Friday 28 October 2011

NJË RANGIM SKANDALOZ

Letra nga limbo 
KOHA DITORE 28 TETOR 2011


Tri vende të humbura në hapjen e biznesit, dy në marrjen e lejeve të ndërtimit, katër në furnizim me energji, shtatë në regjistrim të pronës, tre në marrjen e kredisë, dy në mbrojtjen e investitorëve, një në  pagesën e tatimeve dhe dy në tregtinë ndërkombëtare, bëjnë vlerësimin e fundit regresiv nga Banka Botërore për Kosovën


Stina e raporteve po ndjehet dukshëm në vend. Pas Raportit të Progresit vjen dhe një rangim regresiv nga Banka Botërore; një goditje kjo e re për performancën e institucioneve tona dhe për gjithë ato vetëlavdata të thata që na shurdhuan. Në vlerësimin e të bërit biznes Kosova për një vit ka treguar mu të kundërtën, atë se si nuk duhet bërë biznes. Nga dhjetë treguesit e ambientit biznesor, tetë shënojnë humbje të konsiderueshme në rangim deri sa vetëm dy shënojnë stagnim; as edhe një progres i vetëm. Raporti u pranua edhe një herë me klishenë tanimë standarde se “është real”. Madje zëvendëskryeministrja Kusari-Lila e quajti rangimin e ri si progres meqë Kosova “ka ndalur më në fund trendin rënës”. Nuk di cilin raport ka lexuar Znj. Kusari-Lila, por ky i fundit nuk jep kurrfarë progresi. Janë tri vende të humbura në hapjen e biznesit, dy në marrjen e lejeve të ndërtimit, katër në furnizim me energji, shtatë në regjistrim të pronës, tre në marrjen e kredisë, dy në mbrojtjen e investitorëve, një në  pagesën e tatimeve,dhe  dy në tregtinë ndërkombëtare; madje këto regrese bëhen mbi një rangim ashtu kështu bizar nga viti i kaluar. Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti i gjetjes së progresit në ndalje të rënies. Jemi në fund të pusit për atë Zot, më keq nuk ka ku shkon. Ndalja eventuale e regresit tonë bëhet vetëm falë konflikteve në Libi, Tunizi, Egjipt e diktaturave në Iran e Venezuelë.

Zëvendësministrja u mundua të pastrojë vetën nga përgjegjësia me faktin se vlerësimi i raportit është bërë vetëm tre muaj pas ardhjes së saj në Qeveri. Ndoshta dhe ka të drejtë, ndoshta dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të reformuar, por ja që epoka e zhvillimit kosovar nuk mund të fillojë me ardhjen e një zonje në një Ministri; ne ende nuk kemi filluar të ndajmë vitin kalendarik “para lindjes së Mimozës” dhe “pas lindjes së saj”. E vërteta e vetme është se Qeveria e sodit udhëhiqet nga e njëjta strukturë vendimmarrëse me atë nga 2007-ta, dhe se për më tepër, ecja e vendit ka trend plotësisht të njëjtë me të mandatit të parë. Kjo ecje është vetëm regresive. Aktorët mund të kenë ndërruar aty këtu, por regjisori mbetet i njëjtë. Vendimmarrësit ja pafshin hajrin vlerësimeve të tilla, ashtu siç ja u shohin lëvdatave (kjo vetëm në teori meqë në praktikë nuk di për çka mund ti lavdërojë dikush).

“Kosova ofron mundësi dhe përkrahje institucionale për investitorët”, ishin fjalët e kryeministrit tonë të dhëna në Forumin Ekonomik të Vjenës. Fjalët si zakonisht u recituan me një ton aspak bindës. Si për inat të kryeministrit, rangimi i Bankës Botërore për çdo investitorë që dinë pak shkrim e lexim thoshte mu të kundërtën. Kosova ndanë vendin e 174  (nga gjithsej 182 vende) me Mikronezinë, Gambinë dhe Guinean sa i përket mbrojtjes së investitorëve. Janë vetëm 5 vende në gjithë botën që mbrojnë investitorët me keq se Kosova. Është Xhibuti, është Venezuela e Hugo Çavezit, është Surinamo, është Republika Popullore Demokratike e Laos dhe në fund fare është Afganistani i talibanëve. Paramendoni tmerrin e ndonjë investitori potencial kur sheh Kosovën në fund të pusit me vende si Venezuela e Afganistani; madje edhe Republika Islamike e Iranit rangohet më mirë se ne. Këtë vit edhe Haiti i shkretë pas atyre tërmeteve, sëmundjeve epidemike, zjarreve e Zoti e di çka, ka përmirësuar rangimin e vet dukshëm. Po çfarë mundësie, çfarë përkrahje, çfarë bakraçi!

Rangimi i dytë më i rëndë është ai mbi hapjen e një biznesi. Lerë që nuk i mbrojmë investitorët e huaj e vendorë, po edhe për të nisë një biznes të gjorët nxjerrin të zinjtë e ullirit.  Të vlerësuar në vendin e 168-të, aty afër diku me Bolivinë, Kamboxhinë, madje shumë prapa Venezuelës Çaveziane, Kosova tregon sinjale shumë të qarta se hapja e biznesit është mision pothuajse i pamundur. Realisht jo se dhe ne këtu mendonim ndryshe. Për të marrë ndonjë licencë, leje, apo dokument biznesor njeriu duhet shëtitë nëpër zyre, kafe e bodrume e me pare plot për ti pasuruar kushërinjtë e kushërirat e politikanëve tanë të cilët para dite luajnë “solitaire” e pas dite qesin falle kafesh. Efikasiteti i tyre shihet vetëm në shpejtësinë e avullimit të parasë; për këtë janë specialistë.

Në rangim pothuajse të njëjtë janë marrja e lejeve të ndërtimit dhe fuqizimi i kontratave. Të dy vlerësimet tregojnë se komunat i kemi llom e gjykatat edhe ma zi. Sipas Bankës Botërore, për të marrë një leje ndërtimi një investitor duhet të presë plot 301 ditë; në Maqedoni as edhe 3 muaj. Në një treg të hapur si ky i rajonit tonë pak kush zgjedh Kosovën para fqinjëve tanë sidomos kur kursen kohë, mund e domosdo dhe para tre herë më shumë. Edhe më keq i kemi punët në gjykata. Për të fuqizuar një kontratë një biznes duhet të pres plot 401 ditë; kështu ndodh kur trajtojmë shkeljet në trafik njëjtë si problemet biznesore. Një vend që sillet si në anarki, ku marrëveshjet kontraktuale janë vetëm fjalë në letër, pritjet për investitorë janë vetëm parulla të bukura fjalimesh që vetëm qeveritarët tanë mund ti lexojnë me bindje plot. Bizneset nuk inkurajohen me fjalime por me reforma substanciale në pothuajse gjithçka publike. Pozitën e vetëm të lakmueshme Kosova e mbanë në mbylljen e bizneseve. Aty jemi në Top 30. Për të mbyllë biznese jemi shembull; çfarë “inkurajimi”!

Me rangime si këto, vetëm një i çmendur do të rrezikonte kapitalin e tij tek ne. Thënë këtë, investimet do të vijnë vetëm aty ku ka mundësi pasurimi të shpejtë ose ku blerjet bëhen lirë, gjithmonë për hir të apetiteve korruptive të vendimmarrësve. Kryeministri përmendi në Vjenë Lamkosin, Ferronikelin dhe Bektel-Enkan si shembuj të investimeve të mira në Kosovë. I pari i falimentuar, i dyti i falur dhe skandaloz në operim, e i treti nuk është investitor por një punë-kryerës i shtrenjtë; të gjithë bëjnë shembujt tipik të prezencës shkel-e-shko. Për këso investitorë vendi nuk ka nevojë asnjëherë. Për asi të hajrit nuk e kemi as rendin e as vullnetin. Deri sa i gjithë angazhimi ynë është në fjalë të thata, deri sa biznesi shihet vetëm si mjet i mirë kalimi nga “opingat në mercedes”, deri sa nuk besojmë se pa biznese zhvillimi ynë ekonomik është i pamundur, ne do të vazhdojmë me avaz regresiv si ky tani. Plani hajgare i Banskos e parasheh Kosovën në Top 40 në vitin 2014. Me trendin e tanishëm do të na duhen edhe 200 vjet të tjera për të kaluar Mikronezinë. Rangimet si këto sado të dëmshme në pasqyrimin e Kosovës jashtë tregojnë edhe për filozofinë ekonomike që ndjek Qeveria jonë. Të njëjtit akuzojnë të tjerët për mendime komuniste, diktatoriale e me “mentalitet të së kaluarës”; për mua, një filozofi që mbyt biznesin e që nuk beson në biznes nuk është asgjë tjetër veçse një filozofi komuniste e diktatoriale. Në fund të fundit a nuk na shohin raportet si këto mu ashtu?!

Friday 21 October 2011

SI NË BASTORE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 TETOR 2011
Pas ngjarjeve të fundit, ti zësh besë Qeverisë se mund të realizoj një objektiv të vetë-përcaktuar është bërë njëjtë si ti zësh besë një profecie prej fallxhoreje. Sot çdo parashikim qeveritar ka stil të njëjtë bastoresk, nëse e do e do, që jo shëndosh qofshim

Inxhinier i pensionuar amerikan Harold Camping javën që shkoi bëri një profeci që mori kornerët e gazetave botërore. Nën-rreshtat e formulës matematikore i kishin dhënë atij një parashikim mjaft tmerrues. Sot, më 21 Tetor,  botës do i vinte fundi. Nëse jeni duke lexuar këtë shkrim e keni të qartë se bëhet fjalë për një ‘huqje’ epike. Nëse njihni parashikimet e Camping atëherë e dini se i njëjti ka dhe gjashtëmbëdhjetë të tjera që nuk ju realizuan asnjëherë. Inxhinieri vazhdon të bën lajm jo se dikush i zë besë, por se lajmi bën një atraksion e jep një të qeshur tek lexuesit në fund të fundit.  Qeveria e Kosovës në gjashtë muaj qeverisje ka bërë nëntë parashikime që nuk i kanë dalë as për së afërmi të sakta; madje mosrealizueshmëria e tillë komplekson edhe teoritë e probabilitetit që në rastin më real të japin një gjasë 50-50 realizueshmërie. Për fatin tonë të keq, ‘huqjet’ e Qeverisë tonë nuk bëjnë atraksion, ato bëjnë tmerrin e varfanjakëve, papunësinë e të rinjve, lëmoshën e të vjetërve, mbytjen e prosperitetit ekonomik e mbjelljen e pasigurisë.
Keq perceptim për 456 milionë euro në planifikim buxhetor, keq perceptim për 24 muaj në liberalizim të vizave, keq perceptim në vënie të reciprocitetit, keq perceptim në relacione ndërkombëtare financiare, keq perceptim në inflacion, keq perceptim në ambient biznesor, keq perceptim në rritje ekonomike, keq perceptim në parametra punësimi, keq perceptim në dhënien e pagave retroaktivisht; kjo është shkalla e realizueshmërisë së politikave qeveritare. Mbani mend, në momentin e parë që Qeveria do të realizojë një objektiv të vetëm, vetëm një dhe jo më shumë, do të renditen ministra e zëvendësministra njëri pas tjetrit për të zmadhuar e rritë atë objektiv të gjorë, thuajse kanë bërë namin . Deri atëherë ja tregimi i keq perceptimeve.
I pari dhe më frikësuesi është keq perceptimi në planifikim buxhetor. Se mundet dikush të mos ja qëllojë për disa miliona, hajde dhe dhjetëra miliona, ndoshta dhe mund të falet, por të keq perceptosh rrafsh 456 milionë euro në parashikim buxhetor të një viti, kjo po se po të lë në habi; janë plot 30% e të hyrave vjetore që janë keq parashikuar. Merreni buxhetin e aprovuar në Parlament për vitin 2011-të, vëne përballë lajmeve nga FMN dhe privatizimi i PTK-së dhe kuptoni diskrepancën enorme në numra. Atyre 156 milionëve të mosrealizuara nga asistenca financiare (marrëveshja me FMN, Komisioni Evropian dhe Banka Botërore) do tu shtohen tashti dhe 300 milionë të tjera nga mosprivatizimi. Jo se duhet hidhëruar lajmit për mos-privatizim të PTK-së, falë Zotit që nuk e falëm; por se ne kemi bërë tashmë shpenzime dhe ato shpenzime duhet larë nga diku. Kur kemi llogaritë marrjen e këtyre 456 milionëve, ne kemi llogaritë domosdo dhe shpenzimin e tyre. Derisa shpenzimet janë realizuar tashmë, të hyrat s’i kemi askund. Prandaj kishte arsye në zërat tanë në fillim të vitit për mos mbështetje të shpenzimeve në të hyra të njëhershme se këto të fundit janë thjeshtë të paqëndrueshme dhe mund të na lënë me gishta në gojë, ashtu si na lënë tani.
Se Qeveria nuk mërzitet fort nga një mosrealizim i tillë tregon dhe qëndrimi i Ministrit të Financave i cili me mburrje plot (e me patetizëm dhe më shumë) na thotë se jemi “shumë mirë”. Nuk di se a e dinë që e dimë se nuk dinë, e se nuk mund të fyejnë me aq lehtësi një inteligjencë të tërë kosovarësh dhe se sa më shpejtë ndalin deformimet e dështimeve aq më serioz merren. Ministri i shkretë njëjtë si në rastin e mosrealizimt retroaktivisht të pagave (keq perceptimi i dytë) apo shkëputjes së marrëveshjes me FMN (keq perceptimi i tretë), mundohet të mbrojë gafat e shefit duke shmangur me fukarallëk në argumente përgjigjet e drejtpërdrejta. Madje nëse ka gazetar që i nxjerr atij pranimin se nuk do të hynë sivjet në buxhetin e Kosovës 456 milionë që ai vet i ka parashikuar, atëherë të njëjtit (gazetarit) duhet dhënë një çmim për torturë gazetareske. Ministri duhet tu shpjegojë kosovarëve se këtë vit shpenzimet e Qeverisë së tij do tua shterin bilancin bankar të shtetit duke e lënë atë në më pak se 100 milionë. Realisht do të ishte pak më shumë se 20 milionë sikur Qeveria të mos vendoste shkurtimin drastik të disa investimeve kapitale e kategori tjera. Këto të fundit do të bëjnë lajme enorme në fund të vitit sa të kuptojmë se kush do të pësojë; sigurisht se nuk pëson autostrada miliardëshe, as shpenzimet luksoze qeveritare e as tenderët e majmë. E vërteta e hidhur është se me më pak se 100 milion euro në bilanc bankar, Kosova mund vetëm të lutet që të mos ketë shpenzime të jashtëzakonshme si ndonjë krizë eventuale në sistemin bankar apo ndonjë kërkesë për ndërhyrje emergjente. Në anën tjetër nivele të ulëta si këto do të hapin rrugë për keqpërdorimin më bizar financiar që do ti ndodhë Kosovës ndonjëherë, sakatimin e fondit të privatizimit; i tëri do të kaloj si qengji nën shpatën e kasapit.
Si në bastore u bë dhe parashikimi i liberalizimit të vizave, keq perceptimi i katërt. Kryeministri u mundua të kamuflojë objektivin e Qeverisë së tij duke pretenduar se një milet i tanë e kishte keqkuptuar atë. Por ja që incizimet televizive na e vunë paksa si në siklet një burrështetas që në fund të fundit do të duhej të sillej si i tillë. Keq perceptimi për më së paku 24 muaj tregon mjaft se ku jemi e “sa mirë” po ecim; por tendenca kamufluese tregon më shumë se sa merremi për hesap nga Qeveria jonë – na marrin si dele. Nuk do të duhej të merrnin fort për zemre tendencat kamufluese sikur ato të mos ishin të zakonshme. Por ja që jo më larg se dy javë më parë një kabinet i tërë ministrash mundohej të bindte kosovarët se reciprociteti me Serbinë është rregulluar në plotësi; keq perceptimi i pestë. Si nuk guxoj as edhe nj ministër të pyeste se a munden bizneset kosovare të kalojnë në Serbi me pasaporta, leje vozitje e dokumente tjera biznesore të lëshuara nga Republika e Kosovës, dokumente këto bazike për tregti të lirë? Si është e mundur që Qeveria bëhet e shurdhur para alarmimeve të odave e asociaoneve biznesore të cilat na japin fakte bindëse se as edhe një dokument i tillë nuk pranohet nga doganierët serb? Dhe prapë, me besimin më të madh na shikojnë mu në sy e na thonë se gjithçka është vënë “në vijë të mbarë”.
Zinxhiri i keq perceptimeve vazhdon me sagën e rritjes ekonomike, keq perceptimi i gjashtë. Së pari u deshën disa javë deklaratash e kundërdeklaratash mes gazetarëve e Ministrit të Ekonomisë për të kuptuar ky i fundit se rritja ekonomike e Kosovës e planifikuar me Planin Bullgar prej 8-10% është thjeshtë e pamundur; Kosova në rastin më optimist do të bëjë gjysmën e saj. Kur të bëjmë gjysmë e asaj të planifikuarës (dhe domosdo të nevojshmes për përmirësim substancial ekonomik) do të dalin ministrat për të na thënë se kjo është rritja më e lartë në rajon, ani pse asnjëri prej tyre nuk do të kuptojë se në një bazë të ulët ekonomike si të Kosovës rritja prej 5% është pak impresive dhe se Maqedonisë e Shqipërisë do ti duhet vetëm 1% rritje për të arritur zhvillimin “më të madh rajonal” si këtë tonin.
Keq perceptimi i shtatë vjen nga përmirësimi i ambientit biznesor. Me dhjetëra indikatorë të planifikuar për reformim, as edhe një i realizuar tashmë. E kur të dalë Raporti i Bankës Botërore për të bërë biznes bëhuni gati për një truk të ri arsyetimesh e kamuflimesh, bartje fajesh në Parlament e Komuna; inovacion se jo mahi. Keq perceptim pat dhe në parashikim të inflacionit (i teti). Gjashtë muaj më parë e njëjta Qeveri kishte parashikuar inflacion prej 5%. Të dhënat nga Enti Statistikor na tregojnë për një inflacion potencial më së paku dy herë më të lartë, pra 10% gjatët vitit 2011. Ishin mu disa nga politikat qeveritare (akciza në naftë, pagat e shërbyesve civil, dënimet e rrepta ndaj bizneseve) që shkaktuan rritjen e pakontrollueshme të çmimeve. Kështu ndodhë kur nuk balancon elementet ekonomike, kur rritë jo proporcionalisht shpenzimet e më pas mundohesh me çdo kusht e pa kufi në kosto të realizosh të hyrat. Bërja e ekonomisë është shkencë, jo lojë. Keq perceptimi i nëntë buron në treguesit e papunësisë. Derisa planifikimet qeveritare jepnin trende pozitive në punësim (kujtoni prapë Planin Bullgar dhe projeksionet se si brenda pesë viteve papunësia do të përgjysmohej)  të dhënat e fundit makroekonomike japin mu të kundërtën; rëndesë e stagnim.
Në fund fare, sado e dëmshme të jetë financiarisht, ekonomikisht e në kohë mosrealizimi i objektivave të vetë përcaktuara nga Qeveria, është alarmante mënyra e mbulimit të këtyre dështimeve nëpërmjet tendencave tjetërsuese, madje duke na parë drejt e në sy e pa fije brenge e turpi. Kjo bën një kosto të re për kosovarët, kosto e mostrajtimit moral nga pushtetarët. Ndoshta guximi i tyre për të na marrë si të paditur dhe buron nga toleranca jonë e paarsyeshme; por e vërteta e vetme është se një Qeveri që ka përgjegjësi si kjo ndaj nesh meriton refleksion po aq të njëjtë. E deri sa lejojmë të merremi si dele, Qeveria do të bëjë politikë si në bastore.

Friday 14 October 2011

KËSHTU FLISTE RAPORTI I PROGRESIT:KRITERET EKONOMIKE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 TETOR 2011



Shtatëmbëdhjetë nga njëzet vlerësimet ekonomike të Raportit të Progresit shënojnë o regres o stagnim; vetëm tri tregojnë progres


Raporti  i Progresit më në fund foli; pale çfarë të folme. Një grumbull regresesh, alarmesh e vërejtjesh si këto të lëshuara drejt Kosovës të thyejnë e përlyejnë çdo shpresë qe ke për perspektivën evropiane të vendit tënd; ato do të bënin çdo të huaj të pyeste mbanë se çfarë lidhë realisht Kosovën me Evropë. Thënë të drejtën asgjë. Jo se pritej më ndryshe, jo se kishin bërë më shumë, hiç se hiç se meritojmë më mirë. Vlerësime të tilla janë bërë e vazhdojnë të bëhen në Kosovë nga çdo kush që nuk vozitë vetura me ‘targa Z’; që nuk ka dajë, axhë, teze, hallë, motër, vëlla, nënë e babë të punësuar rreth vendimmarrësve; e që nuk merr tender të favorizuar qeveritar. Vlerësimi i jetës së kosovarëve mund të bëhet dhe në rrugë, në skajet e godinave qeveritare, afër veturave publike super-luksoze, prapa kafeneve ku kryhen pazaret milionëshe në kurriz të varfanjakëve; “progresi” i Kosovës është i lexueshëm lehtë, ai shihet vetëm në regres. Po ja që ndoshta një raport i thënë në anglisht, nga të huajt, do të rrisë atë pak vullnet të keqmenaxhuesve. Ndoshta një raport i huaj do të dëgjohet më shumë.  

Përshtypja e parë që të krijohet gjatë leximit të raportit është se shtatëmbëdhjetë nga njëzet vlerësimet ekonomike të tij shënojnë o regres o stagnim; vetëm tri tregojnë progres. Të gjitha janë më të rënda se tjetra dhe për të gjitha mbetet pak vend për shpresë. Vërejtja e parë në kriteret ekonomike jepet mbi politikat makroekonomike duke vënë në pah mungesën e plotë të vizionit qeverisës. Thuhet se ka mungesë të një strategjie të mirëfilltë ekonomike që ndërlidhë prioritetet, reformat strukturore dhe shpenzimet qeveritare. Qartësisht Komisioni Evropian nuk merr seriozisht planin “power-point” të Banskos. Thënë të drejtën askush nuk e ka marrë seriozisht deri më tani, as vet hartuesit. Po ta merrnin seriozisht edhe atë copë dokumenti që e quajnë strategji, sot të paktën ndonjë progres do shënonim. Kur thuhej se Kosova nuk ka plan, se nuk di ka duhet të ecën, se shpenzimet milionëshe bëhen në bazë të tekeve, qeveritarët tanë jepnin cilësime si zhurmues e keqdashës. Sa keqdashës na bëhen tashti zhurmuesit evropianë!

Në spektrin e treguesve makroekonomik, vërejtja thelbësore që i jepet qeverisë është buxheti disproporcional dhe shpenzimet e pakontrolluara nëpër vite, me theks të veçantë kalimi nga suficite të bollshme në deficite edhe më të rënda. Thënë shkurt, për BE-në shpenzimet e tilla jo vetëm se vënë vendin afër kolapseve financiare por ato tregojnë për një paqëndrueshmëri serioze financiare afatgjate; madje një mosrrënim tashmë është bërë i mundshëm vetëm falë grumbullimeve që vendi ka gjeneruar nëpër vite. Lajmi i keq për kosovarët është se ecja destruktive është vetëm në hapat e parë. Me planifikimet e reja për rrugë miliardëshe hendeku veçse do bëhet dhe më i thellë. Me të njëjtën frymë kritikohet modeli ekonomik zhvillimor i Kosovës, i cili vazhdon të jetë i bazuar kryesisht në shpenzime qeveritare. Një ecje e tillë konsiderohet nga raporti si e paqëndrueshme. Konkluza finale thotë se rritja ekonomike (e njëjta që po zbukurohet nga ministrat tanë) është e dobët dhe fragjile. Është e dobët meqë shpenzimet qeveritare kanë një fund, donacionet janë në rënie e remitancat herët a vonë do të zbehen. Për tu mëvetësuar nga një model i tillë Qeveria duhet të besoj në sektorin privat. Fatkeqësisht për ne, besimin e vetëm që ky stil qeverisës ka treguar ndaj sektorit privat deri më tani është nëpërmjet dhënies së parave familjarëve të tyre, mbushjes së llogarive afrikane e shpëlarjes enorme të parasë. Përveç kësaj, bizneseve i jepet korrupsioni, konkurrenca jo fer, jo-reciprociteti, ngarkesat, haraçi, përqindja e kështu me radhë. Jemi larg me mija vjet drite nga një zhvillimi i qëndrueshëm.

Në fushën e bilancit tregtar, raporti përveç se vlerëson lehtësisht rritjen e eksporit (të hekurishteve), jep një konkluzë mjaft domethënëse; në të cilën përveç se rithekson rëndesën e disbalancës aktuale nënvizon dhe kufizimet në tërheqjen e investitorëve të huaj për të rritur prodhimin në Kosovë. Aspak e habitshme kur mbrojmë investitorët më keq se Irani e Somalia (shih rangimin e Bankës Botërore). Të gjitha ato paralajmërime për reforma biznesore u harruan. Pritjet optimiste qeveritare se në fund të 2011-ës Kosova do të jetë në Top 40 e të bërit biznes tashmë janë bërë pjesë e një tallje publike. Jo se i ka marrë dikush ndonjëherë seriozisht, por një huqje e tillë të bën të kuptosh sa të paaftë jemi në planifikim dhe sa joserioz bëhemi kur nuk realizojmë as ato që i planifikojmë vet.  

Aspak më i mirë nuk duket vlerësimi mbi gjendjen e punësimit. Raporti nënvizon qartazi se krijimi i vendeve të reja të punës ka qenë i padallueshëm duke mos zbutur kështu as për së afërmi barrën e një fuqie punëtore të papunë apo pasojat e tjera ekonomike që vijnë nga ajo. Në muajt në vijim do të dëgjojmë në vazhdimësi paragrafet e mësuara përmendësh nga promovuesit qeveritar për një zbutje të papunësisë në numra dyshifror; se kështu e kanë të shkruar në Planin Bullgar. Të shkretit nuk dinë se progresi nuk matet me planet e fletoreve qeveritare por me paret në xhepat e kosovarëve, me bërjen e vendeve të punës, me zbutjen e varfërisë. E kur jemi tek varfëria, Raporti konstaton thellim të saj nga inflacioni i ri kosovar i cili cilësohet si “i rritur në nivele mjaft të larta”. Thënë shkurt, me normat e tanishme të rritjes së çmimeve jeta e kosovarëve bo varfërohet në vazhdimësi.

Goditja më e rëndë që i jepet vendit ndërlidhet me buxhetin e Kosovës dhe marrëveshjen me FMN-ën; të njëjtën të cilën kryeministri dhe ministri i financave e patën quajtur muaj më parë si sukses enorm të qeverisjes me vizionare që ka pasur Kosova ndonjëherë. Raporti e thotë qartë: “planifikimi financiar dhe kualiteti i financave publike është degraduar dhe më tej, prandaj parashikueshmëria, qëndrueshmëria dhe transparenca mbesin sfida serioze”. Nuk ka asgjë të re në raport nga ajo çfarë është thënë deri më tani. Ne kemi degraduar menaxhimin e financave publike duke prishur relacione me Fondin; kemi humbur aftësinë parashikuese meqë shpenzojmë disproporcionalisht sa herë që duhet blerë vota, marrë mbështetje financiare nga bizneset apo siguruar pushtet nga favoret për firmat e huaja; kemi harruar si duket qëndrueshmëria financiare meqë kemi shterur e tharë arkën shtetërore; dhe për më keq transparenca është harruar fare meqë nuk mërzitemi se duhet dhënë përgjegjësi dikujt. Kaq për proceset “më vizionare” të para ndonjëherë!

Raporti gjithashtu kritikon administratën e  dobët shtetërore, shërbimet publike dhe mungesën e sundimit të ligjit. Të gjitha këto shihen si pengesa të paadresuara drejt zhvillimit të biznesit. Madje për sistemin ligjor thuhet të vazhdojë të jetë “tërësisht i nënzhvilluar dhe i varfër”.  Në anën tjetër, tregu i lirë që promovohet me plotë gojë nga qeveritarët tanë (pa ditur fare kuptimin e tij) thuhet të jetë larg optimales gjithmonë për shkak të barrierave të imponuara nga korrupsioni, konkurrenca jo fer dhe ekonomia joformale. Raporti konstaton se ndërhyrjet e shtetit në ekonomi janë të tepërta dhe ato vazhdojnë të mos reduktohen. Ambienti biznesor thuhet të vuaj shumë nga mungesa e kapitalit human të kualifikuar i cili nuk arrin ti përmbushë as nevojat më bazike të tregut, gjithmonë falë një sistemi edukativ pa vizion. Në anën tjetër, Raporti konstaton se struktura e ambientit biznesor vazhdon të mos ketë asnjë ndryshim, madje ajo vazhdon të jetë e hendikepuar nga prezenca e sektorit informal.

Për të mos bërë Raportin krejt zi, progresi konstatohet në privatizimin e ndërmarrjeve publike, stabilitetin monetar dhe sektorin bankar. Dy nga tri progreset nuk kanë lidhje me politikat qeveritare, pra janë të pavarura nga to.  Progresi i të parës bazohet vetëm në orientimin filozofik të Qeverisë, e asesi në implementimin e këtij orientimi. Implementimi merr vlerësime degraduese. Thënë këtë, është mjaft e qartë se progresi i vetëm i Kosovës është arritë mu aty ku Qeveria nuk ka dorë.

Një raport si ky të bën me dije sa prapa është Kosova në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Deri sa fqinjët tanë vrapojnë, ne ende nuk kemi bërë as hapin e parë. Për më tepër, në një vlerësim që ofron më shumë degradim se sa progres Kosova duhet të kuptojë se procesi i saj po shkon tejet mbrapsht. Thënë këtë, është imperative ndërrimi i gjithçkaje; ama bash gjithçkaje. Nga modeli ekonomik që ndjekim, nga prioritetet qeveritare, nga politikat makroekonomike, nga ambienti biznesor, nga stili qeverisës, e deri te promovimi, mbrojtja e subvencionimi i investimeve duhet të ndërrohen. Ka tre vite që marrim vlerësime të njëjta nga evropianët, madje njeriu ndonjëherë fiton dhe përshtypjen se po lexon raportin e njëjtë nga viti i kaluar. Sinjale si këto duhet të ndezin kambanat e reaksionit tonë. Po vazhduam kështu, rënia jonë do jetë dhe më e thellë.

Friday 7 October 2011

AVENTURA E RRUGËS SË SHKUPIT

Letra nga limboKoha Ditore, 7 Tetor 2011

Pazari i miliardave, borxhi e bankroti dhe specat e Ferizajit

Një ide që muaj më parë bënte jo më shumë se një shaka të brishtë, një truk financiar e një fantazi të pashoq ka kohë që po formësohet nëpër prononcimet qeveritare me plot bindje e seriozitet. Është autostrada e re Prishtinë-Shkup që këtë herë bishtnon vëmendjen kosovare, ndonëse projekt-ideja herët a vonë do të quhet e përfunduar teknikisht dhe gati për lansim. Në një ambient të mbyllur për diskutim e ku pazaret përfundojnë ende pa filluar analiza, heshtja publike vazhdon të bëj vend. Në këtë heshtje janë zënë si në grackë dhe Parlamenti i vendit që ka pak ide për një investim kaq madhor, shoqëria civile e cila ftohet në diskutime qeveritare vetëm atëherë kur duhet përmbushur ndonjë kërkesë nga Raportit i Progresit, e edhe më pak kontribuuesit financiar të projektit– taksapaguesit më të varfër Evropian - kosovarët. Pak kush nga këta ka dëgjuar për kushtëzimet e radhës të FMN-ës pas vizitës së fundit të Ministrit të Financave në Uashington, apo për refuzimin e parë të idesë buxhetore me një autostradë në të. Thënë shkurt, autostrada e re për kushtet financiare të Kosovës vazhdon të mbetet një aventurë; por e cila, fatkeqësisht për ne, vazhdon të forcohet nga një qeveri që për më pak se 4 vite nga një suficit 7% kalon në deficite suksesive mbi 5% (të BPV-së).
Në stil të njëjtë me autostradën e kombit, kjo e reja ka pak vend për tu dalluar. Njëjtë si ajo tjetra projekti bëhet me nguti, pa burime të qarta financimi, pa analizë kost benefit, pa fije transparence, dhe sipas të gjitha gjasave me kosto të papërballueshme financiare për një vend që ashtu kështu ecën në kufijtë e likuiditetit financiar. Outpute si këto do të replikonin pasojat e njëjta që bartim sot nga një autostradë hiper të kushtueshme.
Së pari, një investim i planifikuar qeveritar pa burim të qartë financimi bartë me vete edhe një prishje të re në relacionet e Kosovës me institucion financiare, dhe njëjtë si në rastin e këtij viti, me humbje të miliona eurove asistence. Kujtoni se me marrëveshjen e re monitoruese të FMN-së, Kosovës i është bërë e qartë se përsëritja e “Autostradës së Kombit” në drejtim të Shkupit i jep përfundimisht udhë bankrotit financiar të vendit. Madje, për të siguruar seriozitetin në paralajmërim, FMN në të njëjtën marrëveshje bën të qartë fatin e Kosovës në relacion me të nëse një skenar i tillë zë vend. Ministri i Financave, ndonëse i vetëdijshëm për gjasat inekzistente për kompromis, vazhdon të shtyjë teket e shefit të tij. Për më tepër, deklarimet e fundit të Ministrit të Infrastrukturës se projekti pothuajse është gati tregojnë qartë pozicionin dhe vendosshmërinë (e panevojshme) qeveritare në këtë drejtim. Thënë shkurt, Qeveria e vendit si duket ka ndarë mendjen që projekti i ri të zhvillohet, pa marrë parasysh kostot, pasojat apo alternativat.
Kjo kryengurtësi në politika kaq madhore financiare,e asesi në raste tjera politike (si dialogu apo Veriu), përveç se do ti humbë Kosovës edhe një 150 milionësh tjetër asistencë, pra gjithsej 300 në më pak se dy vjet, do ta fusë dhe një gjeneratë të tërë në borxh. Për më tepër, në mungesë të asistencës, Qeveria do të zgjasë duart drejt mjeteve të privatizimit, burimi i vetëm i paprekur gjer më tani. Këto 600 milionë nga privatizimi me Ligjin e ri për AKP-në i ofrohen si dhurate ditëlindjeje Qeverisë. Ligji, sikurse dhe projekti i Shkupit, u kalua në kohë kur vëmendja e kosovarëve ishte në Veri dhe i njëjti anashkalon nevojën për një debat të gjerë për formën e shfrytëzimit të pasurisë së kapitalizuar nëpër gjenerata. Përveç kësaj, paralajmërimet e shpeshta qeveritare se Kosova nuk është në borxh ndërkombëtar të japin tregimin e radhës për planet eventuale; ne do të futemi në borxh, por ja që me rangimin e tanishëm për kreditim interesat që duhet paguar do të jenë thjeshtë të pambuluar.
Së dyti, projekti i ri nuk ka as edhe analizën më të vogël kost benefit. Ne ende nuk pamë, dhe nuk do të shohim, ndonjë dokument që tregon një arsye logjike ekonomike se pse e si duhet shpenzuar paratë e taksapaguesve. Nuk dimë ende se pse është më mirë të ndërtohen rrugë miliardëshe para investimeve në shëndetësi, arsim apo në fund të fundit rrugë rajonale. Me planifikime si këto, vendit i bëhet shumë e qartë se shëndeti i tyre do të mbetet i paadresuar për nja 5-7 vite të ardhshme, se edukimi do të jetë më bizari në Evropë, e se rrugët që lidhin qytetet kosovare do të mbesin dytrakëshe për dekadën tjetër. Për më tepër, treguesi më shqetësues do të mbetet ideja se paratë e privatizimit do të destinohen për një projekt që gjeneron jo më shumë se 2000 vende pune, apo një të dhjetën e të papunëve që krijohen brenda një viti, dhe atë për një periudhë jo më të madhe se 3 vjeçare. Alternativat e shfrytëzimit të këtyre parave kanë përfshirë gjithmonë ide më brilante, si ato vijat e veçanta kreditore për bizneset të cilat jo vetëm se do të gjeneronin kapital financiar për të prodhuar punësim, por dhe ulje të normave të interesit nëpërmjet konkurrencës. Të njëjtat alternativa kanë sugjeruar edhe ndërlidhjen infrastrukturore të qyteteve kosovare për të ofruar një zhvillim më të balancuar rajonal. Edhe më e arsyeshme mund të duket përmirësimi i kujdesit shëndetësor nëpërmjet themelimit të fondit të sigurimeve. Me koston e Shkupit, ne mund ti bënim të trijat! Pyetja që Qeveria duhet ti bëjë vetit është se cilat peshojnë më shumë: të gjitha bashkë apo vetëm rruga për Shkup?  
Nëse dikush ka tendencë të gjej logjikën e shëndoshë prapa një investimi kaq enorm, më mirë ta lërë kërkimin që në fillim. E vërteta e hidhur është se në Kosovë, korrupsioni “nga ata lartë” ka ndryshuar formë. Ai nuk bëhet më si dikur me mijëra tendera por me pazare jo më shumë pesë shifrore. Në vend të kësaj, tash flasim me një a dy projekte por me vlerë miliardash (Rruga Prishtinë-Merdare, Prishtinë-Shkup, Termocentrali i ri); janë lehtë të kontrollueshme, transaksioni ndodh vetëm një herë dhe për më tepër fshihen shumë më lehtë. Dhe kjo na sjell te argumenti i tretë, ai i mungesës totale të transparencës. Nuk kam as edhe dyshimin më të vogël se firma ndërtuese do të jetë Bektel-Enka. Dikush do të arsyetojë efiçencën në çmim (meqë i ka tashmë  makineritë në Kosovë), dikush tjetër kualitetin e treguar në investimin e kaluar, e dikush mund të argumentojë dhe në “miqësinë e shëndoshë” që kompania ka në Kosovë dhe rajon. Kur herën e fundit dëgjova presidenti Serb Tadiq të thoshte se tashmë ka të kontraktuara 80 km rrugë me Bektelin, kisha shumë të qartë fuqinë e saj në Ballkan. Ata definitivisht do ta marrin projektin e Shkupit. Për mendimin tim, ata dhe mund të jenë më të lirë, më të mirë, apo më influencial. Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi për neve ka vetëm transparenca në kontratë-dhënie dhe çmim i lirë që duhet të paguajmë për këtë rrugë. Nuk do të ndodhë asnjëra!
Njëjtë sikurse në rastin e autostradës patriotike, Qeveria do ta mbajë të mbyllur kontratën për rezonet kinse biznesore (një praktikë e paparë në Evropë). Të gjithë ata që do të kundërshtojnë një mbyllje të tillë do të akuzohen këtë herë jo për mungesë patriotizmi (se nuk ka çfarë i lidhë patriotët tanë me Shkup), por me mungesë të vizionit dhe qëllimit të mirë ndaj zhvillimit ekonomik. Në paranoja të tilla, shefi do ti quaj të gjithë që mendojnë më ndryshe zhurmues e shkurtëpamës, ndjekësit e tij do të dalin në debate televizive për të treguar tash se një kamion nga Ferizaji mund të dërgojë speca e kastraveca më shpejtë në Shkup, dhe Ministrat e shkretë do të mësojnë disa paragrafe përmendësh për të thënë se kjo është kontrata më e favorshme në rajon, ani pse askush (as ata vet) nuk e kanë parë e prekë.
Për gjithë ata që do të ndjekin një mendim të tillë, e vërteta është më ndryshe. Kosova duhet të investojë në rrugë e projekte tjera kapitale, por për të bërë një gjë të tillë vendi duhet fillimisht të gjenerojë para, të kursejë dhe të arsyetojë. Për të gjeneruar para duhet mbledhë më tepër tatime; jo nga rritja e tyre, por nga përmirësimi i performancës ekonomike të Kosovës. Ndoshta një alternativë edhe më e mençur do të ishte pritja e anëtarësimit të vendit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka financuar dhe vazhdon të financojë projekte të tilla në rajon. Ne po i përfundojmë të gjitha projektet madhore kapitale pa shfrytëzuar as centin më të vogël nga kjo mundësi e artë. Për të kursyer duhet të ndalur apetitet korruptive dhe keqpërdorimet financiare rekorde. Ndalja e këtyre apetiteve do të thoshte dhe transparencë; atëherë nuk kanë çfarë të fshehin, pra çmimi bëhet domosdo më i lirë (dhe puna më e mirë). Dhe në fund, për të arsyetuar projektin, Qeveria duhet të prodhojë dokumente të mirëfillta që tregojnë se pse një euro e investuar në rrugën për në Shkup sjell kthim më të madh se një euro e investuar bashkë në biznes, shëndetësi, arsim, rrugë rajonale e pensione.
Ndonëse optimizmi im për ndonjërën nga këto prekë limitet e ulëta, frika e vetme që më mbetet është ecja jonë financiare nga aventura si këto. Ne jemi pothuajse në bankrot financiar nga kostoja e një autostrade miliardëshe, pale më nga dy. Për më tepër, efektet ekonomike të miliardave si këto po shihen sa janë në disproporcion me investimet e bëra. Shtimi i tyre do të thoshte degradim dhe ngufatje e mundësive ekonomike. Them se nuk kemi luksin të prishim prapë marrëdhëniet ndërkombëtare, të shpenzojmë pa menduar gjithë ato para të privatizimit, ti shesim gjitha asetet nacionale me nguti (si në rastin e PTK-së, tash radhën e ka Termocentrali), apo të fusim vendin në borxhe të parikuperueshme. Neve na duhet mu e kundërta; asesi dyfishimi i gabimeve. Ndaleni këtë ide sa nuk është vonë.