Tuesday 17 October 2006

Roli i Qeverisë në Moralin Fiskal



Kodi universal i shteteve moderne se “vdekja dhe tatimet janë të pashmangshme” në vende të tranzicionit, përfshirë edhe Kosovën mund të duket qesharak. Studimet empirike për Kosovën në këtë fushë bëjnë përgjegjës qytetarët dhe qeverinë për thyerje të marrëveshjes kontraktuale. Të parët fajësohen për mungesën e përgjegjësisë ndaj shtetit ndërkaq të fundit për politikat e tyre buxhetore dhe sjelljet.



Ekonomitë e tranzicionit përmbajnë tipare që kryesisht mund të konsiderohen si pengesa në shumë procese të shoqërisë. Një nga tiparet e tilla në shumicën e rasteve është edhe roli i qeverisë dhe shtetit në ekonomi. Në njërën anë, vendimet dhe veprimet në sferën ekonomike varen dukshëm nga veprimet politike të qeverisë si dhe nga fuqia e lirisë së të vepruarit që ajo siguron. Në anën tjetër, përvojat nga vendet e tranzicionit tregojnë ndikimin e opinionit publik në rolin e mirëfilltë të qeverisë. Studimet empirike në Kosovë tregojnë se një nga arsyet se pse qytetarët nuk paguajnë detyrimet e tyre fiskale është besimi se qeveria shpenzon kot tatimet në vend të ofrimit të të mirave publike dhe shërbimeve. Evazioni fiskal mund të konsiderohet si “përgjigje e arsyeshme” ndaj performancës së varfër të shtetit, duke shtyrë kështu relacionin qeveri-qytetar në një cikël domino.

Por kush duhet ndërprerë këtë cikël? Përvojat e ekonomive të tranzicionit shohin Qeverinë si përgjegjëse dhe fuqiplotë për një reformë të tillë. Para së gjitha janë pikërisht qeveritë ato që kanë fuqinë e gjenerimit të situatave të reja politiko-ekonomike. Roli i Qeverisë së Kosovës, që padyshim nuk kufizohet vetëm në sigurimin e kornizave institucionale, ndikon edhe ambientin ekonomik, si dhe sjelljen e agjentëve që veprojnë në të. Me fjalë të tjera një euro e shpenzuar nga qeveria ndikon vendimin e qytetarëve apo bizneseve për të kontribuar apo jo vullnetarisht një euro shtesë në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Një nga pasojat e një ndikimi të tillë negativ në obligimet fiskale shkaktohet edhe nga struktura komplekse e legjislacionit të tatimeve si dhe ndërrimet konstante që bëhen. Por “përgjigja e arsyeshme” e qytetarëve apo bizneseve nuk vjen vetëm si pasojë e kompleksitetit apo ndërrimeve konstante. Thelbi i një refleksioni të tillë qëndron në arsyeshmërinë, transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve qeveritare. Këto tri komponentë kryesore do të drejtojnë vendimin e agjentëve mbi relacionin me Qeverinë, në veçanti nivelin e moralit fiskal.

Një Qeveri mund të jetë transparente dhe efikase në shpenzimet buxhetore, megjithatë shpenzimet qeveritare mund të mos shihen si të arsyeshme nga shtresat e ndryshme të shoqërisë. Mungesa e investimeve kapitale dhe orientimi i fondeve buxhetore kryesisht në shpenzime për shërbime është një ndër thyerjet e para të marrëveshjes kontraktuale që një kosovar lidhë me qeverinë në momentin e përmbushjes së obligimeve tatimore. Kur një qytetar paguan një obligim tatimor, pritjet e tijë orientohen në kthimin e tyre në forma të ndryshme: rrugë, rrymë, ujë, sisteme të kanalizimit, shkolla, shërbime shëndetësore, investime për krijim e vendeve të reja të punës, përmirësimin e rrjeteve të ndryshme e shumë investime tjera kapitale esenciale. Për tetë vitet e fundit në Kosovë, pjesa më e madhe e shpenzimeve buxhetore nuk kanë gjetur arsyeshmërinë në sytë e qytetarëve. Për më tepër, qeveritarët janë akuzuar se po shpenzojnë ne të mira luksi duke injoruar kështu nevojat esenciale të një shtrese që vazhdon të jetoj në varfëri të skajshme.

Qeveritë mund të jenë të arsyeshme dhe transparente në alokimin dhe shpenzimin e buxhetit, megjithatë një mungesë në efikasitetin e një distribuimi të tillë rëndon percepcionet e qytetarëve po aq sa edhe mungesa e arsyeshmërisë. Efikasiteti i shpenzimeve qeveritare vazhdon të jetë sfidë edhe për ekonomitë e zhvilluara ndonëse jo në shkallë të njejtë sa në Kosovë. Ky element matë efikasitetin e qeverisë për ti arritur objektivat e tyre në spektrin e invesitmeve/shpenzimeve qeveritare, duke nënvizuar humbjet që mund të shkaktohen nga një përdorim jo efikas i inputeve karshi realizimit të objektivave.

Ndoshta skenari më i rëndë dhe njëkohësisht më prezent në Kosovën e pas luftës është mungesa e komponentit të transparencës në të gjitha vendimet qeveritare, përfshirë këtu edhe shpenzimet buxhetore. Transparenca është një ndër elementet thelbësore të qeverisjes së mirë. Hapja e plotë e të gjitha informacioneve të rëndësishme fiskale siguron një bazë të shëndoshë për shpërndarjen e përgjegjësisë mbi akterët që potencialisht mund të bëjnë ndonjë shkelje, siguron një mbikqyrje mbi keq-menaxhimin dhe korrupcionin si dy fenomene mjaft të pranishme në Kosovën e pasluftës dhe së fundi siguron rritjen e besimit të publikut ndaj organeve vendimmarrëse që aktualisht konsiderohet të jetë në nivel mjaft të ulët. Principet e transparencës mbi shpenzimet qeveritare duhet të ndërtohen mbi parimin se qytetarët kanë çdo të drejtë informacioni mbi kontributet e tyrë në fondet buxhetore. Të gjitha raportet e auditimit kanë theksuar mungesën e transparencës dhe praninë e shkeljeve të rënda në shpenzimet qeveritare pothuajse në të gjitha vitet e pasluftës.

Ngarkesa tatimore, gjendja e rëndë ekonomike, si dhe faktorët e ndryshëm socio-demografik mbesin elementet thelbësore që mbajnë moralin fiskal të kosovarëve në gjendje të ulët. Shtuar kësaj edhe mospërmbushjen e pothuajse asnjë komponenti (arsyeshmërisë, transparencës dhe efikasitetit), atëherë thirrjet e vazhdueshme për reforma fiskale mund të shihen si plotësisht të arsyeshme.

Reformat e suksesshme në Kosovë nuk kërkojnë vetëm përmirësimin e sistemit fiskal, por edhe reformimin e shpenzimeve buxhetore. Institucionet qeveritare që respektojnë preferencat e qytetarëve do të kenë mbështetje më të madhe krahas atyre shpenzimet e të cilave shihen si të paarsyeshme. Një qeveri që angazhohet me rregullat e demokracisë direkte (involvivim e qytetarëve në procesin e vendimarrjes) i imponon vetës kufizime në fuqinë e saj por me këtë dërgon mesazh se taksapaguesit shihen si individë përgjegjës. Për më tepër, rregullat e demokracisë direkte bëjnë me dije se qytetarët nuk shihen si votues injorantë apo të pakuptueshëm, por se preferencat e tyre merren parasysh në proceset politike. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja e taksapaguesve në vendimmarrje më tepër marrëveshja me qeverinë mbështetet në besim duke rezultuar kështu në moral më të lartë fiskal. Pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, qoftë nëpërmjet referendumit apo iniciativave është evidente në shumë vende dhe qeveri moderne. Kjo e drejtë e tyre shpërblehet nëpërmjet rritjes së përgjegjësisë ndaj obligimeve fiskale si dhe sistemit shtetëror në tërësi. Një formë tjetër e përmirësimit të relacionit në mes qytetarëve dhe qeverisë është edhe decentralizimi fiskal. Strukturat e vogla qeverisëse kanë përparësinë e arritjes më të lehtë të preferencave të qytetarëve. Interakcioni në mes politikanëve lokal dhe taksapaguesve është intensiv dhe pothuajse i përditshëm. Kjo afërsi në mes administratorëve lokal dhe qytetarëve mund të përfshijë besimin dhe me këtë të fuqizojë gatishmërinë e tyre të paguajnë tatime. Fuqia e sistemeve decentraliste siguron relacionin “pagesë tatimesh – kthim tatimesh”.

Sistemi fiskal duhet të jetë i dukshëm para çdo kosovari dhe kjo duhet të jetë një ndër objektivat kryesore të Qeverive të ardhshme të Kosovës. Arsyeshmëria, transparenca dhe efikasiteti i shpenzimeve buxhetore janë parakusht për çfarëdo përgjigje pozitive të shoqërisë ndaj sistemit shtetëror, përfshirë këtu edhe sistemin fiskal. Menaxhimi i mirë i financave publike do të heqë fajësinë nga institucionet shtetërore për të gjitha pasojat konsekutive në tetë vitet e fundit. Ndonëse në asnjë mënyrë nuk mund të gjendet arsyeshmëria në veprimet evazive të kosovarëve, të paktën atyre një ditë mund tu thuhet “Mos pyesni çfarë ka bërë shteti për ju por pyesni çfarë ju keni bërë për shtetin” (J. F. Kennedy). Duke vënë në harresë se kush filloj domino-ciklin e rëndesës së relacionit qeveri-qytetar, organet qeverisëse duhet marrë hapin e parë për ndërprerjen e tij. Një veprim i tillë do të inkurajojë qytetarët të ndihen më përgjegjës ndaj shtetit duke rezultuar kështu në rritjen e gatishmërisë së tyre për të paguar tatime, e që në fund do të prodhonte një cikël të ri shumë më tepër produktiv se ky tani.

Koha Ditore, 2006