Monday 15 May 2017

FUNDI I PRITUR, FILLIMI I FRIKSHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 MAJ 2017

Dy vite e gjysmë më pas, siç dhe pritej pra, bashkëjetesa me shkaktarët kryesorë të kapjes e regresit tonë del të jetë krejt e keqllogaritur. Sepse, në këtë keqllogaritje, kapësit kthehen në habitatin e tyre origjinal, përvetësues, pengues, të frikshëm dhe, fatkeqësisht, më të fortë se gjithherë.



-1-

E pritshme, krejt e pritshme, ishte skena shpërbërëse e koalicionit LDK-PDK. Njëjtë sikurse kishte nisur, pa stil e pa parim, njëjtë po përfundonte – edhe pa stil edhe pa parim. Në të vërtetë, njëjtë dhe kishte funksionuar për këto 900 ditë. Qeveria ishte e ndarë, partnerët provokues ndaj tjetrit, afrimi ishte krejt artificial. Artificiale ishte dhe mbrojtja e tij sa herë që ajo bëhej nga eksponentë përfitues të dyja palëve. Si artificial që ishte, s’kishte si të ecte e përfundonte ndryshe.

Besimi se kapja menaxhohet duke iu bashkuar kapjes, ishte gjithmonë frazë arsyetuese për një politikë pa parime shumë; s’kishte ndonjë sens as për ata që e thonin edhe më pak për ata që e dëgjonin. Dy vite e gjysmë më pas, siç dhe pritej pra, bashkëjetesa me shkaktarët kryesorë të kapjes e regresit tonë del të jetë krejt e keqllogaritur. Sepse, në këtë keqllogaritje, kapësit kthehen në habitatin e tyre origjinal, përfitues, pengues, të frikshëm dhe, fatkeqësisht, më të fortë se gjithherë.

Kujtoni vitin 2014 për të kujtuar gjendjen në të cilën klani i SHIK-ut ishte në vend. Unifikimi opozitar i kishte lënë ata me dy ulëse. Të parën, të zaptuar nga më e moshuara në Parlament; të dytën nga një interpretues skandaloz i parimit të shumicës parlamentare në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse shërbimi i të dyve ndaj partisë e kapjes mund të jetë harruar, dëmi i shkaktuar që nga atëherë do të na ndjekë për një kohë të gjatë. Dhe kapësit, nga dy ulëse të zaptuara, po kthehen në një skenarë mirë të planifikuar edhe me President edhe me Kryeministër – me më shumë pushtet.

-2-

Dy vjet kohë, i kisha dhënë kësaj qeverisje, si parashikim të parë, në emisionin e parë të Rubikonit për vitin 2015. Për katër muaj shtyrje më shumë – thuajse nuk ishin këto të fundit gjithsesi – koalicioni i panatyrshëm, kishte pasur jetë. Parashikimi i pothuajse secilit kosovar, në grup të të cilëve bëja pjesë dhe unë, ishte fare i thjeshtë. Në fund të ditës, nuk është shkencë raketore gjetja se me PDK-në s’mund të ketë bashkëjetesë të gjatë. S’ka pasur askush asnjëherë. Në të vërtetë, në të gjitha bashkëqeverisjet e tyre, asnjë mandat, as edhe një, ska përfunduar i tëri. Ky madje, është më i shkurti. Kushdo që s’ka parë një skenar të tillë, sinqerisht s’meriton asnjë ditë në politikë.

Skenari i planifikuar e implementuar me përpikëri llogariste që, nëpërmjet shkurtpamësisë së partnerëve, kapësit të merrnin postin e Presidentit; të transformonin më pas partinë, dhe në momentin e parë të konsolidimit të lidershipit të ri, të kërkonin mandat të ri për këtë lidership të ri. I gjithë ky proces do t’i linte rivalët e saj të ndarë e përçarë, dhe me një faturë publike shumë vështirë të rekuperueshme në zgjedhjet e ardhshme – që janë këto tani.

Kështu, bashkudhëtuesi i tyre i deritanishëm, LDK pra, gjendet në një përballje pa municion. Për më tepër, e njëjta gjendet në vrobullën e zierjes së brendshme; të ridefinimit e ripozicionimit pas gjithë konsumit të deritanishëm me kapës. E gjithë kjo, në një afat krejt të shkurtër parazgjedhor. Në betejën e jashtme, ndërsa, ata kanë kundërshtarët e njëjtë, me mekanizma kapës të njëjtë. Me media, biznese e propagandë të tërë në qafë të tyre.

Dhe kjo përpjekje ridefinuese e tyre është e vështirë. Ajo, në raste prodhon edhe situata komike sikurse kjo e fundit që në gjithë pafuqinë reaguse refuzon njohjen e Presidentit. Përveçse është e vonshme shumë, është edhe e pavlerë – e pa potencë. E kohës e me vlerë do të ishte dëgjimi i këshillave në kohën e zgjedhjes së tij.

-3-

Kundërshtari tjetër i kapësve, po aq serioz, “Lëvizja Vetëvendosje” nuk ka arritur asnjëherë të kanalizojë gjithë pakënaqësinë publike në frymë opozitare. Mund të ketë bërë mjaftueshëm për të mbetur forca kryesore opozitare në vend; por ç’i duhet opozita më shumë kur kapësit zgjerojnë edhe më tepër pozitën kapëse të tyre.

E “fillimi i ri” me kapësit e vjetër, tash është krejt i frikshëm. Sepse, në të gjitha gjasat e mundshme, të një koalicioni të gjerë me parti që refuzojnë vijat e kuqe, kapja do të zgjerohet edhe më shumë.

Ka veç një zgjidhje përballë parandalimit të një vazhdimësie të tillë. E para, që LDK të unifikojë veten e pranojë me përgjegjësi dështimin e bashkëjetesës me kapësit. Mbi këtë pranim, të reflektojë e hapë veten. E dyta, që “Lëvizja Vetëvendosje” të kapërcejë mbi ecjen solo të saj, për të ndërtuar një front të përbashkët anti-SHIK me këdo që përfundimisht rreshtohet në këtë drejtim.

Sepse fronti SHIK do të mbijetojë. Do të mbijetojë për aq sa ka njerëz pa idel e pa bindje që i bashkohen të njëjtit për pak privilegj. Të tillë do të ketë përherë. Do të mbijetojë deri sa ka mekanzima mirë te themeluara të propagandës, fuqisë financiare e kërcënimit. Si i tillë do ta ketë jetën e gjatë. E përderisa forcat e mbara në Kosovë s'bëhen bashkë kundër SHIK-ut por flirtojnë me të, kapja e plaçka do të mbijetojnë për shumë vjet. Kanë kohë të përdorin e djegin secilin partner - siç e dogjën këtë herë, edhe para saj, edhe shpeshherë deri më tash. Është koha e fundit për shpëtim të Republikës. Gjithcka tjetër nën të, ka fare pak rëndësi.



Monday 8 May 2017

VLIMI BALLKANIK DHE MENÇURIA JONË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 MAJ 2017


Izolimi ynë përballë provokimeve e përplasjeve rajonale është i pamundur. Por është shumë e mundur të sillemi mençur sa për të mos bërë asist në një eskalim të tillë. Mos të harrojmë; pjesa më e madhe e provokimeve ruse bëhet për qëllim të nxitjes reaguese të shqiptarëve. Tendencave ruse i duhet e i mungon veç një reagim zinxhiror. Dhe vetëm një komb ka mundësi të japë këtë reagim prej zinxhiri – janë pikërisht shqiptarët pra.

-1-

Një vlim Ballkanik që po ngjanë – e do të ngjajë edhe për një kohë të gjatë – është pikërisht çfarë ishte paraparë në profecinë e një BE-je që zgjerimin e saj nuk e ka më prioritet. Në momentin e parë që ky zgjerim është ngrirë e vënë në rend të dytë, kanë nisë çarjet e një harte me fushëbeteja gjithandej.

Çarja më e madhe, tani për tani, ndodhë në Maqedoni; dhe të njëjtës provohet t’i jepet karakter etnik. Problemet ndëretnike në Maqedoni janë evidente. Maqedonia sot është shteti me albanofobinë më të institucionalizuar se secili shtet tjetër në rajon. Por pavarësisht të gjithave, përplasja atje është shumë më e gjerë sesa veçse etnike. Sepse edhe vet shqiptarët e diskriminuar në Maqedoni janë në aleancë me një pjesë të maqedonasve etnik. Pra betejën me pushtetin paradiktatorial e kanë të përbashkët.

Në prapaskenë të nismës destabilizuese në Maqedoni është ballafaqimi i Rusisë me Perëndim. Në të vërtetë, ky ballafaqim është i njëanshëm tani për tani, meqë Perëndimi ka kohë që është shndërruar në vëzhgues pa ndonjë ide se si duhet nxjerrë gjithë Ballkanin nga një rrugë qorre si kjo. Dhe do të mbetet vëzhgues përderisa nuk vendosë të trajtojë Ballkanin në nivelet më të larta politike të saj, shumë më të larta se sa diplomatë të niveleve të mesme.

Në një vështrim më të gjerë e në një hapësirë kohore pak më të gjatë, ka një patern të shënuar me konsistencë. Lodhja evropiane me Ballkanin Perëndimor, pak për shkak të rritjes së tendencave joliberale atje, e shumë për shkak të burokracisë së stër-rritur në Bruksel, ka krijuar një hapësirë të re për politikën ruse. Politika ruse, ndërsa, nuk ka pretendime që Ballkanin Perëndimor ta përdorë si potencial për inkuadrim nëpër klubet e veta. Si një ishull i rrethuar me vende të NATO-s e të BE-së, një pretendim i tillë do të ishte, edhe për standardet e Putin, çmenduri. Rusia ka një mision krejt më të thjeshtë. Në thelb, misioni kërkon krijimin e trazirave – nën pretekstet e llojllojshme – trazira që më pas mbajnë të zënë e në telashe gjithë Perëndimin. Kjo do t’i jepte Rusisë kohë e hapësirë të zgjerojë influencën e  vet rreth zonave gjeostrategjike të saj; në Ukrainë e Gjerogji në radhë të parë, në Siri e Lindje të Mesme më pas.

Sepse, në secilën llogaritje të mundshme, një konflikt i ri në mes të Evropës, do të vinte në prapaskenë të gjitha konfliktet në periferi të saj. Do t’i jepte Rusisë frymëmarrjen e kërkuar kaherë.

-2-

Në paternin e tillë, Rusia ka përdorur e provon të përdorë skenarë të llojllojshëm por që në thelb kanë për lëndë të parë ndasitë etnike. Në fakt, skenari i Maqedonisë ishte replikim i përpiktë i skenarit të dështuar në Mal të Zi. Atje, në komplotin e dështuar që rezultojë me mbi 30 arrestime të paramilitarëve serb e rus, shkalla e intervenimit të paraparë ishte shumë më e lartë. Mesiguri për shkak të leximit se për të ngjallur konflikt në një vend para-anëtar i NATO-s do të duhej vrasje – deri tek ajo e Kryeministrit. Në Maqedoni, ky skenar duhej të kishte më pak forcë. Sepse gjasat e përplasjes etnike në Maqedoni janë shumë më reale se sa në Mal të Zi. Pra, në skenarin destabilizues, do të mjaftonte një ndezje më e lehtë, pa armë të rënda sikurse në Mal të Zi, për të përshkallëzuar në konflikt gjithë territorial. Ndezja, për fat të mirë tonin, nuk ndodhi.

Në skenarin rus ishte dhe provokimi i Serbisë në Veri të Kosovës. Treni, fillimisht, më pas muri, kërkonin mu këtë eskalim. Ishte dashtë intervenim i nivelit më të lartë politik në BE, intervenim që mbërrinte deri tek kancelaria Merkel, për të parandaluar një konflikt të tmerrshëm ballkanas.

Por provokimi i Serbisë nuk ndalet me kaq. Në të vërtetë, Serbia është vazhdimisht duke shtyrë tensionet ndëretnike në Ballkan. Edhe tek politika e fletarresteve, edhe tek politika e reagimit ndaj ngjarjeve në Shkup, edhe tek politika e proklamimit të Shqipërisë së Madhe – deklaratat zyrtare në Serbi janë në vijë të plotë me ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Janë në sinkronzim perfekt në ton, përmbajtje madje edhe në kohë të publikimeve. Një dualizim i tillë jep prapaskenën e qartë të koordinuesve.

Deri më tani, dhe mesiguri si ruajte e letrës së fundit, nuk është përdorur vetëm Bosnja e Hercegovina; atje gjasat për përplasje ndëretnike janë shumë më të mëdha se sa në Maqedoni. Influenca biznesore ruse është po ashtu më e theksuar, e ndikimi i Perëndimit edhe më i ndarë.

Çfarë s’bën kuptim në gjithë këtë skenar është vlimi që ndodhë në Tiranë. Ndoshta shqiptarët atje po i bëjnë një asist vullnetar e pa vetëdije qëllimeve destabilizuese ruse. Por, gjithsesi, destabiliteti në një vend të NATO-s, edhe po të jetë i tillë, është më pak i dëmshëm se sa në vendet e tjera ballkanase.

-3-

Në një vlim të tillë është e pamundur të mos kontaminohemi dhe ne. Natyrisht se do të ndikohen investimet tona, stabiliteti ynë, projeksioni i Kosovës – çfarëdo qoftë ai. Në fund të ditës para forcave të mëdha integruese, ne shihemi krejt si një rajon.

Pra izolimi ynë është i pamundur. Por është shumë e mundur të sillemi mençur sa për të mos bërë asist në një eskalim të tillë. Mos të harrojmë; pjesa më e madhe e provokimeve ruse bëhet për qëllim të nxitjes reaguese të shqiptarëve. Tendencave ruse i duhet e i mungon veç një reagim zinxhiror. Dhe vetëm një komb ka mundësi të japë këtë reagim prej zinxhiri – janë pikërisht shqiptarët pra. Rusia e di mirë se një eskalim në Maqedoni, nuk mund t’i mbajë inferiorë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. E di se një përplasje në Veri nuk do të izolojë reagimin e shqiptarëve të tjerë njëtrajtësisht. Mbi të gjitha e di se shqiptarët s’mund t’i ketë aleatë asnjëherë, prandaj i ka në thelb të provokimeve të para.

Shqiptarët në Kosovë duhet të tregohen më të maturit. Dhe maturia kërkon bërjen e dy hapave të mençur shumë. Hapi i parë ka të bëjë me shmangien e secilit konflikt ndërpartiak në vend. Në këtë fazë na duhet me finesë të kalojmë dallimet rreth demarkacionit sepse janë krejt të parëndësishme përballë forcës provokuese që kemi përpara. Në një lojë më të mirë politike, dallimet e demarkacionit do të jepnin dhe liberalizim – pra në hap më tutje drejt evropianizimit. Por po që s’morrëm liberalizim, është e domosdoshme që së paku të mos bëjmë destabilizim. Një përplasje ndërshqiptare, sikurse ajo e viteve 2015 e 2016, do të krijonte hapësirë e shkas për një seri provokimesh në Veri. Sot, mrekullisht, kur gjithë regjioni është në vlim, Kosova është krejt në qetësi. Tjetër çka që qetësia jonë ka të bëjë me mos bërjen e asgjëje. Pra jemi të qetë sepse s’bëjmë gjë; por megjithatë s’jemi në vlim.

Hapi i dytë, ka të bëjë me ndërtimin e aleancave pro-perëndimore në Ballkan. Pra shqiptarët e Kosovës, pasi të kenë zgjedhur problemet e veta, duhet të presin – madje dhe kërkojnë – zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Shqipëri. Së bashku, më pas, do të duhej të ndërtonim aleancë me qeverinë në Mal të Zi dhe me qeverinë e re në Maqedoni. Këtë aleancë të re duhet ta promovojmë në Perëndim si forcë garantuese e shpërfilljes ruse në rajon; dhe mbi të gjitha, si forcë shumë etnike ballkanase. Një aleancë e tillë do të vinte Serbinë në presion e Rusinë pa faktor destabilizues në Ballkan.

Sunday 30 April 2017

RIGJENERIMI I KAPJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 PRILL 2017

Tre herë për tre ditë, Presidenca e Kosovës lëshon fletërrufe kundrejt Bashkimit Evropian. E quan organizëm monoton, pa lidership e vizion. Me këso qëndrimi ndaj BE-së, Hashim Thaçi zë vend meritor në kampin e Putin, Le Pen e Erdogan.


-1-

Në shkurt të këtij viti, në një shkrim parashikues mbi muajt në vijim, e të titulluar “A janë zgjedhjet afër?”, kisha shkruar mbi skenarin që do të shpinte, siç besoja atëherë, në zgjedhje të parakohshme, diku në muajin maj të vitit 2017. Pjesë të skenarit, si arsyetim, kisha përfshirë – pritshëm – çështjen e demarkacionin.

Dy muaj më pas, data e zgjedhjeve të reja është veçse e thënë; maj ose qershor. Arsyeja? Demarkacioni. Ndonëse motivet për shkuarje në zgjedhje të parakohshme mund të jenë të shumta (kryesoret veçse i kisha përmbledhur në shkrimin e dy muajve më parë), një, veç, është shkas i përdorur publikisht. Mungesa e mbështetjes për demarkacionin.

Mungesa e mbështetjes pra është evidente; e padiskutueshme më. Votat s’janë. Për shkak të kësaj mungese, LDK refuzon ta procedojë demarkacionin në Kuvend; procedimi është fund i qeverisjes së saj. Për shkak të kësaj mungese, PDK kërkon të procedohet sa më parë propozimi në Kuvend – procedimi është nisje e garës për qeverisje nga ta.

Dhe në këtë vijë ngecjeje, ishte shtruar dhe vizita e kryeministrit në Bruksel. Në një mision të pamundur, LDK kishte provuar argumentimin e fundit; atë të një liberalizmi të kushtëzuar për dy vjet. Misioni i pamundur kërkonte bindjen e të gjitha vendeve anëtare në BE. Por, në këtë fazë e në këtë kapacitet, Kosova as s’ka mekanizmat e as kanale për bindje të shpejtë. Kosova s’mund në pak kohë t’i bindë të gjithë anëtarët në një mendje – mendje që kërkon në thelb lëshim pe. Rrjedhimisht, përgjigja ishte negative. Demarkacioni duhej të procedohej sa më shpejtë.

-2-

Në Kosovë, ndërsa, kishte nisur fushata hapur. PDK kishte nisur paraqitjet në të gjitha mediat; flisnin në një gjuhë të njëjtë. E thonin se kjo qeveri nuk është në gjendje të marrë vendime të mëdha; rrjedhimisht nuk ka arsye të jetë më.           

LDK, në gjuhë po aq të njëjtë, herë luste PDK-në për vazhdim të martesës herë mohonte, siç mohon nga befasia dikush realitetin që i vjen pa pritë – divorcin me PDK. Nuk di çka është me tragjik-komike në këtë vend. Arsyetimi i bashkimit të LDK-së me PDK-në që bëhet shpeshherë (herë për çështje madhore, herë për sakrificë e herë si gjoja dëgjim i komunitetit ndërkombëtar), apo lutja që sot LDK i bën PDK-së për vazhdim të bashkëqeverisjes. Kjo e fundit kalon secilin nivel integriteti që një parti, po qe e madhe, duhet domosdo ta ketë.

Në këtë lutje madje, të njëjtit përmendin dhe prishjen e marrëveshjes për President; pa e kuptuar se për President, për shkak të tyre, do të kemi për pesë vjet pikërisht njeriun që mbanë vulën e fajit të ngecjes për gjithë këto vjet. Ky fund, pikërisht, është produkti i bashkimit me PDK-në. Kështu ndodhë gjithmonë. PDK ka konsumuar secilin partner. Ka përdorur secilin për të shtyrë agjendat e veta të kapjes nëpër kohë; dhe në fund u ka dhënë një rrënim nga i cili partnerët s’janë rikuperuar asnjëherë. Naiv, ose lakmitarë të mëdhenj, janë ata që s’kanë parë këtë skenarë që nga fillimi i tij.

Në kthim të konsumimit, PDK po merr jo vetëm postin e Presidentit, por edhe atë të Kryeministrit. PDK, si asnjëherë, do të mbajë të dy pozitat kyçe në vend; në kohën më të vështirë të mundshme për vendin tonë. Kryeministri i ri ndërsa, siç proklamohet vet, ka filluar një fushatë me moton e “Fillimit të Ri”. E nuk di çfarë mund të jetë më ironike se sa titullimi i vazhdimit të PDK-së e SHIK si një fillim i ri.

Kjo fushatë, në një tur dëgjimi, natyrisht paguhet nga paratë e taksapaguesve kosovar – nga mjetet e Kuvendit. Në këtë fushatë, e në këtë fillim të ri, shfaqet shpesh cektësia e lidershipit të ri. Perlat si “papunësia mund të zvogëlohet veç me punësim” të japin figurën e një studenti mesatar që shpejtë mund të jetë bartës i gjithë vendit tonë.

-3-

Në një skenë tjetër, jo të largët ndërsa, ndodhte përplasja e hapur e Presidentit me BE-në. Këtë javë, tre herë për tre ditë, Presidenca e Kosovës kishte lëshuar fletërrufe kundrejt Bashkimit Evropian. E quante organizëm monoton, pa lidership e vizion. Me këso qëndrimi ndaj BE-së, Hashim Thaçi zë vend meritor në kampin e Putin, Le Pen e Erdogan.

Por Thaçi ka një hall të madh. Dhe ky hall po rritet sa më afër që vjen Gjykata Speciale. Sepse veç një njeri në hall të madh e akuzon Evropën për fantazi rreth bashkimit, ani pse vet e përmend bashkimin si kërcënim një ditë më parë. I pasigurt e me mendim të dy-trefishtë, ai vazhdon të kundërshtojë veten në secilin qëndrim të tij.

BE mund të mbahet përgjegjëse për shumëçka, në rend të parë për mostrajtim të barabartë të kosovarëve me rajon sa i përket lëvizjes së lirë. Por ama, BE nuk i ka faj Kosovës pse ndërmarrje multimilionëshe falimentohen nga militantë të partisë së tij. As për procese të kurdisura në tenderomani. BE nuk i ka faj pse 9 kryetarë komunash të zgjedhur nga ai janë në ndjekje penale. BE nuk i ka faj pse universitetet i ka mbushur me analfabetë, mediat me servilë, policinë me hajna, gjyqësinë me aso që s'kanë "kUnkuru" hiç, spitalet me lindje nëpër pllaka, e diplomatët me akraba bashkëpartiakësh. BE nuk i ka faj pse ai i lë 60% e të rinjve të papunë; 170 mijë kosovarë në varfëri, e çdo të dytin me ide për migrim. BE nuk e ka kapur Kosovën. Kosova është kapur, rrëzuar e dërmuar nga ai me miqtë e tij – nga aso në parti dhe të tjerë që pa takt i dhanë përkrahje për në Presidencë.

Në këtë kryengritje të tij, Thaçi po kërkon kaos e më shumë izolim. Sepse veç në kaos e izolim një kapës me shokë si ky – mund të mbijetojnë. Ai tashmë është i mbyllur. S'e takon e pret askush. Vizitat e fundit të tij janë nëpër kafenetë e Prishtinës apo nëpër oda “be bërëse” me 124 pleq. Me fatin e vet, do ta lidhë dhe atë të Kosovës. Kalimi nga dëgjues pa ide në kritikues pa tak, sjellë mu këtë kaos për te. 

Kosova ka nevojë për politikanë që i hapin dyert e Perëndimit; jo për të atillë që i mbyllë ato. Fatkeqësisht, mbyllësit e dyerve, për shkak të një skene të përçarë politike, janë më afër se kurrë të vazhdojnë për gjatë mbajtjen e secilit kontroll në vend.

Monday 24 April 2017

MBI RRITJEN EKONOMIKE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 PRILL 2017

Një vështrim mbi trendet ekonomike të viteve të fundit dhe rrugën që duhet ndjekur para.


-1-

“Kosova me rritjen më të madhe ekonomike në rajon” është thënia më e përdorur ekonomike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej. Nuk ndryshon as në këtë qeveri. Në të vërtetë, argumenti i vetëm ekonomik është ky: ne paskemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe me këtë, viola, ekonomia jonë është në mbarësi. Këtë argumentim, si papagaj, s’pritojnë ta përdorin gjithësecili – morën vesh, s’morën vesh gjë prej ekonomie.

Të njëjtën deklaratë, të njëjtin qëndrim, e kishin dhe dy qeveritë paraprake të pas-pavarësisë. Ç’është e vërteta, Kosovën rritjen më të madhe ekonomike në rajon e kishte edhe në Qeverinë Thaçi I, edhe në atë II. Kjo rritje “më e madhe”, ishte shndërruar edhe atëherë si platformë e garancisë për mirëqenie, ani pse e njëjta garanci shpërthej me ikje masive nga vendi për shkak të skamjes e papunësisë.

Do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë në platformën e të dhënave të Bankës Botërore (në DataBank), për të krahasuar rritjen ekonomike nëpër vendet e rajonit – dhe me këtë, edhe kuptuar se rritja jonë ekonomike ka qenë pothuajse gjithherë më e larta në Ballkan. Në vitin 2009, 2011, 2012, 2013, 2015 e 2016 ne kishim rritjen më të lartë ekonomike në krahasim me Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën, Malin e Zi  e Shqipërinë. Pra, në 9 vitet e fundit, Kosova kishte rritjen më të lartë ekonomike në 6 vite. Gjatë 2 viteve të tjera ishte në vendin e dytë; një herë në të tretin.

Pra, Kosova, është kampion i pa konkurrencë sa i përket rritjes ekonomike vjetore në krahasim me rajon; dhe ky fakt, sivjet, s’bën ndonjë risi. Ka qenë gjithherë që nga viti 2009 e këndej. Por, sërish, siç ka qenë në vitin 2009, e 2011, e 12 e 13, e 15 e 16 e edhe sot, ekonomia e Kosovës është më e varfëra, me më së shumti papunësi e më së paku investime të jashtme. Pra rritja më e madhe në rajon, nuk reflekton domosdo shpërthim.

Kjo, për dy arsye. E para, sepse Kosova ka bazën më të ulët ekonomike në rajon, rrjedhimisht çdo rritje me veten nuk është ku me ditë çfarë arritje. E dyta, sepse, për të arritur standardet e ekonomive rajonale, për të adresuar problemet e papunësisë e varfërisë, Kosovës i duhet dyfishi i rritjes së tanishme; normë që s’arrijmë ta shënojmë asnjëherë.

-2-

Promovuesit e zhvillimit ekonomik, po që se duan argumente, mund të shikojnë tek krahasimet me ecjet paraprake. Pra të bëjnë krahasime me qeveritë e mëparshme. Kështu, sërish sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, gjatë “Qeverisë Thaçi I”, rritja ekonomike, në mesatare, ka qenë 3.1%. Gjatë “Qeverisë Thaçi II”, rritja ekonomike ka qenë, në mesatare, rreth 3.6%. Në “Qeverinë Mustafa”, rritja ekonomike, në mesatare është 3.9%. Pra ka, në mesatare, rritje ekonomike pak më të lartë se sa dy mandatet paraprake. Ky argumentim mund edhe të kishte kuptim – po të ketë kush të bëjë argumentime të tilla gjithsesi.

Por sërish, edhe rritja prej 4% është e pamjaftueshme. Është pra sa gjysma e të domosdoshmes sonë. E normës që jep garancë për vende të reja të punës, për investime private e mirëqenie sociale.

Natyrisht, për të qenë korrekt, e dëshirueshmja është një gjë, e mundshmja është tjetër. Ndjekja e ritmit prej 8% është punë larg nga e lehta. Dhe, mbi të gjitha, është e papritshme që brenda një mandati qeverisës të arrihej një mesatare e tillë. Por është shumë e pritshme që të ndërtohej një bazë për një rritje të tillë. Pra të ketë politika që garantojnë rritje të parvjetshme. Pra 4% në vitin e parë, 5% në të dytin, 6% në të tretin e ndoshta, me punë shumë 7-8% në të fundin.

Parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fatkeqësisht, nuk japin ndonjë trend të tillë. Në të vërtetë, sipas FMN-së, rritja ekonomike në Kosovë përgjatë tri viteve të ardhshme pritet të rrumbullakohet rreth 3.8, 3.9 e 4%. Pra do të ketë një ritëm të njëjtë. Dhe ritmi i njëjtë, siç kam thënë gjithherë, nënkupton se Kosovës i duhen 32 vite kështu, për të arritur hiç më shumë se Kroacinë.

-3-

Prandaj na duhet ndryshim në parashikim. Që e ardhmja të mos rrumbullakohet rreth 4% siç është tani, por në numra shumë më premtues. Dhe arritja e këtyre numrave premtues mund të bëhet me nisjen e menjëhershme të projekteve të mëdha kapitale në vend. Pra, me nisjen e ndërtimit të termocentralit të ri, “Kosova C”; me rinisjen e investimeve në “Brezovicë”; me strukturimin e shitjen e PTK-së; e me shumë mend e pak fat (fat për shkak të trendëve në bursë) dhe nisjen e revitalizimit të “Trepçës”. Nisja e menjëhershme e projekteve si këto, natyrisht se do të transformonte peizazhin ekonomik të vendit tonë.

Projekte te mëdha, natyrisht, s’japin bazë të përhershme. Ato janë të ngadalshme, marrin kohë, dhe mbi të gjitha nuk nisin zbutjen e punësimit në terma kohorë që kanë rëndësi për këtë gjeneratë. Për këtë, ne duhet drejtuar në sektorë të bizneseve të mesme e të vogla, të degëve që po arrijnë të punësojnë shpejtë e të eksportojnë mirë. Sot, degë të tilla janë të natyrës së teknologjisë informative. Kosova është bërë vend i rëndësishëm i “onshore” kontratave; nisë nga dizajnimet e thjeshta të ueb faqeve, tek qendrat e thirrjeve telefonike e deri tek programimet e komplikuara të të rinjve e të rejave kosovare.

Industri të tjera në fushën e bujqësisë, të degëve shumë të ngushta – jo domosdo grurë e misër e bukë siç janë mësuar tradicionalët – që na japin përparësi krahasuese fillimisht me rajon e më tutje edhe Evropë Juglindore, mund të bëjnë një bazë të shëndoshë të gjithëpërfshirjes rajonale në vend. Për këtë, natyrisht se duhet arritur standardet e kualitetit, sanitarisë e certifikimit – diçka ende e largët për ne.

Këto, e industri të tjera plot, që natyrshëm mund të marrin hov, kanë një asistencë të mirë në kohë të sotshme, koston e kapitalit. Për secilin që përcjellë trendet e normave të interesit, është fare lehtë e kuptueshme se ato, në një lëvizje krejt të shpejtë nga viti 2014 e këndej, janë përafruar me normat rajonale. Pra, kostoja e kapitalit është shumë e favorshme sot se sa që ishte vite më parë – dhe kjo duhet shfrytëzuar sa më parë. Jo për konsum, as për pushime deti, e edhe më pak për investime në apartamane e kapital të vdekur, por për krijim – për biznes e vlerë të shtuar.

Mbi të gjitha, Kosovës i duhet ndërhyrje në anën e ofertës së fuqisë punëtore. Aty ku arsimimi në vend të aftësimit është dominues. Ndonëse efektet e një transformimi të tillë janë të largëta e të ngadalta, i njëjti mbetet i pazëvendësueshëm – aftësimi s’është më nevojë por domosdoshmëri.

Politika si këto, bashkë me forcimin e institucioneve, heqjen e korrupsionit, drejtimin e gjykatave e ç’rrnjosjen e plotë të pabarazisë trajtuese në Kosovë, mund të japin bazën për të cilin kemi kaq nevojë. Mund të japin atë rritjen ekonomike prej 7-8% në vit; që përshpejton gjithë rrugëtimin tonë rrënjësisht.

Monday 17 April 2017

UNIONI NEOJUGOSLLAV – NJË IDE E RREZIKSHME E BEOGRADIT DHE TIRANËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 PRILL 2017

Ka disa probleme me një propozim të tillë. I pari dhe më i rëndësishmi, ndërlidhet me motivin e Serbisë në një organizim të ri. Ky motiv ka dy ngjyrime. Së pari, atë të dominancës ekonomike dhe politike në Ballkan; dhe, së dyti, të mbajtjes së status-quos në relacionet me BE-në dhe Rusinë.


-1-

Javë më parë, në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, u lansua ideja e bashkimit doganor dhe ekonomik të vendeve të mbetura pa anëtarësim në BE. Siç dhe ndodhë tashmë rëndom ku flitet për iniciativa të paparashikueshme e natyrisht koti, në ballë të kësaj nisme ishte kryeministri serb (tash Presidenti) Vuqiq dhe, kush tjetër përveç se homologut të tij nga Tirana, Rama.

Të dy, bashkë, unionin e ri e ballkanas po e promovonin si forcë pajtuese shqiptaro-serbe. Po i jepnin ngjyrimin e zakonshëm të pajtimit franko-gjerman; Vuqiq si kryegjerman, Rama si kryefrancez. Me t’u kthyer në Beograd, i pari i Serbisë e kishte shpallur idenë e tij si neo-Jugosllavi, diçka e këndshme për nostalgjikët e dominimit Ballkanas në Serbi. Neojugosllavia ishte pa Slloveni e Kroaci, por kishte tash Shqipërinë në të.

Rama ndërsa, si bashkëiniciator e si përfaqësues i vetëshpallur i shqiptarëve në Ballkan, nuk kishte pyetur askënd – asnjë shqiptarë. As ata në Shqipëri, as udhëheqësit shtetëror në Kosovë, as shqiptarë te tjerë në rajon. Nga një propozim i tillë ishin zënë në befasi zyrtarët kosovarë.

Kryeministri i Kosovës kishte hedhur poshtë menjëherë propozimin duke e cilësuar si eksperiment pa perspektivë, jo evropian e rikujtues i një përvoje të keqe të Kosovës me Jugosllavi. Ministri i Jashtëm, njëtrajtësisht, e kishte etiketuar idenë si të rrezikshme dhe me ngjyrime serbomadhe.

Propozimi i tandemit Rama-Vuqiq vinte si pamflet i hyrjes në qejf tek vendimmarrësit evropianë. Të shitjes së tyre si liderë të vetëm të Ballkanit; të gjithkujt tjetër si pengues të afrimit. Ky propozim ishte pritur me interes nga disa politikanë nga Brukseli; me aq zell sa që kishin vendosur ta merrnin për trajtim në takimin e 12 korrikut të Triestes. Në fund të ditës, për përfaqësuesit e BE-së, çështja e Ballkanit do të mbetet e pandyrshuar për 7 deri në 10 vitet e ardhshme, Çfarëdo modeli tjetër që shpenzon këtë kohë në Ballkan, është më se i mirëseardhur.

Flirtimi i Ramës e Shqipërisë me Serbinë, sërish e për të satën herë, po i sillnin një tjetër dëm Kosovës. Shpërfaqjen e saj, pa pikë nevoje, si forcë bllokuese në Ballkan.

-2-

Unioni doganor e ekonomik në Ballkan, parashihte heqjen e të gjithë kufijve doganorë ne Ballkanin Perëndimor, heqjen e të gjitha tarifave të ndërmjetme në mes shteteve anëtare, si dhe mbledhjen, në një vend të të gjitha të hyrave doganore. Pra, për nga politikat tregtare dhe doganore, Ballkani do të funksiononte si një shtet. Çka do që lëvizë në mes të vendeve anëtare kalon pa doganë e pa kufij; çka do që vjen nga jashtë mblidhet në një vend. Një mini replikim i unionit evropian doganor; natyrisht, pa Evropë e me plot Serbi në të.

Ka disa probleme me një propozim të tillë. I pari dhe më i rëndësishmi, ndërlidhet me motivin e Serbisë në një organizim të ri. Ky motiv ka dy ngjyrime. Së pari, atë të dominancës ekonomike dhe politike në Ballkan; dhe, së dyti, të mbajtjes së status-quos në relacionet me BE-në dhe Rusinë.

Në çështjen e dominancës, Serbia llogaritë në aleancën e Bosnjës dhe satelitit të saj në Republika Srpska; përfshirë dhe lidhjen tradicionale me Maqedoninë. Përveç kësaj, Serbia është forca më e madhe ekonomike e ushtarake në rajon. Kjo, në vete, do ta bënte Beogradin sërish kryeqendër të Ballkanit; prandaj dhe nostalgjia për kthim në model neojugosllav. Serbia prodhon, krijon e ushtron fuqi shumë herë më të madhe se të gjitha vendet e tjera bashkë. Çfarë shqiptarët kontribuojnë në këtë drejtim është krejt minore.

Në çështjen e neutralitetit, Serbia nuk ka asnjë motiv të ndryshojë flirtimin e dyfishëm me Evropë e Rusi. Në të vërtetë, mu ky flritim i ka ringjallur të njëjtit në forcë konsideruese këndej. Duke kërcënuar Evropën me afrim me Rusi, e duke e kërcënuar Rusin me afrim me Evropën, Vuqiq arrin të marrë herë hapa integrues në BE, here aeroplanë ushtarakë MIG. Në vijë të këtij dualizmi, Serbia dëshiron të mbajë dhe lëvizjet në Ballkan të stagnuara. Përparimi i Malit të Zi për në NATO, e eventualisht konsolidimi i Kosovës në shtetëzim prishë forcën serbe në Ballkan. Mbi të gjitha, një periudhë dhjetëvjeçarje e marrjes me projekte koti, sikurse ky union ekonomik e doganor, është dhuratë e çmuar në agjendën destabilizuese serbe e ruse për regjion.

Problemi i dytë me propozim ndërlidhet me përfitimet që shqiptarët marrin nga një bashkim i tillë. Në drejtimin ekonomik, bizneset tona janë shumë të vogla, shumë më pak konkurruese e shumë më fragjile ndaj çfarëdo hapje jo-evropiane. Mos të ngatërrohemi. Hapja evropaine, sikurse kjo e MSA-së, përcillet me paketa ndihmuese, me programe stimujsh ekonomik e financiarë, dhe mbi të gjitha me influencë të garantuar Perëndimore; elemente të cilat i bëjnë shqiptarët, në veçanti shtetin e Kosovës shumë më të sigurt e më atraktiv.

Problemi i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ndërlidhet pikërisht me ndërprerjen e agjendës evropiane për ne; qoftë edhe ajo për një kohë të shkurtër. Mos të harrojmë, në këtë fazë Kosova ka nevojë për sa më shumë definim kufijsh, për sa më shumë relacione shtetërore, e sa më pak ndikim serb.  Çdo projekt që s’ka këtë agjendë e s’ka këtë ngjyrim, është krejtësisht i padobishëm. Së këndejmi dhe refuzimi jonë.

-3-

Në këtë fazë, Kosova ka dy rrugë përpara. E para, që të bindë shpejtë aleatët e saj në rajon, nisur nga Tirana. Tiranës duhet shpjeguar hilen e një neojugosllavizmi në Ballkan, hile që politikëbërësit e atjeshëm duket se nuk e kuptojnë. Ose, nëse e kuptojnë, janë të gatshëm ta tregtojnë me interesa të promovimit vetanak. E dyta, Kosova duhet të renditet shpejtë me Malin e Zi, shtetin e dytë në Ballkan që ka refuzuar, për të njëjtat aryset si tonat, shkrirjen në një influencë serbe.

E treta, po aq e rëndësishme, Kosova duhet të ndërtojë argumentet politike e në veçanti ekonomike për t’i prezantuar si forcë kundërshtuese në takimin e Triestes. Atje, Kosova duhet të argumentojë se në rrafshin politik, nuk mund të favorizojë nënshtrimin drejt modelit të status-quosë; përkundrazi. Kosova ka secilin interes të zhbëjë këtë status-quo dhe të promovojë detyrimisht ardhmërinë pro-perëndimore, pro-BE e pro NATO në Ballkan. Secili shtet tjetër, sikurse Serbia, Bosnja e Maqedonia, duhet të vihen në presion të kësaj qartësie.

Në rrafshin ekonomik, ndërsa, Kosova duhet të argumentojë mbi dobësitë që unioni i ri do t’i sjelltë ekonomisë sonë, bizneseve tona e investimeve në të ardhmen. Këtë argumentim duhet ta bëjë me ose pa Shqipërinë në bord. Shqipërinë e politikën e saj amatore e keqdashëse ndaj Kosovës – me ose pa qëllim – duhet ta luftojë në publik.

Monday 10 April 2017

ME TË NJOHSHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 PRILL 2017

Kurdisja vlen si për pranim në çerdhe, si për zgjedhje të klasës në fillore, si për kalim të lëndëve, si për pranim në të mesme, si për kapërcim të viteve në këtë të mesme, si për pranim në fakultet, si për kalim të provimeve në këtë fakultet, si për konkurse në punë, si për avancime në këtë punë, si për gjykim, si për trajtim në gjykim, si për pagesë të taksave, si për fitim të tenderëve, si për mjekim e shërim, si për gjithçka. Në të vërtetë, në masë, dhe zgjedhja e varreve rregullohet këndej me kurdisje.


-1-

Mendojeni për pak ecjen tonë të 17 viteve të fundit. Sa e padrejtë, sa e pabarabartë, sa e mbrapshtë është gjithë kjo ecje. Përjashto incidentet e mira të aty këtushme, ndonjë veçim individual që domosdo është joinstitucionoal, dhe kupton se rrugëtimi jonë përgjatë post-çlirimit, është, në princip, rrugëtimi i ndërtuar mbi konceptin e pabarazisë.

Nuk po flas mbi pabarazinë si rezultat përfundimtar, s’po flas për klasa e shtresa, të pasur e të varfër, urban e rural, po flas për pabarazinë si input; si nismë trajtuese e qytetarëve kosovarë që i prektë të gjithë njëtrajtësisht. E sistemeve në të cilat ne veprojnë në përditshmërinë tonë. E punës, e edukimit, e shëndetësisë, e gjyqësisë – e gjithë jetesës sonë.

Ne, në 17 vite, kemi ndërtuar një sistem të kurdisur. Një sistem ku rezultati përfundimtar është veçse i parapërcaktuar. Ku plot bëjnë skenën e aktrimit, pa e ditur këtë gjë, për njërin, për atë që ka “të njohshëm”. Dhe në këtë sistem të kurdisur, vlera e dijes, mundit e përpjekjes është e barabartë me hiçgjë. Të “njohshmit” ja dalin, ditën s’ditën për gjë.

Kurdisja vlen si për pranim në çerdhe, si për zgjedhje të klasës në fillore, si për kalim të lëndëve, si për pranim në të mesme, si për kapërcim të viteve në këtë të mesme, si për pranim në fakultet, si për kalim të provimeve në këtë fakultet, si për konkurse në punë, si për avancime në këtë punë, si për gjykim, si për trajtim në gjykim, si për pagesë të taksave, si për fitim të tenderëve, si për mjekim e shërim, si për gjithçka. Në të vërtetë, në masë, dhe zgjedhja e varreve rregullohet këndej “me të njohshëm”.

-2-

Futbolli kosovar bën rastin më të ri, natyrisht jo të fundit, të degradimit tonë shoqëror nga kapja e theqafja. Tregon, në thelb, se sa gjithëpërfshirëse është kurdisja jonë. Edhe në sport. Edhe në fushë futbolli pra. Edhe aty ku deri më tani përfitimi financiar ka qenë krejt i parëndësishëm. Në fund të ditës, renditja e kampionateve të mbyllura kosovare ka qenë punë kënaqësie për sportistët e individët që duan sportin njëmend. Pra, edhe aty, edhe në këtë dashuri për sport e futboll, kurdisja është bërë normë. Në këtë kurdisje, trajnerë, gjyqtarë e zyrtarë federativ, nën duhmën e rakisë e muhabeteve të kafes, përcaktojnë fatin e rezultateve të radhës. Futbolli pra është veçse refleksion në një sistem të kurdisur. Është pra njëri nga shumë refleksionet tona në kurdisje.

Merreni, për shembull, fenomenin e konkurseve; për një vend pune pra. Konkurset, në masë të madhe, në sektorin publik natyrisht, bëhen sa për sy e faqe. Në të vërtetë, kurdisja jonë ka bërë që pjesën e konkursit për vend pune ta vendosë si hap të fundit në zinxhirin e pranimit për punë; e duhej të ishte hapi i parë natyrshëm. Pra, pasi të jetë gjetur një kandidat, me të njohshëm natyrisht, pasi të jetë njoftuar me punë, pagë e kushte pune – në raste madje mund dhe të ketë nisur punën – hapet një konkurs. Të tjerët, të shkretë, bëhen në rend për këtë vend pune. Marrin dokumente, letra, rekomandime e përshkrime biografike, me shpresë se do të bindin dikë – pa e ditur se vendi i synuar i punës është kaherë i zënë. Aq shumë është rrënuar besimi në konkurse sa që sot, të rinjtë e të rejat e diplomuara, të dalluara e me aftësi plot, s’konkurrojnë fare.

I kurdisur del të jetë dhe sistemi i prokurimit. Të gjithë tenderët e mëdhenj, paratë e mëdha, janë të paradhëna për biznese të lidhura ngushtë me kapësit në politikë. Kjo paradhënie nisë nga përcaktimi i kritereve në tenderim, e deri tek verifikimi i tyre për pjesëmarrësit në tenderim. Sërish, dhe këtu, biznese të tëra, mbushin e dorëzojnë dokumente plot për një punë që veçse është dhënë.

Kurdisja jonë krejt e zakonshme në sistemin politik. Të gjitha caktimet në borde, në trupa udhëheqëse të ndërmarrjeve publike – nga PTK, RTK e deri te KEK-u – janë të përcaktuara paraprakisht. Janë pjesë të pandara të pazareve politike; në shërbim të kapësve natyrisht. Dhe, siç edhe ishte dëshmuar në aferën telefonike “Pronto”, caktimi i njerëzve aty, në fjalë të Bahri prokurorit, bëhet “pa kunkuru” hiç. Jo më larg se këtë javë, një ish depoist i PDK-së ishte bërë diplomat në Çeki; natyrisht pa “kunkuru” edhe ai. E  për secilin caktim, për secilën ndarje, të ambasadorëve, diplomatëve, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, bordeve e posteve të tjera publike, ka një procedurë aplikimi në të cilën të tjerët rreshtohen sërish për të bërë, pa dije, skenën e kurdisjes.

Të njëjtin parapërcaktim e kemi edhe në sistemin arsimor. Të kurdisura janë dhe kalimet e provimeve, dhe intervenimet për nota, dhe diplomimi i plotëve. Të parapërcaktuar e kurdisur janë dhe konkurset për mësimdhënës. U rezervohen, sërish, të paditurëve të partisë që kanë kaluar gjithë sistemin edukativ nëpërmjet kurdisjes së dijes së tyre – padijes thënë më mirë.

Këta të diplomuar e të punësuar në shëndetësi, për shkak të kurdisjes, marrin në qafë jetë të tëra. Sepse kanë zënë vendet e të diturve, të atyre që megjithatë kanë tharë sytë në mësimnxënje në vazhdimësi. Të shkretit, të dëshpëruar ose janë larguar nga Kosova ose mbijetojnë me profesione e përpjekje zi e më zi.

Për kurdisjen në sistemin gjyqësor – nga krimet e vogla e deri tek interpretimet Kushtetuese – as që do të flas. Aty perfeksionohet kurdisja e kapësve. Në të njëjtin nivel janë edhe kurdisjet e votave e rezultateve zgjedhore, të vendimeve parlamentare e bindjeve politike.

-3-

Pra ne kemi vendosur të jetojmë në një sistem alternativ, të parapërcaktuar, të kurdisur, ku përfitues janë kapësit dhe secili afër tyre. Gara në Kosovë më s’është për dije e vlerë, por për afërsi me kapësit; kush arrin më afër tyre pra. Në këmbim të benefiteve minimale, për punë e mirëqenie standarde, kapësit kërkojnë votë e vazhdim të kapjes.

Kapja natyrshëm prodhon institucione të dobëta. Institucionet e dobëta mundësojnë shfaqjen e kurdisjeve. Kurdisja prodhon injorantë, gangsterë e shfrytëzues të mundit të të tjerëve. Nga politika e deri tek futbolli e gjithçka në mes.

Por ky sistem s’mund të jetë i qëndrueshëm. S’mund të prodhojë mirëqenie afatgjate as për përfituesit e kapjes, e edhe më pak për përpjekësit që të zënë një vend nën kapësit. Sepse, në një ditë, kurdisja jonë do të shpërthejë. Do të shpërthejë ne arsimim me analfabetë që s’janë të përdorshëm për asgjë; në shëndetësi me përkujdesje që të vret; apo në gjyqësi që s’arrinë të prodhojë asnjë drejtësi.

E qëndrueshme është përpjekja për vlerë. Që të mirët, më të mirët, të marrin vendin për t’i dhënë e ndarë mirësinë e dijen e tyre tek të tjerët. Një sistem ku gajlen e vetme për gjetje të punës nuk e ke njohësinë, por aftësinë tënde – performancën në intervistë. Në një sistem ku gajlen e mësimit nuk e ke çmimin e notës, por kohën për lexim të librit. Në një sistem ku drejtësia s’të vjen sepse diku njihesh me prokurorin, por sepse je i drejtë. Me një sistem ku “me të njohshëm” s’vlen hiçgjë.



Friday 31 March 2017

VENDIMET E MËDHA, POLITIKAT E VOGLA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 MARS 2017

Mbi ushtrinë, demarkacionin e asociacionin


-1-

Do të duheshin pak ditë, një vizitë e a dy, për të kthyer propozimin e Presidentit prapa nga ku kishte nisë; në strofullin e dorëzimit e mosbërjes; siç rëndom ndodhë gjithnjë. Një përpjekje unilaterale për bërje të ushtrisë ishte parë gjithnjë nën dioptrinë e përvojës së deritanishme provokuese që Presidenti i sotshëm, në të shkuarën e tij, ka përdorur për politikë. Mjeshtër i prodhimit të temave të mëdha, të përcjella me politika të vogla nga ai; pa progres e ndryshim gjithnjë.

Gjithsesi, temat e mëdha mbesin. Dhe, ushtria, mbetet megjithatë temë e madhe – me ose pa tendencën e presidentit për ta bërë material për fletushkën zgjedhore të partisë së tij (“ish” parti nuk bën dallim). Si temë e madhe që është, ushtria kërkon edhe reagim të madh politik. Kjo madhësi reaguese mund të vijë vetëm me bërjen e zërit një të shumicës shqiptare në vend dhe, nga aty, shtrimin e kërkesës për qartësim kohor të durimit që Kosova duhet të ketë. Koha, në të vërtetë, ka qenë dhe kërkesa thelbësore e promovuesit e sponzorizuesit kryesor të mbrojtjes sonë – të Qeverisë Amerikane.

Të mos harrojmë, transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë platformë e deklaruar dhe shkruar gjatë sesionit dëgjues të Sekretarit të Mbrojtjes në SHBA, gjeneralit Mattis. Pra, thënë ndryshe, ka një politikë zyrtare amerikane, të mirëdeklaruar për domosdoshmërinë e transformimit. Mbi të gjitha, ka një presion në rritje në qëndrimet individuale bipartizane në senatin e kongresin amerikan për këtë transformim. Pra përfundimi është i vizatuar. E pa vizatuar mbetet megjithatë rruga që duhet arritur në këtë përfundim.

Kjo rrugë mund të vizatohet mirë, në Kosovë, po pat një lidership të mirë. Kosova, tek Presidenti partiak, këtë liderhsip s’mund ta gjejë. Sepse, siç dhe dëshmoj pikërisht ky trajtim i çështjes së ushtrisë, Presidenti në rastin më të mirë mund të bëjë vetëm një asist zgjedhor për partinë e tij.

Por vizatimi i mirë duhet të bëhet nga faktori politik shqiptar, mbështetur nga të tjerë apartiak, në dhënien e zërit si një. Kjo dhënie e zërit do të nisë domosdo një kundërofertë; një pako ofruese të sponzorëve tanë si përgjigje ndaj insistimit tonë të drejtë – që në fund përkon me deklarimin zyrtar amerikan. Kjo pako, madje pat dhe një emërtim që u shpërfaq në vizitën e fundit të zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan Yee; u quajt udhërrëfyes. Pra ka një rrugë e një rrëfim që duhet ndjekë, e që në thelb ka të bëjë me një periudhë kohore për bisedimin e bindjen e serbëve lokal. Pasja e kohës nënkupton dhe fundin e insistimit e kalimin eventual në alternativë – në ndryshime ligjore nëse bindja nuk ka sukses. Një marrëveshje e tillë mund t’i jap rrugë bërjes së ushtrisë brenda vitit 2017.

-2-

Ushtria është tema e parë e madhe në vend. E dyta, jo më pak e vogël, gjithsesi më e vjetër, mbetet ajo e liberalizimit. Këtë javë, sa për rikujtim, mbi 10 milionë Gjeorgjianë morën lëvizje të lirë nëpër Evropë. Fati i vizave tët tre ishte nisur në një pako me fatin tonë. Gjatë rrugës, politikanët tanë ishin ngërthyer keq në një temë caktimi kufiri.

Sot, Kosova duket shumë larg marrjes së vizave. Jo sepse ka pengesa shtesë nga evropianët, pro sepse janë të frikësuar deri në palcë për konsekuencat e tërheqjes nga pozitat të mirë themeluara tash e  dy vjet. Natyrisht se evropianët mbajnë hisen e tyre të fajësisë për trajtimin e padrejtë të kosovarëve me krijimin e kritereve si për asnjë vend tjetër rajonal. Por, në fund të ditës, po që se rregullat e shtëpisë duhet respektuar nga mysafirët, sado të padrejtë të njëjtat të jenë, neve, mysafirëve s’na mbetet tjetër alternativë.

Vazhdimi i përplasjes e mosvotimit rrezikon, natyrshëm, liberalizmin tonë jo për pak kohë; e rrezikon atë për shumë vjet. Mos të harrojmë, në vitin 2008 Maqedonia ishte në rrugë të mbarë anëtarësuese për në BE; veç një hap larg NATO-s. Atëherë, çështja e emrit dhe përplasja me Greqinë kishin nisur një betejë të brendshme që s’ishte zgjidhur asnjëherë. Sot kjo betejë duket krejt e pakuptimtë përballë kostos së krijuar që nga atëherë. Pritjet, sikurse tek ne, kishin qenë në dorëzimin e kërkesave evropiane. Ky dorëzim s’kshte ndodhë asnjëherë. Gati dhjetë vjet më pas, Maqedonia përveç se është shumë larg NATO-s e BE-së, është shumë afër diktaturës e autoritarizmit të plotë. Në një situatë të tillë mund të mbesim dhe ne. Rrokullisja nëpër shkallët e degradimit është vetëm një hap prapa nga ne.

Prandaj na duhet një lëvizje e shpejtë. Na duhet një përmbyllje e procesit përkundër dallimeve që mund t’i kemi sot nëpër parti.

Një marrëveshje gjithë palëshe shqiptare me vendin fqinj – Malin e Zi – do të mund t’i hapte dy rrugë për një zgjidhje, përfundimin e demarkimit. Rruga e parë, nëpërmjet marrëveshjes me  fqinjët për riverifikim të kufirit në bazë të komisioneve të përbashkëta vlerësuese. Rruga e dytë, ndërsa, me vazhdimin e kontestit dhe dërgimin e tij në arbitrazh. Në fund të ditës, Mali i Zi, tashmë vend gati anëtar i NATO-s, është ndër aleatët tanë më të afërt në rajon. Si i tillë, i njëjti, do të ishte i interesuar për më shumë stabilitet në vendet pro-perëndimore, siç është Kosova, për të amortizuar secilën përpjekje ruse e serbe për destabilizim.

-3-

Asociacioni do të jetë tema e tretë e madhe në vend. Presionet për formimin e tij, mesiguri si këmbim të lëvizjes së lirë e bërjes së ushtrisë, do të nisin në vazhdimësi. Kosova, për bazë, ka vetëm një interpretim kushtetues të asociacionit, që bën në parim të vdekur marrëveshjen mbi parimet të nënshkruar më 25 gusht. E bënë të vdekur sepse ky interpretim e heq asociacionin nga kompetencat ekzekutive, e largon nga karakteri i nivelit të mesëm qeverisës, dhe mbi të gjitha e mbanë si jokushtetues në karakterin e tij monoetnik.

Pra vendimi i kushtetueses është garancë e mjaftueshme – në teori – për hapin tjetër në vijim. E hapi tjetër në vijim do të ishte ndërtimi i një statuti në vijë me këtë interpretim.

Presione te kërkesat natyrisht se do të jenë të ndryshme. Në praktikë, për dallim nga teoria e garantuar nga kushtetuesja, klasa jonë politike mund të bëjë dhe lëshime të tjera përkundër interpretimit kushtetues. Në fakt, të njëjtit kishin bërë lëshim drastike, në 23 pika, të marrëveshjes së parë. Do ta bëjnë sërish për motive të mosdijes e këmbimit të pushtetit me kompromis.

Prandaj, edhe këtu, do të ishte e udhës formimi i një komisioni gjithë partiak, që do të hartonte strukturën e statutin e asociacionit; tipik me një statut të një trupi joekzektuiv e plotësisht kushtetues, siç kishte vendosur kjo kushtetuese. Më pas, ky statut, do të duhej të dërgohej për riverifikim në kushtetuese. Po të kishte pak vullnet politik pushteti, draftimin e këtij statutit, konform interpretimit të kushtetueses, do tua linte në dorë ekspertëve të zgjedhur nga opozita.

Përfundimi i këtij procesi, do t’i jepte fund trajtimit të temave të mëdha e të pazgjidhshme, që papërgjegjësia e klasës osnë politike në vazhdimësi u ka dhënë jetë. Fundi i këtyre temave do të bënte Kosovën me ushtri, qytetarët e saj me lëvizje të lirë, e pakicat kombëtare me një organizatë joqeveritare, siç dhe definohet në Kushtetutën e kësaj Republike. Do të ishim përfundimisht më të lirë.



Monday 27 March 2017

NJË TREGIM ALARMANT: PABARAZIA E GRUAS NË NUMRA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 MARS 2017

Ka mbi një dekadë që merrem me adresimin e numrave me interes publik. Si ekonomist, jam interesuar gjithnjë nga tregimi që numrat sjellin në vete. Siç e ndërtojnë më pas, këta numra vet, një fotografi të tërë të paternit shoqëror. Por, në llogaritjen e numrave, një grup i tyre, në veçanti, ka dhënë në vazhdimësi fotografi alarmante; fare të këndshme. Ai i gjendjes së gruas në punësim e aktivitet ekonomik.


-1-

Do të mjaftonte një vështrim i shpejtë e i thjeshtë mbi historikun e tranzicionit tonë ekonomik, këtë të 17 viteve të fundit, për të kuptuar se në thelbin e ecjes tonë qëndron pabarazia. Pra në parime të pabarazisë trajtuese është e ndërtuar kjo shoqëri e jona.

Sepse, kur shikon nga puna e tatimeve kupton pabarazinë në pagesën e tyre. Kur shikon çështjen e dënimeve, kupton pabarazinë në shqiptimin e tyre. Kur shikon paranë publike kupton pabarazinë në shpërndarjen e tyre. Kur shikon punësimin publik, kupton pabarazinë në pranimin e individëve. Lista e pabarazisë trajtuese të qytetarëve kosovarë është e gjatë.

Por, në gjithë mozaikun pabarazues, ka një të tillë që dallohet e veçohet më shumë. Kjo pabarazi kalon përtej tatimeve, dënimeve, parasë e punësimit publik. Është uniforme për një grup të tërë, shpërndarë tek të gjithë. Është e qartë, shumë e qartë, se pabarazia më e madhe e krijuar dhe mirëmbajtur në vend vazhdimisht, ka karakter gjinor. Është pabarazia ndaj gruas.

Nëse ka një pabarazi në trajtimin e tatimeve, do të ketë një shtesë në trajtimin gjinor brenda trajtimit të tatimeve. Nëse ka një pabarazi në shpërndarjen e parasë publike, do të ketë një veçim shtesë për gratë brenda trajtimit shpërndarës të parasë. Nëse ka një pabarazi në punësim për të gjithë, do të ketë një shtresë tjetër më shumë për gratë në veçanti.

-2-

Ka mbi një dekadë e gjysmë që merrem me adresimin e numrave me interes publik. Si ekonomist, jam interesuar gjithnjë nga tregimi që numrat sjellin në vete. Siç e ndërtojnë më pas, këta numra vet, një fotografi të tërë të paternit shoqëror. Por, në llogaritjen e numrave, një grup i tyre, në veçanti, ka dhënë në vazhdimësi fotografi alarmante; fare të këndshme. Ai i gjendjes së gruas në punësim e aktivitet ekonomik.

Sot, në Kosovë, plot 81% e grave të moshës së punës janë joaktive. S’marirn pra pjesë aktivisht në treg të punës hiç. Thënë ndryshe, rrinë në shtëpi. 474 mijë gra kosovare të moshës së punës rrinë në shtëpi. Për ta përkthyer këtë përbërje në një udhëtim autobusi, nga të gjithë rreshtat e tij, vetëm udhëtaret në ulëset e rendit të parë do të ishin aktiv. Gjithë të tjerat do të ishin jo aktiv. Po të kishte qenë ky autobus i mbushur me burra, ndërsa, dy të tretat e tij do të ishin aktiv. Vetëm 39% e meshkujve, për dallim nga 81% i grave janë joaktiv.

Joaktiviteti kaq i lartë i grave në moshë punë është alarmant për Kosovën. E vë vendin tonë në pozitë shumë më të rëndë krahasuar me rajonin. Në rajon, në Serbi, Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, vetëm 52% të grave janë joaktive. Pra, gati sa gjysma e vendit tonë. Kosova vendoset shumë më keq krahasuar me gjithë Evropën. Madje, vendoset keq po u krahasua edhe me gjithë Amerikën Latine, gjithë Afrikën e pjesën më të madhe të Azisë.

Për ta thënë më thjeshtë, janë vetëm 5 vende të tjera në botë që kanë kaq shumë gra joaktive sa Kosova; 4 prej të cilave janë në gjendje lufte. Siria, Iraku, Palestina e Afganistani kanë normë joaktiviteti të gruas prej 85%; vetëm 3 pikë më shumë se ne. Gjendja e Kosovës, në këtë fushë, është e barabartë me gjendje lufte.

Arsyeja prapa një joaktiviteti të tillë? 59% e grave që janë joaktive konsiderojnë se janë punët e shtëpisë e përkujdesit ndaj familjes që kanë parandaluar aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave të “Riinvestit”, një grua e punësuar, në mesatare, kalon nga 3 deri në 4 orë të tjera shtesë në “punë të shtëpisë”. Praktikisht, kalon dhe një gjysmë orari shtesë pune në shtëpi. Për gratë jo aktive, puna në shtëpi është “punë me orarë të plotë”.

Kërkesat shtëpiake janë një arsye. Pasiguria eventuale në punë – punë që këto gra se kanë kurrë – përbën arsyen e dytë. Të dekurajuara skajshmërish; rrjedhimisht jo aktive. Për pjesën e dekurajimit do të flas më vonë.

-3-

Joaktiviteti alarmant përbën një problem. Shqetësues, i rëndë, i papranueshëm. Por, aq shqetësues, aq i rëndë mbetet dhe raporti i punësimit përbrenda atyre grave që megjithatë, përkundër gjithë pengesave shoqërore, kulturore e historike, kapërcejnë barrierën e joaktivitetit.

Nga ato 19% gra që janë aktive, pak më shumë se gjysma punojnë. Një e treta e tyre mbesin të papuna. Pra, përkthyer në numër të gjithmbarshëm të grave në Kosovë, vetëm 12% e gjithë grave në moshë pune, punojnë në Kosovë. Në shembullin tonë të autobusit, vetëm dy ulëset e para punojnë.

Por një proporcion i tillë s’vlenë për burra. Burrat, që janë në numër përafërsisht të njëjtë sa gratë, përveç se janë më aktiv janë edhe më të punësuar. Në numra të gjithmbarshëm, plot 46% e burrave janë të punësuar. Katërfish më shumë se gratë. Një vend pune për gruan, katër vende pune për burrat. Një raport si ky tregon mjaft për këtë shoqëri tonën. Për atë se ku është, dhe mbi të gjitha se çfarë humbë nga humbja e gjysmës së popullsisë së saj.

-4-

Pabarazia ndaj gruas nuk përfundon me kaq. Ato 12% të grave të moshës së punës që punojnë, rreth 76 mijë sosh, kanë kontrata më të rënda, më afatshkurta, më pak kompenzuese e shumëherë më të pasigurta. Për punën e njëjtë, për vendin e njëjtë të punës, për angazhimin e njëjtë, një grua paguhet më pak se një burrë. Sot, përderisa një burrë i merr 1 euro, për të njëjtin vend, po pat fat të zë të njëjtin vend natyrisht, një grua i merr 93 cent. Mbi 70% e grave të anketuara në Kosovë tregojnë se, përkundër nivelit të njëjtë të edukimit e kualifikimit, ato paguhen më pak se sa partnerët e tyre.

Një shqetësim tjetër, në rritje madje, është përhapja e kontratave afatshkurta – në veçanti për gra. Vetëm 7% e grave të punësuara në Kosovë – në sektorin privat – kanë kontratë më të gjatë se një vjeçare. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 90%, që kanë një kontratë pune, kanë afat më të ulët se 10 mujor të vlefshmërisë. Kontratat e tilla, nën 1 vjeçare, ndërtohen për t’iu shmangur qëllimisht kontributeve eventuale që ndërlidhen me ligjin e punës dhe pushimin e lindjes. Përkujdesi për fëmijë sot vlen vetëm për gra. Prandaj, 80% e grave të punësuara në sektorin privat janë të brengosura se mund të humbasin vendin e tyre të punës në vitin në vijim.

Dhe është pikërisht kjo pasiguri, kjo pabarazi, që bën një përpjekje për aktivitet të gruas tërësisht joatraktiv.

Për paradoksin më të madh, kjo pasiguri është ushqyer në vazhdimësi nga ligji i punës, në veçanti nga ligji mbi pushimin e lindjes. Shteti i Kosovës, nisur nga një qëllim krejt i mirë, nuk ka hesapuar fare dy elemente të rëndësishme që rëndom ndërlidhen me implementimin e ligjit. I pari, me koston që i njëjti implikon në sektorin privat. I dyti, me paaftësinë e shtetit për të mbikëqyrur implementimin e tij. Së këndejmi, një ligj i tillë, që funksionon në mënyrë perfekte në sektorin publik, është i paimplementueshëm në tërësi në sektorin privat.

-5-

Mos të harrojmë, pjesa më e madhe e grave, dhe burrave pa dallim, janë të punësuar në sektor privat, jo publik. Dhe në sektorin privat, të pambikëqyrur në tërësi, fillon trajtimi i pabarazisë së gruas – ndaj vet gruas – këtë herë të asaj të punësuar në sektorin publik.

Pra, në secilin tregues e matës, ka dallim enorm në mes të dy grave të punësuar anë dy sektorë të ndryshëm; privat kundrejt atij publik.

Për shembull, ndër të tjerash, sipas të dhënave të anketës së Riinvestit me gra të punësuara në Kosovë, një grua në sektorin privat punon mesatarisht 6 ditë në javë; ndërsa një grua në sektorin publik punon 5 ditë në javë. Pra, një grua e punësuar në sektorin privat punon 20% më shumë se sa një grua në sektorin publik. Përkundrazi, kompensimi i saj është konsiderueshëm më i ulët se sa puna për publiken. Sërish, sipas te dhënave të konfirmuara, një grua në sektorin privat paguhet 30% më pak se sa një grua në sektorin publik.

Apo, në rastin tjetër, rreth 17% e grave të punësuara në sektorin publik punojnë më shumë se 10 orë në ditë; por plot 31%, pra dyfish më shumë, të grave në sektorin privat punojnë më shumë se 10 orë në ditë. Për më tepër, ky angazhim mbi normë s’paguhet asnjëherë në sektorin privat. Në atë publik mbajnë dhe mëditje.

Plot 45% e grave të punësuara në sektorin privat punojnë gjatë festave zyrtare. Gratë e punësuara në sektorin publik shfrytëzojnë jo vetëm pushim vjetor e festat zyrtare, por shfrytëzojnë dhe pushimin “shëndetësor”, secilën ditë madje të tij. Pushimi shëndetësor në sektor privat është i papagesë.

-6-

Joaktiviteti i gruas, punësimi i ulët i saj, trajtimi i pabarabartë në mes të burrave e grave në pagesë e kompensim, si dhe, mbi të gjitha, pabarazia trajtuese në mes të gruas në sektorin publik e asaj në sektorin privat, janë indikatorë të qartë, gjithsesi të trishtë, mbi ngecjen shoqërore tonën. Vendi ynë nuk arrin të trajtojë gjysmën e qytetarëve njëjtë. Dhe përderisa s’trajtojmë gjysmën tonë njëjtë, humbim gjysmën e potencialit ekonomik, ndërmarrës e të punës. Jemi gjithmonë gjysmë potenciali prapa.

Ka disa faktorë të rëndësishëm, dhe të domosdoshëm, që kjo shoqëri duhet ndërmarrë në vijimësi, për të kthyer atë “gjendjen tonë të luftës”, të krahasimit me vende në gjendje lufte pra, në një normalitet. Natyrisht, shumica e tyre kanë të bëjnë me modernizimin e familjeve kosovare dhe largimin e gruas nga mbajtja zënë me orar të plotë e gjysmë orari shtesë të punës, në shtëpi. Mesiguri sistemi më i avancuar edukativ, hapja e çerdheve e qendrave të përkujdesjeve për fëmijë, sidomos nëpër zonat rurale, do të riaktivizojë gruan përsëri.

Por mbi të gjitha, ka një masë që është e pazëvendësueshme, e ajo ka të bëjë me bërjen atraktive të vendit të punës për gruan. Ky atraktivitet nuk mund të ndërtohet me 6 ditë pune në javë, as me mbi 10 orë pune në ditë, hiq se hiq me pagesë më të ulët e në fund dhe me kontratë të pasigurtë që ndërlidhet me gjendjen e lindjes. Ky atraktivitet, ka të bëjë, madje, me bërjen e mu të kundërtës.

Së pari, me ndryshimin e ligjit të punës, në veçanti me futjen e pushimit prindëror në Kosovë. Pushimi prindëror do të nënkuptonte nisjen e përkujdesit atëror ndaj fëmijës – thënë ndryshe, marrjen e pushimit të lindjes dhe nga etërit, jo vetëm nga nënat. Mbi 95% e nënave besojnë se pushimi prindëror duhet të ndahet në mes të dy prindërve. Po aq nëna besojnë se të dy prindërit mund të kryejnë njëjtë punën e përkujdesit fëmijëror.

Kam dëgjuar në vazhdimësi se Kosova s’është Skandinavi. Por Kosova s’mund të jetë as Siri, as Palestinë e as Irak e Afganistan. Dhe nëse na duhen masa radikale për ndryshim të normave shoqërore, atëherë pse mos ti marrim masat e tilla menjëherë. Ndarja e pushimit në mes të prindërve do ta bëjë ndarjen e kostos në punësimi gjinor. Pra, për sektorin punësues privat, eventualisht do të bëhet e njëjte marrja në punë të një burri e të një gruaje.

Së dyti, jo më pak e rëndësishme, Kosova duhet t’i rrisë kapacitetet vëzhguese të implememtnimit të ligjit të punës. Sado që të duket klishe, me nivelin e tanishëm të inspektimeve, secila kontratë e secili ligj, ka gjasa zero të implementohet. Implementimi i kontratave e ligjeve mund të rrisë koston e biznese; rritje e cila më pas do të reflektohet dhe në çmime të tyre; çmime të cilat më pas do t’i paguajnë të gjithë qytetarët në vend. Por, një avancim i gruas në shoqëri është çmim që duhet paguar të gjithë. Përndryshe do të mbesim naiv po besuam se rimëkëmbja jonë mund të ndodhë me një gjendje të gruas si kjo.