Monday 27 June 2016

BREZOVICA DHE DËSHTIMI I PRITUR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 QERSHOR 2016

Në shikim të parë, për një kompani si “Compagnie des Aples”, gjetja e 164 milionëve nuk do të ishte fare problem. Po flasim për një ndër bizneset më me vlerë në këtë industri. Përveç, nëse, siç dhe kishte ngjarë këndej, “Compagnie des Aples” ishte akcionarë minoritarë në një partneritet të tillë. Rrjedhimisht, barra më e madhe e gjetjes së mjeteve i binte partnerit shumicë – që s’ishte bërë publik asnjëherë.



-1-

Projekti i Brezovicës, në secilën përllogaritje të mundshme, ka qenë një ndër projektet më fizibile që Kosova ka për ofrim. Njëkohësisht, “Brezovica” mbetet aseti më i nënshfrytëzuar nga të gjithë. Në 17 vjet post-çlirim, Kosova nuk ka arritur asnjëherë të revitalizojë apo sjellë në vëmendje investitorë që do ta sillnin në jetë sërish pikën më atraktive turisitike që Kosova ka. Në vend të saj, aseti është menaxhuar nga serbët lokalë dhe strukturat paralele të udhëhequra për gjynah nga Beogradi.

Amortizimi i ngjarë për 17 vjet, ka bërë “Brezovicën” të papërdorshme përtej vizitave për ekskursion të autobusëve me goma vere – apo të disa turistëve lokalë të vikendeve – sërish me goma vera. Shpate të pamirëmbajtura, makineri të vjetërsuara, shërbime modeste e hoteleri larg prej atraktive – bënin një vend të tanë të duket horror. Vetëm të pasionuarit e skijimit edhe alpinizmit mund të kenë gjetur shijim në një gjendje që jep komfortin e egërsisë.

Sot, si e tillë çfarë është, “Brezovica” është e papërdorshme për secilin tjetër. Mbi të gjitha, revitalizimi i saj kërkon asete financiare enorme, që Kosova nuk i ka. Dhe, sepse nuk i ka, e sepse është e pakuptimtë të presim në dekada për t’i bërë, ideimi i sjelljes së iniciativës private ishte i domosdoshëm – i paalternativë.

-2-

Për ata që kanë pak të njoftuar me rrjedhën e procesit, historiku i shkurtë i koncesionimit duket pak a shumë kështu. Në shkurt të vitit 2012, Qeveria e atërheshme e Kosovës kishte përpiliar “Planin Zhvillimor për Resortin e Brezovicës”. Nëpërmjet planit, synohej që të gjindeshin operatorë privatë që do të merrnin përsipur dizajnimin, ndërtimin, financimin dhe operimin e resortit në një hapësirë prej plot 3364 hektarë. Ishte kjo një nismë e rrallë e partneritetit publiko privat në Kosovë – së paku në përmasa si këto.

Në dhjetor të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte transformuar asetin qe menaxhonte me resortin “Brezovica” në një ndërmarje të re me përgjegjësi të kufizuar. Kapitali fillestar i këtij aseti të ri ishte vënë 100 mijë euro. Kjo ndërmarrje më pas i ishte dhënë për 99 vite, nëmodelin dizajno-ndërto-financo-opero-mirëmbajë tek një konzorcium francez. Konzorciumi, ç’është e vërteta, udhëhiqej nga një kompani me renome botërore – ndër më të njohturat në fushën e ndërtimit të resorteve skijuesë – “Compagnie des Aples”. Konzorciumi planifikonte të investojë plot 410 milionë euro në resort e tëkrijonte rreth 3050 vende të reja të punës.

Në Prill të vitit 2015, Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi kishin finalizuar detajet dhe marrëveshja e parë e partneritetit publiko privat ishte nënshkruar. Pas kësaj, palët ishin futur në një periudhë tranzitore prej 180 ditëvr – periudhë që parashihte arritjen e disa kushteve kritike. Obligimi i Qeverisë së Kosovës ishte shpronësimi i disa tokave dhe aseteve – siç kërkohej me planin fillestar. Obligim i partnerit të konzorciumit, ndërsa, ishte ofrimi i garancisë financiare – thenë ndryshe, gjetjes së parave. Faza e parë investuese kërkonte gjetjen e plot 164 milionë eurove. Pjesa tjetër, e 400 milionëshit të paraparë, do të gjindeshin në vitet në vijim.

Përderisa Qeveria e Kosovës kishte shpronësuar pronat e nevojshme – në vlerë të kushtueshme rreth 30 milionë euro; partnerët e konzorciumit nuk kishin asnjëehrë t’i siguronin paratë e fazës së parë – ato 164 milionë euro. As në afatin e parë, as në të dytin, e as – përfundimisht – në të tretin kur dhe marrëveshja dështoj.

-3-

Në shikim të parë, për një kompani si “Compagnie des Aples”, gjetja e 164 milionëve nuk do të ishte fare problem. Po flasim për një ndër bizneset më me vlerë në këtë industri. Përveç, nëse, siç dhe kishte ngjarë këndej, “Compagnie des Aples” ishte akcionarë minoritarë në një partneritet të tillë. Rrjedhimisht, barra më e madhe e gjetjes së mjeteve i binte partnerit shumicë – që s’ishte bërë publik asnjëherë.

Precedent të tillë kemi në Kosovë dhe nga transferet e mëparshme. Merreni rastin e koncesionimit të Aeroportit. Në dokumentet koncesionuesi, partnerë janë “Aeroport de Lyone” nga Franca, e njohur shumë për operime në fushën e aviacionit, dhe “Limak” nga Turqia, e njohur për prodhimin dhe punimin me – cement. Dhe në këtë konzorcium, “Aeroport de Lyone” merr pjesë me 10% të hises; cementarët me 90%. Në letër, konzorciumi del me eksperiencë; në praktikë ka eksperiencë për vetëm 10%; për gjithë pjesën tjetër nuk ka haber.

I njëjti model duhet të jetë përdorur dhe në rastine  Brezovicës. “Compagnie des Aples” duhet të ketë hyrë me hise proporcionalisht e kosniderueshëm më të vogël se sa partneri tjetër. Partneri tjetër, ndërsa, mesiguri ndonjë biznes apo grupe biznesesh kosovare, nuk kanë pasur asnjë eksperiencë në këtë drejtim.

Dhe, përveç se nuk kanë pasur eksperiencë, dalin të mos kenë pasur as aftësi gjeneruese të fondeve. Në planin financiar të dorëzuar për gjetjen e këstit të parë, të 164 milionëvë pra, konzorcoumi tregon se ka mjete minimale në dizpozicion. Sipas planit, 43 milionë euro ishin menduar të gjinden nga ndërtuesi i liftit “Poma” – në stilin e ndërtimeve të banesave që i kemi këndej – ndërton dhe merr kompenzim banesë. Dhe atje, ndërton lift e teleferik e ngirtës të tjerë – merr hise në projekt.

Po sipas të njëjtit plan, rreth 10 milionë të tjerë ishin siguruar nga kompani si “Limak”, “Fosum/Thomas Cook”, “La Folie Douce” e “Malin Montagne Participation”. Pjesa tjetër, prej mbi 110 milionë, nuk ishte saktësuar asnjëherë. Në planin e tyre thuhej se 15 milionë mund të gjindeshin nga bankat lokale në Kosovë, e 100 milionë të tjera – pjeasa kryesore – nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe nga KfË/DEG. Ishin pra mjete të premtuara në shpresë të aprovimeve të tjera.

-4-

Tashmë është e qartë, dhe do të duhej të ishte e qartë që nga fillimi, se grupi i përzgjedhur nuk kishte as më të voglin gjasë të siguronte 400 milionët e premtuar. Grupi i përzgjedhur, do të ketë qënë një formacion i tipit “Axos Capital”; një fondacion anonim, i panjohur e joserioz, por me tendencë për të provuar e gjeneruar fonde. Provimi, në fund të ditës, këndej është i lehtë; provimi, pa pasoja. Pse mos të provohet?!

Për më tepër, është rast i rrallë që një investim i proklamuar në këtë masë, të jetë mbajtur i fshehtë e i mbylluar siç kishte ndodhur këndej. Është ndër rastet e pakta që përfaqësuesit lokal – që, për bindjen time, mbesin mazhoritarët në këtë nismë, të mbajnë dyer të mbyllura për secilin që kishte shfaqur interes. Të mbesim të sigurt se sa herë ka mbyllje të tillë në informacione, do të ketë diçka jo të këndshme për t’u fshehur.

Kosova do të duhej të kishte bërë një verifikim më strik financiar, sidomos para së të niste shpronësimin e pronave e shpenzimin e 30 milionë eurove të taksapaguesve kosovarë. Projektet e mëdha nuk guxojnë të nisin pa garancione bankare – në fund të ditës. Sot, në Kosovë, edhe një kontratë modeste përcillet me një garancion të tillë.

Për fund, pavarësisht spekulimeve të fundit, rrënimi i Brezovicës është tërësish çështje e jona dhe nuk ka asnjë ndërlidhje me pretendimet e Beogradit. Ne dështuam me Brezovicën jo pse deshi Beogradi ose pse një zyrtarë i parëndësishëm atje shkroi një letër për privatizuesit potencial në Kosovë (letra të tilla kanë shkuar gjithherë por s’kanë ndalur asgjë), ne dështuam sepse zgjodhëm për investitorë një grup joserioz, pa para dhe të mbyllur e dyshimtë sa s’bëhet më. Ky dështim, pavarësisht prokalmimeve amatore se është i pakushtueshëm, na kushton shumë. Kushton kohë, kushton mjete, kushton energji e kushton imazh. Në ekonomitë moderne s’ka gjëra të pakushtueshme. Mbi të gjitha, fatkeqësia më e madhe, gjithsesi, mbetet ideja se dështimi është bërë model i punës këndej.

Monday 20 June 2016

TRIUMFI JASHTË FUSHËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 QERSHOR 2016

Për një fitore tjetër të shqiptarëve


-1-

Si adhurues i kahershëm futbolli, deri pak javë më pare, do ta kisha cilësuar veten si me përvojë në përjetimin e ndjenjave që sporti të jep. Nga humbjet e thella, fitoret e mëdha, e deri tek përfundimet e fundit – herë në njërën e anë tjetër – të gjitha i kam parë. Kam ndjerë gëzime bashkë-identifikuese me një grup ndjekësish pas topi, siç dhe kam ndjerë edhe turpërime njëtrajtësisht të mëdha. Kam besuar, deri pak javë më parë, se kam parë gjithçka në futboll.

Dhe atëherë erdhi Shqipëria në Kampionat Evropian.

-2-

Disa gjëra jetohen, s’tregohen. E ndjenja që unë e shumë bashkëqytetarë të mi mund ta kemi pasur këto ditë, nuk tregohet dot. Çfarë tregohet, megjithatë, është arsyeja prapa një vlimi të tillë kolektiv. Prapa rrugëve të zbrazëta, shtëpive të mbushura plot, kafeneve e shesheve me përcjellës edhe më plot, qëndron një histori e përpjekjes shumëvjeçare për shpërthim e njohje të identitetit shqiptar nëpër botë – si të barabartë me të tjerët. Futbolli, ishte pra, veç një skenë ku ky shpërthim kishte për të ndodhë.

Dhe për këtë shpërthim, në futboll këtë herë, ishin mbledhur bashkë djemtë më të mirë që shqiptarët kishin pasur ndonjëherë në këtë sport. Nëpër botë edhe atë. Kur e mendon për pak, s’ka asgjë më sublime se sa e gjithë ajo përpjekje e familjeve e prindërve – në radhë të parë mërgimtarë – që një ditë fëmijët e tyre, edhe kur nuk dinin mirë shqip, të përfundojnë në përfaqësim të një ëndrre që ka ndjekur ata e shumë para tyre.

Në të vërtetë, vetëm falë një mobilizimi të tillë kolektiv, gjithë-shqiptarë, Shqipëria ishte transformuar në pak vite nga një skuadër mediokër në një kualifikuese evropiane. Nga një identitet i ndërlidhur me territorin politik të Shqipërisë, në një përfaqësuese të Kosovës, të shqiptarëve të tjerë në Ballkan e Diasporë.

Së këndejmi, secila paraqitje e shqiptarëve, në fushë e jashtë saj, është shpërblim për përpjekjen gjithë-shoqërore tonën për të dalur – për të herë të parë – në arenën ndërkombëtare. Kjo dalje s’ka se si të sjellë humbje më. Pamjet e tifozëve, loja e futbollistëve, diskutimi ndërkombëtar për ne veçse kanë shënuar triumfin tonë më të rëndësishëm.

-3-

Percepsioni i parë, i mirë i krijuar në botë – rrjedhimisht dhe fitorja jonë e parë – ishte ushqyer nga tifozët tanë; pjesëmarrës nëpër qytete të shumta franceze. Përderisa net e tjera ndërlidheshin me përplasje e rrahje masive në mes të huliganëve evropianë, ndeshjet me prezencën e Shqipërisë ndërlidheshin me festë. Një paraqitje e tillë e shqiptarëve rrugëve të Evropës, godet drejtë imazhin jo pak herë të paragjykuar për ne.

Percepsioni i dytë, ai sportiv, se pavarësisht rezultateve, Kombëtarja e shqiptarët s'kanë për t’u parë pa kurrë si më parë. Nga një ekip i parëndësishëm ne po shihemi si një ekip serioz, me lojë të mirë e të mençur, por, siç ndodhë jorrallë, e pa fat. Në dy përballje madje. Të parën me dhjetë lojtarë, të dytën në kohë shtesë; dhe kundër vendasit e favoritit sivjet. Për dallim nga idhnakët tanë që mezi s'presin të godasin, mediume prestigjioze, trajnerë e njohës futbolli botërorë natën pas përballjes me Francën kishin vetëm fjalë të mira për Shqipërinë. Mos të harrojmë, është veçse hera e parë që po marrim pjesë në një garë si kjo. Na kanë parashikuar si të parëndësishëm madje, sot po tregojnë respekt.

Percepcioni i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ndërlidhet me ndjenjën e së mundshmes; me të drejtë e mburrjes që na japin djemtë tanë, është e paçmim. Imagjinoni për pak ndikimin që ky përfaqësim do të ketë të mijëra fëmijë tanë; tek ata që nuk kanë më arsye të mësojnë për inferioritet. Shembujt e sukseseve e arritjeve po prodhohen edhe nga shqiptarët.

-4-

Pjesën e rezultateve sportive, për çfarë shumë sport-dashës mund të kenë të drejtë në kërkim, qëllimisht ua lash të tjerëve. Fola vetëm për rrugëtimin e nisur vite më parë për të arritur këtu.

Dhe, për të mirë ose të keq, ky rrugëtim nuk do të jetë më i gjatë se kaq. Njohja ndërkombëtare  e Kosovës do të krijoj një shtëpi të re për kosovarët që, natyrshëm për aq sa janë shtet në vete, do të kërkojnë mirënjohje ndërkombëtare për veten.

Një ndarje e tillë, një komb e dy kombëtare, natyrisht se s’do të jetë përjashtues për tjetrin. Për gjithë të shkuarën e përbashkët, Shqipëria do të mbetet përfaqësimi më i afërt i mundshëm i shumë shqiptarëve – përfshirë dhe atyre nga Kosova. Për gjithë të ardhmen që dy shtetet i pret – të ndarë e të pavarur nga tjetri siç janë e do të jenë – Kosova do të nisë rrugëtimin e saj vet.

Dhe për Kosovën, njëtrajtësisht, do të mblidhen djemtë më të mirë që vendi ka – brenda e jashtë. Do të bëjnë një rrugëtim të ri, që herët apo vonë, e më shumë herët se sa vonë, do të mbushin stadiumet evropiane me imazhin e Republikës; shtëpitë tona me një nevojë të re shpërthimi. Që t’u tregojmë dhe botës se, Kosova, qytetarët e saj, janë po aq të barabartë.


Monday 13 June 2016

NJË PROLOG MBI DISKUTIMIN RRETH TREPÇËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 QERSHOR 2016


Vështrim telegrafik mbi asetin më të përfolur kosovar


-1-

Në fillim të këtij shkrimi dua ti bëj të qarta disa shtylla, që – për mendimin tim – duhet të rrumbullakojnë diskutimin rreth “Trepçës”. E para, dhe më e rëndësishmja, se miti i shpëtimit ekonomik të Kosovës nga rifunkcionalizimi i “Trepçës” nuk është i saktë. Pra ekonomia kosovare nuk do të shpëtojë e as nuk do të rilindë me rilindjen e “Trepçës”. Kjo sepse “Trepça” e as një ndërmarrje tjetër shoqërore e publike që kemi në vend nuk ka potencë për të adresuar më shumë se dy-tre mijë punëtorë në secilin skenarë të mundshëm rifunkcionalizues. Kosova, që të mos harrojmë, çdo vit, secilin vit, i shton si të papunë të ri nga tridhjetë e kusur mijë sosh.

E dyta, po aq e rëndësishme, siç argumenton shpesh miku im Alban Hashani, se “Trepça”, në secilën llogaritje kontabël, është biznes – dhe këtu mund të nisë sentimenti – i falimentuar. Ekzistenca e saj është e mundshme vetëm falë subvencioneve financiare, në formë borxhi, që Qeveria e Kosovës i jep për pagat e punëtorëve atje. Ky borxh ka arritur në plot 100 milionë euro. Këto mjete do të shtohen sa më shumë që paarsyeshëm ne mbajmë gjallë këtë formë operuese të “Trepçës”.

E treta, jo më pak e rëndësishme, se pasuria e njëmendtë e “Trepçës” nuk qëndron në teknologjinë (e vjetërsuar ose jo ka pak rëndësi) që shërben për nxjerrjen e mineraleve. Pasuria e njëmendtë e “Trepçës” është mu në minerale – pra nën tokë. Së këndejmi, kur flasim për rifunkcionalizimin e asetit, për pronësinë, hisen e shitjen, nuk flasim për transformimin e pasurive nëntokësore, por flasim për pajisjet e mjetet që shërbejnë në shfrytëzimin e këtyre pasurive.

E katërta, gjithmonë aktuale, se secila pasuri shoqërore, në territorin e Republikës së Kosovës, i takon vetëm qytetarëve të Kosovës. Kjo e drejtë – e  njohur me Pakon e Ahtisaarit, e inkorporuar më pas në Kushtetutën e Kosovës – është e garantuar sa është e garantuar dhe vet pavarësia e shtetit tonë. Secili pretendim e sugjerim për diskutim të zgjidhjes për probleme pronësore në Bruksel, pra në përballje me Beogradin, do të thoshte precedant i ri, i rrezikshëm dhe i paarsyeshëm, për gjithçka që ka Kosova sot – nga pasuritë e tek pavarësia.

E pesta, dhe e fundit, tregjet ndërkombëtare të mineraleve po shënojnë periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Pra, për fatin tonë të keq, trendet globale ndodhën në periudhë të “bust-it”; dhe do të duhen vite shumë para se ato të rikthehen mirë. Thënë këtë, nuk është se para “Trepçës” po na presin investitorët e huaj. Edhe po t’i bëjmë të gjitha punët e detyrat siç duhet, sigurimi i interesimit për investim është kapitull e përpjekje në vete.

-2-

Një vjet e gjysmë më parë, rasti i “Trepçës” ishte sjellë në skenë trajtuese në formën më të rëndë të mundshme. Të përballur me afatet në ikje që Agjencioni Kosovar i Privatizimit i kishte para vetes, Qeveria e Kosovës kishte vendosur ta transformonte Trepçën nga një ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike. Çfarë Qeveria e Kosovës nuk kishte llogaritur asokohe, ishte se baraz me transformimin e aseteve bëhet dhe transformimi i borxheve; dhe se, një ndërmarrje e shndërruar në publike, do të nënkuptonte me automatizëm dhe marrjen përsipër të borxhit.

Në një rast normal diskutues, një Qeveri do të duhej të kishte para vetes informacionet e sakta mbi vërtetësinë e saktësinë e pretrendimeve për borxhe. Asokohe pretendimet arrinin në mbi 1.4 miliardë euro.

E gjithë nisma rreth “Trepçës” kishte përfunduar me dy ngjarje pasuese. E para përfshinte intervenimin e Beogradit që, duke patur informacione të dorës së parë nëpërmjet ministrave serb në Qeverinë e Kosovës, i kishte paraprirë vendimit publik të kosovarëve për ndërprerje të transformimit – dhe këtë informacion e kishte shndërruar në fitore nacionaliste. E dyta, që në Kosovë, më shumë në mungesë të informimit e saktësisë rreth problemit se sa për bindje, kishin nisur protesta që shpërfaqin edhe sot e kësaj dite lehtësinë e tjetërsimit të sentimentit rreth “Trepçës”.

Asokohe, si përfundim, Parlamenti i Kosovës kishte marrë vendim që për një vit e gjysmë – afat që kalon në vjeshtë të këtij viti – të hartohet një strategji dhe një ligj i veçantë që merret me çështjen e “Trepçës”.

-3-

Nga atëherë deri më sot, kanë ndodhur disa aktivitete përcjellëse që do ta formësojnë debatin mbi Trepçën në javët e muajt në vijim. Fillimisht, me iniciim të komisionit funkcional të Kuvendit të Republikës, janë mbledhur informacione të rasteve studimore nga e gjithë bota – mbi format e menaxhimit, mbi kombinimet e pronësisë dhe mbi aspektet tjera juridike, ekonomike e teknologjike. Rastet e përmbledhura përfshijnë miniera në Eropë, Afrikë, Amerikë Latine e Amerikë Veriore. Them se këto raste studimore i japin Kosovës një pasqyrë të mirë orientuese se nga e si duhet të ristrukturojë. Nga çfarë u prezantua këtë javë në një tryezë publike në Kosovë, rasti i përgatitur nga Iraj Hashi – profesor nga Britania e Madhe – mbi kompaninë polake “KGHM Polska Miedz” mund të shërbejë – për bindjet e mia – si model sugjerues për Kosovën. Një kombinim publiko-privat, siç del të jetë atje, mund të jetë një formulë suksesi këndej.

Që nga dimri i vitit të kaluar, AKP ka bërë verifikimin e pretendimeve të borxheve. Një pjesë e këtyre borxheve – pjesa më e madhe madje – kanë dalë të jenë pretendime të punëtorëve. Janë kërkesa qindra milionëshe të individëve që kërkojnë pagat e humbura gjatë gjithë kohës së jofunkcionimit. Si përgjigje të këtyre pretendimeve them se është e udhës të mos mirret asnjë obligim. Kosova nuk është fajtore për mosmarrjen e pagave nëpër kohë; Kosova nuk ka pse të marrë përsipër dëmet e regjimit të Millosheviqit. Nëse bëjmë një gjë të tillë, do të krijojmënjë precedent tjetër për secilën ndërmarrje publike në vend. E nëse, për cfardo arsye duhet ti marrim obligimet si këto, atëherë të zgjedhim falimentimin. Me falimentim përfundojnë dhe pretendimet e tilla. Sa për borxhet tjera, ato që vijnë gjatë periudhës kolonizuese të Millosheviqit, Kosova ka të drejtë refuzuese duke u thirrur në parimet diskriminuese dhe mosnjohëse të asaj kohe – e drejtë që është garantuar në Kosovë edhe nga administrata e Kombeve të Bashkuara, por edhe nga Pakoja e Ahtisaarit e Kushtetuta e Republikës.

Këto ditë, AKP ka publikuar edhe Termat e Referencës për hartimin e Studimit të Fizibilitetit për Trepcën. Them se ky dokument, që do të duhej të zhvillohej domosdo nga ndonjë entitet ndërkombëtar me eksperiencë në sektorin minerar e biznesor nëpër botë, do të përbëjë dokumentitn më të rëndësishëm për Kosovën.

Dhe, jo më pak e rëndësishme, në fund të këtij muaji, pritet të dalë dhe drafti i parë mbi Ligjin e “Trepçës”. Është e rëndësishme që ky draft të definojë më shumë shtyllat e qasjes së mëtutjeshme rreth transformimit të asetit atje, e të bëjë – në këtë fazë – sa më pak kufizime të mundshme.

-4-

Përfundimi i “Trepçës” dhe arritja e një zgjidhje optimale do të kërkojë mend e ide shumë. Sepse, si në pak transformime të tjera, ky aset kërkon kombinimin e mendjeve më të mira ekonomike, juridike dhe minerare që ka Kosova.

Ekonomike sepse rasti në fjalë, siç argumentova më lartë, është para së gjithash rast biznesor. Pra bëhet fjalë për gjetjen e një strukture të thjeshtë, nisur nga premisat e komplikuara të një ndërmarrje që për 27 vjet është jashtë rrjedhave ndërkombëtare – pra për gati tri decenie është pa treg. Përveç se është pa treg, është e amortizuar, me teknologji të vjetëruar dhe mund të rifunkcionalizohet në një kohë që, siç pra argumentova, nuk është se sjellë investitorë në derë. Duke u nisur nga ky aspekt, pjesa biznesore duhet kujdesshëm që të vë një balancë në mes të pronësisë publike dhe asaj private. Publike për të siguruar nisjen e rifunkcionalizimit të asetit në një kohë jo të përshtatshme; private për të sjellur fonde e para që Kosova nuk i ka. Edhe po t’i ketë, ka një mijë e një vende tjera që duhet t’i investojë më parë.

Juridike, sepse formati i ri do të kërkojë pastrimin e borxheve të vjetra, ndarjet me pretenduesit e shumtë; e mbi të gjitha, riorganizimin më të mirë por më pak të kushtueshëm. Pra, Kosova duhet të zgjedhë çfarë transformon e çfarë falimenton. Aty ku borxhet janë më të mëdha se asetet, vetëm falimentimi (dhe natyrisht rinisja po qe e nevojshme) është zgjidhje e duhur. Përveç kësaj disa pjesë e asete – si për shembull stadiumi në pronësi të “Trepçës” – duhet të trajtohen ndaras nga asetet që bëjnë biznesin kryesor të “Trepçës”. Është e pakuptimshme që të vazhdohet me modelin juridik të ish-Jugosllavisë në vitin 2017.

Minerare, sepse, siç dhe argumenton shpesh miku im Luan Shllaku, organizimet e ardhshme të minierave e njësive tjera përcjellëse, duhet të marrin parasysh jo vetëm përparësitë krahasuese që lokacione të ndryshme kanë, por edhe ecjet e trendet e fundit teknologjike që japin zgjidhje kreative e efikase për mineralet që nuk janë trajtuar më parë.

Për të gjitha këto na pret një kohë e shkurtë e diskutimeve të gjata. Për hir të interesave ekonomike të Kosovës, gjithmonë duke pasur parasysh dhe devijimet etnike që ky aset mund ti ketë, është imperativë që – së paku për këtë temë – t’i bëjmë bashkë gjithë forcat e mendjet; për të përfunduar me një zgjidhje tërësisht praktike e tërësisht profesionale – të qëndrueshme gjithsesi.


Monday 6 June 2016

PARADOKSET E NUMRAVE TË PAPUNËSISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 QERSHOR 2016

Sivjet, norma e joaktivitetit prej 62.4% e renditë Kosovën, besoni ose jo, në vendin e parë në botë. Po, pra – në vendin e parë në botë. Kosova, me këso numra, del të jetë vendi me më së shumti popullsi joaktive. E kalon Timorin Lindor me 62.2%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordanin me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%


-1-

Tashmë është bërë tërësisht e zakonshme që të dhënat e prodhuara në Kosovë të mos kenë kuptim. Është bërë edhe e zakonshme që secila kritikë e vërejtje e ngritur ndaj tyre të trajtohet me mostrajtim. Dhe kështu, secilin vit pas tjetrit, institucione të njëjta, dalin me të dhëna të njëjta për të prodhuar konkluzione të njëjta – të pakuptimta e të pavërteta gjithsesi.

Javën që shkoj, Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte dalë me një komunikatë për shtyp, në të cilën prezantoheshin të dhënat e përmbledhura të anketës me fuqi punëtore; përkatësisht të dhënat e intervistimit të 4800 familjeve, shpërndarë në 600 qarqe territoriale – mostër e mjaftueshme për të konkluduar me rezultate gjenerale. Anketa e fuqisë punëtore, përndryshe, do të duhej të përbënte një ndër matjet më të rëndësishme që Kosova ka. Në fund të ditës, bëhet fjalë për problemin kryesor dhe më kronik të saj, për papunësinë.

Sipas komunikatës në fjalë, thuhet se – fillimisht – dy të tretat e popullsisë së Kosovës janë në moshë pune. Bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit të popullsisë, të përditësuara pra, Kosova ka rreth 1.2 milionë banorë në moshë pune.

Komunikata vazhdon, se, 37.6% e popullsisë në moshë pune janë aktiv, ndërsa nga ta shkalla e papunësisë është 32.9%. Thënë ndryshe, nga 1.2 milionë banorë, vetëm 450 mijë sosh bëjnë pjesë në llogaritjet e papunësisë; 750 mijë të tjerë nuk llogariten. E besoni dot?!

-2-

Ka disa observime që njeriu nxjerrë nga një prezencë e numrave të tillë. E para, dhe më e rëndësishmja, ajo për të cilën kam përshtypjen se shkruaj përvjet, është shkalla e joaktivitetit që metodologjia e aplikuar në Kosovë nxjerrë. Pra, vetëm 37.6% e popullsisë së Kosovës (gjithmonë popullsisë në moshë pune pra) është aktive, e pjesa e mbetur prej 62.4% janë joaktiv – pra janë individë që nuk kërkojnë punë. Përkthyer në numra – në jetëra pra – plot 750 mijë kosovarë konsiderohen si joaktiv, rrjedhimisht largohen nga të gjitha llogaritjet e papunësisë në vend.

Një normë kaq e lartë joaktiviteti është rekord për Kosovën. Kujtoj se një vit më parë, kjo normë e joaktivitetit ishte 58.4%; dhe, si e tillë, e rendiste Kosovën në vendin e 6 në botë për nga fuqia joaktive. Edhe ajo renditje, e vitit të shkuar pra, ishte jo natyrale e disproporcionale me shumë karakteristika kulturore e regjionale të Kosovës.

Sivjet, norma e joaktivitetit prej 62.4% e renditë Kosovën, besoni ose jo, në vendin e parë në botë. Po, pra – në vendin e parë në botë. Kosova, me këso numra, del të jetë vendi me më së shumti popullsi joaktive. E kalon Timorin Lindor me 62.2%, e kalon Moldavinë me 58.7%; e kalon Palestinën me 58.6%, i kalon Ishujt Samoa me 58.22%; e kalon Jordanin me 57.6%, e kalon madje edhe Irakun – në luftë – me 57.6%.

E vërteta natyrisht se është krejt ndryshe. Kosova nuk ka karakteristikat kulturore e religjioze si shumica e vendeve që renditen para saj. Në vende të tilla, gruaja nuk është fare aktive sepse normat shoqërore e vendeve përkatëse e trajtojnë si të tillë. Vendet e rajonit, me të cilat edhe Kosova ndanë më së shumti karakteristika kulturore, religjioze e gjeografike, kanë normë joaktiviteti prej 46.8% - në mesatare. Mali i Zi ka normë prej 50.1%; Serbia prej 47.5%, Shqipëria prej 44.9% e Maqedonia prej 44.8%. Në secilën rrethanë të mundshme, Kosova do të duhej të kishte normë joaktiviteti si në Shiqpëri e Maqedoni.

Observimi i dytë që del nga një llogaritje të tillë, është se vendi ynë për një vit, me numra natyrisht veç, ka rritur joaktivitetin e fuqisë punëtore, siç dhe thash më parë, nga 58.4% në 62.4%. Për hiç më pak se 4 pikë përqindjeje – apo përkthyer në numra e jetë, për plot 50 mijë kosovarë. Pra, brenda një viti, 50 mijë kosovarë nuk i janë shtuar tregut të punës, por u janë shtuar atyre që nuk duan punë. Me llogartitje të tilla, natyrisht se numrat e papunësisë mbesin ku janë.

-3-

Heqja e 750 mijë kosovarë nga 1.2 milionëshi, bën pra që si popullsi e llogaritur për punë të mbesin vetëm 450 mijë. Nga ta, sipas statistikave kosovare, 300 mijë janë të punësuar, e 150 mijë janë të papunë. Rrjedhimisht, papunësia 32.9%.

Ka disa probleme interpretuese në këtë logjikë. Fillimisht, se vitin e kaluar, sipas po të njëjtës llogaritje, Kosova kishte 323 mijë të punësuar. Një prezantim i tillë, nëse asgjë tjetër do të tregonte se në vendin tonë, përgjatë dymbëdhjetë muajve të shkuar, janë humbur plot 23 mijë vende pune. Pra, përveç se rreth 50 mijë janë shtuar si joaktiv, edhe 20 e kusur të tjerë kanë mbetur pa punë.

E dyta, numri prej 150 mijë banorëve të papunë është skandaloz në secilën përputhje me secilën të dhënë tjetër ekonomike në vend. Është madje, në shpërputhje edhe me ato premtimet elektorale qesharake – të 200 mijë vendeve të reja të punës. Si duket, partitë politike në Kosovë paskan premtuar më shumë punë se sa për çfarë vendi ka nevojë.

-4-

Metodologjia e aplikuar mund të jetë konform ndonjë standardi të mirënjohur, por konformiteti nuk e bën atë të përdorshme në Kosovë, sepse po prodhon – tash e sa vjet rresht – numra të pakuptimtë.

Për tu kthyer me këmbë në tokë; dhe për ti dhënë sens numrave, them se ne duhet të nisim llogaritjen nga joaktiviteti i fuqisë punëtore. Nëse joaktiviteti në Shqipëri e Maqedoni është jo më shumë se 45%, e të njëjtin e aplikojmë në Kosovë, del se në Kosovë, në rastin më të keq të mundshëm, janë rreth 500 mijë joaktiv – pra aso që nuk kërkojnë punë. Këta mund të hiqen nga llogaritja e numrave, por natyrisht, s’mund të hiqen nga barra sociale e Kosovës. Sepse llogaritjet e lapsave nuk japin zgjidhje socio-ekonomike.

Tashti, pjesa e mbetur prej 700 mijë janë – në secilin argument të mundshëm logjik; krahasues me rajonin – si aktiv. Nëse shkalla e punësimit është 300 deri në 350 mijë; atëherë papunësia në Kosovë del të jetë rreth 50%.

Sa më parë që fillojmë t’i korrigjojmë mënyrën e llogaritjes së numrave, sa më parë që konstatojmë gjendjen në të cilën jemi, aq më parë i japim zgjidhje edhe problemeve. Sepse, ka dallim esencial nëse politikat ekonomike bëhen për 30% të papunë apo për 50% të papunë. Ka rëndësi enorme nëse 750 mijë kosovarë janë të papunë por s’llogariten si të illë. Sepse, ata megjithatë jetojnë në këtë vend, presin zgjidhje nga ky vend.