Sunday 31 July 2016

ASNJËHERË NË KOSOVË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 KORRIK 2016

Mbi të gjitha, është domosdoshmëri që të c’kapemi nga secila influencë politike para diktatoriale. Neve na duhet një model tjetër i shtetbërjes. Një që nuk kërkon që gjyqësinë ta bëj qeveria, apo satira të ndalohet me burg. Mendësi të tilla nuk kanë vend në kohën tonë.

-1-

Javën që shkoj, kisha shkruar për domosdoshmërinë e c’kapjes së Kosovës nga ndikimi i politikës së tanishme të Turqisë. Mjaftuan më pak se një javë para se kjo domosdoshmëri të shpërfaqej në formën më të qartë të mundshme. Në vijimësi të një komenti satirik prej “facebooku” të një gazetari kosovar, qeveria e Turqisë nëpërmjet ambasadës së saj në Kosovë kishte dërguar një letër – të gjerë e të gjatë – në të cilën kërkohej marrja e masës dhe burgosja e gazetarit në fjalë.

Janë tri observime që njeriu mund t’i nxjerrë nga një tregim si ky; gjithmonë duke abstrahuar personazhet dhe subjektivitetin eventual që dikush mund të ketë në këtë drejtim; gjithmonë duke u përqendruar në parime pra. Të trija observimet, unë argumentoj, ushqejnë domosdoshmërinë e c kapjes të sa më parme të Kosovës nga influenca neo-osmane.

-2-

Observimi i parë, dhe më i rëndësishmi, është se letra në fjalë jep mendësinë me të cilën sot funksionon qeveria turke. Sipas kësaj mendësie, qeveria e një vendi duhet të ketë të drejtë të marrjes së masës dhe persektuimit të individëve – kushdo qofshin ata; duke zëvendësuar kështu organet e rendit, të pavarura në esencë. Pra, për qeverinë turke, është normale që në një shtet, qeveria e politika të zëvendësojë gjyqësinë – rrjedhimisht dhe kërkesa për marrje masash. Me këtë kallëp e me këtë mendje, sot po burgosen mbi 50 mijë qytetarë turq atje.

Observimi i dytë, jo më pak i rëndësishëm, se satira e ironizomi është pengesë e një qeverie. Dhe janë vetëm qeveritë jodemokratike, të autokracisë e diktaturë në bërje që shfaqin reagim nervoze ndaj humorit e satirës. Pra, është pak e pritshme që ambasada e Turqisë në Kosovë të mos ketë kuptuar ironinë e postimit – siç ishte shënuar qartazi aty. Është shumë e pritshme që pikërisht satira e ironia i kishte thumbuar ata. Në fund të ditës, reagime të tilla kishte pasur dhe më parë, kur, shteti turk kishte kërkuar masa të njëjta nga qeveria gjermane ndaj një komedianit gjerman.

Observimi i tretë, dhe më i pritshmi, ndërlidhet me mënyrën se si shteti turk e sheh Kosovën. Reagimi në fjalë përmbanë një dozë enrome të tolerancës intervenuese. Për një shtet që ka investuar shumë pak në projektin Kosovë, një guxim i tillë është hiq i pritshëm. Paralelet me intervenimet e ambasadës së SHBA-ve janë të pavenda. Projekti Kosovë, në gjtihë zhvillimin e vet, ka qenë projekt i përbashkët i popullit shqiptar dhe politikës amerikane – rrjedhimisht, me vend ose pa vend tjetër muhabet – e drejta intervenuese amerikane në Kosovë. Por politika turke nuk ka pasur aksione të tilla në Kosovë; asnjëherë. Ka pasur, gjithsesi, aksione të tjera.

-3-

Aksionet e tyre janë ndërlidhur me të gjitha kompanitë publike të transferuara në private si dhe me të gjitha projektet kapitale të zhvilluara në vend. Merreni për pak pasqyrën ekonomike tonën. Shihni cilat janë kompanitë më të mëdha në vend. Janë të gjitha turke. Janë kompani që sot mbajnë asetet qenësore të Republikës. Dhe në të gjitha involvimet e tyre – pothuajse pa përjashtim – janë shpërfaqur afera korruptive, të praktikave të dëmshme korporatave e të ecjeve regresive.

Sot, influenca turke është e shtrirë në sektorin më të rëndësishëm tonin; në atë energjetik. Nëpërmjet një marrëveshje shumë të kontestuar, për një çmim shumë të nënvlerësuar, kompani të lidhura ngushtë me politikën e Erdoganit, kishin blerë rrjetin e tërë energjetik në vend.

Hiq më ndryshe nuk është rasti as në Aeroportin e Prishtinë; ku një kompani cimenti ishte shpallur fituese në fushën e aviacionit. Pjesa më e madhe e lidhjeve fluturuese që nga koncesionimi janë drejtuar nga Stambolli; përderisa kompani me renome botërore e perëndimore, si British Airëays ndër të tjerash – janë përjashtuar nga operimi. Prishtina, dhe pothuajse pjesa më e madhe e aeroporteve rajonale (influenca turke pra nuk shtrihet vetëm tek ne) janë bërë pika periferike e tërësiht shërbyese të Stambollit. Paradoksalisht, sot për një lëvizje në Perëndim duhesh të ndalesh në Lindje.

Investimet infrastrukturore, në rrugë pra, ato 1.6 miliardët e dhëna në dy autostrada, përfshijë sërish kompani turke – këtë herë në partneritet me një kompani amerikane. Në këtë rast, veçse, kur ata shisnin e ne blenim, çmimi ishte më i larti në Evropë. Kur ne shisnim e ata blenin, çmimet ishin pothuajse falë.

Prezencën turke, të theksuar madje e dominonte, e gjenë në sektorin më profitabil e më të qendrueshëm në ven; në sektorin bankar. Sot në Kosovë mbi 50% e numrit të bankave është në pronësi turke.

E njëjta prezencë e influencë është edhe në industri të tërë, në veçanti atë të ushqimit. Të njohur si shoqëri konsumuese, ne kemi orientuar gjithë tregun tonë nga Lindja. Shihni për pak produktet në raftet e minimarketeve apo ato në shtëpi që mund t’i keni. Natyrisht se tregu e leverdia përcakton kahjen e operimeve; por këtu kemi të bëjmë jo me levërdi e treg, por me invazion mirë të menduar e të eksekutuar në përpikmëri.

-4-

Në gjithë këtë invazion kosovar, Turqia ka qenë kontribuuese e theksuar e rrymave fetare që në thelb, siç kam argumentuar një javë më parë, nuk kanë pasur konsolidimin e besimit, por shndërrimin e tij në mjet për të sulmuar shekullarizimin në Kosovë. Këto rryma janë futur në institucione religjioze, por para së gjithash, edhe në ato edukative. Do të na duhet shumë pak kohë për të kuptuar intensitetin e një intervenimi të tillë.

Kosova pra ka lejuar shtrirjen turke sepse prijësit e saj, për interesa tërësisht korruptive, kanë preferuar pazaret prej alleshverishi para investimeve me renome. Pra, në energjetikë ne kemi ndjekur kompani gjermane për t’i zëvendësuar ato me miqtë e familjarët e Erdoganit. Në aeroport, që ishte inauguruar nga i njëjti, ne kishim larguar kompani franceze. Në industri të tëra ne kemi përndjekur investitorë evropianë – që, nëse asgjë tjetër, do të sillnin kulturë korporatizimi modern; dhe në vend të tyre kemi marrë e pranuar tygjarë.

Dhe të mbesim të qartë, investimet e këtyre tygjarëve janë hajgare. Pra, në Kosovë, kudo që ka prezencë turke, nuk bëhet fjalë për investime të njëmendta të vendeve të punës e krijimit të inovacionit apo vlerës. Bëhet fjalë për zhvatje e marrje të sa më parme të ndonjë ajke financiare që Kosova mund ta ketë.

Sërish, është domosdoshmëri që këtë influencë të shtrirë gjithandej në vend, të zhbëjmë. Jo duke i përndjekur operatorët këndej, por duke i mbushur me konkurrencë e prurje të reja nga Perëndimi. Në konkurrencë me Pereëndimin, alleshverishët s’do të kenë gjasë.

Mbi të gjitha, është domosdoshmëri që të ç’kapemi nga secila influencë politike para diktatoriale. Neve na duhet një model tjetër i shtetbërjes. Një që nuk kërkon që gjyqësinë ta bëj qeveria, apo satira të ndalohet me burg. Mendësi të tilla nuk kanë vend në kohën tonë. E, pavarësisht simpatisë jo të vogël që politikat zyrtare turke kanë – paradoksalisht – në mes nesh, është obligim patriotik i yni, i mendimtarëve e intelektualëve të tjerë, që këtë shoqëri ta formësojnë shumë më ndryshe.


Friday 22 July 2016

MBI PRAPAMBETJEN TONË

Letra nga limbo
KOHA DITORE 22 KORRIK 2016


Në të vërtetë Kosova e ka për obligim moral e patriotik ta zhbëjë sa më shumë influencën antishekullare në vend. Ta zhbëjë gjithë atë dëm që nëpërmjet korrupsionit të klasës politike këndej është futur në secilën pjesë ekonomike, kulturore e edukative tonën; në sistem bankar, në sistem energjetik, në shkolla, në investime kapitale, aviacion e industri ushqimi. Varësia jonë me një qeveri që ka agjendë antishekullare është domosdoshmëri

-1-
Në më pak se një javë, dy ngjarje, të ndara tërësisht, formuan, për mua, një bindje që – për shumë kohë – kisha menduar se nuk qe më. Bindjen se kjo shoqëri e jona, në shumë pjesë të saj, është e prapambetur dhe e tillë do të jetë për shumë kohë. Një shkrim thirrës për debat nga Mehmet Kraja dhe një tentim puç ushtarak i dështuar në Turqi treguan për hiç më shumë se një javë se sa jodemokratike, sa konservatore, sa të paditura dhe sa të manipuluara janë pjesë të tëra të shoqërisë sonë.

Ky tregim ishte shpërfaqur me një mani të pashpjegueshme për një tiran, dhe me një kërcënim të gërditshëm për një shkrues – përcjellë dhe me një dozë të bollshme paditurie e injorance të intelektualëve që s’marrin erë fare prej demokracie. Lëmsh në të gjitha anët.

-2-

Ngjarja e parë ishte kthim prapambetjeje në trajtimin e gjërave prej perspektivës së blasfemisë; e zakonshme në shoqëri primitive. Shkrimi i Krajës, pavarësisht pajtimit ose jo me përmbajtje – duhej të shihej si shkrim. Si ftesë e qytetëruar e demokratike për debat e diskutim. Sulmet pasuese, ofendimet e orkestruara e kërcënimet me jetë e pushkatim si zgjidhje e përballjes, treguan anën tjetër të Kosovës. Atë që kemi frikë ta shohim. Anën e mbylljes, të fyerjes e kërcënimit si mjet për të mbytur mendimin e lirë. Anën e rrezikut nga ekstremizmi. Treguan se Kraja kishte të drejtë.

Shihni. Puna është se kur sot kërcënon dikë me pushkatim për – hiç tjetër veçse një shkrim e mendim, nesër dhe vendos të shtypësh fëmijë me kamion sikurse një i çmendur në Nicë. Pra, trushpëlarja është graduale. Nuk bëhet brenda natës. Kërcënimi për shkrim është hapi i parë në bindjen trushpëlarëse; karakteristikë e kësaj prapambetjeje.

Dhe Kosova, e këtë duhet thënë shpesh e me zë, ka elemente trushpëlarëse gjithandej. Këto elemente kanë zënë vend me vite; do të duhen vite për t’u zhbërë pas. Për këtë na duhet një reagim gjithëqytetar e shoqëror. Që, kur dikush kërcënohet me jetë nga grupe të rrezikshme e të prapambetura, të ngrihemi të gjithë bashkë e të bëhemi një. Sot nuk e kemi luksin që luftuesit e vetëm e të pakët të degradimit tonë kulturor e identitar t’i lëmë vetë.

Beteja kundër trushpëlarjes natyrisht se s’bën të bëhet – siç po ndodh rëndom këndej – nga grupe që s’marrin vesh për mendimin e lirë e demokracinë; të bollshëm dhe në taborin tjetër pra. Të njëjtit, me përgjithësime e trajtime fashiste të lirisë së besimit veçse nxisin më shumë rekrutim në palën tjetër. Zaten, varfëria intelektuale këtë ka. Kjo betejë natyrisht se duhet të bëhet me njerëz që për bindje të njëmendë kanë lirinë e mendimit e besimit, të tjetrit dhe të vetes, e që janë shumicë në këtë vend.      

-3-

Puçi e dështimi i tij në Turqi ndërsa shpërfaqën dy fenomene ndaras. Në të parën, sërish quasi-intelektualë që arsyetojnë puçe si formë e marrjes së pushtetit në një vend anëtar NATO-je; e në të dytën, maninë e trishtueshme që një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kanë për konceptin Erdogan në politikë dhe islamizmin si formë e rregullimit shtetëror; si alternativë ndaj shekullarizmit. Të parët shkojnë, natyrshëm, me nivelin intelektual këndej – të varfër në bindje, të palexueshëm sa s’bëhet më, populist, pa ide.

Të dytët, ndërsa, janë pjesë e trushpëlarjes religjioze që ka ndodhur në vend. Për këta, afërsia me një vend që në secilin standard është larg për të qenë mik e mbështetës njëmend, është në baza tërësisht religjioze. Pra, në përballjen e islamit politik me shekullarizmin, shqiptarët në masë jo të vogël kanë zgjedhur të parën. Rrjedhimisht dhe mbështetja për një lider që në secilin standard demokratik e modern është tiran në bërje apo i bërë.

Për këtë natyrisht kanë pasur model dhe liderët shqiptarë që për motive tërësisht korruptuese kishin zgjedhur afërsi me një lider shtypës – e kishin quajtur dhe vëlla.

Shqiptarët nuk kanë pse të zgjedhin anë në përballjen turke. Të dyja anët qenë të shëmtuara. Politika e qeverisë së tanishme për shkak të politikave represive ndaj opozitës, medias së lirë e mendimit të lirë; politika alternative për shkak të përzgjedhjes së dominimit ushtarak për vënie të një tiranie të re. Pra, në këtë përballje ne s’kemi pse të bëjmë tifo e të nxjerrim model.

Model për model ne duhet të shohim nga vendet demokratike që, edhe po patën gjasën e dhënies së kërcënimeve të frikshme – Boris Johnson në Britani, Trump në Amerikë, Le Pen në Francë apo Norbert Hofer në Austri – megjithatë respektojnë parimet e mendimit të lirë e shprehjes së lirë. Dhe, nëse asgjë tjetër, kanë gjasë më të madhe për parandalim nga theqafja nga “trumpizmi” e “lapenizmi” sesa nga secili vend autoritar e diktatorial.


-4-

Turqia nuk është model i Kosovës, s’bën të jetë. E blasfemia nuk është pjesë e normës sonë shoqërore – s’duhet të jetë.

Në të vërtetë, Kosova e ka për obligim moral e patriotik të zhbëjë sa më shumë influencën antishekullare në vend. Ta zhbëjë gjithë atë dëm që nëpërmjet korrupsionit të klasës politike këndej është futur në secilën pjesë ekonomike, kulturore e edukative tonën; në sistem bankar, në sistem energjetik, në shkolla, në investime kapitale, aviacion e industri ushqimi. Varësia jonë me një qeveri që ka agjendë antishekullare është domosdoshmëri.

Mbi të gjitha, neve na duhet sa më parë që të edukojmë e formësojmë kosovarin modern; atë që sheh Republikën si shekullare, që beson në lirinë e besimit të tjetrit, e që respekton parimet demokratike të vendimmarrjes. Demokratike jo në konceptin që shumica bën çfarë të dojë – siç besojnë përcjellësit e Erdoganit në Kosovë kur thonë se ka fituar zgjedhjet – por në parime që mbrojnë dhe të drejtat e pakicës nga shumica; kur vota s’jep të drejtën e bërjes gjithçka.

Në thelb pra, ne duhet mundur prapambetjen që sot përcakton mënyrën si mendojmë, sjelljen tonë, normat tona e modelet që i marrim si shembull. Dhe ka veçse një formë që prapambetja të mundet mirë; ajo mundet nëpërmjet arsimit. Arsimi sot është fabrikë e prodhimit të kësaj prapambetjeje.



Monday 11 July 2016

MBI AMORALITETIN POLITIK

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 KORRIK 2016

Nëse dikush ka shpresuar se proceset biologjike vetvetiu do të përmirësojnë politikën kosovare, e kanë gabim. Nëse asgjë tjetër, proceset biologjike veçse po e sofistikojnë kapjen e kapësit.

-1-

Tashmë është e qartë se gjeneratat e reja politike, në masë të njëjtë sikurse pararendësit e tyre, nuk njohin moralin si element të politikëbërjes. Janë po aq pakurrizorë, po aq jokredibil e po aq – në formën më të thjeshtë të shprehshme – të pafytyrë. Nëse dikush ka shpresuar se proceset biologjike vetvetiu do të përmirësojnë politikën kosovare, e kanë gabim. Nëse asgjë tjetër, proceset biologjike veçse po e sofistikojnë kapjen e kapësit.

Sepse, përderisa kapësit e vjetër – le të themi – bënin favore me automatizëm për kryekapësit, këta të rinjtë po bëjnë dhe pazare shtesë. Pra nuk po e kërkojnë më vetëm mbajtjen e pozitës politike që kanë, por po kërkojnë dhe përfitime mbi to. Po kërkojnë poste ambasadorësh, karrige bordesh e rahatime akrabash. Pra, kostoja e kapjes po rritet  me rinimin politik tonin. Kapësit po bëhen më lakmitarë.

Kapësit e rinj, që shesin votën e bindjen për një rehatim prej – le të themi – diplomati, kanë dhe një veçori shtesë. Kanë aftësi talljeje. Pra, përderisa të vjetrit i fshihnin punët e ndyra politike, të përvetësimit e zaptimit, këta të rinjtë tallen me të tjerët. I shfaqin publikisht, me mburrje e krekosje prej mizërie.

Dhe kështu, në gjithë këtë vogëlsim të tyre, po vogëlsohet dhe potenciali rigjenerues i Kosovës. Sfidat kundër kapjes, të deridjeshme, veçse po shtohen. Kundërshtarët kapës po sofistikohen. Me sofistikimin e tyre dhe modelin që këta po ndërtojnë në vazhdimësi, po vogëlsohet edhe ajo pak dritare e vogël që sheh Kosovën si vend normal evropian. E ka vetëm dy elemente rritëse këtu; vetëdijësimi se koha jo domosdo prodhon progres – dhe e dyta, motivi për të ndryshuar rrënjësisht pjesën më të madhe të kulturës politike në Kosovë; gjithçka që sot ajo përfaqëson.

-2-

Merreni për pak moralitetin e politikës britanike; nivel që secili që e konsideron veten me mendësi të re politikëbërje duhet ta ketë për model. Pas referendumit për dalje, u dorëheq kryeministri – sepse kishte humbur veç një sfidë. U kërkua, dhe me gjithë gjasë do të ndodhë, dhe dorëheqje e liderit opozitarë – sepse, njëtrajtësisht kishte dështuar të parandalonte një dëm për vendin (siç e konsideronin bashkëpartiakët e tij). Në fund, u tërhoqën e dorëhiqën edhe vet promovuesit e fushatës pro-daljes; sepse momentumi i ri nuk i favorizonte ata.

Nuk po pres, natyrshëm, që niveli politik i Kosovës të arrijë standardet e një shoqëria si kjo më lartë. Po pres, gjithsesi, që ky nivel politik të ketë një bazë minimale të moralitetit. Po dhe nuk pat fare një bazë të tillë, pres që mekanizmat korrektues moral, të shoqërisë – qytetarëve, intelektualëve, akademisë e të tjerëve – të jenë aktiv. Sepse, janë mu mekanizmat e tillë që detyrojnë një politikan të sillet me rregulla minimalisht morale.

Këta mekanizma korrektues, fatkeqësisht, janë ose inekzistent ose bashkëaktiv me kapësit. Pjesërisht sepse nuk kanë guxim; pjesërisht sepse janë përfitues të këtij sistemi kapës. Nga punëdhënia individuale deri tek privilegjet familjare.

E kam thënë dhe më parë. Sot sistemi partiak e politik në Kosovë, nuk shihet si fushë që individët e grupet mund të kontribuuojnë. Shihen, për fatin tonë të keq, veçse si një plaçkë që fituesi i garës e ndanë. Rrjedhimisht, pas secilit proces zgjedhës, të gjitha pozitat publike janë të deleguara tek kontribuuesit partiak të kapjes. Nga pozitat e bordeve, agjencioneve, financierëve e deri tek mësimdhënësit e universiteteve publike, mësuesve të shkollave e edukatorëve në çerdhe. Do të habiteshit, po të shihnit, se në shumë nivele këshilltarësh ministrash e agjencionesh, pozitat janë të deleguara me automatizëm për degët e partive që posedojnë me tall.

Publikja pra, sot është shndërruar si një thes që jep beneficione për të gjithë. Shihni për pak të 40 mijë përfituesit potencial të veteranëve. Bëhet fjalë pra për 120 milionë euro përfitime vjetore nga një grup që – në masë të madhe – del të jetë në numër i pasaktë e në përbërje i padrejtë. E gjitha është bërë nën idenë e shfrytëzimit të beneficionit publik pa çarë fare kokën për koston e këtij përfitimi.

-3-

Ky nivel degradues, është instaluar dhe shndërruar në kulturë të politikëbërje. Është bërë krejtësisht e pritshme e normale. Dhe për këtë kulturë, nuk gjenë njeriu përjashtim në asnjë parti politike në vend. Të gjitha partitë politike këndej, në nivel qëndro e lokal padallim, mbajnë për synim rahatimin e kontribuuesve partiak për fillim – për të përfunduar me kapje në fund.

Kosova do të ketë telashe enorme me gjithë sistemin publik të kapur e të kalbur. Do të kemi problem me reformimin e sistemit tonë diplomatik në të ardhmen – me njerëz jokompetentë e joparimorë sa s’bëhet më. Do të kemi problem me uljen e përfituesve të pagave në një administratë publike megalomane e nepotike. Do të kemi problem me zhbërjen e kapjes së secilit agjencion, nga pastrimet ditore e deri tek furnizimet e ujit e energjisë.

Do të kemi problem dhe uljen e përfitimeve publike. Do të jetë vështirë që nesër të bëhen shkurtime, reformime e përmirësime në sistemin e edukimit ku kemi marrë mësues pa shkollë; në sistemin e shëndetësisë ku kemi mjekë pa dije; apo në sistemin e veteranëve ku kemi përfitues mashtrues. Ky proces, për më tepër, do të jetë dhe i frikshëm për secilin vendimarrës. Sic ka qenë problematik në shumë vende të tjera, ç’kapja ndërlidhet me frikë – me frikën e humbjes së zgjedhjeve.

Gjërat pra nuk duken mirë; dhe – për fatin tonë të keq – me vazhdimin e kohës ato po bëhen e duken edhe më të rënda. Së këndejmi, është imperativë që koha e reagueshmërisë sonë ndaj kapjes të vijë sa më shpejtë. Komforti në të cilin jemi futur ne, edhe atëherë kur një politikan e politikanë mediokër tallet publikisht sepse ka shitur votë, është i pashpjegueshëm. Ky komfort veçse ju jep të njëjtëve më shumë arsye për të vepruar njëjtë. E kundërta, reagimi ndërsa, vë një shkallë të re që tjetri do ta respektojë. Mund të duket shkallë e vogël, por herët apo vonë e njëjta do të prodhojë një kulturë të re politike në vend.

Monday 4 July 2016

BREXIT

Letra nga limbo
Lumir Abdixhiku

Një tregim i pamenduar mirë


-1-

E gjitha kishte nisur tre vite më parë kur kryeministri i atëhershëm – tani në ikje – David Cameron, në përpjekje për të qetësuar zërat konzervativ në partinë e tij, kishte premtuar mbajtjen e referendumit për dalje të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian. Llogaritë e bëra ishin të thjeshta. Partia konservatore kishte kohë që po shtohej me anëtarë parlamenti euroskeptikë, përderisa, në nivel lokal, konkurrenti i djathte “UKIP” udhëhequr nga Nigel Farage po rritej në vazhdimësi. Në përpjekje për të qetësuar ndasitë brenda partisë dhe për të mbajtur elektoratin konzervativ, Cameron kishte llogaritur një referendum sa për tu thënë. Çfarë Cameron nuk kishte llogaritur megjithatë, ishte momentumi i krijuar në ndërkohë – e që në thelb ushqente me sukses sentimentin kundër-Evropë; ushqim jo rrallëherë i ndërtuar mbi të pavërteta përplot.

Rrjedhimisht, nga një keqllogaritje tërësisht partiake e individuale, një kryeministër i zgjedhur bindshëm si i tillë – dhe me gjasa plot të vazhdojë me mandat të ri – arriti që të humbas pozitën e tij dhe të dërgojë vendin e tij në udhëtimin më të pasigurtë të marrë ndonjëherë. Për këtë, Cameron ishte quajtur nga gazeta britanike “The Independent” si kryeministri më i keq i njëqind viteve të fundit.

Dalja e Mbretërisë mund të ketë kapur në habi shumë kë; në Evropë e Britani pa dallim. Në fund të ditës, të gjitha anketat kredibile atje tregonin për një prirje të lehtë të kampit pro qëndrim; ndonëse, për pjesën më të madhe të tyre, margjina e gabimit ishte në plus-minus 3 përqind – aq sa dhe ishte rezultati përfundimtar. Por janë disa arsye, që sot mediat e opinionistët gjithandej po i ekojnë, si decizive në triumfin e kampit pro daljes. Ato nisin nga një percepcion për mbi-kontribut në BE e deri në një varësi burokratike politiko-ekonomike që, në percepcionin britanik, po minonte pavarësinë e vendit të tyre.

-2-

Arsyeja e parë, dhe më e rëndësishmja për triumfin e kampit pro daljes, ndërlidhet me popullizmin e fushatës dhe momentumin euroskeptik që ishte krijuar si rrjedhojë. Ndonëse, pjesa më e madhe e intelektualëve, ekonomistëve, figurave publike, akademike e kulturore ishin renditur prapa idesë për qëndrim, qëndrimet popullsite kundër idesë evropiane kishin marrë publicitet shumë më të mirë. Për këtë, revistat prestigjioze si “The New York Times” e “The Guardian”, kishin fajësuar portalet britanike që jo rrallëherë kishin promovuar fakte krejtësisht të pasakta. Madje aq i fuqishëm ishte ky popullizëm sa në një moment kampanja kishte marrë qëndrim të tipit se “jemi lodhur nga ekspertët”. Dhe po flasim për lodhje nga figura të respektuara e me nam botëror në fushën e ekonomisë, biznesit e politikëbërjes – figura që, në masë të madhe, kishin formësuar Mbretërinë e Bashkuar në numrat më të mirë ekonomik nëpër vite. Pra bëhej fjalë për përballje më shumë kundër establishmentit e sistemit se sa rezonit. Çfarë rezoni mund të ketë kur lodhesh nga ekspertiza?! Të dëgjosh fallgjorët?

Popullizmi i krijuar në ndërkohë, kishte arritur që edhe faktet e pasakta apo gjysmake t’i ofrojë si të qena. Ndër të tjerash, një ndër argumentet me të shpeshta të shfaqura andej, ndërlidhej me kontributin javor që Mbretëria e Bashkuar e dërgonte për në Evropë. Ky kontribut arrinte – gjithmonë sipas kampit pro dalës – në plot 350 milionë funte në javë; rreth 18 miliardë funte në vit. Argumenti i dalësve ishte se këto para, në vend të kontributit për BE, mund të investoheshin në gjithë sistemin shëndetësor të Mbretërisë. E vërteta ishte krejt ndryshe. Mbretëria nuk kontribuonte 18 miliardë, por 14. Nga pjesa e tjetër, një shumë – rreth 6 miliardë – kthehej prapa në formë të granteve e subvencioneve për bujqësi, projekteve akademike, shkencore e kulturore padallim. Në fund, Mbretëria e Bashkuar kontribuonte shumë më pak se sa – le të themi – Norvegjia që nuk ishte pjesë e BE-së por se kishte tregti të lirë me BE-në. Pra, siç dhe kishte thënë më pas kryeministri italian Matteo Renzi, kontributi buxhetor ishte formë e pagesës së privilegjeve të tjera të tregtisë pa tarifa në një treg shumë më të madh. Mbretëria e Bashkuar jepte në njërën anë disa miliarda për anëtarësim, por përfitonte qindra të tjera – nëpërmjet kompanive të veta – me eksporte e punësim.

Një fakt tjetër i shpërfaqur gjithandej me plot ironi e sarkazëm, ndërlidhej me keqinformimin e shtresave të ndryshme të Britanisë. Sipas rezultateve nga “Google”, në 24 orët e para pas referendumit, fjalët më të kërkuara në Mbretëri të Bashkuar ishin “çka është BE-ja” dhe “cilat janë përfitimet nga BE”. Për një pjesë të madhe të votuesve, referendumi ishte çështje jo mirë e menduar – mbi të gjitha, refleksion ndaj një popullzimi e euroskeptizmi i paalternativë. Në javën e parë pas referendumit, mbi 2 milionë shtetas britanikë kishin nënshkruar peticion për referendum të dytë.

-3-

Arsyeja e dytë, jo më pak e rëndësishme, ndërlidhej me përçarjet dhe joaktivizmin e dy partive më të mëdha. Në njërën anë, partia në pushtet – konzervatore – ishte ndarë rreth dy figurave kyçe. Në njërën anë rreth kryeministrit të deritanishëm Cameron që promovonte qëndrim, dhe në anën tjetër rreth ish-kryetarit të Londrës, Boris Johnson – shpejtë për tu bërë figura kyçe e “Brexit”. Johnson sot pretendon kreun e partisë; ndonëse, konzervatorët atje kanë një thënie se “ai që mprehë shpatën nuk gëzon kurorën”. Pra, dikush që ka rrëzuar kryeministrin e partisë së tij, s’mund ta marrë vendin e tij. Për këtë, një garë e re do të ngjajë tek konzervatorët – gjatësia e së cilës përcakton edhe nismën e daljes së Britanisë.

Në anën tjetër, partia Laburiste e udhëhequr nga majtisti Jeremy Corbyn ishte treguar, për pjesën më të madhe të fushatës, si indiferente. Dhe mu për shkak të indiferencës – kryesisht të liderit laburist – mbi 20 anëtarë të kabinetit nën hije të Corbyn, ishin dorëhequr pas referendumit; e mbi 81% e deputetëve të partisë së tij kishin votuar për mocion mosbesimi këtë javë. Të njëjtit kishin argumentuar në paaftësinë e liderit të tyre opozitarë për të mbajtur qëndrim prej udhëheqësi në një çështje kaq të rëndësishme. Corbyn, është në prag të mocionit të mosbesimit nga partia e tij.

Arsyeja e tretë ndërlidhej me politikat e migracionit (përfshirë dhe atë ndaj refugjatëve) që BE kishte të inkorporuar në marrëveshjet e veta. Për kampin pro daljes, miliona vende pune në Britani ziheshin nga evropianë të tjerë që punonin shumë më lirë se ta. Për më tepër, sipas tyre, fleksibiliteti i BE-së ndaj politikave të punësimit dhe potencialisht ndaj lëvizjeve të refugjatëve në të ardhmen do të rëndonte dhe më shumë tregun e punës në Mbretëri. Dalja, në percepcionin popullist, ishte shpëtim.

Arsyeja e katërt, ndërsa, ndërlidhej me një fakt të rëndësishëm demografik. Sipas rezultateve të “exit-poll” në ditën e referendumit, rreth 75% e të rinjve nën 25 vjeç dhe 58% e atyre nga 25-50 vjeç kanë votuar pro qëndrimit. Janë gjeneratat e vjetra - sidomos ata mbi 65 vjet - që kanë votuar masivisht për dalje. Pra, duket se ka një përplasje të çuditshme tek gjeneratat e vjetra me idenë e evropianizimit të BE-së. Mbi të gjitha, kishte një ndasi të qartë demografike në mes të pjesës jugore të Anglisë dhe “Midlands” – pjesës së mesme atje. Rreth 60% e londinezëve, ndër të tjerash, kishin votuar për mbetje.

-4-

Pavarësisht arsyeve, rezultati i referendumit kishte prodhuar një lëvizje ekonomike tërësisht të pasigurtë rreth Mbretërisë së Bashkuar. Në mëngjesin e parë pas shpalljes së rezultateve, kompanitë britanike kishin humbur rreth 77 miliardë euro në vlerë në tregun e bursave. Kjo humbje kishte arritur në plot 120 miliardë natën e parë. Më të goditura ishin bankat dhe kompanitë ndërtimore që – deri më sot – kanë humbur rreth 20% të vlerës së tyre.

Funta britanike ishte zhvlerësuar për plot 11%, duke shënuar rekordin më të ulët në 31 vitet e fundit. Parashikimet e “Financial Times” shihnin një rënie të mëtutjeshme, duke arritur deri në 28% në fund të vitit. Zhvlerësimi, për shumë kë, në periudhën afatmesme mund të përdorej si mundësi e mirë për rritjen e eksporteve të Britanisë; për periudhën e tanishme, ky zhvlerësim i bënte britanikët më të varfër.

Për të stabilizuar likuiditetin dhe për parandaluar krizën e mëtutjeshme, Banka e Anglisë kishte premtuar rreth 250 miliardë funta inpute në treg përgjatë viteve në vijim. Për shumë njohës të ekonomisë atje, fati i negociatave të ardhshme BE me Mbretëri do të përcaktojë dhe ekzistencën ose jo të një recesioni britanik.

Mbi të gjitha, divergjencat votuese përgjatë Mbretërisë së Bashkuar, në veçanti në Skoci e Irlandë të Veriut – që kishin votuar pro mbetjes – përhapnin më shumë pasiguri. Në rast të referendumeve eventuale, të Skocisë për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar (mbi 60% e skocezëve kishin votuar pro mbetjes në BE) dhe në rastin e Irlandës Veriore për bashkim me Republikën e Irlandës (56% kishin votuar pro mbetjes) e vazhdim mbetje në BE, gjërat do të duken dhe më keq për pjesën e mbetur të Mbretërisë.

-5-

Procedurat e shkruara të Bashkimit Evropian rreth daljes së një anëtari, janë të qarta. Secili anëtar që kërkon largim duhet të aktivizojë nenin 50 të Marrëveshjes së Lisbonës. Pas këtij aktivizimi, BE dhe pala që kërkon daljen, futen në procedura negociuese të marrëveshjeve të reja – procedura që zgjasin rreth dy vjet. Kjo periudhë negociuese mund të zgjatet dhe më shumë, poqese të gjithë anëtarët e BE-së pajtohen me të. Pra bëhet fjalë për negociiimin e qindra marrëveshjeve tregtare të Mbretërisë me BE-në, dhe arritjen në një ekuilibër të ri marrëdhëniesh.

Skenarët e ardhshëm janë nga më të ndryshmit. Ai më i shpeshti që po qarkullon në kryeqendrat evropiane, parasheh një Bashkim Evropian më strikt e më të palëkundur ndaj Mbretërisë. Të shtyrë në frikë nga daljet e vendeve të tjera, zyrtarët e BE-së, të prirë nga Gjermania, Franca e Italia, do të provojnë të japin shembull me britanikët. Për këtë, jo pak herë, ministrat e financave e të punëve të jashtme të vendeve kyçe evropiane, kanë përsëritur se asnjë marrëveshje tjetër tregtare, përveç se ajo çfarë është negociuar më parë brenda BE-së, nuk do të ofrohet. Natyrisht se dy palët kanë interes për marrëveshje bilaterale. BE sepse dërgon plot 50 miliardë euro në vit eksporte në Britani, e Britania sepse pa një treg të hapur e pa tarifa në BE nuk ka gjasë të ketë ekonomi të shëndoshë. Për këtë, dy vitet e ardhshme do të jenë me një mal diskutimesh mes të dyja palëve.

E nëse marrëveshjet e rinegociuara janë të njëjta me ato të mëparshmet, atëherë kampi pro daljes do të merrte një goditje përfundimtare. Pra, nëse përkundër daljes Mbretëria e Bashkuar do të duhet të ketë të njëjtat obligime ndaj BE-së, me kusht të shfrytëzimit të tregut evropian, por me më pak rol brenda BE-së, çfarë do të ishte rezoni prapa daljes?! Në fund të ditës, Mbretëria do të përfundonte me kontribut të njëjtë financiar, me politika të njëjta punësimi e me tolerancë të njëjtë imigrimi. Në të vërtetë, pavërtetësia e shtyllave kyçe të kampit dalës veçse kanë nisur të shfaqen. Në mëngjesin e parë të referendumit, lideri kontraverz i “UKIP” Nigel Farage, kishte thënë se nuk beson se 350 miliardat e kursyera nga moskontributi në BE mund të përdoren përbrenda – ani pse të njëjtën fjalë kampi i tij e kishte shkruar përgjatë gjithë fushatës në autobusin promovues.

Për shumë kë, zgjatja eventuale e negociatave për vite dhe arritja e marrëveshjes së re që nuk do të dallojë shumë me paraprakët, mund të sjellë Britaninë në një pikë ku dhe mund të zhvillohet referendumi i ri – për të prodhuar kështu nul efekt në fund.

BE në anën tjetër, është prapa një udhëkryqi ridefinues. Euroskepticizmi i shpërfaqur gjithandej në Evropë, e i shpërthyer në Britani, mund të mos ndalet me kaq. Një rritje e mëtutjeshme e tij natyrisht se do të rrezikojë gjithë projektin evropian. Duke parë këtë, kancelarja gjermane Angela Merkel – fjala e së cilës në fund do të ketë më shumë rëndësi – kishte kërkuar që, në njërën anë të ruhen me qetësi marrëdhëniet me një mik si Mbretëria e Bashkuar – duke arritur në një marrëveshje të një statusi special, e në anën tjetër të provohet ridizajnimi i projektit evropian – me theks të veçantë duke ua rikujtuar evropianëve e anëtarëve rëndësinë e qëndrimit bashkë.

Për ne dhe gjithë regjionin padallim, një rifokusim si ky do të thotë se – fatkeqësisht – rruga e udhëtimit evropian do të jetë shumë më e gjatë. Pra, për vitet e ardhshme, Evropa më shumë se në zgjerim do të jetë e fokusuar në konsolidim. Ky konsolidim nuk na largon, por s’na afron. Na lë të ngurtësuar ku jemi – e s’jemi askund. Kosova ka secilin interes të mundshëm që ideja evropiane të funksionojë – pavarësisht relacioneve të reja në mes të Britanisë dhe BE-së. Fatkeqësisht ne kemi humbur një mik e përkrahës të fuqishëm në BE, por BE ka në vete dhe miq e përkrahës të tjerë; e Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mik e vend përkrahës në secilin format të ri. Por, pavarësisht rrjedhave në projektin evropian, Kosova duhet ta rimendojë perspektivën e vet. Sepse, ne nuk kemi as kohë e as llogari të presim për diçka që s’është as afër e as në rrugë të mirë. Për këtë, të gjithë energjinë për integrim në BE duhet ta kalojë në integrim në NATO. Kjo nuk na bën më pak të interesuar për një BE pa Britani, por më të mençur në ndjekjen e një projekti më të sigurt. Projekti NATO, sikurse në rastin e Shqipërisë, mund të jetë i largët gjithashtu, porse mbetet padyshim edhe më i mundshëm dhe më i sigurt. Në një Ballkan të sotshëm, aleanca ushtarake me SHBA, Britani e Evropë bashkë, mbetet shumë më prioritare se çfarëdo aleance tjetër politike.