Saturday 31 March 2012

EVAZIONI FISKAL: Roli i Qeverisë në Moralin Fiskal (2)


LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 31 MARS 2012

Kodi universal i shteteve moderne se “vdekja dhe tatimet janë të pashmangshme” në Kosovë mund të tingëllojë si një thënie e bukur por pa fije përmbajtje. Studimet empirike për Kosovën në këtë fushë bëjnë përgjegjës qeverinë dhe qytetarët për thyerje të marrëveshjes kontraktuale. Të parët fajësohen për politikat e tyre buxhetore dhe sjelljet arrogante të dhëna në vazhdimësi, ndërkaq të fundit për mungesën e përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë ndaj shtetit.

Ekonomitë e tranzicionit përmbajnë tipare që kryesisht mund të konsiderohen si pengesa në shumë procese të shoqërisë. Një nga tiparet e tilla në shumicën e rasteve është edhe roli i qeverisë dhe shtetit në ekonomi. Në njërën anë, vendimet dhe veprimet në sferën ekonomike varen dukshëm nga veprimet politike të qeverisë si dhe nga fuqia e lirisë së të vepruarit që ajo siguron. Në këtë kontekst pak kush mund të mburret me lirinë dhe liberalizmin e krijuar nga shteti kosovar për bërësit e ekonomisë. Në anën tjetër, përvojat nga vendet e ngjashme si ky i yni, forcojnë fuqinë e ndikimit të opinionit publik në rolin e mirëfilltë të qeverisë. Studimet empirike në Kosovë tregojnë se një nga arsyet se pse qytetarët nuk paguajnë detyrimet e tyre fiskale është besimi se qeveria shpenzon kot tatimet në vend të ofrimit të të mirave publike dhe shërbimeve; rrjedhimisht niveli i gatishmërisë vullnetare për të paguar tatime (apo morali fiskal) shënon rekordet më të ulëta të një vendi në zhvillim. Evazioni fiskal mund të konsiderohet si “përgjigje e arsyeshme” ndaj performancës së varfër të shtetit, duke shtyrë kështu relacionin qeveri-qytetar në një cikël domino. Përderisa qeveria kosovare gjen luks në blerjen e super veturave, dhënien e super mëditjeve, dhe e njëjta bëhet vegël e superpasurimit të shpejtë, përgjigja e kosovare pak është e pritshme të jetë admiruese.

Në këtë frymë, roli i qeverisë së Kosovës, që padyshim nuk kufizohet vetëm në sigurimin e kornizave institucionale, ndikon edhe ambientin ekonomik si dhe sjelljen e agjentëve që veprojnë në të. Me fjalë të tjera një euro e shpenzuar nga qeveria ndikon vendimin e qytetarëve apo bizneseve për të kontribuar apo jo vullnetarisht një euro shtesë në buxhetin e vendit. Një nga pasojat e një ndikimi të tillë negativ në obligimet fiskale shkaktohet edhe nga struktura komplekse e legjislacionit të tatimeve si dhe ndërrimet konstante që bëhen. Por “përgjigja e arsyeshme” e qytetarëve apo bizneseve nuk vjen vetëm si pasojë e kompleksitetit apo ndërrimeve konstante. Thelbi i një refleksioni të tillë qëndron në arsyeshmërinë, transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve qeveritare. Këto tri komponentë kryesore do të drejtojnë vendimin e agjentëve mbi relacionin me Qeverinë, në veçanti nivelin e moralit fiskal.

Një Qeveri mund të jetë transparente dhe efikase në shpenzimet buxhetore, megjithatë shpenzimet qeveritare mund të mos shihen si të arsyeshme nga taksapaguesit. Mungesa e investimeve që prekin drejtpërsëdrejti interesat e taksapaguesve dhe orientimi i fondeve buxhetore kryesisht në shpenzime për shërbime e benefite personale është një ndër thyerjet e para të marrëveshjes kontraktuale që një kosovar lidhë me qeverinë në momentin e përmbushjes së obligimit tatimor. Kur një qytetar paguan një obligim tatimor, pritjet e tij orientohen në kthimin e tyre në forma të rrugëve, rrymës, ujit, sisteme të kanalizimit, shkollave, shërbime shëndetësore, investime për krijim e vendeve të reja të punës apo përmirësimin e sistemeve të ndryshme ligjvënëse. Për trembëdhjetë vitet e fundit në Kosovë, pjesa më e madhe e shpenzimeve buxhetore nuk kanë gjetur arsyeshmërinë as për së afërmi tek taksapaguesit. Për më tepër, sjellja e shpërndarësve të parasë ka qenë absurde, naive dhe arrogante thuajse paratë publike ishin të trashëguara e lënë për ta. Në mungesë të plotë të arsyeshmërisë së shpenzimeve, thirrjet për oral fiskal (pra gatishmëri vullnetare) bëhen edhe më absurde, më naive e më arrogante.

Qeveritë mund të jenë të arsyeshme dhe transparente në alokimin dhe shpenzimin e buxhetit, megjithatë një mungesë në efikasitetin e një distribuimi të tillë rëndon percepcionet e qytetarëve po aq sa edhe mungesa e arsyeshmërisë. Efikasiteti i shpenzimeve qeveritare nënkupton efektin real të një euroje të dhënë në ekonomi. Me ciklin e tanishëm korruptiv në vend, ku një euro publike i jepet kushërinjëve, miqve e akrabave tjerë të vendimmarrësve, efikasiteti kuptimplotë bëhet i humbur. Një euro e dhënë tek një biznes fantom, që për qëllim ka shpëlarjen e parasë, ofrimin e shërbimit me kualitet më të ulët, e pasurimin e shpejtë, ka pak gjasa të prodhojë efekte në punësim e krijim të vlerës sa mund të ofrojë e prodhojë një biznes efiçent e me objektiv maksimizimin e profitit.
Ndoshta skenari më i rëndë dhe njëkohësisht më prezent në Kosovën e pas luftës është mungesa edhe e komponentit të tretë, atij të transparencës në pothuajse të gjitha vendimet qeveritare me theks të veçantë në shfrytëzimin e parasë publike. Tek ne me transparencë është rrumbullakur publikimi i një lajmi në faqe online, apo takimi për kafe me akterë. Pavarësisht kësaj, hapja e plotë e të gjitha informacioneve të rëndësishme publike siguron një bazë të shëndoshë për shpërndarjen e përgjegjësisë mbi akterët që potencialisht mund të bëjnë ndonjë shkelje, siguron një mbikqyrje mbi keq-menaxhimin dhe korrupcionin dhe së fundi siguron rritjen e besimit të publikut ndaj organeve vendimmarrëse që aktualisht konsiderohet të jetë në nivel mjaft të ulët. Por kur një Qeveri shpenzon një qerek të Bruto Produktit Vendor (rreth 1 miliard eruo) në një projekt të vetëm (autostradë), dhe mbanë sekret natyrën e shpenzimit të bërë, atëherë retorikat e një transparence bëhen pallavra. Principet e transparencës mbi shpenzimet qeveritare duhet të ndërtohen mbi parimin se qytetarët kanë çdo të drejtë informacioni mbi kontributet e tyrë në fondet buxhetore, në fund të fundit janë ata dhe vetëm ata pronarët e vetëm të kësaj paraje. Qeveria për ta është thjeshtë një argat; të paktën kështu do të duhej të shihej në një vend normal.

Ngarkesa tatimore, gjendja e rëndë ekonomike, si dhe faktorët e ndryshëm socio-demografik mbesin elementet thelbësore që mbajnë moralin fiskal të kosovarëve në gjendje të ulët. Shtuar kësaj edhe mospërmbushjen e pothuajse asnjë komponenti (arsyeshmërisë, transparencës dhe efikasitetit), atëherë thirrjet e vazhdueshme për reforma fiskale mund të shihen si plotësisht të arsyeshme.

Sistemi fiskal duhet të jetë i dukshëm para çdo kosovari dhe kjo duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të Qeverive të ardhshme të Kosovës. Arsyeshmëria, transparenca dhe efikasiteti i shpenzimeve buxhetore janë parakusht për çfarëdo përgjigje pozitive të shoqërisë ndaj sistemit shtetëror, përfshirë këtu edhe sistemin fiskal. Ndonëse në asnjë mënyrë nuk mund të gjendet arsyeshmëria në veprimet evazive të kosovarëve, një sjellje me përgjegjësi e shpenzuesve të parasë do të hapte rrugë që të paktën kosovarëve një ditë mund tu thuhet “Mos pyesni çfarë ka bërë shteti për ju por pyesni çfarë ju keni bërë për shtetin” (J. F. Kennedy). Duke vënë në harresë se kush filloj domino-ciklin e rëndesës së relacionit qeveri-qytetar, institucionet publike  duhet marrë hapin e parë për ndërprerjen e tij. Një veprim i tillë do të inkurajojë qytetarët të ndihen më përgjegjës ndaj shtetit duke rezultuar kështu në rritjen e gatishmërisë së tyre për të paguar tatime, e që në fund do të prodhonte një cikël të ri shumë më tepër produktiv se ky tani.

Friday 23 March 2012

EVAZIONI FISKAL: PROBLEMI (1)

LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 23 MARS 2012


Aplikimi i taksës së sheshtë (fla tax), përmirësimi i moralit fiskal, si dhe afrimi i ndjenjës së kosovarëve me vetë shtetin, janë parakushte për zbutjen e nivelit alarmant të evazionit fiskal në Kosovë

Po shprehja një habi të madhe rreth numrit 40 sa herë që shikoja të dhënat e anketës së fundit nga Riinvest mbi skanimin e gjendjes së bizneseve kosovare. Ky 40 sikur përsëritej më shpesh se sa një probabilitet i thjeshtë mund ta përsëriste dhe për më tepër dukuritë në të cilat përsëritej kishin një numërues të përbashkët: mosbindjen ndaj kërkesave të sistemit shoqëror. Për shembull, rreth 40% e pagave të fuqisë punëtore në sektorin privat fshiheshin nga punëdhënësit, ose rreth 40% e bizneseve kosovare nuk kishin ide për pagën minimale, ose 40% e bizneseve nuk kishin dëgjuar fare për Ligjin e punës apo për beneficionet ndaj punëtorëve. Ky 40% ishte gjithandej dhe për ta bërë skorien më interesante e dramatike, rreth 40% e shitjeve të bizneseve kosovare nuk raportoheshin fare për qëllime të administratës tatimore; pra evazioni fiskal në Kosovë arrinte plot 40%.

Në Kosovën e një mijë e një nevojave, mosmbledhja e tatimeve në nivel alarmant si ky i observuari lë vend për shumë keqardhje. Edhe më keq njeriu ndihet kur kupton entropinë e çrregullimin e pagesës së tatimeve. Në fund të fundit kosovarët dhe institucionet e tyre kanë një marrëdhënie kontraktuale të zhbërë. Pagesa e tatimeve, edhe në këtë nivel, nuk ka arsyetuar as edhe një herë shërbimet e marra. Për më tepër me luksin e shfaqur në publik nga politikëbërësit etja e kontributit për shtet bëhet ngopje. Pavarësisht kësaj humbjet e mospagesës dhe informalitetit prekin gjithçka. Kostot ekonomike të evazionit fiskal përbëjnë një mal. Ndër të shumtat, evazioni zvogëlon rritjen ekonomike nëpërmjet dobësimit të aftësisë së institucioneve për të ofruar të mira publike e rrjedhimisht rritja ekonomike prek krijimin e vendeve të punës e zbutjen e varfërisë; evazioni devijon gjithashtu resurset e bizneseve në aktivitete me produktivitet të ulët duke humbur potencialet e krijimit të vlerës në ekonomi; ofron stimuj që bizneset të mbesin të vogla dhe të padukshme për të rritur dhe më shumë vjedhjen, duke humbur kështu mundësitë e një ekonomie formale nga ku më e rëndësishmja është gjenerimi i kapitalit (kujtoni refuzimin e bankave për të dhënë kredi drejet bizneseve që kanë regjistra jo të rregullt); krijon pabarazi mes vjedhësve dhe taksapaguesve të drejtë duke i shtyrë rrjedhimisht të drejtit që të bëhen si vjedhësit. Pra në esence evazioni fiskal krijon një zinxhir pasojash për bizneset, shoqërinë, institucionet e vet shtetin.

Do të ishte i mangët dhe shterpë konstatimi mbi natyrën e evazionit pa zbardhur burimet që bëjnë atë. Benjamin Franklin, një ndër themeluesit e kombit amerikan kishte dhënë atë frazën e famshme se “vetëm vdekja dhe pagesa e taksave është e sigurt”; megjithatë një histori mbi katërmijëvjeçare e vjeljes së taksave tregon se ku ka taksa ka dhe vjedhje dhe se ku ka vjedhje ka dhe arsye për vjedhje. Në një vend si Kosova, ku anomalitë, paradokset e entropitë bëjnë përditshmërinë tonë, gjetja e arsyeve për mospagesë taksash është fare e lehtë. Në një vend ku paraja publike përdhunohet, ku jopaguesit promovohen me tenderë qeveritarë, ku evazionistët drekojnë e darkojnë me politikanë, arsyet për paguesit e rregullt ngushtohen gjithnjë e më shumë. Pavarësisht shkakut e pasojës, patriotizmi i vërtetë kosovar, pra në bindjen ndaj sistemeve të shtetit, është gjithnjë e në rënie. Matjet e moralit fiskal tregojnë për një nivel të ulët besimi ndaj institucioneve, për një arsyeshmëri në sjelljen e vjedhësve dhe për më tepër për një normë të përbashkët shoqërore e cila shtyn fenomenet e çrregullta të trajtohen si të rregullta.

Niveli i tanishëm i evazionit fiskal në vend merr arsyeshmërinë jo vetëm nga ana e ofertës publike, por dhe nga dobësia e mekanizmave mbledhës. Kujtoni se Kosova ka vetëm 350 inspektorë tatimorë të cilët duhet të targetojnë hiç më pak se 65 mijë biznese në vend. Me pagën e tyre jo fort atraktive përballja me informalitet bëhet pak e rezistueshme. Kosova gjithashtu vazhdon të jetë i vetmi vend në botë pa polici financiare, ndërkaq shtrirja e mekanizmave në pjesët rurale është pothuajse simbolike. Aspak më të arsyeshme nuk bëhen politikat fiskale, të cilat ndonëse me norma të reduktuara nga viti 2009 vazhdojnë të jenë të komplikuara, jo favorizuese për hyrje në formalitet dhe shtrenjtë të pagueshme. Normat tatimore në Kosovë mund të jenë në vijë me rajonin, por mbledhja e tyre bart një kosto enorme. Kjo kosto përkthehet në para për të angazhuar profesionistë në llogaritjen e obligimeve, në kohë për të kryer obligimet apo dhe në parapagime të tatimeve siç është rasti i mbledhjes së TVSH-së në kufi kur biznesi obligohet të kryejë obligimin tatimor pa filluar ende shërbimin (rast sui generis në botë). Thënë shkurt, në Kosovë, kostot e bindjes tatimore janë relativisht të mëdha, pothuajse dy herë më të larta se ato të rajonit. Për më tepër mosprofesionalizmi në administratë mbledhëse shpeshherë lë hapësirë për interpretime me dykuptimësi mbi bazën tatimore duke i shtyrë kështu bizneset në dënime suksesive. Dënimet bëhen edhe më të shpeshta si rrjedhojë e presionit të Qeverisë për të mbushur hendekun buxhetor të krijuar nga hipershpenzimet e viteve të fundit. Nuk do të kishte as edhe një të metë dënimi në baza të barabarta, megjithatë trajtimi me standarde të dyfishta i bizneseve po se po bën diferencë regresive. Në një ambient të tillë, mbijetues bëhen bizneset me lidhje të ngushta me vendimmarrësit e jo ato me efiçencë ekonomike.

Ndryshimet në mënyrën e shpenzimeve të parasë publike, komplikueshmëria e strukturës tatimore dhe normat e sotme shoqërore, unë argumentoj, se bëjnë thelbin e zbutjes së nivelit enorm të evazionit fiskal në vend. Derisa mënyra e trajtimit të parasë publike dëmton moralin fiskal, apo gatishmërinë vullnetare për të kryer obligimet ndaj shtetit,  komplikuehsmëria rrit koston dhe me këtë edhe nivelin e mospagesës, derisa normat shoqërore largojnë kosovarët nga një sjellje e rregullt dhe korrekte. Trajtimi i secilës çështje, përtej identifikimit të tyre, kërkon një analizë më të thuktë, megjithatë në vazhdimësi të përvojave rajonale dhe vendeve transitore që kanë kaluar pak a shumë nëpërmjet fenomeneve të njëjta si Kosova më jep të drejtën që në këtë dhe dy shkrimet e ardhshme të trajtojë propozimet që unë mbështesë për të zbutur nivelet alarmante të mospagesës (në fund të fundit a nuk janë në kërkim të alternativave poltikëbërësit tanë?). Unë argumentoj se aplikimi i taksës së sheshtë (fla tax), përmirësimi i moralit fiskal nëpërmjet rritjes së transparencës e aryseshmërisë së shpenzimeve publike, si dhe afrimi i ndjenjës së kosovarëve me vetë shtetin, janë parakushte për zbutjen e nivelit alarmant të evazionit fiskal në Kosovë.

Friday 16 March 2012

PIU MACA UJË


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 MARS 2012

Është ironike që ndërmjetësuesi i dialogut u kujtoj kosovarëve politizimin e negociatave vetëm pasi ne shtrënguam dorën; trishtuese se i njëjti paralajmëroj kompromise dhe më të mëdha për Veriun, madje sipas tij në një stil disi më ndryshe se kompromiset e tanishme


Vendimi i fundit i Serbisë për të mbajtur zgjedhje edhe në Kosovë është një dëshmi e pastër e pamundësisë për tu marrë vesh me të pamarrurin vesh. Jo se është pritur ndryshe, jo se na zunë në befasi; kështu ndodhë kur hyn në dialog të thënë si të garantuar por pa garantues, madje pretenduesi i garancës (pra BE) as që na njeh si shtet. Serbia pa brengën më të vogël, pasi ka siguruar statutin kandidat, pasi ka zhbërë të pa zhbërën e vendit tonë arrin të tregoj kundër çdo gjase fuqinë e saj dhe faktorizimin gjithnjë e në rritje në Kosovë. E bën këtë meqë zërat tonë për të toleruar çdo kërkesë serbe do të ngjallin në vazhdimësi paradokse si këto. Kur ne pranojmë dialogimin si palë të pabarabarta, për fusha kontestuese të Serbisë e jo për ato domethënëse tonat, kur ne pranojmë kompromis në shtetësi e përqafojmë kompromise tjera për të akomoduar aspiratat evropiane serbe, zërat për më shumë nga ana tjetër e kufirit veçse do të rriten. Pazaret tona ishin të lodhta, të panevojshme dhe tipike të një humbësi. Pazaret serbe ishin në rritje, në kurriz tonin e për shpërblim të tyre. Nuk habitem fare nëse edhe nesër Serbia do të shpërblehet për mosmbajtje eventuale të zgjedhjeve në Kosovë, thuajse ka bërë namin. Politika e krijimit të problemit, zgjidhjes së tij e marrjes së shpërblimit është diskursi standard që po funksionon në Evropë. Politika e tolerancës së pakontestueshme, qetësisë para kompromiseve të pritshme dhe mosmarrja e asnjë shpërblimi të garantuar është kjo e jona.

Në këtë vijë, grimcat e para të shpërbërjes së dialogut u panë ende pa filluar mirë implementimi edhe i atyre marrëveshjeve të pakuptimta e të panevojshme, madje në një stil “piu macja ujë” ndërmjetësuesi i dialogut Cooper u kujtoj kosovarëve se pavarësisht shurdhimit e trumpetitmit dymbëdhjetëmujorë se negociatat janë teknike, ato megjithatë kanë qenë gjithmonë politike. Ironike që ndërmjetësuesi i kujtoj kosovarëve politizimin e negociatave vetëm pasi ne shtrënguam dorën; trishtuese se i njëjti paralajmëroj kompromise dhe më të mëdha për Veriun, madje sipas tij në një stil disi më ndryshe se kompromiset e tanishme. Deklarata e ndërmjetësuesit bien ndesh me gjithë atë fushatë me ngulm të Qeverisë  gjatë gjithë vitit të kaluar se bisedimet mbaheshin për çështje të thjeshta, të parëndësishme e me qëllim të relaksimit të relacioneve në mes të dy vendeve, pra me një fjalë teknike. Në një situatë si kjo, kur një fushatë propaganduese një vjeçare bie në ujë, reagimet në një vend normal me pak kërkesa bazike nga zgjedhësit do të bënin namin. Në një vend normal një Qeveri që udhëheqë e nënshkruan marrëveshje politike pa kompromis të brendshëm e për më tepër të kamufluara nën petkun e negociatave teknike do të duhej të jepte përgjegjësi pse jo edhe me dorëheqje. Dhe kjo për dy arsye: e para meqë ka fshehur nga qytetarët e saj natyrën e tyre dhe fshehja për çështje kaq madhore bën në sens gënjeshtër; dhe e dyta, nëse Qeveira nuk ka ditur natyrën e negociatave ajo duhet të japë përgjegjësi pse ka lejuar të merret si e paditur.

Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti i reagimit ndërkombëtar. Nuk mbet i vogël e i madh pa u ngritur në këmbë për të përshëndetur fusnotizmin e Kosovës, por sot kur Serbia shpall agresion të pastër politik ndaj Kosovës të gjithë zgjedhin kanalet jozyrtare e anonime për të dhënë një lajm që as dënon veprimin e as mbështet atë, por flet për një çështje krejtësisht irelevante si “nevoja për të vazhduar bisedimet” apo “rëndësinë e pakontestueshme për të bërë dialog”. E këtu, këta zëra nuk flasin dot për Kosovën. Vendi ynë, institucionet tona, Kuvendi e gjithë shoqëria kosovare duhet të ngrinë zërin qysh tash e tu bëjnë me dije ndërkombëtarëve se vazhdimi i dialogut nuk është “prioritet” e as “rëndësi e pakontestueshme” por një proces që mund të ndodhë vetëm nëse Kosova trajtohet si shtet, vetëm nëse bisedohet për temat ndërshtetërore (e jo çështjet e brendshme si Veriu) dhe vetëm nëse nga një proces i tillë Kosovës i garantohen benefitet. Pra dialogu duhet të shihet si vazhdimësi e përmbushjes së disa parakushteve për uljen tonë në tavolinë. Koha kur ne marrim kosto e fare benefite duhet të mbaroj qysh tash; madje shpallja e intencave të shtetit Serb për të mbajtur zgjedhje në Kosovë duhet të shihet si pretekst i daljes sonë nga dialogu dhe, pse jo, ngrirja e gjitha marrëdhënieve me Serbinë (nëse ka ndonjë). Po nuk bëmë zë tash, kur të fillojnë bisedimet rezultatet veçse do të jenë të përcaktuara ashtu siç na u përcaktuan me fusnotë.

Por për të bërë një gjë të tillë, politika jonë duhet të ketë mend, vizion e unitet. Sot nuk e ka asnjërën. Nuk ka mend meqë ecim pa pikë strategjie e pa pikë qëllimi në gjithë këtë dialog. Diplomacia jonë e varfër nuk arrin të kapitalizojë dot as edhe avantazhin më të vogël të vendit; Serbia arrin ti evropianizojë (ndër shumë të tjera) edhe fitoret e Djokovicit në tenis. Nuk ka unitet meqë në vend të qartësimit e kërkimit të përkrahjes institucionet tona bëjnë etiketime e fyerje absurde. Në vend se kryeministri i Kosovës tu shpjegojë gjithë qytetarëve natyrën e fusnotës, ai i fyen kundërshtuesit, dhe zgjedh simpatizuesit e partisë së tij për të marrë mbështetje. Vizita të tilla më tepër tregojnë për brengën personale të kryeministrit, pra humbjen e votave, se sa për brengën e Kosovës, pra humbjen e elementeve përfaqësuese të shtetësisë. Nuk ka unitet meqë në vend se opozita të unifikohet e dërgojë një zë presioni në Qeveri, BE e kudo, ajo është sot e ndarë, e thyer mos ma keq dhe me pretekste se nuk bëjnë dot debat parlamentar se nuk i kanë numrat. Në logjikë si kjo i bie se opozita nuk duhet të ekzistojë fare në momentin e parë të shpalljes së rezultateve. Partitë opozitare që mendojnë se politika e tyre vlerësohet vetëm gjatë fushatës zgjedhore janë po aq fajtore sa dhe vet fajtorët në pushtet. Kosova nuk ka as vizion meqë shtetndërtimi nuk bën prioritetin tonë. Përderisa vazhdojmë të ndajmë mëditje 200 euroshe për 8 Mars për vizita në Shqipëri, pra për pushim, derepublikmi dje, fusnota sot e Veriu nesër janë mese të pritshme.

E në dëshprim për të mohuar legjitimitetin serb në Kosovë, ministrat tonë paradoksalisht thirren në 1244-shin si bazë ligjore, të njëjtin dokument që kthen ushtrinë serbe në Kosovë. Nuk arrij ti kuptoj se a është i vdekur apo jo 1244-shi? Ky dokument o është i vdekur në tërësi o është i gjallë; në të dyja rastet ne nuk do duhej përmendur atë as për shaka. Edhe më trishtues bëhet përqeshja e idesë së mbrojtjes së sovranitetit nga paria jonë. Paramendoni, institucioneve tona u duket qesharake dhe absurde dërgimi i policisë në territorin e vet! Vetëm një lloj institucionesh paradoksojnë me shtrimin e sovranitetit policor në vend; ato që nuk kanë sovranitet dhe ato që nuk duan të kenë sovranitet. Për fatin tonë të keq, institucionet tona jo vetëm që nuk kanë sovranitet, por përderisa përqeshin idenë e dërgimit të policisë për të parandaluar agresionin politik të një vendi tjetër, pranojnë domosdoshmërisht mosdëshirën e tyre për të shtrirë sovranitet.

E për gjithë ata që konsiderojnë mbrojtjen e integritetit si eventualisht ndonjë hap “anti-amerikan” e “anti-evropain”, u kujtoj fjalët e Presidentit Regan drejtuar amerikanëve të tij si përgjigje ndaj kërcënimeve nga jashtë: “...ju dhe unë kemi guximin ti themi armiqve tanë, ka një çmim që ne se paguajmë dot, ka një pikë përtej së cilës nuk kalojmë kurrë!”. Me deklarata dënuese të Qeverisë, thuajse është një OJQ e jo shtet, me kërcënime se do të ankohemi në BE, pra tek i njëjti institucion që nuk na njeh si shtet, mesazhi që i dërgojmë pretenduesve territorial tonë është se ne nuk do të bëjmë asgjë. Në një situatë si kjo, ata sot bëjnë zgjedhjet, nesër faktorizohen në dialog e pasnesër zhbëjnë Veriun nga Kosova. Në tolerancë si kjo humbës të garantuar jemi vetëm ne.

Kosova ka çdo të drejtë ligjore, morale e tanimë dhe të garantuar nga marrëveshjet e fundit që të shtrojë autoritetin e saj sa herë që një vend tjetër apo grup i brendshëm ka pretendime territoriale ndaj nesh. Ideja e mbajtjes së zgjedhjeve dhe ideja e heshtjes sonë janë sindrome fuqie për ta, e dobësie për ne që nuk na ruajnë Veriun dot. Nëse ka pak vullnet të mirë në institucionet tona, nëse ka pak guxim, le të mblidhen politikanët tanë bashkë, pozitë e opozitë, le të unifikohen e ndërtojnë një ecje të përbashkët nga këtu e tutje. Le të bëjmë një zë më ndryshe se ky, më të fuqishëm e më pak tolerues. Le të ndalojmë qysh tani, qartë e mirë çdo pretendim për hapje të dialogut për Veri. Kosova ka përfunduar me Pakon e Ahtisaarit çdo kompromis në këta njëmbëdhjetë mijë kilometra katrorë tokë. Por, nëse dikush diku mendon se duhet bërë ende e më shumë, atëherë është radha që kjo ende e më shumë të bëhet për shqiptarët që sot vriten e rrihen gjithandej.   

(Autori është kolumnist i rregullt i ‘Kohës Ditore’).

Friday 9 March 2012

ABORTI I PLANIT BULLGAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE 9 MARS 2011

Parashikimet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi rritjen ekonomike të Kosovës për këtë vit jo vetëm që konfirmojnë transferin e stabilitetit financiar në krizë ekonomike por dhe mbysin ende pa filluar jetën mirë planin e famshëm bullgar



Pas dy-tri javë diskutimesh mbi fusnotën, debati do të fle jo pse bëhet më pak i rëndësishëm por se ndërkombëtarët i japin një frenim tempos për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Në këtë frenim do biem dhe ne për tu kthyer në problemet bazike sociale e ekonomike të Kosovës e që për fatin tonë të keq vazhdojnë të rëndojnë. Fatkeqësisht qasja jonë ndaj sfidave është e ngushtë duke mos arritur ti trajtojmë si shoqëri e politikë të gjitha sfidat në të njëjtën kohë; ne zgjedhim marrjen e tyre një nga një duke kaluar kështu nga skandali në skandal. Kujtoni se ne filluam vitin reciprocitet tregtar, më pas e vazhduam me marrëveshjen për pikëkalime, mocionin (e mocionet) e Parlamentit, e deri tek fusnota e famshme e antievropianizmi. Ne asnjëherë nuk trajtuam të gjitha problemet njëkohësisht, thjeshtë u morëm me to një nga një duke u marrë me të fundit e harruar parapraket. Çfarë megjithatë bën lajmin e hidhur është gjuha diplomatike jashtë Kosovës që paralajmëron ardhjen e skandalit të ri. Kjo gjuhë duket pak a shumë kështu: “Kosova nuk duhet të jetë peng i Veriut” ose “Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për Veriun”; me fjalë të tjera kosovarët po përgatiten për një kompromis të ri e që në esencë mbështetet në legjitimimin e Serbisë mbi Kosovën dhe domosdoshmërish një zgjidhje që do akomodojë gjitha palët e përfshira. Thënë këtë është interes i yni që qysh tani të mos përfshijmë Serbinë në këtë dialog meqë e njëjta nuk ka çfarë kërkon në punët e brendshme të Kosovës. Mospërfshirja e saj rrjedhimisht nënkupton mosakomodimin e Serbisë si palë. Në vend të kësaj ne heshtim deri sa deklaratat e tilla bëhen gjithnjë më të fuqishme, e ndoshta në fund shndërrohen e formësohen në ndonjë platformë evropiane e kushtëzuese për Kosovën ndaj të cilës do të thirremi se nuk kem çfarë të bëjmë.

Rezervoj komentet e mia ndaj politikës evropiane drejt Kosovës, të cilat thjeshtë bëjnë një precedent për standarde të dyfishta. Në një politikë ku kërcënuesit shpërblehen e toleruesit sakrifikohen, aftësia interpretuese me mend bëhet paradoksale në vete. Në një politikë të tillë njeriu kupton se sa më i zhurmshëm që bëhet aq më fer trajtohet. Kjo lloj politike është anarki në vete, nuk jep shembull qëndrueshmërie e edhe më pak motiv për të qenë tolerant. Nëse ka ndonjë mesazh politika e tanishme evropiane atëherë është se ajo do të akomodojë gjitha foshnjat që qajnë. Ndoshta ne dhe duhet filluar qarjen. Ndoshta atëherë kur shqiptarët ribëjnë problemin e Evropës do të kursejmë tokat, simbolet, kufijtë e familjet tona. Përderisa sillemi evropiane e më “katolik se Papa” do të na faturojnë sa herë që munden, madje me leksione patetike se në Evropë nuk ka vend historia por ardhmëria. Nëse asgjë tjetër objektivat mbi madhështinë e vendit tim, atë copë patriotizmi që secili e ka në veti, duhet ti drejtojë mu mbi historinë e vendit nga ku niset ardhmëria. Martirët tanë nuk ishin të çmendur, patriotët, mësuesit, heronjtë, dëshmorët, burrat, gratë e fëmijët nuk bënë sakrificën e tyre që ne sot ta hedhim pas. Kosova do të hyjë në Evropë me shumë histori dhe nga aty e tutje do të ndërtojë ardhmërinë e saj Evropiane. Shpëlarja e trurit me ide se era e Kosovës fillon sot është vetëshkatërruese qysh në fillim. Këtë punë shqiptarët nuk e bëjnë dot; herët a vonë do të reflektojnë.  

***

Pavarësisht kësaj, për të zbutur ngarkesën e përditshmërisë dhe fusnotës që megjithatë nuk po shkrihet, provova të gëzoj veten me lajmin e ri rreth FMN-ës dhe rikthimit tonë në program formal, ani pse gati një vit e gjysmë pas prishjes së saj. Kthimi i Kosovës në një marrëveshje të tillë është fundamental për të stabilizuar financat tona, por ja që ne humbëm bukur një kohë të mirë pa përfitimet financiare nga Fondi Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Do të ngrenë idetë e tyre tashti Qeveria e Kosovës duke e luluar e zbukuruar marrëveshjen, por ja që ne nuk kemi bërë asgjë më tepër e asgjë më pak se sa kthim në vitin 2010. E për një ekonomi si kjo e Kosovës, mos injektimi i parave në kohën e duhur nënkupton humbje në vlerë të benefiteve shtesë. Rreth 150 milionë të injektuara në 2010 bëjnë dallim thelbësor me 91 në vitin 2012; jo vetëm në numra, jo vetëm në sasi por në efektet e tyre dhe në vlerën e re të shtuar që do të krijohej eventualisht në këto dy vite.

Fakti se Kosova është në stabilitet financiar mund të interpretohet si sukses vetëm nga kafexhinjtë e grithësat militant të pushtetarëve. Nëse diçka bën lajm në letrën e fundit të FMN-ës është rishikimi i rritjes ekonomike nga 5.4% në, besoni apo jo, 3.8%.  Në Janar të këtij viti, në njërin nga shkrimet e kësaj kolumne, kisha parashikuar transferimin e krizës financiare në krizë ekonomike. Në fjalë të tjera, për të ruajtur stabilitetin financiar, pra për ti barazuar llogaritë në buxhet ne do të kemi një çmim në ekonomi. Fatkeqësisht, korrigjimi i rritjes ekonomike në jo më shumë se 3.8% është çmimi i këtij transferi. Ne mund të kemi mbajtur në pronësi PTK-në, mund ti kemi shkurtuar gjitha investimet kapitale përveç autostradës, mund ti kemi dënuar bizneset e rregullta e toleruar vjedhësit e tatimeve, pro në esencë ne kemi krijuar një ambient biznesor fatal për rritjen ekonomike duke pamundësuar arritjen e objektivave më bazike. Përveç kësaj, për dallim nga viti 2010 kur vendosëm të hymë në akrobacion financiar, ne sot kemi vetëm 124 milionë Euro bilanc bankar (kundrejt 400 milionëve atëherë) duke mos pasur ndonjë mbulesë substanciale për gafat e ardhshëm që megjithatë do të vijnë.

Për të mos u humbur në numra, për të thjeshtëzuar konceptin financiar ku ndodhet Kosova, rritja prej 3.8% do të thotë se në terma relativ vendi ynë nuk do të arrijë ti akomodojë as edhe nevojat më bazike të papunësisë dhe varfërisë. Sipas Bankës Botërore, në çdo rritje më të ulët se 8% ne nuk do të krijojmë vende të reja punës mjaftueshëm sa krijojmë të papunë, nuk do të zbusim varfërinë sa na varfërohen, nuk do të krijojmë vlerë të shtuar sa na duhet vlerë dhe rrjedhimisht nuk do të krijojmë bazë për investime të huaja sa për të mbajtur rritjen në numra impresiv. Sa më i lartë hendeku prej 8% me rritjen vjetore aq më keq i kemi punët. Rritja e tillë tregon se për të shpëtuar nga kolapsi financiar ne kemi shkaktuar kolaps ekonomik. Për më tepër rritja e tillë tregon se ne kemi mbytur Planin Bullgar ende pa e jetësuar atë. Kujtoni se në po të njëjtin dokument objektivi ynë ka qenë që në periudhën 2011-2014, në çdo vit ne të kemi një rritje ekonomike prej 7-8%. Tashti kur ndërtojmë rritje sa gjysma e planifikuar nuk mund dhe të thirremi se kemi një plan. Një numër e një lajm si ky në esencë tregon se për shkak se planet i kemi lista dëshirash ne realisht kemi mbetur pa to. Jo se pritet më shumë nga planifikime katër ditore. Të pasurit një plan jo përkues me realitet është njëjtë si të mos pasurit plan fare. Nëse asgjë tjetër Qeveria duhet të reflektojë në vete, dhe të bindë veten se politikat e saja nuk sjellin vlerë dhe zgjidhje për problemet ekonomike të Kosovës.

Nuk sjellin vlerë meqë modeli ynë zhvillimor ndërtohet në burime të paqëndrueshme zhvillimore. Sektori privat mbetet i harruar e i rënduar, ndërkaq ekonomia jonë jeton vetëm falë shpenzimeve qeveritare, remitencave e donacioneve. Me një model të tillë krasitjet në norma të rritjes do të jenë të zakonshme; madje një model i tillë zhvillimor e zhvesh Kosovën në tërësi ndaj ndikimeve regjionale e më gjerë. Edhe më e vogla krizë në Evropë do ti prekë dërgesat nga emigrantët e do ti zvogëlojë donacionet. Prandaj është esenciale që zhvillimin tonë ta mbështesim tek bizneset, në sektorin privat, tek iniciativa individuale. Mbështetja e modelit në sektor privat nuk bëhet me harxhimin e parasë publike në vetëm një projekt (me çmime tri herë më të larta), as me tjetërsim të pronës e monopolizim të tregut (nuk e quaj dot privatizim meqë i tillë nuk është) e as me blerje të votave nëpërmjet rritjes së pagave gjatë fushatës zgjedhore. Orientimi i tillë nënkupton zhvillim të barabartë rajonal e jo koncentrim të investimeve kapitale, zbutje të politikave fiskale e jo ngritje e ngurtësim siç bëjmë tani pas turbulencave financiare, efiçencë në paranë publike e jo blerje të mobilave e veturave ultramoderne, kërkon besim në sektorin privat e jo përfytyrim i të njëjtit si burim i zhvatjes, haraçit e dënimit. Fatkeqësisht, me mendësinë si kjo e sodit, rritja ekonomike e bazuar në sektorin privat është me mijëra vjet drite larg.



Thursday 8 March 2012

ROLI GRUAS NË EKONOMINË KOSOVARE

Lumir Abdixhiku
KOHA PËR GRUAN
8 MARS 2012

Femra kosovare mund ti jep vendit jo vetëm potencial të brendshëm zhvillimor por dhe përparësi krahasuese në rajon po pati mundësi të barabartë në zhvillim e krijim


Të shumta janë rastet kur një grua kosovare sot bën shembullin e një kontributi esencial në një institucion privat apo publik, madje në raste specifike ajo tregohet shumëherë më kreative, shumëherë më vizionare e shumëherë më e inovative se meshkujt. Një ecje e tillë të bën të kuptosh se potencialet e gruas kosovare janë po aq të njëjta sa të meshkujve dhe në një ambient të barabartë konkurrues suksesi i tyre do të ishte lehtësisht evident. Megjithatë, në stadin e tanishëm të zhvillimit ekonomik, ku anomalitë biznesore bëjnë përditshmërinë, jo shpesh mund të mburremi me hapësirën, trajtimin apo dhe besimin që shoqëria kosovare ka ndaj rrolit të gruas në ekonomi. Ndoshta normat tona shoqërore dhe sjelljet patriarkale në familje, shoqëri e punë bëjnë pengesat e gruas kosovare sot, apo dhe ndoshta hezitimi i vet gruas për të marrë iniciativë hendikepon dhe më shumë pjesëmarrjen e saj në fushë konkurruese. Por, në parim, pavarësisht barrierave suksesive gruaja kosovare po morri mbështetjen dhe barazinë mund lehtësisht të ecë drejt një participimi më thelbësor në ekonominë e nesërme të Kosovës.

Gratë kosovare janë konsideruar në vazhdimësi si potenciale të pashfrytëzuara të talentit biznesor nga një numër i konsiderueshëm i organizatave vendore e ndërkombëtare. Megjithatë, shfrytëzimi i këtij potenciali ka mbetur larg niveleve të pritshmërisë. Të dhënat tona zyrtare mbi strukturën e bizneseve tregojnë se dallimet mes pronësisë në gjini janë signifikante dhe evidente. Femra kosovare sot në përgjithësi ka tendencë që të jetë pronare e bizneseve më të vogla në madhësi, të operojë me kapital shumëherë më të ulët se meshkujt, të themelojë e funkcionalizojë biznese në sektorë me vlerë kryesisht të vogël dhe të kenë barriera më të mëdha sociale, kulturore dhe ambientale.

Të dhënat nga regjistri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë japin pasqyrën e qartë të këtyre karakteristikave. Këto të dhëna tregojnë se nga gjithsej 65 mijë biznese aktive në vend, vetëm 11% janë nën pronësinë e gjinisë femërore. Ky 11 përqindësh flet shumë po u vë në një krahasim regjional dhe më gjerë. Sipas raporteve të OECD-së, mesatarja e vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara është rreth 20%; pra një e pesta e biznesve në vendet në zhvillim dhe atyre të zhvilluara është nën pronësinë e grave. Kosova dukshëm ka arritur pak më shumë se gjysmën e objektivit të një vendi në zhvillim. Për më tepër, rreth 99.9% e bizneseve nën pronësi të grave kosovare janë biznese mikro, apo me 1 deri në 9 punëtorë. Vetëm 0.01% të tjera kanë madhësi të vogël e të mesme; asnjë të madhe. Diferencat gjinore në karakteristikat e bizneseve vërehen edhe nga numri mesatar i të punësuarve. Përderisa një biznes nën pronësi të meshkujve punëson në mesatare 5.27 punëtorë, një biznes në pronësinë e femrës punëson jo më shumë se 3.07 punëtorë. Një strukturë e tillë në madhësi tregon se ndërmarësia e grave ballafaqohet me pengesa e barriera serioze në rritjen e tyre dhe për më tepër këto barriera janë dukshëm më evidente kur bëhet fjalë për gratë. Pothuajse të gjitha këto biznese nuk arrijnë dot të rriten në madhësi, në punësim apo dhe qarkullim dhe kjo në vete është hendikepuese për perspektivën afatgjate të tyre.

Të dhënat e fundit në Riinvest japin një qartësim më të thuktë ne barrierat e rritjes dhe zhvillimit të këtyre bizneseve. Për dallim nga meshkujt, qasja në financa është pengesë që vlerësohet dukshëm  më lartë nga gratë ndërmarrëse. E njëjta rrezikohet kryesisht nga restrikcionet e bankave që kanë ndaj besueshmërisë së grave për të bërë biznes. Për më tepër, mbajtja e patundshmërive kryesisht nën pronësinë e meshkujve dëmton dukshëm mundësinë e gruas kosovare për të pasur një qasje dhe garanci më të lehtë financiare. Aspak më lehtësuese nuk bëhet trashëgimia e pabarabartë gjinore në Kosovë, duke e lënë kështu femrën kosovare qysh në fillim në disavantazh dhe pa shumë kapital e mundësi për të bërë biznes. Një ndihmesë e lehtë në zbutjen e kësaj barriere është treguar nga kreditë e institucioneve mikrofinanciare, të cilat për shkak të shumës së ulët financiare që bartin në vete kanë qenë më të prekshme edhe për ndërmarrëset femra. Barrierë po aq e rëndësishme bëhet dhe konkurrenca jo fer e prodhuar kryesisht nga nivelet e informalitetit, korrupsionit dhe forcimit të kontratave, madje për gratë prezenca e trajtimit të jobarabartë bëhet dhe më e rëndë. Ato në përgjithësi kanë tendencë të jenë më të mbyllura dhe më refuzuese ndaj burokracisë dhe rregullave të ndyta të tregut informal.

Diferencat gjinore bëhen të dukshme edhe në sektorët ekonomik. Femrat kosovare kryesisht janë të orientuara në sektorët e patregtueshëm, pa potencial të madh rritës dhe pa shumë vlerë të shtuar. Për shembull, deri sa 10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit, femrat janë të përfaqësuara me vetëm  3.1% nga totali i tyre në këtë sektor. Numër impresiv i pjesëmarrjes së tyre shihet në sektorët lidhur me punë sociale, shëndetësi apo dhe shitje. Në sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe transport, pra në sektorë me vlerë më të lartë, pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është zero. Një ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të ardhmen.

Pavarësisht barrierave, rezultate inkurajuese vijnë nga mosha e bizneseve nën pronësinë e grave kosovare. Për t’iu kthyer sërish të dhënave zyrtare, rreth 50% e bizneseve të tanishme nën pronësinë e gruas kosovare kanë filluar aktivitetet e tyre në periudhën 2007-2012, përkund 34% në periudhën 2000-2006. Pjesa e mbetur prej 16% daton që nga paralufta. Për më tepër, mosha mesatare e ndërmarrësve femra në Kosovë është dukshëm më e ulët se e atyre meshkuj. Kjo strukturë e moshës së bizneseve në pronësi të grave kosovare nënvizon trendin pozitiv të tyre dhe jep një lloj shprese se pjesëmarrja e gruas në kontributin ekonomik do të vazhdojë të jetë në rritje. Padyshim se hapja e shoqërisë kosovare dhe rritja e tolerancës ndaj gruas ka ngritur pjesëmarrjen saj në biznes. Në të njëjtën frymë, aftësitë menaxheriale dhe operative të femrës kanë prodhuar shpeshherë shembuj suksesi. Kontributi i gruas nuk kufizohet asnjëherë vetëm në pronësi. Ky kontribut nëpërmjet punësimit dhe zotërimit të niveleve menaxheriale e operacionale ka bërë kontributin e vet biznesit dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Për të rritur pjesëmarrjen e gruas në biznes, për të ndryshuar nomenklaturën e tanishme gjinore të bizneseve them se një qasje shumëdimensioanle është domosdoshmëri e sodit. Kjo qasje shumëdimensionale kërkon përfshirjen intensive të institucioneve, agjensioneve e asociacioneve biznesore. Një qasje e tillë kërkon një ambient më të favorshëm dhe miqësor biznesor, një qasje më të lehtë në kapital dhe një trajtim më fer shoqëror. Për më tepër, ndryshimi i sjelljeve tona ndaj gruas nëpërmjet rritjes së besimit, dhënies së mundësisë madje dhe mbrojtjes së iniciativës femërore për ndërmarrësi është parakusht për një ambient që krijon vlerë. Femra kosovare ka shumë për ti dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët (nga ku dalloj tekstilin dhe procedimin e ushqimit) ku femra kosovare i jep vendit jo vetëm potencial të brendshëm por dhe përparësi krahasuese në rajon. Kosova ka nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi. Femra kosovare ka shumë për ti dhënë Kosovës.

Friday 2 March 2012

KREDIBILITETI I NJË DIPLOMACIE FJOLLASH

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 MARS 2012

Derisa politika jonë merret me simbolikë fjollash, Serbia marshon bindshëm e sigurt drejt Evropës pa zgjidhur as për së afërmi problemet bazike me Kosovën



Humbja e parë diplomatike e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë vazhdon të ekojë nëpër shtëpi, kafiteri, sheshe, rrjete sociale e korridore qeveritare. Amortizimi i bërë nga ndërkombëtarët kam frikën se do të jetë i përkohshëm dhe pak i pranueshëm sa herë që fusnota të varet mbi emrin e shtetit tonë tanimë pa Republikë. Në të njëjtën vijë, i rëndë dukej dokumenti i konkluzave të Ministrave të BE-së rreth fillimit të studimit të fizibilitetit për Kosovën kur një yll brenda tij të merrte vëmendjen më shumë se gjithçka tjetër. Të veçonte disi nga të tjerët, e fatkeqësisht veçimi bëhej jo për të mirë, bëhej në themelet e një dyshimi për përcaktimin politik të territorit tënd. Këtë kosovarët e duan më së paku.

Them kështu meqë preokupimi politik i kosovarëve në vazhdimësi bën kreun e brengave për ta. Kujtoj se që nga viti 1999 e deri në pak muaj para shpalljes së pavarësisë raportet e paralajmërimit të hershëm të UNDP-së rangonin situatën e statusin politik të Kosovës si brengën kryesore tonën. Pas saj vinin dukshëm me intensitet më të ulët papunësia e varfëria; ani pse të dyja shënonin rekorde alarmante. Tre muaj pas shpalljes së pavarësisë (e deri në pak ditë më parë) brenga e statutit politik ishte e humbur ndërkaq papunësia e varfëria shënonin majën e listës së brengave. Një dukuri e tillë tregon se sa herë Kosova ka edhe dyshimin më të vogël rreth definimit politik të saj, kosovarët do të reagojnë, bëjnë alarm e ngre zë. Jam i bindur se rezultatet e ardhshme mbi percepcionin e kosovarëve do të shënojnë mbytjen e problemeve të përditshme nga brenga politike. Kjo në vete është disi fatkeqe meqë në kohë kur treguesit makroekonomik po na shënojnë rekordet negative ne duhet të merremi me çështjet politike. Megjithatë, pavarësisht percepcioneve, mosshfaqja e pakënaqësisë kosovare sot bëhet vetëm për shkak të fushatës ndërkombëtare pro fusnotës dhe besimit të verbër që kosovarët kanë ndaj saj. Kujdes, po u humb ky besim, po nuk morën kosovarët çfarë ju premtua, durueshmëria e tyre merr fund. Duke ditur ecurinë e integrimeve evropiane, rrugëtimi i shpërblimeve kosovare do të merr vite të tëra.

Nuk besoj se do shumë koment argumentimi i dhënë ndërkombëtar. I njëjti ka qenë më tepër denigrues dhe fyes ndaj qëndrimeve jo në vijë me Qeverinë. Thënë të drejtën, për të respektuar inteligjencën e kosovarëve e timen, do të doja të shija më tepër argumentime logjike, me sens e bindëse se sa kualifikime patetike e fëmijërore e cilësime të pavenda. Përtej këtyre cilësimeve, të njëjtit na thonë se ne nuk duhet diskutuar rreth fusnotës, se mendimi ynë është jo i shëndetshëm, dhe se outputi final është se pas kompromisit Kosova mund të flasë për vete. Në esencë një qëndrim i tillë është jashtëzakonisht paradoksal meqë na thuhet se ne duhet të mos flasim për vete sot, që të flasim për vete nesër. Në fjalë të tjera, sakrifica për shpërblimin është vetë shpërblimi. Nëse folja në emrin tonë qenka aq e rëndësishme atëherë pse nuk ja nisim që tani, në këtë moment, mu këtu, por sakrifikojmë vetë-foljen për të vetë-folur? Në rend të parë gabimi primar i ndërkombëtarëve është mosndërtimi u unitetit të brendshëm kosovar për tu marrë me çështje kaq të rëndësishme e pse jo edhe me paradokse si këto. Thënë të drejtën edhe më i dhimbshëm për kosovarët ka qenë Plani i Ahtisaarit, por ja që uniteti i prodhuar në atë kohë mbulonte dhimbjen e sakrificës. Me avazin e tanishëm kur çdo gjë opozitare dënohet nga ndërkombëtarët, mbështetja e dhënë ndaj Qeverisë rrezikon shndërrimin e kësaj të fundit në një mekanizëm që nuk mërzitet ama bash për asgjë brenda, filluar nga vjedhja e votave e deri te nivelet alarmante të korrupsionit.
                                                                                                                                                       
E meta e dytë e argumentimit pro-fusnotian është në ngjyrosjen e pjesërishme të benefiteve e kostove nga marrëveshja e Brukselit. Në ekonomi si në shumë disiplina tjera, marrja e një vendimi paraprihet nga një analizë kost-benefit, pra analizë e përfitimeve dhe humbjeve. Në këtë analizë në njërën anë vendosen gjithë të mirat e vendimit potencial e në kundëranë gjithë të metat. Peshimi i tyre më pas bën dhënien e rezultatit final. Argumentimi ndërkombëtar në esencë ka vënë gjithë reflektorët vetëm në përfitime, duke mos përmendur as edhe për një herë kostot e Kosovës. Në pothuajse çdo diskutim të dhënë, përfitimet e Kosovës lulëzohen, zbukurohen e jepen në fund si kritere të vetme matëse, ani pse asnjëra nuk është e garantuar. Për të qartësuar pozicionin një herë e mirë, për gjithë ata që na marrin si të paditur, sikur marrja e këtyre beneficioneve do të bëhej pa ndikuar koston hezitimi i çdokujt do të ishte i turpshëm, amator dhe naiv. Por ja që i turpshëm, amator dhe naiv bëhet edhe izolimi i përfitimeve pa përfshirje të kostove. E kostot e Kosovës janë vënia e dyshimit mbi statusin politik në çdo institucion ndërkombëtar nga sot e deri sa Serbia të pranon ndryshe. Kosto e marrëveshjes është legjitimimi ndërkombëtar i Serbisë ndaj çështjes së Kosovës, kosto është edhe paqartësia e vendit për të ditur shpërblimet e sakta, kosto është se ne nuk kemi negociuar me Serbinë asnjërën prej çështjeve substanciale e në interes tonin, kosto është se ne mund të mbesim me gishta në gojë edhe pas sakrificës fusnotiane pas refuzimeve kategorike të vendeve si Qipro, Rumania e Spanja; shkurt e shqip kosto e Kosovës është status-quo në definomi politik, dyshim në ecje, dhe moszgjidhje e problemeve dhe të gjitha kët së bashku mundin përfitimet. E tmerrshmja e gjithë kësaj është se zgjidhja e problemeve Kosovë-Serbi mund të behet vetëm pasi Evropa të ketë këtë të fundit në grusht e nën presion. Me tolerancën si kjo qëndrimet serbe veçse do të forcohen tutje.

Por le ti kthemi shkurtë presionit dhe argumentit ndërkombëtar ndaj çështjes së fusnotës. Pa dashur të dublifikojë mendimin brilant të Augustin Palokajt në kolumnen e tij të kësaj jave, them se orientimi evropian ndaj Kosovës është jashtëzakonisht i padrejtë dhe jo i qëndrueshëm. Them i padrejtë  e jo i qëndrueshëm meqë shpërblen Serbinë pa mbyllur plagët e një dekade më parë, derisa faturon Kosovën meqë mundet. Në një shikim nga lartë njeriu kupton se diplomacia evropiane gjatë gjithë kohës ka zhvilluar negociata e ka këmbyer favore ndaj Serbisë për fluska. Fluskat parimisht janë krijuar e ushqyer në rend të parë nga Serbia; ato më pas kanë marrë një çmim e në fund një këmbim evropian. Kujtoni se të gjitha këmbimet serbe janë në thelb probleme të vetëkrijuara të cilat nuk prekin askënd tjetër përveç paranojën serbe. Barikadat e veriut në sens janë probleme të krijuara nga strukturat shtetërore serbe, zgjidhja e të cilave ka marrë shpërblim. Zgjidhja reale do të ishte moskrijimi i tyre në rend të parë e jo krijimi, zgjidhja e problemit dhe më pas shpërblimi. Në këtë logjike ne mund të krijojmë probleme fluskash që sot, ti zhbëjmë ato e të marrim shpërblim. Pse atëherë nuk shpërblehemi ne për moskrijimin e problemit në rend të parë?! Apo për sjellje korrekte nëpër vite?! Shpërblim evropian për Serbinë është bërë edhe dërgimi i kriminelëve të luftës në Hagë, ani pse pas pesëmbëdhjetë vitesh. Shpërblim për Serbinë është bërë edhe mosnjohja e kufijve, plaçkitja e dokumenteve kadastrale, mosnjohja e targave e mosnjohja e pjesëmarrjes në forume rajonal apo dhe moskthimi i të zhdukurve, dëmet ekonomike, kërkimfalje e plaçkitja e fondeve pensionale. Parimisht Serbia është shpërblyer për gjithçka që ka refuzuar vet, jo se ka bërë ndonjë sakrificë, jo se ka hequr dorë nga kush e di çka; ajo ka hequr dorë nga problemi i vetëkrijuar dhe për këtë ka marrë një shpërblim. Në këndvështrimin evropian, kësaj i thonë tolerancë ndaj çdokujt që është më problematik. Serbia është problematike, jepi shpërblime. Kosova e cila ka vendosur të pranojë gjithçka, të mosrefuzojë asgjë, të dërgojë heronjtë në Hagë vullnetarisht, e të tolerojë struktura paralele në vazhdimësi merr asgjë në kthim. A mos vallë duhet dhe ne të bëhemi problematik e kërcënues për të marrë diçka? Në këndvështrimin serb, kjo është diplomaci e shkëlqyer. Kushtet e tyre në një modalitet të barabartë negociatash do të duhej të ishin parakushte për dialog, por ja që vizioni i tyre shtetndërtues lë prapa çdo imagjinatë tonën për shtet.

E në këndvështrimin kosovar, një relacion i tillë shihet, paramendoni, si një fluskë bore. Përtej naivititeti të shfaqur publikisht nga kryenegociatorja jonë, dua të besoj se në parim tek institucionet kosovare qëndron një brengë serioze dhe një vetëdije për sakrificën e bërë, e për më tepër një garanci për benefitet për këtë sakrificë. Po që se është e kundërta them se na ka marrë pusi. Ata që nuk dinë që s’dinë do të na marrin në qafë më gjatë e më rëndë, meqë njëherë duhet bindur se e kanë gabim e më pas duhet gjetur zgjidhje për të zhbërë gafat e tyre. Në çdo relacion kredibilitet i sakrifuesve tanë mund të jetë rritur tek ndërkombëtarët, por i njëjti ka marrë një goditje të rëndë brenda. Këtë goditje nuk do ta zhbëjnë as deklaratat përkrahëse e as cilësimet e miqve të tyre ndërkombëtar. Në rend të parë, një Qeveri që ndërron qëndrimin tri herë për një javë humb çdo kredibilitet e çdo respekt që ka pasur. Kujtoni se qëndrimet tona evoluuan nga “do të kemi një fusnotë që thotë se nuk do të paragjykohet statusi”, në “rezoluta 1244 nuk do të jetë në fusnotë”, e deri te “pa Deklaratën e Pavarësisë si elementet i fusnotës nuk do të ketë marrëveshje”. Nuk ndodhi asnjëra. Në ecje si këto, njeriu pyet veten se si mund ti besoj tani të njëjtëve kur thonë se do të luftojnë korrupsionin, do ndalin informalitetit, do zhvillojnë ekonominë e do të mbrojnë interesat kombëtare. Kam kuptimin se politika përfshinë diplomaci e dredhi, por ajo gjithmonë ko-jeton me një kredibilitet të panegociueshëm, në të kundërtën bëhet muhabet kafenesh. Qeveria jonë nuk ka kredibilitet!

Në fund fare, ne do të presim benefitet evropiane për shumë vite, shpërblimi për ne është nul. Çfarë ne kemi marrë është një Studim Fizibiliteti për të na matur se a jemi të denjë për tu konsideruar si pjesë e Evropës. Është hapi i parë në hierarkinë e kërkesave të rënda Evropiane, e për më tepër përmbushja e çdo hapi nuk na garanton pozicionin tonë evropian as edhe për një moment pa pranimin e Kosovës nga pesë vendet e mbetura. E në vend të rritjes së presionit ndaj këtyre vendeve, ne kemi pranuar sakrificën tonë dhe vënien e status-quos, madje pa zgjidhur as edhe një problem të vetëm në interes tonin. E deri sa ne merremi me fluska bore, deri sa bëhemi kaq të paditur e kaq naiv, Serbia po marshon drejt Evropës bindshëm. Sa më afër ata, aq më larg ne.