Friday 29 March 2013

ME PARE NË DORË


Letra nga limbo
Lumir Abdixhiku
ME PARE NË DORË
Tregimi për ekonominë e borxhit dhe këmbimit mall me mall


“Si mund të mbijetojë kjo ekonomi pa kesh?” ishte pyetja e mikeshës sime Flaka drejtuar për mua disa net më parë në një bashkëbisedim “viberian” të çastit. Ndonëse pandeha vetën si të gatshëm të jap përgjigje të shpejtë, edhe më shpejtë kuptova se tendencat e ngutisë sime ishin të kota, se pas heshtjes dhe qeshjes sa për të blerë kohë fatkeqësisht nuk kishte ndonjë përgjigje të qëndrueshme e bindëse. Një pyetje si kjo ka peshë shumë më të rëndë se sa veçse një kuriozitet i rëndomtë e i çastit dhe nga këtu definitivisht ajo kërkon edhe përgjigje më të komplikuar se sa një që kthehet me “viber”. Ndonëse pjesën tjetër të natës e kalova në kërkim të përgjigjes për “Si-në” e bërë, përderisa dija për të qenë “ekonomi pa kesh” dhe si të dhënë “të mbijetojë”, ekuacioni me një të panjohur më solli e pështolli nga fillet e tregtisë së parë, tek blerjet Rothschildiane, e deri tek fletorja e borxheve në shitoren e lagjes. T’iu tregoj përse.

***

Peter Watson, një hulumtues i gazetarisë britanike, datonte tregtinë mes kulturave të ndryshme apo tregtinë në distancë të gjatë, qysh para 150.000 vjetëve. Asokohe fiset shkëmbenin produkt me produkt; jepnin ushqim e merrnin veshmbathje për shembull. I thonë “barter” në literaturën ekonomike, “tramp” në gjuhën e pazarit tonë, “mall me mall” në atë si do të duhej shqip. Këmbimi primitiv si ky detyrimisht ishte i kushtueshëm, me shumë humbje neto dhe pa mundësi të madhe zgjedhjeje. Prandaj zhvillimi gradual i tregtisë detyroj natyrshëm krijimin edhe të ndërmjetësuesve më të përshtatshëm shkëmbyes – pra paranë. Fillimisht u përdorën metalet e çmuara por përdorimi i tyre kishte dy defekte. I pari, gjatë shkëmbimit të jashtëm humbiste jo vetëm poseduesi i saj por i gjithë entitetit, ndërkaq i dyti sepse njerëzit filluan gradualisht gdhendjen e monedhave të çmuara derisa forma e rrumbullakët deformohej në skajshmëri, duke humbur kështu sensin e krahasueshmërisë e këmbimit – për çka edhe ishte krijuar në rend të parë.

Diku nga viti 2000 para erës sonë në Mesopotami e Egjipt filloj një trend i ri; një trend që shpejtë do të bëhej esenca ekonomike e gjithçkaje që njohim sot. Faturat e lëshuara si dëshmi për grumbullimin e drithërave filluan të përdoren, pa paramendim, si mjete këmbimi. Asokohe depozituesit e pasurisë merrnin një notë premtimi që dëshmonte pasjen e kësaj depozite. Notat premtuese kishin të shkruar vetëm një fjali e cila thoshte se lëshuesi i saj premton dhënien e sasisë së depozituar (në këtë rast drithërave) kurdo që pronari i saj e kërkon atë. Madje elementet e notave premtuese sot njeriu i gjenë në shumë monedha moderne. Po patët funtën angleze afër, 20-shin për shembull, hidhjani një sy rreshtit të shkruar me shkronja të vogla: “I promise to pay the bearer on demand the sum of twenty pounds” (shqip: Premtoj ti paguaj bartësit në kërkesë shumën prej njëzetë funta). Madje edhe dollari amerikan deri në fund të viteve 20-ta kishte të shkruar të drejtën e kurdohershme në këmbim për ari; rezoni prapa heqjes së këtij mbishkrimi tejkalon përmasat e kësaj kolumne, prandaj kufizoj veten në këtë diskutim. Lëshuesit e parë të notave premtuese njihen edhe si ndërtuesit e parë të ofertës monetare e të sistemit bankar. Ata duke kuptuar se kërkesa për tërheqjen e drithërave nuk vjen nga të gjithë në të njëjtën kohë filluan lëshimin me pagesë edhe të notave tjera premtuese. Një ide kaq e thjeshtë por tepër brilante u përhapë dhe u perfekcionua shpejtë nëpër vite. Në shekullin e 7, Dinastija Song në Kinë transformoj për herë të parë notat premtuese në kartëmonedha. Vite më vonë, udhëtimet e Marko Pollos sollën praktikat e kineze edhe në Evropë. Rrjedhimisht diku në shekullin e 17 u shtyp kartëmonedha e parë nga Stokholm Banco. Pjesa tjetër e historisë është pak a shumë e njëjtë.

Pasja e monedhës si mjet këmbimi është pa fije diskutimi një ndër inovacionet më të rëndësishme ekonomike të ndodhura ndonjëherë. Prezenca e saj megjithatë ka shkaktuar gjithçka, prej hiperngritjeve ekonomike e deri tek rëniet drastike e inflacioniste. Shpesh për shkak të pamaturisë politike shtypja e tepruar e monedhave ka përfunduar në inflacione galopante e me monedha deri në 25 zero. Në raste tjera zotërimi me dredhi i saj ka bërë ngritjen e perandorive ekonomike. Legjenda thotë se një ndër bankierët më të famshëm të të gjitha kohërave, Mayer Amschell Rothschild, themeluesi i dinastisë së familjes bankiere Rothschild, një herë kishte thënë: “Më jepni vetëm kontrollin mbi ofertën monetare të kombeve dhe nuk brengosem kurrë se kush i bën ligjet”. Në të vërtetë legjenda po ashtu thotë se M.A.Rothschild në një aventurë të tillë kontrolluese kishte bërë ndoshta trikun më të madh ekonomik të të gjitha kohërave. Me çdo para e hekur në dizpozicion të tij ai kishte blerë tokën e feudalëve të kohës. Kishte blerë aq shumë tokë sa që të gjithë shitësit përfunduan me shumë para; ishin gjithë të pasur. Ishin të pasur derisa banka qendrore, e kontrolluar gjithsesi nga ai, nuk filloj të shtypë masivisht kartëmonedha, për të zhvlerësuar kështu paranë e të gjithëve e vlerësuar tokën e tij.

***

Në lagjen time është një shitore, ku nuk shesin karamele, po ku shesin me fletore të borxhit. Është traditë bukur e vjetër kosovare shënimi në fletore, sa për të treguar ndoshta edhe nivelin e krizës ekonomike që na ka shoqëruar në vazhdimësi. E shitorja në fjalë ka borxh po ashtu tek fletorja e furnitorit të saj. E furnitori i saj ka po aq borxh tek fletorja e përfaqësuesve tregtar, e përfaqësuesit tregtarë kanë po aq borxh tek prodhuesit në rend të parë. Në të vërtetë cikli i borxhit është aq i gjatë sa që sot në mungesë të parasë së gatshme, zbulimit pothuajse më të rëndësishëm ekonomik, kosovarët janë kthyer në rendin e parë primitiv të ekonomi-bërjes, pra këmbimit mall me mall apo “barterizëm”.

Sot është plotësisht e zakonshme që kur dikush shet apo blenë një banesë të ofron apo pranojë një veturë. Sot është plotësisht e zakonshme që kur dikush ndërton një pallat të tërë apartamentesh ta bëjë pa fije keshi – banesë për armaturë, banesë për çimento, banesë për instalim elektrik e banesë për qeramikë. Sot është plotësisht e zakonshme të bësh mrekulli me, siç thonë, "pare në dorë”. Pra mungesa e “parasë në dorë” sjell dy outpute: a) këmbimin mall me mall- mu siç kanë bërë të parët e tregtisë; ose në rast të mungesës së mallit, b) këmbimi me borxh. Nw Kosovw ndodhin tw dyjat.

Kosova nuk ka valutë të vetën, prandaj thatësinë në treg nuk e kontrollon dot me shtypje të saj. Jashtë temës, më besoni se jemi shumë fatlumë që nuk kemi një monedhë tonën në të kundërtën shtypjet e parasë para zgjedhjeve, në kohë deficiti apo thjeshtë për teke partiake do të ishin “biznes i zakonshëm”. E meqenëse Kosova nuk ka valutën e sajë atëherë kontrollimi i ofertës monetare apo sasisë së parasë në treg, është pothuajse i pamundur. Në mungesë të një politike të tillë mbijetesa jonë dhe e bizneseve tona bëhet vetëm falë rrymës së parasë që kalon nga jashtë nëpër Kosovë e prapë jashtë.

Në esencë, me një deficit të lartë tregtar, ku paraja nuk qëndron por është pjesë e një rrymimi të dhënë është pak e pritshme që vendi të ketë mjaftueshëm likuiditet. Siç kishte argumentuar edhe kolegu im Alban Hashani kohë më parë, dëmet nga një nomenklaturë të tillë reflektohen edhe në sistem bankar. Me fjalë të tjera, siç argumentonte Albani, në Angli sikur i bëre një përcjellje monedhës së dhënë e të sapo lëshuar si kredi, do të vëresh se e njëjta, gjithmonë për shkak të strukturës ekonomike, sillet disa herë nëpër tregun anglez, del jashtë e kthehet sërish brenda, madje e njëjta kthehet e përdoret prapë si depozitë në ndonjë bankë tjetër komerciale. Në fund të fundit një kredi për një konsumator sot, që blen një veturë nesër, është një depozitë kursimi pasnesër e një kredi e re një ditë pas pasnesërmes. Pra një bankë komerciale angleze mund të përdorë disa herë për kredi të njëjtën monedhë; gjë që nuk mund ta bëjë asnjëherë ndonjë bankë kosovare. Në gjasën më të madhe një para e sapo lëshuar si kredi përfundon në import e jashtë. Pra bankat kosovare punojnë në vazhdimësi me para të reja.

Ky fakt natyrshëm bën njërën prej shumë kostove që rrisin çmimin përfundimtar të parasë, pra normën e interesit. E është mu norma e lartë e interesit në vend që ka shkaktuar thatësinë e tregut. Përderisa çmimi i pasjes së parasë është kaq enorm e teknikisht i papërballueshëm për pasje të sajë, është logjikisht e papritshme të kemi para në treg. Është mu çmimi i lirë i parasë, pra norma e ulët e interesit, që rritë prezencën financiare në vend. Këtë ka kohë që nuk e kemi.

***

Problemi me paranë kesh në Kosovë më kujton një anekdotë rreth borxhit që pata dëgjuar shumë kohë më parë. Anekdota duket pak a shumë kështu.

Është ditë e ngadalshme në një qytet me rrugë të thata e boshatisura. Është periudhe e vështirë, secili ndodhet në borxhe dhe secili jeton me borxhe. Papritmas në qytet kalon një turist i pasur. Ai hyn në të vetmin hotel të hapur dhe pyet recepsionistin për dhomë të lirë; nëse ka ndonjë. Recepsionisti i lumtur për vizitën e rrallë në shumë kohë pohon me kokë e tregon me gisht drejt katit sipër. Turisti vendos 100 euro në banak e ngjitet lartë sa për ti parë dhomat. E përderisa turisti u hedh sy dhomave, recepsionisti me plot nguti i merr 100 eurot e lëna në banak dhe vrapon të paguajë borxhin e tij tek mishtorja e afërt. Shitësi i mishit merr të njëjta para dhe vrapon te paguaje borxhin që kishte tek fermeri i lopëve. Fermeri i gëzuar merr 100 eurot që pothuajse i kishte harruar se ja kishin borxh, e vrapon të paguajë borxhin e tij tek shitësi i naftës. Ky i naftës paguan borxhin tek vozitësi i maunës së naftës. Vozitësi i maunës takon prostitutën e famshme lokale, e cila përndryshe në këto kohë të vështira po i kryente "shërbimet" edhe me borxh. Prostituta merr paratë dhe paguan borxhin tek recepsionisti i hotelit të vetëm në qytet. E recepsionisti vendosë paratë sërish mbi banak; në po të njëjtin vend ku edhe i kishte marrë. Në atë moment turisti zbret shkallëve poshtë, i pakënaqur me atë çfarë kishte parë në dhoma merr paratë e lëna e largohet nga qyteti; këtë herë nëpër rrugë të mbushura plot e nëpër një qytet pa borxh.

Kosova natyrisht se nuk mund ti japë zgjidhej problemit të borxheve biznesore me një input të një turisti; problemi është shumë më i komplikuar. Por vendi realisht sot ndodhet buzë një zinxhiri rrënues për një cikël biznesesh. Do të mjaftonte falimentimi i disa bizneseve kyçe për të nisur një cikël të tërë falimentimesh. Në të vërtetë, mbijetesa e bizneseve kosovare, dhe këtë e dinë mirë secili njeri që ka lidhje me biznese, është e bazuar tërësisht në vonesën e  pagesave. Pra thënë ndryshe, një biznes siguron likuiditet e rrjedhë normale të parasë vetëm duke vonuar pagesat e borxhit për palën tjetër. Pala tjetër bën të njëjtën gjë për një biznes tjetër, e ky i fundit replikon njëtrajtësisht me tjetrin. Problemi me një relacion të tillë është se palët po zgjerojnë gjithnjë e më shumë kohën e pagesës; pra nëse dikur vonesat kanë ndodhur për një apo dy muaj – kohë standarde, sot ato mund të ndodhin edhe për një periudhë gjashtë mujore. E kohëzgjatja e borxhit është në korrelacion pozitiv me moskthimin e tij fare (borxh i keq).

Për më tepër të dhënat e fundit tona tregojnë se kontribuues i madh në sistemin e borxheve sot është edhe Qeveria e Kosovës, si punëdhënësi kryesor për shumicën e bizneseve (dhe zinxhirit të tyre). Si duket vështirësitë e caktuara në mbledhjen e të hyrave, e që ndërlidhen me vet performancën buxhetore, kanë bërë që institucionet tona të vonojnë njëtrajtësisht kryerjen e obligimeve financiare ndaj bizneseve. Kjo shtyrje në kthim më pas rëndon edhe më shumë performancën e bizneseve, qarkullimin e tyre e në fund prapë kontributin tatimor në buxhet – duke shkaktuar kështu një cikël bukur destruktiv. Prandaj për të kuptuar shkallën e një rreziku të tillë, në një anketë me biznese që do ta zhvillojmë në kuadër të Riinvestit këtë vit, si pyetje të veçante kemi futur edhe çështjen e borxhit; do të marrim definitivisht konstatime më serioze rreth një problemi të tillë.

Për të ribërë likuiditetin e Kosovës do të duhej shumë më shumë mend e shumë më shumë kohë se sa një kolumne (sado e tejzgjatur) si kjo. Por përtej praktikave tanimë të thënë e stërthëna për nevojën e uljes së normave të interesit – e që domosdoshmërish do të nisin një cikël të tërë zhvillimesh pozitive, pra përtej uljes së çmimit të parasë, përtej e përmirësimit të strukturës tregtare të Kosovës që do të zhbënte balancin disproporcional në mes të importeve dhe eksporteve, përtej kthimit të mjeteve të diasporës nga konsumi në investim – alternativa këto që përndryshe bëjnë nëntë të dhjetën e problemit, them se një alternativë e shpejtë dhe e mjaftueshme për të nisur zgjidhjen për një të dhjetën e problemit është edhe funksionalizimi i shpejtë i fondeve të bllokuara të Kosovës, me theks të veçante i parave të privatizimit. Natyrisht se përdorimi i tyre duhet të shërbejë në stimulimin e krijimit vendor, në të kundërtën derdhja e këtyre parave në rrjedhën e tanishme të importeve përveç djegies së shpejtë të mundësisë nuk do të shërbejë për asgjë tjetër.


Friday 22 March 2013

NJË THIRRJE PËR PËRGJEGJËSI


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 22 MARS 2013


Kërkimi i dorëheqjes e shkarkimit si alternativë e pa kompromis


Këtë javë e vura veten në mes të një diskutimi rreth Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, më saktësisht rreth punës së ministrit Beqaj. Në një opinion të bërë publik provova që me dhjetë pika të prek disa nga fushat në të cilat për mendimin tim qeverisja ekonomike në kuadër të ministrisë në fjalë jo vetëm që nuk ka bërë asgjë por ka denigruar rrënjësisht pothuajse të gjitha proceset në të cilat ka pasur dorë vendimmarrëse. Madje do të më duhej një kohë e gjatë mendimesh për të kujtuar një rast të vetëm që është bërë mbarë e mirë.     

Me qëllim të ri-përmbledhjes e jo bërjes së monotonisë po i grumbulloj të njëjtat pika edhe këtu, por në pak rreshta. Fillimisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik e udhëhequr nga zoti Beqaj nuk ka arritur as për së afërmi të arsyetoj emrin që bartë në vete. Në këto pak vite ekzistencë e njëjta ka arritur të falë gjithë rrjetin e Distribucionit të Kosovës për vetëm 26.3 milionë euro; ka arritur të shpenzojë miliona (më saktësisht 8 milionë, apo 100 mijë pensione) në këshilltarë të transaksionit të proceseve denigruese e zhvlerësuese, siç është rasti i faljes së PTK-së në stil të njëjtë me të Distribucionit; ka dështuar tërësisht në dhënien e zgjidhjeve afatgjate rreth furnizimit me energji elektrike; në kohë krize ka shpërdorur skajshmërish paranë publike në dispozicion të vetin; ka dështuar tërësisht në revitalizimin e resurseve ekonomike të vendit; dhe së fundi nuk ka ofruar as përgjegjësi menaxhuese në rastin e faturave të KEK-ut e as zgjidhje kreative rreth barrës financiare të energjisë elektrike për Kosovën.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nën menaxhimin e ministrit aktual, ka prodhuar një proces privatizues për Distribucionin në nuanca ofenduese për vlerën ekonomike të asetit. Tezave të krahasimit së vlerës së asetit me vendet fqinje ministri bashkë me një kallaballëk përcjellësish që dinë ti bëjnë vetëm rrafsh, u janë përgjegjur me informacione devijuese dhe të pasakta; diçka si për shembull se Maqedonia, e cila për ndryshe ka shitur distribucionin për plot 256 milionë euro, ka inkuadruar edhe gjenerimin e hidrocentraleve. Do ti duhet secilit vetëm pak dije kërkimore për të shfletuar të gjitha dokumentet publike të shtetit fqinj e kuptuar se 11 hidrocentralet e përfshira në çmim nuk prodhojnë as 40 megavat energji elektrike dhe vlera e përafërt e tyre nuk kalon asnjëherë 40-50 milionë euro. Pra në një krahasim neto në mes të dy vendeve i bie se vendi ynë ka pranuar plot 9 here para më pak. Ky çmim nuk zbehet as nga përllogaritja e rrjetit 110 kilovatësh; është diferencë evidente.

Në shërbim shtesë të këtij argumenti më duhet gjithsesi të përmend edhe faktin se vetëm investime në distribucion janë bërë shumë herë më tepër se sa vlera e shitur (madje vetëm një kompani kosovare ka investuar mbi 20 milionë euro); pa hesapuar fare vlerën e aseteve paraprake, si ndërtesat, toka, trafostacionet dhe së fundi edhe konfesioni i ministrit (i rastësishëm kam përshtypjen) se me paratë e taksapaguesve qenkan paguar edhe njehsorët digjital që tash po vendosen me ngulm para se asetin ta merr operuesi privat. Do të ishte mirë që MZHE të bëjë publike se sa njehsorë digjital janë blerë me para të kosovarëve dhe sa ishte kostoja për një njehsor. Kështu së paku do të kuptonim se sa e ulët është vlera e distribucionit, sidomos nëse njehsorët kanë bërë miliona.

E për të mos mjaftuar çmimi i ulët i asetit ministri Beqaj i ka shpërblyer kosovarët edhe më një model tipik monopol ku konsumatorët nuk do të kenë kurrë më alternativë furnizuese. Pavarësisht liberalizimeve të pritshme në vitin 2015, ne i kemi pamundësuar me strukturë të modelit konkurrencën dikujt që nesër e merr lejen për furnizim kundrejt dikujt që e ka edhe distribuimin edhe furnizimin. Paramendoni, për të pasur konkurrencë, furnzimi i ri do të duhej të përdorte distribucionin e konkurruesit.

Problemi tjetër në fushën e energjetikës, e që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me pasivitetin dhe indiferencën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik zhvillohet edhe rreth qëndrueshmërisë me furnizim elektrik në vend. Kujtoj se Kosova në këto dy vite të menaxhimit të ministrit Beqaj ka shtyrë e nuk ka nisur asnjë zgjidhje serioze për furnizim afatgjatë. Kjo shtyrje përveç se rrezikon ndonjë jostbailitet energjetik në të afërmen e vitit 2017 i kushton vendit tonë trishtueshëm edhe financiarisht. Mos të harrojmë se Kosova çdo vit importon diku rreth 60 milionë euro, madje një pjesë të madhe të importi e siguron edhe nga Serbia. Këto 60 milionë paguhen pak nga buxheti, por kryesisht nga KEK-u i cili po mos ti përdorte për importe do ti derdhte në buxhet; të gjitha gjithsesi janë para të kosovarëve. Prandaj indiferenca e ministrisë dhe vet ministrit në këto dy vjet, i kanë shkaktuar Kosovës humbje prej plot 100-120 milionë eurove në import. Lajmi i keq megjithatë është se Kosova as që e ka idenë nga të shkoj e si t’ia bëj me kapacitetet e reja. Do të shkojnë edhe vite të tëra nën këtë stil mendësie qeverisëse para se të fillojë ndërtimi i kapaciteteve të reja, e të cilat edhe po të fillojnë sot të ndërtohen do të marrin plot 5-6 vite kohë para se të funkcionalizohen në plotni.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik bashkë me ministrin përveç se kanë degraduar gjithë sistemin energjetik janë treguar të papërgjegjshëm edhe në fushën e dytë të operimit, atë të telekomunikimit; sa për të mbështetur kështu faktin se ku prekin bëjnë lëmsh. Aseti dikur i vlerësuar me qindra miliona euro, pra PTK, sot bën jo më shumë se sa kthimi 4-5 vjeçar i fitimit dhe e tëra rrezikon ti sjellë vendit investitorë të fare të lakmueshëm. Edhe në rastin e  PTK-së, sikurse në rastin e Distribucionit, tendenca e procesit të privatizimit nuk është maksimizimi i të hyrave për vendin por zhvlerësimi i aseteve dhe falja e tyre. Argumentoj me plot bindje se shitja e asetit për vlera ofenduese dhe sjellja e investitorëve të panjohur në këtë aset, potencialisht prapë nën ngjyrimet e kombinimeve orientale, konsiderohet si i dështuar. Ky dështim me output ose eventualisht edhe pa të fare (nëse me mrekulli Qeveria vendosë ta refuzojë ndonjë ofertë potencialisht ofenduese) do ti kushtojë Kosovës disa miliona të bukur; arsye e mjaftueshme për mbajtje të përgjegjësisë.

Në kohë të sdkandaleve të prekshme dikujt mund ti duket edhe kërkesë luksi nevoja për revitalizim të aseteve nacionale të vendit. Si Ministri e Zhvillimit Ekonomik e njëjta ka treguar pasivitet absolut, pothuajse inekzistencial, në çdo temë të rëndësisë ekonomike – madje ministria e parasë (pra e financave), ajo e biznesit (pra MTI) dhe ajo e rrugëve (pra e infrastruktures) kanë qenë shumëherë më aktive e më të dukshme se ajo e ekonomisë. Kujtoj se është mu kjo ministri përgjegjëse për shumicën e proceseve ekonomike në vend, nëse ata e dinë çfarë janë ato, e se përtej privatizimit dhe darkave e drekave kanë obligim të mendojnë e veprojnë ekonomikisht. Përveç se nuk kanë dhënë e nuk kanë bërë ndonjë alternativë serioze, përfshirë edhe funkcionlaizmin e Trepçës e minierave tjetra, pavarësisht kompetencë e kujt është, kjo ministri ka lejuar trajtimin denigrues të aeroportit dhe largimin e kompanive më serioze në vend; largim e manipulim që ndodh madje edhe derisa shkruaj këtë shkrim.

E në fund fare, them se si Ministri e Zhvillimit Ekonomik në kohë të a-zhvillimit do të ishte normale të jepte shembuj të kursimeve financiare e tkurrjeve të shpenzimeve absurde brenda ministrisë por edhe tek ndërmarrjet ndërvarëse të saj. Nëse asgjë tjetër blerja e telefonave mobil, shpenzimet e luksit të drekave e darkave nuk është se japin ndonjë shembull fort të lakmueshëm.

***

Kohëve të fundit në një tendencë spektakulare për devijim të gjithë muhabetit MZHE dhe ministri vazhdimisht trumbetojnë lajmin se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe se i gjithë paralajmërimi i bërë na qenka njëfarë, dëgjoni me vëmendje: lloj propagande e atyre që duan një far lloj puçi (madje në shërbim të hajgares së gjithmbarshme propagandë u konsideruan edhe deklarimet zyrtare të vet Ministrisë). Po mos të ishte temë serioze çështja e energjisë dhe çmimeve, një deklaratë e tillë ministrore do të bënte komedinë e vitit.

Janë tre probleme me një deklarim të tillë. I pari ka të bëjë me gjuhën, i dyti me oksimoronizmin dhe i treti me numrat. I pari ndërlidhet me gjuhën ofenduese të ministrit që sa herë që del para kamerave nuk lë kënd pa thumbuar e pa e quajtur të paditur, të paaftë e pa përvojë, thuajse ky na e ka dijen e “Gandalfit” e përvojën e “Dumbeldorit”. Një gjuajte “free-range” ndaj çdokujt që ka përmendur ministrinë e tij, filluar prej gazetarëve, tek shoqëria civile e përfunduar tek bota akademike, pa përfshirë këtu opozitën e përfaqësuesit politik, pra një stil ku “të gjithë e kanë gabim por unë jam në rregull”, tregon më së miri për defektet substanciale të një menaxhimi alla-provincial e të kompleksuar. Meritat nuk vishen duke i trumbetuar ato, por duke ti veshur të tjerët.

I dyti, pra problemi i oksimoronizimit, ndërlidhet me pranimin e faktit se qeveria po heq dorë nga fitimi i saj në tarifa në njërën anë - prandaj nuk ka rritje të çmimeve - dhe në anën tjetër akuzimin e paralajmëruesve të rritjes si të paditur e zhurmaxhinj. Është oksimoron meqë në njërën anë ministri pranon se po të mos merrte këtë vendim çmimet do të rriteshin mu ashtu siç kishin paralajmëruar të tjerët, e në anën tjetër sulmon mu këtë paralajmërues të fjalëve të tij.

I treti, pra problemi i numrave, është edhe më i rëndësishëm se dy të parët; dhe këtu dua të bëj dy degëzime. Fillimisht, në përcaktimin e tarifave duhet bërë të qartë se nuk vendos vetëm Qeveria por janë një sërë faktorësh shumë më të rëndësishëm në metodologjinë e përcaktuar nga Rregullatori. Qeveria mund të bëjë megjithatë presion tipik politik në Rregullator sa për të shtyrë rritjen e çmimeve, por kjo nuk do të thotë se ato nuk do të rriten retroaktivisht në vitin 2014. Dhe kjo çështje ndërlidhet me degëzimin tim të dytë, meqë Kosova ka marrë obligim të ndërpres ndër-subvencionimin deri në vitin 2014. Pra deri atëherë Kosova e ka të kornizuar me ligj uljen e tarifave për biznes dhe rritjen e atyre shtëpiake deri në masën 30%. Ne mund ta bëjmë rritjen nga 10% për çdo vit – siç ishte paraparë më herët - ose njëtrajtësisht 30% në vitin 2014. Alternativë tjetër nuk ka.

Këtë javë gjithashtu propozova edhe disa ndryshime se si mund të lehtësohet çmimi i energjisë elektrike; meqë në fund të fundit edhe mbajtja e çmimeve si tani nuk është ndonjë far suksesi e gëzimi i paparë, sic provojnë konferencat mninistrore ta paraqesin. Kujtoj se problemi i qytetarëve nuk është vetëm me mosrritjen e mëtutjeshme të çmimeve, që eventualisht do të ishte një rast shumë katastrofë, por edhe me mbajtjen e çmimeve në këtë nivel, që është katastrofë. Dallimi me shumë katastrofës e katastrofës është pak i rëndësishëm.

Hapi i parë ishte ulja e TVSH-së prej 16%, që e bën sot energjinë elektrike më të shtrenjtë për po aq. Nëse Anglia sot ka TVSH të përshkallëzuar për energji, pra 20% për produkte standarde e vetëm 5% për energji, kush jemi ne të mos e bëjmë një gjë të tillë?! Hapi i dytë kishte të bëjë me zhbërjen e taksës në thëngjill, apo tantiemës, e cila është rritur po nga i njëjti ministër vitin që lamë pas. Me një rritje të tillë, pra me një taksim të një ndërmarrje publike nga shteti, kostot e tëra u bartën tek kosovarët - e gjithë kjo për të mbledhur nja 23 milionë euro në buxhet, e që përndryshe më pas përdoren për blerjen e Mercedesave për ministra. Hapi i tretë kishte të bëjë me tarifat e tanishme, duke filluar nga eliminimi i kostos fikse prej 2-3 euro (varësisht nga lloji i konsumatorit) e deri tek përshtatja e blloqeve tarifore në standarde me rajonin. Madje janë mu blloqet tarifore ato që kanë goditur më së rëndi familjet kosovare sot.

Në fund fare, them se në çdo rrethanë normale e në çdo vend normal, një menaxhim ekonomik i shfaqur si ky në MZHE do të zhbëhej kaherë. Nuk do të duheshin as dhjetë e as njëqind pika përmbledhëse, por vetëm një. E meqë në Kosovë dorëheqja është akt luksi, them se alternativa e vetme e qytetarëve është ndjekja dhe kërkimi i përgjegjësisë deri në fund.


Friday 15 March 2013

MES ZAPTIMIT DHE MREKULLISË


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 MARS 2013

 Tregimi mbi lëvizjen autonome qytetare si shpresë e reagueshmërisë dhe zaptimin institucional si përgjigje ndaj mrekullisë


Marshi i pakënaqësisë i nisur nga një grup qytetarësh përbënte befasinë e këndshme të kësaj jave - gjithsesi pas humbjes befasuese të ekipit tim nga super ekipi katalonas që disi ma ndërpreu dëlirin dyjavorësh dhe ngacmimin e padurueshëm që u bëja miqve blaugran gjatë gjithë kohës. Befasia e marshit buronte jo vetëm nga nisma vullnetare qytetare e nga kërkesat normale në një ambient jonormal por edhe nga solidariteti qytetar dhe pjesëmarrja mbresëlënëse qytetare në këtë shprehje të pakënaqësisë; diçka mjaft e papritur vetëm disa javë më parë. Kush do ta mendonte një pjesëmarrje si kjo e nisur thjeshtë nga vullnetarizmi e aktivizimi qytetar e pa fije ngjyrimi politik?! Natyrisht që pat e do të ketë të tillë që do të provojnë ti marrin kreditë e çfarëdo nisme, pa kuptuar të gjorët se marshimet si këto bëhen mu kundër llojit të tyre.

Pavarësisht kësaj, pjesëmarrja apolitike në marsh shënon për mua edhe kthimin e parë të këtij vendi në një rrugë të mbarë dhe për më tepër më kujton ecjen e shoqërisë sonë në një kornizë kohore mjaftë të ngushtë. Kujtoj se vetëm dy vjet më parë pas çdo paraqitje publike që kisha, reagimi i parë i miqve ishte jo mbi përmbajtjen e ideve të shfaqura aty por mbi guximin që kisha për të thënë atë që mendoja. Ky guxim tanimë nuk shihet si luks meqë kjo shoqëri ka kohë që guxon. Kjo shprehje ka bërë mirë që është bartur nga rrjetet sociale në rrugë dhe e njëjta është mirë të shërbejë jo si forcë për revolucion të kuq e ëndrra çoroditëse të anarkisë, por si mjet i një ndryshimi evolutiv të gjithë asaj që është ndërtuar deri më tani.

E ky ndryshim evolutiv duhet ti prekë gjithë ata parazitë politikë që kanë humbur çdo sens e çdo ndjenjë me nevojat bazike të qytetarëve; ata te cilët sillen e pështillen pa fije kurrizi e pa fije dinjiteti tash e 14 vite. Trajtimi përbuzës i qytetarëve nga çdokush që ka “fatin” e vozitjes me “targa Z” duhet të marrë fund me elokuencë qytetare. Kemi ditur dikur kur ka qenë edhe më rëndë e më keq, mund të dimë edhe tani.

***

E përderisa qytetarët vazhdojnë të bëjnë hapat e parë të një vetë-konsolidimi apolitik, në muret afër përfundimit të marshit po përgatitet edhe zaptimi i fundit ekonomik, ai i Bankës Qendrore të Kosovës, një institucion ky i pavarur – në Kushtetutë. Nëse zgjedhja e guvernatorit të ri të BQK-së do të ishte pjesë e ndonjë basti sportiv, vënia e çipave mbi ish ministrin e Financave z. Hamza do të kuotohej me 0.9; fut 1 euro merr 90 cent; kjo si dënim i vënies së bastit për diçka kaq të sigurt!

Shqetësimi thelbësor në gjithë këtë proces, për mendimin tim, sillet jo vetëm rreth inskenimit të zgjedhjes së Guvernatorit por edhe rreth institucionalizimit të një aktrimi sa amator aq edhe shkatërrues. Dorëheqja, kandidatura, zgjedhja, propozimi, votimi parlamentar e vendimi përfundimtar janë të gjitha akte të një skenari të parapërcaktuar partiak e që nuk bën pjesë në asgjë më shumë e asgjë më pak se sa në një skenar të zaptimit politik. Për çudinë më të madhe, të gjitha institucionet që kryejnë këto akte bëhen se nuk po ndodh asgjë. Kështu ato krijojnë një vlerë të një qeverisje teatrale e të heshtjes, pra vlerën e zaptimit, që mbijeton duke i marrë për të marrë gjithë ata që edhe pyesin rastësisht se në çfarë derexhe kemi futur vendin. Skenari i tillë ekzekutohet e perfeksionohet në çdo caktim tjetër quasi të pavarur, siç ishte edhe rastit i zaptimit për shembull të AKP-së.

Pra i gjithë procesi i zgjedhjes së Guvernatorit, i inskenuar siç është, ka shtirë në funksion të vetin secilin institucion në secilin akt paraprak për të arritur në fund një qëllim tipik partiak dhe kjo për mua është kostoja thelbësore e bazamentit shtetndërtues. Është e trishtueshme të shihet se si në një vend që pretendon se po ndërton institucione demokratike, procesit të aktrimit i futen një grumbull vendimmarrësish intervistues në BQK, një grumbull deputetësh në Parlament, e një grumbull militantësh partiakë në media që në fund do ta arsyetojnë procesin si të pastër, të mirë e të drejtë. A ka në gjithë këtë proces, mes gjithë atyre intelektualëve, patriotëve e dashamirëve kosovarë, një fije guximi e kurrizi qytetar që i shtynë të gjithë ti bëjnë vetes vetëm një pyetje të thjeshtë: çfarë dreqin po bëjmë?

Ish ministri i financave mund edhe të jetë (e mos jetë) njeriu më i duhur për punën që propozohet të bëjë, për këtë nuk do të diskutoj në këtë shkrim, por caktimi i një partiaku të rendit të parë (nga kongresi i fundit) në një post apolitik është sikurse caktimi i një adhuruesi ‘milianist’ si gjyqtar në ndeshjen kundër ‘barçës’.

Për gjithë ata me dije bazike ekonomike e financiare, pavarësia e bankave qendrore është pothuajse tema më e diskutuar ekonomike; mjafton një ‘google search’ i zakonshëm për të kuptuar përmasat e studimeve ekonomike në këtë drejtim. Në gjitha këto studime ka një koncencuz bukur të qartë. Ky koncensuz nuk përfshinë pavarësinë partiake – kjo po se po se nënkuptohet në çdo shtet pak më ndryshe se Koreja Veriore, Irani e Venezuela – por përfshinë edhe pavarësinë e politikave ekonomike. Pra banka qendrore përveq se nënkuptohet të jetë e pavarur partiakisht, ajo duhet të jetë e pavarur edhe në politikat ekonomike që ndjekë. Bankat qendrore të secilit vend normal mund të kenë politika e objektiva krejtësisht tjera prej qeverive respektive; madje ato mund të jenë shumë më afatgjata se sa mandatet qeveritare e shpesh edhe në kundërshti me synimet qeveritare. Mospasja e një valute tonën nuk e bën BQK-në më pak të rëndësishme e rrjedhimisht edhe pavarësinë e saj më inferiore e më pak të dëmshme.

Sidoqoftë, pas AKP-së dhe futjes nën kontroll të plot 600 milionë eurove nga privatizimi, me zaptimin e BQK-së Qeveria futë në dorë çdo rrjedhë financiare në vend, përtej rrjedhave individuale nëpërmjet bankave komerciale, ky supervizim do të përfshijë edhe burimin e aferave më të rënda korruptive në vend: kompanitë e sigurimeve. Fuqi më të madhe financiare nuk ka pasur e nuk do të ketë asnjë qeveri ndonjëherë. E lirë të bëjë çfarë të dojë!

***

E përderisa Qeveria është e lirë të bëjë çfarë të dojë, ne edhe përfundojmë me një proces mosvet hajgare të privatizimit të PTK-së që jo vetëm se ka filluar në hallakamë por përkundër gjithë tërheqjeve, gjithë shtyrjeve e gjithë arnimeve duket se do të përfundojë në trishtim meqë i njëjti nuk ndalet se nuk ndalet.

Nuk mbaj mend të kem shfletuar nëpër ndonjë proces si ky i joni jo vetëm në rajon por as edhe në ndonjë shtet tjetër të tranzicionit në Evropë e Azi. Është viti i dytë i një procesi të ngatërruar për së mbrapshti, që duket se do të përfundoj njëjtë sikurse hera e parë pra pa rezultat e me rinisje; plus një kosto milionëshe për gjithë pagesat e këshilltarëve të transakcionit. E në gjithë këtë kohë, pra gjatë të dy dështimeve, ne kemi arritur të shpërfaqim veten si një vend palaço e pa tagër negocimesh duke e ulur kështu rishtazi vlerën ashtu kështu të ulur të asetit. Privatizimi megjithatë ka një stil dhe nuk është lojë fëmijësh që fillon e ndërpritet sipas tekeve të çastit.

Gjithsesi, për hir të së mirës ekonomike të vendit them se ndoshta kufiri ultim i shtyrjes së afateve mund edhe të përfundojë në ndërprerje të tërësishme të procesit. E gjithë kjo ndërprerje jo për të shuar idenë e privatizimit e për të bërë siç bën një krahinë diku në Bolivi, por për ta bërë privatizimin siç duhet, duke filluar nga strukturimi e pastrimi i brendshëm, vazhduar me gjetjen e kohës së përshtatshme e deri tek caktimi i pragut minimal të shitjes.



Friday 8 March 2013

NUMRAT E NJË 8 MARS-i EKONOMIK


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 MARS 2013

Në një 8 Mars me ngjyrime ekonomike, diferencat gjinore në Kosovë shpërfaqen qartësisht. Në një relacion 1 me 9 femrat kosovare vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në pronësitë bizneseve, por jo vetëm aq. Bizneset e femrave kanë më pak punëtorë e operojnë në sektorë me vlerë shumë herë më të ulët se sa meshkujt.


Një vit më parë gjersa po bënim një studim mbi sektorin privat në Kosovë një e dhënë doli disi më interesante: pronësia e bizneseve sipas gjinisë. Relacioni meshkuj versus femra tregonte se në Kosovë vetëm çdo i nënti biznes është në pronësi të grave. Them “vetëm” meqë po krahasuam të njëjtin relacion me treguesit e vendeve tjera kuptojmë edhe deficitet tona në këtë drejtim. Sipas shënimeve të OECD-së mesatarja e vendeve në zhvillim, ku edhe besohet të bjerë Kosova, frekuenton në relacionin 1 me 5. Pra në një vend me tipare ekonomike si Kosova çdo i pesti biznes është në pronësi të femrave. Relacioni i tanishëm pronësor që realizon vetëm gjysmën e një mesatareje për një vend tipik si ne, ndonëse mund të jetë deficitar e i pamjaftueshëm, megjithatë performon më mirë se një vend si për shembull Rusia ku çdo i 20 biznes gjindet në pronësi të gruas. Gjithsesi edhe Kosova edhe vendet e OECD-së bien shumë herë nën relacionin e Kinës, atje ku çdo i treti biznes është në pronësi të gruas; kjo mesiguri për shkak të diferencave strukturiale të ekonomive dhe dallimeve kulturore.

Në Kosovë diferencat gjinore vërehen edhe nga numri mesatar i të punësuarve. Përderisa një biznes nën pronësi të meshkujve punëson në mesatare 5.5 punëtorë, një biznes në pronësinë e femrës punëson jo më shumë se 3. Një relacion si ky tregon se bizneset e grave janë gati dyfish më të vogla se të burrave dhe se të  njëjtat kanë vështirësi serioze në rritje dhe stabilitet biznesor. Madje për të kuptuar këtë impotencë duhet shikuar edhe në sektorët operues të biznesve gra, të cilat dalin të jenë shumë më pak impresive edhe se numri i të punësuarve edhe se përqindja e grave pronare. Bizneset e femrave kosovare sot janë kryesisht të drejtuara nga sektorët e patregtueshëm, pa potencial të madh rritës dhe pa shumë vlerë të shtuar. Për shembull deri sa 10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit, femrat janë të përfaqësuara me vetëm 3.1% nga totali i tyre në këtë sektor. Numër dallues i pjesëmarrjes së tyre shihet vetëm në sektorët e lidhur me punë sociale, shëndetësi apo dhe shitje – të gjitha me vlerë të ulët të shtuar. Në sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe transporti, pra në sektorë me vlerë më të lartë të shtuar, dominimi i meshkujve është evident e pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është pothuajse zero. Një ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të ardhmen.

Ka një shpejgim racional prapa një diference kaq serioze në numra edhe në pronësi edhe në punësim e edhe në sektorët operues mes gjinive; ka një logjikë pse gratë kosovare sa herë që bëhet fjala për biznes janë thjeshtë prapa meshkujve. Ky shpjegim derivohet po shikuam barrierat e të bërit biznes në Kosovë dhe po u ndanë ato sipas percepcioneve të gjinive. Dallimi i parë nga kjo ndarje buron në relacionin e gjinive me sigurimin e fondeve financuese për bizneset e veta. Përderisa për meshkujt qasja në kredi bankare është e rëndë, për femrat ajo bëhet hiper e rëndë. Kjo për dy e arsye; e para sepse kredidhënësit kanë thjeshtë më pak besim në një grua ndërmarrëse dhe e dyta sepse gratë kredikërkuese kanë shumë pak kapital të trashëguar nga familja, për të mos thënë fare. E në mungesë të kapitalit të trashëguar garanacitë bankare bëhen shumë të komplikuara. Një ndihmesë e lehtë në zbutjen e kësaj barriere është treguar nga kreditë e institucioneve mikrofinanciare të cilat për shkak të shumës së ulët financiare që bartin në vete kanë qenë më të prekshme edhe për ndërmarrëset femra.

Dallimi i dytë buron në relacionin e gjinive me barrierën kryesore të bizneseve në vend, konkurencën jo fer. Kjo konkurrencë lindë nga informaliteti, korrupsioni e gjygjësori, të tri këto fusha që në çdo supozim minimalisht të logjikshëm vendosin gruan në pozicion të izoluar dhe pa aftësi kooperuse. Në cdo rrethanë normale është pak e pritshme që një femër të jetë më shumë e gatshme të vë bast në aktivitete të paligjshme se sa një mashkull. Rrjedhimisht mosaftësia e tyre për të kooperauar në një ambient kaq të rëndë biznesor krijon çdo parakusht për trajtim jo të barabartë konkurrues.

Dallimi i tretë, dhe më i rëndësishmi është në vetë-iniciativën e femrës për të bërë biznes. Janë të rralla rastet e nismave autonome femërore për tu angazhuar në aktivitete ekonomike ndonëse rezultatet inkurajuese për të ardhmen mund të vijnë po shikuam  moshën e bizneseve nën pronësinë e grave kosovare. Në Kosovë rreth 50% e bizneseve të tanishme nën pronësinë e gruas kosovare kanë filluar aktivitetet e tyre në periudhën 2007-2012, pra krejt së fundi, përkundër 34% në periudhën 2000-2006. Pjesa e mbetur prej 16% daton që nga paralufta. Për më tepër, mosha mesatare e ndërmarrësve femra në Kosovë është dukshëm më e ulët se e atyre meshkuj. Kjo strukturë e moshës së bizneseve në pronësi të grave nënvizon trendin pozitiv të tyre dhe jep një lloj shprese se pjesëmarrja e tyre në kontributin ekonomik do të vazhdojë të jetë në rritje.

Në këtë diskutim qëllimisht nuk përfshiva trajtimin e femrës si fuqi punëtore; jo pse nuk meriton e njëjta vëmendje, por se problemet aty janë edhe më të renda se sa tek pronësia. Këto probleme fillojnë që në rekrutimin gjinor, vazhdojnë në përfaqësimin menaxherial e përfudnojnë në paradoksin e trajtimit ligjor të femrës, sidomos të pushimit të lindjes – paradoks ky i ushqyer paraodksalisht nga vet institucionet tona. I njëjti në vend se të stimulojë e nxisë angazhimin e gruas në punësim ka bërë mu të kundërtën, ka larguar atë nga punësimi i barabartë. Sektori privat në pamundësi të kompenzimit marramendës ta paraparë me ligj, ka vendosur pritshëm të mos marrë në punë femra fare; kush ka luksin e dhënies së pagave për gjysmë viti në çdo pushim të lindjes? Disa vendime kërkojnë shumë më tepër sens ekonomik se sa listë dëshirash sociale.

Në fund fare, them se femra kosovare ka shumë për ti dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët, nga ku dalloj tekstilin dhe procedimin e ushqimit, ku femra kosovare mund ti japë vendit jo vetëm potencial të brendshëm por dhe përparësi krahasuese në rajon; përparësi kjo që në fund mund të zhbëjë disbalancin e tanishëm tregtar. Them se Kosova ka nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi.



Friday 1 March 2013

TRE MITE EKONOMIKE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 1 MARS 2013

 
E vërteta rreth rritjes ekonomike, papunësisë e rangimeve ndërkombëtare


Kur flitet për ekonomi, Kosova ka dy grupe folësish. Të parët, janë qeveritarët dhe përkrahësit tjerë pro-politikave qeveritare, të cilët të ndodhur nën maninë e shpërfaqjes sa më të mirë e sa më të ndritur të punës së tyre, që duket se është e tëra që ka rëndësi, përfundojnë me konstatime shokuese për një nivel mesatar të inteligjencës, diçka si për shembull lavdërimi se “Kosova është e dyta në Evropë për nga rritja ekonomike”; pa hesapuar fare kontekstin në të cilën jepet ky rresht. Grupi i dytë i folësve janë partitë opozitare të cilat nën idenë se duhet dhënë patjetër alternativë në ekstremin tjetër të qeverisë (në vend të modifikimit), përfundojnë me situata që në rast të zbatimit do të rrënonin këtë pak material që kemi ndërtuar, diçka si për shembull ideja e rritjes së tatimit në fitim deri në 30%, gjithmonë nën lidhshmërinë absurde shkak-pasojë se ulja e tatimit nuk ka sjellë ndryshime – prandaj ti rrisim ato (kujdes, as edhe një student mesatar nuk bën një konkludim të tillë). Për të njëjtit them se stabiliteti ekonomik e mirëqenia sociale nuk arrihet duke i bërë të pasurit të varfër por duke i bërë të varfrit të pasur.
 
Meqenëse këta të fundit kanë shumë punë për të qartësuar fillimisht idetë e veta, po provoj ti thyej tre mite ekonomike të ndërtuara nga grupi i parë. Jo pse nuk meritojnë të fundit trajtim të njëjtë, por se janë qeveritarët dhe mitet e tyre ekonomike që kanë sot më tepër rëndësi. Sa më herët që thyhen ato aq më mirë për vendin. Thyerja e tyre në fund të fundit do të prodhonte një diagnozë të re të gjendjes ekonomike; e diagnoza e re nënkupton edhe nevojën e gjetjes se alternativës së re ekonomike.

 

Miti i parë: Rritja ekonomike

E keni tashmë të njohur rreshtin e famshëm se Kosova, përkundër një kataklizmi ekonomik evropian, përkundër një apokalipsi financiar që shkundi themelet edhe të shteteve më të fuqishme evropiane, vazhdon jo vetëm të jetë stabile ekonomikisht por se, besoni ose jo, shënon rritjen e dytë më të madhe në gjithë kontinentin. Në nuancën që ky mit thuhet, percepcioni i parë për dikë që ka pak dije e bazament ekonomik është se ky vend po e bejka namin me ecjen e vet ekonomike. As Gjermani, as Angli, po ja që as Francë e Itali nuk na e paskan fati tonë të çmuar, dijen tonë unike, e kreativitetin tonë magjepssh.  
 
Hajde të bëhemi pak serioz. Kosova ka një rritje ekonomike që sipas institucioneve tona është 3.8%, por sipas FMN-ës, institucion që përndryshe i ka mësuar institucionet tona se si të maten gjërat ekonomike në vend (përfshirë edhe rritjen), ajo është vetëm 2.7%. Diskrepanca në numra dhe tendenca qeveritare për të manipuluar me shifra është brengë në veti e e cila në të ardhmen, sa më shumë që do të na rëndohet gjendja, do të përkeqësohet edhe më shumë. Për këtë do të jap mendim ndonjëherë tjetër.
 
Prapë për gjithkënd me dije bazike rreth terminologjisë ekonomike, më lejoni që shkurtimisht e me shumë shpresë edhe qartësisht, të shpjegojë këto terme. Rritja ekonomike matë vlerën reale (kujdes, vlerën reale, jo nominale) të Bruto Produktit Vendor, apo siç shpesh e kemi dëgjuar tanimë të GDP-së. Bruto Produkti Vendor në anën tjetër matë vlerën e të gjitha produkteve e shërbimeve në një ekonomi brenda një viti; pra thënë ndryshe GDP e Kosovës matë vlerën e gjithçka që prodhohet (shërbime e produkte) në Kosovë brenda një viti. Në vitin 2012 vlera në euro e të gjitha produkteve e shërbimeve të dhëna në vendin tonë ishte rreth 5 miliardë euro. Kur themi se gjatë një viti kemi pasur rritje ekonomike në terma nominal prej 10%, atëherë i bie se GDP e jona është rritur nga 5 miliardë në 5.5 miliardë euro. Por meqenëse është fjala për rritje nominale, që nënkupton se në të është përfshirë edhe rritja e çmimeve, ne duhet të përllogarisim vetëm vlerën reale. E bëjmë këtë për të kuptuar se GDP nuk është rritur sepse janë rritur çmimet e produkteve dhe shërbimeve, pro se është rritur sasia reale e tyre. Përfundimisht, kur heqim inflacionin ne mbesim me një vlerë neto të rritjes ekonomike.
 
Kjo rritje ekonomike e Kosovës në fjalorin politik të qeveritarëve tanë përmendet si argument i një hipersuksesi. Ka dy probleme me këtë konstatim. Problemi i parë, e për mendimin tim më i rëndësishmi, është se rritja ekonomike nuk paraqet domosdoshmërish zhvillim ekonomik. Ajo fare lehtë mund të paraqesë pasurimin apo rritjen e vlerës për një grup të vogël interesi. Nëse një individ nesër në Kosovë do të prodhonte “diçka” në vlerë prej 1 miliardë euro dhe vendosë që gjithë benefitin ta mbajë për veti, i bie se GDP e Kosovës është rritur për një vit nga 5 në 6 miliardë, përkatësisht rritja jonë ekonomike do të ishte plot 20%. Impresive; por ja që benefitet e tilla nuk paraqesin zhvillim ekonomik meqë vlera për 1.7 milionë banorë të tjerë kosovarë mbetet në stad po aq të njëjtë si një vit më parë. Kjo natyrisht se ka qenë edhe komenti i pothuajse të gjitha raporteve ndërkombëtare kur analizohej nomenklatura e ecjes sonë ekonomike – se Kosova përveç se ka rritje shumë modeste e tejet të pamjaftueshme, ajo ka edhe rritje të kufizuar që nuk prodhon zhvillim ekonomik.
 
Problemi i dytë, e për mendimin tim më i arsyeshmi, është se rritja ekonomike në një vend me bazë të varfër mund fare lehtë të dalë si numër më i lartë se sa në një vend mesatarisht të zhvilluar. Le të krahasojmë Kosovën jo me një vend shumë të zhvilluar evropian, por me një fqinj tonin; ta marrim Kroacinë për shembull. Kroatët shënojnë çdo vit një GDP prej mbi 60 miliardë euro, gati dymbëdhjetë herë më shumë se ne. Nëse Kosova ka rritje ekonomike prej 10% (në 5 miliardë GDP), e Kroacia vetëm 1% (por në 60 miliardë), a do të thotë kjo se ne kemi performuar më mirë se sa kroatët? Në numra të thjeshtë 10% ynë i përkthyer në euro është 500 milionë; 1% i kroatëve është 600 milionë. Pra edhe po të shënonim 10% rritje ekonomike, rekord mbi rekorde, gjë që nuk e kemi bërë asnjëherë, ne prapë nuk mund të thirremi se kemi bërë më mirë se të tjerët vetëm pse krahasuam përqindjet. Përqindja në baza të ndryshme nuk jep sens të madh krahasues.

 

Miti i dytë: Papunësia
 
Nuk e kuptoj ende se a e bëjnë për mosdije apo për kamuflim, sidoqoftë, arsyetimet në numrat qeveritarë rreth nivelit të papunësisë janë edhe më të tmerrshme se ato të rritjes ekonomike. Ka të tillë që nga percepcioni i frekuentimit të kafeneve në rrugën më qendrore të qendrës së kryeqendrës së Kosovës, përfundojnë me numra që sjellin vendin tonë në nivel me dikë si Spanja, papunësi rreth 25-30%. Janë dy mendime mitike prapa përfundimit të tyre epik. I pari, i thënë e stërthënë shpesh fillimisht nga njëri prej ministrave e më pas nga gjithë të tjerët, papunësia në Kosovë është aq e ulët, e jo aq e lartë sa thonë raporte të huaja e vendore, regjistrime e anketa, percepcione e përfundime logjike, sepse, dhe këtu vjen pjesa më e mirë “...ne kemi vetëm 250 mijë të papunë të paraqitur në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”.
 
Po të mos ishte Kosovë ministri i njëjtë për shkak të mosdijes do të përfundonte në objekt tallje publike. Por ja që është Kosovë e deklarata e argumente të tilla, si duket në mungesë të argumenteve të tërësi (logjika minimale brenda tyre është luks), shpërndahen aq shpejtë sa që përfundojnë dikur edhe në televizione publike, propaganda mediatike e fjalime parlamentare. Nuk ka vend në botë, nuk ka pasur asnjëherë e nuk do të ketë kurrë, që bën matjen e nivelit të papunësisë në bazë të vullnetarëve të paraqitur për punë në një Ministri. Nëse asgjë tjetër numri i të paraqiturve është shumëfish më i ulët se sa i atyre që dinë se ekziston një zyre e tillë; pra ka më shumë të atillë që nuk dinë fare për zyren se sa të regjistruar aty.
 
Argumenti i dytë, disi më i sofistikuar se ky i mëparshmi, provon të bën një lidhje me informalitet, GDP e rritje ekonomike, jo për të dhënë një përfundim logjik por për të kënaqur një presupozim të ndërtuar më herët. Esenca e këtij argumentimi është se të dhënat e proklamuara nuk përfshijnë informalët (gjë që nuk qëndron) dhe se (më e rëndësishmja) rrjedha ekonomike e Kosovës e shfaqur me rritjen ekonomike nuk lë hapësirë për interpretim ndryshe përveç atij se papunësia ka shënuar rënie drastike nga pragu i famshëm 45%; sipas tyre ajo thjeshtë nuk mund të qëndrojë aty përgjithmonë. Për të mbështetur këtë argument të njëjtit përdorin rritjen e GDP-së për kokë banori. Pra thonë se në këto 5 vite, GDP për kokë banori (GDP totale e një vendi, pra ai 5 miliardësh, pjesëtuar me numrin e  banorëve, pra me 1.7 milionë) është dyfishuar – rrjedhimisht papunësia është përgjysmuar.
 
Ka disa defekte serioze në vërtetësinë e një argumentimi të tillë. I pari, se GDP për kokë banori nuk është dyfishuar në pesë vite. Për të ndodhë një gjë e tillë Kosova do të duhej të kishte në 5 vitet e fundit rritje ekonomike reale (pra pa inflacion) prej plot 100% (dyfishimi), e rrjedhimisht rritje ekonomike vjetore prej 20%. Kosova rritjen më të madhe ekonomike në këto 5 vitet e fundit e ka pasur pak mbi 5%, e zakonisht ka përfunduar në mesatare prej 3%. Për të qenë më të saktë në vitin 2008 GDP e jona ka qenë 3.9 miliardë euro, sot është 5 miliardë, pra në vlerë nominale rritja jonë ekonomike është diku rreth 30%. Kur heq inflacionin për këtë periudhë kupton dhe vlerën reale të rritjes. Për hir të argumentimit, rritja e GDP për kokë banori ka ndodhë vetëm në një llogaritje të gabuar matematikore, kur në 2008 besohej se Kosova ka plot 2.2 milionë banorë. Sipas dijeve matematikore të klasës së dytë, kur pjesëton një numër me 2.2 milionë dhe të njëjtin me 1.7 milionë, rezultati i dytë gjithmonë është më i madh se sa i pari. Prandaj për të përllogaritur rritjen e GDP-së për kokë banori, numri i banorëve duhet të jetë i njëjtë në të dyja rastet.


Defekti i dytë është se, për të filluar zvogëlimin e papunësisë vendi ynë do të duhej të ketë rritje ekonomike çdo vit prej 8-10%, gjithmonë për shkak të fuqisë së re punëtore që kemi. Pra me rritje ekonomike prej 3 apo 4 apo 5 e besa edhe 6% (që nuk e kemi mbërri asnjëherë), e tëra çfarë mund të bëjmë është të akomodojmë përafërsisht aq kosovarë sa edhe futen për herë të parë në tregun e punës. Prandaj nëse ne asnjëherë nuk kemi arritur të shënojmë rritje ekonomike prej 8-10% do të thotë se ne asnjëherë nuk kemi filluar të zvogëlojmë nivelin e papunësisë; në rastin më të mirë e kemi mbajtur atë në nivel të njëjtë pra 40-45%.

 

Miti i tretë: Rangimet
 
Së fundmi në kohë debatesh televizive, sa herë që flitet për ecurinë e zhvillimit tonë ekonomik, nuk gjen dot politikan pro-qeveritarë që nuk përmend përmirësimin në një rangim. Në rrethana si këto njeriu kupton se i gjithë angazhimi ekonomik i këtij vendi është sa për të përmirësuar një pozitë të dhënë ranguese nga një institucion kredibil e jokredibil. Sado që mund të duket mbresëlënëse për përmirësimin e imazhit të vendit në botë, meqë në fund të fundit, askush nuk impresionohet kur sheh Kosovën në rang me Iranin e Afganistanin, koncentrimi solo në rangime dhe më pas trumbetimi i suksesit ekonomik është mit tipik alla-kosovar. Kjo për dy arsye.

E para, dhe më e rëndësishmja, rangimet nuk paraqesin domosdoshmërish problemet thelbësore të një vendi. Ta marrim për shembull rangimin e famshëm e  “Të bërit biznes” nga Banka Botërore, që zë gojën e pro-qeveritarëve tanë. I njëjti bën matjen e procedurave teknike të regjistrimit, operimit e mbylljes së një biznesi. Po të dinin kosovarët se i njëjti rangim nuk matë as korrupsionin, as informalitetin, as evazionin fiskal, as krimin e organizuar, as tenderomaninë, as shantazhin, as haraçin e hiç se hiç normat e interesit, kualitetitn e politikave tatimore e lehtësimet tjera, pra në thelb nuk merr as edhe njërin prej top problemeve biznesore në vend, pra po të dinin këtë kosovarët, besoj se pallavrat televizive vetë-lavdëruese do të ishin edhe më të pakta.
 
Arsyeja e dytë, dhe më e logjikshmja, rangimet edhe po të bëjnë matjen e problemeve kryesore, nuk shfaqin bazë të shëndoshë për mburrje. Ritmi i ecjes së Kosovës në lista të tilla jo vetëm se ka qenë i ngadalshëm por po të ekstrapolohej në të ardhmen do të humbiste secilën shpresë për rimëkëmbje të shpejtë. Me trendin e tanishëm vendit tonë do ti duheshin plot 50 vite për të arritur një mesatare evropiane.

Në fund fare, nuk ka fare turp nga pranimi i diagnozës së rëndë. Turp është injorimi i diagnozës së rëndë e medikimi me receta të gabuara. Konstatimet ekonomike nuk duhet të bëhen sa për të treguar se kush ja qëlloj më shumë e më pak por për të kuptuar mirë rëndesën ekonomike në një kohë të dhënë. Sa më herët që e pranojmë këtë rëndesë dhe pranojmë se politikat e tanishme ekonomike vetëm se rëndojnë rëndesën, aq më herët fillojmë ti japim zgjidhje një mijë e një problemeve tona ekonomike. Lulimi e kamuflimi nuk bën punë; nuk ka bërë asnjëherë.