Friday 31 January 2014

MBI TË PADITURIT UZURPUES DHE STUDENTËT E SHPRESËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 JANAR 2014

Se i padituri ka guxim, këtë nuk e dyshoj. Në të vërtetë është vetëm guximi që i jep shtytje të paditurit për tu marrë me gjëra lehtësisht. Se po mos të ishin të paditur nuk do ta merrnin shkencën si hobi e akademinë si shpërblim politik. Sepse të paditurit ulin kriteret e marrjes me gjëra; sepse janë të paditur dhe ua merr mendja se mund të merren me gjithçka. Dhe kështu të paditurit që nuk kanë as dije të merren me politikë, përfundojnë në ligë të dytë të politikës; akademi. Sepse akademia ju jep prestigj në familje – janë bërë tani profesorë; sepse ju jep zë në mëhalle – janë bërë tani dikush; sepse ju jep mburrje para pasqyrës – janë bërë tani alamet shkencëtarë.


-1-

Duhet të ketë një forcë metafizike që i bënë njerëzit me tipare të njëjta bashkë; të ligët e dashakëqijtë disi gjithmonë e vetvetiu përfundojnë në një grup të njëjtë, siç dhe përfundojnë fisnikët e dashamirët në një grup tjetër. Beteja e UP-së është betejë në mes të këtyre.

-2-

E kam menduar nivelin e uzurpimit të UP-së shumë më pak problematik dhe shumë më pak prezent. E mos të ishin paraqitjet televizive të mbrojtësve të skandalit të fundit ndoshta dhe do mbesja me mendime të tilla.

Gjithçka kulmoi, se për të filluar ka filluar shumë kohë më parë, me publikimin e një raporti gazetaresk – në gjuhën e udhëheqësve të UP-së raport “zhbirues” – i cili kishte shpërfaqur lehtësinë e publikimit në një revistë fantome, pa kredibilitet e pa kriter, të pjesëve punuese, kërkuese e akademike. Revistat e tilla ishin shndërruar në pamflete shpëtimi për “dua të jem akademikët” e Kosovës; të cilët, sa për të përmbushur kriterin e numrit të publikimeve kishin vendosur të dërgonin atje gjithçka – e gjitha në këmbim të avancimeve akademike në UP.

Se i padituri ka guxim, këtë nuk e dyshoj. Në të vërtetë është vetëm guximi që i jep shtytje të paditurit për tu marrë me gjëra lehtësisht. Se po mos të ishin të paditur nuk do ta merrnin shkencën si hobi e akademinë si shpërblim politik. Sepse të paditurit ulin kriteret e marrjes me gjëra; sepse janë të paditur dhe ua merr mendja se mund të merren me gjithçka. Dhe kështu të paditurit që nuk kanë as dije të merren me politikë, përfundojnë në ligë të dytë të politikës. Liga e dytë e politikës del të jetë akademia. Sepse ju jep prestigj në familje – janë bërë tani profesorë; sepse ju jep zë në mëhalle – janë bërë tani dikush; sepse ju jep mburrje para pasqyrës – janë bërë tani alamet shkencëtarë.

Veçse, në gjithë këtë ecje seç ka diçka që nuk shkon e nuk ju fle as atyre mirë në sedër; është vetvetja. Nuk përshtaten kur ballafaqohen me ata të vërtetët; nuk mund të bëjnë muhabet kur lind një temë; nuk shtojnë asgjë përveç kërcëllimeve të dhëmbëve dhe rrëmojëseve me ushqim që i sjellin nëpër gojë. Ata nuk përkasin aty. Por nuk largohen; përkundrazi largojnë secilin tjetër që është i vërtetë. Kështu nuk kanë nevojë të rikujtohen për mospërshtatjen sa herë që i shohin ata. Prandaj mbledhin rreth vetes individë që janë si ta, mendojnë si ta e punojnë si ta. Prorektorë, profesorë, studentë e grupe studentore që do ti mbrojnë me plot padituri në të mirë e në të keqe me aq sa dinë me aq sa munden. Dhe kështu ngjau në Kosovë këtë javë.

-3-

Rektori i Universitetit të Prishtinës është me profesion historian por arrin të shkruaj për mineralet e Kosovës, vet i 7-i, në një punim 5 faqesh, 3 nga të cilat janë harta e figura dhe 2 janë tekst, gjithsejtë 1351 fjalë - pra proporcionalisht nga 193 fjalë secili.

Punimi, i cili nuk përmban asnjë vlerë të shtuar dhe në rastin më normal nuk do të pranohej as si temë diplome e shkollës së mesme, publikohet në një revistë falsifikuese indiane; meqë si dokument joserioz që është vetëm aty mund të publikohej. Publikimi i 193 fjalëve (të tija) në këtë revistë i shërben historianit të avancohet në pozitën e tij akademike dhe kështu të konsolidojë edhe më shumë uzurpimin e tij. Rektori i UP-së sot përfaqëson më së miri profilin e një zaptuesi alla-partiash, i cili si pjesë e pazareve politike zapton dhe devalvon institucionet publike për ti shërbyer të njëjtës politikë zaptuese. Ai gjithashtu përfaqëson edhe nivelin e derexhesë në të cilën ka rënë universiteti publik (dhe pothuajse secili institucion tjetër publik); rreth tij sillen e mblidhen uzurpues të tjerë.

Ky seksion ka 204 fjalë; njëmbëdhjetë më shumë se sa numri i fjalëve që rektori proporcionalisht del të ketë shkruar në punimin si shtatë bashkëautorë.

-4-

Publikimi në një revistë të tillë është skandal. Shfrytëzimi i një publikimi të tillë për promovim e ngritje është skandal i dyfishtë. Arsyetimi se pre e publikimeve të tilla bie gjithkush është skandal i trefishtë. Mosdorheqja e secilit prej të tillëve është skandal i katërfishtë. Mosshkarkimi i të papërgjegjshmëve dhe të pamoralshmëve është skandal i pesëfishtë. E ngritja e vetëm 54 studentëve nga 54.000 është tragjedi. Ja pse.

Së pari, për një udhëheqës akademie e shkence, të publikosh një material nga fusha krejtësisht e ndryshme, me nivel kualiteti të hartimit të shkollës fillore, e pa ndonjë vlerë të shtuar për veten, rrethin e dijen, është marre. Pra futja e emrit në një mes të cilit nuk i takon, sepse nuk ke kontribuar fare (sic nuk mund të kontribuojë historiani për miniera – përndryshe vetëmbivlerësimi) është akt amoral akademik. Akademikët serioz nuk e bëjnë një gjë të tillë. Së dyti, shfrytëzimi i një shkarravine tekstuale për promovim të vetes dhe konsolidim të pozicionit tënd është mashtrim. Pra një udhëheqës shkence, që do të duhej të ishte shembull i një piramide tjetër shkencëtaresh, promovon mashtrimin si mjet të konsolidimit; si vlerë. Së treti, ngjizja e qatipëve servil të tjerë nëpër ekrane televizive, që mbrojnë mashtrimin dhe provojnë të japin një bindje se gjithkush tjetër është i marrë përveç se mashtruesit, është provë se sa të konsoliduar janë uzurpatorët. Ata kanë individë rreth tyre që i mbrojnë në absurditet e në injorancë; në atë masë sa që përsërisin njëri tjetrin se “gjithkush bie pre e publikimit”. A e dinë këta si shkon procesin i publikimit në të vërtetë?! Së katërti, mosdorheqja pas mashtrimit dhe provimit të mashtrimit është tregues i komfortit të mashtruesit përballë kërkesave të shoqërisë. Pra një mashtrues, edhe kur zihet, nuk ndihet i rrezikuar as nga turpi po as nga pasojat vijuese; prandaj dhe jodorëheqja pas mashtrimit por tentim përmirësimi i mashtrimit. Jeta megjithatë nuk është lojë poenash të “supermarios”. Së pesti, moshkarkimi i mashtruesve kur nukjapin dorëheqje është tregues i mjaftueshëm për nivelin e anarkisë institucionale në vend. Kosova vazhdon të mbetet pa institucione vepruese edhe kur mashtrimet publikohen e bëhen të njohura botërisht.

Dhe së gjashti, dalja e një numri të vogël studentësh para rektorati – nga një brum prej 54.000 studentësh – është shqetësim serioz i ecjes sonë. Edhe më shqetësuese bëhet fakti i daljes së disa studentëve të tjerë që poshtërojnë kërkuesit e mbarësisë jo me argumente por me zgjedhjen për anën që mbajnë. Studentë të tillë, që me automatizëm e pa tru mbrojnë mashtruesit, madje me arsyetime jo të denja për të zënë as edhe një rresht në faqen e kësaj gazete, tregojnë gjithashtu mbi sistemin klientelist që UP ka ndërtuar nëpër vite. Të tillët nesër do të paraqesin veten si material përpunues i partive politike që kanë sjellë institucionet akademike në këtë derexhe.

-5-

Kur e mendon, 54.000 studentë do të duhej të ishin forcë e reagimit dhe forcë e ndryshimit që do të dridhte secilën Qeveri e secilën parti për hajni, korrupsion, moszhvillim e keqmenaxhim. Këta të UP-së ndërkaq, nuk janë në gjendje të bëhen as 54 për të mbrojtur vetën dhe kolegët e tyre që u shkelën këtë javë para rektoratit turpësisht. Sa keq që nuk e kanë idenë se çfarë force mbajnë.

E si të ndarë e jokolektiv që janë, do të shkelen ata dhe të tjerët pas tyre jo më nga policia, por nga pak politikanë, pak të paditur, pak mashtrues, gjithsesi të gjithë të padenjë  - do të “zhbirohen” në gjuhën e udhëheqësve politik të UP-së.

-6-

Në secilën ditë do të zgjidhja studentët protestues. Nëse janë pak, ka pak rëndësi. Rëndësi ka e drejta që kërkojnë. Sot zhgënjimin, dëshpërimin, nervozizmin e pesimizmin mund ta gjejmë e pranojmë gjithandej; janë të zakonshme. E pazakonshme dhe shumë e veçantë është shpresa që shkëndija studentësh si këta ngjallin për të tjerët në këtë grumbull të aksidenteve anarkike nga të paditurit. Kur kaq pak kërkojnë për kaq shumë, atëherë triumfi i mirësisë të së mirës ndaj ligësisë të së keqes ka gjasë.

Sepse si të drejtë e të mbarë që janë, do të bëjnë secilin tjetër pasiv, studentë, profesor, kalimtar apo telepërcjellës, të mendojë se çfarë në të vërtetë kanë bërë ata kur e mira dhe e liga u kapën në mes veti.      


Monday 27 January 2014

IMPROVIZIMET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 JANAR 2014

Mësime nga një javë se si nuk shkohet në Evropë


-1-

Në dhjetor të 2013-ës, kur ishin bërë 3 vite nga deklarimi famoz i Kryeministrit mbi një pesëmbëdhjetë muajsh dhe një liberalizim vizash pas tij, provova të grumbulloj e ti rikujtoj qëndrimet e tij nëpër  vite rreth procesit në fjalë. Sa herë që lexoni deklaratat e tij, do të mahniteni nga paaftësia e artikulimit të një vizioni, e nga aftësia e devijimit të qëndrimit nëpër kohë. Të njëjtat i kisha publikuar në Facebook atëherë; po i risjell dhe këtu.

Pra e para, dhe më e famshmja, ishte e vitit 2010, kur Kryeministri deklaronte se “...për pesëmbëdhjetë muaj do të ndodhë liberalizimi i vizave”. Madje, në një konferencë për shtyp i njëjti deklaronte se këtë parashikim e bënte sepse mbante kontakte të rregullta me zyrtarë evropian dhe se lidhjet e tija personale (hajde de) në Bruksel i kishin siguruar atij një informacion të tillë. Në të vërtetë, për gjithkënd me veç pak dije më shumë rreth procesit, një deklarim i tillë ishte veçse një premtim elektoral; sepse liberalizmi i vizave për një vend nuk ishte dhuratë që bëhej në shenjë të një relacioni – qoftë edhe personal – por ishte një triumf, pra një përfundim, i një rruge me shumë prova rreth suksesit. Pjesa më e madhe e provave kishte të bënte madje me arrestimin, ndalimin dhe parandalimin e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të vet Kryeministrit, me të njëjtët që ai po garonte në zgjedhje nacionale. Ishte një muhabet koti, asgjë më shumë.

Kur u bënë gati pesëmbëdhjetë muaj, diku kah fundi i vitit 2011, Kryeministri në një adresim kabinetit të tij ishte shprehur se “...viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave”. E kur 2012-a po merrte fund, në një shfaqje të re të tij, tha se “liberalizimi ende nuk ka ndodhur; por ne kemi deklaruar vitin 2013 si vit të liberalizmit, pra 2013-a është vit i liberalizimit të vizave”. Kjo pjesa e dytë e qëndrimit, kur “hera e tretë por e vërtetë” theksohet si noveliste dhe e re, më thotë shumë për injorancën dhe paqëndrueshmërinë e një politikani tipik alla-ballkanas i viteve të 90-ta. E kur u pa se as e treta nuk ishte “e vërteta”, pra një muaj më parë, Kryeministri po përmbyllte ciklin  e deklarimeve me “...muajt në vijim janë vendimtar për procesin e liberalizmit të vizave”. Kaq prej tij, sa din, sa parasheh dhe sa keqinformon – qëllimisht apo për shkak të paditurisë nuk ka rëndësi – në tre se sa vite pushtet.

Këtë javë, Ulrike Lunacek, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, mund ti ketë këputur shpresat e një grumbulli kosovarësh që megjithatë mbanin për fjalë Kryeministrin; shpresoj të janë të pakët gjithsesi të tillët që ende besojnë në pallavrat e tij. Ajo na tha se “...sivjet nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët. Shpresoj që do të bëhet brenda dy apo tri vitesh”. Tha gjithashtu se lufta e provuar ndaj krimit, kriminelëve, manipuluesve e gjithë parazitëve tjerë publik është parakusht – bashkë me një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik e demokratik të vendit – për të ecur lirshëm në Evropë. Pra thënë ndryshe, ecja e lirë në Evropë është rezultat vetëm i një produkti të brendshëm, pra e një prodhimi politik e ekonomik të pëlqyeshëm nga Kosova – prodhim ky që përkundër qëndrimeve të qeveritarëve e qatipëve proqeveritarë se po krijohet, nuk është askund; përndryshe do të ecnim në Evropë.
-2-

Pamjet e së premte mbrëma nëpër Prishtinë, aq pompoze e aq mediake, më shqetësuan shumë – ishin të pazakonta. Një grumbull policësh, ca të maskuar e ca jo, po marshonin në rend nga ty për të, siç deklaronin vet ata “treguar vendosmërinë dhe pamëshirshmërinë ndaj grupeve kriminale”. Dhe ku ishin këto grupe kriminale? Mysafirë nëpër të gjitha kafenetë dhe klubet e Prishtinës. Çfarë ofendimi.

Tani, unë kam çdo respekt e konsideratë për Policinë e Kosovës e cila në vete mbanë shumë individë e shërbyes të denjë; siç është edhe ky polici i lagjes në të cilën gjendet zyra e Riinvestit, afër Qafës, e i cili nuk kalon javë pa mbajtur një takim së paku me ne e gjithë banorët e tjerë të lagjes – për të marrë përshtypje, organizuar rendin e treguar përkushtimin. Mahnitem nga vullneti i tij. Pra Policia ka individë e shërbyes të tillë mjaftë. Policia gjithashtu ka detyrë e obligim të siguroj rend dhe ligj; por ama, këtë rend e ligj nuk duhet ta bëj nëpërmjet mbështetjes për muri, zgjerimit të këmbëve e kontrollimit detaj të secilit mysafir të kafeneve të Prishtinës – e që të premten thuhet se ishin dy-tre mijë.

Pra individë që vendosin të çlodhen në mbrëmje me mik apo familjarë, që pas një dite të lodhshme e ashtu të mundimshme vendosin të kenë pak momente harrese – nuk janë kriminelë e nuk meritojnë ofendim të tillë. Siç edhe nuk meritojnë një kontroll një për një udhëtarët e trenit Prishtinë-Pejë të cilët njashtu ishin tmerruar nga hyrjet e shpejta e bombastike e me maske e të gjitha të përcjella me kamerë.

Nëse policia synon të parandalojë narkotikët nëpër kafene – ani pse në fund pas gjithë operacionit nuk gjetën ama bash asgjë – më e udhës do të ishte të vepronte siç bënë secila forcë policore moderne – të fusë dy a tre detektivë civilë e të tregojnë kështu efiçencë në kapjen e përdoruesve pa nevojën e maltretimit të mijërave të tjerëve. E për më tepër, nëse duan të parandalojnë krimin e narkotikëve apo armëve, do të ishte e udhës të ndalin burimin e tyre, që megjithatë nuk gjenden në kafene.

Shfaqjet teatrale sa për të thënë se po bëjnë punë janë më tepër paraqitje të thata të udhëheqësve policorë e potencialisht dhe liderëve politik, të cilët nën presionin e nevojës për luftë kundër krimit duket të kenë vendosur publicitet – siç vendosin zakonisht në çdo relacion tjetër. As kështu nuk shkohet në Evropë.

-3-

E në Evropë më së paku shkohet me një Universitet Publik që ofron mundësi që edhe punimet e Filan Fistekut të konsiderohen si të denja për promovim. Një hulumtim i shkëlqyeshëm i gazetarëve të “Kohës Ditore” shpërfaqi më së miri gjithë defektin e “shkencës” dhe “nivelit shkencor” të UP-së, bashkë me gjithë gradimet e mësimdhënësve aty, kryesisht politikanë apo të lidhur me politikanë – gjak apo jarani – që si hobi marrin shkencën.

Sepse si hobi edhe e konsiderojnë shkencën. Pra, injorantët e të paditurit kanë guxim më shumë të merren me gjëra të mëdha jo sepse janë trima, por sepse injoranca dhe padituria e tyre ulë kriteret e marrjes me gjëra; për ta shkenca është punë e lehtë.

Në këtë vijë janë certifikuar e certifikohen edhe sot një pjesë bukur e madhe e mësimdhënësve të Universitetit Publik, që më pas provojnë të edukojnë gjenerata të tërë analfabetësh modern; të paaftë plotësisht për punë dhe të padobishëm për kërkesat e reja. Nga një tollovi si këto, vetëm studentët që kanë vetiniciative dhe që studiojnë e mësojnë sepse kanë vetë-regjim, filtrohen e përfundojnë më tutje.

Pra, një sistem edukativ i zaptuar si ky, që prodhon doktor shkencash e profesorë pa fije kriteri logjik, ka prodhuar një anarki edukative ku vetë-selekcionimi e jo shtytja është derivat ecjeje. Pasojat e një defektimi si ky do ti bartim për shumë vite. Doktor shkencat e thata, profesorët fallco e hulumtuesit pa hulumtime, do ti kemi në qafë për vite të tërë. Në të vërtetë, largimi i tyre nga sistemi kosovar do të jetë lufta e re e vendit; në mes së mirës dhe së keqes. Mund më vjen nga shkatërrues të tillë.


Thursday 16 January 2014

NJË JAVË NË KATËR AKTE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 JANAR 2014

Mbi takimin e Prizrenit, përkujtimet e masakrave, grupeve siriane e vendet e rezervuara

-1-

Sikur të mos bëhej për fotografi, për simbolikë dhe për dorë-shtrëngime tashmë “më tha të thash”, takimi i parë në mes të dy qeverive shqiptare në Prizren do të mbahej mend për nismën e mbarësisë kombëtare. Do të mbahej mend si takim ku problemet energjetike, të tregtisë, të investimeve e përparësive krahasuese në mes dy shteteve do të merrnin udhë. Jo pse disa grupe nacionaliste thirren e çirren rëndom për akte të tilla, por sepse bashkërendimi në mes të dy vendeve është një përfundim natyral. Pra, është natyrale që dy tregje me gjuhë të njëjtë, kulturë të njëjtë, pak a shumë histori të njëjtë – dhe në fund me vullnet politik të njëjtë – të bashkërendojnë.

A e shoh takimin si nismë të denjë për të trajtuar problemet në fjalë? Aspak. Jo sepse nuk dua unë e nuk munden ata, por sepse të dy grupacionet qeverisëse qysh në start prodhuan vetëm një shfaqjeje komerciale që mund të shitet nëpër tregjet nacionaliste gjithandej. U takuan, u fotografuan, u ngopën mirë dhe nuk na thanë gjë; as edhe një vendim të vetëm pas 6 vjet bashkëpunimi ndërshtetëror – thuajse të dyjat fillonin nga viti zero. Madje provuan të shesin shfaqjen dhe në tregun e Luginës, por ja që potenca e shitjes prej një fondi 100.000 eurosh tregoj edhe brishtësinë e sinqeritetit të dy qeverive. Dhe as që dua të argumentojë denjësinë e fondit, as intencën e palëve e hiç se hiç dëshpërimin e shqiptarëve më të palirë sot në Evropë, atyre pra të Luginës; dua vetëm të shpreh pakënaqësi me tregtimin e nevojave serioze nacionale për marketing e poena politik nga Kryeministri Thaçi e Kryeministri Rama. Ani pse veprime shumëherë më domethënëse se të paraardhësit Berisha, akte si këto nuk mjaftojnë me vlerësimin se janë më mirë se paraprakët. Mendësia e bërit më mirë se parapraku do të na ngujojë përjetësisht në kërkim të simbolikave qeverisëse; siç edhe jemi të ngujuar tash e sa vite gjithandej ku ka shqiptarë.

-2-

Në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të masakrës së Reçakut, fillova të gjurmojë deklaratat e zyrtarëve serb në lidhje me rastin të dhëna nëpër vite. Gjeta, ndër shumë të tjera, dhe dy mjaft interesante, nga kryeministri i tanishëm serb. E para, ishte bërë më 15 Janar 1999, në ditën e masakrës së Reçakut. Zëdhënësi i atëhershëm i Millosheviq thoshte: "SPS në plotni dhe me vendosmëri përkrahë organet shtetërore të Serbisë dhe gjithë aktivitetet e tyre për të luftuar terrorizmin në Kosovë dhe për të zhbërë të gjitha grupet terroriste atje". Dhjet vite më pas, më 23 mars 2009, në përvjetorin e dhjetë të bombardimeve të NATO-s, i njëjti thoshte: "Bombardimet e NATO's ishin pasojë e akuzave fallce rreth masakrës së montuar të Reçakut, dhe për gjoja fajësinë e forcave serbe në Reçak".

A është befasues një qëndrim si ky? Aspak. Sinqerisht nuk pres shumë moral e njerëzim nga një trashëgimtar i Millosheviqit. Por çfarë megjithatë pres nga qeverisja ime, e shtetit tim dhe vendit tim, i cili megjithatë themelet i ka mu në vrasjet e masakrat si kjo e Reçakut, është dinjitet në relacion me individë që mendojnë kështu. Për të qenë më i qartë, një shtet si i yni nuk do të duhej të shfaqte asnjë shenjë tolerance – përfshirë edhe tolerancën e vizitave të tij nëpër Kosovë gjithandej, plot 21 herë – pa pranimin e pendesës (së paku) të individëve që dikur e potencialisht dhe tash mendojnë ashtu. Me të tillë nuk do të duhej të kishim punë, siç nuk kanë shtetet moderne e perëndimore sot punë me individë terroristë e dashakqijë.

-3-

E kur jemi tek individë terroristë e dashakëqij, lajmi i shfaqjes së një grupi shqiptarë me flamuj të “Al-Qaedas” diku nëpër vend luftimet e Sirisë, ishte sinqerisht lajmi më shqetësues që shqiptarët do të mund të merrnin në kohë si këto. Kërcënimet e prerjes së kokave amerikane nga disa që folin shqip, tregojnë më së miri edhe shkallën e infiltrimit terrorist, antinacional dhe në fund të fundit çnjerëzor e antifetarë – gjithandej Kosovës nga grupe ekstremiste që punojnë lirshëm tash e 14 vite në vend; gjithmonë pas çlirimit me ndihmesën e po të njëjtëve amerikan.

Dhe jam i ngopur me secilin që kundërshton gisht-treguesit e terroristëve me idenë e një “islamofobizmi”; në ato përmasa sa që nuk bën askush të flas për ta sepse në definicion e me automatizë, shndërrohet disi në “islamofob”. Në fund të fundit sot kundërshtarët më të mëdhenj grupeve radikale, terroriste e pa tru janë pikërisht shumica e besimtarëve islam. Në fund të fundit beteja e pastrimit të religjionit dhe shtetit nga grupacioneve të tilla është beteje e brendshme e besimtarëve të fesë sonë (islame pra). Do të duhet vet ne ta pastrojmë oborrin nga elemente të tilla që sot kërcënojnë amerikanë e përkrahës amerikanë me kokë-prerje.

Ngjarjet e videot si këto, do të duhet të shërbejnë në Kosovë për nisjen e hetimeve publike e të hapura për lidhjet eventuale të këtyre grupeve me Kosovë dhe rrjedhimisht me ndjekjen penale për terrorizëm e veprimtari kriminale të secilit që ka ndikim në mendime e ecje si këto. Dhe më nuk duhet të presim nga BIK-u e përfaqësues të tjerë fetarë ndërhyrje të penalizimeve nëpër objekte të zaptuara fetare, por duhet të presim ndërhyrje të pastra të inteligjencës, forcave policore e prokurorisë para se bomba e parë të shpërthejë diku në Kosovë. Këta kanë kaluar secilin kufi!

-4-

E në vlugun e gjithë telasheve politike në vend, vendi ballafaqohet me një kërkesë të padrejtë për ndryshim të kushtetutës, dhe – kjo më e rëndësishmja – e hapjes së Pakos së Ahtisaarit; të asaj pakoje që jemi zotuar se nuk do ta hapim kurrë. Qëndrimet e LDK-së dhe VV-së deri më tani janë sinqerisht për tu lakmuar; siç janë për tu trishtuar qëndrimet e kryetarit të AKR-së i cili nga paditunia ekstreme – si në çdo relacion tjetër politik tashmë – propozon 130 e kusur vende në parlament e mandate shtesë, sa për ti hyrë në qejf ndonjë diplomati të huaj; ani pse e lë vendin në hallakamë për katër vjet me një parti që refuzon shtetësinë e Kosovës e potencialisht me 30 deputetë në Parlament – teorikisht edhe mandatuese e Qeverisë së re.

Mendimet si këto, pra të servilitetit enrom, të paditunisë e naivitetit– të kombinuara me këmbënguljen e ligshtë të PDK-së që ka humbur më secilin kredibilitet e legjitimitet, janë mendime e qëndrime që rrezikojnë qenësinë e shtetësisë së vendit. Për më tepër, grupimet e ideve si këto, gjenerojnë vetvetiu domosdoshmërinë e zhbërjes së tyre. Rrjedhimisht, akti i vetëm patriotik që kanë kosovarët sot dhe partitë opozitare në vend, para se të sakatojmë e gjymtojmë brishtësinë ashtu kështu të shpërfaqur në vend, është rrëzimi i qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje nacionale – me shpresë të lira dhe pa prodhime kriminale e naive.



Sunday 12 January 2014

QEVERIA 10

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 JANAR 2014

Diskutim mbi një organogram të ri qeverisje


Nuk kam qenë asnjëherë ithtar i qeverive të mëdha; asnjëherë. Janë financiarisht të kushtueshme, politikisht të korruptuara e funksionalisht joefiçente – të gjitha të financuara nga sektori efiçent privat. Qeveritë e mëdha, në organizim apo prezencë, janë zakonisht produkt i nevojës për menaxhim efiçent. Për partinë në pushtet rritja e vazhdueshme e ministrive nuk është bërë asnjëherë me një orientim apo ide të dhënë; është bërë sa për të akomoduar aty këtu partnerë koalicionesh, partiak të tepruar, minoritetet të lazdruara e ide të tjera bukur të banalizuara.

Kosova sot, besoni ose jo, ka plot 20 ministri; një prej të cilave është pa portofol – numri i saktë i zëvendësministrave, këshilltarëve politik e shërbyesve tjerë politik mbetet i panjohur madje edhe për vet Kryeministrin. Pra në esencë, Kryeministri para vetes ka një organogram menaxhues për fundin e të cilit as që ka ide. Ky organogram është marrë si i qenë dhe është trashëguar nga administrata e UNMIK-ut, e cila si rëndom me politikat paraprake ka prodhuar mishmashe organizative. Për të mos mjaftuar kjo, gjatë kohës secila qeveri kosovare kishte shtuar ministri nën idenë se çdo çështje e rëndësishme duhet të trajtohet me një ministri të rëndësishme. Ç’është e vërteta, një logjikë e vazhduar si kjo do të nënkuptonte se Kosova me 1001 probleme duhet të kishte plot 1001 ministri.

Numri i ministrive ishte bërë aq i madh, rrjedhimisht aq i pamenaxhueshëm nga kreu i qeverisë, saqë një ide edhe më e komplikuar po formësohej në zgjedhjet e kaluara; bëhej fjalë për krijimin e një niveli të ri në mes të Kryeministrit dhe Ministrave – një grumbull zëvendëskryeministrash. Pra në esencë, zëvendëskryeministrat do të ishin përgjegjës për grumbuj ministrish të fushave të ngjashme duke provuar kështu thjeshtëzimin e komunikimit në mes të kryeministrit dhe ministrave. Ndonëse Qeveria e fundit kishte prodhuar një grumbull zëvendëskryeministrash, ideja e ndërmjetësimit nuk ishte funksionalizuar asnjëherë. Dhe ky është lajm i mirë them unë – pse të komplikojmë më tej.

Në këtë shkrim do të provoj të argumentoj në favor të një organogrami më të thjeshtëzuar qeverisës, i cili nuk mbanë në vete 4 zëvendëskryeministra, 20 ministra e plot zëvendësministra, por mban vetëm 10 ministri. Thjeshtëzimi si ky nuk nënkupton mbylljen e ministrive dhe kështu shuarjen e prioriteteve, nënkupton vetëm riorganizmin e tyre dhe adresimin më të lehtë dhe më efikas të po të njëjtave prioritete. Pra në thelb, ky organogram, unë argumentoj, hedh poshtë idenë se çdo problem zgjidhet me një ministri të vecantë për vet problemin dhe njëkohësisht forcon kontrollin e udhëheqësit të qeverisë dhe bashkëveprimin ministror nëpërmjet thjeshtësisë; përveç kësaj kursen fonde të mëdha për parazitët “zëvendës”.

***

Në modelin e tanishëm, Kosova paradoksalisht ka krijuar plot 3 ministri që merren me punë të jashtme; ka Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe Ministrinë e Diasporës. Dy ministritë e fundit do të mund të ishin lehtësisht departamente – mjaft funksionale madje e të kontrolluara – të (1) Ministrisë së Shtetit dhe Punëve të Jashtme. Në konstalacionin e tanishëm bëhet bukur e komplikuar kur tre individë merren me detyra të jashtme; e në rastin e bisedimeve madje komplikohen edhe më shumë nga një zëvendëskryeministër plus. Paramendoni një konstalacion të ri, në të cilin një ministër i punëve të jashtme ka diplomacinë, integrimet, diasporën dhe negociatat në portofolin e vet – paramendoni dhe kredibilitetin e një pozite të tillë dhe rrjedhimisht kërkesën për kualitet në përfaqësim ndërkombëtar.

Problemet ekonomike të Kosovës në modelin e tanishëm qeverisës adresohen nga 4 ministri: nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; dhe nga Ministria e Infrastrukturës. Në të vërtetë, për dy nga këto katër ministri e kam vështirë të kuptoj arsyen e ekzistencës ndarazi nga një trup unik. Pse duhet infrastruktura të trajtohet si ministri e ndarë nga një koncept e vizion i përbashkët zhvillimor ekonomik? Apo pse duhet mbajtur një Ministri të Zhvillimit Ekonomik e cila përveç privatizimeve nuk merret me asgjë tjetër; ama bash hiç. Në vend të këtij grumbulli aksidental, them të krijohet (2) Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit, pjesë e së cilës do të ishin departamentet (dhe rrjedhimisht udhëheqësit kredibil) të tregtisë, të investimeve (pavarësisht se a bëhen në rrugë, shkolla apo ku tjetër), të bujqësisë, të prodhimit, të mjedisit, të energjisë dhe të telekomit – të gjitha pjesë e një orientimi.

Vis-à-vis Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit duhej të qëndronte (3) Ministria e Financave dhe Thesarit, e cila në esencë do të merrej me gjenerimin dhe planifikimn e financave të shtetit, pra në radhë të parë do të koordinonte mbledhjet doganore, mbledhjet e taksave të brendshme, menaxhinin e thesarit dhe në fund planifikimet makroekonomike të vendit. E njëjta do të merrej me luftim të informalitetit e evazionit fiskal nëpërmjet policisë financiare – një lloj i “Guardia di Finanza” alla-kosovarçe.

E kujdesi për krijimin e një ambienti të ligjshëm e të drejtë do të ishte pjesë e (4) Ministrisë së Ligjit dhe Drejtësisë, puna e së cilës do të orientohej drejt krijimit të parakushteve për gjyqësi dhe prokurori të guximshme e të drejtë; dhe për qendra rehabilituese e të burgosurish siç e do rendi i standardeve evropiane. Për arsim, shkencë dhe teknologji – pa përfshirë infrastrukturën dhe investimet në to – pra vetëm me pjesën softuerike të dijes, do të merrej (5) Ministria e Edukimit dhe Shkencës. Këtu do të duhej të grumbulloheshin akademikë që nuk kanë nevojë të dinë shumë për sasinë e çimentos e armaturës në një shkollë, por sasinë e dijes ose jo të një lënde mësimore.

Shëndeti, politikat sociale e kujdesi pensionale (jashtë Trustit) do të mund të trajtoheshin brenda (6) Ministrisë së Shëndetit dhe Kujdesit Njerëzor, e cila pra nuk do të merrej vetëm me menaxhim të qendrave klinike e shtëpive të kujdesit shëndetësor, por me një kujdes të gjithmbarshëm human në vend – nga lindja, rritja e deri tek plakja. Njëtrajtësisht, sporti e kultura – pa rini gjithsesi nuk ka kuptim trajtimi i rinisë ndarazi nga një vend që 70% të banorëve i ka rini – do të ishin pjesë e (7) Ministrisë së Sportit dhe Kulturës.

Siguria e brendshme dhe nacionale do të ishin pjesë e dy trupave. Në radhë të parë, (8) Ministria e Rregullit të Brendshëm do të merrej me  krijimin e kushteve dhe politikave për polici, zjarrfikës e trupa të tjerë emergjent të pavarur e të qëndrueshëm. Karshi saj, për rregullin shtetëror do të krijohej (9) Ministria e Mbrojtjes deh Sigurisë Kombëtare e cila do të përkujdesej për formësimin dhe funksionalizimin e ushtrisë – jo vetëm në kuptimin fizik e militar të saj por edhe në nevojën për të krijuar qendra të inovacionit e dijes brenda ushtrisë. Shërbimet e inteligjencës do të ishin pjesë e objektivit për siguri nacionale të kësaj ministrie.

Në fund fare, do të riorganizohej (10) Ministria e Administratës Shtetërore, e cila përveç se do të shkrijë në vete edhe gjithë kompetencat e ministrisë së tanishme që merret me pushtet lokal, do të kishte për obligim furnizimin, reformimin, rekrutimin, ngritjen profesionale dhe sigurimin e cilësisë të gjithë administratës shtetërore – një lloj superderpartamenti i resurseve humane në Qeveri.

Friday 3 January 2014

PAK EKONOMI, SHUMË FJALË



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 JANAR 2014

Katër vite më parë ne kishim një aset që vlente bukur shumë. Më pas gjetëm një “agjent shitjesh” i cili mori asetin, parandalojë çdo mirëmbajtje të tij, zgjodhi një treg teneqesh e hekurishtesh për të gjetur një shitës, dhe na u kthye prapa - pas katër viteve - me një blerës “fullirant” dhe pa asnjë pare në xhep; na tha në fund të vendosim në favor të shitjes meqë aseti - pas katër vitesh, pas mosmirëmbajtjes e pas vendosjes në treg teneqesh e hekurishtesh - nuk vlente më asgjë.


Në stil të “photo-finish”, komisioni ndërministror për privatizimin e PTK-së kishte zgjedhur datën 31 Dhjetor për të dhënë lajmin se aseti megjithatë nuk do të privatizohej. Si një lobues i mos-shitjes alla-pronto - tash e pothuajse katër vite - u ndjeva i lehtësuar. I lehtësuar sepse presioni publik, organizimi opozitar dhe thirrja në rezon e sens nga gjithkush tjetër në proces, kishin ndërprerë njërin ndër aktet më të shëmtuara politike në vend. Si i kontrabanduar, i devalvuar dhe i mbyllur nga publiku, procesi nuk meritonte assesi shitjen. Në të vërtetë si i tillë ai në rrethana normale nuk do të meritonte as nisjen.

Por ja që e nisën mbrapshtë, e vazhduan mbrapshtë dhe natyrshëm përfunduan mbrapshtë. Këtu, ata, mund dhe të prodhojnë e krijojnë lajme të humbjeve marramendëse nga mosshitja, por nuk ka e nuk do të kishte asnjëherë humbje më të madhe se sa transferi i asetit për: (një) shumën e gjithmbarshme sa kthimi katërvjeçar i investimit; (dy) tek një fond investiv që normalisht pretendon rishitjen; (tre) shitjen gjatë një procesi jo-konkurrencial dhe të komprometuar nga afera korruptive e një procesi të anuluar paraprak; dhe (katër) daljen në treg me një aset të cilit u janë ndërprerë të gjitha investimet për sa vite, për ta mbytur vetëm në shërbime telefonike.

***

Nuk ka asnjë dyshim se ndërprerja e dytë radhazi e procesit do të ketë kosto për vendin, për asetin dhe për “të tretën të vërtetën” kurdo që të ndodhë. Shitja nuk është punë fëmijësh - e aq më pak punë (në stilin standard komunikues të shefit të shefave) matrapazësh korruptiv që devalvojnë e zhbëjnë gjithçka që prekin; për të dalë të gjithë në fund fare me thirrje se të tjerët janë fajtorë për dështim.

Në gjuhë të secilit tjetër me rezon, e vërteta është se katër vite më parë ne kishim një aset që vlente bukur shumë. Më pas gjetëm një “agjent shitjesh” i cili mori asetin, parandalojë çdo mirëmbajtje të tij, zgjodhi një treg teneqesh e hekurishtesh për të gjetur një shitës, dhe na u kthye prapa - pas katër viteve - me një blerës “fullirant” dhe pa asnjë pare në xhep; na tha në fund të vendosim në favor të shitjes meqë aseti - pas katër vitesh, pas mosmirëmbajtjes e pas vendosjes në treg teneqesh e hekurishtesh - nuk vlente më asgjë.

Si pronarë të asetit do të mallkojmë ditën që dhamë asetin në duar të një agjenti më “fullirant” se blerësi, që pranuam ndërprerjen e investimeve në shërbime të kabllorit, gjeneratës së tretë e katërt apo në shërbime të internetit - të gjitha mund të ndodhnin katër vite më parë - që nuk morëm vet asetin në menaxhim, për të zhbërë të gjitha ndikimet politike a partiake në të, që nuk zgjodhëm një kohë të mirë, një gjuajtje të vetme dhe një përfundim të vetëm, apo që nuk morëm vlerën reale të tij plus një investitorë që na mëson e na kthen shërbime më mirë se sa ti bënim vet.

Tash, kur mallkimi ose jo ka pak rëndësi, do të duhet të provojmë ta mbajmë rekordin drejtë. Për fillim të mbajmë përgjegjës “agjentin” tonë, pra qeverinë dhe gjithë të tjerët e involvuar në të, të cilët bënë të pabërën përgjatë dy përpjekjeve të dështuara. Më pas, të japim në menaxhim asetin ose tek një kompani e përkohshme që përfundon të gjitha investimet e parapara tash e katër vite, ristrukturon dhe pastron PTK-në nga të gjithë të punësuarit politik e partiak që nuk i kanë dy lidhje mend, e të zgjedhë një prag minimal nën të cilin nuk pranojmë asnjë ofertë. Madje, kur zgjedhim pragun minimal shitjen mund ta bëjmë fare hapur, me negociata një me një me investitorë serioz e kompani me eksperiencë.

***

A mund të bëjë një gjë të tillë qeveria e tanishme? Absolutisht jo; nuk ka as ide, as sy e as vullnet për të bërë ekonomi. Në të vërtetë, sa më parë që largohet ky grup qeverisësish, aq më parë fillojmë mbarësimin ekonomik të vendit. Këta kanë ngufatur secilin potencial gjenerues në vend. Aty ku kanë mundur kanë përvetësuar, diku tjetër kanë zaptuar e gjithçka tjetër kanë zhvlerësuar. Sepse të njëjtit nuk kanë as edhe një haber për ekonomi; fjalë shumë, ekonomi zero. Madje për të kuptuar edhe nivelin e ekonomi-bërjes në vend, skam se si të mos marr shembull tri deklarata të bëra të njëjtën ditë - me 30 dhjetor të vitit që sapo lamë pas - nga tri institucione të ndryshme.

Më 30 dhjetor 2013, Kryeministri i Kosovës gjatë fjalimit përmbyllës po deklaronte kështu: “Kosova edhe këtë vit e ka shënuar një rritje ekonomike mbi 5%. E gjithë kjo rritje ka qenë e mundur duke u bazuar në planifikimet tona të mirëfillta dhe zbatimin e këtyre planëve”.

Më 30 dhjetor 2013, Ministria e Financave, e cila bën përndryshe matjen e rritjes ekonomike në vend, gjatë përmbylljes vjetore po deklaronte kështu: “Kosova sivjet ka rritje ekonomike prej 3.2%”.

Më 30 dhjetor 2013, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport përmbyllës për Kosovën të publikuar të njëjtën ditë me dy deklaratat paraprake, thoshte kështu: “Gjatë vitit 2013, rritja ekonomike në Kosovë ka qenë 2.5%”.

Morali i tregimit? Fillimisht, Kosova ka një Kryeministër që nuk e di as rritjen ekonomike të vendit të vet (elementi i injorancës); tani paramendoni dijet tjera të tij për ekonomi, rrjedhimisht potencën e qeverisjes së tij për të bërë diçka më mirë. Së dyti, Kosova ka një Kryeministër që prodhon një pasaktësi lehtësisht, madje dhe thotë se ka pasur plane për të realizuar të njëjtën pasaktësi - dhe se - ka zbatuar ato me përpikëri për të arritur në një numër - të pasaktë - rritjeje (elementi i futkotizmit). Së treti, Kosova ka një Kryeministër që përgënjeshtrohet të njëjtën ditë nga Ministria e tij - të cilën së paku ishte dashur ta konsultonte - dhe për më tepër nga institucioni më kredibili ndërkombëtar, pra FMN, matjet e së cilës kanë qenë më të sakta gjithnjë (elementi i marres).

E kur injoranca, futkotizmi e marrja bëhen një, dështimet e ndërprerjet e proceseve - gjithmonë të mbrapshta meqë nuk kanë se si të dalin më ndryshe - janë lajmet më të mira që mund ti marrim ndonjëherë.