Thursday 25 September 2014

BIZNESE, DËNIMET PO VIJNË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 SHTATOR 2014

Teknikën dhe mjeshtërinë e dënimeve – veçanërisht bizneset – e kanë të njohur shumë. Jo më larg se në vitin 2011, në një situatë pothuajse të njëjtë buxhetore, për arsye gjithsesi të tjera, autoritetet mbledhëse ishin detyruar të gjejnë forma për rritje të të hyrave që nuk mjaftonin kurrë. Dënonin në rrugë, në depo, në inspektime në parapagime; për sa mërziteshin mund të dënonin edhe në gjumë.

-1-

Një kronikë e shfaqur në KTV këtë të mërkurë, rrumbullakonte një trend shqetësues të shpenzimeve publike që duket të ketë ngjarë jo tash, por gjatë proceseve elektorale dhe tentim-blerjes së zakonshme të pajtueshmërisë qytetare. Natyrshëm se ciklet e zgjedhjeve gjithmonë prekin ciklet e shpërndarjeve buxhetore – në secilin vend madje – por tek ne shpërndarja bëhet e çuditshme kur efektet e saja shndërrohen në barrë të përhershme për ciklet jozgjedhore.

Dhe kështu duket të ketë ngjarë edhe këtë herë. Sipas kronikës në fjalë, përgjatë gjashtëmujorit të parë buxhetor, Qeveria e Kosovës kishte rritur dukshëm shpenzimet në mallra, shërbime e paga, për t’i zvogëluar në këmbim investimet kapitale. Pra, në një proces të rritjes së luksit dhe komoditetit të makinerisë publike, vendi kishte hequr dorë – çuditërisht – nga burimi kryesor (potencial) i rritjes ekonomike; nga vet investimet. Si rrjedhojë, rënia e investimeve domosdo do të ulë potencialin e rritjes ekonomike tonën, për të stimuluar rritjen e konsumit kosovar – që përfundimisht rezulton me më shumë import e më shumë deficit tregtar. Një matematike e tmerrshme për secilin hesapues them unë.

Por problemi i ndryshimit të balancave buxhetore mund dhe të mos jetë prioritar; sa mund të jetë shëndeti financiar i vendit që këtë vit merr një udhë të çuditshme shumë. Pak për shkak të planifikimeve të zmadhuara e shumë për shkak të neglizhencës institucionale që buron herë nga zgjedhjet e herë nga ngërçi politik, Kosova mund të përfundojë vitin me më pak të hyra të realizuara se sa të planifikuara. Për shembull, sipas raportimeve të gjashtëmujorit të parë, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë dukshëm mbrapa qëllimeve vetanake. Përderisa Dogana për gjashtëmujorin e parë arrin të mbledhë 340 milionë euro nga 930 të planifikuara; ATK arrin mbledhjen e vetëm 130 milionëve nga 367 të planifikuara. Të dy institucionet mbledhëse pra, sipas raportimeve vetanake kanë arritur të realizojnë për 50% të kohës kalendarike vetëm 36% të planifikimeve.

Natyrshëm se pjesa e dytë e vitit, siç dhe ka ndodhë gjithherë, do të jetë më produktive, por ama një ecje në kufijtë e tolerancës bëhet bukur e rrezikshme, sidomos kur akomodimet zgjedhore dhe neglizhencat e ngërçeve politike zënë vend.

-2-

Sipas kronikës në fjalë, rritja e luksit të makinerisë publike është reflektuar edhe nga rritja e shpejtë e punëtorëve në administratën publike; e që duket se ka marrë hov shumë edhe pas zhvillimeve të fundit politike. Pra të shtyrë nga emergjenca e lëshimit të fuqisë qeverisëse, partia në ikje nga pushteti duket të ketë shfrytëzuar gjithë këta muaj për akomodime të mëtutjeshme të militantëve, përkrahësve e mercenarëve tjerë partiak.

Një rritje e tillë, e paplanifikuar, politike dhe gjithsesi pa shumë kualitet, nuk do të ketë vetëm implikime buxhetore për Kosovën në të ardhmen. Zënia e vendeve publike nga individë jokompetent shpërfaqë kosto shtesë të jofunkcionimit efikas të administratës publike. E largimi i punonjësve publik nga vendet e tyre të punës është një proces që s’bëhet kurrë; edhe po të ketë gjasa të ndodhë do të jetë i kushtueshëm e i vështirë shumë. Pra transferi potencial qeverisës, përveç se lë shumë kosto të pamenduara mirë, lë edhe barrë kualitative për qeverisjet e ardhshme shumë.

Përtej rritjes së luksit publik dhe administratës publike, dy të dhëna – për mendimin tim – mjaft alarmante u dhanë në po të njëjtën kronikë. E para kishte të bënte me rritjen drastike të të hyrave nga dënimet policore (ishin bërë për gjashtë muaj plot 5 milionë); ndërkaq e dyta fliste për dënimet doganore, që ishin rritur për plot 193%.

Teknikën dhe mjeshtërinë e dënimeve – veçanërisht bizneset – e kanë të njohur shumë. Jo më larg se në vitin 2011, në një situatë pothuajse të njëjtë buxhetore, për arsye gjithsesi të tjera, autoritetet mbledhëse ishin detyruar të gjejnë forma për rritje të të hyrave që nuk mjaftonin kurrë. Atraktiviteti i autoriteteve mbledhëse ishte rrumbullakuar asokohet, fatkeqësisht e mjerisht, në dënime – dënime gjithandej. Dënonin në rrugë, në depo, në inspektime në parapagime; për sa mërziteshin mund të dënonin edhe në gjumë. E dënimet me gjithë presionin e vazhduar selektiv ndaj bizneseve, kishin arritur të mbushnin disi arkën e shtetit. Efektet anësore? Inflacion 8%, rritje ekonomike 2.5%, mbyllje të bizneseve 8%, rënie të performancës 54%. Viti më i rëndë ekonomik për Kosovën ishte bërë atëherë.

-3-

Dënimet sigurisht se do të jenë sërish alternativa e vetme e mbulimit – për aq sa munden – të hendekut buxhetor që buron pra nga rritja e luksit dhe rritja e numrit të përfituesve të luksit publik. Një vend kaq i varfër që në vazhdimësi rritë luksin publik, nuk ka se si ndryshe, përveç se më shumë anomali të shërojë anomalitë e shkuara.

Sepse, për të mos harruar, në 7 vitet e fundit Kosova vazhdimisht jeton në deficit. Ky deficit – ani pse i zvogëluar me trajtim prej bariu të keq ndaj gjedhëve – pra mjelje pa ushqim – vazhdon megjithatë të krijojë hendek që duhet mbuluar prej diku; i thonë borxh pra. Deri më tani alternativat mbuluese kanë qenë borxhet e letrave me vlerë. Tash kur letrat me vlerë të brendshme nuk bëhen atraktive më, sepse nuk ka kush produktivitet të mjaftueshëm për ti kthyer ato bashkë me interes, tash kur borxhi publik ka arritur në gati 1 miliardë euro, dhe tash kur sjelljet politike kanë prodhuar anomali të ndryshme mbledhëse e harxhuese të parasë publike, tash do të kemi pra vetëm dy mundësi.

E para, që të rrisim të hyrat buxhetore shpejtë e si mundemi – dhe kanë për të mundur shpejtë e shpejtë vetëm me dënime ndaj bizneseve; dhe e dyta, që të ulim investimet kapitale ngado që ka – por për ulje të luksit mendja nuk ka për t’i shkuar kurrë. Në të dy rrethanat, nëpërmjet rritjes së dënimeve e formave jonatyrale të mbledhjes së të hyrave, do të rrisim çmimin, ulim performancën e bizneseve (pra shitjet) e prekim kështu rritjen e vendeve të reja të punës. Nëpërmjet uljes së investimeve në anën tjetër, do të stagnojmë më shumë ekonomikisht, në rritje ekonomike, në zhvillim ekonomik e në mirëqenie ekonomike. Në fund të vitit do të përfundojmë sigurisht me numra jo prosperues ekonomik. Po ja që ka kohë që kush nuk mërzitet për ekonomi këndej. E kemi mjerisht të dorës së dytë standardin e jetës sonë.







Monday 22 September 2014

MBI KRIZAT TONA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 SHTATOR 2014

Nga pretenduesit intelektualë e deri tek predikuesit shpëlarës, nga zaptuesit institucionalë e deri tek libradjegësit e mjerë – të gjithë së bashku si promovues krizash – janë në shtytje për heronj të rinj të Kosovës; që do të vijnë herë do kurdo gjithsesi.


-1-

Krizat prodhojnë ekstreme; ekstremet prodhojnë kriza; e krizat dhe ekstremet së bashku prodhojnë heronj – herë do kurdo do të prodhojnë heronj. Ky vend ka kohë që rron në krizë; dhe atë në katër lloj sosh: në krizën politike, ekonomike, morale dhe intelektuale. Si rrjedhojë prodhon vazhdimisht ekstremizëm politik, ekonomik, intelektual e moral. Prodhon manipulues politik që shesin mirë e lehtë secilën mbrapshtësi; prodhon identitete fragjile ekonomike që s’kanë për të ngjizur mirëqenie kurrë; prodhon frikacakë e shërbëtorë pa integritet, sikurse intelektualët kosovarë që struken kur duhet të jenë në zë më së shumti; dhe prodhon moralistë të dorës së dytë – në një anë guardianë libradjegës që pretendojnë vërtetësinë e vetme, e në anën tjetër keqinterpretues që trushpërlajnë e përçajnë.

Dhe në këtë rend të ri krizash gjithçka bëhet e mundshme. Në këtë rend të ri krizash tjetërsimi i identitetit, percepcioneve (mbi të ardhmen), mundësive e përpjekjes së përbashkët bëhet e mundshme. Nga një lëvizje gjtihënacionale për shtet të mirë, ky rend i krizave na sjellë në një identitet mbijetese, kush e për sa mundet; nga një pritje për normalen, ky rend krizash na sjellë nevojën për përshtatje me të jashtëzakonshmen – më mirë diç se hiç; nga një hapje për interesa madhore ekonomike-politike në mundësi tygjarllëku e allishverishi; dhe në fund, nga një ecje e përbashkët në një përvetësim të përpjekjes – ne para jush, për ju, prandaj ne e jo ju.

E java që shkoj, në dukje e qetë, mund të ketë përmbajtur lehtësisht katër elementet identifikuese më të mira të mundshme të krizave tona; nga pretenduesit intelektualë e deri tek predikuesit shpëlarës, nga zaptuesit institucionalë e deri tek libradjegësit e mjerë – të gjithë së bashku në shtytje për heronj të rinj; që do të vijnë herë do kurdo gjithsesi.

-2-

Kriza e parë e javës së shkuar ndërlidhet me sistemin politik në vend që nuk arrin të kapërcejë përplasjet e vetëshkaktuara, as edhe për gjërat më bazike për vendin madje; siç mund të jetë pra formimi i institucioneve qeverisëse. Në shikim të parë, të tre muajt e shkuar mund dhe të ofrojnë një bindje se anarko-kapitalistët megjithatë paskan të drejtë – shteti mund të ekzistojë edhe pa qeveri. Sepse pa qeveri e pa institucione ky vend megjithatë – në dukje – po funksionon. Gjithsesi një pretendim i tillë do të ishte euforik po u prit edhe pak, kur të flasim për buxhetin e vendit për shembull, apo investimet kapitale e prokurimin publik, tri shtylla kryesore këto që kanë për të rrënuar potencën tonë ekonomike për vitin në vijim.

E nga kriza e parë politike buron dhe kjo e dyta, ekonomike pra. Jo se ka qenë më ndryshe vitet e fundit; në krizë dhe jo ndryshe ky vend ka provuar mbijetesën. Por nëse ndërtimi i institucioneve merr kohë, dhe nëse kjo kohë e harxhuar prekë zhvillimet normale të shtyllave më lartë, atëherë ndikimin ekonomik të mosfunksionimit shtetëror kemi për ta vërejtur gjatë gjithë 2015-ës; 2016-ën do ta kalojmë në rikuperim për t’u kthyer në trend normal tek në 2017-ën. Pra tre vite të humbura ekonomike nga një neglizhencë politike.

E them neglizhencë sepse, sado që duket e vështirë, formimi i institucioneve kosovare mund të ndodhte qysh sot; sikur blloku i katërshes deri dje opozitare të bënte një sakrificë minore për një fotografi përfituese të madhe – qeverinë pra. Por nuk e bënë; rrjedhimisht futën vetën në telashe e procese që për ta dhe për gjithë të tjerët do të mbesin të paqarta. Kriza politike – dhe ekonomike pas saj – duket se do të kenë një rrugë të gjatë së bashku për të bërë.

-3-

Libradjegës në njërën anë, predikues përçarës në tjetrën, studentë të përjetshëm e patetikë në mes – nuk bëj dot dallim – të gjithë pjesë e një krize morale, të tretës pra, që ky vend e merr në vazhdimësi. Libradjegësit nuk tolerojnë mendim ndryshe nga perspektiva e ngushtë që mendja e tyre mund të krijojë, prandaj dhe djegin. Predikuesit nuk tolerojnë mendim ndryshe, prandaj përhapin urrejtje. E studentët e përjetshëm që dy-tri fjalë nuk i lidhin dot, nuk durojnë trajtim ndryshe nga patronët që kanë, prandaj dhe kërcënojnë.

Kriza morale nuk buron nga ekzistenca e tyre, por nga fakti se të tillët sot bëjnë rendin dhe rregullin në Kosovë. Të tillët janë në pushtet, akademi, e institucione grumbulluese të masave. Këtu pra fillon kriza.

Libradjegësit e “Këmbët e Gjarprit” të Surroit, po të mundnin, do të digjnin secilin tjetër që ju del përpara veseve të tyre zaptuese. Të tillë janë pra. Në këtë frymë libradjegësit kanë “djegur” gjithçka çfarë nuk ka qenë e tyre në kohën që kishin një grimë pushtet. Nga pasuria publike e deri tek paraja e shtetit, nga kundërshtaret politik e deri tek ardhmëria e tjetrit, gjithçka ishte kurban i djegies së zaptuesve libradjegës.

Ekstremistët religjiozë, që nuk kanë të bëjnë asgjë me religjion përndryshe, po të mundnin njëtrajtësisht do të tjetërsonin secilin që nuk mendon si ta; ani pse thirren në tolerancë gjithnjë. Tolerancën pra të njëjtit e mbajnë një mburojë e akteve të tyre jotolerante ndaj mendimit ndryshe. Siç edhe e përdorin religjionin si mburojë të të bëmave të tyre kryesisht manipuluese e me benefite financiare (prandaj paratë, pallatet, luksi e veturat). Të njëjtit dhe ndjekësit e tyre në vazhdimësi na thonë se trajtimi i tyre na qenka një luftë kundër besimit; duke provuar kështu të identifikojnë e fusin në një thes të gjithë besimtarët e drejtë e të mbarë. Lufta ndaj ekstremizmit nuk është luftë ndaj besimit; është thjeshtë luftë ndaj ekstremizmit. Sepse ekstremistët nuk kanë të drejtë përvetësimi të besimit, kanë të drejtë interpretimi individual të besimit rrjedhimisht marrjes individuale të përgjegjësisë. Besimtarët e tjerë si puna ime dhe pak a shumë 99% të besimtarëve kosovarë nuk kanë asnjë lidhshmëri më të vogël me promovimet antihumane të tyre.

Njëjtë edhe studentët e përjetshëm që nuk i lidhin dot dy a tri fjalë para universitetit publik – në kërkesë të shkarkimit të rektorit të vetëm të zgjedhur së fundi pa interference politike – kërkojnë vazhdim të gjendjes çrregulluese që ju mundëson atyre të kryejnë universitet pa ditur t’i lidhin dy a tri fjalë. Sepse duke mbajtur gjendjen çrregulluese në vijimësi, të njëjtit mund të shpresojnë ngjitjen e shkallëve drejt një pushteti zaptues që servilizmin e jo meritën e ka për valutë. Dhe këta vetëm servilizmin dinë prandaj dhe shiten shtrenjtë sot.

-4-

Kriza morale e jona, që tjetërson vlerë e promovon bërjen e entropive, mund të zgjasë shumë; siç dhe mund të zgjasin dhe krizatparaprake pra, ajo politike dhe ekonomike. Por një krizë tjetër është më pak jetëgjatë – fatmirësisht – kriza intelektuale e Kosovës pra. E vënë në përgjumje shumë ma ndryshe se sa zgjimi intelektual i fillmviteve të 90-ta, dhe më pas çlirimit të fundviteve të 90-ta, klasa intelektuale e Kosovës do të ripërtërihet. Jo sepse krizëbërësit do të ndryshojnë mendje, apo sepse intelektualët e strukur tash e sa vjet do të marrin guxim për të thënë çfarë mendojnë, e bërë çfarë është e drejtë, por se procesi natyror i rinimit të shtresës intelektuale do të prodhojë masën kritike të domosdoshme shpejtë shumë. Të rinj plot që shkollohen jashtë, të rinj tjerë që shohin ndryshe (falë komunikimit në kohë me jashtë), të rinj tjerë që mendojnë ndryshe – eventualisht do të pyetën dikur për të na nxjerrë nga ky ngërç i brendshëm.

Dhe kur kjo të ndodhë, kur kriza intelektuale të marrë fund, do të marrë fund dhe cikli i krizave të tjera, sepse atëherë heronjtë e ri të Kosovës do të bëhen. Jo heronj të pushkëve, demonstratave apo lëvizjeve paqësore, por heronj të punës e ideve; nga mendimtarë tek zjarrfikësit, nga policët tek mësuesit, nga pasivët tek votuesit – do të mendohet ndryshe. Ata nuk do të djegin libra, nuk do të shpërfaqin urrejtje primitive, dhe nuk do të pretendojnë zaptim. Do të ngjizin të njëjtit pra vlera të reja, valuta të reja të ecjes sonë shoqërore.




Friday 12 September 2014

DITA B

Letra nga limbo
KOHA DITORE 12 SHATOR 2014

Mbi fotografinë e madhe që blloku i bashkuar duhet ta sheh.


-1-

Gjërat ndryshojnë shpejtë këndej nga ne; e me gjithë to dhe pritjet eventuale për dalje nga – mesiguri –  ngërçi më i rëndë dhe më i koklavitur politik që Kosova mund të ketë pasur ndonjëherë. Në vijë të ndryshimeve shpeshherë dhe të papritura e vështirë të paramenduara vetëm muaj më parë, ishte edhe bashkimi gjithëopozitarë – i bllokut LAN me VV-në; një lëvizje kjo bukur kuptimplote dhe një kundërpërgjigje bukur logjike ndaj pushtetit paraprak; ndaj PDK-së e PD-së pa numra dhe AKR-së pa vota e tashmë jashtë.

Bashkimi i opozitës në një tabor i jep kuptim elementit thelbësor të një qeverisje të mirë për Kosovën, i jep kuptim shumicës shqiptare. Për dallim nga qeverisja e shkuar – padyshim më e rënda që vendi ka pasur ndonjëherë – në këtë konstalacion të ri bashkimi, shqiptarët, siç dhe e do rendi, do të jenë shumicë qeveritare; dhe kjo bën kuptim shumë. Bën kuptim jo vetëm përballë nevojës për të pasur një qeverisje të vullnetit të shumicës, por edhe përballë amortizimit të kërkesave eventuale anti-republikane të listave të pakicës.

Bashkimi i opozitës jep edhe garanci për vullnetin e përgjithshëm politik në vend. Pra me një bashkim të tillë partiak jo vetëm që kanalizohen rrjedhshëm të gjitha pakënaqësitë anti-qeveritare në një vend, por rriten edhe gjasat për ndërtimin e një alternative bindëse opozitare. Ndryshe, një opozitë e ndarë në dysh – blloku andej, VV këndej – do të ishte më pak kredibile përballë zgjedhësve, e shumë më shumë fragjile përballë lëvizjeve individuale të deputetëve që mund dhe të ndryshonin eventualisht anë.

Mbi të gjitha, bashkimi i opozitës jep kuptim logjik të përfundimit të sagës së deritanishme. Në këtë kuptim logjik, numrat e (deri dje) opozitës përbëjnë bindshëm sot pozitën; dhe këtë fakt logjik nuk ka e nuk bën kush ta kontestojë.

-2-

Por fakti logjik – këtë herë – nuk ka gjetur interpretim e mirëkuptim të Kushtetueses. Interpretimi i Kushtetueses mbështet zgjidhjen e kryeparlamentarit me “substancë” – siç e thonë ata; dhe, sërish siç e  thonë ata, kjo “substancë” duhet të përmbajë ekskluzivisht elemente të partisë më të madhe nga zgjedhjet, PDK-së; ani pse e njëjta nuk e përbën shumicën parlamentare. Në të kundërtën, secila zgjidhje pa “substancën” e PDK-së mbetet anti-kushtetuese; e thonë pra ata.

Dhe këtë interpretim të tyre palët partiake duhet ta marrin si të qenë. Zërat fillestarë të cilësimit të gjykatësve si “fundërrina”, të “korruptuar” e çka jo tjetër, kanë dëmtuar pikërisht alternativën e re në bërje; e kanë shpërfaqur atë para partnerëve ndërkombëtarë e institucionalistëve të brendshëm si jo korrekte e jo të qëndrueshme; një lojë me shumë rrezik kjo. Në këtë vijë rrodhën dhe reagimet e shpejta të shteteve perëndimore në Kosovë; e të cilat një zëri mbështetën Gjykatën Kushtetuese. Pra, ndonëse përfshirja e ndërkombëtarëve në konstituimin e qeverisë – për fatin tonë të mirë –  ishte inekzistente, mbrojtja e Kushtetueses ishte e menjëhershme – sërish për fatin tonë të mirë pra.

Dhe interpretimi i Kushtetueses – ndonëse kundër kuptimit logjik të shumicës parlamentare – duhet të përdoret – unë argumentoj – si urë kaluese për arritjen e qëllimit përfundimtar të bllokut, pra të ndërtimit të vet qeverisë. E për të kaluar këtë urë drejt një qëllimi më madhor, blloku i bashkuar duhet të shoh fotografinë e madhe; që kam përshtypjen se nuk e sheh dot.

-3-

Fotografia e madhe, për bllokun e bashkuar, nënkupton sakrifikimin e pozitës së kryeparlamentarit për marrjen e qeverisë. Në secilën rrethanë, në secilën llogaritje, në secilin pazar, një këmbim i tillë do të ishte padiskutim në favor të bllokut. Sepse, ndonëse pozita e kryeparlamentarit ka rëndësi, ajo thjeshtë është e barabartë me pak po u krahasua me çfarë mund të merret e çfarë rrezikohet të humbet. Në fund të fundit kryeparlamentari është veçse një spiker i një mbledhie, votat e një shumice sa dy të tretat në atë mbledhi do të përcaktojnë gjithçka; ama bash gjithçka – me apo pa spiker në anën e tyre.

Për të bërë pra qeverinë, dhe për të pasur një Parlament me shumicë sa dy të tretat  e pjesëmarrësve (ani pse pa krye-parlamentar), blloku i bashkuar mund të votojë – sipas udhëzimit të Kushtetueses – kandidatin e propozuar nga PDK. Le ta ketë madje opozita e ardhshme edhe të drejtën e udhëheqjes së Parlamentit; i bën madje hair demokracisë në këtë vend kur edhe opozita udhëheqë me spikerin parlamentar – jo me vota parlamentare gjithsesi.

Zgjedhja e kryeparlamentarit do të hapte menjëherë rrugë për zgjedhjen e kryeministrit – që padyshim e me plot mbështetje nga interpretimi i parë i Kushtetueses – i takon bllokut të bashkuar. Në këtë formë blloku zoton qeverinë, lë PDK-në me një pozitë ceremoniale, e meqë ka dhe shumicën parlamentare sa dy të tretat, nesër mund të zgjedhë – madje në raund të parë – presidentit koncesual; sepse më koncesual se sa dy të tretat nuk ka çfarë të ketë.

-4-

Natyrisht se një “shortcut” i tillë do të prishte një marrëveshje të bllokut; por sërish, prishja e detajeve të marrëveshjes së bllokut mbetet megjithatë çështje për t’u zgjidhur brenda bllokut dhe jo më çështje që duhet zgjidhur nëpër institucione – që vet blloku – i konsideron të zaptuara.

Blloku i bashkuar, nëse bash dëshiron të ketë qeverinë, mund të rinegociojë të gjitha pozitat e ndara deri më tani; përfshirë dhe atë të Kryeministrit. Madje në një përbërje të re – bashkë me VV-në në grup – disa nga pozitat e ndara në mes të partive përbërëse të LAN-it veçse do të ridefinohen domosdo. E në këtë ridefinim të relacioneve blloku i bashkuar mund të ridefinojë dhe pozitën e Kryeministrit.

Posti i Kryeministrit, për shembull, mund t’i kalojë liderit të (deri dje) opozitës, pra LDK-së; do të ishte shumë më e natyrshme se sa mbajtja e tij nga i fundit i grupit, pra AAK-së. E nëse bash mbajnë hatër të fundit e grupit, t’u garantohet i njëjti post në momentin që mandati i Presidentes përfundon; të bëhet një rokadë në të cilën kryeministri nga LDK bëhet President, e zëvendëskryeministri nga AAK bëhet Kryeministër. Është e drejtë Kushtetuese – e pakontestueshme – që partitë parlamentare të zgjedhin Presidentin e ri; e meqë kanë shumicën e votave (dy të tretat pra) kanë secilën të drejtë ta zgjedhin njërin nga radhët e veta – le të themi, Kryeministrin e deriatëhershëm.

Blloku i bashkuar mund të propozojë edhe zgjidhje tjera atraktive që tejkalojnë ngecjet e parëndësishme por të rrezikshme për të zhbërë gjithçka. Sepse rreziku i zhbërjes së gjithçkaje çfarë është arritur deri më tani buron nga vazhdimi i ngërçit deri në pazgjidhje.

-5-

Ka shumë gjasa që seanca e përsëritur të përfundojë me ngërç të ri politik. Kryesuesja e Kuvendit, nga radhët e PDK-së, propozon kandidatin për kryeparlamentarë nga partia e saj. Kandidati i ri – tashmë i nominuar – nuk merr votat e mjaftueshme. Rrjedhimisht kryesuesja ndërprenë/pauzon seancën për konsultime ndërpartiake deri në gjetjen e kandidatit të ri koncensual – siç e kërkon pra Kushtetuesja; siç dhe do ta arsyetojë ajo. Nevoja për koncesus, e shprehur nëpërmjet vendimit të Kushtetueses e ulë PDK-në në tavolinë si faktorë negociues. Ulja në tavolinë negociuse në çdo rrethanë është kompromis në pozicionet e bllokut – pa përcaktim kohe.

Ka shumë gjasa që pas ndërprerjes së seancës nga Kryesuesja, blloku i bashkuar të vazhdojë atë – nëpërmjet modaliteteve që mund t’i gjejnë gjithandej. Kështu blloku zgjedh kryeparlamentarin e ri, por PDK dërgon sërish rastin në Kushtetuese, duke hapur kështu mundësinë për vonesa shtesë e në fund edhe – nëse pretendimet e bllokut janë të sakta rreth zaptimit të Kushtetueses – me një vendim sërish në favor të PDK-së. Këtu më pas mund të lindin dilemat mbi validitetin e gjyqtarëve të Kushtetues mandati i të cilëve është vazhduar nga Presidentja e jo nga Parlamenti siç e kërkon dhe Kushtetuta – çfarë ngatërrese.

Ka shumë gjasa që të mos ndodhë asnjëra, të na lindë një alternativë e re; diçka që javë e muaj më parë nuk e kemi menduar fare. Këtu gjërat ndryshojnë shpejtë; aq shpejtë sa që secila alternativë bëhet e mundshme. Por nëse blloku njëmend dëshiron ta zotojë më në fund qeverinë e t’i jap fund gjithë pretendimeve për një qeverisje regresive nga PDK-ja e sotshme, atëherë ka gjithçka në dorë të vet. Në “Ditën B”, ditën e bllokut, të bashkimit apo të rastit të dytë, blloku – si në një lëvizje të mençur shahi – mund të sakrifikojë mbretëreshën për fitore; të jap kryeparlamentarin për një qeveri të tyre. Secili kërkim për më shumë, ndonëse i mundshëm padyshim, hapë rrugë për rreziqe të reja, për ngërç dhe më të thellë e pa fund – deri në zgjedhje të reja.



Monday 8 September 2014

NJË DASHURI E RE GJERMANE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 SHTATOR 2014

Përtej simbolikës përfaqësuese që megjithatë bëhet e këndshme dhe e mirë sa herë që një vend i vogël e i rënduar si ky i yni e kalon, Konferenca e Berlinit i hapi Kosovës, dhe rajonit gjithsesi, një portë të re partneriteti; një mundësi për bërje të aleancës me shtetin pa dyshim më të rëndësishëm ekonomik, politik e strategjik që ka Evropa sot – me vet Gjermaninë. Në këtë mundësi Kosova duhet të zëvendësojë shpejtë e mirë dominimin ekonomik të Turqisë që përveç marrëveshjeve e allishverisheve me klasën zaptuese politike, nuk ka sjellë asgjë të re për ne.


-1-

Konferenca e Berlinit, kjo e sivjetshmja, për dallim nga ajo e njëqind e tridhjetë e gjashtë viteve më parë, na dha kryevëmendje – të dy shteteve shqiptare. Na bëri faktorë duke e trajtuar Kosovën si vend të barabartë me secilin shtet tjetër rajonal – në sy të fqinjëve e në sy të gjithë BE-së, edhe asaj pjesë që nuk na njeh; e duke i dhënë Shqipërisë mundësinë e përfaqësimit gjithë-rajonal. Na dha një kredit të ri për të cilin kishim nevojë tash e sa kohë.

Por përtej simbolikës përfaqësuese që megjithatë bëhet e këndshme dhe e mirë sa herë që një vend i vogël e i rënduar si ky i yni e kalon, Konferenca e Berlinit i hapi Kosovës, dhe rajonit gjithsesi, një portë të re partneriteti; një mundësi për bërje të aleancës me shtetin pa dyshim më të rëndësishëm ekonomik, politik e strategjik që ka Evropa sot – me vet Gjermaninë.

Sepse, përtej takimeve kryeministrore, atyre të rendit të parë pra, në Berlin u ndërtuan si në nisje një sërë takimesh tjera të teknokratëve. Projekte të mëdha u përfolën, investime të rëndësishme u hapën, e kërkesa të reja u shtruan – të gjitha natyrshëm u bënë si një pjesë e një plani makrogjerman për shtrirje ndikimi në pjesën juglindore të Evropës. Këtu, në këtë fotografi, bëmë pjesë dhe ne. Është fat.

-2-

Nuk kam qenë asnjëherë ithtar i monopolizimit ekonomik të Kosovës nga Turqia; e pikërisht me dhe vetëm me Turqinë, qeveria në ikje e drejtuar nga një kryeministër jo kompetent për të bërë ndërlidhje perëndimore, kishte ndërtuar punë.

Dominimi ekonomik turk në Kosovë, thënë të drejtën, ishte veçse një vazhdimësi e një shtrirje ekonomike e kulturore turke nëpër gjithë Ballkanin; një riotomanizim në shekullin e 21-të. Si një vend i vogël që jemi, lëvizjeve të tilla rajonale vështirë se mund t’i bëjmë edhe shumë ballë. Por për dallim nga shtetet tjera në rajon, dyert tona për shtrirjen turke në praktikisht gjithçka ishin tërësisht të hapura. Në vendet tjera – për shembull – ndonëse prezenca turke është e konsiderueshme, ajo nuk përbën monopol. Në Serbi njeriu krahas investimeve turke mund të gjejë edhe investime amerikane, austriake, gjermane e aty këtu dhe arabe. Njëjtë edhe në Kroaci, Maqedoni e – më pak – edhe në Shqipëri.

Në Kosovë ndërkaq, dominimi turk kishte marrë në zotim praktikisht gjithçka që ishte për t’u zotuar. Asetet strategjike të Kosovës, siç janë aeroporti e distribucioni, u janë dhënë në koncesion e në përjetësi turqve thuajse falë; investimet kapitale – ato miliardëshe në rrugë – u janë dhënë po ashtu kompanive turke – këtë herë jo falë, por me çmime bindshëm më të larta se sa mesatarja e ndërtimit të rrugëve nëpër Evropë; sistemi bankar në Kosovë sot dominohet nga banka turke (tri sosh nga gjithsejtë tetë); industria ushqimore gjithashtu përbëhet nga produkte e biznese turke, me vet Turqinë eksponencialisht në rritje e sot si importuesi i tretë më i madh në Kosovë; për të mos mjaftuar me asete, investime e import, edhe sistemi i edukimit kohëve të fundit po shpërfaqte shtrirje turke. Gjatë mandatit të shkuar, Kosova nën qeverisjen në ikje, ishte jashtëzakonisht afër të jepte ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C” tek një kompani e udhëhequr nga dhëndri i Presidentit Erdogan; e edhe më afër ishte të dorëzonte telekomin publik – sërish – tek një kompani tjetër turke.

-3-

Jo se ndaj ndonjë averzion ndaj prejardhjes së investimeve në Kosovë; veçanërisht ndaj një vendi të afërm për Kosovën siç është Turqia; por shpreh mospajtueshmëri kategorike ndaj varësisë së plotë edhe ekskluzive në një vend që dështon të përmbushë kriteret bazike evropiane. Sepse varësia ekskluzive nga e në një vend të vetëm dhe shpeshherë me rrezik në bërje të diktaturës, është strategjikisht e gabuar, politikisht jo e mençur, e ekonomikisht jo e favorshme.

E ka disa arsye – të brendshme – që kanë shtyrë Kosovën në relacione të tilla ekskluzive dhe rrjedhimisht në varësi të plotë ekonomike e potencialisht dhe politike nga Turqia. Pra përtej rritjes ekonomike në Turqi – si arsye për ne e jashtme – janë politikat ekonomike tona që burojnë nga një lidership jokreativ e jokompetent, bashkë me vullnetin e pashtershëm për korrupsion e përfitim vetanak, që kanë sjellë vendin në një gjendje të tillë siç dhe jemi sot.

Kujtoni të gjitha aferat dhe relacionet biznesore në aeroport, distribucion e autostradë – bashkë me të pandodhurat e të parandaluara (për fat të mirë) në termocentral e telekom – dhe kuptoni përmasën e parregullsive që kanë shoqëruar relacionet e qeverisë sonë me kompanitë turke. Një martesë e shkëlqyer në mes të korruptuarve dhe korruptuesve; një koekzistencë perfekte në mes të politikanëve kosovarë si të korruptuar lehtë dhe biznesmenëve turk që janë mësuar të korruptojnë edhe më lehtë – tipike për një partneritet ekonomik anarkik e të allishverisheve.

Prandaj dhe u quajtën vëllezër, baballarë e djem – dhe çka jo tjetër – e për më shumë, prandaj dhe sot na shpërfaqen defektet e para në gjithçka që biznesmenë si këta kanë prekur në Kosovë. Nuk janë serioz, nuk kanë qenë asnjëherë. Janë këtu për të marrë çfarë ka për të marrë – por jo për të dhënë. Kështu pra, një martesë allishverishi bëhet një mallkim strategjik për Kosovën; një strategji e mbrapshtë e në mëshirë të diktatorëve në bërje. Kosova meriton dhe ka mundësi për më shumë. E këtu vjen Gjermania.

-4-

Gjermania ka qenë gjithmonë aleat ekonomik natyror i Ballkanit – përfshirë pra dhe Kosovën. E para, dhe me e rëndësishmja, sepse mundet. Në të vërtetë mundet më shumë se secili shtet tjetër evropian e më gjerë. Dhe në këtë mundësi të tyre lindë oportunizmi ynë për të kapur çfarë ne mundemi; si përgjigje reflektuese ndaj mundësive të hapura për të dyja palët. E dyta, dhe po aq e rëndësishme, Gjermania ka qenë shtëpi e parë e dy-treqindmijë kosovarëve që sot përbëjnë forcën e tretë ekonomike në Kosovën e varfër – vetëm me dërgesa të remitencave madje. Kultura e punës e marrë nga atje, relacionet e vazhdueshme me atje, bashkë me gjithë prurjet e ikjet nga e për atje, kanë bërë Kosovën një derivat të lehtë për investime gjermane. Paramendoni sa lehtë mund të përshtatet një kosovar i natyralizuar në gjerman si menaxher e udhëheqës i një kompanie gjermane në Kosovë.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishme, Gjermania përmban biznese me imazh perëndimorë të hatashëm; diçka që i jep vendit tonë siguri dhe thirrje për investime shtesë. Kur ke tygjarë oriental si investitorë kryesor në vend, pasojnë “tatlises dynerat” si aksesorë; kur ke Deutche Telekom si operues telefonik, pasojnë “McDonalds” e “Burger King” si përcjellës të sigurisë.

E mbi të gjitha, rëndësia thelbësore e mundësisë së ndërlidhjes me partner të ri, mbetet vet vullneti gjerman për t’u shtrirë në Ballkan. E shtyrë pak nga varësia ruse, pak nga destabiliteti lindor; gjithsesi shumë nga mundësia dhe nevoja për shtrirje që një fuqi ekonomike në pikun e saj kërkon, Gjermania – siç e bëri të qartë dhe në Berlin – e sheh Ballkanin si vend me shumë potencial. E për të bërë potencialin mundësi natyrshëm se pakoja e tyre e partneriteti vjen me disa kërkesa – normale për një shtet normal.

-5-

Mesazhi gjerman ishte i qartë për vendet e Ballkanit. Nëpërmjet kancelarës Merkel, gjermanët kërkonin, nga të gjithë e pa përjashtim, përmbushjen e obligimeve në tri fusha kryesore. E para kishte të bënte me themelimin e mirëfilltë të shtetit. Sipas gjermanëve, çfarë ne njohim si shtet, për ta është një vrimë e zezë që kërkon riparime shumë. Këto riparime nisin nga luftimi i korrupsionit, zhbërja e informalitetit, dezaptimi partiak e deri tek funksionimi i mirëfilltë dhe i pavarur i gjyqësorit. Pra si parakusht për lindje të relacioneve të shëndosha Gjermani-BE-Ballkan, duhet të pastrojmë oborrin e shteteve tona nga mbetjet korruptive e zaptuese që i krijuam vetë.

Fusha e dyta ka të bëjë me investime masive infrastrukturore; jo të pavarura nga njëri tjetri, por të ndërlidhura në një rrjet gjithërajonal. Hekurudha që lidhin Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën e Shqipërinë u përfolën si të parat. Serbët ishin aq të shpejtë sa propozuan rifunkcionalizimin e hekurudhës Nish-Prishtinë; të tanët do të duhej të nisnin propozimet për hekurudhën nga brigjet e Shqipërisë për Merdaren e Kosovës; të ndërlidhet me Shkup e një tjetër për Sanxhak. Rrugët e korridoret tjera gjithërajonale – me theks të veçantë në ndërlidhjet me “Korridorin 10” u përmendën gjithandej – nga kancelarja, zëvendës kancelari e deri tek ministrat e tjerë të zhvillimit ekonomik. Gjermanët pra, përtej ndërtimit të mirëfilltë të institucioneve kërkonin transport të lehtë. Ky transport i lehtë brendarajonal, jo vetëm se do të bënte Ballkanin dhe shtetet në të hiperatraktiv për relacionet e brendshme, por do ta bënin korridor super të rëndësishëm për Gjermaninë, një korridor i ri që zëvendëson atë në drejtim të Rusisë.

Fusha e tretë, dhe jo më pak e rëndësishme, ishte kërkesa gjermane për të ndërtuar sa më shumë shkolla profesionale; pra për të prodhuar sa më shumë zanatlinjë. Një kërkesë e tillë vjen pasi sistemi edukativ në gjithë rajonin e Ballkanit – përjashto Kroacinë e Slloveninë – është bërë aq i padobishëm sa për vite të tëra këto vende prodhojnë të diplomuar pa aftësi atraktive ose dalluese për punë. Shkollat profesionale, në anën tjetër, do të prodhonin një fuqi të re punëtore me plot kualitet; e që lehtësisht dhe me kosto të ultë mobiliteti mund të shndërrohet në forcën më atraktive të mundshme (dhe të lirë) që mund të gjeshë në Evropë. Një aftësim i tillë i fuqisë punëtore do t’i bënte këto vende bukur tërheqëse karshi bizneseve evropiane, por do t’i bënte të gjithë – në rastin më të keq – migrues me një zanat që u hyn në punë edhe evropianëve; kryesisht gjermanëve.

-6-

Kosova dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit, mund të mallkojnë veten për shumë çka; nga hiper korrupsioni tek varfëria, nga izolimi tek urrejtjet ndërnacionale. Fati i ligë mund t’i ketë përcjellë të gjitha vendet nëpër kohë – definitivisht shqiptarët më shumë se të tjerët në çdo rrethanë. Por nëse popujt ballkanas kanë arsye për të mallkuar fatin e vetën përgjatë kohës, ata  kanë më shumë se kurrë arsye për të pranuar një dhuratë të patjetërsueshme – faktin që jetojnë në Evropë.

E në korridor të ndërlidhjeve Evropiane me Azinë, ballkanasit – dhe shqiptarët gjithsesi – do të duhet ti shfrytëzojnë mençur e mirë forcat dhe renditjet e fuqive të mëdha. Sepse, ndodhë rrallëherë që një këto forca e fuqi të mëdha të përpjekjen në mes veti sa për të shtyrë një superfuqi ekonomike si Gjermania të orientojë strategjikisht interesat e veta ekonomike e politike drejt një rruge të re; sepse një e vjetër nuk funksionon – ajo e Rusisë pra. Në këtë rrallësi të ngjarjeve, del se shtetet e vogla tona, të gjitha të varfëra, me plot anomali e me pak mundësi për të ecur vet, të jenë partnerë të vogël por tejet të rëndësishëm. Të rëndësishëm sa që me infrastrukturë rrugore e hekurudhore të shndërrohen në transmetues mallrash gjithandej; me kanale gazi të bëhen furnizues kryesorë evropian; e me forcë të re punëtore të dallohen për të zot e të nxjerrin veten dhe shtetet e tyre nga kjo ngecje që nuk përfundon asnjëherë.

Në gjithë këtë zhvillim, Kosova duhet të gjejë veten të gatshme për të kapur mundësinë e një interesimi gjerman – të ndjekur më pas nga secili evropian tjetër. Në këtë mundësi Kosova duhet të zëvendësojë shpejtë e mirë dominimin ekonomik të Turqisë, me një supershtet perëndimorë, Gjermaninë. Për këtë zëvendësim do të duhet kohë shumë, por mbi të gjitha vullnet për ndryshim shumë. Nga një klasë e re politike e deri tek një mendësi ndryshe ekonomike, Kosova gradualisht mund të shndërrohet nga një parajsë tygjare e allishverishesh në një vend të mirëqenies e zhvillimit.