Monday 30 November 2015

MBI DOMOSDOSHMËRINË E RRESHTIMIT TONË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 NËNTOR 2015

Si u bë që shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit terroristë nëpër Evropë? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj perëndimit; ndaj amerikanizmit e europianizmit. Si erdhëm deri këtu?



-1-

Kohë të vështira janë këto. Përballja në mes të dy botëkuptimeve po ndodhë haptas përfundimisht. Për të qenë të qartë, kjo përballje nuk ka karakter as religjioz, as etnik e as regjional. Nuk ka karakter religjioz, sepse po të ishte ashtu viktimat më të mëdha me numër jetësh a refugjatësh nuk do të ishin myslimanë të shkaktuar – nga të tillë që thirren si myslimanë; e as luftuesit kundër-terror nuk do të përfshinin shtete me shumicë myslimane. Shkon pa u thënë natyrisht, se jo të gjithë myslimanet janë terroristë, përkundrazi shumica janë luftues të tyre, por të gjithë terroristët thirren (me ose pa të drejtë tjetër debat natyrisht) si myslimanë. Kjo përballje nuk ka karakter etnik, sepse, sërish, diversiteti i kombeve të rreshtuara përballë terroristëve është i theksuar; kontribuues nga të gjithë – tek të dyja palët. Përfundimisht nuk ka karakter regjional, sepse beteja zhvillohet gjithandej nëpër botë; në formën më jokonvincionale të mundshme.

Pra, siç po thuhet tashmë gjithandej, është një Luftë e Tretë Botërore, që bëhet në mbi motivet e mendimeve dhe botëkuptimeve; diferencat e të cilave janë shpërndarë për një kohë të gjatë gjithandej nëpër botë. Në njërën anë janë mendimet demokratike e liberale mbi mënyrën e të jetuarit; e në anën tjetër janë kundërshtuesit e kësaj lirie individuale dhe kolektive; janë një grup barbarësh trushpëlarë që nuk zgjedhin mjete në paqe e luftë për të ushtruar terror.

Përballja e nisur tash e sa vite në Lindje, këtë herë u zhvendos në Evropë. Këtë herë ishte Parisi e Brukseli; por mund të ishte lehtësisht – dhe herën tjetër mund të jetë fatkeqësisht – Prishtina, Tirana, Shkupi e të tjerat. Mund të ishim, e mund të jemi, secili nga ne. Fëmijë, pleq, vajza, djem, gra e burra pa dallim, të gjithë që ushtrojmë liritë tona në rrugë, rrugica, shkolla, sheshe, kafiteri, teatro e koncerte – në secilin vend tjetër të zakonshëm. Të gjithë ne mund të bëheshim e bëhemi nesër, objekt i horrave trushpëlarë që i japin vetës të drejtë të marrin tjetrin në qafë veçse s’mendon si ta. Dhe të mbetemi të sigurt, se të tillë kemi përplot këndej. Në fund të ditës, Kosova mbetet kontribuuesi më i lartë për kokë banori i terroristëve në ISIS.

-2-

Si ndodhi kështu? Si u bë që një shoqëri në transformim e sipër nga rruga e gjatë prej komunizmit, pushtimit, çlirimit e shtetndërtimit, të mos shndërrojë vetën në shoqëri të hapur, kritike e demokratike? Gjithë ajo prezencë perëndimore, gjithë ajo diasporë – gjithë kjo hapje virtuale ndaj botës – dhe sërish kaq të mbyllur në mendje e me kaq potencial për shpërthim anti-liberal e anti-perëndomor? Ku morëm kthesën e gabuar në këtë rrugë? Kur u kapëm nga post-çlirimtarët? Kur u eksperimentuam nga unmikistanët? Kur u vodhëm e rropëm nga post-pavarësuesit? Kur humbëm identifikimin me shtet? Kur u dëshpëruam nga pritjet tona?

Si u bë që shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit në Paris? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj perëndimit; ndaj amerikanizmit e europianizmit. Si erdhëm deri këtu?

Në mos qoftë kështu, hidhjani një sy faqeve online; atyre që kanë nga dyqind mijë ndjekës mesatarisht. Atyre që në ditën e sulmeve të Parisit u kujtuan të nxjerrin nga arkivat historike të bërat e shtetit Francez – përfshirë dhe ato në Kosovë – thuajse këta qytetarë e turistë duhej mbajtur përgjegjës për këtë. Të njëjtave që sot vazhdojnë të përhapin materiale propaganduese; të gjoja vdekjes të mijëra civilivë nga sulmet francezë në Siri. Janë përplot të tillë me ndjekës e përcjellës dhe më shumë.

Hidhjani një sy komenteve pas ngjarjeve – qindra sosh që fillimisht relativizojnë ngjarjen, më pas i amnistojnë aktet – në fund kërkojnë hakmarrje. Gjithë këta amortizues që s’duan të japin një mendim troç mjaftojnë për të ngritur alarmin këndej. Alarmin jo vetëm për rreziqet që trushpëlarja ka ndërtuar në Kosovë, por edhe për nivelin dëshpërues të intelektualitetit të një kosovari mesatar. Janë në gjendje, përplot madje, të besojnë në lloj-lloj teori konspirative, të gjejnë arsyetime nga më të gërditshme, e të besojnë në çfarëdo që një faqe online pa identitet ju ofron, vetëm sa për të ushqyer mllefin që kanë për perëndimin. Në fund të ditës, nga ky mllef? Natyrisht, individë që ditën thyejnë tastierat me plot helm e vrer kundër Perëndimit, natën mendojnë nga t’i thyejnë këmbët për të përfunduar atje.

-3-

Përtej gjithë solidaritetit që tregon zakonisht shumica kosovare sa herë që sulmohen vlerat e lirisë e demokracisë në një zonë paqeje, ishte dëshpëruese megjithatë diskutimi i pjesshëm që pasoj atë. Ishte dëshpëruese se si në vendin tim, ende pa u tharë mirë gjaku i 130 jetëve në Paris, u diskutua më shumë se a duhet ose jo të kishim në Facebook e ndërtesa qeveritare, një flamur të një shteti – që për shumëkë e çuditërisht për bindjet e deriatëhershme të mia – ishte armik, se sa për vet aktin terrorist. Pra u fol shumë më pak për aktin, e shumë më shumë për burimet që bënë aktin.

E para, e kam të pamundur ta kuptoj se si një shtet bombardues i Serbisë e Millosheviqit, njohës i ditës së parë të pavarësisë sonë, pranues i dhjetëra mijëra refugjatëve nga Kosova që prej kur mbajmë veten në mend, shkollues i intelektualëve e liderëve këndej, mbështetës i secilit proces tonë integrues – nga BE-ja deri në Kombe të Bashkuara pa dallim – se si pra një shtet i tillë, mund të shihet si armik nga një pjesë e kosovarëve. Dhe e dyta, nuk arrij të kuptojë dot se a e kapërcejmë debatin mbi aktin, rrjedhimisht dhe rrezikun që kemi si pasojë e mbështetësve të akteve të tilla, nga frika e hapjes së diskutimeve të tilla, apo se, duke shmangur debatin provojmë të amnistojmë, me ose pa dije, veprat e tilla.

Them se ka një përzierje të motiveve këtu. Dhe kjo përzierje ka dy burime. I pari, dhe më i rëndësishmi, mbetet niveli arsimor në Kosovë. Ky nivel nuk ka arritur asnjëherë të formësojë kosovarin në frymën perëndimore – kur them perëndimore e kam fjalën në frymën e respektit të parimeve të lirisë e demokracisë – por as të formësojë atë në formën e ndërtimit të mendimeve. Në të vërtetë, kam besuar deri vonë se mosaftësia e ndërtimit të mendimeve këndej ka qenë më tepër mungesë e aftësisë së të shprehurit (e që buron nga mungesa e leximit); se prapa një paaftësie të tillë në shprehje, megjithatë ka një mendim. Prandaj dhe kur dalim para kamerave na ngufaten fjalët në fyt. Por së fundi, gjithmonë e më shumë po e kuptoj se këndej kemi mungesë të vet mendimit; për të mos thënë se një pjesë e madhe e kosovarëve nuk kanë aftësi të ndërtimit të mendimit kritik e logjik. Kanë, megjithatë, siç argumentova, aftësi të jashtëzakonshme të ndjekjes së gjërave sa më konspirative të mundshme.

Burimi i dytë, ndërsa, që duket se e kemi kapërcyer pa trajtim shpesh, është ai i dëmeve të bëra nga një prezencë masive e trushpëlarësve tash e sa vjet, sidomos në vitet e para të pas-çlirimit. Kjo prezencë, e kombinuar me një varfëri e papunësi që vazhdon dhe sot, dhe mbi të gjitha menjë dëshpërim gjithëpërfshirës ndaj shtetit e identitetit shtetëror, ka prodhuar një ambient të qëndrueshëm për lindjen e individëve që në një masë ose plotësisht mund të arsyetojnë veprime të tilla.

Kur i kujton gjithë ato para të derdhura në Kosovë, gjithë atë prezencë të vazhdueshme nëpër vite të radikalëve këndej, e kupton dhe përmasën e dëmit të bërë në vend. Mos të harrojmë, bëhet fjalë për një gjeneratë të tërë që është trajtuar e mësuar me predikime nga më të çuditshmet të mundshme. Vetëm pak muaj më parë, thirrjet për mosfestim të vitit të ri, për mosdëgjim të muzikës, mos vozitje të veturës nga gratë, për mosdalje, moshprehje e mosmendim – pra të gjitha ndalesat e lirive individuale që janë karakteristikë për Perëndimin sot – shpërfaqeshin lehtësisht nga imamë radikalë dhe ndjekës të tyre. Mbi to ndërtohej më pas dhe doktrina që dërgon e formëson terroristë më shumë se secili vend tjetër Evropian. Ato edhe mund të jenë zvogëluar muajve të fundit vetëm në paraqitjet publike – kryesisht si rrjedhojë e një ngjallje të vonshme të sistemit tonë prokurial e policor – por mbesin po aq prezentë në rrethe të ngushta që megjithatë sot veprojnë lirshëm në hapësira fizike e virtuale njëtrajtësisht.

-4-

Parisi – dhe ngjarjet që do të pësojnë – do të formësojë botën natyrisht. Më asgjë s’ka për të qenë e njëjtë. Forcat perëndimore – bashkë me aleatët regjionalë në Lindje – do të rreshtohen përfundimisht haptas krah njëra tjetrës për të përballur deri në fund lëvizjet radikale që kanë vluar botërisht në këto 20 vite të fundit. Dhe përballja do të jetë e ashpër – gjithashtu e gjatë. Në fund të ditës, ajo do të prodhojë edhe tensione mes superfuqive, siç ishte ky i fundit në mes të Turqisë e Rusisë; fundi i të cilave mund të jetë i tmerrshëm. Do të masë qëndrueshmërinë e aleancave ushtarake, e vendosmërinë e demokracisë për të mundur terrorin. Do të jetë e shumëanshme; rrjedhimisht dhe shumë-përcaktuese e së ardhmes së përbashkët.

Kosova, në këtë luftë, natyrisht se nuk mund të kontribuojë shumë. Për shkak të të gjitha kapaciteteve ushtarake, financiare e politike, pjesëmarrja jonë mund të jetë vetëm simbolike. Por, Kosova, në këtë luftë duhet të mbetet megjithatë aktive. Aktive në terrenin e vet; në shtëpi.

Në këtë luftë ajo duhet të nisë haptazi të mbajë përgjegjës të gjithë urrejtje-nxitësit, veçanërisht ata që veprojnë jashta objekteve formale religjioze. Fjalën e kam për gjithë propagandën digjitale që përhapet shpejtë e ashpër gjithandej.

Paralelisht me këtë, në këtë luftë, Kosova duhet të vendosë një kontroll rigoroz financiar ndaj llogarive të jashtme e të brendshme që financiojnë aktivitete të tilla. Duhet pra të presë dhe burimin e zgjerimit të tyre, dhe mjetet që ushqejnë këtë zgjerim.

Në këtë luftë, ajo duhet të nisë – përfundimisht – një fushatë të hapur që rreshtimin prapa vlerave Perëndimore. Pa dorëza më. Fushatë jo që e sheh Perëndimin si ndihmues e pranues i halleve tona, por si formë e mendimit e veprimit që duhet të ndërtohet këndej. Perëndim pra, jo si kontekst gjeografik, por si kontekst i lirisë e demokracisë, me të gjitha vlerat që ky kontekst bartë. Natyrisht, për të nisur një fushatë të tillë, dhe këtu fillon një problem serioz për ne, na duhet një klasë politike e një mendim politik që buron njëmend në vijë me bindjet perëndimore. Këta të tanishmit, pjesa më e madhe kapësve në pushtet e revolucionarëve maoist në opozitë, më së paku janë të tillë. Nëse asgjë tjetër, këta janë po aq anti-perëndimorë sa dhe radikalët e deritanishëm. Të trija palët kanë një armik të njëjtë.

-5-

Luftimi i pasojave mbetet një hap. I përkohshëm gjithsesi. Por nuk do të zgjidhim gjë prej gjëje po u morëm vetëm me një grusht individësh që janë të rrezikshëm – ose me potencial rrezikimi në të ardhmen. Na duhet një intervenim në burim. E burimi mbetet arsimimi e ngritja e kosovarit të ardhshëm. Pra na duhet një kosovar i ri, që liritë e njërit – përderisa nuk dëmtojnë të tjetrit – i sheh si vlerë fundamentale të shoqërisë. E kupton pra euro-atlanticizmin si pranim të barazisë etnike, gjinore, seksuale e racore; vlera që për ne janë të largëta sa s’bëhet më.

Ky kosovar i ri, duhet të formësohet që në fillim, me botëkuptime që karakterizojnë sot gjeneratën e tij në perëndim. Me botëkuptime pra që i hapin mendjen për të përtypur fakte e ndërtuar argumente, e jo për të besuar sa më shumë teori bajate e konspirative – të cekëta e trishtuese si përfundim. Gjeneratat e vjetra e të tanishmet, përfshirë dhe këtë timen, kanë humbur mundësinë për të ndërtuar një model të tillë. Jemi larg me bindje, percepcione e me mendime nga secila vlerë perëndimore sot. E refuzojmë racën, etninë, orientimin seksual e religjioz në pjesën më të madhe të bindjeve. Mbi të gjitha, të dyja gjeneratat bashkë janë bashkëfajtorë për prodhimin e përkrahësve anti-perëndimorë e promovues anti-liberal; radikalë e të çmendur të tjerë. E vë fajin në gjithë përpjekjen tonë që nuk ka qenë e zakonshme kurrë. Madje kur e mendon, jemi mirë shumë nëpër çfarë kemi kaluar gjatë gjithë kësaj kohe.

Por, njëkohësisht, të dy gjenerata kanë bërë mjaftueshëm për të nisur një masë kritike që mund të krijojë kosovarin e ri. Kjo masë kritike, ka për obligim që sot të flet; të flet hapur e të nxisë të tjerët të bëjnë ndryshime rrënjësore në shoqëri; të krijojnë përfundimisht një kosovar që me bindje e vlera – jo me viza – identifikohet me Perëndim. Është, në fund të ditës, obligim patriotik ky.


Monday 23 November 2015

THEQAFJA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 NËNTOR 2015

Mbi parandalimin e një rruge të nisur keq


-1-

Para se të nisë me këtë shkrim, dua ti bëjë të qarta disa shtylla mbi të cilat ndërtohet tutje argumentimi im këtu. Shtyllat nuk pres të përbihen nga militantë partiakë e idhnakë shpërthyes nga të dyja palët; por ç’është e vërteta, më së paku mërzitem për ta. Shtyllat pres t’i shërbejnë diskutimeve të tjera, të kokave të ftohta, tek të cilët kam njëmend shpresë se mund të kapërcejnë këtë moment të rëndë për vendin. Të njëjtat shtylla, natyrisht, do të duhej të shërbenin në secilin diskutim tjetër publik që bëhet sot rreth krizës e përplasjeve të fundit politike në vend.

Dhe shtylla e parë, më e rëndësishmja, është se vlerësimi e kritika ndaj njërës palë, nuk nënkupton domosdo rreshtimin me palën tjetër. Shtylla e dytë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj të dyja palëve, nuk nënkupton neutralitet; nënkupton refuzim të të dyja palëve. Shtylla e tretë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj njërës apo të dyja palëve, mbanë fuqi sipas argumentit të shtuar e jo sipas paragjykimeve mbi motivet e kritikëdhënësit.

Thënë kështu, kritika ndaj opozitës nuk është rreshtim ndaj pozitës; siç dhe s’është rreshtim ndaj opozitës kritika e dhënë ndaj pozitës. Gjithashtu, mund të jetë normale, shumë normale madje, se të dy rrugët e zgjedhura nga pozita e opozita janë të gabuara, rrjedhimisht si të gabuara që janë duhet të refuzohen; jo për të bërë një referim mesi, por të kërkuar një rrugë të tretë. Dhe, po aq e rëndësishme, se një argument i mirë mund të shtrohet edhe nga një individ puro partiak, nga një gazetarë, intelektual apo mendimtar – rrjedhimisht, i njëjti duhet të trajtohet vetëm si argument i mirë pavarësisht se kush e jep. Deri më tani, më shumë janë marrë me argument-dhënësit se sa me vet argumentin.

-2-

Mbi shtyllat diskutuese më lartë, dua të ndërtojë dhe disa bindje të mija; që vijojnë pak a shumë diskutimet e deritanishme që i kam bërë mu në këto kolumne.

E para, dhe më e rëndësishmja, se Asociacioni i Komunave Serbe, përbën një autonomi të gjerë për minoritetin serb në Kosovë; autonomi që mund të përdoret për të parandaluar zhvillimin politik e ekonomik të Republikës. Kjo për faktin se minoriteti serb këtu, i përfaqësuar nga struktura e tanishme politike – e që në thelb është Qeveria e Beogradit – nuk ka intencë të pranimit, trajtimit e kontributit të e ndaj Republikës (as pas marrjes së kësaj autonomie) por ka intencë të zhbërjes së saj. Mbi të gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike, që derivon nga “Marrëveshja e Prillit”, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së vlerave evropiane, rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë evropiane po u drejtua si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike është përjashtuese për një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë kemi të bëjmë me trajtim racist e anti-evropian. Precedenti është krijuar tashmë në rastin e Bosnjës, saktësisht në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnje e Hercegovinës”; trajtuar në Dhomën e Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Për trajtim të mëtutjeshëm të asociacionit dhe relacioneve minoritare me Kosovën, kam shkruar – së fundmi – në dy kulumnat e muajit gusht, përkatësisht në temat “Mbi serbët dhe Republikën” dhe “Mbi Asociacionin dhe postasociacionin”.

E dyta, dhe po aq e rëndësishme, se i gjithë procesi dialogues i Kosovës, në formatin e bërë deri më tani, nuk ka sjellë produkte që fuqizojnë Republikën; as si shtrirje territoriale e juridike brenda territorit, por as në subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Çfarë procesi i deritanishëm ka bërë, është se ka shtyrë për një afat të pacaktuar adresimin e problemeve etnike e integruese në vend – veçanërisht ato të veriut – si kompensim i një Asociacioni autonom që në esencë mbetet me qëllime kundër-Republikane. Dhe se, njëkohësisht, nuk ka avancuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Stagnimi i vet Serbisë përballë Kosovës, dhe stagnimi i Kosovës përballë institucioneve ndërkombëtare, është tregues i mjaftueshëm për dobësitë e gjithë këtij formati. Ngjarjet e fundit dhe zërat evropian madje që kërkojnë rishqyrtim, i kanë hapur një derë të riformatizimit të dialogut për Qeverinë e Kosovës; mosshfrytëzimi i cilët për mua mbetet me plot habi. Për dialogun, natyrën dhe rezultatet e tij, kam shkruar shumë tash e katër-pesë vite.

E treta, se identifikimi i problemit, nuk nënkupton me automatizëm dhe përshtatjen e secilës zgjidhje ndaj tij. Sepse, ka zgjidhje që jo që nuk zhbën problemin, por përkundrazi fuqizon burimet e tij. Në këtë frymë, për mendimin tim, bien dhe të gjitha aktet e dhunshme, jodemokratike e të pamatura të opozitës që po zhvillohen në Parlament e rrugë në të njëjtën kohë. Bllokimi i Parlamentit, sulmet ndaj deputetëve, dhunimi i policisë, kërcënimi me komandantë – e në fund dhe mobilizimi i huliganëve për të sulmuar të gjithë, përfshirë dhe qytetarë në rrugë e në punë; jo që nuk ka për të bërë zgjidhje, por ka për të fuqizuar dhe më shumë klasën politike që ka sjellë Kosovën në këtë momentum. Opozitarët vazhdojnë të na shpërfaqin dhunën e tyre si alternativë më pak të dëmshme ndaj marrëveshjeve; por, ç’është  e vërteta, efektet e saja janë parë vetëm në largimin e frikësimin e qytetarëve dhe në konsolidimin e klasës aktuale që formalisht ose joformalisht ka dërguar vendin në rrugën për në theqafje. Pra, në fund të ditës, dhuna veçse ka legjitimuar reagimin e pozitës, ka legjitimuar insistimin për Asociacion, dhe me gjithë refuzimin qytetar, ka ringritur në numra të pabesueshëm më parë të njëjtët njerëz përgjegjës për shumëçka këndej. Sot, fitues në gjithë këtë ballafaqim, mbetet ish-kryeministri Thaçi. Përfundimisht, po u vazhdua kështu, dhe kur e gjithë kjo përballje të përfundojë, sido që të përfundojë, nuk do të ketë as ndryshim të marrëveshjes, as ndryshim të akterëve politik, e për më keq fuqizim të fajtorëve kryesorë që kanë shkaktuar gjithë këtë hallakamë.

E katërta, se zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të bëhet duke respektuar dy parime të panegociueshme. Parimi i parë, duke respektuar gjithë rrugën institucionale që të njëjtat parti kanë ndërtuar tash e sa vjet; pa kalimin e kësaj rruge, asnjë formë tjetër nuk merr legjitimim. Nëse tash pas sa viteve bashkë-parlamentarizëm na dalin na thonë se asnjë institucion publik nuk ka vlerë, se secila votë e tyre për të bërë ligje e trupa publik është e papeshë – atëherë i bie se për gjithë kohën të njëjtit kanë zhvilluar një farsë parlementarizmi, një lojë të kushtueshme shumë. I kuptoj sinqerisht të gjithë kur shpërfaqin hezitim mbi kapjen e institucioneve. Jam avokues vet i një kapjeje të tillë, madje, siç dhe kam argumentuar më parë, vetëm pak muaj më parë të njëjtat institucione shërbyen në sjelljen e vendimit më jodemokratik të mundshëm; të suprimimit të shumicës nga pakica – në rastin PDK versu VLAN. Por them gjithashtu, se për shkak të një rasti në të shkuar, nuk mund të refuzojmë secilin institucion ne të ardhmen. Kështu nuk do të kishte më asgjë kuptim; asgjë prej shteti natyrisht. Parimi i dytë, ndërsa, se vendimet këndej, në një shtet të lirë e demokratik – dhe kjo ka shumë rëndësi për ata që qëllimisht ose jo e krahasojnë kohën e Republikës me kohërat e regjimeve serbe në Kosovë – pra, një shtet i tillë, vendimet i merr me shumicë. Veç me shumicë. Dhe shumica ka shumë kuptime. Nuk po flas vetëm për shumicën parlamentare që pozita ka qejf ta theksojë shpesh. Shumica mund të jetë e parlementarëve, vendimarrësve në Kushtetuese apo dhe qytetarëve. Ka mekanizma mjaftueshëm për të matur këtë shumicë. Nga vota në Parlament e deri tek përkrahja në një protestë – deri tek vota në fund; si mjet përfundimtarë.

-3-

Mbi shtyllat dhe bindjet e dhëna, do të nxjerrë disa përfundime.

Të gjithë ata që shohin Asociacionin si të dëmshëm dhe dhunën – e secilin mjet tjetër të mundshëm – si mjet të vetëm; madje dhe habiten se si të tjerët nuk ndjekin një rrjedhë të tillë konkludimi, janë rrënuesit më të mëdhenj të kauzës. Të tillë, euforik, përjashtues të secilës formë tjetër janë njëkohësisht dhe bartësit e kësaj rënie opozitare; largues të gjithë përkrahjes qytetare, dhe në fund, mbështetës të pavetëdije të vet Asociacionit. Se si nuk i shohin këto, të tjerë koka të ftohta aty, është përtej aftësisë shpjeguese të mija. Pra, dhuna ka alternativë, dhe dërgimi i procesit deri në fund, deri në matjen e pajtueshmërisë mbi Asociacionin ose jo, ka gjithashtu alternativë. Sepse ky duhet të jetë dhe qëllimi; matja e pajtueshmërisë qytetare mbi këtë problem. Në fund të ditës, vetëm mendimi qytetarë ka për të bërë verdiktin final. Arritja deri tek kjo matje është e mundur; do të flas më vonë për këtë.

Të gjithë ata që e shohin Asociacionin si jo të dëmshëm, por që numrat parlamentarë si zgjidhje të trajtimit të kësaj problematike, sërish e kanë gabim. Në shoqëritë demokratike, momentumet e reja, të rëndësisë kushtetuese pra, kërkojnë pajtueshmëri nacionale e cila sigurohet me votë të re ose me mendim referendumi. Dhe mos të harrojmë, vetëm vota e re, mund të legjitimojë edhe një vendim për Asociacionin. Nëse pas të gjitha argumentimeve, qytetarët e këtij vendi vullnetarisht, pra me mendim të lirë, konsiderojnë Asociacionin si të përballueshëm, atëherë insistimi për refuzim nga opozita mbetet i pakuptimtë; e insistimi për vazhdim nga pozita bëhet plotësisht legjitim. Në ndërkohë, pa këtë votë, dhe me këtë momentum të ri post-nënshkrues; veçanërisht me një pakënaqësi opozitare që duhet megjithatë të ketë trajtim, insistimi për refuzim dialogimi dhe vazhdimi i përballjes deri në fund, është shkatërrues për Republikën. Në fund, pasi të ketë përfunduar gjithçka, mund të mos ketë opozitë, por do të mbetet më së paku Republikë.

Të gjithë ata që mendojnë se përkrahja ndërkombëtare e Kosovës është e parëndësishme për vendin, sikurse të gjithë ata që mendojnë se mendimi ndërkombëtar është i ngurtësuar përjetësisht, kanë ide minimalisht të relacioneve e rrjedhave politike. Pra ka një mes në sjelljet me ndërkombëtarët, përfshirë dhe kërkesat e tyre të “shkopit e karrotës”; por të cilat mund të maksimizohen vetëm me një unitet nacional. Përderisa përballë tyre, në gjithë këtë proces shtetëformues, mbesim të ndarë, do të marrim më së paku.

-4-

Dhe zgjidhja nisë nga refuzimi i të dy rrugëve; zgjidhja nisë në rrugën e tretë. Në momentin e parë që Presidentja ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, dhe për më tepër, në momentin që po kjo Gjykatë ka pezulluar marrëveshjen mbi Asociacionin; opozita do të duhej ta kishte kuptuar arritjen e fitores së parë; jashtëzakonisht të madhe madje. Mbi këtë fitore, kjo opozitë do të duhej të kishte ndërprerë dhunën, do të kishte konsoliduar percepcion publik, e mbi të gjitha, do të kishte hapur derë për një rrugë të re debati me palën tjetër për parandalimin e ndonjë konfrontimi eventual në të ardhmen. E gjitha, do të bëhej në kohën që Asociacioni do të mbetej i pezulluar; pa humbur asgjë. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie, i kësaj rruge të tretë, nga gjitha atë që vetëm dhunën shohin si alternativë, mbetet i pashpjegueshëm.

Sërish, kredibiliteti i një Gjykate që vetëm një vit më parë kishte parandaluar shumicën të bëjë qeverinë, mbetet i ulët; por së paku, shterrja e gjithë rrugëve institucionale forcon argumentin opozitarë. E forcimi i argumentit ka shumë rëndësi, sepse, siç dhe shihet tashmë, pa një të tillë opozita mbetet në rrugë me një grusht militantë; pa qytetarë e pa përkrahës të tjerë që megjithatë kanë të njëjtat brenga.

Në po këtë moment, pozita gjithashtu do ta kishte parë një mundësi të re rishqyrtimi edhe të zgjidhjes së problemit; por, pse jo, pas gjithë rrjedhave ndërkombëtare e refuzuese për anëtarësimet e Kosovën, të ndërtojë një koncenzus nacional që do të shërbente si mjet i ri negociues me ndërkombëtarët fillimisht, e më pas dhe me Serbinë. Natyrisht se në rast të verdiktit refuzues, pozita do të merrte një goditje të rëndë publike; por kjo është brenga më e vogël që vendimmarrësit duhet të kenë aty.

Por çfarë ndodhë sikur refuzimi i Asociacionit – siç është tani – të mos ndodhë nga Kushtetuesja? Çka nëse Kushtetuesja, për shkak të kapjes, apo thjeshtë për shkak të një argumentimi që kundërshton bindjet refuzuese, përfshirë dhe ato që i provova ti shtroj këtu, konsideron të trajtoj Asociacionin si Kushtetues.

Këtu ka tri alternativa. E para, që pozita të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, për t’i ikur përplasjeve të mëtutjeshme; dhe për të shfrytëzuar refuzimin qytetar ndaj mjeteve të opozitës. Këtu, veçse, do të krijohej një precedant i ri, ku dhuna parlamentare e pakicës, përkundër një teme që merr legjitimitet të organeve më të larta kushtetuese, dëshmohet mjet i suksesshëm; alternativë e mirë për secilin rast tjetër.

E dyta, që opozita të vazhdojë me dhunë – me të gjitha mjetet. Në këtë pikë, të gjithë përkrahësit ndërkomëbtarë, ata diplomatik nëpërmjet ambasadave dhe ata ushtarak nëpërmjet KFOR-it, do të shtyjnë përfaqësuestit e Republikës në arrestimin e ndalimin e secilit dhunues të institucioneve. Me këtë do të testohet edhe aftësia e institucioneve në ekzekutimin e vendimeve ndaj njerëzve të fuqishëm në vend. I gjithë ky proces natyrisht se do të shtojë përplasjet; deri në bërjen e viktimës së parë. Pjesa tjetër nuk ka më rëndësi. Do të jetë lëmsh.

E treta, që opozita, përkundër refuzimit të Kushtetuesës, të argumentojë mbi motivet e kapjes e të kërkojë përkrahje qytetare. Kjo përkrahje duhet të bëhet jo me dhunë, por duke bërë pikërisht të kundërtën e  dhunës; me shumë qetësi. Tubimet e qeta dhe të pandërprera, refuzimet e pjesëmarrjeve Parlamentare, pra bojkotimet e jo bllokimet, konsolidimi i refuzuesve e shfaqja e një fytyre krejt tjetër, më të sigurtë për qytetarët, më bindëse për votuesit, mund të nxisë përkrahje – nëse përkrahjen kanë ndonjëherë qëllim këta. E nëse përkrahja nuk vjen as atëherë, dhe kjo ka shumë rëndësi, atëherë kauza mbetet e humbur përkohësisht, por mund të adresohet sërish; kur kjo opozitë të vjen në pushtet. Atëherë të angazhohet për ndërtimin e alternativës politike, që përbën edhe rishikimin e marrëveshjes gjithsesi, të angazhohet për zgjedhje të reja; që janë vetëm dy vjet larg.

Por pikënisja e tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga Kushtetuesja nga të dyja palët; dhe ulja për një koncensus nacional se si të vazhdohet më tutje, pas vendimit të saj.





Friday 13 November 2015

MBI DISFATAT TONA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 NËNTOR 2015

Mos-anëtarësimi i Kosovës, dhe marrja e një goditje të tillë, nuk ishte veçse një kapërcimi i një beteje të dhënë – që mund dhe të përsëritet. Nuk ishte as fitore e Kosovës, siç u provua të shpërfaqet pas disfatës nga bartësit e saj. Ngjarja mund dhe të përsëritet – pas dy viteve – por në kohën e dhënë ishte rrënim i gjithë përpjekjes e politikës tonë ndërkombëtare tash e sa vite.


-1-

Java në Kosovë filloj me lajmin më të rëndë të mundshëm që nga fitorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me mospranimin e Kosovës – si shtet – në një organizatë të Kombeve të Bashkuara, siç ishte UNESCO. Në të vërtetë, rëndesa e pranimit të lajmit ishte dhe më e madhe pas gjithë atyre fryrjeve e trumbetimeve politike, të fotove e shëtitjeve që jepeshin gjithandej nga politikanë turistë.

Si duket, ministri i punëve të jashtme Thaçi duket ta ketë huqur percepcionin mbi aftësinë tonë dhe të tij për anëtarësim; rrjedhimisht, një teren i ngjizur për festë – që përngjante më shumë në fushatë elektorale se sa angazhim diplomatik –  ju kthye, mu në rrugën e shtruar nga ai, në bumerang prej disfate. Në fund të ditës, u bë e qartë se njeriu më përgjegjës për ngecjen e brendshme tash e sa vjet, nuk është në gjendje të bëjë as punën më të lehtë të mundshme jashtë; marrjen e aprovimit nga njohësit e shtetësisë sonë.

Mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO dhe marrja e një goditje si kjo, nuk ishte veçse një kapërcim i një beteje të dhënë – që mund dhe të përsëritet pas dy viteve; siç na u tha. Nuk ishte as fitore e Kosovës, siç u provua të shpërfaqet trupërisht nga bartësit e saj. Ngjarja mund dhe të përsëritet – pas dy viteve – por në kohën e dhënë ishte rrënim i gjithë përpjekjes e politikës tonë ndërkombëtare tash e sa vite. Ishte pra goditje e mënyrës së politikësbërjes së jashtme të Kosovës, që gjithë barrën e kompromiseve e ndërtonte mbi përfitime të jashtme, që duket pra se nuk vijnë. Mbi të gjitha, ishte tregues se klasa e paaftë politike nuk mund të bëjë gjëra të afta.

Ngjarja gjithashtu ishte gjithçka veçse fitore. Sepse, në fund të ditës, mosmarrja e të gjitha votave nga shtetet që kanë njohur Kosovën është dënim; i rëndë madje. Është, në të vërtetë, diçka e pabesueshme vetëm ditë më parë. Nëse asgjë tjetër, përkrahja e shteteve që kanë njohur Kosovën do të duhej të ishte veçse e garantuar para se një kërkesë për anëtarësim të bëhej. Kjo përkrahje, do të mjaftonte, siç dhe u pa nga votimi, për anëtarësim.

-2-

Në politike, një rrjedhë si kjo do të duhej të merrej me shqetësim; me shumë shqetësim madje. Politika këtë ka. Sukseset shpërblehen me ngritje, dështimet faturohen me rënie; me dorëheqje. Tek ne e gjitha u shfaq me heshtje; thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Thuajse i gjithë sistemi ministror, i këshilltarëve e shëtitësve të tjerë, e gjithë struktura e ambasadorëve – sidomos në vendet njohëse e refuzuese –  të njerëzve që paguhen majmë e mirë përvjet, nuk kishin pse të thonin diçka. Dhe është pikërisht ky stil i politikëbërjes, ky komfort i papërgjegjësisë që ka mbajtur këtë vend dhe këtë shtet në rendet më të trishtueshme shoqërore, ekonomike e demokratike. Pa një presion të tillë – presion sepse vetëpërgjegjësia është luks në këso kohë – ngjarjet si këto do të jenë veçse të zakonshme.

Mbi të gjitha, disfata e fundit tregoj se diçka e rëndë duhet të ketë ndodhur me imazhin tonë në gjithë këtë kohë; aq e rëndë sa edhe shtetet që kanë njohur shtetësinë tonë të hezitojnë për anëtarësime tona në organizata ndërkombëtare. E fatkeqësisht shumëçka ka ndodhur në këtë kohë. Kosova me gjithë elitën e vet politike, të padijshme, korruptive, të pa takt e të pa energji, nuk ka dhënë asnjëherë shembull se meriton shansin e rrallë të pasjes së shtetësisë. Nëpër botë ne jemi shpërfaqur si një shtet i hajnave – që vjedhë veten pra – që prodhon emigrantë e refugjatë sikurse vatrat e luftërave të tmerrshme nëpër Siri e Afganistan, ani pse s’kemi luftë qe gati shtatëmbëdhjetë vjet, e që nuk arrin për asnjëherë të tregojë veten si shtet të hapur, demokratik e të qëndrueshëm.

Dhe e gjithë kjo pamje është krijuar e ushqyer mu nga njerëz që edhe një fitore në pjatë e shndërrojnë në humbje – për të mos ndjerë më pas nevojën e dhënies së përgjegjësisë; përkundrazi, për t’u tallur me të gjithë se kjo ishte në të vërtetë një fitore.

-3-

E gjithë saga e mosantarsimit tonë në UNESCO duhet t’i japë vendit tonë disa mësime që medoemos do të duhej të formësojnë mënyrën tonë të politikëbërjes; fillimisht atë të brendshme, për të ndryshuar natyrshëm pamjen e jashtme. Pra ky vend, nga procesi i djeshëm duhet t’i pranojë së paku pesë mësime kryesore.

I pari, dhe më i rëndësishmi, se kjo klasë politike nuk ka për të sjellë asnjëherë fitore e përparime të niveleve euro-atlantike. Nuk kanë kapacitet, nuk kanë dije, dhe mbi të gjitha, shoqërohen me një imazh jokredibil. Është kaq e thjeshtë. Nëpër rrjedhat ndërkombëtare, fitorja nuk sigurohet me shantazhe, kërcënime e rivotime – me çfarë janë mësuar politikanët këndej; e edhe me pak duke i bërë qejfin vetes nëpër fotografi. Për këtë na duhet një diplomaci serioze; që mobilizon njerëzit më të mirë që ka ky vend – pa dallim partie apo bindjeve politike. Në betejat e jashtme, Kosovës i duhet unitet. Kosovës më së paku i duhen kombinime të të paditurve me individë e biznesmenë nga Kazakistani. Me pallavragjinjë që muaj më parë thurnin elegji për miqësinë me presidentin e atjeshëm, tregonin për të arritjet e afërsitë e forta – por kur ju erdh puna ngushtë për vend, nuk arritën të marrin as edhe një votë nga ta.

I dyti, se për Kosovën nuk ka kuptim asnjë proces i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa ajo pengon anëtarësimin tonë nëpër organizata ndërkombëtare; ky relacion më së paku është normalizues. Kosova duhet të rishikojë e rimendojë seriozisht gjithë formatin e procesit bisedues. Në fund të ditës, përveç rregullimit të brendshëm këto procese nuk po prodhojnë asgjë. E rregullimi i brendshëm – përfshirë dhe rirregullimin, pa një përparim të jashtëm është i pakuptueshëm. Disa madje mund të argumentojnë – me shumë të drejtë – se asnjë rirregullim i brendshëm nuk ka kuptim për asnjë çmim. Në këtë grup bëjë pjesë dhe unë.

I treti, se vendet që japin miliona për trushpëlarje e radikalizëm këndej, nuk japin një votë për shtetësinë e Republikës sonë; abstenojnë e votojnë kundër pak kishte më rëndësi. Pse të mos ishin për të gjitha? Këto vende nuk e duan shtetësinë tonë; e duan rikthimin e nënshtrimin tonë nën Serbi. Të njëjtat – dhe promovuesit e tyre këtu – duhet trajtuar më së paku si dashamirë.

I katërti, se ata që e marrin të garantuar lirinë e shtetësinë, ta kuptojnë se pa shtetet mbështetëse të Kosovës, që sot diku përgojohen nga llafazanë neokomunistë e diku luftohen nga budallenj radikalë, ky vend veç pasaporta për Malishevë – sikurse dikur – do të mund të lëshonte. Fatkeqësia më e madhe është se jo gjithmonë mund të kemi një mbështetje të tillë.

I pesti, dhe jo më pak i rëndësishëm, se është e udhës, patriotike dhe në fund e domosdoshme, bërja e Republikës sa më shpejtë. Bërja pra njëmend. Zhvillimi, përparimi, krijimi i punës, drejtësisë, barazisë, luftimi i hajnisë, i korrupsionit, mafias, i zaptuesve, i të paditurve, kriminelëve, budallenjve e rrahagjoksëve të tjerë – është e gjitha në dorë tonën. Për këtë na duhet vetëm përkrahja jonë. Kjo mundësi e rrallë, një barrë e gjeneratës sonë, nuk na vjen shpesh; e as nuk zgjatë përgjithmonë.




Monday 9 November 2015

MBI BOTËKUPTIMET DHE KEQKUPTIMET E NJË MARRËVESHJEJE


Letra nga limbo
KOHA DITORE 6 NËNTOR 2015

Një vështrim i dytë – dhe shtesë – mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit

-1-

Dyshoj shumë se dikush, për të mos thënë asnjëri, nga deputetët kundërshtues të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të ketë lexuar dokumentin gati gjashtëqind faqesh mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ç’është e vërteta, as votuesit pro nuk do ta kenë bërë një gjë të tillë.

Rrjedhimisht, as argumentet mbrojtëse, e edhe më pak ato kundërshtuese nuk është se bënin shumë rezon. Të parat jepeshin me domosdoshmëri mbështetjeje, të rrumbullakuara vetëm me një qëllim përfundimtar që mban diku fjalët “integrim evropian e euroatlantik”, të dytët ndërsa jepeshin me inercion dhe nevojë të domosdoshme kundërshtuese – për hidhërime partiake më shumë se sa rezonë ekonomikë e politikë. Së këndejmi, debati u vendos aty ku bëhet më lehtë në popullizmin e rrjeteve sociale. U argumentua e u kundërargumentua sërish pa përballje të fakteve e analizave ekonomike, siç do të duhej të bënte njëmend një shoqëri që ka thelb debati.

Në vazhdimësi të shkrimit të parë të publikuar në këtë kolumne një javë më parë, po provoj t’i rendis dhjetë pika – dhjetë observime – që mbështesin në parim MSA-në, por dhe që njëkohësisht theksojnë domosdoshmërinë e kujdesit edhe në trajtimin politik, por edhe në trajtimin ekonomik të procesit post-implementues. Sepse, nëse asgjë tjetër, kjo marrëveshje nuk shërben si një akti final, por shërben si një nisje e një procesi afatgjatë që definon dhe shtetësinë e Kosovës. Dhe mu mbi këtë fakt, kundërshtoj vendimin e opozitës kosovare që sërish të rreshtohet gabim në rrjedhat ndërkombëtare të Kosovës.

-2-
Së pari, tregtia e lirë me BE-në dhe anëtarësimi në BE janë të ndërlidhura – shkojnë bashkë. Nuk mund të kesh mbyllje tregtare me Evropën përderisa kërkon vend në Evropë. Prandaj, të gjithë ata që në njërën anë pretendojnë anëtarësim në BE, e në anën tjetër kundërshtojnë MSA-në mbi motivet e tregtisë së lirë me BE-në, nuk kanë ide se çfarë flasin.

Së dyti, politikisht, kishte me qenë një rast absurd pasja e tregtisë së lirë me Serbinë, Maqedoninë apo dhe Bosnjë e Hercegovinën (siç e kishim deri sot), e refuzimi i saj me vendet e BE-së. I pakuptimtë pra mbetet një orientim i tillë. Protekcionizmi në anën tjetër – ndaj të gjithëve – nuk është se do shumë logjikë për argumentim. Gjëja e fundit që ky vend meriton është mbyllja e rritja e çmimeve në pafundësi.

Së treti, pas MSA-së produktet dhe shërbimet nga BE-ja do të bëhen më të lira – sepse nuk do të paguhet doganë mbi to. Ky akt, nëse asgjë tjetër, i bën produktet evropiane më konkurruese se ato serbe e maqedonase. MSA-ja godet në radhë të parë importet nga këto dy vende. Për më tepër, kosovarët do të mund të marrin produkte shumë më kualitative – me çmime më të lira – se sa ato që i konsumonin tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Në këtë vijë, e gjithë frika mbi cilësinë e produkteve që vijnë nga fabrika e linja inferiore prodhimi mund të bien, së paku secili ka zgjedhje të lirë.

Së katërti, zbatimi i MSA-së nënkupton dhe të hyra më të pakta doganore. Por kjo nuk do të thotë humbje financiare për kosovarët. Në fund të fundit, doganën mbi produktet evropiane e paguajnë vetë kosovarët. Sot, në vend se këto para të përfundojnë në buxhet, mbesin në xhep të kosovarëve. Thënë të drejtën, dhe në një pikë argumentimi, me nivelin e tanishëm korruptues të menaxhimit të parasë publike, nuk është se bëhet ku me ditë çfarë humbjeje. Përveç kësaj, rritja e të hyrave doganore në kurriz të çmimeve më të larta është logjikë e mbrapshtë. Në këtë logjikë, duke na rritur të gjithëve çmimet, buxheti mund edhe të pesëfishohet – natyrisht të gjithë të vdekur nga uria. Fillimisht, Kosova duhet të rrisë të hyrat e brendshme e jo të mbështetet në ato të jashtme, dhe mbi të gjitha, Kosova duhet të bëjë këtë rritje jo nëpërmjet rritjes së taksave për gjithsecilin, por nëpërmjet rritjes së bazës tatimore – pra vlerës së krijuar këndej.

Së pesti, MSA-ja do të rëndojë konkurrencën për prodhuesit e krijuesit vendës. Për këtë Kosova duhet të krijojë politika ekonomike që rrisin prodhimin vendës, në të kundërtën siç është dëshmuar deri më tani, pa një ekonomi krijuese, pa një bilanc të përmirësuar tregtar, rimëkëmbja ekonomike është e pamundur. MSA-ja pra vetëm si akt përfundimtar e jo proces, është e pakuptimtë. Këto politika vendëse natyrisht se nuk ndërtohen duke shpenzuar para në autoudhë super të shtrenjta, e as duke rritur pagat për sektorin publik.

Së gjashti, në ndihmë të këtyre politikave shërbejnë disa masa të parapara me vetë marrëveshjen – që duket se është lexuar pak nga shumë kundërshtues të saj. Së pari, implementimi i MSA-së është gradual; pra heqja e doganës për shumë produkte bëhet nëpër vite – jo menjëherë. Kjo jep kohë. Së dyti, janë plot produkte kosovare që mbesin të mbrojtura nga importet e parapara edhe pas marrëveshjes. Përfundimisht, BE-ja ndan plot 650 milionë euro ndihmë për bizneset kosovare. Pra secila humbje eventuale mund të kompensohet njëtrajtësisht, po ditëm. Tjetër çka se a do të dimë a jo të bëjmë një gjë të tillë.

Së shtati, shkon pa u thënë, se MSA-ja hap një treg të ri për ndërmarrjet eksportuese kosovare, pa doganë në gjithë Evropën. Ndonëse një treg i tillë ka qenë i hapur dhe më parë – me masa preferenciale vjetore – nënshkrimi e sigurimi afatgjatë i së drejtës mbi eksport të lirë jep siguri për shumë investime. Sërish, tjetër çka se a dimë apo jo t’i sjellim e ndërtojmë këto investime.

Së teti, pika më e dobët e marrëveshjes mbetet trajtimi i BE-së pa paragjykim ndaj statusit – as njohje e as mosnjohje. Ky fakt fatkeq ka kohë që nuk bën më risi, por megjithatë mbetet jashtë kontrollit tonë. Janë pesë shtete që nuk na njohin. Dhe përderisa ka vetëm një shtet në BE që nuk njeh Kosovën, BE-ja do ta ketë të pamundur trajtimin e Kosovës si shtet.

Së nënti, alternativa e mosnënshkrimit të MSA-së, se pse BE-ja nuk na gjykon statusin tonë, ka qenë refuzimi i secilës marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Refuzimi dhe pritja derisa Spanja – për shembull – të zgjidhë problemin në Katalonjë, nëse e zgjidh ndonjëherë gjithsesi, kishte me qenë shumë i kushtueshëm dhe i pakuptueshëm. Pritje e pafundme.

Së dhjeti, MSA-ja natyrisht nuk na bën më pak neve shtet, përkundrazi, shfrytëzimi i mirë i saj veçse na forcon. Shtet mbesim pranoi apo nuk pranoi Spanja me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë e Qipron. Shtet mbesim sepse e kemi shpallur veten si të tillë dhe sepse shumë vende më të rëndësishme na njohin si të tillë. MSA-ja është një mekanizëm që na afron me BE-në, dhe për secilin pretendues që pranon BE-në si shtëpinë tonë përfundimtare është e paalternativë.

-3-

Për fund, ka dhe një ndërlidhje të MSA-së me respektimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në shumë nuanca kjo ndërlidhshmëri për secilin kundërshtues të marrëveshjeve mund të shpërfaqë një lajm jo të mirë. Por, në një dozë të lehtë optimizmi, duhet thënë se marrëveshja nuk nënkupton me automatizëm shkëputjen e relacioneve BE-Kosovë po nuk u respektuan marrëveshjet Kosovë-Serbi. Ajo lë mundësinë e shkëputjes, por dhe lë mundësinë e moshkëputjes. Në të vërtetë, ky relacion mund të marrë forma të ndryshme në të ardhmen, varësisht prej zhvillimeve politike në Kosovë e rajon. Por refuzimi i marrëveshjes nga frika se refuzohet – sërish më mbetet i pakuptimtë. Ti kërkon një anulim, për shkak se ke frikë nga anulimi.

Për Kosovën – dhe rajonin njëkohësisht – duhet bërë e qartë se me të gjitha zhvillimet politike e ekonomike në BE, anëtarësimi është një ëndërr e largët. Jo vetëm se ky vend yni është larg, por sepse dyert evropiane për zgjerim janë mbyllur kaherë. Në BE nuk flitet për zgjerim, flitet për mbijetesë të unionit, mbi mundjen e euroskepticizmit e mbi amortizimin e lëvizjeve ekstreme, herë të krahut të majtë e herë të atij të djathtë. Në rrethana si këto ecja jonë evropiane është e largët. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ndërtojmë institucione demokratike, ekonomi të qëndrueshme apo dhe shoqëri të hapur. Përkundrazi. Këtë hapësirë të mbylljes së dyerve për zgjerim ne duhet shfrytëzuar për të kapur trenin e ikur kaherë të vendeve në rajon, të cilat po ashtu mbesin në qorrsokakët e premtimeve evropiane. Deri në bërjen njëmend të shtetit - secilën pengesë burokratike, të cilën nuk e kontrollojmë dot, duhet kaluar. Çfarë s’duhet kaluar assesi është ndërtimi ynë i brendshëm shkel e shko. I njëjti mbetet armiku më i madh i shtetësisë sonë.