Friday 31 August 2012

NË KËRKIM TË PRIVATIZIMIT (1)


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 GUSHT 2012

Në këtë shkrim dhe të ardhmin do të provoj të argumentojë se pse prona private është po aq (dhe shumë më shumë) e përbashkët se ajo publikja dhe se pse e njëjta duhet të shihet po aq e Kosovës. Do të provoj të argumentojë se pse duhet ndërprerë çdo tendencë privatizuese të paradigmës së tanishme të hajnisë, faljes e monopoleve, jo për të ndërprerë vet idenë e privatizimit, por për të rinisur një të re e të shëndoshë ekonomikisht

Ka kohë që debati ekonomik mbi procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike bën qendrën e vëmendjes kosovare. Fatkeqësisht për ne, ky debat është më tepër solo e me dy anë që flasin vet. Në njërën anë një paradigmë e çuditshme ekonomike e sponsorizuar nga qeveria kosovare që privatizimin e sheh si qëllim e jo si mjet për të arritur një qëllim, e në anën tjetër kundërshtuesit e shumtë që privatizimin e shohin si një demon që hanë disi pasurinë tonë. Thënë të drejtën në gjithë këtë mesele që ka ngatërruar gjërat keq, me i ngatërruari e më i gjori më duket vet koncepti i privatizimit i cili vazhdon goditet nga të dyja anët pa të drejtë. Në pak fjalë, privatizimi në Kosovë është një religjion pa besimtarë, është thjeshtë një proces i keqkuptuar diku, e diku i përdorur për të kamufluar hajninë. Thënë shkurtë, kosovarët as për së afërmi nuk kanë parë e përjetuar ndonjë efekt të privatizimit me gjithë kuptimin e tij. Çfarë ata kanë përjetuar është hajnia e çmenduria menaxhuese, prandaj dhe iritimin e krijuar e hedhin padrejtësisht tek koncepti i privatizimit. E kam thënë shpesh, të fajësosh konceptin e mirëfilltë të privatizimit në vend të fajësimit të anomalisë është njëjtë si të bësh operacion me çekan e kazme, e të thuash se operacioni është proces i keq e i dëmshëm. Jo, absolutisht jo. I keq e i dëmshëm është operacioni me çekan e kazme, por operacioni i bërë si e do rendi është shpëtim i Zotit. 

Jam ithtarë i flaktë i pronës private. Rrjedhimisht, kam tendencë të lehtë të pranoj investimin privat edhe në pasurinë publike; pra transferimin e një pjese të pasurisë nga prona publike në atë private. E shoh zgjidhjen e problemeve ekonomike jo nga paratë e shpenzuara nga qeveria por nga paratë e krijuara, investuara e shpenzuara nga biznesi privat. Për mendimin tim, biznesi privat dhe interesi i tij për profit janë dhe interesat e një vendi, meqë i njëjti është motivi kryesor për të krijuar punë e vlerë, elemente këto thelbësore për zhvillim e rindërtim ekonomik. Natyrisht se nevoja për biznes privat nuk do të thotë mos-pasje e institucioneve publike; përkundrazi, do të thotë ulje e intensitetit të tyre në ekonomi, por rritje në ligj, rregullatorë e forcë.

Por, siç dhe thash në fillim, kundërshtoj në plotni procesin e privatizimit alla-kosovarçe, meqë i njëjti është bërë qëllim në vete. Pra për institucionet tona privatizimi nuk është një mjet që na del si element integral i le të themi një strategjie zhvillimore, mjet i cili do ti kontribuonte një qëllimi më madhor (zhvillimit ekonomik), por na del si qëllim i izoluar që duhet bërë domosdo. Institucionet tona duke pasur privatizimin si qëllim në veti, duan të transferojnë pronën pavarësisht kur, si dhe kujt. E kur privatizon pavarësisht kur, si dhe kujt, atëherë në vend të transferim të pronës nga publikja në private, ti ke bërë atë operacionin me çekan e kazmë. Atëherë ti ke bërë zhvlerësimin, faljen e degradimin ekonomik. Nëse shet pa hesapuar kohën e duhur atëherë ti del i humbur (elementi ‘kur’), nëse shet me hajni shet dhe më lirë e jep falë (elementi ‘si’), dhe nëse i shet tyxharëve që qëllim kanë rrjepjen tënde (elementi ‘kujt’), atëherë nuk ke bërë pazar të mirë, ke vjedhur shtëpinë.

Kundërshtoj dhe kundërshtarët e zjarrtë të konceptit të privatizimit, të cilët vazhdojnë të gozhdojnë transferimin e pronës ani pse e drejtë do të ishte kundërshtimi i një procesi alla-kosovarçe të hajnisë pa prekur idenë fillestare të privatizimit e pa hyrë lakrave me teori “anti-liberale” (përkthyer: anti-lirisë, pra pro dirigjimit e kontrollit) që njeriu nuk i dëgjon as në vendet më centraliste; është mirë “ti jepet Cezarit atë çfarë i takon”. Nga ajo çfarë kam dëgjuar, motivet thelbësore kundër privatizimit të shfaqura nga parti politike, sindikata e madje dhe lëvizje studentore, janë se me kalimin e pronës nga diçka publike në diçka private ne do të mbarojmë; ne thjeshtë do të humbim “të përbashkëtën tonë”. Ne do të humbim punë, do të humbim vlerë, do të humbim pasuri, e do të mbesim në mëshirën e mëkatarëve privat. Thënë të drejtën po u liruam nga zinxhirët filozofikë ngufatës anti-treg kuptojmë se as edhe një gram vërtetësie në thirrje si këto nuk ka.

Në këtë shkrim, dhe atë të ardhmin, do të provoj të argumentojë se pse prona private është po aq (dhe shumë më shumë) e përbashkët se ajo publikja, se pse e njëjta duhet të shihet e Kosovës. Do të provoj të argumentojë se pse duhet ndërprerë çdo tendencë privatizuese të paradigmës së tanishme të hajnisë e monopoleve, jo për të ndërprerë vet privatizimin, por për të rinisur një të ri e të shëndoshë ekonomikisht. Do të provoj të argumentojë se pse duhet privatizuar Telekomin e jo Postën e pse duhet ndërtuar një sektor të fuqishëm të telekomit me shumë konkurrentë në vend të një duopoli ngurtësues. Do të provoj të argumentojë se pse duhet privatizuar gjenerimin e energjisë elektrike, por jo minierat e pse duhet ruajtur pronësinë shumicë në monopole natyrore. Por para se të bëj një gjë të tillë, do të provoj të argumentojë se pse prona private është e Kosovës aq sa është edhe prona publike.


E “përbashkëta” dhe e përbashkëta

Është e pandershme dhe jo e drejtë tu thuhet kosovarëve se me privatizim po humbka pasuria e përbashkët. Së pari meqë supozimi “i përbashkët” i vënë në këtë kontekst është tejet i ngushtë për tu marrë serioz, e rrjedhimisht tejet joserioz për të dhënë kuptim ekonomik. Po supozoj se kundërshtuesit e transferimit të pronësisë, si “të përbashkët” e shohin dobinë që shoqëria merr nga ndërmarrjet publike. Kjo dobi, në kontekstin më të thjeshtë, është një profit i realizuar nga këto ndërmarrje për tu shpërndarë si dividendë në buxhet të shtetit (i cili prapë supozohet të jetë i përbashkët – e vendet tranzitore na dëshmojnë se nuk është). Pra ne kemi dobi si shoqëri nga ndërmarrjet publike meqë ato po na epkan ca profit çdo vit; krijojnë kontribut si një lloj takse ta themi troç. Por nëse dikush konceptin dobi të përbashkët e ka të ngushtuar vetëm rreth derdhjes së parave në buxhet atëherë kemi problem me kuptimin e koncepteve bazike ekonomike. Atëherë themi se filozofia e tillë ekonomike sheh zgjidhje vetëm nëpërmjet shpenzimit të parasë nga buxheti, se çdo para tjetër që nuk kalon nëpër buxhet, çdo vlerë e krijuar, çdo mund e punë, qenka e humbur. Kjo në të vërtetë as që është filozofi, është ngushti e mendësisë që s’ka se si të funksionojë.

Le ta themi më ndryshe, ta bëjmë një xhiro me teorinë ekonomike. Arsyeja e ekzistimit të buxhetit në rend të parë është për të bërë rishpërndarjen e të ardhurave në një vend. Pra paraja mblidhet nga disa për tu rishpërndarë tek ta e tek të tjerët. Ne i marrim një biznesi një euro për të blerë një gjilpërë e pe për të sëmurët. I marrim një punëtori një euro tjetër për të blerë librat e filloristëve. Ne marrim euro nga biznesi e punëtori për të dhënë të mira publike. Paratë e tyre, thënë shkurt, bëjnë “të përbashkëtën” e Kosovës, buxhetin. Por ja që edhe biznesi e edhe punëtori bëjnë shumë më shumë të përbashkëta (pa thonjëza) se sa nga një euro e “përbashkët” për vendin. Biznesi nuk jep vetëm një euro në buxhet, por edhe nëntë të tjera tek punëtori në formë page apo tek biznesi tjetër në formë kontrate. Pra biznesi jep punë për punëtorin e vet dhe për punëtorët e bizneseve tjera. Këta punëtorë janë të Kosovës. E dhënia e punës tek punëtorët e Kosovës është dobia e vërtetë e përbashkët. Biznesi, punëtori, vlera, çmimi e kualiteti e bashkë me gjithë ndërmjetësuesit, blerësit, furnitorët e akterët tjerë bëjnë një cikël që mbajnë gjallë njëri tjetrin. Ata bëjnë zhvillimin ekonomik.

Në Kosovë, si në çdo vend tjetër, 90% e parasë së buxhetit buron nga sektori privat. I njëjti pra i kontribuon të mirës së përbashkët jo vetëm me krijimin e punës dhe vlerës (kualiteti dhe përballueshmëria) por dhe me taksa. Prandaj e përbashkët për Kosovën e qytetarët e saj është edhe biznesi privat. Rrjedhimisht i njëjti meriton më shumë respekt e më shumë besim. Madje po bëmë ekzorcizmin e larguam demonët që i kemi vënë pa të drejtë rreth biznesit privat, po kuptuam rëndësinë e tij në gjithë funksionimin ekonomik, kuptojmë dhe pranojmë me të drejtë e më lehtë dhe prezencën e tyre në ndërmarrjet publike. Në fund të fundit, të paktën çfarë mund të kuptojmë është se transferi i pronës nga një ndërmarrje publike në private nuk është humbje e pasurisë së vendit. Është thjesht kalim i detyrës nga një punëtor tek tjetri; ne ende mbesim të zot e pasurisë.

Kam dëgjuar shpesh të thuhet se ndërmarrësi privat nuk është i dobishëm për vendin sepse na paska për qëllim profitin; sikur ky të ishte një mëkat i tyre. Por ja që profiti në esencë është motivi thelbësor që shtynë dikë diku të bëjë një inovacion, të punojë, të krijojë e të ofrojë. Për profit (në formë page) janë dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike; se mos po punuakan ata për motive humaniste, bamirësie e ku ta di unë? Pa profit për biznesin dhe individin sot ne do të silleshim në shpella me një gjeth poshtë e një shtizë në dorë. Profitin duhet parë si një derivat që lubrifikon gjithë ekonominë. Është mu profiti motivi thelbësor i ecjes sonë. Madje, do të ishte mëkat e trishtuese po të kishim biznese që nuk ndjekin profitin. Atëherë unë do të brengosesha vërtetë.

Nëse pranojmë se interesi i biznesit për profit është shtytës për punë e vlerë, e se kjo punë e vlerë bën mu qëllimin tonë final si individë e shoqëri, atëherë ne pranojmë se biznesi privat është po aq i të gjithëve sa edhe një ndërmarrje publike. Në fund të fundit a nuk duhet të shihet si e shtetit gjithçka që krijon e vepron në Kosovë pavarësisht se a është një i punësua në qeveri apo një i vetëpunësuar në fermë? Pse duhet të jetë diçka më shumë e shtetit vetëm pse është nën menaxhimin e qeverisë (kujdes jo shtetit, qeverisë)? Po çfarë na qenka qeveria? Çfarë janë njerëzit që bëjnë qeverinë? Jashtëtokësorë?!

Janë të njëjtit, si unë e ti. Qeveria nuk është superfuqi, nuk është perëndi, e gjithsesi nuk është e shenjtë e më e shenjtë, morale e më e moralshme, e drejtë e më e drejtë se sa një biznes e një individ. Qeveria është një emërues i përbashkët i interesave tona, por jo domosdo më i miri dhe për këtë jo domosdo duhet të menaxhojë gjithçka. Një qeveri e mirë është ajo që krijon mundësi të barabarta për qytetarët e saj, u jep liri vrulleve ndërmarrëse (liberalizëm), ndërhynë kur liritë shkelin njëra tjetrën (rregullator), e u jep motiv individëve për profit e rrjedhimisht për ecje. Me këtë liri për të bërë e pasur, pra me liberalizëm ekonomik, ajo ndërton të mirën e vetme të përbashkët: zhvillimin. Këtë të mirë ne duhet ta ndërtojmë rreth ndërmarrjeve publike që kanë potencial për zhvillim. Ky potencial mund të vijë vetëm nga investimet private dhe konkurrenca, por jo nga paratë e taksapaguesve. Në fund të fundit qeverinë duhet ta kemi për mbrojtje, biznesin e bën vet biznesi.

-          Javën tjetër: Domosdoshmëria për ndërprerjen e paradigmës së tanishme quasi-privatizuese dhe nevoja për nisjen e një të reje pa hajni, pa falje e pa monopole.


Friday 24 August 2012

DEFEKTET E DIALOGUT


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 GUSHT 2012

Kosova gradualisht po futet në një dialog politik të paqartë, pa unitet dhe pa përfitime, rrjedhimisht të panevojshëm. Në rrethana si këto, një qeveri kredibile do të refuzonte çfarëdo kërkese, presion apo lutje të ndërkombëtarëve për bisedime të tilla, e me theks të veçantë për Veriun e vendit. E njëjta do duhej të fillojë paraprakisht rikonsolidimin e brendshëm e riorientim të dialogut për shtetndërtim e jo shtetrrënim


Dy tri javë pas humbjes së kredibilitetit në bërje të dialogut e pas ndërrimit radikal të qëndrimit karshi relacioneve me Serbinë, Kosova po ecën me avazin e njëjtë të vitit të kaluar e që në esencë nuk sjell as për së afërmi beneficionet esenciale të një shteti në bërje. Thënë të drejtën e tëra çfarë Kosova merr nga një ecje e tillë janë goditjet e njëpasnjëshme ndaj sovranitetit ashtu kështu të brishtë. Kujtoj se Kosova gradualisht po futet në një dialog politik të paqartë, pa unitet dhe pa përfitime, rrjedhimisht të panevojshëm.

Së pari, them i paqartë meqë vendi nuk e ka ende të ndërtuar një strategji mirë të definuar rreth sjelljes në relacione kaq të rrezikshme, nuk din se çfarë do të ofrojë e çfarë rrezikon të humbasë. Në një paqartësi të tillë Kosova nuk e di se si hynë e si do të dalë nga një dialog i padefinuar. Së dyti, them pa unitet meqë si asnjëherë më parë, Kosova mbanë në vete qëndrime tërësisht polarizuese e të tensionuara në relacion me Serbinë. Kujtoj se edhe në periudhën parapavarësuese vendi bënte kompromise shumëherë më të dhimbshme (për kohën) e të cilat në vazhdimësi bënin gdhendjen e asaj çfarë kosovarët kishin paramenduar si shtet të tyre, për të përfunduar në Pakon e Ahtisaarit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, në relacion me Serbinë vendi mbante një qëndrim jashtëzakonisht unik. Uniteti politik e nacional në vend jo vetëm që sjellë më shumë mendje, më shumë alternativa e më shumë qëndrueshmëri në refuzimin e çfarëdo propozimi në kundërshti me sovranitetin tonë, por se heq një barrë të madhe për politikëbërësit tanë sidomos në relacion me ndërkombëtarët. Të paktën të bashkuar e me një zë, presionet ndërkombëtare do të ishin të durueshme. E vazhdimi solo i dialogut me Serbinë na prodhon diçka si kryenegociatorja e shkuar e cila nuk ka haber se çfarë bën apo çfarë duhet të bëjë.

Së treti, them pa përfitime meqë Kosovës në asnjë rrethanë nuk i garantohet asnjë ecje drejt Bashkimit Evropian pavarësisht kompromiseve. BE në asnjë rrethanë nuk i garanton vendit ndërrimin e qëndrimit nga pesë vendet që nuk njohin Kosovën ende, as ndërrim të paradigmës agresive politike të Serbisë përmes Kushtetutës së e saj apo influencës ndërkombëtare, e nuk garanton as ndërrimin e qasjes neutrale nga BE drejt Kosovës. Pra thënë shkurt Kosova nga një dialog nuk është se përfiton diçka.

Beogradi në anën tjetër i ka të tria; pra në dialog ka qartësi, ka unitet e ka përfitime. Them se ka qartësi meqë platforma politike e Serbisë vazhdon të jetë plani katër pikësh i ish-presidentit Tadiq e i mbështetur fuqishëm nga OKB dhe tani i riprezentuar nga qeveria e re serbe. Them se ka unitet meqë pavarësisht ndërrimeve politike atje kur bëhet fjalë për Kosovën qëndrimet janë një, dhe them me përfitime meqë Serbisë me dialogun ndaj Kosovës dhe ngrirjen (kujdes, jo zgjidhjen) e problemit të Veriut i jepet vizë për ecjen evropiane. Thënë këtë, dialogu politik i paralajmëruar për vjeshtë është dialog që trason rrugën e Serbisë në BE, e jo një dialog që funkcionalizon shtetësinë e brishtë të Kosovës.

Në rrethana si këto, një qeveri kredibile do të ndërpriste qysh në fillim çfarëdo kërkese, presion apo lutje të ndërkombëtarëve për bisedime politike, e me theks të veçantë për Veriun e vendit. Një qeveri kredibile do të duhej të bënte mu të kundërtën, pra të ndiqte e ndërtonte procese që ndërtojnë shtetësinë tonë e jo interesat e një vendi tjetër. E shtetësia e Kosovës nuk ndërtohet dot nga bisedimet për autonomi të Veriut, as për faktorizim të Serbisë në Kosovë; shtetësia ndërtohet duke e ngritur çështjet me interes për ne, si ndërprerja e agresionit politik serb nëpërmjet Kushtetutës serbe, apo kthimi i të zhdukurve, kërkimfalja, kthimi i fondeve të plaçkitura, kompensimi i dëmeve dhe më e rëndësishmja shuarja e çfarëdo përkrahje për institucionet paralele në Veri, ashtu siç kishte kërkuar muaj më parë kancelaria Merkel.

Për dikë kërkesa si këto dhe mund të jenë të parealizueshme, por gjithsesi ato në çdo nuancë e dioptri politike mbesin të drejta. E nëse janë të drejta ato dhe duhet të bëjnë bazën e politikëbërjes sonë dhe esencën e përgjigjes ndaj presionit ndërkombëtar. Në asnjë rrethanë Kosova nuk duhet të heqë dorë nga qëndrimet e saja parimore e të drejta vetëm pse Serbia tregon kokëfortësi apo se strukturat kriminale në Veri kërcënojnë me terrorizëm. Kokëfortësia e kërcënimi për terror nuk duhet të minojnë mundin dhe parimet e drejta në asnjë vend normal Evropian. E me kërkesa parimore, me një përgjigje të unifikuar përballë bashkësisë ndërkombëtare, me një qëndrim thjeshtë të pakompormis e të ngrirë, ne eventualisht duhet të devijojmë presionin ndërkombëtar nga qafa jonë tek nacionalistët e radikalët në qeverinë serbe. Herë do kur do, bashkësia ndërkombëtare do të kuptojë mos tolerancën tonë për të provuar më pas presionin e njohjes apo mospengesës nga Serbia. Herë do kurdo, qëndrimet e paluhatshme, siç edhe ishte këmbëngulësia jonë për pavarësi, do të sjellin rezultate. Në fund të fundit, nëse përfitimet tona nuk janë aq në dukje atëherë ne nuk kemi çfarë të humbim; koha thjeshtë mund të jetë në anën tonë. Natyrisht se për të ngritur çështje e parime si këto, vendi e ka të domosdoshme rikonsolidimin e radhëve të brendshme. E rikonsolidimi i radhëve të brendshme për interesin jetik të Kosovës do të duhej të ishte në çdo rrethanë normale punë e lehtë. Por ja që në një vend jonormal me parti anormale edhe në relacion me Serbinë ne bëhemi pikë e pesë.

Futja në dialog në anën tjetër do të nënkuptojë kompromis; në të kundërtën pse dialogu po nuk pat nevojë për kompromis?! E kompromisi për çështje të brendshme të Kosovës do të thotë reduktim i sovranitetit territorial të vendit në Veri, interes ky persistent i palës tjetër i shprehur nëpër vite. Ky reduktim në formën se si po na servohet nga ndërkombëtarët do të thotë status i veçantë i serbëve atje dhe autoritete të trefishta politike në Veri, një nga Kosova, dy nga serbët veriorë dhe tre nga Serbia. Thënë këtë është e qartë se politika ndërkombëtare, dhe këtë duhet pranuar publikisht, e sponsorizuar nga BE e me theks të veçantë nga OKB, në çështjen e Veriut nuk favorizon Kosovën. Kjo politikë është në kërkim jo të zgjidhjes por të një ngurtësimi të çështjes për disa vite.

Ky ngurtësim, nëse asgjë tjetër, është rreziku më i rëndë i mundshëm për vendin. Një, sepse problemi i ngurtësuar i Veriut daton që nga 1999 dhe pas gjithë këtyre viteve nuk prodhon zgjidhje në favor tonin por bazë për një kompromis tjetër dhe më të dhimbshëm; dhe dy, sepse me një çështje të pazgjidhur e kaq jetike për vendin, ecja jonë do të jetë e çaluar përjetësisht. Me një Veri të ngrirë e sovranitet të trefishtë, Kosova do të ketë problem jo vetëm integrimin politik por edhe stabilitetin ekonomik e besa dhe interetnik. Ne fund të fundit integrimi i serbëve jugor ka treguar më së miri se në afatgjatë mosngrirja bën megjithatë zgjidhje dhe zbutë diferencat në mes etnive.

Fatkeqësisht për ne, kur shija e karriges së pushtetit ëmbëlson më shumë se gjithçka tjetër, rrezik potencial mbetet ecja solo e qeverisë sonë në relacione me Serbinë e rrjedhimisht kompromise të dëmshme për vendin. Në një rast alternativ, nëse zënë vend paralajmërimet e AAK-së për bashkëpjesëmarrje në relacione me Serbinë edhe pa partitë tjera opozitare, atëherë ne do tu japim çdo arsye ndërkombëtarëve të vendosin barrën e kompromiseve tek krahu i luftës. Ky krah, së paku para syve të ndërkombëtarëve, shihet si më legjitimi në kompromiset eventuale, gjithnjë nën arsyetimin se ata që i dhanë Kosovës diçka mund dhe ti marrin.

Nuk dua të bëj verdiktin e ecjes potenciale të AAK-së në koalicion dialogues me PDK-në pa prezencën e partive tjera opozitare; besoj se në AAK ka mjaft koka të mençura për të hesapuar benefitet dhe kostot potenciale të pushtetit me fatin e vendit, e besa dhe ardhmërinë e partisë. Dua vetëm të shprehi befasinë time se si lirimi i z.Ramush Haradinaj mund ti shërbej forcimit të pozitës, përkundër pritjeve për forcim të opozitës (së përçarë e sakatuar). Pavarësisht kësaj, AAK dhe partitë tjera opozitare duhet ta kenë të qartë se dialogu politik është një skenar tashmë i shkruar por që kërkon aktorë për ta performuar, e i cili në vete do të bartë një kosto enorme për vendin. Po mos të ishte ashtu, partia në pushtet nuk do të ndante asnjëherë tortën e suksesit me një partner tjetër; është dhimbja dhe efektet elektorale që PDK kërkon ti ndajë. E PDK në anën tjetër, duhet të kuptojë se për një komfort politik më të lehtë edhe për të, e ka të udhës arritjen e koncenzusit të brendshëm para kompromisit në emër të luftës. E nëse nuk arrin të ndërtojë një koncenzus të brendshëm le të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Të paktën ashtu mund të prezantojnë partitë politike qëndrimet ndaj dialogut e Veriut e rrjedhimisht secili të merr tagrin e votuesve. Në këtë formë çdo ecje më tutje do të kishte të paktën legjitimitet.


Friday 17 August 2012

TË PAPUNËT


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 GUSHT 2012

Nën supozimet e një skenari tejet optimist, Kosova me fuqi punëtore prej 830.000 banorëve, ka rreth 250.000 të punësuar formal, rreth 222.000 të tjerë informal dhe mbi 350.000 të papunë; pa përfshirë 70.000 studentë e plot 200 mijë të tjerë që nuk kërkojnë punë aktivisht. Në numra si këto Kosova në rastin më të mirë mund të ketë një normë papunësie prej 42%.


Gjersa po diskutoja në Twitter me miq mbi normën e papunësisë e participimin e sektorit privat në punësim, vendosa të marr mundin e të bëj një digresion nga numrat që dimë, nga sensi logjik si dhe nga evidencat tjera të regjistruara në Kosovë për të gjetur kështu ndoshta për së afërmi se sa të punësuar ka Kosova. Natyrisht se do të ishte i marrë pretendimi se një nga problemet më kronike të Kosovës si humbja në numra e në veçanti në numrat e papunësisë të zgjidhet me pak rreshta, por të paktën dëm nga një llogaritje nuk ka. Nëse asgjë tjetër hesapimi i numrave duhet të jetë domosdoshmërish më kredibil se sa intuita e neo-politikanëve fallxhorë.

Parimisht llogaritja e çfarëdo numri të të papunëve duhet të fillojë nga numri i gjithmbarshëm i kosovarëve. Sipas regjistrimit të fundit nga 2011-ta, Kosova ka diku rreth 1,733,872 banorë, ndonëse për shumë kë, ky numër është më i ulët se sa numri i banorëve real në Kosovë. Të shpeshta ishin rastet e mosevidentimit nga regjistruesit. Pavarësisht kësaj, për nevojën e referimit në numra zyrtar le ta marrim si të qenë e le të jemi pak “gjenerozë”. Ky “gjenerozitet” do të na bëhet ves gjatë gjithë shkrimit.

Për hir të elaborimit më të thjeshtë edhe për ata që nuk kanë njohuri ekonomike, norma e papunësisë paraqet raportin në mes të numrit të të papunëve me fuqinë punëtore. Në fuqi punëtore jo të gjithë bëjnë pjesë. Kushti i parë për të qenë pjesë e fuqisë punëtore është të kërkosh aktivisht punë së paku në pesë javët e fundit. Në këtë kategorizim nuk hynë të gjithë studentët dhe nxënësit e të cilët për shkak të angazhimit akademik përjashtohen nga forca punëtore. Të përjashtuar normalisht janë edhe të pensionuarit dhe personat me aftësi të kufizuar. Në fuqi punëtore nuk hynë as ata që nuk duan të punojnë fare, pra nuk janë të interesuar për të pasur një punë.

Kushti i dytë ka të bëjë me moshën. Në Kosovë, njëjtë sikurse në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, mosha minimale për të drejtë pune, e rregulluar me ligj është 15 vjeç; ajo maksimale është 65 . Them njëjtë me vendet e BE-së meqë të gjitha shtetet kanë një vit minimal që sillet nga mosha 14 deri në atë 16 vjeçare. Për shembull, Austria lejon punën që nga mosha 14 vjeçare, Belgjika, Kroacia, Çekia, Greqia, Danimarka, Estonia, Italia, Letonia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia e Zvicra që nga mosha 15  vjeçare, ndërkaq Bullgaria, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Holanda, Portugalia, Spanja e Anglia nga mosha 16 vjeçare. Natyrisht se ka diferencime në mes vendeve sa i përket orarit të punës nga këto grupmosha apo dhe pëlqimin prindëror, por të shumta janë dhe shtetet që trajtojnë ligjërisht njëjtë këto grupmosha me të tjerat, pra nuk kanë restrikcione për orar apo pëlqim prindëror.

Do ta kishim shumë më të lehtë identifikimin në numër të kosovarëve nga mosha 15 deri në atë 65 vjeçare sikur të dhënat e regjistrimit të fundit të ishin tashmë publike, megjithatë, pavarësisht kësaj, Agjencia e Statistikave të Kosovës jep dy kategori të dhënash që bëjnë një lehtësim në llogaritjen tonë. Kategoria e parë ka të bëjë më numrin e lindjeve në dhjetë vitet e fundit, e që sillet nga 36.136 lindje në vitin 2002, 32.437 në vitin 2006 e deri në 34.262 lindje në vitin 2011. Thënë këtë, mesatarja e lindjeve në këto dhjetë vite në Kosovë, bazuar gjithmonë në shënimet shumë të sakta të Agjencisë Statistikore, është rreth 34.000 foshnje apo shtruar ndryshe Kosova të paktën për 15 vitet e fundit në çdo vit të moshës ka nga 34 mijë banorë. Rrjedhimisht, Kosova ka rreth 510.000 banorë në grupmoshën 0-14 vjet (po supozuam se asnjëri prej të lindurve nuk u largua nga Kosova), e rreth 100.000 të tjerë në grupmoshën 15-17 vjet. Kategoria e dytë e të dhënave nga Agjencia Statistikore, ka të bëjë me numrin e kosovarëve mbi moshën 65 vjeçare e që është rreth 120.000 (apo rreth 7% e popullsisë së gjithmbarshme).

Thënë këtë, marrë parasysh a) numrin e gjithmbarshëm të kosovarëve sipas regjistrimit të fundit, b) numrin e atyre nën moshën 15 vjeçare, si dhe c) numrin e atyre mbi moshën 65 vjeçare, themi se në Kosovë jetojnë rreth 1.100.000 njerëz me moshë nga 15 deri në 65 vjet, e që në esencë përbëjnë fuqinë bruto punëtore. Themi bruto meqë nga ky numër duhet larguar nxënësit e studentët e të gjithë kosovarët që nuk kërkojnë aktivisht punë.

Edhe pse e përcaktuar me ligj se kur fillon mosha e punës, le të supozojmë se të gjithë të rinjtë e moshës 15-17 vjeçare, pra këta 100.000, janë në sistem edukativ e rrjedhimisht mbesin jashtë forcës punëtore (“gjeneroziteti” i dytë). Për më tepër, sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, në vend janë 48.000 studentë në dy universitete publike dhe 22.000 të tjerë në universitete private, duke bërë kështu një total prej rreth 70.000 studentëve kosovarë. Kjo në vete paraqet një problem afatmesëm meqë konservimi i fuqisë punëtore si studentë nuk është zgjidhje e problemit të papunësisë por prolongim i tij. Në një kohë, të gjithë ata do të përfundojnë statutit e të qenit jashtë fuqisë punëtore. Thënë të drejtën arsyeja pse ata mbesin kaq gjatë jashtë fuqisë është mu në tolerancën e sistemit edukativ kosovar që u mundëson individëve studim të përjetshëm, shpeshherë për të mos rënduar numrat e papunësisë. Pavarësisht kësaj, është një armatë e tërë që herë do kurdo do të derdhet në treg të punës. Për hir të argumentimit më të lehtë, le të supozojmë se asnjë student nuk punon; në të kundërtën fuqia punëtore aktive do të ishte më e lartë proporcionalisht (një mini-gjenerozitet ky).

Nëse Kosova ka 1.100.000 bruto fuqi punëtore, 70.000 studentë, 100.000 nxënës (15-17 vjeç), le të bëhemi gjeneroz e të themi se ka edhe 100.000 të tjerë (një në çdo tre familje) që janë në grup-moshën 18-65 vjeçare por që thjeshtë nuk janë të interesuar për punë, pra nuk kërkojnë punë aktivisht (amviset në mes tjerash). Një “gjenerozitet” i tillë, i treti, le të bëhet së pari për të pasur hipoteza më të gjëra dhe së dyti për të pasur një tolerancë në gabimet eventuale. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se këta 270.000 duhet fshirë nga çdo llogaritje; ata megjithatë mbesin të papunë, por jashtë kalkulimeve për normë të papunësisë. Në një situatë si kjo, në llogaritje si këto, i bie se Kosova ka një fuqi neto punëtore prej rreth 830.000 banorëve (1.1 milion pa 270 mijë). Ky numër na konfirmohet edhe me rekordet e CIA Factbook.

Sado i rëndë të duket hesapimi i fuqisë punëtore, për një vend kryesisht informal si Kosova edhe më i rëndë bëhet llogaritja e të punësuarve. Thënë të drejtën Kosova ka vite të tëra që ka humbur rekordet e atyre që bëjnë punë. Pavarësisht kësaj, janë dy burime esenciale që na japin një pasqyrë shumë të saktë të punësuarve formal e nga këtu një bazë për projeksione të atyre në informalitet. Së pari, dhe më kredibili, është Trusti Pensional i cili në raportin e vitit të shkuar kishte paraqitur rreth 251.000 kontribuues apo pagues të pensioneve. Natyrisht se jo të gjithë ishin kontribuues të rregullt, disa madje kishin kontribuar në vetëm një çerek të vitit, por për hir të llogaritjes sonë ky 251 mijë na shërben si tregues i mjaftueshëm i të punësuarve formal në Kosovë. Këtu bëjmë “gjenerozitetin” e katërt, meqë në regjistrat e Trustit njeriu regjistrohet edhe po të ketë punuar një javë në vit. Se sa mund të llogaritet i punësuar një i tillë është jashtë çdo evidentimi standard. Pavarësisht kësaj, sa për të forcuar argumentin edhe ATK në vitin paraprak kishte deklaruar se të punësuar formal në Kosovë janë rreth 213.000.

Për hir të informimit dhe elaborimit të mëtutjeshëm, nga këta 251.000 të punësuar në Kosovë, 81.000 ishin në sektorin publik, 11.000 në OJQ, 11.000 në ndërmarrje publike, shoqërore e të tjera (kategori e organizatave të huaja) dhe 148.000 në sektorin privat (nga ku 30.000 të vetëpunësuar). Së pari këta numra na japin një pasqyrë të saktë të pjesëmarrjes në punësimin formal në mes të sektorit publik e atij privat, në një relacion 35-75% për këtë të fundit. Së dyti, 251.000 si numër formal i të punësuarve na jep edhe një pasqyrë fillestare të të papunëve. Vënë në relacion me fuqinë punëtore prej 830.000, një numër si ky tregon se Kosova ka një papunësi prej 69%. Por, dhe kjo me një POR të madhe, Kosova nuk është vend me një informalitet prej 0%.

Supozimi i nivelit të informalitetit është esencial në përcaktimin e normës finale të papunësisë. Meqë informaliteti (apo tërësia e atyre që punojnë por nuk janë të regjistruar) është karakteristikë e sektorit privat e jo e atij publik (nga vet definicioni dhe natyra e evidentimit), atëherë numri prej 148.000 të punësuarve në sektorin privat na shërben si bazë për projeksione eventuale të informalitetit. Nëse themi se Kosova ka një informalitet 150% (numër rekord për cilindo vend në tranzicion), pra nëse në këtë sektor janë të punësuar por jo të evidentuar edhe 222.000 të tjerë përveç këtyre aktual, atëherë i bie se vendi në sektorin privat ka plot 370.000 të punësuar dhe rreth 100.000 të tjerë në sektorin joprivat. Thënë ndryshe Kosova ka gjithsejtë rreth 470.000 të punësuar formal e informal. Zbritur nga numri total i fuqisë aktive punëtore prej 830.000 i bie se ne kemi rreth 350 mijë të tjerë të papunë. Një relacion si ky na jep një normë të papunësisë prej 42%.

Dhe mu 42%, pas një “gjeneroziteti” në numrin e gjithmbarshëm të popullsisë, pas një tjetri në 270.000 jo aktivë, pas një tjetri në 222.000 të punësuar informal e pas një tjetri në numrin e fryrë të të punësuarve sipas Trustit, them se bën një pasqyrë mjaft optimiste, pra një minimum të minimumit, nën të cilin nuk ka se si të dilet ndryshe. Çfarëdo shkurtimi e rëndimi në “gjenerozitetin” e kalkulimeve rëndon dhe më tutje rezultatin final të normës së papunësisë. Thënë të drejtën unë kam problem më së shumti të pranojë edhe këtë supozim timin absurd mbi një informalitet prej 150%, së pari sepse nuk ka pasur asnjë vend të tranzicionit me kaq nivel enorm të informalitetit në fuqinë punëtore dhe së dyti, se informaliteti i Kosovës është më tepër informalitet i pagës së punëtorëve se sa i numrit të tyre. Pra ne kemi nën-deklarim të pagës reale të një punëtori për shpëtim nga obligimet tatimore në vend të regjistrimit të tij. Por nëse dikush pretendon se ka papunësi nën 40%, atëherë duhet të shpjegojë logjikën e pasjes së një informaliteti 200-250%; një numër hiper-absurd ky më pas.

Pavarësisht gjithë kësaj, për të përfunduar, nën supozimet e një skenari tejet optimist, Kosova ka rreth 250.000 të punësuar formal, rreth 222.000 të tjerë informal dhe diku rreth 350.000 të papunë; pa përfshirë 70.000 studentë e plot 200 mijë të tjerë jo aktivë. Në numra si këto Kosova në rastin më të mirë mund të ketë një normë papunësie prej 42%, numër ky i shfaqur vazhdimisht nga matjet vendore e ndërkombëtare.





Friday 10 August 2012

KUR FJALËT HAHEN


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 GUSHT 2012

Në më pak se nëntë muaj, kryeministri i vendit bën ndërrim radikal të qëndrimit në relacion me dialogun politik me Serbinë. Një kërcim kaq joserioz i politikës nacionale s’ka se si të mos i hap dyert për kompromise të reja në Veri. E me politikë diçka si kjo, ne sot dukemi thjeshtë si një lojtar i dobët pokeri që me letra “7 e 2” ka hyrë “all-in”


E habitshme se çfarë mund të gjen njeriu në Google me një kërkim aspak të mundimshëm. Ja që një kërkim i thjeshtë i fjalëve si “dialog politik” kombinuar me emrin e kryeministrit tonë, ju jep sa rezultate kontradiktore aq edhe dëshpëruese. Kontradiktore meqë në vetëm dy faqet e para të rezultateve jepen dy tituj në kundërshti të plotë me njëri tjetrin por të dhëna nga goja e njëjtë. Titulli i parë “Thaçi: Jo dialogut politik me Serbinë” ka të bëjë me refuzimin kategorik të kryeministrit tonë mbi mundësinë e çfarëdo lloj dialogu politik me Serbinë, ndërkaq i dyti, besoni apo jo me pranimin e pasjes së tij; “Thaçi: Të gatshëm për dialog politik me Serbinë”. Përveç substancës e përmbajtjes, dallimi tjetër në mes të dy titujve është se të njëjtit bëhen në nëntë muaj diferencë në kohë. Kaq është jetëgjatësia e një politike kosovare e shprehur nga kryepolitikani i saj. Matjet bëni vet.

Në një intervistë të dhënë për Radio Evropën e Lirë më 4 Tetor 2011, kryeministri jonë në pyetjen se a do të ketë dialog politik me Serbinë përgjigjet: “Diçka e tillë çka ju po pyesni as që është në tavolina të punës së ndokujt as në Prishtinë, as në Bruksel e as në Uashington. Por, në të njëjtën kohë jemi shumë të përgjegjshëm për vazhdimin e dialogut për çështje teknike”. Si duket aq bindës ishte asokohe kryeministri sa që intervistën në fjalë e kishin vendosur në faqen zyrtare të tij; intervista është ende aty. Sa për të rikonfirmuar idenë në fjalë, më 26 Nëntor 2011, në një intervistë tjetër kryeministri kishte thënë se “...propozimi për çfarëdo dialogu shtesë (përtej atij teknik) është i papranueshëm për Kosovën” dhe se çfarëdo tendence për dialog për Veriun (e propozuar asokohe nga ministri i jashtëm suedez Karl Bildt është “ide që i takon të së kaluarës dhe e papranueshme”, klishe kjo e zakonshme tanimë nga ai. Në disa intervista tjera të njëpasnjëshme, kryeministri për të përforcuar qëndrimin shkon aq larg sa që fyen, ironizon e qeshë me çdokënd që asokohe bënte thirrje për mosvazhdim të dialogu teknik pa një plan nacional dhe pa një unitet politik, meqë një ecje si kjo do të na sillte eventualisht në domosdoshmërinë e pasjes së dialogut politik e humbjen e Veriut. Asokohe kryeministri i quante të tjerët injorantë e disfatistë. Thoshte: “Këta zëra që i kam dëgjuar, nuk janë gjë tjetër, pos të injorantëve, disfatistëve dhe atyre që nuk besojnë në asgjë” (27 Janar 2012).

“Fast forward” nëntë muaj më vonë (25 Korrik 2012), në një intervistë të dhënë për Deutche Welle-n, kryeministri ynë për habinë më të madhe jep një qëndrim diametralisht të kundërt, duke thënë se “... natyrisht edhe rritja e kontaktit në nivele politike është në interes të dy shteteve tona që të përshpejtojmë procesin e njohjeve reciproke si vende sovrane, për t'u integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian, edhe Kosova edhe Serbia” (pjesa e dytë prapë një klishe e tij) duke vazhduar me “...është në interes të dy vendeve që të ketë nivele politike të bisedimeve”. Po ua lë juve të bëni verditktin në mes të dy qëndrimeve, se në fund të fundit një analizë mbi qëndrime si këto “kallauz nuk do”, por parimisht në nëntë muaj politikë është tmerrësisht dëshpëruese se ideja e pasjes së dialogut politik befas nuk bën një “ide të së kaluarës” dhe se e njëjta pa pritë e pa kujtuar na u paska parashutuar në “tavolinën e punës së Prishtinës” madje në këto nëntë muaj na u paska bërë “interes kombëtar”. A thua kush është tani injorant e disfatist?!

Përtej mospasjes së një mendimi të qëndrueshëm në pak kohë nga një kyepolitikan, përtej mosbrengës për përgjegjësi në politikëbërje nacionale, përtej mosarsyetimit të ndërrimit radikal përballë qytetarëve, një reflektim në një ecje të tillë na prodhon as më shumë e as më pak se një dëshpërim enorm në trendin e politikës sonë; dëshpërim që patjetër do të përcillet me konsekuenca. Politikanët dhe mund ti ndërrojnë mendimet e qëndrimet, të tillë ka plot; politikanët dhe mund të mos kenë fije kredibiliteti siç po dëshmohet në vend jo vetëm me ndërrime radikale qëndrimesh por edhe mos mbajtjes së fjalës në marrëveshje të nënshkruara. Politikanët tanë janë të lirë të bëjnë çfarëdo; ama bash çfarëdo. Megjithatë, çfarë politikanët nuk guxojnë të bëjnë në asnjë rrethanë është të luajnë në zare me fatin e vendit.

Thënë të drejtën një njeri e një vend që nuk respekton as fjalët e veta, s’ka se si të respektohet nga të tjerët e  vendit e nga ndërkombëtarët. Me ndërrime kaq të lehta të qëndrimeve në pak muaj ne ju japim çdo të drejtë palës tjetër negociuese e gjithë atyre ithtarëve të një autonomie e copëtimi për Veriun, të besojnë se çdo “Jo” e jona në pak kohë e durim mund dhe të bëhet “Po”. E ata që nuk ndërrojnë qëndrime, që e kanë kristal të qartë se çfarë duan nga dialogu me Kosovën, që kanë ecur në përpikëri të plotë me strategjinë e tyre nacionale, e që kanë marrë çdo simpati evropiane përkundër gjasave të një topi bore në ferr, janë pala serbe. Qëndrimi i i tyre kategorik për të mos hequr dorë nga Veriu po formësohet në vazhdimësi. Ata sot kundër çdo gjase janë bërë palë negociuese në Veri; janë bërë të pyeten për statusin politik të Kosovës. A ka diçka më dëshpëruese se sa regresi politik i vendit që nga shpallja e pavarësisë e rikonfirmimi i GJND-së? Si i katandisëm punët kaq keq e rëndë?

E vërteta është se me hyrjen në dialog politik dhe me kompromiset eventuale (prandaj dhe dialogu) ne po i ngjisim vetes një tumor, problemin e Veriut, alternativa e së cilit nuk bën assesi zgjidhje por një prolongim të problemit për një kohë. Me një Veri e dy të zot, pra neve e Serbinë, Kosova do të mbetet peng para çfarëdo zhvillimi. Me një Veri pa zgjidhje do të dërgojmë sinjale pasigurie në politikë, ekonomi e mirëqenie. Me problem të ngrirë e jo zgjidhje të përhershme edhe ecja jonë do të jetë e ngrirë. Pse ndodh kështu? Sepse me deficitet e treguara ndaj vendit, me gjithë katrahurat, hajnitë e anomalitë shoqërore që nga pas lufta, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, ne sot jemi thjeshtë një lojtar i dobët pokeri që me letra “7 e 2” ka hyrë “all-in”. Tani ky lojtar e ka të sigurt që do të humbasë jo vetëm dorën por gjithë lojën. Prandaj dhe ndërrimi i qëndrimit të kryeministrit vjen si pasojë e reflektimit të politikës së brendshme përballë interesave ndërkombëtare, që këtë herë, dhe këtë duhet pranuar publikisht, nuk favorizojnë palën tonë. Them kështu meqë real politika ndërkombëtare është duke prodhuar një zgjidhje mesatare për të gjithë, e me kutin tonë të lodhtë kjo mesatare na prekë shumë. Sikur të kishim kërkesa të aritkuluara mirë, qëndrime kategorike, politikë reprezentuese për së miri në vend të hajnisë, kjo mesatare do të kishte fillimin në pikat 1 e 31 dhe jo në urën e Ibrit. E ndërkombëtarët për fatin e keq të gjithë neve, nuk arritën dot të mësojnë nga gabimet e Bosnjës; ata nesër do të prodhojnë një zgjidhje të përkohshme për Veriun, sa për të rehabilituar politikat ballkanase përkohësisht.


E meqë jemi tek pokeri, unë jam “all-in” (me Ace e Jack) se as deklarimet e tanishme të kryeministrit për “mosvazhdimin e dialogut pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve teknike” nuk do të ndodhin. Nuk ka as gjasë teorike që ato marrëveshje të implementohen tani pas sa shumë muajve vonesë e sa pak të mbetur para dialogut. Do ti hamë fjalët e dhëna pa fije brenge njëjtë sikur këtë herë e për më tepër do tu tregojmë të tjerëve se nuk kanë pse të na marrin fort serioz. Brengë megjithatë, dhe kjo megjithatë me të mëdha, më mbetet pjesa tjetër e intervistës së kryeministrit të dhënë në Tetor të 2011-ës. Nëse qëndrimi “Jo” i asaj interviste për negociata pas nëntë muajsh është bërë “Po”, atëherë çfarë eventualisht mund të ndodhë me refuzimet tjera në atë intervistë; diçka si për shembull “...Veriu do të mbetet i Kosovës”.