Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 DHJETOR 2013
Mbi
evazionin dhe informalitetin në Kosovë
Këtë javë, në kuadër të Riinvestit e në bashkëpunim
me Fes e Kfos, publikuam hulumtimin mbi nivelin e informalitetit në Kosovë.
Ishte studimi i parë i bërë mbi nivelin e evazionit fiskal dhe informalitetit
të fuqisë punëtore në vend. Në këtë shkrim do të provoj të jap një përmbledhje
të gjetjeve më interesante nga studimi në fjalë. Këto gjetje, në radhë të parë,
tregojnë për nivelin enorm të evazionit dhe informalitetit në vend, mbi kostot
eventuale nga një prezencë e tillë, mbi moralin fiskal të taksapaguesve
kosovarë si dhe mbi karakteristikat e evazionistëve potencial.
-1-
Përgjatë dy viteve të shkuara ne kishim matur me
shumë kujdes renditjen dhe intensitetin e barrierave të të bërit biznes në
Kosovë; siç na transmetohej nga percepcionet e bizneseve të anketuara.
Rezultatet e vitit 2012 kishin vendosur, si asnjë vit më parë, “evazionin dhe
informalitetin” si barrierën kryesore në Kosovë. Renditja e 2012-ës ishte më
ndryshe se vitet e mëparshme kur energjia, infrastruktura e ngarkesa tatimore
mbanin primatin e pengesave biznesore që nga paslufta. Në vitin 2013, ne
replikuam të njëjtin pyetësor me biznese të ndryshme për të parë trendin e
pengesave në vend si dhe ndryshimet eventuale në renditjen e tyre. Rezultatet e
këtij viti na treguan se për herë të dytë që nga debutimi “evazioni dhe
informaliteti” i prinin renditjes së pengesave. E prirja e dyfishtë, pra në dy
vite, na motivoi të merremi në veçanti me këtë pengesë.
Fokusimi në evazion dhe informalitet bëhej edhe më i
rëndësishëm marrë parasysh kostot ekonomike dhe shoqërore që këto dukuri bartin
me vete. Së pari, që të dyja, rëndojnë stabilitetin shoqëror meqë dobësojnë aftësinë
e institucioneve për të ofruar të mira shoqërore për qytetarët. Së dyti, ato ofrojnë
motive destruktive për ndërmarrjet e vogla që të mbesin si të tilla, pra të
vogla, e të mos rriten, në tendencë për të kamufluar krimin ekonomik të
evazionit dhe informalitetit. Së treti, dhe jo më pak e rëndësishme, prezenca e
të dy fenomeneve gjeneron konkurrencë jo fer duke favorizuar kështu bizneset më
pak efiçente dhe më pak të qëndrueshme e duke rritur motivin e gjithmbarshëm për
më shumë evazion e më shumë informalitet. Informaliteti i fuqisë punëtore, në veçanti,
shkakton edhe kosto shoqërore më afatgjata, e të cilat rrjedhin kryesisht nga pasiguria
e punës, nën-vlerësimi i punëtorëve, humbja e benefiteve pensionale apo dhe
disfavoret në mes të gjinive.
Për të mbajtur studimin sa më kredibil, vendosëm të
fokusohemi vetëm në aktivitetet e “ligjshme” të bizneseve të cilat për njërën
apo arsyen tjetër vazhdojnë të mbeten të fshehura. Pra vendosëm të neglizhojmë
të gjitha veprimtaritë “jo të ligjshme” të bizneseve, e të cilat në rast të
zbulimit nga organet përkatëse nuk gjenerojnë të hyra të reja buxhetore, por
thjeshtë shuhen së ekzistuari meqë janë “jo të ligjshme”. Këtu do të futeshin,
ndër të tjerash, aktivitetet e prostitucionit, trafikimit të narkotikëve e ato
të armëve. Intenca e hulumtimit ishte të identifikojë humbjet eventuale që
evazioni i taksave dhe informaliteti i fuqisë punëtore – nga bizneset e
regjistruara – u shkaktohen buxhetit të shtetit.
Për të bërë këtë, ne vendosëm të anketojmë 600
biznese, sa për të siguruar një mostër statistikisht reprezentative. Hartuam
një pyetësor në vijë me literaturën dhe metodologjinë hulumtuese të fundit – ku
ndjeshmëria dhe kompleksiteti i hulumtimit të dukurive të krimit ekonomik
adresohen. Për njohësit më të thellë të fushës, ne ndoqëm rekomandimet e Benno
Torgler, James Alm e Frank Cowell – si disa nga prijësit më me nam
botërorë të temave mbi evazionin dhe informalitetin e fuqisë punëtore. Pra pyetjet
e matjes së evazionit fiskal dhe informalitetit të fuqisë punëtore ishin të
njëjta me pyetjet që institucionet më kredibile nëpër botë sot i bëjnë për të
matur dukuritë e ngjashme në vendet e ndryshme. Në radhë të parë, pyetësori
replikonte metodologjinë standarde të promovuar nga Banka Botërore dhe EBRD në
anketat e BEEPS-it (Business Environment and Enterprise Performance Survey) kur
bëhej fjalë për evazionin; apo të “World Values Survey” kur aspektet e
shoqërore të temës trajtoheshin – siç është rasti i moralit fiskal (tax morale).
-2-
Rezultati më i rëndësishëm i anketës, ndërlidhej me
percepcionin e bizneseve mbi nivelin e evazionit fiskal në vend. Sipas menaxherëve
dhe pronarëve të bizneseve të anketuara, rreth 34.4% e shitjeve nuk deklarohen
– pra fshihen – nga organet tatimore në vend. Një rezultat i tillë, në një
interpretim të lehtë, do të thoshte se buxheti i shtetit humb nga evazioni fiskal
minimalisht një të tretën e vlerës së tij.
Rezultatet e tjera tregojnë se rreth 62% e bizneseve
kosovare besojnë se, nëse ata vendosin t’i ikin taksave, mund ta bëjnë shumë
lehtë dhe pa u zënë nga autoritetet. Për më tepër, rreth 68% e bizneseve
besojnë se niveli i gjobave është i ultë apo shumë i ultë. Mungesa e ndjenjës nga
faktorët mbikëqyrës – siç është inspektimi e gjobitja – prodhojnë lehtësisht
motive për sjellje evazive.
Shmangësit e tatimeve kanë karakteristika mjaftë
interesante. Për shembull, përkundër bindjes gjeneralë që dikush mund të ketë,
bizneset e mëdha u shmangen tatimeve më së paku. Në të vërtetë, sipas
rezultateve të anketës ka një lidhje bukur lineare në mes madhësisë së biznesit
(e matur me numrin e punëtorëve e me nivelin e shitjeve) dhe evazionit fiskal;
sa më i vogël biznesi aq më evaziv del të jetë. Kjo gjetje mund ti shkoj në
shtat agjencive inspektuese të cilat alokojnë pjesën më të madhe të resurseve
pikërisht tek bizneset e mëdha – sepse kështu më lehtë mbledhin të hyrat e
planifikuara. Mund të ndodhë se strategjia e tanishme e inspektimit lë të
pa-inspektuar pikërisht evazionistët. Rezultatet tregonin gjithashtu se sektorët
që më së shumti i shmangen tatimit janë ato të “banimit dhe shërbimeve ushqimore”,
“industrisë përpunuese” dhe “bujqësisë”. Kjo gjetje nuk është fare befasuese
duke pasur parasysh pritjet që sektorët me transaksione më të mëdha të kesh-it
dhe/apo industritë më pak të inspektuara kanë më shumë gjasa ti ikin tatimit;
siç dhe del të jetë rasti në ambientin e tanishëm të biznesit në Kosovë. Për më
tepër, shpërndarja regjionale e evazionistëve potencial favorizonte Gjakovën –
si vendin me më së paku evazion – dhe Gjilanin – si atë me më së shumti. Percepcionet
tjera të biznesve aludonin për një prezencë të konsiderueshme të korrupsionit
tek inspektorët tatimorë; nga 1 asnjëherë e deri në 10 gjithmonë, bizneset tona
besojnë se korrupsioni i autoriteteve tatimore është në 4.35.
Fokus i veçante i studimit ishte edhe morali fiskal,
apo gatishmëria vullnetare e pagesës së taksave. Morali fiskal është futur si
pjesë thelbësore e analizës evazioniste vetëm gjatë fundit të viteve 90-ta, për
të kulmuar në hulumtime empirike krejtësisht në vitet e fundit. Njëjtë si me
çdo pyetje tjetër sensitive, ne kishim aplikuar teknikën standard të
literaturës mbi moralin fiskal, e që matë justifikimin që respodentët i bëjnë
shmangies së tatimeve. Rezultatet tregonin se bizneset kosovare kanë moral të
njëjtë fiskal me vendet në zhvillim, bukur larg vendeve të zhvilluara. Rreth
44% e pronarëve në Kosovë besojnë se marrë parasysh nivelin e shërbimeve
publike që ata marrin, evazionin fiskal duhet justifikuar. Pra bëhet fjalë për
një shpërputhje totale të relacionit biznes-shtet dhe për një cikël
domino-destruktiv i nisur nga performanca publike e i përmbyllur në përgjigjen
e kompliancës së taksave. Për moralin fiskal në Kosovë veçse kam shkruar këtë
vit në tri shkrime të njëpasnjëshme në këtë kolumnë.
-3-
Pjesa e dytë e studimit kishte të bënte me analizën
e informalitetit të fuqisë punëtore. Në të vërtetë, gjetja e normës së përafërt
të informalitetit të fuqisë punëtore tek bizneset e regjistruara (kujdes, të
regjistruara jo të zeza) do të ndihmonte shumë në përafrimin e numrave mbi
nivelin e papunësisë në vend. Sërish, ne kishim replikuar pyetjen nga Banka
Botërore që rëndom matë të njëjtën dukuri në vendet tjera të tranzicionit (nga
BEEPS). Rezultatet ishin interesante. Bizneset kosovare deklaronin se rreth 37%
e fuqisë punëtore (e bizneseve të ngjashëm me ta) nuk ishte ligjërisht e
deklaruar. Numri 37 madje rikonfirmonte nivelin e evazionit fiskal, i cili,
kujtoj, rrumbullakohej në 34%. Sikur të dy numrat jepnin një llogaritje mirë të
vërtetuar të humbjeve eventuale nga evazioni dhe informaliteti.
Për më tepër, ndarjet sektoriale tregonin se
bujqësia, prodhimi dhe shëndetësia përbëjnë sektorët më informal në vend. Në
shtat të informalitetit shkonte edhe fakti se 68.2% e bizneseve të
intervistuara deklaronin se punëtorët e tyre preferojnë të paguhen me para të
gatshme; ndoshta si formë e shmangies së obligimeve tatimore e pensionale.
Rëndësi të veçante në studim i kishim dhënë edhe
Ligjit të Punës, i cili kohëve të fundit kishte ngjallur një debat mjaft të
gjere publik. Ishte befasues fakti se rreth 41.2% e bizneseve të intervistuara
nuk kanë dëgjuar asnjëherë për kërkesat e ligjit të punës; pra thënë ndryshe,
gati gjysma e bizneseve nuk kanë ide e haber mbi kërkesat ligjore ndaj
trajtimit të punëtorëve. Paramendoni tash nivelin e zbatueshmërisë së ligjit. E
pjesa tjetër e bizneseve, pra e atyre që kishin njohuri rreth ligjit,
konsideronin pagesën e pushimit të lehonisë dhe kohëzgjatjen e pushimit si
pengesa serioze në puënsimin e femrave në sektorin privat. Gjetjet si këto do
të duhej të merreshin seriozisht nga ligjvënësit kosovarë sa herë që hartojnë
ligje me implikime sociale. Ndonjëherë ato mund të shkaktojnë më tepër dëm se
hair.
No comments:
Post a Comment