Friday 31 March 2017

VENDIMET E MËDHA, POLITIKAT E VOGLA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 MARS 2017

Mbi ushtrinë, demarkacionin e asociacionin


-1-

Do të duheshin pak ditë, një vizitë e a dy, për të kthyer propozimin e Presidentit prapa nga ku kishte nisë; në strofullin e dorëzimit e mosbërjes; siç rëndom ndodhë gjithnjë. Një përpjekje unilaterale për bërje të ushtrisë ishte parë gjithnjë nën dioptrinë e përvojës së deritanishme provokuese që Presidenti i sotshëm, në të shkuarën e tij, ka përdorur për politikë. Mjeshtër i prodhimit të temave të mëdha, të përcjella me politika të vogla nga ai; pa progres e ndryshim gjithnjë.

Gjithsesi, temat e mëdha mbesin. Dhe, ushtria, mbetet megjithatë temë e madhe – me ose pa tendencën e presidentit për ta bërë material për fletushkën zgjedhore të partisë së tij (“ish” parti nuk bën dallim). Si temë e madhe që është, ushtria kërkon edhe reagim të madh politik. Kjo madhësi reaguese mund të vijë vetëm me bërjen e zërit një të shumicës shqiptare në vend dhe, nga aty, shtrimin e kërkesës për qartësim kohor të durimit që Kosova duhet të ketë. Koha, në të vërtetë, ka qenë dhe kërkesa thelbësore e promovuesit e sponzorizuesit kryesor të mbrojtjes sonë – të Qeverisë Amerikane.

Të mos harrojmë, transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë platformë e deklaruar dhe shkruar gjatë sesionit dëgjues të Sekretarit të Mbrojtjes në SHBA, gjeneralit Mattis. Pra, thënë ndryshe, ka një politikë zyrtare amerikane, të mirëdeklaruar për domosdoshmërinë e transformimit. Mbi të gjitha, ka një presion në rritje në qëndrimet individuale bipartizane në senatin e kongresin amerikan për këtë transformim. Pra përfundimi është i vizatuar. E pa vizatuar mbetet megjithatë rruga që duhet arritur në këtë përfundim.

Kjo rrugë mund të vizatohet mirë, në Kosovë, po pat një lidership të mirë. Kosova, tek Presidenti partiak, këtë liderhsip s’mund ta gjejë. Sepse, siç dhe dëshmoj pikërisht ky trajtim i çështjes së ushtrisë, Presidenti në rastin më të mirë mund të bëjë vetëm një asist zgjedhor për partinë e tij.

Por vizatimi i mirë duhet të bëhet nga faktori politik shqiptar, mbështetur nga të tjerë apartiak, në dhënien e zërit si një. Kjo dhënie e zërit do të nisë domosdo një kundërofertë; një pako ofruese të sponzorëve tanë si përgjigje ndaj insistimit tonë të drejtë – që në fund përkon me deklarimin zyrtar amerikan. Kjo pako, madje pat dhe një emërtim që u shpërfaq në vizitën e fundit të zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan Yee; u quajt udhërrëfyes. Pra ka një rrugë e një rrëfim që duhet ndjekë, e që në thelb ka të bëjë me një periudhë kohore për bisedimin e bindjen e serbëve lokal. Pasja e kohës nënkupton dhe fundin e insistimit e kalimin eventual në alternativë – në ndryshime ligjore nëse bindja nuk ka sukses. Një marrëveshje e tillë mund t’i jap rrugë bërjes së ushtrisë brenda vitit 2017.

-2-

Ushtria është tema e parë e madhe në vend. E dyta, jo më pak e vogël, gjithsesi më e vjetër, mbetet ajo e liberalizimit. Këtë javë, sa për rikujtim, mbi 10 milionë Gjeorgjianë morën lëvizje të lirë nëpër Evropë. Fati i vizave tët tre ishte nisur në një pako me fatin tonë. Gjatë rrugës, politikanët tanë ishin ngërthyer keq në një temë caktimi kufiri.

Sot, Kosova duket shumë larg marrjes së vizave. Jo sepse ka pengesa shtesë nga evropianët, pro sepse janë të frikësuar deri në palcë për konsekuencat e tërheqjes nga pozitat të mirë themeluara tash e  dy vjet. Natyrisht se evropianët mbajnë hisen e tyre të fajësisë për trajtimin e padrejtë të kosovarëve me krijimin e kritereve si për asnjë vend tjetër rajonal. Por, në fund të ditës, po që se rregullat e shtëpisë duhet respektuar nga mysafirët, sado të padrejtë të njëjtat të jenë, neve, mysafirëve s’na mbetet tjetër alternativë.

Vazhdimi i përplasjes e mosvotimit rrezikon, natyrshëm, liberalizmin tonë jo për pak kohë; e rrezikon atë për shumë vjet. Mos të harrojmë, në vitin 2008 Maqedonia ishte në rrugë të mbarë anëtarësuese për në BE; veç një hap larg NATO-s. Atëherë, çështja e emrit dhe përplasja me Greqinë kishin nisur një betejë të brendshme që s’ishte zgjidhur asnjëherë. Sot kjo betejë duket krejt e pakuptimtë përballë kostos së krijuar që nga atëherë. Pritjet, sikurse tek ne, kishin qenë në dorëzimin e kërkesave evropiane. Ky dorëzim s’kshte ndodhë asnjëherë. Gati dhjetë vjet më pas, Maqedonia përveç se është shumë larg NATO-s e BE-së, është shumë afër diktaturës e autoritarizmit të plotë. Në një situatë të tillë mund të mbesim dhe ne. Rrokullisja nëpër shkallët e degradimit është vetëm një hap prapa nga ne.

Prandaj na duhet një lëvizje e shpejtë. Na duhet një përmbyllje e procesit përkundër dallimeve që mund t’i kemi sot nëpër parti.

Një marrëveshje gjithë palëshe shqiptare me vendin fqinj – Malin e Zi – do të mund t’i hapte dy rrugë për një zgjidhje, përfundimin e demarkimit. Rruga e parë, nëpërmjet marrëveshjes me  fqinjët për riverifikim të kufirit në bazë të komisioneve të përbashkëta vlerësuese. Rruga e dytë, ndërsa, me vazhdimin e kontestit dhe dërgimin e tij në arbitrazh. Në fund të ditës, Mali i Zi, tashmë vend gati anëtar i NATO-s, është ndër aleatët tanë më të afërt në rajon. Si i tillë, i njëjti, do të ishte i interesuar për më shumë stabilitet në vendet pro-perëndimore, siç është Kosova, për të amortizuar secilën përpjekje ruse e serbe për destabilizim.

-3-

Asociacioni do të jetë tema e tretë e madhe në vend. Presionet për formimin e tij, mesiguri si këmbim të lëvizjes së lirë e bërjes së ushtrisë, do të nisin në vazhdimësi. Kosova, për bazë, ka vetëm një interpretim kushtetues të asociacionit, që bën në parim të vdekur marrëveshjen mbi parimet të nënshkruar më 25 gusht. E bënë të vdekur sepse ky interpretim e heq asociacionin nga kompetencat ekzekutive, e largon nga karakteri i nivelit të mesëm qeverisës, dhe mbi të gjitha e mbanë si jokushtetues në karakterin e tij monoetnik.

Pra vendimi i kushtetueses është garancë e mjaftueshme – në teori – për hapin tjetër në vijim. E hapi tjetër në vijim do të ishte ndërtimi i një statuti në vijë me këtë interpretim.

Presione te kërkesat natyrisht se do të jenë të ndryshme. Në praktikë, për dallim nga teoria e garantuar nga kushtetuesja, klasa jonë politike mund të bëjë dhe lëshime të tjera përkundër interpretimit kushtetues. Në fakt, të njëjtit kishin bërë lëshim drastike, në 23 pika, të marrëveshjes së parë. Do ta bëjnë sërish për motive të mosdijes e këmbimit të pushtetit me kompromis.

Prandaj, edhe këtu, do të ishte e udhës formimi i një komisioni gjithë partiak, që do të hartonte strukturën e statutin e asociacionit; tipik me një statut të një trupi joekzektuiv e plotësisht kushtetues, siç kishte vendosur kjo kushtetuese. Më pas, ky statut, do të duhej të dërgohej për riverifikim në kushtetuese. Po të kishte pak vullnet politik pushteti, draftimin e këtij statutit, konform interpretimit të kushtetueses, do tua linte në dorë ekspertëve të zgjedhur nga opozita.

Përfundimi i këtij procesi, do t’i jepte fund trajtimit të temave të mëdha e të pazgjidhshme, që papërgjegjësia e klasës osnë politike në vazhdimësi u ka dhënë jetë. Fundi i këtyre temave do të bënte Kosovën me ushtri, qytetarët e saj me lëvizje të lirë, e pakicat kombëtare me një organizatë joqeveritare, siç dhe definohet në Kushtetutën e kësaj Republike. Do të ishim përfundimisht më të lirë.



Monday 27 March 2017

NJË TREGIM ALARMANT: PABARAZIA E GRUAS NË NUMRA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 MARS 2017

Ka mbi një dekadë që merrem me adresimin e numrave me interes publik. Si ekonomist, jam interesuar gjithnjë nga tregimi që numrat sjellin në vete. Siç e ndërtojnë më pas, këta numra vet, një fotografi të tërë të paternit shoqëror. Por, në llogaritjen e numrave, një grup i tyre, në veçanti, ka dhënë në vazhdimësi fotografi alarmante; fare të këndshme. Ai i gjendjes së gruas në punësim e aktivitet ekonomik.


-1-

Do të mjaftonte një vështrim i shpejtë e i thjeshtë mbi historikun e tranzicionit tonë ekonomik, këtë të 17 viteve të fundit, për të kuptuar se në thelbin e ecjes tonë qëndron pabarazia. Pra në parime të pabarazisë trajtuese është e ndërtuar kjo shoqëri e jona.

Sepse, kur shikon nga puna e tatimeve kupton pabarazinë në pagesën e tyre. Kur shikon çështjen e dënimeve, kupton pabarazinë në shqiptimin e tyre. Kur shikon paranë publike kupton pabarazinë në shpërndarjen e tyre. Kur shikon punësimin publik, kupton pabarazinë në pranimin e individëve. Lista e pabarazisë trajtuese të qytetarëve kosovarë është e gjatë.

Por, në gjithë mozaikun pabarazues, ka një të tillë që dallohet e veçohet më shumë. Kjo pabarazi kalon përtej tatimeve, dënimeve, parasë e punësimit publik. Është uniforme për një grup të tërë, shpërndarë tek të gjithë. Është e qartë, shumë e qartë, se pabarazia më e madhe e krijuar dhe mirëmbajtur në vend vazhdimisht, ka karakter gjinor. Është pabarazia ndaj gruas.

Nëse ka një pabarazi në trajtimin e tatimeve, do të ketë një shtesë në trajtimin gjinor brenda trajtimit të tatimeve. Nëse ka një pabarazi në shpërndarjen e parasë publike, do të ketë një veçim shtesë për gratë brenda trajtimit shpërndarës të parasë. Nëse ka një pabarazi në punësim për të gjithë, do të ketë një shtresë tjetër më shumë për gratë në veçanti.

-2-

Ka mbi një dekadë e gjysmë që merrem me adresimin e numrave me interes publik. Si ekonomist, jam interesuar gjithnjë nga tregimi që numrat sjellin në vete. Siç e ndërtojnë më pas, këta numra vet, një fotografi të tërë të paternit shoqëror. Por, në llogaritjen e numrave, një grup i tyre, në veçanti, ka dhënë në vazhdimësi fotografi alarmante; fare të këndshme. Ai i gjendjes së gruas në punësim e aktivitet ekonomik.

Sot, në Kosovë, plot 81% e grave të moshës së punës janë joaktive. S’marirn pra pjesë aktivisht në treg të punës hiç. Thënë ndryshe, rrinë në shtëpi. 474 mijë gra kosovare të moshës së punës rrinë në shtëpi. Për ta përkthyer këtë përbërje në një udhëtim autobusi, nga të gjithë rreshtat e tij, vetëm udhëtaret në ulëset e rendit të parë do të ishin aktiv. Gjithë të tjerat do të ishin jo aktiv. Po të kishte qenë ky autobus i mbushur me burra, ndërsa, dy të tretat e tij do të ishin aktiv. Vetëm 39% e meshkujve, për dallim nga 81% i grave janë joaktiv.

Joaktiviteti kaq i lartë i grave në moshë punë është alarmant për Kosovën. E vë vendin tonë në pozitë shumë më të rëndë krahasuar me rajonin. Në rajon, në Serbi, Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, vetëm 52% të grave janë joaktive. Pra, gati sa gjysma e vendit tonë. Kosova vendoset shumë më keq krahasuar me gjithë Evropën. Madje, vendoset keq po u krahasua edhe me gjithë Amerikën Latine, gjithë Afrikën e pjesën më të madhe të Azisë.

Për ta thënë më thjeshtë, janë vetëm 5 vende të tjera në botë që kanë kaq shumë gra joaktive sa Kosova; 4 prej të cilave janë në gjendje lufte. Siria, Iraku, Palestina e Afganistani kanë normë joaktiviteti të gruas prej 85%; vetëm 3 pikë më shumë se ne. Gjendja e Kosovës, në këtë fushë, është e barabartë me gjendje lufte.

Arsyeja prapa një joaktiviteti të tillë? 59% e grave që janë joaktive konsiderojnë se janë punët e shtëpisë e përkujdesit ndaj familjes që kanë parandaluar aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave të “Riinvestit”, një grua e punësuar, në mesatare, kalon nga 3 deri në 4 orë të tjera shtesë në “punë të shtëpisë”. Praktikisht, kalon dhe një gjysmë orari shtesë pune në shtëpi. Për gratë jo aktive, puna në shtëpi është “punë me orarë të plotë”.

Kërkesat shtëpiake janë një arsye. Pasiguria eventuale në punë – punë që këto gra se kanë kurrë – përbën arsyen e dytë. Të dekurajuara skajshmërish; rrjedhimisht jo aktive. Për pjesën e dekurajimit do të flas më vonë.

-3-

Joaktiviteti alarmant përbën një problem. Shqetësues, i rëndë, i papranueshëm. Por, aq shqetësues, aq i rëndë mbetet dhe raporti i punësimit përbrenda atyre grave që megjithatë, përkundër gjithë pengesave shoqërore, kulturore e historike, kapërcejnë barrierën e joaktivitetit.

Nga ato 19% gra që janë aktive, pak më shumë se gjysma punojnë. Një e treta e tyre mbesin të papuna. Pra, përkthyer në numër të gjithmbarshëm të grave në Kosovë, vetëm 12% e gjithë grave në moshë pune, punojnë në Kosovë. Në shembullin tonë të autobusit, vetëm dy ulëset e para punojnë.

Por një proporcion i tillë s’vlenë për burra. Burrat, që janë në numër përafërsisht të njëjtë sa gratë, përveç se janë më aktiv janë edhe më të punësuar. Në numra të gjithmbarshëm, plot 46% e burrave janë të punësuar. Katërfish më shumë se gratë. Një vend pune për gruan, katër vende pune për burrat. Një raport si ky tregon mjaft për këtë shoqëri tonën. Për atë se ku është, dhe mbi të gjitha se çfarë humbë nga humbja e gjysmës së popullsisë së saj.

-4-

Pabarazia ndaj gruas nuk përfundon me kaq. Ato 12% të grave të moshës së punës që punojnë, rreth 76 mijë sosh, kanë kontrata më të rënda, më afatshkurta, më pak kompenzuese e shumëherë më të pasigurta. Për punën e njëjtë, për vendin e njëjtë të punës, për angazhimin e njëjtë, një grua paguhet më pak se një burrë. Sot, përderisa një burrë i merr 1 euro, për të njëjtin vend, po pat fat të zë të njëjtin vend natyrisht, një grua i merr 93 cent. Mbi 70% e grave të anketuara në Kosovë tregojnë se, përkundër nivelit të njëjtë të edukimit e kualifikimit, ato paguhen më pak se sa partnerët e tyre.

Një shqetësim tjetër, në rritje madje, është përhapja e kontratave afatshkurta – në veçanti për gra. Vetëm 7% e grave të punësuara në Kosovë – në sektorin privat – kanë kontratë më të gjatë se një vjeçare. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 90%, që kanë një kontratë pune, kanë afat më të ulët se 10 mujor të vlefshmërisë. Kontratat e tilla, nën 1 vjeçare, ndërtohen për t’iu shmangur qëllimisht kontributeve eventuale që ndërlidhen me ligjin e punës dhe pushimin e lindjes. Përkujdesi për fëmijë sot vlen vetëm për gra. Prandaj, 80% e grave të punësuara në sektorin privat janë të brengosura se mund të humbasin vendin e tyre të punës në vitin në vijim.

Dhe është pikërisht kjo pasiguri, kjo pabarazi, që bën një përpjekje për aktivitet të gruas tërësisht joatraktiv.

Për paradoksin më të madh, kjo pasiguri është ushqyer në vazhdimësi nga ligji i punës, në veçanti nga ligji mbi pushimin e lindjes. Shteti i Kosovës, nisur nga një qëllim krejt i mirë, nuk ka hesapuar fare dy elemente të rëndësishme që rëndom ndërlidhen me implementimin e ligjit. I pari, me koston që i njëjti implikon në sektorin privat. I dyti, me paaftësinë e shtetit për të mbikëqyrur implementimin e tij. Së këndejmi, një ligj i tillë, që funksionon në mënyrë perfekte në sektorin publik, është i paimplementueshëm në tërësi në sektorin privat.

-5-

Mos të harrojmë, pjesa më e madhe e grave, dhe burrave pa dallim, janë të punësuar në sektor privat, jo publik. Dhe në sektorin privat, të pambikëqyrur në tërësi, fillon trajtimi i pabarazisë së gruas – ndaj vet gruas – këtë herë të asaj të punësuar në sektorin publik.

Pra, në secilin tregues e matës, ka dallim enorm në mes të dy grave të punësuar anë dy sektorë të ndryshëm; privat kundrejt atij publik.

Për shembull, ndër të tjerash, sipas të dhënave të anketës së Riinvestit me gra të punësuara në Kosovë, një grua në sektorin privat punon mesatarisht 6 ditë në javë; ndërsa një grua në sektorin publik punon 5 ditë në javë. Pra, një grua e punësuar në sektorin privat punon 20% më shumë se sa një grua në sektorin publik. Përkundrazi, kompensimi i saj është konsiderueshëm më i ulët se sa puna për publiken. Sërish, sipas te dhënave të konfirmuara, një grua në sektorin privat paguhet 30% më pak se sa një grua në sektorin publik.

Apo, në rastin tjetër, rreth 17% e grave të punësuara në sektorin publik punojnë më shumë se 10 orë në ditë; por plot 31%, pra dyfish më shumë, të grave në sektorin privat punojnë më shumë se 10 orë në ditë. Për më tepër, ky angazhim mbi normë s’paguhet asnjëherë në sektorin privat. Në atë publik mbajnë dhe mëditje.

Plot 45% e grave të punësuara në sektorin privat punojnë gjatë festave zyrtare. Gratë e punësuara në sektorin publik shfrytëzojnë jo vetëm pushim vjetor e festat zyrtare, por shfrytëzojnë dhe pushimin “shëndetësor”, secilën ditë madje të tij. Pushimi shëndetësor në sektor privat është i papagesë.

-6-

Joaktiviteti i gruas, punësimi i ulët i saj, trajtimi i pabarabartë në mes të burrave e grave në pagesë e kompensim, si dhe, mbi të gjitha, pabarazia trajtuese në mes të gruas në sektorin publik e asaj në sektorin privat, janë indikatorë të qartë, gjithsesi të trishtë, mbi ngecjen shoqërore tonën. Vendi ynë nuk arrin të trajtojë gjysmën e qytetarëve njëjtë. Dhe përderisa s’trajtojmë gjysmën tonë njëjtë, humbim gjysmën e potencialit ekonomik, ndërmarrës e të punës. Jemi gjithmonë gjysmë potenciali prapa.

Ka disa faktorë të rëndësishëm, dhe të domosdoshëm, që kjo shoqëri duhet ndërmarrë në vijimësi, për të kthyer atë “gjendjen tonë të luftës”, të krahasimit me vende në gjendje lufte pra, në një normalitet. Natyrisht, shumica e tyre kanë të bëjnë me modernizimin e familjeve kosovare dhe largimin e gruas nga mbajtja zënë me orar të plotë e gjysmë orari shtesë të punës, në shtëpi. Mesiguri sistemi më i avancuar edukativ, hapja e çerdheve e qendrave të përkujdesjeve për fëmijë, sidomos nëpër zonat rurale, do të riaktivizojë gruan përsëri.

Por mbi të gjitha, ka një masë që është e pazëvendësueshme, e ajo ka të bëjë me bërjen atraktive të vendit të punës për gruan. Ky atraktivitet nuk mund të ndërtohet me 6 ditë pune në javë, as me mbi 10 orë pune në ditë, hiq se hiq me pagesë më të ulët e në fund dhe me kontratë të pasigurtë që ndërlidhet me gjendjen e lindjes. Ky atraktivitet, ka të bëjë, madje, me bërjen e mu të kundërtës.

Së pari, me ndryshimin e ligjit të punës, në veçanti me futjen e pushimit prindëror në Kosovë. Pushimi prindëror do të nënkuptonte nisjen e përkujdesit atëror ndaj fëmijës – thënë ndryshe, marrjen e pushimit të lindjes dhe nga etërit, jo vetëm nga nënat. Mbi 95% e nënave besojnë se pushimi prindëror duhet të ndahet në mes të dy prindërve. Po aq nëna besojnë se të dy prindërit mund të kryejnë njëjtë punën e përkujdesit fëmijëror.

Kam dëgjuar në vazhdimësi se Kosova s’është Skandinavi. Por Kosova s’mund të jetë as Siri, as Palestinë e as Irak e Afganistan. Dhe nëse na duhen masa radikale për ndryshim të normave shoqërore, atëherë pse mos ti marrim masat e tilla menjëherë. Ndarja e pushimit në mes të prindërve do ta bëjë ndarjen e kostos në punësimi gjinor. Pra, për sektorin punësues privat, eventualisht do të bëhet e njëjte marrja në punë të një burri e të një gruaje.

Së dyti, jo më pak e rëndësishme, Kosova duhet t’i rrisë kapacitetet vëzhguese të implememtnimit të ligjit të punës. Sado që të duket klishe, me nivelin e tanishëm të inspektimeve, secila kontratë e secili ligj, ka gjasa zero të implementohet. Implementimi i kontratave e ligjeve mund të rrisë koston e biznese; rritje e cila më pas do të reflektohet dhe në çmime të tyre; çmime të cilat më pas do t’i paguajnë të gjithë qytetarët në vend. Por, një avancim i gruas në shoqëri është çmim që duhet paguar të gjithë. Përndryshe do të mbesim naiv po besuam se rimëkëmbja jonë mund të ndodhë me një gjendje të gruas si kjo.



Monday 20 March 2017

KOKËÇARJA BALLKANIKE NË RIDEFINIMIN EVROPIAN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 MARS 2017

Mbi domosdoshmërinë e transformimit të politikës evropiane, si parakusht për paqen në Ballkan.

-1-

Lëvizjet e fundit individuale, të çakorduara e konflkitueze mjaftë në Ballkanin Perëndimor, janë rrjedhojë e një paqartësisë të akumuluar të rrugës së secilit shtet drejt proceseve Evropiane. Në të vërtetë, me gjithë paqartësinë e shfaqur e të kristalizuar për disa vite tashmë – me gjasë shumë pa ndonjë zgjidhje deri në vitin 2025 – Evropa ka mbyllur për një kohë të gjatë dyert e saja integruese; ka hapur ato të paqartësisë e kokëçarjes më shumë.

Kjo mbyllje dyersh, e përnjëhershme pra, ka vënë gjithë pritjen, tolerancën e durimin e shteteve të Ballkanit në fund. Dhe, në këtë fund të pritjes, kanë nisur çarjet e tregtuara më parë për një ëndërr të dhënë evropiane. Për të qenë të sinqertë në plotni, i gjithë Ballkani Perëndimor kishte mbajtur veten mbarë jo pse besonin njëmend në mbarësinë e përbashkët. S’mund të ndodhte një transformim i tillë kaq shpejtë; shumë pak vite pas luftërave të përgjakshme – sidomos jo kur në shumë pushtete të vendeve të Ballkanit, elitat e luftërave të përgjakshme ishin ende në pushtet.

Në këmbim të liberalizmit, evropianizimit, e bashkëjetesës rajonale, qytetarët e Ballkanit Perëndimorë kishin marrë një premtim. Premtimi dukej i mirë, i këndshëm –  i tregtueshëm lehtë me denacionalizim. Anëtarësim në BE; në një treg ekonomik të fuqishëm, me një standard jetese të shëndoshë, me ligj e siguri gjithashtu në këmbim. Pa luftë, pa krizë. Ishte një parajsë në pritje.

Kriza financiare, kriza e refugjatëve, sulmet terroriste, incidentet e antiglobalizmit e “iliberalizimit”, kishin nisur një erë të re në Evropë, lindjen e ekstremeve të djathta e të majta pa dallim. Të dy ekstremet kishin një synim, rrënimin e sistemit Evropian. Një synim i tillë, kombinuar me një divorc me Britaninë; me një rritje të vazhdueshme të pavërejtshme të Rusisë; dhe me një paqartësi të paprecedentë të prodhuar në Amerikë, kishin kthyer projektin evropian në defensivë. Në defensivë ishte dhe prospekti i rritjes e zgjerimit. I shuar, ishte këtu, edhe premtimi për rritje në Ballkanin Perëndimor.

Për Ballkanin ngurrimi do të thoshte se pazari ishte prishur tashmë. Së këndejmi, tregtimi alternativ veçse kishte nisë.

-2-

Në Maqedoni, bllokimi i emrit kushtetues kishte djegur si letër gjithë rrugëtimin e bërë me mund. Emri, kishte ndalë dhe procesin integrues në NATO. Përballë një dështimi të dyfishtë integrues, elita politike e atjeshme kishte gjetur nacionalizmin si alternativë. Pasi kishte rrënuar mendimin e lirë, kishte mbyllur e përndjekur dhe mediat e lira, kishte vënë nën kontroll secilin agjension e trup publik, kryeministri i atjeshëm, diktatori në bërje Gruevski, ishte kthyer kundër shqiptarëve. Sot ky nacionalizëm është i kulmuar dhe promovon, nëpërmjet kapjes, anti-shqiptarizëm racist. Kostoja e një flirtimi të tillë mbanë emrin konfliktit e ndarjes.

Në Shqipëri, transformimi post-tranzicional, nuk kishte nisur mirë asnjëherë. Në të vërtetë, lufta e filluar për shuarjen e Lazaratit kishte përfunduar në shpërndarje të narkotikëve në gjithë vendin më pas. Sot, Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i korruptuar dhe më i kriminalizuar në Ballkan; prodhues i narkotikëve në nivele të njëjta si më parë. Vazhdon, për të keqen, të ketë një elitë politike të ndërlidhur çuditshëm dhe pa marre me krim; një opozitë që s’është hiç më e mirë. Si refuzuese e reformave juridike e ligjore, Shqipëria s’është dhënë e parë asnjëherë si kandidat serioz për tavolinën evropiane. Tendenca, ndërsa, për të paraqitur veten si stabilizues në Ballkan – në kurriz të fqinjëve në Kosovë – e më ketë dhe fituar një kartë të re vëmendjeje nga jashtë, i ishte zhvlerësuar shpejtë nga partneri tjetër në Beograd. Me një tren të vetëm madje. Shqipria s’ishte as hija e një stabilizatori ballkanas.

Në Kosovë, procesi integrues ka qenë i komplikuar me fillim. Mosnjohja nga pesë shtetet anëtare dhe dështimi i vënies së presionit mbi to nga anëtarët shumicë, kanë nisur një proces paralel të integrimit të Kosovës. Ky paralelizëm ka qenë në thelb improvizues, me idenë se kohëzgjatja e pritjes për ndryshim të mendimit për njohje duhet të shërbejë si kohë për bërje të reformave dhe ndërtimit të shteti ligjor në Kosovë. Por rrugëtimi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i vonshëm; edhe në një çështje teknike sikurse liberalizimi, por edhe në marrëdhëniet kontraktuale sikurse MSA-ja. Përveç kësaj, Kosova është futur edhe në një proces tjetër të improvizuar; në normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Sërish, në të njëjtën logjikë, pakoja e mendimit parashihte afrimin e dy vendeve deri në kohë e ndërrimit të qëndrimit në Beograd. Çfarë evropianët nuk kishin kuptuar asnjëherë ishte se, një, ky improvizim do të sillte më shumë largim në mes të vendeve se sa afrim – gjithmonë sepse i njëjti do të përdorej nga Beogradi për të ushqyer nacionalizmin për vota atje; dhe dy, se koha do të punonte në kundërshtim të gjithë projektit evropian. Sot, Kosova mbetet pa ndonjë pako në pritje përtej MSA-së, dhe mbi të gjitha pa liberalizim të vizave. Madje, çështja e ndërlidhjes së liberalizimit të vizave është bërë kusht i një beteje krejtësisht të brendshme politike; që bën zgjidhjen e problemit dhe më të rëndë.

Në Serbi, vendin e krimit, mafisë e rritjes së kontrollit ndaj medias e shoqërisë së lirë, dialogu i improvizuar me Kosovën ka qenë në vazhdimësi ushqim për votat nacionaliste; kurrë për ndryshim. Në këmbim të nënshkrimeve të marrëveshjeve që s’ishin implementuar asnjëherë, Beogradi kishte hapur kapituj mbas kapitujve me BE-në. Madje, paradoksalisht, në ditën e vizitës së kryeministrit serb në Gjermani, nga ku dhe u dhanë lavde për ecjen evropiane të Serbisë, një ministër tjetër i tij, bënte homazhe tek varri i “kasapit të Ballkanit”, Millosheviq. Pasqyrë e saktë e mendësisë reale, të pa fshehur, të Serbisë. Serbia nëpërmjet flirtimit me Evropën ka arritur të shndërroje veten në faktor destabilizues në Kosovë; faktorizim që, fatkeqësisht, mund të nisë një cikël dhune e konflikti në gjithë rajonin lehtësisht. Por flirtimi me Kosovë s’është i vetmi në Beograd. Beogradi ka arritur me mjeshtri të fusë shëtitjen në parada ushtarake ruse si letër kërcënimi për Evropën. Përballë një kërcënimi të tillë, sërish me plot improvizim, BE ka lëshuar udhë vazhdimisht. Ky lëshim i udhëve, për fund, kanë sjellë gjithë Serbinë jo në nivel transformimi e ndryshimi, por në nivel të njëjtë mendësie që kishte sjellë bombardimin. Sot, madje, si alternativë e një radikali si Vuqiç, shihet një radikal dhe më i rëndë si Jeremiç. Kaq është alternativa serbe; nga keq në mosvet.

Në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa, mosfunksionimi multietnik i gjithë shtetit ka shndërruar perceptimin evropian ndaj tyre si jofunksional. Jo funksionaliteti, ndërsa, ka ndërprerë secilin rrugëtim të tyre drejt BE-së. Me këtë, një sërë problemesh ekonomike kanë nisur në vend. Me secilin standard, me secilën matje, BeH është e papersepktivë; vatër e ngjalljes së krizave të reja etnike; tavolinë e përkryer për Putin. Në këtë tavolinë ishte nisur dhe referendumi jokushtetues anës serbe të Bosnjës.

I vetmi vend që duket se i shpëton disi ngërçit Ballkanik është ai i Malit të Zi; nëse kapërcimi në NATO bëhet i shpejtë natyrisht. Por kapërcimi në NATO s’i garanton Malit të Zi prosperim evropian. Në fund të ditës, edhe Shqipëria e drogës e krimit ka një anëtarësim të tillë. Anëtarësimi në NATO gjithsesi e shpëton një vend të korruptuar si Mali i Zi nga interesimi rus; rrjedhimisht, nga investimi rus në ndarje e përplasje etnike me serbët lokal atje.

-3-

Pra, martesa e presupozuar e Ballkanit me Evropë duket e largët dhe e vështirë; e mundimshme shumë. Këto probleme, të reja e të vjetra, në bërje e të trashëguara kaherë, po riaktualizohen sërish. Dhe ky riaktualizim veçse do ta largojë Ballkanin Perëndimor dhe më shumë nga dëshira evropiane për pranim. Më pak kokëçarje për Evropën që kërkon ridefinim, është e natyrshme.

Por e panatyrshme është vazhdimi i rrugëtimit evropian sikurse ky tani. Evropa, pasi të qartësoje formatin e vet, qartësim që mesiguri vjen para verës së këtij viti – pra pas zgjedhjeve në Holandë e Francë – duhet të qartësojë një rrugëtim të ri për Ballkanin Perëndimor. Të jap pra një projekt të ri. Dhe ky rrugëtim s’mund të jetë improvizim, siç ka qenë deri më tani, por qartësim mbi parimet e vijave strikte; vija që thonë thjeshtë, se fituesi i merr të gjitha.

Fitues është jo ai që kërcënon me nacionalizëm e me pro-Putinizëm, por që rreshtohet në krah me aleancën Perëndimore. Fitues është ai që shfaqet si refuzues i “iliberalizimti” e mbështetës i Perëndimit. Në këtë klasifikim, le të vendosin popujt rrugët që duhet ndjekë. Të vendosin secili mbi fitoren që duhet të kenë.

Sado i dhimbshëm e i vështirë të duket një rrugëtim si ky, është më i shpejtë dhe më i sigurt për paqe e mirëqenie në Ballkan.Sepse, është e qartë tashmë se alternativa e tanishme e balancimit sjellë krizë e refuzim po u vazhdua si e tillë. Kjo alternativë që sakrifikon vendet pro-perëndimore për kërcënimet e atyre pro-ruse do të përfundojë edhe pa vende pro-evropiane, edhe me plot vende pro-ruse.

Në një rrugëtim rigoroz, ndërsa, Perëndimi do të kuptojë e pranojë aleatët e vet në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë e me shumë gjasë dhe Maqedoni. Do të jetë më e lehtë më pas për reformimin e Serbisë e transformimin e Bosnjës përballë një regjioni krejtësisht pro-Perëndimorë e anti-rus. Mbi të gjitha, një regjion i rikonfirmuar e strikt pro-Perëndimor është më pak fragjil për luftë e konflikt; është dhe më atraktiv për investime, mirëqenie e zhvillim. Sakrifikimi i aleatëve, e inkurajimi i kërcënuesve nuk do të funksionojë asnjëherë mirë.


Thursday 9 March 2017

MBI TRANSFORMIMIN NË USHTRI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 MARS 2017

Kosova natyrisht se duhet të lëvizë gurët e vet, vet. Pra pa pritur shumë. Kosova duhet të sillet si e pjekur, të jetë proaktive e jo reaktive. Dhe proaktivitet është inicimi i bërjes së ushtrisë; të sjelljes së agjendës sonë në tavolinë. Po që e tillë, e sinqertë dhe pa hile kalkuluese, natyrisht.


-1-

Bërja eventuale, përfundimisht, e ushtrisë, do të ishte lajmi më i mirë në kohë shumë. Ushtria, si akt e si formë, do të plotësonte një pjesë të rëndësishme të bërjes së shtetësisë sonë. Në fakt, do të përbënte atë më të rëndësishmen, të sigurisë e ruajtjes së sovranitetit tonë.

Plotësimi i shtetësisë, natyrisht, do të duhej të shihej dhe nga partnerët ndërkombëtarë si akti i domosdoshëm. Mbi të gjitha, si akt jo i negociueshëm me kundërshtarët e shtetësisë sonë. E në negocim, për tri vitet e fundit, partnerët ndërkombëtarë kanë kaluar kohë. Ideja e bindjes së Beogradit, për të bindur më pas Listën Serbe në Kosovë, ishte shterur me kohë. Beogradi, si për shumë gjëra të tjera që lidhen me progresivitetin në Kosovë s’ka asnjë interes të negocioj. Nëse ka, do të negociojë për një kosto që tejkalon përfitimet eventuale të shtetësisë. Si, për shembull, bërja e një njësie të veçantë e të pavarur komanduese, me karakter regjional për Veri, brenda formacionit ushtarak të Kosovës; diçka që në thelb ushqen autonominë e separatizmin në Veri.

Këtë javë kosovarët u gjendën përballë një situate të paprecedentë. Komandanti Suprem i Forcave të Kosovës, Presidenti pra, duke anashkaluar secilin kanal qeverisës, secilin ministër e vet Kryeministrin, kishte dorëzuar tek Kryeparlamentari draftin e një ligji për transformim; draft që, nga shumë ekspertë të fushës u quajt dhe amator.

Reagimi i parë ishte i partnerëve të koalicionit, të cilët s’kishin as më të voglën ide se çfarë po ndodhte. Të zënë në mes të përkrahjes dhe mospërkrahjes, herë e përkrahën, herë e kundërshtuan atë. Në fund s’folën gjë. Por folën të tjerët, ndërkombëtarët rend. NATO-ja dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet dy ambasadave në rajon – Kosovë e Serbi – kundërshtuan këtë nismë. Vuqiç tha se qau me lot, kur kuptoj se sa shumë kanë ndryshuar balancat në rajon – në favor të Serbisë e tha. Presidenti ynë, ndërsa, theksoj se kthim prapa s’ka.

-2-

Tri vite më parë transformimi i FSK-së mund të bëhej me kushtetutë. Për këtë, kosovarët duhej të sakrifikonin edhe një mandat të vendeve të rezervuara për komunitetin serb. Në retrospektivë gjërat ndoshta dhe duken të llogaritura keq. Në retrospektivë pakkush do ta ketë menduar regresin politik të minioritetit serb e ardhjen e një Liste Serbe që nëpërmjet mekanizmave kushtetues për mbrojtjen e pakicës, promovon rrënimin e mosndërtimin e Republikës. Në fakt, është pikërisht kjo qasje e tyre që do të bëjë të pakapërcyeshme përplasjen në të ardhmen. Sot, ushtrisë, mund t’i bëjmë dhe kapërcim për ndërtim. Por kapërcim s’mund t’i bëjmë secilit proces tjetër shtetndërtues që kërkon aprovimin minoritar; aprovim që u është dhënë në mirëbesim për ndërtim të Republikës, jo për rrënim të saj.

Plani i dytë gjithnjë ka qenë amandamentimi i ligjit ekzistues, nëpërmjet së cilit do t’i shtoheshin kompetencat mbi sovranitetit forcës aktuale të sigurisë. Pra, propozimi i nisur rishtazi nuk është alien e i panjohur për kosovarët e ndërkombëtarët njëtrajtësisht. Ka qenë, gjithmonë, alternativë.

Ky amandamentim do të bënte gjithë formacionin aktual të FSK-së, në karakter tipik ushtarak – pa që, emri, që ka fare pak rëndësi, s’do të përkonte me karakterin klasik të emërtimit “ushtri”. Jo pak formacione ushtarake botërore – me nam edhe atë – mbajnë emërtime jo konvencionale. Izraeli, për shembull, që ka ndër formacionet më të fuqishme në botë, mbanë emërtimin “Forcat Mbrojtëse të Izraelit”. Kur jemi te emri, s’kam se si të mos rikujtojë axhaminë e politikëbërjes provinciale tonë. Vite më parë kur ishte paraqitur ideja e emërtimit ”Forcat e Armatosura të Kosovës”, kritika më e madhe – madje edhe nga komandantë e gjeneralë tanë, që natyrisht do të duhej t’i dinin këto gjëra si hiçgjë – nuk ndërlidhej me karakterin e forcave, por me idenë se ky formacion se ka emrin “Ushtri”, Ushtri e Kosovës madje kërkonin specifikisth. Kaq dinin të shkretit. S’dinin të shkretit se sot, pothuajse të gjitha forcat e vendeve të NATO-s, përfshirë dhe ato të SHBA-së e Britanisë, mbajnë emrin jo “Ushtri” por “Forca të Armatosura”. Për këtë kisha shkruar gjerësisht – në kohën e diskutimeve – vite më parë në këtë rubrikë.

Sidoqoftë, emri, s’ka hiç rëndësi. Rëndësi kanë dy gjëra. E para, bërja e saj, e dyta, mbajtja e saj. Ndonëse bërja e saj ka konsumuar kohë të paarsyeshme e pashpjegueshme tash e nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, përfundimi i aktit do të hapte betejën e mbajtjes së saj. Mbajtja e ushtrisë është e kushtueshme. Kërkon mjete financiare buxhetore, që Kosova s’i ka; dhe mbi të gjitha, kërkon partneritet ndërkombëtar me forcat garantuese të sigurisë rajonale – me SHBA-në dhe NATO-n në plan të parë.       

Dhe këtu vjen, gjithmonë, domosdoshmëria e koordinimit ndërkombëtar gjatë fazës transformuese. Secili transformim, pa mbështetje të aleatëve tanë kyç, rrezikon në thelb funksionimin e secilit mekanizëm mbrojtës tonin.

-3-

Transformimi pa ndryshime kushtetuese, ka qenë gjithnjë në agjendë të aleatëve kyç të Kosovës. Jo patjetër të NATO-s. Për shkak të vendeve jo njohëse të Kosovës, NATO-ja në vazhdimësi ka refuzuar ndryshimin e mandatit të FSK-së. Madje, ka kërcënuar se secili ndryshim do të pasonte me ndërprerje të programeve mbështetëse për FSK-në. Si alternativë e një mbështetje të tillë, në agjendën e shteteve sponzorizuese të ndryshimit, ka qenë gjithmonë ndërtimi i relacioneve bilaterale me shtetet individuale.

Pra, sjellja e NATO-s ka qenë e pritshme. E papritshme, dhe madje skandaloze, ka qenë dhe deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Soltenberg, i cili u bënte thirrje “autoriteteve të Kosovës që për këtë çështje të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”. Një qëndrim i tillë, nga një Sekretari i Aleancës, s’përkon me asnjë qëndrim të asnjë vendi që ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Diskutimi i çështjes së ushtrisë me Beogradin është ekuivalent me diskutimin e shtetësisë sonë me ta – të vet pavarësisë. Rrjedhimisht absurd.

E papritshme është, gjithsesi, qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe këtu gjërat fillojnë të komplikohen. Nëse nisma e kosovarëve është bërë pa pëlqimin amerikan; dhe nëse kjo nismë rezulton më ndërprerjen e mbështetjes amerikane për forcat e ardhshme, atëherë llogaritja jonë është e bërë tmerrësisht keq. Sepse, pa një mbështetje të tillë, forca e re e krijuar do të jetë krejt e pavlerë.

Kjo s’do të thotë që Kosova duhet pritur përherë rendet e jashtme për të bërë një element thelbësor si ushtria. Shihni ku na sjellin rendet e jashtme, sikurse kjo deklarata e tmerrshme e Sekretarit të NATO-s për koordinim me Beogradin për ushtrinë. Kosova natyrisht se duhet të lëvizë gurët e vet, vet. Pra pa pritur shumë. Kosova duhet të sillet si e pjekur, të jetë proaktive e jo reaktive. Dhe proaktivitet është iniciimi i bërjes së ushtrisë; të sjelljes së agjendës sonë në tavolinë. Po që e tillë, natyrisht.

-4-

Po qe e tillë, natyrisht, e jo hile politike, e njerëzve që për arsye vetanake janë në gjetje e të gatshëm të rrezikojnë gjithë fatin e vendit tonë.

Nëse ky proces është bërë për të ngritur popullizëm e ndarje me partnerin qeverisës, për të bërë pra një aset për zgjedhje, atëherë ne kemi futur asetin tonë më të çmueshëm në zare partiake. Diçka e pafalshme për ne. Kosova nuk e ka luksin e konfrontimit me SHBA-të e NATO-n; përkundrazi, Kosova e ka për domosdoshmëri mirëmbajtjen e kësaj lidhje para Serbisë.

Nëse ky proces është bërë për të ndezur flakë, qoftë për shkak të ndonjë ndjekjeje speciale, të Gjykatës Speciale, qoftë për shkak të agjendave destabilizuese në vend, atëherë jemi edhe më keq. Jemi në fatin e qejfeve të disave, të gjithë bashkë.

Nëse ky proces është bërë në mënyrë amatorsekse, pavarësisht motivit, dhe rrezikon hedhjen e ligjit poshtë nga Kushtetuesja, atëherë kemi djegur përherë letrën alternativë të SHBA-së për formimin e ushtrisë – vet ligjin. Një ligj i hedhur poshtë nga Kushtetuesja, do të mbyllë përherë një derë të lënë çelë.

Prandaj, është e domosdoshme, që elita politike kosovar të sigurohet për dy çështje. E para, për sinqeritetin e vendimmarrësve në këtë moment, dhe e dyta, për nivelin e mbështetjes për këtë çështje që ka; përtej deklaratave publike natyrisht. Ne mund të mbijetojmë pa ndonjë mbështetje programore afatshkurte të NATO-s, në fund të ditës, përderisa kemi në prapavijë sponzorizimin e SHBA-së. Por s’mund të mbijetojmë, në asnjë mënyrë, të vetëm e pa asnjërën. Do të ishte vetëvrasje.

Komuniteti ndërkombëtar, duhet përfundimisht të ofrojë një rrugë të qartë. Kosova mund dhe të presë shkurtë pjesëmarrjen serbe në këtë rrugëtim, por s’mund të presë e të tolerojë në pafundësi refuzimin e qartë e publik të serbëve në Kosovë. Në një situatë të tillë, s’mund të ketë anim nga refuzuesit e shtetësisë. Nëse pritja është e pafundme, atëherë kosovarët s’kanë për të pritur pafundësisht.



Monday 6 March 2017

LOJA E MAQEDONISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 MARS 2017

Albanofobia e shpërfaqur në nivelet më të larta politike atje, duhet të shërbejë në radhë të parë si këndellje e përhershme për partitë politike shqiptare që ushtrojnë veprim në Maqedoni. Bërja bashkë e tyre ka qenë arritja më e madhe e shqiptarëve në një vend që tregon dhe haptas se nuk i do. Qëndrimi bashkë, rrjedhimisht, është domosdoshmëri. Veç kështu, assesi ndryshe, një aparat racist mund të bjerë.

-1-

Për shumë anë, rasti i kapjes së pushtetit në Maqedoni replikon kapjen e 2014-ës që ndodhi në Kosovë. Njëjtë, sikurse këndej, numrat e shumicës s’bëjnë shumicën. Njëjtë, sikurse këndej, i gjithë aparati institucional – i kapur natyrisht – duhet të prodhojë ndalje të ndërrimit të pushtetit. Tek ne nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, tek ata nëpërmjet Presidentit.

Për dallim nga Kosova, në Maqedoni, kapja e ndalja kanë për barrë shqiptarët etnik. Arsyetimi i kapjes e ndaljes ushqen gjuhën raciste e të urrejtjes ndaj një të tretës së popullsisë atje. Fillimisht nëpëmrjet protestave raciste e ultranacionaliste të organizauara nga – deri dje – partneri i shqiptarëve në qeverisje; e më pas nëpërmjet një Presidenti që, në secilin interpretim kushtetues të atjeshëm, do të duhej të ishte i gjithë qytetarëve pa dallim etnik. Por s’është.

Në të vërtetë, vet arsyetimi i tij është monoetnik; kundër shqiptar. Ndalesa bëhet, në shprehjen më të thjeshtë të tij, për shkak të avancimit të çështjes shqiptare në Maqedoni. Thuajse shqiptarët janë alien e imigrant në Maqedoni. Thuajse shqiptarët, shqipja, të drejtat e tyre bazike, s’janë pjesë përbërëse e Maqedonisë.

-2-

Ç’është e vërteta, shteti i Maqedonisë është po aq i maqedonëve sa edhe i shqiptarëve. Dhe këtë konstalacion duhet ta ketë kuptuar lideri social-demokrat Zaev, i cili, me gjithë defektet eventuale, kishte pranuar platformën shqiptare atje. Një pranim i tillë megjithatë jepte shpresë për bashkëjetesë në mes të shqiptarëve etnik dhe shtresave liberale e demokrate nga rradhët e maqedonasve.

Por këto shtresa s’janë shumicë. Dhe sado që premtuese mund të duket një ide e tillë, ajo vazhdon të jetë me gjasa pak. Me gjasa shumë duket të jetë rritja e nacionalizmit në një shtet që për vite të tëra ka ndërprerë në plotni rrugën e integrimit në BE dhe NATO. Në një shtet ku kontrolli i mediave, mendimit të lirë e shprehjes së lirë janë bërë krejtësisht të zakonshme.

Një diktaturë e tillë, në bërje apo e bërë, do të duhej të mjaftonte për shqiptarët të shprehnin pakënaqësi e refuzim ndaj shtetit. Shtimi i racizmit dhe albanofobisë, jep rrugëdalje pak ose hiç. Dhe nuk bëhet fjalë këtu për albanofobi të rëndomtë, të huliganëve e grupeve kriminale që kanë malltretuar shqiptarët etnik nëpër vite; në rrugë, në shkolla, në punë. Bëhet fjalë për institucionalizimin e racizmit në nivelin më të lartë të saj. Tek Presidenca dhe interpretimi kushtetues i të drejtave të shqiptarëve. Sot, me këtë interpretim, të jesh pro shqiptar do të thotë të jesh kundër Maqedonisë. Dhe ky konstatim s’mund e s’bën të qëndrojë.

-3-

Koha kur shqiptarët presin qejfet e kombësive të tjera për të drejtat e tyre është e vdekur. E vdekur do të jetë gjithçka që provon institucionalizimin e racizimit ndaj shqiptarëve në Maqedoni; qoftë shtet apo pushtet ai.

Albanofobia e shpërfaqur në nivelet më të larta politike atje, duhet të shërbejë në radhë të parë si këndellje e përhershme për partitë politike shqiptare që ushtrojnë veprim në Maqedoni. Bërja bashkë e tyre ka qenë arritja më e madhe e shqiptarëve në një vend që tregon dhe haptas se nuk i do. Qëndrimi bashkë, rrjedhimisht, është domosdoshmëri. Veç kështu, assesi ndryshe, një aparat racist mund të bjerë.

Bashkimi rreth shqiptarëve në Maqedoni duhet të ndodhë edhe këndej tek ne. Për këtë pat dy reagime të dy shteteve shqiptare në regjion. I pari, nga një vend i NATO-s, nëpërmjet kryeministrit të Shqipërisë; i dyti nga Kosova, një vend që ndanë e ka ndarë histori shumë me shqiptarët etnik në Maqedoni. Qëndrimet e dy vendeve kishin një ton; s’ka asgjë të keqe në mbrojtjen e shqipes e të drejtave shqiptare në Maqedoni. Secili refuzues i saj është dhe kërkues i destabilitetitit.

Bashkësia ndërkombëtare, çfarëdo që ka mbetur nga ajo, duhet të marrë me shqetësim serioz veprimet populliste e nacionaliste në Maqedoni; por mbi të gjitha reagimin eventual që mund të pasojë. Si një vend fragjil, me influencë ruse për destabilizim e me tendencë atraktive për të sulmuar shqiptarët etnik, pushteti i atjeshëm do të provojë gjithçka. Ky provim i tyre do t’i ndalojë nga të drejtat bazike të zgjedhjes dhe një pjesë të madhe të maqedonasve etnik që megjithatë pranojnë bashkëjetesën si normale. Në frymë të bashkëjetesës e normalizimit të Maqedonisë e gjithë rajonit, presioni ndërkombëtar duhet të jetë i menjëhershëm.

Heshtja eventuale do të thotë tolerancë për destabilizim, futje në qorrsokak. Jo pak herë, jo rrallë herë, Maqedonia është parë si përplasje eventuale e Perëndimit me Rusinë. Një akt si ky, veçse është nisje e përplasjes së tillë. Nisja mund të kalon në përshkallëzim po s’pati ndërhyrje e kërcënim politik për racistët në Maqedoni.