Friday 27 January 2012

ABETARE MBI RECIPROCITETIN


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 JANAR 2012

Mjeshtëria e sodit nuk është vetëm përmirësimi i relacioneve pavarësisht kostos, por përmirësimi i tyre nën ombrellën e të pabisedueshmes, të pafalshmes, të pakthyeshmes: shtetësisë


Këtë javë, në fjalimin e tij të tretë para ‘State of the Union’, presidenti amerikan Obama paralajmëroj themelimin e  ‘Njësisë për Fuqizim Tregtar’, njësi kjo që do të merrej ekskluzivisht me identifikimin e pabarazive tregtare, vendosjen e marrëdhënieve reciproke e rrjedhimisht krijimin e rregullave të barabarta për kompanitë amerikane përballë tregjeve të huaja. “Nëse fusha e lojës është e barabartë, ju premtoj, Amerika do të fitojë gjithmonë” ishin fjalët e presidentit që këtë herë kishte marrë në dorë mashën e refleksionit ndaj politikave diskriminuese e jo të barabarta që qeveritë kineze e ruse u bënin bizneseve amerikane. Presidenti amerikan paralajmëronte as më shumë e as më pak e sa reciprocitet tregtar, madje për të bërë këtë kishte themeluar një trup të veçantë. Dhe në mbyllje të këtij njoftimi, duartrokitjet nga Dhoma e Përfaqësuesve (e dominuar nga opozitarë të presidentit, pra republikanë) ishin të pandalshme. Mbështetja për reciprocitet ishte e pakompromistë nga demokratë e republikanë, pushtetarë e opozitarë; të gjithë në fund rrihnin supet e tij. Kur Kuvendi i Republikës sime javë më parë morri vendimin për reciprocitet, në vend të duartrokitjeve e mbështetjes u dhanë deklaratat tërheqëse të votës; në vend të respektimit u ofrua zhvlerësimi, në vend të unifikimit u dha ndarja, fyerja e rrahja.

Evoluimi i idesë se reciprocitetit është disi unik në Kosovë nga vendet tjera, dhe mu ky dallim i jep peshë dhe më të madhe diskutimit kosovar. Në këtë diskutim janë vënë bast themelet e institucioneve, potencialet e bizneseve, dinjiteti i kosovarëve e vet perspektiva e shtetit më të ri Evropian. Kujtoni se kur Kuvendi i Republikës morri vendimin për barazi, përtej tendencës brutale për të paraqitur deputetët si të padijshëm në votim dhe rrjedhimisht tendencës për të bërë tërheqjen e votave, ishin disa nga ndërkombëtarët influencial në vend që na dhanë leksione disi amatoreske, tepër turpëruese e marrëzisht të ngutshme. Njëri na quajti fëmijë, e tjetri na tha se nuk duhet patjetër dëgjuar rekomandimet e një grumbulli njerëzisht që ‘rastësisht’ na paskan qëlluar të mblidhen aty. Fatmirësisht kjo e dyta nuk bëri bujë shumë, përndryshe, një diplomat perëndimor që zhvlerëson rolin e Parlamentit në një Republikë, ka pak gjasa të mbijetojë në çdo vend tjetër joballkanik. Por, parimisht, e përbashkëta e reagimeve ndërkombëtare në Kosovë ishte sulmi ndaj vet konceptit të marrëdhënieve reciproke me arsyetimin se Kosova dhe rajoni nuk kanë nevojë për, siç i quanin ata, ‘ecje mbrapa’. Nuk kam kuptuar ende lidhshmërinë mes reciprocitetit dhe ecjes mbrapa, por çfarë kuptoj është se Kosova as nuk e ka zbuluar e as nuk do të zbulojë konceptin e reciprocitetit shtetëror. Vendet mbarësisht themelohen mbi parimet e barazisë, ekuilibrit tregtar e të drejtës së lëvizjes; madje vet tregu i përbashkët evropian është i bazuar mu në masa të reciprocitetit në mes vendeve anëtare. Në marrëdhënie reciproke sot janë BE me SHBA, SHBA me Japoni, Japoni me BE, e BE me Rusi; sot gjithçka fillon e mbaron në marrëdhënie reciprokuese;  ashtu siç tha e mendoj dhe vet presidenti Obama. Prandaj, gjithë ata që mendojnë se Kosova mund dhe të mos reciprokojë, le të binden një herë e mirë ndryshe: ne jo vetëm që duhet, por reciprocitetin e kemi dhe obligim kushtetues, moral e patriotik. Reciprociteti është shkronja e parë e abetares së marrëdhënieve shtetërore.

Kur zhvlerësimet për konceptin e reciprocitetit  nuk pinë ujë, skena ju dha vendorëve. Filloi zhvlerësimi i argumenteve, fakteve e vet problemit të reciprocitetit tregtar. Fillimisht u tha se reciprociteti po zbatohet, se problemet janë inekzistente, e se ka përparim. Secili arsyetim ishte më i zi se tjetri. Së pari, për çdo kënd me pak fije interes për problematikën dhe me shumë pak dëshirë për tjetërsim, kosovarët nuk mund të përdornin identitetin e tyre gjatë kalimit në e nëpër Serbi. Për të bërë këtë ata duhej të hiqnin simbolet e shtetësisë (targat e veturave, lejet shtesë për pasaportë, si dhe lejet e vozitjes), emërtimet Republikë (në vulat doganore, në certifikatat e veterinarisë, e në dokumentet tjera përcjellëse) si dhe thirrjet e përfaqësimit institucional në rast të vizitave. Shto këtyre dhe pritjet e gjata e të mundimshme dhe ke një pasqyrë të reciprocitetit, sipas verizonit qeveriar. Për çudinë time më të madhe, një marrëdhënie e tillë në vend se të dënohej e rikuperohej, promovohej e plasohej si përparim. Kryenegociatorja me plot mburrje thoshte se në krahasim me disa vite më parë, kosovarët megjithatë lëvizin nëpër Serbi. Në një situatë të tillë, pra kur përmirësimi i marrëdhënieve tregtare me Serbinë ka për çmim heqjen e simboleve të shtetësisë, njëri pyet vetën se ku ishte kuptimi i vet ndarjes me Serbinë. Ne mund të kemi lëvizje të plotë me Serbinë po pranuam nënshtrimin politik ndaj tyre, madje para 99-ës kur nuk kishim Republikë e shtet nuk kishim as barriera, as kufi e as vonesa. Për çfarë bëmë luftë e shpallëm shtet, që ta zhbëjmë kur hasim në probleme si këto?! Mjeshtëria e sodit nuk është vetëm përmirësimi i relacioneve pavarësisht kostos, por përmirësimi i tyre nën ombrellën e të pabisedueshmes, të pafalshmes, të pakthyeshmes: shtetësisë!

Prandaj, kur promovuesit qeveritar, ministrat e zëvendësministrat në paraqitjen e tyre publike thonë me plot mburrje se Kosova tanimë ka reciprocitet me Serbinë, le të përgjigjen fillimisht në këto pyetje: a tjetërsohet identiteti i një banori të Republikës së Serbisë kur vjen në Kosovë, dhe a tjetërsohet identiteti i një banori të Kosovës kur kalon në Serbi? A bartin dokumentet serbe termin Republikë kur vijnë në Kosovë dhe a bartin dokumentet kosovare termin e njëjtë kur kalojnë në Serbi? A ka Kosova trajtim të njëjtë tregtar nga Serbia sikurse ka Serbia nga Kosova? Nëse përgjigjet në këto pyetje janë afirmative, atëherë diskutimi për reciprocitet do të mbyllet një herë e mirë. Por ama nëse është e kundërta, atëherë të mos flasim broçkulla; le të mblidhemi si amerikanët, evropianët, kinezët e rusët, e të reciprokojmë mu si shtet!

E vërteta e hidhur është se promovuesit qeveritare nuk janë aq naiv sa mos të dinë konceptin e barazisë. Por janë tendencat tjetërsuese për arsye që unë nuk mund ti kuptojë që po zënë vend. Besoj se keni dëgjuar tashmë klishenë ‘e barazisë në kamiona’ që aq shpesh zë fjalët e këtyre promovuesve. Nuk di nga lindi një ide e tillë, kush e tha i pari, apo a e tha ndokush, por për mendimin tim ‘barazia e kamionave’ është një farsë e prodhuar me qëllime kamofluese ndaj problematikës së vet reciprocitetit dhe e njëjta deri më tani është zënë në gojë vetëm nga qeveritarët e assesi nga përkrahësit e reciprocitetit. Nuk ka kërkuar asnjëherë njeri të barazojë hyrje daljet me Serbinë, e hiç se hiç me konceptin e barazimit të mjeteve transportuese. Pra edhe po të kërkonte dikush do ta bënte pak me më shumë sens. Kjo për dy arsye: e para, kamioni nuk është matës i vlerës se mallit, por çmimi, prandaj një kamion mund të bëj sa dhjetë e dhjetë sa një; dhe e dyta, po të donte dikush reciprocitet në vlerë do e bënte dhe me Maqedoninë e që është importuesi më i madh në Kosovë, madje më i madh se Serbia. Prandaj arsyet e reciprocitetit me Serbinë janë puro nën domenin e drejtësisë e trajtimit korrekt, dhe për hir të arsyeshmërisë e logjikës harrojeni idenë e vetprodhuar të ‘barazisë në kamiona’; fokusohuni në rregulla të njëjta tregtare, këtu e kemi hallin!

Edhe më skandaloze mu duk deklarimi i Ministrit të Diasporës se në gjithë këtë amulli, fajin për konsum e kanë vet kosovarët. Nuk di a mendoi i njëjti të arsyetojë jobarazinë dhe me këtë të amortizojë reciprocitetin, apo ishte një gafë e radhës dhe një argument tërësisht i parëndësishëm në këtë diskutim. Çfarë di është se në çdo vend normal të botës janë qeveritë ato që drejtojnë konsumin e qytetarëve të vet. Sikur ministri të ishte më pak i kujdesshëm dhe më tepër i interesuar me ndodhitë botërore do të kuptonte për relacionet e fundit të BE-së me Iranin dhe blerjen e naftës. Nga kjo javë BE, si përgjigje ndaj politikës agresive Iraniane ka vendosur të mos blejë as një pikë naftë nga ky i fundit, rrjedhimisht qytetarët e thjeshtë do të kenë një burim tjetër nafte. Por për qytetarët, në fund të fundit kur shkojnë tek furnizuesit e derivateve nuk ka fort dallim se blihet nafta iraniane, amerikane apo arabe; janë qeveritë e tyre ato që kanalizojnë burimet e konsumit. Prandaj, edhe po të ketë kërkesë për konsum, janë politikat shtetërore ato që orientojnë burimet e konsumit.

Dhe për fund, i gjithë koncepti i reciprocitetit mori rënien me vet zhvlerësimin e mocionit të parë dhe miratimin e një të riu. Për mendimin tim janë disa probleme serioze në këtë drejtim. E para, me mocionin e ri, zhvlerësohet kërkesa për barazi, pra promovohet jobarazia. E dyta, në marrëdhënie reciprokuese përgjegjësia nga Parlamenti kalon në Qeveri dhe rrjedhimisht amortizohet çfarëdo lloj mbikëqyrje në këtë drejtim. E treta, derisa mocioni thërret në reciprokim, validon antireciprocitetin duke pranuar marrëveshjet e Brukselit, e të cilat nuk janë asgjë tjetër veçse marrëveshje mbi marrëdhënie jo të barabarta. Janë mu këto marrëveshje që kërkojnë heqjen e termit Republikë për Kosovën, e mbajtjen e të njëjtës për Serbinë. Me fjalë tjera, mocioni i ri është një mishmash kundërthënës në vete, por që në fund, me dy konstatime të qarta bën thirrje për jobarazi; një duke zhvlerësuar të kaluarin dhe dy duke pranuar marrëveshjet e Brukselit. I njëjti është antikushtetues, antimoral dhe antipatriotik dhe si i tillë duhet të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese.


Friday 20 January 2012

SA KEQ, SA RËNDË, SA MBRAPSHTË


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 JANAR 2012

Për një ditë të zezë kosovare, për dhunën ndaj shqiptarëve, për arrestimin e përfaqësuesve, për nxitjen e urrejtjes, për masozhismin e zëvendësministrit e për mbytjen e demokracisë. Sa keq për Kosovën

Nuk dua të bëjë verdiktin se kush ka të drejtë e kush jo në ngjarjet e 14 Janarit, kjo do varej gjithsesi nga dioptria e syzeve të kuzhinierëve nga të dyja anët. Dua vetëm të them se ajo çfarë pashë në vikend ishte e tmerrshme, e dhimbshme, e turpshme. Pashë se si rrahën e zvarriten qytetarët pa fije mëshire, pashë përdorimin irracional të veturave të blinduara që nuk iu dhanë asnjëherë Enver Zymberit në Veri, pashë se si polici fyen me nënë, rrahë të prangosurit, ofron organe gjenitale e kërcënon pa fije brenge dikë që ka marrë pushkë për këtë vend pak vite më parë, pashë mësuesin e studentin të shqelmoheshin ulur si në tetorin e 98-ës, pashë policin ti thyhet këmba e hunda me gurë katrorë trotuaresh, pashë se si Serbia pas 12 vitesh bën sherrin mes shqiptarëve, dhe në fund pashë heshtjen dhe terrin e mbetjeve të dhunës ndaj qytetarit, policit, gazetarit, banorit e deputetit. Mosvet çfarë pashë!

Në rrethana normale, nuk do bëja dallim mes nënkryetarit të parlamentit, deputetit, policit, gazetarit e qytetarit për trajtim mizor e dhunues. Në fund të fundit të gjithë janë njerëz, dhe për më tepër, të gjithë janë të tanët. Por ja që rrahja nuk arsyetohet asnjëherë në një vend me demokraci minimale, sidomos jo rrahja e të prangosurve. Për më tepër, rrahja e të dytit të Parlamentit të Republikës së Kosovës nga disa që fshihen pas uniformës së shenjtë policore është rrahje e vet shtetit, rrahje e kontributit, mundit e gjakut të gjeneratave të tëra për të pasur një shtet e parlament e nënkryetar parlamenti. Në një vend normal, i pari i Parlamentit do kërkonte lirimin e menjëhershëm të zëvendësit të tij, Presidentja do bënte nam, opozita do kërkonte shpjegim, qeveria do kërkonte falje e prokuroria niste hetime. Asnjëra nuk ndodhi. Në vend të kësaj institucionet qeveritare dhanë letër përkrahje për dhunën pa kuptuar mirë paradoksin shtetndërtues të veprimeve të tilla; pa kuptuar se dhuna e tyre ishte dhunë ndaj institucioneve të vendit. Nëse sot rrahet e maltretohet nga policia i dyti i parlamentit, nesër, nga po të njëjtit do rrahet e maltretohet dhe Presidentja, Kryetari i Parlamentit, e deri te ai i shkreti në fund të pusit si puna ime e juaja. Do të rrahet gjithkush që nuk është pjesë e sistemit.

Sa keq që për herë të parë pashë pajisje super policore të përdoreshin ndaj protestuesve të ulur, në kohë kur një e pesta e territorit të vendit tim është nën kontrollin e plotë të pretenduesve në këmbë, tjetërsues e pushtues të pakompromisë, terroristë, vandalë e banditë. Të njëjtit vranë, dogjën e ndoqën me pushkë e zjarr të njëjtit polic, për të marrë më pas lutje e thirrje paqësore nga vendorë e ndërkombëtarë. Sa keq për sharjet dhe fyerjet e policëve tanë ndaj ish luftëtarëve (rasti i turpshëm i fyerjes së ish luftëtarit e kontribuuesit të Newborni-it, derisa zvarritej e goditej pa dhimbtë), deputetëve e kryesisë së partisë së tretë më të madhe në vend. Nuk kam parë askund në botë që një shërbyes publik (pra polic), i paguar me taksat e qytetarëve të komunikojë me protestuesin, të shajë e fyej atë e në fund të kërcënojë haptazi se do të takoheshin më vonë; nuk di se çfarë ka ndodhur më vonë, por në një vend normal polici i njëjtë do merrte plaçkat e veta më vonë. Edhe më e trishtueshme mu duk dhuna ndaj një gazetari që u alivanos nga një goditje ‘alla taekwundo’ prej një polici shqiptar. Trimi i trimave gjet gazetarin në detyrë të shfaq aftësitë e tij holivudiane; ani pse ka pak kilometra më lartë çiftin e Veselinoviqit, ndaj të cilit bënte ditë më parë dialog. Nuk pashë ndonjë reagim nga ekipet hetuese brenda policisë për këto pamje. Në çdo vend tjetër të botës, një pamje e tillë (madje e filmuar) do të donte pak mund për verdikt.

Sa keq që policët tanë nuk bindën një vozitës serb kamioni të kthente prapa kargon me produkte serbe. Këmbëngulja e tij për të vazhduar rrugën (madje me përcjellje) më bindi se provokimet e përtejkufiit ishin të qarta dhe të bollshme. Serbët kishin gjetur kohën për të mbjellë dhe më shumë konflikt e urrejtje mes të tanëve, me vetëm një kamion të thjeshtë. Në vend të ndalimit të provokuesit, forcat policore zgjodhën rikujtimin e viteve të luftës duke rrahur një shqiptar mu në oborrin e tij. Burri i botës tregonte për goditjet e vazhdueshme që merrte derisa ishte i lidhur në veturën policore. Mu prenë gjunjët kur kuptova se po i njëjti ishte një ish luftëtar i UÇK-së dhe se tre plagët e marra në luftë nga ai ishin mu arsyeja që një ditë rrahësi i tij mbante një uniformë të Republikës! Hajde rrahën qytetarin, rrahën deputetin, rrahën luftëtarin e rrahën gazetarin, po si mundën të rrahin një invalid, një të pambrojtur, një pa duar, një me aftësi më të kufizuara fizike? Ku ka burrëri e bujari këtu? Si mund të gjejë rrahësi qetësi mbrëmjeve kur fle?

Sa keq që nuk pat një unifikim të opozitës dhe për më tepër një reagim ndaj dhunës, ndaj prangosjes e rrahjes së përfaqësuesve institucional nga Kuvendi i Republikës. Sa keq që ndërkombëtarët dhanë mbështetje për dhunë para-protestës Nxitje të tilla në një vend ku as ne tualet nuk shkohet pa pëlqimin ndërkombëtar kanë efekte tmerrësisht disproporcionale. Ndërkombëtarët duhet të jenë guardianë të paqes e jo nxitës të dhunës. Dhunë për dhunë ja ku e kanë Veriun, atje ku policët tanë e ushtarët e tyre vriten e plagosen me plumba armësh! Sa keq që dhamë lajm të zi në mediat botërore. Derisa britanezët (BBC) raportuan për arrestime të deputetëve, një praktikë kjo e pazakontë demokratike, të tjerët përmendën vetëm fjalën dhunë. Në të gjitha rastet humbi Kosova. Pavarësisht shkakut apo pasojës, humbëm të gjithë. E derisa BBC jepte lajme për Kosovën, televizioni publik i vendit, i thirrur në paanësi e pavarësi vendosi të mos e mbulonte ngjarjen dhe për më tepër ta konsideronte atë si të parëndësishme për raportim special. Mbaj mend se i njëjti televizion kishte konsideruar të rëndësishme fejesat e martesat e kushërinjve të showmanëve, por ja që një protestë, një dhunë dhe një burgosje të institucioneve e sheh të parëndësishme.

Sa keq që pashë policë të shtrirë e të hospitalizuar nga gurët, shkopinjtë e tullat fluturuese. Nuk u jap faj atyre, ata në fund të fundit bënë urdhrin e eprorëve që ngrohnin zyret në Prishtinë. Sa keq që u ndamë e katandisëm kaq tmerrshëm për një çështje kaq substanciale për vetekzistencën e shtetit, Republikës e lirisë qytetare: reciprocitetin e dinjitetin qytetar. Sa keq që nuk patëm një shtet që bën drejtësinë e na mbron me nder. Në vend se të kemi një vullnet të plotë demokratik për tu bindur Parlamentit, për të promovuar trajtimin e barabartë dhe fer  madje dhe pa nevojën e kërkesës të Parlamentit, ne bëmë mu të kundërtën ndarje e përçarje. Përçarja, thirrja për dhunë e urrejtje nuk na kanë hije  në kohë kur kemi një mijë e një halle të përbashkëta.

Por ja që në disa ditë me radhë promovuesit pro-qeveritarë merreshin me shkrime e paraqitje publike për të thirrur në ndarje e dhunë. Zëvendësministri Mirena, në një deklarim të bërë një ditë pas protestës shprehte kënaqësi e masozhisëm se protestuesit kosovar u ishin dukur “si refugjat të Bllacës”. Paramendoni, zëvendësministri, i imi e i juaji, ka kënaqësi e ndien delir kur dikush i përngjanë si “shqiptari në lloçin e Bllacës”. Zëvendësministri duhet të dijë se refugjati i Bllacës nuk është simbol i qeshjes e kënaqësisë, ai nuk është palaço, por është simbol i vrasjes e përndjekjes, është simbol i pastrimit etnik. I njëjti, përveç regjimit të atëhershëm serb, bënte unifikimin e botës demokratike kundër vuajtjes, holokaustit modern e keqtrajtimit mizor. Si mund ti duket ndokujt qesharake refugjati i Bllacës?! Deklarata të tilla plot urrejtje tregojnë për vullnetin e zi që dikush brenda politikëbërjes ka. Në një vend me pak përgjegjësi Qeveria do të bënte shkarkimin imediat të tij. Për atë hatër, është përfaqësues i Republikës së Kosovës që qeshë me historinë e zymtë të shqiptarëve! A ka më keq? Do të ndihesha i turpëruar për peshën e marres në vend të tyre.

Sa keq për gjithë këtë fotografi. Nuk di çfarë është më keq; mosrespektimi i Parlamentit, mosvënia e drejtësisë apo marrja e ligjit, bllokimi i rrugëve e bërja e ‘vigilantes’. Çfarë di është se këtij vendi i duhet një unitet, një gjuhë më ndryshe se kjo, e pamje më të bardha se këto. Kosovës i duhet një pushim, një frymë më e thellë, një monolog e një rrugë më e re. I dhimbshëm është fakti se në përvjetorin e 100-të të pavarësisë, trupat e shqiptarëve ende marrin gaz lotsjellës, shkopinj gome e gurë katrorë për çështje shtetërore. Shqiptarë, ne dimë më mirë se kaq; ne duhet të bëjmë më shumë se kaq. Mos lejoni egot e secilit të prishin kohezionin që patëm në vite kur nuk ishim të zot të vetës. Sot kur kemi bërë hapat e parë drejt mëvetësimit bëhuni më përgjegjës, bëhuni më shqiptarë. Sa keq për ne!

Friday 13 January 2012

TRANSFER KRIZE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 JANAR 2012

Parametrat ekonomik të letrës së fundit të FMN-së për Kosovën paralajmërojnë transferimin gradual të krizës financiare në atë ekonomike e sociale


Një ditë para ndërrimit të moteve, Fondi Monetar Ndërkombëtar dha një letër vlerësuese për financat publike të vendit, në mes të cilave vihej dhe një parashikim i thuktë për ekonominë kosovare për vitin në vijim. Letra kalon nga lëvdatat për arritjen e kritereve të performancës së Marrëveshjes Monitoruese, e me këtë dhe dhënien e shpresës për rikthim në ku ishim gjatë 2010-ës (ani pse i humbëm dy vite), e deri tek paralajmërimet për restrikcione në shpenzime si parakusht për një qëndrueshmëri financiare për vitet në vijim. Një vështrim gjeneral i vlerësimeve të bën të kuptosh se kriza financiare kosovare gradualisht transformohet në atë ekonomike. Për një shpëtim financiar vendi do të duhet të sakrifikojë prosperitetin ekonomik, zhvillimin rajonal, reformat biznesore, shëndetësinë, arsimin e deri tek mundësitë për ndryshime e reforma thelbësore fiskale aq të nevojshme për Kosovën.

Letra fillon me një përmbledhje mbi degradimin e relacioneve me FMN-ën pas rritjes unilaterale të shpenzimeve në vitin 2011, duke ritheksuar edhe një herë natyrën joformale të marrëdhënieve në këtë periudhë. Për dallim nga letra e fundit, natyra joformale nuk vihet në fusnotë por në paragrafin e parë. Paragrafi i dytë vlerëson arritjen e kritereve të performancës nën programin monitorues, ndërkaq i treti rithekson dështimin e privatizimit të PTK-së si rezultat i aferave në qeverisje korporatave të asetit. Fondi këtu thekson se vendi ishte buzë shterjes së bilancit bankar, dhe me këtë rrezikshmërisë për likuiditet. “Nga mosprivatizimi i PTK-së dhe nga mosndërrimi i politikave, bilanci bankar (i Kosovës) do të shterej gati tërësisht në fund të vitit 2011. Për të parandaluar këtë shterje, është dashur të bëhen shkurtime buxhetore në vlerë gati prej 60 milion eurove” thuhej në këtë vlerësim. Shkurtimet e bëra ishin zbërthyer më pas në  pikën 11, ku thuhej se 30 milion euro rrugë të planifikuara ishin ndërprerë, se 15 milionë ishin shkurtuar nga subvencionet e KEK-ut, 8 milionë të tjera në transfere dhe 7 milionë në shërbime.

Shkurtimet e bëra tregojnë mu për transferin e krizës financiare në atë ekonomike. Si rezultat i ngushtimit të financave publike u sakrifikuan rrugët rajonale, meqë ideja e ndërprerjes së autostradës nuk vinte në rend. Dhe mu këtu qëndron kostoja e një zhvillimi të pabalancuar rajonal, një nevojë ekonomike shumëherë më e lartë se investimi në një projekt të vetëm. Njëtrajtësisht, shkurtimet e subvencioneve në KEK janë burimet e ndërprerjeve të vazhdueshme në furnizim me energji, e të cilat për bizneset, sidomos prodhuese, bartin kosto enorme. Kujtoni se furnizimi me energji elektrike paraqet barrierën kryesore në të bërit biznes, së bashku me konkurrencën jo fer (informalitetin dhe evazionin fiskal) dhe koston e financimit (kreditë). Për më tepër, paralajmërimet në këtë letër se në vitin 2012 nuk do të ketë subvencionime për KEK-un, gjithmonë si rezultat i nevojës për shkurtime financiare, bëjnë hapjen e dyerve për rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Pa subvencione KEK-u nuk mundet ti mbajë çmimet e tanishme të energjisë. Meqë nuk ka kapacitete ti mbledhë nga mospaguesit e energjisë ajo do ti rrisë çmimet për paguesit e rregullt meqë aty e ka më lehtë. Me fjalë të tjera, rrogat e rritura të mësimdhënësve, pas zhvlerësimit për gati 10% në vitin 2011, në vitin 2012 (pjesa e mbetur e rritjes) do të shkojë për pagesën e faturave më të shtrenjta të energjisë elektrike. Edhe një herë, transferim i krizës financiare në atë ekonomike e sociale.

Letra i vë theks të veçantë edhe privatizimit të PTK-së. FMN paralajmëron se “në rast të mungesës së progresit në privatizimin e PTK-së në muajt e parë të 2012-ës, masa të reja duhet të merren”. Natyrshëm se njëjtë si në vitin 2011, masat e reja nënkuptojnë shkurtime buxhetore. Shkurtimet e tilla, si vitin që shkoi, do të bëhen në projekte kapitale rajonale. Pra, për të përmbushur nevojat tona për një autostradë të shpejtë brenda tre viteve (në vend të një periudhe më të gjatë, pse jo gjashtë vjeçare), për ti përmbushur nevojat elektorale të pagave (në vend të rritjes graduale), ne do të heqim dorë nga të gjitha rrugët rajonale, nga të gjitha shërbimet cilësore publike, e deri tek sigurimet shëndetësore, reformat në arsim, dhe më e rëndësishmja reformat biznesore; edhe një herë, transferim i krizës financiare në atë ekonomike.

Se kriza merr transfer, bëhet e ditur dhe me parashikimet ekonomike, përtej atyre financiare që Fondi ka bërë në letër. Fillimisht thuhet se rritja për vitet vijuese do të reduktohet nga 5%, sa ishte parashikuar fillimisht, në 4%. Arsyetimi për një rritje më të ulët, sipas FMN-ës, është (qëllojani): “shkurtimet buxhetore”. Pra, meqë bëjmë shkurtime aty ku kemi pasur gjithmonë nevojë ne detyrohemi të shkurtojmë dhe rritjen tonë ekonomike. Rritja prej 4% nuk është as sa gjysma e asaj për të cilën kemi nevojë dhe as gjysma nga ajo çfarë kemi planifikuar në Bullgari. Rritja e tillë do të stagnojë dhe për së paku 3-4 vite numrin e të papunëve dhe nivelin e varfërisë. Pretendimet e Qeverisë se me privatizime të aseteve publike do të arrihet rritja e planifikuar (prej 8%) janë tërësisht të paqëndrueshme. Përderisa nuk kuptojmë se vetëm me stimulimin e sektorit privat, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe më e rëndësishmja atyre prodhuese, mund të kemi bumin e nevojshëm ekonomik, performanca jonë do të ketë parametra si këto.

Letra vë në pah dhe nevojat për disa restrikcione në vitin 2012, nga ku Ligji për Vlerat e Luftës, Sigurimet Shëndetësore dhe Autostrada e Shkupit mbajnë primatin. Për të parën thuhet se nuk do të ketë ndryshime. Paralajmërimet e fundit të veteranëve për protesta më zgjojnë kureshtjen se si do të përgjigjet Qeveria në kohë kur xhepat i ka të mbyllur. Le tu shpjegoj të njëjtëve prioritetet e saja. Për të dytën jepen pak shpresa, madje jo vetëm për këtë vit, por së paku deri në vitin 2014. Meqë sigurimet shëndetësore kërkojnë dhe disa vite kohë për funksionalizim të plotë, neve na bëhet e qartë se shëndetësinë do ta kemi kështu së paku deri në vitin 2020. Qartësia më e plotë tregohet për Autostradën e Shkupit. Thëniet se do të fillojmë këtë rrugë me çdo kusht janë zbutur tërësisht në letrën që kryeministri i dërgon shefes së FMN-ës. Kjo vetëm pasi që Fondi kishte kërcënuar me mbyllje të relacioneve tërësisht nëse e njëjta financohet paralelisht me Rrugën e Kombit. Për mendimin tim, është mjaft shqetësuese se sapo të përfundojmë një periudhë restriktive në financim e rrjedhimisht në zhvillim nga autostrada për Shqipëri, do të fillojmë një të re nga ajo për Shkup. Sikur nuk mblodhëm mend nga stagnimi i tanishëm dhe ai që na pret.

Goditje e rëndë ekonomike i jepet bizneseve nga ngurtësimi i normave të TVSH-së për disa vite. Shpresat tona se do të kemi shkallëzime në TVSH për prodhuesit vendor janë të shuara tani për tani. Fondi bën të qartë se në nevojë dëshpëruese për të mbledhë sa më shumë të hyra, vendi nuk guxon të reduktojë tatimet. Përkundrazi, nga Fondi kërkohet rritje të barrës fiskale aty ku ka mundësi. Ngurtësimi i reformave fiskale edhe një herë tregon për transferin e krizës nga financiare në atë ekonomike. Për të mbledhë të hyra, për ti shpëtuar moslikuiditetit financiar, Kosova do të sakrifikojë bash gjithçka.

E me nevojën më të madhe për të mbledhë tatime edhe më shumë nga paguesit e rregullt e jo nga zgjerimi i bazës tatimore, viti 2012 do të jetë edhe më i rëndë për bizneset kosovare. Simptomat e para të një krize ekonomike tanimë janë evidente. Treguesit e parë përmbledhës tregojnë për një rënie alarmante në ritmin e rritjes së tyre dhe për një stagnim të plotë në krijimin e vendeve të reja të punës. Një stagnimi të tillë i kontribuoj në masë të madhe presioni qeveritar për dënime e rëndesa në rrjedhë të parasë nga parapagimet fiskale (shtuar anomalive tjera eksizstuese si korrupsioni, energjia, financimi e informaliteti). Të njëjtit do të shkelen nga konkurrentët rajonal, për të përfunduar në fund në gjendje paaftësie konkurruese. E përderisa fokusi ynë zhvillimor ndalet në disa numra buxhetor e në disa shitje denigruese të aseteve për borxh e interesa personale, zhvillimi ekonomik mbetet jashtëzakonisht larg.  

Friday 6 January 2012

SFIDAT E NJË FILLIMI TË RI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 JANAR 2012

Për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore të zhvillimit ekonomik kosovar. Me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës.


Kronika e parë e KTV-së në motin e ri krahas percepcioneve për një vit të plotë jepte dhe pritjet e kosovarëve për 2012-ën. Pothuajse të gjithë, i vjetër e i ri, zënin fjalët ‘më shumë punë’ e ‘më pak korrupsion’ në paraqitjet e tyre pakfjalëshe. Në fund të fundit, jo se pritej ndryshe. Ndërrimi i moteve jo se bën fillimin e rifreskimin drejt një epoke të re, është thjeshtë një ditë tjetër; prandaj brengat tona të një viti më parë (pra një dite më parë) janë e duhet të jenë të njëjta me ato të një viti më pas (pra një ditë më pas). Megjithatë, në mes të këtyre dy ditëve  janë shpenzimet tona enorme në konsum ushqimor dhe mjete piroteknike ato që bëjnë namin. Festat tona periodike dy-tri ditore, si askund tjetër në botë, shënojnë rekorde në shpenzime familjare. Për një ekonomi prodhuese, rritja eksponenciale e konsumit, qoftë dhe për pak ditë, do të ishte mrekulli. Për një ekonomi tërësisht blerëse, i gjithë konsumi është eksport i parasë tek importuesit tanë.

Do të duhet një rishikim më i sheshtë i të dhënave të Doganave që publikohen disa javë më pas për të parë ndryshimet reale në konsum. Nuk di sa është i saktë pretendimi që më ra në vesh se vetëm nga shitja e mjeteve piroteknike, buxheti i vendit ka inkasuar rreth dy milionë euro; që do të bënte shitjen e tyre diku në vlerë prej dhjetë milionëve. Sidoqoftë, dy apo tre nuk ka rëndësi, rëndësi ka se kemi një tendencë disi të çuditshme në djegien e parave. Për më tepër, shpenzime si këto tregojnë se jemi shoqëri e orientuar drejt konsumit e shumë pak drejt investimit. Disa vite më parë kur hartoheshin strategjitë zhvillimore të Kosovës, thuhej se përparësi e padiskutueshme e jona është dëshira dhe motivi për të bërë biznes. Nuk kam se si të mos shpreh papajtueshmëri me këtë vlerësim. Nëse asgjë tjetër ne jemi veçse imitues të dobët të ideve dhe konsumues edhe më të dobët të produkteve. Dhe njëjtë sikurse ushqimi, dhe djegia e parasë në ‘petarda’ është eksportim i parasë me të madhe jashtë. Në vende normale, nuk janë të rralla politikat që orientojnë konsumin e qytetarëve të vet. Disa qeveri vendosi taksa ultra të larta duke i bërë kështu produktet të pashitura (rasti i duhanit e alkoolit në Britani të Madhe). Të tjerat vendosin thjeshtë kuotime. Në fund të fundit krismat e pakontrolluara jo vetëm që na bëjnë dëme ekonomike të panevojshme, por ato dhe prishin imazhin e një feste (meqë nuk lënë një të shkretë të ecë rehat) dhe në fund lënë me dhjetëra të gjymtuar nga pakujdesia në përdorim.

Për natyrën dhe stërzgjatjen e festimeve s’kam se si të mos shpreh refuzim. Prishtina dukej një fshat i vdekur përballë kryeqyteteve të rajonit. Mungesa e kreativitetit tonë për të bërë atraksion turistik, të paktën ndërshiptarë (meqë kaq mund të mbledhim një herë për njëherë), na lë me një grumbull njerëzish që në numërimin mbrapsht të motit të ri, hedhin valle shqipe nën tinguj të muzikës rok. Kosovarët nuk janë se s’dinë të mblidhen e shënojnë gëzim. Kujtoni koncertet e organizuara nga promovuesit privat që kanë mbledhë për mrekulli me mijëra njerëz vetëm këtë vit; madje pamjet e Prishtinës kishin marrë dhe televizionet evropiane. Është organizmi publik dhe njëherë ai që na dëshpëron. E kur jemi tek publikja, besoj se gjithë ata që kanë marrë mundin e të parit televizionin tonë publik kanë gjetur varfërinë e një spektakli ‘alla-mosvet’. Shembuj si këto duhet ti ngjallin averzion kosovarëve nga çdo gjë që është publike në vend. Në mini-modele si këto gjenden defektet reale të mospronësisë private. Ato vetëm zmadhohen me zmadhimin e modelit.

Edhe më e tepruar më duket praktika e zëvendësimit të festave në ditë pune. Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Evropë që jep pushim shtesë nëse festa bie në vikend. Vendi i fundit evropian që kishte këtë praktikë ishte Shqipëria e cila jo më larg se dy vite më parë i dha fund një marrëzie të tillë. Me stërzgjatje si këto vetëm brenda një viti ne humbim mbi 10% të ditëve të punës; thuajse kemi bërë namin me punë. Për një vend me deficit serioz në punë e krijim të vlerës, tendenca për pushim është paradoksale. Fatmirësisht sektori privat po tregohet më restriktiv në dhënie të pushimeve duke treguar vlerë atëherë kur publiku (sektori) fle.

Për të ju kthyer thirrjeve kosovarëve në kronikën e KTV-së, lajmi i keq është se me trendet e deritanishme ekonomike në vend, me menaxhimin e varfër që kemi treguar nëpër vite, me krizën potenciale evropiane dhe me gjithë pesimizmin e treguar nëpër Evropë nga liderët shtetërorë gjatë urimeve vjetore, pritjet për punë në vitin 2012 janë hiç reale. Në ekonomi, për dallim nga çdo fushë tjetër, outputet korren shumë vite pas mbjelljes. Ne do të marrim sot atë çfarë kemi bërë dy-tre vite më parë, e do të mbjellim sot atë çfarë do marrim dy-tre vite më pas. Në tre vitet e fundit regresi ynë ka qenë evident. Ka qenë aq evident sa kemi tmerruar çdo krijues pune. Vendorët i kemi bërë të pakonkurrueshëm me një ambient fiskal jopromovues, me norma interesi më të larta se margjina e profitit, me monopole të vetëkrijuara e me barriera institucionale që nuk shteren asnjëherë. Të huajt i kemi larguar një herë e mirë. Kujtoni vetëm lajmin e disa ditëve më parë, kur një nga prodhuesit më të famshëm të veturave “Mercedes”, refuzoi ti shiste institucioneve kosovare. Arsyet e dhëna ishin puro korruptive. Rangimi ynë në Transparancy International për nivelin e korrupsionit kishte bërë vendin tonë një vend që as për të shitur nuk bën. Lajme të tilla nuk besoj se kanë shqetësuar dikë në politikëbërje, por kur një “Mercedes” refuzon Kosovën për të shitë, paramendoni sa larg mund të jetë për të investuar. E kur jemi kaq larg investimeve serioze, më ndryshe se faljet e pronave publike tek tyxharët orientalë, atëherë si mund të krijojmë vende të reja pune për kosovarët e kronikës së lajmeve?

Prandaj,  për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Për më tepër, do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore të zhvillimit ekonomik kosovar. Letra e fundit e FMN-se, në reflektim e sipër për ndryshimet ekonomike brenda dhe jashtë Kosovës, korrigjon rritjen ekonomike në jo më shumë se 4% për tre vitet e ardhshme. Ky numër është dy herë më i ulët se planifikimet e Qeverisë, dhe objektivi real për të krijuar vende pune. Me 4% rritje ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës. Për më tepër, këtë vit do të mbështetemi edhe një herë në shpenzime qeveritare si alternativë e vetme e rritjes ekonomike; e një mbështetje e tillë është dëshpëruese marrë parasysh paqëndrueshmërinë e një modeli të tillë zhvillimor. Në parametra si këto vendet e punës do të stagnojnë dhe më shumë, por jo dhe korrupsioni. Me nivelin e tanishëm të menaxhimit të parasë publike, hipershpenzimet do të jenë burim i keqpërdorimit të taksave kosovare. E në keqpërdorime si këto, me inpute të deritanishme, me outpute mercedesiane, Kosova gradualisht po largohet nga shpresa e saj për rimëkëmbje. Ritme si këto nuk krijojnë asnjëherë punë. Ato vetëm thellojnë krizën tonë.