Thursday 31 December 2015

GJASHTËMBËDHJETË DITË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, NUMRI FESTIV 2015

Republika, siç do duhej të ishte nga nesër.


Në ditën e parë të punës të vitit të ri, partitë politike kosovare ishin ulur në tavolinë. Uljes i kishin paraprirë dy procese. I pari ishte interpretimi i Gjykatës Kushtetuese që i parashihte si kundër kushtetuese disa nga parimet e marrëveshjes; rrjedhimisht kërkonte me domosdoshmëri ridefinimin e tyre gjatë hartimit të statutit. Paralel me interpretimin e Kushtetueses, palët kishin kërkuar mendim edhe nga Komisioni i Venedikut. Vetëm një përputhje e dy mendimeve do t’i jepte validitet të plotë interpretimit përfundimtar; në të kundërtën, do të shkohej në zgjedhje – kosovarët do të vendosnin vet. Në të dytin, Qeveria kishte shkarkuar Komisionin për Demarkacion; në krye të tij kishte lënë vend hapur për një kandidat koordinimi prej opozite. Pas uljes, palët ishin marrë vesh – lehtë – rreth përplasjeve.

Në ditën e dytë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte dalë publikisht me qëndrim ridizajnues të platformës negociuese me Serbinë. Kishte marrë vendim se nga tash e tutje, bisedimet do të bëheshin nga një grup i përbashkët e gjithëpërfshirës kosovar. Gjithçka e arrirë me unitet në procesin dialogues të Vjenës, mund të vazhdohej e konkretizohej sërish dhe vetëm me unitet në Bruksel. Grupi i ri negocioues, do të ndërtonte një agjendë të re dialogimi. Në rendet e para të kësaj agjende nuk do të ishte më riorganizimi i brendshëm i Kosovës nga një pëlqyeshmëri e Serbisë, por zgjidhja e problemeve dyshtetërore në fushën e të zhdukurve, pensioneve, dëmeve të luftës, e qëndrimeve politike përballë njëri tjetrit. Kosova do të shfrytëzonte përfundimisht ngutinë dhe domosdoshmërinë e Serbisë për anëtarësim në BE, e nuk do të shërbente më si platformë koncesionimi për ecjen e saj – do të bëhej e kundërta; s’kishte çfarë të humbiste më.

Në ditën e tretë të punës së vitit të ri, Parlamenti i Kosovës kishte nxjerrë vendim reciprociteti në relacion me Serbinë. Nga atëherë e tutje, secili refuzim i pasaportave të Kosovës do të trajtohet me refuzim. Secili kërkim-ndryshim i targave të veturave do të merrte të njëjtin trajtim. Secili ndalim për vizitë i politikanëve kosovarë atje, do të ishte ndalim për politikanë serb këndej. Kosova, në asnjë rrethanë nuk do të pranonte trajtim gjysmak të shtetësisë së saj; sidomos jo nga një shtet që pretendon aneksimin e zhbërjen e saj.

Në ditën e katërt të punës së vitit të ri, një fond investiv për veriun ishte krijuar. Fondi do të menaxhohej nga serbët lokal dhe do të shërbente për riintegrimin aktual të veriut. Një pjesë e madhe e mjeteve ndërkombëtare që vinin në Kosovë, do të derdheshin poashtu andej. Pjesë e aktivizimit ekonomik të veriut ishte edhe ringritja e Trepçës dhe zhvillimi i zonave turistike rreth Liqenit të Gazivodës. Banorët lokal, për herë të parë pas gjashtëmbëdhjetë viteve, do të merrnin përfitimet e para financiare të një shteti të ri – të presupozuar si i tyre. Rezistenca e grupeve të vogla kriminale-biznesore, të udhëhequra nga një shtet i huaj e cenues i sovranitetit të Republikës, do të trajtohej nga forcat e sigurisë të Kosovës; që megjithatë kishin kapacitet të amortizojnë grupe të tilla lehtë.

Në ditën e pestë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte dalë me plan një mujor për përmbushjen e tetë kritereve teknike të liberalizimit të vizave. Të gjitha agjencitë, organizatat, institucionet legjislative e ekzekutive të ndërlidhura me tetë kriteret në fjalë, kishin marrë memo të zgjatjes së orarit të punës – deri në përmbushjen e kritereve. Lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë do të bëhej domosdo gjatë gjysmës së parë të vitit të ri.

Në ditën e gjashtë të punës së vitit të ri, Kosova do të kishte përfunduar negociatat për themelimin e Gjykatës Speciale. Secili pretendim për gjykim të krimeve të luftës ndaj viktimave civile këndej, do të merrte trajtim meritor. Në të njëjtën ditë, ndërsa, Kosova do të niste ngritjen e padive ndaj kriminelëve serb në Kosovë; ndaj individëve e strukturave militare që sot ende vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike në Serbi.

Në ditën e shtatë të punës së vitit të ri, një Gjyaktë e re Speciale do të bëhej këndej; ajo e luftimit të krimit korruptiv e ekonomik në vend. Profilet e larta të politikanëve kosovarë, ministrave e zëvendësve të tyre padallim – kushërinjve, halleve, tezave e dajave që bëjnë për ta biznes, do të trajtoheshin një nga një. Arsyeshmëria e pasurisë do të ishte pjesë esenciale e rasteve të tilla. Pas përfundimit të procesit, amnestia nacionale do të merrte vend. Kosovarët, për herë të fundit, do të deklaronin – pa pasojë dhe shpjegim – pasuritë e tyre në xhirollogaritë bankare. Amnestia do të shërbente për një nisje të re, për kriijim dhe investim të një kapitali të fshehur kaherë – që në të kundërtën vazhdon të ikë e do të ikë përherë nga këndej.

Në ditën e tetë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për bërjen e Ushtrisë. Secili partner i koalicionit që do të refuzonte votimin e një elementi kushtetues e republikan të Kosovës, do të përjashtohej nga partneriteti; do të zëvendësohej me tjetrin. Një akt kundër interesave të Republikës nuk mund të buronte nga institucionet e Republikës. Pëlqyeshmëria për bërjen e ushtrisë, në rast të mos marrjes së votave minoritare, do të sigurohej nëpërmjet referendumit. Ushtria do të bëhej përfundimisht këtë vit.

Në ditën e nëntë të punës të vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte vendosur shkurtimin; shkurtimin e vetes. Të njëzet e një ministritë, me dyzet e kusur zëvendës ministra, aq shoferë, asistentë e ku me ditë çka tjetër nuk do të ishin më. Në vend të tyre do të krijoheshin vetëm dhjetë. Ndër të tjerash, Ministria e Shtetit dhe Punëve të Jashtme do të bashkonte Ministrinë e Integrimeve, të Diasporës dhe të Jashtme. Të tri ministritë që merreshin deri dje paradoksalisht ndaras me punë të jashtme, përfundimisht bëheshin një. Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit, do t’i bënte bashkë katër të tjera, atë të Tregtisë dhe Industrisë, Bujqësisë e Zhvillimit Rural, Infrastrukturës, dhe vet Zhvillimit Ekonomik. Një sistem i tërë kompleks, më i madhi në Evropë e më i komplikuari ndonjëherë, do të thjeshtohej.

Në ditën e dhjetë të punës së vitit të ri, Parlamenti i Kosovës kishte nxjerrë një rezolutë në të cilën kërkohej themelimi i Fondit Shëndetësor të Kosovës. Fondi, i cili do të themelohej nga huazimi i parave të privatizimit, do të shërbente për ringritjen, mirëthemelimin dhe dhënien e shërbimeve shëndetësore – falas – për të gjithë qytetarët e Kosovës. Të dyqind milionët e parë – aq sa duheshin për të nisur këtë fond – do të përcilleshin me kontribuuim të të punësuarve; nga një e dhjeta e të ardhurave të secilit. Kosovarëve më të varfër në rajon – nëse asgjë tjetër – do t’iu jepej një kujdes shëndetësor i denjë. Radhëve të pafundme të pritjes, kërkimeve të lëmoshave për shërim e jetë, milionave të derdhurave jashtë përvjet, do t’u vinte fundi.

Në ditën e njëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, ishte marrë vendim për verifikimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve fillorë, të mesëm e të lartë në vend; reforma nacionale në arsim i thonin. Fabrika e paditurisë në Kosovë, konsumuese e miliona eurove përvjet, prodhues i analfabetëve të papërdorshëm e të papunë, do të bëhej subjekt inspektimi e vlerësimi nacional. Mos-plotësuesit e kritereve do të detyroheshin të merrnin një pensionim të parakohshëm; vendet e tyre do të mbusheshin me mësimdhënës të rinj. Zyrtarët publik me nga tre deri në pesë vende pune, e që rëndom del të jetë një vend dhe në universitet, do të largoheshin në grup; plot 800 sosh.

Në ditën e dymbëdhjetë të punës së vitit të ri, ishte marrë vendimi për themelimin e Policisë Financiare të Kosovës. Një trupë e re me dy mijë inspektorë të rinj e të reja do të përbente forcën e ardhshme të formalitetit financiar në vend. Të punësuarit e rinj do të kujdeseshin që evazioni fiskal dhe informaliteti i fuqisë punëtore të mos ishte më. Të gjashtëdhjetë mijë bizneset aktive në vend do të ishin pjesë e inspektimeve e vështrimeve të përhershme të tyre. Të hyrat shtesë të gjeneruara nga kjo forcë, mjete të rritjes buxhetore në vend, do të shërbenin për rritjen e shërbimeve publike në vend.

Në ditën e trembëdhjetë të punës së vitit të ri, paralelisht me nisjen e luftës anti-korrupsion ndaj strukturave paralele e kriminale në vend, ishte marrë vendim për kalim në prokurim elektronik. Të gjithë tenderët, kontratat e fondet publike tash e tutje do të kalonin nëpërmjet një procesi transparent dhe mbi të gjitha të pamanipulueshëm. Bizneset me rekorde korruptive e të manipulimit, do të përjashtoheshin nga proceset konkurruese të ardhshme. E prioritet në shpenzimin e parasë publike në vend do të kishin produktet vendore.

Në ditën e katërmbëdhjetë të punës së vitit të ri, paketa e re investuese do të aprovohej. Në të, lehtësimet e lirimet doganore e tatimore do të parashiheshin për secilin investim të ri; të brendshëm, të jashtëm, nga diaspora – pa dallim. Kohë e lirë tatimimi për shumë vjet për secilin që investon e krijon punë në Kosovë.

Në ditën e pesëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, do të themelohej fondi investiv, një platformë që do të barazonte secilin investim-kontribut privat me një euro publike; një bashkëdyzim i secilës para që ndonjë biznes kosovar apo i huaj mendon ta shkrijë në Kosovë me paratë e taksapaguesve kosovar. Biznesmenë të brendshëm, individë nga diaspora e donatorë të tjerë do të do merrnin pjesë në një fond të tillë. Paratë nga aty do të investoheshin me prioritet në miniera, në telekom e në hidrocentrale; në të gjitha asetet që mbanë sot ky vend.

Në ditën e gjashtëmbëdhjetë te punës së vitit të ri, do të kuptohej se ishte bërë më shumë për gjashtëmbëdhjetë ditë se sa çfarë ishte bërë për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht – që nga çlirimi i vendit e këndej. Do të kuptohej se dita e shtatëmbëdhjetë do të ishte më e lehtë, më e drejtë, më e këndshme, më meritore për urim.



Monday 28 December 2015

ASOCIACIONI PAS INTERPRETIMIT KUSHTETUES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 DHJETOR 2015

Po të kishim pak vullnet për unitet e mbarësi, që nga nesër një ekip i ri uniteti do të krijohej në Kosovë –  për të bartë tutje me një platformë të re për secilin negocim ndërshtetërorë me Serbinë.


-1-

Siç dhe ishte pritur, siç dhe ishte thënë shumë herë, disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin, kishin prekur në thelb karakterin multietnik të Kosovës – e tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës këtë. Njëetniciteti i paraparë me marrëveshje pra, ishte kundërkushtetues. Me të, kundërkushtetues do të jetë secili veprim i shkuar apo i tashëm që mbështetet në marrëveshjen në fjalë – siç është nënshkruar pra.

Një verdikt i tillë bën dy lajme të mira për vendin. I pari, se, pavarësisht insistimit e garancisë blanko (natyrisht të gabuar) të shtytësve të padëgjueshëm e kokëfortë të pozitës, një marrëveshje e tillë – në formatin e dhënë të saj – është e gabuar, kundërkushtetuese pra, rrjedhimisht nuk mund të jetësohet asnjëherë. Dhe kjo bën një lajm të mirë për vendin; lajm jashtëzakonisht të keq për kredibilitetin e mbështetësve të saj që për katër muajt e fundit nuk reshtën së shprehuri se secila shkronjë e secila frymë e marrëveshjes ishte Kushtetuese. Megjithatë nuk është.

I dyti, se, pavarësisht insistimit apriori e paragjykues të revolucionarëve anti-Kushtetues këndej; të atyre që Kushtetutën dhe interpretimin e saj e shohin si meny ushqimi e zgjedhjes, zgjidhja e problematikës së krijuar erdhi pastër nga një institucion i Republikës – nga vet Kushtetuesja; jo nga rruga, jo nga gazi, jo nga përmbysja. Thjeshtë, pastër, siç do të duhej të vinte gjithëherë – institucionalisht pra.

Kështu, në skenarin më të mirë të mundshëm, përkundër të gjitha gjasave, u ngjall – ringjall më mirë të themi – një mekanizëm sigurie që një vit më parë, gjatë verdiktit për të drejtën e pushtetit kishte vdekur. Dhe kjo ringjallje erdh në kohën më të nevojshme të mundshme të vendit; në parandalimin e një trupi antievropian; antirepublikan.

-2-

Për rrëzimi e parimeve të marrëveshjes mbi bazën e njëetnicitetit nga Kushtetuesja – e jo ndryshe – kisha shkruar shpeshherë. Saktësisht një muaj para vendimit, pra më 23 Nëntor të këtij viti, në po këtë kolumne të përjavshme (shih “Theqafja”) kisha shprehur bindjen se parimet e marrëveshjes ishin racistë; dhe se, pavarësisht natyrës së marrëveshjes, zgjidhja e vetme mbetet pritja e interpretimit.

Për të parën kisha thënë se “...mbi të gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike, që derivon nga Marrëveshja, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së vlerave evropiane, rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë evropiane po u drejtua si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike është përjashtuese për një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë kemi të bëjmë me trajtim racist e antievropian. Precedenti është krijuar tashmë në rastin e Bosnjës, saktësisht në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnjë e Hercegovinës”, trajtuar në Dhomën e Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut."

Për të dytën ndërsa se "...zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të bëhet duke respektuar gjithë rrugën institucionale që të njëjtat parti kanë ndërtuar tash e sa vjet; pa kalimin e kësaj rruge, asnjë formë tjetër nuk merr legjitimim. Pikënisja e tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga Kushtetuesja nga të dyja palët dhe ulja për një konsensus nacional sesi të vazhdohet më tutje, pas vendimit të saj."

-3-

Interpretimi kushtetues trason një kornizë të re zhvillimesh, që duhet të rrjedhin natyrshëm në muajt në vijim. Në relacion me Asociacionin, Qeveria është e obliguar që secilin zhvillim statutor të saj ta zbatojë jo konform një marrëveshje që përmban elemente e frymë kundër-kushtetuese, por kundër një listë të re parimesh që largohen nga parapraket. Për këtë, javët dhe muajt e tjerë rreth hartimit të statutit të saj janë vendimtare. Sepse, do të jetë natyra e këtij statutit që do të përcaktojë edhe natyrën e Asociacionint e interferencës së tij me rendin tonë.

Ky element, kaq i rëndësishëm, prek në thelb problematikën e Asociacionit. Sepse, Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë problematik për ekzistencën e tij konfrom rregullativës së tanishme Kushtetuese; madje është paraparë si i tillë edhe me Pakon e Ahtisaarit; Pako e inkuadruar tashme në Kushtetutë. Problematikë ka qenë kapërcimi i këtyre të drejtave mbi bazën e thyerjes së karakterit multietnik të Kosovës. Dhe në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese nuk lejon thyerjen e multietnicitetit, atëherë secila alternativë tjetër është më e sigurtë – domosdo më e lehtë. Asociacioni, sikur Qeveria të dojë tani, mund të kthehet njëmend në një institucion tërësisht irrelevant për rrezikun kushtetues të vendit. E TËRA Çfarë duhet bërë është shmangja nga parimet e nënshkruara që nuk janë Kushtetuese.

Këtu duhet pasur parasysh se pavarësisht vendosjes së kornizës së re, Kushtetuesja nuk detyron Qeverinë të rinegociojë marrëveshje të re në Bruksel. Sheh, sipas interpretimit të saj, disa parime e elemente të tjera – nëse termi “disa” mbetet masë – brenda frymës Kushtetuese të Kosovës.

-4-

Në relacion me skenën politike vendore, interpretimi Kushtetues – në një ambient normal natyrisht – do të duhej të shërbente si derë e hapur për palët, për të kapërcyer përplasjet e gërditshme, të rënda e të dëmshme politike tash e gjysmë viti.

Interpretimi natyrisht vë në dyshim kredibilitetin e Qeverisë. Pyetje të reja do të ngrihen në ditën në vijim, fillimisht për kredibilitetin e saj për të implementuar tutje Asociacionin, e më pas edhe për të negociuar tutje me. Çfarë sigurie mund të ketë nga nënshkrimi i marrëveshjeve me parime kundër-kushtetuese në fund të ditës. Dhe jo, marrëveshja nuk është paraparë të dërgohet asnjëherë në Kushtetuese pra; Statuti i Asocociacionit e Dekreti Qeveritar për formimin e tij po. Sikur marrëveshja nuk do të dërgohej në Kushtetuese nga Presidentja, Kosova do të mund të përfundonte me një trup konform parimeve kundërkushtetuese lehtë.

Por pavarësisht të gjithave, them se verdikti i ri hapë rrugë për marrëveshje të re politike; do të ishte absurde tanimë vazhdimi i përplasjeve për Asociacion. Verdikti gjithashtu hapë rrugë për ridizajnim të politikës së jashtme të Kosovës ndaj Serbisë – veçanërisht pas një agresioni të gjithëanshëm të palës tjetër për të penguar Republikën tonë, e pas një dështimi total të politikës sonë të jashtme për të marrë përfitime nacionale nga një proces i tillë. Po të kishim pak vullnet për unitet e mbarësi, që nga nesër një ekip i ri uniteti do të krijohej në Kosovë –  për të bartë tutje me një platformë të re për secilin negocim ndërshtetërorë me Serbinë.


Monday 21 December 2015

TË KAPUR DHE NË GETO

Letra nga limbo
KOHA DITORE 18 DHJETOR 2015

Kosovarët e getoizuar ndërsa, duhet të konsiderojnë seriozisht gatishmërinë e tyre për të lënë në duar të kapësve fatin e jetës së tyre që megjithatë ikën shpejtë. Sepse, gjashtë vite më parë, edhe Mali e Zi, edhe Serbia e edhe Shqipëria ishin si ne. Sot njëri është në NATO e tjetri në prag; të tre vende kandidate për BE.



-1-

Fillimisht, dua të bëj të qartë se dhënia e liberalizmit të vizave për kosovarët nuk do të zgjidhte as për së afërmi problemet, brengat e hallet me të cilat një familje mesatare sot ka këndej. Gjithashtu, dua të bëjë të qartë se e drejta e lëvizjes së lirë – e marrë si të fundit në rajon – nuk përbën ndonjë arritje. Çfarë arritje do të ishte përfundimi i garës si i fundit.

Liberalizimi i vizave, megjithatë, do të jepte një fije shprese dhe një dozë ecjeje për kosovarët këndej. Do të jepte një trajtim më dinjitoz, më qytetar, më normal që Evropa do të duhej t’i bënte “evropianeve të rinj”; në fund të ditës, qytetarëve të kontinentit të vet. Por nuk e bëri; lëvizje të lirë nuk ju dha. Evropa, ditën e së cilës kosovarët e festojnë paradoksalisht të vetëm përvjet, tash e tetë vjet, u tha të njëjtëve kosovarë se për dallim nga secili vend në rajon, këta ishin të padëshiruar; veç këta.

E shoh si të padrejtë një vendim të tillë. Sidomos kur në të njëjtën javë, e njëjta Evropë u dha kapitull për anëtarësim pritësit e kriminelëve të dënuar në Hagë, fqinjëve tanë në Serbi. Jo reagim, jo dënim, u dha lavdërim. E shoh të padrejtë kur secili fqinj i kosovarëve ka të garantuar këtë lëvizje të lirë tash e sa vjet. Kosovarët pra, nuk kanë merituar asnjëherë këtë getoizim e veçim nga rajoni.

Por nuk e shoh Evropën përgjegjëse burimore të refuzimit të tillë. Reaksionin e evropian e mbajë si simptomë të një sëmundjeje që ka marrë keq vendin tim. Kjo sëmundje ka ngjizë kaherë.

-2-

Në ditën e publikimit të vendimit nga Këshilli i BE-së, Hashim Thaçi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe i nominuar për President, kërcënoj me protestë, radikalizëm e përmbytje – nga vendi më i paqetë, më radikal e më i përmbytur në Evropë. Çfarë mund të bëhej më keq? Përveç se fajësoj një Evropë të tërë; shpalli veten kampion të luftës kundër korrupsion, mallkoj, fyeu e fryu zjarr.

Sjellje të tilla nuk janë të reja për të. Në të vërtetë janë identike me ato të vjetshmit, të parvjetshmit e të shumë viteve më parë; sa herë që Kosova merr një trajtim të tillë ai del dhe prodhon një kërcënim të tillë. Kishte nisur në 16 dhjetorin e vitit 2012, tre vite më parë, vetëm pak ditë pas shpërthimit të aferës “Pronto” e një ditë pas ikjes spektakulare nga Kosova të mikut të tij të ngushtë Xhabir Zharkut – kryetar Komune i dënuar me burg. Asokohe Thaçi kishte fajësuar për herë të parë – e që nga atëherë rregullisht përvjet – Brukselin. Tre vite më pas, pak shumë ka ndryshuar. Miku i tij Xhabiri merr ende pjesë në takime zyrtare nëpër diasporë, e Thaçi fajëson ende Brukselin. Miqtë e tij të tjerë, ndërsa, vazhdojnë të kontrollojnë secilën pjesë të rrjedhave shoqërore këndej. Nga paraja tek tenderomania, nga siguria tek media, nga edukimi tek gjyqësia.

Kërcënimi për revoltë është gjuha më e zakonshme e tij përballë ndërkombëtarëve. Është vetëm falë kërcënimit për jostabilitet që i njëjti njëri është mbajtur faktor në skenën politike këndej. Është mu për shkak të tij, dhe miqve të tij, se pse një vend i tanë mbetet peng i premtimeve të vizave tash e 6 vjet rresht.

“Kampionllëku” në korrupsion i tij, nuk ka vënë në pranga asnjë ministër, as edhe një politikan me nam tash e gjashtëmbëdhjetë vjet. I vetmi proces antikorruptiv që zhvillohet sot, është kundër ish nënkryetarit të partisë së tij për pesëmbëdhjetë vjet rresh; i cili sot një ditë kalon në protestë si alternativë qeverisëse e një ditë tjetër nëpër gjykatore – përshkrim për ndryshe, i mjerimit alternativ të zgjedhësve kosovarë.

Gjykatat e shpejta të tij dhe të partnerëve të tij pa dallim, kanë qenë superefikase në trajtimin e rasteve të kundërshtarëve politik, gazetarëve e refuzuesve të kapjes; por kanë qenë të padëgjueshme ndaj njerëzve të afërt të tij. Njerëzit e afërt të tij, sikurse Xhabir Zharku, ose kanë ikur pasi janë dënuar, ose janë dënuar e kanë vazhduar të mbajnë pozita publike, ose – në rastet e burgimeve – kanë kaluar kohë nëpër dhomat VIP të spitaleve nëpër Kosovë. Në një rast të dhënë, një i burgosur, i presupozuar të ishte në burg, kishte qerasur me drekë një Ministër Drejtësie në Kosovë.

-3-

Një kapje si kjo ka prodhuar stagnim. Stagnim të plotë madje. Ky stagnim, për kthim, ka prodhuar ikje masive e migrim. Sot kosovarët, pas sirianëve e afganistanasve, përbëjnë numrin më të madh të refugjatëve nëpër Evropë. Zyrat Evropiane që kanë trajtuar rastin e liberalizimit të vizave për kosovarët, janë të njëjtat zyra që kanë trajtuar rastet e plot 120 mijë refugjatëve kosovarë atje. Në të njëjtën tavolinë të kërkim-mëshirës pra është shtruar dhe kërkesa për liberalizim.

Stagnimi në anën tjetër ka prodhuar dhe radikalizëm. Kosova, për kokë banori vazhdon të dërgojë më së shumti luftëtarë terroristë në Lindje. Vazhdon pra të shpërfaqet botërisht si vend i pasigurt, i paqetë, i frikshëm.

Gjëja e fundit që një ministër evropian do të donte është liberalizim vizash për një vend të korruptuar, me një klasë politike të gjykuar për krime lufte, me një vend top tre në botë për refugjatë, e top pesë për terroristë për kokë banori. Dhe kjo nuk është tragjedia më e madhe këndej.

Tragjedia më e madhe që kjo shoqëri e jona krijon – apo ka për të krijuar dhe tutje – është paaftësia për t’u çliruar nga njerëzit e njëjtë që në vitin 2010 i premtuan liberalizim vizash e anëtarësim në NATO, e në vitin 2016 i kërkojnë protestë kundër-evropiane. Po këta njerëz, dhe këtu fillon lajmi i keq i yni, do të mbesin në pushtet për një kohë të gjatë. Mbetja e tyre në pushtet do të thotë për secilin tjetër mbetje larg Evropës. Dhe ka dy arsye pse të njëjtë njerëz mbesin në pushtet. E para, për shkak të një LDK-je që nëpërmjet nënshtrimit e interesave rehatuese u zgjati me koalicion artificial vetëm një vit më parë jetën. E dyta, për shkak të një VV-je që me format më të çoroditura të mundshme po arrin paradoksalisht t’i shpërfaqë kapësit e njëjtë si alternativë më pak të rrezikshme.

Kosovarët e getoizuar ndërsa, duhet të konsiderojnë seriozisht gatishmërinë e tyre për të lënë në duar të kapësve fatin e jetës së tyre që megjithatë ikën shpejtë. Sepse, gjashtë vite më parë, edhe Mali e Zi, edhe Serbia e edhe Shqipëria ishin si ne. Sot njëri është në NATO e tjetri në prag; të tre vende kandidate për BE. E ne?

\

Monday 14 December 2015

MBI DURIMIN TONË TË PADURUESHËM NDAJ SERBISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 DHJETOR 2015

E pasja e shtetit bën brengën time më të madhe sa herë që neo-fashistë e shpifës zyrtarë serb parakalojnë këndej. Vijnë, provokojnë, ofendojnë dhe kthehen sërish pa asnjë konsekuencë; as edhe një veprim. Thuajse këtu nuk ka shtet. Thuajse ky shtet nuk ka ndjeshmëri. Thuajse kjo tolerancë e jonë është borxh ndaj tyre. Më nuk e di e nuk mund të dalloj se kush është viktimë e kush kriminel.

-1-

Vladimir Lazareviq, ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë me 10 vite burgim. Javën që shkoj, pas përfundimit të dënimit, Lazareviq ishte kthyer në Serbi – si hero kombëtar. Kriminelin e dënuar e kishin pritur me ceremoni zyrtare Ministri i Drejtësisë Aleksandar Vulin, që qëllon të jetë një neo-fashist e shëtitës i zakonshëm i rrugëve të Kosovës; urrejtje-nxitës pa takt. Ky ministër, i një shteti kandidat evropian – në i thoshin ashtu – shoqërohej nga kryegjenerali i ushtrisë së një shteti kandidat; e që qëllon të jetë sërish i akuzuar me një dosje 400 faqëshe për krimet në Kosovë – dhe i dekoruar së fundmi me medaljen e Urdhrit të Lartë presidencial në Serbi. Shoqërimi i të dyve sigurohej edhe nga Ministri i Mbrojtjes, prefekti i Komunës së Nishit dhe nga përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe – një kombinim i zakonshëm historik, gjithsesi fatal, i qindra mijëra jetëve në Ballkan.

Kështu, Serbia, një vend kandidat i BE-së, bëri të pabërën – jo për herë të parë tanimë. Ajo, si asnjë vend tjetër këndej, nëpërmjet heroizimit zyrtar të krimineleve të luftës, u solidarizua e u bashkua me vrasësit. U bë një. Nuk u pendua, nuk u distancua, u bashkua. I trajtoj heronj kombëtarë. Cili vend evropian, cili shtet normal sillet kështu? Dhe nuk po flas për solidarizim individual; po flas për solidarizim e pritje shtetërore – për trajtim zyrtarë pra.

Reagimi? As edhe një. Bashkimi Evropian, që rëndom tregon ndjeshmëri të tepruar edhe ndaj vjedhjeje të ndonjë biçiklete në një fshat serb diku në Kosovë, nuk dha as edhe një mendim, as edhe një shënim, as edhe një deklaratë për një akt që ndodhte zyrtarisht në një vend kandidat të saj. Tregoj sërish, disbalancin e gërditshëm që në vazhdimësi po mbanë kur bëhet fjalë për relacionet Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës vazhdoj me të njëjtin avaz – me mos bërjen e gjëje prej gjëje. Tregoj e ritregoj se ajo tashmë ka humbur ndjenjën e reagueshmërisë e sensit për gjithçka që ndodhë këndej; është e pa energji. Nuk ka as më të voglën ide si të sillet rrjedha që prekin sovranitetin e integritetin e popullit të vet. Nuk ngriti as edhe një notë protestë, nuk alarmoj asnjë mekanizëm evropian, nuk reagoj as vet; e kaloj, një skandal që prekte pra viktimat e saj – një pjesë ende të pagjetur e të zhdukur madje – si hiçgjë.

-2-

Dhe si hiçgjë u trajtua edhe vizita e përfaqësuesit të të njëjtit shtet në Gorazhdec – Marko Gjuriq. Drejtori i Zyrësë për Kosovën, e trajtoj një sulm, për të cilin asnjë konfirmim zyrtarë nuk kishte dalë ende, si sulm terrorist. Për këtë akt terrorist, i njëjti, i mbante përgjegjës politikanët kosovarë.

Në secilin vend e shtet tjetër, minimalisht normal, me minimalisht integritet nacional, me pak mburrje e shumë guxim, një zyrtarë i tillë, nuk do të shkelte më në Kosovë. Një trajtim madje i tillë, as që do të ndodhte në rend të parë. Sepse, në rend të parë, në vendin e ngjarjes do të duhej të ishin prokurorë, policë e politikanë tjerë kosovarë; do të duhej të ishin njerëz që i trajtojnë fillimisht qytetarët serb si të tyre, e më pas një rast kaq të paqartë me plot seriozitet.

Sepse, të mbesim të sigurt, se një rast si ky do të përmendet për vite të tëra në secilën mbledhje të Këshillit të Sigurimit, e në secilin fjalim të neo-fashistëve zyrtarë serb. Do të përmendet siç vazhdon të përmendet një mbishkrim në muret e një manastiri serb; ani pse nuk ka asnjë provë se të njëjtin mbishkrim e ka bërë ndonjë shqiptarë. Nëse asgjë, gjëja më e lehtë është të shkruash në murin tënd.

Do të përmendet pra secili rast i paqartë, me mundësi të zakonshme edhe inskenimi, përderisa të tanët nuk do të përmendin asnjëherë, nuk do ta bëjnë të madhe asnjëherë një pritje zyrtare të një krimineli, një dekorim tjetër të një tjetri, e një shëtitje të lirë e përplot urrejtje të të tretit. Po dhe në mos qoftë e inskenuar, po në u bëftë nga shqiptarët trushpëlarë e nacionalistë pa takt, t’i gjejmë e dënojmë ata. Kështu së paku tregojmë se këndej ka shtet.

-3-

E pasja e shtetit bën brengën time më të madhe sa herë që neo-fashistë e shpifës zyrtarë serb parakalojnë këndej. Vijnë, provokojnë, ofendojnë dhe kthehen sërish pa asnjë konsekuencë; as edhe një veprim. Thuajse këtu nuk ka shtet. Thuajse ky shtet nuk ka ndjeshmëri. Thuajse kjo tolerancë e jonë është borxh ndaj tyre. Më nuk e di e nuk mund të dalloj se kush është viktimë e kush kriminel.

Dhe nuk po flas më për bllokadat e kërcënimet e zakonshme të katër pesë vetëvë në Veri që bllokojnë një pikë kufitare sa herë që dojnë – ankohen për pagesë të doganës – shih ti zotërinjtë. Nuk po flas as për ura dheu, që u thonë parqe paqesh. Spo flas pra për gjëra që sot, pas 16 viteve status-quo, duken vështirë të arrira. Po flas për një sovranitet e integritet shtetëror gjithandej në Kosovë. Po flas për një shtet që duhet të tregojë se është gjallë, ka gjak e energji, dhe në fund është i zot i vetës para një vrasësi të djeshëm e të papenduar. Dhe nuk duhet shumë mend, punë e angazhim, për të treguar forcën e Republikës; atë që të zbardhë fytyrën sepse është. Duhet vetëm vullnet. Duhet pra dëshirë për të shfaqur këtë Republikë e për të mos ecur, në shtëpinë tënde, me kokë të ulur kurrë.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, relacionet e Kosovës me Serbinë nuk duhet të vazhdojnë asnjëherë siç kanë ecur deri më tani. Jo se dy-tri ngjarje të fundit bëjnë ndonjë përndritje të argumentimit, por se ato tashmë nuk po nxisin asnjë reagim. As politik, as qytetar e tragjikisht as edhe shoqëror. Thuajse nuk ndodhin fare, thuajse janë të zakonshme e të pritshme. Pse të jenë?

Ky vend është i topitur ndaj secilit relacion me Serbinë; e merr si të qenë nënshtrimin. Një dëm si ky duhet të ndërprehet, para se i njëjti të ndërprejë Republikën tonë – çka do që ka mbetur nga ajo. Tek pasi të ndërpremë ecjen e tanishmë, tek atëherë mund të konsolidojmë veten, dërgojmë një zë tjetër jashtë – të vetërespektit dhe domosdoshmërisë për respekt nga ta – dhe tek atëherë mund të vazhdojmë tutje. Tamam si shtet pra.


Monday 7 December 2015

FOTOGRAFIA E NJË VIZITE TË SHKURTË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 DHEJTOR 2015

Kosova në dy dekadat e fundit nuk ka arritur të shfrytëzojë as për së afërmi një përkrahje kaq fondamentale. As në vitet e para të post-çlirimit, kur elitat tona politike u dhanë mbas kapjes së vendit në vend të bërjes së tij; as pas pavarësisë kur të njëjtat elita vazhduan konsolidimin e perandorive të tyre biznesore e ekonomike – për të prodhuar në fund ngecje, papunësi e varfëri; për të krijuar kështu një Kosovë që njihet për eksport të refugjatëve në Perëndim e terroristëve në Lindje.


-1-

Më shumë për fat të mirë se sa meritë, Kosova në dy dekadat e fundit ka arritur të ketë afër vetes një nga përcaktuesit më të mëdhenj të lirive dhe rrjedhave botërore, qeveritë e njëpasnjëshme të SHBA-ve. Nga administrata e Bushit të vjetër, tek ajo e Klintonit, Bushit të ri e së fundmi dhe Presidentit Obama, Kosova vazhdon të shihet si një projekt i përbashkët i shtetëndërtimit. Ç’është e vërteta, vetëm falë ndërhyrjeve qenësore – dhe të përsëritshme – të administratës amerikane, Kosova me mrekulli është shndërruar nga një krahinë autonome në ish-Jugosllavi, në një shtet të pavarur – në një Republikë; e gjitha për më pak se 20 vite. Kjo përkrahje nuk amortizon përpjekjet e shqiptarëve nëpër vite; por, thënë të vërtetën siç është, pa një të tillë përpjekjet tona do të ishin të pafundme, me kosto të paparashikueshme jetë njerëzish, dhe me gjasën e një topi bore në ferr për të përfunduar me gjithçka që kemi sot – çfarëdo qoftë ajo. Dhe këto ndërhyrje, siç është rasti i vijës së kuqe gjatë konflikteve jugosllave, bombardimeve mbi forcat serbe, e vet deklarimit për pavarësisë – “mjaftë është mjaftë, Kosova duhet të jetë e pavarur” – shpërfaqin mesiguri përkrahjen më të madhe që ndonjë shtet në rajon, dhe më shumë, mund të ketë marrë ndonjëherë.

Dhe, më shumë për fat të keq se sa meritë, Kosova në dy dekadat e fundit nuk ka arritur të shfrytëzojë as për së afërmi një përkrahje kaq fondamentale. As në vitet e para të post-çlirimit, kur elitat tona politike u dhanë mbas kapjes së vendit në vend të bërjes së tij; as pas pavarësisë kur të njëjtat elita vazhduan konsolidimin e perandorive të tyre biznesore e ekonomike – për të prodhuar në fund ngecje, papunësi e varfëri; për të krijuar kështu një Kosovë që njihet për eksport të refugjatëve në Perëndim e terroristëve në Lindje. Imazhi i vendit tonë jashtë, i krijuar nga një ngatërresë e vazhdueshme politiko-ekonomike brenda, në kohën më të papërshtatshme të mundshme – pra gjatë shtetndërtimit – i dha hapësirë dhe komfort shumë edhe një ish të bombarduari për ne, Serbisë pra, që të konsolidojë veten e të kthejë përkundër të gjitha gjasave përkrahjen e vëmendjen e shumë qeverive perëndimore.

Kosova do të vazhdojë të ketë interesin e qeverive amerikane – natyrisht jo me intensitetin e as nivelin diplomatik të viteve të para të çlirimit e shtetësisë sonë. Kosova e as Ballkani nuk përbëjnë më as për së afërmi prioritetet e politikëbërjes ndërkombëtare. Janë regjione të tëra, shtete të tëra me konflikte aktuale e me rrezikshmëri tjera shpërthimi gjithandej nëpër botë që kanë këtë vëmendje. Natyrisht se gjëja e fundit që neve do të na duhej është vëmendja për shkak të konfliktit e rrezikshmërisë. Kosova është me fat pra që ka kaluar një periudhë të tillë. Por gjëja e parë që na duhet, është që të kemi vazhdimësi të kësaj mbështetje. Dhe këtu bëhet i rëndësishëm konfirmimi i saj nga sekretarit amerikan i shtetit Kerry gjatë vizitës së kësaj jave. Mos të harrojmë, për Kosovën që ende gjendet në hapat e saja të para të republikanizmit, rikonfirmimi i sovranitetit dhe shtetësisë është fondamental. Është fondamental jo vetëm për ekzistencën e shtetit tonë por edhe për konsolidimin ndërkombëtar të saj – nëpërmjet anëtarësimeve pra; ku dhe, siç u rikonfirmua sërish, do të fokusohet tutje politika e jashtme e SHBA-ve në relacion me Kosovën.

-2-

Vizitat dhe pritjet që palët qeveritë amerikane i kanë bërë politikanëve kosovarë, këndej janë parë rëndom në dy dioptri. Në të parën, janë futur gjithnjë ata që kanë qenë në pushtet, e të cilët, për qëllime ekskluzivisht elektorale, e kanë transformuar mbështetjen institucionale e Republikane në mbështetje individuale e partiake. Një fotografi me ta andej, një mijë të zeza e veprime antidemokratike këndej. Hiq ndryshe nuk ndodhi as këtë herë. Në ditën e dytë pas takimit përplot mesazhe për luftim të korrupsionit, zëvendësministër u emërua një ish i shkarkuar për korrupsion.

Në të dytën, janë futur rëndom opozitarët, të cilët pak nga padituria e shumë nga bindjet ideologjike, kanë ndërlidhur vazhdimisht pushtetin me shtetin – dhe kështu, një përkrahje shtetërore kanë provuar ta devalvojnë duke e ndërlidhur atë me klasën politike lokale. Rrjedhimisht, rreshtimin me politikën amerikane e kanë emërtuar si kolonializëm e neoliberalizëm, ndërsa përkrahësit e këtij rreshtimi si servil. Kaq dinë.

Por përtej dy pikëpamjeve si këto, them se qëndrimet specifike të diplomacisë amerikane duhet shtruar në një platformë të tretë – në një platformë të ecjes sonë të mëtutjeshme – siç dhe do të duhej të ishte gjatë gjithë kohës normalisht. Pjesë e kësaj platforme ishin edhe mesazhet specifike të dhëna gjatë vizitës në fjalë; jashtëzakonisht specifike madje. Nga to, do të provoj t’i rrumbullakojë tre sosh.

I pari, dhe më i rëndësishmi, se siguria dhe sovraniteti i pavarësisë sonë mbeten të garantuara nga një forcë kryesore e rrjedhave globale. Rrjedhimisht, të gjitha paranojat që i dëgjon njeriu shpesh këndej mbi rrezikun luftarak të Kosovës – paranoja që më pas bëhen arsye për zhbërje të Republikës dhe bashkimin e saj me një shtet tjetër – mbesin të paqena; është investuar shumë për ta lënë në rënie të lirë u tha. Një konfirmim i sovranitetit dhe sigurisë sonë do të duhej të na jepte jo rahati për të bërë punët tjera shkel e shko, as për të pritur mrekulli nga jashtë, e edhe më pak për të vazhduar me avazin e vjetër, por do të bënte një bazë të mirë mbi të cilën projektohet më pas zhvillimi i shtetit dhe shtetësisë sonë.

I dyti, se pa një luftë të hapur, të drejtë dhe të papardon ndaj korrupsionit, keqpërdorimeve e vet kapjes, Kosova nuk do të ketë asnjëherë bazë për tërheqjen e investimeve nga jashtë; përfshirë dhe kthesën – siç u tha – në orientimet ekonomike drejt Perëndimit e krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë. Kërkesa si këto, ndonëse duken të rëndomta e të shpeshta, përbëjnë padyshim një standard të ri të vënë para shoqërisë kosovarë që domosdo duhet kapërcyer një ditë.

I treti, dhe shumë aktual, se për aq kohë sa arrijmë të kërkojmë ruajtje të sovranitetit dhe për aq kohë sa arrijmë të dëshmojmë se marrëveshjet me Serbi nuk janë brenda këtij sovraniteti, do ta kemi një aleat të fuqishëm në krah. Për këtë pikë na duhet dialog e unitet; na duhet, mbi të gjitha, përafrim të qëndrimeve.

-3-

Mesazhi i tretë ishte pra i ndërlidhur me marrëveshjet e fundit të Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi, si dhe me refleksionin opozitar ndaj tyre. Siç dhe pritej, siç dhe kishim diskutuar vazhdimisht këndej, mjetet e zgjedhura të opozitës mbeteshin të papranueshme. Dhuna, gazi e kërcënimi në parlament, nuk kishin vend në perceptimet e politikës zyrtare amerikane. Dhe janë mu qëndrimet si këto që i japin validitet predikimeve se me një opozitë si kjo, pushtetet e deritanishme do ta kenë gjatë. Para anarkisë edhe pushtetet më të dobëta mbesin të preferuara. Një opozitë e dhunshme si kjo, e bindur marrëzisht në qëllime të axhamive revolucionarë – një grusht sosh madje – e vendosë një kauzë tërësisht valide në plan të dytë. Në plan të parë mbetet tash gazi lotësjellës. Alamet arritje.

Por kritika ndaj opozitës, nuk guxon të përkthehet në dhënie zemër për pozitën dhe rrjedhimisht vazhdim me avazin e vjetër; përkundrazi. Nëse asgjë tjetër, kërkesa për dialog të brendshëm dhe përafrim të qëndrimeve vë në nivel krejtësisht të ri qasjen kosovare për dialog të jashtëm. Pra mesazhi i sekretarit Kerry e vë si domosdoshmëri pajtueshmërinë e brendshme dhe vet unitetin politik, si parakusht për relacione të jashtme – diçka tërësisht e neglizhuar nga liderët kosovarë në procesin negociues deri më tani.

Nëse gjetja e gjuhës së përbashkët, nëpërmjet dialogut, është kërkesë – atëherë e njëjta duhet të vlejë dhe për trajtimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve në fjalë. Mbi këtë bazë, një pushtet i përgjegjshëm do të trajtonte jo vetëm pikëpamjet e kundërshtarëve partiak, por edhe të të gjithë zërave jashta-opozitarë. Pra ka një pjesë të madhe të shoqërisë sonë, që me argumente plot kanë ngritur shqetësimet mbi marrëveshjet e arritura si cenuese të sovranitetit për të cilin morëm garancë. Dhe trajtimi i një pushteti të përngjeshëm ndaj brengave si këto, ka vetëm një rrugë; mosinfluencimin e interpretimit kushtetues të tyre.

Dhe ky mosinfluencim natyrisht nuk bëhet nëpërmjet dërgimit në Kushtetuese të një militanti partiak nga lista zgjedhore – e pritjes së verdiktit të tij e saj – por nëpërmjet dialogimit për gjetjen e kandidatëve profesionalë e të pandikuar politikisht për të dhënë një verdikt profesional të kushtetueshmërisë së marrëveshjeve në fjalë. Në përgjigje të kësaj përgjegjësie, një opozitë po aq e përgjegjshme do të pajtonte kthimin në Parlament, zgjedhjen me dialog të anëtarëve të mbetur të Kushtetueses – dhe pritjes përfundimtare të vendimit të saj.

Sepse është interes edhe i pozitës edhe i opozitës, që mbi një kornizë mbështetëse si kjo e vënë qartë këtë javë, të gjejmë zgjidhje që ruajnë funkcionalitetin kushtetues dhe republikan tonin. Është në interes të të dyja palëve, që një përballje të brendshme ta përkthejmë në një fitore të përbashkët. Zgjidhja e kontesteve, edhe një herë pra, fillon me interpretimin profesional, të pavarur dhe apartiak nga Kushtetuesja.



Monday 30 November 2015

MBI DOMOSDOSHMËRINË E RRESHTIMIT TONË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 NËNTOR 2015

Si u bë që shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit terroristë nëpër Evropë? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj perëndimit; ndaj amerikanizmit e europianizmit. Si erdhëm deri këtu?



-1-

Kohë të vështira janë këto. Përballja në mes të dy botëkuptimeve po ndodhë haptas përfundimisht. Për të qenë të qartë, kjo përballje nuk ka karakter as religjioz, as etnik e as regjional. Nuk ka karakter religjioz, sepse po të ishte ashtu viktimat më të mëdha me numër jetësh a refugjatësh nuk do të ishin myslimanë të shkaktuar – nga të tillë që thirren si myslimanë; e as luftuesit kundër-terror nuk do të përfshinin shtete me shumicë myslimane. Shkon pa u thënë natyrisht, se jo të gjithë myslimanet janë terroristë, përkundrazi shumica janë luftues të tyre, por të gjithë terroristët thirren (me ose pa të drejtë tjetër debat natyrisht) si myslimanë. Kjo përballje nuk ka karakter etnik, sepse, sërish, diversiteti i kombeve të rreshtuara përballë terroristëve është i theksuar; kontribuues nga të gjithë – tek të dyja palët. Përfundimisht nuk ka karakter regjional, sepse beteja zhvillohet gjithandej nëpër botë; në formën më jokonvincionale të mundshme.

Pra, siç po thuhet tashmë gjithandej, është një Luftë e Tretë Botërore, që bëhet në mbi motivet e mendimeve dhe botëkuptimeve; diferencat e të cilave janë shpërndarë për një kohë të gjatë gjithandej nëpër botë. Në njërën anë janë mendimet demokratike e liberale mbi mënyrën e të jetuarit; e në anën tjetër janë kundërshtuesit e kësaj lirie individuale dhe kolektive; janë një grup barbarësh trushpëlarë që nuk zgjedhin mjete në paqe e luftë për të ushtruar terror.

Përballja e nisur tash e sa vite në Lindje, këtë herë u zhvendos në Evropë. Këtë herë ishte Parisi e Brukseli; por mund të ishte lehtësisht – dhe herën tjetër mund të jetë fatkeqësisht – Prishtina, Tirana, Shkupi e të tjerat. Mund të ishim, e mund të jemi, secili nga ne. Fëmijë, pleq, vajza, djem, gra e burra pa dallim, të gjithë që ushtrojmë liritë tona në rrugë, rrugica, shkolla, sheshe, kafiteri, teatro e koncerte – në secilin vend tjetër të zakonshëm. Të gjithë ne mund të bëheshim e bëhemi nesër, objekt i horrave trushpëlarë që i japin vetës të drejtë të marrin tjetrin në qafë veçse s’mendon si ta. Dhe të mbetemi të sigurt, se të tillë kemi përplot këndej. Në fund të ditës, Kosova mbetet kontribuuesi më i lartë për kokë banori i terroristëve në ISIS.

-2-

Si ndodhi kështu? Si u bë që një shoqëri në transformim e sipër nga rruga e gjatë prej komunizmit, pushtimit, çlirimit e shtetndërtimit, të mos shndërrojë vetën në shoqëri të hapur, kritike e demokratike? Gjithë ajo prezencë perëndimore, gjithë ajo diasporë – gjithë kjo hapje virtuale ndaj botës – dhe sërish kaq të mbyllur në mendje e me kaq potencial për shpërthim anti-liberal e anti-perëndomor? Ku morëm kthesën e gabuar në këtë rrugë? Kur u kapëm nga post-çlirimtarët? Kur u eksperimentuam nga unmikistanët? Kur u vodhëm e rropëm nga post-pavarësuesit? Kur humbëm identifikimin me shtet? Kur u dëshpëruam nga pritjet tona?

Si u bë që shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit në Paris? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj perëndimit; ndaj amerikanizmit e europianizmit. Si erdhëm deri këtu?

Në mos qoftë kështu, hidhjani një sy faqeve online; atyre që kanë nga dyqind mijë ndjekës mesatarisht. Atyre që në ditën e sulmeve të Parisit u kujtuan të nxjerrin nga arkivat historike të bërat e shtetit Francez – përfshirë dhe ato në Kosovë – thuajse këta qytetarë e turistë duhej mbajtur përgjegjës për këtë. Të njëjtave që sot vazhdojnë të përhapin materiale propaganduese; të gjoja vdekjes të mijëra civilivë nga sulmet francezë në Siri. Janë përplot të tillë me ndjekës e përcjellës dhe më shumë.

Hidhjani një sy komenteve pas ngjarjeve – qindra sosh që fillimisht relativizojnë ngjarjen, më pas i amnistojnë aktet – në fund kërkojnë hakmarrje. Gjithë këta amortizues që s’duan të japin një mendim troç mjaftojnë për të ngritur alarmin këndej. Alarmin jo vetëm për rreziqet që trushpëlarja ka ndërtuar në Kosovë, por edhe për nivelin dëshpërues të intelektualitetit të një kosovari mesatar. Janë në gjendje, përplot madje, të besojnë në lloj-lloj teori konspirative, të gjejnë arsyetime nga më të gërditshme, e të besojnë në çfarëdo që një faqe online pa identitet ju ofron, vetëm sa për të ushqyer mllefin që kanë për perëndimin. Në fund të ditës, nga ky mllef? Natyrisht, individë që ditën thyejnë tastierat me plot helm e vrer kundër Perëndimit, natën mendojnë nga t’i thyejnë këmbët për të përfunduar atje.

-3-

Përtej gjithë solidaritetit që tregon zakonisht shumica kosovare sa herë që sulmohen vlerat e lirisë e demokracisë në një zonë paqeje, ishte dëshpëruese megjithatë diskutimi i pjesshëm që pasoj atë. Ishte dëshpëruese se si në vendin tim, ende pa u tharë mirë gjaku i 130 jetëve në Paris, u diskutua më shumë se a duhet ose jo të kishim në Facebook e ndërtesa qeveritare, një flamur të një shteti – që për shumëkë e çuditërisht për bindjet e deriatëhershme të mia – ishte armik, se sa për vet aktin terrorist. Pra u fol shumë më pak për aktin, e shumë më shumë për burimet që bënë aktin.

E para, e kam të pamundur ta kuptoj se si një shtet bombardues i Serbisë e Millosheviqit, njohës i ditës së parë të pavarësisë sonë, pranues i dhjetëra mijëra refugjatëve nga Kosova që prej kur mbajmë veten në mend, shkollues i intelektualëve e liderëve këndej, mbështetës i secilit proces tonë integrues – nga BE-ja deri në Kombe të Bashkuara pa dallim – se si pra një shtet i tillë, mund të shihet si armik nga një pjesë e kosovarëve. Dhe e dyta, nuk arrij të kuptojë dot se a e kapërcejmë debatin mbi aktin, rrjedhimisht dhe rrezikun që kemi si pasojë e mbështetësve të akteve të tilla, nga frika e hapjes së diskutimeve të tilla, apo se, duke shmangur debatin provojmë të amnistojmë, me ose pa dije, veprat e tilla.

Them se ka një përzierje të motiveve këtu. Dhe kjo përzierje ka dy burime. I pari, dhe më i rëndësishmi, mbetet niveli arsimor në Kosovë. Ky nivel nuk ka arritur asnjëherë të formësojë kosovarin në frymën perëndimore – kur them perëndimore e kam fjalën në frymën e respektit të parimeve të lirisë e demokracisë – por as të formësojë atë në formën e ndërtimit të mendimeve. Në të vërtetë, kam besuar deri vonë se mosaftësia e ndërtimit të mendimeve këndej ka qenë më tepër mungesë e aftësisë së të shprehurit (e që buron nga mungesa e leximit); se prapa një paaftësie të tillë në shprehje, megjithatë ka një mendim. Prandaj dhe kur dalim para kamerave na ngufaten fjalët në fyt. Por së fundi, gjithmonë e më shumë po e kuptoj se këndej kemi mungesë të vet mendimit; për të mos thënë se një pjesë e madhe e kosovarëve nuk kanë aftësi të ndërtimit të mendimit kritik e logjik. Kanë, megjithatë, siç argumentova, aftësi të jashtëzakonshme të ndjekjes së gjërave sa më konspirative të mundshme.

Burimi i dytë, ndërsa, që duket se e kemi kapërcyer pa trajtim shpesh, është ai i dëmeve të bëra nga një prezencë masive e trushpëlarësve tash e sa vjet, sidomos në vitet e para të pas-çlirimit. Kjo prezencë, e kombinuar me një varfëri e papunësi që vazhdon dhe sot, dhe mbi të gjitha menjë dëshpërim gjithëpërfshirës ndaj shtetit e identitetit shtetëror, ka prodhuar një ambient të qëndrueshëm për lindjen e individëve që në një masë ose plotësisht mund të arsyetojnë veprime të tilla.

Kur i kujton gjithë ato para të derdhura në Kosovë, gjithë atë prezencë të vazhdueshme nëpër vite të radikalëve këndej, e kupton dhe përmasën e dëmit të bërë në vend. Mos të harrojmë, bëhet fjalë për një gjeneratë të tërë që është trajtuar e mësuar me predikime nga më të çuditshmet të mundshme. Vetëm pak muaj më parë, thirrjet për mosfestim të vitit të ri, për mosdëgjim të muzikës, mos vozitje të veturës nga gratë, për mosdalje, moshprehje e mosmendim – pra të gjitha ndalesat e lirive individuale që janë karakteristikë për Perëndimin sot – shpërfaqeshin lehtësisht nga imamë radikalë dhe ndjekës të tyre. Mbi to ndërtohej më pas dhe doktrina që dërgon e formëson terroristë më shumë se secili vend tjetër Evropian. Ato edhe mund të jenë zvogëluar muajve të fundit vetëm në paraqitjet publike – kryesisht si rrjedhojë e një ngjallje të vonshme të sistemit tonë prokurial e policor – por mbesin po aq prezentë në rrethe të ngushta që megjithatë sot veprojnë lirshëm në hapësira fizike e virtuale njëtrajtësisht.

-4-

Parisi – dhe ngjarjet që do të pësojnë – do të formësojë botën natyrisht. Më asgjë s’ka për të qenë e njëjtë. Forcat perëndimore – bashkë me aleatët regjionalë në Lindje – do të rreshtohen përfundimisht haptas krah njëra tjetrës për të përballur deri në fund lëvizjet radikale që kanë vluar botërisht në këto 20 vite të fundit. Dhe përballja do të jetë e ashpër – gjithashtu e gjatë. Në fund të ditës, ajo do të prodhojë edhe tensione mes superfuqive, siç ishte ky i fundit në mes të Turqisë e Rusisë; fundi i të cilave mund të jetë i tmerrshëm. Do të masë qëndrueshmërinë e aleancave ushtarake, e vendosmërinë e demokracisë për të mundur terrorin. Do të jetë e shumëanshme; rrjedhimisht dhe shumë-përcaktuese e së ardhmes së përbashkët.

Kosova, në këtë luftë, natyrisht se nuk mund të kontribuojë shumë. Për shkak të të gjitha kapaciteteve ushtarake, financiare e politike, pjesëmarrja jonë mund të jetë vetëm simbolike. Por, Kosova, në këtë luftë duhet të mbetet megjithatë aktive. Aktive në terrenin e vet; në shtëpi.

Në këtë luftë ajo duhet të nisë haptazi të mbajë përgjegjës të gjithë urrejtje-nxitësit, veçanërisht ata që veprojnë jashta objekteve formale religjioze. Fjalën e kam për gjithë propagandën digjitale që përhapet shpejtë e ashpër gjithandej.

Paralelisht me këtë, në këtë luftë, Kosova duhet të vendosë një kontroll rigoroz financiar ndaj llogarive të jashtme e të brendshme që financiojnë aktivitete të tilla. Duhet pra të presë dhe burimin e zgjerimit të tyre, dhe mjetet që ushqejnë këtë zgjerim.

Në këtë luftë, ajo duhet të nisë – përfundimisht – një fushatë të hapur që rreshtimin prapa vlerave Perëndimore. Pa dorëza më. Fushatë jo që e sheh Perëndimin si ndihmues e pranues i halleve tona, por si formë e mendimit e veprimit që duhet të ndërtohet këndej. Perëndim pra, jo si kontekst gjeografik, por si kontekst i lirisë e demokracisë, me të gjitha vlerat që ky kontekst bartë. Natyrisht, për të nisur një fushatë të tillë, dhe këtu fillon një problem serioz për ne, na duhet një klasë politike e një mendim politik që buron njëmend në vijë me bindjet perëndimore. Këta të tanishmit, pjesa më e madhe kapësve në pushtet e revolucionarëve maoist në opozitë, më së paku janë të tillë. Nëse asgjë tjetër, këta janë po aq anti-perëndimorë sa dhe radikalët e deritanishëm. Të trija palët kanë një armik të njëjtë.

-5-

Luftimi i pasojave mbetet një hap. I përkohshëm gjithsesi. Por nuk do të zgjidhim gjë prej gjëje po u morëm vetëm me një grusht individësh që janë të rrezikshëm – ose me potencial rrezikimi në të ardhmen. Na duhet një intervenim në burim. E burimi mbetet arsimimi e ngritja e kosovarit të ardhshëm. Pra na duhet një kosovar i ri, që liritë e njërit – përderisa nuk dëmtojnë të tjetrit – i sheh si vlerë fundamentale të shoqërisë. E kupton pra euro-atlanticizmin si pranim të barazisë etnike, gjinore, seksuale e racore; vlera që për ne janë të largëta sa s’bëhet më.

Ky kosovar i ri, duhet të formësohet që në fillim, me botëkuptime që karakterizojnë sot gjeneratën e tij në perëndim. Me botëkuptime pra që i hapin mendjen për të përtypur fakte e ndërtuar argumente, e jo për të besuar sa më shumë teori bajate e konspirative – të cekëta e trishtuese si përfundim. Gjeneratat e vjetra e të tanishmet, përfshirë dhe këtë timen, kanë humbur mundësinë për të ndërtuar një model të tillë. Jemi larg me bindje, percepcione e me mendime nga secila vlerë perëndimore sot. E refuzojmë racën, etninë, orientimin seksual e religjioz në pjesën më të madhe të bindjeve. Mbi të gjitha, të dyja gjeneratat bashkë janë bashkëfajtorë për prodhimin e përkrahësve anti-perëndimorë e promovues anti-liberal; radikalë e të çmendur të tjerë. E vë fajin në gjithë përpjekjen tonë që nuk ka qenë e zakonshme kurrë. Madje kur e mendon, jemi mirë shumë nëpër çfarë kemi kaluar gjatë gjithë kësaj kohe.

Por, njëkohësisht, të dy gjenerata kanë bërë mjaftueshëm për të nisur një masë kritike që mund të krijojë kosovarin e ri. Kjo masë kritike, ka për obligim që sot të flet; të flet hapur e të nxisë të tjerët të bëjnë ndryshime rrënjësore në shoqëri; të krijojnë përfundimisht një kosovar që me bindje e vlera – jo me viza – identifikohet me Perëndim. Është, në fund të ditës, obligim patriotik ky.


Monday 23 November 2015

THEQAFJA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 NËNTOR 2015

Mbi parandalimin e një rruge të nisur keq


-1-

Para se të nisë me këtë shkrim, dua ti bëjë të qarta disa shtylla mbi të cilat ndërtohet tutje argumentimi im këtu. Shtyllat nuk pres të përbihen nga militantë partiakë e idhnakë shpërthyes nga të dyja palët; por ç’është e vërteta, më së paku mërzitem për ta. Shtyllat pres t’i shërbejnë diskutimeve të tjera, të kokave të ftohta, tek të cilët kam njëmend shpresë se mund të kapërcejnë këtë moment të rëndë për vendin. Të njëjtat shtylla, natyrisht, do të duhej të shërbenin në secilin diskutim tjetër publik që bëhet sot rreth krizës e përplasjeve të fundit politike në vend.

Dhe shtylla e parë, më e rëndësishmja, është se vlerësimi e kritika ndaj njërës palë, nuk nënkupton domosdo rreshtimin me palën tjetër. Shtylla e dytë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj të dyja palëve, nuk nënkupton neutralitet; nënkupton refuzim të të dyja palëve. Shtylla e tretë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj njërës apo të dyja palëve, mbanë fuqi sipas argumentit të shtuar e jo sipas paragjykimeve mbi motivet e kritikëdhënësit.

Thënë kështu, kritika ndaj opozitës nuk është rreshtim ndaj pozitës; siç dhe s’është rreshtim ndaj opozitës kritika e dhënë ndaj pozitës. Gjithashtu, mund të jetë normale, shumë normale madje, se të dy rrugët e zgjedhura nga pozita e opozita janë të gabuara, rrjedhimisht si të gabuara që janë duhet të refuzohen; jo për të bërë një referim mesi, por të kërkuar një rrugë të tretë. Dhe, po aq e rëndësishme, se një argument i mirë mund të shtrohet edhe nga një individ puro partiak, nga një gazetarë, intelektual apo mendimtar – rrjedhimisht, i njëjti duhet të trajtohet vetëm si argument i mirë pavarësisht se kush e jep. Deri më tani, më shumë janë marrë me argument-dhënësit se sa me vet argumentin.

-2-

Mbi shtyllat diskutuese më lartë, dua të ndërtojë dhe disa bindje të mija; që vijojnë pak a shumë diskutimet e deritanishme që i kam bërë mu në këto kolumne.

E para, dhe më e rëndësishmja, se Asociacioni i Komunave Serbe, përbën një autonomi të gjerë për minoritetin serb në Kosovë; autonomi që mund të përdoret për të parandaluar zhvillimin politik e ekonomik të Republikës. Kjo për faktin se minoriteti serb këtu, i përfaqësuar nga struktura e tanishme politike – e që në thelb është Qeveria e Beogradit – nuk ka intencë të pranimit, trajtimit e kontributit të e ndaj Republikës (as pas marrjes së kësaj autonomie) por ka intencë të zhbërjes së saj. Mbi të gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike, që derivon nga “Marrëveshja e Prillit”, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së vlerave evropiane, rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë evropiane po u drejtua si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike është përjashtuese për një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë kemi të bëjmë me trajtim racist e anti-evropian. Precedenti është krijuar tashmë në rastin e Bosnjës, saktësisht në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnje e Hercegovinës”; trajtuar në Dhomën e Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Për trajtim të mëtutjeshëm të asociacionit dhe relacioneve minoritare me Kosovën, kam shkruar – së fundmi – në dy kulumnat e muajit gusht, përkatësisht në temat “Mbi serbët dhe Republikën” dhe “Mbi Asociacionin dhe postasociacionin”.

E dyta, dhe po aq e rëndësishme, se i gjithë procesi dialogues i Kosovës, në formatin e bërë deri më tani, nuk ka sjellë produkte që fuqizojnë Republikën; as si shtrirje territoriale e juridike brenda territorit, por as në subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Çfarë procesi i deritanishëm ka bërë, është se ka shtyrë për një afat të pacaktuar adresimin e problemeve etnike e integruese në vend – veçanërisht ato të veriut – si kompensim i një Asociacioni autonom që në esencë mbetet me qëllime kundër-Republikane. Dhe se, njëkohësisht, nuk ka avancuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Stagnimi i vet Serbisë përballë Kosovës, dhe stagnimi i Kosovës përballë institucioneve ndërkombëtare, është tregues i mjaftueshëm për dobësitë e gjithë këtij formati. Ngjarjet e fundit dhe zërat evropian madje që kërkojnë rishqyrtim, i kanë hapur një derë të riformatizimit të dialogut për Qeverinë e Kosovës; mosshfrytëzimi i cilët për mua mbetet me plot habi. Për dialogun, natyrën dhe rezultatet e tij, kam shkruar shumë tash e katër-pesë vite.

E treta, se identifikimi i problemit, nuk nënkupton me automatizëm dhe përshtatjen e secilës zgjidhje ndaj tij. Sepse, ka zgjidhje që jo që nuk zhbën problemin, por përkundrazi fuqizon burimet e tij. Në këtë frymë, për mendimin tim, bien dhe të gjitha aktet e dhunshme, jodemokratike e të pamatura të opozitës që po zhvillohen në Parlament e rrugë në të njëjtën kohë. Bllokimi i Parlamentit, sulmet ndaj deputetëve, dhunimi i policisë, kërcënimi me komandantë – e në fund dhe mobilizimi i huliganëve për të sulmuar të gjithë, përfshirë dhe qytetarë në rrugë e në punë; jo që nuk ka për të bërë zgjidhje, por ka për të fuqizuar dhe më shumë klasën politike që ka sjellë Kosovën në këtë momentum. Opozitarët vazhdojnë të na shpërfaqin dhunën e tyre si alternativë më pak të dëmshme ndaj marrëveshjeve; por, ç’është  e vërteta, efektet e saja janë parë vetëm në largimin e frikësimin e qytetarëve dhe në konsolidimin e klasës aktuale që formalisht ose joformalisht ka dërguar vendin në rrugën për në theqafje. Pra, në fund të ditës, dhuna veçse ka legjitimuar reagimin e pozitës, ka legjitimuar insistimin për Asociacion, dhe me gjithë refuzimin qytetar, ka ringritur në numra të pabesueshëm më parë të njëjtët njerëz përgjegjës për shumëçka këndej. Sot, fitues në gjithë këtë ballafaqim, mbetet ish-kryeministri Thaçi. Përfundimisht, po u vazhdua kështu, dhe kur e gjithë kjo përballje të përfundojë, sido që të përfundojë, nuk do të ketë as ndryshim të marrëveshjes, as ndryshim të akterëve politik, e për më keq fuqizim të fajtorëve kryesorë që kanë shkaktuar gjithë këtë hallakamë.

E katërta, se zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të bëhet duke respektuar dy parime të panegociueshme. Parimi i parë, duke respektuar gjithë rrugën institucionale që të njëjtat parti kanë ndërtuar tash e sa vjet; pa kalimin e kësaj rruge, asnjë formë tjetër nuk merr legjitimim. Nëse tash pas sa viteve bashkë-parlamentarizëm na dalin na thonë se asnjë institucion publik nuk ka vlerë, se secila votë e tyre për të bërë ligje e trupa publik është e papeshë – atëherë i bie se për gjithë kohën të njëjtit kanë zhvilluar një farsë parlementarizmi, një lojë të kushtueshme shumë. I kuptoj sinqerisht të gjithë kur shpërfaqin hezitim mbi kapjen e institucioneve. Jam avokues vet i një kapjeje të tillë, madje, siç dhe kam argumentuar më parë, vetëm pak muaj më parë të njëjtat institucione shërbyen në sjelljen e vendimit më jodemokratik të mundshëm; të suprimimit të shumicës nga pakica – në rastin PDK versu VLAN. Por them gjithashtu, se për shkak të një rasti në të shkuar, nuk mund të refuzojmë secilin institucion ne të ardhmen. Kështu nuk do të kishte më asgjë kuptim; asgjë prej shteti natyrisht. Parimi i dytë, ndërsa, se vendimet këndej, në një shtet të lirë e demokratik – dhe kjo ka shumë rëndësi për ata që qëllimisht ose jo e krahasojnë kohën e Republikës me kohërat e regjimeve serbe në Kosovë – pra, një shtet i tillë, vendimet i merr me shumicë. Veç me shumicë. Dhe shumica ka shumë kuptime. Nuk po flas vetëm për shumicën parlamentare që pozita ka qejf ta theksojë shpesh. Shumica mund të jetë e parlementarëve, vendimarrësve në Kushtetuese apo dhe qytetarëve. Ka mekanizma mjaftueshëm për të matur këtë shumicë. Nga vota në Parlament e deri tek përkrahja në një protestë – deri tek vota në fund; si mjet përfundimtarë.

-3-

Mbi shtyllat dhe bindjet e dhëna, do të nxjerrë disa përfundime.

Të gjithë ata që shohin Asociacionin si të dëmshëm dhe dhunën – e secilin mjet tjetër të mundshëm – si mjet të vetëm; madje dhe habiten se si të tjerët nuk ndjekin një rrjedhë të tillë konkludimi, janë rrënuesit më të mëdhenj të kauzës. Të tillë, euforik, përjashtues të secilës formë tjetër janë njëkohësisht dhe bartësit e kësaj rënie opozitare; largues të gjithë përkrahjes qytetare, dhe në fund, mbështetës të pavetëdije të vet Asociacionit. Se si nuk i shohin këto, të tjerë koka të ftohta aty, është përtej aftësisë shpjeguese të mija. Pra, dhuna ka alternativë, dhe dërgimi i procesit deri në fund, deri në matjen e pajtueshmërisë mbi Asociacionin ose jo, ka gjithashtu alternativë. Sepse ky duhet të jetë dhe qëllimi; matja e pajtueshmërisë qytetare mbi këtë problem. Në fund të ditës, vetëm mendimi qytetarë ka për të bërë verdiktin final. Arritja deri tek kjo matje është e mundur; do të flas më vonë për këtë.

Të gjithë ata që e shohin Asociacionin si jo të dëmshëm, por që numrat parlamentarë si zgjidhje të trajtimit të kësaj problematike, sërish e kanë gabim. Në shoqëritë demokratike, momentumet e reja, të rëndësisë kushtetuese pra, kërkojnë pajtueshmëri nacionale e cila sigurohet me votë të re ose me mendim referendumi. Dhe mos të harrojmë, vetëm vota e re, mund të legjitimojë edhe një vendim për Asociacionin. Nëse pas të gjitha argumentimeve, qytetarët e këtij vendi vullnetarisht, pra me mendim të lirë, konsiderojnë Asociacionin si të përballueshëm, atëherë insistimi për refuzim nga opozita mbetet i pakuptimtë; e insistimi për vazhdim nga pozita bëhet plotësisht legjitim. Në ndërkohë, pa këtë votë, dhe me këtë momentum të ri post-nënshkrues; veçanërisht me një pakënaqësi opozitare që duhet megjithatë të ketë trajtim, insistimi për refuzim dialogimi dhe vazhdimi i përballjes deri në fund, është shkatërrues për Republikën. Në fund, pasi të ketë përfunduar gjithçka, mund të mos ketë opozitë, por do të mbetet më së paku Republikë.

Të gjithë ata që mendojnë se përkrahja ndërkombëtare e Kosovës është e parëndësishme për vendin, sikurse të gjithë ata që mendojnë se mendimi ndërkombëtar është i ngurtësuar përjetësisht, kanë ide minimalisht të relacioneve e rrjedhave politike. Pra ka një mes në sjelljet me ndërkombëtarët, përfshirë dhe kërkesat e tyre të “shkopit e karrotës”; por të cilat mund të maksimizohen vetëm me një unitet nacional. Përderisa përballë tyre, në gjithë këtë proces shtetëformues, mbesim të ndarë, do të marrim më së paku.

-4-

Dhe zgjidhja nisë nga refuzimi i të dy rrugëve; zgjidhja nisë në rrugën e tretë. Në momentin e parë që Presidentja ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, dhe për më tepër, në momentin që po kjo Gjykatë ka pezulluar marrëveshjen mbi Asociacionin; opozita do të duhej ta kishte kuptuar arritjen e fitores së parë; jashtëzakonisht të madhe madje. Mbi këtë fitore, kjo opozitë do të duhej të kishte ndërprerë dhunën, do të kishte konsoliduar percepcion publik, e mbi të gjitha, do të kishte hapur derë për një rrugë të re debati me palën tjetër për parandalimin e ndonjë konfrontimi eventual në të ardhmen. E gjitha, do të bëhej në kohën që Asociacioni do të mbetej i pezulluar; pa humbur asgjë. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie, i kësaj rruge të tretë, nga gjitha atë që vetëm dhunën shohin si alternativë, mbetet i pashpjegueshëm.

Sërish, kredibiliteti i një Gjykate që vetëm një vit më parë kishte parandaluar shumicën të bëjë qeverinë, mbetet i ulët; por së paku, shterrja e gjithë rrugëve institucionale forcon argumentin opozitarë. E forcimi i argumentit ka shumë rëndësi, sepse, siç dhe shihet tashmë, pa një të tillë opozita mbetet në rrugë me një grusht militantë; pa qytetarë e pa përkrahës të tjerë që megjithatë kanë të njëjtat brenga.

Në po këtë moment, pozita gjithashtu do ta kishte parë një mundësi të re rishqyrtimi edhe të zgjidhjes së problemit; por, pse jo, pas gjithë rrjedhave ndërkombëtare e refuzuese për anëtarësimet e Kosovën, të ndërtojë një koncenzus nacional që do të shërbente si mjet i ri negociues me ndërkombëtarët fillimisht, e më pas dhe me Serbinë. Natyrisht se në rast të verdiktit refuzues, pozita do të merrte një goditje të rëndë publike; por kjo është brenga më e vogël që vendimmarrësit duhet të kenë aty.

Por çfarë ndodhë sikur refuzimi i Asociacionit – siç është tani – të mos ndodhë nga Kushtetuesja? Çka nëse Kushtetuesja, për shkak të kapjes, apo thjeshtë për shkak të një argumentimi që kundërshton bindjet refuzuese, përfshirë dhe ato që i provova ti shtroj këtu, konsideron të trajtoj Asociacionin si Kushtetues.

Këtu ka tri alternativa. E para, që pozita të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, për t’i ikur përplasjeve të mëtutjeshme; dhe për të shfrytëzuar refuzimin qytetar ndaj mjeteve të opozitës. Këtu, veçse, do të krijohej një precedant i ri, ku dhuna parlamentare e pakicës, përkundër një teme që merr legjitimitet të organeve më të larta kushtetuese, dëshmohet mjet i suksesshëm; alternativë e mirë për secilin rast tjetër.

E dyta, që opozita të vazhdojë me dhunë – me të gjitha mjetet. Në këtë pikë, të gjithë përkrahësit ndërkomëbtarë, ata diplomatik nëpërmjet ambasadave dhe ata ushtarak nëpërmjet KFOR-it, do të shtyjnë përfaqësuestit e Republikës në arrestimin e ndalimin e secilit dhunues të institucioneve. Me këtë do të testohet edhe aftësia e institucioneve në ekzekutimin e vendimeve ndaj njerëzve të fuqishëm në vend. I gjithë ky proces natyrisht se do të shtojë përplasjet; deri në bërjen e viktimës së parë. Pjesa tjetër nuk ka më rëndësi. Do të jetë lëmsh.

E treta, që opozita, përkundër refuzimit të Kushtetuesës, të argumentojë mbi motivet e kapjes e të kërkojë përkrahje qytetare. Kjo përkrahje duhet të bëhet jo me dhunë, por duke bërë pikërisht të kundërtën e  dhunës; me shumë qetësi. Tubimet e qeta dhe të pandërprera, refuzimet e pjesëmarrjeve Parlamentare, pra bojkotimet e jo bllokimet, konsolidimi i refuzuesve e shfaqja e një fytyre krejt tjetër, më të sigurtë për qytetarët, më bindëse për votuesit, mund të nxisë përkrahje – nëse përkrahjen kanë ndonjëherë qëllim këta. E nëse përkrahja nuk vjen as atëherë, dhe kjo ka shumë rëndësi, atëherë kauza mbetet e humbur përkohësisht, por mund të adresohet sërish; kur kjo opozitë të vjen në pushtet. Atëherë të angazhohet për ndërtimin e alternativës politike, që përbën edhe rishikimin e marrëveshjes gjithsesi, të angazhohet për zgjedhje të reja; që janë vetëm dy vjet larg.

Por pikënisja e tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga Kushtetuesja nga të dyja palët; dhe ulja për një koncensus nacional se si të vazhdohet më tutje, pas vendimit të saj.