Tuesday 17 November 2009

Sistemi fiskal në Kosovë - Një vështrim pesimist



Sistemi fiskal në Kosovë ndonëse i ri dhe ende i paqëndrueshëm ballafaqohet me ide e sfida nga më të ndryshme. Ndonjëherë këto ide shpesh të kopjuara nga vendet moderne pa analizë mbi gjendjen sociale, ekonomike e politike në Kosovë kanë qenë zanafilla e sfidave shumëdimensionale. Ndonëse arritjet janë të pëlqyeshme për kohën që ky sistem ka marrë që të ngrihet, dobësitë dhe lëshimet prej më të ndryshmeve vazhdojnë të ndodhin. Vendi ynë, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në “përpjekje” për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë. Ndërrimi radikal fillon nga ndërrimet më të vogla, nga perceptimi i vetë sistemit, nga politikat stimuluese dhe përfundon në sjelljen e taksapaguesve dhe dëshirën që ata kanë për të qenë apo jo pjesë e këtij sistemi. Pa qëllim të theksimit të ndonjë problemi specifik brenda këtij sistemi, disa nga të metat janë mjaft evidente dhe nuk kërkojnë angazhim të theksuar për tu zgjidhur. Të tjerat kërkojnë reforma radikale në përmasa gjenerale. Si do që të jetë, nga një vështrim pesimist këto janë dhjetë të metat e sistemit fiskal në Kosovë.


- I -
Eksporti i parave

Kur përfaqësuesit e qeverive të ndryshme në vend paralajmëronin deficit buxhetor në fund të vitit, pritjet për suficit ishin shumë natyrale marrë parasysh eksperiencën e alokimit buxhetor dhe aftësinë për të realizuar projektet e planifikuara. Ndonëse pritjet për suficit ishin mjaft të arsyeshme përkundër planifikimeve dimensionalisht të kundërta, pritjet për eksportim të tij jashtë vendit ishin një veprim shumë befasues. Në kohën kur valët e krizës globale kishin marrë Ballkanin Perëndimor, në mungesë të alternativave ose edhe dëshirës për të dhënë atë vlerë shtese në punë që do të sillte ide më inovative, institucionet tona dërgojnë edhe një vagon me para drejt bankave evropiane. Këtë herë, këto para ishin të taksapaguesve kosovar. Me fjalë të tjera, jo vetëm që këto para nuk u investuan në kohën e duhur për Kosovën, por ato u morën nga tregu i saj, në kohën kur kërkesa për ofertë monetare kishte arritur rekordet e shekullit të ri dhe ju dhuruan evropianeve përkundër thirrjeve të vazhdueshme se Kosova ka nevojë për to. Sot askush nuk din se pse u dërguan ato jashtë, se ku saktësisht ndodhen këto para, sa përfiton Kosova nga to dhe sa është shuma totale e pasurisë tonë të deponuar jashtë vendit.

Thënë thjesht, kosovarit i është pamundësuar investimi i parave të tij meqë është dashur të paguajë obligimet tatimore, më pas këto obligime janë mbajtur për një vit diku në bodrumet e thesarit të Kosovës dhe përfundimisht pa u shfrytëzuar fare janë dërguar në banka e huaja për të marrë një interes simbolik. Nëse institucionet nuk dinë ti shfrytëzojnë paratë e tatimeve, mos ti mbledhin fare meqë tregu din vetë dhe shumë më mirë si dhe ku ti alokojë.


- II -
Komplikueshmëria fiskale

Do të ndiheni mjaft të befasuar kur kuptoni se sistemi tatimor përfiton nga një punonjës me pagë mesatare në Kosovë më shumë se nga një biznes me qarkullim gjysmë milionëshi. Ndonëse një fakti të tillë vështirë mund ti japësh suport ligjor, për shkak të implikimeve të palëve, një bisedë e sinqertë me miqtë tuaj ju sjell në po të njëjtin përfundim. Tani, këto defekte në sistemin tonë asnjëherë nuk kanë gjetur as aprovimin mbi ekzistencën e tyre nga institucionet fiskale dhe si shumë dukuri tjera mbesin sekreti i pathënë publikisht por i pranuar në shoqëri. Pavarësisht kësaj, kur kupton se ekonomia informale në vend sillet rreth 30-35%, se buxheti humb po aq sa mbledh dhe se edhe kur i mbledh bën trajtim me standarde të dyfishta, atëherë sheh se argumentet fatkeqësisht janë në anën tuaj.

Të dhënat në Administratën Tatimore tregojnë se 70% e shumës së inkasuar rrjedh nga një numër shumë i vogël i bizneseve. Për më tepër, me 700 inspektorët tatimorë në dispozicion, kjo administratë nuk mbulon as 8% të 60.000 bizneseve aktive në vend. Kjo matematikë e thjeshtë tregon se realisht pjesa më e madhe e bizneseve as që kanë rënë ndonjëherë në kontakt të drejtpërsëdrejti me inspektorët tatimor dhe se shuma e obligimit tatimor të tyre bëhet thjeshtë në sinqeritetin e tyre dhe në libra pa numër serik që blihen madje edhe nëpër kioska. E në rastet kur ata bien në kontakt, fuqia e trajtimit të dyfishtë nga përfaqësuesit tatimorë është jashtëzakonisht e madhe.

Defekti qëndron në komplikueshmërinë e sistemit fiskal. Kosova ende pa përfunduar mirë ndërtimin e sistemit të ri fiskal ka nevojë për reforma të mëdha. Problemet lindën qysh në fillim kur më tepër u bë imponim i sistemit bazuar në përvojat perëndimore që aspak nuk përkonin me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, me aftësitë e institucioneve financiare dhe përfundimisht me normat shoqërore të kosovarëve dhe mënyrës së perceptimit fiskal. Ligjet u ngarkuan e u mbingarkuan me anekse të veçanta deri në momentin kur sistemi fiskal u bë i pakuptueshëm për shumicën dërmuese të kosovarëve. E kur sistemi mbetet i pakuptuar, kur subjektet nuk kanë asnjë ide se çfarë obligime tatimore duhet të kenë, ose pse duhet ti kenë ato atëherë pritjet për evazion të përmasave tona janë reale. Sistemi fiskal kërkon thjeshtëzim radikal. Kërkon tatime të rrafshëta pa ndonjë përjashtim. Vetëm si i tillë mund të konsiderohet adekuat për rrethanat ekonomike të Kosovës.
- III -
Drejtësia

Ka më tepër se 1 vjet që kur Qeveria e Kosovës vazhdon tu japë paga policëve të suspenduar, me përkatësi etnike serbe të cilët refuzuan ti shërbejnë qytetareve të Republikës së Kosovës për shkak bindjeve të tyre politike. Ka më shumë se një vit që në Kosovë lindën institucione paralele në të cilat punojnë shërbyesit civil që paguhen nga buxheti i Kosovës por i shërbejnë agjendës dhe aktiviteteve të qeverisë së vendit fqinj. Fjalori politik le ti quaj këto sjellje “diskriminim pozitiv të minoriteteve” ose “balancë etnike” në shtetin tonë multietnik. Le ti quaj si të dojë, madje le të gjejë fjali të reja që tingëllojnë bukur politikisht, megjithatë fjalori ekonomik dhe logjik i quan këto asgjë përveç keqpërdorim të drejtës morale të çdo taksapaguesi.

Shteti ynë i ri, me një buxhet të varfër që mezi kalon 1 miliard euro, me nevoja nga më të ndryshmet, gjen luksin që të kompensojë aktivitete të thata. Nuk mendoj se ndonjë taksapagues dëshiron të mbaj në xhepin e vet shërbyes që nuk i kontribuojnë atyre në një formë apo tjetër. Madje, nuk ka vend në botë që një shërbyes civil të paguhet duke mos bërë asgjë. Po sikur një kosovar me përkatësi etnike tjetër të lëshonte policinë e Kosovës atëherë a do të bënte të njëjtën gjë Qeveria? Për Kosovën nuk ka fort rëndësi nëse paguhen apo jo disa policë që nuk punojnë, në fund të fundit shuma e dhënë nuk do të bënte ndryshime epokale. Ka rëndësi parimi dhe trajtimi i taksapaguesve dhe qytetarëve të saj. Ky parim siguron që çdo shërbyes publik të paguhet për kontributin që i jep shoqërisë. Sikur obligimet tatimore të përcaktoheshin mbi parimin e drejtësisë, nuk besoj se ka njeri që mund të kërkonte ligjërisht pagesën e tatimeve nga asnjëri prej nesh. Ne nuk kemi para për ti falur.


- IV -
Huazimet

Huazimet për ndërmarrjet publike janë bërë një praktikë e zakonshme në vend. Korporata Energjetike është përfituesi më i madh i këtyre “borxheve qeveritare” që nga paslufta. Deri më sot ky gjigant i fjetur  ka marrë mbi 1 miliard euro vetëm nga taksapaguesit kosovar për të kthyer orë të gjata pa furnizim, humbje rreth 45% në prodhim, sistem thellë të korruptuar në të gjitha tenderët publik e deri te punësimi i pakontrolluar në administratë. Të gjitha këto të paguara nga paratë e taksapaguesve kosovarë. Këto para të huazuara nga Buxheti i Kosovës sigurisht se do të kthehen në dyfishin e viteve që janë huazuar, kur rëndësia e tyre për Kosovën do të jetë mjaft simbolike. Por në kohën kur Kosova po merrte hapat e parë drejt formësimit të një shteti serioz dhe stabil, KEK po merrte miliardat e parë për të dhënë asgjë. Shumë argumentojnë mungesën e alternativave tjera, por sikur një tatimpagues të kuptonte se kjo ndërmarrje publike do ti kushtojë atij dhe shoqërisë në këto përmasa nuk besoj se do të kishte një ide të vetme kundër privatizimit parcial të tyre sa më të hershëm. Ka shumë që janë ngopur duke paguar energjinë dy herë: një herë nëpërmjet faturave e herën tjetër nëpërmjet tatimeve.


- V -
Tatimi në konsum

Kur për herë të parë në Kosovë u vendos tatimi në konsum, i njohur si Tatimi në Vlerën e Shtuar, u parashikuan implikimet e para në çmimet e produkteve finale. Megjithatë këto implikime ishin kostoja e pritur dhe e arsyeshme e TVSH-së, si çdo tatim tjetër, kosto kjo e domosdoshme për një qëndrueshmëri buxhetore dhe mundësi më të mëdha për shpenzime qeveritare. Problemi i TVSH-së lindi me sferën biznesore dhe mënyrën e vjeljes së tij. Për shkak të resurseve dhe aftësive të kufizuara të kapitalit human, u vendos që TVSH-ja të mblidhet në pikat kufitare duke rënduar kështu bizneset në përmasa jashtëzakonisht të mëdha. Sot një investitor që importon teknologji, lëndë të parë ose asete tjera për të hapur një biznes ose për zgjerimin e biznesit ekzistues, ende pa filluar punën, ende pa vendosur këtë teknologji, ende pa bërë as të vetmin hap operacional duhet që në doganat e Kosovës të paguaj 16% të vlerës së importuar. Investitori qysh në fazën para-operacionale detyrohet të ngarkojë dukshëm rrjedhën e parasë e në kushte të mungesës së mjeteve qarkulluese në treg kjo ngarkesë është edhe më e rëndë.

Zërat e shumtë nga komuniteti i biznesit për heqjen e kësaj ngarkese në dogana nuk u dëgjuan asnjëherë. Alternativat e dhëna mbështesin praktikat globale ku TVSH mblidhet brenda kufijve dhe vetëm pas operacionalizimit të investimit të dhënë. Këto alternativa mbështesin idenë e regjistrimit të importit në dogana, e më pas vjeljen e TVSH-së brenda Kosovës kur biznesi fillon përdorimin e importit të dhënë. Megjithatë problemi është shumë më i rëndë se në dukje të parë. Problemi lidhet me formën dhe pakujdesinë e regjistrimit të bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Nëse institucionet doganore do të bënim vetëm regjistrimin e vlerës por jo edhe vjeljen e pagesës atëherë biznesi në momentin e parë që fut këtë vlerë brenda kufijve të Kosovës ka mundësi të arrtë të zhduket nga faqja e dheut dhe e tërë vlera e mbetur e papaguar të regjistrohet si pjesë e bankrotimit potencial. Mundësitë i krijohen nga format e regjistrimit të biznesit. Ka shumë raste në Kosovë që bizneset regjistrohen në emër të personave joekzistent, për më tepër në emër të personave të vdekur. Këtë gap ekzekutues disa biznese mund ta përdorin për qëllime evazive duke vënë institucionet në ndjekje të fantazmave.

Si do që të jetë, situata aktuale nuk është aspak e favorshme për klimën biznesore. Duhet të shtrëngohen kriteret për regjistrimin e bizneseve, duhet të rritet monitorimi i tyre dhe përfundimisht duhet inkurajuar transaksionet bankare për një pasqyrë më të saktë dhe më të lehtë. Vetëm atëherë mund të bartet ngarkesa e TVSH-së nga doganat në territorin e Kosovës dhe kështu të lehtësohet barra ndaj bizneseve.
- VI -
Amnestia

Amnestia fiskale ndonëse praktikë e re, në literaturën fiskale zë vend mjaft kundërthënës. Në njërën anë faljet fiskale në afat të shkurtë mund të rrisin inkasimin e të hyrave nga tatimet me kosto mjaft të ulët dhe njëkohësisht i risjellë evazionistët në “rrugë të mbarë”. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos në rastet kur subjektet e caktuara pa ndonjë qëllim evaziv nuk deklarojnë të hyrat reale. Në anën tjetër faljet fiskale japin efekte mjaft negative në afat të gjatë nëpërmjet dekurajimit të taksapaguesve të rregullt nga trajtimi jo i barabartë si dhe dhënies së sinjaleve se ka evazion të lartë në vend e që rrjedhimisht nxitë sjelljet oportunistike të subjekteve të ndryshme.

Sot, është e pranueshme të thuhet se amnestia fiskale është një praktikë e zakonshme. Megjithatë, edhe pse e zakonshme në disa vende, opinioni gjeneral i njohësve të kësaj lëmie është se këto programe sjellin rezultate pozitive afatshkurta në kurriz të një kostoje që mund të rrezikojë sistemin fiskal seriozisht. Por çfarë e bën një amnesti fiskale të suksesshme për Kosovën? Janë tri kritere universale e lehtë të matshme: reagimi i bizneseve që në të kaluarën kanë qenë evazionistë dhe tani kanë një rast të ri, reagimi i bizneseve që në të kaluarën kanë bërë deklarime të rregullta dhe vazhdojnë të bëjnë, dhe përfundimisht suksesi i masave qeveritare pas përfundimit të periudhës amnestuese.

Tani, kur falja fiskale është një histori, rezultatet janë mjaft dekurajuese. Përgjigja e bizneseve të cilave “i’u është shtrirë dora” është injoruese dhe aspak e kënaqshme. Ndoshta këto biznese ende nuk janë zgjuar apo nuk dëshirojnë të zgjohen nga komforti që i u është dhënë me vite. Në anën tjetër reagimi i pjesës tjetër të bizneseve është kundërshtues ndaj pabarazisë në trajtim fiskal. Për më tepër, nuk do të ishte befasuese fare reagimi evaziv i këtyre bizneseve të shëndosha në një të ardhme të afërt pikërisht për shkak të një trajtimi të tillë. Sa për forcimin e qëndrimeve institucionale karshi evazionistëve ato kanë mbetur të njëjta. Duhet theksuar se Amnestitë ndodhin vetëm një herë në gjeneratë. Kosova ka humbur këtë rast qysh tani.


- VII -
Arkat Fiskale

Ndonëse projekti i arkave fiskale është i mirëpritur dhe kaherë i thirrur, institucionet duhet të kenë parasysh rezistencën e bizneseve që buron nga përvoja dy dekadëshe e veprimit në informalitet të pjesërishëm ose të plotë. Vështirë mund të pritet ndonjë participim vullnetar i tyre në drejtim të bindjes ndaj sistemit fiskal, prandaj është e nevojshme mbështetja shumëdimensionale për këtë projekt. Fillimisht duhet miratuar ligjin mbi arkat fiskale, më pas duhet rritur kapacitetet mbikëqyrëse të administratës tatimore dhe së fundi gjygjësori duhet të sigurojë trajtimin e rasteve që vazhdojnë aktivitetet evazive. Projekti i arkave fiskale është projekti më i rëndësishëm deri më tani që institucionet mund të marrin në spektrin fiskal. Projekti, nëse implementohet si duhet, mund të jetë kthesë e veçantë në luftën kundër informalitetit.

Megjithatë, ky projekt nuk duhet marrë si i garantuar. Arkat fiskale nuk janë mekanizma human por makina që komandohen nga pronarët e tyre. Si të tilla ato regjistrojnë vetëm transaksionet që pronarët dëshirojnë ti regjistrojnë prandaj është normale të mos pritet ndonjë veprim automatik i tyre dhe siguri për regjistrime të plota. Tendencat e obliguesve do të jenë për shmangie të regjistrimit të transaksioneve, por janë inspektorët ata që duhet të sigurojnë se çdo euro e qarkulluar nga subjekti përkatës është regjistruar. Arkat fiskale mund të kenë sukses vetëm nëse probabilitetit i auditimit nga administratorët tatimorë është i lartë dhe kjo gjendje i shtynë pronarët që patjetër të regjistrojnë aktivitetet e tyre, në të kundërtën ata do të ballafaqohen me gjobitje të rënda.

Arkat fiskale janë vetëm një nga shumë elementet që ndihmojnë luftën kundër evazionit. Mbi të gjitha është faktori human ai që determinon përhapjen apo ndalesën e kësaj dukurie. Administratat Tatimore e Kosovës ka numrin më të ulët të inspektorëve tatimorë për kokë banori në tërë Europën. Të njëjtit marrin paga shumëfish më të ulëta se kolegët e tyre në rajon dhe për më tepër karshi fuqisë së bizneseve e në mungesë të policisë financiare këta administratorë janë thjeshtë të pafuqishëm. Përveç kapitalit human dhe zbatimit të ligjit faktorët si gatishmëria vullnetare, besimi në institucione, shpenzimet qeveritare, korrupsioni dhe normat e ndryshme shoqërore janë elemente që përcaktojnë vendimin e bizneseve për ti përmbushur ose jo obligimet fiskale.


- VII -
Normat tatimore

Ulja e normave tatimore e bërë nga kjo Qeveri ka qenë hapi më i qëlluar në Kosovën e pasluftës. Vendimi i tillë ka ndihmuar zhvillimin e bizneseve dhe shpërndarjen e barrës tatimore tek të gjithë pjesëmarrësit. Pozitiviteti më i lartë vjen nga ulja e tatimit në korporatë nga 20 në 10%. Kjo e bëri Kosovën shumë më atraktive në tregun global. Megjithatë, në valën e optimizmit mbet i harruar rritja e TVSH-së nga 15% në 16%. Ndonëse u proklamua si rritje prej “vetëm 1 %” e vërteta është se TVSH është rritur për 1 pikë të përqindjes dhe kjo është e barabartë me 6.6%. Ky ndryshim mjaft i lartë u mbajt në karantinë të heshtjes.

Ndryshimi i tillë rezultoi me një efekt të vetëm: rritjen e çmimeve. Politikbërësit në Kosovë shpesh kanë ide të gabuara gjatë përcaktimit të ndonjë tatimi. Ata besojnë se qytetarët/bizneset që krijojnë apo fitojnë ndonjë të ardhur janë po të njëjtit që paguajnë dhe mbajnë barrën e tatimit përkatës. Çfarë ata nuk marrin parasysh është se nëse dikush është subjekt i ndonjë obligimi tatimor atëherë sjelljet e tyre në treg ndryshojnë, duke bartur kështu barrën tek ata të cilët nuk ishin targetuar fillimisht nga politikbërësit. Ndoshta është e arsyeshme të besohet se gjatë përcaktimit të ndonjë tatimi në Kosovë nuk është bërë ndonjë analizë mbi incidencën fiskale (kush përfundimisht bartë barrën e tatimit), por edhe sikur të ishte bërë ndonjë analizë e tillë rezultatet ose janë injoruar ose janë konsideruar si “kërcënim” për komfortin që politikat e deritanishme kanë siguruar. Hendeku i krijuar në buxhet nga ulja e normave tatimore ka mundur lehtë të mbulohet me rritjen e akcizave në të mira të luksit si duhan, alkool madje edhe vetura. Ka qenë shumë më mirë të targetohen shtresat konsumuese të të mirave të luksit se sa një gamë e gjerë, pothuajse e tëra e taksapaguesve.


- IX -
Transparenca Institucionale

Ekonomitë e tranzicionit përmbajnë tipare që kryesisht mund të konsiderohen si pengesa në shumë procese të shoqërisë. Një nga tiparet e tilla në shumicën e rasteve është edhe roli i qeverisë dhe shtetit në ekonomi. Në njërën anë, vendimet dhe veprimet në sferën ekonomike varen dukshëm nga veprimet politike të qeverisë si dhe nga fuqia e lirisë së të vepruarit që ajo siguron. Në anën tjetër, përvojat nga vendet e tranzicionit tregojnë ndikimin e opinionit publik në rolin e mirëfilltë të qeverisë. Studimet empirike në Kosovë tregojnë se një nga arsyet se pse qytetarët nuk paguajnë detyrimet e tyre fiskale është besimi se qeveria shpenzon kot tatimet në vend të ofrimit të të mirave publike dhe shërbimeve. Evazioni fiskal mund të konsiderohet si “përgjigje e arsyeshme” ndaj performancës së varfër të shtetit, duke shtyrë kështu relacionin qeveri-qytetar në një cikël domino. Por kush duhet ndërprerë këtë cikël?

Përvojat e ekonomive të tranzicionit shohin Qeverinë si përgjegjëse dhe fuqiplotë për një reformë të tillë. Para së gjitha janë pikërisht qeveritë ato që kanë fuqinë e gjenerimit të situatave të reja politiko-ekonomike. Roli i Qeverisë së Kosovës, që padyshim nuk kufizohet vetëm në sigurimin e kornizave institucionale, ndikon edhe ambientin ekonomik, si dhe sjelljen e agjentëve që veprojnë në të. Me fjalë të tjera një euro e shpenzuar nga qeveria ndikon vendimin e qytetarëve apo bizneseve për të kontribuar apo jo vullnetarisht një euro shtesë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Reformat e suksesshme në Kosovë nuk kërkojnë vetëm përmirësimin e sistemit fiskal, por edhe reformimin e shpenzimeve buxhetore. Institucionet qeveritare që respektojnë preferencat e qytetarëve do të kenë mbështetje më të madhe krahas atyre shpenzimet e të cilave shihen si të paarsyeshme. Një qeveri që angazhohet me rregullat e demokracisë direkte (involvivim e qytetarëve në procesin e vendimarrjes) i imponon vetës kufizime në fuqinë e saj por me këtë dërgon mesazh se taksapaguesit shihen si individë përgjegjës. Për më tepër, rregullat e demokracisë direkte bëjnë me dije se qytetarët nuk shihen si votues injorantë apo të pakuptueshëm, por se preferencat e tyre merren parasysh në proceset politike. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja e taksapaguesve në vendimmarrje më tepër marrëveshja me qeverinë mbështetet në besim duke rezultuar kështu në moral më të lartë fiskal.

Sistemi fiskal duhet të jetë i dukshëm para çdo kosovari dhe kjo duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të Qeverive të Kosovës. Arsyeshmëria, transparenca dhe efikasiteti i shpenzimeve buxhetore janë parakusht për çfarëdo përgjigje pozitive të shoqërisë ndaj sistemit shtetëror, përfshirë këtu edhe sistemin fiskal.


- X -
Taksapaguesit

E fundit por më e rëndësishmja është sjellja e taksapaguesve. Thuhet se tatimet janë të pashmangshme, megjithatë përgjatë historisë së tatimeve njeriu ishte i prirë ti shmangej atyre nëpërmjet formave ilegale. Sot individët, firmat dhe entitetet tjera paraqesin raporte të pandershme duke deklaruar të ardhura, profite dhe përfitime më të pakta. Qytetari është çelësi i zgjidhjes së krizës evazive që po merr pothuajse gjysmën e ekonomisë tonë.

Le ta ballafaqojmë, evazioni fiskal është bërë normë shoqërore në Kosovë. Për të kuptuar se sa tolerant ndaj evazionit janë kosovarët merreni një shembull nga përditshmëria jonë. Sa prej nesh kërkojnë faturë pasi të kenë një kafe në ndonjërën prej kafiterive tona, sa prej nesh kërkojnë biletë parkingu, faturë nga taksi ose faturë nga shumë shërbimet e produktet që ne konsumojmë brenda një dite? Pas luftës së fundit, ne kishim rastin e njëjtë me pagesën e energjisë elektrike, kur konsiderohej se pagesa e saj nuk bëhej nga pjesa më e madhe e shoqërisë dhe ky percepcion shndërroi dukurinë e mospagesës në një akt shumë normal brenda normave shoqërore, për të mos thënë se ata që paguanin energjinë elektrike vullnetarisht nuk kuptoheshin nga të tjerët. E njëjta ndodh edhe me sistemin fiskal.

Të ndërrosh një normë shoqërore, në këtë rast shprehinë e ikjes së tatimeve, është një sfidë mjaft e rëndë për çdo institucion qeveritar. Aplikimi i denjë i ligjit është faktori thelbësor por jo i vetëm në luftimin e kësaj dukurie. Nëse shoqëria jonë dëshiron të bëjë një akt patriotik për këtë shtet atëherë le të fillojmë nga eliminimi i dukurive negative brenda secilit prej nesh. Le të fillojmë të ndihemi dhe të sillemi si kontribuues në ndërtimin e këtij shteti edhe nëpërmjet përmbushjes së obligimeve tona qytetare. Le ti shpallim luftë edhe ne evazionit fiskal dhe ngurtësisë së tij si normë shoqërore pavarësisht nga veprimet dhe politikat fiskale të institucioneve qeverisëse. Të ndihmosh ndërtimin modern të Kosovës është akti më i lartë qytetar i çdo kosovari. Në fund të fundit ishim ne që krijuam këtë cikël negativ prandaj është përgjegjësi e jona ta çrrënjosim atë. Le të krijojmë shprehi të reja me krijimin e shtetit të ri.