Friday 19 August 2016

MBI KAPJEN DHE KORRUPSIONIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 GUSHT 2016

Një tregim mbi privilegjin e korruptimit; transformimin e korrupsionit e kapjes si normë shoqërore; dhe martesën e paqëllimshme me ndërkombëtarët.


-1-

Kapja dhe korrupsioni vazhdojnë të mbesin dy sëmundjet më kronike dhe më të kushtueshme të vendit tonë; në veçanti të ardhmërisë së fëmijëve tanë. Në këtë shkrim, do të provoj të rrumbullakojë tri shtyllat kryesore, që unë besoj, se sot përbëjnë substancën e kapjes dhe korrupsionit. Nëpërmjet këtyre shtyllave do të provoj të shpërfaq në formë të përmbledhur natyrnë, forcën dhe pasojat ekonomik e shoqërore të kapjes dhe korrupsionit.

-2-

Në shtyllën e parë – privilegjin e korruptimit – do të provoj të diskutojë mbi konsekuencat dhe interferencën e kapjes e korrupsionit në ciklin e bizneseve, dhe se si kjo interferencë ndikon jetën e një kosovari të ri; i cili, në secilin përllogaritje del të jetë kryesisht i papunë.

Korrupsioni këndej nuk është i zgjeruar, është i fokusuar. Të mos keqkuptohemi, korrupsioni është me prezencë enorme, është i madh pra, por është i fokusuar. Një kosovar mesatar ka pak gjasë të hasë në praktika korruptive, le të themi me forcat policore në komunikacion, më mësues apo shërbyes civil të rendit të ulët. Do të jetë shumë e zakonshme që një pjesë e kosovarëve kanë dhënë pak ose fare mjete financiare për shërbime ditore. Por korrupsioni në Kosovë është i ndërlidhur me vendimet e mëdha, të politikave të mëdha, tek politikanët e mëdhenj. Pra, është i ndërlidhur në a) prokurim publik; dhe b) punësim publik. Zgjerimi i ndikimit të tyre natyrisht se është i madh; porse burimi i nisjes së tyre është i ngushtë.

Prokurimi publik, apo paraja që tenderohet nga qeveria, përbën sot një të pestën e vlerës së ekonomisë kosovare. Nga madhësia është njëri ndër faktorët më të mëdhenj ekonomi, në mos faktori më i madh. Është pesë herë më i madh se investimet e jashtme direkte; është pesë herë më i madh se donacionet që Kosova merr çdo vjet nga jashtë. Është më i madh se sa remitencat – apo paratë – që kosovarët marrin nga diaspora e tyre. Është 1 miliardë euro në vit, çdo vit; dhe është i korruptuar.

Prokurimi publik është burimi kryesor i trajtimit të pabarabartë të bizneseve; demotivues i secilës nismë ndërmarrëse në vend, shkatërrues i konkurrencës – rrjedhimisht shkaktar i papunësisë së të rinjve në vend. Shihni; sikur korrupsioni të ishte rregull i njëjtë për të gjithë, do të thoshte se bërja e gjërave këndej, përfshirë aktiviteteve biznesore, do të ishte më e kushtueshme – por më e kushtueshme për të gjithë. Secili, në fund të ditës, do të merrte trajtim të njëjtë; secili do të kishte fushë të njëjtë garimi.

Këtu, megjithatë, kemi të bëjmë me “privilegjin e korruptimit”. Këtu, jo gjithkush mund të korruptojë. Ka pra një garë para-konkurruese mbi të drejtën e korruptimit. Ata që përfitojnë këtë privilegj konsiderohen me fat. Ata marrin të drejtën e shfrytëzimit të xhepit prej 1 miliardë eurove në vit.

Dhe mu për shkak të këtij fakti, një cikël disfunkcional i produktivitetit dhe punësimit fillon. Shihni; një biznes normal, një biznes në pronësi të familjes apo një ndërmarrës i rëndomtë, ka një logjikë biznesore shumë të thjeshtë. Do të shesë, do t’i rrisë të ardhurat, do të bëj fitim, do të riinvestojë këtë fitim në biznes dhe do të shtojë fuqinë punëtore për t’iu përgjigjur invesimit të ri. Në gjithë këtë rrjedhë përfitojnë të gjithë. Një euro e shpenzuar nga qeveria do t’i prekte të gjithë. Ndërmarrësin duke ja rritur vlerën e biznesit; shoqërisë duke ja ulur papunësinë.

Në një botë ku dominon “privilegji i korruptimit” gjërat nuk ndjekin një cikël të tillë. Bizneset e privilegjuara nuk ndjekin këtë logjikë. Ata e dinë se dritarja e mundësive të tyre, të marrjes së punëve nga qeveria pra, është e kufizuar – është pra e hapur për një kohë shumë të shkurtë. Për t’iu përgjigjur kësaj periudhe të shkurtë ata shkurtojnë dy fazat e fundit të operimit. Pra, nuk riinvestojnë dhe nuk punësojnë. Për ta, e mjaftueshme mbetet rritja e shitjeve dhe gjenerimi i fitimit – për aq kohë sa mbetet dritarja e hapur – duke ditur gjithnjë se në mbylljen e parë të saj, janë bizneset e reja që i zëvendësojnë ato.

Një sjellje e tillë perverse e bizneseve ka bërë që kosovarët të mos marrin vlerë për paranë e shpenzuar. Por mbi të gjitha, kanë bërë lindjen e një cikli të përçuditshëm biznesor ku fati i bizneseve ndërlidhet me fatet e qeverive. Kështu, bizneset më të mëdha në vend kanë cikël ekspansionist të ndërlidhur me ciklet zgjedhore e të prezencës së qeverive. Mbi të gjitha, kanë numër qesharak të të punësuarve për qarkullimin (tërësisht nga prokurimi publik pra) që këta bëjnë.

-3-

Në shtyllën e dytë – korrupsioni është normalja e re – do të provoj të diskutoj mbi transformimin e së keqës në normë shoqërore, në diçka të pranueshme e tolerueshme nga të gjithë. Pra, në njërën anë nga organizimit politike e partiake, e në anën tjetër nga shoqëria në tërësi.

Partitë politike, në masë të madhe, nuk bëjnë konkurrencë mbi luftën ndaj korrupsionit, por bëjnë konkurrencë mbi luftën për korrupsion. Përfitimet e kapjes dhe korrupsionit, të standardizuara e formësuara mirë, shërbejnë për këto parti si karem i tërheqjes së mbështetësve e votuesve. Për partitë, plaçka përfundimtare e bollshme, është material promovues i marrjes së mbështetjes. Për votuesit e mbështetësit, ndërsa, partitë politike janë baste që – në rast të qëllimit – japin rendiment të përfitimit personal.

Ky cikël, ç’është e vërteta, tashmë është i formësuar mirë. Edhe në mes të votuesve individual që për një vend pune të poseduar vazhdojnë votimin e kapjes; edhe në mes të atyre që për një vend pune të premtuar kërkojnë vazhdimin e kapjes – nga akterë të ri. Kapja, gjithsesi, në të dyja rastet është qëllimi. Ata që janë më të zot grupizohen. E bëjnë këtë për të rritur Pazar. Prandaj ke sot gurpe degësh e anëtarësish që ndryshojnë parti poltike në grup. Sepse është punë pazari e rritje çmimi; është punë premtimi për përfitim. Dhe kjo kulturë partiake, në masë të madhe pra, është bërë e zakonshme. Sot, një parti politike e ka vështirë të fitojë po nuk ofroj në paketën e tërheqjes shpërblime si të kapësve ekzistent.

Në një pikë, përfituesit e sistemit krijojnë një shumicë të thjeshtë. Dhe është kjo shumicë e thjeshtë që shpërfaqet si shkatërruese për shoqërinë. Pra, praktikisht, në një sistem ku vota është e ndarë, kushdo që siguron primatin – vendin e parë pra – pavarësisht madhësisë së këtij primati, merr të drejtën e përfitimeve të bollshme. Siguron përfitim pra në tenderët publik, pagat publike e privilegjet publike. Në Kosovë, ky primat është treguar të jetë në jo më shumë se një të tretën e votave. E një e treta e votave është fare e lehtë për t’u mbajtur në sistem. Në të vërtetë, është një e treta në Kosovë që mbahet në sistem tash e sa kohë.

Por ndoshta, dëmi më i amdh nuk është krijuar në transformimin e korrupsionit si normë shoqërore brenda partive politike. Dëmi më i madh është krijuar në pareakcionin e qytetarëve dhe pranimin e korrupsionit nga ta si normë shoqërore.

Ne jemi në mes të shpërthimit të skandalit më të madh të përgjimeve telefonike në vend. Siç dhe kam argumentua më parë, ky skandal tregon përmasën shkatërruese të korrupsionit dhe kapjes së shtetit tek ne. Skandali tregon se të gjitha pozitat publike, filluar nga prokurorët publik, gjykatësit  shkallës së parë e deri tek ata të apeleve; pozitat në polici, hetuesi, në ndërmarrje publike – sërish nga kryeshefët e deri tek rojtartët e godinave; pozitat e tjera në agjenci, komisione, universitete, shkolla e trupa të pavarura; që të gjitha janë pjesë e një organizimi parapolitik e parinstitucional që vepron drejt kapjes së shtetit. Në këtë organizim parainstitcuional janë të përfshirë figurat kryesore politike në vend. Dhe sërish, kur sekreti publik faktohet, shoqëria jonë vazhdon të heshtë e mosreagoj. Një i ri apo e re, dëgjon se secili përfitim publik është i parapërcaktuar, dhe kupton se në bisedat si këto vidhet ardhmëria e tij, rrethit e vendit të tij, dhe sërish nuk reagon – tregon, në masë të madhe, derexhenë e shoqërisë sonë.

-4-

Në shtyllë e fundit – martesa me komunitetin ndërkombëtar – do të provoj të elaboroj një bashkëjetesë të paqëllimshme por ekzistente në mes të ndërkombëtarëve dhe klasës kapëse e korruptive në vend. Them e paqëlimshme sepse do të ishte absurde e tërësiht jokorrekte të injorohen thirrjet e ndërkombëtarëve për lufgtë ndaj korrupsionit. Vetëm ambasadori i SHBA-ve në muajt e fundit ka bërë thirrje e mbështetje për luftë kudnër korrupsionit më shumë se sa secili institucion tjetër në vend. Në të vërtetë, është vetëm falë kërkesës së tij për hetime ndaj “Pronto II” që u aktivizua kryeprokurori i shtetit pas konferencës së parë tërësisht amortizuese. Pra, pa një prezencë ndërkombëtare, gjërat do të ishin shumë më keq.

Por përtej qëllimeve e prezencës në fjalë, ka dhe një anë tjetër që shfrytëzohet për së mbrapshti. Ka pra, një keqshfrytëzim të relacioneve zyrtare për popullizëm publik e mbështetje publike. Për të qenë i qartë, korrupsioni në Kosovë para se të jetë punë e ndërkombëtarëve është punë e jona; e shoqërisë sonë. Por hierarkia e reagimeve nuk duhet t’i kursej të tjerët në listë.

Shihni, për komunitetin ndërkombëtar, në listën e prioriteteve mbi Kosovën dhe regjionin, gjendet stabiliteti politik. Gjëja e fundit që komuniteti i jashtëm do të donte sërish të ndodhte në Kosovë e Ballkan është zjarri i 90-va që kishte ngjarë këndej. Dhe në këtë ndjekje të prioriteteve të tyre, ata në masë të madhe, kanë zgjedhur të bëjnë tregti me, siç i quajnë ata “delivery guys”. Pra me individë e grupe që sigurojnë këtë stabilitet.

Ndodhë, megjithatë, që këta individë që sigurojnë stabilitet, janë të njëjtit që kërcënojnë me stabilitet – apo dhe, në paqëllimshmërinë e tyre për destablitet, me politikat e tyre të kapjes krijojnë këtë destabilitet. Pra jostabiliteti i tyre, i qëllimshëm, është përdorur nga të njëjtit si formë kërcënuese për të mbetur në pushtet. Dhe këtu ndodhë kurthi i mbajtjes së tyre. Për të siguruar një stabilitet rajonal, këta marrin të drejtën e kapjes që kishte ndodhur para të gjitha misioneve ndërkombëtare në vend.

E shtatëmbëdhjetë vjet më pas, ne dëgjojmë nga ndërkombëtarët se “secili popull meriton qeverinë që ka”. Fillimisht, kam të vështirë të pajtohem me një thënie të tillë. Personalisht mendoj se amerikanët s’meritojnë Donald Trump; e as britanikët Boris Johnson. Në të vërtetë, as ne nuk meritojmë këta.

Dhe në përpjekjen e vogël të një mase kritike për të transformuar këtë shoqëri, e për të sjellë një qeverisje që meritohet njëmend nga Kosova e Majlindës, Ritës, e Dua Lipës, martesa e paqëllimshme me komunitetin ndërkombëtar po bëhet e dëmshme. Është jashtëzakonisht e dëmshme, për luftën ndaj kapjes, një fotografi a takim me politikanët më të lartë nëpër botë. E njëjta fotografi e i njëjti takim transformohen këndej, në mos në përkrahje, në mosreagueshmëria e amortizim.

E vërtetetë që institucionet e jashtme takojnë të deleguarit e qytetarëve; por është aq e vërtetë se ky delegim nuk ka për të ndryshuar përderisa nuk ndryshojmë ciklin e tanishëm. Prandaj, është esenciale që ndërkombëtarët të dalin me emra konkret, të individëve që kanë kapur shtetin, me të cilët do të refuzojnë bashkëpunim. Në mos qofshin këta më të lartit institucionalistë, do të jenë më të fuqishmit në ciklin e zinxhirit politik të të mëdhenjve. Dobësimi i këtyre lidhjeve forcon transformimin njëmendtë të Republikës.




Monday 15 August 2016

HERONJTË E REPUBLIKËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 GUSHT 2016

Sepse, përtej secilës llogaritje të sëmurë partiake e politike këndej, përtej secilës nevojë perverse për të sharë e ofenduar përfaqësimin tonë prej Republike, ka vajza e djem, më të mirët nga ne, që do të bëjnë diçka që kapësit në pushtet, llafazanët turbofolk e fashistët fqinj, s’kanë për të imagjinuar e mundur asnjëherë – do t’i japin këtij shteti, të pavarur, dinjitet.

-1-

Në kohën e shpërfaqjes së anës së errët të kastës para-politike që ka kapur secilën pjesë të publikes këndej; në kohën e apatisë qytetare për reagueshmëri të çfarëdollojshme; në kohën e zymtësisë së përballjeve të gërditshme e kokëngrirëse të partive politike kosovare, Majlinda Kelmendi i dha këtij vendi, atë çfarë asnjëri nga këta nuk kishte bërë më parë, dinjitet.

Jehona e fitores së Majlindës, ishte, mesiguri, përtej secilit parashikim që dikush mund të kishte bërë këndej. Sepse, në natën e parë të fitores, mediat botërore kishin nisur të shpërfaqnin fotografinë e suksesit së një vendi të vogël; i cili, nëpërmjet një sportiste të vetme, kundrejt të gjitha gjasave, kishte marrë medalje olimpike në pjesëmarrjen e tij të pare. Fjala “Kosovë” ishte ndër më të më përmendurat në rrjetet sociale po atë natë. Një imazh i shkëlqyteshëm që po ekon edhe sot.

Ishte pjesëmarrja e parë çfarë kishte bërë Kosovën të jetë në qendër të vëmendjes së këtij edicioni qysh në fillim. Parakalimi, madje, i sportistëve kosovarë në ceremoninë hapëse ishte përcjellë me fokus të ndarë nga të tjerët. Kishte, pra, një shenjë solidariteti ndaj një vendi që, për shumëkë, i bëhej e padrejtë. Dhe në ditën e parë të të heqjes së kësaj padrejtësia, Kosova kishte shpërthyer shpejtë; me medalje të partë. Është vërtetë, siç dhe e kishin quajtur shumë, tregim përrallor.

-2-

Suksesi i Majlindës, dhe shtetit të Kosovës natyrisht, kishte ngjallur një ndjenjë shpërthyese ndaj identitetit të Republikës. Besoj se janë të shumtë kosovarë që kanë ndjerë me zemër e lot – siç dhe ndjeva unë – momentin e ngritjes së flamurit e intonimit të himnit. Të të njëjtëve që këndej shpërfillen jo pak nga llafazanë politikë e eurokrem patriotë.

Shihni, përtej diskutimeve mbi mënyrën e përcaktimit të simboleve, ishte substanca e tregimit të tyre që jepte atë natë emocion. Dhe substanca e këtij tregimi nuk kishte vetëm një kapitull, atë të fundit, të dukjes së tyre. Substanca tejkalonte, natyrisht, aktin përfundimtarë; e stër-tejkalonte madje. Sepse, momenti i ngritjes nuk ndërlidhej me proces dizajnimi flamujsh, as me bukurinë e simbolit, por ndërlidhej me përpjekjen e Kosovës, e gjeneratave të tëra, të familjeve, pleqve, burrave e grave kosovare për të pasur liri dhe shtet; për të qenë me shtëpi tonën siç jemi sot. Kjo shtëpi është natyrisht larg nga çfarë e kemi menduar, por ajo megjithatë mbetet shtëpi e jonë. S’do të bëhet më e mirë po e përlyem atë.

Dhe shtëpi e jona, ky shtet i joni pra, i përpjekjeve të mësuesve, bujqve, mjekëve, punëtorëve krahut, gazetarëve, intelektualëve e luftëtarëve pra, po ngrihej atë natë nga Majlinda triumfalisht. Në atë qetësi e këndshmëri intonuese të tingujve që identifokojnë çfarëdo që kemi mbërri sot, neve na shfaqej në pak sekonda i gjithë rrugëtimi jonë shoqëror.

Këtë ndjenjë s’kanë se si ta kuptojnë folk-nacionalistët e tanë, e as ardhacakët e llafazanët trushpëlarës nga Tirana. Nuk e kapin dot. Nuk e kapin dot përpjekjen e një familje mesatare nga Kosova, që përtej skamjes e frikës së pushtimit ndërton ëndrrën për pavarësi e shtet – për liri. Dhe ky rrugëtim i tyre, atë natë, u shpërfaqej kosovarëve shpejtë, në pak sekonda, nëpërmjet një flamuri dhe një himni. Ishte gëzim që meritonin gjithherë.

-3-

Idiotët llafazanë e turbofolk nuk e kuptojnë dot se identiteti i Republikës së Kosovës është po aq shqiptarë sa gjithçka shqiptare sot. Këta idiotë vënë dilema të përzgjedhjes në mes të “kosovarizmit” dhe “shqiptarizmit”, në mes të flamurit të Republikës dhe atij Kombëtar. E bëjnë përballjen si zgjedhore e jo komplementare. Thuajse Kosova nuk është e shqiptarëve; se shqiptarët e e Kosovës që jetojnë në një shtet e organizmi të ndarë politik nga shqiptarë te Shqipërisë janë më pak shqiptarë. Çfarë idiotizmi i pashoq. Idiotët kështu e shohin këtë punë; pak nga padituria, shumë nga kompleksi për protagonizëm. Çfarë idiotet mendojnë ka pak rëndësi. Do të zhbëhen nga dalë me secilin triumf të më të mirëve të Republikës. Janë të humbur.

Çfarë s’po zhbëhet është kapja e korruptivëve që secilin sukses tonin jashtë, e minusojnë brenda me skandale, regres e imazh tmerrues të vendit tonë. Sukseset e Majlindës, të sportistëve të tjerë, të artistëve, shkenctarëve e individëve të tjerë, do të duhej të ishin standard i zakonshëm. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka treguar potencial të jashtëzakonshëm që për kokë banori të prodhojë suksese që krahasohen me pak kë. Në sport, pra, po japim futbollistë, xhudistë e basketbollistë të niveleve triumfuese; në kinematografi kemi arritur në “Oscar”; në muzikë ndërsa, po renditemi – në vazhdimësi  madje – me talentet më të spikatura të kohës. Këto s’janë pak. Një vend i vogël si ky i joni po i jep botës sport, art e kulturë.

Triumfet e tyre pra, do të duhej të ishin pjesë e zakonshme e jona. Por s’janë. Në vend të krijimit të pasuesve të tyre ne po krijojmë kapës që punësohen nga partia në gjyqësi, prokurori, polici, mësimdhënie, univeristet e shëndetësi. Po krijojmë analfabetë e injorantë me përgjegjësi.

-4-

Zhbërja e sa më parme e kapësve, do t’i hapë rrugë forcimit e lartnimit ndërkombëtar të shtetit të panjohur të Kosovës. Do t’i jepte shanse krijimit të një identiteti shqiptar nga Kosova, i cili, deshtën apo s’deshtën kapësit, llafazanët idiotë e fashistët në Serbi, do të ketë sukses; s’ka për të rënë.

Sepse, përtej secilës llogaritje të sëmurë partiake e politike këndej, përtej secilës nevojë perverse për të sharë e ofenduar përfaqësimin tonë prej Republike, ka vajza e djem, më të mirët nga ne, që do të bëjnë diçka që kapësit në pushtet, llafazanët turbofolk e fashistët fqinj, s’kanë për të imagjinuar e mundur asnjëherë – do t’i japin këtij shteti dinjitet.

Këta vajza e djem, më të mirët të Republikës, do t’i tregojnë secilit turbofolk, kapës e hajn se çfarë do të thotë të duash a bësh për atdheun. Do t’i tregojnë botës - dhe neve - anën tjetër të Kosovës; atë të ndritshmën, më të mirën, atë që do të triumfojë këndej herët apo vonë. Do t’i tregojnë fëmijëve tanë modelin e patriotëve modern; e prindërve tanë se sakrifica e tyre për shtet e dinjitet ja ka vlejtë. Në fjalë të Majlindës, do t’i tregojnë secilit se është nderë e privilegj, siç e kishte thënë kampionja vet “të ngrisësh flamurin e himin e Republikës” nëpër botë.



Monday 8 August 2016

ZËRAT E NËNTOKËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 GUSHT 2016

Një i ri apo e re në të Kosovë, sipas secilit parashikim, matje e skenarë, do t’i kalojë, sipas të gjitha gjasave, të gjitha të njëzetat pa asnjë ditë pune. Ky i ri, apo e re, që dëgjon teksa shefi i shefave, dhe shefat e tij, ndajnë vende pune për militantë e bashkëpartiakë, duhet ta kuptojë se janë mu vitet e tij, këto të njëzetat pra, që po i vidhen para syve. Dhe për këtë hajni, ai duhet të ketë zë. Heshtja, që kjo gjeneratë, e jona pra, po prodhon para kapësve është motivim i kapësve për të bërë njëjtë dhe më shumë. Mosreagimi ynë është ushqim i tyre.



-1-

Kur në nëntor të vitit 2012 kishin rrjedhur përgjimet e para të – çfarë shihej të ishte që nga atëherë – krimit të organizuar të instaluar brenda institucioneve të Republikës, reagimi publik ishte shokues.  Në pak minuta biseda telefonike, kishte dalë në pah i gjithë niveli i ulët, i gërditshëm e mbi të gjitha i trishtueshëm e i pasigurtë i figurave kyçe të Partisë Demokratike të Kosovës, që, në thelb, mbanin në duar të tyre, në gjithë atë padituri e provincialitet, fatin e gjithë vendit. Që nga atëherë, njëri nga ta ishte bërë President i Republikës, tjetri Kryeparlamentarë; i treti kishte mbetur shef grupi kuvendar – i njohur së këndejmi shef i shefave – e i fundit kishte përfunduar në burg.

Plot katër vite më pas, një valë e re përgjimesh, të kohës së njëjtë pra – po shpërfaqeshin sërish. Bëhej fjalë pra, për dy muaj përgjime dhe mbi njëmijë telefonata kompromituese të rahatimeve, kapjes, promovimeve, punësimeve e koordinimeve të stilit tipik mafioz e para-institucional. E merrni dot me mend, bëhet fjalë për vetëm dy muaj kohë dhe plot njëmijë shkelje ligjore e veprime kapëse-kriminale. Paramendoni përmasën e kapjes të gjashtëmbëdhjetë viteve këndej.

-2-

Për gjeneratat e ardhshme, për ato që do të vijnë e do të lexojnë për kohën tonë, kapja e Republikës duket kështu:

Shefi: A je dakord për n’KOSTT?      
Militanti: Ku? 
Shefi: N’KOSTT.        
Militanti: N’KOST. Qysh n’KOST mar?        
Shefi: N’KOSTT, n’bord.       
Militanti: Po.. n.. shka osht ajo?

Janë pjesë të shkëputura të bisedës së përgjuara. Bëhet fjalë për institucionin më të rëndësishëm energjetik në vend, për menaxhimin e transmisionit të Republikës. Bëhet fjalë për caktimin e njerëzve të partisë, të paditur e papërgatitur tërësisht, në udhëheqjen e institucioneve që as emrin e përmbajtjen e punës nuk ja u dinë. I njëjti ishte caktuar më pas prokuror i shtetit – me gjasë me dije të ngjashme për vendin tjetër punës. E tash, prokuroria që ishte dashtë të nisë hetimet për krim, është në duar të tij e të tillëve si ky. Është kapja kjo, shpërfaqur në formën më tragjikomike të mundshme.

-3-

Përgjigja e kapësve natyrisht se ishte tallëse. E thanë se u kishin premtuar elekotarit të tyre punësim; pa kuptuar kështu pranimin e fajësisë. Se, para ligjit, në punësimin e adminsitratës publike, të gjithë qytetarët e vendit janë të barabartë. Do të ishte e mjaftueshme një pranim si ky për prokurori; sikur të kishte një të tillë.

Problemi pra këndej është shumë më i rëndë. Fillimisht, duhet kuptuar se kjo strukturë para-institucionale ka caktuar prokurorë, gjykatës, policë, mësues, mësimdhënës të tjerë në universitete publike, zyrtarë në media publike, vendimmarrës në të gjitha ndërmarrjet publike – nacionale e lokale; kanë caktuar komisione e borde të agjencive e institucioneve në thelb e ligj të definuara si të pavarura. Pra, kanë caktuar dhe kështu kanë përcaktuar fatin e gjithë sistemit publik në vend.

Stili i një kapje të tillë ka mundësuar natyrisht trajtimin e tyre si të paprekshëm. Kur ka nevojë për propagandë, janë mediat publike – siç ishte rasti i mosraportimit të skandalit nga televizoni – gjoja – publik. Kur ka nevojë për mbrojtje nga dora e ligjit, janë prokurorët e gjyqtarët, nga shkalla e parë e deri te ajo e apelit. Edhe po guxoj dikush ta trajtojë “gabimisht” ndonjë element të kapove të mafisë parainstitucionale, do të jenë shkallët tjera për të korrigjuar këtë “gabim”.

Kur ka nevojë për përfitime fmailjare, janë vendimmarrësit nëpër borde, nëpër universitete publike e punëshënës të tjerë publik. Kështu punësohen të gjitha nga familja – siç dhe kishin pranuar vite më parë, është parim i joni, e thanë, të kujdesemi për familjen, pa kuptuar provincialët kapës e të pangopur sërish shkeljen e ligjshmërisë e thelbit të vet Republikës për të gjithë.

Kur ka nevojë për licenca e tenderë, për para e pasurim nga publiku, janë komisionet e anëtarët e tjerë të pavarur. Të gjithë të futur në sistem me stil të njëjtë – “A je për këtu?” dhe “Çka është ajo?”.

Pra, kjo klasë parainstitucioanle e ka bërë këtë vend të shkojë drejt rrënimit. Ka kapur sistemin e parave, të privilegjeve, të rahatimit dhe të mosgjyqësisë për ta. Sistemi, i ndërtuar nga vet ta, s’ka për ti larguar ata.


-4-

Përveç rrënimit të Republikës, kapja dëshmoj edhe tri rrënime të tjera të jetës shoqërore këndej.

Rrënimi i parë ndërlidhej me ata që duhej të përndiqnin secilin, pavarësisht fuqisë politike që dikush mund të kishte. Në ditën e dytë të shfaqjes së përgjimeve, prokuroria e vendit kishte deklaruar se nuk kishte bazë ligjore për vepër penale. Jo që pritej ndryshe nga të përcaktuarit e kapjes. Shihni, ideja e kapjes është pikërisht kjo, që në ditët më të ngushta të kapove, kapësit të kthejnë shërbim. E vërteta është se, në një vend normal, përgjimi mund të mos shërbejë si material provues në gjykatë, por i njëjti mund të shërbejë për nisje procedurash hetimore. Dhe për këtë punë qytetarët e një vendi normal ndërtojnë institucione prokurorie. Për këtë punë ata paguajnë prokurorë e shërbyes tjetër gjykate. Që ti mbrojë të njëjtit, dhe të mos trajtojnë askënd – as edhe njërin – mbi ligjin; e jo që të dalin, në ditën e dytë të shaqjes së përgjimeve, me qëndrim se nuk ka bazë ligjore për vepër penale.

Rrënimi i dytë ndërlidhej me mungesën e moralit politik në vend. Pra, po shpërthente një skandal që zhveshte gjithë krimin e kapjes në vend, po s’kishte as edhe një qëndrim institucional e politik për këtë. Hiç; asgjë. Edhe sikur, njëmend, përgjimet të shpalleshin të paligjshme si provë procedurale e hetimore, fakti se është bërë një krim i kapjes do të duhej të shërbente për reagim prej morali. Partia më e madhe do të duhej të shkarkonte të involvuarit në fjalë, institucionet duhej të pezullonin secilin të punësuar nëpërmjet kapjes, e Qeveria duhej të mbante qëndrim refuzues të heshtjes amorale. Natyrisht se partia më e madhe s’do të bënte reagim në baza të morali; si mund të reagojë moralisht një parti përgjegjëse – në gjithë strukturën e saj – për krimin mafioz të nisur këndej. Nuk reagoj as Qeveria e partneri i saj – dikur më i madh – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila duket se është tërësisht e paaftë, tërësisht e pavullnetshme, e tërësisht e painteresuar për të bërë politike minimalisht të drejtë. Është i trishtueshëm niveli intelektual e reagues i LDK-së sot.

Dhe rrënimi më i rëndë e më i papërbishëm, është ai paralizës shoqërore, i qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë të dorëzuar kaherë. Shihni për pak. Një i ri apo e re në të Kosovë, sipas secilit parashikim, matje e skenarë, do t’i kalojë, sipas të gjitha gjasave, të gjitha të njëzetat pa asnjë ditë pune. Ky i ri, apo e re, që dëgjon teksa shefi i shefave, dhe shefat e tij, ndajnë vende pune për militantë e bashkëpartiakë, duhet ta kuptojë se janë mu vitet e tij, këto të njëzetat pra, që po i vidhen para syve. Dhe për këtë hajni, ai duhet të ketë zë. Ai duhet të ndalet para zyrës së prokurorit për t’i kërkuar të bëjë kthimin e ardhmërisë së tij. Duhet të dal para Qeverisë për t’i kërkuar të drejtën e kthimit të shtetit në shtet për të gjithë. Heshtja, që kjo gjeneratë, e jona pra, po prodhon para kapësve është motivim i kapësve për të bërë njëjtë dhe më shumë. Mosreagimi ynë është ushqim i tyre.