Sunday 30 April 2017

RIGJENERIMI I KAPJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 PRILL 2017

Tre herë për tre ditë, Presidenca e Kosovës lëshon fletërrufe kundrejt Bashkimit Evropian. E quan organizëm monoton, pa lidership e vizion. Me këso qëndrimi ndaj BE-së, Hashim Thaçi zë vend meritor në kampin e Putin, Le Pen e Erdogan.


-1-

Në shkurt të këtij viti, në një shkrim parashikues mbi muajt në vijim, e të titulluar “A janë zgjedhjet afër?”, kisha shkruar mbi skenarin që do të shpinte, siç besoja atëherë, në zgjedhje të parakohshme, diku në muajin maj të vitit 2017. Pjesë të skenarit, si arsyetim, kisha përfshirë – pritshëm – çështjen e demarkacionin.

Dy muaj më pas, data e zgjedhjeve të reja është veçse e thënë; maj ose qershor. Arsyeja? Demarkacioni. Ndonëse motivet për shkuarje në zgjedhje të parakohshme mund të jenë të shumta (kryesoret veçse i kisha përmbledhur në shkrimin e dy muajve më parë), një, veç, është shkas i përdorur publikisht. Mungesa e mbështetjes për demarkacionin.

Mungesa e mbështetjes pra është evidente; e padiskutueshme më. Votat s’janë. Për shkak të kësaj mungese, LDK refuzon ta procedojë demarkacionin në Kuvend; procedimi është fund i qeverisjes së saj. Për shkak të kësaj mungese, PDK kërkon të procedohet sa më parë propozimi në Kuvend – procedimi është nisje e garës për qeverisje nga ta.

Dhe në këtë vijë ngecjeje, ishte shtruar dhe vizita e kryeministrit në Bruksel. Në një mision të pamundur, LDK kishte provuar argumentimin e fundit; atë të një liberalizmi të kushtëzuar për dy vjet. Misioni i pamundur kërkonte bindjen e të gjitha vendeve anëtare në BE. Por, në këtë fazë e në këtë kapacitet, Kosova as s’ka mekanizmat e as kanale për bindje të shpejtë. Kosova s’mund në pak kohë t’i bindë të gjithë anëtarët në një mendje – mendje që kërkon në thelb lëshim pe. Rrjedhimisht, përgjigja ishte negative. Demarkacioni duhej të procedohej sa më shpejtë.

-2-

Në Kosovë, ndërsa, kishte nisur fushata hapur. PDK kishte nisur paraqitjet në të gjitha mediat; flisnin në një gjuhë të njëjtë. E thonin se kjo qeveri nuk është në gjendje të marrë vendime të mëdha; rrjedhimisht nuk ka arsye të jetë më.           

LDK, në gjuhë po aq të njëjtë, herë luste PDK-në për vazhdim të martesës herë mohonte, siç mohon nga befasia dikush realitetin që i vjen pa pritë – divorcin me PDK. Nuk di çka është me tragjik-komike në këtë vend. Arsyetimi i bashkimit të LDK-së me PDK-në që bëhet shpeshherë (herë për çështje madhore, herë për sakrificë e herë si gjoja dëgjim i komunitetit ndërkombëtar), apo lutja që sot LDK i bën PDK-së për vazhdim të bashkëqeverisjes. Kjo e fundit kalon secilin nivel integriteti që një parti, po qe e madhe, duhet domosdo ta ketë.

Në këtë lutje madje, të njëjtit përmendin dhe prishjen e marrëveshjes për President; pa e kuptuar se për President, për shkak të tyre, do të kemi për pesë vjet pikërisht njeriun që mbanë vulën e fajit të ngecjes për gjithë këto vjet. Ky fund, pikërisht, është produkti i bashkimit me PDK-në. Kështu ndodhë gjithmonë. PDK ka konsumuar secilin partner. Ka përdorur secilin për të shtyrë agjendat e veta të kapjes nëpër kohë; dhe në fund u ka dhënë një rrënim nga i cili partnerët s’janë rikuperuar asnjëherë. Naiv, ose lakmitarë të mëdhenj, janë ata që s’kanë parë këtë skenarë që nga fillimi i tij.

Në kthim të konsumimit, PDK po merr jo vetëm postin e Presidentit, por edhe atë të Kryeministrit. PDK, si asnjëherë, do të mbajë të dy pozitat kyçe në vend; në kohën më të vështirë të mundshme për vendin tonë. Kryeministri i ri ndërsa, siç proklamohet vet, ka filluar një fushatë me moton e “Fillimit të Ri”. E nuk di çfarë mund të jetë më ironike se sa titullimi i vazhdimit të PDK-së e SHIK si një fillim i ri.

Kjo fushatë, në një tur dëgjimi, natyrisht paguhet nga paratë e taksapaguesve kosovar – nga mjetet e Kuvendit. Në këtë fushatë, e në këtë fillim të ri, shfaqet shpesh cektësia e lidershipit të ri. Perlat si “papunësia mund të zvogëlohet veç me punësim” të japin figurën e një studenti mesatar që shpejtë mund të jetë bartës i gjithë vendit tonë.

-3-

Në një skenë tjetër, jo të largët ndërsa, ndodhte përplasja e hapur e Presidentit me BE-në. Këtë javë, tre herë për tre ditë, Presidenca e Kosovës kishte lëshuar fletërrufe kundrejt Bashkimit Evropian. E quante organizëm monoton, pa lidership e vizion. Me këso qëndrimi ndaj BE-së, Hashim Thaçi zë vend meritor në kampin e Putin, Le Pen e Erdogan.

Por Thaçi ka një hall të madh. Dhe ky hall po rritet sa më afër që vjen Gjykata Speciale. Sepse veç një njeri në hall të madh e akuzon Evropën për fantazi rreth bashkimit, ani pse vet e përmend bashkimin si kërcënim një ditë më parë. I pasigurt e me mendim të dy-trefishtë, ai vazhdon të kundërshtojë veten në secilin qëndrim të tij.

BE mund të mbahet përgjegjëse për shumëçka, në rend të parë për mostrajtim të barabartë të kosovarëve me rajon sa i përket lëvizjes së lirë. Por ama, BE nuk i ka faj Kosovës pse ndërmarrje multimilionëshe falimentohen nga militantë të partisë së tij. As për procese të kurdisura në tenderomani. BE nuk i ka faj pse 9 kryetarë komunash të zgjedhur nga ai janë në ndjekje penale. BE nuk i ka faj pse universitetet i ka mbushur me analfabetë, mediat me servilë, policinë me hajna, gjyqësinë me aso që s'kanë "kUnkuru" hiç, spitalet me lindje nëpër pllaka, e diplomatët me akraba bashkëpartiakësh. BE nuk i ka faj pse ai i lë 60% e të rinjve të papunë; 170 mijë kosovarë në varfëri, e çdo të dytin me ide për migrim. BE nuk e ka kapur Kosovën. Kosova është kapur, rrëzuar e dërmuar nga ai me miqtë e tij – nga aso në parti dhe të tjerë që pa takt i dhanë përkrahje për në Presidencë.

Në këtë kryengritje të tij, Thaçi po kërkon kaos e më shumë izolim. Sepse veç në kaos e izolim një kapës me shokë si ky – mund të mbijetojnë. Ai tashmë është i mbyllur. S'e takon e pret askush. Vizitat e fundit të tij janë nëpër kafenetë e Prishtinës apo nëpër oda “be bërëse” me 124 pleq. Me fatin e vet, do ta lidhë dhe atë të Kosovës. Kalimi nga dëgjues pa ide në kritikues pa tak, sjellë mu këtë kaos për te. 

Kosova ka nevojë për politikanë që i hapin dyert e Perëndimit; jo për të atillë që i mbyllë ato. Fatkeqësisht, mbyllësit e dyerve, për shkak të një skene të përçarë politike, janë më afër se kurrë të vazhdojnë për gjatë mbajtjen e secilit kontroll në vend.

Monday 24 April 2017

MBI RRITJEN EKONOMIKE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 PRILL 2017

Një vështrim mbi trendet ekonomike të viteve të fundit dhe rrugën që duhet ndjekur para.


-1-

“Kosova me rritjen më të madhe ekonomike në rajon” është thënia më e përdorur ekonomike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej. Nuk ndryshon as në këtë qeveri. Në të vërtetë, argumenti i vetëm ekonomik është ky: ne paskemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe me këtë, viola, ekonomia jonë është në mbarësi. Këtë argumentim, si papagaj, s’pritojnë ta përdorin gjithësecili – morën vesh, s’morën vesh gjë prej ekonomie.

Të njëjtën deklaratë, të njëjtin qëndrim, e kishin dhe dy qeveritë paraprake të pas-pavarësisë. Ç’është e vërteta, Kosovën rritjen më të madhe ekonomike në rajon e kishte edhe në Qeverinë Thaçi I, edhe në atë II. Kjo rritje “më e madhe”, ishte shndërruar edhe atëherë si platformë e garancisë për mirëqenie, ani pse e njëjta garanci shpërthej me ikje masive nga vendi për shkak të skamjes e papunësisë.

Do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë në platformën e të dhënave të Bankës Botërore (në DataBank), për të krahasuar rritjen ekonomike nëpër vendet e rajonit – dhe me këtë, edhe kuptuar se rritja jonë ekonomike ka qenë pothuajse gjithherë më e larta në Ballkan. Në vitin 2009, 2011, 2012, 2013, 2015 e 2016 ne kishim rritjen më të lartë ekonomike në krahasim me Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën, Malin e Zi  e Shqipërinë. Pra, në 9 vitet e fundit, Kosova kishte rritjen më të lartë ekonomike në 6 vite. Gjatë 2 viteve të tjera ishte në vendin e dytë; një herë në të tretin.

Pra, Kosova, është kampion i pa konkurrencë sa i përket rritjes ekonomike vjetore në krahasim me rajon; dhe ky fakt, sivjet, s’bën ndonjë risi. Ka qenë gjithherë që nga viti 2009 e këndej. Por, sërish, siç ka qenë në vitin 2009, e 2011, e 12 e 13, e 15 e 16 e edhe sot, ekonomia e Kosovës është më e varfëra, me më së shumti papunësi e më së paku investime të jashtme. Pra rritja më e madhe në rajon, nuk reflekton domosdo shpërthim.

Kjo, për dy arsye. E para, sepse Kosova ka bazën më të ulët ekonomike në rajon, rrjedhimisht çdo rritje me veten nuk është ku me ditë çfarë arritje. E dyta, sepse, për të arritur standardet e ekonomive rajonale, për të adresuar problemet e papunësisë e varfërisë, Kosovës i duhet dyfishi i rritjes së tanishme; normë që s’arrijmë ta shënojmë asnjëherë.

-2-

Promovuesit e zhvillimit ekonomik, po që se duan argumente, mund të shikojnë tek krahasimet me ecjet paraprake. Pra të bëjnë krahasime me qeveritë e mëparshme. Kështu, sërish sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, gjatë “Qeverisë Thaçi I”, rritja ekonomike, në mesatare, ka qenë 3.1%. Gjatë “Qeverisë Thaçi II”, rritja ekonomike ka qenë, në mesatare, rreth 3.6%. Në “Qeverinë Mustafa”, rritja ekonomike, në mesatare është 3.9%. Pra ka, në mesatare, rritje ekonomike pak më të lartë se sa dy mandatet paraprake. Ky argumentim mund edhe të kishte kuptim – po të ketë kush të bëjë argumentime të tilla gjithsesi.

Por sërish, edhe rritja prej 4% është e pamjaftueshme. Është pra sa gjysma e të domosdoshmes sonë. E normës që jep garancë për vende të reja të punës, për investime private e mirëqenie sociale.

Natyrisht, për të qenë korrekt, e dëshirueshmja është një gjë, e mundshmja është tjetër. Ndjekja e ritmit prej 8% është punë larg nga e lehta. Dhe, mbi të gjitha, është e papritshme që brenda një mandati qeverisës të arrihej një mesatare e tillë. Por është shumë e pritshme që të ndërtohej një bazë për një rritje të tillë. Pra të ketë politika që garantojnë rritje të parvjetshme. Pra 4% në vitin e parë, 5% në të dytin, 6% në të tretin e ndoshta, me punë shumë 7-8% në të fundin.

Parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fatkeqësisht, nuk japin ndonjë trend të tillë. Në të vërtetë, sipas FMN-së, rritja ekonomike në Kosovë përgjatë tri viteve të ardhshme pritet të rrumbullakohet rreth 3.8, 3.9 e 4%. Pra do të ketë një ritëm të njëjtë. Dhe ritmi i njëjtë, siç kam thënë gjithherë, nënkupton se Kosovës i duhen 32 vite kështu, për të arritur hiç më shumë se Kroacinë.

-3-

Prandaj na duhet ndryshim në parashikim. Që e ardhmja të mos rrumbullakohet rreth 4% siç është tani, por në numra shumë më premtues. Dhe arritja e këtyre numrave premtues mund të bëhet me nisjen e menjëhershme të projekteve të mëdha kapitale në vend. Pra, me nisjen e ndërtimit të termocentralit të ri, “Kosova C”; me rinisjen e investimeve në “Brezovicë”; me strukturimin e shitjen e PTK-së; e me shumë mend e pak fat (fat për shkak të trendëve në bursë) dhe nisjen e revitalizimit të “Trepçës”. Nisja e menjëhershme e projekteve si këto, natyrisht se do të transformonte peizazhin ekonomik të vendit tonë.

Projekte te mëdha, natyrisht, s’japin bazë të përhershme. Ato janë të ngadalshme, marrin kohë, dhe mbi të gjitha nuk nisin zbutjen e punësimit në terma kohorë që kanë rëndësi për këtë gjeneratë. Për këtë, ne duhet drejtuar në sektorë të bizneseve të mesme e të vogla, të degëve që po arrijnë të punësojnë shpejtë e të eksportojnë mirë. Sot, degë të tilla janë të natyrës së teknologjisë informative. Kosova është bërë vend i rëndësishëm i “onshore” kontratave; nisë nga dizajnimet e thjeshta të ueb faqeve, tek qendrat e thirrjeve telefonike e deri tek programimet e komplikuara të të rinjve e të rejave kosovare.

Industri të tjera në fushën e bujqësisë, të degëve shumë të ngushta – jo domosdo grurë e misër e bukë siç janë mësuar tradicionalët – që na japin përparësi krahasuese fillimisht me rajon e më tutje edhe Evropë Juglindore, mund të bëjnë një bazë të shëndoshë të gjithëpërfshirjes rajonale në vend. Për këtë, natyrisht se duhet arritur standardet e kualitetit, sanitarisë e certifikimit – diçka ende e largët për ne.

Këto, e industri të tjera plot, që natyrshëm mund të marrin hov, kanë një asistencë të mirë në kohë të sotshme, koston e kapitalit. Për secilin që përcjellë trendet e normave të interesit, është fare lehtë e kuptueshme se ato, në një lëvizje krejt të shpejtë nga viti 2014 e këndej, janë përafruar me normat rajonale. Pra, kostoja e kapitalit është shumë e favorshme sot se sa që ishte vite më parë – dhe kjo duhet shfrytëzuar sa më parë. Jo për konsum, as për pushime deti, e edhe më pak për investime në apartamane e kapital të vdekur, por për krijim – për biznes e vlerë të shtuar.

Mbi të gjitha, Kosovës i duhet ndërhyrje në anën e ofertës së fuqisë punëtore. Aty ku arsimimi në vend të aftësimit është dominues. Ndonëse efektet e një transformimi të tillë janë të largëta e të ngadalta, i njëjti mbetet i pazëvendësueshëm – aftësimi s’është më nevojë por domosdoshmëri.

Politika si këto, bashkë me forcimin e institucioneve, heqjen e korrupsionit, drejtimin e gjykatave e ç’rrnjosjen e plotë të pabarazisë trajtuese në Kosovë, mund të japin bazën për të cilin kemi kaq nevojë. Mund të japin atë rritjen ekonomike prej 7-8% në vit; që përshpejton gjithë rrugëtimin tonë rrënjësisht.

Monday 17 April 2017

UNIONI NEOJUGOSLLAV – NJË IDE E RREZIKSHME E BEOGRADIT DHE TIRANËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 PRILL 2017

Ka disa probleme me një propozim të tillë. I pari dhe më i rëndësishmi, ndërlidhet me motivin e Serbisë në një organizim të ri. Ky motiv ka dy ngjyrime. Së pari, atë të dominancës ekonomike dhe politike në Ballkan; dhe, së dyti, të mbajtjes së status-quos në relacionet me BE-në dhe Rusinë.


-1-

Javë më parë, në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, u lansua ideja e bashkimit doganor dhe ekonomik të vendeve të mbetura pa anëtarësim në BE. Siç dhe ndodhë tashmë rëndom ku flitet për iniciativa të paparashikueshme e natyrisht koti, në ballë të kësaj nisme ishte kryeministri serb (tash Presidenti) Vuqiq dhe, kush tjetër përveç se homologut të tij nga Tirana, Rama.

Të dy, bashkë, unionin e ri e ballkanas po e promovonin si forcë pajtuese shqiptaro-serbe. Po i jepnin ngjyrimin e zakonshëm të pajtimit franko-gjerman; Vuqiq si kryegjerman, Rama si kryefrancez. Me t’u kthyer në Beograd, i pari i Serbisë e kishte shpallur idenë e tij si neo-Jugosllavi, diçka e këndshme për nostalgjikët e dominimit Ballkanas në Serbi. Neojugosllavia ishte pa Slloveni e Kroaci, por kishte tash Shqipërinë në të.

Rama ndërsa, si bashkëiniciator e si përfaqësues i vetëshpallur i shqiptarëve në Ballkan, nuk kishte pyetur askënd – asnjë shqiptarë. As ata në Shqipëri, as udhëheqësit shtetëror në Kosovë, as shqiptarë te tjerë në rajon. Nga një propozim i tillë ishin zënë në befasi zyrtarët kosovarë.

Kryeministri i Kosovës kishte hedhur poshtë menjëherë propozimin duke e cilësuar si eksperiment pa perspektivë, jo evropian e rikujtues i një përvoje të keqe të Kosovës me Jugosllavi. Ministri i Jashtëm, njëtrajtësisht, e kishte etiketuar idenë si të rrezikshme dhe me ngjyrime serbomadhe.

Propozimi i tandemit Rama-Vuqiq vinte si pamflet i hyrjes në qejf tek vendimmarrësit evropianë. Të shitjes së tyre si liderë të vetëm të Ballkanit; të gjithkujt tjetër si pengues të afrimit. Ky propozim ishte pritur me interes nga disa politikanë nga Brukseli; me aq zell sa që kishin vendosur ta merrnin për trajtim në takimin e 12 korrikut të Triestes. Në fund të ditës, për përfaqësuesit e BE-së, çështja e Ballkanit do të mbetet e pandyrshuar për 7 deri në 10 vitet e ardhshme, Çfarëdo modeli tjetër që shpenzon këtë kohë në Ballkan, është më se i mirëseardhur.

Flirtimi i Ramës e Shqipërisë me Serbinë, sërish e për të satën herë, po i sillnin një tjetër dëm Kosovës. Shpërfaqjen e saj, pa pikë nevoje, si forcë bllokuese në Ballkan.

-2-

Unioni doganor e ekonomik në Ballkan, parashihte heqjen e të gjithë kufijve doganorë ne Ballkanin Perëndimor, heqjen e të gjitha tarifave të ndërmjetme në mes shteteve anëtare, si dhe mbledhjen, në një vend të të gjitha të hyrave doganore. Pra, për nga politikat tregtare dhe doganore, Ballkani do të funksiononte si një shtet. Çka do që lëvizë në mes të vendeve anëtare kalon pa doganë e pa kufij; çka do që vjen nga jashtë mblidhet në një vend. Një mini replikim i unionit evropian doganor; natyrisht, pa Evropë e me plot Serbi në të.

Ka disa probleme me një propozim të tillë. I pari dhe më i rëndësishmi, ndërlidhet me motivin e Serbisë në një organizim të ri. Ky motiv ka dy ngjyrime. Së pari, atë të dominancës ekonomike dhe politike në Ballkan; dhe, së dyti, të mbajtjes së status-quos në relacionet me BE-në dhe Rusinë.

Në çështjen e dominancës, Serbia llogaritë në aleancën e Bosnjës dhe satelitit të saj në Republika Srpska; përfshirë dhe lidhjen tradicionale me Maqedoninë. Përveç kësaj, Serbia është forca më e madhe ekonomike e ushtarake në rajon. Kjo, në vete, do ta bënte Beogradin sërish kryeqendër të Ballkanit; prandaj dhe nostalgjia për kthim në model neojugosllav. Serbia prodhon, krijon e ushtron fuqi shumë herë më të madhe se të gjitha vendet e tjera bashkë. Çfarë shqiptarët kontribuojnë në këtë drejtim është krejt minore.

Në çështjen e neutralitetit, Serbia nuk ka asnjë motiv të ndryshojë flirtimin e dyfishëm me Evropë e Rusi. Në të vërtetë, mu ky flritim i ka ringjallur të njëjtit në forcë konsideruese këndej. Duke kërcënuar Evropën me afrim me Rusi, e duke e kërcënuar Rusin me afrim me Evropën, Vuqiq arrin të marrë herë hapa integrues në BE, here aeroplanë ushtarakë MIG. Në vijë të këtij dualizmi, Serbia dëshiron të mbajë dhe lëvizjet në Ballkan të stagnuara. Përparimi i Malit të Zi për në NATO, e eventualisht konsolidimi i Kosovës në shtetëzim prishë forcën serbe në Ballkan. Mbi të gjitha, një periudhë dhjetëvjeçarje e marrjes me projekte koti, sikurse ky union ekonomik e doganor, është dhuratë e çmuar në agjendën destabilizuese serbe e ruse për regjion.

Problemi i dytë me propozim ndërlidhet me përfitimet që shqiptarët marrin nga një bashkim i tillë. Në drejtimin ekonomik, bizneset tona janë shumë të vogla, shumë më pak konkurruese e shumë më fragjile ndaj çfarëdo hapje jo-evropiane. Mos të ngatërrohemi. Hapja evropaine, sikurse kjo e MSA-së, përcillet me paketa ndihmuese, me programe stimujsh ekonomik e financiarë, dhe mbi të gjitha me influencë të garantuar Perëndimore; elemente të cilat i bëjnë shqiptarët, në veçanti shtetin e Kosovës shumë më të sigurt e më atraktiv.

Problemi i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ndërlidhet pikërisht me ndërprerjen e agjendës evropiane për ne; qoftë edhe ajo për një kohë të shkurtër. Mos të harrojmë, në këtë fazë Kosova ka nevojë për sa më shumë definim kufijsh, për sa më shumë relacione shtetërore, e sa më pak ndikim serb.  Çdo projekt që s’ka këtë agjendë e s’ka këtë ngjyrim, është krejtësisht i padobishëm. Së këndejmi dhe refuzimi jonë.

-3-

Në këtë fazë, Kosova ka dy rrugë përpara. E para, që të bindë shpejtë aleatët e saj në rajon, nisur nga Tirana. Tiranës duhet shpjeguar hilen e një neojugosllavizmi në Ballkan, hile që politikëbërësit e atjeshëm duket se nuk e kuptojnë. Ose, nëse e kuptojnë, janë të gatshëm ta tregtojnë me interesa të promovimit vetanak. E dyta, Kosova duhet të renditet shpejtë me Malin e Zi, shtetin e dytë në Ballkan që ka refuzuar, për të njëjtat aryset si tonat, shkrirjen në një influencë serbe.

E treta, po aq e rëndësishme, Kosova duhet të ndërtojë argumentet politike e në veçanti ekonomike për t’i prezantuar si forcë kundërshtuese në takimin e Triestes. Atje, Kosova duhet të argumentojë se në rrafshin politik, nuk mund të favorizojë nënshtrimin drejt modelit të status-quosë; përkundrazi. Kosova ka secilin interes të zhbëjë këtë status-quo dhe të promovojë detyrimisht ardhmërinë pro-perëndimore, pro-BE e pro NATO në Ballkan. Secili shtet tjetër, sikurse Serbia, Bosnja e Maqedonia, duhet të vihen në presion të kësaj qartësie.

Në rrafshin ekonomik, ndërsa, Kosova duhet të argumentojë mbi dobësitë që unioni i ri do t’i sjelltë ekonomisë sonë, bizneseve tona e investimeve në të ardhmen. Këtë argumentim duhet ta bëjë me ose pa Shqipërinë në bord. Shqipërinë e politikën e saj amatore e keqdashëse ndaj Kosovës – me ose pa qëllim – duhet ta luftojë në publik.

Monday 10 April 2017

ME TË NJOHSHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 PRILL 2017

Kurdisja vlen si për pranim në çerdhe, si për zgjedhje të klasës në fillore, si për kalim të lëndëve, si për pranim në të mesme, si për kapërcim të viteve në këtë të mesme, si për pranim në fakultet, si për kalim të provimeve në këtë fakultet, si për konkurse në punë, si për avancime në këtë punë, si për gjykim, si për trajtim në gjykim, si për pagesë të taksave, si për fitim të tenderëve, si për mjekim e shërim, si për gjithçka. Në të vërtetë, në masë, dhe zgjedhja e varreve rregullohet këndej me kurdisje.


-1-

Mendojeni për pak ecjen tonë të 17 viteve të fundit. Sa e padrejtë, sa e pabarabartë, sa e mbrapshtë është gjithë kjo ecje. Përjashto incidentet e mira të aty këtushme, ndonjë veçim individual që domosdo është joinstitucionoal, dhe kupton se rrugëtimi jonë përgjatë post-çlirimit, është, në princip, rrugëtimi i ndërtuar mbi konceptin e pabarazisë.

Nuk po flas mbi pabarazinë si rezultat përfundimtar, s’po flas për klasa e shtresa, të pasur e të varfër, urban e rural, po flas për pabarazinë si input; si nismë trajtuese e qytetarëve kosovarë që i prektë të gjithë njëtrajtësisht. E sistemeve në të cilat ne veprojnë në përditshmërinë tonë. E punës, e edukimit, e shëndetësisë, e gjyqësisë – e gjithë jetesës sonë.

Ne, në 17 vite, kemi ndërtuar një sistem të kurdisur. Një sistem ku rezultati përfundimtar është veçse i parapërcaktuar. Ku plot bëjnë skenën e aktrimit, pa e ditur këtë gjë, për njërin, për atë që ka “të njohshëm”. Dhe në këtë sistem të kurdisur, vlera e dijes, mundit e përpjekjes është e barabartë me hiçgjë. Të “njohshmit” ja dalin, ditën s’ditën për gjë.

Kurdisja vlen si për pranim në çerdhe, si për zgjedhje të klasës në fillore, si për kalim të lëndëve, si për pranim në të mesme, si për kapërcim të viteve në këtë të mesme, si për pranim në fakultet, si për kalim të provimeve në këtë fakultet, si për konkurse në punë, si për avancime në këtë punë, si për gjykim, si për trajtim në gjykim, si për pagesë të taksave, si për fitim të tenderëve, si për mjekim e shërim, si për gjithçka. Në të vërtetë, në masë, dhe zgjedhja e varreve rregullohet këndej “me të njohshëm”.

-2-

Futbolli kosovar bën rastin më të ri, natyrisht jo të fundit, të degradimit tonë shoqëror nga kapja e theqafja. Tregon, në thelb, se sa gjithëpërfshirëse është kurdisja jonë. Edhe në sport. Edhe në fushë futbolli pra. Edhe aty ku deri më tani përfitimi financiar ka qenë krejt i parëndësishëm. Në fund të ditës, renditja e kampionateve të mbyllura kosovare ka qenë punë kënaqësie për sportistët e individët që duan sportin njëmend. Pra, edhe aty, edhe në këtë dashuri për sport e futboll, kurdisja është bërë normë. Në këtë kurdisje, trajnerë, gjyqtarë e zyrtarë federativ, nën duhmën e rakisë e muhabeteve të kafes, përcaktojnë fatin e rezultateve të radhës. Futbolli pra është veçse refleksion në një sistem të kurdisur. Është pra njëri nga shumë refleksionet tona në kurdisje.

Merreni, për shembull, fenomenin e konkurseve; për një vend pune pra. Konkurset, në masë të madhe, në sektorin publik natyrisht, bëhen sa për sy e faqe. Në të vërtetë, kurdisja jonë ka bërë që pjesën e konkursit për vend pune ta vendosë si hap të fundit në zinxhirin e pranimit për punë; e duhej të ishte hapi i parë natyrshëm. Pra, pasi të jetë gjetur një kandidat, me të njohshëm natyrisht, pasi të jetë njoftuar me punë, pagë e kushte pune – në raste madje mund dhe të ketë nisur punën – hapet një konkurs. Të tjerët, të shkretë, bëhen në rend për këtë vend pune. Marrin dokumente, letra, rekomandime e përshkrime biografike, me shpresë se do të bindin dikë – pa e ditur se vendi i synuar i punës është kaherë i zënë. Aq shumë është rrënuar besimi në konkurse sa që sot, të rinjtë e të rejat e diplomuara, të dalluara e me aftësi plot, s’konkurrojnë fare.

I kurdisur del të jetë dhe sistemi i prokurimit. Të gjithë tenderët e mëdhenj, paratë e mëdha, janë të paradhëna për biznese të lidhura ngushtë me kapësit në politikë. Kjo paradhënie nisë nga përcaktimi i kritereve në tenderim, e deri tek verifikimi i tyre për pjesëmarrësit në tenderim. Sërish, dhe këtu, biznese të tëra, mbushin e dorëzojnë dokumente plot për një punë që veçse është dhënë.

Kurdisja jonë krejt e zakonshme në sistemin politik. Të gjitha caktimet në borde, në trupa udhëheqëse të ndërmarrjeve publike – nga PTK, RTK e deri te KEK-u – janë të përcaktuara paraprakisht. Janë pjesë të pandara të pazareve politike; në shërbim të kapësve natyrisht. Dhe, siç edhe ishte dëshmuar në aferën telefonike “Pronto”, caktimi i njerëzve aty, në fjalë të Bahri prokurorit, bëhet “pa kunkuru” hiç. Jo më larg se këtë javë, një ish depoist i PDK-së ishte bërë diplomat në Çeki; natyrisht pa “kunkuru” edhe ai. E  për secilin caktim, për secilën ndarje, të ambasadorëve, diplomatëve, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, bordeve e posteve të tjera publike, ka një procedurë aplikimi në të cilën të tjerët rreshtohen sërish për të bërë, pa dije, skenën e kurdisjes.

Të njëjtin parapërcaktim e kemi edhe në sistemin arsimor. Të kurdisura janë dhe kalimet e provimeve, dhe intervenimet për nota, dhe diplomimi i plotëve. Të parapërcaktuar e kurdisur janë dhe konkurset për mësimdhënës. U rezervohen, sërish, të paditurëve të partisë që kanë kaluar gjithë sistemin edukativ nëpërmjet kurdisjes së dijes së tyre – padijes thënë më mirë.

Këta të diplomuar e të punësuar në shëndetësi, për shkak të kurdisjes, marrin në qafë jetë të tëra. Sepse kanë zënë vendet e të diturve, të atyre që megjithatë kanë tharë sytë në mësimnxënje në vazhdimësi. Të shkretit, të dëshpëruar ose janë larguar nga Kosova ose mbijetojnë me profesione e përpjekje zi e më zi.

Për kurdisjen në sistemin gjyqësor – nga krimet e vogla e deri tek interpretimet Kushtetuese – as që do të flas. Aty perfeksionohet kurdisja e kapësve. Në të njëjtin nivel janë edhe kurdisjet e votave e rezultateve zgjedhore, të vendimeve parlamentare e bindjeve politike.

-3-

Pra ne kemi vendosur të jetojmë në një sistem alternativ, të parapërcaktuar, të kurdisur, ku përfitues janë kapësit dhe secili afër tyre. Gara në Kosovë më s’është për dije e vlerë, por për afërsi me kapësit; kush arrin më afër tyre pra. Në këmbim të benefiteve minimale, për punë e mirëqenie standarde, kapësit kërkojnë votë e vazhdim të kapjes.

Kapja natyrshëm prodhon institucione të dobëta. Institucionet e dobëta mundësojnë shfaqjen e kurdisjeve. Kurdisja prodhon injorantë, gangsterë e shfrytëzues të mundit të të tjerëve. Nga politika e deri tek futbolli e gjithçka në mes.

Por ky sistem s’mund të jetë i qëndrueshëm. S’mund të prodhojë mirëqenie afatgjate as për përfituesit e kapjes, e edhe më pak për përpjekësit që të zënë një vend nën kapësit. Sepse, në një ditë, kurdisja jonë do të shpërthejë. Do të shpërthejë ne arsimim me analfabetë që s’janë të përdorshëm për asgjë; në shëndetësi me përkujdesje që të vret; apo në gjyqësi që s’arrinë të prodhojë asnjë drejtësi.

E qëndrueshme është përpjekja për vlerë. Që të mirët, më të mirët, të marrin vendin për t’i dhënë e ndarë mirësinë e dijen e tyre tek të tjerët. Një sistem ku gajlen e vetme për gjetje të punës nuk e ke njohësinë, por aftësinë tënde – performancën në intervistë. Në një sistem ku gajlen e mësimit nuk e ke çmimin e notës, por kohën për lexim të librit. Në një sistem ku drejtësia s’të vjen sepse diku njihesh me prokurorin, por sepse je i drejtë. Me një sistem ku “me të njohshëm” s’vlen hiçgjë.