Friday 30 December 2011

NË VEND TË KARTOLINËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 DHJETOR 2011

Një kujtim i brishtë për 2011-ën

Nga veturat superluksoze me sirena kaltër e kuq, të veshur me kostume blu e gri, vrullshëm po merrnin hapat ministra e zëvendësministra, këshilltarë e zyrtarë. Nga ftohti i rëndë e qielli i zymtë i dimrit kosovar, të gjithë ngutnin drejt dhomave të ngrohta për finalen e madhe. Ata po renditnin para kosovarëve të bëmat e një viti; para se të iknin për pushime disa javore gjithsesi larg zymtësisë kosovare. Të paktën pagat e benefitet e të qenit shërbyes publik u lejonin një luks të tillë. I pari lajmëronte punësim, i dyti prosperitet, i treti fuqi, i katërti zhvillim, i pesti rekord, i gjashti kujdes, i shtati arsim, i fundit bindje për më shumë nga këto në vitin vijues. Secili më mirë se tjetri! Nën hijen e perandorisë së politikanëve, aty ku pushtetari bën mbretin e zymtësia bën rregullin, çdo i dyti kosovar bredhte rrugët e rrëshqitshme me duar në xhepa si i papunë. Nuk dua të prish rehatinë e këtij fundviti; nuk dua të çrregullojë ritmin e vallëzimit, nuancat e qeshjeve apo dhe rutinën e shpërthimeve anarkike që bëjnë ndërrimin e moteve tek ne. Dua vetëm të ndaloj për pak e të kujtoj të vërtetën e një vitit të tërë; jo ashtu siç na e thanë ministrat, jo ashtu siç na e bënë pushtetarët, por të vërtetën ashtu siç ju dhe unë e pamë për dymbëdhjetë muaj të plotë. E, e vërteta jonë është se ka diçka që nuk shkon me këtë vend. Diçka është ngatërruar shumë keq.

Kur filluam 2011, na u thanë shumë. Me të njëjtin stil si përmbylljet, hapjet (të paktën në fjalë) krijuan pritje e shpresë përtej përvojave tona dëshpëruese. Na u tha se vendi do të ndjekë një model zhvillimor proseprues me rritje rekorde, se kosovarët më në fund do të fillojnë të kenë punë, se varfanjakët do të kenë një jetë disi më ndryshe, se pensionistët do marrin pak dinjitet, se bizneset do të rriteshin, prodhimi do të gufonte, investimet do të bënin mrekulli, se korrupsioni do të shteret, informaliteti do të çrrënjoset, e getoizmi i të fundit të Evropës do të merrte fund. Na u dha me fjalë një model mbresëlënës.

Një vit më pas, rritja ekonomike e ndërtuar nga ky model jep tmerrin e mundësisë prosperuese. Për një vend që ka nevojë për rritje ekonomike jo më të ulët se 10% (Banka Botërore 2010), për një vend që planifikon rritje 8% (Plani Bullgar 2011), të bërit vetëm 5% (FMN 2011)  me një shpërndarje tmerrësisht destruktive për ambientin biznesor (Raporti i Progresit 2011) dhe rrjedhimisht moskrijimin e vendeve të reja të punës (UNDP 2011), gjetja e suksesit në numra si këto është fyese. Rritja jonë, jo vetëm se është e pamjaftueshme, jo vetëm që nuk zbutë papunësinë, por e njëjta stimulon bizneset fantome të lidhura ngushtë me grupe të interesit në kurriz të reproduktimit logjik ekonomik. Pothuajse çdo euro e shpenzuar nga sektori publik humbet pa prodhuar ndonjë impakt multiplikatorial ekonomik. Ajo euro fshehët, shpërlahet dhe largohet nga vendi duke tharë e rrënuar atë pak shpresë tonën për rimëkëmbje.

Një vit më pas, Kosova ka rënduar si asnjëherë më parë marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Përveç se nuk arriti të anëtarësohet në EBRD, bankën më të fuqishme zhvillimore në rajon, nga ku kreditë do të ishin zgjidhje e kontratave multimiliardëshe të autostradave, vendi denigroj dhe më shumë pozicionin e saj në FMN duke kaluar nga një marrëveshje formale në një joformale. Kjo aventurë na nxori nga xhepi plot 150 milionë euro të sigurta në fillim të vitit. Një premtim i pamatur elektoral, një investim i ngutshëm në një rrugë, dhe një kryeneçësi në politikë, kishte ngufatur mundësitë financuese të vendit. Por këtu kostot nuk mbarojnë. Të gjendur në panik nga disbalanci financiar, në nevojë urgjente për para, Qeveria shtroj duart drejt bizneseve. Ajo çfarë më vonë nga vet ndërmarrësit u quajt “haraç institucional” së pari filloj me detyrime për parapagime të tatimeve, më pas vazhdoj me vonesa në kryerje të obligimeve ndaj kontraktorëve privat për punë publike, e kur këto nuk mjaftuan, përfundoj me dënime absurde. Në vend se të luftohet informaliteti e evazioni fiskal, u zgjodh më e lehta, rëndesa e të rregulltve. Dhe kjo në një kohë kur evazioni fiskal arrin rekordin e post-pavarësisë; jo më pak se 40% e shitjeve nuk deklarohen fare për obligime tatimore. Kjo aspak e habitshme kur vetëm 13 mijë biznese nga 50 mijë sa janë aktiv sot bartin pajisje fiskale (ATK 2011). E në vend se të rriten numri i inspektorëve tatimorë, këtë vit rritëm zëvendësministra e këshilltarë politikë; në vend të mbledhësve ne rrisim harxhuesit.

Një stil i tillë ekonomik natyrshëm se jep rangime skandaloze në  vlerësimet e Bankës Botërore (2011). Vendi ynë jo vetëm që nuk bën progres këtë vit, por në shtatë vlerësime shënoj regres thelbësor. E kur jemi tek regresi, skam se si të mos përmend rangimin skandaloz të Kosovës në mbrojtjen e investitorëve. Ne jemi në vijë të njëjtë me Venezuelën e Afganistanin sa i përket krijimit të një ambienti investiv (vendi 174 nga 182). Pa çudi se kemi rënie drastike në investimet e jashtme nga 414 milionë euro sa ishin në 2007 në jo më shumë se 70 milionë këtë vit (BQK 2011). Kemi tmerruar çdokënd serioz. Përjashto disa tuxharë oriental, shokë të kryeministrit, që morën e duan të marrin aty këtu  ndërmarrjet e mbetura publike me çmime absurde, as edhe një emër i njohur biznesi nuk ka menduar për ne. E sa për ndërmarrjet e shkreta publike ato vazhdojnë të zhvlerësohen në përpjekje për të ngirë apetitet e militantëve partiakë. Të njëjtat presin shpatën e kasapit për tu falur e financuar kilometrat hiper të shtrenjtë të autostradave me kontrata të mbyllura për financuesit e tyre, taksapaguesit kosovar. Ato, bashkë me borxhet e reja do të bëjnë shpëtimin e kolapsit financiar.

Korrupsioni vazhdon të bëjë barrierën kryesore të zhvillimit ekonomik. Retorikat e gjoja një angazhimi për të ndalë vjedhjen janë bërë tanimë bajate, madje aq bajate sa askush si merr seriozisht. Është pak e bindshme që ata që shkaktuan dje hajninë të bëjnë sot luftën e hajnisë. Vlerësimi regresiv për dy vende krahasuar me një vit më parë i Transparancy International (nga 110 në 112) na përmblodhi me mjeshtri “angazhimin” tonë në këtë drejtim; sipas tyre këtë vit është vjedhur më shumë se një vit më parë. Tenderët publikë vazhdojnë të jenë pre e një strukture kriminalet organizuar mirë përbrenda prokurimit publik. Gjykatat në anën tjetër, vazhdojnë të jenë objekt i ndikimeve politike, duke bërë vetën të dobishme vetëm në zgjidhjen e gjobave të ngatërresave në trafik. E misioni i EULX-it, i thirrur si bartës i këtij angazhimi, vazhdon të sillet si turist. Në një strukturë korruptive me plot balena ata peshkojnë me rrjeta për gilca!

Kosova vazhdon të eksportojë 300 milionë përkundër një importi 2.3 miliardësh (Doganat e Kosovës 2011). Një disbalanc trishtues (dhe për më tepër në rritje) prej 2 miliardësh është output i formulës së modelit që mbrojnë e promovojnë ministrat në fundvit. Një pabarazi e tillë bëhet si rezultat i politikave fiskale denigruese për prodhuesit vendor. Shto këtyre dhe një ambient financiar të shtrenjtë, me kredi në rëndesë aty diku rreth 16% (BQK 2011), dhe ke fotografinë e pastër të ngecjes. Ngecja bëhet dhe më tmerruese kur vendi trajtohet e pranon të trajtohet si hiç nga të gjitha vendet fqinje në relacione tregtare. Reciprociteti ekonomik i Kosovës për aq sa zgjati bënte lajmin më të mirë të vitit. Shfuqizimi i tij dhe shtirrja se gjoja jemi reciprok (kur Serbia nuk njeh mbi 90% të dokumenteve tregtare) është dëshpërim në vete dhe humbje e çdo dinjiteti shtet-pasës; nëse kemi pasur një të tillë.

Në fund fare, numra e ngjarje si këto nuk kanë se si të japin një output final impresiv. Njerëzit janë të papunë, të tjerët të frikësuar nga humbja e saj. Në depresionin e 2011-ës, mbi 40% e fuqisë punëtore mbesin të paangazhuar. Gjashtëdhjetë përqindëshi tjetër ka pagë mesatare jo më të lartë se 260 euro. Me inflacionin e këtij viti prej gati 10% (Enti i Statistikave 2011), vlera reale e kësaj page është dukshëm më e ulët se ajo e vitit të kaluar; kosovarët gjatë 2011-ës janë varfëruar për një të dhjetën e pasurisë së tyre – shumë kjo rekorde që nga paslufta. Për më tepër, ju që keni pasur fatin e të ndarit 30 cent për këtë gazetë, duhet të dini se rreth 300.000 bashkëqytetar tanë e kalojnë ditën me më pak se 1 euro. E gjithë kjo euro e tyre shpenzohet vetëm në ushqim. Inflacioni vjetor i produkteve që këta të varfër konsumojnë është shumëfish më i lartë se mesatari. Kujtoni vetëm çmimin e bukës që në më pak se dymbëdhjetë muaj u rrit për plot  30%. Energjia elektrike, ngrohja e kujdesi shëndetësor janë luks për ta. Produkte si këto bëhen luks dhe për pensionistët e shkretë të cilët përkundër një kontributi jetësor në ndërtimin e të sotshmes, marrin përbuzje nga ministra që blejnë vetura sa 1000 pensione të tyre!

Nuk pres që numra si këto të marrin zgjidhje për një vit, por është shqetësuese ideja se ato vazhdojnë të rëndohen. Këtë vit u rëndua numri i të papunëve, inflacioni, korrupsioni, ambienti biznesor, normat e interesit, bilanci tregtar, investimet, deficiti buxhetor e marrëdhëniet ndërkombëtare. Ato u bënë më keq! Dhe përkundër gjithë kësaj fotografie, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët e zyrtarët prapë kanë guximin të dalin me mburrje plot e të lexojnë rreshta prosperues e zhvillimor. E bëjnë këtë meqë na marrin si asgjë. Kosovarë, mësues, doktorë, policë, ushtarë, pensionistë, biznesmenë, punëtorë, të papunë e studentë, nuk besoj se kam nevojë të ju them se gjërat janë keq. Ato janë më keq se keq, janë dëshpëruese. Ne sapo humbëm një vit të tërë, e po nuk mbaruam durim do të humbim dhe shumë të tjera. Do të dëgjojmë fjalë të mëdha në fillim e fund të vitit, por çdo gjë në mes do të mbetet hall i yni; mu si këtë vit. Me shpresë se me 2011-ën i mbledhim gjithë të ligat, gëzuar 2012!

Friday 23 December 2011

GODITJA SHQIPTARE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 DHJETOR 2011

Pas Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë, tash dhe Shqipëria na trajton si hiçgjë. Bllokada unilaterale e disa produkteve kosovare është treguesi i fundit i indiferencës së Tiranës drejt bashkimit potencial ekonomik aq të kërkuar në Prishtinë


Retorika e bashkimit ekonomik shqiptar edhe një herë mori formë. Shqipëria, për të dytën herë në dy vite vendos marrëdhënie unilaterale ekonomike në dëm të prodhuesve kosovar. Këtë vit, çdo prodhues patateje apo vere merr trajtim bllokues nga Tirana. Qeveria shqiptare pa ndonjë njoftim paraprak, pa brengën më të vogël dhe me arrogancën më të madhe të mundshme duke mos na hesapuar fare, vendos çmime reference (prej 18 cent) ndaj patateve kosovare si dhe kuotime sasiore për verën. Për të parën, i bie që Shqipëria do të taksojë kilogramin e patates me çmim shumëherë më të lartë se ai real (i prodhimit), duke e bërë të njëjtën më të kushtueshme dhe rrjedhimisht fare të konkurueshme në tregun shqiptar. Për të dytën, masat kuotuese kufizojnë sasinë që Kosova ka të drejtë të eksportojë në Shqipëri, duke shkaktuar kështu tepricë vere tek prodhuesit që paraparaksiht kishin llogaritur një treg të tërë. Të dy masat vijnë pas një sërë marrëveshjesh të përbashkëta me qëllim të unifikimit të tregu.

Në kohë kur kryeministri Berisha shterë zë e shëndet për të ngopur urinë e shqiptarëve të Kosovës rreth patriotizmin aq të kërkuar këndej, promovon autostradën e kombit dhjetëra herë sa herë që shtrohet një copë asfalti, jep vulë, gisht e nënshkrim në çdo marrëveshje tregtare, në kohë kur turistët politik kosovar marrin rrahje shpine në vizitat zyrtare për bashkim ekonomik, në kohë kur potencialet për unifikim të tregut kanë arritur rekorded si asnjëherë më parë, në kohë si sot, goditje si këto janë tërësisht të panevojshme, tërësisht turpëruese dhe për më tepër tërësisht befasuese. Të marrësh marrëdhënie bllokuese nga Serbia, Bosnja e besa dhe Maqedonia për Kosovën është dhe e pritshme. Do të kemi punë reciprokuese me vende si këto në shumë mot. Por një kosovar i shkretë që jep mund e djersë për të mbjellë, rritë e mbledhë pak patate apo rrush, të marr trajtim të tillë nga një vend që në probabilitetin më të madh e sheh dhe si të vetin, është po se po befasuese e denigruese.

Tirana mund dhe mos të ketë vullnetin e gatishmërinë për të parë tregun kosovar si pjesëmarrës të barabartë të një tregu unik. Politikanët e Shqipërisë mund dhe të kenë parë Kosovën vetëm si një treg potencial për të shitur, e jo dhe anasjelltas, pra për të blerë. Në të dy rastet, pavarësisht konceptimit të gabuar të tyre, Kosova për Shqipërinë nuk është eksluzivisht një blerës. Përkundrazi, potencialet bujqësore këndej janë shumëherë më të avancuara e konsoliduara se andej dhe në çfarëdo skenari të barabartë konkurrueshmërie, produktet kosovare do të jenë më të mira e më të lira. Mirësia e lirshmëria do ti bëjnë ato domosdo më atraktive e më të kërkuara. Vetëm me ndërhyrje të njëanshme si këto, bilanci konkurrues do të zhbëhet. Por ndërhyrje të tilla zhbëjnë dhe tendencat unifikuese të tregut që na mbajnë gojën plot. Nëse Tirana ka tendenca bllokuese ndaj Kosovës, ashtu siç ka Serbia, Bosnja e së fundi dhe Maqedonia, atëherë ku qëndron rëndësia e të mërziturit për të pasur marrëdhënie të veçanta me tregun shqiptar? Për më tepër, nëse qëndrimi i një unifikimi ekonomik vullnetar është vetëm retorike e paraqitjeve politike, dhe nëse Shqipëria nuk trajton prodhuesin kosovar as mendësisht si të tregut të saj, atëherë çfarë është përgjegjësia e Tiranës drejt marrëveshjeve bilaterale e besa dhe ndërkombëtare si ajo e CEFTA-s? A mbet vend pa shkelur këtë marrëveshje ndaj nesh?

Tirana mund dhe të arsyetohet me skandalet e vitit të kaluar, kur disa prodhues kosovar kreativ për së mbrapshti kishin importuar produkte serbe për ti shituar ato më pas në kuota shumëherë më profitabile në Shqipëri; gjithmonë falë gatishmërisë stimuluese fiskale të imponuar në produktet tona. Por ja që të njëjtat defekte ka kohë që janë trajtuar e shëruar, e pas marrëveshjeve të verës së shkuar, ato tashmë janë të harruara. Kosova mund dhe është duke dokumentuar origjinën e patateve (për bllokimin e verës, arsyet, çfarëdo qofshin ato, janë sigurt të pakuptimta; tipike protektive). Por edhe në një rasst hipotetik, edhe sikur të kishte keqpërdorim të lirsë, them se para arrogancës së treguar nga Shqipëria, do të ishte e udhës sikur si dy vende që flasim gjuhë të njëjtë, të komunikomjë problemin (nëse evident) para se të japim outpute të njëanshme bllokuese. Shumëherë më e pëlqyeshme do të ishte një adresim tërësisht miqësor, për një hall.

Kosova nuk ka luksin të trajtoj në veçanti çdo masë bllokuese nga shtetet fqinje, sidomos kur tashti ato bëhen mjaft të shpeshta. Herën e fundit me Maqedoninë neve humbëm plot katër muaj për të hapur tregun e miellit, dhe atë vetëm pasi maqedonët ishin ngopur me miell të brendshëm dhe ky i yni pas hapjes nuk u hynte në punë. Me Serbinë e Bosnjën, për argumentet e stërtjerrura tanimë, vazhdojmë të sillemi të paaftë. Me Shqipërinë, them të shpejtojmë. Nëse Qeveria e Tiranës bëhet e shurdhër ndaj problemeve si këto, them ti japim kuotime në të gjitha produktet që Kosova importon nga atje. Po nuk na lënë të shesim lirshëm verë, pse ti lëmë ne të shesin këtu jo vetëm verë, por çdo produkt tjetër. Ja bëjmë tregti siç duhet ja hiç! Për gjysmakë të mos na marrin. Madje, për masa si këto nuk besoj se na duhen paralajmërime e as konferenca për shtyp. Përderisa jemi blerës sa herë bllokojmë, hall hapim te shitësi. Kur maunat shqiptare do të ishin kthyer andej, jam i bindur se me emergjencën e paparë, kryeministri Berisha do mblidhte Qeverinë e “Ipad-ëve” për të zhbërë bllokadën e bërë nga doganierët e tij. Ndoshta Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një vendim gjithëpërfshirës reciprokues ndaj çdo vendi. Në një kornizë të tillë ligjore, doganat kosovare do të kishin autoritet të plotë reciprokues dhe atë pa humbur shumë kohë. Moshumbja e kohës sjell presion të menjëhershëm në palën unilaterale, dhe zgjidhje po aq të shpejtë për ne.

Deri atëherë, Shqipëria le të mbledhë më shumë mend. Në vend se të ndihmojë bashkëkombësit e fundit të Evropës, që pas dymbëdhjetë vitesh arrin kundër çdo gjase të prodhojnë, ajo i mbyllë e i kuoton. Në vend se ti heq gjithë barrierat mes dy vendeve, më shumë se me çdo vend tjetër, të nxisë bashkëpunim ndër-biznesor, të krijojë vlerë të shtuar për shkak të homogjeniteteve gjuhësore, kulturore e historike, e pse jo dhe të jetë shembull, lider e mësues i storieve të suksesit (e dështimit), ajo bën mu të kundërtën, shfaqë mbyllje, kuotim, e indiferencë në komunikim. E ne, deri sa sillemi me tolerancë ndaj çdokujt që na merr si hiç, do mbesim me verë plot e patate dhe më shumë.


Friday 16 December 2011

HASTA LA VISTA PARLAMENT


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16.12.11

Tendencat për të amortizuar mocionin e të zgjedhurve të vendit si rekomandim e jo si obligim kushtetues sjell në vete dhe tendencën për të amortizuar vet rolin e Parlamentit. Nëse vendimet e deputetëve të Kosovës janë rekomanduese, atëherë çfarë është roli dhe nevoja e pasjes së vet Parlamentit?             

Këtë javë revista amerikane Time shpall “Protestuesin” si personalitet të vitit. Në përpjekje për të arsyetuar zgjedhjen, editori i revistës Rick Stengel argumentonte se njerëzit thjeshtë janë ngopur dhe se kjo ngopje fascilitoj protesta që nga Wall Street e gjer në Pranverën Arabe.“Ata kërkuan e nuk u ndalën. Ata nuk u dëshpëruan, edhe kur përgjigjet erdhën nëpërmjet mjegullës së gazit lotsjellës e breshërisë së plumbave. Ata e përqafuan idenë se aksioni individual mund të sjellë ndryshime globale, kolosale” thoshte Stengel. Sensi përzgjedhës i tij dhe revistës së tij, përqafonte mendimin e nevojës për të shprehë pakënaqësi e frustrim ndaj represioneve politike, ndaj dëshpërimeve ekonomike e ndaj mungesës së demokracisë. Protestuesi i kishte ofruar botës virtytin më të shenjtë të demokracisë, provën se çfarëdo pakënaqësie individuale e shprehur në grup bën ndryshime kolosale. 

Në pak mijë metra më larg, protestuesi fiktiv kosovar duron. Ai pranon të ketë gjysmën e të tjerëve hallxhinjë të papunë, pranon varfërinë e skajshme në çdo të pestën familje, pranon vjedhjen si normë shoqërore, pranon fyerjen nga pagat e mëditjet e politikanëve, pranon kontrata miliardëshe të pahapura, pranon tenderë njëburimorë, pranon pensione lëmoshë, pranon shëndetësi morgu, pranon arsimim analfabetësh nga mësimdhënës pensionistë që si rezistojnë pagave 35 herë më të larta se mesatarja e tij; realisht pranonin gjithçka. Përgjigjet që indiferenca e tij merr nuk bëhen asnjëherë më të shëndosha; ato janë dhe më tej regresive. Thënë të drejtën frustrimi i tij (nëse potencial) ushqehet në vazhdimësi nga agonia e egove korruptive të politikëbërjes. Kujtoni vetëm raportin e pak ditëve më parë të Transperency International që degradon rangimin e Kosovës në dy vende më poshtë (nga 110 në 112). Kur më 2010 Kosova kishte marrë vlerësimi e parë për nivelin e korrupsionit, një pjesë e Qeverisë së atëhershme, nga ku kulmonte zëvendëskryeministri i sodit Kuqi, arsyetohej se rangimi, ndonëse i rëndë paraqet progres meqë atë vit (pra 2010) ishte hera e parë që bëhet një matje e tillë; dhe se po të krahasohej me vitet paraprake matja do të ishte shumë më përparimtare. Si për të përforcuar komentet e tij, kryeministri Thaçi me plot bindje e mburrje thoshte se “institucionet e vendit do të vazhdojnë të jenë të pakompromis ndaj korrupsionit” dhe se sipas tij, “rezultatet e para janë veç janë të dukshme” (26 Tetor 2010). Rezultatet e paralajmëruara, çfarëdo qofshin ato, janë më së paku të pakompromista. Pakompromisi nuk sjell rënie e rëndesë në rangim, prandaj çfarëdo qofshin bërjet e udhëheqësve tanë, aman mos ti bëjnë. Të paktën ndoshta mbesim aty ku jemi.

Toleranca jonë është e pakuptimtë, por jo dhe luksi që vjedhësit e parasë publike kanë. Atyre u japim çdo arsye të vazhdojnë me këtë avaz. Realisht vjedhja e publikes tashmë është bërë një normë shoqërore, tërësisht e tolerueshme dhe e pranueshme. Në Kosovë, si në Rusi, vjedhja e votave na jep pjesëmarrje 140% (Komisioni Evropian 2011), në Kosovë si në Moldavi, Senegal e Vietnam vjedhja e parasë publike na jep rangim trishtues (CPI 2011), në Kosovë si në Iran e Venezuelë ryshfeti largon çdo investitorë potencial (Banka Botërore 2011), në Kosovë si askund tjetër ne durojmë. 

***

E derisa durojmë pothuajse çdo anomali tranzitore, derisa normojmë defektet e zhvillimit e shtetndërtimit, një tjetër anomali po vjen; kjo prek rrënjët e demokracisë së brishtë kosovare. Mocioni i Parlamentit të Republikës vazhdon të shpërfillet me një kreativitet në alternativa refuzuese. Kur thirrjet e para për gjoja ekzistencë aktuale të marrëdhënieve reciproke me Serbinë nuk pinë ujë (kjo po se po ishte komike), kreatorët qeveritarë riprovuan kthimin e pakuptimtë të votave. Ishte shpresa e fundit e pushtetit, në fjalën e kryeparlamentarit Krasniqi, që mbrojti dinjitetin e një parlamentari dhe me këtë tonën, pra votuesve të tyre. Megjithatë, deformimi i strukturës vendimmarrëse institucionale nga fillimisht zëvendëskryeministri Kuqi, e më pas nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian Feith, rrezikojnë për herë të parë kuptimin e Parlamentit të vendit.

Tendencat për të amortizuar mocionin e të zgjedhurve të vendit si rekomandim e jo si obligim kushtetues sjell në vete dhe tendencën për të amortizuar vet rolin e Parlamentit. Nëse vendimet e deputetëve të Kosovës janë rekomanduese, atëherë çfarë është roli dhe nevoja e pasjes së vet Parlamentit? Nëse Parlamenti është zgjedhës dhe shpërbërës i Qeverisë, atëherë si mundet që vendimet e zgjedhësit të jenë joobligaitve për të zgjedhurin? Nëse Parlamenti na paska rol rekomandues, atëherë ku qëndron logjika e respektimit të ligjeve të nxjerra në Parlament; apo dhe më shumë të vet Kushtetutës? A mos janë dhe ligjet e kushtetuta rekomandime? Nëse mocioni, vota e deputetëve, përfaqësuesve të kosovarëve, merret si rekomandim, atëherë çfarë merret si obligative? Kush mbron kosovarët nga Qeveria sot e diktatura nesër?
Praktika refuzuese e shpërfillëse si këto sjellin për herë të parë në vend dritat e pare të një mini-diktature; aty ku paria bën ama bash çfarë të dojë. Për mos ti dhënë një hasta-la-vista Parlamentit,Qeveria duhet të dalë e para si mbrojtëse e saj. Së pari, ajo në sensin më të thjeshtë e më logjik do të duhej me plot vullnet të pranonte idenë e reciprocitetit si parim absolut në marrëdhënie me jashtë; meqë vetëm marrëdhëniet reciproke sjellin fryte bahskëpunimi, drejtësi ekonomike, politike e tregtare. Së dyti, në vend të tjetërsimit, Qeveria duhet të jetë shembull i demokracisë në vend, nëse ka një të tillë. Kur George Washington, themeltari i kombit amerikan, kishte përfunduar mandatin e dytë presidencial, ithtarët e tij po i kërkonin kandidaturën e tretë. Përgjigja e vizionarit të Amerikës së sotme ishte e thjeshtë “kur unë sot respektoj ligjet e parimet, të tjerët nesër kanë pak vend për refuzim”. Nëse Qeveria refuzon një mocion kaq të rëndësishëm, atëherë ajo krijon precedent që në të ardhmën të mos njoh kufij e refuzojë dhe më shumë. Së treti, nëse Qeveria do të ndryshojë mocionin, le të hedh një të ri. Por unë do të isha shumë kureshtar të shihja kush ka vullnetin, vizionin e dëshirën për të propozuar e votuar marrëdhënie joreciproke, pra pranimin e trajtimit shpërfillës.

Sa për përkrahjen që ndërkombëtarët i japin Qeverisë në amortizimin e rolit të Parlamentit, them se të njëjtit duhet fillimisht të shohin drejt zanafillës së tyre dhe diskutimet e sodit parlamentare në Francë, Spanjë, Angli, Poloni, Sllovaki e Itali, rreth kornizës së përbashkët fiskale në eurozonë dhe çfarë roli obligativ kanë vendimet parlamentare. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë qeveri evropiane që mund të refuzojë vendimet e parlamenteve respektive. Megjithatë, nëse asgjë tjetër, deklaratat e z. Feith tregojnë për ndarjen e politikëbërjes në Kosovë. Sikur ka një koncenzus në mes të huajve dhe të tanëve për përgjegjësitë e secilit. Derisa të huajt marrin politikën tonë të jashtme, për kompromis japin kontroll të plotë të tanëve në çështje të brendshme. Ky kontroll i plotë padyshim se prodhon rangim dhe degradim katastrofal në raporte të korrupsionit, si ai i Transperency International; të tanët për hir të kompromisit bëhen të paprekshëm. E kur të huajt na bëjnë punët tona (për hir të stabilitetit rajonal) negociata e vendime si ato të rrënimit kushtetues të kufijve (marrëveshja IBM) bëhen tërësisht të pritshme. Për më tepër, në mungesë të homogjenitetit tek ndërkombëtarët, besimi i plotë ndaj vendimmarrjes së tyre mund të na sjell tulifar outputi; mu si këto të sodit. Në gjithë këtë vorbull anomalish, shpresa për rimëkëmbje është aq e largët sa edhe fundi i durimit të Protestuesit kosovar.


Saturday 10 December 2011

LETËR E HAPUR AMBASADORIT FITOU

Reciprociteti duhet të jetë baza e rregullave të marrëdhënieve tregtare  (Nicolas Sarkozy, 8 Dhjetor 2011). Reciprociteti është gjest fëmijor (Francois Fitou, 9 Dhjetor 2011).

I nderuari ambasador,
I habitur dhe i fyer nga komentet e tua mbi një mocion të kaluar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, marr mundin të ju shkruaj këtë letër të hapur me shpresë se do të gjeni kohë për të reflektuar në opinionin tuaj të bërë publik kohë më parë; me të cilin ju fyeni jo vetëm vullnetin e kosovarëve të shprehur nëpërmjet Parlamentit të Republikës, por dhe promovuesit e drejtësisë dhe tregtisë së barabartë, ku bëj pjesë dhe unë.
Këtë javë, Parlamenti i Republikës së Kosovës me shumicë votash, në një proces votues të rregullt, transparent e pa presion, kishte kaluar mocionin mbi marrëdhënie reciproke me fqinjin tonë verior, Serbinë. Deputetët e Parlamentit kishin nxjerrë këtë mocion si refleksion ndaj bllokadës trevjeçare serbe mbi qytetarët e Kosovës, bizneset e tyre dhe produktet e prodhuara në Kosovë. Ka pothuajse tre vite që kur kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm në e nëpër fqinjin tonë verior. Ka pothuajse tre vite që bizneset kosovare humbin konkurrueshmërinë rajonale duke u  rënduar me kosto shtesë, gjithmonë në përpjekje për të ringjallë ekonominë më të varfër evropiane. Ka pothuajse tre vite që kur mallrat dhe shërbimet tona refuzohen në plotni nga politika bllokuese serbe. Siç e dini, fqinji ynë verior nuk ka njohur dhe nuk njeh dokumentet identifikuese, pasaportat dhe gjithë dokumentet tjera të Republikës së Kosovës, pa të cilat tregtia e lirë dhe e barabartë nuk është fare e mundshme. Në tre vite diskriminimi, shkelje të principeve më bazike të tregtisë, durimi ynë kishte dhënë shembullin e bashkëpunimit rajonal e tendencës për fqinjësi të mirë. Verën që shkoi, Qeveria kosovare me plot të drejtë vendosi marrëdhënie të njëjta, pra reciproke, me Serbinë. Fatkeqësisht për objektivin e vënies së drejtësisë, vendimi u tërhoq në ngutim vetëm pasi qeveria serbe kishte njohur një nga shumë elementet përbërëse të tregtisë, pra vulat. Shpresa se politika serbe do të ofronte fqinjësi të mirë e tregti të lirë u humb në katër muaj durim. Thënë këtë, vendimi për të rivënë reciprocitet ishte i pritshëm.
Këtë javë, para se të arrihej marrëveshja historike e BE-se, e propozuar nga pakti franko-gjerman, presidenti juaj, miku i vendit tim, Sarkozy po ngriste me ngulm vëmendjen e nevojës për një marrëveshje. Në përpjekje epike për të bindur anëtarët evropian, dhe në tentativë ultime të ofrimit të përgjigjes për qëndrimin refuzues anglez, Presidenti thoshte: “Reciprociteti duhet të jetë baza e rregullave të marrëdhënieve tregtare”. Si për inat të tij, ende pa u mbushur një ditë e plotë, një ambasador francez disa mijë kilometra më larg po e quante konceptin e reciprocitetit si gjest fëmijor. Ky ambasador ishit ju. “Është fëmijërore për tu fokusuar në diçka që nuk ka asnjë rëndësi për Kosovën. Kosova është shtet i pavarur. Ka territor dhe sovranitet të garantuar. Kosova sot shpërblehet nga BE-ja me diçka që për të paren herë ndodhë në historinë e Kosovës dhe vërtetë është e arritur e madhe. Mendoj se me kthimin prapa ne tregimet e vjetra apo me tendencat për ta rishkruar historinë, nuk është mënyra e duhur që të çon drejt BE-së” kishit thënë ju më 9 Dhjetor 2011. Them si për inat ndaj Presidentit Sarkozy, meqë atë çfarë ju e quanit hap prapa, Presidenti e quante domosdoshmëri. Ajo çfarë për ju ishte fëmijore, për Presidentin ishte bazament i tregtisë; reciprociteti për të ishte thelbi i gjithë konceptit negociues në Bruksel.
Deklarata si kjo, nuk është e para e as e fundit e Presidentit tuaj. Në vizitën e tij të parë në Bruksel, më 24 Maj 2007, Presidenti kishte refuzuar “ti shiste” (siç thoshte ai) interesat e bujqësisë franceze gjatë negociatave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Për të rifreskuar memorien tuaj, fjalët e presidentit ishin mu kështu: "Je veux de la réciprocité...Vous voulez libéraliser? Sans problème, seulement il vous faudra faire de même" (Unë dua reciprocitet... doni që ne të hapemi? Pa problem, por ju duhet të bëni të njëjtën gjë). Disa muaj më vonë, më 10 Tetor 2007, gjatë vizitës së tij në Kremlin, Presidenti juaj po shprehte pakënaqësinë mbi diskriminimin e vazhdueshëm të bizneseve franceze në Rusi. Presidenti, në konferencë të përbashkët me presidentin e atëhershëm Putin, kërkonte me plot ngulm që investitorët francez të trajtoheshin nga institucionet ruse njëjtë sikurse investitorët rus trajtohen nga autoritetet franceze. Fjalët e tij ishin kështu: “Politika franceze është e vendosur mbi transparencë dhe reciprocitet”. Dy muaj më vonë, më 7 Dhjetor 2010, gjatë vizitës së tij në Mumbai, Presidenti Sarkozy po kërkonte nga shteti Indian të hapte tregun për kompanitë franceze. “Nuk jemi këtu për të marrë kontrata, por për të ndërtuar partneritet të barabartë. Janë disa gjëra që ne nuk i kuptojmë. Janë disa vende që nuk hapen mjaftueshëm, por India duhet patjetër të ndjekë principin e reciprocitetit ndaj Francës!”. Zoti ambasador, sikur ju të kishit më tepër vëmendje mbi politikën franceze gjatë mandati Sarkozian, do të kishit të qartë se reciprociteti i kërkuar nga ai ka qenë pjesë thelbësore e çdo vizite, nga Parisi në Bruksel, nga Moska e gjer në Mumbai. Fjalimi i tij në Paris, i datës 23 Qershor 2007 përmbante thirrje reciprociteti në relacion me marrëdhëniet tregtare me SHBA-të. Sipas Srakozy “...konkurrenca e mirë është e thjeshtë, është konkurrencë e dyanshme. Unë vazhdimisht u them partnerëve tanë nëpër botë: Doni ti hapim tregjet tona? Mirë, ne do ti hapim minutën e parë që ju i hapni tuajat”. Fjalimi përfundonte mu me këto rreshta: “Le të jem i qartë. Naiviteti ka marrë fund. Reciprociteti po fillon!”. Vëmendje ambasador, naiviteti ka marrë fund, reciprociteti po fillon! Deklaratat e Presidentit nuk ma do mendja se i takojnë të shkuarës. Ato ende ekojnë nëpër korridoret e kryeqyteteve botërore.
Na thoni zoti ambasador, a është gjest fëmijor ideja e reciprocitetit e thënë e stërthënë nga Presidenti Sarkozy? A është fëmijor Presidenti juaj? Apo është naivitet mosreciprokimi dhe ky naivitet duhet të marrë fund? Cila është naive e cila është fëmijore? Kush e ka me vend, ju apo Presidenti? Na thoni zoti ambasador, a duhet të shihet reciprociteti si “bazë e marrëdhënieve tregtare”, siç tha Presidenti një ditë para deklaratës tuaj skandaloze, dhe siç votuan deputetët e Parlamentit të Republikës sime, apo duhet të shihet si gjest që na kthen prapa, siç pretendoni ju? Na thoni zoti ambasador, kë përfaqësoni ju këtu? Qëndrimet e popullit francez të shprehur nëpërmjet Presidenti tuaj, apo keni dhënë mendime personale që nuk duhet ti marrim fort në zemër? Nëse është kjo e fundit është mirë që ti sqaroni këtij vendi se politika franceze është më ndryshe se çfarë mendon një diplomat diku në një vend të vogël; se para së gjithash, për Francën flet Presidenti. Si diplomat me përvojë që jeni, besoj se e dini mirë që gafa e cilësime të tilla jo vetëm se devijojnë nga misioni i drejtë që keni për obligim të ndiqni, por se të njëjtat fyejnë thellësisht qëndrimet e francezëve të shprehura botërisht nga Presidenti Sarkozy, dhe të kosovarëve të shprehura me vullnet të lirë në arenën parlamentare.
Në frymë të politikës franceze, në vijë me qëndrimet e drejta të mikut tonë e Presidentit tuaj Sarkozy, zoti ambasador kërkoni falje për cilësime përbuzëse, të ngutshme e politikisht jo korrekte. Standardet e dyfishta nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e nomenklaturës politike franceze. Përkundrazi, promovimi i drejtësisë, nxitja e lëvizjes së lirë, mbrojtja e vullnetit të lirë kanë qenë shtyllat e demokracisë së vendit tuaj. Fyerja e shumicës shqiptare në Parlamentin e Republikës së Kosovës, që nxorën një akt konform filozofisë që vendi juaj ndjek e promovon botërisht, është një ecje prapa në imazhin e respektuar që ju keni ndërtuar në Kosovë. Zoti ambasador, ju dini më mirë se kaq.
Lumir Abdixhiku



Friday 9 December 2011

SHTETRRËNIMI DHE SHTETNDËRTIMI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 DHJETOR 2011
 Diplomacia donkishotiane dhe shpresa nga aksidenti parlamentar


Besoj se të gjithë u zumë si të habitur nga lajmi se Parlamenti i vendit kishte nxjerrë një rezolutë të sponsorizuar nga opozita. Mbivotimet e deputetëve militantë që s’guxuan asnjëherë të mendojnë vetë, këtë herë nuk u panë; ndoshta pse shefi nuk ishte në Kosovë. Do të kenë punë me të për të shpjeguar mosprezencën në sallë gjatë votimit (mjerë ta). Në vend të saj, me një unifikim të ri e befasues opozitar, Parlamenti i vendit kishte vendosur të bënte aktin më të drejtë, më real e më të pritshëm, atë të vënies së relacioneve reciproke me Serbinë. Ju lumtë! Relacionet si këto nuk janë sjellje agresiviteti, as dhune e as padrejtësie, janë vetëm marrëdhënie reflektuese. Çdo palë që ankon mbi tretman të tillë realisht ankon në vete. Ne vetëm japim atë që marrim. Prandaj të gjithë ata që kanë votuar kundër për një marrëdhënie reciproke realisht promovojnë e pajtohen me marrëdhënie të pabarabarta e jo të drejta. Pas votimeve si këto, pra pas mbështetjes ndaj jobarazisë, nuk kuptoj si mund ta shohin vetën kontribuues të shtetit?!

Reagimi i parë i mbështetësve qeveritarë ishte paradoksal. U munduan të zhbëjnë votimin nëpërmjet presioneve patetike. Ndoshta protokoli i shtetit duhet mbledhë mend që herëve tjera sallat e Parlamentit të jenë të mbyllura për outsiderë sa herë që ka votim. Ky është Parlament i Republikës jo pazar i kerreve për atë Zot. Më pas, kur presionet nuk pinë unë, filluan zëvendëskryeministrat. Ishte Kusari-Lila e cila duke fyer në skajshmëri inteligjencën e kosovarëve po arsyetohej se “në një farë mënyre ne kemi reciprocitet me Serbi” se “Serbia pranon dokumentacionin e Kosovës” dhe se për fakte si këto “nuk e ka shumë të qartë mocionin e votuar” prandaj “kjo çështje duhet të rikthehet në Kuvend për votim”. Po shpresoj që me pak fjalë, se nuk do shumë mund e mend, “ti qartësojë” zëvendëskryeministres problemin me Serbi dhe konceptin e rezolutës. Së pari, as në ‘një-far-mënyre’, as në ‘dy-far-mënyre’ e as në ‘treqind-far-mënyre’ Kosova nuk ka marrëdhënie reciprociteti me Serbinë. Mimoza nuk di ose nuk do të dijë se tregtia e lirë nuk bëhet pa lëvizje të lirë; ku ka në botë tregti të lirë pa lëvizje të lirë?! Ajo nuk e kupton ose nuk do ta kuptojë se vetëm pranimi i vulave nuk hap barrierat tregtare me Serbinë, se pa zgjidhjen e problemeve të dokumentacionit të udhëtimit, lejeve të vozitjes, targave të veturave, e dokumentacioneve tjetra shtetërore të Republikës nuk ka mundur dje, e nuk mundet as sot, as edhe një biznes i vetëm kosovar të kalojë kufirin me Serbi. Prandaj kur thotë se “Serbia pranon dokumentacionin e Kosovës” ja futë kot. Tendenca për tu bërë se s’kuptojmë mocionin e hajde tash ta qartësojmë është tendencë për të kthyer çështjen edhe një herë në Parlament, mbledhë votat e hedhur poshtë mocionin. Kjo nuk bën punë.

Mocioni është i qartë shumë. Madje, po nuk kuptuat këtë mocion kristal të qartë çfarë lypni në Qeveri e Parlament? Po ju na paskeni marrë në qafë me dokumente tjera ma të komplikuara! Mocioni thotë se vendi duhet të ketë marrëdhënie të njëjta me Serbinë në spektrin politik, ekonomik e tregtar. Me fjalë të tjera, shkurt e shqip, nëse Serbia nuk njeh Kosovën, Kosova nuk njeh Serbinë, nëse Serbia nuk njeh pasaportat e Kosovës, Kosova nuk njeh të Serbisë, nëse nuk njohin lejet e vozitjes, nuk ju njohim të tyre, nëse nuk njohin dokumentet biznesore, nuk ju njohim prapa; reciprociteti politik, ekonomik e tregtar nënkupton se çfarëdo që na japim/marrin ju japim/marrim. Pastër, thjeshtë, drejtë.

Qeveria e vendit ka një obligim kushtetues para veti. Tendencat për tjetërsim janë simbole të para të një mini-diktature ku Qeveria do të lindë mbi Parlament. Nëse kjo Qeveri refuzon vullnetin e popullit të shprehur nëpërmjet Parlamentit, atëherë ne nesër duhet të mbyllim në mëngjes dyert e Parlamentit meqë nuk na hynë në punë më. Të paktën i kursejmë nja 10 milionë euro shpenzime vjetore sa i ka ky institucion. Po që se shkelet organi më i lartë në vend, do të japim precedentin më të rëndë në historinë moderne të Kosovës dhe fillimit e shtetrrënimit. Veprimi befasues i Parlamentit ishte hapi i parë shtetndërtues që kam parë unë në Kosovë. Qeveri, zbatoje këtë obligim!

***

E deri sa Parlamenti bën shtëpi, Qeveria prishë atë e  bën hajat. Një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes me palën serbe dukej se gjasat e kosovarëve si të një topi bore në ferr, kishin kthyer anën drejt një probabiliteti masiv të së mundshmes dhe, për herë të parë në procesin dialogues të Brukselit, ato po ecnin me ne. Kjo jo se kishim bërë ndonjë mjeshtri politike, jo se dinim diplomaci, hiç se hiç se negocionim me ndonjë plan, por se Serbia po refuzonte pajtueshmëri me propozimet për një kontroll kufitar të përbashkët me shtetin kosovar. Nën duartrokitjet ritmike të Parlamentit gjerman, kancelaria Merkel po reflektonte bindshëm refuzim mu ndaj mospajtueshmërisë serbe. U duk sikur tashti Kosova ishte bërë barrikadë e pakapërcyeshme për Serbinë. Nuk di se çfarë ndodhi, nuk di si e pse ndodhi, por kur gjermanët, austriakët e britanikët kishin dhënë qartazi refuzimin e tyre publik ndaj Serbisë, në një triumf donkishotian kryenegociatorja jonë kishte kthyer në lojë palën tjetër; atëherë kur s’pritej, atëherë kur s’duhej. Thënë të drejtën, titullin e dhënë nga mediat elektronike se kemi marrëveshje po e përktheja në një triumf vërtetë domethënës, se për të humbë lojë në avantazh bindës duhesh të  kesh marrë diçka domosdo dhe më bindëse. Po ja që prapa titullit befasues, e prapa buzëqeshjes vesh-në-vesh të buzëkuqes kosovare, ndodheshin copat e para të një shtet-rrënimi tipik, një shkelje e vlerave kushtetuese të vendit, një turpërim i mundit e sakrificës së gjeneratave të tëra. Ishte një hap budallesk, i pamatur, i ngutur e aspak i nevojshëm. Ishte një autogol nga më të çuditshmit.

Pajtueshmëria jonë kishte lënë si në habi dhe forcat mbështetëse që i kishim në krah. Të njëjtat tani po rishqyrtonin si me nguti qëndrimin ndaj Serbisë meqë raportet e bisedimeve vinin si lule; u zbukuruan sa s’bëhet më. Teksti i konkluzioneve të bisedimeve për shembull thotë se “...Serbia tashmë është rikthyer në dialog dhe është duke lëvizur me shpejtësi në implementimin me vullnet të mirë të marrëveshjeve të arritura”. Nuk di cilës shpejtësi ky tekst i referohet, nuk di se çfarë vullneti të mirë një vend që terrorizon forcat paqeruajtëse ka, e edhe më pak di për cilat marrëveshje bëhet fjalë meqë asnjëra përveç vulave doganore nuk është implementuar deri më tani. Në vend të ultimatumeve e qortimeve, BE i jep Serbisë trajtim super të butë. Por, lëvdata si këto i faturuam vet ne. Ne bëmë që ata përkundër dhunës, vrasjeve e represionit pas 25 Korrikut të duken bashkëpunëtorë. Toleruam kur nuk u dashtë, kur kapëm serbët ngushtë e kur mund të nxirrnim çdo lloj marrëveshje nga ta. Kryeministri i vendit në fillim i quante qesharake pretendimet se po negociohet për kufi, por teksti i marrëveshjes jep mu të kundërtën. Ne, për herë të parë, me një marrëveshje ndërkombëtare legjitimuam dyshimet për vijën kufitare të Kosovës, madje për këtë kemi garant dhe BE-në. Në një tekst të nënshkruar nga ne, të vulosur nga BE, ne pranuam se kufiri jonë kushtetues mund të konsiderohet edhe si vijë administrative. Dhe ky legjitimim duhet të shihet mu si shkelje me dy këmbë e kushtetutës së vendit.

Përveç kësaj, vet ideja e Menaxhimit të Integruar Kufitar  ishte mosvet artificiale. Së pari, nuk ka e s’do të ketë askund në botë, dy vende me probleme ekzistenciale, nga ku njëri ka pretendime territoriale ndaj tjetrit, të ndërtojnë kontrolle të përbashkëta kufitare. Kontrolle të tilla kanë qenë, janë dhe do të jenë vetëm shenjë e miqësisë ultra të mirë në mes të shteteve. Arsyetimet bajate se ky na qenka model evropian mund ti shiten vetëm fanatikëve e militantëve partiakë që edhe po tua servosh kontrollin e huaj kufitar do ta pranonin pa diskutim. Së dyti, mungesa e simboleve shtetërore në këto pika kufitare/pika kalimi, si dhe trajtimi i veçantë i dy pikave veriore, i heq plotësisht sovranitetin Kosovës nga ajo që më parë, të paktën të njohur ndërkombëtarisht, i është garantuar vendit tonë.

Qasja evropiane ndaj problemit tonë është fare e padrejtë, por dhe më e padrajtë është kompromisi ynë në kurriz të shtetndërtimit. Thuhet se për të akomoduar problemet në Serbi duhet shpërblyer reformuesit serb. Me fjalë të tjera, po u bëmë dhe ne problematik, qasja e tyre ndaj nesh do të ishte shpërblyese. Tashti kur kemi treguar pajtueshmëri të plotë në gjithçka që na është seruar nga ndërmjetësuesit evropianë, marrim një pëlqim për hapje të dialogut për liberalizim, pa afate, me shumë kritere dhe gjithsesi pa shumë mbështetje; sikur na dhanë një ‘asht’ sa për të mbyllë gojë. E për të vazhduar bisedimet, shpresa e vetme e jona do të mbetet nëse Serbia merr kandidaturën e kushtëzuar deri në Mars. Në rast të tillë, vendi do të duhej më mjeshtëri të vendosë urgjentisht implementimin e të gishta marrëveshjeve të arritura deri më tani, me theks të veçantë atë të lëvizjes së lirë, duhet të fillojë zgjidhjen e problemeve të energjetikës e telekomunikacionit, dhe më e rëndësishmja tendencën për shtrirje të sovranitetit në gjithë vendit. Një Serbi pranë fillimit të rrugës për BE, ka pak gjasa të kundërshtojë shtrirje të tilla. Nxitja e rebelimeve në Veri është alternative nule për serbët dhe ky ngurtësim i tyre duhet të shërbejë për ne si nxitës i veprimit dhe tendencës për sovranitet. Në të kundërtën, me marrëveshje të tilla anti shtetndërtuese, ne veçse thellojmë rrugën e filluar të shtetrrënimit.


Friday 2 December 2011

TERRI I KOSOVËS EVROPIANE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 DHJETOR 2011 

Gati trembëdhjetë vite pas luftës, sfidat energjetikë të vendit vazhdojnë të mos marrin zgjidhje. Ofertat politike vazhdojnë të prolongojnë alternativat me interes nacional. Në vend te tyre vihen ato me pak kreativitet e shumë paqartësi

Derisa në Bruksel mundohemi të bëjmë marrëveshje mbi mosmarrëveshjet e lindura nga marrëveshjet e kaluara (paradoksale sa s’bëhet më), Serbia vazhdon me dinakëri por mençur mjaftë të na ironizojë politikën ashtu kështu modeste. Kjo jo për fajin e saj. Kur shoh kush bën politikën tonë të jashtme e kush bën të tyren, më hidhet poshtë çdo shpresë për mirëbërje. Përtej inatit që një i yni nuk mund tu “thyejë dhëmbët” një pale që ka vetëm turp e marre në historinë e saj të fundit, mllefi ndaj paaftësisë sonë për tu sillë dinjitoz s’ka fund. Edhe më i rëndë duket boshti për të cilin kërkojmë marrëveshje. Paramendoni, në fillim negociuam për refuzimet serbe, në vend se ato të ç’refuzoheshin si masa paradialoguese; më pas u morëm vesh për amortizimin e refuzimit serb, duke i shtyrë ata të mos sakrifikojnë asgjë përveç vet refuzimit; dhe në fund, pra dje e pardje, negociuam për refuzimin e pajtimit të refuzimit të parë. Në dukje të parë tingëllon rëndë, por është thjeshtë; i thonë politikë. Serbët në negociatat e fundit na dhanë një leksion të bukur se si bisedohet, si fitohen pikë, e si nuk humbet asgjë, pra si bëhet politikë. Në fund, një vend që bëri katër luftëra në pak vjet shpërblehet me Evropë. Viktimat merren si fëmijë që nuk din e nuk duhet të dinë më mirë. Na terruan.

Terrin e dialogut e bëmë vet. Në vend se të negociojmë për marrëdhënie bilaterale, të njëjta, të barabarta, pra reciproke, ne u futëm “si pa kry”. Në vend se të bisedojmë për energji, biseduam për diploma. Në vend se të bisedojmë për telekomunikacion (ku humbim miliona) ne biseduam për vula doganore (ku fitojmë miliona). Në vend se të kushtëzojmë reciprocitetin tregtar me çdo gjë që na bie në mend, madje deri tek njohja shtetërore, ne thyem qafë e hundë për të shtrënguar duar me të njëjtit që sot ndërtojnë barrikada. Pothuajse as edhe një dobi të vetme nuk nxorëm nga dialogu në Bruksel (përveç ekipeve që morën disa mëditje të këndshme e të bollshme). Dhe në gjithë këtë terr, njëri bëhet dhe më i zi; është ai i energjetikës.
Kosova dhe Serbia kanë një mal problemesh energjetike që duhet zgjidhur mes veti. Së pari, kontrolli i transmisionit në territorin e Kosovës, virtualisht nën ombrellën e KOSTT (Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike))është një çështje që vazhdon të mos mbetet teknikisht në duar tona, ani pse e njëjta na garantohet me çdo marrëveshje ndërkombëtare energjetike, përfshirë dhe Traktatin e Komitetit të Energjisë për Evropë Juglindore. EMS (Operatori i Transmisionit të Serbisë) thirret si pronar i aseteve transmetuese të Kosovës (interkoneksionet me Mal të Zi, Maqedoni e Shqipëri). Me modalitetet e deritanishme, çdo shtet që do të shesë energji në Kosovë duhet të marrë leje fillimisht nga operatori serb OMS. Së dyti, përderisa nuk kemi kontrollin në fjalë, sa herë që blejmë energji elektrike atë e paguajmë me TVSH-në (prej 19%) meqë Serbia na konsideron si pjesë integrale të shtetit të tyre; pra importin e energjisë drejt Kosovës e sheh si import të konsumatorëve të vet, dhe tregtarët e enerjgisë elektrike obligohen të paguajnë 19% në Serbi, vlerë e cila pastaj përfshihet në çmimin final që blenë Kosova. Përfaqësuesit e KOSTT dikur gjatë këtij viti kishin vlerësuar se vendi humb plot 5 milion euro në vit nga EMS, derisa 10 milionë të tjera humben nga pagesa më e lartë e çmimit. Gjithë këto anomali kanë bërë që çmimi i energjisë elektretike për Kosovën të jetë për 20% më i lartë se ai rajonal. Tema si këto nuk zunë asnjëherë vend në tavolinë diskutimesh. Ato është dashtë të paraprijnë të gjitha marrëveshjet suksesive. Është dashtë natyrshëm të bisedojmë aty ku humbim ne.

***
Tashmë dy-trembëdhjetë vite pas luftës, vendi vazhdon të mosngjasojë me një vend në zhvillim. Mungesat e vazhdueshme në furnizim me energji bëjnë terrin e Kosovës evropiane (ky një term i ri i futur në fjalorin qeverisës). Do të ishte i tepërt numërimi i barrierave ekonomike e financiare të prodhuara nga mosfurnizimi i rregullt. Në shtatë vitet e fundit, që kur ekonomia kosovare fillon të marrë hapat e para të mirëfilltë, energjia elektrike vazhdimisht ka qenë një nga barrierat kryesore e të bërit biznes. Madje, për bizneset prodhuese ajo pa dyshim ka shënuar majën e listës së pengesave. Ka qenë kështu meqë një ndërprerje sado e vogël e zinxhirit prodhues si rezultat i ndërprerjes me furnizim, ka dhënë dëme financiare të panevojshme e shpeshherë dhe të pa përballueshme për prodhuesit ashtu kështu të pakët kosovar. Shto kësaj dhe kostot shtesë të blerjes së gjeneratorëve dhe ke një fotografi të përafërt të disbalancit konkurrues të një kosovari me dikë rajonal. Për investitorët e huaj, një terr i tillë ka qenë thjesht një hap i frikshëm dhe domosdo refuzues.

Kërkesat e Kosovës për energji elektrike janë modeste. Vendi në pikun më të madh konsumues ka nevojë për rreth 1000 megavat në orë; gjatë verës jo më shumë se gjysmën e saj. Kapacitetet prodhuese janë dhe më modeste. Me Kosovën A që tashti shënon 50 vjet, me Kosovën B që vazhdon të mbijetojë falë hiper-investimeve, dhe me importin e kontraktuar nga vendet rajonale vendi arrin të mbulojë pak më shumë se 600 megavat. Thënë shkurt, problemi energjetik i Kosovës do zgjidhje afatgjate. Ai do prioritet. Prioriteti nuk do të thotë domosdo nguti e mos-analizë.

Ofertat politike të Kosovës në vazhdimësi kanë qenë të drejtuara nga promovues kryesisht të paguar majmë nga investitorët potencial e të cilët me shumë vullnet e pak rezon promovonin projekte absurde. Të njëjtit kërkonin shndërrimin e Kosovës në një superfuqi prodhuese, ani pse asnjëri nuk mërzitej për kostot e shpronësimit, kostot e ambientit, apo dhe kostot e shndërrimit të tokës bujqësore në tokë linjiti (të cilat, të gjitha tejkalonin benefitet). Për më tepër, si për ti dhënë vulë absurditetit energjetik të Kosovës, promovuesit e shtytësit politik të asaj kohe, garantonin shitjen e linjitit për plot dyzet vite – një praktikë kjo e paparë në Evropë; taman sa për të shterur gjithë rezervat thëngjillore të Kosovës. Në këmbim të gjithë këtyre favoreve, vendi merrte jo më shumë se çmime enorme të energjisë për konsumatorët kosovar dhe një tantiemë (taksë e shfrytëzimit të pasurisë natyrore) ultra modeste, në proporcion 0.25 me 100. Pra për çdo 100 euro të prodhuara nga thëngjilli i Kosovës, buxheti i shtetit do merrte hiq më shumë se 25 centë. Fatmirësisht, projekti Kosova C 2100 morri fund. Në vend të tij erdh i riu, madje kryeministri i tanishëm sa për të përvetësuar gjithë projektin e emërtoj si Kosova e Re. Megavatët e planifikuar u reduktuan dukshëm jo prej politikës sonë (e cila për një kohë vazhdonte të ishte e njëjtë) por pas rënies së përkrahjes ndërkombëtare (kryesisht Bankës Botërore) për projekte të mbështetura në thëngjill. Sot, energjetika në vend nuk duhet të shihet si forcë ekonomike, por si fascilitator i zhvillimeve ekonomike. Kostoja e shndërrimit të Kosovës në fuqi energjetike shumëkalojnë përfitimet eventuale. Një ambient i sigurt furnizues në anën tjetër garanton stabilitet investues jo vetëm për bizneset vendore por për çdo potencial të huaj investues.

Sot projekti i Kosovës së Re vazhdon të bëjë korridoret qeveritare. Modalitetet e propozuara, siç është argumentuar shpeshherë gjer më tani, shpijnë drejt një monopoli të pakuptimtë. Pakoja e re planifikon ti japë investitorit të ri dhe Kosovën B duke mbytur kështu një herë e mirë konkurrencën në sektorin gjenerues. Dhe mu këtu qëndron vërejtja kryesore ndaj filozofisë kinse të tregut që Qeveria mendon se po mbjell në vend. Një privatizim pa liberalizim është mu e kundërta e filozofisë së tregut të lirë. Monopoli nuk ofron liri, ofron mbyllje, pra anti-liri. Në vend të mbylljes së tregut një koncept liberal do të rriste konkurrencën në prodhim duke ndarë termocentralet në të paktën dy investitorë për secilin termocentral (me shpresë se Kosova A do të mbyllej sa më shpejtë), duke nxitë investime në hidrocentrale, energji të erës e solare. Të gjithë gjeneruesit më pas do të prodhonin e shisnin energji në bazë të tarifave të përcaktuara nga rregullatori i energjisë. Natyrshëm, tarifat energjetike do të përcaktoheshin në bazë të kostove të prodhimit. Tashti, nëse tarifa e vendosur në thëngjill, tejkalon çmimin e arsyeshëm në rajon, do të ishte e udhës që o të mosprodhohet termo-energji, o të hesapohet më mirë kostoja e prodhimit (dhe me këtë të reduktohet tarifa). 

Në të gjitha rastet, edhe më e udhës do të ishte ndërtimi i një koncepti të qartë energjetik për Kosovën. I njëjti nuk ka ardhur asnjëherë. Vendi as edhe për një rast të vetëm nuk ka llogaritur idenë e integrimit energjetik të Kosovës me Shqipëri. Ndonëse investimet në largpërçues tashmë kanë filluar, funksionalizimi nën një ombrellë transmetuese do të lehtësonte dukshëm këmbimin energjetik në mes vendeve. Kujtoni çfarë përparësie në sinergji do të krijonin dy shtetet sikur oferta e tepërt në Shqipëri gjatë dimrit (nga hidro-energjia) do mund të kompensohej me ofertën e tepërt të Kosovës gjatë verës (nga termo-energjia). Edhe më pak kemi llogaritur alternativat energjetike, ato të hidrove e të erës. Përveç gjithë kësaj, pjesa më e madhe e konsumit energjetik në vend shkon për ngrohje. Zgjidhja e problemit të ngrohjes do të reduktonte dukshëm kërkesën për energji, dhe me këtë dhe nevojën për hiper-termocentrale që domosdo rrisin koston e energjisë elektrike. 

***

Mbi të gjitha, problemet energjetike të Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë në gjenerim, por në distribuim. Është shpërndarja ajo që na humbë plot 37% të energjisë elektrike. Pothuajse çdo fitim që krijohej në gjenerim humbej e asgjësohej në distribuim. Qartazi, eliminimi i anomalive vjedhëse të energjisë elektrike do të reduktonte dhe konsumin. Kosovarët domosdo do të shfrytëzonin energjinë shumëherë më pak po të faturoheshin për  gjithë shumën që konsumojnë. 

Këtë javë, Qeveria e vendit,pas një procesi të gjatë këshillues bëri thirrjen e parë publike drejt privatizimit të distribucionit dhe furnizimit. Komiteti për privatizimin e KEDS-it kishte bërë gati pakon tenderuese për kompanitë si Elsewedy, Limak, Taib Bank dhe Calik, kompani këto të parakualifikuara. Procesi megjithatë ishte larg të së mirës. Reagimi i një pjese të shoqërisë civile ishte plotësisht me vend. Së pari, as edhe fija më e vogël e transparencës gjatë shqyrtimeve të modaliteteve nuk u pa. Takimet e bëra kinse me shoqërinë civile ishin sa për sy e faqe, madje kjo e fundit kishte bojkotuar takimin e fundit meqë nuk kishte rastin të shtronte qëndrimet e veta. Nuk kuptoj pse ftohet dikush që nuk ka të drejtë dhënie mendimi?! Së dyti, as edhe një informatë mbi mënyrën e trajtimit të humbjeve nuk u dha, e edhe më pak, vet plani afarist i kompanisë së re nuk u bë publik asnjëherë. Së treti, shitja e distribucionit bashkë me furnizimin tek një kompani e vetme është një praktikë e rrallë. Kujtoni se në një treg konkurrues Kosova do të duhej të kishte mundësinë e zgjidhjes së furnizuesve. Po i dhamë furnizuesit dhe distribucionin (që është monopol natyror) atëherë kemi humbë çdo gjasë që nesër do të kemi konkurrencë në shitje (pra furnizim) të energjisë elektrike. Së katërti,  të katër kompanitë e kualifikuara kanë zero eksperiencë në energjetikë dhe distribuim. Çfarë investitorë po i sjellim Kosovës? Së pesti, po aq e paqartë mbetet dhe trajtimi i borxheve që mbërrin në plot 400 milion euro. Dhe në fund, edhe më pak e qartë bëhet llogaritja e çmimit përfundimtar të energjisë që kosovarët do të paguajnë pas një transformimi pronësor. 

Nuk them se vendi nuk duhet të privatizojë. Humbjet prej 40% në shpërndarje janë tregues i bollshëm se sa pasive dhe parazitare është prona publike. Megjithatë, para se të shesim pasuri tek tyxharët orientalë, e që lidhen vetëm me interesa të grupeve politike në Kosovë, them se duhet të ndërtojmë dokumente analitike ku prodhohen kostot dhe benefitet e çdo ecje tonë. Vetëm pasi të kemi peshuar mirë alternativat tona them se duhet vendosur se si, sa e kur shesim. Ngutia dhe paqartësia jonë lë vend për shumë dyshime e paqartësi.