Friday 29 November 2013

BIJTË E SHEKULLIT TË DYTË

Letra nga limbo

KOHA DITORE, 29 NËNTOR 2013



Mbi relacionet shqiptare





Gjithsesi me shumë më pak energji, pa mustaqe, pa festime historike dhe pa gjithë atë mobilizimin qytetar, të gjitha krahasuar me një vit më parë, shënuam edhe një përvjetor të – siç tingëllon më origjinal – mëvetësisë së Shqipërisë. Ndoshta sepse ky është “një vit jubilar më pak jubilar” se njëqindëshi, apo sepse këtej janë të nxënë me vota dhe vetëm në vota kanë mendtë, gjithsesi për arsye plot, këtë vit e kaluam (pritshëm) me shumë më pak energji.



Ndër të tjerash, fjalimet e thirrjet e pashallëqeve të Shkupit të një viti më parë këtë vit i zëvendësuam me negociata për autonominë e gjerë në Veri; premtimet e pasaportave shqiptare për të gjithë shqiptarët në Kosovë i zëvendësuam më kërkesa impotente liberalizimi për të ngujuarit e fundit evropianë; ndërkaq projektet madhore të bashkimit ekonomik e politik i zëvendësuam me ri-përurimin e Rrugës së Kombit, përurimi i katërt me radhë. Në të vërtetë në dhjetë vitet e fundit të politikës së përbashkët Shqipëri-Kosovë e tëra çfarë mbaj në mend është vetëm përurimi e ri-përurimi i rrugës në fjalë. Duhet të ketë ndodhur 4-5 herë andej e po aq këndej; të fundit në Evropë që festojmë një dekadë për të njëjtin asfalt; për atë hatër të vazhdojmë tutje.



Në kohën e ndërmjetme, në Shqipëri u vendos qeveria e re, e cila u prit pak a shumë me ndjenjë mortore këndej. Shpejtë, propozimet për mbledhje të përbashkëta qeveritare Kosovë-Shqipëri, vizitat në Luginë e besa dhe qëndrimi kundër armëve kimike, të gjitha nga qeveria e re shqiptare, duket ti kenë befasuar për të mirë gjithë kosovarët që tradicionalisht kanë parë të majtën shqiptare si, pak a shumë, jo shqiptare – e tmerrshme. Ndonëse të gjitha akte e propozime të fabrikuara për kozmetikë politike, ato kanë prekur në thellësi simpatinë e bashkë-kombësisë që mbajnë në gjen shqiptarët e Kosovës; ato ishin më ndryshe se sa thirrjet e çirrjet e sallave me tupanë, surle e tym plot.



E përderisa Shqipëria kishte përmbyllur zgjedhjet në frymë të civilizimit e evropianizimit, Kosova kishte replikuar të njëjtën korrektësi këtë vjeshtë duke organizuar zgjedhje sinqerisht të lira, e mrekullisht si nata me ditën krahasuar vetëm tre vite më parë.  Ndoshta sa për të provuar se jemi një farë e një trung, Kosova kishte replikuar me aq mjeshtëri por mjerueshëm edhe një gjuhë të re debatuese politike në vend. Kjo gjuhë e re politike (e re për Kosovën, tradicionale për Shqipërinë) në thelb kishte shumë sharje – jashtëzakonisht sharje shumë – dhe kishte pak ide. Të paktën atje (në Shqipëri) në mes rreshtave të hallakamës e zhurmës si mjete dominuese – gjithsesi ofenduese – kishte edhe disa ide e propozime origjinale; tek ne përveç kreativitetit të përuljes gërditëse asgjë s’mbetej për tu nxjerrë. Kosova pra kishte importuar anën më të errët të një stili ashtu-kështu të errët diskutues, që pretendon zotërimin me fyerje personale para atij me edukatë politike. Këtu megjithatë, siç kishte thënë Matoshi vite më parë, ofendimet e tilla kanë gjasë “t’ia shkundin pluhurin Kanunit” e të përfundojnë në nam – në fund të fundit odën e kanunin këndej edhe vet Kryeministri e vë para shtetit e gjyqësisë.



***



Në ndërkohë, me gjithë optimizmin e besimin e shfaqur në Kombëtaren shqiptare të futbollit, ne sërish përfunduam të parafundit; sikur na u dha për pak çaste një iluzion i kualifikimit – dhe kështu i përmbushjes së profecisë se shekulli i dytë është i shqiptareve – për të na u marrë e sjellë në vendin e njëjte, me njerëz të njëjte në kohë të ndryshme. Në të vërtetë, këtë here kombëtarja jonë mbeti edhe pa fushë për të zhvilluar ndeshje. Ndoshta edhe Kombëtarja është dhe përshkruesi më i mirë i nivelit të bashkëpunimit ndër-shqiptar e kështu i arritjes gjithë-shqiptare; një organizëm që nuk tërheqë mjaftueshëm shqiptarët jashta-Shqipërisë, i udhëhequr vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë, e që ndanë Shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë për të arritur fundin apo para-fundin Evropian; e komplikuar sa s’bëhet më. E kuti i futbollit u bë mjeti i ri diskutimi kur një kosovar që e quanin tradhtar e të shitur festoj shpalljen kampion Evropë me flamur të Kosovës (e jo të Shqipërisë). Sa për të mos mjaftuar kjo, ai – i ndihmuar nga katër a pesë shqiptarë të tjerë – në dy ndeshjet kundër Shqipërisë kishte dhënë dy gola; për tu vënë sërish e sërish në shënjestër të ultra-nacionalistëve gjithandej e për të ringjallur sërish e sërish diskutimin popullor se çfarë në të vërtetë është tradhtia e çfarë atdhe-dashuria – të gjitha të matura me futboll.



***



E në këtë vit të parë, ndonëse të hershëm për të pritje, as për së afërmi nuk na u dhanë e nuk na u shfaqën elementet e para të një bashkërendimi ekonomik e politik mes të dy vendeve. Gjithçka ishte klishe e bërë vit pas viti – derisa të gjitha bëhen shumë. Sikur të dy shtetet mbesin me telashe e halle të veta, sa që për tjetrin të merresh duket së është luks. Ndoshta dhe do të dukej luks sikur kjo marrje të ishte për hir të një trashëgimie patriotike apo një përkatësie morale; por thënë të drejtën, e njëjta bëhet domosdoshmëri nëse kuptojmë përparësitë e bashkërendimit.



Unë vazhdoj ti mbes besnik idesë se përderisa jemi tregje të vogla, të varfëra dhe – më e rëndësishmja – të njëjta, nuk ka asnjë arsye pse të mos bashkërendojmë. Jo sepse kemi trashëguar një obligim nga të tjerët, ani pse një gjë e tillë nuk do të ishte e mbrapshtë, por sepse kemi interesa përfituese si me asnjë treg tjetër. Nga energjia – ku vazhdojmë të mos shfrytëzojmë paradoksalisht përparësitë krahasuese mes dy shteteve;  tek këmbimi i mallrave – ku vazhdojmë të mos shfrytëzojmë me efiçencë rrugët e stër-përuruara; e deri tek investimet e përbashkëta në infrastrukturë, gaz, edukim, sport, art e kulturë, në imazh – ku vazhdojmë të mbesim indiferent.



Dhe nuk po flas për një bashkim klasik të dy shteteve. Marrë parasysh fuqinë tonë ekonomike e politike të tanishme, si dhe intencat e forcave të jashtme stabilizuese, një gjë e tillë – tani për tani – mund të duket e vështirë dhe sipas të gjitha rezonëve normale e pamundur. Ndoshta dhe nuk duhet të mendojmë shumë për aktin final tani. Po flas për politika ditore që kërkojnë pak punë dhe pak vullnet; pak para dhe pak kreativitet. Po flas për nisma e strategji që nuk parandalojnë ecjen tonë të pavarur e zgjidhjen e  telasheve të ndara, por që zhvillohen paralelisht. Të dy vendet kanë mendje e kapacitete të mjaftueshme për të bërë një paralelizëm të tillë. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin finalizimin e interkonjeksionit energjetik që do ti jepte energji Kosovës nga Shqipëria gjatë dimrit dhe energji Shqipërisë nga Kosova gjatë verës. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin projektimin e përfshirjes së tregut kosovar në gazsjellësin TAP. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të projektojnë zhvillimin e tregut hekurudhor për ti bërë garë jo vetit, por porteve rajonale që mbajnë primatin tregtar edhe në kohë të krizave falimentuese. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të nisin aprovimin e pakove ligjore që prodhojnë lehtësira fiskale për bizneset që kanë kapitale të përbashkëta dhe kështu ndajnë përvojën, dijen dhe përparësitë krahasuese në mes të dy tregjeve. Kosova dhe Shqipëria munden qysh nesër, nesër dhe jo më larg se nesër, të ndërprenë neglizhencën e deritanishme dhe të mendojnë si kalibër i shekullit tjetër.

Monday 25 November 2013

MBI BUXHETIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 NËNTOR 2013

Draft-buxheti i prezantuar në Parlament vazhdon të qëndrojë në vija të njëjta me të viteve paraprake, vija këto që nuk kanë sjellë as ndryshimin e domosdoshëm, as standardin e nevojshëm as optimumin e merituar të mirëqenies kosovare. Janë këto vija që vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe status-quo.


Siç është bërë tashmë traditë rëndom, siç dhe e do rendi e zakoni, në fund të vitit kalendarik shpërfaqet diskutimi – gjithmonë në rritje – mbi buxhetin. Ritheksoj ‘gjithmonë në rritje’ nën tonin pozitiv meqë diskutimet buxhetore e të cilat determinojnë bukur shumë prioritetet qeverisëse dhe fatin qytetar, janë shenja të një përgjegjësie dhe maturie ekonomike të shoqërisë. Vite më parë shpërndarjet e tilla buxhetore kalonin me automatizëm, pa ndonjë diskutim publik dhe pa ndonjë interes qytetar. Ndoshta sepse po piqemi dhe ne, ndoshta sepse po rrisim e krijojmë dhe më shumë kualitet, pavarësisht të gjithave, diskutimet e tilla vazhdojnë të shtrojnë presionin tek vendimmarrësit për më tepër përgjegjësi karshi taksapaguesve; e tëra gjithsesi ende larg të mjaftueshmes.

Mu në këtë frymë u dha dhe pasqyra e parë e draftit buxhetor, e e cila për pjesën më të madhe të njohësve të fushës ishte veçse një vazhdimësi e vijave të trasha të së kaluarës. Dhe kjo bën lajmin e keq.

***

Një vend i vogël, sikurse Kosova, në një univers paralel, do të duhej të barte zhvillimin ekonomik nëpërmjet sektorit privat. Në këtë konstalacion optimal, e të cilin herë-do-kurdo do të duhet ta arrijmë, do të ishte më pak relevante fakti se ku e si i shpenzojmë paratë publike. Jo pse shpenzimi i tyre nuk ka rëndësi, por se në rast të ndonjë gabimi eventual dëmet në mirëqenien e gjithmbarshme do të ishin më të margjinalizuara. Pra nëse ekonomia mund të modelohet si një tren në tendencë ecjeje, dhe nëse në këtë tren zhvillimor sektori privat bën vet lokomotivën, atëherë them se çarja eventuale e sektorit publik të ndodhur në një vagon të pasmë bëhet më pak e dëmshme në ecjen e gjithmbarshme; treni megjithatë do të ecë. Por nëse lokomotiva e trenit është sektori publik, atëherë çdo dëm eventual në të do të paralizonte gjithë vagonët tjerë; deri në ngecje.

Kosova, tash e katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vite, burim kryesor të zhvillimit e ka sektorin publik. Pra lokomotiva jonë është vet sektori publik. Buxheti i shtetit është përcaktues kryesor i fuqisë së kësaj lokomotive, rrjedhimisht çdo qarje në buxhet është determinuese për ecjen e gjithmbarshme. Prandaj gabimet buxhetore reflektohen më shumë në mirëqenie; prandaj dhe më i rëndësishëm bëhet diskutimi buxhetor.

***

Në këto katër-pesë vitet e fundit, Kosova ka krijuar një ekonomi fragjile, në tendencë ngrirje e status-quo-je dhe pa haber në relacion me nevojat emergjente që do të replikonin eventualisht zhvillimin. Pavarësisht gjuhës prezantuese të politikëbërësve – e cila natyrshëm do të jetë gjithmonë defanzive dhe e zbukuruar edhe atëherë kur nuk bëjnë asgjë – them se ka disa tregues makroekonomik, të cilët nëpërmjet gjuhës ekonomike krijojnë pasqyrën reale të vendit. Këta tregues janë deficiti tregtar, invesitmet e huaja direkte, norma e punësimit dhe shkalla e varfërisë; të gjitha janë në ngecje apo regres – të gjitha.

Buxheti i këtij viti duhet analizuar në dy frymë, si mjet diagnoze për të kaluarën dhe si platformë orientuese për të ardhmen (njëvjeçare). Nëse shikohet si mjet diagnoze, atëherë vërteton ngecjen ekonomike të vendit. Për shembull, ndër të tjerash, fakti i mbledhjes së të hyrave të gjithmbarshme 74% nga dogana dhe 26% nga administrata tatimore, tregon se Kosova planifikon edhe një vit, sikurse katër-pesë vitet e shkuara, të mbështetet në importe. E mbështetja në importe rrjedhimisht do të thotë se rritja ekonomike do të jetë dy herë më e ulët se e nevojshmja, e për shkak të rritjes së pamjaftueshme, edhe këtë vit nuk do të ketë vende të reja të punës për të ulur papunësinë e e zbutur varfërinë.

Apo, fakti se edhe këtë vit do të fokusojmë gjithë investimet kapitale në një projekt të vetëm rrugor – dhe jo sepse nuk kemi për të nevojë por sepse kemi dhe nevoja tjera që kërkojnë po aq vëmendje – pra fakti që harrojmë gjykatat, shëndetësinë, sektorin privat e të tjerat, do të thotë se sërish këtë vit asfalti nuk do të ushqejë rritjen ekonomike më shumë se sa gjysma e së nevojshmes, e se gjysma e rritjes do të thotë prapë nivel të njëjte të papunësisë dhe nivel të njëjte të varfërisë. Pra ka një rrjedhë logjike e analitike në buxhet që kam frikën se është injoruar në tërësi nga politikëbërësit.

Po u shikua buxheti si platformë orientuese për të ardhmen, atëherë nga niveli modest i rritjes së të hyrave të përgjithshme na bëhet e qartë se Qeveria as vitin në vijim nuk planifikon të luftojë evazionin fiskal e informalitetin, dy barrierat kryesore të bizneseve në dy vitet e fundit. Për më tepër, buxheti nuk reflekton as në ngjarjet e fundit të negociatave mbi Veriun. Nëse në vazhdimësi na thuhet se në Veri është shtrirë kontrolli shtetëror dhe se me këtë është parandaluar më në fund informaliteti atje, atëherë një mendje e shëndoshë do të priste numra shumë herë më të mëdhenj buxhetor tek të hyrat doganore; ato realisht rriten simbolikisht aq sa janë rritur në katër-pesë vitet e fundit. Buxheti në fjalë madje nuk reflekton as në Fondin Zhvillimor, i cili megjithatë na është thënë se është pjesë e buxhetit të vendit; ndoshta sa për të ushqyer kështu paralajmërimin se Fondi megjithatë është një buxhet paralel.

Njëtrajtësisht, rritja simbolike e fondit të pagave dhe e buxheteve komunale – parë si platformë orientuese – dëshmon për pritjet e deritanishme se premtimet zgjedhore ishin vetëm fjalë të thata; të dhëna aty për aty, për të marrë vota aq sa ka për të marrë. Ato nuk reflektohen në asnjë vijë buxhetore, as përafërsisht madje. Apo, mospërmendja as edhe një herë e fondit të sigurimeve shëndetësore, nënkupton se edhe këtë vit, sikurse çdo vit deri më tani, qeverisja e tanishme nuk planifikon as edhe një investim serioz e radikal në shëndetësi. Një politikë e tillë do të vazhdojë të trajtojë kosovarët si të dorës së dytë – ky aspekti moral – dhe do të vazhdojë të shohë shëndetësinë si të pa potencë – ky aspekt ekonomik – që të dy aspektet të pavend. Kosova harxhon me dhjetëra miliona euro çdo vit për shërim jashtë vendit, dhe pa hesapuar pjesën morale – fondi i sigurimeve shëndetësore do të ishte thjeshtë një llogari profitabile për vendin.

Buxheti shpërfaqë edhe shpërputhje të konsiderueshme në mes tendencës për zhvillim dhe shpenzimeve, pra, përtej gjithë stagnimeve të ambientit të jashtëm në fushën e investimeve e investitorëve të jashtëm, sigurisë ekonomike e politike, luftës ndaj korrupsionit e krimit apo dhe evazionit e informalitetit – pra përtej gjithë këtyre – buxheti në një anë parasheh rritje të kategorisë së mallrave dhe shërbimeve, zvogëlim të investimeve kapitale dhe në fund rritje të gjithmbarshme ekonomike e thirrje në emër zhvillimor; një precedent i ri ky për logjikën ekonomike.

Pra thënë ndryshe, draft-buxheti i prezantuar në Parlament vazhdon të qëndrojë në vija të njëjta me të viteve paraprake, vija këto që nuk kanë sjellë as ndryshimin e domosdoshëm, as standardin e nevojshëm as optimumin e merituar të mirëqenies kosovare. Janë këto vija që vazhdojnë të prodhojnë ngecje dhe status-quo. Është e padobishme të diskutohet për projekte minore, shpenzime ditore e ide lokale – sado që të gjitha mund të jenë të rëndësishme – kur trasetë e mëdha buxhetore nuk kanë potencë të krijojnë zhvillimin.

Në fund fare, duhet dhënë gjithë lëvdatën për stabilitetin financiar që ky buxhet ka në vete. Pra për dallim nga të gjitha vitet paraprake, ky buxhet ka një disipline financiare dhe mbanë relacionin e deficitit me GDP në vetëm 2%; një arritje mbresëlënëse kur vetëm një vit më parë kishim gati dyfishin e saj. E stabiliteti financiar, në kohë të çmendurive politike në vend, është bukur një lajm i mirë për të gjithë; më së paku do të na duhej një telashe në këtë drejtim.



Monday 18 November 2013

MËSIME ZGJEDHORE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 NËNTOR 2013

Mbi nevojën e reflektimit partiak për të gjithë


Tash kur pas zgjedhjeve të para gulfojnë martesat e çoroditura partiake, kur të papriturit priten në krah partish, kur aleancat e koalicionet politike befasojnë dhe militantët më të devotshëm, tash kur gjithçka është e mundur sepse votat dhe vetëm votat kanë rëndësi, është mirë që partiak-bërësit kosovarë nga gjithandej, të ulen pak, marrin frymë thellë dhe të rishfletojnë shënimet e marra nga ligjërata popullore e 3 nëntorit.

Në të vërtetë, sikur Kosova të kishte në vete parti me më pak inat se që kanë sot, politikanë me më shumë vetë-kritikë se sa bëjnë sot, e votues edhe më kërkues se sa që janë sot, shënimet e tilla do të shndërroheshin në reflektime mandatore e jo teke qejfesh rreth e në mes të jaranisë partiake – ku rëndom përfundon çdo kërkesë popullore sot.

Gjithsesi se niveli i ulët i demokracisë dhe i papërgjegjësisë partiake – dhe sëkëndejmi mosshtytja për reflektim – bashkëjetojnë me nivelin e ulët të demokracisë në vend; pa ditur se cila bën cilën. Por në frymë të besimit se megjithatë ka vullnet për të ndërtuar mbi punën e deritanishme partiake dhe rrjedhimisht politike, them se partitë do të kenë vullnet për të reflektuar në pesë mësimet e marra nga zgjedhjet.

Mësimi i parë ndërlidhet me thyerjen e tabuve zgjedhore, sidomos e atyre lokalizmave e regjionalizmave militanteske partiake – që na i quanin “bastione”. Kjo thyerje, kam përshtypjen, përbën ndërmarrjen më inovative dhe më të rëndësishme politike që votuesi kosovar mund ta ketë krijuar këtë herë. Ndoshta sepse ai po rinohet në vazhdimësi, madje nga mbi 30 e ca mijë votues të rinj çdo vit, apo ndoshta sepse ka marrë një mësim (rrugës së vështirë) se zhvillimi nuk do politikë mahallash por megjithatë do vizion e krijim. Pavarësisht të gjithave, shpërbërja e rënia e pothuajse secilës parti politike në regjionet e saj më të forta është tregues i mjaftueshëm i shpërbërjes së këtyre “bastioneve” dhe rrjedhimisht sigurisë së tepruar e shndërruar në komfort papërgjegjshmërie. Vetëm pak vite më parë do të ishte pak e mendueshme se PDK do rritej në Podujevë, LDK në Pejë apo VV në shtresë urbane.    

Mësimi i dytë ka të bëjë me arrogancën e pushteteve lokale, e cila na del e sanksionuar në pothuajse të gjithë Kosovën. Përjashto komunën e Hanit të Elezit dhe kandidatit të pavarur atje, secila komunë tjetër që në raundin e parë ka mbajtur të pandryshuar qeverisjen lokale ka shënuar rënie (madje të konsiderueshme) të votave në krahasim me zgjedhjet paraprake; të tjerat komuna madje kanë ndryshuar gjithë konstalacionin e fuqive politike. Mesazhi i dhënë qytetar është se kosovarët megjithatë kërkojnë përkushtim, ide të reja dhe mbi të gjitha respekt; se politikëbërja komunale e qendrore nuk është punë konservimi kapitali, por punë e krijimit të pandërprerë. Partitë politike këtë herë duhet të ndihen të paralajmëruara se gafat publike bashkë me gjithë ato skenat e trishtueshme parlamentare të individëve pjesëmarrës aksidentalë, do të reflektohen eventualisht në votë.

Mësimi i tretë është se kosovarët kërkojnë megjithatë kualitet nga klasa politike. Fytyrat e reja që dalin fituese në pozicion apo margjinë ngritje, në pothuajse qendrat më të mëdha në vend – e që ndoshta dhe jorastësisht përbëjnë qendrat  që mbajnë një nivel më të sofistikuar të kërkesës politike – tregojnë për trendet e së ardhmes së afërt në politikën tonë. Ndoshta sepse janë ngopur me klasën pasive e në tendencë riciklimi, apo sepse rinimi (jo në moshë por në pjesëmarrje) edhe sjellë freski e thyerje të monotonisë politike, kosovarët këtë herë në masë të madhe kanë përkrahur regjenerimin. Në vijë me ketë, është po aq mandatore që partitë politike të hapin dyert për mysafirë të rinj për ti zëvendësuar të vjetrit; në fund të fundit secila parti do të duhej ti shihte pjesëmarrësit e saj si mysafir, asnjërin si zot shtëpie. Punë demokracie.

Mësimi i katërt lidhet me hartën e re politike që këto zgjedhje krijojnë. Kjo hartë lë vend për tri pole politike, e të cilat kam përshtypjen se do të formësohen shpejtë; pak para zgjedhjeve nacionale. Poli i parë politik ka të bëjë me tradicionalen e pacifizmit dhe republikanizmit brenda LDK-së. Rreth këtij koncepti do të grumbullohen satelitë të tjerë, individë me të kaluar të ndërlidhur me të (sa për të kërkuar trashëgiminë) por që nuk sjellin freski të mjaftueshme; në fakt sjellin vetëm refuzim refleksiv. Është çështje tjetër se a do të pastrojë LDK shtëpinë nga të tillët për të dhënë vend për të tjerët. Gjithsesi se potenca për rritje kërkon rifreskim; lajmi i mirë për ta është se ata kanë këtë mundësi të rifreskimi në dorë të vet. Poli i dytë politik do të formësohet rreth krahut – që na jepet si – i luftës; e në të cilin PDK na jepet si pritëse e AAK-së. Në të vërtetë, AAK është veçse me një këmbë në koalicionin e ri; ndoshta për të pushuar kështu dhimbjen e humbjeve të fundit komunale e për ti siguruar kështu PDK-së komfortin e tretë në qeverisje. Gjithsesi se potenca e një martese të tillë është e destinuar për shterje; një mandat më se shumti para se të mobilizohet krahu tjetër; por për të dy palët është e vetmja formulë mbijetese në një trend rënës. Poli i tretë, dhe i fundit, do të rrumbullakohet rreth VV-së, një forcë që sot mund të ndodhet në krizë identiteti – pasi ka humbur çuditërisht masën popullore por ka fituar elitën urbane; por se në vete mbanë një potencë të jashtëzakonshme intelektuale. Kjo potencë natyrshëm se do të zhbëhet nëse ky pol nuk ndryshon radikalisht në mënyrën e promovimit të alternativës opozitare, e që është një mision bukur i rëndë për ta.

Mësimi i pestë, dhe i fundit, është se Kosova ka një problem serioz në Veri, e të cilin nuk ka arritur ta amortizojë as pas gjithë atyre sakrificave joproduktive, takimeve të vonshme të pasuara me deklarata ofenduese prej një rreshti, apo provokimeve rrugore të përfaqësuesve beogradas me uniformë paramilitare të cilët nderojnë veteranët e luftës së Kosovës. Nderojnë të njëjtit, që këtë javë më parë, u shpërfaqën si ndërtues të llambave elektrike me kafka kokësh të ziera shqiptare; bastardë të sëmurë. Pavarësisht kësaj, zgjedhjet e dështuara dhe huliganizmi i lazdruar atje do të duhet të shërbejnë si burim reflektues për secilën parti apo pol politik që do të trashëgojë qeverisjen në zgjedhjet e afërta nacionale. Për të marrë veriun sërish nën kontroll do të duhet diçka më ndryshe se sa vajtje-ardhjet në Bruksel.




Monday 11 November 2013

VOX POPULI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 NËNTOR 2013

Një interpretim i gjuhës së zgjedhësve


Natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore, u hapën ato të dalldisjes. Fitore, fitore plako gjithandej. Fitore shpallën të gjithë, të djathtë, të majtë, të mesëm, burra, gra e fëmijë – të gjithë shpallën fitore, nga ata me 59.000 vota tek ata me vetëm 59. Në të vërtete, natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore rëndësi kishte vetëm shpallja e fitores; sa më shpejt, sa më shumë, sa më bindshëm; e gjitha e shoqëruar me një garë paradoksale buzëqeshjesh (natyrisht artificiale), nën bindjen se kush qeshë më shumë del më bindës – thuajse kutitë nuk do të numëroheshin asnjëherë.

-1-

Natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore, populli veçse kishte dhënë mendimin (vox populi). E kishte bërë këtë me plot qytetërim, durim e vullnet; si asnjëherë më parë. E sikur të mos ishin dy-trembëdhjetë huliganë të maskuar serb në Veri, dhe nja dy-treqind vëzhgues të OSBE-së që premtojnë demokraci pa sakrifikuar as një gram guximi, e nja dy-tremijë forca të sigurisë ndërkombëtare herë me ngjyra të EULEX-it e herë me ato të KFOR-it që përballjen me dy-trembëdhjetë serb nacionalist e përkthejnë rëndom në ikje – zgjedhjet do të ishin për mësysh. Në të vërtetë, po mos të ishin nja dy-tre negociues që takohen po nuk kanë haber për çfarë negociojnë, e që ndërtojnë procese që nuk mund ti mbrojnë as përballë dy-trembëdhjetë vetëve nacionalistë, i gjithë vendi do të ishte për mësysh.

Legjenda thotë, megjithatë, se nën frymën e konspiracionit, dalja e ulët e votuesve serb në zgjedhje kishte alarmuar dy-tre negociatorët që po kuptonin se procesi për të cilin kishin dhënë ku me ditë sa takime, kishte dështuar në tërësi dhe e vetmja shpresë për një gjasë të dytë – nga ku të gjithë do ti bënin punët mbarë e mirë – ishte një skandal me dy-trembëdhjetë të maskuar, rrjedhimisht një përsëritje siç pritet.

   -2-

Natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore, mbi 800 mijë kosovarë – kam përshtypjen si asnjëherë tjetër – kishin dalë në votime; sa për të treguar kështu interesin e tyre për procesin më testues të mundshëm në vend. E sikur KQZ të kishte pastruar listat në tre vitet e fundit, gjatë së cilës kohë kishte bërë asgjë, përqindja e daljes nuk do të rrumbullakohej rreth 48% (nën supozimin brutal se Kosova ka sa banorë aq edhe votues), por në plot 68%; një dalje impresive them unë.

Në të vërtetë, në këtë 800 mijësh bënin pjesë edhe serbët jo-veriorë, e të cilët për dallim nga nacionalistët anti-shqiptarë në Veri, ka kohë që institucionalizojnë me të tjerët dhe këtë herë, me poashtu rekord të ri personal, kishin dalë në plot 60%. Për kënaqësinë e bashkëjetesës me çdo etni tjetër, të njëjtit madje nuk kishin dëgjuar zërat rekomandues nga Beogradi për të përkrahur listën me emrin provokues “Srpska”, por kishin ndarë votat në gjysmë – dhe për serbët institucionalë me përvojë, duke prodhuar kështu shenja shprese për një vend të përbashkët me kosovarët e tjerë.

   -3-

Natën kur u mbyllën kutitë zgjedhore, kosovarët kishin dhënë përgjigje për secilën parti politike e për secilën filozofi partiake. E kishin bërë këtë me sharmë madje; duke prodhuar befasi të këndshme gjithandej – kishin treguar dituri kritike duke dënuar pushtetet aktuale në mbarë vendin, e më së shumti duke dënuar arrogancën  politike të shfaqur ndaj tyre.

Për partinë më të madhe në vend, pra PDK-në, cilësimi “më i madh” ishte shpërblimi “më i madh” që ata realisht mund dhe të merrnin nga këto zgjedhje. Humbja e diferencës në përqindje me vendin e dytë kishte pak rëndësi; përderisa ishin të parët kjo kishte rëndësi. Natyrisht se humbja e Gjilanit, Vitisë, Suharekës bashkë me deklasimin në Prishtinë – ndër të tjerash, përbënin një lajm jo të këndshëm për ta; gjithsesi, lajmi më pak i këndshëm do të ishte ideja e rënies. Sepse të njëjtit e dinë se po fillove një herë rënien përplasja është fare e lehtë. Në të vërtetë, po të humbej dhe Prizreni – të cilën e mbajtën me plot sukses – ngushtimi e turpërimi zgjedhorë do të ishte i vulosur; siç edhe u vulos turpërimi në kryeqendër ku pas gjithë atyre investimeve në lista asamblistësh – quasi modern – partia kishte thyer rekordin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sinjali është i qartë, përderisa prodhojnë anomali parlamentare të “sjelljes e pështjelljes” e “gjuajtjes me këpucë takash”, rënia është e garantuar.

Për partinë (ende) të dytë në vend, pra për LDK-në, gjithçka do të ishte një ëndërr e bukur, sikur militantë e rrahës-shpinash të mos rrisnin pritjet e fitores pa balotazh në Prishtinë. Legjenda thotë se pritjet, këta militantë që rëndom bëjnë rrafsh, i kishin në hiç më pak 60%. E për çdo kënd tjetër nga jashtë, mandati i tretë nga kryetari i njëjtë, i gjashti nga partia e njëjtë, do të duhej natyrshëm të prodhonte numra më të ulët se sa hera e shkuar – shto kësaj dhe injorimin e bërë gjatë fushatës në kurriz të një angazhimi nacional, dhe ke një pasqyrë të përafërt të arsyeshmërisë së numrave në fjalë. Gjithsesi se diferenca në vota do të duhej të bënte komfortin e tyre; fituesi është fitues pale edhe me një votë më shumë e lëre me nëntë mijë. Për anën e bardhë të tyre, rritja popullore dhe marrja e dy qendrave të mëdha, pra e Gjilanit dhe Pejës, përbëjnë thelbin e gjithë suksesit. Përballë këtij suksesi dhe përballë legjitimitetit të fituar se mund të thirren si opozita e vetme në rritje në vend, LDK ka marrë nga po të njëjtit votues sinjale të mjaftueshme se garda e vjetër e partisë, siç është rasti i Prizrenit, duhet të harrohet. Për më tepër, LDK ka marrë sinjal të qartë se pa një aktivizim hiper më të madh nga ta, do të mbesin për një kohë të gjatë “të dytit”. Fitorja e vërtetë megjithatë kërkon punë tjetër.

Për partinë, deri para natës kur u mbyllën kutitë zgjedhore, e tretë, pra Vetëvendosjen, zgjedhjet do të mbahen mend si dita më e rëndë e mundshme. Një penalizim i papritur qytetar ndaj gjithë atij aktiviteti parlamentar, rrugor e konferencash që Lëvizja kishte bërë në këto tre vite, ishte më së paku çfarë të promovuesi e saj prisnin. Sado që të njëjtit mundohen të arsyetojnë – dhe për këtë duken dorën në zemër artificiale, çfarë nuk jemi mësuar ti shohim asnjëherë – moskrahasueshmërinë e votës lokale me votë nacionale, është e qartë se rënia në vetëm 8% është matës korrekt i fuqisë së tyre politike në vend. Edhe sikur të kishte ndonjë ndërrim nuk do të ishte aq i lartë sa të kënaqte edhe për së paku pritjet e tyre. Përkrahja e marrë sot u bën anëtarëve të Vetëvendosjes të qartë papajtueshmërinë popullore – pra të atyre në të cilët këta thirren vetë – me mënyrat e opozitëbërjes në vend; madje si për inat të tyre, populli zgjedh një alternativë krejt të kundërt nga ta. Ky popull u bën të qartë të njëjtëve se fjalimet e fundit zgjedhore se “ne jemi për shokë e shoqe, për publikën e jo privaten”, kur të gjithë pretendojnë privaten pas ngopjes nga publikja e shoku e shoqja, janë pretendime patetike, të pavlera dhe tanimë as popullsitë. Nëse Lëvizja pretendon rritjen, e jo tkurrjen e mëtutjeshme në stil të njëjtë me plot parti para saj që rëndom pas një rritje të parë merrnin teposhtëzen, atëherë e njëjta duhet ti rishikojë disa nga parimet më fundamentale të saj – nga orientimi filozofik e deri tek metoda e papëlqyer e rrugës (me votë e me pjesëmarrje). Në vend të kësaj, e njëjta duhet të shikoj nga modeli i Prishtinës, ku kandidati i saj bën një kërcim të shkëlqyeshëm, replikimi i së cilës në gjithë Kosovën do të shndërronte VV-në në parti lidere në vend.

Për partinë, tanimë të tretë në vend, pra AAK-në, humbja e 3 komunave nga gjithsejtë gjashtë, përfshirë dy më të rëndësishmet, pra Pejën e Gjakovën, është tregues kristal i qartë se flirtimi i bërë me pozitën pa fije kriteri e kurrizi do ta shndërrojë eventualisht në një parti lagjesh. Madje, po mos të ishte rritja e votës popullore, e cila ndodhë për shkak të mobilizimit të mirë nëpër degë para së gjithash, AAK do të konsiderohej me të drejtë si humbësja më e madhe në këtë zgjedhje; jo se edhe është shumë më ndryshe thënë të drejtën. Filozofitë e komfortit dhe arrogancës së shfaqur në qeverisje lokale – të cilën madje e promovonte si shembull të qendrores – bashkë me kiç e shundin e “motrave Bushi” e këngëve për “Doktor Palin” japin me shumë meritë pozicionin e tanishëm të Aleancës.

Në fund fare, për partinë e fundit, pra AKR-në, shpëtimi në Gjakovë është dhurata më e mirë që lideri i saj me gjithë familje në parti – bashkë me plot parashutistë të përkohshëm aty, mund të kenë marrë. Përndryshe turpërimin në të gjitha qytetet, ama bash të gjitha qytetet, do të mund ta përcjellin me mbyllje. Tani që kanë një komunë, është koha të testojnë gjithë ato premtime të bëra në sa vjet ekzistencë; ani pse të njëjtat nuk i kishin bërë asnjëherë – të njëjtit njerëz – në nivel qendror, kur mbanin plot ministri, plot borde e plot agjenci.