes shtet do të prodhojmë të tillë që kërkojnë vrasjen e vlerave të vetme që na bënë shtet.

Republika s’ka as ushtri. Jemi në pikë të njëjtë, madje me gjasa dhe më pak, për të gjetur pajtim për bërje të sigurisë. E jemi shumë më larg për të marrë pjesë – si shtet – në programe të sigurisë, që fqinjët tanë, Shqipëria e Mali i Zi në rend të parë, kanë siguruar me NATO-n. Kur jemi tek fqinjët tanë, Republika e të rinjve e të rejave tona, vazhdon të mbesë vendi i fundit në rajon që s’merr liri për lëvizje. Nëntë vite pas shpalljes së pavarësisë, pas gjithë simpatisë e përkrahjes të marrë me fillim, ne jemi bërë veçse një vend që prodhon krim e korrupsion; refugjatë nga 100 mijë – të padenjë për të lëvizur lirë kur të gjithë në Evropë lëvizin lirë.

Kjo Republikë, që nga shpallja e pavarësisë, është futur në një dialog që ka prodhuar herë asociacioni kundër-kushtetuese, herë përfaqësim politik minoritar që pengon e rrënon rendin kushtetues. Kjo Republikë ka arritur që me gjithë paditurinë e saj të afrojë Serbinë me Evropë, duke marrë në kthim hiçgjë.

Mbi të gjitha, kjo Republikë, në nëntë vjet s’ka ndërtuar kujdes për shëndet. Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë pa sigurim shëndetësor; por mbi të gjitha, edhe pa shërbime minimale shëndetësore. Pa penj, pa barna, pa mjekë.

Sistemi i edukimit i saj, në anën tjetër, është bërë platformë e kapësve analfabetë që, me gjithë apetitet e tyre për prestigj provincial, kanë marrë në qafë gjenerata të tëra të të papunëve. Si kulmim i theqafjes, u renditëm në treshen e fundit – në botë – për nga padituria.

-3-

Projekti i Kosovës, për shkak gjithë paaftësisë për të shpërndarë të mirat tek të gjithë është bërë target i shenjëtarëve me motive e vetëdije të ndryshme, por me një qëllim, mos ekzistimin e saj. Kështu, me vetëm nëntë vjet, projekti Kosovë ecën në vijë e mëshirë të tri burimeve rrezikuese të saj.

Të parët, dhe më të rrezikshmit janë kapësit dhe jokompetentët qeverisës tanë. Kapësit janë shkaktarë të krizës shtetndërtuese, të humbjes së imazhit jashtë, të paditurisë, moskujdesit, ikjes për Lindje e Perëndim. Janë prodhues të krizave morale, institucionale e shoqërore. Kapësit janë okupatorët e rinj të Republikës, me të cilët Republika nuk ka gjasë. Jokompetentët, në anën tjetër, janë zgjatësit e jetës së kapësve. Janë po aq fajtorë e po aq të rrezikshëm sa kapësit. Dallimi në mes të kapësve dhe jokompetentëve është veç në apetitet për plaçkën që kanë. Jokompetentët janë aq jokompetentë sa edhe gjithë marrëveshjen me kapësit e kanë për një vend pune të tyre e për një pagë.

Të dytët janë fqinjët tanë në veri. Serbia s’ka qenë kurrë me e fuqishme dhe kurrë më e interesuar për destabilizim në Republikë. Në të vërtetë, Serbia në pak vjet, ka arritur që Republikën ta shndërrojë në platformë krizash e tensionesh sa herë që do. Për më tepër, e njëjta është futur në institucionet e Republikës, me lista e grupe mercenarësh, për të penguar formësimin e Republikës. Në shumë raste, fati i Republikës ndodhet në mëshirën e armikut më të madh të saj. Dhe kjo po që është për trishtim.

Të tretët janë axhami revolucionarë, politikanë që marrin momentet e tyre të shkëndijës vetëm pse kapësit e jokompetentët i kanë përballë. Dhe në këto momente të tyre të budallakisë, ata dalin me projekte e gulçima kundër-Republikane. Dalin me përbuzje për përpjekjet e gjeneratave të tëra për shtet. Lidhin pushtetin me shtet; s’duan shtet. Janë parazitë të shkëlqyer pa zgjidhje por me vullnet përplot për të penguar secilën zgjidhje. Janë të gatshëm të flakin e rrënojnë gjithçka të bërë deri më tash. Të papërgjegjshëm, të rrezikshëm, kamikazë par ekselencë.

Të tre grupet sot kanë shfaqjen e tyre. Kush s’ka shfaqje sot, janë patriotët e njëmendtë të kësaj Republike. Ata që, herët ose vonë, duhet të bëhen bashkë për t’i dërguar në dreq të mallkuar gjithë kapësit, jokompetentët, fashistët e revolucionarët pa dallim. Për të mbrojtur këtë Republikë, këtë shtet, na duhet gjak i ri. Na duhen vajza e djem që, me gjithë gjasën e vogël që kanë, prodhojnë megjithatë mburrje për këtë Republikë. Të tillë që krijojnë mirëqenie për të vetin; që transformojnë fotografinë e Kosovës jashtë në një vend të ri e me plot energji; që japin forcë e guxim përballë secilit rrezik; e mbi të gjitha, që vendosin të jetojnë si të lirë, të lumtur e të lirë, në një shtet që mbetet i tyre përherë.

Monday 13 February 2017

PAS MURIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 SHKURT 2017

Kemi humbur tri vjet, po e humbim dhe të katërtin në tema të mëdha që s’përmirësojnë as vendet e punës për ne, as kujdesin shëndetësor në vend, as shkollat e fëmijëve tanë që ende recitojnë përmendsh. Dhe përderisa humbim kohë, një muri shumë më i madh, shumë më i gjerë, shumë më i rëndë, vazhdon të qëndrojë përpara nesh. Muri i lëvizjes së lirë sot është rreth Kosovës gjithandej.

-1-

Tashmë është më se evidente se serbët e veriut të Kosovës po insistojnë në ndarjen e qytetit të tyre – me çdo kusht – nga pjesa tjetër jugore. Thënë më saktë, serbët e atjeshëm po mbajnë gjallë ndarjen e nisur qysh nga viti 1999. Ndarja kishte nisur fillimisht nëpërmjet ushtarëve të trupave paqeruajtëse të vënë saktësisht mbi urë. Kur ushtarët u hoqën, serbët lokal vendosën barrikada prej dheu. Kur një mbrëmje barrikadat u larguan, mëngjesi na gjeti me park paqeje mu mbi urë. Kur parku u hoq e ura u rinovua, u ndërtua një muri. Kur muri u rrëzua, nisi ndërtimi i një sheshi. Pra në 17 vite kohë ka ndryshuar vetëm ligjshmëria e mbylljes dhe ndarjes. Ndarja është bërë më e ligjshme, më e sofistikuar, më e bukur në mes të shëmtisë. Megjithatë, ajo mbetet ndarje.

Bërja e sheshit – pas murit të paligjshëm, parkut absurd, e barrikadave prej dheut – është punë e ligjshme. Autoritetet lokale atje, kanë secilën të drejtë ligjore të vendosin mbi sheshet e tyre; njëjtë siç, le të themi, ka Prishtina të drejtën e mbylljen e rrugës qendrore për krijim shëtitoreje e sheshi. Në vija argumentuese si këto, vështirë mund të kundër argumentohet.

Por ama, ligjshmëria e akteve të tyre s’e zbutë qëllimin e ndarjes. Dhe mu në një model të tillë rrumbullakohet i gjithë ndikimi që komuniteti pakicë serb ka sot mbi Kosovën. Duke shfrytëzuar privilegjet ligjore që iu jep shteti i Kosovës, të njëjtit refuzojnë të punojnë për shtetin e Kosovës. Duke zgjedhur përparësitë e injoruar obligimet shtetformuese, të njëjtit bëjnë politike kundër shtetforumuese; herë me ndarje, herë me provokime, herë me bllokime. Sikur shteti është meny prej ushqimi nga e cila zgjedhë pjata për qejfi; refuzon ato që s’ti ka ënda.

-2-

Në këtë qasje të tyre ndodhet edhe kërkesa për asociacion. Nga kërcënimi për bërje të tij, deri tek qëllimi përfundimtar i pasjes së tij. Pra, sot, s’kërkohet asociacioni për të avancuar pozitën e komunitetit pakicë në vend, por kërkohet për të penguar konsolidimin e Kosovës si shtet.

Në po të njëjtën frymë e në po të njëjtin stil menaxhohet dhe çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës. Serbët lokal shfrytëzojnë mekanizmat kushtetues të shumicës minoritare, për të bllokuar formësimin e plotë të shtetit tonë nëpërmjet themelimit të ushtrisë. Pra bëjnë lojë me dy standarde. Zgjedhin të drejta, për të ushtruar ndikime të padrejta ndaj shtetit që u jep këto të drejta.

Përballë një politike të tillë, mbetet fare e parëndësishme dërgimi i dy-tre zyrtarëve doganorë në veri, apo pjesëmarrja në zgjedhje parlamentare e nacionale. Është misioni destruktiv që fshihet përtej shfaqjeve si këto, çfarë njëmend ka rëndësi. Dhe një model i tillë, fatkeqësisht, s’ka për të qenë i qëndrueshëm as për ta e as për të tjerët në Kosovë. Një model i tillë ka për të ndarë dhe më shumë – në vija etnike – shqiptarët dhe serbët në Kosovë.

Shqiptarët e Kosovës kanë secilin interes të bashkëjetojnë mirë me serbët lokal; bashkëqytetarët e tyre. Konfliktet ndëretnike primitive janë gjëja e fundit që na duhet si shoqëri. Por komuniteti ndërkombëtarë s’ka të drejtë të kërkojë nga ne më shumë. Shqiptarët e Kosovës, megjithatë, kanë hequr dorë shumë nga të drejtat e shumicës. Kanë bërë një shtet në dizajn për të gjithë; një Kushtetutë me të drejta minoritare më shumë se secila kushtetutë e secilit vend tjetër në rajon e më shumë; kanë ofruar dhe liri të shprehjes, gjuhës zyrtare e pozitave të privilegjuara publike. Në kthim po marrin provokim, si një urë e një mur, një refuzim për ushtri, e një mbledhje qeveritare në Beograd dhe jo Prishtinë. Është koha që serbët lokal të shtyhen drejt pranimit të bashkëjetesës këndej.

-3-

Këtë shtyrje mund ta bëjë vetëm bashkësia ndërkombëtare vendimmarrëse në rajon; e njëjta që ka rrugën e Serbisë drejt BE-së në dorë. Ajo duhet të ndalojë përfundimisht ndikimin e Serbisë këndej. Serbia po bëhet pengesë shoqërore e jona sa herë e njëjta e do këtë. Ajo po arrin me pak provokim të mbajë një vend e një popull të tërë në ankth; të zënë në diskutime konsumuese e përçarëse. Herë me një tren, herë me një muri. Dhe jo pak nga politikëbërësit tanë po kërkojnë një provokim të tillë. Në të njëjtin ata shesin kartën e vetëm që kanë – pasigurinë.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë se parandalimi i Serbisë dhe provokimeve të saja, do të çlirojë qytetarët shumicë – shqiptarët, të cilët kanë kohë që merren krejt me tema të mëdha. E është e kotë, e padobishme – çmenduri – të merremi një vend i tanë me një mur. Siç ka qenë e padobishme të kalojmë gjithë kohën në 2014-ën me bllokadë institucionale; gjithë 2015-ën me asociacion; e gjithë 2016-ën me demarkacion. Kemi humbur tri vjet, po e humbim dhe të katërtin në tema të mëdha që s’përmirësojnë as vendet e punës për ne, as kujdesin shëndetësor në vend, as shkollat e fëmijëve tanë që ende recitojnë përmendsh.

Pra komuniteti ndërkombëtar duhet të parandalojë ndërtimin e mureve të tjera nga Serbia; qoftë nëpërmjet asociacionit jokushtetues qoftë nëpërmjet refuzimit të bërjes së ushtrisë; qoftë nëpërmjet mosnjohjes së Kosovës si shtet nga shfrytëzuesit e privilegjeve të shtetit.

Mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtarë duhet të heqë dhe murin e vet. Një mur shumë më i madh, shumë më i gjerë, shumë më i rëndë, vazhdon të qëndrojë përpara nesh. Muri i lëvizjes së lirë sot është rreth Kosovës gjithandej. Qytetarët tanë vazhdojnë të shfaqen para rendeve të gjata nëpër ambasada. Vazhdojnë të humbin mundësitë për një jetë më të mirë, për studime, bërje biznes, për lëvizje. Ky është problemi jonë njëmend. Ky është muri që duhet thyer sa më shpejtë.




Monday 6 February 2017

MBI DIALOGUN E DËSHTUAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 SHKURT 2017

Në një situatë të re politike, Kosova ka veç dy rrugë përpara. E para, të unifikojë zërin e brendshëm në tërësi, nëpërmjet ndërtimit të një ekipi të ri uniteti. Dhe e dyta, nëpërmjet nisjes së takimeve individuale me shtetet sponzorizuese të projektit tonë.


-1-

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina çfarëdo që Prishtina të kërkojë nga Beogradi – përfshire dhe pavarësinë”, ishte deklarata e parë e Presidentit serb Nikoliq në vijimësi të dialogut Prishtinë-Beograd të zhvilluar këtë javë në Bruksel. Në pak rreshta qëndrim, Nikoliq po shpërfaqtë gjithë thelbin e asociacionit në fjalë; gjithë intencën e procesit dialogues nga ana e Serbisë – ndarjen e Kosovës pra.

Jo se vjen si risi. Vjen veçse si rikonfirmim i dështimit të procesit dialogues në tërësi. Ky dështim u rikonfirmua dhe nga vet palët në raundin e fundit. Pas katër viteve takime e përpjekjeve për afrim, Serbia ndodhet më larg se kurrë në secilin relacion me Kosovën.

Ky relacion nuk do të përmirësohet as me lidhje të çuditshme telefonike në mes të niveleve të përziera President-Kryeministër, as me darka e takime të tensionuara. Relacioni do të përmirësohej vetëm me një presion ndërkombëtar ndaj Serbisë nga ndërmjetësuesit e relacioneve. Ndërmjetësuesit, ndërsa, janë të lodhur e të pafuqishëm për të vënë presion; rrjedhimisht dhe të paaftë për të shtyrë përpara çështjet teknike e jostatutore rreth Kosovës. Çështjet statutore as që duhej të ishin pjesë e ndonjë tryeze ku ka kosovarë e sponzorizues të Kosovës.

Në një situatë të re politike, Kosova ka veç dy rrugë përpara. E para, të unifikojë zërin e brendshëm në tërësi, nëpërmjet ndërtimit të një ekipi të ri uniteti. Dhe e dyta, nëpërmjet nisjes së takimeve individuale me shtetet sponzorizuese të projektit tonë. Në vijën e parë, do të refuzonte secilën intencë për asociacion me të drejta separatiste – qëllimi i së cilit u bë veçse publik. Për këtë ka dhe bazë të gjërë kushtetuese në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të dytën, do të bënte përpjekje për krijimin e një ambienti të sigurt rreth sovranitetit tonë, duke riaktualiziuar partneritetet që i ka. Deri më tani, as unifikimi e as proceset takuese nuk kanë nisë. Kosova ndodhet në pritje; s’paraprinë. Tipike për të.

-2-

Në të vërtetë, parapritja ka qenë dhe kritika thelbësore disa vjeçare e procesit dialogues. Pikërisht për shkak se në të pala jonë ka qenë e papërgatitur, pa platformë e pa prioretizim të diskutimit të temave që kërkonin zgjidhje, pse përfitimet tona nga i gjithë procesi janë insignifikante pas gjithë këtyre viteve konsumimi.

Dialogu mund të mos ketë alternativë, por altenrativë ka gjithça tjetër përbrenda idesë dialoguese. Nga përbërja deri tek temat e shtruara; nga kompromiset deri tek trysnia; nga kërkesat deri tek refuzimet. Alternativë ka dhe kontestimi i idesë se afrimi Kosovë Serbi duhet të nisë nga afrimi i temave të vogla, për të marrë afrimin në temën e madhe – në njohje pra.

Siç dhe shihet përfundimisht, tema e madhe, e njohjes sonë, është po aq e refuzuar edhe katër vite më pas. Veçse, në gjithë këtë kohë, ne kemi mbajtur qytetarët e Kosovës të konsumuar me brengat ndër-etnike; kemi rritur tensionin në mes të bashkë-qytetarëve tanë, serb e shqiptarë pa dallim; dhe si përfundim kemi arritur në kërcënime lufte e intervenime ushtarake.

Fshehja e kërkesës përfundimtare të njohjes, në detaje të vogla teknike e politike nuk ka dhënë rezultat. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të kuptojë pandryshueshmërinë e Serbisë. Nuk ka arritur të kuptojë se prapa një participimi dialogues ndodhet një agjendë e tërë kontestuese e shtetësisë së Kosovës; rrjedhimisht i gjithë participimi i tyre dialogues nuk bëhej për të zbutur qëndrimin ndaj Kosovës, por për të forcuar atë. Në pritje si këto marrëveshja ka qenë gjithmonë e pamundur.

-3-

Por këtë fakt duhet ta kenë ditur liderët tanë. Të njëjtit që katër vite rresht refuzojnë kritikuesit e dialogut, që vazhdojnë me standarde shabllone e joorigjinale për vendin tonë. Që takimet e Brukselit nuk i kanë për të afruar vendin tonë diku, por veten në sy të diplomatëve shpeshëherë dhe jo fort të rëndësishëm e kalimtarë. Këtë gjë, këta liderë duhet ta shohin dhe sot.

Pra, sado keq që është, s’është vonë. Rruga jonë përpara në konsolidimin e shtetësisë është bërë e vështirë. Një lodhje evropiane, një paqartësi amerikane, një rritje ruse, s’ka se si të mos prekë e rritë tensionet këndej. Por, pavarësisht të gjitha, rruga jonë është shumë më e favorshme se sa para pavarësisë. Ne kemi institucione tona, të përkrahura nga kryeqendra të rëndësishme, me të drejtë të plotë për ushtrim të sovranitetit. Këtë sovranitet duhet shtruar edhe tek muri në Mitrovicë, edhe tek demilitarizimi në Veri. Pra duhet të veprojmë, jo të presim veprim.

Jo nëpërmjet aksioneve që ngjallin përplasje me akterët ndëkrombëtarë, por nëpërmjet koordinimit me ta. Qëndrimi zyrtar i NATO-s, dhe së fundmi i Sekretarit të Mbrojtjes në administratën e re amerikane, japin qartësi e garanca të forta mbi të drejtën tonë mbi forcën dhe sovranitetin. Këtë garancë duhet ta shfrytëzojmë.

Për ushtrim të saj, natyrshëm na duhet unitet. Na duhet pajtim. Për forca mbrojtëse, na duhet pajtim. Për blerje të reja, na duhet pajtim. Për aleanca më të fuqishme na duhet pajtim. Sado utopike që pajtimi duket, është i paalternativë. Në këto kohë, përplasja nëmes vete do të ishte goditja e fundit në shtetësinë tonë.