Friday 31 May 2013

KOHË TË ÇUDITSHME

Letra nga limbo
KOHA DITORE 31 MAJ 2013

Kur futbolli, flamuri, kombi e rajoni ngatërrojnë udhë


Kohë të çuditshme janë këto. Në njërën anë një përfaqësues i qeverisë serbe në Prishtinë reciton vargjet më denigruese për kosovarët, duke ju premtuar atyre ri-kthim, ri-pushtim e ri-shfarosje; i quan pakicë në jug të shtetit të tij. E për këtë, besoni ose jo, merr duartrokitje nga një sallë të paditurish që nën dritat e ethet e rutinës së protokollit zyrtar që duket se i trembë disi, vënë trurin në pushim. Në anën tjetër, një Ministër i Punëve të jashtme deklaron me mburrje diku në Evropë se nuk ka çështje shqiptare në agjendë të Prishtinës; thuajse është turp e çnderim marrja me shqiptarë. Dhe e bën këtë në një Evropë që këtë javë eko-nte nga krenaria e dominimit gjerman në finalen angleze; aq shumë eko-nte sa që britanezët këtu ndërtuan dy tri fakte bukur sarkastikë, njëri prej të cilëve thoshte se “sonte gjermanët do të humbin në Wembley; gjithsesi”.

Një rresht diçka si ky thënë të drejtën, ishte plotësisht i saktë; në fund të fundit njëri nga dy ekipet gjermane do të humbiste – po çka se tjetri do të fitonte. Në të vërtetë mohimi e pohimi i suksesit përkatësisht dështimit gjerman, i vënë si thënie jo për të thumbuar gjermanët por për të rishfaqur më bukur dominancën e tyre edhe në futboll (se në ekonomi e diplomaci as që bëhet fjalë më), më kujtoj një mohim e pohim tjetër, për një popull tjetër e të vënë në kontekst tjetër. Më kujtoj mohimin e pohimin e popullit tim të vënë jo për të shfaqur një sukses të rrallë (se për dominancë as që bëhet fjalë), por për të vënë kontradiktat e ekstremit tjetër të duartrokistëve tru-pushues e ministrit në tendencë shpëlarje nga çnderimi. Edhe një sukses i vogël i shqiptarëve, diçka si për shembull shqiptari i parë që bëhet kampion futbolli në Evropë, kishte ngjallë luftë turbo-folklori shqiptar këtë javë.

***

Në vijën e parë të kësaj lufte ishin mendime ekstremiste që nga naiviteti nuk kuptojnë dhe shumë plotësueshmërinë e madhështisë së kombit nëpërmjet sukseseve individuale. Ky ekstrem që nuk bën se nuk bën dot dallimin në mes të patriotizmit e nacionalizmit turbo-folk, mbrojnë dy argumente nga i njëjti këndvështrim. Argumenti i parë ka të bëjë me, siç e shohin të njëjtit, tradhtinë ndaj vendit po zgjodhe punën për një vend tjetër. Ndonëse nuk dua as të mendoj për riargumentimin e dallimit në mes të dashurisë për kombëtare kundrejt respektit për një individ me prejardhje nga i njëjti komb, gjithmonë duke shtyrë e përkrahë padiskutim të parën – por pa e përlyer këtë të dytin – nuk kam se si të mos merrem me tradhtinë dhe gjithë shtjellimet folklorike të turbo-folkloristëve rreth tradhtisë.

Këto shtjellime pak a shumë mund të përmblidhen me një citat në murin tim të Facebook-ut, gjithsesi citat i keqkuptuar nga promovuesi emocional i tij, që rreshtonte fjalët e Fan Nolit se njeriu mund të zgjedhë fenë por jo edhe kombësinë tjetër pa vënë emrin “tradhtar”, ku tjetër veçse në ballë. Tashti, pa diskutuar ironinë nga fjalët e Nolit i cili vet në vitin 1930 kishte marrë shtetësinë amerikane, për të rrojtur e vdekur atje, pa e theksuar pjesën e mbetur të fjalëve të tij që edhe ndryshojnë gjithë kuptimin e rreshtit, e që thonë “...dhe të luftojë të tijën”, pra pa hesapuar nevojën për të luftuar tëndin për tu konsideruar tradhtar, them se kontributdhënia në një shtet tjetër prej tëndit nuk është se nuk është tradhti; nuk ka qenë asnjëherë. Madje mendjet më të ndritura të shqiptarëve gjatë gjithë historisë nëse asgjë tjetër kanë dhënë kontribut mu për shtete tjera; siç kishte dhënë kontribut edhe ky goditës topi rekord-bërës.

Argumenti i dytë është më i komplikuar meqë përfshinë simbolikën. E simbolika din shpeshherë të devijojë. Jo sepse nuk duhet respektuar atë; ndjej keqardhje për gjithë ata që nuk kuptojnë historinë, sakrificën, mundin e vullnetin e dhënë edhe për diçka të thjeshtë (por madhështore) si simboli. Por se devijimet e diskutimeve rreth simbolikës dinë shpeshherë të jenë agjitive; siç është edhe rasti me flamurin e Kosovës – subjekt i tradhtisë e tradhtarëve nga heronjtë turbo-folkë. Për të bërë një ndërlidhje me argumentin e parë rreth tradhtisë, logjika e ekstrapolimit më thotë se nëse kontributi në shtetin “Z”, përderisa je me kombësi “A” është tradhti, atëherë edhe kontributi në Kosovë përderisa nuk është pjesë e shtetit “A” është tradhti. Në të vërtetë të gjithë kosovarët janë tradhtarë.

E në frymë si kjo, përdorimi i flamurit që simbolizon një ndasi nga shteti “A” është në vete akt i shëmtuar – thonë turbo-folkloristët. Ka vetëm një fjalë që në gjithë këtë fjali më ngjall pajtueshmëri, dhe një fjalë tjetër në fjalinë paraprake që më komplementin këtë: flamuri i shëmtuar. Në të vërtetë nuk ka e nuk do të ketë, ma do mendja, flamur më të shëmtuar se të Kosovës. Ngjyrat, kombinimi, mesazhi, përfaqësimi, tradita, historia, preferencat e kosovarëve e çka do tjetër, nuk gjejnë as edhe një grimë vend në këtë flamur. Pa e hesapuar faktin se mundësi për të bërë flamur nga e para nuk gjënë njeriu shpesh; paramendoni me çfarë kemi shpërblyer këtë mundësi. Por ama, i shëmtuar edhe nëse është, ai është flamur i Kosovës, i Republikës së Kosovës. Ai përfaqëson mundin e mësuesve, mjekëve, policëve, gazetarëve, studentëve, luftëtarëve e ideologëve të Kosovës nëpër vite. Është prodhim i gjithë kësaj sakrifice i përfunduar nga preferencat e gjeneratës sonë.

A janë këto preferenca të duhura? Mund të mos jenë dhe ka gjasa të mos jenë – shpresoj të mos jenë e lutem të mos jenë. Por ama këto janë preferenca të konfirmuara me vullnet demokratik e të lirë të kosovarëve në vitin 2008, nëpërmjet institucioneve të lira, me vota të lira. Si të tilla ato bëhen të shenjta dhe prandaj valëvitja e flamurit të Kosovës pavarësisht pamjes është valëvitje në respekt për Kosovën. E Kosova është shqiptare më shumë se gjithçka tjetër. Nuk ka anti-kombësi, anti-shqiptari e tradhti në Kosovë e simbolikën e Kosovës. Kosova madje vetvetiu nuk është krijesë zhvillimi i së cilës dekurajon ose zhbën fuqizimin shqiptarë qoftë deri në bashkim. Përkundrazi, zhvillimi i Kosovës e lehtëson atë. Rrjedhimisht promovimi i Kosovës është edhe promovim shqiptarë.

***

Por ja që refuzimin e vënë në relacion me flamurin e Kosovës e ushqejnë çdo ditë  forca radikale që them se sërish nuk kuptojnë se nuk kuptojnë dallimin në mes të nacionalizmit e patriotizmit. Të njëjtat do të bëjnë çmos për të përçmuar (pa konsistencë gjithsesi) simbolikën e Kosovës duke kërkuar fuqizimin e institucioneve që kanë sjellë të njëjtat simbolika meqë në këtë trend janë të futur në sa kohë. Në kundërpeshë të këtyre forcave janë folkloristët pushtetarë që gjithsesi bëjnë çdo të zezë ndaj kombit e shteteve, por se thirren në pashallëqe kur duhet rrymuar elektrizim nacional (të tjerët janë as andej e as këndej, prandaj dhe nuk po i marrë këtu seriozisht). Të njëjtit nuancojnë me intensitetin e kontributit për vend duke pranuar sakrificën e një pjese të këtij kontributi për një përfitim personal; për ta nuk bën dallim.

Ky tregtim vlerash dikur na sjell në situata paaftësie për të bërë dinjitet në shtet, siç ishte edhe rasti i samitit rajonal të planifikuar për këtë fundjavë. Ky samit flet aq shumë për rajonin, për turbo-folkun e për sabotuesit tjerë saqë po të duhej të bëhej një dokumentarë pasqyrues i realitetit ballkanik, pjesë e së cilit janë edhe shqiptarët e ndarë tresh, e tëra çfarë duhet bërë është vetëm pasqyrimi i këtij samiti.

Së pari, Samiti i Ohrit përfaqëson tregimin prapa paditurisë së palës kosovare e cila negocion, nënshkruan marrëveshje dhe sakrifikon për të marrë mos-bllokim në nisma rajonale. Dhe mu atëherë kur ngushëllon veten se ndoshta dhe nuk janë aq të paditur sa të sakrifikojnë e të mos marrin asgjë prapa, ndodhë mu ajo e papritura. Kosova me kërkesë të Serbisë dhe partnerëve të saj boshnjakë e rumunë nuk ftohet nga Maqedonia në takim; pra bllokohet. Është aq paradoksale që në kohë të marrëveshjes për mosbllokim të bllokohesh. Nuk dua të flas për qëllimet e synimet e Serbisë. Do të jenë të njëjta ndaj Kosovës përherë. Vetëm aventuristët me tru në pushim si ata duartrokitësit e ofertës për pakicë, mund të harrojnë potencialet destruktive të Serbisë. Habitem me sa joseriozitet kemi lejuar të merren me ne dhe habitem se pse sakrifikojmë gjithnjë e sa herë pa marrë asgjë prapa.

Së dyti, Samiti i Ohrit përfaqëson edhe standardet e dyfishta të Bashkimit Evropian, i cili nuk ngre se nuk ngre dot zë të fuqishëm e të qartë kundrejt synimeve kaq të padenja të Serbisë. Paramendoni një sjellje të shqiptarëve kudo nëpër rajon kaq anti-fqinjësore dhe reagimet eventuale nga Brukseli. A nuk kishin reaguar të njëjtit për disa mitingje folklorike të pashallëqeve nga komikët e politikës sonë? Ngrenë zë për një komedi fëmijësh, por lëshojnë deklarata “twiter-i” për sabotim.

Së treti, Samiti i Ohrit përfaqëson edhe unitetin e shqiptarëve në Ballkan, po aq sa edhe ndasinë e tyre. Derisa tërheqja e Shqipërisë erdhi dikur, më mirë vonë se kurrë – ndonëse dorën në zemër për dy-tre ditë inati më mbyste nga një mos tërheqje e nuk di pse pritën kaq gjatë; reagimi i partisë shqiptare në pushtet  në Maqedoni ishte aq i turpshëm sa që ndjeva keqardhje për shqiptarët atje. Jo që BDI nuk reagoj mjaftueshëm për të zhbërë një vendim aspak befasues nga Maqedonia aspak miqësore, por u arsyetua se vendimi ishte kompetencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuajse kjo ministri nuk është pjesë e qeverisë në të cilën ata bëjnë pjesë. Pas tërheqjes së vendeve tjera në solidaritet për Kosovën, humbësit më të mëdhenjtë mbetën mu ata – të vetmit që nuk bënë asgjë.

Së katërti, Samiti i Ohrit na jep një sinjal të miqve dhe jo-miqve në rajon. Qëndrimi i hapur i kroatëve përkundër sabotimit maqedon e boshnjak (këtë serb po e marr si të qenë) u tregon shqiptarëve se nga duhet ti kenë politikat strategjike e aleancat politike. Në një shtet me pak dinjitet politikat e tilla sabotuese nuk do të kaloheshin vetëm në heshtje e satisfakcion nga mundja e tyre me autogol. Kemi mjaftë politika ekonomike e tregtare në dispozicion me të cilat mund të lidhim një herë e mirë sjelljen dinjitoze të fqinjëve jo-miq ndaj nesh; sidomos ndaj Maqedonisë e Bosnjës. Them ti përdorim. Mund të jemi të lodhur, të mundur e të zaptuar nga çdo e zezë politike në vend, por nuk jemi për tu poshtëruar nga secili shtet në rajon.


I MIRI, I KEQI DHE I SHËMTUARI


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 MAJ 2013

Tregimi për tri grupe biznesesh dhe imazhin anti-biznesor në vend



Ka kohë që jam munduar të bëj një shkrim për bizneset. Jo për ti marrë për shembull të mirë meqë rrallëherë ata edhe prodhojnë lajme të mira, ndonëse më duhet të them se të njëjtit kanë një mijë e një probleme nga më të çuditshmet e më të padëgjuarat ndonjëherë, por për të shikuar përtej ndasive me e nga ta. Sepse përderisa vazhdojmë ti shohim siç më dolën kohë më parë rezultatet e një testi percepcionesh me një grup studentësh, pra përderisa i shohim bizneset si mashtrues, fullirantë, të pandershëm e ku me ditë çfarë, nuk do të kemi asnjëherë nisjen e duhur ekonomike drejt rimëkëmbjes. Nëse nuk do ta bëjë biznesi, nuk ka kush ta bëjë; e së bashku me ta dhe gjithë ne do të mbesim në këtë vorbull paradoksesh që na ngufasin çdo ditë.

Ka një problem esencial rreth e për bizneset. Fillimisht politikanët e zgjedhur për ti bërë ligjet e bizneseve kanë probleme serioze me kuptimin e koncepteve më bazike ekonomike dhe rrjedhimisht kanë probleme me ide minimalisht kreative për të ngritur një ambient biznesor që stimulon rritjen. Po mendoj, çfarë mund të presë një ndërmarrës nga një ligj-bërës që nuk bën se nuk bën dot dallimin në mes të “dividentës” dhe “DVD-së”; e thënë mu kështu në një paraqitje televizive. Së dyti, bizneset ballafaqohen me një percepcion bukur të madh shoqëror, siç është edhe grupi simbolik testues i studentëve të pyetur muaj më parë, të cilët nuk mund të parashohin një ndërmarrës kapitali si njeri të hairit, i zoti, i mundit e me qëllime të mira; e shohin si të keq e me qëllime të shëmtuara.

E këtu më duhet të bëjë përshkrimin e tri grupeve të bizneseve, për të kuptuar ndoshta arsyen prapa një percepcioni të tillë. Natyrisht nuk dua të defaktorizojë historinë e dhimbshme por tejet prezente në mendësinë e kosovarëve që ndërlidhet ende me “fabrikat e shtetit” nga koha e para 90-tave; si duket e kemi ende të vështirë të nisim tranzicionin në mendje, prandaj dhe ky i tregut po na merr kohë. Sidoqoftë, unë argumentojë se Kosova ka tri grupe biznesesh të cilat pak a shumë e ndërtojmë imazhin e tyre tek të tjerët, për të mirë e për të keq.

Të parët janë bizneset që ekzistojnë sepse financojnë e financohen nga zaptuesit politik të sistemit. Pra janë biznese që marrin paranë publike e pasurojnë politikanët me shpëlarjen e një pjese të kësaj paraje publike. Historia e tyre është pak a shumë e re. Të themeluar përafërsisht kur edhe ndodhin ndërrimet politike në vend, të njëjtit zënë vendin e bizneseve para tyre që gjithashtu ishin të lidhur e të rritur në treg nga një sistem paraprak qeverisës. Rritja e tyre financiare është e shpejtë meqë koha për të marrë paranë publike është e kufizuar. Në çdo vend tjetër normal të pakta janë rastet e shembujt kur një biznes me pak vite ekzistencë shënon qarkullime rekorde në vend; në Kosovë të pasurit e biznesit janë kryesisht pa shumë eksperiencë. Ka një problem thelbësor që grupe si këto krijojnë. Ata jo vetëm se kanë ndërprerë potencialisht një cikël biznesesh të nisura para tyre, jo vetëm se nuk lejojnë krijimin e bizneseve të reja në kohë të tyre (meqë me fuqinë zaptuese që kanë bëjnë nam), por se gjatë gjithë ekzistencës së tyre nuk kanë për qëllim rritjen, funksionalizimin e qëndrueshmërinë e biznesit që zotërojnë, por vetëm marrjen, shpëlarjen dhe ruajtjen e parasë dikur publike.

Në një cikël si ky, nderimi i sistemit politik në vend, pra ndërrimi i partisë qeverisëse, bën edhe fundin e këtyre bizneseve. Në përkthim ekonomik i bie se pas çdo ndërrimi qeverisës cikli biznesor fillon nga zeroja. E grupe si këto janë shkaktarët kryesor të një imazhi anti-biznesor në Kosovë; imazh ky i dhënë me plot të drejtë. Lyerja e monumentit “Newborn” në Prishtinë nga një ndërmarrje anonime nga Skenderaji, e cila përndryshe bën edhe ndërtimtari, autolarje, universitet e furnizim me letër tualeti, tregon se si krijohen bizneset fantome vetëm se një apo parti tjetër ka rendin e qeverisjes. Për gjithë kacavjerrësit e ndasive regjionale që me të lexuar rreshtin më lartë mund të tërhiqen nga prodhimi i konflikteve regjionale vend e pa vend, them se nuk ka as edhe një problem të vetëm pse një biznes është nga ky apo ai regjion i Kosovës; problem ka kur ai merr një punë vetëm pse është i këtij apo atij regjioni. Ndaj ndërmarrjeve konglomerat pa zyre si këto, vështirë se dikush mund të ndërton imazh besimi e shpresë për rimëkëmbje.

Grupi i dytë i bizneseve përbëhet nga të dëshpëruarit. Ata janë ndërmarrës që nuk kanë hise në tallin e parasë publike dhe si rrjedhojë kanë zgjedhur ecjen solo. Në këtë ecje solo, pjesë ekzistenciale e tyre është shmangja nga çdo obligim që potencialisht mund të kenë me shtetin. Si të dëshpëruar që janë ata provojnë të gjejnë forma e mënyra nga më kreativet jo për të prodhuar ide e produkte të reja, por për t’iu shmangur sistemit. I shmangen tatimeve, rregullave të punës, pagës minimale, pushimit vjetor, atij të lindjes, pensioneve e pothuajse çdo kërkese tjetër të vënë për ta. E meqenëse kreativiteti i tyre kanalizohet drejt zgjidhjeve evazive, jo pse ata dëshirojnë kështu, por se shmangja u jep përparësi konkurruese, të njëjtit nuk rriten, nuk zhvillohen e nuk krijojnë vlerë; mbesin në stad të njëjtë për shumë kohë e vjet. Në rrethana si këto pritjet eventuale për shpresë rrënohen me rrënimet e potencialeve për rritjen e tyre.  Të njëjtit duke përsëritur sjelljet evazive nëpër kohë, krijojnë edhe një lloj të ri standardi që eventualisht bëhet normë shoqërore. Kjo normë shoqërore e konceptualizon botën e të bërit biznes tërësisht të ndarë nga qeverisja në vend. Biznese si këto qeverinë e institucionet tjera relevante i shohin vetëm si barriera, heqja e të cilave kërkon një formë haraçi; prandaj dhe korrupsioni. E në rrethana si këto një sjellje evazive e shndërruar në një normë shoqërore prodhon një korrupsion i cili poashtu shndërrohet më vonë në një normë e vlerë tjetër shoqërore. Normat e tilla dikur bëhen barriera kryesore të zhvillimit të grupit të vetëm që duhet zhvilluar: të ndershmit.

Të ndershmit, pra grupi i tretë, përbën bizneset më kreative të mundshme në vend; fatkeqësisht të rralla sa i numëron me gishta të duarve. Janë biznese që sillen mbarë, bëjnë drejtë, paguajnë taksa, krijojnë brend e imazh, mendojnë e koekzistojnë me anomalitë më të mundshme në vend. Them se janë hiper-kreativ meqë vetëm hiper-kreativiteti u mundëson bizneseve si këto mbijetesë në një ambient që duhet shtyrë e konkurruar me biznese që bëjnë shpëlarjen e parasë publike apo në rastin më të mirë prodhojnë evazion e korrupsion; gjithsesi të dyja konkurrencë të padrejtë. Në një rast ideal biznese si këto do të duhej të ishin baza e burimit të besueshmërisë kosovare, por meqë janë të paktë, e kjo “pakësi” buron mu për shkak të hiper-kreativitetit të kërkuar, të njëjtit bëhen të padukshëm dhe irrelevant në krijimin  e imazhit rreth bizneseve.

Prandaj dhe sot në Kosovë kur duhet të japim percepcion mbi biznese ne nuk kujtojmë hiper-kreativët e rrallë, por kujtojmë ose financuesit e zaptuesit ose shmangësit e korruptuesit. Pra vlerat mbi të cilat ne vlerësojmë bizneset kosovare janë në thelb defektuoze dhe si të tilla ato pamundësojnë edhe krijimin e një imazhi më të mirë rreth bizneseve por edhe ngritjen e përgjegjësisë së ligj-bërësve që në raste të përmendjes së “DVD-së” në vend të “dividentës” do të bënte nam komik nacional; assesi harresë.



Friday 24 May 2013

PRIVATIZIMI, MITET DHE MBETJET


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 MAJ 2013

Tregimi për krimet ekonomike të quasi-privatizimit e histerinë majtiste që fajëson neoliberalizmin edhe për dhimbje të barkut. Privatizimi, alla-kosovar, nuk i ka larguar nga puna me mijëra kosovarë, i ka larguar Serbia, pushtimi e desindustrializimi serb që nga fillimvitet e 90-ta


Në një univers paralel, tërheqja e një përfaqësuese ndërkombëtare nga një institucion hiper i rëndësishëm ekonomik do të shihej si gjë normale, e pritshme dhe e duhur. Nuk e di pse, por lajmi për tërheqjen e përfaqësueses së Ambasadës Amerikane në Prishtinë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) më befasoj. Ndoshta sepse ndërkombëtarët ka kohë e kohë që kanë veshur tytat e tyre me zhurmëmbytës dhe nuk reagojnë se nuk reagojnë dot ndaj fenomeneve që nuk duan shumë mend për ti parë e prerë si të mbrapshta. Ndoshta dhe kjo heshtje vjen sepse Kosova duhej të kishte një stabilitet politik që sponton listën e gjërave që duhet bërë (“to do list”) të ndërkombëtarëve, listë kjo që natyrshëm nuk përputhet me tonën meqë ne kemi një variabël shtesë në model: kohën. E ndoshta dhe ndërkombëtarët e angazhuar për Kosovën (shpeshherë edhe më shumë se vet kosovarët) më në fund kanë vendosur të bëjnë ekonominë prioritet dhe se tërheqjet e tyre demonstrative nga grupe që janë të trashë për të marrë vesh do të jenë shumë normale.

Në mesin e shumë “ndoshta-ve” nuk ka gjë më të sigurt se bërja e diçkaje të mbarë e të mirë duhet të fillonte mu nga AKP-ja, strofulli i miteve e anti-miteve, fabrikimeve e anti-fabrikimeve, krimeve e vetëm krimeve ekonomike në Kosovë që nga dita e parë e çlirimit e deri në këtë të sodit. Në AKP njeriu do të gjente, sikur dokumentet të mos digjeshin pesë vite më parë, përgjigjen në enigmën e pasurimit të shpejtë të politikanëve me gjithë akraba, të “profiterëve të pasluftës” e të zaptuesve modern të Kosovës që u japin madje sot aventuristëve ideologjik edhe bazë për të kritikuar neoliberalizmin; neoliberlazimi bëri këtë, neoliberalizmi bëri atë, neoliberalizmi largoj kaq, neoliberalizmi varfëroi aq – a keni ide për çfarë flitni për atë hatër?! Gjithsesi, për këtë pak më vonë.

Largimi demonstrativ nga Bordi i AKP-së u dha me arsyetimin se ky institucion po zaptohej nga njerëz të politikës; një fenomen dorën në zemër prezent aty shumë kohë më parë. Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka konfirmimi i zaptimit si fenomen nëpër institucionet tona dhe mbi këtë zaptim fillon e përfundon i gjithë tregimi rreth privatizimit alla-kosovar. Përgjigja e udhëheqësit të AKP-së ishte e mjerë. Përtej dhënies së paragjykimeve për konspiracion ndërkombëtar e vendor u përmend edhe kultura, edukimi e vlerat perëndimore të Austrisë. Nuk e di a është vlerë austriake edhe zaptimi i institucionit apolitik nga një figurë politike, por nëse nuk është e nuk ka qenë vlerë asnjëherë, atëherë i njëjti është dashur të tregoj dashuri për vend e shtet duke mos ndotur politikisht një institucion që me Kushtetutë definohet si apolitik në momentin e parë që i është ofruar ky post. Tashti kur zaptimi i tij ka sjellë zaptime të reja, tashti kur paradigma “majtë është mjaftë” ka kulmuar, pasojat e dorëheqjes (dhe jo vetëm aq) janë solucione të vetëkuptueshme. Gjithsesi, zhurma, kriza dhe dorëzimi i figurave të tilla, e plotësuar me një tendencë në të ardhmen për riciklim politik, janë të pritura.

Por ja që AKP ka nevojë për pastrime më të thella; në të vërtetë ka nevojë për një institucion po me aq peshë e vlerë e eksperiencë që do të duhej të hetonte të gjitha krimet ekonomike të bëra në Kosovë në vazhdimësi. Faljet e pasurisë, falsifikimi i dokumenteve, favorizimi i përfituesve e mashtrimet alla-cosa-nostra si këto kanë buruar mu nga AKP (e ish AKM). Identifikimi i konflikteve e krimeve është fare i lehtë; e tëra çfarë duhet bërë është ndjekja e linjës së pronarëve të ish pronave shoqërore – deri tek i pari.

***

Përtej krimeve ekonomike, AKP (e ish AKM) – të cilat nuk i ndaj qëllimisht, janë “fajtore” edhe për dhënien e bazës për një histeri kolektive majtiste të promovuar gjithandej nga çdokush që ka një problem të vockël të identitetit ideologjik. Kjo histeri ka këtë filozofi: po pate problem me hajninë, fajëso neoliberalizmin; po pate problem me haraçin, fajëso neoliberalizmin; po pate problem me papunësinë, fajëso neoliberalizmin; po pate problem me inflacion, deficit, trend biznesor, tatime, rrugë, rrymë, ujë e mbeturina, fajëso neoliberalizmin; në të vërtetë fajëso neoliberalizmin po pate problem me bark, lukth e veshkë. Fajëso neoliberalizmin aq sa mundesh e sa herë që mundesh.

Për gjithë ata që duan diskutim serioz ekonomik e jo të nisur nga inferioriteti i admirimit artificial, pra për gjithë ata që nuk nisen nga nevoja për tu treguar më “katolik se Papa” vetëm pse e do rendi jo pse beson e ke besuar ashtu, mitet anti-privatizuese të ngritura rreth pronës shoqërore të Kosovës (kujdes shoqërore, jo publike) kërkojnë ekzorcizëm jo sepse zhbëjnë kufijtë e tolerancës së ideologjisë majtiste, por se konceptualizimi i fakteve e argumenteve nga këto mite, pra para-supozimet e ngritjes së tezave, janë të gabuara. Në të vërtetë janë tre mite kryesore që përfundojnë në fajësim të neoliberalzimit vetëm falë para-supozimeve tërësisht të paqëndrueshme.

Miti i parë ka të bëjë me para-supozimin se privatizimi i Kosovës është bërë në vijë me kriteret e kërkuara nga ideologjia neoliberale. Do të më duhen vite qeshje e qarje në të njëjtën kohë nëse dikush provon të më argumentojë se vlerat e zaptuesve provincialë janë në lidhje neoliberale. Mund të kuptojë frustrimin e ndonjë adhuruesi primitiv të majtizmit që nuk rezonon në argumentime por në besim “justin-bieber-ian”, por për çdo kënd tjetër që ekonominë nuk e sheh si një religjion të ideve polarizuese të ngurta, por si një betejë të argumenteve, them se ndërlidhja e zaptuesve me çfarëdo ideologjie është barcoletiane. Në të vërtetë hajnat, kriminelët e haraç-gjinjtë e zakonshëm janë anti-ideologë të përbashkët të secilit promovues. Ideologjia neoliberale nëse asgjë tjetër parasupozon pasjen e rendit dhe ligjit, aftësisë për ti forcuar kontratat, të drejtën në pronë dhe më e rëndësishmja, ekzistencën e konkurrencës. Do të argumentoja seriozisht me çdokënd që promovon idenë se në kohën e bërjes së privatizimit këto parakushte kanë qenë minimalisht prezente.

Miti i dytë ka të bëjë me, tanimë legjendën standarde, se privatizimi në Kosovë i ka larguar nga puna herë 50.000, herë 60.000, herë 70.000 e herë 100.o00 punëtorë; gjithsesi me dhjetëra mijëra – kataklizmi hesapi. Numrat e prodhuar si këto janë marrë nga një raport i Riinvestit i bërë në vitin 2003 mbi stadin para-privatizues; raport i vetëm mbi këtë çështje nga ajo kohë. Çfarë megjithatë promovuesit e këtij miti nuk e thonë është konteksti i numrave të saktë të dhënë në atë raport, e të cilin kam fatin ta zotëroj e ti bëj një interpretim siç është edhe e shkruar mu aty. Ky kontekst në asnjë rrethanë nuk i konsideron “të punësuarit” e “larguar” nga “puna” (të gjitha me thonjëza) sepse ata në të vërtetë kanë qenë të punësuar e në punë, por sepse pjesa më e madhe e tyre as që kanë punuar, as që kanë prodhuar, as që kanë krijuar vlerë e as që kanë marrë pagë (kujdes pjesa më e madhe, jo të gjithë). Privatizimi, alla-kosovar, nuk i ka larguar nga puna gjithë këta kosovarë, i ka larguar Serbia, pushtimi e desindustrializimi serb që nga fillimvitet e 90-ta.

Ta bëjmë edhe më të qartë, një “Fabrikë X” me “X” punëtorë është zhbërë në vitin 1990 kur dhunshëm nga puna largohen gjithë shqiptarët. Në pak a shumë nëntë vite vijuese e njëjta fabrikë zhvlerësohet, amortizohet dhe besoj me koncenzusin e secilit përjetues të periudhës serbe post-90, devalvohet në hekurishte në mungesë të investimeve. Pra këta “X” punëtorë në këto vite janë bërë ish-punëtorë, e “Fabrika X” e tyre në këto vite bëhet një “ish-Fabrikë X”. Nëse ky para-supozim qëndron atëherë është e drejtë të thuhet se pas përfundimit të periudhës desinvestuese e devalvuese Millosheviqiane, pas stagnimit prej plot një dekade e rrjedhimisht pas çlirimit, “X” “ish-punëtorët” janë kthyer në “ish-Fabrikën X”. Ata pritshëm nuk kanë mundur të prodhojnë e krijojnë meqenëse për të prodhuar e krijuar do të duhej të supozononim se ata kanë trashëguar nga regjimi i Millosheviqit kapital funksional. Për të supozuar trashëgiminë, duhet supozuar gjithashtu se gjatë dekadës së 90-tave regjimi i Millosheviqit ka investuar me miliarda në fabrikat e Kosovës e këto fabrika në të vërtetë kanë prodhuar e kanë pasur treg; e duhet gjithashtu supozuar se gjatë luftës këto fabrika nuk janë plaçkitur e nuk janë tharë, se ushtria, policia e paramilitarët serb janë treguar të kujdesshëm e gjentil në mos dëmtimin e pasurisë që do ti mbetej kosovarëve më pas. Pra për të besuar se pas luftës në Kosovë ka pasur “punëtorë” e jo “ish-punëtorë”, në “Fabrika” e jo “ish-Fabrika” do të duhet të besojmë një mal pallavrash; mu ashtu siç edhe beson histeria majtiste në Kosovë që sulmon neoliberalizmin e beson se në të vërtetë pas luftës të gjithë punëtorët ishin kthyer e punonin në fabrika prosperuese, zhvilluese, magnifikuese, populliste, socialise e ku ta di unë; livadh me lule.

Por nëse pranojmë se pas luftës në Kosovë ka pasur “ish-punëtorë” në “ish-Fabrika”, atëherë pse edhe një herë duhet fajësuar neoliberalizmin e jo Millosheviqin e Serbinë për largimin nga puna të atyre 70.000 punëtorëve? Për të bërë gjithë tregimin edhe më të thjeshtë, evidenca e pasluftës tregon se këta njerëz kanë kaluar vite të tëra pa marrë rrogë. Shumica e fabrikave madje kanë qenë vende teatrale nga të cilat “ish-punëtorët” dikur as që janë lodhur të dalin në punë më – meqë nuk ka pasur çfarë të punohet. Në raste tjera ato pak ndërmarrje që kanë arritur të mbijetojnë, pra që nuk janë shkatërruar mjaftueshëm gjatë të 90-tave, e kanë bërë mbijetesën duke shitur pasurinë e ndërmarrjes e shpërndarë vlerën në paga, aq sa më dikur nuk ka mbetur çfarë të shitet. Të tjerat që kanë vazhduar pa privatizim janë shndërruar në hekurishte.

Pra alternativa e mos-shitjes ka qenë mbajtja në “punë” të “punëtorëve” pa rroga, eventualisht shitja e pasurisë për ndërmarrjes për hekur. Kjo në asnjë mënyrë nuk u jep të drejtë zaptuesve të plaçkitin pasurinë e Kosovës, siç edhe kanë bërë në këto 14 vite të gjoja-privatizimit sipas një teorie që as emrin nuk dinë t’ia thonë; por kjo më jep të drejtë të ndërtoj dy argumente. I pari, se alternativa e mosshitjes do të ishte po aq – në mos dhe më shumë- e dëmshme se sa plaçkitja e pronës shoqërore nëpër vite. I dyti, neoliberalzimi as që ka ndodhur në Kosovë ndonjëherë e sikur i njëjti të ndodhte efektet reale të privatizimit do të ishin konform vendeve që kanë ditur ta bëjnë atë mbarë e mirë; diçka si Anglia e Estonia.

Miti i tretë ka të bëjë me mu alternativën e kritikuesve të privatizimit pasurisë shoqërore (edhe një herë, kujdes, shoqërore jo publike). Pra unë nuk arrij dot ti kuptojë se çfarë duan të thonë kur kritikojnë privatizimin e pronës shoqërore; apo pasurisë së përbashkët të një shoqërie, potencialisht punëtorë apo komunitet i ngushtë. A është dashur të ndodhë më ndryshe apo të mos ndodhë fare? Nëse mendojnë se është dashur të ndodhë më ndryshe, pra të ndodhë më mirë e më mbarë, atëherë pajtohemi se po flasim prapë për privatizim dhe për një neoliberalizëm siç e do rendi. Por nëse thonë se nuk është dashur të ndodhë ky privatizim dhe se ndërmarrjet shoqërore do të duhej të vazhdonin të mbesnin shoqërore, atëherë unë bëj thirrje publike për identifikim të qëndrimit të tyre.

Ky identifikim nuk kërkon kamuflim prapa asnjë shteti perëndimor e demokratik, meqë asnjëri prej tyre nuk ka se nuk ka ndërmarrje shoqërore; e për më tepër as që përkrahë pasjen e ndërmarrjeve shoqërore. Ky identifikim kërkon përkatësinë me vendet tipike marksiste. Nuk mundet dikush të propozojë mbajtjen e pronës shoqërore si alternative në emër të demokratëve të Amerikës që nuk e promovojnë atë, përkundrazi do të qeshnin e qanin po të kuptohej një krahasim i tillë (idetë e tyre ndërlidhen me llojet e taksave, ofertën monetare, deficitin, e koncepte si këto); nuk mundet dikush të propozojë mbajtjen e pronës shoqërore si alternative as në emër të laburistëve e majtistëve tjerë britanik, të cilët kaherë kanë pranuar se biznesi duhet të jetë në dorë të pronës private (kaherë...); nuk mund të arsyetojnë as në emër të Gjermanisë, Sllovenisë, Suedisë e shteteve zhvillimore si këto që mund ti arsyetojnë ndërmarrjet e pakta që i kanë në pronësi publike (por jo shoqërore) dhe atë vetëm në raste të interesave nacionale, monopoleve natyrore e ndonjë industrie të rrallë.

Pra ideja e anti pronës private, ose thënë më mirë, ideja pro pronës shoqërore nuk është asnjëherë ide e shtetit zhvillimor, nuk është as ide e Keynes-it i cili asnjëherë në asnjë rrethanë nuk ka promovuar pronën shoqërore (përkundrazi e ka kundërshtuar atë) e nuk është ide e asnjë vendi perëndimor. Ideja e mbajtjes së pronës shoqërore – nëse është alternativë, është ide tipike marksiste. Mund të mos ketë askush kundërshti, madje mund ta mbrojë marksizmin me shumë vullnet, por të paktën të njëjtit duhen të identifikohen si të tillë publikisht e të thonë se alternativa e tyre është marksizmi. Pse po turpërohen? Se kanë të meta në ideologji? Nëse kanë atëherë çfarë na duhet kjo ideologji? Nëse nuk kanë të meta atëherë pse nuk e thonë? Pse përmendin Keynes-in, Demokratët, Obamën, Laburistët, Gjermaninë e Skandinavinë bashkë me pronën shoqërore kur asnjëra e asnjëra nuk ka lidhje me to?!

Në fund fare, them se asnjëri me pak seriozitet nuk mund të kundërshtojë privatizimin e pronës shoqërore si koncept e të promovojë në të njëjtën kohë shtetin zhvillimor e Keynsianizmin. Mund të kundërshtojë mënyrën e bërjes, por jo vet qëllimin e bërjes. Nëse kundërshtohet qëllimi i bërjes, pra kundërshtohet ideja e shitjes së pronës shoqërore, atëherë alternativë është vetëm marksizmi. Për këtë flasim më pas ndryshe.



Friday 17 May 2013

PUSHIMI, KAFENETË, EVROPA DHE VIETNAMI



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 MAJ 2013


Pamjet e festimet e tilla artificiale e të bezdisshme na kthejnë në skenat e filmit shqiptar “Parullat” ku një fshat i tërë duhet të stolisë me gur një përpjetëz mali për të dhënë një mbishkrim “Mbahu Vietnam”. Kohët mund të kenë ndryshuar, ideologjitë mund të kenë ndërruar forcat por adhurimi i bezdisshëm e tërësisht i panevojshëm i shqiptarëve mbetet edhe sot i njëjtë. Gjithsesi Evropa respektohet e vlerësohet më së paku me parulla, pushim e festime zyrtare.


Kalendari i festave të Kosovës i ka gjithsejtë 11 ditë të shënuara. Nga këto 11 ditë 2 ndërlidhen me shtetësinë e Kosovës (Dita e Pavarësisë dhe Dita e Kushtetutës), 6 ditë janë festa fetare (dy  të besimit islam, dy të besimit katolik dhe dy të atij ortodoks) dhe në fund 1 ditë është e Vitit të Ri e 1 ditë tjetër e punëtorëve; por jo vetëm kaq.  Jo vetëm aq meqë në kalendarin e festave zyrtare qëndron edhe një ditë që Zoti e di se kush e si e ka futur - i thonë Dita e Evropës.

Nuk mbajë mend të ketë ndonjë festë më artificiale, më të pakuptimtë, më të panevojshme se sa 9 Maji, Dita e Evropës. Do të pranoja shënimin e ditës me ndonjë performancë urbane aty afër sheshit gjithsesi, ndonjë letër të dërguar ndonjë zyrtari në Bruksel apo edhe ndonjë takim me përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, por të pushosh gjithë administratën publike, gjithë sektorin privat, pra gjithë punën, për një ditë të mbjellë artificialisht e të pafestuar nga askush i gjallë në botë, kjo hiq se hiq nuk hahet. As që dua ti paramendoj flamujt evropian të ngritur nëpër shtyllat e ndryshkura të Kosovës.

Ta bëjmë të qartë; 9 Majin, Ditën e Evropës, nuk e feston as edhe një shtet i vetëm në gjithë Evropën, madje as ato shtetet që e kanë themeluar, financuar e mbajtur gjallë Bashkimin Evropian. Po ti pyesësh qytetarët e secilit shtet evropian se çfarë dite është 9 Maji, më gjasë kanë të të japin ndonjë datë ndeshjeje futbolli se sa tu shkojë mendja për një ditë të bërë enkas për Evropën. Kosovarët në anën tjetër për të nderuar Evropën, e cila përndryshe nuk u lejon atyre ecje të lirë nëpër Evropë, bëjnë pushim, bëjnë flamuj e bëjnë pankarta rrugëve. Me gjeste të tilla në vend të respektit e miqësisë ne bëjmë veten të dukemi si palaço; mu si disa adhurues të këqij, patetik e të mërzitshëm që në vend të respektit e nderimit të japin bezdisje. Çuditërisht në vend të progresit drejt Evropës pamjet e festimet e tilla artificiale e të bezdisshme na kthejnë në skenat e filmit shqiptar “Parullat” ku një fshat i tërë duhet të stolisë me gur një përpjetëz mali për të dhënë një mbishkrim “Mbahu Vietnam”. Kohët mund të kenë ndryshuar, ideologjitë mund të kenë ndërruar forcat por adhurimi i bezdisshëm e tërësisht i panevojshëm i shqiptarëve mbetet i njëjtë.

Ta zëmë për një çast se nuk bëhet nami po u pushua një ditë, ta harrojmë pra mendësinë tonë prej servili pa e kuptuar se kur duhet e si duhet dhënë respekti, të harrojmë se jemi të vetmit që festojmë një ditë të tillë; dhe jo, pankartat e vëna mbi kafenetë urbane të Kosovës nuk paralelizojmë as për së afërmi me Evropë; ti harrojmë gjithë këto. Ajo çfarë nuk duhet harruar është se përderisa në njërën anë vjedhim paranë publike, tregtojmë narkotik e armë, vëmë haraç mbi biznese e zaptojmë çdo institucion të gjallë, Evropës nder i bëjmë vetëm po nuk e përmendëm fare. Përderisa në njërën anë ne nuk jemi në gjendje ti përmbushim obligimet e kërkuara publikisht nga Këshilli i Ministrave para dhënies së të drejtës për liri të lëvizjes, të drejtë që sot e ka pothuajse secili evropian, përderisa ne refuzojmë të “ofrojmë evidencë të luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar”, siç thuhet fjalë për fjalë në po të njëjtën deklaratë, festat e shënimet e tilla festive janë akte bezdisëse; siç edhe na u shpërfaqën publikisht: disa burokratë që festojmë të vetëm, një popull i tërë që pushon e as që do t’ia dijë për çfarë bëhet fjalë. Evropa e vlerat evropiane nuk janë pankarta e flamuj të varur me buldozerë, Evropa është rend e ligj e normë qytetare, është vlerë e të menduarit e të bërit, është në fund standard.

E derisa tanët u tregonin kosovarëve shijen e Evropës me pankarta mbi kafenetë, natyrisht dhënia e dinjitetit bazik nëpërmjet sigurimit të standardeve për lëvizjen e lirë as që bëhej fjalë, kosovarët nëpërmjet një opinioni publik të matur nga UNDP kishin dhënë brengat e tyre. Ky raport theksonte se kosovarët që nga viti 2010 kanë shënuar vazhdimisht rënie të besueshmërisë ekonomike. Prilli i vitit 2013 madje shënonte rekordin më të ulët të indeksit të besueshmërisë, të përllogaritur nga UNDP. Përderisa në nëntor të vitit 2010, pra pak para zgjedhjeve ky indeks kishte vlerë 0.92, sot i njëjti kishte vlerë prej vetëm 0.68. Për një qeveri serioze, me njerëz serioz e me ide serioze, një rënie kaq drastike do të ngacmonte sadopak ndjenjat e ndërgjegjes e vetëdijesimit për ndërprerjen e çfarëdo që janë duke bërë në ekonomi; të paktën kjo çfarëdo që janë duke bërë po sjellë vetëm regres perceptiv, madje për plot 26% në kaq pak kohë.

Rezultatet gjithashtu tregonin se 74% e shqiptarëve janë të pakënaqur me orientimin ekonomik të Kosovës. Të kënaqur ishin vetëm 6%, e pjesa tjetër do të duhej të ishte në mes të këtyre dy vlerësimeve ekstreme. E përgjegjësinë për këtë gjendje 73% të kosovarëve e drejtonin nga Qeveria e Kosovës. Shqetësuese në këto rezultate ishin percepcionit e kosovarëve për të gjetur punë në sektorin publik. Mbi 78% e tyre besonin se për të marrë “punë të shtetit” ose duhet dhënë para ose duhet pasur lidhje familjare, ose duhet qenë anëtar i ndonjë partie politike. Vetëm 5.4% besonin se mund të gjejnë punë për shkak të përvojës profesionale. Nuk u zë për të madhe e nuk zihem në befasi nga vlerësime të tilla, sidomos kur të njëjtit dëgjojnë deklarata publike se rahatimi i familjes është qëllim në vete, por në çdo shikim tjetër normal percepcionit e tilla janë skandaloze. Një kërkues më i thirrur i ndërlidhjes shoqërore qytetar-shtet do ti shihte këta numra si tregues të thyerjes së relacionit të përgjegjshmërisë ndaj sistemit, rrjedhimisht edhe distancimit të qytetarëve nga vet sistemi. Sikur ky sistem (publik) është shëndërruar në një domain të veprimeve private të një grupi të dhënë partiakësh. Nuk ka gjë më të tmerrshme se sa përjashtimi i qytetarëve nga sistemi publik.

E për ti dhënë kapak gjithë vlerësimeve të kosovarëve, percepcioni për nivelin e korrupsionit në Kosovë kishin shënuar rritje në 11 nga 14 institucionet e matura në vazhdimësi; të gjitha në nivele rekorde të regjistruar ndonjëherë. Për ata që veçse kanë filluar të refuzojnë gjetjet mbi korrupsionin edhe me arsyetime absurde se “janë vetëm percepcione”, lajmi “i keq” është se korrupsioni matet nëpër botë e nëpër mu të njëjtën Evropë që e festojmë, me percepcion. “Indeksi i Percepcionit mbi Korrupsionin” nga Transparancy International, “Liria nga Korrupsioni” i Heritage Foundation e “Kontrolli i Korrupsionit” nga Indikatorët e Qeverisjes Botërore; pra tri treguesit më të njohur botërisht, janë mu matje të percepcionit. Nëse kundërshtojnë percepcionin si metodologji të matjes së korrupsionit ta bëjnë një punim; nuk i dihet mund dhe të marrin ndonjë çmim.

Për fund fare, sa për ti dhënë përgjigje ndoshta në formën më të mirë të mundshme patetitzmit qeveritar të festimit të 9 Majit, rreth 90% të kosovarëve e shohin rëndësinë e liberalizimit të vizave si primare. Dyshoj se një përqindje kaq enorme bëhet në emër të ndërtimit të dinjitetit e trajtimit të barabartë me çdo qytetar tjetër evropian, por se një pritje e tillë bëhet për një ëndërr më të mirë, për një ikje gjithsesi nga një vend që feston ditë të pafestuara e që i bën 78% të kosovarëve të besojnë se shteti është vetëm i disave.


Friday 3 May 2013

PROPAGANDA



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 MAJ 2013

E bërë dhe e zhbërë në katër akte



Vetëm një vit më parë Agjencia e Statistikave e Kosovës bazuar në të dhënat e regjistrimit kishte llogaritur me shumë gjenerozitet mbi 55.3% të popullsisë së moshës së punës si jo aktive. Shprehur në numër të banorëve i binte plot 620.o00 kosovarë. Një vit më pas i njëjti institutcion llogaritë si joaktivë plot 63.2% të popullsisë në moshë të punës, apo plot 720.000 kosovarë, apo gati 10% më shumë se një vit më parë. E kuptuat tani pse këtë vit 10% “më pak papunësi”? Më lejoni të provoj një shëtitje në katër akte për të bërë fillimisht e zhbërë më pas propagandën e vazhdueshme qeveritare e cila  përndryshe në mungesë të politikave që bëjnë ndryshim rrënjësor u është drejtuar fabrikimit të numrave. Nëse nuk do të mund të ndryshojnë përditshmërinë kosovare, atë të numrave do ta bëjnë pa i fije brenge.

Akti i parë: Antianaliza

Lajmi fillonte kështu: “ASK konstaton se në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka ulur papunësinë për 10.2%”. Shokuese? Gjithsesi. Hajgare? Aspak. Nuk ishte 1 Prilli, ishte 1 Maji. Nuk paragjykoj zakonisht, por ja që publikimi i numrave të papunësisë një ditë para shënimit të vet ditës së papunësisë, përndryshe problemit më kronik të Kosovës që prej Kosova mbanë në mend veten, kishte një kleçkë. Kleçka fshihej diku në faqen e Agjencisë së Statistikave e cila kishte publikuar një dokument prej hiç më shumë se katër faqeve.  Paramendoni, anketa mbi papunësinë, pra mbi problemin më të madh të vendit, ishte ilustruar në vetëm katër faqe dhe besoni ose jo, dy prej tyre ishin kopertina. Kjo sa për të ma vulosur ndoshta ndjenjën për nevojën e ngutisë e daljes me numra para ditës së punëtorit kur gjithkush gjëkund do të fliste për papunësi.

E në dokumentin prej katër faqeve, dy prej të cilave ishin pra kopertina, ndodheshin tri tabela. Në mes e rreth tabelave ndodheshin edhe 251 fjalë përshkruese, diçka më pak se sa lexuat deri më tani. Këto 251 fjalë, në tri tabela e katër faqe; dy prej të cilave ishin pra kopertina, kishin dhënë dy konstatime aspak bindëse, gjithsesi skandaloze. I pari ishte ai që lexuat në fillim, pra që papunësia brenda një viti ka rënë për 10%. I dyti thoshte diçka kështu: “Në mesin e atyre që janë ekonomikisht aktivë, 35.1 % janë të papunësuar. Kjo është shkalla zyrtare e papunësisë...” – më duhet të pranoj se korrigjova dy detaje në këtë citat, përndryshe kishte dy gabime drejtshkrimore e më erdh turp ta citoja me gabime. Etikën e shkeljes së standardit të citatit po e marrë si barrë për veti. Kjo ka pak rëndësi, rëndësi ka pjesa e dytë të fjalisë, theksi se kjo është “zyrtare”. Pra tash e tutje sikur na thuhet mos u lodhni më fare me diskutime e numra tjerë, mos ju referoni asnjë numri tjetër, asnjë studimi tjetër, asnjë logjike tjetër, mos ju referoni madje as studimit të viti të kaluar i cili është po ashtu “zyrtar” i cili në të vërtetë nuk ishte anketë si puna e kësaj të tanishmes por ishte regjistrim i plotë e që thoshte se papunësia ishte 45%. Pra harroni të gjitha, kjo është definitivja, e fundit, e përsosura, e duhura. Kjo jep atë 35% e famshëm të cilët zyrtarët qeveritarë e thonë me tahminin e frekuentimit të kafeve tash e rrafsh pesë vjet; taman për qejf të tyre.

Profecia ishte përmbushur. Shprehjeve e bindjeve deklarative tani u ishin vënë edhe numrat, madje numra “zyrtarë”. Kosova, kosovarë të dashur, tani kishte papunësi prej vetëm 35% dhe nesër çdo qeveritar, militant e nëpunës partiak mund të mburrej e flejë i qetë, meqë u ishin dashur vetëm një vit për të zhbërë papunësinë për 10%. Për këtë madje mund të jenë edhe kandidat serioz (besa të pakonkurrencë) për çmimin “Nobel për Ekonomi”. Mjeshtëria e tyre e padëgjuar ndonjëherë në ndonjë rast e në ndonjë vend tjetër, duhet të reprodukohet për ti dhënë fund vuajtjeve të botës. Zbutjen prej 10% natyrisht nuk e thoshte regjistrimi, as raportet ndërkombëtare, as rrjedha, as mundësia e hiç se hiç logjika, por një anketë me 18.000 kosovarë e prezantuar në 251 fjalë, tri tabela, katër faqe, natyrisht dy prej të cilave ishin kopertina.

Akti i dytë: Antilogjika

Nuk më habitë prezantimi prej katër faqeve. Në një takim diskutues publik vitin që shkoi kisha kuptuar se Agjencia për të trajtuar çështjen e papunësisë kishte vetëm 2 punëtorë në zyret e saja. Paramendoni i gjithë departamenti që do të duhej të jepte numrat e papunësisë, e prej këtu edhe bazën për zgjidhjet eventuale të papunësisë – problemit kryesor në vend, kishte më pak njerëz që potencialisht do të angazhoja për një plan biznesi të një ideje modeste në Kosovë.

Por në frymën propaganduese të stilit koreanoverior, e cila madje u shfaq brishtësish edhe në kronikën e lajmeve qendrore të RTK-së, ku lajm i parë ishte ulja e papunësisë për 10% në Kosovë e lajm i dytë për rritje drastike të papunësisë në Eurozonë, pra përtej logjikës “lum na e mjerë bota për veti”, publikimet e qëndrimet e tilla tregojnë me perfekcionizmin më të madh mu defektet (pra anti-perfekcionizmin) e një sistemi të zaptuar politikisht. Ky sistem duke vënë gjithçka në dorë, çdo institucion, agjencion e trup publik në vend, në pamundësi për të prodhuar efekte të prekshme e të matshme, vendosë të mos matë por të prekë e fabrikojë numrat. Ky sistem në nevojë dëshpëruese për të mbuluar defektet e veta prodhon çfarëdo që bën punë; përfshirë edhe antilogjikën. E antilogjika, e dalë nga fabrikimi, i cili përndryshe do të duhej të shihej si vepër penale, po të mos kishte lidhje me një temë kaq serioze do të bënte një komedi të shkëlqyeshme.              

A ka më antilogjike se sa zhbërja e papunësisë për 10% brenda një viti?! Ta bëjmë të qartë, papunësia është zhbërë për “10 pikë të përqindjes” – këtë do ta kuptojnë qartë ndjekësit e matematikës dhe çdokush me pak përvojë hulumtuese. Pra është zvogëluar nga 45.1% në 35.1%, por këto “10 pikë të përqindjes” janë plot “22 përqind” (10% në 45% është 22%). Nuk ka vend në botë, nuk ka komunitet në botë, nuk ka rast në  botë, nuk ka shembull në botë, që ka arritur të zvogëlojë papunësinë brenda një viti as për “10% pikë të përqindjes” e as për “22 përqind”. Asnjëri; asnjëherë! As kur kanë zbuluar naftë, as kur kanë zbuluar makinë me avull, e as kur kanë bërë Facebook. Kina që në 20 vitet e fundit ka pasur mesatarisht rritje ekonomike prej mbi 10% në vit, nuk ka arritur asnjëherë, në asnjë vit, me asnjë gjasë të ketë ulje të papunësisë për më tepër se 1% në vit; kujdes as 1% ulje, jo 10%.

Logjika thotë se nëse ti ke me vete një rezultat të një ankete të ndërtuar mbi një mostër të parasupozuar si përfaqësuese, i cili rezultat është në kundërshti me një regjistrim, pra një anketë tjetër jo mostër, por vet popullacionin, dhe nëse ky rezultat për më tepër nuk bën se nuk bën një fije të vetme logjike, e udhës, e mençur, e pritur dhe e duhur do të ishte konsiderimi i anketës si dështim. Ka vetëm një rast e një gjasë të ndodhë e kundërta, pra mosanulimi, kur me qëllim e me direktivë tentohet propaganda – rrjedhimisht antilogjika.

Akti i tretë: Antimatematika

Kosova në vitin e “rekordit” botëror të uljes së papunësisë për 10% në vit, kishte rënie rekorde të eksporteve për 18.4% (sipas Doganave), rënie të investimeve për 54.1% (sipas BQK-së), e rritje ekonomike për vetëm 2.7% (sipas FMN-së). Për më tepër gjatë po të njëjtit vit sipas regjistrave formal ishin krijuar vetëm 6.000 vende të reja të punës; as 25% e vendeve të nevojshme të reja që duhet të krijohen për të mbajtur në punë stadin e njëjtë. Për ta ulur papunësinë për 10% Kosova jo vetëm që do të duhej të kishte dhjetëfishim të eksporteve, dhjetëfishim të investimeve e dhjetëfishim të rritjes ekonomike, por do të duhej të krijonte vetëm në një vit 100.000 vende të reja të punës. Pra përveç 25.000 vende të reja të punës që duhen për ta mbajtur normën e papunësisë në nivel të njëjtë çdo vit, neve na duhen  edhe plot 70.000 vende të reja të punës për ta sjellë atë në 35%. Me sa palë mend mundet dikush të besojë se Kosova vitin që shkoi i ka krijuar plot 100.000 vende të reja të punës?!

Agjencia në po të njëjtin raport thotë se këtë vit llogariten të jenë plot 63.2% njerëz joaktivë e në moshën 15-64 vjeçare. Kosova përndryshe në moshën e punës 15-64 vjeçare i ka 1.135.463 banorë. I bie se joaktivë, pra studentë, nxënës, amvise dhe gjithkush tjetër që nuk dëshiron vend pune por që është i aftë për punë, janë hiç më pak se 720.000 njerëz. Kujtoj se Kosova i ka 70.000 studentë dhe 90.000 nxënës në moshë 15-18 vjeçare. Çfarë tu bëjmë 560.000 të mbetur? Të gjitha amvise? Nga dy për familje? Taman puna!

Për të kuptuar mashtrimin në llogaritje e tëra çfarë duhet parë e krahasuar është përqindjen e popullsinë joaktive të llogaritur një vit më parë nga i njëjti institucion dhe përqindjen e llogaritur sivjet. Po sipas ASK-së, bazuar në të dhënat e regjistrimit, Kosova i kishte 55.3% popullsi joaktive. Këtë vit pothuajse 10% më shumë, plot 63.2%. E kuptuat tani prej nga vjen 10% i papunësisë? Vjen jo nga krijimi i vendeve të punës por nga rritja e përqindjes joaktive dhe kështu fshirja me një hesap e të papunëve nga tregu i punës. Me matematikë të tillë kanë mundur të dalin edhe me 2% papunësi, vetëm po ti konsideronin 98% të papunëve si joaktivë.

Madje edhe numri prej 55.3% për çdo kënd me dije bazike është tejet i zmadhuar, i palogjikshëm dhe po aq propagandues; 63.2% është krim statistikor. Me popullsi joaktive prej 55.3% në Kosovë llogariteshin të ishin jashtë forcës punëtore  plot 620.000 mijë kosovarë; me 63.2% si popullsi joaktive të supozuar një vit më pas llogariten 720.000 kosovarë; plot 100.o00 më shumë, saktësisht sa për të përfunduar në 35.1%.

Akti i katërt: Antinobeli

Pra papunësia nuk është zvogëluar se janë krijuar vende të reja të punës, por se disa shërbyes civil, kryesisht militantë partiak, në një dokument me tri tabela, 251 fjalë e katër faqe, dy prej të cilave ishin pra kopertina, kanë vendosur ti konsiderojnë plot 100.000 kosovarë si joaktiv, apo si të papunë që nuk duan punë. Me një laps e një shënim të vetëm ata kishin fshirë nga tregu aktiv i punës plot 100.000 kosovarë. Këta 100.000 nuk janë punësuar sipas ASK-së, as nuk kanë vdekur, as nuk kanë migruar, janë ende në Kosovë por si me shkop magjik kanë ndërruar mendje dhe këtë vit nuk janë të interesuar më për punë. E dëgjoni? – ata nuk duan më punë! E për këtë nuk ka Nobel.

Sikur llogaritja e papunësisë do të bëhej me shtimin e vendeve të reja të punës, rezultatet e dhëna do të kishin pamje të njëjtë si një vit më parë. Po shikuam të dhënat e ATK-së (Administratës Tatimore të Kosovës) apo të Trustit Pensional, do të kuptojmë se shtimi këtë vit i të punësuarve respektivisht kontribuuesve të rinj nuk është më i madh se 6.000. Këta 94.000 të tjerë nuk janë krijuar nga sektori informal në të kundërtën do të duhej të kishim informalitet plot 1560% (realisht nuk e kemi më shumë se 100%). Pra nëse ASK me të vërtetë ka guxim të rishfaqet edhe një herë në publik, të na thotë me numra se sa vende të reja të puëns janë shtuar vitim që lamë pas. Nëse janë shtuar aq pak sa për të mos bërë ndryshim atëherë me cfarë logjike zvogëlohet papunësia për 10% e numri i vendeve të punës mbetet i njejtë? Ku janë punësuar këta? “Në Kinë, Kazak-h-stan e Gj-u-rmani” te “Baci”?

Dalja me numra të njëjtë si të një viti më parë do të ishte “gabimi” i dytë me radhë i të zaptuarve; “gabimi” i parë ishte prodhimi i papunësisë prej 45% gjatë regjistrimit. Më duhet të them se përkundër gjithë diskutimeve pro e kundër procesit të regjistrimit, manipulimi i numrave ka qenë thjeshtë i pamundur mu për shkak të prezencës enorme të institucioneve statistikore. E përderisa të dhënat e papunësisë nga regjistrimi nuk mund të ndërroheshin, këto të një ankete (të bërë domosdo me shumë defekte) mund të ndërrohen lehtë; madje nuk ka nevojë për shumë mund, e tëra çfarë duhet të bëjnë është rritja e supozimit rreth inaktivëve prej 55% në 63%.

Për gjithë të tjerët me pak sens e pak vullnet për të bërë mbarë e mirë, numrat e fabrikuar nuk do të kenë asnjëherë kredibilitetin as të të dhënave të mëhershme, diçka si regjistrimi (i cili përndryshe gjithmonë është më kredibil se sa anketa), as të logjikës (e cila përndryshe gjithmonë është më kredibile se sa tahmini) as të diskutimit serioz (i cili përndryshe gjithmonë është më kredibil se sa propaganda). Kjo sepse gërvishtjet e mëdha kërkojnë mbulime të mëdha, aq të mëdha sa që e zhbëjnë vetën.

Gjithsesi ky vetëm është fillimi i fabrikimeve. Kur ndërrimet nuk ndodhin, krizat shpeshtohen, rëniet janë standarde, shfaqja është e tëra në dispozicion veç të propagandës. Me zaptimet aq të shpeshta në aq shumë institucione që do të duhej të ishin gardianë të pavarur të gabimeve e sukseseve qeveritare, prezantimet si këto do të jenë të zakonshme. Kredibiliteti i tyre mund të bjerë, dhe do të bjerë, por intensiteti i tyre është e do të mbetet aty për një kohë të gjatë. Ne kemi dy zgjidhje: e para, të besojmë pallavrat, e mu si koreanoveriorët të ndërtojmë bindjet tona që nuk kanë as lidhjen më të vogël me realitet; e dyta ti marrim para përgjegjësisë gjithë ata  që provojnë e do të provojnë që me fabrikime e falsifikime të na marrin për të marrë.