Monday 29 July 2013

MËSIMET E RRUGËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 KORRIK 2013

Nevojat ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet qeverisës.


Në gjithë vrullin e debateve politike, me apo pa inat, me apo pa fakte, me apo pa dije, një fotografi bëhet disi gjithnjë më e qartë. Kjo fotografi tregon se Kosova nën menaxhimin e kësaj qeverie (dhe paraardhëses së saj) nuk ka pasur asnjëherë as më të voglin haber për udhëheqje ekonomike. Në të vërtetë, përveç aty këtu ca militantëve partiakë e përkrahësve ultras të saj, njeriu gjen sot vështirë një mendim të pavarur e përkrahës ndaj politikave të deritanishme ekonomike. Sikur mos të ishin ato konferencat e fundvidtit vetëlavdëruese (gjithsesi të bajatshme), ato flirtimet e asociacioneve e sindikatave të çastit (gjithsesi irrituese), apo edhe deklaratat e pazareve zëvendësministrore (gjithsesi pakurrizore), i cekët dhe i zbehtë do të dukej vlerësimi pozitiv i jashtëm për e ndaj Qeverisë; në të vërtetë as që do të kishte vlerësim të tillë.

Qeverisë, thënë të drejtën, i duhen më së paku deklaratat e sodit se “ka punë shumë po nuk ka punëtorë”, apo ato të djeshmit se “jemi vendi më i pakorruptuar në botë”. Qeverisë i duhen më së paku deklaratat e mendimet që ngjallin keqardhje e gërditje nga mendja e shëndoshë. Kosovarët megjithatë nuk janë aq të çmendur sa të jetojnë nga trajtimet e tilla. Në të vërtetë, ishin mu mendimet e trajtimet si këto të dhëna nga qeveritë e para 2007-ës, kryesisht nga njerëz që sot çuditërisht ringjiten vrullshëm në politikë, që i kishin dhënë komfortin fitues mu kësaj qeverie. Të njëjtit sot ribëjnë gabimet që kishin rrënuar të parët.

Pavarësisht kësaj, përtej grithjeve irrituese, mbështetjeve përulëse e rrahje-shpindjeve për kusur, ato pak mendje të ditura në këtë Qeveri e dinë fare mirë se diçka nuk shkon mbarë në vend. Përtej investimeve publike të bollshme, përtej stabilitetit në borxh të jashtëm, e përtej reformave procedurale në të bërit biznes, Kosova megjithatë nuk po arrin se nuk po arrin të rimëkëmbet ekonomikisht. Papunësia vazhdon të mbetet e njëjtë, rritja ekonomike larg prej të planifikuarës (edhe më larg prej të dëshirueshmes), investimet e investitorët e huaj aspak e asnjëherë serioz, hendeku tregtar në rritje më të thellë, normat e interesit të ngurtësuara në sa kohë, e mbi të gjitha krizat sociale veçse shpërthyen në azil-kërkim. Të njëjtit e dinë se diçka megjithatë nuk po shkon mbarë; paj... të paktën shpresoj sinqerisht që e dinë.

Pse nuk shkon mbarë? Sepse përderisa të njëjtit – përtej korrupsionit, hajnisë, haraçit, evazionit, shantazhit e në fund amnistisë – kanë koncentruar gjithë energjinë ekonomike në rrugë, falje të aseteve, e disa reforma regjistruese për bizneset, nevojat e ekonomike kanë evoluar shumë më ndryshe. Rrugët megjithatë nuk shërbyen bizneset e vendit për këmbim, sepse ata nuk kishin çfarë të këmbenin (përkundrazi shërbyen të huajat); faljet e aseteve nuk sollën investitorë sepse nuk kishin ku të investonin (përkundrazi sollën tyxharë të pazareve orientale); e reformat në regjistrim shpejtuan rritjen e bizneseve sepse ata kishin halle të tjera. Pra në dell të nënvlerësimit mbi nevojat reale të bizneseve, Qeveria jonë është marrë me zgjidhjen e problemeve tërësisht irelevante. E do ti duhej vetëm një vështrim në vlerësimet ekonomike të sektorit privat për të kuptuar cilat janë problemet e vërteta të tyre. Do të duhej vetëm një shikim i shkurtë në listën e barrierave për të kuptuar se rrugët (e infrastruktura), transformimi i aseteve, apo dhe procedurat e hapje-mbylljes, nuk janë asnjëra – as për së afërmi – barriera kryesore për të bërit biznes. Në vend të tyre janë evazioni, informaliteti, korrupsioni, hajnia, gjygjësori dhe përfundimisht kostot e kapitalit (apo normat e interesit). As rrugët, as faljet e as procedurat regjistruese nuk trajtojnë as për së afërmi çështjet si këto. E përderisa nuk trajtojnë çështje si këto, bizneset tona nuk krijojnë punë. E përderisa bizneset tona nuk krijojnë punë, kosovarët tanë kërkojnë azil. E përderisa kosovarët tanë kërkojnë azil, të kota e të panevojshme deklaratat e rrahje-shpindjeve.

***

Përderisa për procedurat e parëndësishme në thelb e efekt, por të super-fryera në praktikë, kam shkruar shumë, e për faljet e aseteve edhe më shumë – gjithsesi gjithmonë kot së koti; këtë herë dua të shkruaj shkurt për superstradën e dytë, atë drejt Shkupit. Kjo sepse e njëjta, sikur të ndodhë ashtu siç po na thuhet, do të ngurtësojë të njëjtat probleme ekonomike që i kemi sot; e ngurtësimi i këtyre probleme për një kohë të gjatë është sinqerisht rëndesë e pakuptueshme, e padurueshme dhe e panevojshme për kosovarët.

Nëse rruga për Shkup ndërtohet siç na thuhet sot, katër-pesë vite nga sot, siç ka ndodhur në këto katër-pesë vitet e shkuara, ne ende do të diskutojmë se si rritja prej 2-3-apo-4% është “rritja më e madhe në rajon”; se si “rrugët janë më të mirat në rajon”; e se si “Kosova është hambari më i madh i prodhimit në rajon”. Në të njëjtën kohë të papunët tanë do të rriten, bizneset do të thahen e kosovarët do të ikin në azil-kërkim; edhe më shumë. Gjithsesi normat e interesit do të mbesin prapë të njëjta, hendeku tregtar do të bëhet edhe më i thellë, e investime të jashtme do të ketë edhe më pak.

Nëse Kosova ka një përvojë ekonomike që duhet ta ketë mësuar në këto vitet e fundit, atëherë ajo përvojë thotë se koncentrimi i të gjitha investimeve kapitale në një projekt të vetëm nuk jep se nuk jep zgjidhje për nevojat ekonomike tona; rrugët megjithatë janë lehtësues të rritjes por jo burime të rritjes. E burimet e rritjes për Kosovën nuk janë as asetet e privatizuara, as minierat e pashfrytëzuara e as guroret e tjera të mitizuara - janë vetëm bizneset tona dhe iniciativat ndërmarrëse të kosovarëve që mund të krijojnë mjaftueshëm vende të reja pune sa për të krijuar vlerë ne vend; nga ku më pas prekim rritjen ekonomike, investimet e jashtme e në fund hendekun tregtar.

***

Nevojat ekonomike për punë nuk zhbëjnë nevojën për rrugë. Përkundrazi, ato e forcojnë atë, por jo në masën sa që nevoja për rrugë të jetë i vetmi prioritet. Ndonëse nuk kam dyshime se politikat drejt rrugës së Shkupit janë të pritura nga motive korruptive, siç ishin këto për Vërmicë, dua të mendoj për pakëz se një supozim i tillë është i pasaktë; se orientimi në rrugën për Shkup bëhet për motive – hë për hë të panjohura në teori – ekonomike, pra “alla kosovare”. Ta themi se këta tanët dinë diçka më shumë se secili vend e secili shtet e secili mendimtar ekonomik tjetër i djathtë, i majtë, i qendrës apo i “të gjitha nga pak”. Ta shtrojmë kështu problemin, se rruga për Shkup duhet të bëhet, pavarësisht kostos.

Në një skenar të tillë, përtej lëvizjeve më të shpejta turistike në vikendet e qendrave të “shoppingut” në Shkup, përtej lëvizjeve shëndetësore në spitalet private atje, korsia e djathtë e rrugës sonë do të jetë relativisht e thatë. Korsia e majtë, megjithatë, do të ketë një ritëm shumë më ndryshe. Nga mielli, tek çimentoja, nga zalli, tek armatura, e nga ushqimi e deri tek frutat e freskëta; të gjitha do të kenë destinacion Kosovën, këtë herë me rritëm shumë më të shpejtë. Maqedonia përndryshe është importuesi ynë i dyti, pas Serbisë.

Pra në esence, koncentrimi në një rrugë të vetme pa ngritjen e paralele të fuqisë vendore përtej një pamje të bukur të një rruge miliardëshe, aq sa do të na kushtojë, do të sjellë me vete edhe një ritëm disproporcional në krijimin e vlerës në Kosovë. Pa këtë vlerë ne nuk do të kemi zgjidhje as për papunësinë, as për investimet, as për hendekun tregtarë e as për azilin.

Por ta mendojmë më ndryshe investimin në rrugë. Të pajtohemi se rruga për Shkup na duhet, dhe për këtë shpreh bindjen e plotë se na duhet, madje jo vetëm për Shkup, por edhe për çdo qytet e qytezë tjetër në e jashtë Kosovës. Pra ta marrim si të qenë nevojën për rrugën e Shkupit. Për një moment të vetëm të harrojmë se ka korrupsion e hajni në Kosovë dhe se çmimi një miliardësh i saj është çmim me hak. Në një situatë të tillë nuk ka asgjë që na thotë se duhet bërë rrugën për vetëm tre vite; dhe njëkohësisht duhet sakrifikuar çdo ecje tonën tjetër. Pse nuk e bëjmë për gjashtë?

Nëse shëndetësia është biznes, e nëse në shëndetësi kosovarët japin plot 70 milionë euro në Maqedoni, pse të mos zhvillojmë sektorin privat në shëndetësinë kosovare duke marrë një çerek nga paratë e planifikuara për rrugën trevjeçare (e të kursyera nga rruga gjashtëvjeçare) dhe kështu të krijojmë një treg që mesatarisht në pesë gjashtë vite nga sot jo vetëm se do ti mbledhë këto 70 milionët e derdhura jashtë (çdo vit), por edhe do të gjenerojë shërbime më kualitative e më humane për kosovarët e tjerë.

Nëse prodhimi është biznes, e nëse në prodhim të huaj kosovarët shpenzojnë miliarda euro në vit, pse të mos ndajmë një çerek nga paratë e planifikuara për rrugën tre vjeçare për krijimin e politikave pro biznesit në vend – diçka si për shembull zvogëlimi i riskut me luftë kundër hajnisë, korrupsionit, evazionit, informalitetit e anti-gjyqësisë. Pse nuk bëjmë gjykata me gjithë ato para për të zhbërë secilën anomali të konkurrencës së padrejtë? Kështu, në pesë gjashtë vite zhvillim, ne do të shfrytëzojmë rrugën për Shkup për eksport, jo import.

Nëse krijimi i fuqisë punëtore është biznes, e nëse për punëtorë kemi nevojë, pse me çerekun tjetër të rrugës nuk ndërtojmë paralelisht institucione e programe aftësuese në vend që në fund japin punëtorë që dinë të krijojnë e jo të diplomuar që mësojnë përmendësh? Nëse krijimi i kapitali financiar është biznes, e nëse për biznes kemi nevojë, pse me çerekun tjetër të rrugës nuk ndërtojmë paralelisht alternativa financiare në vend? Pse nuk i bëjmë në pesë gjashtë vite të gjitha njëtrajtësisht? Pse duhet sakrifikuar gjithë energjinë e gjithë potencialin në një projekt të vetëm? A nuk mësuam mjaftë?



Tuesday 23 July 2013

TË FORTËT DHE TË DOBËTIT

Letra nga limbo
Koha Ditore, 7 Korrik 2013

Kur parodia dhe tragjedia godasin një vend


Miku im Berat Th. shpesh më kujton një anekdotë për një rast që mase mund të ketë ndodhur njëmend diku në Kosovë gjatë zgjedhjeve lokale. Njëri nga pretenduesit për kryetarëllak komunal si duket pyetet nga moderatorja për planprogramin e tij, nëse - dhe paramendimi i tillë duket se e ka ngrohur pakëz atë - ai të zgjidhej kryetar komune. Pretenduesi, pasi kishte dhënë shkarazi një qeshje në shenjë dëliri, e pasi kishte renditur një nga një premtimet për rrugë, ura, shkolla, spitale, çerdhe, ujësjellës, kanalizim, tatime, tregti, prodhim, industri, televizion, radio, internet e çdo shërbim tjetër publik të mundshëm e të pamundshëm (përfshirë natyrshëm edhe zgjidhjen për Veri, ani pse bëhej fjalë vetëm për kryetar komune e jo për “wolverine”), pyetet sërish se ku do ti gjente fondet për realizimin e gjithë këtyre projekteve, dorën në zemër, bukur impresive. Përgjigja e tij, ma thotë Berati, ishte: “Fondet?... Fondet unë do ti gjej ku janë e ku s’janë!”.

-1-

Aspak më ndryshe nuk ishin premtimet, fjalët, idetë e vlerat e promovuara nga një grup thumbuesish bukur kreativ, të shpërfaqur publikisht së fundi si “Partia e Fortë”. Këta, për dallim nga muhabeti i kryetarllëkut që megjithatë punën e fondeve versus projekteve imagjinare e mendonte seriozisht, kishin çdo ide të thënë joseriozisht, përfshirë edhe seriozitetin e paraqitjes joserioze me “sako e shorce”. Satira e thumbimi i tyre ishte aq reversiv sa që në momente të dhëna njeriu e kishte vështirë të kuptonte se e njëjta ishte veçse një shaka publike; gjithsesi gjithmonë hiper-kreative. Për më tepër, dhe këtu qëndron ironia e gjithë derexhesë kosovare, pjesa më e madhe e muhabetit të tyre ishte shumëherë më serioze, shumëherë më e mundshme e shumëherë më natyrale se sa të bërat e të pabërat e premtuara nga bukur disa politikanë e parti që mbajnë veten si seriozë.

Satira e tyre, në të vërtetë, ishte shumë herë më serioze se sa (për shembull) fjalimet e dhëna në Parlament se “...edhe zogjtë me cicërimat e tyre po aprovojnë marrëveshjen me Serbi”; shumë herë më serioze se sa muhabeti për “...suxhuk, ajvar, e pashteta”; shumë herë më serioze se sa zbathja e “papuçeve” e tentim bërja e “...atij me çarçaf të kuq që i therë demat” (për matador e kishte fjalën deputetja); shumëherë më serioze se sa ekspozimi i fotove nudo, dëgjimit të këngëve e leximit të gazetave gjatë diskutimit parlamentar; apo shumë herë më serioze edhe se sa mosvotimi, mosfolja e mosbërja e asnjë çështje, asnjë fjale e asnjë vepre gjatë gjithë këtyre viteve të parlamentarizmit (numri i deputetëve të tillë “të pensionuar” është enorm).

Satira e tyre, në të vërtetë, ishte (fatkeqësisht) edhe më serioze se sa “afera pronto” me gjithë “sjellje pështjelljet”, “një dajë më ka mbetë keq” apo rëndësinë para së gjithash mos me hjekë keq në Bruksell” (kujdes, me ll jo me l). Besoni ose jo, veprat e mendimet e tyre do të ishin më pak të dëmshme se një pjesë bukur e madhe e sjelljeve që klasa jonë politike i bën në vend që sa e sa vite. Fillo nga amnistia, tek faljet e aseve, te korrupsioni, hajnia, haraçi e përfundo tek papërgjegjësia, injoranca e padituria – dhe ke një pasqyrë të përafërt se kush në të vërtetë bën shaka tash e sa vite. Kam përshtypjen se do të ngrihesha këtu përgjithmonë në numërim të gafave e skandaleve naive, të turpshme e gjithsesi aspak satirike – në të vërtetë tragjike për pasojat e vendit – të bëra nga politikanët tanë.

-2-

Problemi, megjithatë, me satirën në diçka kaq serioze për vendin është gjasa e suksesit të saj e kështu reflektimi me një situatë paradoksale kur një hajgare e momentit të shndërrohet në një komedi nacionale, gjithsesi në fund tragjike; pra në një situatë ku “Partia e Fortë” njëmend merr vota dhe me këtë disekuilibron çfarëdo ndryshimi potencial që do të mund të ndodhte – nëse ka gjasa të ndodhë gjithsesi. Jashtë temës, këtë ndryshim nuk e pres të ndodhë edhe bukur disa vite.

Kosova as që do të ishte vendi i parë, e mesiguri as i fundit, që do të prodhonte një zmadhim kaq disproporcional të shakasë rutinore në një ngjarje nacionale. Jo më larg se këtë verë, në Itali, komediani Beppe Grillo – i cili kishte filluar idenë e politikës mu si komedi – arriti të marrë plot 25.55% të votave nacionale dhe kështu të bëhet partia (jo koalicioni) më e madhe në gjithë Italinë. Në të vërtetë, paroditë e tilla partiake janë të zakonshme gjithandej: në Islandë, për shembull, “Partia më e Mirë” kishte marrë 35% të votave për kryeqytet; në Poloni “Partia e Adhuruesve të Birrave” ishte bërë parti parlamentare; në Angli e Australi, partitë parodike marrin shpeshherë më shumë vota se sa disa parti të vogla që megjithatë mbajnë veten si serioze.

Nuk kam as edhe një fije dyshimi se “Partia e Fortë” do të merrte më tepër vota se partitë e kusurit e shoqatat tjera çajtoresh e mashallash në Kosovë; siç edhe nuk kam asnjë fije dyshimi se vota e dhënë në këtë parodi do të jetë e humbur aq sa edhe vota në plot e plot parti të tjera, të mëdha e të vogla. Por mbi të gjitha, përtej shakasë e thumbimeve gjeniale momentale, them se Kosova ka nevojë për diçka më ndryshe – shumë më ndryshe.

-3-

Ka nevojë për diçka më ndryshe e shumë më ndryshe sepse po shikuat e lexuat kronikat e lajmeve e raportimeve ditore mbi “azilantët kosovarë”, e kuptoni seriozitetin e hallit tonë. E kuptoni përmasën e shpërthimit të katastrofës ekonomike, sociale e politike në vend; katastrofë kjo e nisur dhe e shkaktuar nga menaxhimi po aq komik e joserioz i partisë e koalicionit në pushtet tash e pesë vite. Do të më duhet bukur kohë e gjatë për të rehabilituar ndjenjën e ligësisë që marr sa herë që shikoj lajmet e ikjeve njëjtë sikurse gjatë të 90-ve. Për më tepër, do të më duhet diçka shumë më serioze e shumë më kredibile se sa arsyetimet e muhabetet paçavure të “komikëve” tanë profesional (tashmë) politik,  për të arsyetuar e mbuluar një shpërthim kaq masiv.

Radhë të tëra të rinjsh kosovarë, të vendosur turpshëm nëpër kampe gjembash, do të duhej të shërbenim mjaftueshëm që e gjithë Qeveria, i madh e i vogël, kokulur por mjaft burrërisht të jepnin dorëheqje një nga një. Përtej komfortit të veturave të tyre “3Z”, rahatimit të familjarëve e akrabave, përtej darkave e drekave “me breshëri kallashësh”, është një Kosovë e tërë që po ikën. Po ikin të gjithë!

Mijëra kosovarë vetëm në Hungari, Zoti e di sa të tjerë nëpër shtete të tjera, e sa e sa “fatlumë” që megjithatë i kanë ikur “kampingut” e s’janë të evidentuar – pa hesapuar grumbullin tjetër në Kosovë që as ato tre mijë eurot e para nuk mund ti mbledhin për nisje – janë pasqyra e vërtetë e “progresit të Kosovës”, e “Kosovës me rritjen më të madhe ekonomike në Evropë”, e “Kosovës Evropiane” e “Kosovës së liberalizimit të vizave”, e “prosperitetit e partneritetit me miq ndërkombëtarë” dhe e “tri dëshirave të jetës sime”. Marre.

-4-

Neo-azilantët kosovarë janë produkt final i një degradimi të skajshëm ekonomik në Kosovë që zgjidhë papunësinë me universitete publike; zgjidhë sëmundjet me lëmoshë rrjetesh sociale; zgjidhë parimin me linçim spiunësh; zgjidhë lirinë me zaptim rahjegjoksi; zgjidhë meritën me rahatim dajësh; zgjidhë pasurimin me hajni e haraç - në fund amnesti për të gjithë për të zgjidhur drejtësinë.

Neo-azilantët kosovarë janë produkt final të një shakaje gjithëpopullore të të paditurve, naivëve e të mbrapshtëve që në këto momente qeshin e çirren me hallet e kosovarëve, prej shakave absurde të nisura për 1 Prill rreth Nobelit (e vërteta e lajmit) e deri tek muhabetet për komuna të reja. Vranjevci, Zhegra, Hasi e Rogova, nuk janë hallet e kosovarëve; nuk lëshojnë të rinjtë tanë Kosovën se nuk kanë komuna mjaftë - lëshojnë meqë sot kanë të njëjtat probleme e halle e zymtësi të papunësisë, mjerimit e skamjes siç i kishin pesë vite më parë; lëshojnë meqë si sot e pesë vite më parë komikët tanë vazhdimisht bëjnë shaka mbi ta me muhabete komunash në vend të punësimit, me stolisje bredhash në vend të perspektivës, me evropianizime rrugësh në vend të rrugëtimit evropian.

Neo-azilantët kosovarë janë produkt final i një situate të pashmangshme që nuk ka mundur të kamuflohet asnjëherë me deklarata e rrafshime qejfesh, me numra e përqindje kafesh, me metra e miliona asfaltesh, apo me ngjyrosje e emërtime rrugësh me shtete Evropiane. Asfallti megjithatë as nuk hahet e as nuk shitet, përqindjet as nuk krijojnë e as nuk ngopin, e pankartat e rrugëve të emërtuara “evropianisht” fshihen e shpërlahen megjithatë pas një shiu – që në fund edhe bën një mini-vërshim.

Neo-azilantët kosovarë, njëjtë sikurse 20 e sa vite më parë, janë tregues të rëndesës së vendit tonë; janë tregues të regresit tonë – këta janë numrat e vërtetë të Kosovës. Ata janë tregues të dështimit tonë shoqëror e të paaftësisë sonë për të bërë mbarë e hair e për ti dhënë një herë e mirë udhë secili komik profesional e amator në Kosovë që guxon e ka guxuar të bëj shaka poshtëruese me të gjithë ne. E nëse ne megjithatë ne mbesim komfort me një gjendje të tillë, ndoshta edhe meritojmë një parodi nacionale. Fikë për fikë, bile me muzikë – thonë.


Friday 12 July 2013

PARDONI I PADRONËVE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 KORRIK 2013

Politikanë të pandershëm, hajna e kriminelë të tjerë, që në një formë apo tjetrën sot keni në dispozicion pasuri të pashpëlarë, dilni, shfaquni, deklaroni të tërën dhe thirruni në rezistencë. Thirruni në rezistencë me arsyetimin se nuk keni qenë të kënaqur se si kjo qeveri ka shpenzuar paranë, thirruni në rezistencë për shkak të  korrupsionit në Qeveri prandaj edhe evazioni juaj; e nëse nuk i bindin këto, thirruni në rezistencën e veriorëve për motive etnike. Nga sot të gjithë jeni të gjithë falur!


Ka mbi dy vjet e gjysmë që çdo të premte shkruaj në këtë kolumne, e nuk jam ndier asnjëherë më i bindur e më i sigurt se sa sot për fjalët e thëna në të. Do të flas për amnistinë, veçanërisht për amnistinë e evazionit fiskal (apo ikjes së tatimeve); e evazioni fiskal është tema me të cilën bashkëjetoj në studime tash e katër vite – prandaj dhe siguria ime. Kam punuar në pjesë empirike, analitike e përshkruese për 27 vende të tranzicionit që nga viti 1999 e këndej, për të kuptuar e përshkruar natyrën e vjedhjes së tatimeve dhe format e parandalimit të tij – nëse ka të tilla. Sepse parandalimi i evazioni në fund të fundit, së paku këtë ma thotë literatura koncensuale, parandalon një zinxhir regresiv gjithandej, e ky parandalim në kthim jep institucione të drejta e potenciale zhvillimore politike e ekonomike.

Qeveria e Kosovës këtë javë, nëpërmjet trikut më shantazhues të bërë ndonjëherë në vend, përdori mbrapshtësisht, por me plot mjeshtri, Parlamentin për të prodhuar hendikepin më të madh ligjor që ka mundur ta pranojë Kosova – amnistinë. Me këtë amnesti ndër të tjerash, bëhet edhe falja e evazionit fiskal. Dëmet? Ta themi se përtej dëshpërimit moral, trajtimit jokorrekt e tradhtisë së të mirës, Kosova tash e tutje ka shpërlarë secilin kriminel politik e jopolitik përjetësisht. E përjetësia e tyre është në korrelacion me ecjen negative të vendit.

Më lejoni të bëj një shëtitje (të shkurtë për kontekstin) rreth asaj çfarë kemi falë me amnesti, e çfarë mund të presim nesër. Më lejoni të provoj përshkrimin e pasojave të faljes për të treguar rezonin se pse asnjë shtet në asnjë rrethanë (jo-konfliktuoze) nuk ka falur evazionin deri më tash. 

-1-

Alphonse Gabriel Capone, shkurtë Al Capone, është gangsteri, krimineli, banditi, vjedhësi, vrasësi, e çfarë të mendosh tjetër, më i njohur mbarësisht. Përgjegjës për masakrën e “Shën-Valentinit” ku u vranë shtatë, reketues i secilit biznes në Chicago, garantues i secilës fajde e borxhdhënie ilegale, korruptues i secilit shërbim publik rreth tij, vjedhës, plaçkitës e terrorizues i paskrupullt i rrugëve, Capone përfaqëson simbolikën e rënies absolute të “rendit dhe ligjit” amerikan gjatë viteve të 20-ta; pak a shumë si në Kosovën e sodit.

Në mungesë të provave, Al Capone nuk ishte dënuar asnjëherë për vrasje, vjedhje, rrahje e krime të tjera ordinere, që thënë të drejtën i dinin të gjithë por nuk mund ti provonte apo nuk guxonte ti provonte asnjëri.  Nuk ishte dënuar për asnjërën prej tyre. Besoni ose jo Capone ishte dënuar me 11 vjet burg në Alkatraz për vjedhje të taksave, pra evazion fiskal, pas gjetjes së parave të gatshme (të pashpëlara) tek ai. Në të vërtetë gjetja e parave të gatshme në dispozicion të kriminelëve (të cilat përndryshe i kanë vështirë ti shpëlajnë) përbën mbarësisht formën më të lehtë të ndjekjes së tyre.

Spiro Theodore Agnew, është ish-nënkryetari i 39 i SHBA-ve i cili shërbente në kohën e Presidentit Nixon. Agnew është i vetmi nën-kryetar në gjithë historinë amerikane që është detyruar të dorëhiqet e mbahet përgjegjës për shkak të evazionit fiskal, për paratë e pranuara në mënyrë të paligjshme.

Leona Helmsley, është ish-biznesmene amerikane, pronare e një zinxhiri hotelesh me vlerë miliardësh. Në vitin 1989 e njëjta dënohet me 16 vite burgim për shkak të evazionit fiskal. Evazioni për të ishte vetëm një dënim i provuar më lehtë. Krimet e saja ekonomike ishin marramendëse.

Pra CV-ja e luftës ndaj evazionit fiskal në Amerikë përmban kriminelë ordinerë, politikanë e biznesmenë – të gjithë të dënuar për evazion fiskal. Jo se të njëjtit nuk kanë bërë krime të tjera, kanë bërë mjaftë - por se evazioni fiskal është pa kurrfarë dyshimi forma më e lehtë e ndjekjes së kriminelëve (politikanë, mafiozë e biznesmenë). Është pikërisht për shkak të akuzave ndaj evazionit fiskal (dhe konsekuencave prej tij) pse keqpërdoruesit nuk arrin asnjëherë ti shpëlajnë paratë. Lufta ndaj evazionit është shumë më tepër se luftë borxhesh tatimore.

-2-

Ligji i Amnistisë, që në rrethana normale nuk duhej të përfshinte asnjëherë pjesën shqiptare të Kosovës, ku institucionet funksionojnë tash e 14 vite e se çdo shkelje e ligjit është bërë vetëm për qejf e pse disa kanë dashur të pasurohen në kurriz të të tjerëve, pra ky ligj falë keqbërësit dhe hendikepon çdo qeveri serioze të nesërme që ka vullnetin e vendosjes së drejtësisë në vend duke krijuar kushte për gjyqësorin për të mbajtur përgjegjës të padrejtit.

Ligji për amnisti falë të gjithë Al Capon-ët kosovarë, të gjithë politikanët e biznesmenët kosovarë, e secilin keqbërës tjetër kosovarë që kanë keqpërdorur në çdo formë të mundshme paranë publike të vendit tash e 14 vite; dhe jo vetëm aq. E tëra se çfarë keqpërdoruesit duhet të bëjnë është deklarimi i rezistencës, dhe kjo jo patjetër në baza etnike – munden për etikë, moral, bindje apo thjeshtë mospajtime politike; dhe janë të falur. Kujtoj se thelbi i evazionit fiskal në esencë është mu rezistenca.

-3-

Rezistenca ndaj tatimeve është thjeshtë një formë e kundërshtimit të qeverisë dhe gjithë mekanizmave të saj zbatues, në bazë të bindjeve politike, etike, morale apo thjeshtë individuale. Natyrisht e njëjta në çdo vend demokratik është e papranueshme për tu bërë argument gjyqi, por në sisteme të mëdha ndryshuese (siç mund të jetë argumenti për Veriun, por assesi për pjesën tjetër të Kosovës) mund edhe të falet, pra amnistohet. Natyrisht se rezistencën mund ta promovojnë grupe të ndryshme etnive që jetojnë në një shtet që për ta është armiqësor/pushtues/jopërfaqësues; njëjtë siç kemi rezistuar ne Serbinë gjatë 90-tave apo siç (pretendojnë ata) jemi rezistuar nga veriorët që nga paslufta.

Por përveç argumentimeve etnike, rezistenca mund të prodhohet edhe nga bindjet filozofike. Për shembull anarki-kapitalistët besojnë se tatimi është formë tipike e vjedhjes dhe se askush nuk ka të drejtë të marrë paratë e tjetrit. Në të vërtetë raste të rezistencës e thirrjeve për rezistencë janë dëgjuar nga revolucionistë të dhunshëm si John Adams apo pacifistët si John Woolman; nga komunistët si Karl Marx-i apo kapitalistët si Vivien Kellems; nga aktivistët kundër luftës si Ammon Hennancy apo liderët e lëvizjeve të pavarura si Mahatma Gandhi. Rezistenca ka ngjyra nga më të ndryshmet.

Rezistencë është konsideruar të jetë edhe rasti i vitit 1968 në Britani, i njohur botërisht si “Chennery v. Conn” kur një taksapagues britanik ishte thirrur në shkeljen e “Konventës së Gjenevës” nga qeveria britanike e cila asokohe administronte me programe nukleare. Në thirrje të konventës i njëjti kishte refuzuar kryerjen e obligimeve tatimore për një qeveri, e cila gjithmonë sipas bindjeve të tija, shkelte rregullat ndërkombëtare. Natyrisht se bindjet e tilla ishin refuzuar nga sistemi gjyqësor, meqë një precedent i tillë i rezistencës do të zhbënte në parim çdo pagesë të taksave. Nesër tjetri do të ankohej për bindjet e veta morale, religjioze apo edhe politike.

Në Kosovë, Ligji për Amnisti e bën rezistencën (kujdes jo vetëm në Veri, por në të gjithë Kosovën) si akt të ligjshëm. Pra sikur rasti “Chennery v. Conn” të zhvillohej në Kosovë, paradoksalisht mospagesa e tatimeve do të amnistohej. Në këtë frymë, evazionistët e Kosovës nesër kanë një fushë të pafund mundësish për tu thirrur në rezistenca më kreative që kanë e për të përfunduar në falje të evazionit. E pakuptimtë!

-4-

Harroni kriminelët ordinerë, biznesmenët e padrejtë apo edhe individët tjerë që në këto vite i janë shmangur padrejtësisht obligimeve tatimore. Merreni një politikan kosovar të pasluftës i cili në 24 orët e ditës së tij, 23 i ka kaluar në mendime se si mund të shndërrojë paranë publike në të tijen; 1 orë në qebaptoret rreth zyrës. Për çdo kënd tjetër, përveç militantëve tipik të valleve e gulçimave të mitingjeve, politikanë të tillë kemi gjithandej, pa dallim regjional, të bindjeve apo kohës së veprimit (e nga votimi i partive kuptohet se janë edhe pa dallim partiak).

Paramendoni të njëjtin që pas keqpërdorimit e zotimit të parasë publike, ka hallin e shpëlarjes së parasë. Deri më sot i njëjti nuk ka mundur ti deklarojë ato, jo për shkak të origjinës, por për shkak të kërcënimeve për mosdeklarim me kohë të obligimeve tatimore e rrjedhimisht dënimeve sipas Kodit Penal për evazion fiskal. Thënë ndryshe një politikan i cili ka para të gatshme (të padeklaruara) apo pasuri tjetër (jo në emrin e tij) nuk ka mundur asnjëherë ti deklarojë ato sepse i njëjti do të mbahej përgjegjës për dy vepra, për evazion dhe origjinë. E përderisa origjina e parasë së padeklaruar është punë e lehtë kriminelësh ordinerë; të paktën kështu është provuar edhe në vendet me mekanizmat më të zhvilluar detektues, evazioni ka qenë thjeshtë i pashpjegueshëm për ta. Në fund të fundit mund të dëshmosh se nga i ke marrë një milion euro të gatshme pesë vite më parë, por në asnjë rrethanë nuk mund të dëshmosh e rrjedhimisht të lirohesh se pse nuk ke paguar tatim në kohën që i ke marrë ato (prandaj dhe ndjekja e dënimi për evazion).

Për t’iu kthyer edhe një herë tregimit të Al Capones, halli i keqbërësve nuk është shuma që humbin sot si tatim nëse detektohen apo shfaqen (siç argumentonin me naivitet disa deputet në “Rubikon” këtë javë), por dënimi nga mospagesa e tij me kohë. Pra Al Capone me qejf do të paguante borxhin e tatimit në këmbim të burgut (pas detektimit të parave të pashpëlara) siç do të bëjnë tash e tutje të gjithë kriminelët tanë. Natyrisht e tëra se çfarë duhet të bëjnë të tanët është thirrje në rezistencë, në emër të veriorëve, bindjeve politike apo moralit – kjo ka pak rëndësi. Në të vërtetë për dikë që kanoset me burgim të gjatë, pranimi se ka vepruar konform thirrjeve për rezistencë të serbëve të veriut është kafshatë e lehtë; mos vallë pret dikush burrëri e faqebardhësi nga vjedhësit e kriminelët e tillë?

-5-

Prandaj, politikanë të pandershëm, hajna e kriminelë të tjerë, që në një formë apo tjetrën sot keni në dispozicion pasuri të pashpëlarë, dilni, shfaquni, deklaroni të tërën dhe thirruni në rezistencë. Thirruni në rezistencë me arsyetimin se nuk keni qenë të kënaqur se si kjo qeveri ka shpenzuar paranë, thirruni në rezistencë për shkak të korrupsionit në Qeveri prandaj edhe evazioni juaj; e nëse nuk i bindin këto, thirruni në rezistencën e veriorëve për motive etnike - thirruni në gjithçka që ju shpëton nga burgu e fundi "alkaponian". Nga sot të gjithë jeni të gjithë falur!




Friday 5 July 2013

KOHË TË FRIKSHME

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 KORRIK 2013

Lufta kundër krimit, me falje!


Nuk jam ndier asnjëherë më i pasigurt për Kosovën se sa gjatë kësaj jave. E frikshme dhe e tmerrshme ishte ndjenja e mundësisë së kalimit të një ligji amnistues të pakuptimtë, jo të drejtë, anti-human e anti-shtetëror. Ishim aq afër prodhimit të një dokumenti që kthente atë pak demokraci të mbetur në hiç, që barazonte një faqezi që në 14 vite kishte bërë hajnin, plaçkitësin, korruptuesin e zhvatësin, me një punëtor, një prind e një qytetar që në gjithë këtë kohë kishte bërë kundër-hajnin, kundër-plaçkitësin, kundër-korruptuesin e kundër-zhvatësin.

Në të vërtetë, vet ideja e gjetjes së një vendi të tërë kaq afër rrënimit parimor e të vlerave më bazike në mes të mirës versus së keqes, më bën të ndjejë trishtimin e frikën për secilën ditë të ardhme. Ky vend e këta njerëz mund të prodhojnë gjithçka nesër; kanë humbur çdo vetëkontroll. Kufijtë e turpit, vlerës, humanizmit, e dinjitetit janë zhbërë për ta. Ka vetëm një vijë vetanake që ata ndjekin dhe kjo vijë evoluon vetëm me ecjen e tyre. Kjo ecje është thjeshtë inkluzive për sundimtarët dhe ekskluzive për gjithë të tjerët. Për sa mërziten, ata janë në gjendje të vënë një vend të tërë në shërbim faraonik të qejfeve të tyre; nga më të ndryshmet. Sa e frikshme.

-1-

Amnistia, si pardon, bëhet kuptimplote kryesisht në rastet kur falja e mosdënimi kanë kosto më të ulët – morale, financiare e praktike – se sa vet dënimi. Pra thënë ndryshe, amnistia bëhet kuptimplote vetëm nëse përfitimet nga një falje mundin dëmet eventuale nga mosfalja. Dhe rasti i amnistisë për veprat anti-shtetërore ndaj Republikës së Kosovës për serbet e pjesës Veriore mund të kuptohej mu kështu. Për shtrirjen e legjitimitetit të institucioneve tona në atë pjesë - ndonëse kam shumë për të thënë për formatin e kësaj shtrirje, kjo tash ka pak rëndësi – kosovarët janë të gatshëm ti falin të gjitha veprat kriminale “të lehta anti-shtetërore” që nga data e shpalljes së pavarësisë e këndej.

Këto vepra kriminale “të lehta anti-shtetërore” në asnjë rrethanë nuk përfshijnë vrasjet e heronjve kosovarë, larg asaj, por në një gjuhë më të qartë do të mund të përfshinin djegien e pikave kufitare (dy a tri herë), vënien e barrikadave gjithandej, mosrespektimin e rendit Kushtetues të Kosovës në rrafsh pesë vite, e të gjitha thirrjet tjera për separatizëm territorial e nxitje të urrejtjes. Pra ne do ti falnim të gjitha këto krime (që përkundër amnistisë megjithatë mbesin krime) në këmbim të kontrollit territorial të Veriut dhe respektimit të rendit Kushtetues tonin tash e tutje atje. Një falje e tillë në këmbim të Veriut është pazar bukur i mirë – këtë do ta argumentoja në çdo rrethanë. Nuk është pazar ideal e as zgjidhje ideale, por në rrethanat politike që kemi sjellë të gjithë vendin, sidomos klasa e paditur politike, është zgjidhje e pranueshme. A e marrim realisht apo e autonomojmë në të vërtetë Veriun me këtë marrëveshje, këtë nuk kam intencë ta diskutoj këtu. Tashmë besoj se i kam bërë mjaftueshëm të qarta, për aq sa mundem, pasojat e marrëveshjeve të fundit në gjithë shkrimet e shkuara.

Amnisti të tilla për grupe minoritare brenda një shteti (kryesisht emigrantë) kanë qenë shpesh të zakonshme në Amerikë, Spanjë apo Francë sa herë që një e mirë më e madhe të ketë mbuluar dëmet e faljes. Kujdes, nuk ka falje pa dëme. Nëse asgjë tjetër mostrajtimi i pabarabartë me të rregulltit apo edhe vënia e precedentit për rastet e ardhme mjaftojnë për të hezituar para çdo falje. Shto kësaj edhe gjasën bukur reale që amnistia të mos rregullojë asgjë, dhe ke mjaftueshëm një pasqyrë argumentesh për hezitim bukur të logjikshëm kundër-amnistues. Në fund të fundit kosovarët nuk është se kanë dëgjuar për herë të parë për amnisti. Në vitin 2007, qeveria e atëhershme kishte shlyer një pjesë bukur të madhe të borxheve tatimore, gjithsesi të motivuara politikisht, për të mos arritur asgjë.


-2-

Pra nën synimin e një fillimi të ri, që ndodh pra rrallëherë e vetëm atëherë pas ndërrimeve kategorike brenda një shteti – siç mund ta presupozojmë potencialisht integrimin e Veriut – palët dialoguese në Bruksel kanë arritur marrëveshjen e amnistisë. Prandaj në rrethana si këto është krijuar edhe Neni 5, që është specifikisht i dizajnuar për serbët e Veriut. Pikat që përfshijnë “sulmin kundër rendit Kushtetues”, “kryengritjen e armatosur”, “rrezikimin e tërësisë territoriale”, “kalimin e pautorizuar të vendkalimeve”, “armëmbajtjen pa leje”, “nxitjen e urrejtjes”, “thirrjen për rezistencë” e “huliganizmin e turmës” janë të dizajnuara për të gjitha ngritjet e armatosura,  barrigaduese e çoroditëse të ndodhura menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (kujtoni zjarrvënien në kufi një ditë pas pavarësisë), ndjekjen e gjykatave kosovare nga Veriu (po në atë kohë) dhe të gjitha barrikadat, mbledhitë e sulmet tjera terroriste të armatosura pas ndërhyrjes policore më 25 Korrrik 2011.

Fatkeqësisht, siç edhe e shpjegoj Dastidi në “Interaktiv” - një ndër avokatët më të mirë që ka Kosova -gjeneroziteti i palës kosovare në relacion me Veriun është i pashpjegueshëm dhe për më tepër i pazakontë; e paramendoni ne ende nuk po e diskutojmë pashpjegueshmërinë e pazakonshmërinë e faljeve të tjera për pjesën institucionale të Kosovës (për këtë pak më vonë). Ligji në fjalë jo vetëm që nuk përcakton validitetin e ligjit vetëm për pjesën territoriale (deri sot) të pakontrollueshme të Kosovës, por nuk bën as përcaktimin e kohës së amnistisë. Pra në vend se i njëjti të ofrojë një prerje kohore që nga shpallja e pavarësisë e këndej dhe vetëm Veriun, amniston secilin në gjithë Kosovën e në pafundësi deri me një datë arbitrare, që ndodh të jetë e vënë pa ndonjë arsye të veçantë, 20 Qershori.

Përveç kësaj, ligji amniston vepra të vrasjeve e hajnisë jo në relacion me shtetin, por të qytetarëve (pavarësisht etnisë) ndaj njëri tjetrit. Pra me ligjin në fjalë, një serb i Veriut që ka dhunuar, plaçkitur apo vrarë në afekt mendor një serb tjetër, është i falur. Me predispozita si këto, ligji as serbeve të Veriut nuk ju bën mirë e lërë më gjithë të tjerëve në Kosovë. Përveç se me një ligj të tillë ky shtet i yni bën shkeljen më bazike të parimeve humane dhe të akteve që nuk falen, i njëjti merr kompetenca që nuk i takojnë. Pra shteti mund të falë, edhe sikur të duhet (pavarësisht se a duhet tani apo jo) vetëm krimet që janë në relacion me të, por në asnjë rrethanë krimet në relacion mes palëve tjera. Nuk ka tagër për këtë punë.


-3-

Problemi me Ligjin megjithatë nuk është amnistia e Veriut, është legjitimi i krimeve në gjithë Kosovën për të gjithë kohën – dhe këtë kam përshtypjen se e kanë kuptuar shumë pak kosovarë. Nuk e di përse, por kam bindjen se e gjithë amnistia është kuptuar si një proces i faljes së disa të burgosurve, të cilët, “të shkretit”, kanë vuajtur pak dënim prandaj nuk bëhet punë e madhe po i falëm pak. Falja është akt njerëzor; të paktën kështu edhe u provua të shitej nga sponsorizuesit e ligjit në Parlament. Ajo çfarë në të vërtetë është provuar të ndodhë me ligjin, them e provuar meqë besoj në mosbërjen e tij asnjëherë më,  është produkti i fundit i zaptimit të shtetit nga njerëz të zhytur thellë në aktivitete kriminale nga më të ndryshmet.

Duke parë mundësinë për falje, kriminelët them ta kenë menduar këtë si një mundësi të artë të larjes e shpëlarjes së tyre, duke e rritur vlefshmërinë e ligjit për të gjithë Kosovën, për të gjithë kohën, e pothuajse për të gjitha veprat kriminale në vend – të dënuara, padënuara, hetuara e të pahetuara deri më tani. Them se kriminelët, hartues të ligji, të kenë marrë një listë “Interpoli” të krimeve më bizare që mund ti gjejë dikush diku, e ti kenë futur në ligjin për falje. Apo dhe më tepër, të njëjtit të kenë bërë një “curriculum vitae” të të gjithë krimeve të tyre që nga paslufta e këndej, nga korrupsioni, haraçi, vjedhja, shantazhi, manipulimi, kërcënimi, rrahja e deri te vrasja, e të kenë futur më pas të gjitha një nga një në një nen të vetëm (nen rrëfimi), Nenin 3. Në të vërtetë, vetëm duke parë renditjen e veprave të falura në këtë ligj arrij të kuptojë edhe madhësinë e krimeve që këta i paskan bërë në Kosovë në 14 vite.

Për gjithë ata që nuk kanë marrë mundin, për një apo arsye tjetër, të lexojnë Nenin 3 të Ligjit për Amnisti, më lejoni të ju kujtoj se cilat vepra të ndodhura ndonjëherë në Kosovë, pavarësisht etnisë, janë pretenduar të falen e të harrohen: vrasja (nga pakujdesia e afekti mendor), vrasja e foshnjave, vjedhja (te gjitha format), rrahja, haraçi, fajdeja, kanosja, uzurpimi i banesave, vjedhja e votave e vetëgjyqësia (pra bërja e gjyqit vet). Me përfshirjen e këtyre veprave në amnisti, të gjithë personat në Kosovë, “përfshirë edhe ata ndaj të cilëve nuk është ngritur ende aktakuzë apo nuk janë hetuar” (mu kështu thuhej në ligj), mund të falen përgjithmonë. Pra po të aprovohej ky ligj, siç kanë pretenduar gjithë hartuesit e kriminalizuar, gjyqësia në Kosovë nuk mund të ndjekë asnjëherë, asnjë njeri, në asnjë rrethanë, secilin që ka bërë krimet e lartpërmendura para datës 20 qershor 2013. Ke vjedhur para datës 20 qershor; je i lirë; ke përfituar miliona nga aferat korruptive para datës 20 qershor; je i lirë; ke vrarë, zaptuar, rrahur e bërë gjithë të zezat para datës 20 qershor; qëlloja, je i lirë. Natyrisht se në listën e pafund të veprave të falura ka edhe të tilla si “dhënia e ndihmës veterinere në mënyrë të pandërgjegjshme për shtazët” për të mbuluar diçka për shembull si “skandali i arushave” ku edhe deputetë të Kosovës janë të përfshirë; apo edhe “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrave” për të mbuluar diçka si rrahja e policëve në detyrë le të themi.

Me fjalë të tjera, ky ligj amniston secilin krijues të problemeve në Kosovë që nga përfundimi i luftës e deri më këndej. Nëse keni shpresuar ndonjëherë për vënien e drejtësisë në vend, për mbajtjen përgjegjës të secilit që është pasuruar në kurriz të më të varfërve tanë, për gjithë ata që sot na sillen rrugëve “nga opingat në Mercedes” – siç e kishte përshkruar një politikan gjerman ecjen e politikanëve tanë – nëse keni shpresuar për një ditë të mbarë në fund të gjithë anomalisë e anomalive, keni qenë të marrë. Të njëjtit shkaktarë faqezinj të gjithë krimeve tuaja, kanë marrë guximin të falin veten; dhe ky guxim i tyre bën edhe frikën tënde e timen.  

-4-

As nuk dua të mendoj gjatë për efektet e pritshme nga një marrëveshje e tillë. Por, paramendoni nesër deklarimet e pasurive të politikanëve që pa fije marre e turpi do të shumëfishoheshin. Të gjitha të zezat e fshehura do të shfaqeshin pa kurrfarë hezitimi. E reagimi ndaj kësaj? Përveç një stigmatizimi potencialisht moral, as edhe një akt tjetër ndjekës gjyqësor; as edhe një përgjegjësi e vetme, as edhe një trup i vetëm. Për aq sa do të brengoseshin, të njëjtit do të pranonin hajninë e krimin e bërë para datës 20 qershor dhe prapë do të na qeshnin nga sallat e Parlamentit e do të na mbanin moral.

Paramendoni reagimin e institucioneve e individëve të pakët që në gjithë këtë amulli të së keqes megjithatë kanë punuar mbarë e mirë. Paramendoni energjitë e tyre për të trajtuar kriminelët e rinj, vjedhësit e rinj, zaptuesit e haraçgjinjtë e rinj. Paramendoni mesazhin ndaj gjeneratave tjera për sjelljet e pritshme të tyre. Paramendoni motivin e precedentin për qeveritë e ardhshme, kriminelët e rinj e keqbërësit tjerë. Në të vërtetë Ligji Amnistisë nuk është betejë partiake, politike e etnike; është një betejë mes së mirës e së keqes.

-5-

Ligji në fjalë është aq i mbrapshtë sa që dikur edhe humbë rezonin që amnistia potenciale në Veri mund të prodhonte. Në të vërtetë përmasat e amnistisë në gjithë Kosovën nuk dëshmojnë unitetin territorial që e rezonante me naiviteti kryeministri i vendit, meqë falja e të kriminelëve të hetuar apo jo në pjesën tjetër të Kosovës nuk prodhon kurrfarë sovraniteti në Veri. Çfarë lidhje ka me sovranitet një politkan që ka vjedhë 1.4 milionë në tenderin e pasaportave? Çfarë ka lidhje me sovranitetin në veri një zaptues i banesave të huaja? Çfarë ka lidhje me veri një falsifikues e hajn i rrugëve? Ligji nuk dëshmon as luftën kundër krimit, meqë së paku e kemi pritur si luftë me mbajtje të përgjegjësisë e jo si falje e kthim në vitin zero. Ligji dëshmon vetëm një përpjekje, tani për tani të dështuar, për të përmbyllur një cikël kriminal nga krijuesit e krimit që na bëhen gjykatës e falës të tij.

Pavarësisht tendencave të keqbërësve, unë nuk bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve që do ta merrnin si përfundimtar e të shkruar në gur një ligj edhe po të kalonte si i tillë. Unë besoj se qeveritë vijnë e shkojnë; sot janë por nesër zhbëhen. E me to do të zhbëheshin edhe vendimet absurde si këto - sinqerisht të padëgjuara nëpër botë. Gjithë të zezat për 14 vite, e në fund amnisti për një ditë, kjo s'mund të përpihet. Se lojë kjo jeta jonë nuk është.

Në fund fare, nuk e kuptoj as votimin e disa deputetëve të partive opozitare qe kritikojnë në vazhdimësi pozitën për gjitha të zezat, kryesisht për hajni e korrupsion, vrasje e haraç, e në fund janë në gjendje ti falin keqbërësit. Nuk kuptoj se me çfarë baze morale, etike e njerëzore të njëjtit do të pretendojnë alternativë qeverisëse kur ishin në gjendje ti falin më të zinjtë e këtij vendi. Pse dallojnë nga po të njëjtit kriminel? Ndihem krenar e falënderues për ata pak deputetë që thanë jo, por mjaftueshëm për të kthyer ligjin mbrapa. Ndihem krenar për të gjithë ata individë që kaluan kufijtë partiak për ti dhënë një vepër të mirë vendit e një shpresë për drejtësi.

-6-

Ka një gjë që më frikëson më shumë se guximi amoral i të pamoralshmëve për shpëlarje e pastrim gjynahesh me rrëfim e amnisti. Është mungesa e ngritjes së zërit të qytetarëve sa herë që na ndodhin të zeza si këto. Katër vjet më parë akti më absurd që mund të prodhohej nga Parlamenti ishte rritja e ndonjë page të deputeti, apo ndonjë ligj qiraje mbi objektet publike. Sot, si rrjedhojë e komforti qytetar për të mos ngritur zërin edhe për akte të tilla, ky Parlament guxon të diskutojë edhe ligje kaq denigruese e kaq rrënuese që falë kriminelët e dënon të ndershmit.