Letra
nga limbo
KOHA DITORE 20 DHJETOR 2013
Sikur Serbia ti dënonte
kriminelët që i strehon edhe sot; ti zbulonte varret masive që i ka mbuluar me
asfalt e zhavorr; të shprehte pendesë e keqardhje për sjelljet e veprat
çnjerëzore; të kthente e paguante plaçkën e marrë nga këtu; e të mos shprehte
pretendime shfarosëse edhe sot e kësaj dite ndaj Kosovës - ndoshta dhe do
meritonte Evropën. Por se bëri asnjërën e s’ka ndërmend ta bëj asnjëherë.
Nderon kriminelët, mohon varret, thërret luftën e pretendon Kosovën; dhe prapë
ecë për në Evropë
Shikoni njerëzit rreth jush. Shikoni mirë njerëzit
rreth jush. I ndjeni? I shihini? I prekni? Kthehuni në kohë pas - plot 14 vite
pas. Kujtojeni luftën, frikën, guximin e gjithçka tjetër të tmerrshme, të
trishtë, të ç’thurur në mes. Kujtojeni dhe kuptojeni se sa me fat është secili
prej nesh. Me fat meqë secili nga ta e ne mund të ishte lehtësisht njëri nga
1700 të zhdukurit kosovarë që nuk mund të ndjehen, shihen e preken sot. E
pothuajse secili prej jush mund të ishte në pritje të gjetjes së mbetjeve të
tyre; një shenjë kujtimi për të shfryrë gjithë mallin e mbledhur në kaq vite.
***
Këtë javë, siç dhe e do rëndom paradoksi i
relacioneve me të zhdukurit, Kosova kishte marrë ndoshta lajmin më të mirë që
mund të merrte – pra gjetjen e mbetjeve mortore në Rudnicë – dhe potencialisht
qetësinë e disa prej familjeve të pafata. Paradoksale se si një tragjedi kaq rrëqethëse
bëhet eventualisht lajm i mirë.
Në të vërtetë, gjetjet e Rudnicës së Rashkës nuk
ishin noveliste për askënd. Nëpërmjet pamjeve të regjistruara satelitore kërkuesit
kishin kohë që po shihnin një paradoks tjetër; vendi ku dyshohej të ishin
varrosur shqiptarët kishte ndërruar pamje krejtësisht; dhe për më tepër ky
ndryshim po ndodhte mu gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Ky vend ishte shndërruar
nga një kënetë e moçalishte në një rrafshinë të mbushur me dhe e gur. Sinqerisht,
kujt do ti binde në mend që në kohë bombardimesh të merrej me ndërrime të
pamjeve të peizazheve kot-së-koti; përveç nëse diçka tmerruese, turpëruese e
trishtuese provohej të fshihej – një varr, shumë të vararë, shumë krime.
Në vitin 2005 autoritet serbe kishin prodhuar
shfaqjen teatrale më ç’njerëzore të mundshme. Në përgjigje të informacioneve të
mbledhura nga pala kosovare, në aktrim e sipër, serbët kishin gërmuar – në sy të
mediave lokale e botërore – një ditë të tërë. Triku megjithatë ishte se gërmimet
ndodheshin plot 200 metra larg vendit ku mendohej se ishte varri masiv. Ishte
veçse një përpjekje patetike për të shtyrë gjetjen.
E në patetizëm dhe më të thellë dhe në sjellje dhe
më ç’njerëzore, autoritetet serbe kishin asfaltuar gjithë vendin. Aty më pas
kishin ndërtuar një ndërtesë dykatëshe ku qëndronte – për ironinë e gjithë mizërisë
– kompania e mirëmbajtjes së rrugëve me emrin “Kosmet Put”. Nën ndërtesë, nën
parking e nën asfalt, besohej se ishin së paku 250 kosovarë të zhdukur.
Se përpjekjet serbe për të mbuluar me çdo kusht
gjetjen ishin në tentativë rritëse, u kuptua në ditën e parë kur Departamenti i
Mjekësisë Ligjore të Kosovës kishte arritur atje për të mos gjetur asnjë mjet
gërmues që do të bënte gërmimin. Në të vërtetë, po mos të ishte insistimi i
vazhdueshëm i palës kosovarë, bashke me presionin e datës për anëtarësim që
Serbia pret ta merr këto ditë, vajtje-ardhjet tona për e nga atje do të ishin
të zakonshme. Interesante se si Serbia përdorë në vazhdimësi veprat e vrasjes,
dhunimit, krimit e de-humanizimit si karta relacioni me BE-në; si nuk u mësua
asnjëherë Evropa me ta.
Përtej vrasjeve e varrosjeve pa frikë nga njeri e
nga Zoti, nuk arrij të kuptoj as natyrën e fshehësve të vrasjeve; jo nga
individë aksidentalë, por nga një sistem i tërë shtetëror serb i vënë në
funksion të kamuflimit; diçka shumë larg vlerave të shekullit të ri – çfarë
shteti është ky?! Kur provoj të kuptoj se pas gjetjes së katër trupave në vetëm
80 centimetra nën ndërtesë, pra kur kuptoj se themelet e ndërtesës në fjalë –
të ndërtuar së voni – mund të jenë vënë “fjalë-për-fjalë” mbi trupat e vdekur,
dhe se asnjë njëri në gjithë këtë vrasje, varrosje, kamuflim e ndërtim nuk
është shprehur për 14 vite publikisht me as edhe një fjalë, ndjejë jo mllef, jo
urrejtje, jo inat, por vetëm keqardhje - keqardhje për një vend me të krisur e
maniakë boll. Në një vend si Serbia ku gjithkush di për sasinë e rakisë në
frigoriferin e tjetrit, të mos dish për një varr masiv me 250-400 kosovarë, për
një asfaltim, një parking e një ndërtesë mbi të, është barabartë me
probabilitetin e një topi bore në ferr – atje ku do të digjen e piqen në
përjetësi secili prej pjesëmarrësve në këtë tmerr.
***
Në një vend normal, lajmi i gjetjeve mortore të qindra të vrarëve, do të trajtohet si tragjedi nacionale. E në kohë tragjedish, liderët afrohen me popull, qëndrojnë me popull, udhëheqin një popull; është tragjedi dreqi e marrtë!
Kryeministri jonë, nëse asgjë tjetër, është dashtë
që në shenjë respekti e dhimbje për gjetjen e 250 trupave në varrin masiv të
Rashkës, ti ndërpresë pa hezitim të gjitha takimet, bisedimet, qeshjet,
dorështrengimet e dalldisjet tjera në Bruksel - të gjitha me shkaktuesit e
tragjedisë madje - të merr fluturimin e parë të mundshëm nga atje, e të kthehet
në vendin e tij për të qëndruar afër me popullin e tij. Ai do të duhej të
udhëhiqte e mbështeste personalisht gjithë ekipet tona investiguese në Rashkë;
taman siç bëjnë burrështetasit tjerë në kohë të tragjedive. Janë 250 prej
tanëve që po kthehen si mbetje mortore në shtëpi; çfarë tjetër mund të jetë më
e rëndësishme se kjo?!
Kryeministri mund ti ketë këshilltarët më me pamend
të mundshëm – dhe nuk dua të besoj se vet ai nuk i di rendet – e Kosova mund ti
ketë diplomatët më të paaftë të mundshëm; sikur një gjetje e tillë të ndodhte
në relacion të kundërt, pra në Kosovë me serb e jo në Serbi me shqiptarë, vendi
ynë nuk do të shihte dritë për jetë e mot.
Gjithsesi, për të mos bërë një tragjedi në beteje
politike, them të mbajmë mend mirë e gjatë relacionet që i kemi me fqinjët tanë
veriorë. Nuk kanë ndërruar fare, janë të njëjtit. Dikur kanë vrarë e varrosur
masivisht, tash i fshehin e nuk i tregojnë vrasjet e varrosjet masive.
Për më tepër, dhe fatkeqësisht, aspak nuk ka ndërruar
as relacioni i keqardhjes evropiane ndaj Beogradit; siç u bë publike edhe vlerësimi
pozitiv nga BE për Serbinë. Sikur Serbia ti dënonte kriminelët që i strehon
edhe sot; ti zbulonte varret masive që i ka mbuluar me asfalt e zhavorr; të
shprehte pendesë e keqardhje për sjelljet e veprat çnjerëzore; të kthente e
paguante plaçkën e marrë nga këtu; e të mos shprehte pretendime shfarosëse edhe
sot e kësaj dite ndaj Kosovës - ndoshta dhe do meritonte Evropën. Por se bëri
asnjërën e s’ka ndërmend ta bëj asnjëherë. Nderon kriminelët, mohon varret,
thërret luftën e pretendon Kosovën; dhe prapë ecë për në Evropë. E pjesa më e
dhimbshme e gjithë kësaj ecje është se ajo u mundësua vetëm falë Qeverisë së
vendit tim me gjithë mbështetësit parlamentarë e të paguximshëm të tjerë. Në
këmbim përfunduan me 10 kryetarë paralel, dy pika doganore të pavarura, një
fond, gjykatë e polici autonome dhe njëmijë e një telashe tjera për gjeneratat
që vijnë. Çfarë pazari i tmerrshëm!
No comments:
Post a Comment