Friday 15 January 2010

Tepricë në Kohë Krize



Fundvitet kosovare po marrin gjithnjë një pamje të njëjtë. Kemi ministrat dhe konferencat e tyre vetëlavdëruese mes një grumbulli bashkëpunëtorësh që rrahin krahët e miqve për sukseset që askush si ka parë; kemi krismat e mjeteve piroteknike që simbolizojnë shprehinë tonë anarkike për të festuar; netët rekord festive si në asnjë vend në botë; dhe së fundi kur entuziazmi bie, dritat shuhen, e ministrat ti kenë përfunduar dy javët e pushimeve, kemi temat e suficiteve që mbulojnë të gjitha hapësirat e debateve mediatike, shpeshherë duke promovuar edhe ide jokonsistente me filozofitë ekonomike bazike.

Në një vend tjetër suficiti do të ishte fjalë e një mburrje të një menaxhimi hiperefikas të mjeteve buxhetore karshi realizimit të objektivave qeveritare. Do të simbolizonte suksesin e një qeverie të qëndrueshme dhe një stabiliteti ekonomik. Por në një vend me tregues ekonomik trishtues, suficiti bëhet një anomali. Bëhet anomali meqë kur ke çdo të pestin në varfëri të skajshme, çdo të tretin të papunë, shërbime publike tërësisht të paafta për të arsyetuar ekzistencën e shtetit, investime kapitale për kokë banori më të ulëta në kontinent, nënzhvillim financiar, mungesë paraje të gatshme e çdo të zezë tjetër, dhe prapë të teprojnë para do të thotë se diçka nuk është në rregull me aftësitë tua për të menaxhuar atë para që ke. Përkthyer në një model të thjeshtëzuar e jo makroekonomik kjo do të thoshte se një familje që vdes urie i teprojnë paratë në fund të muajit. Paradoksale!

Për një joekonomist, roli fiskal i shtetit është një formulë e thjeshtë matematikore që në njërën anë të barazimit ka mbledhjen e tatimeve dhe në anën tjetër ka shpërndarjen e buxhetit të krijuar nga këto tatime për prioritetet e institucioneve udhëheqëse. Të gjitha këto prioritete duhet logjikisht të zhvillohen nën ombrellën e shpërndarjes së të ardhurave dhe shërbimeve proporcionalisht në shoqëri për të prodhuar efikasitet. Suficiti, i tillë çfarë është në Kosovë, dekompozon çfarëdo efikasiteti fiskal të targetuar nga vet qëllimi i ekzistencës së shtetit. Dështimi i një Qeverie apo agjencioni shpenzues për të harxhuar paranë e mbledhur krijon domosdoshmërish një kosto, atë të tharjes së tregut nga paraja. Nëse një Qeveri nuk din si të shfrytëzojë më së miri paratë e kosovarëve atëherë mos ti mbledhë fare, meqë bizneset do të bënin një shpërndarje shumë më efektive dhe shumë më funksionale. Nëse asgjë tjetër, do të hapnin vende të reja punës ose do të rrisnin kualitetin e produkteve ekzistuese. Nëse një Qeveri shterë tregun për të mbushur podrumet e thesareve, gjithmonë për të përfunduar në një eksport të tyre për norma interesi qesharake, atëherë fjala suficit mban në vetë një dëm shumë më të madh sesa vetëm të nënvizimit të nevojave për reforma thelbësore në administratë publike.

Për më tepër, suficiti buxhetor vjen në një kohë të pazakontë për zhvillimet ekonomike, atë të krizës financiare. Besoj se për shumë kë suficitet qeveritare në këtë kohë do të jenë shembuj negativ dhe thjeshtë të pazakontë, ndonëse nuk është hera e parë që japim shembuj të tillë. Prandaj nuk duhet habitur kur shumica e bizneseve operojnë në borxhe me njëra tjetrën, kur paraja e gatshme bën magji, kur kemi norma të interesit më të larta në Evropë. Të gjitha këto ndodhin kur kemi nxjerrje të vazhdueshme të parasë nga tregu dhe bllokimin e tyre.

Në një kontekst krejt tjetër, nevojat për reformim të administratës publike hapin një kapitull të dhimbshëm të shtetit tonë të ri. Arsyeja kryesore prapa suficiteve të njëpasnjëshme është paaftësia e realizimit të projekteve nga administratorët tanë publik. Shumica e agjencioneve shpenzuese vazhdojnë të mbesin në trende konstante sa i përket realizimit të projekteve të planifikuara. Suficiti do të ishte edhe më i madh sikur mos të kishim zgjedhjet e vitit që lamë pas. Kuptohet se në kohë të zgjedhjeve shpenzimet qeveritare marrin rritje enorme, sa që na bëjnë të dëshirojmë mbajtjen e tyre çdo muaj. Të kujtojmë se suficiti i tanishëm do të ishte edhe më i rëndë sikur të mos kishim një rritje të raportit të investimeve kapitale krahasuar shpenzimet tjera qeveritare. Dhe së fundi, suficiti do të ishte edhe më i lartë po mos të ishin shpenzimet anormale në tre muajt e fundit të vitit, një praktikë që fatkeqësisht është bërë rregull i pashkruar. Ne kalojmë pothuajse gjashtë muajt e parë të vitit fiskal me realizim të shpenzimeve jo më të madh se 30%, ndërkaq shpenzojmë pjesën tjetër në gjysmën e dytë.

Të kujtojmë se shumë shpejt Kosova do të vijë në një kohë kur fjala suficit do të simbolizon suksesin, madje do të ndodhemi në situata të deficiteve buxhetore që do të rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale dhe për më tepër do të shkaktojnë zhytjen e vendit tonë në borxhe ndërkombëtare për të mbuluar atë deficit dhe mbajtur atë stabilitet. Në ato kohë, ne do të shkruajmë e flasim për nevojën e realizimit të projekteve dhe gjenerimit të suficitit. Deri atëherë, ne duhet urgjentisht të aftësojmë rrënjësisht administratën dhe agjencitë tona që të shpenzojnë ato para të mallkuara se nuk na hynë në punë nëse na kalben në bodrumet e thesarit shtetëror. Le të dënohen të gjitha ato agjenci dhe përgjegjësit e tyre që nuk realizojnë projektet e planifikuara, qoftë nëpërmjet zëvendësimit të tyre ose zvogëlimit të fondeve në vitet vijuese. Realizimi i projekteve kërkon punë, jo pushime dyjavore në kohë të ndërrimit të motmoteve, në kohë kur homologët e tyre nga vendet tjera të nesërmen hapin zyret. Kosova, tani për tani, nuk ka nevojë për suficite. Kemi nevojë për infuzione shtetërore që ringjallin këtë treg të vdekur që po ngulfatë zhvillimin e bizneseve kosovare.


Koha Ditore, 2009